 |  |
Hoti
Hoti, një ndër pesë malet e Malësisë
së Madhe, është ndër më të vjetrit,
por edhe ndër më të rëndësishmit
e kësaj treve. Emërtimin e parë në dokumente
të vjetra e gjejmë në vitin 1414 me "Certi
Hocti" (disa hoten), çfarë tregon për
një popullsi jo të madhe të këtij Mali.
Po aty shënohet edhe rebelet me Balshaj (balshajt ishin
kryezotët feudalë, që mblidhnin detyrime e
taksa).
Me 1415, këta "rebelë" gjetën strehim
pranë Venedikasve në Shkodër, ku u ndihmuan
edhe me të holla. Në vitin 1416 shënohet se
një Andrea "Otto" (Andrea i tetë) emrohet
kapiteni i vetëm i maleve, e se kjo i dhurohej e gjitha
Venecias, meqense hotjanët ishin prishur përfundimisht
me Balshajt. Në vitin 1417 gjinden emërtime të
ndryshme si "Otto" ose "De Hottis".
Në arkivat e ish-shtetit të Venecias, flitet
për luftë guerilase kundër princërve të
Balshajve në vitet 1416-1417, si dhe popullimi i Hotit
afër territoreve të sotëm që përkon
me vitin 1426, në mes malit Veleçikut e Liqenit.
Në vitin 1455 përsëri deklarohet besnikëria
ndaj Venecias, së bashku me komunitetet e Zetës
së lartë (superiore) me inisiativën e Stefano
Cernei. Me 1474, Hoti del si Mal në vehte me një
kryetar, emrua pastaj Vojvodë, i cili është
në bashkëpunim me Venecien. Pak më vonë,
ka një emigrim në Siçili, ku përkon
me pushtimin turk, ndoshta për t'u shpëtuar reprezaljeve.
Edhe sot në Siçili (Itali) gjinden rradhë
mbiemra Hoti.
Ripopullimi i Hotit është bërë pas
vitit 1500, si vit shënohet viti 1520 ku Geg Lazri, i
biri i Lazër Keqit, i ardhur nga Bosnja (natyrisht tokë
dikur ilire që flisnin shqip) u vendos në mes dy
njerëzve vendas që gjeti në Hot. Familja e
Geg Lazrit u shtua aq shumë, sa shumica e popullsisë
së Hotit kanë për trung Gegë Lazrin. Ndërsa
autoktonët, dy banorët që u gjetën në
vitin 1520 gjinden në Loknikaj e Koje, ku në vitin
1911 numronin 12 shtëpi, që martoheshin me Hotin
Tjetër, ndërsa Hoti në mes vehtes jo.
(Duhet sqaruar se Lazër Keqi pati edhe tre djem të
tjerë, Piper Lazri, Vaso Lazri, Krasni Lazri, nga ku
kanë origjinën fiset e Piperit dhe Vasojeviqit,
të sllavizuar tani, ndërsa Krasniqja e sotme rrjedh
nga Krasni Lazri (shqiptare, por i myslimanizuar.)
Në vitin 1610, 1614 shënohet se Hotët kishin
212 shtëpi me 600 burra të aftë për armë.
Me 1635 - 220 shtëpi me 1100 frymë. Emërtimin
Hot e gjejmë edhe në dokumentet e viteve 1671, 1688,
1689, e të gjithë katolikë, çfarë
tregon për qëndresën e pashoqe ndaj pushtimit
osman. Vetëm në dokumente të shekullit të
19-të gjen pak familje, që kishin kaluar në
fenë islame (shpesh kjo vetëm për t'i shpëtuar
reprezaljeve osmane, madje kishin dy emra në qeveri mysliman,
e shoqëri katolik).
Pikërisht në shekullin e 19-të u arrit
përfaqësimi i interesave të fisit pranë
Ibrahim Bushatit, viziri i Shkodrës. Titullin bylykbash
e kishte një person me emrin Hasan Aga, 30 vjet, më
pas nipi i tij e humbet këtë titull, si rezultat
i një rebelimi të kotë.
Me 1881 Hoti numronte 405 shtëpi me 2500 banorë,
të përqëndruar kryesisht në shtatë
fshatra dhe me sipërfaqe 120 km2, ndërsa në
një dokument të vitit 1897 shënohen 500 shtëpi
me 4500 banorë. Po në dokumentet e vitit 1897 shënohet
se Hoti është i ndarë në dy bajraqe (flamuj):
Bajraku i Hotit ose Rapshës, Bajraku i Traboinit, ose
Kusha e Traboinit, që i përkisnin dy famullive të
Rapshës dhe Brigjes së Traboinit.
Në kuvend të krejt Hotit, kishin kuvendin e
Rapshës, dhe bajraktari nr. 1 ishte ai i Rapshës,
Deli Meta (shënuar në një dokument të
vitit 1918), e i Traboinit ishte bajraktar nga familja Nishi,
por kryesori ishte një Deli Meta. Gjithashtu, Hoti në
përfaqësimin e tij ligjor në Xhibalin e Shkodrës
kishte vetëm një përfaqësues (bylykbash).
Lufta e Hotit për liri e identitet nuk ka të sosur
ndër shekuj si me dreqnit e stepave të Rusisë,
shkjetë e Malit të Zi e Serbisë, ku viti 1878
është kulmi i saj, ku vetëm lufta këmbëngulëse
e hotjanëve (edhe me malësorë të tjerë)
bëri që vendimi i Kongresit të Berlinit të
mbesë në letër për të mos i aneksuar
Malit të Zi krahinat e Tuzit, Plavës e Gucisë.
Ndërsa me pushtuesit anadollakë, kulmore mbet lufta
e 1911, e cila me 6 prill të këtij viti çoi
në ngritjen e flamurit të Skënderbeut në
Deçiç, pas 500 vjet robërie otomane.
Vlen për tu sqaruar se për kuvende të përbashkëta
hotjanët kishin edhe Kishën e Brigjes (S. Giovanni
Decollato). Festa kryesore e Hotit është Shën
Gjoni (Shnjoni). Por mbas të gjitha këtyre, vjen
viti i zi 1913, kur Fuqitë e Mëdha, në Shqipërinë
e Malësinë e Madhe e bashkë me këto edhe
Hotin, ku mjerisht kjo dhuratë ju bë shkjeve të
Ballkanit, Malit të Zi. Kjo ndarje nuk ishte vetëm
territoriale, ajo ndau mbi të gjitha fise, familje e
shtëpi, doke e zakone, e fatkeqësisht edhe sot kjo
ndarje në Europën e Re quhet Tabu. Gjithsesi, hotjanët
emigruan e migruan, por kudo që ata jetojnë, rrezatojnë
jo vetëm shqiptari, por mbi të gjitha mall për
vendin e tyre, çfarë do të thotë, t'i
dalin për zot kudo e kurdo. Hoti i mbetur mbas 1913,
është pjesë e komunës Kastrat e ata me
krenari kujtojnë vargjet lapidarë të poetit
kombëtar patër Gjergj Fishta:
A po i sheh ti njata burra,
Që kah brigja nëpër curra,
Tue hecë natën, porsi bisha,
Jan tuj ngjitun drejt kah kisha,
Ata janë po krenët e Hotit,
Që me u lidhë duan me besë të Zotit,
Për me i lanun nder Malësisë.
vazhdim
|
 |  |