 |  |
K R E U III
FUNDI I SUNDIMEVE TË HUAJA.
FORMACIONET SHTETËRORE SHQIPTARE
NË SHEK. XIV - FILLIMI I SHEK. XV
1. SHKËPUTJA NGA BIZANTI DHE EKSPANSIONI SERB NË
TREVAT SHQIPTARE
Fundi i pranisë anzhuine dhe shtrirja e depërtimit
serb në Shqipëri
Me thyerjen përfundimtare të ushtrive anzhuine në
Berat më 1281, Perandoria Bizantine e rivendosi edhe
një herë autoritetin e vet në Shqipëri,
por kontrolli i saj kufizohej tani në një zonë
më të ngushtë në krahasim me fundin e
shek. XII. Në krahun verior bizantinët morën
Durrësin dhe Krujën, por nuk arritën të
shtriheshin më tutje. Atë kohë mbreti serb
Stefan Uroshi II Milutin (1282-1321) kishte nisur një
mësymje në front të gjerë në gjithë
vijën Mat-Ohër. Madje, më 1296 ai mundi të
pushtonte përkohësisht edhe Durrësin, ndërkohë
që në krahun lindor ushtritë serbe nuk mundën
t'i afrohen Ohrit, të mbrojtur nga fisniku shqiptar,
Progon Skurra. Një mbishkrim mbi murin e kishës
së Shën Klementit në Ohër, rindërtuar
prej tij në vitin 1295, kujton se Progoni mbante titullin
e lartë bizantin të heteriarkut të madh dhe
se gruaja e tij, Eudokia, ishte mbesë e perandorit Androniku
II Paleolog.
Gjithsesi paqja e arritur më 1299 midis perandorit Androniku
II të Bizantit dhe mbretit serb Uroshi II ua njohu serbëve
territoret e pushtuara në veri të Durrësit
e të Ohrit. Megjithatë, ato vazhduan të jenë
një zonë jo e qetë. Nga njëra anë,
inkursionet serbe vazhduan edhe paskëtaj në jug
të Matit, por, nga ana tjetër, në vitet e para
të shek. XIV vihet re një riaktivizim i anzhuinëve
të Napolit në Shqipëri. Vërshimi i serbëve
në trevën e Durrësit dhe të Arbrit të
hershëm prekte edhe interesat e anzhuinëve e të
Papatit, të cilët vazhdonin ta konsideronin veten
si titullarë të pushtetit laik e fetar në ato
treva. Rikthimi i anzhuinëve në Shqipëri u
mirëprit edhe nga vetë fisnikëria shqiptare,
e cila shpresat e një ndalimi të mësymjes serbe
i varte tashmë te bashkëpunimi me botën perëndimore
katolike. Në shtator 1304 bashkësia qytetare e Durrësit
dhe krerët shqiptarë nga familjet Matrënga,
Arianiti, Skurra, Blinishti, Zenebishi, Shpata etj., njohën
për kryezot princin Filip të Tarentit, djalin e
mbretit Karli II Anzhu. Nga ai çast trashëgimtari
i fronit të Napolit mori dhe titujt zot i Mbretërisë
së Arbrit dhe despot i Romanisë (Epirit). Në
pranverë të vitit 1305 princi Filip i Tarentit zbarkoi
me një ushtri në Durrës dhe me ndihmën
e vendasve e mori qytetin. Megjithatë, ofensiva e re
anzhuine u shua shumë shpejt. Marrëdhëniet
e princit të Tarentit me fisnikët shqiptarë
u prishën dhe po atë vit ky u kthye në Itali
me synim që të vinte përsëri në pranverën
e ardhshme me një ushtri më të madhe.
Megjithatë, edhe paskëtaj anzhuinët nuk mundën
ta shtrijnë kontrollin e tyre përtej Durrësit.
"Vasalët" e tyre shqiptarë nuk mungonin
të ngrinin krye dhe të këputnin çdo
lidhje me kryezotin e përtejdetit, sa herë që
ky kërkonte ta ndërtonte një pushtet real në
Durrës dhe në "Mbretërinë e Arbrit".
Në pamundësi të realizonin synimet e tyre në
Shqipëri, në vitin 1311 anzhuinët e Napolit
menduan për një çast t'i ndërronin zotërimet
e tyre me Sicilinë. Por titullari i kësaj të
fundit, Frederiku i Aragonës, i informuar se anzhuinët
nuk zotëronin një pushtet real në Durrës
dhe në trevën e Arbrit, nuk e pranoi ofertën,
megjithëse këto territore, siç shprehej ai,
"ishin shumë të pasura dhe bujare" (que
es molt noble e rich).
Në këtë mënyrë, në Durrës
dhe në prapashpinën e tij vazhdoi të ruhej
edhe paskëtaj një sovranitet gjithnjë e më
formal i anzhuinëve. Për bashkësinë qytetare
të Durrësit dhe për fisnikërinë feudale
të Arbrit, mbajtja e lidhjeve me anzhuinët konsiderohej
e dobishme, sidomos tani kur serbët po mësynin gjithnjë
e më fort drejt jugut. Midis anzhuinëve dhe serbëve
vazhdonin të ekzistonin marrëdhënie aleance,
që këta të fundit hë për hë
nuk donin t'i prishnin. Në fakt marrëveshja e arritur
më 1308 kishte rikonfirmuar zonat e ndikimit anzhuin
e serb në Shqipëri edhe për vitet e ardhshme.
Anzhuinët dhe Papati filluan t'u përgjigjen realisht
ftesave të aristokracisë shqiptare për t'iu
kundërvënë ofensivës serbe në dhjetëvjeçarin
e dytë të shek. XIV, kur plasën hapur kundërshtitë
serbo-anzhuine mbi sundimin në Shqipëri e në
Dalmaci dhe kur u fik çdo shpresë e Romës
lidhur me një kthim të mbretërve serbë
në fenë katolike.
Aty nga viti 1318 serbët shpërthyen një ofensivë
të re në Shqipëri, duke pushtuar Durrësin
dhe Arbrin bashkë me Krujën. Atë kohë
u krijua një koalicion antiserb i fuqive katolike, të
bashkërenduara nga papati, në të cilin kishin
një rol të rëndësishëm edhe shqiptarët.
Në pranverën e vitit 1319 një numër fisnikësh
shqiptarë nga dyert Blinishti, Jonima, Arianiti, Matrënga,
Muzaka etj., nëpërmjet peshkopit të Krujës,
Andreas, i bënin të ditur papa Johanit XXII se ishin
gati "të ngrinin krye dhe të hidhnin tej zgjedhën
e mbretit të Rashës (Serbisë)". Ata premtonin
gjithashtu të braktisnin ritin ortodoks dhe të përqafonin
katolicizmin, duke u ndarë edhe kishtarisht nga pushtuesit
serbë.
Si rezultat i kësaj qëndrese të organizuar
dhe të bashkërenduar me Papatin dhe me fuqi katolike
të Evropës, si Napoli, Hungaria, Kroacia etj., serbët
u bllokuan edhe për disa vjet përtej Durrësit
dhe krahinës së tij, ku anzhuinët vazhduan
të ushtronin një sovranitet përherë e
më të vakët.
Shqipëria "bizantine" në gjysmën
e parë të shek. XIV. Shkëputja nga Bizanti
Nën presionin serb dhe përballë ujdisë
së krerëve shqiptarë me anzhuinët e Napolit,
qysh në vitet e para të shek. XIV Perandoria Bizantine
u detyrua të braktiste Durrësin, Krujën dhe
territoret e tyre, duke mbajtur viset në jug të
rrjedhës së lumit Shkumbin. Pushteti bizantin u
ruajt pak a shumë në mënyrë të qëndrueshme
në trevën që përfshinte viset e Myzeqesë,
Vlorës, Beratit, Tomorricës, Këlcyrës,
Skraparit, Ohrit, Korçës, Kolonjës e Kosturit.
Viset poshtë Vlorës e rrjedhës së Vjosës
vazhduan, kur më shumë e kur më pak, të
bëjnë pjesë në Despotatin e Artës
(Epirit). Territoret e fituara rishtazi në veri të
tij, Perandoria Bizantine i organizoi në një njësi
të veçantë politiko-administrative, Despotatin
e Beratit. Qyteti buzë Osumit, përveçse qendër
e rëndësishme strategjike, fitoi tani një profil
të plotë edhe përsa i përket zhvillimit
ekonomik. Roli i tij u rrit së tepërmi pas shkëputjes
të rrugës së vjetër Egnatia nga sfera
e sundimit bizantin. Berati u bë pika kulmore e arteries
së re që lidhte pellgun e Ohrit me portin e Vlorës,
e cila u bë porti kryesor bizantin në Adriatik.
Gjatë fundit të shek. XIII dhe gjysmës së
parë të shek. XIV, në Vlorë shënohet
një lëvizje e pazakonshme mallrash. Kanina vazhdonte
të luante edhe tani rolin e një kështjelle
në mbrojtje të Vlorës. Por Kanina ishte njëherësh
rezidenca e parapëlqyer për aristokracinë e
krahinës si dhe qendër peshkopale, së cilës
perandor Androniku II Paleologu i rikonfirmoi më 1307
të drejtat dhe privilegjet e vjetra.
Përfaqësues i drejtpërdrejtë i pushtetit
bizantin në Despotatin e Beratit ishte qefaliu, që
ishte para së gjithash një funksionar ushtarak.
Në dokumentet e kohës ai cilësohet si "qefaliu
i Beratit", por edhe "qefaliu i Vlorës".
Në fakt, edhe rezidenca fikse e tij luhatej midis këtyre
dy qendrave, që ishin më të rëndësishmet
e despotatit. Me qëllim që qefaliu të mbahej
sa më shumë nën kontroll, pushteti qendror
e vuri atë nën vartësinë e një funksionari
epror, i cili ushtronte pushtet të pakufizuar në
despotat. Të tillë "guvernatorë të
përgjithshëm" në Despotatin e Beratit
dëshmohen që nga viti 1277. Ata zgjidheshin gjithmonë
nga rrethi familjar i perandorit dhe mbanin tituj të
lartë, si megas dukas, despot, protovestiar. Nëse
këta zgjidheshin gjithmonë nga rrethi më i
afërt familjar i perandorit, qefalitë ishin shpeshherë
përfaqësues të aristokracisë lokale. Shqiptarë
ishin, p.sh., qefaliu i parë i Beratit, me emrin Stano
(1277), ose Gjon Pikerni (1314). Nivelet më të ulëta
të administratës dhe të ushtrisë së
despotatit përfaqësoheshin në pjesën dërrmuese
nga elementi vendas. Fisnikë nga familjet Matrënga,
Skurra, Muzaka, Ganxha, Frëngu etj. përmenden vazhdimisht
në jetën politike të Despotatit të Beratit.
Por tashmë shumë prej këtyre po e shfrytëzonin
postin dhe autoritetin për të ndërtuar pushtetin
e tyre të pavarur.
Despotati i Beratit fitonte një rol specifik në
kuadrin e Perandorisë Bizantine të shek. XIII-XIV.
Përveçse përfaqësonte "portën"
e vetme bizantine drejt Perëndimit, ai formonte edhe
barrierën kryesore përballë ekspansionit të
Serbisë drejt jugut. Por, nga ana tjetër, Despotati
i Beratit ishte edhe pikëmbështetja nga ku Perandoria
Bizantine ushtronte presion mbi Despotatin fqinjë të
Artës (Epirit). Ky vazhdonte të ishte, qysh nga
viti 1204, një formacion i pavaruar. Despotët e
tij bizantino-italianë nga familjet Engjëlli e Orsini,
gjatë gjithë viteve 1270-1330 u përpoqën
të ruanin pushtetin e tyre kundrejt perandorëve
të Bizantit, të cilët këmbëngulnin
ta quanin Despotatin si "tokë të tyre",
ndërsa despotët e tij si "vasalë"
të perandorëve bizantinë. Për të
siguruar mbështetje ndaj presionit bizantin, despoti
Niqifori I Engjëlli pranoi, më 1294, të bëhej
vasal i anzhuinëve të Napolit. Më 1320, despoti
tjetër, Nikolla Orsini, kërkoi t'i vinte tokat e
tij nën mbrojtjen e Venedikut, duke njohur këtë
për kryezot. Nga ana tjetër, despotët e dobët
të Epirit nuk ishin në gjendje të mbyllnin
çdo portë dhe të kërkonin ballafaqim
me Bizantin. Pothuaj të gjithë ata, pas Mihalit
II Engjëll (1230-1268), ishin martuar me princesha nga
oborri bizantin.
Sidoqoftë kjo lojë e despotëve të Artës,
për ta mbajtur mirë sa me anzhuinët e Napolit,
aq edhe me perandorët e Bizantit, shpehherë rezultoi
të ishte e rrezikshme. Në vitin 1303 e 1306 anzhuinët
u shfaqën me ushtri nën muret e Artës për
të kërkuar përmbushjen e detyrimeve që
rridhnin nga vasaliteti i despotit Thoma (1296-1318). Po ashtu,
në vitin 1314 ushtria dhe flota e Despotatit të
Beratit, nën komandën e qefalisë Gjon Pikerni
dhe protontinit të Vlorës, Gjergj Ganxha, kryen
një inkursion mbi Artën nga toka e nga deti. Disa
vjet më vonë, më 1308, Janina bashkë me
pjesën më të madhe të Vagenetisë
(Çamërisë) iu aneksua Despotatit bizantin
të Beratit. Si qeveritar të këtij territori
të ri bizantin, perandori Androniku II Paleolog caktoi
komandantin shqiptar, sebastin Skurra.
Dhjetëvjeçarët e fundit të pranisë
bizantine në Shqipëri, përkatësisht në
Shqipërinë e Poshtme, karakterizohen nga dy dukuri
që e bënin gjithnjë e më formale lidhjen
e saj me Bizantin. Nga njëra anë, ushtria dhe administrata
bizantine mbusheshin gjithnjë e më shumë me
elementin vendas, kurse, nga ana tjetër, po zgjerohej
vazhdimisht numri i zonave autonome, ku pushtetin real e ushtronin
krerët dhe zotërit e vendit. Njoftimet historike
të viteve 30 të shek. XIV bëjnë të
ditur se atë kohë Perandoria Bizantine vazhdonte
të ruante kontrollin e saj kryesisht nëpër
qytetet dhe kështjellat e Despotatit të Beratit.
Rrethinat e tyre, sidomos zonat e brendshme dhe malore, qeveriseshin
tashmë nga fisnikët vendas. Me qëllim që
t'i mbante të lidhur pas vetes krerët shqiptarë,
Perandoria Bizantine u detyrua ta njihte edhe me marrëveshje
të veçanta (synthekai) pushtetin e tyre, madje
duke i shpërblyer edhe me tituj të lartë bizantinë.
Atë kohë, Andrea I Muzaka, zoti i fuqishëm
i viseve mes Ohrit, Kolonjës e Beratit, u shpërblye
me titullin e lartë bizantin të "despotit",
që ishte i dyti në hierarkinë e titujve bizantinë,
pas atij të perandorit. Të tjerë fisnikë
shqiptarë u nderuan me të tjerë tituj të
lartë, si sebastokrator etj.
Megjithatë tensioni midis pushtetit bizantin dhe aristokracisë
vendase shqiptare doli në pah gjatë luftërave
civile në Bizant (1321-1328) dhe shpërtheu hapur
pas ardhjes në fuqi të perandor Andronikut III Paleolog
(1328-1341). Midis viteve 1328-1333 Andronikut III iu desh
të drejtonte vetë disa fushata ushtarake për
të nënshtruar shqiptarët e Ohrit, Devollit,
Kolonjës, Epirit e të Thesalisë. Sipas fjalëve
të historianit bizantin Johan Kantakuzeni, pjesëmarrës
dhe kryekomandant në ato operacione, shqiptarët
jetonin në autonomi dhe nuk e njihnin pushtetin e perandorit.
Por kryengritjet shqiptare shpërthenin në vatra
të reja, sapo që ushtritë bizantine arrinin
të shuanin të mëparshmet. Aty nga mesi i viteve
30 ato mbërritën në shkallën më të
lartë të pjesëmarrjes dhe të organizimit
të tyre. Atë kohë të pakënaqur nga
politika e re centralizuese e këtij perandori dhe të
vendosur të shkëputeshin njëherë e mirë
nga Bizanti, krerët shqiptarë ngritën në
këmbë krahina të tëra. Në Vlorë,
Berat, Këlcyrë, Skrapar, Kolonjë e në
Ohër, në Epir dhe në Thesali, kryengritësit
shqiptarë sulmuan qytetet dhe kështjellat bizantine
dhe pjesërisht i morën ato.
Kryengritja shqiptare e shtyu perandorin Androniku III Paleolog
të ndërmerrte një fushatë të madhe
ushtarake në Shqipëri. I shoqëruar nga domestiku
i madh, Johan Kantakuzeni, perandori bizantin hyri në
tokat e Despotatit të Beratit në pranverën
e vitit 1336. Ushtria bizantine, bërthamën e së
cilës e përbënin repartet e zgjedhura me mercenarë
osmanë, i shtypi me ashpërsi flakët e kryengritjes.
Fshatra të tëra u dogjën, ndërkohë
që popullsisë iu rrëmbyen pasuri të paçmueshme
në të holla, në produkte e në bagëti.
Kantakuzeni flet për 300 mijë kokë qe, 5 mijë
kuaj e 1 milion e 200 mijë krerë dhen të rrëmbyera
pronarëve shqiptarë. Shtypja e kryengritjes shkaktoi
valën e parë të madhe të eksodit shqiptar
drejt jugut. Mjaft familje fisnike shqiptare u detyruan të
lënë gjënë dhe pronat e tyre dhe të
vendoseshin në Peloponez. Të tjera u përpoqën
të gjejnë shpëtim në Durrësin anzhuin
dhe të marrin rrugën e Italisë.
Shtypja e dhunshme e kryengritjes në Despotatin e Beratit
përcaktoi rënien e lëvizjes edhe në trevat
e tjera. Despina e Epirit, Ana, dhe bashkësitë shqiptare
të Thesalisë pranuan më në fund të
njihnin pushtetin bizantin.
Megjithatë, rivendosja e pushtetit bizantin në trevat
e Despotatit të Beratit, të Despotatit të Epirit
dhe të Thesalisë nuk e pati jetën e gjatë.
Tensioni antibizantin në këto vise vazhdoi të
mbetej i gjallë, dhe me vdekjen e perandorit Androniku
III (1341), kryengritjet morën një hov të ri.
Tashmë pasardhësit e Andronikut III, të angazhuar
në një luftë të re për fronin dhe
të ndodhur përballë një ofensive të
re të Serbisë drejt Jugut, nuk mund të merreshin
me kryengritjen shqiptare. Për rrjedhim, bizantinët
u detyruan të lënë në duart e kryengritësve
shqiptarë edhe kështjellat e tyre të fundit
në Shqipëri.
Shqipëria gjatë sundimit të car Stefan Dushanit
(1331-1355)
Qëndresa e organizuar e fisnikëve shqiptarë,
herë-herë e bashkërenduar edhe me anzhuinët
e me fuqi të tjera evropiane, kishte mundur t'i mbajë
serbët për mjaft kohë larg Durrësit e
Principatës së Arbrit. Por pushtimi i këtyre
të fundit si dhe i gjithë tokave shqiptare, njohu
një shkallëzim të ri në kohën e sundimit
të mbretit serb, Stefan Dushanit (1331-1355). Që
në verën e vitit 1336, në ujdi me perandorin
bizantin Androniku III Paleolog, i cili në atë kohë
drejtonte ekspeditën ndëshkimore në Shqipërinë
e Poshtme, mbreti serb organizoi një fushatë të
madhe, në përfundim të së cilës pushtoi
viset qendrore midis Matit e Shkumbinit.
Pushtimi serb u bë shkas për riorganizimin e krerëve
shqiptarë. Për t'i dhënë më tepër
gjerësi qëndresës së tyre, këta iu
drejtuan për aleancë mbretit Robert Anzhu të
Napolit, i cili ishte i interesuar së tepërmi për
Durrësin e prapatokën e tij që anzhuinët
vazhdonin t'i konsideronin feud të tyre. Në fakt,
mbreti Robert dërgoi që atë vit në Shqipëri
një ushtri të vogël nën komandën
e djalit të tij, Luigjit, e cila duhej të bashkëpunonte
me forcën kryesore të kryengritësve shqiptarë.
Në muajin dhjetor midis Luigjit, që përfaqësonte
mbretin Robert, dhe despotit Andre II Muzaka, përfaqësuesit
të krerëve feudalë shqiptarë, u nënshkruan
në Durrës paktet e aleancës që hapeshin
me premtimin anzhuin për t'u ofruar ndihmë ushtarake
fisnikëve shqiptarë. Paktet në fjalë numëronin
edhe një sërë të drejtash e privilegjesh,
të cilat anzhuinët ia njihnin posaçërisht
despotit Andre Muzaka dhe familjes së tij. Të tilla
të drejta e privilegje kishin të bënin me pronat
e pasuritë e tundshme e të patundshme të Muzakajve,
me titujt, nderet e ofiqet, që u ishin dhënë
atyre që së hershmi nga perandorët e Bizantit
e që do t'u jepeshin në të ardhmen nga mbretërit
anzhuinë etj. Kundrejt këtyre, despoti Andre Muzaka
duhej të konfirmonte bindjen dhe besnikërinë
e tij ndaj oborrit anzhuin e t'i garatonte ato duke dërguar
peng në Napoli njërin nga djemtë e tij.
Një traktat të ngjashëm anzhuinët e nënshkruan
dy vjet më vonë, më 1338, edhe me kontin Tanush
Topia, të cilit i konfirmuan zotërimin e tokave
midis Matit e Shkumbinit bashkë me dhënien e një
shpërblimi vjetor prej 1 000 grosh.
Përmbajtja e pakteve në fjalë, si dhe ecuria
e deriatëhershme e marrëdhënieve të oborrit
anzhuin me krerët shqiptarë, tregojnë se pozita
e tyre kundrejt njëri-tjetrit kishte ndryshuar në
favor të të dytëve. Anzhuinët jo vetëm
nuk ishin në gjendje të impononin me forcë
sundimin dhe vullnetin e tyre, por në të kundërtën,
ata përpiqeshin t'i joshnin me tituj e privilegje zotërit
e plotfuqishëm shqiptarë për të ruajtur
sovranitetin e tyre formal mbi Durrësin e mbi prapatokën
e tij.
Mobilizimi i ri i fisnikëve shqiptarë nuk mundi
t'u bënte ballë për një kohë të
gjatë sulmeve të përsëritura të serbëve.
Brenda vitit 1343 forcat eprore të Dushanit kishin mundur
të shtronin territoret e Arbrit të hershëm,
me kryeqendër Krujën. Po atë vit qyteti i Beratit
pësoi sulmin e parë nga një ushtri serbe që
vinte nga ana e Ohrit. Në verën e vitit 1346 ishte
vetë Stefan Dushani, që në krye të një
fushate të madhe, pushtoi njërën pas tjetrës
kështjellat e Kosturit, Beratit dhe të Kaninës.
Në 2-3 vjetët që pasuan, Stefan Dushani, i
cili që prej vitit 1346 filloi të quhej "perandor
i Romanisë, i Sklavonisë dhe i Arbërisë",
aneksoi Epirin e Thesalinë, duke krijuar një perandori
të re ballkanike, kufijtë e së cilës fillonin
nga Danubi e përfundonin në gjirin e Korintit dhe
në detin Egje. Një numër popujsh të huaj,
shqiptarë, bullgarë, grekë, vllehë hynë
në përbërje të Perandorisë Serbe.
Perandoria e Stefan Dushanit qe konkretizimi i ambicieve pushtuese
të klasës feudale serbe. Në vendet e pushtuara
feudalët serbë u pajisën me fonde të mëdha
tokësore që iu rrëmbyen popullsisë vendase.
Burimet historike dëshmojnë masat veçanërisht
të ashpra që Stefan Dushani zbatoi në dëm
të popullsisë shqiptare. "Arbrit janë
të shtypur keq nga zgjedha e padurueshme dhe tepër
e rëndë e sunduesve të urryer sllavë.....
Klerikët poshtërohen e persekutohen, fisnikët
shpronësohen e burgosen", shkruhet në një
relacion të vitit 1332 të kryepeshkopit frëng
të Tivarit, Guljelmi i Adës.
Pushtimi serb solli ndryshime të mëdha përsa
i përket përbërjes së elitës sunduese.
Në krahinat apo në qytetet e pushtuara u vendos
një administratë serbe, në krye të së
cilës qenë njerëzit më të afërt
të carit, të cilët mbanin sipas rastit titujt
despot, cezar, qefali etj. Kështu, në krye të
provincës së Beratit u vu despoti Ivan Aseni, kunati
i carit serb, në Epir u zgjodh Simeon Uroshi, vëllai
i tij, kurse në Thesali Qezar Preljubi, i cili në
vitin 1355 u vra gjatë një revolte të shqiptarëve
të atyshëm.
Pushtimi serb solli ndryshime të reja nëpërmjet
intensifikimit të shtypjes ekonomike e shoqërore
të popullsisë shqiptare. Kodi i Stefan Dushanit,
dokumenti kryesor që sanksiononte marrëdhëniet
ekonomike, politike e juridike të shtetasve të Perandorisë
me pushtetin e carit e të klasës sunduese serbe,
përfshinte në sistemin e marrëdhënieve
feudale edhe bashkësitë e lira fshatare e blegtorale,
duke i dhënë ato si pronë feudale për
manastiret e për feudalët serbë. Një masë
e tillë godiste rëndë fshatarësinë
e lirë shqiptare, posaçërisht atë të
zonave malore, që kishte mundur t'i shpëtonte deri
atëherë shfrytëzimit feudal e të ruante
një farë autonomie politike ndaj pushtetit qendror.
Kodi i Stefan Dushanit mbështetej në institucionet
juridike dhe dokesore serbe dhe si i tillë ai në
shumë aspekte binte ndesh me institucionet dhe traditën
e popujve të tjerë që u përfshinë
në suazën e shtetit serb. Në mjaft raste ai
shpallte ndalimin e institucioneve tradicionale vendase, siç
qe ai i mbledhjeve (kuvendeve) të fshatit, ku vendosej
e gjykohej për probleme të ndryshme, që tani
kalonin në kompetencë të feudalëve të
veçantë e të vetë carit serb.
Pasoja sidomos negative pati pushtimi serb në viset veriore
shqiptare e veçanërisht në Kosovë, ku
sundimi serb zgjati gati dy shekuj. Të pasura me toka
bujqësore, me qendra të zhvilluara minerare, zejtare
e tregtare, këto territore kishin qenë një
joshje e vazhdueshme për mbretërit serbë. Duke
filluar nga shek. XIII, mbretërit serbë nga dinastia
Nemanja punuan për ta zhvendosur epiqendrën e shtetit
të tyre nga Rasha në drejtim të viseve të
pasura të Kosovës e të Gentës. Qytetet
e këtyre të fundit, Shkodra, Prizreni, Prishtina
e Shkupi, u bënë në kohë të ndryshme
seli të oborrit serb. Një tjetër qendër
e rëndësishme e Kosovës, Peja, prej mesit të
shek. XIII u kthye në qendër të kishës
autoqefale serbe.
Zhvendosja e qendrave të gravitetit të shtetit serb
drejt jugut u shoqërua me dukuri të tjera të
natyrës shoqërore e etnike, të cilat qenë
më të dukshme në Kosovë. Një pjesë
e aristokracisë vendase u shpronësua e u zëvendësua
nga aristokracia serbe e tokës, laike e sidomos fetare.
Duke filluar nga gjysma e dytë e shek. XIII serbizohen
kishat e manastiret e Kosovës dhe ndërtohen shumë
syresh, të cilat u pajisën me fonde të mëdha
tokësore. Në kohën e sundimit të Stefan
Dushanit, aty nga gjysma e shek. XIV manastiret, tashmë
të serbizuara, të Deçanit, Greçanicës,
Banjskës, Kryeëngjëllit, manastiri i Hilandarit
në Malin Athos e krahas tyre peshkopatat e Pejës,
Prizrenit etj., zotëronin një pjesë të
konsiderueshme të fshatrave të Kosovës e të
viseve të tjera veriore shqiptare.
Shtrirja e shtetit serb në drejtim të Kosovës
u shoqërua edhe me ardhjen këtu të kolonëve
të rinj nga territoret e Serbisë së mirëfilltë
(Rashës). Të porsaardhurit populluan fshatrat e
braktisura (selishtë) ose u vendosën në pronat
e përvetësuara rishtazi nga feudalët apo kishat
e manastiret serbe.
Krahas kolonizimit, mbretërit serbë, e në veçanti
car Stefan Dushani, zbatuan një politikë që
synonte asimilimin e popullsive shqiptare të viseve të
pushtuara. Si më të efektshme në këtë
drejtim u zgjodhën represioni dhe persekutimet në
lëmin fetar. Kapituj të tërë të kodit
të Stefan Dushanit dhe urdhëresa të veçanta
të carit serb parashikonin masa të rrepta, si sekuestrim
të pasurisë, damkosje, dëbim e deri dënim
me vdekje për të krishterët katolikë e
ortodoksë, që nuk pranonin të konvertoheshin
në ortodoksinë serbe e nuk ripagëzoheshin duke
marrë emra sllavë. Krahas dokumenteve arkivore dëshmitarë
të ndryshëm të kohës, si udhëtari
anonim i vitit 1308, kryepeshkopi frëng i Tivarit, Guljelm
i Adës (1332), kardinali italian Guido da Padova (1350),
e nënvizojnë me theks të veçantë
këtë aspekt të politikës së mbretërve
serbë ndaj popullsive të pushtuara josllave, e cila
ishte sanksionuar në të drejtën mesjetare serbe,
kodin e Stefan Dushanit (1349). Masa të tilla goditnin
në radhë të parë popullsitë shqiptare
të besimit katolik e të atij ortodoks-bizantino
të viseve veriore e verilindore, ku presioni i shtetit
serb ishte më i fortë. Ato përcaktuan përhapjen
e fenomenit të sllavizimit fetar-onomastik në shtresa
të caktuara të popullsisë shqiptare. Kjo është
arsyeja që midis shek. XIII-XIV, krahas shqiptarëve
gjithsesi të shumtë, që mbanin emra, si Gjin,
Dedë, Gjon, Progon, Llesh, gjenden në këto
treva edhe shqiptarë të tjerë, të cilësuar
nga vetë dokumentacioni si të tillë, që
mbanin emra sllavë ose që i ishin përshtatur
onomastikës sllave. Emra, si Pribisllav, Radomir, Vladislav
apo mbiemrat Vogliç, Kuqeviç, Flokovci, Gjinovci
etj., dëshmojnë se në këtë kohë
(gjysma e parë e shek. XIV) një pjesë e popullsisë
shqiptare të trevave veriore, nën presionin e dhunshëm
të pushtuesve serbë, gjendej në një fazë
kalimtare të një asimilimi kulturor e fetar. Në
mjaft treva ky proces asimilimi u ndërpre në kushtet
e reja që u krijuan me shkatërrimin e shtetit serb
e mbërritjen e turqve osmanë (gjysma e dytë
e shek. XIV). Pikërisht në këtë kohë
vihet re aty një kthim i popullsisë në onomastikën
karakteristike shqiptare, krahas dukurisë së re
të marrjes së emrave osmanë. Megjithatë,
në një pjesë të territoreve në fjalë,
sidomos në zona të veçanta të Gentës
(Zetës), procesi i sllavizimit vazhdoi edhe paskëtaj
duke çuar gradualisht në asimilimin kulturor dhe
etnik të bashkësive të tjera shqiptare.
Pushtimi serb i Stefan Dushanit, i ngarkuar me pasoja të
rënda ekonomike, shoqërore e etnike, ndeshi në
qëndresën e ashpër të popullsisë
shqiptare. Që në vitin e parë të sundimit
të Stefan Dushanit, në trevat veriperëndimore
shpërtheu një kryengritje antiserbe, në krye
të së cilës u vu bujari Dhimitër Suma
(1332). Zgjerimi i saj e nxiti kryepeshkopin e Tivarit, Guljelmin
e Adës, të projektonte organizimin e një kryqëzate
të Perëndimit kundër serbëve, e cila do
të mbështetej në kontributin vendimtar të
kryengritësve shqiptarë të zonave të veriut.
Në letrën që i dërgonte për këtë
qëllim dukës së Burgonjës, Filipit VII
Valua, prelati frëng pohonte se për organizimin
e kësaj kryqëzate antiserbe nuk mund të gjendej
vend më i përshtatshëm sesa zonat kryengritëse
në fjalë, "... ku populli arbër mund të
nxirrte në luftë më se 15 000 kalorës,
burra të shëndetshëm, trima e luftëtarë
të mirë, të aftë për çdo betejë".
Qëndresa e shqiptarëve kundër pushtimit serb
nuk qe karakteristikë vetëm për viset e veriut,
por për të gjitha trevat shqiptare deri thellë
në Epir. Ajo doli akoma më në pah pas vdekjes
së carit serb, Stefan Dushanit (1355). Kryengritjet e
zonës së Beratit (1356) dhe të Himarës
(1358), e reduktuan pushtetin e despotit sllav Ivan Komnen
Asenit vetëm në qytetin e Vlorës e në
rrethinat e tij. Më 1356 dështoi një përpjekje
për të ripushtuar Beratin me ndihmën e ushtrisë
së Simeon Uroshit, sundimtarit serb të Epirit. Megjithatë,
sipas një shënimi të kohës në një
nga kodikët e Beratit, serbët me atë rast u
sollën aq mizorisht saqë edhe të vdekurit
i nxorën nga varri. Një vit më parë,
më 1355, shqiptarët e Thesalisë ngritën
krye kundër qeveritarit serb, Qezar Preljubit, dhe e
vranë atë. Pak kohë pas ekspeditës së
tij kundër Beratit, edhe Simeon Uroshi, vëllai i
Dushanit, u detyrua nga shqiptarët e Epirit t'i linte
zotërimet e veta. Në këtë mënyrë
që nga Genta e Kosova deri poshtë në Epir lindën
ose u ringjallën formacione politike të dyerve më
të shquara shqiptare, Balshët, Gropajt, Topiajt,
Matrëngët, Muzakët, Zenebishët, Bua-Shpatat
etj.
Zhvillimi i pavarur politik i trojeve shqiptare hynte tani
në një fazë vendimtare, duke i orientuar ato
gjithnjë e më shumë drejt krijimit të
një shteti të përqendruar shqiptar.
2. FORMACIONET SHTETËRORE SHQIPTARE NË SHEK. XIV
DHE NË FILLIM TË SHEK. XV
Despotati shqiptar i Artës
Aty nga fundi i shek. XIII në Epir fillon të shquhet
familja fisnike Shpata. Në vitin 1304 një dokument
anzhuin i rendit Shpatajt midis aristokratëve më
në zë të Shqipërisë.
Ashtu si dhe për shtëpitë e tjera fisnike shqiptare,
edhe për Shpatajt procesi i fuqizimit dhe i emancipimit
politik kishte ndjekur një rrugë vazhdimisht në
ngjitje, derisa gjeti shprehjen më të plotë
pas shembjes së Perandorisë Serbe të Stefan
Dushanit (1355). Në atë çast Shpatajt e fisnikë
të tjerë shqiptarë e shtrinë sundimin
e tyre politik në krejt Epirin dhe, në vitet që
pasuan, filluan të zgjerohen në krahinat fqinje
jugore të Akarnanisë e të Etolisë. Qeveritari
serb i Epirit, mbreti Simeon Uroshi, u detyrua të largohej
në Thesali, ku zuri vendin e komandantit serb Qezar Preljubit,
i vrarë gjatë një përpjekjeje me shqiptarët
e atyshëm. Përfaqësues të tjerë të
aristokracisë dhe të administratës së
vjetër bizantino-serbe gjetën strehim në qytetin
e Janinës.
Shtrirja e pushtetit të fisnikëve shqiptarë
në Epir ndeshi pengesë te pinjolli i fundit i dinastisë
së vjetër sunduese të Epirit, despoti Niqifori
II Engjëlli. Në verën e vitit 1358 ky u doli
përpara forcave shqiptare në vendin e quajtur Akelou
(Akarnani). Ushtria e tij, e përbërë pjesërisht
prej mercenarëve osmanë, u asgjësua në
betejën e përgjakshme që u zhvillua aty e ku
vetë despoti bizantin humbi jetën.
Pas betejës së Akelout krahinat jugore të Epirit,
të Akarnanisë e të Etolisë u përfshinë
në kuadrin e dy formacioneve shtetërore shqiptare.
I pari, me qendër në Artë, kishte në krye
fisnikun Pjetër Losha, kurse i dyti, me qendër në
Angjelokastër (Akarnani), drejtohej nga despoti Gjin
Bua Shpata. Pas vdekjes së Pjetër Loshës më
1374, Despotati shqiptar i Artës dhe ai i Angjelokastrës
u bashkuan nën sundimin e despotit Gjin Bua Shpata. Zotërimet
e këtij të fundit përbënin tani një
vazhdimësi territoresh prej gjirit të Korintit,
në jug, deri në derdhjen e lumit Akeront (Glyki),
në veri, ku puqeshin me zotërimet e Gjon Zenebishit.
Megjithatë në pjesën lindore të Epirit
mbeti një territor i ngushtë me qendër Janinën,
i cili nuk u përfshi në kufijtë e këtyre
dy formacioneve shqiptare fqinje. Këtu përfaqësuesit
e fisnikërisë e të administratës së
vjetër serbo-bizantine të Epirit u përpoqën
të organizojnë qëndresën kundër hegjemonisë
së krerëve shqiptarë. Të mbështetur
edhe nga qeveritari i deriparadokohshëm serb i Epirit,
Simeon Uroshi, ata mundën të imponojnë si qeveritar
të Janinës despotin serb Thoma Preljuboviç.
Si djalë i Qezar Preljubit, qeveritarit të Thesalisë
të vrarë më 1355 nga shqiptarët, Thomai
trashëgoi një armiqësi dhe urrejtje të
pashuar kundër tyre.
Despotati i Janinës ishte mbeturina e fundit e sundimit
serb në Epir. Qenia e tij përbënte një
rrezik real për formacionet fqinje shqiptare të
Gjirokastrës e të Artës, pasi Thoma Preljuboviçi
vështronte t'i zgjeronte kufijtë e despotatit të
tij pikërisht në dëm të zotërimeve
të Shpatajve e të Zenebishëve. Nga ana tjetër,
despoti serb nuk ngurroi të thërriste për ndihmë
kundër sundimtarëve shqiptarë reparte serbe,
italiane e, ç'ishte më keq, osmane, duke e kthyer
Epirin në një fushë beteje ku mercenarët
e huaj mbillnin terror e shkatërrime të pafundme.
Këto arsye, si dhe arsye të tjera të natyrës
ekonomike (Janina ishte një qendër mjaft e pasur
ekonomike e tregtare), i futën sundimtarët shqiptarë
të Epirit në një konflikt të gjatë
të armatosur me despotin e Janinës. Për tre
vjet rresht (1370-1373) kështjella e Janinës iu
nënshtrua rrethimit e sulmeve të njëpasnjëshme
të despotit të Artës, Pjetër Losha, e
të aleatëve të tij, bashkësive shqiptare
të mazarakëve e të malakasëve që
banonin përreth Janinës. Megjithëse u detyrua
të kërkonte paqe, Thoma Preljuboviçi nuk
pushoi së përndjekuri e së tiranizuari popullsinë
shqiptare të Janinës e të fshatrave përreth,
nga e cila tërhiqte robër e pengje që i mbyllte
në burgje të posaçme. Për këtë
zell të tij kundër shqiptarëve, bashkëkohësit
i ngjitën despotit serb nofkën "shqiptarovrasës"
(alvanitoktonos).
Pas vdekjes së Pjetër Loshës, më 1374,
në krye të despotatit të Artës u vu zoti
i Angjelokastrës, Gjin Bua Shpata. Në kohën
e sundimit të tij, konflikti me despotin serb, Thoma
Preljuboviçin, u ashpërsua edhe më. Që
në vitin 1375 Gjin Bua Shpata u shfaq me ushtrinë
e tij nën muret e Janinës. Qyteti mundi të
qëndrojë edhe kësaj radhe falë mureve
të tij të papushtueshme. Gjithsesi, i interesuar
për pushimin e armiqësive, Thomai i ofroi Shpatës
dorën e së motrës, Helenës.
Por martesa nuk e fashiti konfliktin midis Gjin Bua Shpatës
dhe Thomait. Për më tepër, në vitet që
vijuan Janina u bë pre e sulmeve të bashkësisë
shqiptare të malakasëve. Nën komandën
e Gjin Fratit këta e sulmuan kështjellën më
së pari në vitin 1377, por pa mundur ta merrnin
atë. Dy vjet më vonë, më 1379 malakasët
arritën të zinin ishullin në liqen si dhe kullën
e brendshme të kështjellës së Janinës.
Kësaj radhe në anë të tyre qëndronin
edhe pjesëtarë të parisë vendase, përfshi
mitropolitin Mateo, përkrahës i Gjin Bua Shpatës.
Por edhe kësaj radhe shqiptarët dështuan në
qëllimin e tyre. Mungesa e mjeteve të mjaftueshme
ua bëri atyre të pamundur që të shpërthenin
muret e kështjellës, qoftë nga toka e qoftë
nga liqeni. Mitropoliti Mateo u detyrua të linte Janinën
bashkë me të tjerë dhe të strehohej te
Gjin Bua Shpata.
Krahas despotit serb të Janinës, formacioni i Shpatajve
të Artës u fut në këtë kohë
në një konflikt të ashpër me anzhuinët
e Napolit, të cilët qysh prej një shekulli
vazhdonin të ngulnin këmbë në pretendimet
e tyre mbi bregdetin epirot. Ky konflikt u shpreh më
së pari në përleshjet e armatosura me forcat
e kontit Leonard Toko, që sundonte mbi ishujt e Qefalonisë
e Leukadës si vasal i mbretëreshës Xhovana
të Napolit. Dokumentet e kohës informojnë se
qysh në vitin 1360 "konti i Qefalonisë bënte
luftë të madhe me Despotatin e arbërve".
Në vitet që pasuan ndeshja me anzhuinët u ndez
edhe më keq. Në vitin 1378 mbretëresha e Napolit
organizoi një fushatë të madhe për asgjësimin
e Despotatit shqiptar të Artës. Bërthama e
ushtrisë së grumbulluar prej saj përbëhej
nga Urdhri i Joanitëve të Rodit, një formacion
i famshëm për bëmat e tij luftarake, që
ishte futur në shërbim të anzhuinëve të
Napolit.
Ekspedita anzhuine filloi me marrjen e Naupaktit (Lepantos),
kështjella më jugore e Shpatajve, e vendosur mbi
bregun verior të gjirit të Korintit. Prej këndej
ajo përparoi drejt veriut e brenda pak kohe qendra e
Despotatit shqiptar, Arta, u ndodh nën rrethimin e ushtrisë
napolitane. Gjatë betejës vendimtare që u zhvillua
nën muret e Artës, despoti Gjin Bua Shpata korri
një fitore të madhe. Vetë kryekomandanti i
ekspeditës anzhuine, Mjeshtri i Madh Huan Fernandez Heredia
i Urdhrit të Joanitëve, u zu rob prej shqiptarëve.
Në pranverë të po atij viti, Gjin Bua Shpata
fitimtar mbi anzhuinët, rifilloi sulmet sistematike mbi
Janinën. Thoma Preljuboviçi kësaj radhe gjeti
një aleat të fuqishëm kundër shqiptarëve
te turqit osmanë, të cilët kishin filluar të
vendoseshin në Thesalinë fqinje. Disa herë
brenda viteve 1380-1384 reparte osmane, të thirrura nga
Thomai, kryen inkursione shkatërruese në zotërimet
e Gjin Bua Shpatës e në ato të Gjon Zenebishit,
duke lehtësuar presionin e tyre mbi Janinën. Me
ndihmën e osmanëve, despoti Thoma pushtoi përkohësisht
një numër fshatrash rreth Janinës si dhe kështjellën
e Paramithisë (Shën Donatit). Gjithsesi, tirani
i Janinës ra pre e një komploti dhe, i urryer nga
të gjithë, vdiq në dhjetor 1384. Në vend
të tij paria e Janinës e mbreti serb i Thesalisë,
Joazaf, thirri e vuri italianin Izau Buondelmonte Açajuolin,
kunat i kontit Leonard Toko të Qefalonisë. Ky gëzonte
njëherësh mbështetjen e perandorit të
Bizantit, të Venedikut, Firences dhe të Mbretërisë
së Napolit. Marrëdhëniet e shqiptarëve
me Despotatin e Janinës mbetën të tendosura
edhe në kohën e sundimit të Izaut, ndonëse
aty nga viti 1394, ky mori për grua të bijën
e Gjin Shpatës, Irenën, i nxitur edhe nga arkondët
e qytetit. Inkursionet e reparteve osmane, të thirrura
nga despoti i ri i Janinës, vazhduan edhe paskëtaj,
madje për të siguruar mbështetjen më të
madhe të sulltanit osman, despoti Izau u shpall vasal
i tij (1387). Ndërkohë mbi Despotatin shqiptar të
Artës qenë intensifikuar edhe sulmet e kontit të
Qefalonisë Karl Tokos, nip i Izaut.
Në rrethana të tilla të vështira, më
29 tetor të vitit 1399 vdiq despoti Gjin Bua Shpata "burrë
i fuqishëm, i admirueshëm e lavdi e Arbërisë,
siç e quan atë një kronikë e kohës.
Me emrin e tij është e lidhur periudha më e
lulëzuar e historisë së Despotatit shqiptar
të Artës. Zotërimet e Shpatajve u ndanë
midis të afërme të tij, që shpeshherë
ishin në armiqësi e mëri me njëri-tjetrin.
Një mëri e tillë ekzistonte dhe midis Muriq
Shpatës dhe Sguro Bua Shpatës, që qeveriste
zotërimet jugore të Shpatajve. Si vëlla i Gjinit,
këtij i takonte të ishte trashëgimtar i ligjshëm
i fronit. Por Muriqi, i ri dhe ambicioz, mundi ta mënjanojë
kushëririn e tij plak dhe të marrë në
dorë drejtimin e principatës.
Me ardhjen në pushtet vëmendja e Shpatës së
ri u zhvendos nga Lindja, ku despotët e Janinës
dhe osmanët e Thesalisë kishin qenë kujdesi
kryesor i paraardhësit të tij të madh. Me komandantët
osmanë të Thesalisë Muriqi nuk e pati të
vështirë të gjente një modus vivendi,
sidomos pas katastrofës që sulltan Bajaziti pësoi
nga mongolët e Timurlengut në betejën e Ankarasë
(1402). U shtensionuan edhe marrëdhëniet me despotin
Ezau të Janinës, që ishte njerk i Muriqit dhe
që për më tepër kërkoi dorën
e vajzës së Muriqit për djalin e tij të
lindur nga martesa me shqiptaren Evdoqia Balsha, vajzë
e Gjergjit I Balsha.
Në këtë mënyrë vëmendja e Muriq
Shpatës u përqendrua nga rreziku që i vinte
zotërimeve të tij nga konti i Qefalonisë Karl
Tokoja. Për sa kohë në krye të principatës
kishte qenë Gjin Bua Shpata, Tokoja kishte dalë
gjithnjë i mundur nga ballafaqimi me shqiptarët.
Këta, madje, ishin në gjendje të organizonin
me anije sulme mbi ishujt e tij të Qefalonisë dhe
Leukadës, gjë që e kishte shtyrë kontin
të kërkonte ndihmën e Napolit e të Venedikut.
Por në vitet e para të sundimit të Muriq Shpatës,
raporti i forcave paraqitej i ndryshuar në favor të
Tokos. Grindjet dhe pakënaqësitë ndaj sundimtarit
të ri të Artës shtynë mjaft feudalë
shqiptarë dhe krerë bashkësish nga Parga, Paramithia,
Margëlliçi e Janina (përfshirë bashkësitë
e mëdha të mazrekëve e malakasëve) të
dorëzoheshin përpara dhuratave dhe premtimeve që
u drejtoi atyre me bollëk konti Karl Toko. Në këtë
mënyrë, me një ushtri, lulen e së cilës
e përbënin luftëtarët shqiptarë,
ku shquheshin vëllezërit Muriq e Dhimo Bua, si dhe
me ndihmën e një flote të ofruar nga mbreti
i Napolit, Karl Tokoja, filloi t'i rrëmbejë Muriq
Shpatës njërin zotërim pas tjetrit. Si pasardhës
i kontëve nga familja Orsini të Qefalonisë,
ai pretendonte të bëhej, ashtu siç qenë
bërë ata një shekull më parë, despot
i krejt Epirit.
Në këtë mënyrë, me luftë dhe
më shumë me dredhi, Karl Tokoja u rrëmbeu Shpatajve
një sërë kështjellash, fillimisht në
jug të gjirit të Artës, si Katohinë, Varnakun,
Kandilen, Anatolikon e Dragomestin (1401-1404). Prej këndej
ai filloi sulmet dhe plaçkitjet në territorin
e Angjelokastrës e të Artës. Shumë shpejt
Muriq Shpata u detyrua të lëshojë kështjellat
e Riniasës e Ajtoit, që siguronin mbrojtjen e Artës.
Gjatë një beteje me forcat e Tokos, u plagos rëndë
e më tej vdiq edhe vëllai i legjendarit Gjin Bua
Shpata, Sguroj, i cili të paktën në çastet
e fundit gjeti ngushëllim kur pa se Muriq Shpata me forcat
e tij po vraponte t'i vinte në ndihmë.
I biri i Sguros, Pal Shpata, në pamundësi t'i ruante
zotërimet që i la i ati në jug të gjirit
të Artës, nxitoi t'ia ofrojë ato Venedikut.
Më 1402 ai i propozoi këtij lëshimin e kështjellës
së rëndësishme bregdetare të Lepantos
si dhe vetë kryeqendrën e vet, Angjelokastrën.
Ndërsa mori në dorëzim të parën (1407),
kundrejt një shpërblimi, Republika e Venedikut u
mor vesh me Karl Tokon që e dyta, Angjelokastra, t'i
kalonte këtij të fundit (1408). Në këtë
mënyrë Shpatajt humbën përfundimisht zotërimet
në jug të gjirit të Artës, në Etoli
e në Akarnani.
Në kushtet e dobësimit e të përçarjes
së krerëve shqiptarë, konti Karl Toko nuk e
pati të vështirë të zinte vendin e despotit
Ezau të Janinës, kur ky i fundit vdiq (1411). Krahas
elementëve të parisë së qytetit, ku u
shqua greku Simon Stratigopulos dhe dhëndri i tij, serbi
Stefan Vojsllavi, dorëzimin e Janinës në duar
të Karl Tokos e përkrahën edhe mjaft krerë
e bashkësi shqiptare, brenda e jashtë qytetit, të
cilët ai i kishte joshur me dhurata e premtime. Tashmë
i pafuqishëm ndaj ngjitjes së rivalit të tij,
Muriq Shpata nuk qe në gjendje të shfrytëzonte
momentin e favorshëm pas thyerjes së ushtrive të
Tokos nga Gjon Zenebishi në betejën e Kranesë,
afër Mesopotamit (1411). Më 1415 ai vdiq, duke ia
lënë barrën e drejtimit, të asaj që
kishte mbetur nga Principata e dikurshme e Gjin Bua Shpatës,
vëllait të tij, Jakupit, që kishte kaluar në
fenë islame.
Jakupi tregoi që në fillim një dinamizëm
e trimëri që s'e kishin karakterizuar vëllanë
e tij. Me të u bashkuan mjaft edhe nga krerët apo
bashkësitë shqiptare që ishin hedhur në
anën e Karl Tokos, siç qe, p.sh., prijësi
i shquar Muriq Bua.
Në pamundësi për ta thyer sundimtarin e ri
shqiptar në fushë të hapur, Karl Tokoja i përgatiti
atij një pritë në kështjellën e Vombljanës,
afër Artës. I ftuar nga kështjellari i saj,
njeri i Karl Tokos, gjoja për ta marrë në dorëzim
kështjellën, Jakup Shpata u sulmua tradhtisht nga
forcat e Tokos ndërsa u qe afruar me trupat e tij mureve
të saj. Jakupi vdiq me shpatë në dorë
mes luftëtarëve të tij. Me vrasjen e tij u
shënua dhe fati i Artës dhe i gjithë zotërimit
të Shpatajve. Më 4 tetor 1416 Karl Tokoja hyri në
Artë. Pinjollët e fundit të Shpatajve ose pranuan
të hyjnë në shërbim të Karl Tokos,
ose emigruan drejt Moresë dhe ishujve të Jonit.
Principata e Zenebishëve
Emri i Zenebishëve, si një ndër familjet fisnike
më të shquara të Shqipërisë së
Poshtme, përmendet krahas dyerve më në zë
shqiptare në një dokument të vitit 1304. Shkëlqimin
më të madh kjo familje e arriti pas gjysmës
së dytë të shek. XIV, kur në krye të
saj ishte sebastrokratori Gjon Zenebishi (?-1418). Kryeqendra
e këtij të fundit ishte kështjella e Gjirokastrës,
e cila përmendet për herë të parë
pikërisht në këtë kohë si rezidencë
e Zenebishëve. Në vitet 70 të shek. XIV zotërimi
i Zenebishëve përfshinte, veç Gjirokastrës
dhe rrethet e saj, luginën e Drinos, Delvinën dhe
një pjesë të mirë të zonës së
pasur të Vagenetisë (Çamërinë e
Sipërme), deri në derdhjen e poshtme të lumit
Gliki, ku zotërimet e Gjon Zenebishit kufizoheshin me
ato të vjehrrit dhe aleatit të tij, Gjin Bua Shpatës
së Artës. Së bashku me këtë të
fundit, Gjon Zenebishi ndërmori inkursione të vazhdueshme
kundër kështjellës së Janinës, ku
sundonte despoti serb Thoma Preljuboviçi, armik i betuar
i shqiptarëve, i cili, siç është theksuar
tashmë, i thirri për herë të parë
osmanët në këto anë më 1380 kundër
shqiptarëve. I mbështetur dhe nga një pjesë
e parisë serbo-bizantine të Janinës, Thomai
mundi ta ruante sundimin brenda mureve të Janinës,
deri në vrasjen e përgjakshme të tij, në
vitin 1386.
Despoti i ri i Janinës, italiani Ezau Buondelmonti Açajuoli
(1386-1411), i cili mori pushtetin në Janinë si
përfaqësues i interesave të huaja në atë
qytet e në krejt Epirin, ndoqi që në fillim
një politikë agresive ndaj sundimtarëve shqiptarë
të kësaj treve, veçanërisht ndaj Gjon
Zenebishit. Me ndihmën e reparteve osmane ai i mori këtij
të fundit portet dhe tregjet e rëndësishme
të Sajadhës e Kastrovilës, buzë detit
Jon (Çamëri e sotme). Por në pranverën
e vitit 1399, ushtria e Zenebishit u shkaktoi forcave të
despotit Ezau një disfatë fatale gjatë një
beteje në Dhivër (Mesopotam), ku vetë despoti
i Janinës u zu rob nga sundimtari shqiptar, që sakaq
e mbylli në burgun e kështjellës së tij
të Gjirokastrës. Të gjithë aleatët
e Ezaut, nga komuna e Firences, që e kishte qytetar të
vetin, Mbretëria e Napolit, Republika e Venedikut e deri
te komandanti osman i Thesalisë, ndërhynë te
Gjoni për lirimin e tij. Të njëjtën gjë
i kërkoi Zenebishi edhe aleati e vjehrri i tij, Gjin
Bua Shpata i Artës. Ezau u lëshua kundrejt një
shpërblimi të majmë prej 10 mijë copë
florinjsh. Gjithsesi, ai pushoi së qeni një shqetësim
për zotërimet e Zenebishit, i cili shtiu përsëri
në dorë limanet dhe tregjet bregdetare nga Sajadha
e Kastrovila e deri në Pargë. Porse mbajtja e këtyre
vendeve bëri të pashmangshëm një konflikt
të ri me Republikën e Venedikut. Përleshjet
e para të Gjon Zenebishit me Venedikun ishin regjistruar
që në vitin 1386, kur ky i fundit, pasi shtiu në
dorë ishullin e Korfuzit, i rrëmbeu Zenebishit edhe
disa nga qendrat kryesore ushtarake e ekonomike të bregdetit,
si Butrintin, Ksamilin dhe Sajadhën. Kjo e fundit u rimor
prej Gjonit aty nga viti 1400. Për Sajadhën, veçanërisht
për kriporet me famë të atij vendi, të
cilat konkurronin rëndë kriporet veneciane të
Korfuzit, u luftua me këmbëngulje si nga Venediku,
ashtu edhe nga Zenebishi. Në një letër, që
i çonte për këtë çështje
Senatit të Venedikut në qershor 1401, Gjon Zenebishi
bënte të qartë se "paqja e tij me Republikën
do të sigurohej vetëm kur Venediku të hiqte
dorë nga përpjekjet për të shtënë
në dorë kullën dhe kriporet e Sajadhës,
që ai i kishte trashëguar nga të parët
dhe që ishin buka e tij".
Megjithatë, rrethanat e krijuara në vitet e para
të shek. XV e detyruan Gjon Zenebishin të hiqte
dorë si nga Sajadha, ashtu dhe nga Kastrovila e Parga
dhe të kërkonte rregullimin e marrëdhënieve
me Republikën e fuqishme të Venedikut.
Vdekja e despotit Ezau, më 1411, nxori përsëri
në plan të parë problemin e pushtetit në
Janinë. E veja e Ezaut, Evdokia Balsha, vajzë e
të famshmit Gjergjit I Balsha, iu kundërvu përpjekjeve
të një pjese të parisë së qytetit,
që donte t'ia dorëzonte qytetin nipit të despotit
Ezau, kontit të Qefalonisë, Karl Toko. E mbështetur
kryesisht nga shtresat e ulta dhe të mesme të qytetit,
"despina e Arbërisë" hyri në traktaktiva
me Gjon Zenebishin, gjë që vuri në lëvizje
përkrahësit e Karl Tokos. Pas një komploti
të organizuar prej tyre, despina Evdokia u detyrua të
braktiste qytetin dhe të strehohej përkohësisht
te Gjon Zenebishi në Gjirokastër.
Ambiciet e despotit të ri të Janinës, Karl
Tokos, që synonte të vinte nën sundimin e tij
të gjitha territoret e Despotatit të dikurshëm
të Epirit, e çuan atë drejt një ndeshjeje
të pashmangshme me zotin e fuqishëm të Gjirokastrës.
Në verën e vitit 1411 Gjon Zenebishi i zuri rrugën
në Kranesë (Mesopotam) ushtrisë së Karl
Tokos, që kishte depërtuar në thellësi
të zotërimeve të tij dhe synonte të kapte
Gjirokastrën. Në betejën e ashpër të
zhvilluar në atë vend, forcat e Zenebishit arritën
një fitore të bujshme duke e asgjësuar krejtësisht
ushtrinë e Tokos. Paskëtaj, ky u përpoq t'i
bënte ballë sundimtarit shqiptar duke u mbështetur
kryekëput tek aleanca që lidhi me osmanët dhe
që u vulos edhe me martesën e vajzës së
tij me Musa Beun, pretendentin e fronit.
Presioni osman, i cili ishte veçanërisht i fortë
në zotërimet e Zenebishëve dhe të Shpatajve
të Epirit, e shtyu Gjonin të kërkonte aleancën
e Republikës së Venedikut. Në korrik të
vitit 1414 ai i kërkoi kësaj të fundit t'i
vinte në dispozicion 30 balestrierë, me të
cilët të mund të mbronte këshjellat e
tij dhe njëherësh të ndalte vërshimin
e osmanëve në brigjet e Jonit. Në të njëjtën
kohë, sundimtari shqiptar kërkonte nga Venediku
që të lejohej të blinte disa prona në
Korfuz, ku të mund të strehohej në rast se
do të detyrohej të largohej nga vendi i tij.
Në fakt, deri në atë kohë, në Korfuz
ishin vendosur mjaft familje shqiptare të ikura nga zotërimet
e Zenebishit për shkak të kushteve të rënda
të krijuara nga inkursionet e osmanëve. Në
verën e vitit 1418 një ushtri osmane prej 30 000
vetash, e thirrur nga Karl Tokoja, hyri në zotërimet
e Zenebishit. Pasi pushtoi mjaft vise e kështjella, Hamza
Beu, dhëndër i Tokos, rrethoi Gjirokastrën.
Sundimtari plak i Gjirokastrës mundi t'i bënte ballë
këtij sulmi të parë mbi kryeqendrën e
tij, por, kur osmanët ndërmorën në vjeshtën
e parë të atij viti, një fushatë të
re akoma më të fuqishme, ai nuk jetonte më
dhe djemtë e tij ua lëshuan atë osmanëve
dhe u strehuan në Korfuz. Nga Korfuzi trashëgimtarët
e sebastokratorit të shquar, Gjon, të mbështetur
edhe nga Venediku, Papati dhe Mbretëria e Napolit, nuk
i reshtën përpjekjet për të çliruar
zotërimet atërore, duke organizuar e duke u vënë
në krye të kryengritjeve të fuqishme antiosmane.
Principata e Topiajve
Në kapërcim të shek. XIII-XIV, roli i familjes
së shquar fisnike të Skurrajve në trevën
e Arbrit u kishte kaluar fisnikëve të familjes Topia.
Emri i kësaj familjeje nuk përmendet para shek.
XIII.
Në vitet 70 të shek. XIII bëhet fjalë
për një pinjoll të saj, përfaqësues
i aristokracisë ushtarake me titullin miles. Në
atë kohë Topiajt ditën t'i bënin vend
vetes, duke u shkëputur nga Bizanti e duke vendosur lidhje
të ngushta me anzhuinët e Napolit si dhe me Papatin
e Romës. Këtij të fundit Topiajt i premtuan
kalimin e tyre nga riti ortodoks në atë katolik.
Për rrjedhojë, kisha e Romës u njohu Topiajve
si zotërim të familjes tokat midis rrjedhës
së Matit dhe asaj të Shkumbinit, të cilat përputheshin
pak a shumë me shtrirjen e Principatës së dikurshme
të Arbrit. Të drejtat e Topiajve mbi këto vise
u konfirmuan më 1338 edhe nga anzhuinët e Napolit,
të cilët e konsideronin veten kryezot të Durrësit
e të Arbrit si dhe Topiajt vasalë të tyre.
Topiajt ishin shpallur vasalë të mbretit të
Napolit, Karli I Anzhu, që në vitin 1272. Megjithatë
varësia e tyre nga oborri i Napolit mbeti thjesht formale.
Si mbreti Karli I, ashtu dhe pasardhësit e tij, Karli
II e Roberti I Anzhu, ankoheshin vazhdimisht në aktet
e tyre për "mosbindjen" madje edhe për
"rebelimet" e vazhdueshme të Topiajve dhe të
krerëve të tjerë shqiptarë kundër
pushtetit sovran të tyre. Megjithatë, të ndërgjegjshëm
se s'do të mund ta ruanin autoritetin e tyre mbi Durrësin
dhe Arbrin, anzhuinët këmbëngulnin t'i mbanin
afër Topiajt, qoftë duke u falur herë pas here
"fajet", qoftë duke u dhënë edhe
provizione (para) të mëdha vjetore, siç vepruan
më 1338 me kontin Tanush Topia. I vëllai i këtij
të fundit, Domeniku, ishte klerik i lartë dhe në
vitin 1336 mbreti Robert Anzhu e kishte tërhequr në
oborrin e Napolit si kapelan e këshilltar të tij.
Marrëdhëniet e Topiajve me anzhuinët e Napolit
pësuan një ngrirje të fortë në kohën
e sundimit të Andreas, djalit të Tanushit. Ndonëse
qe martuar me një vajzë jashtë martese të
mbretit Robert, Andre Topia tregohej fare i pabindur ndaj
tij, aq sa anzhuini vuri njerëz dhe e vrau.
Zotërimi i Topiajve arriti fuqinë dhe shkallën
më të lartë të organizimit në kohën
e princit Karl Topia, djali i madh i Andreas, që erdhi
në fuqi në vitin 1359. Brenda viteve 50 të
shek. XIV ai arriti të konsolidonte në luftë
me rivalët e shumtë pushtetin e vet në trevën
e Arbrit. Ashtu si paraardhësit e vet, Karli shfrytëzoi
mjeshtërisht për këtë qëllim lidhjet
e hershme të familjes së tij me anzhuinët e
Napolit. Ai nuk ngurronte të vinte në dukje "lidhjet
e gjakut" që kishte me këta të fundit
nga e ëma. Në këtë kuptim ai i shtoi stemës
familjare të Topiajve, që paraqiste një luan,
edhe simbolin e anzhuinëve, zambakun.
Pavarësisht se u mëshonte lidhjeve të veçanta
të Topiajve me kryezotërit e Napolit, Karli kishte
vendosur t'u shkëpuste këtyre qytetin e Durrësit.
Më 1362 forcat e tij sulmuan Durrësin nga toka dhe
nga deti. Ndonëse nuk u mor dot, qyteti u detyrua t'i
paguajë Topisë një tribur vjetor, i cili nxirrej
nga rritja e taksave mbi tregtarët e huaj që vizitonin
Durrësin.
Sulmi i Karl Topisë mbi Durrësin ngjalli shqetësim
sa në bashkësinë e këtij qyteti, që
i trembej pushtetit feudal, aq dhe te mbretëresha Xhovana
e Napolit, dhe te Republika e Venedikut. Kjo e fundit nuk
mund të pajtohej me faktin që princi shqiptar zotëronte
tashmë një flotë ushtarake, të ankoruar
në Kepin e Rodonit në veri dhe në Kepin e Melit
(caput Meliarum) në jug të Durrësit, me të
cilën ai mund të kontrollonte ose të dëmtonte
trafikun e anijeve veneciane nëpër Adriatik. Ndaj
në maj të vitit 1364 Senati i Venedikut e urdhëronte
kapitenin e flotës së Adriatikut që të
pengonte çdo aksion të flotës së Karl
Topisë dhe, në rastin ekstrem, t'i kapte anijet
shqiptare dhe t'i digjte ato, si dhe të shkatërronte
bazën e tyre në Kepin e Melit. Të gjitha këto
duhet të bëheshin në mënyrë të
fshehtë pa rënë në sy të princit
shqiptar, me të cilin gjithsesi Republika ishte e interesuar
të mbante marrëdhënie të mira. Në
fakt Topia pati rastin të tregonte se nuk ishte një
sundimtar i zakonshëm, kur po atë vit theu të
fuqishmin Gjergj Balsha. Ndaj, me qëllim që të
ndikonte sa më shumë mbi princin shqiptar, në
prill të vitit 1366 Senati i Venedikut e shpalli Karl
Topinë qytetar të Venedikut. Megjithatë kjo
nuk e ndali këtë të fundit të forcojë
flotën e tij dhe të intensifikojë sulmet mbi
Durrësin. Më në fund, në muajt e parë
të vitit 1368, qyteti ra në duart e Topisë.
Nga ai çast sundimtari shqiptar i shtoi titullit të
tij si "princ i Arbrit" edhe titullin tjetër
të "zotit të Durrësit".
Në jug Principata e Topiajve u bë fqinje me atë
të Muzakëve, të cilët, aty nga viti 1370,
aneksuan zotërimin e sebastokratorit Vlash Matrënga,
që shtrihej midis derdhjes së Shkumbinit dhe Semanit.
Gjithsesi aleanca e Muzakajve me Balshajt e veriut e keqësoi
gjendjen e principatës së Karl Topisë, duke
shtrënguar darën rreth saj. Ishte keqësuar
ndërkohë edhe pozita ndërkombëtare e saj.
Sovranët e Napolit nuk ia falën "vasalit"
Karl Topia marrjen e Durrësit më 1368. Plot moskuptime
e përplasje paraqiteshin edhe marrëdhëniet
me Venedikun, pavarësisht që Republika e detrave
e kishte shpallur Karl Topinë qytetar të saj. Marrëdhëniet
ishin ftohur dukshëm edhe me Papatin e posaçërisht
me papën Gregori XI, i cili nuk i falte princit shqiptar
prirjet "heretike" duke e akuzuar atë për
patarin (ithtar i lëvizjes antipapale patarine). Edhe
miqësia me Raguzën dhe me Hungarinë nuk i sillte
ndonjë avantazh të madh Karl Topisë në
planin politik. Raguza ishte në fakt një fuqi tregtare,
por ajo s'kishte ndonjë peshë në ngjarjet politike
e ushtarake. Përsa i përket afrimit me Mbretërinë
Hungareze, në sfond të saj qëndronte thjesht
armiqësia e kësaj të fundit me Venedikun, pra
kishte karakter koniunktural pa ndonjë ndikim në
planin praktik.
Në kushte të tilla, kur dhe marrëdhëniet
me bashkësinë qytetare të Durrësit qenë
acaruar, Karl Topia e humbi qytetin, i cili kaloi përsëri
për pak kohë nën sovranitetin e anzhuinëve
të Napolit. Madje këta të fundit në fillim
të vitit 1372 vendosën të organizonin një
fushatë të madhe për të shtrirë pushtimet
tej Durrësit dhe për të rikrijuar "Mbretërinë
e Arbrit" të kohës së Karlit I Anzhu.
Në planet e organizatorëve ishte edhe zënia
rob e Karl Topisë dhe e Gjergj Balshës, për
të cilët premtohej një çmin prej 1 000
dukatë ari. Por fushata që iu besua Gjergjit të
Navarës dhe që mori edhe bekimin e papës Gregori
XI nuk arriti të realizohej. Karl Topia mbeti zot i plotfuqishëm
i "gjithë vendit të Arbrit". Madje, ai
mundi t'u marrë Muzakëve edhe zotërimet e dikurshme
të Vlash Matrëngës, midis derdhjeve të
lumenjve Shkumbin e Seman. Tashmë principata e Karl Topisë
kapte gjithë hapësirën midis Drinit e Semanit.
Vetë Durrësi, ndonëse formalisht mbeti në
zotërimin e anzhuinëve të Napolit, në
të vërtetë e ndiente gjithnjë e më
shumë pushtetin e princit shqiptar. Me sa duket ky i
fundit, i ndërgjegjshëm për interesat e shumtë
që ndërthureshin në Durrës, kishte vendosur
ta merrte qytetin në mënyrë "të ligjshme",
duke shmangur përdorimin e armëve. Në fakt
aty nga viti 1383 ai e bleu atë nga anzhuinët kundrejt
një shume të madhe të hollash.
Sundimi i Karl Topisë mbi qytetin e dëshiruar buzë
Adriatikut nuk zgjati shumë. Marrja e qytetit prej tij
ndodhi në një kohë kur ishte rindezur konflikti
i hershëm me Balshajt, ndërkohë zotër
edhe të Vlorës.
Me një sulm të befasishëm në vitin 1384
Balsha II e pushtoi Durrësin. Tashmë në aktet
zyrtare ai filloi t'i atribuojë vetes titullin "dukë
i Durrësit". Por nuk e gëzoi gjatë. Më
18 shtator 1385 forcat osmane të Hajredin Pashës
shpartalluan në Savër të Myzeqesë ushtrinë
e Balshës II dhe të aleatëve të tij. Karl
Topia hyri përsëri në Durrës, por tashmë
edhe ai, si mjaft sundimtarë të tjerë shqiptarë,
u detyrua t'i nënshtrohej hegjemonisë së osmanëve.
Në përpjekje për t'i shpëtuar kësaj
të fundit, Topia u kthye nga Venediku. Midis viteve 1386-1387
ai bëri disa përçapje pranë Republikës,
duke i ofruar kësaj vendosjen e një lloj protektorati
mbi zotërimet e tij. Duke iu shmangur një angazhimi
të drejtpërdrejtë në një zonë
që tashmë ishte në vëmendjen e osmanëve,
Venediku u mjaftua t'i premtonte Karl Topisë ndihma modeste
ushtarake, sigurisht kundrejt privilegjeve tregtare. I ndodhur
nën trysninë e vazhdueshme të osmanëve,
Karl Topia tentoi në maj të 1387 një ujdi të
fundit me Republikën. Propozimi i tij i ri kishte të
bënte me shitjen e Durrësit, me largimin e vetë
Karlit dhe vendosjen e tij në ndonjërën nga
kolonitë veneciane në Kretë ose në Eube.
Por edhe kësaj radhe nuk u përfundua gjë, qoftë
për shkak të hezitimeve të Venedikut, që
tashmë ishte i bindur se marrja e Durrësit do të
thoshte luftë me osmanët, qoftë edhe se, shumë
shpejt pas paraqitjes së këtij propozimi të
ri, princi Karl Topia ndërroi jetë.
Trashëgimtari i dobët i Karl Topisë, Gjergji,
mundi të ushtrojë pushtetin e tij në Durrës
e në rrethinat e tij. Kruja dhe krahina përreth
saj i kaluan motrës së tij, Helenës, që
ishte martuar me fisnikun venecian Mark Barbadigun. Konti
Niketa Topia, një kushëri i Gjergjit, sundonte ultësirën
në jug të Durrësit. Feudalë të tjerë,
që s'i përkisnin familjes fisnike Topia, sundonin
tashmë të pavarur në viset e Tiranës,
në luginën e Shkumbinit e gjetkë. Marrëdhëniet
e tyre me Gjergj Topinë ishin shpeshherë armiqësore.
Në këtë mënyrë juridiksioni i trashëgimtarit
të Karl Topisë kufizohej në qytetin e Durrësit
dhe në rrethinat e afërta të tij. Në fakt,
edhe në burimet e kohës Gjergji cilësohet thjesht
"zot i Durrësit", ndryshe nga paraardhësi
i tij i madh, princi Karl Topia, që quhej "zot i
gjithë vendit të Arbrit".
Ardhja në pushtet e Gjergj Topisë përkoi me
intensifikimin e sulmeve osmane në viset bregdetare dhe,
për rrjedhojë, edhe me politikën e re të
Venedikut, për të shtënë në dorë
qytetet bregdetare shqiptare. Herë me premtime dhe herë
me presione Venediku arriti të bindte Gjergjin që
fillimisht t'i lëshonte kullën e poshtme të
qytetit, atë që ruante pjesën e portit.
Më tej, Venediku arriti të fuste në kontroll
gjithë qytetin, duke shfrytëzuar vështirësitë
e zotit të Durrësit, si dhe lidhjet e veta me një
sërë fisnikësh shqiptarë nga familjet
Muzaka, Skurra, Nesha e vetë Topia, të cilëve
u shpërndante provizione vjetore. Me marrëveshjen
e nënshkruar me Venedikun në gusht të vitit
1392, Gjergj Topia pranonte që, pas vdekjes së tij,
i gjithë qyteti të kalonte edhe de jure nën
sundimin e Venedikut. Një kalim i tillë i pushtetit
në Durrës ndodhi vetëm ndonjë muaj më
vonë, kur sundimtari shqiptar vdiq.
Vitet që pasuan shënuan zhdukjen nga skena edhe
të Topiajve të fundit. Në vitin 1403 konti
Niketë Topia mori kështjellën e Krujës
nga duart e kushërirës së tij, Helenës.
Në këtë mënyrë Niketa bashkoi nën
sundimin e tij territoret pjellore rreth e rrotull Durrësit
prej të cilave nxirrte fitime të mëdha. Venediku
ia njohu zotërimet sundimtarit shqiptar, aq më tepër
që ato formonin një perde midis Durrësit dhe
posteve të përparuara osmane në Maqedoni. Nga
ana tjetër, nga zotërimet e Niketës mbërrinin
në Durrës produktet bujqësore e blegtorale
të domosdoshme për mbijetesën e qytetit. Megjithatë
zotërimi i të fundit të Topiajve nuk pati jetë
të gjatë.
Më 1412 kontit Niketa iu desh ta paguajë me një
disfatë të bujshme dhe me burgimin e tij rivalitetin
me Teodor Muzakën e Beratit për zotërimin e
fushave rreth Shkumbinit. Falë ndërhyrjes së
Republikës së Raguzës, Niketa u lirua nga burgu
i Muzakës. Por paskëtaj ai duhej të matej me
sulmet e osmanëve, që pikërisht në atë
kohë njohën një intensifikim të ri. Me
vdekjen e Niketës, osmanët pushtuan kryeqendrën
e vjetër të Arbrit dhe të Topiajve, Krujën.
Në fillim të vitit 1415 qyteti kishte një komandant
turk, Ballaban Beun, i cili quhej subash i Krujës
dhe i Arbrit.
Principata e Muzakajve
Historiania bizantine e shek. XI-XII, Ana Komnena, përmend
e para emrin e një fisniku nga familja Muzaka, i cili
rreth vitit 1090 ishte ndër komandantët më
të besuar të perandor Aleksi I Komneni. Origjina
e familjes ishte nga zona e Oparit, ku Muzakajt kishin zotërimet
fillestare të tyre me fshatrat Voskop, Lavdar, Xerje,
Bec, Mazrek, Marjan, Dushan, Zerec etj. Kronisti Gjon Muzaka
(1510) kujton se varret e të parëve të familjes
ndodheshin pranë kishës së Shën Triadhës
në Lavdar të Oparit. Autoriteti dhe roli politik
i Muzakajve dëshmohet qartë që në shek.
XIII.
Gjatë luftërave me anzhuinët e Napolit (1273-1281),
i pari i derës së Muzakajve, Gjoni I Muzaka, u shqua
si një ndër krerët kryesorë të qëndresës.
I zënë rob gjatë një beteje, në tetor
të vitit 1279, Gjoni u burgos në kështjellën
e Brindizit bashkë me tre bashkëpunëtorët
e tij, Dhimitër Zogun dhe Kasnec e Guljelm Blenishtin.
Por, nën presionin e krerëve shqiptarë, mbreti
Karli I Anzhu u detyrua ta lironte atë vitin tjetër,
kundrejt premtimit se "nuk do të fliste e nuk do
të vepronte më kundër tij".
Në fund të shek. XIII, duke përfituar nga marrëdhëniet
e tyre me pushtetin qendror bizantin, Muzakajt mundën
të siguronin prona të shumta në krahinat fqinje
të Tomoricës, Skraparit, Këlcyrës e Beratit
në perëndim dhe në ultësirën e Korçës
në lindje. Atë kohë Muzakajt afrohen me anzhuinët,
që vazhdonin të mbanin Durrësin, dhe nëpërmjet
tyre me Papatin, i cili ishte vënë në krye
të koalicionit të fuqive evropiane e ballkanike
kundër mbretërisë serbe. Në vitin 1319
papa Johanit XXII i njoftuan gatishmërinë e tyre
për t'iu bashkuar frontit antiserb shumë fisnikë
shqiptarë, mes të cilëve edhe tre vëllezërit
Muzakaj, zotër në Këlcyrë. Qëndresa
e organizuar nga bujarët Muzaka kundër ekspansionit
të serbëve në trevat shqiptare, ende nën
sundimin bizantin, u vlerësua edhe nga perandorët
e Bizantit, të cilët i shpërblyen ata me pronia
të reja e me tituj fisnikërie. Dikur para vitit
1335, i pari i Muzakajve, Andrea II, mori titullin e lartë
despot, i cili vinte i dyti, pas atij të perandorit,
në shkallën e hierarkisë bizantine. Ndërkohë,
pinjollë të Muzakajve vazhduan të qëndronin
në poste të rëndësishme në Konstandinopojë,
si epistrati Muzaka në vitet 1320.
Krijuesi i një principate të vërtetë të
kësaj familjeje ishte pikërisht despot Andrea II
Muzaka (1335-1372). Nën drejtimin e tij, Muzakajt u vunë
në krye të lëvizjeve antibizantine të
viteve 1335-1341, që përfshiu trevat shqiptare jugore.
Me atë rast, despot Muzaka lidhi edhe një aleancë
me anzhuinët e Napolit. Në paktet e nënshkruara
në Durrës më 30 dhjetor 1336 me Luigj Anzhunë,
nip i mbretit Robert, Andrea II Muzaka njohu për kryezot
mbretin e Napolit, i cili nga ana e tij i konfirmoi fisnikut
shqiptar pronat, titujt e gradat e dhuruara nga perandorët
e Bizantit. Si peng të besnikërisë ndaj sovranit
anzhuin, Andrea II Muzaka duhej të linte në Durrës,
pranë përfaqësuesit të mbretit të
Napolit, njërin prej djemve të tij.
Shtypja e kryengritjeve antibizantine të jugut më
1336 u shoqërua me shpronësimin dhe me dëbimin
e mjaft fisnikëve të familjes Muzakaj, të cilët
u strehuan në Greqi, posaçërisht në
Peloponez. Edhe në kohën e pushtimit serb të
Stefan Dushanit (1345-1355) Muzakajt ishin frymëzuesit
e qëndresës dhe ishin vazhdimisht në luftë
me qeveritarin sllav të zonës së Beratit e
të Vlorës, despotin Ivan Komnen Asenin. Aty nga
viti 1350 Andrea II Muzaka mori Beratin, duke e detyruar qeveritarin
e Stefan Dushanit ta zhvendoste selinë e vet në
Kaninë. Pushteti i Muzakajve u shtri ndërkohë
në Myzeqe, që e mori këtë emër pikërisht
prej tyre (Muzakia=vendi i Muzakajve). Ndikimi i Muzakëve
u bë i ndjeshëm edhe në qytetin e Durrësit,
ku despot Andrea zotëronte pasuri të patundshme
dhe ku marrëveshja e vitit 1336 me anzhuinët e lejonte
të qëndronte dhe të lëvizte lirisht në
atë qytet.
Pas vdekjes së car Dushanit dhe shthurjes së Perandorisë
Serbe, despot Andrea II Muzaka i zgjeroi më tej kufijtë
e zotërimeve të tij në drejtim të zonës
së Korçës e Devollit, duke dëbuar prej
andej sundimtarët serbë të vendosur rishtazi.
Nga fundi i viteve 60 ai aneksoi zotërimet e zotit të
Karavastasë, sebastokratorit Vlash Matrënga, pushtoi
kështjellën e rëndësishme të Bregut,
doli mbi Shkumbin e mori tokat e Gosës e të Garunjës,
duke u ballafaquar drejtpërsëdrejti me princin e
fuqishëm të Arbrit, Karl Topinë. Po në
atë kohë Andrea II Muzaka mori Vlorën e Kaninën
nga duart e sebastit Aleksandër, që sundonte aty
pas vdekjes së despotit Ivan Komnen.
Megjithatë, despot Muzaka shumë shpejt ia kaloi
në formë paje këto dy qytete vëllait të
vogël të Balshajve, Balshës II, pas martesës
së këtij me vajzën e tij, Komitën. Siç
duket, në bazë të aleancës midis këtyre
dy familjeve fisnike shqiptare qëndronte rivaliteti i
tyre i përbashkët me Topiajt e veçanërisht
me sundimtarin serb Vukashin, atë kohë zot i Kosovës
e i gjithë Maqedonisë Perëndimore, deri në
Kostur. Pikërisht me ndihmën e Balshajve, despot
Andrea II Muzaka theu më 1370 pranë Kosturit ushtrinë
e krajl Vukashinit. Kjo fitore u përshëndet edhe
nga perandori i Bizantit, Johani V Paleologu, i cili me këtë
rast i konfirmoi Andrea II Muzakës titullin e despotit,
duke i dhuruar fronin bashkë me shenjën përkatëse
dalluese, shqiponjën me dy krerë e me yll në
mes. Kjo zëvendësoi emblemën e hershme të
Muzakajve, e cila paraqiste një burim që shpërthente
nga toka duke u ndarë më dysh.
Bashkë me konfirmimin e titullit despot, perandor Johani
V Paleologu i kaloi Andrea II Muzakës edhe të drejtat
mbi Kosturin.
Ndonjë vit më vonë, me ndihmën e Balshajve
e të bujarëve të tjerë shqiptarë,
despot Andrea i rrëmbeu Mark Krajleviçit, të
birit të Vukashinit, qytetin e Kosturit. Në këtë
mënyrë, në fund të jetës së
tij, despoti plak, Andrea II Muzaka, kishte përfshirë
në principatën e tij Myzeqenë, Beratin, Tomoricën,
Skraparin, Këlcyrën, Përmetin, Oparin, Devollin,
Kolonjën e Kosturin. Megjithatë, në krahun
perëndimor të zotërimeve të Muzakajve,
ndihej fort hegjemonia e Balshëve të fuqishëm,
të cilët nga Vlora e Kanina ushtronin ndikim të
madh në zonat përreth, deri në Berat, siç
e dëshmon edhe mbishkrimi i të ashtuquajturit "Epitaf
i Glavinicës" i vitit 1372. Aty nga viti 1374, Muzakajt
ishin detyruar të tërhiqeshin edhe nga tokat që
kishin zënë para pak vjetësh përtej Shkumbinit,
si dhe nga kështjella e nga tregu i Bregut, në derdhje
të Shkumbinit. Këto vende i kaluan rivalit të
tyre, princit Karl Topia.
Vdekja e despot Andrea II Muzakës menjëherë
pas marrjes së Kosturit (ai u varros në kishën
e Shën Ndoit në Durrës) ndikoi gjithashtu në
dobësimin e zotërimit të Muzakajve. Ky u nda
midis tre bijve të tij: Gjonit, Teodorit e Stojës.
I pari trashëgoi zotërimet stërgjyshore të
familjes, i dyti Beratin e zonën e Myzeqesë, kurse
i treti viset nga Devolli në Kostur. Shumë shpejt,
në vitin 1375, Stojë Muzakës iu desh të
përballonte një sulm të Mark Krajleviçit,
i cili me një ushtri mercenare osmane u përpoq pa
sukses të rimerrte Kosturin. Deri në pushtimin përfundimtar
nga osmanët, më 1385, qyteti mbeti në duar
të Muzakajve, siç e vërteton edhe një
mbishkrim ktitorial në kishën e Shën Thanasit,
të ngritur më 1382 nga vëllezërit Stojë
e Teodor Muzaka. Stoja vdiq në vitin 1384, kurse vëllai
i dytë, Teodori, mbeti i vrarë në betejën
e Fushë-Dardanisë, më 1389, ku kishte shkuar
me forca të shumta bashkë me fisnikë të
tjerë shqiptarë. Vëllai i madh Gjini, pasi
kishte kaluar mjaft vjet në burgun e Kaninës, ku
e kishte mbyllur i kunati, Balsha II, vdiq edhe ai para vitit
1390 në një çast rrëmuje e shthurrjeje
të principatës. Osmanët tashmë shfaqeshin
rregullisht në zotërimet e tyre dhe në zonën
e Korçës ata ishin bërë zotër realë
të vendit. Zotërimet e Muzakajve u rrudhën
kryesisht në viset malore. Mjaft pinjollë të
tyre, si djali i madh i Gjinit, Andrea, ishin vendosur në
Durrës ku ishin vënë në shërbim të
Venedikut.
Periudha e shkurtër e rimëkëmbjes së zotërimit
të Muzakajve pas disfatës së osmanëve
në betejën e Ankarasë (1402) lidhet me emrin
e Teodorit III Muzaka, djalit të Andresë. Ky për
disa vjet arriti ta shtrijë përsëri zotërimin
e Muzakajve në fushën e Myzeqesë, duke ringjallur
për këtë konfliktin e vjetër me Topiajt,
posaçërisht me kontin Niketë Topia, i cili
gjatë një përpjekjeje më 1412 ra rob i
Muzakës.
Me rifillimin e sulmeve osmane zotërimi i Muzakajve u
prek rëndë. Më 1417, njëherësh me
Vlorën, ra edhe Berati. Teodor Muzaka u kthye nga ajo
kohë në vasal të sulltanit dhe pasardhësit
e tij me përkrahjen e osmanëve apo të Venedikut,
mbajtën një minimum të principatës së
dikurshme derisa pas rënies së Shkodrës, më
1478, i fundi i Muzakajve të krishterë, Gjon Muzaka,
autori i njohur i Gjenealogjisë së shtëpisë
Muzaka (1510), e la vendin dhe u vendos në Mbretërinë
e Napolit.
Shteti i Arianitëve
Arianitët ishin një familje e vjetër fisnike.
Zotërimet e tyre shtriheshin përgjatë luginës
së Shkumbinit e Rrugës Mbretërore (Egnatia)
dhe në lindje arrinin së paku deri në afërsi
të Manastirit.
Në burimet historike emri i familjes fisnike të
Arianitëve haset për herë të parë
në shek. XI në veprën e Gjergj Kedrenit Përmbledhje
Historish. Ai tregon se në fillim të shek. XI (1001-1018)
perandori i Bizantit emëroi patricin David Arianitin
si strateg të Selanikut dhe, më pas, si strateg
të Shkupit. Ai luftoi kundër bullgarëve në
Strumicë e në Shkup. Edhe djali i tij, Konstandini,
përmendet në vitet 1049-1050 si ushtarak në
shërbim të Perandorisë Bizantine. Në një
marrëveshje që Karli I Anzhu lidhi me disa fisnikë
shqiptarë, në fund të shek. XIII (1274), përmendet
ndër këta edhe sebast Aleks Arianiti. Emri i Arianitëve
do të vazhdonte të ishte i pranishëm edhe më
shumë nëpër dokumente të shek. XIV. Në
dy dokumente të vitit 1304 të princit të Tarentit,
Filipit, dhe të mbretit të Sicilisë, Karlit
II, ndër emrat e disa familjeve fisnike shqiptare, që
u njiheshin privilegjet e mëparshme, është
shënuar edhe emri i Arianitëve. Në një
letër të vitit 1319, që papa Johani XXII ua
drejtoi disa fisnikëve shqiptarë, është
shënuar emri i protolegatorit Guljelm Arianiti. Në
Epitafin e Glavinicës, të qëndisur në
vitin 1373, gjendet edhe emri i qëndistarit Gjergj Arianiti.
Për këto figura me mbiemrin Arianiti nuk mund të
krijohet një lidhje e sigurt dhe të pohohet se domosdo
ata i përkisnin të njëjtit trung familjar.
Sidoqoftë, nëpërmjet tyre del qartë së
Arianitët ishin një familje fisnike e vjetër
e Shqipërisë Qendrore, nga më të njohurat
dhe me ndikim të veçantë në jetën
politike të vendit. Rol pozitiv në këtë
drejtim kishte zotërimi e kontrolli prej Arianitëve
i segmenteve të rëndësishme të Rrugës
Mbretërore (Egnatia) nëpër të cilën
lëviznin karvane të shumta për tregtimin e
drithit, të kripës e të mallrave të tjera.
Për zotërimin e kësaj rruge tregtare shumë
të rëndësishme, Arianitët duhet të
kenë bashkëpunuar me Pavël Kurtikun, zotërimet
e të cilit gjendeshin në krahinat përgjatë
rrjedhjes së mesme të lumit Shkumbin, si dhe me
Andre Gropën, sundimtarin e qytetit të Ohrit. Pozicioni
mbizotërues i kështjellës së Ohrit, mbi
tërë rajonin e një liqeni shumë të
pasur me peshk të cilësisë së lartë,
kishte bërë që zotërimi i tij të
ishte në qendër të aksioneve politike e ushtarake
të zotërve të rajoneve pranë tij.
Veprimtaria politike e Arianitëve do të pasqyrohet
më mirë në dokumentet e shek. XV, kur ata,
prej pushtimeve osmane, humbën rajonet e pasura lindore
dhe filluan të ndiqnin një politikë më
aktive, sidomos qysh nga vitet 30 e më pas, kur Gjergj
Arianiti korri një varg fitoresh kundër ushtrive
osmane.
Krahas mbiemrit Arianiti kjo familje fisnike përmendet
në burimet historike edhe me emra të tjerë
familjarë, si Komneni, Golemi, Topia, Shpata e Çermenika,
si dhe me disa tituj fisnikërie. Titujt ishin të
trashëguar dhe dëshmonin për lidhjet krushqore
që kishin krijuar Arianitët me familjet e tjera
fisnike, duke përfshirë edhe atë perandorake
të Bizantit, siç e tregon mbiemri Komneni. Si
familje sundimtare Arianitët kishin edhe simbolet e veta.
Shqiponja dykrenare ishte në stemën e tyre. Në
një dokument të kohës tregohet se Gjergj Arianiti
kishte porositur në Raguzë që të thurej
flamuri i tij.
Pema gjenealogjike e Arianitëve nuk mund të ndërtohet
saktësisht, që nga periudhat më të hershme,
kur ata përmenden për herë të parë.
Sipas autorëve të vjetër shqiptarë, Marin
Barlecit e Gjon Muzakës, i ati i Gjergj Arianitit ka
qenë Komnen Arianiti. Ky qe martuar me vajzën e
Nikollë Sakatit, që kishte edhe mbiemrin Zaharia,
zot i qytetit port të Buduas. Komnen Arianiti pati tre
djem (Gjergjin, Muzakën dhe Vladanin), si dhe një
vajzë që u martua me Pal Dukagjinin.
Muzakë Arianiti kishte vetëm një djalë,
Moisiun, bashkëluftëtarin e njohur të Skënderbeut,
që njihet kryesisht me mbiemrin Golemi (Moisi Golemi).
Ky u martua me Zafinë Muzakën, ish-gruan e Muzakë
Topisë, i cili u rimartua me të motrën e Skënderbeut,
Mamicën.
Vëllai i vogël i Gjergj Arianitit, Vladani, u martua
me vajzën e Gjon Kastriotit, Angjelinën, shumë
kohë përpara se Skënderbeu të dilte në
krye të luftës antiosmane të shqiptarëve.
Djali i tyre Muzaka (i cilësuar si Muzaka i Angjelinës,
për t`u dalluar nga i ungji) do të ishte pjesëmarrës
në Kuvendin e Lezhës të vitit 1444.
Veprimtaria politike dhe ushtarake e djalit të madh të
Komnen Arianitit, Gjergjit, i dha familjes fisnike shqiptare
të Arianitëve emër e peshë të veçantë
në jetën politike të Shqipërisë.
Gjergj Arianiti u martua me Marie Muzakën, me të
cilën pati tetë vajza. Vdekja e saj bëri që,
më pas, Gjergji të martohej me italianen Despina
(ose Petrina) Frankone, vajzë e guvernatorit të
qytetit Leçe të Mbretërisë së Napolit.
Me të Gjergj Arianiti pati tre djem (Thomanë, Kostandinin
dhe Arianitin) dhe një vajzë.
Zotërimet e Arianitëve, ashtu si dhe ato të
fisnikëve të tjerë shqiptarë, gjatë
periudhave të ndryshme kanë njohur zgjerime e ngushtime.
Pavarësisht nga këto, duke zotëruar segmente
të rëndësishme të Rrugës Mbretërore
(Egnatia) dhe të degëzimeve të ndryshme të
saj, Arianitët kanë gëzuar një pozitë
të veçantë në jetën ekonomike e
politike të Shqipërisë dhe në marrëdhëniet
e lidhjet që mund të krijoheshin midis rajoneve
të ndryshme të vendit dhe forcave politike të
tyre. Dëshmi e kësaj janë edhe lidhjet e shumta
martesore të Arianitëve me zotërit e tjerë
të viseve shqiptare, që ishin kufitare me ato të
Arianitëve, si Muzakajt e Kastriotët, apo edhe më
të largëta si Dukagjinët e deri me despotin
serb, Stefan Brankoviçin, kur ky, pas pushtimit të
Despotatit të Rashës prej osmanëve, u vendos
në vitin 1459 në Krujë, ku qëndroi për
disa vjet pranë Skënderbeut dhe u martua me një
vajzë të Gjergj Arianitit.
Për rëndësinë politike dhe ekonomike të
shtetit të Gjergj Arianitit dëshmon më së
miri martesa e dytë e tij me vajzën e guvernatorit
të qytetit të Leçes në Italinë
e Jugut, që ishte porti më jugor i krahinës
së Puljes dhe, në rrugë detare, më i afërti
me bregdetin shqiptar. Interesat ekonomikë në Shqipëri
e kanë shtyrë guvernatorin e Leçes të
martonte vajzën larg vendit të tij e përtej
detit Adriatik, së pari në Korfuz, dhe, pasi mbeti
e ve, me Gjergj Arianitin në Shqipëri, që ka
qenë eksportuese e rëndësishme drithërash.
Shtrirja lindore e shtetit të Gjergj Arianitit ka qenë
e thellë. Ajo i ka përfshirë, ose së paku
ka qenë kufitare me fushat e Manastirit e të Follorinës,
që ishin rajone të prodhimit të bollshëm
të drithërave, ku çmimi i shitjes së
tij ka qenë më i ulëti se në rajonet e
tjera të prodhimit të tij në Shqipëri
dhe shumë më i ulët se çmimi i shitjes
në Itali. Gjithashtu nën zotërimin e Arianitëve
ka qenë, në mos tërësisht, pjesërisht,
rajoni i liqenit të Ohrit, prej të cilit siguroheshin
të ardhura shumë të mëdha nga peshkimi
dhe nga eksportimi i gjerë i peshkut të thatë
të cilësisë së lartë, artikull ushqimor
ky që ishte shumë i parapëlqyer nga banorët
e rajoneve të tjera.
Nën zotërimin e Arianitëve mund të kenë
qenë për një kohë edhe qytetet e Manastirit
e të Follorinës, para se të binin nën
pushtimin osman. Në këtë rajon Arianitët
kanë zotëruar kështjellën e Sopotnicës
(Sfetigradi), që osmanët e ripagëzuan me emrin
Demir Hisar, kështjellë në një pozicion
kyç, nga mund të kontrolloheshin disa rrugë
tregtare shumë të rëndësishme. Si kufij
natyrorë jugorë të shtetit të Gjergj Arianitit
kanë qenë lumi Devoll dhe zotërimet e Muzakajve,
kurse në veri shteti i Kastriotëve. Në perëndim
Arianitët kanë pasur dalje të gjerë në
detin Adriatik në jug të Durrësit dhe në
rajonin e Myzeqesë. Gjergj Arianiti kërkonte të
kishte nën zotërimin e tij edhe Vlorën e Kaninën
bashkë me rrethinat e tyre, që formonin rajonin
bregdetar shqiptar, i cili, në rrugë detare, ishte
më afër bregdetit italian. Këto synime të
Gjergj Arianitit kanë zënë vend në aktet
zyrtare të marrëdhënieve të tij me Mbretërinë
e Napolit. Gjurmë të tyre mbetën edhe pas vdekjes
së Gjergjit. Një djalë dhe një nip i tij
ushtruan detyrën e funksionarëve të lartë
osmanë në rajonin e Vlorës. Në një
dokument të fundit të shek. XV, ky rajon është
shënuar si pjesë e Arbërisë së
Arianitit, emërtim i përdorur krahas Arbërisë
së Skënderbeut.
Balshajt dhe përpjekjet për një shtet të
bashkuar shqiptar
Ndër principatat e pavarura shqiptare, që lulëzuan
pas mesit të shek. XIV, më e rëndësishmja
ishte ajo e familjes Balsha me origjinë nga qyteza e
Balëz, në afërsi të qytetit të Shkodrës.
Gjatë pushtimit serb të atyre anëve, emri i
kësaj familjeje mbetet në errësirë. Megjithatë
ka arsye të mendohet se Balshajt qenë një ndër
dyert e shumta fisnike shqiptare, të shpronësuara
dhe të keqtrajtuara të kësaj treve, për
të cilat flet më 1331 kryepeshkopi i Tivarit, Guljelmi
i Adës. Gjithsesi, pas mesit të shek. XIV, tre vëllezërit
Balsha, Strazimiri, Gjergji I dhe Balsha II, e vunë këtë
familje në ballë të politikës dhe të
proceseve shtetformuese shqiptare, duke shfrytëzuar edhe
momentin e përshtatshëm që pasoi vdekjen e
car Stefan Dushanit. Me shthurjen e Perandorisë së
tij, vëllezërit Balshaj iu vunë punës
për ta kthyer Gentën (Zetën), ashtu si Dioklenë
e dikurshme, në një shtet të pavarur nga mbretëria
serbe. Për këtë qëllim, ata prenë
çdo lidhje me oborrin e carit të ri serb, Stefan
Uroshit, i cili i konsideronte Balshajt rebelë
dhe i trajtonte si kundërshtarë të papajtueshëm
të tij. Kundër sundimtarëve shqiptarë
të Gentës, ai u përpoq të nxiste sundimtarët
sllavë si dhe Republikën e Venedikut, e cila i druhej
fuqizimit të Balshajve dhe sidomos kthimit të principatës
së tyre në një principatë detare. Me zotërimin
e Ulqinit, të Tivarit e të vetë Shkodrës
dhe të skelës së Shirgjit, si dhe me shtënien
në dorë përfundimisht të Buduës më
1367, Balshajt ishin në gjendje të kontrollonin
lëvizjet tregtare nëpër Adriatik. Në duart
e tyre ndodheshin rrugët tregtare që zgjateshin
prej bregdetit drejt viseve të brendshme. Më e rëndësishmja
prej tyre ishte rruga që fillonte në pikën
doganore të Dejës, ku bashkoheshin rrugët që
vinin nga portet e Shëngjinit, të Ulqinit e të
Tivarit, dhe vazhdonte nëpër luginën e Drinit
për të arritur në Rrafshin e Dukagjinit, nga
ku degëzohej në qendërbanimet kryesore të
Kosovës. Gjithë pushtetin e Balshajve në këto
treva nxitoi ta shfrytëzonte në të mirë
të tregtisë së vet Republika e Raguzës,
e cila më 1361 u dha tre vëllezërve sundimtarë
qytetarinë raguzane. Të njëjtin hap e kreu
një vit më vonë edhe Republika e Venedikut,
e cila Strazimirin, Gjergjin I dhe Balshën II i pranoi
si qytetarë të vet. Megjithatë, Republika e
Shën Markut vazhdoi të ndiqte me mosbesim fuqizimin
e zotërve shqiptarë të Gentës dhe u mundua
të krijonte, fshehurazi, një grupim kundërshtar
të Balshajve, me krerët shqiptarë nga familjet
Gjurashi (Cërnojeviçi), Dukagjini, Zaharia, Dushmani,
Shestani, të cilët Balshajt i kishin privuar nga
pushteti dhe nga privilegjet e dikurshme. Gjithashtu, Venediku
nxiti dhe mbështeti kundër tyre sundimtarët
sllavë, si Stefan Uroshin e Vojsav Vojnovin, që
kishin arsye të shqetësoheshin nga fuqizimi dhe
shtrirja e zotërimit të princërve shqiptarë.
Përpjekjet për ti shtrirë kufijtë
e principatës drejt jugut, i çuan Balshajt drejt
përplasjes me fisnikë të tjerë shqiptarë,
Dukagjinët, Zahariajt e sidomos Topiajt, zotër të
Arbrit dhe, qysh nga viti 1364, zotër edhe të Durrësit.
Përplasja në mes dy principatave më të
fuqishme shqiptare u bë e pashmangshme për sa kohë
që edhe vetë Topiajt luftonin për të vënë
nën kontroll qendrat, që tradicionalisht bënin
pjesë në sistemin administrativo-ushtarak të
Durrësit, në radhë të parë Lezhën.
Në një betejë të zhvilluar aty nga muaji
shtator i vitit 1364 Balshajt u thyen nga zotërit e Durrësit
dhe vetë Gjergji I Balsha u zu rob. Me ndërhyrjen
e Republikës së Raguzës, mike e dy shtëpive
fisnike shqiptare, Gjergj Balsha u la i lirë dhe armiqësisë
iu dha fund me martesën e Karl Topisë me Katerinën,
motrën e Balshajve.
Një qëndresë të fortë ndeshën
edhe përpjekjet e Balshajve për tu zgjeruar
në veri të grykës së Kotorrit, dhe sidomos
për të pushtuar këtë qytet të fundit.
Republika e Venedikut, Mbretëria e Hungarisë, Papati,
sundimtarët sllavë të Kanalit, Zaklumjes e
të Bosnjës dhe vetë Republika e Raguzës
u bashkuan për ti detyruar Balshajt të hiqnin
dorë nga një ndërmarrje e tillë. Në
këtë mënyrë, pas vitit 1368 veprimet e
vëllezërve Balsha u përqendruan në zgjerimin
e zotërimeve të tyre drejt viseve të Kosovës
dhe thellë në jug, në despotatin e Vlorës.
Duke hequr dorë përkohësisht nga Kotorri, Balshajt
arritën një zbutje të marrëdhënieve
të tyre me të gjitha fuqitë e interesuara.
Me Republikën e Venedikut Balshajt i forcuan lidhjet
në fushën tregtare dhe ushtarake. Në vitin
1369 Balshajt shpallën kalimin e tyre në ritin katolik
për forcimin e lidhjeve me Papatin dhe me fuqitë
katolike të Perëndimit, si dhe në vazhdën
e lidhjeve që princërit e hershëm të Gentës
(Dioklesë) kishin me këta të fundit. Një
vit më vonë papa Urbani V, duke i pranuar vëllezërit
Balsha në gjirin e kishës apostolike të Romës,
u rekomandoi atyre peshkopët e porsaemëruar të
Arbrit, Pultit, Sardës (Shurdhahut), Lezhës e të
Vlorës. Nëpërmjet këtij fakti, kuptohet
se Balshajt ishin bërë atë kohë zotër
të Vlorës. Rrethanat e zbritjes së Balshajve
në Vlorë mbeten ende të errëta. Por është
e sigurt që në themel të kësaj ngjarjeje
qëndronte aleanca e Balshajve me zotin e fuqishëm
të Beratit, despot Andrea II Muzaka, i cili në atë
kohë e zotëronte, ose të paktën e kishte
nën kontrollin e tij, qytetin e Vlorës bashkë
me kështjellën e Kaninës. Aleanca e Balshajve
me Muzakajt e Beratit u vulos me martesën e Komnenë
Muzakës, vajzës së despot Andresë, me
më të voglin e sundimtarëve të Gentës,
Balshën II.
Pavarësisht nga mbështetja që gjetën sidomos
në gjirin e fisnikërisë feudale, Balshajt hasën
në Vlorë edhe në armiqësinë dhe qëndresën
e shtresave të caktuara zejtare-tregtare, të lidhura
ekonomikisht e politikisht me interesat veneciane. Pas hyrjes
së Balshajve në Vlorë, mjaft nga këta
përfaqësues të fisnikërisë qytetare
dhe bashkë me ta edhe tregtarë venecianë të
Vlorës, e braktisën qytetin dhe u vendosën
përkohësisht në Sazan e në zotërime
të tjera të Venedikut. Kjo ngjarje shkaktoi një
krizë të re në marrëdhëniet e Balshajve
me Republikën e Venedikut.
Zotërimi i Balshajve në Vlorë u bë nyja
e një aleance të sundimtarëve shqiptarë
të viseve të Vlorës, të Beratit, të
Përmetit, të Ohrit e të Korçës
në luftë me princërit e fundit sllavë,
trashëgimtarë të Perandorisë së dikurshme
të Dushanit, në radhë të parë me
mbretin Vukashin, sundimtar i viseve të Kosovës
e të Maqedonisë deri poshtë në Kostur.
Pas vrasjes së këtij të fundit, koalicioni
i krerëve shqiptarë, të drejtuar nga Balsha
II dhe nga Andre Muzaka, i mori Mark Krajleviçit, të
birit të Vukashinit, qytetin e Kosturit (1372).
Një përpjekje e Mark Krajleviçit, më
1375, për ta rimarrë qytetin me ndihmën e osmanëve,
dështoi. Kosturi mbeti edhe për disa vjet të
tjerë nën qeverisjen e vëllezërve Stojë
e Teodor Muzaka, djem të despot Andresë dhe kunetër
të Balshës II. Tashmë jo vetëm Muzakajt,
por edhe familje të tjera fisnike të trevave të
Shqipërisë së Poshtme kishin hyrë nën
sovranitetin e Balshajve. Këta të fundit arritën,
po në fillim të viteve 70, të shtrijnë
sundimin e tyre deri në rrjedhën e lumit Mat, duke
shkaktuar përsëri pakënaqësinë e
Karl Topisë, dhe në Kosovë, prej Prizreni dhe
Pejë deri në Kriva Reka (pranë Novobërdës).
Në këtë mënyrë, përveç
zotërimit të tyre të parë të Gentës,
vëllezërit Balsha kishin bashkuar atë kohë,
nën sundimin e tyre, viset e Lezhës, Matit, Kosovës,
Dibrës, Ohrit e Kosturit. Autoriteti i tyre shtrihej
në Vlorë dhe, nëpërmjet lidhjeve të
vasalitetit apo aleancave familjare, në mbarë Shqipërinë
e Poshtme. Ndikimi i tyre shtrihej te Zenebishtët e Gjirokastrës
apo te Shpatajt e Çamërisë e të Artës.
Në këtë mënyrë, vëllezërit
Balsha për herë të parë kishin bashkuar
në një zotërim të vetëm pjesën
më të madhe të trojeve shqiptare.
Republikat e fuqishme të Venedikut e të Raguzës
përpiqeshin të mbanin marrëdhënie të
mira me Balshajt. Ato u kishin dhënë atyre qytetarinë
e vet. Raguza u paguante atyre haraçin e përvitshëm
të Shën Dhimitrit, që dikur ua jepte mbretërve
të Serbisë. Tribut të tillë u jepte Balshajve
edhe qyteti i Kotorrit. Mbreti serb i Rashës apo ai i
Bosnjës u ndodhën shpeshherë në vështirësi
përballë fuqisë së princërve shqiptarë
të Gentës dhe nuk munguan tu kërkojnë
atyre paqe me kushte shpeshherë të rënda.
Qeverisja e zotërimeve të Balshajve realizohej njëherësh
nga tre vëllezërit: Strazimiri, Gjergji dhe Balsha
II. Aktet zyrtare firmoseshin njëherësh prej tyre
dhe vuloseshin me vulën e përbashkët. Në
bisedimet e traktativat me fuqitë e huaja ishin si rregull
të pranishëm të tre vëllezërit Balsha.
Balshajt nuk kishin një rezidencë të ngulur.
Ata lëviznin së bashku ose veç e veç
nga Ulqini, në Tivar, në Shkodër e në
Vlorë. Për muajt e verës ata shpërnguleshin
në rezidencën e tyre verore, që ndodhej në
malësinë e Tivarit.
Institucioni i bashkëqeverisjes, që ishte karakteristikë
si për Balshajt, ashtu edhe për fisnikë të
tjerë shqiptarë, ishte një institucion me rrënjë
të thella në traditën e familjeve të mëdha
partiakale shqiptare të mbështetur në vëllazëritë.
Marrëdhëniet midis vëllezërve rregulloheshin
në bazë të moshës. Strazimiri, si vëllai
më i madh, kishte gjithmonë privilegjin e moshës
në marrëdhënie me vëllezërit. Kur
ai vdiq, më 1373, në këmbë të tij
erdhi dhe u bashkua me Gjergjin I dhe Balshën II djali
i tij, Gjergji II. Emri i tij, si më i riu, në aktet
zyrtare përmendet pas xhaxhallarëve. Pas vdekjes
së Gjergjit I Balsha, më 1378, Balsha II e mënjanoi
nga pushteti nipin e tij dhe mori në duart e veta qeverisjen
e gjithë zotërimit të Balshajve.
Balshajt kishin një administratë të tyre në
bazë dhe në qendër, të përfaqësuar
nga njerëz të besuar me tituj fisnikërie, si
protovestiar, vojvodë, logotet etj. Ata kishin kancelaritë
e tyre, me shkrues, noterë, sekretarë, kishin vulën
dhe shenjat e tyre dalluese, që shprehnin pushtetin dhe
sovranitetin e tyre.
Aleanca e përkohshme e Balshajve me Karl Topinë
nuk mundi ti largojë për shumë kohë
projektet e tyre për tu shtrirë në kufitjtë
e Arbrit të vjetër dhe në Durrës. Tashmë
Principata e Topisë krijonte një ndërprerje
të zotërimeve të tyre veriore me ato jugore
dhe i ndante Balshajt nga vasalët dhe aleatët e
tyre të jugut. Në këtë mënyrë,
në vitin 1383, Balsha II u përpoq dhe ia doli mbanë
të shtinte në dorë qytetin dhe rrethinat e
Durrësit, duke realizuar një ëndërr të
vjetër, që qysh në shek. X-XI ishin përpjekur
ta realizonin përpara Balshajve edhe princërit e
hershëm të Gentës (Dioklesë). Sundimtari
i Durrësit dhe i Arbrit, princi Karl Topia, u detyrua
të tërhiqej në kështjellën e Krujës.
Balsha II këtej e tutje i shtoji emrit të tij edhe
titullin e dukës së Durrësit (dux
Dyrrachii), duke ringjallur kështu një institucion
të vjetër bizantino-venecian. Në këtë
mënyrë, zotërimet veriore të Balshajve
dhe ato jugore u lidhën midis tyre me një vazhdimësi
territoriale, duke krijuar formacionin më të madh
mesjetar shqiptar që ishte deri në atë kohë.
Principata e Shkodrës në kohën e brezit të
dytë të sunduesve Balshaj
Në çastin e fuqizimit dhe të shtrirjes së
tij më të madhe, shtetit të Balshajve iu desh
të ballafaqohej me mësymjen gjithnjë e më
intensive të sulltanëve osmanë.
Në vjeshtë të vitit 1385, një ushtri osmane,
nën komandën e Hajredin Pashës, depërtoi
në zotërimet jugore të Balshajve dhe iu drejtua
Vlorës. Në Savër forcat e mbledhura me ngut
nga Balsha II u ndeshën me osmanët, duke pësuar
një humbje katastrofale. Vetë Balsha II ra në
fushën e betejës. Nën goditjet e vazhdueshme
të osmanëve dhe si rezultat i shkëputjes së
zotërimeve të vogla të vasalëve të
dikurshëm shteti i Balshajve u rrudh së tepërmi.
Nipi i Balshës II, Gjergji II Strazimir Balsha (1385-1403),
mundi të shpëtojë pjesërisht zotërimet
e Gentës. Ato të Kosovës, në pjesën
më të madhe, ranë në dorë të
princërve sllavë, vasalë të sulltanit.
Në Vlorë dhe në territorin e saj vazhdoi të
sundojë e veja e Balshës II, Komnenë Muzaka
- Balsha, e cila nuk kishte lidhje varësie me Gjergjin
II Balsha. Durrësin e shtiu përsëri në
dorë princi Karl Topia, por edhe ky, tashmë nën
presionin e vazhdueshëm osman, e kishte humbur pushtetin
e dikurshëm. Përpjekjet e Gjergjit II, në fillimet
e sundimit të tij, për të shtrënguar lidhjet
me Republikën e Venedikut ndeshën në ftohtësinë
e kësaj të fundit. Për rrjedhojë, princi
shqiptar u afrua me Republikën fqinje të Raguzës,
që i rikonfirmoi qytetarinë raguzane, dhe me princ
Llazarin e Rashës. Vajza e këtij të fundit
u bë gruaja e Gjergjit. Në betejën e Fushë-Dardanisë,
më 1389, Gjergji II Balsha mori pjesë krahas krerëve
të tjerë shqiptarë e ballkanas. Tre vjet më
vonë, më 1392, në një përpjekje me
forcat osmane Gjergji II Balsha ra rob i tyre dhe, kundrejt
lirimit të tij, u lëshoi Shkodrën. Një
vit më vonë, më 1393, Radik Gjurashi (Cërnojeviçi)
i mori Balshës Buduën. Tashmë Gjergjit II i
mbetën vetëm Ulqini dhe Tivari. Psikoza e pushtimit
të afërm osman shtyu në atë kohë
masa të tëra njerëzish të braktisnin qytetet
e Shkodrës, Lezhës, Tivarit e të Ulqinit dhe
ti drejtoheshin bregdetit dalmat.
Gjithnjë e më shumë i izoluar nga fuqitë
e huaja dhe nga njerëzit e tij Gjergji II i propozoi
Venedikut dorëzimin e Shkodrës. Republika që
nuk deshi të implikohej hapur me këtë ndërmarrje,
e inkurajoi Balshën në këtë drejtim, duke
e bërë edhe qytetar të saj (maj 1395). Në
fillim të shtatorit 1395 Shkodra u hoq nga duart e komandantit
osman, Shahin, dhe kaloi përsëri nën sundimin
e Gjergjit II Balshës. Këtë qytet, bashkë
me kështjellat e afërta të Drishtit, Dejës
e Shasit (Suaçit), si dhe territorin e tyre, Gjergji
II i dorëzoi në duart e Venedikut (prill 1396).
Pinjolli i Balshajve mbajti për vete viset e Tejbunës,
me Ulqinin e Tivarin. Për viset e lëshuara ai do
të merrte një provizion (shpërblim në
para) vjetor nga Republika e Venedikut.
Heqja dorë nga territore të rëndësishme
në dobi të Republikës së Venedikut, në
një moment të vështirë për të,
u duk se të paktën i siguroi Gjergjit II Balsha
më në fund miqësinë e Republikës
së detrave. Gjergji u pranua në gjirin e fisnikërisë
veneciane dhe të Këshillit të Madh të
Republikës. Me këmbënguljen e tij, atij iu
lejua që të ngrinte flamurin venecian në zotërimet
e mbetura Tejbunës, gjë që do të thoshte
se ato viheshin nën mbrojtjen veneciane. Venediku gjithashtu
hoqi dorë nga përkrahja që u kishte dhënë
deri atëherë rivalëve të Gjergjit II,
në radhë të parë Radik Gjurashit (Cërnojeviçit).
Në këtë mënyrë, Cërnojeviçi
u ndodh i vetëm përballë hakmarrjes së
Balshës, i cili që në fund të muajit prill
1396 e sulmoi në zotërimet e tij, duke e lënë
edhe atë vetë të vrarë. Po ashtu, ai vuri
nën trysni edhe kundërshtarët e tjerë
të rrezikshëm të tij, si Dukagjinët, Jonimët
e Zahariajt, si dhe princin serb Vuk Lazareviç, që
synonte ti rrëmbente zotërimet Balshës.
Të gjithë këta zotër, kush më shumë
e kush më pak, ishin kthyer në vasalë të
sulltan Bajazitit I.
Afrimi i Venedikut nuk e ndaloi Gjergjin II të vazhdonte
lidhjet tradicionale me kundërshtarët e Republikës
detare, me Raguzën dhe Mbretërinë e Hungarisë.
Si njëra dhe tjetra vazhduan ta mbështesin princin
shqiptar (princeps Albaniae), siç e quante atë
mbreti Sigizmund i Hungarisë.
Nga ana tjetër, Gjergji II u mundua deri në fund
të ruante një farë distance nga osmanët.
Ndryshe nga mjaft fisnikë shqiptarë dhe shumë
të tjerë ballkanikë, ai nuk shkoi të ndihmojë
sulltan Bajazitin I në betejën e Ankarasë kundër
mongolëve të Timurlengut. Gjergji II Balsha vdiq
aty nga fillimi i vitit 1403 në qytetin e tij të
Ulqinit.
Më i shquari nga brezi i dytë i Balshajve ishte
pa dyshim djali i Gjergjit II, Balsha III (1403-1421). Një
nga aktet e para të këtij, pasi mori frenat e pushtetit,
ishte pikërisht rifitimi i Shkodrës dhe i qendrave
të tjera të principatës, tashmë në
dorë të Venedikut.
Në tetorin e vitit 1404 Shkodra dhe Drishti u morën
me sulm nga Balsha. Republika e Venedikut u detyrua të
mobilizonte flotën e saj dhe ta dërgonte urgjentisht
në Shkodër. Njëherësh ajo joshi dhe shkëputi
nga Balsha III aleatë e vasalë të tij, si Dukagjinët,
Zahariajt, Jonimët, Gjurashët e Gentës së
Sipërme. Në këtë mënyrë, kundërmësymja
e Venedikut përfundoi në korrik 1405 me ripushtimin
e Shkodrës e të Drishtit, si dhe të Ulqinit,
Tivarit e të Buduës. Megjithatë, të ndërgjegjshëm
për mbështetjen që kishte në të gjithë
atë trevë Balsha III, i cili në shkurt-mars
1407 rifilloi sulmet kundër tyre, venecianët u treguan
të gatshëm ti ofronin atij një paqë.
Me ndërmjetësinë e Niketë Topisë,
vjehrrit të Balshës, paqja u nënshkrua në
qershor 1408 në kishën e Shën Laurentit, jashtë
mureve të Durrësit. Garantë të paqes ishin
ndër të tjerë Niketë Topia, Teodor Muzaka
i Beratit, Gjon Kastrioti e Merksha i Vlorës. Venediku
pranoi ti lëshonte Balshës Buduën me
rrethina, si dhe viset e Tejbunës. Venediku pranoi ti
jepte Balshës III një provizion vjetor prej 1 500
dukatësh. Të dyja palët u morën vesh të
bënin një amnisti të përgjithshme dhe
të shkëmbenin robërit e luftës.
Por Venediku nuk vonoi ti shkelte kushtet e paqës.
Në vitin 1410 ai nënshkroi një paqe të
shumëkërkuar me osmanët. Provizionin që
i paguante si Gjergjit II Balshës, edhe Balshës
III për qytetin e Shkodrës Venediku ua kaloi osmanëve.
I mbështetur nga popullsia e pakënaqur e viseve
të Shkodrës, të Ulqinit e të Tivarit dhe
nga mjaft krerë shqiptarë, që u bashkuan me
të, Balsha III rifilloi sulmet mbi zotërimet e Venedikut.
Një flotë e tij arriti, madje, të depërtonte
në Bunë dhe të futej në liqenin e Shkodrës
në mars 1410. Megjithëse të mbështetur
nga komandanti osman i Shkupit, Bajaziti, venecianët
nuk ishin në gjendje tu bënin ballë sulmeve
të Balshës, që mbështetej nga kryengritja
që kishte përfshirë gjithë trevat veriperëndimore
shqiptare. Me porosi të Senatit, kapiteni i flotës
së Adriatikut, Pjetër Loredani, i ofroi Balshës
kushtet e paqes të vitit 1408. Por ndërkohë
pozitat e këtij të fundit ishin forcuar së
tepërmi. Mjaft nga krerët shqiptarë të
malësive të Buduës, të Tivarit e të
Shkodrës qenë bashkuar me të. Njëherësh,
sundimtari i fuqishëm i Bosnjës, Sandali, që
ishte bërë njerku i tij pas martesës me nënën
e Balshës, Helenën (dhjetor 1411), filloi të
bënte presion mbi Venedikun që ti kthente
zotërimet atërore thjeshtrit të tij. Si rrjedhim,
brenda vitit 1412 Balsha mundi të shtinte në dorë
qytetet e Tivarit e të Shkodrës. Venedikut si
mbetej tjetër veçse të ulej në tryezën
e bisedimeve me sundimtarin shqiptar. Në paqen e arritur
midis tyre në nëntor 1412 Balshës i njihej
e drejta e zotërimit të Buduës, të Ulqinit
e të Tivarit (por duhej të linte Shkodrën)
kundrejt dhënies së provizionit vjetor prej 1 000
dukatesh. Balsha, nga ana e tij, zotohej të hiqte dorë
nga çdo pretendim tjetër territorial, të
pushonte sulmet mbi kështjellat dhe njerëzit e Venedikut
dhe të mos hakmerrej ndaj shtetasve të tij që
kishin bashkëpunuar me këtë të fundit.
Në fakt, Balsha II nuk iu përmbajt kësaj klauzole
të fundit. Ai zuri, vrau, gjymtoi dhe torturoi mjaft
burra nga bashkësitë e Hotëve, Tuzëve,
Bitidosëve, Matagushëve. Nga ana tjetër, ai
ndihej aq i fuqishëm sa të vazhdonte të sulmonte
anijet, karvanet e deri forcat e kështjellat e Venedikut.
Në fillim të vitit 1419 Balsha III rrethoi Drishtin
dhe qyteti, veç kështjellës së sipërme,
u mor prej tij në qershor të po atij viti. Ndihma
që osmanët i dërguan sakaq garnizonit venecian
të Drishtit (rreth 8 mijë ushtarë) nuk luajti
rol. Më 25 gusht 1419 garnizoni venecian i qytetit me
podestan Korrer në krye iu dorëzua sundimtarit shqiptar,
i cili e vazhdoi paskëtaj mësymjen në Shkodër,
duke shtënë në dorë territorin jashtë
qytetit. Oferta që ai i bëri Republikës për
të nënshkruar një paqe kundrejt lëshimit
të Shkodrës nuk u pranua nga kjo e fundit. Në
fund të vitit 1420 Balsha III sulmoi Kotorrin, rival
i përhershëm i Balshajve, që po atë vit
kishte pranuar sundimin e Venedikut. Ndihma që Balsha
priste ti vinte nga veriu prej njerkut të tij,
Sandalit të Bosnjës, nuk u duk dhe, në betejën
e ashpër që u zhvillua në janarin e vitit 1421
jashtë mureve të qytetit, ushtria e Balshës
u thye keqas. Disa muaj më vonë pinjolli i fundit
i Balshëve vdiq (26 prill 1421) pa mundur të rikrijonte
zotërimin e pavarur të paraardhësve të
tij të mëdhenj.
Dukagjinët dhe shtrirja e tyre
Burimet historike, ndonëse japin të dhëna fragmentare,
tregojnë se gjatë mesjetës Dukagjinët
kanë qenë një familje fisnike e rëndësishme,
prandaj emrin familjar të tyre e trashëguan ndër
shekuj rajone të gjera fushore e malore të Shqipërisë
së Epërme, si edhe e drejta dokesore shqiptare e
këtyre viseve. Për ta kanë qarkulluar edhe
gojëdhëna mesjetare, të cilat, pavarësisht
nga sfondi fantazist i tyre dhe kronologjia e gabuar që
kanë, dëshmojnë se Dukagjinët kanë
qenë një familje e vjetër fisnike, e cila ka
ndikuar në jetën politike shqiptare, madje edhe
më tej.
Në një kronikë raguzane është dhënë
një gojëdhënë, sipas së cilës
në shek. VII Dukagjinët kishin shkaktuar kryengritje
në Bosnjë dhe dy herë kishin ndërhyrë
në Raguzë. Një gojëdhënë e dytë
gjendet në Përkujtesën e Gjon Muzakës.
Sipas saj Dukagjinët rridhnin nga një njeri me prejardhje
trojane i vendosur në Francë, që quhej Dukagjin.
Ky ishte nisur me kryqtarë të tjerë nga Franca
për të çliruar Jeruzalemin, por, me të
arritur në Shqipëri, Dukagjini pushtoi Zadrimën,
krahinat rreth saj dhe u bë sundimtar i tyre. Gojëdhëna
vijon me vrasjen e Dukagjinit prej vasalëve të vet
dhe tregon se si djali i tij i mitur u fsheh për të
rimarrë më pas zotërimet atërore.
Mbiemri Dukagjin përbëhet nga dy emra vetjakë:
Dukë dhe Gjin. Këta emra gjatë mesjetës
kanë qenë shumë të përhapur te shqiptarët
si emra vetjakë e familjarë, gjithandej ku ata banonin.
Ka studiues që mbiemrin Dukagjin e lidhin me titullin
e lartë fisnik dukë dhe me emrin vetjak Gjin. Sipas
tyre mbiemri Dukagjin lidhet me një personazh historik,
me dukën arbër Gjin Tanushin (dux Ginius
Tanuschius Albanensis), i cili në një dokument të
vitit 1281 përmendet si kundërshtar dhe i burgosur
politik i pushtetit anzhuin në Shqipëri. Vetëm
pas një shekulli shfaqet për herë të parë
emri familjar Dukagjini. Këtë mbiemër (llagap)
e kanë mbajtur gjatë shek. XV një varg njerëzish
të rëndësishëm të historisë
sonë kombëtare. Dukagjinët kanë pasur
edhe një mbiemër të dytë, Perlati, që
është përdorur vetëm një herë,
në një dokument të vitit 1402.
Nëpërmjet shqyrtimit të burimeve historike
njihen dy degë fillestare të pemës gjenealogjike
të Dukagjinëve, të cilave ende nuk u dihet
prindi i përbashkët.
Emri familjar Dukagjini del për herë të parë
në një dokument raguzan të vitit 1377 për
një njeri me disa mbiemra Nikollë Stefan Tuderoviç
Dukagjini (Nicolaus Stephani Tuderovich Ducaghin). Ky
mund të jetë paraardhësi i njërës
degë fillestare të Dukagjinëve. Përfaqësuesi
i sigurt i njërës degë është Gjergji,
që përmendet në vitin 1403 si proniar i dy
fshatrave pranë Lezhës (Balldre dhe Kakarriq) dhe
si komandant i një trupe prej 40 kalorësish dhe
njëqind këmbësorësh. Gjergji ka vdekur
para vitit 1409 dhe, sipas Gjon Muzakës, ka pasur tre
djem (Gjergjin, Tanushin dhe Nikollën). Dokumentet e
kohës japin vetëm njërin prej tyre, Nikollën.
Emri i Nikollës del në vitin 1409. Ai në fillim
të viteve 30 u ngrit në luftë kundër serbëve
dhe osmanëve dhe i dëboi ata nga Deja. Më pas
mori pjesë në kryengritjen çlirimtare të
vitit 1443 dhe në Kuvendin e Lezhës, ku u bë
personazh politik i rëndësishëm i vendit. Nikollë
Dukagjini ka vdekur gjatë viteve 1452-1454. Djemtë
e tij, Draga dhe Gjergji, nuk arritën të kishin
veprimtari politike, sepse në vitin 1462 u vranë.
Si pasardhës i vetëm i tyre mbeti djali i mitur
i Gjergjit, Nikolla, i cili hyri në shërbim të
Venedikut.
Emrat e paraardhësve të degës tjetër të
Dukagjinëve janë shkruar në një dokument
raguzan të vitit 1387. Në të është
treguar se vëllezërit Lekë e Pal Dukagjini
ishin zotër të Lezhës dhe se ata u siguronin
raguzanëve kalimin nëpër trevat e tyre shqiptare.
Pal Dukagjini ka vdekur para vitit 1393 dhe la pesë djem:
Tanushin e Vogël, Progonin, Palin, Andrean dhe Gjonin.
Pali përmendet vetëm në një dokument të
vitit 1402, ku dëshmohet se gjatë kthimit nga Venediku,
ai është vrarë në Dalmaci. Kurse emrat
e Progonit dhe të Tanushit të Vogël janë
shënuar për herë të parë në
të njëjtin dokument (1393). Progoni ka vdekur në
vitin 1394, kurse Tanushi i Vogël para vitit 1433. Ky
ka qenë së bashku me Gojçin Gjurashin dhe
Kojë Zaharinë për të mbrojtur tokat shqiptare
nga pushtimi serb i Despotatit të Rashës. Andrea
del në vitin 1406, kur Venediku i riktheu një dajlan
në Shkodër, që e kishte marrë me ankand.
Po me koncesion të Venedikut ai kishte edhe prona tokësore
në rrethinat e Shkodrës. Në fillim të
vitit 1416 Andrea përmendet si i vdekur, kurse vëllai
i tij, Gjoni, ishte prift dhe kishte prona tokësore në
rrethinat e Shkodrës. Emri i Gjonit përmendet për
herë të fundit më 1446. Koncesionet e Venedikut
për pronat zakonisht trashëgoheshin. Prandaj Andrea
duhet të ketë pasur djalë sipërmarrësin
Budomir, i cili në vitet 20 të shek. XV ishte qiramarrës
i dajlaneve të Shkodrës dhe, krahas tregtimit të
peshkut, merrej edhe me tregtinë e metaleve që prodhoheshin
në Kosovë dhe që përdoreshin gjerë
në jetën e përditshme. Kështu, me argjendin
e Kosovës, krahas monedhave dhe zbukurimeve, bëheshin
edhe objekte të tryezës së ngrënies, si
lugë, kupa, poçe, tasa etj. Një pasardhës
i tyre, Budomiri, mori pjesë në luftën për
mbrojtjen e Shkodrës më 1478. Pas rënies së
qytetit gruaja dhe tre fëmijët e tij u strehuan
në Venedik.
Të dhënat burimore të drejtpërdrejta për
degët gjenealogjike të Dukagjinëve, mund të
plotësohen edhe me të dhëna të tërthorta.
Gjatë viteve 30 të shek. XV shfaqet Vukë Dukagjini
si figurë e rëndësishme e qytetit të Shkodrës,
të cilit iu bënë dhurata nga administrata shtetërore
e Raguzës në vitin 1433. Veç këtij,
dalin edhe banorë të tjerë të qytetit
të Shkodrës me mbiemrin Dukagjini, që janë
dërguar herë pas here në Venedik si përfaqësues
e mbrojtës të interesave të bashkësisë
shkodrane pranë autoriteteve shtetërore veneciane.
Njëri përmendet në vitin 1431 vetëm me
emrin familjar Dukagjini, një tjetër, Teodor Dukagjini,
në vitin 1458 është dërguar në Venedik
etj. Ngarkimi i Dukagjinëve me misione të tilla
të rëndësishme nga bashkëqytetarët
tregon se ata respektoheshin shumë prej tyre dhe se ishin
të arsimuar dhe njohës të mirë të
gjuhëve të huaja. Dy Dukagjinët e parë
(që mund të jenë i njëjti njeri, Vuku),
duhet të jenë djem të Budomirit. Për Teodorin
nuk dihen lidhjet familjare; ai mund t`i përkiste edhe
degës së mësipërme ose një dege tjetër,
sepse mund të ishte nip i Tanushit të Madh. Teodori
është vrarë në luftë për mbrojtjen
e Shkodrës gjatë vitit 1478.
Dega gjenealogjike e Lekë Dukagjinit ka lënë
shumë gjurmë në jetën politike të
Shqipërisë gjatë shek. XV. Vetë Leka ka
të njëjtin vend në burimet historike sa edhe
vëllai i vogël i tij, Pali. Të dy këta
përmenden bashkë si zotër të Lezhës
(1387) dhe si të vdekur (1393). Leka la pas dy djem dhe
një vajzë: Progonin, Tanushin e Madh dhe Boksën,
e cila u martua me zotin e Dejës, Kojë Zaharinë.
Progoni dhe Tanushi i Madh, në emër të tyre
dhe të dy djemve të xhaxhait të vdekur, Palit
(djem të të cilit ishin Tanushi i Vogël dhe
Progoni), i dorëzuan Lezhën Venedikut në vitin
1393. Progoni u martua me vajzën e Karl Topisë,
Gojsllavën, dhe u vu në shërbim të Venedikut
si kështjellar i Shasit, ku mbeti i vrarë para vitit
1402. Tanushi i Madh u vendos familjarisht në Shkodër,
u emërua vojvodë i rrethinave të saj dhe më
pas pati mosmarrëveshje me autoritetet veneciane të
qytetit. Për këtë shkak dhe me akuza të
trilluara për bashkëpunim me osmanët, edhe
pse ishte një personalitet që gëzonte autoritet
në Shqipëri, Tanushi i Madh u burgos, u torturua,
u dërgua si i dënuar në Venedik dhe, për
mungesë provash fajësie, iu rikthyen pasuritë
e konfiskuara. Megjithatë, më 1438, ai u internua
në Padovë dhe pas këtij viti nuk ka të
dhëna për jetën e tij.
Tanushi i Madh ka pasur në vitin 1435 katër fëmijë,
dy djem dhe dy vajza: Palin, Lekën, Kalen dhe një
vajzë të vogël 14-vjeçare, emrin e së
cilës nuk e përmend. Dy djemtë e tij, edhe
pse ishin fëmijë të ligjshëm, janë
cilësuar nga Gjon Muzaka si Dukagjinë jo të
vërtetë për shkak të kundërshtive
që lindën në gjirin e Dukagjinëve. Më
i vogli i djemve, Leka, nuk del si figurë politike e
rëndësishme. Ai ka lindur në vitin 1420 dhe
për herë të fundit përmendet në vitin
1451 si kundërshtar i Venedikut. Nuk dihet nëse
ka lënë pasardhës. Vëllai i tij, Pali
(1411-1458), për të cilin Gjon Muzaka rrëfen
se është edukuar pranë Gjon Kastriotit, ka
qenë aktiv në jetën politike. Ai ka marrë
pjesë në Kuvendin e Lezhës dhe që në
fillim është bashkuar me Skënderbeun. Pali
ka pasur katër djem: Lekën, Nikollën, Progonin
dhe Gjergjin. Emri i Gjergjit del vetëm në Përkujtesën
e Gjon Muzakës. Progoni përmendet në vitin
1471 si i vdekur. Leka u bë personazh i rëndësishëm
i jetës politike të Shqipërisë. Në
vitin 1456 ai i dëboi qeveritarët venecianë
nga Deja e nga Shasi, u bë bashkëpunëtor i
Skënderbeut dhe vijoi luftën kundër osmanëve
edhe në vitet 70. Pas pushtimit të Shkodrës
nga osmanët (1479), Leka dhe vëllai i tij, Nikolla,
mërguan në Itali dhe u rikthyen në vitin 1481
për të çliruar zotërimet e Dukagjinëve
nga pushtuesit osmanë. Leka ka pasur ndikim të madh
te banorët e Shqipërisë së Epërme.
E drejta dokesore shqiptare lidhet me emrin e tij. Një
pasardhës i vëllezërve Dukagjini, që jetonte
në Itali, Progoni, në vitin 1501 është
kthyer në atdhe për të udhëhequr kryengritjen
antiosmane që shpërtheu në Shqipërinë
e Epërme. Më pas ai bëri marrëveshje me
osmanët dhe mori prej tyre titullin e pashait, si edhe
qeverisjen e një pjese të zotërimeve të
Dukagjinëve.
Krahas Dukagjinëve të mësipërm, të
cilëve drejtpërdrejt ose tërthorazi u njihen
degët gjenealogjike, në dokumentet e shek. XV dalin
edhe njerëz të tjerë me mbiemrin Dukagjini.
Në Durrës jetonte Rask Dukagjini, për të
cilin dokumente të vitit 1408 dhe 1410 tregojnë
se ishte rrogëtar i Venedikut dhe me një trupë
kalorësish të vet ruante dhe mbronte Durrësin.
Në Raguzë ka banuar Stipan Dukagjini, i cili në
vitin 1408 ka lënë testamentin e vet. Stipani duhet
të ketë qenë pronar kopshtiesh në Raguzë,
sepse në vitin 1406 përmendet një pronar i
tillë vetëm me mbiemrin Dukagjini, që mbante
shërbyese në shtëpi. Në letra të
papës përmenden gjatë vitit 1492 Luka dhe Stefan
Dukagjini, kurse në vitin 1499 del një tjetër
Dukagjin si pronar i një anijeje që transportonte
drithë nga Pirgu në Kotorr.
Vetëm një herë fjala Dukagjin është
gjetur si emër vetjak në një dokument të
vitit 1446 për një banor të fshatit Mogulsi,
Dukagjin Mogulsi. Gjatë shekujve që pasuan emri
familjar Dukagjini vijoi të përdorej te shqiptarët
e besimeve të ndryshme fetare.
Disa anëtarë të familjes së madhe fisnike
Dukagjini u islamizuan dhe në shek. XV ata arritën
të zinin poste shumë të larta në administratën
osmane. Gjatë shek. XVI në tërë Perandorinë
Osmane shkëlqyen edhe dy poetë, Jahja Beu dhe Ali
Beu, që i shkruan veprat e tyre osmanisht. Në këto
vepra ata kanë shënuar edhe emrin familjar të
tyre, Dukagjini, që dëshmon edhe përkatësinë
e tyre kombëtare shqiptare.
Dukagjinët kanë pasur si stemë të tyre
një shqiponjë të bardhë njëkrenore.
Ata kanë gëzuar vend parësor në radhët
e fisnikërisë vendase dhe janë respektuar nga
elita drejtuese shqiptare gjatë shekujve të mesjetës.
Këtë e dëshmojnë lidhjet martesore, edhe
pse njihen pak prej tyre.
Djali i Lekë Dukagjinit, Progoni, ishte martuar me vajzën
e Karl Topisë, Gojsllavën, ndërsa vajza e Lekës,
Boksa, ishte martuar me zotin e Dejës, Kojë Zaharinë.
Në Përkujtesën e Gjon Muzakës përmenden
disa lidhje martesore të Dukagjinëve me Muzakajt
dhe me Arianitët. Gjon Muzaka ka shkruar se kishte për
grua Marie Dukagjinin, por nuk ka treguar atësinë
e saj. Motra e tij, që ishte martuar tek Arianitët,
Suina, e ka martuar vajzën e saj, Jelën, me Lekë
Dukagjinin, të quajtur Kolë Dukagjini, pa
treguar atësinë e këtij. Po sipas Gjon Muzakës,
tri vajza të Gjergj Arianitit, Kiarina, Elena dhe Dhespina,
ishin martuar përkatësisht me Nikollë Dukagjinin,
Gjergj Dukagjinin dhe Tanush Dukagjinin. Një motër
e tij ishte martuar me Pal Dukagjinin.
Trojet e Dukagjinëve shtriheshin në Shqipërinë
e Epërme. Ato kanë ndryshuar duke u zgjeruar ose
duke u ngushtuar, në varësi të jetës së
trazuar politike të shek. XIV-XV. Dukagjinët kanë
qenë një familje e madhe fisnike. Në krye të
tyre kanë qëndruar një ose dy persona, të
cilët janë zëvendësuar nga pinjollë
të tjerë më energjikë. Trojet e tyre Dukagjinët
i kanë administruar herë si zotër të pavarur
dhe herë si vasalë të sundimtarëve më
të fuqishëm.
Për sa kohë që në shtetin e Balshajve
janë përfshirë trojet e Dukagjinëve, këta
nuk përmenden në dokumentet e kohës. Pas betejës
së Savrës të vitit 1385, që çoi
në rrudhjen e shtetit të Balshajve, Dukagjinët
dalin si zotër të pavarur në Lezhë dhe
zhduket anonimiteti i tyre. Në vitin 1387 ata kanë
ftuar tregtarët raguzanë të kalonin nëpër
trojet e tyre. Kjo dëshmon se nën pushtetin e Dukagjinëve
ishin krahinat përgjatë rrugës së rëndësishme
Lezhë-Prizren, si edhe të dy këto qytete. Praninë
e pushtetit të tyre në Prizren e dëshmon, sipas
rrëfimit të Marin Barlecit, përmendorja e ngritur
në këtë qytet në përkujtim të
Nikollë Dukagjinit. Në veri të trojeve të
Dukagjinëve kanë qenë trojet e dhëndrit
të tyre, Kojë Zaharisë. Kështu Dukagjinët
kanë zotëruar për një periudhë kohe,
ndonëse me ndërprerje, rrugën që kalonte
nga Deja, përpjetë rrjedhjes së Drinit për
në Rrafshin e Dukagjinit e më tutje. Ata duhet të
kenë zotëruar edhe Pejën.
Vërshimi i ushtrive osmane në Shqipërinë
e Epërme dhe pushtimi përkohësisht prej tyre
në vitin 1393 i Krujës, i Ulqinit, i Shkodrës
dhe i Dejës, ndonëse Dukagjinët arritën
ta mbronin Lezhën dhe dolën kështu si forcë
antiosmane, i dobësoi pozitat e tyre si zotër të
pavarur. Prandaj Lezhën ata ia dorëzuan Venedikut
në vitin 1393 dhe bashkë me të Dukagjinët
humbën kontrollin e rrugës Lezhë - Prizren,
por jo ndikimin e tyre në këtë rajon.
Rruga e mësipërme dhe krahinat përgjatë
saj, me miratimin e pushtuesve osmanë, kaluan në
duart e Dhimitër Jonimës, i cili i kishte ndihmuar
ata për pushtimin e Shkodrës. Jonimët ishin
një familje e vjetër fisnike. Një pinjoll i
saj përmendet për herë të parë në
fillim të shek. XIII si vasal i princit Dhimitër
të Arbrit dhe një Jonimë i dytë shfaqet
në fund të atij shekulli si sebast që, bashkë
me disa fisnikë të tjerë shqiptarë, kishte
nënshkruar një marrëveshje (1274) me mbretin
e Sicilisë, Karlin I Anzhu. Pas një shekulli, në
vitin 1394, burimet historike na japin fisnikun e fuqishëm
me emrin Dhimitër Jonima. Ky kishte dy kështjella,
emrat e të cilave nuk njihen, portin dhe qendrën
doganore të Shufadasë në grykëderdhjen
e Matit dhe një forcë ushtarake prej dyqind kalorësish
e katërqind e më shumë këmbësorësh.
Në veri zotërimet e Dhimitrit ishin në kufi
me trojet e Kojë Zaharisë. Duke njohur ndikimin
që kishin Dukagjinët në këtë rajon,
Dhimitër Jonima krijoi marrëdhënie të
mira me ta dhe u bë shprehës edhe i kërkesave
të tyre pranë kancelarive të huaja, sidomos
ndaj Venedikut. Gjithashtu ai kishte marrëdhënie
të mira edhe me fqinjin e tij të fuqishëm,
Gjon Kastriotin. Për herë të fundit, Dh. Jonima
përmendet si zot i Shufadasë më 1409, vit kur
ai duhet të ketë vdekur. Paskëtaj Shufadaja
dhe krahinat përgjatë rrugës Lezhë-Prizren
janë përfshirë tërësisht në
shtetin e Gjon Kastriotit. Ky e ruajti bashkëpunimin
me ata anëtarë të familjes Jonima që mbetën
në zonën e Lezhës, sepse shumica e tyre jetonin
në rajonin e Shkodrës. Dhimitër Jonima është
përmendur edhe pas vdekjes. Një pjesë e zotërimeve
të tij janë regjistruar në kadastrat osmane
të mëvonshme me emrin vilajeti i Dhimitër Jonimës.
Një vit pas vdekjes së Dhimitër Jonimës,
më 1410, janë bërë përpjekje të
pasuksesshme që Lezha të kalonte në duart e
Tanush Dukagjinit. Pas kësaj veprimtaria politike dhe
ekonomike e Dukagjinëve është përqendruar
kryesisht në rajonin e Shkodrës, ku gjendeshin edhe
familje të tjera fisnike, si Spanët, Jonimët,
Zahariajt etj.
Në veprimtarinë politike të Zahariajve ka pasur
një peshë të veçantë Boksa Dukagjini,
gruaja e Kojë Zaharisë. Për herë të
parë emri i familjes fisnike Zaharia del në vitet
1318-1320 te peshkopi i Shasit. Pas peshkopit, burimet historike
na njohin në fund të shek. XIV me Kojë Zaharinë.
Veprimtaria politike e Kojës është e ngjashme
me atë të Dhimitër Jonimës dhe të
dy këta kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin.
Koja përmendet në vitin 1396 si zot i kështjellës
së Shasit, dhe, më pas, si zot i Dejës e i
ngushticave të rrugës përgjatë Drinit.
Zotërimet e Kojë Zaharisë kufizoheshin në
lindje me viset e pushtuara nga osmanët. Koja ka qenë
vasal i tyre dhe kundërshtar i despotëve serbë
të Rashës. Koja ka pasur një djalë, Lekën.
Në këto treva shqiptare janë ndërthurur
interesat e Zahariajve me ato të Dukagjinëve, që
kufizoheshin me njëri-tjetrin. Ndërmjet këtyre
dy familjeve fisnike, që jo rastësisht kanë
qenë në krushqi, përgjithësisht ka pasur
marrëdhënie bashkëpunimi të ngushtë.
Pas vdekjes së Lekë Zaharisë në vitin
1444, meqenëse djali i tij, Koja, ishte i mitur, gjyshja
e këtij, Boksa, doli në krye të familjes. Ajo
kërkoi mbështetjen e Venedikut, duke i dorëzuar
Republikës së Shën Markut Dejën, Shasin
etj. Zotërimet që mbetën nga trashëgimia
e Lekë Zaharisë kaluan në duart e Dukagjinëve.
Këta morën në zotërim rrugën tregtare
dhe krahinat përgjatë luginës së lumit
Drin, si edhe një pjesë të konsiderueshme të
Rrafshit të Dukagjinit. Përkohësisht këto
krahina ishin pushtuar nga Despotati i Rashës dhe, pas
shembjes së tij më 1439, u rimorën nga Zahariajt
e Dukagjinët.
Në veri të Dukagjinëve dhe të Zahariajve
shtriheshin trojet shqiptare të Spanëve, që
kanë qenë familje fisnike shumë e madhe. Emri
familjar i tyre shfaqet për herë të parë
në vitin 1322 te një shkodran. Në radhët
e Spanëve kishte pronarë tokash, tregtarë,
klerikë etj. Mbiemrin e tyre e mbanin edhe një varg
familjesh të thjeshta. Si veçori e përbashkët
e familjeve Spani, krahas mbiemrit, ishte se thuajse që
të gjitha ato banonin në krahinat pranë Rrugës
së Gentës. Spanët kanë jetuar në
qytetet dhe në krahinat e Shkodrës, Drishtit, Pultit,
Pejës, Trepçës etj. Një trevë në
veri të lumit Drin del në dokumentet e fundit të
shek. XV me emrin e përfaqësuesit më në
zë të kësaj familjeje, Pjetër Spanit (nahija
e Pjetër Spanit), i cili ka qenë pjesëmarrës
në Kuvendin e Lezhës.
Krahas Balshajve, Kastriotëve, Dukagjinëve, Jonimëve,
Zahariajve e Spanëve, në Shqipërinë e
Epërme ka pasur edhe një numër familjesh të
tjera me peshë në jetën politike shqiptare,
veçanërisht gjatë shek. XV. Këto familje
kanë qenë Gjurashët (Cërnojeviçët),
Dushmanët e Drishtit, Hotët, Shestanët etj.
Të gjitha këto familje shqiptare kanë dalë
në skenën politike në një periudhë
shumë të trazuar, të shkaktuar prej ndërhyrjeve
e pushtimeve të shteteve të huaja. Gjatë dhjetëvjeçarëve
të parë të shek. XV, për jetën politike
të Shqipërisë së Epërme kanë
qenë si më rrënimtare dy shtete: Perandoria
Osmane dhe Despotati i Rashës, që ishte shtet vasal
i të parit, madje një nga gratë e sulltan Muratit
II ka qenë edhe vajza e despotit serb. Pas vdekjes së
Balshës III (1421), sundimtarët serbë, deri
më 1439 kur u shkatërrua Despotati i Rashës,
i zhvendosën kufijtë dhe dolën në bregdetin
shqiptar, nga Kotorri deri në Tivar, si edhe në
rrethinat e Shkodrës, ku pushtuan Drishtin. Përballë
fuqisë ushtarake të papërballueshme osmane
një pjesë e fisnikëve shqiptarë ngurruan
në fillim të rrëmbenin armët, kurse kundër
pushtuesve serbë ata u ngritën të gjithë,
Gjurashët në radhë të parë (zotërimet
e të cilëve shtriheshin në rrethinat e Grykës
së Kotorrit dhe në të gjithë Gentën),
Zahariajt, Dukagjinët, Kastriotët etj.
Shteti i Gjon Kastriotit
Kastriotët ishin familje fisnike dhe dinastia drejtuese
më e rëndësishme e jetës politike dhe
ushtarake të Shqipërisë në shek. XV.
Për pemën gjenealogjike, vend-origjinën dhe
veprimtarinë e Kastriotëve gjatë shek. XIV
dihet fare pak. Prandaj, për këto çështje,
mendimet e historianëve kanë qenë të ndryshme.
Për herë të parë përmendet një
Kastriot në vitin 1368 si kështjellar i Kaninës.
Ka studjues që shohin te ky kështjellar një
paraardhës të Kastriotëve të mëvonshëm,
që është dëbuar nga pronat e veta. Një
mendim i tillë duhet pranuar si supozim, sepse nuk ka
lidhje me të dhënat për Kastriotët që
japin më pas burimet historike. Prej disa familjeve shqiptare,
që emigruan në Itali, Kastriotët njihen edhe
me një mbiemër të dytë: Mazreku.
Sipas dy historianëve më të hershëm shqiptarë,
Marin Barlecit e Dhimitër Frëngut, Kastriotët
ishin nga Mati që, sipas mendimit të kohës,
shtrihej deri në bregdet. Në këtë përfundim
ata janë nxitur nga pozicioni gjeografik kyç i
trevës së Matit, si vend-kryqëzimi i rrugëve
që lidhnin krahinat e ndryshme të shtetit të
Kastriotëve si në kohën e Gjon Kastriotit,
ashtu edhe në atë të Skënderbeut. Kurse
periudhave më të hershme të veprimtarisë
së familjes Kastrioti autorët e sipërpërmendur
nuk i kanë kushtuar vëmendje, aq sa në veprat
e Marin Barlecit e të Dhimitër Frëngut nuk
përmendet as emri i gjyshit të Skënderbeut.
Kurse një autor tjetër shqiptar, bashkëkohës
me dy të parët, Gjon Muzaka, ka rrëfyer se
gjyshi i Skënderbeut quhej Pal dhe se, sipas tij, kishte
qenë proniar i dy fshatrave të Dibrës së
Poshtme, Sinjës dhe Gardhit të Poshtëm, rrëfim
ky që mund të merret me një farë rezerve.
Tregimi i mësipërm i Gjon Muzakës ka shërbyer
si argument kryesor për ndonjë historian të
ditëve tona që Dibrën ta konsiderojë si
vendorigjinën e Kastriotëve. Po ashtu, si Marin
Barleci, edhe Gjon Muzaka ka shënuar se Gjon Kastrioti
ka pasur në zotërim Matin. Dhimitër Frëngu
ka shkruar se Kastriotët zotëronin edhe Ujmishin.
Tre autorët e mësipërm i shkruan veprat e tyre
në fillim të shek. XVI dhe larg Shqipërisë,
kur jetonin si emigrantë në Itali. Më pas,
në vitin 1553, një tjetër shqiptar, Andre Engjëlli,
ka shkruar në Romë se paraardhësit e Gjon Kastriotit,
përveç Matit, kanë zotëruar Kastorien
dhe Ymenestrien. Sipas këtij autori, Gjon Kastrioti ka
qenë i biri i Gjergj Kastriotit dhe ky i
Kostandin Kastriotit, të mbiquajtur Mazreku
që kishte vdekur në vitin 1390.
Vepra e Gjon Muzakës është më e saktë
dhe më e besueshme se ajo e A. Engjëllit, prandaj
thuajse të gjithë studiuesit e sotëm mendojnë
se gjyshi i Skënderbeut quhej Pal.
Përveç autorëve të mësipërm,
është edhe një autor tjetër i mëvonshëm,
por shumë i rëndësishëm, sepse ka jetuar
në Shqipëri, kleriku i ndritur shqiptar, Frang Bardhi.
Në vitin 1636 ai botoi një vepër polemizuese
për të mbrojtur origjinën shqiptare të
Skënderbeut, kundër përpjekjeve të J.
Marnoviçit për ta nxjerrë atë me origjinë
sllave. Në veprën e tij Frang Bardhi i ka kushtuar
një vend të veçantë përcaktimit
të vendorigjinës së Kastriotëve. Pas një
parashtrimi polemik të çështjes ai arrin
në përfundimin se Kastriotët ishin nga Hasi
i Prizrenit, se kështu është në "pajtim
të plotë mendimi i përgjithshëm i kombit
tonë". Kjo frazë e veprës së F. Bardhit
i jep mendimit të tij për Hasin si vendorigjinën
e Kastriotëve vlerën e një burimi historik
të dorës së parë. Për më tej
ai shpjegon edhe origjinën e emrit familjar të Kastriotëve,
duke e lidhur atë me emrin e fshatit Kastrat, që
gjendej buzë lumit, dhe tregon se në kohën
e tij një familje vendase kishte si mbiemër emrin
e fshati Kastrat. Për vendorigjinën e Kastriotëve
nga Hasi i Prizrenit dëshmojnë gjithashtu edhe kronisti
raguzan Lukari (vepra e të cilit është botuar
në vitin 1605), si dhe shënimet e fundit të
shek. XV të një kleriku boshnjak, të botuara
për herë të parë në vitin 1892. Po
kështu mbiemri i dytë, Mazreku, i Kastriotëve
si dhe pronat e tyre, Kastorie dhe Ymenestrie, që përmend
A. Engjëlli, gjenden në mikrotoponiminë e shek.
XVII dhe të sotme të Hasit (Kastrat dhe Mazrek)
dhe të Lumës (Ujmisht që përmendet edhe
nga Dh. Frëngu). Në përforcim të këtyre
vjen edhe një dëshmi e fillimit të shek. XIX
se në qytetin e Gjakovës jetonte rrobaqepësi
Mihal Kastrioti, që flet për praninë e ruajtjen
ndër shekuj të këtij mbiemri në krahinën
e Hasit nga e kishin origjinën Kastriotët. Edhe
tiparet fizike të Kastriotëve, siç ishin
ato të Skënderbeut dhe të nipit të tij
Ferrandit, të cilëve u njihen deri diku mirë,
mbështesin origjinën hasiane të tyre.
Pranimi i Hasit si vendorigjina e familjes Kastrioti nuk e
bën të pashpjegueshme pse më pas përfaqësues
të kësaj familjeje, si degë të pemës
gjenealogjike të saj, do të shfaqen si proniarë
e zotër në viset e tjera të Shqipërisë,
si në Dibër, në Mat etj. Gjatë shek. XV
e më pas, edhe në këto krahina kishte banorë
me mbiemrin Kastrioti. Çështja e origjinës
së Kastriotëve ka të bëjë me një
periudhë më të hershme nga ajo që nis
me gjyshin e që vazhdon me të atin e Skënderbeut.
Të shtrira gjatë një harku kohorë të
tillë mendimet për vendorigjinën e Kastriotëve,
që japin autorët e hershëm shqiptarë si
M. Barleci, Dh. Frëngu, Gj. Muzaka, A. Engjëlli
dhe F. Bardhi, si dhe burime të tjera historike, nuk
kanë kundërshti ndërmjet tyre, por shfaqen
si dëshmi në vijim që flasin për kohë
të ndryshme dhe që plotësojnë njëra-tjetrën.
F. Bardhi flet për periudhën më të hershme,
për trungun gjenealogjik të familjes kur ishte në
Has, Gjon Muzaka përmend emrin e gjyshit të Skënderbeut,
Pal Kastriotin, duke treguar dy fshatrat që kishte si
pronia në Dibër, kurse M. Barleci dhe Dh. Frëngu
flasin për pasardhësin e Palit, Gjon Kastriotin
dhe zotërimet që kishte ky.
Pozita shoqërore e familjes Kastrioti u fuqizua si rrjedhojë
e përpjekjeve të pinjollëve të ndryshëm
të saj, disa prej të cilëve kjo rrugë
i shtriu përtej vendorigjinës së tyre. Gjyshi
i Skënderbeut, Pal Kastrioti, sipas Gjon Muzakës,
kishte dy fshatra si feud në Dibër. Kurse i biri
i Pal Kastriotit, Gjoni, krijoi një nga shtetet më
të rëndësishme në Shqipëri që,
në hapësirat e tij, përfshiu edhe krahinat
e përmendura nga M. Barleci, Gj. Muzaka, Dh. Frëngu
etj.
Dëshmitë historike për fillimet e shtetit të
Kastriotëve thuajse mungojnë, një realitet
i përgjithshëm ky për historinë tonë
mesjetare, sidomos për viset lindore shqiptare.
Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit
të shek. XIV në krye të zotërimeve të
Kastriotëve duhet të ketë dalë Gjon Kastrioti.
Në këtë periudhë zotërimet e tij
duhet të jenë zgjeruar, sidomos në drejtim
të lindjes, në rajonet e Prizrenit, të Gostivarit
e të Tetovës, sepse, sipas M. Barlecit dhe Gj. Muzakës,
Gjon Kastrioti qe martuar në atë kohë me Vojsavën
(Jellën, sipas një dokumenti raguzan të vitit
1439), vajzë e një dere fisnike të rëndësishme
pranë Shkupit. Nga nëntë fëmijët
që lindi Vojsava dhe që arritën moshën
madhore, shtatë kishin lindur para vitit 1405.
Zgjerimi e fuqizimi i shtetit të Gjon Kastriotit përkoi
me rënien e dy shteteve kufitare me të, të
Balshajve e të Topiajve, dhe sidomos pas dobësimit
të fuqisë ushtarake të Perandorisë Osmane,
kur ushtria e saj pësoi një disfatë të
rëndë prej trupave mongole në betejën
e Ankarasë të vitit 1402. Gjatë këtij
viti (1402), zotërimet e Gjon Kastriotit u shtrinë
në drejtim të viseve bregdetare dhe u bënë
kufitare me ato të Venedikut. Që nga viti 1406 Gjon
Kastrioti shfaqet si një partner i rëndësishëm
në marrëdhëniet me shtetet e huaja, ambasadorët
e tij shkonin në Venedik, Raguzë e në vende
të tjera dhe ai cilësohej prej tyre si zot shumë
i fuqishëm, i madhërishëm
etj. Ndërkohë edhe ambasadorë të tyre
dërgoheshin pranë Gjon Kastriotit. Pushteti dhe
ndikimi i tij mbi zotërit e tjerë ishin të
fuqishëm, prandaj më 1408 ai ishte i pranishëm
si garant i paqes, që u nënshkrua në rrethinat
e Durrësit, midis Venedikut dhe Balshajve.
Shtetin e Gjon Kastriotit e përshkonin rrugë tregtare
shumë të rëndësishme. Ndër to, në
rrafshin perëndim-lindje më të rrahurat ishin
dy. Njëra rrugë lidhte viset bregdetare me Prizrenin,
që duhet të ketë qenë qendra administrative
e shtetit të Gjon Kastriotit. Në këtë
qytet të lashtë kryqëzoheshin rrugë tregtare
shumë të rrahura dhe që shkonin në drejtim
të Prishtinës, të Pejës, të Tetovës
etj. Traseja e rrugës së dytë kalonte nga bregdeti
nëpër krahinën e Matit, vijonte në drejtim
të Dibrës dhe ndiqte rrjedhjen e sipërme të
lumit Vardar për të arritur në Shkup. Në
dokumentet mesjetare këto dy rrugë janë shënuar
me emra të ndryshëm të qyteteve nga ato kalonin:
rruga e Lezhës, rruga e Prizrenit, rruga e Prishtinës
dhe rruga e Shkupit. Interesat ekonomikë e tregtarë
të Gjon Kastriotit shtriheshin edhe përtej zotërimeve
të tij, në Fushë-Dardani, madje edhe përtej
Shkupit, ku mund të bliheshin argjend, plumb e hekur
si dhe drithë me çmime më të ulëta
se në rajonet e tjera, prodhime bujqësore të
viseve të ngrohta, si pambuk, oriz, susam etj. Kështu
shpjegohen, p.sh., lidhjet e tij me manastirin e Hilandarit
në Malin e Shenjtë, që gjendet në brigjet
e detit Egje. Këtij manastiri, Gjon Kastrioti i dhuroi
në vitin 1426 dy fshatra nga pronat e veta në rajonin
e Gostivarit, i bleu pirgun e Shën Gjergjit (i njohur
edhe me emrin Pirgu Shqiptar) dhe në këtë manastir
një nga djemtë e tij, Reposhi, e kaloi jetën
si murg derisa vdiq më 25 korrik 1431. Në epigrafin
e varrit, Reposhi mban titullin e lartë fisnik dukë.
Për jetën ekonomike e politike të shtetit të
Gjon Kastriotit, ashtu si edhe të zotërimeve të
fisnikëve të tjerë shqiptarë si dhe ato
të Republikës së Venedikut, rëndësi
parësore kishin raportet e tyre me kryekomandantin osman
të Shkupit dhe, nëpërmjet tij, me sulltanin.
Në marrëdhëniet me fqinjin e vet lindor e shumë
të fuqishëm ushtarakisht, Gjon Kastrioti duhej të
ndiqte një politikë shumë të kujdesshme.
Edhe bejlerbeut të Rumelisë i interesonte që
deri diku të kishte mirëkuptim me Gjon Kastriotin,
sepse në shtetin e tij, nëpër një terren
të vështirë e me prita të shumta, kalonin
rrugët tregtare më të shkurtra për në
brigjet e detit Adriatik, të cilat, në atë
kohë, nuk mund të mirëmbaheshin e të ruheshin
nga askush tjetër, veçse nga vendasit. Në
rrethana të tilla, gjatë dhjetëvjeçarëve
të parë të shek. XV, Gjon Kastrioti arriti
të fuste nën bindjen e tij disa familje fisnike
të njohura të Shqipërisë së Epërme
dhe u bë figura politike kryesore e botës shqiptare
të këtyre rajoneve.
Zgjerimet e pushtimeve osmane në viset lindore shqiptare
bënë që Gjon Kastrioti dhe familje të
tjera fisnike shqiptare të mos ndiheshin të sigurta,
prandaj filluan të përforconin veprimtarinë
politike të tyre në viset perëndimore, si dhe
të zgjeronin lidhjet me forcat antiosmane e shtetet e
huaja. Qysh në fillim të shek. XV burimet historike
tregojnë se në kufijtë e shtetit të Gjon
Kastriotit ishin përfshirë qyteti i rëndësishëm
i Prizrenit bashkë me rrethinat e tij, krahinat përgjatë
rrugëve Prizren-Prishtinë dhe Prizren-Tetovë,
ato të Matit e të Mirditës dhe se ai kishte
siguruar dalje në detin Adriatik në afërsi
të zotërimit venecian të Lezhës. Në
grykëderdhjen e lumit Mat Gjon Kastrioti mori në
zotërim portin dhe qendrën doganore të Shufadasë,
kriporet e rëndësishme të Shën Kollit,
që më parë kishin qenë në duart e
Dhimitër Jonimës, si edhe të gjithë zotërimin
e këtij, ku gjendeshin edhe dy kështjella. Gjon
Kastrioti synonte të shtrihej në vijën bregdetare
së paku deri në grykëderdhjen e lumit Bunë,
rajon bregdetar që kontrollohej nga Venediku. Në
vitin 1410 Gjoni arriti të siguronte banesë në
Ulqin, por nuk u pranuan prej Venedikut kërkesat e tij
të vitit 1417 për ti dhënë fshatin
Barbullush dhe Malin Medua (Shëngjinin), ku dëshironte
të ngrinte një kështjellë. Më pas
arriti ta merrte Shëngjinin. Zotërimet e tij u bënë
kufitare në veri me Despotatin e Rashës dhe në
verilindje me rajonin e Prishtinës, banorët e së
cilës njihnin taksat doganore që paguheshin për
kalimin nëpër shtetin e Gjonit. Në jug zotërimet
e Gjon Kastriotit kufizoheshin me ato të Arianitëve
dhe të Topiajve, kurse në lindje me viset që
ishin nën pushtuesit osmanë, të cilët,
përveç Shkupit, zotëronin në perëndim
të tij kështjellën e Tetovës. Pjesa më
e madhe e fushës përgjatë rrjedhjes së
sipërme të lumit Vardar e në perëndim
të Tetovës për një kohë mbeti nën
zotërimin e Gjon Kastriotit, të cilën M. Barleci
e ka emërtuar Dibra e Poshtme. Edhe rajonet më në
jug ishin pjesë e shtetit të Gjon Kastriotit, kufijtë
e të cilit në atë drejtim shtriheshin deri
në afërsi të qytetit të Kërçovës,
që kishte rënë nën pushtimin osman qysh
në fund të shek. XIV.
Shtrirja e gjerë gjeografike e shtetit të Gjon Kastriotit
është pasqyruar edhe në burimet historike osmane.
Në një dokument të muajit maj të vitit
1438 përmendet regjistri kadastral i tokave të
Gjonit (Juvan-ili) dhe si pjesë e tyre vilajeti
i Dhimitër Jonimës. Ky regjistër nuk është
zbuluar deri tani, sepse, si shumë kadastra të tjera
të asaj kohe, mund të jetë zhdukur. Regjistri
kadastral i tokave të Gjonit duhet të
jetë hartuar në pranverë të vitit 1430,
gjatë fushatës ushtarake të Isak-bej Evrenozit,
ose, më së shumti, njëkohësisht me regjistrin
e Sanxhakut Shqiptar, në vitin 835 h. (1431-1432). Administrata
osmane hartonte nga një regjistër kadastral të
veçantë për çdo sanxhak, të cilët
po ashtu si tokat e Gjonit kishin disa vilajete
si njësi administrative më të vogla. Prandaj
edhe shtrirja gjeografike e tokave të Gjonit
ishte përafërsisht me atë të një
sanxhaku.
Pasuritë e shumta që kishin viset e Dibrës
së Poshtme e të Prizrenit dhe numri i madh i banorëve
që jetonin në to e bënin këtë rajon,
i cili formonte pjesën lindore të shtetit të
Gjon Kastriotit, të kishte rol vendimtar në veprimtarinë
ekonomike, politike dhe ushtarake të tij. Prandaj edhe
fëmijët e tij përgjithësisht mbanin emrat
karakteristikë të këtij rajoni. Pjesën
lindore të shtetit të vet Gjon Kastrioti e zotëronte
si funksionar i administratës osmane, sepse vetë
ai deklaronte në vitin 1411 se kishte në gatishmëri
të përhershme një ushtri të përbërë
nga "dy mijë kalorës shqiptarë dhe treqind
kalorës turq" dhe kohë pas kohe është
shprehur se sulltani ishte kryezot i tij.
Për të gjallëruar sa më shumë lëvizjen
e mallrave e të njerëzve në rrugët tregtare
që kalonin nëpër zotërimet e Kastriotëve,
Gjoni nënshkroi akte me qeveritarët e vendeve të
ndryshme, duke u garantuar sigurinë e qarkullimit të
mallrave e të tregtarëve të tyre nëpër
shtetin e tij. Për të nxitur sa më shumë
ardhjen e tyre, ai thjeshtësoi sistemin tatimor dhe vendosi
vetëm një taksë doganore për mallrat që
tregtarët e huaj do të transportonin nëpër
zotërimet e Kastriotëve. Për të garantuar
sigurinë e lëvizjes së njerëzve dhe të
karvaneve të mallrave nëpër rrugët tregtare,
Gjoni vendosi roje nëpër to si dhe nëpër
kështjellat që shërbenin për mbrojtjen
e tyre, si në ato të Prizrenit, të Gurit të
Bardhë, të Stelushit etj. dhe rriti shërbimet
për mirëmbajtjen e rrugëve.
Pozicioni gjeografik kyç i shtetit të Gjon Kastriotit
e kishte bërë atë një urëlidhje në
Shqipërinë Qendrore për të kaluar në
rajonet e tjera të Shqipërisë së Epërme
e të Poshtme si dhe në rajonet lindore të Shqipërisë,
si në Fushë-Dardani dhe në Shkup nëpërmjet
rrugës më të shkurtër. Kjo ka qenë
një nga arsyet kryesore që Gjon Kastrioti të
kishte lidhje të shumta familjare e martesore me sundimtarë
të tjerë shqiptarë, si me Arianitët, Topiajt,
Muzakajt, Balshajt, Gjurashët (Cërnojeviçët).
Lufta e përhershme e Stefan Gjurashit (Cërnojeviçit)
dhe e paraardhësve të tij në rajonin e Gentës
kundër despotit të Rashës, Gjergj Brankoviçit,
pa dyshim ka qenë e mbështetur dhe e bashkërenduar
me aksionet ushtarake të vjehrrit të tij, Gjon Kastriotit,
që ky detyrimisht ka ndërmarrë edhe për
interesat e veta në rajonet e Shkodrës, të
Rrafshit të Dukagjinit dhe të Fushë-Dardanisë
kundër armikut të përbashkët, despotit
Gjergj. Përballë një lufte me dy fronte të
shqiptarëve, Gjergj Brankoviçi dhe paraardhësit
e tij kanë qenë të detyruar të tërhiqen
dhe të rrudhin kufijtë jugorë të Despotatit
të Rashës. Gjon Kastrioti hyri në lidhje ekonomike
e politike edhe me vende të huaja, si me Venedikun, Raguzën
etj.
Gjon Kastrioti zotëronte një potencial të ndjeshëm
ekonomik dhe ushtarak. Të ardhurat kryesore vinin nga
sistemi tatimor feudal që nënshtetasit e tij tradicionalisht
ishin të detyruar t`i jipnin kryezotit të tyre me
prodhime në natyrë, me të holla dhe me punë
angari. Ky sistem tatimor është shprehur në
një akt-dhurimi të vitit 1426, që Gjon Kastrioti
së bashku me djemtë e tij i bënë manastirit
të Hilandarit për fshatrat Radostushë dhe Trebisht.
Në të thuhet: "duke dhuruar në dobi të
manastirit këto dy fshatra, unë i liroj ato nga
çdo angari e madhe dhe e vogël, me të gjitha
detyrimet për haraçin mbretëror dhe taksat
e shtetit dhe të gjitha këto ia jap manastirit të
shenjtë: të mos ketë as qefali, as zot, as
psarë e të mos japin të dhjetë as për
drithë, as për verë, as për mjaltë,
as dhuratë në para, as para për kullotë,
as për të dhjetë bagëtish, kështu
që kisha t`i marrë të gjitha të drejtat
mbi këto fshatra sipas ligjit".
Krahas sitemit tatimor të mësipërm, Gjon Kastrioti
siguronte të ardhura të rëndësishme nga
doganat, tregtia e drithit, e metaleve, e kripës etj.
Gjon Kastrioti ndoqi një politikë aktive për
zgjerimin e fuqizimin e shtetit të tij, me gjithë
kushtet e vështira që ishin krijuar prej sulmeve
e pushtimeve osmane. Ai forcoi lidhjet me Republikën
e Venedikut dhe qysh në vitin 1407 arriti të siguronte
prej saj qytetarinë veneciane, e cila, bashkë me
fëmijët e tij, iu rinjoh edhe në vitin 1413.
Në fillim të vitit 1410 Venediku pranoi kërkesën
e Gjon Kastriotit që të kishte banesë në
Ulqin dhe, në rast se do të dëbohej nga zotërimet
e tij prej osmanëve, ai bashkë me familjen të
banonte në atë qytet. Këto lidhje me Venedikun
Gjoni i shfrytëzoi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve
që pati në vitin 1407 me peshkopin e Lezhës,
i cili kishte gjetur mbështetjen e papës që
peshkopatës së Arbrit t`i shkëpuste 12 kisha.
Ndërhyrja e Venedikut pranë papës qe efikase
për Gjonin. Në vitin 1411 Gjon Kastrioti, kundrejt
një shpërblimi të përvitshëm prej
një mijë dukatësh, i ofronte Venedikut ndihmë
ushtarake me "dy mijë kalorës të tij dhe
treqind kalorës turq", madje edhe më shumë
në rast nevoje.
Si çështje parësore e aktivitetit politik
të Gjon Kastriotit ishin marrëdhëniet e tij
me fqinjët lindorë, pushtuesit osmanë, fuqia
ushtarake e të cilëve ishte e papërballueshme
prej tij. Siç del nga fraza e dokumentit të vitit
1411, të cituar pak më sipër, Gjon Kastrioti
ishte afruar me komandantin osman të Shkupit, Bajazitin,
aq sa mund të komandonte edhe 300 kalorës osmanë,
e dhënë kjo që lejon të supozohet se ai
mund të ketë qenë së paku në postin
e subashit të Tetovës. Në kushte të tilla,
për të mbajtur në këmbë shtetin e
tij Gjon Kastrioti ishte i shtrënguar të pranonte
vasalitetin ndaj sulltanit dhe t`i paguante, siç ka
shkruar vetë në vitin 1426, "haraçin
mbretit". Si garanci për pranimin e vasalitetit
osman, të paktën qysh në vitin 1409, Gjon Kastrioti
qe detyruar të dorëzonte peng një nga djemtë
e tij, që, me sa kuptohet, ka qenë djali i madh,
Stanisha.
Në betejën e Ankarasë, që u zhvillua gjatë
vitit 1402 midis trupave mongole dhe ushtrive osmane, këta
të fundit pësuan një disfatë të rëndë
dhe jeta politike e Perandorisë Osmane u përfshi
nga konflikte të brendshme për trashëgimin
e fronit osman, konflikte që vazhduan afër një
dhjetëvjeçar. Gjatë këtyre viteve u
dobësua përkohësisht presioni osman, për
t`u riaktivizuar pas ardhjes në fron të sulltan
Mehmetit I (1413-1421). Ndërkohë zotërimet
e Gjon Kastriotit arritën një zgjerim e fuqizim
të madh. Këtë e favorizoi edhe qëndrimi
i komandantit osman të Shkupit, Bajazitit, i cili nuk
ndoqi një politikë pushtimesh, por atë të
marrëveshjes me fisnikët shqiptarë. Pas vdekjes
së tij në vitin 1414, ai u zëvendësua
nga i biri, për veprimtarinë e të cilit është
vështirë të thuhet diçka. Gjatë
viteve në vijim rol të veçantë në
drejtimin e veprimtarisë politike e ushtarake të
Pashasanxhakut të Shkupit do të kishin Isak bej
Evrenozi dhe i biri i tij, Isa Beu. Evrenozët ishin një
familje shumë e pasur. Vetëm në Shkup ata kishin
mbi njëqind dyqane. Gjatë disa dhjetëvjeçarëve
si ushtarakë të lartë osmanë, Evrenozët
u përpoqën të kontrollonin rrugët tregtare
të vendit që të fuqizoheshin ekonomikisht gjithnjë
e më shumë.
Në fillim të vitit 1415 kaloi në duart e osmanëve
Kruja, e cila kishte një pozicion shumë strategjik
dhe kontrollonte segmente të rrugëve tregtare që
lidhnin Shkupin me bregdetin shqiptar si dhe viset perëndimore
të vendit. Prandaj pushtimi i Krujës dëmtoi
rëndë interesat e fisnikëve të Shqipërisë
Qendrore dhe të Epërme, sepse tani zotërimet
e tyre nga çasti në çast mund të pushtoheshin
prej osmanëve. Rëndë u goditën edhe zotërimet
e Gjonit, sepse osmanët mund të zotëronin rrugën
tregtare që kalonte nëpër Mat e Dibër
për të arritur në Shkup, e kontrolluar deri
në atë kohë prej Kastriotëve. Sidoqoftë,
Gjoni u tregua mjaft i kujdesshëm në marrëdhëniet
e tij me osmanët. Për të mbrojtur interesat
e shtetit të tij dhe për të mënjanuar
përplasjen me ta, kur Kruja ra në duart e osmanëve,
Gjoni dërgoi djalin e tij të vogël, Gjergjin,
si iç-ogllan (pazh) pranë oborrit osman. Në
këtë mënyrë ai evitoi për disa vjet
konfrontimet me osmanët. Kurse Republika e Venedikut
vendosi që t`i jepte një tribut vjetor prej 200
dukatësh subashit turk të Krujës, që ky
të mos sulmonte Durrësin dhe të mos prekte
kriporet e shumta të këtij qyteti.
Me gjithë përpjekjet e Gjonit për të pasur
marrëdhënie sa më të mira me sulltanin,
ai nuk hoqi dorë nga masat mbrojtëse. Në nëntor
të vitit 1417 Gjoni i kërkoi më kot Venedikut
që të përballonin së bashku sulmet e mundshme
osmane dhe i premtonte se ishte i gatshëm të vinte
në dispozicion të një aksioni të përbashkët
të gjithë luftëtarët dhe kështjellat
e veta. Në këto rrethana Gjon Kastrioti i kushtoi
vëmendje të veçantë bashkëveprimit
me fisnikët shqiptarë.
Kur në vitin 1418 Balsha III i shpalli luftë Republikës
së Shën Markut për të rimarrë Shkodrën
dhe Drishtin, Gjoni mbajti anën e tij dhe qenë të
paefektshme përpjekjet e Venedikut gjatë viteve
1419-1420 për ta larguar atë nga Balsha. Konflikti
midis Balshës III dhe Venedikut në rajonin e Shkodrës
pengoi lëvizjen e tregtarëve shqiptarë, raguzanë
etj. dhe qarkullimin e mallrave në drejtim të Kosovës,
ku nxirrej e përpunohej ari, argjendi e plumbi dhe ku
çmimi i prodhimeve të shumta bujqësore ishte
më i ulët në krahasim me çmimet që
ato kishin në viset perëndimore. Këto rrethana
i shfytëzoi Gjon Kastrioti për të intensifikuar
qarkullimin e mallrave në drejtim të Kosovës
nëpër rrugën tregtare Shufada-Prizren-Prishtinë
dhe në atë të Shkupit të kontrolluara
prej tij. Në shkurt të vitit 1420 ai nënshkroi
një akt-tregtar me Republikën e Raguzës, nëpërmjet
së cilës u garantonte tregtarëve të saj
lëvizje të sigurt nëpër rrugët e
sipërpërmendura. Në mars të vitit 1422
Gjon Kastrioti siguroi edhe miratimin e Venedikut për
të lejuar tregtarët raguzanë, që në
vend të Shkodrës të vinin në Lezhë
për të rrahur rrugët e zotërimeve të
tij.
Pas vdekjes së Balshës III, Gjon Kastrioti ndërmori
masa të menjëhershme për të mbrojtur interesat
e veta politike dhe ekonomike. Në rajonin e Shkodrës,
ku kishte zbritur ushtria e Stefan Lazareviçit dhe
mbante të rrethuar qytetin, Gjoni dërgoi trupat
e veta. Në një letër, që i shkroi Venedikut
në nëntor të vitit 1422, ai ka rrëfyer
se nuk e kishte lejuar despotin serb të Rashës të
merrte Lezhën dhe shprehte me këtë rast gatishmërinë
e tij për të ndihmuar venecianët që të
dëbonin ushtrinë serbe nga rajoni i Shkodrës.
Ndërkohë, krahas Gjonit, edhe djemtë e tij
kishin filluar të aktivizoheshin në veprimtarinë
politike dhe ushtarake të familjes së tyre. Burimet
historike tregojnë se gjatë vitit 1422 një
nga djemtë e tij komandonte trupat e Kastriotëve
në rrethinat e Shkodrës. Kurse në vitin 1428
përmendet një djalë i Gjon Kastriotit "i
bërë turk e mysliman", që kishte trupa
ushtarake pranë zotërimeve të Venedikut po
në rajonin e Shkodrës.
Interesat ekonomikë dhe politikë të shtetit
të Kastriotëve e nxitën Gjon Kastriotin që
t`u kushtonte vëmendje edhe rajoneve të tjera shqiptare,
të cilat nuk ishin kufitare me zotërimet e tij.
Jo lidhjet familjare që Kastriotët kishin me Balshajt,
po pikërisht interesat ekonomikë e shtynin Gjon
Kastriotin t`i përkrahte vazhdimisht ata, madje duke
dërguar edhe ushtrinë e tij në ndihmë
të tyre. Edhe pas vdekjes më 1421 të Balshës
III, që ishte kushëri i tij, Gjoni vazhdoi lidhjet
me fisnikët e tjerë shqiptarë të zotërimeve
të Balshës III, si me Gjurashët (Cërnojeviçët),
që i kishin zotërimet fillestare në rrethinat
e grykës së Kotorrit dhe që më pas i shtrinë
edhe në Gentë, me të cilët lidhi krushqi.
Gjurashët u angazhuan në një luftë shumëvjeçare
kundër përpjekjeve të Despotatit të Rashës
për pushtimin e viseve bregdetare shqiptare, që
shtriheshin në veri të lumit Buna. Ndërkohë
edhe Gjon Kastrioti kundërshtoi synimet e despotëve
serbë për marrjen e Lezhës dhe për zgjerimin
e pushtimeve të tyre në Rrafshin e Dukagjinit dhe
në Fushë-Dardani.
Pesha dhe roli i shtetit të Gjon Kastriotit në jetën
e vendit erdhi gjithnjë duke u rritur. Fuqizimin më
të madh ai e arriti në kohën kur në krye
të tij doli djali i vogël i Gjonit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
3. VENEDIKU NË SHQIPËRI (SHEK. XIV-XV)
Shtrirja e zotërimeve veneciane në Shqipëri
Pas dështimit të përpjekjeve për të
krijuar edhe në Shqipëri një zotërim të
vetin në kohën e Kryqëzatës IV dhe shkrirjes
së Dukatit venecian të Durrësit, më 1213,
Republika e Shën Markut ishte mjaftuar të mbronte
interesat e saj tregtarë, duke rënë për
këtë në ujdi me sundimtarët e me bashkësitë
e qyteteve. Tregtarë venecianë përshkonin me
karvane rrugët që lidhnin portet e Durrësit,
Vlorës, Shëngjinit etj., me viset e brendshme duke
çuar e duke tërhequr mallra prej andej. Prania
e konsujve venecianë në qendra të tilla, si
në Durrës (1249), në Spinaricë (1276)
apo në Vlorë (1359), nënvizonte praninë
e shkëmbimeve tregtare midis porteve shqiptare dhe Venedikut.
Ashtu si në shek. XI, edhe në shek. XIV në
Durrës vazhdonte të kishte një koloni tregtare
veneciane, të përqendruar në një lagje
të veçantë, buzë detit, dhe të
organizuar përreth kishës së hershme të
Shën Mërisë së Amalfitanëve. Përfaqësuesit
e kësaj kolonie, edhe pse nuk gëzonin statusin e
qytetarit (civis), kishin statusin e rezidentit (habitator)
që u siguronte lirinë e jetës, të pronës,
të aktivitetit ekonomik, krahas detyrimeve përkatëse.
Në shek. XIV përmenden edhe mjaft fisnikë venecianë
nga familje të shquara, si Kontarenët, Maurot, Barbadigot
etj., që kishin blerë toka e bagëti në
rrethinat e Vlorës, Durrësit apo Butrintit, duke
ngritur aty fermat (casale) të bazuara në shfrytëzimin
intensiv të tokës e të bagëtisë.
Në përgjithësi, deri në dhjetëvjeçarët
e fundit të shek. XIV, angazhimi i Venedikut në
Shqipëri mbeti kryekëput në lëmin ekonomik
dhe synonte mbajtjen hapur të arterieve kryesore tregtare,
tokësore e detare, dhe mbrojtjen e interesave të
qytetarëve venecianë. Venediku smund të
luante veçse një rol politik të kufizuar
edhe për faktin se nga fundi i shek. XII, por veçanërisht
në shek. XIV, në Dalmaci e në Shqipëri
ushtronte një sovranitet formal mbretëria e Hungarisë,
rivale e Venedikut. Interesat hungareze në krejt vijën
bregdetare që shtrihej nga Kuarnaro (Istrie) e deri në
Durrës u njohën më 1358 dhe u konfirmuan edhe
në paqen e Torinos, më 1381. Por shfaqja e turqve
osmanë dhe dalja e tyre eventuale në bregdet, rrezikonte
të këpuste rrugët tregtare të Venedikut.
Një gjë e tillë e bëri të pashmangshëm
angazhimin e këtij të fundit në ngjarjet që
zhvilloheshin në Shqipëri. Për ti mbajtur
osmanët larg nga qytetet-porte të Adriatikut ose
të Jonit, Republika e Venedikut u përpoq të
forconte marrëdhëniet me krerët feudalë
shqiptarë që kontrollonin rrugët dhe shtigjet
që çonin drejt tyre, duke inkurajuar qëndresën
e atyre krerëve kundër sulmeve osmane. Në gjysmën
e dytë të shek. XIV, sundimtarët shqiptarë
Balshajt, Dukagjinët, Zahariajt, Topiajt, Muzakajt, Shpatajt,
Zenebishët kishin marrëdhënie të rregullta
me Republikën e Shën Markut. Kjo e fundit i kishte
shpallur shumë prej tyre qytetarë venecianë
dhe u kishte njohur privilegjet që lidheshin me këtë
status. Në mjaft raste venecianët i furnizonin zotërit
shqiptarë edhe me armë dhe madje me anije luftarake,
por kjo vetëm kur bëhej fjalë për mbrojtjen
e viseve bregdetare nga sulmet e flotës osmane.
Deri në çerekun e fundit të shek. XIV, Republika
e Venedikut ishte mjaftuar me sigurimin e interesave të
saj ekonomiko-tregtarë, pa u angazhuar drejtpërsëdrejti
në Shqipëri edhe kur për një gjë
të tillë pati ftesa nga grupe e bashkësi shqiptare.
Kështu, në vitin 1350, bashkësia qytetare e
Durrësit, ku një rol të madh luanin tregtarë
e sipërmarrës të lidhur ngushtë ekonomikisht
me Venedikun, i kërkoi këtij të fundit ta merrte
në dorëzim qytetin. E ndërgjegjshme se një
hap i tillë ishte i parakohshëm, pasi do ta fuste
atë në konflikte me fuqi të tjera të interesuara,
si Mbretërinë e Napolit, mbretërinë serbe
apo atë hungareze, Venediku nuk e pranoi në atë
rast ofertën. Por situata e re e krijuar pas betejës
së Fushë-Dardanisë (1389), kur ushtrive osmane
iu hap rruga drejt viseve bregdetare, e bënte të
domosdoshme për Venedikun shtënien në dorë
të qendrave kryesore bregdetare për të shmangur
daljen në det të osmanëve dhe për rrjedhojë,
paralizimin e trafikut detar përgjatë brigjeve shqiptare.
Kjo politikë e re e Venedikut në Shqipëri favorizohej
tashmë edhe nga fakti se mjaft sundimtarë shqiptarë,
të pafuqishëm ndaj sulmeve osmane, tregoheshin të
gatshëm tia dorëzonin atij pjesërisht
ose tërësisht zotërimet e tyre kundrejt kushtesh
krejt të favorshme për këtë të fundit.
Në vitin 1386, pasi mori Korfuzin, Venediku ishte tashmë
i pranishëm në truallin shqiptar duke shtënë
në dorë, në marrëveshje me Gjon Zenebishin,
sistemin e fortifikuar të Butrintit e të Ksamilit,
me rëndësi thelbësore për kontrollimin
e Kanalit të Korfuzit.
Ska dyshim që në qendër të planeve
veneciane në Shqipëri qëndronte qyteti i Durrësit,
avantazhet strategjike dhe ekonomike të të cilit
venecianët i njihnin mirë. Që në maj të
vitit 1387 princi Karl Topia, i ndodhur nën presionin
e vazhdueshëm të sulmeve osmane, i propozoi Republikës
lëshimin e Durrësit kundrejt një shpërblimi
dhe një lejeje për tu vendosur në kolonitë
veneciane të Kretës ose të Negropontit (Eube).
Në atë rast Venediku i qëndroi besnik politikës
së tij të shmangies së hyrjes në konflikt
drejtpërdrejt me osmanët, ndaj e refuzoi butësisht
ofertën e Karlit, edhe pse i premtoi ndihmën e vet
ushtarake. Por vetëm një vit më vonë situata
e Durrësit ishte bërë aq e brishtë, saqë
Senati i Venedikut mori vendim që qyteti të shtihej
në dorë sapo të shihej se rrezikohej të
binte në duar të osmanëve. Projekti parashikonte
si dorëzimin vullnetarisht të qytetit nga ana e
Gjergj Topisë (Karli ndërkohë kishte vdekur),
ashtu dhe marrjen e qytetit jashtë vullnetit të
tij, në bashkëpunim me qytetarë durrsakë,
përkrahës të Republikës. Fillimisht, Gjergj
Topia u bind që tu lëshonte venecianëve
kullën e poshtme të qytetit, atë pranë
portit. Por në prill të vitit 1392, i ndodhur sa
nën presionin e osmanëve, aq edhe të përfaqësuesve
më të lartë të parisë durrsake, përfshirë
dhe kryepeshkopin Dhimitër Nesha, të cilët
kishin rënë në ujdi me Venedikun, Gjergj Topia
nënshkroi aktin e dorëzimit të krejt qytetit
Republikës së Shën Markut. Më 1393 vëllezërit
Progon e Tanush Dukagjini i kaluan Venedikut kështjellën
e tyre të Lezhës.
Në dhjetor 1395 një tjetër sundimtar shqiptar
i ndrydhur nga osmanët, Gjergji II Strazimiri Balsha,
i ofroi Venedikut qytetet bashkë me territoret e Shkodrës
e të Drishtit. Marrëveshja u nënshkrua në
pranverën e vitit 1396 e në bazë të saj
Balsha i lëshonte Venedikut, kundrejt shpërblimit
dhe kushteve të tjera, qytetet e Shkodrës, të
Drishtit, të Shasit e të Dejës, bashkë
me rrethina. Me këtë rast Gjergj II Balsha bashkë
me trashëgimtarët e tij pranoheshin në Këshillin
e Madh dhe në radhët e fisnikërisë veneciane.
Më 1395 Venediku u mori Balshajve qytetet e Ulqinit,
Tivarit e të Buduës.
Përsa i përket Vlorës, sundimtarja e saj Komnenë
Balsha, e veja e Balshës II, i kishte propozuar që
më 1386 Venedikut dhënien e qytetit, bashkë
me kështjellat e Kaninës, Himarës dhe të
Pirgut (në derdhje të Semanit). Besnik ndaj politikës
së tij të mosangazhimit aty ku nuk e gjykonte të
domosdoshme, Venediku nuk e pranoi ofertën as të
Komnenës dhe as të pasardhësve të saj,
Merkshës e Ruginës. Zotërimi i Durrësit
dhe i Butrintit konsiderohej i mjaftueshëm për të
kontrolluar krejt krahun jugor të bregdetit shqiptar.
Nga ana tjetër, duke ditur interesimin e jashtëzakonshëm
të osmanëve për këtë qytet, venecianët
e dinin se shtënia në dorë e tij do ta ndërlikonte
Republikën në konflikte të pashmangshme me
osmanët. Ndaj për Vlorën u zbatua një
politikë tjetër: të pritej derisa qyteti të
pushtohej nga osmanët e mandej tu kërkohej
këtyre blerja e tij qoftë edhe me një çmim
më të lartë nga sa ofronin zotërit e ligjshëm
të saj. Por llogaritë e Republikës në
këtë pikë nuk dolën, pasi me të pushtuar
Vlorën e Kaninën në qershor të vitit 1417,
osmanët treguan se jo vetëm nuk kishin ndërmend
tia shisnin atë Venedikut, por e kthyen në
bazën e tyre kryesore detare nga ku kontrollonin lundrimin
në Adriatik dhe nga ku filluan të përgatisnin
invazionin e Italisë.
Disa vjet pas marrjes së Butrintit (1386), duke shfrytëzuar
vështirësitë e zotërve Zenebishi e Shpata,
Venediku shtiu në dorë në bregdetin e Vagenetisë
(Çamërisë), edhe skelat e Sajadhës,
Pargës, Fanarit, si dhe portin e rëndësishëm
të Naupaktit (Lepantos) në gjirin e Korintit.
Në këtë mënyrë, Venediku realizonte
një synim që kishte qenë në themel të
politikës së tij qysh nga koha e Kryqëzatës
IV (1204): shtënien në dorë të porteve
e të skelave kryesore përgjatë vijës bregdetare
për të siguruar kontrollin e rrugëve detare
drejt Lindjes. Megjithatë, realizimi i këtij synimi
bëhej në kushtet kur osmanët po ushtronin trysni
gjithnjë e më të madhe në këtë
krah. Venediku nuk ishte në gjendje tu bënte
ballë sulmeve osmane kundër kështjellave të
tij. Për këtë qëllim, ai u mundua të
nxiste, pa rënë në sy, qëndresën
e krerëve shqiptarë, që zotëronin territoret
midis bazave osmane në Maqedoni dhe zotërimeve veneciane
të bregdetit. Në fillim të shek. XV, ndër
klientët e Venedikut numëroheshin Cërnojeviqët
(Gjurashët), Hotët, Tuzët, Bitidosët,
Jonimët e Zaharitë e Gentës, Dushmanët
e Pultit, Gjon Kastrioti e Niketë Topia në Shqipërinë
Qendrore, Teodor Muzaka i Beratit, Gjon Zenebishi i Gjirokastrës
e Muriqi Shpata i Artës. Në këmbim të
ruajtjes së shtigjeve, që lidhnin bazat osmane në
Maqedoni me viset bregdetare, Venediku u ofroi krerëve
të mësipërm provizione në të holla,
tituj fisnikërie, prona dhe strehim në zotërimet
e veta në rast të pamundësisë për
të qëndruar më në tokat e veta. U premtoi
gjithashtu përfshirjen e tyre në çdo traktat
paqeje, që eventualisht do të nënshkruante
me osmanët, premtim që nuk e mbajti kurrë.
Në fakt, në vend të politikës së
konfrontimit me osmanët, Republika e Venedikut filloi
të zbatojë gjithnjë e më shumë politikën
e ujdisë me ta, aq më shumë kur pas disfatës
së Ankarasë, më 1402, osmanët në
paqet veneto-osmane të viteve 1411, 1430 apo 1446, treguan
gatishmëri për tu njohur venecianëve
zotërimet në Shqipëri. Pikërisht atëherë,
Republika e Venedikut dhe qeveritarët e saj në Shqipëri
jo vetëm u pajtuan me pushtimin e Krujës, Vlorës,
Beratit e të Gjirokastrës nga osmanët në
vitet 1415-1418, por filluan edhe ta shkurajojnë qëndresën
e krerëve shqiptarë, duke i këshilluar ata
të mos ndërmerrnin sulme kundër këtyre
të fundit. Në korrik të vitit 1433 Republika
i porosiste shkoqur qeveritarët venecianë në
Shqipëri që të anullonin marrëveshjet
me cilindo princ shqiptar, i cili ngrihej kundër osmanëve
dhe despotit serb Stefan Llazareviç, me të cilët
Venediku ishte tashmë në paqe. Ky qëndrim i
ri i Venedikut çoi në acarimin e marrëdhënieve
me krerët kryesorë shqiptarë, si Balshajt,
Dukagjinët, Topiajt, Kastriotët etj. Madje, puna
arriti deri aty saqë qeveritarët venecianë
të paguanin komandantët osmanë për të
goditur aleatët shqiptarë, që shpeshherë
gëzonin edhe të drejtën e qytetarisë veneciane.
Venecianët e kontrollojnë gjithë Arbërinë
me anë të turqve raportonin në tetor
të vitit 1422 të dërguarit e Raguzës.
Dhe duke iu referuar politikës pa moral e pa parime të
Republikës së Shën Markut në Shqipëri,
shtonin: Gjithë bota e di se sa zgjatin miqësia
dhe premtimet e venecianëve. Këta e treguan
këtë qëndrim edhe në rastin e nënshkrimit
të paqeve të sipërpërmendura me osmanët,
ku në kundërshtim me sa kishin premtuar vazhdimisht,
nuk i përfshinë aty krerët shqiptarë deri
atëherë klientë të Venedikut.
Në këtë mënyrë shqiptarët mbetën
vetëm përballë hakmarrjes së osmanëve.
Qytetet shqiptare nën administratën e Venedikut
Ndikimi i madh që Venediku ushtronte prej shekujsh në
jetën ekonomike e kulturore të qyteteve bregdetare
shqiptare, e lehtësoi kalimin e këtyre të fundit
nën sundimin e tij. Në Durrës, Lezhë,
Shkodër, Ulqin e në Tivar kishte grupe të tëra
shoqërore që ishin të lidhura ngushtë
me Venedikun. Këta mund të ishin tregtarë,
pronarë anijesh, detarë, artizanë. Por rrethi
i marrëdhënieve me Venedikun përfshinte gjithashtu
edhe sektorë të popullsisë joqytetare, fisnikë
dhe bujq, sidomos të rrethinave, që eksportonin
produktet e tyre në Venedik, ose që garantonin lëvizjen
e tregtarëve venecianë në brendësi të
vendit. Republika diti të tërhiqte në orbitën
e vet edhe mjaft fisnikë të vegjël rrotull
qyteteve, të cilëve u paguante provizion të
përvitshëm në këmbim të sigurimit
të qetësisë në rrethinat dhe në vetë
qytetet. Në shek. XIV elementë të veçantë
të parisë së qyteteve bregdetare, por edhe
të aristokracisë së tokës, kishin fituar
qytetarinë veneciane, madje ndonjëri kishte arritur
edhe të pranohej në Këshillin e Madh të
Republikës. Pas tyre kishte edhe shumë të tjerë,
kryesisht tregtarë e artizanë, që gëzonin
privilegje të veçanta dhe që, siç
thuhej, e mbanin veten për venecianë
(pro Veneto expediantur). Në mjedise të tilla Venediku
gjeti mbështetjen e tij shoqërore para dhe gjatë
sundimit të tij në Shqipëri.
Republika e Venedikut e realizonte qeverisjen në zotërimet
e saj shqiptare me anën e nëpunësve të
dërguar enkas nga Venediku (rektorët). Një
flotë e posaçme bënte roje të përhershme
pranë brigjeve shqiptare, e gatshme të ndërhynte
sa herë që cenoheshin interesat e Venedikut. Bajl-kapedani
i Durrësit dhe kont-kapedani i Shkodrës, ishin funksionarët
e nivelit më të lartë në Shqipëri.
Nën urdhrat e tyre ishin një numër zyrtarësh
të tjerë, si komandanti i kështjellës
(castellanus), komandanti i flotës lokale (admirali),
komandanti i trupave të kalorisë (comestabilis),
ruajtësi i thesarit (camerarius), gjykatësi (magister
iuratus), sekretari (cancellarius). Në Drisht autoriteti
më i lartë venecian ishte podesta, kurse në
Lezhë kështjellari. Në rastet kur vendi i qeveritarit
në një qytet të caktuar mbetej i zbrazët,
Venediku dërgonte aty proveditorët, funksionarë
me një mandat të kufizuar. Konsujt venecianë,
që vepronin si përfaqësues tregtarë dhe
shpesh si informatorë, vepronin prej kohësh në
qytetet kryesore dhe që luajtën rol të rëndësishëm
në përgatitjen e kushteve për kalimin e këtyre
qyteteve nën flamurin e Venedikut, në mjaft raste
morën poste të rëndësishme në administratën
veneciane. Qendra i çmonte veçanërisht
njohuritë dhe lidhjet e tyre me vendin dhe me njerëzit.
Në kushtet e zhvillimit të invazionit osman, Venediku
ishte tejet i interesuar që në zotërimet e
tij shqiptare të ruhej paqja shoqërore. Një
gjë e tillë parakuptonte pjesëmarrjen e aristokracisë
qytetare në qeverisje, si dhe njohjen e strukturave dhe
të institucioneve tradicionale bashkiake, gjë që
binte ndesh me interesat e Venedikut. Në fakt, institucionet
bashkiake, siç qe, p.sh., ai i magister iuratus, i
kancelarit apo i admiralit në Durrës, ose u uzurpuan
nga shtetas venecianë, ose u dubluan apo u zhvleftësuan,
duke iu nënshtruar vullnetit të qeveritarit. Megjithëse
në çastin e marrjes në dorëzim të
qyteteve shqiptare, Republika e Venedikut u kishte premtuar
bashkësive vendase se do të respektonte ligjet dhe
doket e vjetra të vendit, administrata veneciane nuk
vonoi të krijojë pakënaqësi e të
bjerë në konflikt me popullsinë vendase. Në
Durrës, Shkodër, Drisht, Ulqin e në Tivar qeveritarët
venecianë shpërfillnin statutet e vendit dhe udhëhiqeshin
nga praktika koloniale. Qytetarët duhej të kryenin
një sërë shërbimesh e punësh angari
për shtetin venecian, të punonin për meremetimin
e mureve të qytetit, shpeshherë duke e paguar me
shpenzimet e veta lëndën e parë të ndërtimit
dhe duke e transportuar po vetë në vendin e duhur.
Me shërbime dhe angari të tilla ngarkohej edhe popullsia
e fshatrave përreth, nën juridiksionin e kështjellave.
Qytetarët detyroheshin gjithashtu të kryenin shërbimin
e patrullimit të qytetit dhe të rojes në portat
e tij, me kohëzgjatje e kushte mjaft më të
rënda nga çe përcaktonin këto
shërbime statutet e qytetit. Këto të fundit
përcaktonin gjithashtu që qytetarët të
kryenin shërbime të caktuara ushtarake, por vetëm
brenda qytetit, megjithatë qeveritarët venecianë
nuk ngurronin të nxirrnin trupat vullnetare të qytetarëve
edhe jashtë. Qeveritarët venecianë abuzonin
me statutet deri në atë masë saqë në
Drisht, p.sh., ua kërkonin kryerjen e shërbimit
të rojës edhe klerikëve, gjë që ishte
në kundërshtim flagrant me dispozitat statutore
të atij qyteti.
I vendosur në politikën e tij për ti
mbrojtur zotërimet e veta në Shqipëri me sa
më pak shpenzime e forca, Venediku u mundua të përfshinte
në sistemin e mbrojtjes së qytetit edhe krerët
feudalë të rrethinave, duke i bërë këta
për vete me të holla e privilegje. Ruajtja e Durrësit
dhe e prapatokës së tij mbështetej së
shumti edhe në aleancat me krerë nga familjet fisnike
Topiaj, Skurraj, Muzakaj etj. njerëz me pushtet
e fuqi të madhe ushtarake, të cilëve
Venediku u paguante provizion të përvitshëm,
u akordonte liri e privilegje të veçanta dhe u
lejonte hyrje-daljen e lirë në qytet, ndërkohë
që përgjithësisht zotërit feudalë
shiheshin si rrezik për qytetet në fjalë. Në
zonën e Shkodrës, ku vazhdonte të mbijetonte
një shtresë e fuqishme proniarësh, qeveritari
venecian arriti të sigurojë një mbështetje
të rëndësishme shoqërore, për sa
kohë mundi ti bëjë për vete ata.
Por, edhe pse u pranua si një alternativë e pushtimit
osman, në përgjithësi sundimi i Venedikut në
qytetet shqiptare dhe rrethinat e tyre u shoqërua me
pakënaqësi, konflikte e deri kryengritje të
vendasve, siç qenë ato të viteve 1399, 1405,
1410 e 1418-1419. Në sfond të tyre qëndronin
arsye të ndryshme, por ato ekonomike zinin vendin qendror.
Republika e Venedikut parashikonte që barra e shpenzimeve
për mbrojtjen e bregdetit shqiptar nga rreziku osman
të përballohej me burimet e vendit, ndaj që
në fillim ajo nxitoi ti shtjerë në dorë
këto burime. Nën administrimin e drejtpërdrejtë
të qeveritarëve venecianë kaluan të ardhurat
nga taksat, doganat, tregjet, peshkoret, dajlanet, kriporet,
që shpesh u jepeshin në sipërmarrje personave
të veçantë, kryesisht shtetas venecianë,
të cilët prireshin ti rrisnin ato duke rënduar
popullsinë vendase. Të ardhura të mëdha
Venediku nxori nga vendosja e monopolit të vet mbi produkte
të caktuara shqiptare, siç ishin drithërat
dhe kripa. Lidhur me drithërat, tregtimi i tyre u orientua
kryekëput drejt tregut venecian. Akoma më i rreptë
ishte kontrolli që Venediku vendosi mbi kripën.
Ai përfshinte edhe prodhimin e saj. Republika e ndaloi
në mënyrë kategorike ndërtimin e kriporeve
dhe prodhimin e kripës nga sipërmarrës privatë
shqiptarë. Tregjet shqiptare, nga Tivari deri në
Pargë e në Prevezë, duhej të furnizoheshin
me kripën e prodhuar në kriporet e Sinjorisë
në Korfuz e në Durrës, kuptohet me çmime
të caktuara nga shteti venecian. Edhe ky monopol venecian
mbi tregtinë e kripës u bë burim konfliktesh
të ashpra me bashkësitë shqiptare dhe me mjaft
krerë shqiptarë, të cilët e konsideronin
kripën një burim të rëndësishëm
të ardhurash: kripa është buka ime,
do ti shkruante më 1401 Gjon Zenebishi senatit
të Venedikut, duke shtuar se midis tij dhe Venedikut
do të mund të kishte paqe e mirëkuptim vetëm
në rast se ky i fundit hiqte dorë nga përpjekjet
për të shtënë në dorë ose për
të shkatërruar kriporet e tij të Sajadhës,
në Çamëri.
Gjithsesi, bashkësitë qytetare e fshatare shqiptare
që hynë nën sundimin e Venedikut kishin shumë
arsye për të qenë të pakënaqura nga
qeverisja e tij. Kjo pakënaqësi pasqyrohet në
ankesat e shumta që ato bashkësi i drejtuan pushtetit
qendror venecian, ku demaskoheshin arroganca dhe praktikat
shfrytëzuese të qeveritarëve venecianë
në Shqipëri. Shpeshherë pakënaqësia
ndaj qeverisjes shpërthente në formën e sulmeve
e të raprezaljeve kundër zyrtarëve e shtetasve
venecianë apo deri edhe në kryengritje të vërteta
popullore. Këto fitonin më shumë mbështetje,
kur drejtoheshin nga fisnikë po aq të pakënaqur
vendas. Kështu ndodhi në kryengritjet e viteve 1399,
1405, 1410 e 1418-1419 në trevat veriperëndimore
të udhëhequra nga Balshajt, që e rrezikuan
seriozisht sundimin venecian dhe që përfunduan edhe
me humbjen e përkohshme të qyteteve të Shkodrës,
Drishtit, Ulqinit e të Tivarit.
|
 |  |