 |  |
K R E U IV
SHOQËRIA SHQIPTARE DHE KULTURA NË MESJETË
1. SHOQËRIA SHQIPTARE
Fisnikëria
Lindja dhe zhvillimi i fisnikërisë shqiptare të
tokës u krye në kushte specifike nëpërmjet
veprimit të shumë faktorëve kontradiktorë.
Së pari, në kushtet kur vendi mbeti përgjatë
gjithë kohës nën sundimin e perandorive e të
mbretërive të huaja, kuptohet që procesi i
rritjes së klasës feudale shqiptare mbartte kufizimet
e veta drejt arritjes së një fizionomie të
plotë nacionale të saj.
Larmia e gjerë e titujve të fisnikërisë
që mbanin krerët shqiptarë tregon shkallën
e ndikimit dhe të integrimit të mjaft prej tyre
me sistemet e huaja shtetërore. Në hierarkinë
shqiptare ndeshen sa tituj bizantinë (despot, sebastokrator,
sebast, heteriark, protokathimen, kabalarios, qefali etj.),
aq edhe tituj perëndimorë (kapiten, judex, miles,
kastelan, mareskalk, protontin, admiral) e sllavë (zhupan,
kasnec, vojvodë etj). Në fakt, mjaft fisnikë
shqiptarë ishin të integruar në administratat
e huaja, qendrore e provinciale, në atë masë
saqë dobësoheshin lidhjet me mjediset e tyre. Qysh
në fillimet e shek. XI ka dëshmi për fisnikë
shqiptarë nga familjet Skurra, Arianiti etj., që
ishin përfshirë në fisnikërinë e
Mbretërisë së Sicilisë apo të Perandorisë
Bizantine. Por kjo nuk do të thotë se shumica e
aristokracisë shqiptare, ndonëse nën ndikim
e tutelë të huaj, të mos orientohej ku më
shpejt e ku më vonë drejt emancipimit të vet,
siç e provoi në fund të fundit edhe krijimi
i Principatës së Arbrit që në shek. XII,
apo i principatave e formacioneve të tjera shtetërore
shqiptare në shek. XIV-XV.
Karakteristikë e përbashkët është
se vatrat e këtyre formacioneve ndodheshin thuajse gjithmonë
larg qyteteve e kështjellave, ku qe përqendruar
administrata e pushteti i huaj, qoftë ky bizantin, anzhuin
apo serb. Familjet që ishin në krye të principatave
të shekujve XII-XV, nga Skurrajt, Blinishtët, Jonimët,
Arianitët, Topiajt, Gropajt, Muzakajt, Matrëngët,
Buat etj., vinin kryesisht nga zonat malore. Pushteti i tyre
mbështetej në lidhjet që këta krerë
kishin me popullsinë e vendit, duke përfshirë
edhe lidhjet e gjakut, në madhësinë e "fisit"
e, për rrjedhojë, në numrin dhe në cilësinë
e forcës së armatosur që këta krerë
kishin mbas vetes. Kjo përbënte në thelb bazën
e autoritetit të tyre. Sunduesit e radhës, bizantinët,
anzhuinët apo serbët, detyroheshin t'i llogaritnin
këta krerë, që zotëronin një potencial
luftarak të konsiderueshëm. Ndaj kërkuan t'i
tërhiqnin ata duke u njohur, në një farë
mase, pushtetin e tyre mbi zonat respektive, duke u dhënë
tituj e prona dhe duke i përfshirë kështu në
sistemin e qeverisjes. Ky raport i pushteteve të huaja
me aristokracinë shqiptare u shoqërua edhe me joshjen
nëpërmjet dhënies së pronave dhe zhvendosjes
së mjaft krerëve drejt viseve ku ndodheshin qendrat
e pushtetit. Kështu, në shek. XIV, Skurrajt e malësisë
së Tiranës ishin bërë zotër të
një pjese të madhe të ultësirës,
që për hir të tyre u quajt "Skurrje".
Mjaft prej Skurrajve u vendosën në Durrës e
u bënë qytetarë të tij. E njëjta
gjë ndodhi me Muzakajt e malësisë së Oparit,
të cilët po atë kohë shtinë në
dorë një pjesë të mirë të ultësirës
midis Beratit, Vlorës e Karavastasë, e cila për
hir të tyre filloi të quhet "Muzakje"
(Myzeqeja e sotme). Dhurimin e pronave apo të feudeve
në zonat fushore, rreth e rrotull qendrave të mëdha,
si në Shkodër, Lezhë, Dibër, Durrës,
Vlorë, Vageneti, Janinë, Kolonjë, Devoll etj.,
krerët shqiptarë duhet ta shpërblenin duke
u ofruar shërbimet e tyre, kryesisht shërbimin ushtarak,
strategëve bizantinë apo mëkëmbësve
e kështjellarëve anzhuinë. Kështu, qoftë
në epokën bizantine, qoftë edhe në atë
anzhuine, në kështjellat kryesore të Durrësit
e Vlorës përmenden krerë të ndryshëm
nga krahinat fqinje, të cilët qëndronin brenda
mureve të kështjellave në fjalë për
një periudhë të caktuar bashkë me suitën
e tyre (familia). Atyre u besohej ruajtja e objekteve të
veçanta, zakonisht e kullave përgjatë murit
rrethues. Pjesën tjetër të vitit krerët
feudalë e kalonin në zotërimet e tyre ku ndodhej
banesa e fortifikuar (fortis domus), në të cilën
ata strehoheshin bashkë me familjen e me njerëzit
e tyre të armatosur. Sipas shtrirjes së zotërimeve
të tyre, feudalët mund të kishin disa vendqëndrime
të tilla të fortifikuara. Mjaft prej tyre kishin
dhe rezidenca verore, ku kalonin muajt e nxehtë të
vitit, si, p.sh. Balshajt në malësinë e Tivarit
apo Muzakajt në atë të Skraparit. Që nga
shek. XIII feudalët shqiptarë fillojnë të
tërhiqen pas qyteteve të mëdha, si Durrësi,
Shkodra, Ohri, Kosturi, Janina, ku kalonin një pjesë
të kohës "për punë ose për t'u
zbavitur" (pro suis factis vel pro placere). Shumë
prej tyre blenë aty edhe banesa. Emrat e disa prej familjeve
aristokrate të qyteteve tona, si Skurraj, Vranajt, Neshat
në Durrës, Sumat e Spanët në Shkodër,
flasin për një proces urbanizimi të aristokracisë
së tokës në shek. XIII-XIV. Në kohën
e emancipimit të plotë të tyre, në shek.
XIV, mjaft krerë shqiptarë e shpërngulën
selinë e tyre kryesore në qytetet e kështjellat
e mëdha. Kështu, Topiajt kaluan nga Kruja në
Durrës, Balshajt e vendosën rezidencën kryesore
në Shkodër, Zahariajt në Dejë, Dukagjinët
në Lezhë, Gropajt në Ohër, Muzakajt në
Berat, Shpatajt në Artë, e kështu me radhë.
Vendqëndrimi i tyre në qytet ngrihej në pjesën
mbizotëruese të tij (castrum), aty ku më parë
qëndronte qeveritari bizantin, serb apo anzhuin. Ai formonte
një sistem të fortifikuar të mëvetshëm
brenda kështjellës, shpeshherë e ndarë
prej saj me mure. Rezidenca e sundimtarit përfaqësohej
nga banesa për të dhe për familjen, si dhe
kazerma për gardën e tij të armatosur. Në
të përfshiheshin depot e drithit e të armëve,
pusi ose cisterna e ujit, farkëtaria e deri burgu i kështjellës,
pra gjithçka që lejonte funksionimin e pavarur
të kësaj pjese të qytetit në rast rrethimi.
Zona rezidenciale e kështjellës përbënte
në çdo rast pjesën më të mbrojtur
të saj dhe bastionin e fundit të qëndresës
në rast sulmi.
Objekte të rëndësishme ushtarake, siç
ishin kullat përgjatë mureve rrethuese të qytetit,
merreshin në mbrojtje nga njerëz të besuar
të feudalit me trupat e tyre.
Veçoritë që karakterizuan zhvillimin e fisnikërisë
shqiptare gjetën pasqyrim edhe në mënyrën
e organizimit e të funksionimit të oborrit feudal
e, në një kuptim më të gjerë, të
formacioneve feudale shqiptare. Edhe këtu, ndikimi i
traditës ishte mjaft i fuqishëm.
Nëse lihet mënjanë një shtrirje e kufizuar
e territorit bregdetar shqiptar, ku në periudha të
veçanta u ndie fort ndikimi i feudalizmit perëndimor,
në përgjithësi në Shqipëri vepronte
e drejta bizantine, por dhe kjo ishte efektive në viset
fushore, pranë qendrave të mëdha administrative.
Kjo e drejtë njihte si zot e pronar të vetëm
shtetin, në personin e perandorit, ndërsa feudalët
e veçantë s'ishin veçse përdorues
të tokës, të cilën vetë perandori
ua kalonte me dekret të veçantë, për
një kohë të kufizuar dhe me kushte të
përcaktuara, ndër të cilat shërbimi ushtarak
në favor të perandorit përbënte kushtin
kryesor. Ky qe thelbi i sistemit të pronies, që
përbënte bazën e feudalizmit bizantin në
shekujt XI-XIV. Kuptohet që një sistem i tillë,
ndërsa krijonte një shtresë fisnikësh
të lidhur me pushtetin qendror, i krijonte tej mase pengesa
fuqizimit dhe emancipimit të tyre politik, për sa
kohë ata nuk ishin pronarë me të drejta të
plota të tokës së tyre. Në rast se proniari
ose pasardhësi i tij nuk u përmbaheshin detyrimeve
ndaj perandorit, përkatësisht detyrimit ushtarak,
ata privoheshin nga pronia, e cila po me dekret perandorak
(krysobullë) i jepej një personi tjetër. Rrjedhimisht,
sistemi qe menduar i tillë që nuk nxiste fuqizimin
e feudalëve të veçantë, qoftë nëpërmjet
kufizimit e kushtëzimit të institucionit të
trashëgimisë.
E drejta dhe jeta feudale në Shqipëri
Është e vërtetë se veprimi i së drejtës
bizantine paraqitej i kufizuar në Shqipëri, qoftë
për statusin e veçantë që kjo kishte
në kuadrin e Perandorisë Bizantine, qoftë dhe
për faktin se këtu, për kushtet e terrenit,
kishte peshë deri vonë në shek. XIV prona e
vogël e lirë e fshatarit. Kjo e fundit i nënshtrohej
më së shumti veprimit të së drejtës
tradicionale dokesore, e cila, nga ana e saj, nuk mungoi të
ndikojë fuqishëm edhe në marrëdhëniet
që ndërthurreshin përreth familjeve dhe oborreve
feudale, aq më shumë që këto e kishin
prejardhjen e tyre nga zona ku bashkësia fshatare dhe
prona e vogël e lirë mbeteshin tipar mbizotërues
i marrëdhënieve të pronës dhe i atyre
shoqërore.
Një nga veçoritë thelbësore të
së drejtës dhe praktikës dokesore shqiptare
ishte ajo që kishte të bënte me institucionin
e trashëgimisë. Në Shqipëri ishte zakoni
që askush nga fëmijët meshkuj nuk përjashtohej
nga e drejta e trashëgimisë. Një gjë e
tillë pengonte përqendrimin dhe favorizonte copëzimin
e vazhdueshëm të pronave. Ky copëzim pasqyrohej
edhe në lëmin e autoritetit dhe të pushtetit.
Qoftë familja fisnike e zakonshme, qoftë principatat
e mëdha apo të vogla drejtoheshin në bazë
të parimit të bashkëqeverisjes (konregjencës).
Në fakt, institucioni i bashkëqeverisjes njihej
dhe zbatohej sa në Bizant, aq edhe te popujt fqinjë
të shqiptarëve. Por tek ata ky institucion realizohej
nëpërmjet kooptimit në pushtet nga ana e babait
sovran, e njërit prej bijve, zakonisht më të
madhit, me qëllim trashëgimin e plotë e të
pandarë të pushtetit. Përkundrazi, te shqiptarët
si drejtimi i ekonomisë familjare, ashtu dhe qeverisja
e shtetit (principatave) realizohej nëpërmjet bashkëpjesëmarrjes
së të gjithë vëllezërve. Kështu,
Principatën e Balshajve në gjysmën e dytë
të shek. XIV e qeverisnin njëherësh tre vëllezërit,
Strazimiri, Gjergji e Balsha II. Po atë kohë, Despotati
shqiptar i Artës (Epirit) qeverisej nga vëllezërit
Gjin e Sguro Bua Shpata. Vëllezërit Lekë e
Pal qenë në krye të Dukagjinëve të
Lezhës, në kohën kur tre vëllezërit,
Gjin, Stojë e Teodor, drejtonin po ashtu Principatën
e Muzakajve. Asnjë vendim që kishte të bënte
me principatën nuk mund të merrej në një
mënyrë të njëanshme nga njëri prej
vëllezërve. Deri edhe kancelaria dhe vula zyrtare
ishte e përbashkët.
Në planin praktik, secili nga vëllezërit sundimtarë
merrej me administrimin dhe qeverisjen e një pjese të
zotërimit feudal. Vëllait të madh, i cili gjithsesi
gëzonte privilegjin e moshës, i takonte të
drejtonte zotërimet tradicionale të familjes. Lidhjet
e veçanta historike, njerëzore e shpirtërore
që familja sundimtare kishte me to, e bënin këtë
pjesë tradicionale të principatës elementin
bazë e të qëndrueshëm të saj. Kështu
në vitet 70 të shek. XIV, më i madhi i vëllezërve
Muzaka, Gjini, administronte zotërimet e hershme të
familjes në malësitë e Oparit, ndërkohë
që të vëllezërit qeverisnin vendet më
të buta e më të pasura të Myzeqesë
e të fushës së Korçës e të
Kosturit. Por fakti që në Opar e në viset përreth
Muzakajt kishin fillimet e historisë së tyre, njerëzit
më besnikë, vatrat dhe varret e hershme të
tyre, e bënte këtë krahinë qendrën
shpirtërore të principatës.
Gjithsesi, bashkadministrimi dhe bashkëqeverisja e zotërimit
familjar apo e principatave sillte shpërqendrimin e copëzimin
e pronës e të pushtetit, për rrjedhojë
edhe dobësimin e tyre, aq më tepër që
kjo ndarje nuk i shmangte, por përkundrazi i nxiste grindjet
e rivalitetet. Nuk është e rastit që zotërimet
feudale shqiptare njohën kulmet e zhvillimit kur në
krye të tyre, për një arsye apo tjetrën,
qëndroi vetëm një person. Kështu ndodhi
me Balshajt në kohën e sundimit të Balshës
II, me Topijat në kohën e princit Karl Topia, apo
me Muzakajt në kohën e sundimit të gjatë
të despotit Andrea II (1335-1371).
Krijimi i zotërimeve e i principatave të pavarura
shqiptare në shek. XIV kurorëzoi një proces
të gjatë zhvillimi, gjatë të cilit klasa
feudale shqiptare fitoi gjithnjë e më shumë
atribute e pavarësi ekonomike, politike e së fundi
dhe ato gjyqësore. Sunduesit bizantinë, serbë
etj., e mbajtën me fanatizëm deri në fund pushtetin
gjyqësor, si tregues kryesor i sovranitetit. Proceset
dhe çështjet gjyqësore zgjidheshin nga gjykatës
të dërguar nga qendra dhe që vepronin në
bazë të ligjeve të mishëruara në
përmbledhjet zyrtare ligjore, siç qenë kodet
bizantine ose "kodi i Stefan Dushanit". Megjithatë
normat dhe praktikat dokesore në marrëdhëniet
e përditshme ishin aq shumë të rrënjosura,
saqë ato shpeshherë mbizotëronin mbi ligjet
e shtetit.
Në marrëveshjet e nënshkruara me krerët
shqiptarë dhe në privilegjet e lëshuara për
bashkësitë shqiptare, perandorë të ndryshëm
bizantinë, mbretër serbë e anzhuinë apo
qeveritarë venecianë angazhoheshin të qeverisnin
sipas "normave dhe dokeve të vjetra". Kjo përbënte
një element të rëndësishëm të
njohjes së autonomisë gjyqësore administrative
të bashkësive e të njësive të caktuara
lokale. Me rënien e perandorive ballkanike, siç
qenë ajo bizantine dhe ajo serbe, edhe privilegji i gjykimit
u kaloi feudalëve të veçantë, të
cilët tashmë mund të gjykonin e të vendosnin
për të gjitha çështjet civile e penale
që lindnin në zotërimet e tyre (rationen et
iustitiam in civilibus et criminalibus dare). Marrja në
dorë e gjykimit të çështjeve gjyqësore
në juridiksionin e vet, shënonte hapin e fundit
të kthimit të fisnikëve shqiptarë në
zotër të pavarur. Megjithatë pushteti gjyqësor
i fisnikëve vazhdoi të kufizohej nga veprimi i së
drejtës dokesore apo asaj kanonike. Kjo e fundit mbizotëronte
sidomos në çështjet që kishin të
bënin me martesën, me të drejtën e trashëgimisë
etj. Mjaft çështje të tjera zgjidheshin në
bazë të "kodit të nderit". Ky i fundit
shprehej më së pari në fushën e betejës.
"Kronika e Janinës" e shek. XIV na bën
të ditur se luftëtarët e Gjin Bua Shpatës
i sulmonin armiqtë me thirrjen kalorësiake "ruaju"
për t'u dhënë atyre mundësinë që
të mbroheshin. Kjo ishte normë e së drejtës
dokesore. Sado të ashpër që tregoheshin gjatë
luftimit, shqiptarët fitimtarë nuk hakmerreshin
mbi të mundurit në mënyra të vrazhdëta,
siç ndodhte me shumë popuj të huaj. Robërit
e luftës nuk u nënshtroheshin ndëshkimeve e
gjymtimeve trupore. Shumë-shumë, në shenjë
zhburrërimi atyre u pritej mjekra. Shpesh robërit
e luftës, sidomos kur qenë personalitete me emër,
mbaheshin peng si mjet presioni ndaj kundërshtarit. Në
mjaft raste, siç e donin praktikat e kohës, ata
liroheshin kundrejt pagesës. Nuk mungonin edhe rastet
kur një martesë në kohën e duhur kthente
paqen midis familjeve rivale, siç ndodhi me Balshajt
dhe Topiajt në vitet 60 të shek. XIV. Ndërkohë
që çmonte trimërinë e fisnikërinë,
qoftë edhe të kundërshtarit, morali shqiptar
dënonte ashpër paburrërinë dhe tradhtinë.
Tradhtar ishte sharja më e rëndë
që mund ti drejtohej dikujt. Më 1436 në
Fano të Italisë u bë gjyqi i një shqiptari
me emër Gjergj, i cili në zemërim e sipër
kishte tentuar të vriste një banor vendas duke e
thirrur atë tradhtar. Në statutet e
Shkodrës kishte një dispozitë të veçantë
për fyerjen me fjalën tradhtar. Kundravajtësit
gjobiteshin me një shumë të jashtëzakonshme
prej 500 hyperperësh, ndërkohë që prerja
e mjekrës, e konsideruar edhe kjo fyerje e rëndë,
dënohej me 50 hyperperë. Nga po të njëjtat
statute mësohet se sharja tradhtar ishte
mënyra më e mirë për të grishur dikë
në dyluftim. Tradhtarët e frikacakët meritonin
ndëshkimet më të rënda. Ky moral nuk bënte
përjashtim as për bashkëpunëtorët
më të afërt, as për njerëzit e familjes
madje as dhe për njerëzit e fesë. Balshajt,
Kastriotët, Dukagjinët, Muzakajt e të tjerë
fisnikë shqiptarë nuk ngurronin t'i dënonin
me burgim, madje dhe me vdekje, njerëzit e tyre, që
në një moment të caktuar i kishin "tradhtuar
". Tradhtarëve gjithashtu u sekuestrohej pasuria.
Normat e së drejtës dokesore vepronin fort edhe
në fushën e marrëdhënieve martesore, ndonëse
këtu pretendonte të mbizotëronte e drejta kishtare
(kanonike). Kurorëthyerja paguhej me jetë: një
fisnik nga dera e Dukagjinëve nuk ngurroi të vrasë
të dashurin e gruas së tij edhe pse ky ishte klerik
i lartë. Në rast se një grua e martuar braktiste
të shoqin, detyrën për ta gjetur dhe për
ta risjellë e kishte sa burri i mashtruar, aq edhe "vëllazëria".
Në vitin 1198 një fisnik nga Kolonja, Aleks Kapandriti,
pasi kishte vrarë gruan e parë, u martua për
së dyti me gruan e një arkondi nga Durrësi
me emrin Bardh. Por nuk e gëzoi këtë martesë,
sepse vëllai i kurorëthyeses e zuri e pasi i keqtrajtoi
që të dy, ia dorëzoi përsëri të
motrën burrit të parë.
Gjakmarrja dëshmohet që në atë kohë,
vinte në luftë familje dhe bashkësi të
tëra. Prej saj nuk shpëtonin as përfaqësuesit
e elitës drejtuese. Kështu në vitin 1416 pas
një vrasjeje, Balshajt kishin hyrë në gjak
me bashkësinë e Hotëve. Në emër të
"nderit" përziheshin në akte dhune e gjaku
edhe vetë njerëzit e fesë. "Kronikat e
zeza" të shekujve XII-XV japin raste jo të
pakta, kur klerikë të thjeshtë e deri peshkopë
e kryepeshkopë, bëheshin autorë ose viktimë
krimesh për fyerje ose për çështje nderi.
Fuqia dhe pushteti i familjeve aristokrate shqiptare matej
me madhësinë e cilësinë e zotërimeve
të tyre, me sasinë e njerëzve që ata mund
të armatosnin, por edhe me lidhjet dhe aleancat e tyre
të jashtme. Këto të fundit ishte zakon të
sanksionoheshin, përveçse me traktate e marrëveshje
të përkohshme, edhe me lidhje familjare të
qëndrueshme. Në shek. XIV të gjitha familjet
fisnike shqiptare ishin të grupuara në aleanca të
caktuara ushtarako-familjare. Kështu, nëpërmjet
krushqive Muzakajt qenë lidhur në aleanca të
qëndrueshme me Arianitët, Balshajt, Zenebishët,
Gropajt e deri Dukagjinët e veriut. Po ashtu, përreth
Balshajve në veri, apo Shpatajve në jug, qenë
krijuar aleanca politiko-ushtarake, të cilat mbështeteshin
edhe në lidhjet familjare. Roli i këtyre aleancave
dilte në pah në rast se njëri nga pjesëtarët
përfshihej në ndonjë konflikt ushtarak. Në
atë rast, pjesëtarët e tjerë i gjendeshin
në krah me forca e mjete. Kështu, në luftërat
e shumta që pati me despotin serb të Janinës,
Thoma Preljuboviçin, despoti i Artës, Gjin Bua
Shpata, u ndihmua vazhdimisht nga dhëndri i tij, Gjon
Zenebishi i Gjirokastrës. Po ashtu, në betejën
e Kosturit më 1371 kundër Mark Krajleviçit,
despotit Andrea Muzaka i shkuan në ndihmë Balshajt,
Gropajt e të tjerë fisnikë, aleatë e familjarë
të tij.
Lidhja familjare midis familjeve të mëdha, përveç
anëve politike e ushtarake, përmbante edhe elementin
ekonomik, për sa kohë që shoqërohej edhe
me dhënien e feudeve në formë paje. Një
gjë e tillë u jepte shkas fisnikëve të
caktuar që në momente të përshtatshme
të ngrinin pretendime mbi zotërimet e familjeve
me të cilat kishin krushqi, sidomos kur këto binin
në vështirësi dhe nuk ishin në gjendje
t'u dilnin zot pronave të tyre. Në këtë
rrugë, Gjon Muzaka pretendonte të ishte nga fundi
i shek. XV, zot i ligjshëm sa i zotërimeve atërore,
aq edhe i atyre të Zenebishëve, të Gropajve,
të Balshajve (Vlorë), Arianit-Komnenëve etj.
Nga ana e tij, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu mëtonte
se ishte trashëgimtar i ligjshëm i zotërimeve
të Topiajve e të Balshajve dhe si për të
theksuar këtë, i shtoi emblemës së familjes
edhe simbolet e këtyre dy familjeve, luanin dhe yllin.
Por zakonisht, pretendime të tilla mbi bazë trashëgimie
mbi zotërimet e familjeve të tjera, realizoheshin
nëpërmjet aneksimit me forcë të tyre.
Jo rrallë herë aleancat familjare shtriheshin edhe
me familje fisnike e princore të huaja, gjë që
sillte një rritje të veçantë prestigji
dhe mbështetje të jashtme. Kështu, Gjon Zenebishi
e kishte martuar një vajzë të tij me Petro
Altavilën, pinjollin e dinastisë së famshme
normane, që mbretëroi në Italinë e Jugut
në shek. XI-XII. Po ashtu, Gjin Bue Shpata një vajzë
të tij ia kishte dhënë fisnikut nga Firencja,
Ezau Buondelmonte Açajuoli, që u bë despot
i Janinës. Nga ana e tij konti Andre Topia u martua me
një princeshë nga anzhuinët e Napolit. Kjo
lidhje familjare me dinastinë frënge të anzhuinëve
ndihmonte në forcimin e pozitave të jashtme por
dhe të brendshme të Karl Topisë kundrejt rivalëve
të tij. Jo pa arsye ai shfrytëzonte çdo rast,
siç bën edhe në mbishkrimin ktitorial të
manastirit të Shën Gjon Vladimirit të vitit
1381, për të vënë në dukje këto
marrëdhënie të veçanta "gjaku"
(eks haimatos) me anzhuinët. Në këtë kuadër
ai i shtoi stemës së familjes Topia, që kishte
në qendër figurën e luanit, edhe motivin e
zambakut, simboli i anzhuinëve francezë.
Për konsolidimin e pushtetit të tyre, feudalët
shqiptarë nuk nënvleftësonin edhe faktorët
fetarë e kulturorë. Të shumtë qenë
ata që, sipas koniunkturës politike, ndërruan
edhe besimin. Duke lënë mënjanë konvertimin
në masë të fisnikëve shqiptarë në
fenë islame prej shek. XV, edhe më përpara
shumë syresh bënë kapërcime nga besimi
ortodoks në atë katolik e anasjelltas, për
t'iu përshtatur rrethanave politike. Përmasa të
mëdha mori veçanërisht në shek. XIV
kalimi në katolicizëm i mjaft dyerve fisnike, siç
qenë Balshajt, Matrëngët, Skurrajt, Muzakajt,
Zahariajt e shumë të tjerë, që me këtë
hap kërkonin para së gjithash të siguronin
aleancën e fuqive katolike të Evropës të
kryesuara nga Papati kundër rrezikut të ekspansionit
serb në tokat shqiptare. Në këtë kuadër
edhe mjaft pinjollë të familjeve Skurraj, Topiaj,
Kamonaj, Matrënga, Muzakaj etj., mbushnin radhët
e klerit dhe të urdhrave fetarë katolikë, siç
qenë ai françeskan e dominikan. Kuptohet se mjaft
prej tyre edhe pse veshën petkun e klerikut, vazhduan
të merrnin pjesë gjallërisht në ngjarjet
dhe në intrigat politike, duke mbrojtur interesa të
caktuara. Peshkopët e Durrësit, p.sh., luajtën
një rol të dorës së parë në
fatet e qytetit. Sipas rastit, ata përgatitën kalimin
e qytetit sa te Bizanti, aq tek anzhuinët, te venecianët
e deri te Topiajt shqiptarë.
Në shek. XIII-XIV oborret e fisnikëve shqiptarë
morën pamjen e plotë të qendrave të pushtetit,
me funksione sa ushtarake, aq dhe civile. Përveç
krerëve ushtarakë, aristokrati i fuqishëm mbante
në kështjellën e vet një personel të
tërë "civil" të përfaqësuar
nga llogaritarë, intendentë, doganierë, gjykatës,
ambasadorë, shkrues, kronikanë, arkitektë,
piktorë, muzikantë etj. Person mjaft i afërt
me fisnikun ishte kleriku i familjes, tek i cili ai dhe familja
e tij merrte këshilla e mësime në punët
e fesë, si dhe rrëfente "mëkatet"
e tij. Por, përveç rolit të këshilltarit
intim, kleriku në fjalë luante shpesh edhe rolin
e mësuesit dhe të edukatorit për fëmijët
e aristokratit, atë të një sekretari e ambasadori
të posaçëm për misione delikate, të
shkruesit, të kronistit etj. Futja në çështjet
më intime të shtetit dhe të familjes së
fisnikut i bënte këta klerikë persona me pushtet
të jashtëzakonshëm, por edhe të ekspozuar
ndaj zemërimit të padronëve të tyre. Karakteri
i rezervuar dhe i përvuajtur bënte që klerikët
në fjalë ta kryenin besnikërisht detyrën
e njeriut të besuar të fisnikut. Por ndodhte edhe
që për një fjalë apo një gjest të
pamatur, që binte ndesh me natyrën e rezervuar të
detyrës së tyre, edhe kleriku "i familjes"
ta pësonte keq, siç e pësoi më 1408
murgu Theodotir, sekretar e këshilltar i Teodor Muzakës
së Beratit, të cilin, s'dihet se për ç'mëkat,
i zoti i tij e mbylli me pranga në burgun e kështjellës
së Skraparit.
Aristokratët shqiptarë ndërhynin deri te Papa
ose Patriku për t'i emëruar këta klerikë
të oborrit peshkopë e kryepeshkopë në
krahina, ku fisnikët në fjalë synonin të
shtrinin ndikimin dhe kontrollin e tyre. Në dokumentet
e shek. XIII-XIV bëhet fjalë vazhdimisht për
prelatë të tillë, të cilët ishin
vënë në krye të dioqezave nën presionin
e pushtetit laik (per potentiam laicalem). Me ndërhyrjen
dhe rekomandimin e krerëve shqiptarë, një klerik
shqiptar, murgu dominikan Domenik Topia, arriti të bëhet
rreth vitit 1340, këshilltar e kapelan i mbretit të
Napolit, Robertit I Anzhu.
Fuqizimi ekonomik e politik i fisnikëve nga shek. XIII,
bëri që të rritej edhe funksioni i tyre shoqëror.
Ata filluan të merrnin përsipër veprimtari
të tilla me interes të përgjithshëm, si
ndërtime kishash e manastiresh, hapje e meremetime rrugësh,
ndërtim veprash me karakter mbrojtës, veçanërisht
në dobi të qyteteve e manastireve të mëdha.
Oborret e aristokratëve të tillë të mëdhenj,
si Balshët, Topiajt, Arianitët etj., filluan të
konkurrojnë shkronjëtoret (skriptoria) e manastireve
për sa i përket realizimit të kodikëve
e dorëshkrimeve të çmuara, me të cilat
merreshin mjeshtër të kualifikuar që pajtoheshin
nga qytetet e zhvilluara të Shqipërisë ose
edhe nga vende të tjera. Për t'u lënë
pasardhësve kujtimin e tyre dhe të familjeve të
tyre, fisnikët shqiptarë morën zakonin të
porosisnin shkrimin e kronikave e gjenealogjive, apo bërjen
e portreteve të tyre në pikturë (afreske e
miniaturë) nëpër fasadat e kishave ose në
faqet e dorëshkrimeve.
Aristokratët linin porosi të varroseshin në
kisha ose në manastire të ngritura nga ata vetë
apo nga paraardhësit e tyre. Varret, shpeshherë
monumentale, shoqëroheshin gjithnjë nga mbishkrime
të pikturuara ose të gdhendura, që thuajse
gjithnjë i thurrnin lavd përshpirtmërisë
së të vdekurit. Këtë zakon e ruajtën
edhe shumë nga fisnikët shqiptarë të emigruar
në Itali pas pushtimit të vendit nga osmanët.
Në këto mbishkrime thuajse asnjëherë nuk
harrohet të shënohet atdheu i të vdekurve,
si dhe rrethanat që detyruan largimin e tyre nga Shqipëria.
Mjaft nga këto sjellje dhe praktika të fisnikëve
shqiptarë u përftuan pas kontaktit me qytetet, sidomos
me ato të bregdetit perëndimor. Këtu këta
blenë prona, shtëpi, troje dhe lidhën kontrata
me tregtarë vendas për import-eksport mallrash.
Mjaft prej tyre qëndronin një pjesë të
vitit në qytet për të ndjekur vetë veprimtaritë
ekonomike. Por shpeshherë qyteti ishte për ta edhe
një vend zbavitjeje. Kishte edhe të tillë që
vizitonin, për qëllime pune apo argëtimi, edhe
qytetet e Italisë e të Dalmacisë. Krushqitë
dhe miqësitë, që thurrnin aristokratët
e tokës me familje të patriciatit qytetar, i bënin
edhe më të ngushta lidhjet me qytetin. Mjaft pinjollë
familjesh fisnike u vendosën përfundimisht në
qytet dhe me kalimin e kohës me ta ndodhi dukuria e asimilimit
shoqëror e kulturor dhe shkrirja e tyre në rrethin
e aristokracisë qytetare.
Kleri dhe roli i tij në jetën shoqërore
e politike
Në institucionet kishtare të shpërndara në
të gjithë vendin vepronin klerikë shqiptarë
të të gjitha niveleve. Për nga prejardhja dhe
nga formimi këta përbënin një masë
tepër heterogjene.
Klerikët e niveleve të ulëta, famulltarë,
murgj, dhjakë etj., rekrutoheshin nga shtresat e vobekta
të popullsisë. Për shumë prej tyre, shërbimi
fetar ishte veç të tjerash një mjet jetese.
Megjithatë futja në karrierën fetare nuk e
zgjidhte gjithmonë problemin e ekzistencës. Burimet
historike përmendin priftërinj shqiptarë të
katandisur në gjendjen e lypësit, që shpeshherë
detyroheshin të braktisnin vendin e tyre e të kërkonin
fatin e tyre gjetkë. Në shekujt XIII-XV Raguza e
qytetet e tjera dalmatine buisnin nga klerikë të
thjeshtë shqiptarë të ardhur nga Drishti, Baleci,
Deja etj. Një pjesë e tyre arrinte të gjente
njëfarë sistemimi në kishat e manastiret e
këtyre qyteteve. Të tjerë detyroheshin të
merreshin me veprimtari jashtëkishtare, si tregti, artizanat
etj. Nuk mungojnë të dhënat edhe për ngatërrimin
e tyre në akte kriminale.
Klerikët e lartë, në të kundërtën,
si rregull vinin nga radhët e aristokracisë së
tokës dhe të qytetit. Nga një familje e shquar
qytetare durrsake rridhte kryepeshkopi Kostandin Kabasilla
që, aty nga mesi i shek. XIII, ishte në krye të
kishës ortodokse të Durrësit e më tej
të asaj të Ohrit. Dominik Topia, vëlla i kontit
Tanush Topia nga Arbri, bëri një karrierë të
shquar në Urdhrin Dominikan. Në shek. XIV-XV vetëm
qyteti i Lezhës pati një sërë peshkopësh
nga dyert Suma, Jonima e Kamona. Bujarë të tjerë
nga familjet Dushmani, Zaharia, Skurra drejtuan selitë
peshkopale të Pultit, Sapës, Krujës, Stefaniakës.
Më 1422 Pjetër Spani nga Drishti emërohet kryepeshkop
i Tivarit, ndërsa vite më vonë, drishtiani
tjetër Pal Engjëlli ishte kryepeshkop i Durrësit.
Formimi i klerikëve të rinj bëhej në shkollat
fetare që funksiononin pranë kishave katedrale ose
pranë manastireve të mëdha në Durrës,
Tivar, Shkodër, Ohër, Drisht, Berat, Mesopotam etj.
Këtu merreshin njohuritë doktrinare e teologjike
më të domosdoshme për tiu kushtuar profesionit
të priftit ose të murgut. Për shumë klerikë
shqiptarë periudha e formimit vazhdonte edhe më
tej, me ndjekjen e shkollave më të larta në
vende të tjera. Për klerikët ortodoksë
ishin mjaft të parapëlqyera manastiret e mëdha
të Thesalisë (Stagoi, Meteorët) apo ato të
Malit Athos (Lavra, Hilandari). Klerikët katolikë
nga ana e tyre frekuentonin institucione të njohura në
Dalmaci e në Itali. Mjaft prej këtyre klerikëve
që i konsolidonin njohuritë e tyre jashtë,
arritën të zënë poste të rëndësishme
kishtare jo vetëm në Shqipëri, por edhe në
vende të tjera. Kështu, p.sh., rreth vitit 1250,
Nikolla nga Durrësi, u tërhoq nga papa Inocenti
IV në Dhomën Apostolike me detyrën e sekretarit
e më tej u emërua prej tij peshkop i Krotonës.
Një tjetër klerik katolik nga Durrësi, Andrea,
u emërua më 1379 Provincial i Urdhrit Dominikan;
Dominik Topia, nga familja e njohur e bujarëve të
Arbrit, ishte për mjaft vjet kapelan personal i mbretit
Robert Anzhu të Napolit e më 1345 vepronte si mëkëmbës
i përgjithshëm i Urdhrit Dominikan për Dalmacinë
e për Durrësin.
Edhe më i madh qe numri i klerikëve të thjeshtë
katolikë që qenë sistemuar në vende të
tjera, kryesisht në Itali e Dalmaci. Veçanërisht
i lartë ishte numri i klerikëve shqiptarë në
qytetin e Raguzës. Ata vinin kryesisht nga Drishti, Ulqini,
Pulti, Tivari, Baleci e nga Durrësi. Në vitin 1374
kuvendi i fretërve dominikanë në Raguzë
ishte thuajse plotësisht me murgj shqiptarë.
Anasjelltas, edhe në Shqipëri gjendeshin me shumicë
klerikë të huaj. Duke e quajtur Shqipërinë
një zonë tepër delikate të konfrontimit
me ortodoksinë bizantine, Papati dërgoi këtu,
që me krijimin e tyre në shek. XIII, misionarë
të urdhrave dominikanë e françeskanë,
që u bënë propagandistë të vijës
së parë të çështjes katolike në
Lindje. Pjesëtarët e këtyre dy urdhrave u vunë
deri në krye të peshkopatave e kryepeshkopatave
shqiptare, siç qenë kryepeshkopët e Tivarit,
françeskani Giovanni de Plano Kaprino (1249-1252),
dominikani Guljemi i Adës (1324-1344) ose françeskani
tjetër, Antoni II, kryepeshkop i Durrësit (1269-1316).
Duke përjashtuar rastet kur emërimi bëhej drejtpërsëdrejti
nga Selia e Shenjtë, krerët e dioqezave katolike
në Shqipëri, përkatësisht kryepeshkopët
e Durrësit e të Tivarit, zakonisht zgjidheshin nga
këshilli i klerit (capitulum) që mblidhej në
kishën katedrale të qytetit. Të njëjtën
procedurë ndiqte edhe zgjedhja e arkidhjakut. Në
Durrës arkidhjaku kryente funksionet e kryepeshkopit,
kur posti i tij qe i zbrazët. Në çdo rast,
për kryepeshkopët e porsazgjedhur ishte i detyrueshëm
shugurimi (consacratio) nga Papa i Romës. Ky bëhej
gjatë një ceremonie solemne, gjatë së
cilës të dërguarit e Papës, në prani
të klerit e të popullit të qytetit, i dorëzonin
kryepeshkopit të ri tunikën (pallium).
Emërimi i peshkopëve bëhej nga kryepeshkopët
e dioqezës përkatëse. Në çdo rast,
konfirmimi i Selisë së Shenjtë ishte edhe këtu
i domosdoshëm. Vetëm njëra ndër peshkopatat
shqiptare, ajo e Arbrit, fitoi aty nga fundi i shek. XII statusin
e veçantë të sufraganes së drejtpërdrejtë
të Selisë së Shenjtë. Peshkopi i saj emërohej
e shkarkohej drejtpërdrejt nga Papa. Këtë status
e fitoi në gjysmën e dytë të shek. XV
edhe peshkopata e Drishtit, që kishte konflikte të
ashpra me kryepeshkopatën e Tivarit.
Sidoqoftë emërimi i klerit të lartë në
Shqipëri mbeti një çështje ku përplaseshin
interesa e kompetenca të ndryshme, gjë që shkaktoi
konflikte të herëpashershme midis përfaqësuesve
të hierarkisë kishtare në Shqipëri, si
dhe midis këtyre e Papatit.
Në çështjen e emërimit të klerit
përzihej shpesh edhe pushteti laik, gjë që
e ndërlikonte akoma më tepër problemin. Zakonisht
pas konfirmimit formal nga ana e Papës apo e Patriarkut
të Kostandinopojës, këta u dërgonin letra
rekomandimi pushtetarëve lokalë, me të
cilat i lutnin të ndihmonin prelatët e rinj në
ushtrimin e funksioneve të tyre. Por sundimtarët
lokalë shpesh pretendonin të kishin dorë të
lirë edhe në çështjet kishtare, përsa
u përket zotërimeve të veta. Në gjysmën
e parë të shek. XIII, papa Grigori IX ankohej se
në dioqezat katolike të Shqipërisë së
Veriut nën juridiksionin e kryepeshkopatës së
Tivarit, ofiqet kishtare shpërndaheshin nga pushtetarë
laikë. Po atë kohë patriarku i kishës
ortodokse, Manueli, protestonte ndaj despotëve të
Epirit për emërimet e paligjshme të peshkopëve
të rinj në selitë e Durrësit, Ohrit, Kaninës,
Gjirokastrës e të Janinës. Problemi u bë
më i mprehtë pas shek. XIV, kur pushteti i princërve
dhe i feudalëve shqiptarë u forcua së tepërmi.
Në vitet 70 të atij shekulli, Gjergj Balsha shkarkoi
peshkopët e një sërë qendrave në
zotërimet e tij dhe emëroi aty njerëzit e vet,
pa përfillur protestat e papës Grigori IX. Në
të njëjtën mënyrë vepronin me klerikët
e tyre edhe fisnikë të tjerë shqiptarë,
si Dukagjinët, Topiajt e Shpatajt.
Me gjithë përkushtimin fetar, që përgjithësisht
karakterizonte klerin shqiptar, ai nuk mbeti i paprekur nga
dukuri që përbënin një largim e shkelje
nga normat e kishës e nga morali kristian. Në koncilin
e Tivarit, në vitin 1199, disa nga këto shkelje,
si shitblerja e ofiqeve kishtare (simonia), martesa e klerikëve
(konkubinati), përvetësimi i të dhjetave, u
stigmatizuan fort nga përfaqësuesit e papa Inocentit
III. Megjithatë reformimi i sjelljeve dhe i zakoneve
të klerit katolik shqiptar mbeti një problem
i pazgjidhur për Selinë e Shenjtë.
Situata nuk ndryshonte shumë përsa i përket
klerit ortodoks. Edhe te ky ndodhnin shpesh shkelje flagrante
të moralit kristian dhe të statusit të klerikut.
Kështu, në vitin 1160 Sinodi i Shenjtë në
Konstandinopojë u mblodh për të gjykuar rastin
e një murgu shqiptar, me emrin Muzaka, që jetonte
i martuar dhe që qarkullonte gjithnjë i armatosur.
Në vitin 1305 në kryeqytetin e Perandorisë
Bizantine u bë i njohur për bëmat e tij një
tjetër klerik shqiptar, Gjon Trimi, që fillimisht
arriti të fitonte miqësinë e perandorit Andronik
II Paleologu, por më vonë organizoi kundër
tij një kryengritje, ku u implikuan edhe bashkatdhetarë
të tjerë të tij, me pozitë në administratën
qendrore bizantine. I tillë qe epistrati Muzaka dhe një
fisnik tjetër me emrin Matrënga. Historiani bizantin
bashkëkohës, Niqifor Gregora, e përshkruan
murgun Gjon Trimi si një tribun popullor, që i hipur
mbi një karro dhe me shpatë zhveshur thërriste
popullin e Konstandinopojës në kryengritje.
Figura e klerikut-luftëtar është një figurë
tipike e mjedisit shqiptar, që ndeshet gjatë gjithë
mesjetës. Barleci rrëfen se mbrojtjen e kështjellës
së Sfetigradit më 1448 e drejtonte një murg
nga abacia e Shën Lleshit në Mat. Në fillim
të shek. XIV peshkopi i Krujës, Andrea, qe në
ballë të organizimit të qëndresës
së fisnikërisë shqiptare kundër pushtimit
serb.
Përveç ushtrimit të armëve, që
gjithsesi gjykohej si amoral nga ana e kishës, klerikët
shqiptarë përfshiheshin edhe në veprimtari
të tjera jofetare, që me kohë u bënë
atribut i njerëzve të fesë. Fjala është
në radhë të parë për përfaqësimin
diplomatik të pushtetit laik, një fushë kjo
ku çmoheshin shumë cilësi të tilla si
erudicioni, inteligjenca, përmbajtja, gjakftohtësia,
besueshmëria, që ishin karakteristike për njerëzit
e fesë. Ndaj ishte e kuptueshme që, në shek.
XIV, të gjithë princërit e sundimtarët
shqiptarë ua besonin misionet delikate diplomatike brenda
dhe jashtë vendit peshkopëve të dioqezave të
tyre. Të tilla misione kryen për Balshajt peshkopët
e Shkodrës, Tivarit e të Drishtit, për Zahariajt
peshkopi i Shasit, për Dukagjinët peshkopi i Lezhës,
për Topiajt peshkopi i Durrësit, për Komnenë
Balshën e Vlorës peshkopi i Arbrit, për Shpatajt
peshkopi i Janinës etj. Vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu
ua ngarkonte misionet diplomatike në oborret e Evropës
klerikëve të besuar, sidomos mikut të afërt
të tij, kryepeshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit.
Shërbimet e klerikëve shqiptarë i vlerësonin
si të çmuara edhe mbretërit serbë, anzhuinë
apo qeveritarët venecianë, që i mbanin ata
vazhdimisht pranë vetes në cilësinë e
këshilltarit ose të emisarit për çështjet
shqiptare.
Klerikët shërbenin gjithashtu si noterë, shkrues
ose përkthyes në qytete e në oborret e princërve
shqiptarë. Aktivitete të tilla si ai i mësuesit
(preceptorit), i mjekut, i mjeshtrit piktor e skulptor plotësojnë
rrethin e veprimtarive shoqërore, jashtëfetare të
klerit shqiptar. Vlen të përmendet roli i madh i
klerit jo vetëm si krijues vlerash kulturore, por dhe
si ruajtës i tyre. Kishat e manastiret u bënë
vendet ku u shkruan, u kopjuan dhe u ruajtën në
shekuj jo vetëm tekste fetare filozofike e letrare, por
edhe kronika të gjalla të historisë së
popullit. Ruajtja dhe transmetimi i tyre kërkoi shpeshherë
sakrificat e vetëmohimin e klerit të thjeshtë.
Në një shënim të vitit 1356, në një
kodik të Beratit, përshkruhet vetëmohimi i
priftit Theodul, i cili, gjatë rrethimit të qytetit
nga serbët, transportoi në krahë në një
vend të sigurt bibliotekën e manastirit të
Shën Gjergjit për ta shpëtuar nga djegia e
sigurt. Të njëjtën gjë bëri, më
1399, igumeni i manastirit të Shën Kollit në
Perondi, Danaili, i cili nxori bibliotekën e pasur të
manastirit e ia dorëzoi për ta ruajtur fisnikut
Teodor Muzaka.
Ndjenja fetare te shqiptarët
Gjithçka flet për atë që feja dhe ndjenjat
fetare qenë rrënjosur dhe qenë pjesë e
pandarë e jetës dhe e ekzistencës. Por duke
folur për ndjenjën fetare (besimin) të shqiptarëve
në mesjetë, duhet thënë se ajo trashëgoi
edhe një dozë të madhe të besimeve e riteve
tradicionale pagane, gjë që i jepte asaj edhe tipare
specifike. Rite të tilla shoqëronin çdo aspekt
të jetës: lindjen, vdekjen, punën, martesën,
madje ato kishin depërtuar edhe në vetë kultin
e shenjtorëve të krishterë. Kështu, kulti
i Shën Gjergjit, i Shën Ilias, i Shën Martinit,
i Shën Nikollës, i Shën Vlashit etj., ishin
të mpleksur me plot motive pagane. Të tillë
shenjtorë, më tepër se simbole të krishtera,
nderoheshin e festoheshin si luftëtarë kundër
së keqes, mbrojtës të njerëzve e të
bagëtive, begatues të tokës, shërues të
sëmundjeve, pra, njëlloj siç ishin nderuar
perënditë pagane të lashtësisë. Në
jetën e përditshme vazhdonin të kryheshin praktika
pagane, siç ishte ajo e flijimit, e therjes së
një kafshe, sa herë që ndërtohej një
shtëpi, një urë apo një kështjellë.
Akti i flijimit shpeshherë bëhej nga dora e një
prifti. Shqiptarët i besonin Zotit të të krishterëve,
por njëherësh tregonin nderim e frikë edhe
ndaj zotave të tjerë, demonëve,
shpirtrave të këqinj, zanave, vitores (gjarprit
mbrojtës të shtëpisë e të familjes),
hajmalive etj., etj. Gjithë kjo trashëgimi pagane
në besimin e shqiptarëve shihej me sy të keq
dhe luftohej nga kisha zyrtare. Në fakt këto i jepnin
krishterimit shqiptar tiparet e një krishterimi popullor,
jodoktrinor, dhe si të tillë e bënin të
prekshëm nga lëvizjet kontestuese (herezitë),
që trondisnin herë pas here kishën zyrtare.
Një ndër këto herezi, që njohu përhapje
të gjerë në Shqipëri nga shek. X dhe që
aty-këtu mbijetoi deri në shek. XIV, është
ajo e bogomilizmit, e quajtur kështu prej priftit bullgar
Bogomil, që njihet si frymëzuesi i saj. Bogomilizmi,
si çdo lëvizje dualiste, e quante botën të
ndërtuar mbi bazën e dy parimeve: të së
mirës dhe të së keqes. E mira përmblidhte
botën shpirtërore, kurse e keqja identifikohej me
natyrën e pasurinë. Në këtë të
dytën përkrahësit e bogomilizmit përfshinin
edhe institucionet e shtetit dhe të kishës, simbole
të pushtetit, dhunës e të pasurisë, krijesa
të Satanait. Kështu, idetë bogomile e kapërcenin
kuadrin e një disidence të thjeshtë fetare
dhe merrnin formën e lëvizjeve të vërteta
shoqërore. Kjo shpjegon masivitetin e jashtëzakonshëm
që njohu bogomilizmi, si dhe ashpërsinë me
të cilën perandorët bizantinë u përpoqën
ta mbytnin këtë lëvizje.
Në Shqipëri herezia bogomile pati një
përhapje mjaft të gjerë dhe këtu ishte
një nga vatrat kryesore të saj. Domethënës
është fakti se i pari shqiptar, që na përcillet
me emër tipik kombëtar nga burimet mesjetare, është
një farë Leka, drejtues rreth vitit 1070 i një
lëvizjeje bogomile në rrethet e Sofjes, ku ai kishte
shërbyer deri atëherë si funksionar bizantin.
Shqipëria ishte gjithashtu një nga vatrat, nga ku
herezia bogomile u përhap drejt Italisë. Në
shek. XIII përkrahësit e bogomilit (patarinët)
kishin krijuar në Itali një kishë të tyre,
në opozitë me Romën, e cila në disa vende
të Italisë së Veriut quhej kisha shqiptare
(ecclesia Albanensis), duke treguar kështu vendin e origjinës
nga ku kjo herezi kishte ardhur në Itali.
Problemi i devocionit dhe i ndjenjave fetare te shqiptarët
është po aq i ndërlikuar si dhe vetë problemi
i fesë dhe i kishës. Është e vërtetë
se burimet historike nuk mungojnë të shënojnë
herë-herë mungesën e pasionit fetar, shfaqje
të sinkretizmit apo raste të shkeljeve flagrante
të normave e të moralit të kishës jo vetëm
nga laikët, por dhe nga vetë klerikët. Ndërkaq
më shumë ato dëshmojnë për të
kundërtën, për përshpirtshmërinë
e devocionin fetar të tyre. Në këtë kuadër
është një tregues vetë numri i madh i
kishave dhe i institucioneve të tjera fetare, të
ndërtuara prej sundimtarëve vendas dhe shtetasve
të tyre. Pothuaj të gjitha familjet fisnike shqiptare
u dalluan në ndërtime të këtij lloji.
Kështu, me emrin e Skurrajve lidhet kisha e Shën
Mërisë së Brrarit (1201) ose ajo e Shën
Klementit në Ohër (1295). Kjo e fundit u ristrukturua
vite më vonë nga fisniku tjetër shqiptar, Andrea
Gropa. Muzakajt e Beratit ndërtuan një sërë
faltoresh, si p.sh., kishën e Shën Mërisë
së Oparit dhe atë të Shën Thanasit në
Kostur (1385). Një ndërtim i Topiajve është
manastiri i Shën Gjon Vladimirit afër Elbasanit
(1381). Kisha e Shën Mërisë në ishullin
e vogël të Maligradit, që ruhet mjaft mirë
edhe sot, në Liqenin e Prespës, u ndërtua në
vitin 1369 nga një sundimtar i vogël lokal, Qesar
Novaku. Si themelues kishash përmenden gjithashtu fisnikë
nga familjet Dukagjini, Balsha, Zaharia etj. Të gjithë
këta, bashkë me dhuratat, u njihnin kishave të
tyre të drejta e privilegje të ndryshme. Portretet
e ktitorëve (themeluesve) të kishave të tilla
paraqiteshin në afresket që zbukuronin muret e tyre.
Dokumente testamentare të klerikëve e të laikëve,
qofshin këta fisnikë apo njerëz të thjeshtë,
tregojnë se në shumë raste këta ua linin
trashëgim pasuritë e tundshme apo të patundshme,
pjesërisht ose tërësisht, institucioneve fetare.
Braktisja e jetës mondane është një tjetër
tregues i ndjenjave fetare të shqiptarëve në
mesjetë. Pasioni fetar i shtyu shumë njerëz
të thjeshtë të zgjedhin jetën e heremitit
apo të murgut, kushtuar tërësisht lutjeve dhe
përsosjes morale nëpërmjet asketizmit. Në
shek. XIV murgu Nifon nga Lukova u mbyll në një
manastir në malin Athos, ku u shqua aq shumë për
përshpirtshmërinë e tij, saqë u kanonizua
e u shpall shenjt nga kisha ortodokse bizantine. Ashtu si
Nifoni, në manastiret e Athosit apo të Thesalisë
kishte edhe shumë murgj të tjerë shqiptarë.
Jetës monastike iu përkushtuan edhe pinjollë
të familjeve fisnike, siç ishte rasti i Reposhit,
vëllait të Skënderbeut, që u mbyll në
një manastir të malit Athos. Një shprehje kolektive
e devocionit fetar qenë edhe pelegrinazhet në vendet
e shenjta. I tillë qe për shqiptarët e Dioklesë
(Gentës) manastiri i Shën Mërisë i Rotecit,
afër Tivarit, apo ai i Shirgjit, në derdhjen e Bunës.
Manastiri i Shën Mërisë së Krajës
në bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës,
ku ruheshin reliket e princit Gjon Vladimir të Dioklesë
(vdekur më 1018), ishte një vend pelegrinazhi për
popullsinë e rretheve çdo 22 maj, kur kremtohej
festa e Shën Gjon Vladimirit.
Shqiptarët ortodoksë ndërmerrnin pelegrinazhe
në manastiret e Shën Gjon Vladimirit (Elbasan),
në atë të Shën Naumit (Ohër), Shën
Kollit (Mesopotam), Shën Teodorës (Artë) etj.
Klerikë e laikë shqiptarë katolikë e ortodoksë
ndërmerrnin udhëtime të gjata e të rrezikshme
për të vizituar vende të shenjta jashtë
Shqipërisë, si në Monte Gargano, Kampostellë,
Assizi, Bari e në Romë (Itali), ose në malin
Athos, Konstandinopojë apo në Palestinë, me
shpresë se kjo do ti ndihmonte të shlyenin
mëkatet e tyre.
Shtrati popullor e tradicional dhe karakteri jodogmatik i
krishterimit shqiptar, bëri që te shqiptarët
të mos kultivohej kurrfarë fanatizmi e intolerance
fetare. Ai ofronte një pikë referimi të përbashkët
për të gjitha besimet, besimin katolik, atë
ortodoks e më vonë edhe me besimin mysliman. Prandaj
Marin Barleci, që vetë ishte prift, ka shkruar për
shqiptarët se janë më shumë luftëtarë
sesa fetarë. Kjo është arsyeja që
në festa e në ceremoni fetare, siç qenë
ato për Shën Gjon Vladimirin apo Shën Gjergjin,
merrnin pjesë sa të krishterët (katolikë
e ortodoksë), aq edhe myslimanët.
2. KULTURA MESJETARE NË SHQIPËRI
Mënyra e jetesës
Të dhënat për mënyrën e jetesës
në shek. XII-XV janë mjaft të kufizuara. Ato
vijnë kryesisht nga gërmimet e pakta arkeologjike
të kësaj periudhe, nga ato pak monumente të
ruajtura, si dhe nga dokumentacioni i shkruar i kancelarive
mesjetare.
Vjetërsia e vendbanimeve dhe vendndodhja e tyre dëshmohet
me një varg qendrash të banuara, të njohura
që në antikitet, të cilat e vazhdojnë
jetën e tyre edhe në mesjetë. Edhe regjistrimet
osmane të shek. XV-XVI flasin për një numër
të madh fshatrash, vendin ku ndodheshin dhe madhësinë
e përafërt të secilit. Shumica e vendbanimeve
gjendeshin në zonat kodrinore, në shpatet e maleve
a rrëzë tyre dhe përgjatë luginave të
lumenjve. Ka zona në Shqipëri ku mjaft fshatra janë
shtrirë me kohë në dy ose tri nivele banimi,
gjithnjë brenda kufijve të fshatit të tyre
ose të malit a të vrrinit që u përkiste,
p.sh. Bresti i Epërm e Bresti i Poshtëm (Dibër),
Domja e malit e Domja e Poshtme (Shëngjergj-Tiranë),
Gojani i Epërm e Gojani i Poshtëm (Mirditë),
Lufaj i Epërm e Lufaj i Poshtëm (Mat), Preçi
i Poshtëm e Preçi i Sipërm (Elbasan) etj.
Në mesjetë këto fshatra kishin vetëm një
nivel banimi, që ishte zakonisht atje ku ka pasur një
kishë ose atje ku janë ose kanë qenë varret,
ose atje ku ka një toponim katund plak a
katund i vjetër etj. Me moshë nga mesjeta
e hershme, në mos edhe më përpara, duhen konsideruar
fshatrat që mbajnë emrin e një shenjti, si
Shëngjergj, Shëmri, Shënjak, Shënkoll
etj., ose thjesht një emër të krishterë,
si Damian, Dedaj, Gjonomadh, Kolgecaj, Lekas, Lukan, Lleshan,
Marinë, Marjan, Markaj, Martanesh, Matogjin, Mërtin,
Mërtur, Nënmavriq, Nikas, Petran, Petrelë,
Simon, Sotirë etj.
Përveç vendbanimeve të hapura, në mesjetë
ka pasur edhe vendbanime të fortifikuara ose kështjella.
Sipas arkeologëve të kësaj periudhe, në
Shqipëri njihen rreth 70 kështjella që nga
mesjeta e hershme deri në pushtimin osman. Ato gjenden
kryesisht nëpër luginat e lumenjve kryesorë,
si Drini, Shkumbini, Osumi, Devolli, Vjosa etj., dhe lehtësonin
lidhjet e viseve të brendshme me vijat e mëdha të
komunikacionit, pra edhe lidhjet ekonomike e shoqërore
të kohës. Disa prej tyre kanë qenë kështjella
të trashëguara nga antikiteti, të ngritura
kryesisht në vende kodrinore, në bregdet ose afër
tij, me sipërfaqe disi të mëdha, brenda mureve
të tyre të trasha. Të tjerat ishin kështjella
të lindura rishtas në afërsi të burimeve
të ujit ose buzë lumenjve në pika zotëruese
prej ku mund të kontrollohej i gjithë territori.
Mesjeta ishte një periudhë shumë e turbullt
në Ballkan e në Evropë, me luftëra dhe
me grindje të shumta midis zotërve feudalë,
që kërkonin të zgjeronin zotërimet e tyre,
me dyndje popujsh të ardhur nga larg, me lëvizjet
e kryqtarëve, që përshkuan territorin e vendit,
të nisur nga disa drejtime, për të shkuar në
vendet e shenjta ose në Konstandinopojë. Pra jeta
ishte e pasigurt dhe njerëzit parapëlqenin të
banonin brenda mureve të kështjellave, megjithëse
në kushte jo fort të përshtatshme. Në
trojet brenda kështjellave ka pasur edhe shumë ndërtesa
banimi, me mure të ndërtuara me gurë mesatarë,
të mbuluara me tjegulla ose me lëndë druri.
Rrënojat e Shurdhahut (shek. XII-XIV) tregojnë se
ato ishin shtëpi me dy ose me më shumë të
ndara. Për shkak të sipërfaqes së kufizuar
që ndodhej brenda mureve rrethues të kështjellave,
njerëzit banonin të ngjeshur në një hapësirë
të vogël. Shtëpitë ishin të vogla,
të ulëta, të errëta e me lagështi,
ku duhej shfrytëzuar mirë çdo pëllëmbë
e sipërfaqes. Rrugët ishin të ngushta e dredhuese,
që dukeshin edhe më të ngushta, kur katet e
sipërme dilnin mbi rrugë pak përtej mureve,
për të shtuar sipërfaqen e banimit, duke penguar
ajrosjen e mirë të rrugëve. E kështu jeta
rridhte brenda një horizonti të ngushtë për
sa kohë banorët detyroheshin të qëndronin
në kështjellë, ngaqë nuk ishin të
sigurt jashtë saj. Dendësia e popullsisë, lagështia
por edhe vështirësia për të mbajtur pastërti,
krijonin kushte të dëmshme për shëndetin;
epidemitë e shpeshta e rëndonin edhe më tej
gjendjen. Përmirësimi erdhi me ndërtimin e
lagjeve të banuara jashtë mureve të kështjellave.
Shtëpitë e fisnikëve dalloheshin nga përmasat
e mëdha, nga cilësia e materialit të përdorur
e nga mjeshtëria e ndërtimit, si dhe nga pajisjet
luksoze të tyre. Kështjellat monumentale dhe kishat
e hijshme që u ngritën me shpenzimet e fisnikëve
shqiptarë dhe që kanë arritur deri në
ditët tona, dëshmojnë për mundësitë
materiale të fisnikëve shqiptarë gjatë
shekujve të mesjetës për të pasur kushte
jetese sa më optimale.
Guri i latuar dhe druri i gdhendur kanë qenë materialet
kryesore që hijeshonin pamjen e jashtme e të brendshme
të banesave të familjeve fisnike, krahas përdorimit
të tullës së pjekur si dhe të tjegullës
si mbulojë për çatitë. Banesa, oborri,
magazinat dhe stallat e kafshëve (që ngriheshin
larg banesës), madje edhe kopshti bashkë me gropën
e gëlqeres, zakonisht ishin të qarkuara me një
mur të përbashkët e të lartë guri.
Kur burimet e ujit të pijshëm ishin larg vendbanimeve,
në oborrin e banesës hapej një pus. Paretet
e tij visheshin me gurë cilësorë dhe puset
lartësoheshin nga niveli i tokës me një grykë
guri, që mbulohej me kapakë druri. Në mjediset
e banesës ose në oborrin e saj ishte edhe furra
familjare për pjekjen e bukës, të mishrave
etj. Në oborrin e banesës kultivoheshin trandafila
dhe lule të tjera.
Muret e brendshme të banesës ishin të suvatuara.
Krahas lyerjes së shpeshtë të tyre me gëlqere,
që përdorej gjerësisht edhe si material kryesor
dizinfektimi, muret e dhomave të veçanta ishin
të zbukuruara me afreske dhe ishin të pajisura me
vatra të mëdha me oxhakë shumë të
gjerë, të ngjashëm me ato që shihen në
kuzhinat e manastireve të vjetra të vendit tonë.
Natën ato ndriçoheshin me qirinj dylli, të
vendosur në shandanë argjendi, me dy, tri ose me
më shumë llambadha. Shandanët ishin të
zbukuruar me gdhendje artistike.
Banesat fshatare ndërtoheshin me gurë të lidhur
ose jo me llaç dhe nuk kishin dritare por vetëm
frëngji. Në shtëpitë përdhese dyshemeja
përbëhej nga trualli i ngjeshur mirë; ato nuk
kishin ende tavanë dhe mbuloheshin ose me tjegulla, ose
me rrasa guri ose me fluga pishe, atje ku kishte lëndë
të mjaftueshme drusore. Shumica e fshatrave ishin të
ndërtuara në terren të thyer, kështu që
pjesa përdhese përdorej për kafshë dhe
në katin e sipërm banonte familja. Muret ishin të
pasuvatuara, dritaret të ngushta si frëngji nga
jashtë, por të gjera nga brenda. Në mure nuk
kishte dollapë me flegra, por kishte kamare si në
antikitet (p.sh. në Kamenicë). Vatra e zjarrit nuk
ishte krejt në mes, por disi më pranë njërit
mur. Banesa e vjetër e Tiranës, në format e
saj më fshatarake, duket se ruante mjaft tipare nga banesa
mesjetare.
Në banesat e zakonshme tymtarët ishin të rrallë,
por ata nuk mungonin në banesat e zotërve feudalë,
madje atje edhe vatrat ishin të mëdha e me oxhakë
shumë të gjerë.
Në të dyja anët e vatrës kishte, përveç
shkambeve të thjeshtë, karrige ose frona druri,
me forma mjaft të zhvilluara, me mbështetëse
për shpinën e për parakrahët. Format e
tyre shihen në disa skena afreskesh dhe si një fazë
e thjeshtuar e tyre mund të konsiderohen disa nga format
më origjinale të karrigeve prej druri të përdorura
në rrethet Pukë, Mirditë etj. deri në
shek. XIX. Në përdorim të fisnikëve të
kohës përmenden edhe frona ose poltrona të
dërguar nga Venediku. Dhe kështu Noli, jo rastësisht
thotë për Vojsavë Kastriotin: rrinte
pranë zjarrit mbi një poltron venecian
(në prozën e shkurtër Kthimi i Skënderbeut
në Krujë). Edhe bujari Gjon Muzaka, në
kujtimet e tij, përmend një poltronë
despotale, të zbukuruar me një stem gurësh
të çmuar të Andre Muzakës, rreth vitit
1372. Shembuj të tjerë luksozë të këtyre
poltronave janë fronat e dhespotëve në disa
nga kishat ortodokse të vendit, në të cilat
shumë pajisje janë ruajtur me konservatorizëm
të madh.
Orendi të përhershme ishin arkat ose sëndyqet
e vogla prej druri për sendet e imta e të mëdha
dhe për rrobat e trupit. Ato punoheshin prej zdrukthtarëve
dhe marangozëve vendës, por, për bujarinë
e lartë, silleshin edhe nga jashtë, sidomos nga
Venediku. Arkat e punuara më mirë ishin arkat e
pajës. Në zonat me pyje shumë, kishte fshatarë
vendës që i punonin vetë orenditë shtëpiake
prej druri, duke përdorur teknika tradicionale, pa përdorur
gozhda metalike. Ndër këto orendi mund të përmenden
fronat e gjatë e të thjeshtë pa mbështetëse,
tryezat masive me dhoga të trasha, govata e magje, shtretër
etj.
Për tu çlodhur, malësori mund të
ulej thjesht mbi një postiqe pranë zjarrit, kurse
banori i fushës, për një pushim të shkurtër
ulej gjysmë i shtrirë mbi një rrogoz, shtruar
në një qoshe të freskët brenda shtëpisë
ose në hije në oborr. Sidoqoftë, përsa
u përket pajisjeve të fjetjes, në dokumente,
sidomos në testamente, përmenden shtretërit
prej druri, e në disa raste ata shihen edhe në skena
ikonash. Krerët e shtretërve mund të ishin
të zbukuruar edhe me gdhendje të thjeshta. Pajisjet
e tjera të fjetjes ishin dyshekët ose më mirë
shtresat dhe jastëkët a përkresat, që
bëheshin me pëlhurë liri ose leshi, në
formën e një këllëfi që mbushej me
lesh ose kashtë. Për fisnikërinë e lartë
dyshekët, sidomos jastëkët, duket se ishin
të mbushur me pupla (siç dëshmon Gjon Muzaka).
Ushqimi e rregullat e të ngrënit njihen më
mirë, sepse shumë artikuj ushqimorë shfaqen
në mallrat tregtare të kohës. Për pjesën
më të madhe të vendit, artikulli kryesor ishte
buka prej gruri, sidomos në zonat ku toka punohej mirë,
siç ishte rrethi i Tiranës, por edhe pllajat e
kultivuara me grurë, thekër, mel etj. Drithi, si
artikull i rëndësishëm eksporti, duket se i
plotësonte mirë kërkesat e kultivuesve, por
padyshim, kishte edhe zona në luginat e thella ku nuk
mjaftonte gruri dhe kështu hahej edhe meli, megjithëse
prej tij dilte një bukë shumë e qullët.
Në disa dokumente, krahas artikujve të tjerë
për eksport, përmendet edhe buka. Këtu është
fjala për bukë të thekur (peksimadhe), artikull
shumë i nevojshëm për detarët sa kohë
ishin në lundrim, sepse i qëndronte më mirë
lagështirës, dhe ky ishte një zakon i përhapur
gjithandej në brigjet e Mesdheut.
Drithi bluhej në mullinj, që punonin tashmë
me forcën e ujit, megjithatë mokrat prej guri vazhduan
të bëjnë pjesë në orenditë shtëpiake,
duke bluar në to edhe grurin për trahan etj. Të
tjera orendi për të grimcuar ose shtypur sende ushqimore
ishin shtypësat e ndryshëm prej druri ose prej guri.
Gruri i bluar trashë e i zier është padyshim
një nga gatimet e hershme, që i paraprin bukës.
Me kohë ai mbeti në përdorim jo si ushqim i
përditshëm, por si ushqim ritual për të
kremtet e motmotit e sidomos për rastet e përkujtimit
të të vdekurve.
Krahas bukës e gatimeve të tjera me bazë mielli
(si qulli, mëmëliga, përsheshi, pitet, petullat
etj.) në shekujt e mesjetës vinte përdorimi
i bulmetit dhe i yndyrnave. Në dokumentacionin e kohës,
krahas djathit përmendet në eksportet edhe qumështi.
Në gjelltarinë e kohës është i pranishëm
shpesh vaji i ullirit e kokrrat e tij, artikuj ushqimorë
tipikë mesjetarë por që njiheshin që në
antikitet. Mullinj vaji kishte tashmë jo vetëm pranë
banesave të zotërve feudalë, por edhe pranë
manastireve që kishin ullishte.
Mishi konsumohej më shumë në dimër se
në verë. Në qytet ai konsumohej veçanërisht
në tryezat e fisnikëve e të kështjellarëve
të kohës. Baza ishte mishi i pjekur, për të
ftuarit më të nderuar edhe mish shpendësh e
zogjsh gjahu. Përdorej shumë edhe vera. Në
kushtet e kohës mishi ose konsumohej pas therjes ose
ruhej i kripur shumë, prandaj para gatimit duhej lënë
në ujë që ti dilte kripa. Edhe peshku
konsumohej mjaft sidomos në qytetet e bregdetit, i freskët
ose i tharë. Në dokumente të kohës përmenden
ngjalat, krapi e putargat e Shkodrës por dëshmon
edhe ekzistenca e dajlaneve, përveç mënyrave
të tjera të peshkimit. Pak a shumë këto
ishin ushqimet që konsumoheshin edhe në tavernat
e qyteteve kryesore, si Durrësi, Vlora, Shkodra. Llojet
më të përdorura të perimeve ishin qepët,
preshët, hudhrat, specat djegës, të freskëta
dhe të regjura (turshi). Gjithashtu gjerësisht përdoreshin
fruta të freskëta, të thata dhe shurupe, si
kumbullat, mollët, dardhat, qershitë, fiqtë
etj. Në gjellët e ndryshme të kësaj kohe
përdorej shumë edhe uthulla, për të shtuar
shijen, gjë që vazhdon edhe në shekujt e mëvonshëm.
Mjalti ishte gjithashtu një artikull i përdorur
gjerësisht.
Nëse në tryezat e fisnikëve të kohës
mbizotëronin enët prej argjendi masiv, në forma
disqesh e pjatancash të mëdha, si edhe potirët
me fron dhe kupat po ashtu prej argjendi, në tryezat
e shtresave të mesme qytetare përdoreshin gjerësisht
tasat, pjatat dhe pjatancat prej qeramike, të glazuruara
me kujdes e hijeshi si brenda, ashtu edhe jashtë, format
e të cilave shihen në gjetjet arkeologjike të
mesjetës së hershme.
Në mënyrën e jetesës zinin vend edhe ngrohja
e ndriçimi. Lënda djegëse në këta
shekuj duket se ishin shkarpat e drutë. Është
përdorur edhe qymyri i drurit, i cili njihej që
në lashtësi, por në një masë shumë
më të kufizuar. Lënda djegëse sigurohej
që gjatë verës dhe vendosej në stiva pranë
banesës. Drutë digjeshin në vatër dhe
për të lehtësuar djegien mbështeteshin
te një almise e thjeshtë prej hekuri, që quhej
kali i druve. Rreth këtij zjarri i kalonte
familja fshatare orët e gjata të mbrëmjeve
gjatë dimrit.
Në banesat qytetare, sidomos në kështjellat
e zotërve feudalë, kishte vatra e oxhakë të
mëdhenj (ndoshta të ngjashëm me ato që
shihen në kuzhinat e manastireve më të vjetra
të vendit). Në banesat e vogla fshatare mjetet e
ndriçimit ishin, copat e pishës, të vendosura
mbi një pishtar të thjeshtë hekuri, pranë
vatrës.
Sipas një tradite që vjen nga antikiteti, zonat
ku rritej ulliri përdornin për ndriçim kandilat
me vaj. Ndriçimi me këto kandila me vaj është
ruajtur deri në shek. XX në kishat ortodokse të
vendit. Kandilat me vaj, në format e tyre kryesore, bëheshin
krejtësisht prej argjendi dhe të mbuluara me gdhendje
artistike, që u jepnin një shkëlqim të
veçantë mjediseve që ndriçonin. Këta
kandilë të kushtueshëm janë pjesë
e artit dhe e kulturës bizantine të këtyre
shekujve dhe janë përdorur gjithandej në viset
e Bizantit.
Përdorim të gjerë kishin edhe qirinjtë
prej dylli, me trashësi të ndryshme, që vendoseshin
në shandanë argjendi, me dy, tri ose me më
shumë lambadha, që vendoseshin mbi tryezat a në
vende të tjera të ngritura, për të ndriçuar
më mirë.
Të dhënat për veshjet në shek. XII-XV
janë të pakta e mjaft fragmentare. Për shkak
të ngjarjeve historike të njohura, vendin e përshkuan
turma të mëdha njerëzish nga dyndjet e barbarëve,
nga kryqtarët, nga ushtri të vendeve fqinje etj.
Në anën tjetër, këta janë shekujt
e një zhvillimi mjaft të shpejtë të zejtarive.
Veshjet nuk i prodhonte vetëm zejtaria shtëpiake,
por edhe zejtarët e vendosur në qytetet e kohës.
Ndikoi në prodhimin e veshjeve me cilësi të
lartë edhe importimi i vazhdueshëm i cohërave
të ndryshme. Përmirësimi i disa proceseve teknike,
siç ishin avlemendi horizontal, që dha mundësinë
e punimit të pëlhurave me katër lisa, ose përhapja
e dërstilave që punonin me forcën e ujit ishin
arritje që solli përmirësime të dukshme.
Pjesë të veçanta të veshjeve popullore
të mëparshme, si linjat e gjata e me mëngë
të gjera, tirqit, hlamidat ose strukat e leshta por edhe
xhupet e opingat, vazhdojnë të mbahen rregullisht.
Në një dokument të vitit 1335, përmenden
pjesët e veshjes së një detari, ndër të
cilat edhe këmisha, fustani e fustanella (camisia, fustanum
etc.). Gjatë shek. XIII e pastaj edhe në shekullin
pasues, importohej rregullisht një lloj pëlhure
e pambuktë, mjaft e qëndrueshme, e quajtur fustan,
me të cilën filluan të bëhen edhe ato
funde këmishe të gjera për burrat që u
quajtën fustanella. Por familjet princore dhe aristokracia
e lartë vazhduan të ndjekin në veshje modën
bizantine, duke përdorur sako brokartesh të kushtueshme
apo kadife e stofra, të zbukuruara rëndë me
qëndisje me fije ari e me gurë të çmuar.
Edhe stolitë e tyre, si kurora e diadema, vathë
e tëmthore, gjerdanë me medalione të mëdha,
breza etj. ishin prej ari, me perla e me gurë të
çmuar. Në shek. XIV-XV përmenden më
shpesh hlamidat e dyfishuara, domethënë me dy faqe
dhe mantelet e veshur përbrenda me gëzof. Është
interesant fakti se në fillim të shek. XV të
tilla hlamida, në dokumentet veneciane, cilësohen
me fjalët ad modum Albanesibus ose secundum eorum ritum.
Së fundi, mund të kujtojmë se nga shek. XV
deri në shek. XVIII, në shtresa të ndryshme
të shoqërisë është mbajtur një
lloj kapele mjaft e lartë dhe me strehë rreth e
qark, që cilësohet në Francë si kapelë
shqiptare (chapeau albanois ose thjesht albanois,
nga F. Rabelais).
Krahas rrobaqepësve e gëzoftarëve, si zeje
më vete, përmenden në qytetet e Shqipërisë
edhe këpucarët, çizmarët e papuçinjtë.
Deri nga fundi i shek. XV veshja e fisnikëve vazhdoi
të zhvillohet jo vetëm nën ndikimin e qytetërimit
bizantin, por edhe nën ndikimin perëndimor, që
hynte te ne kryesisht nëpërmjet marrëdhënieve
me qytetet më të zhvilluara italiane të kohës.
Këtu nuk duhet harruar se shumë nga familjet bujare
të kohës, si Balshajt, Topiajt, Dukagjinët,
Gropajt, Muzakët, Zahariajt, Arianitët, Kastriotët,
Jonimajt etj. ishin të përzier midis tyre me lidhje
të shumëfishta gjaku e krushqie. Madje disa prej
tyre kishin të tilla lidhje edhe me dinastitë e
mëdha të kohës si paleologët, asienët,
anzhuinët, si edhe me aristokracinë kroate, serbe
e boshnjake, pra e mbanin veten të barabartë me
ta, madje edhe me fisnikët e Italisë së Jugut.
Këto familje fisnikësh kishin secila oborrin e vet,
ku vinin rrotull një varg zotërinjsh e fisnikësh,
kancelarësh, qefalinjsh e vojvodësh të rangjeve
të ndryshme, si edhe një mori kalorësish, kasnecësh
e shërbëtorësh, si edhe të ftuar të
shumtë.
Kjo fisnikëri nga kontaktet me fisnikët e Perëndimit,
synonte të jetonte e të zbavitej si ata. Për
një kohë shumë të gjatë, - thotë
Shuflai, - fisnikët dhe zotërinjtë e hinterlandit,
kishin zakon të shkonin në Durrës shumë
herë në vit, për punët e veta dhe për
dëfrim (pro suis factis, vel pro placere).
Në një marrëveshje midis anzhuinëve dhe
despotit shqiptar Andre Muzaka, në vitin 1336, u jepej
liri anëtarëve të kësaj familjeje që
të vinin në Durrës sa herë dëshironin
dhe ata mbetën, deri në shpërnguljen e tyre
në Itali më 1476, në raporte miqësore
me familjet fisnike të Durrësit. Këto lidhje
miqësie, që favorizonin shtrirjen e modës veneciane
në gjithë mënyrën e jetesës, duket
se vazhduan edhe në shek. XVI.
Nën ndikimin perëndimor, sidomos të anzhuinëve,
fisnikët e vendit tonë fillojnë të përdorin
edhe stemat e vulat, duke zgjedhur secili shenja e simbole
të veçanta. Stema e gdhendur në gur vendosej,
zakonisht, në hyrjen kryesore të kështjellës.
U bë zakon gjithashtu që familjet fisnike të
hartonin edhe gjenealogjitë e tyre, më fort për
të konsakruar prejardhjen e tyre, por edhe për tu
treguar pinjollëve pasardhës ku shtriheshin pronat
e zotërimet e tyre. Një shembull i mirë për
këtë është Gjon Muzaka, i cili në
vitin 1510 hartoi gjenealogjinë e familjes së vet,
duke na dhënë kështu një dokument shumë
të vlefshëm për kohën.
Koha e kalimit nga ilirishtja në shqipen e lashtë
(arbërishten)
Përfshirja e trevave të banuara nga stërgjyshërit
e shqiptarëve në Perandorinë Bizantine më
395 solli si pasojë, ndër të tjera, edhe dobësimin
e shkallëshkallshëm të ndikimit perëndimor
(romak). Për më tepër, duke qenë në
periferi të Perandorisë Bizantine, edhe pushteti
qendror i Bizantit mbi këto treva erdhi duke u dobësuar
dalëngadalë. Këto rrethana bënë të
mundur që popullsitë vendëse të këtyre
trevave ti shtonin e ti forconin kontaktet dhe
marrëdhëniet e drejtpërdrejta midis tyre. Si
rrjedhim, jo vetëm që u ndërpre procesi i romanizimit
të mëtejshëm të atyre popullsive, por
u zhvillua edhe një rrymë konvergjence, e cila çoi
në riafrimin dhe konsolidimin e të folmeve të
tyre. Kështu, u zhvillua më tej, ndër të
tjera, edhe prirja për ndryshime me karakter të
përgjithshëm dhe dialektor, që kishte nisur
të shfaqej qysh në periudhën e fundit të
lashtësisë në të folmet e stërgjyshërve
të shqiptarëve. Është fjala për ndryshime
të tilla, që hapën rrugën për kalimin
e shkallëshkallshëm nga parashqipja a ilirishtja
jugore në një gjuhë cilësisht të
re, që po e quajmë shqipja e lashtë a arbërishtja.
Ky kalim, pas gjithë gjasash, është kryer gjatë
shek. IV-VI të e. sonë, kur ishin përfunduar
disa dukuri me karakter të përgjithshëm apo
dialektor, që janë karakteristike për gjuhën
shqipe dhe dialektet e saj. Ndër këto dukuri me
karakter mbarëshqiptar mund të përmenden shfaqja
e zanores /y/ dhe e zanores /ë/ të patheksuar, krijimi
i kundërvënies lakim i pashquar ~ lakim i shquar
me shfaqjen e nyjës së prapme shquese etj. Po gjatë
asaj periudhe në dialektin jugor është shfaqur
zanorja /ë-/ e theksuar para një bashkëtingëlloreje
hundore (khs. nanë ~ nënë, banj ~ bënj
etj.), si edhe rotacizmi, d.m.th. ndërrimi /-n-/ >
/-r-/ në pozicion ndërzanor (khs. venë ~ verë,
danë ~ darë etj.). Që të dyja këto
dukuri janë shfaqur qysh para dyndjeve sllave, d.m.th.
para shek. VII e kjo dëshmon se në kohën e
ardhjes së sllavëve në këto anë ata
gjetën aty një popullsi, që fliste një
gjuhë të ndarë në dy dialekte kryesore.
Por pyetjes se që kur flitej kjo gjuhë në këto
treva, i janë dhënë përgjigje të
ndryshme. Disa dijetarë kanë shprehur mendimin se
stërgjyshërit e shqiptarëve janë vendosur
në brigjet lindore të Adriatikut dhe të Jonit,
duke u shpërngulur, pa u vënë re, nga vise
më lindore të Ballkanit pak para apo pas ardhjes
së sllavëve në Ballkan. Por shumica e studiuesve
nuk janë pajtuar me këtë mendim dhe kanë
parashtruar një varg argumentesh, që në vija
të përgjithshme u vunë në dukje te Gjuha
e ilirëve. Mjafton të përmendet këtu fakti
që në gjuhën shqipe kanë mbijetuar edhe
huazime nga greqishtja e vjetër, si mokën/mokër,
lakën/lakër etj.; këto huazime e kanë
burimin në dialektin dorik, që flitej në Greqinë
Veriperëndimore si edhe në kolonitë greke të
Adriatikut. Në gjuhën shqipe ka edhe huazime shumë
të hershme nga latinishtja, gjë që dëshmon
për pushtimin shumë të hershëm romak të
trevave të banuara nga stërgjyshërit e shqiptarëve.
Prania e huazimeve nga greqishtja e vjetër dhe nga latinishtja
e hershme dëshmon qartë se stërgjyshërit
e shqiptarëve qysh në lashtësi kanë qenë
fqinjët e grekëve të vjetër dhe nga të
nënshtruarit më të hershëm të Perandorisë
Romake në Ballkan.
Rrethanat e reja që u krijuan pas ndarjes së Perandorisë
Romake në dy pjesë, sollën si pasojë edhe
ndryshime të rëndësishme në emërtimin
e popullsive të Ilirisë Jugore si midis tyre, ashtu
edhe nga të huajt. Kështu, nisi të përgjithësohej
dalëngadalë midis popullsive autoktone emri Arbën/Arbër
dhe fjalët e prejardhura (i) arbën-esh/arbër-esh
dhe arbën-isht/arbër-isht, për të emërtuar
përkatësisht vendbanimin, banorin dhe gjuhën
e tyre të përbashkët. Mbi këtë bazë
edhe të huajt nisën të përdornin emërtimet
Arbania/Albania, arban-ensis/albanen-sis (latinët), Arvan-on,
arvan-it-is (grekët), Raban < Arban dhe Arë-banas
(sllavët), kurse turqit më vonë, nën ndikimin
e greqishtes, përdorën trajtat arnaut dhe Arnautlluk.
Të gjitha këto emërtime e kanë burimin
tek emri i popullsisë ilire të Alban-ëve, a
më saktë të Arban-ëve, që në
dokumentet e shkruara dëshmohet për herë të
parë në shek. II të erës së re, kur
Ptolemeu i Aleksandrisë në veprën e tij Geografia,
libri III, 12, shkruan: Në tokën e albanëve
(Albanoi), Albanopolis. Popullsia ilire e albanëve
a arbanëve banonte në një trevë në
lindje të Durrësit. Por pas Ptolemeut emri Arban
a Alban në burime të shkruara del vetëm në
shek. XI, kur përmendet nga Mihal Ataliati (1040) dhe
Ana Komnena (1081), për të emërtuar treva të
Shqipërisë së Mesme (shih Acta et Diplomata
Res Albaniae mediae aetatis illustrantia, I). Madje, në
këtë vepër, (I, faqe III) pohohet: Në
burimet bizantine të shek. XI Alvanon/Arvanon shenjon
krahinat malore, që gjenden ndërmjet Shkodrës,
Durrësit, Ohrit dhe Prizrenit
. Kuptohet vetiu
që një shtrirje e tillë e këtij emri gjeografik
duhet të jetë më e hershme se shek. XI.
Pra, emri Arban a Alban, i shqiptuar nga banorët vendës
Arbën(ë) me theksin mbi rrokjen nistore, në
përputhje me rregullsitë e theksimit të emrave
shumërrokësh në shqipen e lashtë, ashtu
si Durrës < Dyrrhachion, Ishëm < Isamnus etj.,
duhet të jetë shtrirë qysh mjaft kohë
para shek. XI në viset në veri edhe në jug
të trevës së banuar në lashtësi nga
popullsia ilire e Arbanëve a Albanëve. Për
këtë dëshmojnë, ndër të tjera:
1. K. Jireçeku pohon se trevat e Shqipërisë
së sotme në kohë të mesme sllavët
i kanë quajtur Raban < Arban a Arëban-as dhe
gjuhën përkatëse rabënë-ski. Të
kihet parasysh edhe një dokument i shek. XIII, ku bëhet
fjalë për një ndodhi në një fshat
afër Raguzës dhe ku një dëshmitar pohon:
Dëgjova një zë që thërriste
në mal në gjuhën albanesca. 2. Në
dialektin jugor emri Arbën(ë) del në trajtën
Arbër(ë) me shndërrimin e /-n-/-së ndërzanore
në /-r-/, ashtu si te Vlonë ~ Vlorë, venë
~ verë etj. Dhe në përgjithësi është
pranuar që ky ndërrim fonetik (rotacizmi) nuk i
ka prekur huazimet sllave të shqipes, pra, është
vërtetuar para depërtimit të sllavizmave në
shqipe. 3. Në dokumentet e gjuhëve fqinje të
shekujve të parë të mijëvjeçarit
të dytë të erës sonë shqiptarët,
pa dallim krahine, përmenden me trajta fjalësh,
që lidhen me emrin e lashtë Arban a Alban (shih
këtu më sipër).
Shtrirja dhe përgjithësimi i hershëm i emrit
Arbën/Arbër në trevat e ndryshme, ku flitej
arbënisht/arbërisht, dëshmon për një
vetëdijshmëri të atyre që flisnin këtë
gjuhë, se i përkisnin një etnosi të vetëm.
Siç pohon A. Buda, Kjo ishte një dukuri
që nuk kishte të bënte me pushtime, por me
krijimin e një bashkësie ekonomiko-shoqërore
dhe kulturore të përbërë nga trevat historike
të shqiptarëve. Fakti se me emrin e njëjtë
etnik Arbën shqiptarët emërtohen në mënyrë
të njëjtë si nga burimet mesjetare të
hershme greko-bizantine (shek. XI e këndej), nga burimet
perëndimore të së njëjtës periudhë,
si edhe nga ato serbe e bullgare (shek. XII-XIII), pavarësisht
nëse ishte fjala për trevat më jugore apo më
veriore e lindore shqiptare, tregon tashmë për konsolidimin
e tipareve të kësaj bashkësie etnike në
etapën e saj më të lartë, si kombësi,
proces i pasqyruar pikërisht në këtë emërtim
të përbashkët.
Faktorët që do të kenë ndikuar në
përhapjen dhe përgjithësimin e emrit Arbën/Arbër
dhe të fjalëve të prejardhura (i) arbënesh/arbëresh
dhe arbënisht/arbërisht në veri dhe në
jug të viseve ku banonte fisi ilir i Arbanëve, mbeten
të paqartë. Ndër këta faktorë mund
të kenë qenë ndoshta edhe pozicioni gjeografik
i atij fisi dhe marrëdhëniet e tij me banorët
e trevave të tjera, ku popullsia flisnin të njëjtën
gjuhë. Por fjalët Arbën/Arbër, i arbënesh/i
arbëresh dhe arbënisht/arbërisht gjatë
shekujve të fundit kanë dalë jashtë përdorimit
në Shqipëri dhe kanë mbetur në përdorim
pothuaj vetëm tek arbëreshët e Italisë
dhe në një numër të kufizuar fshatrash
të krahinave të Vlorës e të Kurveleshit.
Edhe arbëreshët e Greqisë gjatë shekullit
të fundit po quhen arvanit-as, sipas greqishtes arvanit-is,
që e ka burimin tek Arban (me shndërrimin e rregullt
/-b-/ > /-v-/ të greqishtes). Gjithsesi, tek autorët
e vjetër veriorë të shek. XVI-XVII, fjalët
Arbën dhe i arbënesh/e arbënesh-e ndeshen rregullisht
dhe vetëm gjatë shekujve të fundit ato kanë
ardhur duke u zëvendësuar gjithandej në trevat
e banuara nga shqiptarët me fjalët shqip, shqip-tar,Shqip-ëni/Shqip-ëri.
Krijimtaria gojore e shqiptarëve në shekujt
e mesjetës
Deri në fillim të periudhës së pushtimit
osman tradita kulturore shqiptare ishte kryesisht e karakterit
parashkrimor. Forma më e rëndësishme e saj
ishte krijimtaria gojore, eposi shqiptar. Në eposin shqiptar
ka edhe zëra të periudhës osmane, që shfaqen
sidomos në ligjërim dhe në emërtime, por
në thelbin e vet ai është një përmendore
kulturore shekuj më e hershme.
Në këtë krijimtari njihen rapsoditë historike
e tregimet legjendare, që përbëjnë epikën
heroike, si dhe proverbat, të cilat u fiksuan të
shkruara vetëm në shek. XVII. Vendin kryesor në
epikën heroike e zënë rapsoditë kushtuar
kreshnikëve si Muji e Halili, Gjergj Elez Alia etj. Me
gjithë numrin e shumtë të motiveve e varianteve
ekzistuese, këto rapsodi kanë një farë
përbashkësie që u jep atyre karakterin e një
cikli unitar epik. Në qendër të këtij
cikli qëndrojnë bëmat e çetës së
kreshnikëve, si edhe kundërshtarët e tyre,
kralë e kapedanë veçanërisht
nga viset bregdetare.
Lufta e kreshnikëve është vendosur në
një kohë e në një ambient që snjeh
ende armët e zjarrit. Nga brendia e tyre dhe botëkuptimi
shoqëror, nga elementët artistikë që përmbajnë,
këngët e kreshnikëve të çojnë
në një periudhë më të hershme se
shekujt e invazionit osman.
Sikurse shumica e popujve evropianë, në këtë
kohë (në shek. XV) shqiptarët e kishin kaluar
shekullin e epopesë legjendare, e cila me
kohë ishte formuar si gojëdhënë letrare
kombëtare, që qarkullonte gojë më gojë
e brez pas brezi, duke marrë nga koha në kohë
gjurmë, dëshmi e jehona të tyre.
Hershmëri të thellë historike dëshmojnë
veçmas dy tipare të rëndësishme të
figurave mitologjike të ciklit verior: karakteri i tyre
matriarkal, nga njëra anë, dhe ktonik, nga ana tjetër.
Kjo është një anë tjetër e çështjes
së autoktonisë së popullit që i ka krijuar.
Në eposin helenik hyjnitë janë matriarkale
e patriarkale. Heronjtë e eposit shqiptar janë bij
të Ajkunës. Për herë të parë
në epos babai shfaqet me figurën e Mujit në
raport me Omerin (ose shtatë Omerat). Figurë
qendrore është Ajkuna që ka një autoritet
të madh. Muji dhe Halili formalisht nuk kanë babë,
ata janë bij të një nëne që urdhëron
shtëpinë dhe e marrin fuqinë prej zanave.
Tipari matriarkal i figurave mitologjike të epikës
legjendare theksohet nga fryma e përgjithshme e rapsodisë
së njohur të Gjergj Elez Alisë. Janë gjurmuar
e janë gjetur gjurmë të kulturës bizantine,
si kërkimi i haraçit nga bajlozi tim për
tim (oxhak për oxhak). Por, në thelbin e vet,
burimi tragjik i rapsodisë së Gjergj Elez Alisë
është mbarimi i epokës së flijimit të
njeriut (gruas) për një vepër, për një
fushatë apo për haraç. Gjergj Elez Alia amniston
përgjithnjë gruan nga flijimi.
Karakteri ktonik (tokësor) i hyjnive të eposit shqiptar
thekson karakterin autoktonik të popullit. Ndryshe prej
poemave homerike, ku hyjnitë kanë një hierarki
shumëshkallëshe (nëntokësore), në
eposin shqiptar figurat mitologjike të botës shqiptare
janë tokësore. Në folklorin rrëfimtar,
duke përfshirë eposin dhe përrallat, nuk ekziston
e bukura e qiellit. Krahas me të bukurën
e dheut (të kësaj toke) në traditën
etnofolklorike të vendit dalin e bëhen bashkë
figura të tilla si shtojzovallet (aglutinim i shtojua
zot vallet), shtojzorreshtat (shtojua zot rreshtat),
ato të lumet, shita.
Cikli shqiptar i kreshnikëve përmban një ndërthurje
tiparesh të eposeve antike dhe atyre evropianë të
periudhës mesjetare. Por ka më shumë tipare
të eposeve antike se të atyre mesjetare. Një
varg argumentesh folklorike janë në të mirë
të një përcaktimi kronologjik relativ të
burimit të eposit në periudhën e kalimit prej
ilirëve te shqiptarët, prej ilirishtes te shqipja,
prej periudhës së fundme të romanizimit në
përballjen me dyndjet sllave.
Eposi shqiptar sundohet fund e krye nga konflikti i bartësve
të tij me popullsinë e ardhur në Ballkan, ai
mban vulën e dyndjeve sllave. Eposi shqiptar nuk u krijua
qysh në kontaktet e para me popullsinë e ardhur.
Vetë rapsoditë e këtij cikli bëjnë
të njohur se të tjera gjëra ndodhnin kur
kem pas besë me krajli. Këto fakte
e arsyetime lejojnë të mbrohet mendimi se në
epos, pavarësisht nga karakteri i tij shumështresor,
megjithatë, ekziston një kohë e parë.
Ajo përkon me shek.VII-VIII, kur ndodhin proceset më
të rëndësishme divergjente të brendshme
në kulturën etnike, kur vërtetohen shndërrimet
cilësore kulturore, si kalimi nga ilirishtja te shqipja.
Pikërisht në këtë periudhë vendësit
përballen me dyndjet sllave në Ballkan dhe njohin
pak nga pak karakterin ekspansiv të tyre.
Faktet folklorike të eposit çojnë në
kultin e dheut të të parëve, në mitin
e vendlindjes, në shenjtërimin e bjeshkës,
në hyjnizimin e dheut, në atë kuptim që
gjermanët e përdorin këtë fjalë kur
thonë land. Ndonëse të kufizuara,
në epos ka të dhëna me karakter etnoveçues,
që gjenden të trashëguara në botën
shpirtërore shqiptare. Këto fillojnë me dallimin
të vetët - të tjerët, që
është nga shenjat më të hershme të
ndërgjegjes së bashkësisë. Ndonëse
më shumë mund të flitet për një nocion
landi, vendlindjeje, sesa për një hapësirë
të përcaktuar qartë, prapë vetëdija
e një atdheu që i bën bartësit e eposit
të ndihen mes tyre të vetët del
aty-këtu.
Eposi shqiptar në mesjetë kishte formën e vet
artistike të kryer. Prej shekujve të sundimit osman
ai mori me vete një shtresë të re ndikimi,
që preku pjesën më të dukshme të
tij: emrat e heronjve dhe, deri diku, dekorin e ngjarjeve.
Kjo shtresë, më në sipërfaqe të eposit,
ngjan më e pranishme sa është në të
vërtetë. Pjesa më e madhe e emrave të
heronjve mendohet të mos jenë huazime të drejtpërdrejta
prej osmanishtes, por kalime kuptimore të emrave të
mëhershëm, përkthime strukturore të tyre.
Emri i Halilit, që i kthyer në shqip do të
thotë i bukur, i përgjigjet thelbit
të personazhit, që trashëgohet prej kohësh
shumë më të hershme. Në emrin e Gjergj
Elez Alisë gjymtyra e tij e tretë do të thotë
i lartë, fisnik, që gjithashtu vlen
për të theksuar një tipar që personazhi
e kishte para kontakteve me botën e Perandorisë
Osmane.
Me frymëzimin e tyre poetik, me mjetet e trajtimit artistik,
me vargun e tyre të rrjedhshëm e me gjuhën
e pastër, rapsoditë e kreshnikëve përbëjnë
një thesar të poezisë sonë popullore.
Bashkë me eposin, deri në kohën e kontakteve
të para me rrezikun e ri që po shfaqej nga Orienti,
me invazionin osman, shqiptarët kishin krijuar gjithashtu
fondin e baladave, të cilat vinin si kujtime tronditëse
të epokave të shkuara. Njëra prej tyre është
ajo që njihet në jug me emrin e Konstandinit dhe
Doruntinës, kurse në veri me emrin Kënga
e Halil Garrisë. Koha e lindjes së baladës
së ringjalljes përkon me ata shekuj, kur dija biblike
e quante të papranueshëm rikthimin nga bota tjetër,
qysh prej ringjalljes së Krishtit. Balada e Kostandinit
dhe Doruntinës shpesh është trajtuar si kryevepër
që ngre lart kultin e besës, shenjtërinë
e fjalës së dhënë, për hir të
së cilës mallkimi mund të të ndjekë
në këtë jetë dhe në tjetrën.
Mesazhi i besës është i pranishëm në
frymën e baladës, por para këtij mesazhi është
fryma e fuqisë së njeriut për të riardhur
në këtë jetë.
Në mesjetë e para saj funksiononin edhe gjini e
zhanre të tjera të folklorit, duke filluar prej
atyre më të shkurtrave, si proverbat, deri te rrëfimi
popullor.
Me pushtimin e Shqipërisë nga dyndjet osmane u krijua
mjedisi kulturor për shfaqjen e epikës historike.
Kësaj periudhe i përket cikli i Skënderbeut,
i cili përmban 10-15 këngë, të ruajtura
kryesisht tek arbëreshët e Italisë. Këngë
historike të periudhës së qëndresës
së arbërve madje para Skënderbeut janë
ruajtur edhe në Shqipëri. Në një prej
këtyre këngëve i këndohet trimërisë
së Milosh Kopiliqit, i cili vrau sulltanin në betejën
e ballkanasve të Fushë-Dardanisë. Ai paraqitet
duke udhëtuar me kokën e vet të prerë
nën sqetull dhe motivi i kokës së prerë
që merr e jep mesazhe nga bota tjetër, është
ballkanizuar në një shkallë relativisht të
gjerë.
Cikli i Skënderbeut në poezinë popullore të
arbëreshëve bashkon historicitetin e figurave dhe
ngjarjeve reale me legjendarizimin e trashëguar prej
epikës heroike. Skënderbeu në këto këngë
bën të njëjtat mrekulli si Shën Gjergji
në letërsinë biblike dhe vdekja e tij përshkruhet
me të njëjtin vajtim të botës, natyrës,
qiellit, tokës dhe njerëzve si kryqëzimi i
Krishtit. Me këtë cikël ka studiues që
bashkojnë edhe këngën e Gjorg Golemit (Gjergj
Arianitit), bashkëkohës i Skënderbeut, mbledhur
e botuar për herë të parë në vitet
30 të shek. XX.
Këngët epike dhe legjendat që i ruajnë
arbëreshët e Italisë, të larguar nga Shqipëria
qysh në shek. XV, të cilat me pak ndryshime i gjejmë
edhe te fshatarët e malësorët e vendit tonë,
dëshmojnë se ato kanë qenë thurrur nga
rapsodët shqiptarë para shek. XV.
Tradita e arbëreshëve të Greqisë dhe të
Italisë, e cila përputhet me atë të mëmëdheut,
tregon se poezitë epike dhe lirike rituale këndoheshin,
përcilleshin me muzikë dhe shoqëroheshin me
lëvizje ritmike. Këto valle bashkë me kostumet
e mrekullueshme të valltarëve, përbënin
së bashku një shprehje të lartë artistike
që mishëronte gëzimin e jetës dhe shijen
estetike të shqiptarëve.
Kultura popullore shqiptare e mesjetës nuk u zhvillua
e shkëputur nga kontaktet me popujt fqinjë ballkanas.
Ajo ndikoi me një varg elementesh të saj, veçanërisht
në veshje, me muzikën, vallet dhe me tiparet e saj
shpirtërore, në kulturën e popujve fqinjë
në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbinë
Jugore dhe në Greqi. Nga ana e tyre, shqiptarët
e pasuruan gjithashtu kulturën e vet me ndikime të
marra prej fqinjëve të tyre që i shkrinë
në tërësinë e trashëgimit të
vet kulturor.
Kultura, letërsia e shkruar dhe arsimi në tokat
shqiptare
Rol të rëndësishëm në veprimtarinë
kulturore dhe arsimore në mesjetë luajti kisha e
krishterë. Roli i saj si udhëheqëse shpirtërore
shpjegohet nga fakti se krahas burimeve ekonomike, kisha pati
në dorë monopolin e kulturës dhe përgatitjen
e inteligjencies së kohës. Shumica e njerëzve
të kulturës, veçanërisht në shekujt
e mesjetës së herët, ishin thuajse pa përjashtim
klerikë, qoftë si prodhues, qoftë edhe si porositës
të prodhimit artistik e kulturor. Në duart e klerikëve
ishin filozofia e letërsia, arsimi dhe artet. Si qendra
të propagandimit të doktrinës fetare, të
arsimit dhe të veprimtarisë kulturore-artistike
shërbyen manastiret ortodokse e katolike, krahas të
cilave vepronin aktivisht edhe kurjet peshkopale.
Me ashpërsimin e marrëdhënieve shoqërore
e politike në mesjetë, kur u forcua më tepër
lufta e kishës për të ruajtur ndikimin e vet,
krahas urdhrave murgëtarë të benediktinëve
e dominikanëve që kishin pasur në dorë
arsimin, qysh nga shek. XIII dhe në Shqipëri filluan
të përhapeshin urdhrat murgëtarë të
lypësve, minoritët françeskanë.
Me predikimet e tyre për nevojën e reformave
të kishës në frymën e varfërisë,
këta mundën të ndikonin më lehtë
mbi shtresat popullore.
Duke filluar nga shek. XIII pranë klerikëve në
veprimtarinë kulturore të zhvilluar në tokat
shqiptare shfaqen edhe përfaqësues të aristokracisë
vendase, më shpesh si ktitorë (themelues) ndërtimesh
monumentale kishtare. Fuqizimi ekonomik e politik i jepte
asaj mundësinë të pajtonte artistë e mjeshtër
dhe të ndërmerrte ndërtime të kushtueshme.
Në sajë të pozitës mbizotëruese të
kishës, në kushtet e sundimit bizantin dhe të
atij të feudalëve perëndimorë në
tokat shqiptare, gjuhët greke e latine mbajtën për
një kohë shumë të gjatë pozitën
si gjuhë kulturore mbisunduese.
Gjatë mesjetës u shtua në mënyrë
të ndjeshme numri i veprave të shkruara që
qarkullonin në duart e njerëzve të mësuar.
Përmbajtja e shumicës së tyre ka karakter krejt
kishëtar. Ato janë tekste ungjillore, vepra liturgjike,
aty-këtu ndonjë traktat teologjik. Një pjesë
e tyre ka mundur të ruhet në Berat.
Nga shekujt e mesjetës vjen koleksioni i kodikëve
që përbën një prej pasurive më të
rëndësishme kulturore të popullit shqiptar.
Ky koleksion përmban mbi 100 vëllime, që përbëjnë
vepra të plota (dorëshkrime) dhe 17 fragmente. Jashtë
këtij fondi numërohen edhe disa dhjetëra kodikë
të tjerë, që i takojnë manastirit të
Shën Gjon Vladimirit, mitropolisë së Drinopolit
e arkipeshkvisë së Shkodrës. Kodikët ruhen
në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar.
Kodikët e Shqipërisë, nga të cilët
më i vjetri është Kodiku i Purpurt i
Beratit, janë një fond me rëndësi
për historinë e zhvillimit të letërsisë
së vjetër biblike, liturgjike. Këta kronologjikisht
ndjekin njëri-tjetrin gjatë 13 shekujve me radhë
(prej shek. VI - deri në shek. XVIII). Pjesa më
e madhe e teksteve të tyre janë greqisht, por, duke
ardhur më pranë kohërave të reja, shtohet
prania e shqipes.
Kodiku i Purpurt i Beratit është një
dorëshkrim me rëndësi historike për fillimet
e letërsisë biblike dhe renditet në themelet
e letërsisë kishtare të ritit lindor. Sipas
teknikës së shkrimit, është një dorëshkrim
jo më i vonshëm se shek. VI pas erës sonë.
Ka 190 fletë dhe përmban dy ungjij: sipas Mateut
dhe sipas Markut. Është shkruar me shkronja të
derdhura prej argjendi. Lënda e dorëshkrimit është
pergamenë. Sfondi mbi të cilin janë derdhur
këto shkronja është e kuqe e thellë (e
purpurt), prej nga ka marrë edhe emrin. Disa pjesë
të rëndësishme të tekstit të kodikut
janë të derdhura në ar. Kapaku i dorëshkrimit
është metalik, me zbukurime biblike, disa shekuj
më i vonshëm se vetë vepra (jo më i hershëm
se shek. XVIII).
Për herë të parë për "Codex
Purpureus Beratinus" bëhet fjalë në "Diptikun
e kishës së Shën Gjergjit", që gjendej
në kështjellën e Beratit. Në një
shënim të cituar nga ky dorëshkrim flitet për
rrezikun që i vinte rrotull këtij kodiku në
vitin 1356, kur ushtritë serbe të Stefan Uroshit
rrethuan qytetin e Beratit, tashmë të boshatisur
nga popullata, për shkak të pamundësisë
për t'u mbrojtur, dhe ia kishin vënë syrin
bibliotekës së manastirit të Theollogut dhe
të kishës së Shën Gjergjit, thesarit më
të madh të qytetit.
Deri në prag të Luftës së Dytë Botërore
(kur u fsheh nga atdhetarët beratas për të
mos rënë në duart e pushtuesve) Kodiku
i Purpurt i Beratit ishte jo vetëm një libër
(dorëshkrim) për bibliotekën, por edhe tekst
liturgjie. Një herë në vit mesha mbahej sipas
ungjijve të këtij teksti.
"Kodiku i Purpurt i Beratit" vlerësohet gjithashtu
për historinë e shkrimit, për vlerat kaligrafike,
si përmendore e trashëgimisë së përbotshme
të dijes, si objekt shkencor i paleografisë, bibliologjisë,
gjuhësisë, historisë së besimeve.
Duke u nisur prej faktit se në arkivat shqiptarë
ruhen mbi 100 dorëshkrime të tipit kodik, në
të cilat janë kopjuar gjatë 12 shekujve me
radhë shkrimet e shenjta, "Testamenti i Vjetër",
ungjijtë dhe tekste të tjera të shërbesës
ekleziastike, mendohet se ato mund të jenë shkruar
nga murgj vendës. Veç faktit se këto dorëshkrime
krijojnë një traditë të letërsisë
kishtare, vijnë në ndihmë të këtij
përfundimi edhe të dhëna të tjera. Kryelutja
mijëvjeçare e krishtërimit perëndimor
Ty zot të lavdërojmë - Te Deum Laudamus, e
cila u kompozua nga Shën Niketa i Dardanisë (ose
Shën Niketa i Remesianës), u përhap në
disa variante në Evropën Perëndimore pas vitit
525
"Beratinus-1" dhe kodikët e tjerë të
Shqipërisë janë vepra me rëndësi
për historinë e kulturës e të shkrimit
të shenjtë, por dhe të letërsisë
në përgjithësi. "Kodiku i Purpurt i Beratit"
është i regjistruar në listën e veprave
më të rëndësishme të njerëzimit,
të njohur me emrin "Memoire du Monde" (Kujtesa
e Botës) dhe prej disa vitesh gëzon kujdesin e drejtpërdrejtë
të UNESCO-s.
Kodiku i dytë (sipas kronologjisë), i quajtur "Beratinus-2"
ose "Kodiku i Anthimit" (Codex Aureus Anthimi) -
për shkak të shkronjës prej ari që është
përdorur, i takon shek. IX. Ai përmban katër
ungjijtë (sipas Gjonit, Lukës, Markut dhe Mateut).
Figurat e ungjillorëve kanë korniza dekorative,
që janë ndërtuar me motive floreale dhe gjeometrike
(rrathë dhe lule).
Në fondin e pasur të kodikëve të Shqipërisë,
përveç "Beratinus-1" e "Beratinus-2",
bëjnë pjesë edhe dhjetëra dorëshkrime
të tjera, që kanë marrë emrat e qyteteve
ku janë zbuluar Kodiku i Vlorës, afërsisht
shek. X; Kodiku i Përmetit, i shek. XIV;
Kodiku i Shkodrës, i të njëjtit
shekull.
Në kodikët që i takojnë periudhës
prej shek. XII e këndej ka dhe të dhëna etnografike,
rregulla të ndërtimit të jetës së
përbashkët, të dhënies të së
drejtës, të trashëgimit të pasurisë
nëpërmjet fejesës ose prej ndarjes, të
ndryshimit të së drejtës në rastin e konvertimit
të fesë.
Duke filluar nga shek. XII shënohet një rritje e
zgjerim në përdorimin e shkrimit dhe në zhvillimin
e letërsisë e të arsimit në tokat shqiptare,
duke çuar më përpara traditat në këtë
fushë. Huazimet me prejardhje latine si: shkruaj,
këndoj etj., me evolucionin e tyre fonetik
e kuptimor dëshmojnë se populli shqiptar njihte
shkrim e këndim pa ndërprerje qysh prej një
kohë të lashtë.
Zhvillimi ekonomiko-shoqëror e politik që karakterizon
shek. XII-XIV krijoi kushte për përdorimin më
të gjerë të shkrimit. Konsolidimi i formacioneve
shtetërore vendase shtruan nevojën e redaktimit
të akteve me karakter juridik e politik. Kësaj nevoje
i shërbenin tani jo më rastësisht njerëz
të ditur si klerikë e murgj të manastireve,
por profesionistë të specializuar. Këta formonin
kancelaritë pranë oborreve feudale dhe në qytetet
kryesore të vendit. Rrethi i njerëzve të kulturës
u shtua edhe me banorë të komunave qytetare. Në
shek. XIV e në fillim të shek. XV numri i intelektualëve
klerikë shqiptarë me origjinë qytetare ishte
mjaft i madh; ata gjenden të përhapur edhe jashtë
Shqipërisë, në shumë qytete dalmatine
ku kryenin funksione kancelarësh, mësuesish, famulltarësh
etj.
Nuk munguan edhe vepra të shkëputura deri-diku nga
përmbajtja kishtare. Të tilla janë, p.sh.,
kronika e peshkopit Mihail nga Devolli (shek. XI-XII), e cila
trajton ngjarje të luftës së bizantinëve
kundër mbretërisë bullgare në Maqedoni
e pjesërisht në tokat shqiptare, letërkëmbimi
i peshkopit Teofilakt të Ohrit, me disa të dhëna
interesante mbi jetën e banorëve të peshkopatës
së tij në fillim të shek. XII, disa jetëshkrime
shenjtorësh që zhvilluan veprimtarinë e tyre
edhe në tokat shqiptare, si ato të Klementit e Naumit
hartuar në shek. XIII etj. Ndryshe nga këto vepra
të shkruara greqisht, është shkruar latinisht
kronika e një prifti nga Dioklea, e cila përshkruan
ngjarjet që u zhvilluan në Shqipërinë
e Epërme në kapërcim të shek. X-XI. Në
territor të banuar prej shqiptarësh në Epir,
janë hartuar në fund të shek. XIV e në
fillim të shek. XV dy kronika greke që japin të
dhëna me interes për historinë e Principatës
shqiptare të Artës. Shënime historike për
shek. XIV gjenden edhe në disa nga dorëshkrimet
e Beratit.
Megjithëse nuk shkëputen nga fryma teologjike, këto
prodhime përbëjnë hapat e para të historiografisë
në vendin tonë, sepse një pjesë e këtyre
është hartuar pa dyshim nga autorë vendas dhe
i përket historisë së tokave shqiptare. Shkëputjen
nga ndikimi kishtar dhe kalimi në historiografinë
laike, këtë hap në historinë e kulturës
shqiptare, e bënë humanistët shqiptarë
në fund të shek. XV e në fillim të shek.
XVI, por tanimë në kushtet e pushtimit osman të
vendit, jashtë Shqipërisë.
Nën ndikimin mbizotërues të kishës lindore
dhe të asaj romane, gjuha kishtare shërbeu edhe
si gjuhë shkrimi për administratën shtetërore.
E tillë ishte, sipas rrethanave politike, greqishtja
dhe latinishtja dhe në një masë më të
vogël, me vendosjen e sundimit serb edhe sllavishtja.
Si gjuhë shkrimi këto u përdorën edhe
nga paria sunduese shqiptare, në veprimtarinë shtetërore.
Disa nga sundimtarët shqiptarë, si Muzakajt, përdorin
në korrespondencën e tyre greqishten, kurse Balshajt
latinishten dhe sllavishten, të tjerë si Karl Topia
dhe Kastriotët i përdorën të tria këto
gjuhë. Dëshmi për këtë janë
mbishkrimet e rëndësishme të vendosura më
1383 prej Karl Topisë në manastirin e Shën
Gjonit pranë Elbasanit.
Këto gjuhë mësoheshin në shkollat që
vepronin gjithmonë nën mbikëqyrjen e kishës.
Në shkollat pranë manastireve, mësimi jepej
në fillim në formë individuale vetëm me
lexim e me këngë kishtare, kurse më vonë
jepej me forma më të organizuara duke përfshirë
një rreth më të gjerë lëndësh.
Në të tilla shkolla që i hasim edhe në
qytetet pranë kurjeve peshkopale, mësohej kursi
tradicional mësimor që jepej edhe në shkollat
e vendeve perëndimore. Ai përbëhej nga cikli
i ulët që përfshinte lëndët letrare
(gramatikë, retorikë, didaktikë) dhe cikli
i lartë me lëndë shkencore (aritmetikë,
gjeometri, astronomi e muzikë). Për mësimin
e këtyre lëndëve pajtoheshin me kontratë
klerikë të ditur. Të tillë mësues
shqiptarë vepruan edhe në një varg qytetesh
dalmatine ku ishin pajtuar me shërbim si specialistë
të njohur. Me zhvillimin e qyteteve, shkollat pranë
nxënësve klerikë filluan t`i frekuentonin aty-këtu
edhe nxënës nga shtresat e larta tregtare dhe zejtare
të qyteteve.
Themelimi i shkollave në trojet shqiptare gjatë
mesjetës u bë me nismën e urdhrave kishtarë,
sidomos të urdhrit dominikan, si dhe të administratës
komunale e princërore të qyteteve të njohura.
Një aktivitet i këtillë filloi së pari
në Ulqin rreth vitit 1258, në Kotorr më 1266,
në Durrës më 1278, në Shkodër më
1345 dhe në Tivar nga gjysma e dytë e shek. XIV.
Gjuha shqipe, si gjuhë e shkruar, në këtë
kohë ende nuk ishte në gjendje ti bënte
ballë shkrimit greqisht, latinisht dhe sllavisht, gjuhë
kishtare me rëndësi, të cilat për më
tepër kishin mbështetjen e institucioneve kishtare
dhe të administratës shtetërore. Ajo shërbente
si gjuhë e komunikimit të përditshëm si
për shtresat popullore, ashtu dhe për fisnikërinë
e klerin vendas. Kështu, në shek. XIV shqipja përdorej
në administratën e bashkësisë qytetare
të Ulqinit, ku në mbledhje të Këshillit
të Madh ajo ishte gjuha e shërbimit.
Një ndryshim me rëndësi shumë të
madhe për historinë e kulturës shqiptare shfaqet
në gjysmën e parë të shek. XIV, kur dokumentohet
për herë të parë se shqipja, përdorej
si gjuhë shkrimi. Ky hap i rëndësishëm
lidhet me ngritjen e përgjithshme ekonomike-shoqërore
të vendit dhe veçanërisht të qyteteve.
Me përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë shkrimi,
viheshin bazat për zhvillimin e mëtejshëm të
saj si gjuhë e kulturës dhe e letërsisë
shqipe.
Fillimet e letërsisë shqiptare. Dokumentet e
para të shqipes së shkruar
Libri i parë shqip që njihet deri më sot është
Meshari i Gjon Buzukut, i vitit 1555. Por ka të
dhëna të drejtpërdrejta dhe të tërthorta
që flasin se fillimet e shkrimit shqip e të letërsisë
shqiptare duhet të jenë më të hershme
se shek. XVI. Vetë trajta e ngulitur e shkrimit dhe e
gjuhës në veprën e Gjon Buzukut dëshmon
se ajo duhet të ketë trashëguar një traditë
para saj. Një dëshmi tjetër e tërthortë
vjen prej klerikut frëng Gulielmi i Adës (1270-1341),
i cili shërbeu për shumë kohë (1324-1341)
si kryepeshkop i Tivarit dhe e njohu nga afër jetën
e banorëve të këtyre trojeve. Në një
relacion me titull Directorium ad passagium faciendum
ad terram sanctam, dërguar mbretit të Francës,
Filipi VI Valua, në vitin 1332, Guljelmi ndër të
tjera shkruan: Sado që arbrit kanë gjuhë
të ndryshme nga latinishtja, prapëseprapë,
ata kanë në përdorim dhe në tërë
librat e tyre shkronjën latine.
Po ashtu Marin Barleci në veprën e tij Rrethimi
i Shkodrës (De obsi-dione Scodrensi), botuar në
Venedik më 1505, thotë se ka pasur në dorë
kronika që flasin për rindërtimin e atij qyteti
të shkruara, sipas tij, in vernacula lingua, d.m.th në
gjuhën e vendit. Kurse historiani kalabrez Xhakomo Marafioti
njofton më 1601 se në Kalabri arbëreshët
i kanë arbërisht shërbesat fetare dhe as latinisht,
as greqisht. Kuptohet se këtë traditë ata duhet
ta kenë marrë me vete nga Shqipëria, sepse
nuk mund ta krijonin vetë aq shpejt në kushtet e
mërgimit të tyre të rëndë.
Deri më sot njihen vetëm tri dokumente të shqipes
së shkruar në shek. XV ose diçka më
herët.
I pari dokument i shkruar në gjuhën shqipe është
Formula e pagëzimit dhe i takon vitit 1462.
Është një formulë e shkurtër fetare
e shkruar shqip, brenda një teksti latinisht, të
hartuar prej kryepeshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit,
bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut.
Në qarkoren që u dërgon vartësve të
tij të klerit katolik, ai lejon që prindërit
shqiptarë, në rast nevoje, kur nuk mund t`i pagëzonin
fëmijët në kishë, mund t`i pagëzonin
vetë duke përdorur këtë formulë:
Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit. (Unë
të pagëzoj në emër të Atit e të
birit e të shpirtit shenjtë). Kjo frazë është
shkruar në alfabetin latin dhe në dialektin e veriut
(gegërisht).
Dokumenti i dytë i shkruar në gjuhën shqipe
është Fjalorthi i Arnold Von Harfit,
i vitit 1496. Ky udhëtar gjerman, gjatë një
udhëtimi në viset shqiptare, për nevoja praktike
të rrugës shënoi 26 fjalë shqipe, 8 shprehje
dhe numërorët 1 deri 10, dhe 100 e 1000, duke i
shoqëruar me përkthimin gjermanisht.
I treti dokument i shqipes së shkruar që njihet
me emrin Perikopeja e ungjillit të pashkëve,
është gjetur në Bibliotekën Ambroziane
të Milanos brenda një mbishkrimi greqisht të
shek. XIV. Fragmentet shqip s`kanë lidhje me dorëshkrimin
greqisht dhe dijetarët mendojnë se ky dorëshkrim
mund të jetë i fundit të shek. XV ose i fillimit
të shek. XVI. Ai është shkruar në dialektin
e jugut dhe me alfabetin grek.
Shqipja dokumentohet kështu e shkruar që në
shek. XV në dy dialektet e saj kryesore dhe me dy alfabete,
me alfabetin latin dhe me alfabetin grek. Kjo është
një dëshmi se kultura shqiptare dhe jeta shpirtërore
konfesionale në Shqipëri zhvillohej nën ndikimin
e kulturës latine-katolike, dhe të kulturës
bizantine-ortodokse.
Arkitektura në shek. VI-XV
Veprat më të rëndësishme të artit
që njihen në Shqipëri nga shekujt e mesjetës
i përkasin arkitekturës. Kjo shpjegohet me faktin
se arkitektura ishte e lidhur me nevojat e jetës së
përditshme, me banimin, mbrojtjen e vendit si edhe me
nevojat e forcave politike drejtuese të kohës për
vepra monumentale. Përveç kësaj monumentet
e arkitekturës kanë mundur tu qëndronin
më mirë dëmtimeve të kohës sesa veprat
e tjera të artit, që u shkatërruan nga luftërat
e shumta.
Gjatë periudhës së mesjetës, përgjithësisht,
në fushën e arkitekturës u bë një
përparim i ndjeshëm në teknikën e ndërtimit.
Shek. VI karakterizohet nga ndërtime masive në territorin
e Shqipërisë që përfshihej në provincat
e dy Epirëve dhe Prevalitanës. Mbizotëruan
kryesisht ndërtimet me karakter mbrojtës, që
synonin tu bënin ballë sulmeve avaro-sllave.
Perandori bizantin Anastasi I (491-518) fortifikoi qytetin
e tij të lindjes, Durrësin, me tri radhë muresh,
ndërtoi kështjella dhe riparoi mure qytetesh.
Periudha e Justinianit I (527-565) ishte më intensivja
në fushën e ndërtimeve, sidomos të atyre
me karakter ushtarak. Përveç tyre ai ndërtoi
shumë kisha, ujësjellësa etj. Këtë
veprimtari e bën të njohur në veprën e
tij Mbi ndërtimet historiani i Justinianit, Prokopi i
Qezaresë. Por gjithë këto ndërtime pjesërisht
nuk janë ruajtur, ndërkaq shumica e emrave të
vendeve të përmendura nga Prokopi është
vështirë të identifikohen me emrat e rinj.
Fortifikimet më të rëndësishme të
shek. VI janë pa dyshim muret rrethuese të Durrësit
që i takojnë periudhës së sundimit të
perandorit Anastasi I. Ato janë ndërtuar krejtësisht
me tulla dhe kanë një gjerësi prej 3,50 metrash.
Çdo 60-65 metra janë ndërtuar kulla të
fuqishme pesëkëndëshe, të cilat kanë
patur një lartësi prej 18 m dhe ndaheshin në
tri kate me dysheme druri. Kati përdhes kishte një
lartësi të dyfishtë dhe shërbente si depo.
Kati i parë përbëhej nga një hapësirë
e vetme e pajisur me frëngji për katapulta. Kati
i dytë mbulohej nga qemere mbi të cilat ndodhej
tarraca e rrethuar nga parapeti me frëngji. Muret e qytetit
përshkoheshin nga një numër i madh portash,
prej të cilave ruhen vetëm dy prej tyre në
murin jugperëndimor. Hyrja kryesore e qytetit, e cila
nuk ekziston më, duket se ndodhej nga verilindja. Sipas
përshkrimit të Ana Komnenës, para kësaj
porte qëndronte një statujë prej bronzi, e
cila me sa duket kishte mbetur aty nga koha romake dhe i kushtohej
perandorit Adrian.
Në shumë drejtime vlerat arkitektonike të Durrësit
në fushën e artit të fortifikimit i kalojnë
kufijtë krahinorë. Para se gjenerali i Justinianit,
Belizari, të ndërtonte në Romë një
tip të ri bedenash, që siguronin një mbrojtje
anësore, dhe që sipas Prokopit bëri përshtypje
në atë kohë, ato i gjejmë të zbatuara
në kështjellën e Durrësit.
Gjatë periudhës së Justinianit vërehet
një tendencë për ndërtimin e kështjellave
mbi lartësinë e kodrave, përdorimi i akropoleve
dhe nënndarje të tjera, që sishte gjë
tjetër veçse kthimi në format e vjetra të
periudhës helenistike apo të fortifikimeve më
të hershme ilire. Shembuj të tillë ndeshen
në kështjellën e Zvezdës, Zaradishtës,
Çukës së Ajtojt etj. Frëngjitë
fillojnë të bëhen gjithnjë e më të
ngushta, hyrjet e vjetra murosen ose ngushtohen duke e bërë
mbrojtjen gjithnjë e më pasive.
Një vend të rëndësishëm midis monumenteve
të arkitekturës mesjetare zënë ndërtesat
e kultit të krishterë. Ndërsa banesat brenda
kështjellave ishin të thjeshta, përgjithësisht
njëkthinëshe, ndërtimet e kultit të krishterë
përbëheshin nga godina të mëdha, të
tipit bazilikal ose me planimetri qendrore, prej të cilave
mbizotëronte tipi i parë. Këto ndërtime
ndoqën në vija të përgjithshme skemat
arkitekturale të shekujve të fundit të arkitekturës
romake.
Mjaft monumente kulti të kësaj periudhe janë
nxjerrë në dritë nga gërmimet arkeologjike
në Ohër, Amantia, Bylis, Butrint, Elbasan, Lin (Pogradec),
Tiranë, Paleokastër (Gjirokastër), Tushemisht
(Pogradec), Polenë (Korçë), Karbunarë
(Vlorë), Pluk (Fier) etj. Deri tani janë zbuluar
gjurmët e rreth 30 bazilikave, dyshemetë e të
cilave në pjesën më të madhe kanë
qenë shtruar me mozaikë. Vetëm në qytetin
antik të Bylisit, brenda mureve rrethuese të ngritura
nga Justiniani I, janë zbuluar pesë bazilika të
mëdha.
Numri i madh i këtyre monumenteve, cilësia artistike
e realizimit të tyre si dhe përmasat shpesh gjigante
tregojnë se në trevat iliro-shqiptare, arkitektura
kishtare, veçanërisht në shek. VI, kishte
marrë një zhvillim të madh.
Bazilikat ishin ndërtime që kishin një shtrirje
të theksuar gjatësore. Ato ndaheshin në tri
hapësira kryesore (nefe) nëpërmjet një
sistemi arkadash mbi pilastra apo mbi kolona dhe mbuloheshin
me çati mbi kapriata druri (varianti helenistik) ose
me qemere (varianti oriental).
Në anën lindore ndodhej absida ku vendosej altari,
ndërsa hyrja kryesore ndodhej nga perëndimi dhe
paraprihej zakonisht nga një parasallë (narteksi).
Në bazilikat e mëdha kishte dhe një oborr të
hapur me kolona (atrium) si dhe ambiente të tjera ndihmëse
(Bazilika e Arapajt-Durrës).
Më të rralla janë ndërtesat e kultit me
planimetri qendrore. Karakteristikë e tyre është
ndërtimi rreth një ambienti kryesor, që ndodhet
në qendër të ndërtesës. Ndryshe nga
bazilikat, në këto ndërtime mbizotëron
boshti vertikal kundrejt atij gjatësor. Këto ndërtesa
që mbuloheshin në të shumtën e rasteve
me kupolë, përbëjnë veçoritë
themelore të arkitekturës bizantine në shekujt
në vazhdim. Në vendin tonë deri tani janë
zbuluar dy ndërtime të mirëfillta me planimetri
qendrore: kisha e Linit (Pogradec) dhe Baptisteri i Butrintit,
të cilat shquhen dhe për vlerat e mëdha artistike
të mozaikëve të dyshemesë.
Gjatë shekujve të parë të mesjetës,
që u karakterizuan nga pushtimet avaro-sllave, të
cilat sollën si pasojë shkatërrimin e shumë
qyteteve dhe kështjellave si dhe shndërrime të
mëdha etnike në Ballkan, vihet re një rënie
ekonomike dhe për pasojë edhe rënie në
fushën e ndërtimeve civile apo të kultit. Në
ndonjë rast shpenzimet kalojnë në favor të
fortifikimeve, si në Butrint ku një pallat peshkopal
mbeti i papërfunduar, ndërkohë që rindërtohet
një mur mbrojtës në shek. VII. Gjurmë
të tjera ndërtimesh mbrojtëse të mesjetës
së hershme hetohen gjithashtu në kështjellën
e Lezhës dhe të Pogradecit. Për dy shekuj vazhduan
të përdoren të njëjtat monumente kulti
në zonat që i qëndruan pushtimeve sllave. Riparimet
apo rindërtimet janë realizuar me një teknikë
të varfër, që tregon për vështirësitë
ekonomike të kohës. Bazilika e madhe e Butrintit
e ndërtuar në shek. VI rindërtohet në
shek. IX. Gjithashtu, në shek. XI vazhdon të përdoret
bazilika e Ballshit, ku mbreti Boris i bullgarëve, në
vitin 865, kthehet në fenë e krishterë.
Gjatë shek. X vërehet në përgjithësi
një rritje e nivelit të ndërtimeve. Kriza që
u shkaktua nga inkursionet arabe në detin e Jonit dhe
shfaqja e frankëve në kufijtë perëndimorë
rriti rolin e Temës së Durrësit në fortifikimin
e qyteteve bregdetare të Shqipërisë. Mure mbrojtëse
të kësaj periudhe, të pajisura me kulla trekëndëshe
dhe kontraforta, hetohen në Kaninë dhe Butrint.
Në shek. X u fortifikuan gjithashtu një radhë
qytetesh rreth Shkodrës, si Sarda (Shurdhahu), Drishti
(Drivast) dhe Deja. Në fushën e ndërtimeve
të kultit vazhdimi i traditës bazilikale hetohet
në kishën e Shën Kollit në Perondi të
Beratit, si dhe në bazilikën nën xhaminë
e Fatihut në Durrës. Arkitektura e kultit arrin
kulmin me kishën e Shën Mërisë në
Labovë të Kryqit të Gjirokastrës e tipit
kryq i brendashkruar me kupolë. Kjo kishë e ndikuar
nga arkitektura kryeqytetase shquhet për ngritjen e saj
vertikale (lartësia 17 m), për tamburin masiv mbi
të cilin mbështetet kupola, si dhe për dekoracionin
e pasur me tulla.
Këto elemente si dhe konceptimi i hapësirës
së brendshme krijojnë ndjenjën e madhështisë.
Arkitektura kishtare bizantine gjatë shekujve X-XV në
Shqipëri dallohet për shumëllojshmërinë
e tipave arkitektonikë duke filluar nga kishat njënefëshe,
bazilikat, tipat në formë kryqi me kupolë si
dhe nga tipa të tjerë ndonjëherë unikalë.
Përveç këtyre monumenteve për vlerat
e tyre të veçanta arkitektonike shquhen edhe objekte
të tjera të stilit bizantin, që u përkasin
shekujve XIII-XIV, si: kisha e Ristozit në Mborje të
Korçës, manastiri i Apolonisë, kishat bizantine
të Beratit (Shën Mëria Vllaherna, Shën
Triadha, Shën Mëhilli i ndërtuar në shkëmb),
manastiri i Mesopotamit (Sarandë), ai i Zvernecit, kishat
në fshatin Perondi të Beratit, në Kurjan të
Fierit, ajo e Marmirojt në Orik të Vlorës,
e Labovës në rrethin e Gjirokastrës etj. Vlera
të veçanta artistike paraqet kisha e manastirit
të Pojanit, e ndërtuar në shek. XIII nga perandori
bizantin Androniku II. Shtyllat në oborrin e saj përbëjnë
elementë të huaj që nuk gjenden në asnjë
ndërtesë tjetër të këtij stili dhe
që janë dëshmi e stilit romanik të përhapur
në viset Veriore të Shqipërisë dhe në
ato Perëndimore të bregdetit ballkanik.
Në Shqipërinë Qendrore, por më tepër
në atë të Epërme lulëzoi në
mesjetë edhe arkitektura romaniko-gotike, kjo sepse krahinat
veriore mbetën të lidhura më shumë me
kishën perëndimore, ndërsa në Durrës
dhe krahinat rreth tij vepronin të dyja kishat, por kishte
përparësi kisha lindore. Në kushte të
tilla përveç tipave arkitektonikë të
pastër kemi dhe ndikime të ndërsjellta të
arkitekturës bizantine dhe asaj perëndimore. Ndikimet
e arkitekturës perëndimore vërehen dhe në
ato krahina ku për periudha të shkurtra erdhën
sundimtarë perëndimorë.
Shembujt më të shquar nga arkitektura romaniko-gotike
datohen në shek. XII-XIII. Kishat e këtij tipi në
Shqipërinë e Epërme dhe Qendrore karakterizohen
nga planimetritë kryesisht njënefëshe me theksim
të boshtit gjatësor perëndim-lindje me absida
rrethore ose drejtkëndëshe, nga përdorimi i
frantonive në anët më të ngushta, nga
çatitë mbi kapriata druri me rrathë mbi qemere
cilindrike, si dhe nga prania e këmbanave.
Prej tyre dalloheshin për trajtimin e tyre arkitektonik
monumental dhe për kërkesat artistike, kisha e Shën
Serxhit dhe e Bakut pranë fshatit Shirgj të rrethit
të Shkodrës, kisha e Shën Mërisë
në Vaun e Dejës, kisha e Rubikut etj., prej të
cilave dy të parat ndërtuar në shek. XIII mbi
bazën e ndërtimeve më të hershme, ndërsa
e fundit në shek. XII. Pjesa më e madhe e këtyre
kishave ka qenë zbukuruar me piktura murale.
Elemente arkitektonike karakteristike romaniko-gotike ishin
të përhapura prej bregdetit të Shqipërisë
së Epërme deri në Kosovë, ku kjo arkitekturë
pati një lulëzim të veçantë në
ndërtimet e kultit në shek. XIV, siç është
kisha e manastirit të Deçanit pranë Pejës.
Banesat mesjetare i njohim më tepër nga të
dhënat burimore. Ato ndërtoheshin me gurë,
dru apo të ndërthurura. Çatitë mbuloheshim
me furde ose me kashtë. Tjegullat përdoreshin në
godinat e kultit dhe në ato të shtresave të
pasura. Banesat e Shurdhahut (Sarda) të datuara në
shek. XI, janë përgjithësisht dykthinëshe,
si dhe të tilla me një ambient qendror midis tyre.
Shtrimi i dyshemeve me pllaka guri tregon se ato duhet të
kenë qenë njëkatëshe.
Gjatë shekujve XIII-XIV morën gjithashtu një
zhvillim të dukshëm ndërtimet mbrojtëse,
zgjerohen dhe rindërtohen muret e qyteteve dhe në
disa raste rrethohen me mure edhe lagjet e jashtme (varoshet).
Në këtë veprimtari u dalluan despotët
e Epirit dhe më vonë fisnikët shqiptarë,
si Topiajt, Balshajt, Muzakajt etj. Kështu Topiajve me
qendër në Krujë dhe Pertelë u atribuohet
nga Barleci ndërtimi i kështjellës së
Petrelës, ndërsa Balshajve kështjella e Shkodrës.
Rreth mesit të shek. XIV Karl Topia rindërton kështjellën
e Krujës, ndërsa në vitin 1389 Muzakët
ndërtuan Kullën e Pirgut në derdhje të
Semanit.
Monumentet kryesore të arkitekturës civile në
Shqipëri janë kështjellat. Tipa më interesantë
paraqesin kështjellat e Beratit, Shkodrës, Lezhës,
Shurdhahut, Krujës, Rodonit, Petrelës, Kaninës
etj. Për një pjesë të mirë ato janë
ndërtuar mbi themelet e kohës antike të herët
ose të vonët, por janë rindërtuar gjatë
shekujve të mesjetës. Kështjellat kryesore
të vendit në gjendjen e tyre të sotme në
themel u përkasin shek. XII-XV.
Mjaft kështjella dhe qytete të fortifikuara të
vendit tonë ruajnë edhe sot tiparet arkitektonike
të shek. XIII-XIV, kur ato u ndërtuan apo patën
periudhën e lulëzimit më të madh gjatë
mesjetës. Shembulli më tipik është kështjella
e Beratit, muret e sotme të së cilës janë
rindërtuar në fillim të shek. XIII prej despotit
Mihail Engjëll Komneni, monogrami i të cilit qëndron
mbi portën e parë të hyrjes. Muret rrethuese
që ndjekin konturin e terrenit kanë një gjatësi
prej 1 400 m dhe përforcohen nga 24 kulla me forma planimetrike
dhe përmasa të ndryshme. Në pjesën më
të mbrojtur të platformës së kodrës
ndodhet kështjella e përforcuar nga pesë kulla.
Vetë kështjella përmban edhe një ndarje
tjetër më të vogël, të përforcuar
me dy kulla që shohin nga oborri i kështjellës.
Kjo ndarje shërbente si vend i qëndresës së
fundit, por më tepër për të veçuar
selinë e fortifikuar të sundimtarit nga garnizoni.
Kështjella ka një hyrje kryesore nga veriu, e cila
mbrohet nga një barbakan. Përveç ndërtimeve
të mësipërme, në shpatin jugor të
kodrës zbritnin dy mure nga qyteti deri në lumë,
duke përfshirë brenda tyre një sipërfaqe
prej 6 ha nga 16 ha që zë krejt sistemi i fortifikimit
të Beratit.
Brenda mureve të kështjellës ndodhej bërthama
kryesore dhe më e vjetër e qytetit. Edhe sot në
kështjellë ndodhet një lagje e tërë
me emrin Kala, më e vjetra e qytetit të
Beratit. Duke u zgjeruar, qytetet mesjetare dolën jashtë
mureve të kështjellës, ku u formuan te këmbët
e saj lagje të jashtme, varoshet, të
fortifikuar me mure shumë të dobëta. Nganjëherë
varoshi lidhej me mure me kështjellën, siç
ndodhte në Lezhë, në Drisht e në vende
të tjera.
Një nga fortifikimet që ka marrë trajtën
themelore gjatë shek. XIII-XIV është kështjella
e Shkodrës, e cila me gjithë ndërtimet dhe
rindërtimet që ka njohur gjatë sundimit osman,
ruan strukturën e saj të brendshme dhe të jashtme
që ka pasur në ata shekuj. Sipërfaqja e brendshme
e kështjellës, ndahet nëpërmjet muresh
në tri oborre që komunikojnë me porta midis
tyre. Oborri i tretë që zë një sipërfaqe
më të vogël nga të tjerët, ndodhet
në pjesën më të lartë e të mbrojtur
të kodrës dhe luante rolin e një kështjelle.
Gjatë shekujve XIII-XIV vihet re rritja e lartësisë
së mureve dhe sidomos të kullave. Këtë
e tregojnë sidomos kullat e kështjellës së
Beratit. Deri në shfaqjen e armës së artilerisë
ato duhet të ishin sa më të larta, për
të vështirësuar ngjitjen në to me shkallë,
dhe me mure të fuqishme për tu rezistuar makinave
gurëhedhëse. Kullat ndaheshin në disa kate
me dysheme druri ose me qemere. Zakonisht kati i sipërm
mbulohej me qemer, mbi të cilin krijohej një platformë
e rrethuar me bedena. Përveç kullave të zakonshme
në kështjella ndërtoheshin dhe kryekulla (donzhone),
që mund të ishin të shkëputura nga muret
rrethuese dhe të zinin një vend qendror në
kështjellë, mund të ishin të lidhura me
muret apo krejt të veçuara. Kryekulla ishte pjesa
e fortifikuar më me kujdes e një kështjelle
dhe ishte e aftë ti qëndronte një rrethimi
të gjatë. Ato i hasim kryesisht gjatë periudhës
së Despotatit të Epirit, si në Durrës,
Butrint etj.
Gjatë shek. XIII-XIV u ndërtuan edhe kështjella
më të vogla. Të tilla ishin kështjellat
në grykat e disa lumenjve që mbronin skelat tregtare,
si kështjella e Pirgut në grykën e Semanit,
e Bregut në atë të Shkumbinit, e Rodonit në
grykën e Ishmit etj. Nga këto ruhet ende sot në
gjendje të mirë kështjella e Bregut. Planimetria
e saj është katërkëndëshe, me nga
një kullë të rrumbullakët në të
katër skajet. Muret e trasha kanë përsipër
bedena dhe, sikurse kullat, janë pajisur me frëngji
për t`u përdorur për mbrojtjen. Brenda mureve
ndodheshin ndërtesa banimi, depo ushqimesh etj.
Një tjetër tip kështjellash qenë ato që
u ndërtuan në formë kullash në viset malore
nga feudalë shqiptarë. Zakonisht të ndërtuara
në vende strategjike, nga ana arkitektonike ato ishin
të thjeshta. Gjurmët e disa prej tyre duken edhe
sot në Guribardhë (Mat), në Kalanë e Lekës
(Va-Spas), në kullën e Turanit (Korçë)
etj.
Shek. XV shënon një epokë të re në
zhvillimin e fortifikimeve, e cila lidhet me periudhën
e përdorimit të armës së artilerisë
dhe të përsosjes së saj. Në territorin
e Shqipërisë fillojnë të gjejnë zbatim
parimet moderne të fortifikimit, siç janë
kullat për artileri që u quajtën Rondelo,
të ulëta dhe me mure të fuqishme, të barabarta
me lartësinë e kullave, hendeqet e fortifikuara
etj. Kjo ndodhte në një kohë kur në disa
vende të Evropës Perëndimore vazhdonin të
ndërtonin gjithnjë e më tepër në
lartësi për të vendosur sa më lart artilerinë
mbrojtëse. Frymëzimet, më tepër teorike
se praktike vinin nga Gadishulli Apenin. Në këtë
fushë konkurruan Skënderbeu, venecianët dhe
turqit, prej të cilëve këta të fundit
nuk patën zhvillime të shënueshme të teorive
moderne të fortifikimit në territorin e Shqipërisë.
Ndërmjet shumë fortifikimeve të realizuara
në këtë periudhë, përmenden fortifikimi
në Kepin e Rodonit, të cilin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu
e ndërtoi në vitin 1463 dhe kulla për artileri
në kështjellën e Durrësit etj.
Artet figurative. Piktura mesjetare
Krahas degëve të tjera të kulturës, në
mesjetë morën zhvillim edhe artet figurative. Skulptura
si gjini kryesore e arteve figurative, ashtu si në vendet
e tjera të Europës Juglindore edhe në tokat
shqiptare pati një zhvillim të kufizuar, qoftë
për numrin, qoftë për vendin që zinin
prodhimet e saj. Skulptura nuk mori këtu funksion të
pavarur. Ajo i shërbeu si element dekorativ arkitekturës,
në formë elementesh zbukuruese të lidhura me
ballina ndërtesash, me porta e dritare, shtylla e gurë
varresh. Edhe atje ku gjenden dekoracione plastike mjaft të
zhvilluara, si në kishën e Mesopotamit pranë
Sarandës, në kishën e manastirin e Deçanit,
ato nuk dalin nga karakteri i një relievi të vendosur
në muret e jashtme dhe nuk mund të qëndrojnë
më vete. Po kështu kishte funksion ndihmës
edhe skalitja e drurit, e argjendit etj.
Por në skulpturën ornamentale dhe në elementet
e saj zbukuruese gjetën shprehje më shumë se
në gjinitë e tjera të artit mesjetar elementet
e artit popullor, që zhvillonin traditat e vjetra të
njohura nga veshjet, nga shkorsat dhe nga qeramikat popullore.
Këto ornamente ishin zbatuar në mënyrë
më të përsosur e më të ndërlikuar,
në materiale më të kushtueshme, si në
orendi kishtare, potire, kapakë ungjijsh, në arka
druri, në veshje të kushtueshme dinjitarësh,
kishtarë e laikë etj. Këto janë pajisur
me zbukurime të pasura në formë lulesh, nganjëherë
edhe kafshësh e shumë më pak njerëzish.
Zhvillim të madh si gjini e pavarur e artit mesjetar
morën artet figurative e sidomos piktura që pati
një përhapje më të gjerë.
Por pjesa më e madhe e krijimtarisë artistike të
mesjetës së hershme e të vonë, si ajo
e mozaikëve, e miniaturës së dorëshkrimeve,
ikonostasëve, ikonave, afreskeve dhe skulpturave, për
shkak të rrethanave tepër të vështira
që kaloi Shqipëria, të luftërave e pushtimeve
të shumta, nuk ka mundur të arrijë deri në
kohën tonë.
Piktura si gjini u nxit nga kisha e krishterë sidomos
nëpërmjet veprave ikonografike. Krijuesit e pikturës
mesjetare ishin në përgjithësi klerikë
e murgj, që kishin punishtet e tyre pranë manastireve
ose kishave. Por edhe kur ishin laikë, ata ishin lidhur
pas kishës si porositës kryesorë. Nuk njihen
emra piktorësh deri në shek. XV, sepse ata zakonisht
nuk e vinin emrin në veprat e veta. Nën udhëheqjen
e piktorit mjeshtër punonin disa ndihmës ose nxënës,
të cilët merrnin pjesë në pikturimin e
veprës, duke plotësuar hollësitë e dorës
së dytë.
Gjini kryesore të pikturës mesjetare ishin në
shekujt e parë mozaikët. Më vonë zhvillohet
gjerësisht piktura monumentale murale (afresket), si
dhe piktura në tablo, ikonat.
Teknika e mozaikut në vendin tonë ishte trashëguar
që në kohën antike. Shek. IV-VII paraqiten
me disa vepra të rëndësishme, si Bazilika e
Ohrit, Bazilika e Linit (Pogradec), Bazilika e Arapajt (Durrës),
Bazilika e Bylisit (Ballsh), mozaiku i Baptiserit të
Butrintit etj. Piktura e mozaikëve paraqiste tematikën
e zakonshme kishtare e bashkë me të edhe figura
perandorësh, princash etj., me familjet e tyre si ktitorë
të kishave. Një vepër e bukur është
ruajtur në mozaikun mural të gjetur në kishën
e amfiteatrit të Durrësit. Duke shkuar përtej
karakterit thjesht ornamental të mozaikëve antikë,
mozaiku i Durrësit krijon komplekse skenash me figura
njerëzore, me një ndërthurje të bukur
gurësh prej qelqi të ngjyrosur, të përzier
me copëza guri natyror e tulla. Figurat njerëzore
janë veshur me petka të kushtueshme të ngrira
pa respektuar format reale të trupit, kurse fytyrat e
njerëzve ruajnë karakterin individual. Mozaikët
e Durrësit përfaqësojnë veprat më
të hershme mesjetare të njohura në vendin tonë
që trajtojnë figurën njerëzore, qofshin
këta shenjtorë abstraktë ose njerëz realë.
Po nga fusha e mozaikut janë ato të periudhës
së shek. VI-VII, si mozaikët e manastirit të
Shën Nikollës në Mesopotam të Delvinës
etj. Janë miniaturat, dorëshkrimet fetare, të
cilat i gjejmë në kodikët si ai i shek. VI,
të njohur me emrin Kodiku i Purpurt i Beratit.
Këto dorëshkrime janë të ilustruara me
figura të vizatuara e të pikturuara si Evangjelistë
që shkruajnë ungjillin, me ornamente të ndërthurura
me shpendë dhe dekore lulëzore etj. Ato janë
të realizuara nga piktorë profesionistë të
asaj kohe d.m.th. nga ikonografë dhe shquhen për
kaligrafi të përkryer me shumë hijeshi dhe
me ngjyra të kultivuara. Miniatura e dorëshkrimeve
mesjetare shihet më e përpunuar nga fundi i shek.
XI ose në fillim të shek. XII me miniaturën
e kodikëve të Vlorës, ku bie në sy një
sintetizim i elementeve të stilit bizantin që sapo
kishte arritur formimin e tij të plotë me ato të
traditës së artit antik.
Po në këtë kohë zhvillohen gjini të
tjera në artet figurative me pikturën në teknikën
e afreskut. Në shpellën eremite të Bllashtojës
si dhe në atë të liqenit të Prespës,
të cilat ndodhen larg qendrave të banuara, por në
vende shumë të bukura, gjenden piktura murale në
teknikën e afreskut dhe që kanë interes për
origjinalitetin ikonografik me paraqitjen e shumë skenave
të pazakonshme për Bizantin dhe me një stil
të lartë e të pastër bizantin. Po kështu
në këto shpella janë gjetur ikona me vlerë
që i takojnë po këtij shekulli, si ajo e Shën
Mërisë me Krishtin dhe dyert e bukura të Bllashtojës
(Prespë-Korçë), ku skena e ungjillëzimit
është e realizuar vetëm me paraqitjen e figurës
së Gabrielit përballë Shën Mërisë
duke mënjanuar çdo gjë përreth.
Një fragment afresku që i përket shek. XII,
në të cilin paraqitet martiri Eufemi, të hasur
shumë rrallë në ikonografinë tonë,
ruhet mbi një shkëmb të fshatit Kallmet pranë
Lezhës.
Realizimi i miniaturës së nivelit të lartë
në Shqipëri, përkon në kohë edhe
me zhvillimin e pikturës monumentale të shek. XII,
si të Rubikut dhe me atë të Shën Marisë
së Cerkës (Leskovik), si dhe me afresket e kishës
së Marmirojt në Orikum të Vlorës.
Piktura murale u zhvillua në lidhje të ngushtë
me destinacionin e saj si pjesë përbërëse
e monumenteve arkitektonike. Fillimet e saj hetohen qysh nga
shek. IX-X, ajo zhvillohet me ritme më të shpejta
në shek. XIII-XIV. Zhvillimi ekonomik e politik i vendit
krijoi rrethana më të përshtatshme për
një zhvillim më intensiv të këtij arti.
Duke u larguar nga tiparet universale karakteristike për
stilin bizantin në përgjithësi, tani fillojnë
të krijohen veçori dalluese me ngjyrë vendase.
Ndër veprat e shumta të krijuara nga gjysma e dytë
e shek. XIII dallohen veçanërisht afresket e kishës
së Rubikut, ato të manastirit të Pojanit, të
kishës së Shën Triadhës në Berat,
të Maligradit në liqenin e Prespës, të
kishës së Mborjes etj. Si punë të kualifikuara
shumica prej tyre qëndrojnë në nivelin e monumenteve
më me rëndësi të vendeve fqinje, duke
dëshmuar për një shkallë zhvillimi të
barabartë.
Në afresket e kishës së Rubikut që mbajnë
datën 1272 bie në sy në mënyrë të
veçantë skena e kungimit të apostujve. Ndërmjet
shenjtorëve tradicionalë, të paraqitur këtu,
për herë të parë është përfshirë
edhe figura e një shenjti vendas, Shën Asti. Në
pikturën e Rubikut, ndonëse në një formë
ende jo plotësisht të përcaktuar, kanë
gjetur fillimin e tyre disa tipare që dëshmojnë
një orientim deri-diku drejt traditës antike.
Kjo prirje, duke u zhvilluar më tej, u dha monumenteve
tipare të veçanta që dallohen prej monumenteve
bashkëkohëse të Ballkanit. Këtë orientim
e gjejmë të dokumentuar sidomos në afresket
e trapezarisë së manastirit të Pojanit.
Elemente laike dhe më realiste shfaqen në pikturën
mesjetare veçanërisht në paraqitjet e portreteve
të ktitorëve në fasadat e faltoreve, siç
i ndeshim në Pojan e në Maligrad. Në hajatin
e kishës së Pojanit (Apolonisë) gjejmë
portretin familjar të perandorit Andronik. Ai paraqitet
në qetësi të plotë, me fytyrë energjike
dhe të pushtetshme. Rreth kokës së tij vërehet
një brerore me ngjyrë të artë për
t`i dhënë figurës së tij karakter hyjnor.
Një vlerë të madhe kanë edhe afresket
e kishës së Maligradit, ku në anën e jashtme
të portës është paraqitur Qezar Novaku,
fisnik i kësaj krahine, bashkë me familjen e tij.
Si princi, ashtu edhe e shoqja dhe të bijtë janë
veshur me stoli princore; sakoja e Qezarit është
e stolisur me zhgaba dykrenare të përfshira brenda
medalioneve.
Në shek. XIII - XIV në vendin tonë u krijuan
vepra të shumta artistike, si ato të kishës
së manastirit të Apolonisë (Fier) 1260-1328,
ku pranë apsidës është pikturuar portreti
i perandor Mihal Paleologut, të mbiquajtur Konstandini
i Ri, si çlirimtar i Konstandinopojës nga latinët.
Ai është paraqitur, së bashku me familjen e
tij, me fytyrë energjike, e i pushtetshëm. Po të
kësaj periudhe ishin afresket e kishës së Vaut
të Dejës, ndërtesë e stilit romanik (të
shkatërruara në vitet 60 të shek. XX).
Një përhapje shumë të gjerë pati
edhe piktura e tablove, ikonografia. Shumica e ikonave ruajnë
vlera artistike. Midis tyre ka edhe ikona të trajtuara
në mënyrë më të gjerë në
formë monumentale, por përgjithësisht ato japin
skena të kufizuara nga ana tematike, shpeshherë
i janë kushtuar vetëm paraqitjes së një
shenjti. Ikonat janë pikturuar drejtpërsëdrejti
në dërrasë ose në pëlhura të
ngjitura në dërrasë.
Ikonat e pikturuara në dru në shek. XII, tre shekuj
para pushtimit osman, që kanë mundur të ruhen
deri më sot janë të pakta. Në këto
ikona pasqyrohet stili i pastër bizantin, ku figurat
pothuajse janë me qëndrim ballor dhe monumental,
me lëvizje të kursyera dhe me stolisje në veshje.
Ikona më të bukura të kësaj periudhe janë
Shën Maria me Krishtin e tipit Odigitria, që do
të thotë se Maria parandien dhe parashikon atë
që do t`i ndodhë birit të saj, si dhe ikonat
Dyert e Bukura që janë gjetur në kishën
e Bllashtojës (Prespë-Korçë). Skena
e ungjillëzimit te dyert e bukura është paraqitur
tepër e thjeshtë, Shën Gabrieli në njërën
dorë dhe në tjetrën Shën Maria. Këtu
përveç dy figurave përballë njëra-tjetrës
nuk është pikturuar gjë tjetër.
Lulëzimi dhe zhvillimi i Konstandinopojës në
gjysmën e dytë të shek. XIII dhe gjatë
shek. XIV pati një ndikim të thellë në
ikonografinë në përgjithësi dhe në
monumentet e kulturës shqiptare. Veprat që u realizuan
në këtë periudhë, karakterizohen nga një
kanun i rreptë i stilit bizantin të shkollës
së Konstandinopojës, si dhe ai i Shkollës së
Ohrit. Arti i Bizantit gjatë kohës së Komnenëve,
por sidomos ai i kohës së Paleologëve, filloi
të marrë tiparet e një arti të konsoliduar
të një rryme artistike përparimtare që
u quajt Rilindja e artit Bizantin.
Kjo rrymë përkon në Shqipëri me zhvillimin
e fuqisë ekonomiko-shoqërore të vendit, me
fuqizimin e aristokracisë shqiptare, me rritjen e fuqizimin
e qyteteve dhe me krijimin e principatave shqiptare. Kjo i
dha dorë ndërtimit të shumë kishave të
zbukuruara me afreske dhe ikona.
Një vepër me vlera historike dhe artistike e shek.
XIV është Epitafi i Glavinicës (manastiri i
Shën Marisë në Ballsh), realizuar më 1373
prej qëndistarit Gjergj Arianitit. Aty është
dhënë figura e Krishtit të shtrirë (të
vdekur) që është qëndisur e tëra
me ar dhe ka përmasat 1m dhe 70 cm.
Ikonat që u përkasin shekujve XIII-XIV janë
më të shumta, si ajo e tre Jerarkëve e kishës
së Shën Vlashit në Vlorë etj. Një
prej përfaqësuesve të kësaj epoke është
ikona me përmasa të mëdha, ajo e Shën
Mëhillit. Mendohet të jetë bërë në
një nga atelietë e rrethit të Korçës.
Kritikë të huaj të artit bizantin e kanë
quajtur Xhokonda shqiptare. Kjo ikonë evokon
traditën e pasur të shkollës së Ohrit.
Engjëlli Mihali kompozuar në plan ballor e monumental
është i veshur me atributet e strategut të
forcës qiellore dhe mban në njërën dorë
globin e kristaltë, imazhin e Kozmosit, shënuar
nga monogrami i Krishtit dhe i kryqit ortodoks.
Pikturimi i kësaj ikone lidhet dhe ngjason shumë
me afresket e kishës së Shën Marisë (Ristozi)
në fshatin Mborje të Korçës, pikturuar
më 1390 nga piktorë anonimë, si dhe me afresket
e kishës së Shën Marisë në shpellën
e liqenit të Prespës pikturuar më 1369. Mundet
që një atelje e shquar të ketë pikturuar
shumë ikona dhe afreske në këto zona të
Shqipërisë Juglindore, si dhe në Maqedoni,
Serbi dhe në Greqinë e veriut.
Veprat e kësaj periudhe, duke përfshirë dhe
ato të kishës së Trapezarisë (Apoloni)
si dhe atë të Shën Triadhës në kështjellën
e Beratit, dëshmojnë për konsolidimin e një
arti në këto zona, i cili do të luajë
një rol të rëndësishëm për piktorët
e shek. XVI.
Kultura e Bizantit qe burim kryesor për artin e krejt
botës së krishterë të Lindjes. Por krahas
ndikimit të tij, gjendet kudo edhe kultura vendase ku
artistët e ndërthurën mirë artin bizantin
me atë lokal. Si rezultat qe formimi i shkollave, secila
prej tyre kishte traditat e saj specifikike e lokale, ndërsa
të gjitha ishin të lidhura ndërmjet tyre me
këtë tërësi bizantine.
Në shek. XV Shqipëria pushtohet nga osmanët
pas betejash të njëpasnjëshme. Prandaj nga
ky shekull nuk ruhet asnjë dokument ikonografik.
Rënia e Konstandinopojës dhe dobësimi i lidhjeve
me këtë qendër, bënë që arti
ikonografik, krahas lidhjeve të vjetra, të hyjë
në një fazë të re, ku filluan të
krijoheshin hapësira të mëdha drejt novatorizmit
të ikonografisë kishtare deri në krijimin e
shkollave dhe të individualiteteve. Krahas rënies
së përgjithshme ekonomike bie influenca e fuqishme
e Bizantit dhe, nga ana tjetër, rritet ndikimi i vendeve
perëndimore. Si rrjedhim, arti ikonografik i mesjetës
në vendet e Bizantit, si Greqia, Bullgaria, Rumania,
Serbia e Shqipëria, dalëngadalë zhvillohet
tani në formën e një arti pasbizantin në
këto vende. Veprat e artit pasurohen me elemente kombëtare
të shoqëruara me elemente etnografike popullore,
si veshjet në pasqyrimin e tipave krahinorë si dhe
në pasqyrimin e figurave të ktitorëve (dhuruesve
të kishës) me tipare realiste dhe origjinale. Por
megjithatë kjo veprimtari ikonografike vazhdoi të
ishte e lidhur me traditën e vjetër bizantine dhe
të Ohrit, si edhe me artin e Rilindjes Evropiane të
asaj kohe, veçanërisht me atë të Venedikut
dhe të ishujve të Mesdheut: Korfuzi, Kreta etj.
|
 |  |