 |  |
K R E U I
SHQIPËRIA GJATË SHEKUJVE TË MESJETËS
(SHEK. V - XIV)
SHQIPËRIA NË PERANDORINË BIZANTINE
(SHEK. V - X)
1. SHQIPTARËT DHE NDRYSHIMET ETNO-POLITIKE E SHOQËRORE-EKONOMIKE
NË MESJETËN E HERSHME
Shqipëria dhe Bizanti
Pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë,
më 395, trevat iliro-shqiptare hynë në përbërje
të Perandorisë Bizantine, siç quhet zakonisht
pas kësaj date Perandoria Romake e Lindjes sipas emrit
antik të kryeqytetit të saj, Bizant, që për
nder të Konstandinit të Madh u quajt Konstandinopojë.
Ashtu siç i kishin dhënë në shek. III-IV
Perandorisë Romake një numër perandorësh
e gjeneralësh të shquar, po ashtu gjatë periudhës
së hershme bizantine (shek. V-IX), trevat iliro-shqiptare
i dhanë Perandorisë Bizantine disa perandorë,
ndër të cilët shquhen në mënyrë
të veçantë Anastasi I nga Durrësi (491-518)
dhe Justiniani I nga Taurisium i Shkupit (527-565). Me reformat
dhe me masat e zbatuara në administratën civile
e ushtarake, këta dy perandorë përgatitën
kalimin nga antikiteti në mesjetë dhe hodhën
bazat e asaj që do të ishte perandoria më jetëgjatë
në historinë e qytetërimit mesdhetar.
Pozicioni skajor në kufi me Italinë, me të
cilën interesat e Bizantit mbetën deri në fund
të lidhura ngushtë, përcaktoi rolin e jashtëzakonshëm
të trevave iliro-shqiptare në kuadrin e Perandorisë
Bizantine. Ato u kthyen në një nyje komunikimi të
Lindjes me Perëndimin dhe anasjelltas. Një rol të
tillë e favorizonte ekzistenca e porteve të rëndësishme
gjatë bregdetit të Adriatikut e të Jonit ose
e arterieve rrugore që fillonin prej tyre dhe zgjateshin
në thellësi të Gadishullit duke lidhur bregdetin
me qendra të tilla të rëndësishme, si
Nishin, Shkupin, Ohrin, Sofjen, Kosturin, Selanikun, Adrianopojën
e vetë Konstandinopojën. Ashtu si në shekujt
e lashtësisë, rruga Egnatia vazhdoi ta luante rolin
si vija kryesore e komunikimit midis provincave të Perandorisë
në rrafshin perëndim-lindje. Përgjatë
traktit perëndimor të rrugës Egnatia (Durrës-Apoloni-Peqin-Ohër)
janë zhvilluar disa nga betejat më të përgjakshme
të historisë bizantine. Perandorët bizantinë
i kushtuan vëmendje të veçantë mbrojtjes
strategjike të trevave iliro-shqiptare. Perandori Justiniani,
sipas biografit të tij, Prokopit të Cezaresë,
ndërtoi nga e para apo rimëkëmbi 168 kështjella
në katër provincat ilire: të Dardanisë,
Prevalit dhe të dy Epirëve. Nga ana e tij, Anastasi
I e rrethoi qytetin e tij të lindjes, Durrësin me
mure madhështore që shihen ende sot. Veç
Durrësit, pikëmbështetje të pushtetit
bizantin në Shqipëri përbënin Tivari,
Shkodra, Lezha, Kruja, Dibra, Prizreni, Shkupi, Berati, Devolli,
Kolonja, Adrianopoja etj. Mbrojtja e tyre dhe e territorit
në juridiksionin e tyre, u ishte besuar forcave e komandantëve
vendas. Trupa ushtarake iliro-shqiptare shërbenin gjithashtu
në vise të tjera të Perandorisë, sa në
Lindje aq edhe në Perëndim. Në kohën e
perandorit Justinian, ushtarë iliro-shqiptarë shërbenin
në ushtrinë bizantine me qëndrim në Itali.
Në një nga mbishkrimet e asaj kohe të gjetura
në Itali, bëhet fjalë për numrin
e madh të ilirëve (numerus felix Illyricianorum).
Edhe në shekujt e mëvonshëm, reparte nga trevat
iliro-shqiptare shërbenin në provincat bizantine
të Italisë e në provinca të tjera në
Evropë e Azi.
Përhapja e krishterimit në Shqipëri
Shqipëria është përcaktuar si një
nga vendet mesdhetare, ku krishterimi depërtoi qysh në
shekujt e parë. Autori i shek. VI, Kosmas, i përfshin
iliro-shqiptarët në grupin e popujve që në
kohën e tij kishin përqafuar krishterimin. Durrësi,
Nikopoja ishin qendrat kryesore bregdetare, nga ku feja e
re u përhap pastaj në thellësi të katër
provincave ilire: të Prevalit, Dardanisë, Epirit
të Ri dhe të Epirit të Vjetër. Që
në shekujt e parë të erës së re,
në qendrat urbane të këtyre trevave përmenden
bashkësitë e para të krishtera, si dhe ngrihen
ndërtesat e para të kultit të ri. Të tilla
ndërtesa, bazilika e pagëzimore (baptistere) të
shek. IV-VI, ruhen edhe sot pjesërisht në rrethet
Durrës, Shkodër, Lezhë, Mat, Apoloni, Elbasan,
Dibër, Ohër, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër,
Sarandë, Butrint e akoma më në jug.
Hershmërinë e krishtërimit shqiptar e provojnë
gjithashtu një sërë emrash vendesh që
u referohen martirëve të parë të Lindjes,
kulti i të cilëve ka qenë i përhapur në
shek. IV-VI. Të tilla janë toponimet Shirgj (Shën
Sergj), Shubak (Shën Baku), Shëndekla (Shën
Tekla), Shën Vlashi, që ndeshen në Shkodër,
Durrës, Himarë e deri poshtë në Çamëri
(Shën Vlash, Shën Tekla). Të lidhur me kultin
e martirëve në fjalë si dhe me historinë
e hershme të krishterimit, janë toponime të
tilla të huazuara nga vendet e Lindjes, si Rozafë
(vend në Siri, ku u varros Shën Baku e Shën
Serxhi), Barbullush (Barbalista, vend buzë Eufratit,
ku u masakrua Shën Baku), Sebaste, Jeriko.
Persekutimet e mëdha kundër të krishterëve
regjistruan edhe në Shqipëri martirë të
shumtë, kulti i të cilëve u ruajt në shekuj.
Më të shquarit ndër këta martirë
janë Shën Asti, peshkop i Durrësit, Shën
Terini nga Butrinti, Shën Donati, peshkop i Evrojës
(Paramithi), Lauri dhe Flori nga Dardania etj. Po në
këtë kohë në toponomastikën e vendit
futen emra të krishterë të tipit Shëngjin,
Shën Gjergj, Shupal (Shën Pal), Shmil (Shën
Mëhill), Shën Koll apo Shën Nik (Shën
Nikollë), Shëmri (Shën Mëri), Shëndëlli
(Shën Ilia), Shëngjergj, Shtish - Shën Matish
(Shën Matheu), Shingjon, Shëgjun (Shën Gjon),
Shën Ndreu etj., etj. Të gjithë këta emra
bëjnë pjesë në fondin e hershëm të
toponomastikës së krishterë (shek. I-VII).
Të tilla toponime, që në Ballkan në një
masë e në një shtrirje të tillë gjenden
vetëm në trevat shqiptare, lidhen gjithsesi me periudhën
para vendosjes së sllavëve në shek. VI-VII.
Përhapja e tyre sa në viset bregdetare, aq edhe
në viset e thella malore larg bregdetit, është
një e dhënë më shumë që provon
se këto hapësira mbetën në thelb të
paprekura nga ngulimet e sllavëve paganë dhe se
edhe pas dyndjeve sllave të shek. VI-VII, popullsia vendase
autoktone u ruajt e paprekur në pjesën më të
madhe të Ilirisë së Jugut.
Pavarësisht nga përpjekjet për mbytjen e fesë
së re, krishterimi u afirmua në Shqipëri në
mënyrë përfundimtare. Pas persekutimeve të
mëdha të shek. IV, burimet historike flasin për
një strukturë kishtare mjaft të konsoliduar.
Ajo ishte e organizuar mbi bazën e provincave administrative
të epokës së Dioklecianit. Në qendrën
e çdo province ndodhej kisha mitropolitane dhe aty
e kishte selinë kryepeshkopi. Nën juridiksionin
e këtij të fundit ndodheshin peshkopët e dioqezave
vartëse (sufragane). Kështu, në katër
qendrat kryesore kishtare në trevat shqiptare ishin kryepeshkopatat
e Shkodrës (Prevali), Justiniana Prima (Dardania), Durrësi
(Epiri i Ri), Nikopoja (Epiri i Vjetër). Kryepeshkopi
i Shkodrës kishte nën varësi 3 peshkopata vartëse
(sufragane), ai i Shkupit 5, i Durrësit 8 dhe i Nikopojës
9. Me përhapjen e krishterimit në viset e brendshme,
numri i peshkopatave sa vinte e rritej. Kështu, në
shek. X mitropolia e Durrësit kishte tashmë 14 peshkopata
vartëse (sufragane) mes të cilave: Tivari, Licini
(Ulqini), Shkodra, Drishti, Dioklea (Genta), Pulti, Elisoni
(Lezha), Kruja, Stefaniaka, Kunavia, Cërniku. Siç
shihet, në atë kohë juridiksioni i mitropolisë
së Durrësit ishte shtrirë drejt veriut duke
përfshirë brenda saj provincën e dikurshme
të Prevalit. Siç ndodhte shpesh, një përhapje
e tillë e pushtetit fetar kishte pasuar shtrirjen në
atë drejtim të juridiksionit politiko-administrativ
të Durrësit (krijimi i temës së Durrësit
në shek. IX). Kryepeshkopët kishin për detyrë
të emëronin, të shkarkonin, të transferonin
e të shuguronin peshkopët e juridiksionit të
tyre. Për zgjidhjen e problemeve të ndryshme që
kishin të bënin me administratën kishtare të
provincës së tij, kryepeshkopi thërriste periodikisht
sinodin provincial. Nga ana e tyre, kryepeshkopët, të
shoqëruar herë-herë edhe nga peshkopë
të dalluar, merrnin pjesë në koncilet ekumenike,
ku mblidheshin përfaqësuesit më të lartë
të klerit të botës së krishterë,
për të diskutuar mbi problemet e dogmës dhe
të organizimit kishtar. Kështu, në Koncilin
e famshëm të Nikesë, më 431, mitropoliti
i Durrësit i shoqëruar nga sufraganët e tij,
nënshkroi aktin përfundimtar që dënonte
herezinë nestoriane. Në Koncilin tjetër të
rëndësishëm, në atë të Kalcedonisë
të vitit 451, ku u zgjidhën përfundimisht grindjet
dogmatike mbi natyrën e Krishtit, morën pjesë
edhe Lluka, mitropolit i Durrësit, Evandri, peshkop i
Dioklesë dhe Euzebi, peshkop i Apolonisë.
Organizimi kishtar i trevave shqiptare
Në pikëpamje të organizimit të përgjithshëm
kishtar, kisha shqiptare ishte në varësi të
Papës së Romës. Ky i fundit ushtronte autoritetin
e vet në trevat shqiptare nëpërmjet mëkëmbësit
(vikarit) të tij të përgjithshëm, me seli
në Selanik. Por, duke filluar nga shek. V, Patriarkana
e Konstandinopojës u përpoq ti vërë
në varësinë e vet peshkopatat shqiptare. Ballafaqimi
midis Romës e Konstandinopojës për hegjemoni
kishtare në Shqipëri (në kishën e Ilirikut)
doli veçanërisht në pah gjatë së
ashtuquajturës Kriza akaciane (484-519).
Me atë rast, peshkopët iliro-shqiptarë konfirmuan
besnikërinë e tyre ndaj Romës. Veçanërisht
të vendosur në komunionin me Papën ishin kleri
i provincave të Dardanisë, Epirit të Vjetër
dhe Prevalit. Kurse në provincën e Epirit të
Ri qëndrimi qe i pavendosur. Sipas raporteve të
të dërguarit të papës Hormisda, më
519, populli dhe kleri i Skampës apo i Liknidit (Ohrit)
ishin besnikë të vendosur të Papatit, ndërkohë
që peshkopë të tjerë të provincës
kishtare të Epirit të Ri, midis tyre edhe kryepeshkopi
i Durrësit, anonin nga Patriarkati i Konstandinopojës.
Perandori Anastasi I (491-518), me origjinë nga Durrësi,
ndikoi nga ana e tij për të forcuar lidhjet e mitropolisë
së Durrësit me Patriarkatin e Konstandinopojës.
Gjithsesi, perandori tjetër bizantin me origjinë
iliro-shqiptare, Justiniani I (527-565), e njohu juridiksionin
e Romës mbi kishën e Ilirikut, aq më tepër
që, nën sundimin e tij, Italia u bashkua me Perandorinë
Bizantine dhe kontrolli i Perandorit përfshiu edhe territoret
nën juridiksionin e Papës së Romës. Nën
sundimin e tij u krijua edhe një vikariat i dytë
në Justiniana Prima (Shkup), që mori nën juridiksion
provincat kishtare të Dardanisë dhe të Prevalit.
Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër vazhduan të varen
nga vikariati i Selanikut. Ndryshe nga bashkëpatrioti
i tij nga Durrësi, perandori Anastas, që u përpoq
ti shkëpuste lidhjet e episkopatit të Ilirikut
me Romën dhe ta vendoste atë nën juridiksionin
e Konstandinopojës, Justiniani rikonfirmoi lidhjet e
peshkopatave të Ilirikut me Papën e Romës,
duke u vënë fre ambicieve të Patriarkut të
Konstandinopojës për ti shtënë ato
në dorë.
Ndryshimet politike që ndodhën në trevat shqiptare
dhe në krejt rajonin në shek. VI-X, u shoqëruan
me ndryshime të rëndësishme edhe në kuadrin
e organizimit kishtar. Në përfundim të dyndjeve
të popujve, një sërë qendrash peshkopate
u rrënuan dhe nuk përmenden më; të tilla
qenë: Onkezmi, Skampa, Amantia, ndërkohë që
të tjera seli peshkopate shfaqen për herë të
parë: Cerniku, Deja, Kruja, Himara, Devolli, Kolonja,
Dibra etj.
Në kohën e sundimit bullgar (shek. IX-X), selia
mitropolitane e Nikopojës (Epiri i Vjetër) u zhvendos
më në jug, në Naupakt, ajo e Dardanisë
nga Shkupi kaloi në Ohër, kurse mitropolia e Prevalit
nga Shkodra kaloi në Tivar.
Por ngjarja më e madhe në kuadrin e organizimit
kishtar të trevave shqiptare ishte vendimi i vitit 732
i perandorit bizantin ikonoklast, Leoni III, për ti
hequr peshkopatat shqiptare nga varësia e Papës
së Romës dhe për ti kaluar ato nën
juridiksionin e Patriarkut të Konstandinopojës.
Tashmë një pjesë e mirë e Italisë
bashkë me Romën ndodhej nën sundimin e frankëve,
rivalë të rreptë të bizantinëve,
kështu që pushoi së vepruari edhe ndikimi i
perandorit bizantin mbi Papën e Romës.
Gjithsesi, edhe pas kësaj date vazhdoi ndikimi i Romës
në një varg dioqezash të Shqipërisë
së Epërme, në Preval e Dardani në mënyrë
të veçantë. Në këtë drejtim
luajtën rol lidhjet gjithnjë të gjalla ekonomike,
tregtare e kulturore midis dy brigjeve të Adriatikut
(atë kohë Italia e Jugut ishte gjithmonë provincë
bizantine). Por një rol të veçantë në
ruajtjen e lidhjeve kishtare me Romën luajtën manastiret
e mëdha të urdhrit të Shën Benediktit,
që shfaqen në trevat shqiptare që prej shek.
VI dhe që vazhduan të mbijetojnë përgjatë
gjithë mesjetës.
Dyndjet e popujve, ngulimet sllave në Ballkan
Nën sundimin e Dioklecianit e më tej të Konstandinit,
Perandoria Romake iu përshtat një organizimi të
ri administrativ. Njësia më e madhe administrative
u bë prefektura, që përmbante disa dioqeza,
të cilat nga ana e tyre ishin të ndara në një
numër edhe më të madh provincash. Prefektura
e Ilirikut (praefectura praetorio per Illyricum), përfshinte
dioqezat e Dakisë e të Maqedonisë.
Në këtë të fundit bënin pjesë
pronvincat e Prevalit, Dardanisë, Epirit të Vjetër
dhe Epirit të Ri, që përfaqësonin hapësirën
gjeografike të banuar nga pasardhësit e ilirëve,
shqiptarët, përgjatë gjithë mesjetës
e deri në kohët e reja. Funksionari më i lartë
i prefekturës së Ilirikut, prefekti i pretorit për
Ilirikun, e kishte selinë e vet në Selanik. Po këtu
ndodhej edhe selia e kryetarit të kishës së
kësaj prefekture.
Ndonëse nuk ndodhej në kushtet e dëshpëruara
ku e kishte zhytur kriza e thellë ekonomike, shoqërore
e politike pjesën perëndimore të Perandorisë
Romake, edhe Perandoria Romake e Lindjes po i vuante pasojat
e krizës së kapërcimit të dy epokave.
Brishtësia e strukturave të saj shtetërore
e ushtarake doli në pah gjatë ballafaqimit me dyndjet
e popujve gjatë shek. IV-VII.
Megjithëse nuk përkonin me drejtimin kryesor të
dyndjes së popujve, trevat shqiptare nuk mbetën
tërësisht jashtë tyre. Inkursionet e gotëve,
gotëve të lindjes (ostrogotëve) dhe atyre të
perëndimit (vizigotëve) aty nga fundi i shek. IV
prekën edhe trevat iliro-shqiptare.
Popujt që u dyndën dhe invaduan Ballkanin shkaktuan
dëme e rrënime të mëdha në të
cilat u futën. Për periudhën e dyndjes
së popujve burimet e shkruara janë mjaft të
rralla dhe përbëhen nga kronikat bizantine. Historianët
që janë marrë me këtë periudhë
e kanë shpeshherë të vështirë ti
akordojnë këto burime midis tyre. Edhe materiali
tjetër burimor, arkeologjik është i pamjaftueshëm.
Sipas burimeve tashmë të njohura vizigotët,
pas betejës së Adrianopojës të vitit 378,
arritën deri në brigjet e Adriatikut. Në marrëveshje
me perandorin Theodhosi I, e me kusht që të kryenin
shërbimin ushtarak, ata u lejuan të vendoseshin
në pjesën veriore e perëndimore të Gadishullit
Ballkanik, dhe ndërprenë për një kohë
sulmet e tyre. Dyndjet e barbarëve vazhduan
edhe pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy
pjesë të veçanta, në atë të
lindjes dhe në atë të perëndimit (395).
Të dyja pjesët e perandorisë u detyruan për
një kohë të gjatë tu bënin
ballë sulmeve e invazionit të barbarëve.
Për pjesën lindore të Perandorisë, atë
Bizantine, një rrezik të madh përbënin
asokohe gotët e perëndimit që ishin vendosur
në Gadishullin Ballkanik. Prijësat e tyre kishin
arritur të zinin poste të larta si komandantë
të besëlidhur - foederati, sikurse u quajtën
barbarët. Këta të fundit ishin
të pakënaqur nga marrëdhëniet me perandorinë.
I pari u ngrit Alariku, prijësi i vizigotëve, me
pretekstin se nuk u ishin paguar rrogat e premtuara si të
besëlidhur. Me forcat e Alarikut u bashkuan edhe gotë
të tjerë të vendosur në krahina të
ndryshme të Ballkanit; kryengritësit filluan plaçkitjen
e Greqisë dhe të trevave iliro-shqiptare. Perandoria
Bizantine mundi të dalë nga kjo gjendje, pas paqes
që bëri me Alarikun në vitin 398, duke lejuar
vendosjen e ushtrive gote në krahinat jugperëndimore
të Gadishullit si të besëlidhur dhe duke e
emëruar prijësin e tyre si kryekomandant të
ushtrive bizantine në Ilirik. Pas 10 vjetëve Alariku
me vizigotët u largua për në Itali, ku në
vitin 410 pushtoi Romën.
Sulmet e gotëve shkaktuan një rënie të
mëtejshme të ekonomisë fshatare e qytetare,
shkretimin e shumë krahinave. Ja si e ka përshkruar
gjendjen Hieronimi nga Stridoni i Dalmacisë: Më
vjen të rrënqethët kur mendoj të tregoj
shkatërrimet në kohën tonë, ka më
tepër se 12 vjet që gjaku shkon rrëke. Gotët,
sarmatët, alanët, markomanët shkretojnë,
shkatërrojnë dhe plaçkitin Trakinë,
Maqedoninë, Thesalinë, Dakinë, Akajen, Epirin
dhe gjithë Panoninë. Kudo dhunë, kudo psherëtima,
kudo fytyra e tmerrshme e vdekjes; për këtë
dëshmitare është Iliria, dëshmitare është
Trakia, dëshmitar është edhe vendi ku kam lerë,
ku çdo gjë u shkatërrua, përveç
qiellit e tokës, ferrave dhe pyjeve të dendura.
Afërsisht, në mesin e shek. V Gadishullin Ballkanik
e sulmuan hunët të komanduar nga Atila, duke shfrytëzuar
rastin që ushtria bizantine ishte e zënë në
luftë me vandalët. Brenda pak vjetëve ai pushtoi
e grabiti shumë qytete të trevave iliro-shqiptare,
në mënyrë të veçantë, Dardaninë.
Burimet bashkëkohëse e përshkruajnë Dardaninë
si një vend të shkretuar. Me vdekjen e Atilës
federata hune u prish dhe kështu pushuan sulmet e tyre
kundër Perandorisë Bizantine.
Në vitin 479, trevat iliro-shqiptare të përfshira
në provincën e Epirit të Ri, u goditën
nga sulmi më i rëndë i ostrogotëve të
udhëhequr nga Teodoriku. Ostrogotët, rreth 50 mijë
veta, ndër të cilët 10 mijë luftëtarë,
u lëshuan nga vendbanimet e tyre provizore në Traki
dhe nëpërmjet rrugës Egnatia depërtuan
deri në viset bregdetare pranë Durrësit. Vetë
kjo qendër e rëndësishme ra në duar të
ostrogotëve. Perandoria Bizantine bëri ç'qe
e mundur për t'i larguar të porsaardhurit nga ato
treva, që ishin të një rëndësie strategjike
të jashtëzakonshme për perandorinë. Në
fakt ostrogotët shumë shpejt u detyruan të
tërhiqeshin prej andej.
Në periudhën midis viteve 500-517 hordhi hunësh
të nisura nga rrjedha e poshtme e Danubit, përshkuan
viset ballkanike deri në Epir e Thesali, duke shkretuar
gjithë vendin. Bregdeti i Shqipërisë vuajti
në atë kohë edhe nga sulme të ostrogotëve
të organizuara nga Italia, ku ky popull ishte vendosur
qysh prej fundit të shek. V.
Gjithsesi, pas kalimit të ostrogotëve në perëndim
(488), në pjesën lindore të Perandorisë
intensiteti i sulmeve të barbarëve u
ul ndjeshëm. Kjo gjendje qetësie relative do të
zgjaste deri në dhjetëvjeçarët e parë
të shek.VI, kur në kufijtë veriorë u shfaqën
popuj të rinj: bullgarët, avarët, antët,
gepidët, e mbi të gjitha sllavët. Inkursionet
e tyre u intensifikuan qysh në kohën e sundimit
të perandorit Justinian. Rreth vitit 548 një turmë
e madhe sllavësh plaçkiti e shkretoi disa provinca,
duke depërtuar deri në afërsi të Durrësit.
Komandantët ushtarakë të Justinianit nuk guxuan
t'i futnin trupat e tyre në luftim dhe u mjaftuan t'i
ndiqnin nga larg veprimet e sllavëve. Inkursionet sllave
u përsëritën thuajse rregullisht edhe në
vitet pasardhëse.
Me qëllim që të frenonte zbritjet e barbarëve
nga kufijtë veriorë, perandori Justinian me origjinë
nga Taurisium i Dardanisë, më i madhi i perandorëve
të periudhës së hershme bizantine, i kushtoi
vëmendje ngritjes së një sistemi fortifikatash
në disa breza, që fillonte nga vija kufitare e Danubit,
në veri, dhe zhvillohej valë-valë duke zbritur
në drejtim të jugut. Sipas Prokopit të Cezaresë,
historian i oborrit të Justinianit, vetëm në
atdheun e tij, në Dardani, perandori bizantin meremetoi
61 kështjella dhe ndërtoi nga themelet 8 kështjella
të tjera. Një ndër këto kështjella,
e quajtur për nder të tij Justiniana Prima (Shkupi),
u ngrit në vendlindjen e perandorit, Taurisium.
Numri i kështjellave të ndërtuara në të
katër provincat e Ilirisë së Jugut arriti në
168.
Por këto masa mundën t'i frenojnë vetëm
përkohësisht sulmet e popujve barbarë.
Këto u bënë edhe më kërcënuese,
kur me sllavët u bashkuan edhe avarët, një
popull luftarak nomad. Pas vdekjes së Justinianit (565),
hordhitë sllave shpeshherë së bashku me avarët
ose të prira prej tyre, u lëshuan në drejtim
të jugut. Rrugët e rrahura prej tyre zbrisnin nga
rrjedha e Danubit në drejtim të jugut e juglindjes,
ku synonin të godisnin qendra të tilla, si Selanikun,
Adrianopojën e vetë Konstandinopojën. Më
586 Selaniku u rrethua nga sllavët, të cilët
e vazhduan marshimin e tyre në jug, deri në Peloponez.
Por sulmi më i fuqishëm avaro-sllav në Ilirik
qe ai i vitit 609. Hordhitë sllave shkretuan vise të
tëra në Maqedoni, Thesali, Beoci e deri në
Peloponez, prej nga arritën me anije edhe në ishujt
e Egjeut e deri në Azinë e Vogël. Nga kjo valë
u prekën edhe provincat e Dardanisë e të Epirit
të Vjetër. Atë kohë Selaniku pësoi
rrethimin më të gjatë të tij. Në
qytet erdhën dhe u strehuan edhe të ikur nga viset
më veriore, ndër të cilët edhe nga Nishi.
Megjithëse drejtimi kryesor i dyndjeve avaro-sllave ishin
viset jugore të Ballkanit dhe qendrat e mëdha si
Selaniku e vetë Konstandinopoja, inkursionet shkatërruese
nuk kursyen edhe brezin perëndimor të trevave iliro-shqiptare.
Në radhë të parë prej tyre vuajtën
viset dalmatine dhe provinca e Prevalit. Në vitin 592
një pararojë avaro-sllave arriti të shtyhej
deri në qytetin e Lezhës. Disa vjet më vonë
prej sllavëve u pushtua dhe u shkretua përfundimisht
Salona. Banorët e qytetit dalmatin gjetën shpëtim
në ishujt pranë e në Split. Në provincën
e Prevalit, u rrënua qyteti i Dioklesë, banorët
e të cilit kaluan në Tivar. Qendrat e tjera, si
Budua, Ulqini, Shkodra, Lezha, rezistuan dhe patën vazhdimësi
jete edhe në shekujt e ardhshëm.
Ndryshe nga popujt e tjerë, dyndjet e sllavëve në
Ballkan u shoqëruan me një dukuri të re, atë
të ngulimeve. Në vendet e shkelura prej tyre, sllavët
u ngulën duke formuar të ashtuquajturat "Sklavini"
(vende të sllavëve). Në fund të shek.VI
e fillim të shek. VII, Sklavini të tilla ishin formuar
në Maqedoni, Traki, Thesali, Beoti e, në një
numër mjaft të madh, në Peloponez. Prej Maqedonie,
grupe të veçanta sllavësh arritën të
depërtojnë dhe të vendosen në lartësitë
përgjatë luginës së lumit Devoll e Osum,
por pa formuar bashkësi kompakte.
Në bregdetin dalmat, duke filluar nga gryka e Kotorrit
e sipër, u vendosën tributë sllave të
trebinjëve, kanavlitëve, zaklumëve, narentanëve.
Konstandin Porfirogjeneti, perandor e historian bizantin i
shek. X, i numëron këto bashkësi si fise sllave.
Por diokleasit, që banonin më poshtë grykës
së Kotorrit, ai nuk i përfshin ndër popujt
sllavë. Në fillim të shek.VII, perandor Herakli
lejoi vendosjen e dy fiseve të mëdha sllave, të
kroatëve dhe të serbëve. Këta të
fundit zunë vendet e përshkuara nga lumenjtë
Lim e Drina e sipërme bashkë me Pivën e Tarën,
luginën e Ibrit dhe rrjedhën e sipërme të
Moravës perëndimore. Në jug dhe në perëndim
serbët kufizoheshin me diokletë si dhe me trebinjët
e zaklumët sllavë, që ndonjëherë
njësohen me serbët. Bërthamën e vendeve
serbe e përbënte krahina e Rashës, që
e merrte emrin nga kështjella me të njëjtin
emër, në veri të Novi-Pazarit të sotëm.
Në jug vendet e serbëve arrinin deri në burimet
e lumit Lim.
Në përfundim të dyndjeve të popujve gjatë
shek. IV-VI e sidomos të kolonizimit sllav të shek.
VI-VII, përbërja etnike e trevave ballkanike, pësoi
modifikime të ndjeshme. Në viset danubiane, në
ato të Istries, të Dalmacisë e të rajoneve
të brendshme u vendosën në mënyrë
mjaft intensive popullsitë e reja sllave: trebinjatët,
kanavlitët, paganët, serbët, kroatët.
Masa sllavësh u vendosën në zonën e Nishit
dhe përgjatë luginës së Vardarit, e deri
në Selanik. Prej këndej, grupe të veçuara
depërtuan nëpër luginat e Devollit e Vjosës,
duke zënë kryesisht lartësitë përgjatë
tyre. Ngulime sllave pati edhe në malësitë
midis Thesalisë dhe Epirit (malet e Pindit). Vendosje
masive të bashkësive sllave pati në Traki e
Greqi, veçanërisht në Gadishullin e Peloponezit.
Historiani bizantin i shek. X, Konstandin Porfirogjeneti,
thotë se në atë kohë Peloponezi "ishte
sllavizuar plotësisht". Gjithsesi, burimet historike,
të dhënat arkeologjike e ato gjuhësore, i kanë
shtyrë studiuesit të dalin në përfundimin
se brezi perëndimor i Ballkanit që përfshihej
në provincat diokleciane të Prevalit, Epirit të
Ri dhe të Epirit të Vjetër, me një shtyrje
ku më shumë e ku më pak të thellë
drejt brendësisë, është ndër rajonet
më pak të prekur nga kolonizimi sllav. Përkundrazi,
popullsia e hershme autoktone iliro-shqiptare u përforcua
në këtë gjerësi gjeografike me grupe të
tjera iliro-shqiptare të ardhura nga viset e brendshme,
ku invazioni sllav kishte qenë masiv. Një zhvendosje
e tillë e popullsisë autoktone iliro-shqiptare drejt
zonave më të sigurta jugore dëshmohet pas rënies
së Nishit, të Dardanisë e të Salonës
në bregdetin dalmat pas vitit 612.
Gjithsesi, burimet historike të mesjetës së
hershme, ndërsa flasin për krijimin e zonave kompakte
të sllavizuara (sklavini) në viset fqinje të
Dalmacisë, Rashës, Maqedonisë, Peloponezit
etj., nuk përmendin ekzistencën e të tillave
në katër provincat e Ilirikut Perëndimor. Mbijetesa,
historikisht e dokumentuar, në këto treva të
qyteteve antike, e qendrave dhe e strukturave kishtare, si
dhe prania ndonëse e dobësuar e pushtetit bizantin
flasin përgjithësisht për ekzistencën
këtu të kushteve pak a shumë normale të
jetës në shekujt e errët të mesjetës.
Grupet e izoluara sllave që kishin arritur të depërtonin
drejt luginave të Devollit e Osumit, nuk arritën
të organizoheshin në bashkësi kompakte. Për
më tepër, duke filluar me Justinianin II, me qëllim
që të siguronte ndërlidhjet jetike me bregdetin
adriatik në boshtin e rrugës Egnatia, Perandoria
Bizantine shpërnguli popullsi të tëra sllave
nga viset që ishin në rrezen e saj duke i çuar
në Azinë e Vogël.
Fuqizimi i shtetit bullgar, sidomos gjatë sundimit të
carëve Simeon e Samuel, në shek. IX - X, u shoqërua
me depërtime grupesh sllave, përkatësisht bullgare,
që u vendosën kryesisht në vendet e prekura
që më parë nga kolonizimi sllav. Por, me rënien
e Perandorisë Bullgare dhe me rivendosjen e pushtetit
bizantin në këto treva, bashkësi të tëra
sllave u shpërngulën nga perandorët bizantinë
dhe u vendosën në Traki e në Azinë e Vogël.
Kjo vlen në radhë të parë për zona
me rëndësi strategjike, siç qe Shqipëria.
Grupe të tjera, në marrëdhënie me popullsinë
vendase erdhën vazhdimisht duke u tretur e duke u asimiluar.
Përvijimi i hapësirës shqiptare në
mesjetë
Që në shek. VII-VIII situata etnike në Ballkan
u stabilizua dhe nuk përmenden më dyndje popujsh.
Kjo gjendje etnike e shekujve të hershëm të
mesjetës, në atë që u konstitua si atdheu
mesjetar i shqiptarëve (Albania-Arbëria), mbeti
në thelb e pandryshuar edhe në shekujt e mëvonshëm,
kur nuk ka njoftime për dyndje të reja popujsh,
nëse përjashtohen në shek. VIII-IX inkursionet
episodike në brigjet shqiptare të arabëve të
Sicilisë, të cilët gjithsesi nuk u vendosën
në këto anë. Kronikat e vjetra serbe që
përshkruajnë ekspansionin e shtetit serb të
Rashës në Kosovë e në Diokle (Gentë)
në shek. XII, bëjnë të njohur se serbët
gjetën në ato treva një popullsi që ato
e quajnë të huaj (barbare), ndërkohë që
burime të tjera qoftë serbe, raguzane ose perëndimore,
flasin në mënyrë më eksplicite për
shqiptarë (Arbanasi, Arbanenses) në ato treva. Karvanet
e tregtarëve që në shek. XIII-XV niseshin nga
Raguza (Dubrovniku) e nëpërmjet Breskovës e
Rudnikut (Sanxhak) mbërrinin në Trepçë
e në Novobërdë, kalonin nëpër vende
të banuara nga shqiptarë e ku flitej gjuha shqipe
(lingua albanesca).
Shtrirja në këto treva e shtetit serb të Stefan
Nemanjës, në çerekun e fundit të shek.
XII, solli aty elementë sllavë, që erdhën
dhe iu shtuan grupeve të tjera sllave të kohëve
të kolonizimit të parë sllav (shek. VI-VII).
Në Diokle, krahas popullsive shqiptare edhe atyre sllave,
në disa nga qytetet e bregdetit mbijetonin edhe grupe
të vogla popullsish të romanizuara, të përmendura
edhe nga historiani-perandor Konstandin Porfirogjeneti (shek.
X). Për rrjedhojë, në shek. XIV Dioklea-Genta
(Zeta), veçanërisht ana e sipërme e saj,
u shfaqej të huajve si një vend "me popuj e
fe të ndryshme". Gjithsesi, gjatë gjithë
mesjetës krahina e bashkësi të tëra, si
Kuçi, Markajt (Markoviçët), Pastroviçët,
Piprët, Gjurashët (Cërnojeviçët)
etj., njihen si shqiptare.
Marrëdhëniet e diokleasve me popullsitë tashmë
sllave në veri të tyre, me trivunët dhe kanalitët,
u shprehën edhe në ndikime politike të ndërsjella.
Kështu, aty nga mesi i shek. XI Dioklea kishte një
sundimtar, Stefan Vojisllavin, që pas çdo gjase
ishte sllav. Në fakt, historiani bashkëkohës
bizantin, Kekaumenos, e cilëson atë trivunas
serb, duke dëshmuar faktin se ai ishte i huaj në
Diokle.
Në drejtim të jugut popullsitë shqiptare shtriheshin
në Epirin e Vjetër (tema e Nikopojës). Kjo
trevë i përjetoi më butë tronditjet etnike
të fillimeve të mesjetës. Burimet vërtet
të rralla greko-bizantine të shek. VII-XII vazhdojnë
traditën e kohëve antike, duke i cilësuar banorët
e Epirit si "ilirë" ose "barbarofonë",
pra, që flasin gjuhë të huaj. Nga ai moment
edhe këtu filloi të përdoret termi "arbëreshë"
(arbanenses, arbanitai) me të cilin tashmë thirreshin
pasardhësit e ilirëve të lashtë. Burime
bizantine të shek XIV, si "Panegjiriku i Manuel
Paleologut" apo historiani Joan Kantakuzeni, ndërsa
e cilësojnë si shqiptare popullsinë e Epirit,
nuk mungojnë të saktësojnë se shqiptarët
epiriotë të kohëve të tyre janë pasardhësit
e fiseve të dikurshme të tesprotëve, kaonëve
e molosëve.
Trevat e Epirit ishin ato nga ku më së shumti e
pati prejardhjen vala e madhe e shtegtimeve shqiptare e shek.
XIV-XV drejt Greqisë. Megjithatë, edhe pas kësaj
hemorragjie të madhe, regjistrimet osmane të shek.
XV-XVI konfirmojnë praninë e një popullsie
të madhe e kompakte shqiptare në gjithë shtrirjen
e Epirit.
Në kuadrin e trevave shqiptare, Arbri (Arbanon-Arbanum-Raban)
zinte në mesjetë një vend të veçantë.
I vendosur në qendër të tyre, në hapësirën
e përfshirë mes Lezhës-Dibrës-Ohrit-Vlorës,
dhe i përshkruar mes për mes nga boshti i rrugës
strategjike Egnatia, Arbri u bë bërthama e trojeve
shqiptare në të cilën në mënyrë
më konsekuente e intensive u zhvilluan proceset ekonomike,
politike, kulturore e psikologjike, që plazmuan qenien
historike të kombit shqiptar. Me të drejtë,
studiues si M. Shuflai, K. Jireçek, G. Prinzig, M.
Angold, e kanë vlerësuar këtë territor
si "bërthamën e trojeve shqiptare".
Emri i vendit, Arbër, dhe i banorëve të tij,
arbëreshë, trashëgohej nga kohët antike.
Në fakt, në shek. II të erës sonë,
gjeografi aleksandrin Ptolemeu, njoftonte praninë në
këto territore të një fisi me emrin albanoi
dhe të kryeqendrës së tyre, Albanopolis. Këta
etnonimë iu trashëguan vendit dhe banorëve
të tij edhe në mesjetë. Dhe falë rolit
qendror që Arbri dhe arbrit luajtën në fatet
historike të universit shqiptar, këta emra etnikë
u shtrinë dora-dorës edhe në viset e tjera
në veri, në jug e në lindje të tyre, ku
banonte e njëjta popullsi.
Tashmë në shek. XIII, Shqipëri (Albania) dhe
shqiptarë (Albanenses) quheshin trevat dhe popullsitë
nga kufijtë e Dioklesë (Gentës) e deri në
gjirin e Prevezës. Udhëtarët e huaj dallojnë
në të gjithë këtë shtrirje një
popullsi me tipare etno-kulturore unitare.
Shqiptarët e hershëm dhe Kultura e Komanit
Në vitin 1898 u ra në gjurmë të një
varreze të madhe, pranë Kalasë së Dalmaces,
në fshatin Koman të Pukës. Në vazhdim
u zbulua një numër i madh varrezash të ngjashme,
rreth 30, të përhapura kryesisht në Shqipërinë
e Veriut e në atë të Mesme. Shpërndarja
gjeografike, tipologjia, inventari dhe kronologjia e njëjtë
e këtyre varrezave i ka shtyrë studiuesit të
identifikojnë në to kulturën e hershme mesjetare
shqiptare, të quajtur "Kultura e Komanit" (shek.
VI-VIII). Në vitet e fundit zbulime të "Kulturës
së Komanit" janë bërë edhe në
Shqipërinë e Jugut si dhe përtej kufijve shtetërorë,
në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni e në Greqi.
"Kultura e Komanit" është kultura e një
populli që në shek. VI-VIII ishte në kapërcyell
të dy epokave, nga ajo e vonë antike, në periudhën
e hershme mesjetare. Tipologjia e varreve, orientimi i tyre,
inventari i armëve, i veglave të punës dhe
i stolive, me praninë e elementëve të shumtë
të simbolikës ilire, e lidhin "Kulturën
e Komanit" me të kaluarën ilire të këtyre
trojeve dhe me banorët e lashtë të tyre, ilirët.
Por, përveç elementëve të vazhdimësisë
ilire, "Kultura e Komanit" përmban edhe elementë
të rinj, që lidhen me periudhën e hershme bizantine.
Durrësi, baza më e rëndësishme e Perandorisë
Bizantine në perëndim, ishte qendra nga ku në
thellësi të trevave shqiptare mbërrinin importet
dhe, në përgjithësi, ndikimet bizantine. Këto
të fundit shquhen qartë në disa grupe stolish,
si tokëza rripi, brosha të praruara, vathë
etj. Por, mbi të gjitha, ndikimi bizantin materializohet
në elementë të artit, pra dhe të besimit
kristian. Të tillë janë vathët me motive
palloi, skena të Eukarestisë ose unaza me formula
e lutje të krishtera.
Ndërkohë që në shumë nga stolitë
e gjetura në varrezat e "Kulturës së Komanit"
dallohet qartë mbijetesa e motiveve pagane (p.sh. disku
diellor), prania edhe e motiveve kristiane dëshmon se
bartësit e "Kulturës së Komanit"
kishin përqafuar, ose ishin duke përqafuar, besimin
e krishterë. Në këtë kohë, pra në
shek. VI-VIII, krishterimi, i përhapur nga qendrat urbane,
si Durrësi, Shkodra, Ohri etj., kishte mundur të
depërtonte edhe në zonat e brendshme rurale, ku
dëshmohet "Kultura e Komanit".
"Kultura e Komanit", qoftë në trashëgiminë
e saj të kulturës së lashtë ilire, qoftë
me elementet e reja të periudhës së hershme
bizantine e, në fund, me shenjat e qarta të besimit
të krishterë, është specifike për
hapësirën ku dëshmohen shqiptarët në
mesjetë. Ajo i dallon në mënyrë të
qartë, bartësit e saj, shqiptarët, nga fqinjët
e tyre të rinj e të vjetër, sllavët e
grekët.
2. RURALIZIMI I JETËS NË MESJETËN E HERSHME
Kushtet natyrore
Tabloja mjaft e larmishme e kushteve natyrore përcaktoi
në një shkallë të madhe ndarjen e trevave
shqiptare në disa rajone bujqësore me drejtime e
karakteristika të ndryshme të prodhimit.
Dallohej pa dyshim në këtë drejtim ajo që
historiania bizantine e shek. XI-XII, Ana Komnena, e quan
"fusha ilirike" dhe që njësohej me ultësirën
perëndimore shqiptare, ku ndodheshin rajonet bujqësore
dhe qytetet ndër më të begatat e Shqipërisë
mesjetare. Këto vise ofronin kushte të përshtatshme
për zhvillimin e një bujqësie intensive dhe
për zbatimin e një agroteknike të përparuar.
I tillë ishte rajoni i Shkodrës, ai i Durrësit
(fusha e Skurrisë etj.), zona e Karavastasë si pjesë
e fushës së Myzeqesë (Myzakia=vendi i Muzakëve)
dhe treva tejet e begatë e Vagenetisë (Çamërisë)
në skajin jugor. I gjithë ky rajon karakterizohej
nga një pjellori relativisht e lartë e tokës
dhe që deri në shek. XIV nuk ishte prekur ende nga
dukuria e moçalizimit, që erdhi si rezultat i
shpyllëzimeve masive dhe i braktisjes së tokave
në prag të pushtimit osman. Drithërat (gruri,
elbi, meli) përbënin produktin kryesor të këtyre
zonave. Por po aq të dëgjuara ishin prodhimet e
kopshtarisë, vreshtarisë e të blegtorisë.
Kultura e ullirit kishte përhapje mjaft të gjerë,
duke u shtrirë në veri deri në rrethinat e
Ulqinit, të Shkodrës e të Drishtit, ndërsa
kultura e mëndafshit (serikultura) qe e përqendruar
në zonën e Shkodrës, Vlorës, Beratit e
të Këlcyrës.
Në të gjithë ultësirën perëndimore
shqiptare, ku dikur kishin lulëzuar latifondet e mëdha,
edhe në kushtet e reja prona e madhe tokësore vazhdoi
të ekzistonte në zotërim të personave
laikë apo të institucioneve fetare. Këto të
fundit dalin që herët si grumbulluese fondesh të
mëdha tokësore. Që në shek. VI bëhet
fjalë për prona të mëdha të kishës
(patrimonia) në zonën e Shkodrës (të Prevalitanisë).
Një pjesë e mirë e këtyre, bashkë
me toka të tjera, figurojnë më vonë si
pronë e manastireve të mëdha, katolike e ortodokse,
të atij rajoni. Njëlloj të pasura me toka ishin
edhe manastiret dhe peshkopatat e zonës së Durrësit,
ato të Beratit apo të Vagenetisë në jug.
Njëkohësisht me institucionet fetare, fonde të
mëdha tokash figurojnë në pronësi të
personave laikë, që i përkisnin aristokracisë
vendase por që, në ndonjë rast, ishin edhe
fisnikë të huaj. Prania e këtyre të fundit,
dhe në përgjithësi kontaktet që bregdeti
i Adriatikut dhe ai i Jonit patën me Italinë, bënë
që marrëdhëniet agrare të ndikoheshin
aty nga modeli perëndimor i feudalizmit. Në dokumentet
e shek. XIII-XV, që kanë të bëjnë
me këto treva, ndeshet vazhdimisht një terminologji
që flet për praninë aty të institucioneve
feudale, tipike perëndimore, siç qe feudi (feudum),
vasaliteti (vassallagium), betimi (juramentum), mbrojtja feudale
(protectio), imuniteti (immunitas) etj.
Rajone të zhvilluara dhe dendësisht të banuara
qenë edhe ato të rrafshnaltave ose luginave të
brendshme të Kosovës, Dibrës, Ohrit, Korçës,
Devollit, Matit, Këlcyrës, Drinit etj. Këto
përshkoheshin nga një rrjetë e dendur rrugësh
komunikimi dhe nuk përbënin kurrsesi enklava të
izoluara. Edhe këtu, ashtu si në ultësirën
bregdetare perëndimore, procesi i përqendrimit të
tokave në pak duar ndodhi shpejt dhe pjesa më e
madhe e fondit tokësor ndahej mes një grupi pronarësh
të mëdhenj ose institucioneve fetare. Këto
treva qenë në Shqipëri trevat ku gjeti përhapjen
klasike feudalizmi i tipit bizantin, i mishëruar në
institucionin e pronies.
Së fundi, rajoni i tretë ishte ai i malësive
dhe i zonave të thella, që zinte një pjesë
të mirë të territorit. Këtu peshën
kryesore në veprimtarinë ekonomike e zinte blegtoria,
kurse kultivimi i arave kufizohej në lugina e në
ngastra të ngushta të hapura me mund në sipërfaqet
e pjerrëta apo në pyjet. Karakteristikë e këtyre
zonave ishte mobiliteti (lëvizshmëria) periodike
e një pjese të popullsisë të lidhur kryekëput
me ekonominë blegtorale dhe që përcaktohej
nga ndërrimi i kullotave, nga mali në verë,
në fushat bregdetare gjatë stinës së dimrit
(tranzumanca). Ndonëse banesa e qëndrueshme e blegtorëve
ndodhej në katundin malor, ndodhte shpesh që, gjatë
shtegtimit me bagëtitë e tyre drejt fushave bregdetare,
në dimër, ata të merrnin me vete edhe familjet,
me të cilat sistemoheshin përkohësisht në
kasolle të ngritura kryesisht me dru e kashtë. Jo
rrallë kjo popullsi blegtorale, e vendosur përkohësisht
gjatë muajve të dimrit në zonat fushore bregdetare,
ngulej aty në mënyrë të qëndrueshme,
duke sjellë ndryshime të rëndësishme në
strukturën dhe shpërndarjen e popullsisë. Nga
ana tjetër, me zhvendosjet e saj të pandërprera
nga fusha në mal e anasjelltas, kjo popullsi blegtore
bëhej një faktor ndërlidhës midis sektorëve
të ndryshëm të popullsisë shqiptare duke
kontribuar në homogjenizimin e saj. Kështu, norma,
doke dhe institucione të kahershme shqiptare, të
ruajtura në malësi në format e tyre të
pastra, me kohë zbritën dhe depërtuan edhe
në shoqërinë shqiptare të zonave fushore
bregdetare dhe të qyteteve, ndërkohë që
praktika dhe institucione të shoqërisë "së
qytetëruar" arritën deri në viset më
të largëta malore, duke ndikuar në zhvillimet
ekonomike, shoqërore, politike e kulturore të tyre.
Marrëdhëniet e pronës në fshatin shqiptar
në shek. VIII-X.
Bashkësia fshatare dhe ngastrat ushtarake
Kalimi në periudhën e mesjetës edhe në
Shqipëri e zhvendosi qendrën e gravitetit ekonomik
në fshat, ku qe përqendruar edhe masa dërrmuese
e popullsisë. Funksioni ekonomik i qyteteve u rrudh dhe
këto, duke përjashtuar Durrësin edhe ndonjë
tjetër, përgjithësisht mbijetuan si qendra
administrativo-ushtarake e peshkopale. Disa syresh, si Skampa,
Apolonia, Bylis, Amantia, Onkezmi, Euroia etj., pushuan së
ekzistuari si qendra të banuara që në të
dalë të periudhës antike.
Qeliza jetësore e shoqërisë shqiptare u bë
bashkësia fshatare, një grupim njerëzish i
organizuar mbi bazën e një territori të përbashkët
dhe të interesave të përbashkët. Lidhjet
e gjakut te bashkësia fshatare ruajnë deri diku
rëndësinë e tyre, por ato nuk janë më
kryesore, si dikur në bashkësinë fisnore. Organizimi
në bashkësi e kapërcente në ndonjë
rast kuadrin e një vendbanimi fshatar, duke përfshirë
disa të tilla. Kështu lindën bashkimet krahinore,
që u njohën si të tilla edhe në kuadrin
e organizimit administrativ e kishtar bizantin. Duke filluar
nga shek. VIII, të tilla në trevat shqiptare përmënden:
Kunavia, Stefaniaka, Pulti, Devolli, Kolonja, Himara, Vagenetia.
Organizimi dhe funksionimi i bashkësive fshatare në
Perandorinë Bizantine në fazën e hershme (shek.
VII-VIII) pasqyrohet në një dokument juridik të
kohës, në të ashtuquajturin "Ligji bujqësor"
(nomos georgikos). Ligji në fjalë kishte vlerë
për të gjitha territoret ballkanike të Perandorisë
Bizantine dhe, në këtë kuadër, edhe për
trojet shqiptare. Mjaft norma dhe institucione, që gjejnë
pasqyrim në "Ligjin bujqësor", u futën
në të drejtën dokesore dhe si të tilla
mbijetuan deri në kohët e reja në fshatin shqiptar.
Është e qartë që "Ligji bujqësor"
pasqyron gjendjen e bashkësive fshatare në fazën
e shpërbërjes, kur prona private po karakterizonte
gjithnjë e më shumë marrëdhëniet
e pronës.
Fshatarët, të cilët jo rastësisht quhen
aty "zot" (kyrios), kishin tokën e tyre arë,
vreshtat, kopshtet, që, së bashku me shtëpinë
dhe me bagëtitë, përbënin pasurinë
kryesore vetjake të familjes fshatare. Mullinjtë,
dhe shpeshherë edhe pyjet, ishin pronë e individëve
të veçantë. Si pronë vetjake, arat,
vreshtat, kopshtet, bagëtia etj., mund të trashëgoheshin,
të shkëmbeheshin, të ndaheshin, të jepeshin
me qira, të liheshin peng, madje më vonë edhe
të shiteshin, veç brendapërbrenda bashkësisë.
Pra, siç shihet, që në kohën e "Ligjit
bujqësor" ekzistonin premisat ligjore për polarizimin
shoqëror në gjirin e bashkësisë, nëpërmjet
grumbullimit të mjeteve e pasurive në pak duar.
Dhunimi çfarëdo i pronës individuale ndëshkohej
me masa që shkonin nga zhdëmtimi e deri në
dënime të ashpra trupore, si me rrahje, damkosje
me hekur të nxehtë, me verbim apo me prerjen e dorës.
S'ka dyshim që ndëshkime të tilla të vrazhda
pasqyrojnë ndikimin që ushtroi mbi të drejtën
bizantine e drejta dokesore e popujve barbarë, që
erdhën e u vendosën në territorin bizantin
në shek. V-VII.
Me gjithë konsolidimin e pronës individuale, dispozitat
e "Ligjit bujqësor" tregojnë se, në
kohën e veprimit të tij, pronësia e përbashkët
nuk ishte zhdukur përfundimisht. Kullotat, pyjet, ujërat,
tokat djerrë, vazhdonin të ishin pronë e bashkësisë
dhe të administroheshin nga kjo. Bashkësia kishte
një fond tokash të lira e të papunuara, që
herë pas here ua ndante sipas nevojave anëtarëve
të bashkësisë duke zbatuar sistemin e shortit
(kleros). Një mbeturinë e kohëve, kur tokat
ishin pasuri e përbashkët, ishte edhe sistemi i
"arave të hapura", sipas të cilit, me
përfundimin e korrjeve, bagëtitë mund të
kullosnin lirisht në ngastrat e njërit apo tjetrit.
Po ashtu, arat e braktisura, pas një afati të caktuar,
i ktheheshin përsëri bashkësisë. Kjo mund
t`i përdorte për të kompensuar anëtarët
e bashkësisë që kishin nevojë për
ngastra të reja shtesë ose që dëshironin
të ndërronin tokën e mëparshme. Bashkësia,
gjithashtu, kujdesej për veprimtari me interes të
përbashkët, për shfrytëzimin e ujrave,
për pajtimin e barinjve që kullotnin tufat e fshatit
dhe që i shoqëronin ato në shtegtimet nga kullotat
verore në ato dimërore, për pajtimin e mjeshtërve
zejtarë që kryenin punime për nevoja të
bashkësisë dhe të anëtarëve të
veçantë të saj.
Njësi bazë shoqërore e bashkësisë
ishte familja e madhe patriarkale, që bashkonte disa
breza dhe që drejtohej nga më plaku. Të parët
e familjeve, pjesëtarë të bashkësisë,
formonin "këshillin e pleqve", i cili trajtonte
dhe zgjidhte në bazë të dokeve, të gjitha
problemet që kishin të bënin me marrëdhëniet
e brendshme të bashkësisë, si dhe me marrëdhëniet
e saj me bashkësitë fqinje dhe me pushtetin qendror.
Gjithsesi, bashkësia fshatare pasqyron periudhën
e pasigurisë, që karakterizoi kalimin nga koha e
vjetër në kohën e mesme, të shoqëruar
me përmbysje të mëdha ekonomike, shoqërore,
etnike e kulturore. Duke u ofruar mbrojtje dhe solidaritet
antarëve të saj, bashkësia fshatare përfaqësonte
një zgjidhje të përshtatshme për përballimin
e kushteve të reja.
Por ajo, siç lënë të kuptohet edhe vetë
nenet e "Ligjit bujqësor", mbetej një
formë organizimi shoqëror kalimtare drejt shoqërisë
feudale. Farët e diferencimit shoqëror janë
të dukshme në të. Dokumente të shek. VIII-X
provojnë se në gjirin e bashkësive qe diferencuar
shtresa e "të fuqishmëve" (dynatoi) apo
e "të mëdhenjve" (megistanes). Inventari
arkeologjik i varrezave të ndryshme të gjetura në
vendin tonë, dhe që i përkasin kësaj periudhe
të vënies në lëvizje të procesit
të feudalizimit, ofron nga ana e tij prova të prekshme,
materiale, të diferencimit shoqëror që po përvijohej
në shoqërinë shqiptare.
Krahas varreve me objekte të çmuara, si unaza
floriri, monedha e pajisje luftarake, gjenden më së
shumti edhe varre me inventar të varfër, ku qenë
varrosur ata që në "Ligjin bujqësor"
quhen "të skamurit" (aporoi). Këta punonin
ngastrat e të tjerëve dhe jepnin për këta
të dhjetën e prodhimit ose punonin si rrogtarë
të thjeshtë (mistotë).
Përveç faktorëve të brendshëm,
në diferencimin shoqëror në gjirin e bashkësive
ndikoi dhe shteti. Duke e konsideruar bashkësinë
një njësi fiskale, përveçse njësi
administrative, shteti mblidhte prej tyre rregullisht detyrime,
të cilat rëndonin jo njëlloj mbi anëtarët
e bashkësisë. Për t`u shpëtuar tatimeve,
të varfërit e gjenin shpesh herë rrugëzgjidhjen
në shitjen apo braktisjen e ngastrave të tyre.
Megjithatë, një gjë e tillë nuk sillte
zvogëlimin e sasisë së rentës, që
i jepej shtetit nga bashkësia, sepse ky zbatonte sistemin
e garancisë kolektive (alelengyon), sipas të cilit
bashkësia paguante edhe për ata anëtarë
që nuk qenë në gjendje të paguanin ose
që kishin braktisur ngastrat e tyre ose ua kishin shitur
të tjerëve. Në këtë rast të
fundit, me qëllim që të mos prishej homogjeniteti
i bashkësisë, ligji përcaktonte se të
drejtën për blerjen e një ngastre të një
anëtari të bashkësisë e kishte së
pari fqinji i tij e pastaj një pjesëtar çfarëdo
i saj. Kjo normë, që synonte të pengonte depërtimin
e pronarëve të huaj në bashkësi, quhej
e drejta e parablerjes (protimesis).
Në kohën ku në Bizant sunduan perandorët
e "dinastisë maqedone", shek. IX-XI, njohën
një përhapje të gjerë të ashtuquajturat
"ngastra ushtarake" (stratiotika ktemata). Këto
shteti bizantin ua shpërndante bujqve me kusht që
këta të kryenin shërbimin ushtarak. Sistemi
i "pronave ushtarake" njohu përhapje të
gjerë në kohën e riorganizimit politiko-administrativ
të Perandorisë Bizantine dhe të ndarjes së
territorit të saj në provinca ushtarake (tema).
Sistemi i temave, themeli ekonomik e shoqëror i të
cilit ishte prona e vogël e bujkut-ushtar (stratiotit),
u bë shtylla kurrizore e shtetit dhe e ushtrisë
bizantine. Ndaj perandorët bizantinë bënë
të pamundurën për t`i ruajtur të paprekura
"ngastrat ushtarake" nga sulmi i pronarëve
të mëdhenj. Por nëse për një farë
kohë ata ia arritën këtij qëllimi, duke
nxjerrë edhe legjislacion të posaçëm
në mbrojtje të pronës së vogël, me
kalimin e kohës u pa qartë se procesi i gllabërimit
të ngastrave të vogla ishte i pandalshëm. Rrënimi
i këtyre të fundit, qofshin ato prona të stratiotëve
apo të anëtarëve të bashkësive fshatare,
shkaktoi fillimin e një krize të gjatë e të
pandalshme ekonomike, financiare e ushtarake që përfundoi
në fund të fundit me vetë shembjen e Perandorisë
Bizantine.
3. ORGANIZIMI SHTETËROR DHE JETA POLITIKE
Regjimi i Temave në Shqipëri.
Tema e Durrësit
Ndonëse mbetej gjithnjë provincë bizantine,
Shqipëria i humbi lidhjet e drejtpërdrejta me Perandorinë
pas dyndjes e kolonizimit sllav në Ballkan. Strukturat
shtetërore-administrative nuk funksiononin më, ndërkohë
që në qytete apo jashtë tyre po zhvilloheshin
struktura autonome të qeverisjes. Në qendrat e mëdha,
si p.sh. në Durrës, fillon e bëhet fjalë
për njerëz me ndikim e pushtet, përfaqësues
të aristokracisë vendase (arkondët), të
cilët luajnë rol gjithnjë e më të
dukshëm në zhvillimet politike të vendit. Vetë
pushteti bizantin, duke mos qenë në gjendje të
vendoste një kontroll të fortë në provincat
e tij të skajshme perëndimore, u detyrua të
zbatonte këtu forma specifike organizimi e marrëdhëniesh,
forma në të cilat elementët lokalë ishin
shumë të rëndësishëm. Shembull tipik
të këtyre marrëdhënieve të reja përbën
në këtë kohë Durrësi dhe treva e
tij (Epiri i Ri). Në shek. VII-VIII treva e Durrësit
përfaqësonte një arkondat, ku pushteti dhe
autoriteti ushtrohej nga arkondët vendas. Këta ishin
bartës të autonomisë lokale dhe të vetëqeverisjes.
Deri në fillim të shek. IX, Durrësi dhe gjithë
prapatoka e tij kaluan një fazë vetëqeverisjeje
dhe autonomie. Arkondë të tillë, me atribute
pushteti, ndeshen në të njëjtën kohë
edhe gjetkë, si në Vageneti (Çamëri),
në Kolonjë etj.
Zbehja e rrezikut arab, në lindje, dhe keqësimi
i situatës në zotërimet bizantine në Ballkanin
Perëndimor dhe në Italinë e Jugut, si rezultat
i sulmeve të sllavëve e të frankëve, e
shtyu Perandorinë Bizantine të kalojë në
një organizim të ri administrativ në këto
treva, në atë të temave.
Dihet se regjimi i temave, ose i provincave ushtarake, filloi
të zbatohej që nga shek. VII në viset me emergjencë
ushtarake. Ai bazohej në thelb në rekrutimin e një
ushtrie vendase në radhët e fshatarësisë
së lirë, e cila në këmbim të tokës,
ofronte shërbimin ushtarak. Në krye të temës
qëndronte strategu i emëruar drejtpërdrejt
nga perandori bizantin, i cili përqendronte në duart
e tij si pushtetin ushtarak, ashtu edhe atë civil. Pas
tij vinin funksionarë vartës, si pretori, nënstrategët,
kartularët, klisarkët etj.
Ndër këto ofiqe, pretori dhe kartulari kishin karakter
civil: pretori merrej me shqyrtimin e çështjeve
gjyqësore dhe dërgohej nga pushteti qendror, kurse
kartulari kryente detyrat e sekretarit të strategut.
Ndër detyrat e tij kryesore ishte ndjekja e procesit
të rekrutimit të trupave ushtarake, ajo e problemeve
financiare të kancelarisë etj. Nënstrategët
e klisarkët, që dëshmohen si pjesëtarë
të hierarkisë drejtuese në Temën e Durrësit,
kryenin detyra kryekëput ushtarake në njësitë
përbërëse të Temës apo në sektorët
me rëndësi të posaçme strategjike, siç
qenë klisurat (ngushticat) që kontrollonin lëvizjet
në rrugëkalimet kryesore.
Në shek. X në krye të Temës së Durrësit
gjejmë një katepan që kishte në juridiksion
edhe zotërimet bizantine të Puljes (Itali). Në
shek. XI komandanti i Temës së Durrësit thirret
tashmë me titullin dukë.
Organizimi i ri i temave synonte të konsolidonte forcën
ushtarake bizantine nëpërmjet krijimit të një
ushtrie që rekrutohej në vend nga radhët e
stratiotëve ose bujqve ushtarë, që kishin të
drejtën e shfrytëzimit të një parcele
toke kundrejt kryerjes së shërbimit ushtarak. Mjaft
të dhëna historike provojnë se, në fakt,
forcat ushtarake të strategut të Durrësit përfaqësoheshin
nga rekrutët vendas (enkoroi dynameis).
Themelimi i Temës së Durrësit bie me siguri
në dhjetëvjeçarët e parë të
shek. IX. Si terminus ante quem mund të konsiderohet
një letër e vitit 826 e patrikut të Konstandinopojës,
Teodor Studiti, për kryepeshkopin e Durrësit, Antonin,
ku bëhet fjalë pikërisht edhe për një
funksionar laik, Thomanë, në atë kohë
me detyrën e hipatit e të kartularit në Durrës.
Juridiksioni i Temës së Durrësit shtrihej prej
Tivari në veri, në Gjirin e Vlorës në
jug e në një thellësi drejt lindjes, që
kapte rrjedhën e lumit Drin. Territoret e tjera shqiptare,
që dilnin jashtë kuadrit të Temës së
Durrësit, u përfshinë në temat fqinje
të Nikopojës, që shtrihej në kufijtë
e provincës së dikurshme të Epirit të
Vjetër, të Selanikut, e cila kishte nën juridiksionin
edhe viset e Kosovës e të Maqedonisë Perëndimore,
dhe të Dalmacisë. Të gjitha këto tema
u krijuan gjatë shek. IX. Vonë, në vitet e
para të shek. XI, në viset e Maqedonisë Perëndimore
u krijua një temë e re, qendra e së cilës
ishte Shkupi.
Tema e Durrësit ishte në qendër të sistemit
mbrojtës bizantin në zotërimet e perëndimit.
Kjo është arsyeja që, në raste të
veçanta, nën urdhrat e strategut të Durrësit
viheshin edhe forcat ushtarake të temave fqinje, përfshirë
ato të Italisë bizantine. Si rregull, veprimtaria
e ushtrisë së temës përmblidhej brenda
kufijve të temës përkatëse. Por, në
raste të veçanta, ushtria apo reparte të
veçanta të ushtrisë së temës dërgoheshin
të vepronin edhe në fronte të tjera, siç
ndodhte, p.sh. me luftëtarë nga Tema e Durrësit
që dërgoheshin të luftonin në Italinë
e Jugut.
Një karakteristikë dalluese për temën
e Durrësit ishte roli i madh që elementi vendës
shqiptar luante në strukturat administrative e ushtarake
të saj. Ushtria e temës bazohej në rekrutët
vendas. Nga ana tjetër, edhe elementë të aristokracisë
vendase luanin një rol të rëndësishëm
duke u integruar në sistemin e temës e duke luajtur
shpeshherë një rol parësor në drejtimin
e saj. Një rol të tillë ka luajtur p.sh. gjatë
shek. X-XI familja e Krisilëve nga Durrësi. Pinjollë
të saj u nderuan deri me titujt e lartë proteuon
apo patric nga pushteti bizantin. Në vitet e fundit të
shek. X e në fillimet e shek. XI, fati i vetë qytetit
të Durrësit e rrethinës së tij ishte në
duart e fisnikut Gjon Krisili, i cili ia dorëzoi një
herë qytetin carit Samuel e ca vjet më vonë
ia kaloi atë perandorit bizantin Bazili II. Aty nga viti
1040 i biri i Gjonit arriti të emërohej nga perandori
bizantin komandant i ushtrisë së Temës së
Durrësit dhe i forcave lokale që do të shkonin
të shtronin Dioklenë, që kishte ngritur krye
kundër sundimit bizantin. Pinjollë nga familje fisnike
shqiptare të Temës së Durrësit, si Skurra,
Vrana, Arianiti, Muzaka etj., arritën të zinin poste
të rëndësishme në administratën e
Temës. Madje, ndonjë syresh ngjiti shkallët
e karrierës edhe në administratën qendrore.
Duke lënë mënjanë brezin bregdetar të
Adriatikut, bërthamën e Temës së Durrësit
e përbënte vendi i Arbrit (greq. Al(r) banon, lat.
Al (r) banum, sllav. Raban), me një fjalë treva
e përfshirë midis Lezhës, Vlorës, Ohrit
e Dibrës. Vendi i Arbrit përfaqësonte mbështetjen
kryesore të Temës së Durrësit. Prej andej
vinin kontingjentet kryesore ushtarake të Temës.
Rëndësia e Arbrit ishte e tillë që, në
një moment të caktuar, tema e Durrësit filloi
të quhej "Tema e Durrësit dhe e Arbrit".
Një emërtim i tillë veç rëndësisë
shprehte edhe individualitetin dhe pavarësinë e
kësaj krahine brenda kuadrit të temës së
Durrësit. Në fakt, Arbri ishte treva ku më
tepër se në çdo trevë tjetër shqiptare,
proceset politike kishin çuar që herët në
krijimin e një autonomie relative ndaj pushtetit bizantin.
Autori bizantin i shek. XI, Mihal Ataliati, e ka fjalën
pikërisht për trevën e Arbrit kur thotë
se marrëdhëniet e shqiptarëve (Albanoi) me
pushtetin bizantin ishin ndërtuar mbi bazën e sistemit
të izopolitisë. Por nuk përjashtohet që
pohimi i tij të vlejë, ku më shumë e ku
më pak, edhe për treva të tjera shqiptare.
Sistemi i izopolitisë ishte një sistem i privilegjuar
marrëdhëniesh të një komuniteti të
caktuar me pushtetin bizantin. Në thelb ai përfaqësonte
një lloj statusi federimi, që Perandoria Bizantine
u akordonte popujve dhe bashkësive të tjera, me
të cilat i lidhte feja dhe përbashkësia e interesave.
Statusi i izopolitisë iu akordua nga Bizanti për
ca kohë edhe Venedikut. Izopolitia nënkuptonte njohjen
e një autonomie të gjerë, përjashtimin
nga taksat e detyrimet kryesore, si dhe privilegje të
tjera. Detyrimi kryesor i parashikuar nga një sistem
i tillë kishte të bënte me furnizimin me trupa
ushtarake, të drejtuara nga komandantë vendas, që
viheshin në dispozicion të strategut bizantin (në
rastin tonë të strategut të Durrësit)
në rast fushatash ushtarake.
Të përfshira në ushtrinë bizantine, trupat
e Arbrit vepronin jo vetëm në Temën e Durrësit,
por edhe jashtë saj, si edhe në vende të tjera,
Maqedoni, Greqi, Itali etj. Gjithsesi ato përbënin
një strukturë të veçantë, që
dallohej nga masa tjetër e ushtrisë bizantine. Forca
ushtarake, që treva e Arbrit arrinte të nxirrte
në shekujt e mesjetës së hershme, përbënte
edhe bazën e statusit të veçantë autonom
që ai gëzoi në marrëdhëniet me Perandorinë
Bizantine.
Lufta kundër ikonave dhe efektet e saj në Shqipëri
Në kohën e sundimit të Leonit III (717-741),
Perandoria Bizantine u përfshi nga një konflikt
i ashpër i brendshëm fetar. Në thelb të
tij qëndronte interpretimi i ndryshëm që i
bëhej rolit që kishin imazhet e shenjta (ikonat)
kishin në besimin e krishterë. Duke filluar nga
koha e Justinianit kulti i ikonave të shenjtorëve
(ikonolatria) njohu një përhapje aq të gjerë
në kishën bizantine, saqë u kthye në një
nga format kryesore të shprehjes së ndjenjës
fetare. Kishat e manastiret u mbushën aso kohe me ikona
shenjtorësh të çmuara e të kushtueshme,
duke u bërë njëherësh tregues i luksit
dhe i pasurisë në të cilin notonin kleri dhe
institucionet fetare. Një gjë e tillë ushqente
pakënaqësi në një masë të gjerë
njerëzish të çdo niveli shoqëror, të
cilët mendonin se kisha duhej të ishte si në
kohën e apostujve, e varfër dhe e virtytshme. Nga
ana tjetër, nuk mungonin edhe në vetë gjirin
e kishës prirje kundër kultit të ikonave, sipas
të cilave një kult i tillë skishte asgjë
të përbashkët me krishterimin, si fe krejtësisht
shpirtërore. Këto prirje ishin më të forta
në provincat lindore të Bizantit, tokë gjithnjë
pjellore për lëvizje fetare, ku vazhdonin të
mbijetonin mbeturina të monofizizmit dhe ku atë
kohë po forcohej dhe po shtrihej sekti i pavlikanëve,
që luftonte kundër çdo forme kulti fetar.
Më në fund, lufta kundër kultit të ikonave
ishte rezultat i ndikimit që ushtronin mbi krishterimin
bizantin feja islame dhe ajo hebraike, me të cilat Bizanti
ishte në kontakt të vazhdueshëm. Të dyja
këto fe janë prerazi kundër çdo forme
të riprodhimit në figurë të shenjtorëve
të vet. Në këtë mënyrë, lufta
kundër kultit të ikonave (ikonoklastia) kishte rrënjë
të thella fetare, kulturore e shoqërore.
Perandor Leoni III, duke ndërmarrë hapur betejën
kundër kultit të ikonave, synonte në radhë
të parë të afirmonte fuqinë e pushtetit
qendror mbi pushtetin e pakufizuar të institucioneve
fetare si dhe mbi provincat, veçanërisht ato periferike,
që jo rastësisht u rreshtuan në krahun e adhuruesve
të ikonave. Ikonoklastia ndeshi në kundërshtim
të ashpër në provincat bizantine të Italisë
e të Ilirikut, që ishin nën juridiksionin kishtar
të Papës së Romës. Megjithatë edhe
këtu ikonoklastia nuk mungoi të bëjë për
vete përkrahësit e vet. Kështu, nga dy letra
që teologu i njohur bizantin, Teodor Studiti, i dërgoi
në vitet 820, kryepeshkopit të Durrësit, Antonit,
dhe një murgu tjetër po nga Durrësi, Dionisit,
mësohet se ikonoklastia ishte përqafuar në
atë dioqezë edhe nga përfaqësues të
klerit rregullar (murgjit), të cilët përgjithësisht
qenë kundërshtarët më të rreptë
të saj.
Nuk ka prova se lufta e ikonave do të ketë marrë
në trevat shqiptare format e ashpra që pati në
pjesë të tjera të Perandorisë Bizantine.
Megjithatë, në kuadrin e saj ndodhi një ngjarje
me rëndësi të madhe për zhvillimet jo
vetëm kishtare, por edhe për ato politike në
trevat shqiptare. Perandori ikonoklast Leoni III i shkëputi
ato nga juridiksioni i Papës së Romës dhe i
vuri nën varësinë e drejtpërdrejtë
të Patriarkatit të Konstandinopojës (732).
Ky hap, i shoqëruar edhe me krijimin, në fillim
të shek. IX, të temës bizantine të Durrësit
e asaj të Nikopojës, ndikoi së tepërmi
në forcimin e kontrollit të pushtetit qendror në
këto provinca perëndimore të Perandorisë.
Trevat shqiptare dhe Mbretëria Bullgare (shek. IX-X)
Një ndër arsyet kryesore të krijimit të
Temës së Durrësit në gjysmën e parë
të shek. IX kishte qenë përballimi i presionit
sllav, përkatësisht i atij bullgar. Që nga
fundi i shek. VII, nga shkrirja e fiseve sllave dhe atyre
bullgare (me origjinë turke), u krijua midis Danubit
e maleve Ballkan shteti i parë ballkanik sllav, Mbretëria
Bullgare, e cila shumë shpejt u bë një rrezik
i madh për Perandorinë Bizantine. Aty nga mesi i
shek. IX shteti bullgar i kishte shtrirë kufijtë
e tij në Maqedoni dhe, nën mbretin Boris (852-879),
përfshiu edhe brezin midis lumit Devoll e Vjosë.
Kështjellat e Devollit dhe e Pulkeropolit (Beratit) u
bënë baza të pushtetit bullgar në këto
anë. Në vitin 864 Borisi përqafoi së bashku
me popullin e vet, fenë e krishterë, duke marrë
emrin Mihal. Feja e re i dha kohezionin e duhur shtetit sllavo-bullgar
dhe i lejoi atij shtrirjen e mëtejshme në territoret
bizantine. Në kohën e Simeonit (894-927), Bullgaria
arriti shtrirjen e saj më të gjerë. Me përjashtim
të Durrësit e të Shkodrës, Simeoni pushtoi
krejt viset në Shqipërinë Qendrore e të
Poshtme. Në jug ai mori Vlorën e një pjesë
të mirë të Temës së Nikopojës.
Në vitin 913 perandori bizantin Konstandini VII u detyrua
t'i njihte Simeonit titullin Perandor i Bullgarisë
dhe të martohej me një vajzë të carit
bullgar. Ndërkohë prej vitesh Perandoria Bizantine
ishte e detyruar t'u paguante bullgarëve një haraç
të përvitshëm.
Por paqja bullgaro-bizantine nuk vazhdoi gjatë. Në
vitet që ndoqën ushtritë e Simeonit sulmuan
Durrësin dhe shkretuan rrethinat e tij. Më 918 bullgarët
u shtynë në jug nëpër Temën e Nikopojës
dhe mbërritën në Gjirin e Korintit.
Gjithsesi ëndrra e car Simeonit, për të krijuar
një perandori bullgare në vend të asaj bizantine,
përfundoi me vdekjen e papritur të tij më 27
maj 927. Trashëgimtarët e tij, Pjetri e Borisi,
nuk ishin në lartësinë e Simeonit dhe u detyruan
të njihnin, kush më shumë e kush më pak,
sovranitetin bizantin.
Pushtimi bullgar la shenja të dukshme edhe në trevat
shqiptare, sidomos në korridorin që zgjatej nëpër
luginën e lumit Devoll e deri në bregdet, ku ai
vazhdoi të ruhet deri në fillimet e shek. XI. Në
krye të krahinave të veçanta këtu u
vunë bujarë bullgarë, të cilët shpeshherë
sollën me vete njerëzit e tyre, përfshirë
edhe klerikë bullgarë, që ndihmuan për
depërtimin e një kulture sllavo-bizantine në
këto treva. Në gjysmën e dytë të
shek. IX në zonën e Ohrit, Korçës, Devollit,
Beratit zhvilloi aktivitetin e tij misionar Klementi i Ohrit,
dishepull i Cirilit e Metodit, i cili punoi për vite
me radhë për hapjen e shkollave e të kishave
sllave. Nga kjo kohë trevat midis rrjedhës së
Devollit e të Vjosës u përfshinë në
ndikimin kishtar e kulturor të Ohrit, të cilin bullgarët
e kthyen në qendër të Patriarkatit të
pavarur bullgar. Me pushtimin bullgar të shek. IX-X lidhet
edhe lulëzimi i disa qendrave të rëndësishme
ushtarako-administrative e kishtare, siç ishin Devolli,
Glavinica (Ballshi) etj. Në bazilikën madhështore
të Ballshit u gjet në fillimet e shek. XX edhe një
mbishkrim i gdhendur, që kujtonte kthimin e Boris-Mihalit
dhe të popullit bullgar në fenë e krishterë
më 864.
Pas disa dekadash nënshtrimi ndaj Perandorisë Bizantine,
si rezultat i një kryengritjeje antibizantine që
pati për epiqendër Maqedoninë, në fronin
bullgar erdhi car Samueli (976-1014). Nën sundimin e
tij, qendra e shtetit bullgar u zhvendos nga lindja, Preslavi,
në Prespë e në Ohër. Në këtë
kuadër trevat shqiptare morën një rëndësi
të dorës së parë dhe u përfshinë
për së afërmi në konfliktin e gjatë
midis Samuelit dhe Perandorisë Bizantine. Car Samueli
bashkoi nën sundimin e tij krejt Maqedoninë deri
në Selanik, trevën e vjetër bullgare midis
Danubit dhe vargmaleve Ballkan, si dhe Thesalinë, Temat
e Nikopojës e të Durrësit, si dhe Dioklenë
e Rashën në Veri. Nën sundimin e tij u rimëkëmb
Patriarkati i pavarur bullgar, i cili vendosi përfundimisht
selinë në Ohër, kryeqendra e Samuelit.
Dëshmitë historike tregojnë se car Samueli
nuk synoi të sjellë një përmbysje në
strukturat administrativo-ushtarake të trevave shqiptare
të pushtuara prej tij. Kështu, në Diokle, ai
la në pushtet princin Gjon Vladimir, të cilit për
më tepër i ofroi dorën e vajzës së
tij, Kozarës. Në Durrës, pas vitit 997, Samueli
nuk i preku privilegjet dhe pushtetin e parisë së
qytetit, që përfaqësohej nga familja e fuqishme
e Krisilëve. Gjon Krisili, proteuon i qytetit, e kishte
favorizuar kalimin e qytetit në duart e Samuelit. Aleanca
e carit bullgar me Krisilët e parinë durrsake u
vulos edhe me martesën e tij me të bijën e
Gjon Krisilit. Në trevën e Vlorës e të
Beratit, Samueli ia besoi komandën pinjollit të
një familjeje fisnike vendase, Elinagër Frëngut.
Po kështu veproi në Devoll, Kolonjë, Vageneti
e gjetkë. Shtrirja e pushtetit të Samuelit në
këto vende u lehtësua edhe për faktin se ai
zbatoi një sistem të ri detyrimesh ndaj fshatarësisë,
i cili mbështetej mbi kontributet në natyrë
e në lehtësira të tjera.
Kundërshtar i car Samuelit, që në fillim të
sundimit të tij, ishte perandori i ri bizantin, Bazili
II, i mbiquajtur "Bullgarovrasësi", (976-1025).
Përpjekja e parë serioze e tij për të
goditur perandorinë e Samuelit përfundoi me disfatë
më 986 në afërsi të Sofjes (Serdika).
Pas kësaj, perandor Bazili II kërkoi të gjejë
aleatë në vetë trevat e pushtuara nga cari
bullgar. Në vitin 1001 shpërtheu kundërofensiva
e madhe bizantine e Bazilit II.
Në vitin 1004 Shkupi u kthye në duart e bizantinëve
e pas një viti, si rezultat i një marrëveshjeje
të fshehtë me proteuonin Gjon Krisili, edhe Durrësi
iu dorëzua perandorit Bazili II. Qeveritari i vënë
aty nga Samueli, Torona, dhëndër i carit bullgar,
u arratis në oborrin bizantin. Me anë premtimesh
e të marrëveshjeve paraprake, Bazili II arriti të
bëjë për vete edhe qeveritarë e fisnikë
të tjerë lokalë në Berat e në Devoll.
Pak nga pak rrethi u shtrëngua rrotull Ohrit, kryeqendrës
së Samuelit. Në qershor 1014, Bazili II i shkaktoi
një disfatë të rëndë ushtrisë
bullgare në ngushticat e malit Belashik, në rrjedhën
e sipërme të Strumës. Rreth 15 000 luftëtarë
të Samuelit u zunë robë. Vetë Samueli
i shpëtoi me vështirësi kapjes dhe u strehua
në kështjellën e Përlepit. Bazili II urdhëroi
të verbohen robërit bullgarë dhe t'i dërgoheshin
carit të tyre në Përlep. Pamja makabër
e kësaj ushtrie të verbër e tmerroi Samuelin
që vdiq në vend (6 tetor 1014).
Vdekja e Samuelit shoqëroi edhe shpërbërjen
e perandorisë ballkanike të tij. Ivan Vladislavi
(1015-1018) u përpoq të vendoste përsëri
hegjemoninë bullgare në provincat perëndimore
të Dioklesë, Durrësit e të Nikopojës.
Por, në shkurt të vitit 1018, gjatë një
sulmi mbi Durrës, cari i fundit i Perandorisë Bullgare
mbeti i vrarë. Pas kësaj, Bazili hyri triumfues
në Ohër, ndërkohë që ushtria e tij
i shuajti vatrat e fundit të qëndresës bullgare
në lartësitë e Tomorrit, në Vlorë
e në Thesali.
Pavarësisht nga egërsia me të cilën Bazili
II asgjësoi Perandorinë Bullgare ndaj vendeve e
popullsive, që futi përsëri nën sundimin
bizantin, ai ndoqi një politikë të matur. Kështu,
ai la këtu në fuqi edhe paskëtaj sistemin e
detyrimeve në natyrë, të vendosur gjatë
sundimit bullgar. Bujqit edhe paskëtaj i detyroheshin
shtetit një mod grurë, një mod miell dhe një
shtambë verë. Patriarkati i Ohrit vërtet u
ul prej tij në shkallën e kryepeshkopatës,
por edhe kështu Bazili II i njohu kësaj një
sërë privilegjesh që kisha e Ohrit i kishte
fituar në kohën e sundimit bullgar. Po kështu
nuk u prek juridiksioni i kryepeshkopatës së Ohrit,
e cila me gjithë protestat e kryepeshkopatave fqinje,
veçanërisht asaj të Durrësit, vazhdoi
të ketë në varësi mjaft peshkopata që
s'kishin qenë sufragane të sajat dhe që ishin
bërë të tilla nën sundimin bullgar. Këto
të fundit perandori Bazili II i pajisi me toka e bujq
me anë diplomash të veçanta. Me toka, privilegje,
tituj dhe me ofiqe Bazili II pajisi edhe ata krerë shqiptarë,
që gjatë luftërave me Samuelin kishin qëndruar
në krah të tij. Njërit prej tyre, patricit
David Arianiti, që llogaritej ndër komandatët
më të shquar të tij në betejat me bullgarët,
perandori i besoi postin e rëndësishëm e delikat
të strategut të Temës së porsakrijuar
të Shkupit. Kjo Temë së bashku me Temën
tjetër të Paradunavit (Bullgari) kishin për
detyrë të kontrollonin territoret e mbretërisë
së dikurshme bullgare dhe të shtypnin që në
embrion çdo përpjekje të re për shkëputje
nga Bizanti.
Në krye të Temës së Durrësit, pikëmbështetja
kryesore e bizantinëve në bregdetin Adriatik, u
vu një dukë, njëlloj si në Temën
e Selanikut, gjë që nënvizonte rëndësinë
e veçantë të saj. Po kështu u veprua
më vonë edhe me Temën e Shkupit.
Kriza e regjimit të temave dhe revoltat e dukëve
bizantinë
të Durrësit në gjysmën e dytë të
shek. XI
Kryengritja e madhe panballkanike e viteve 1040-1041, si dhe
ajo e vitit 1073, që patën jehonë të thellë
edhe në trevat shqiptare, paralajmëruan një
periudhë të tërë trazirash e revoltash,
që tronditën nga themelet Perandorinë Bizantine.
Krahas lëvizjeve masive fshatare, periudhën 1040-1081
e karakterizojnë edhe një varg rebelimesh ushtarake
të nxitura dhe të drejtuara nga komandantët
(strategët) e temave të veçanta. Shqipëria
e posaçërisht Tema e Durrësit u bë në
ato vite një nga pikat më të nxehta të
Perandorisë Bizantine.
Revoltat ushtarake të gjysmës së dytë
të shek. XI, mes të cilave edhe revoltat e strategëve
(dukëve) të Durrësit, qe një pasqyrim
i drejtpërdrejtë i ndryshimeve të brendshme
që po pësonte në atë kohë Perandoria
Bizantine dhe që lidhen kryesisht me zhvillimin e marrëdhënieve
feudale. Pas vdekjes së Perandorit Bazili II dhe fundit
të dinastisë maqedone me Konstandinin IX Monomahos
(1042-1055), mori fund edhe epoka e karakterizuar nga prona
e vogël e lirë e bujkut-ushtar (stratiotit). Deri
në atë kohë, e mbrojtur me fanatizëm prej
perandorëve bizantinë, që hartuan për
këtë qëllim edhe një legjislacion të
posaçëm, prona e vogël u la paskëtaj
në mëshirën e pronarëve të mëdhenj,
që në kurriz të saj filluan të zgjerojnë
zotërimet e tyre. Një proces i tillë i gllabërimit
të pronës së vogël të lirë dhe
i ekspansionit të pronës së madhe feudale,
kërcënonte me rrënim klasën e madhe të
ushtarëve-bujq, të cilët për më se
një shekull kishin qenë shtylla kurrizore e shtetit
bizantin, përsa kohë bujqit shqiptarë qenë
furnizuesit kryesorë të financave dhe të ushtrisë
bizantine. Por bashkë me rënien e klasës së
bujqve-ushtarë binte roli edhe i kastës së
krerëve ushtarakë, strategëve, ndërkohë
që rritej pesha e pronarëve të mëdhenj
të tokave dhe e aristokracisë burokratike të
kryeqytetit bizantin, Konstandinopojës.
Këto zhvillime të reja në gjirin e perandorisë
Bizantine prekën nga afër Shqipërinë,
që ishte vendi klasik i fshatarësisë së
lirë dhe i stratiotëve. Ndaj, disa nga kryengritjet
ushtarake më të fuqishme të shek. XI patën
si teatër kryesor pikërisht trojet shqiptare.
Në vitin 1043 ngriti krye kundër pushtetit qendror
Georg Maniaku, komandat bizantin i shquar nga luftimet kundër
arabëve dhe normanëve në Sicili dhe Italinë
e Jugut. Rritja e autoritetit të Maniakut nuk shihej
me sy të mirë nga strategu i ri bizantin i Italisë,
Mihal Dokianos, dhe nga vetë perandor Konstantini IX,
i cili e shkarkoi atë nga detyra. I mbështetur nga
repartet e tij besnike, midis të cilave shquheshin kontingjentet
e ardhura nga Arbri, Maniaku dha sinjalin e kryengritjes në
Sicili, ku trupat e tij e shpallën perandor. Në
krye të tyre ai zbarkoi në Durrës dhe i përkrahur
nga vendasit, që iu bashkëngjitën ushtrisë
së tij bizantino-shqiptare, iu drejtua Selanikut nëpër
Rrugën Mbretërore (Egnacia). Ushtria e kryengritësve
përparoi në Maqedoni pa hasur pengesa, derisa në
vendin e quajtur Ostrov u ndesh me ushtrinë perandorake.
Vrasja aksidentale e Georg Maniakut, në kohën kur
fitorja për kryengritësit ishte e sigurt, solli
shuarjen e lëvizjes.
Megjithatë, ecuria e kryengritjes së Georg Maniakut
tregoi qartë se Shqipëria, e veçanërisht
Tema e Durrësit në vendin e Arbrit (Arbanon) ishin
kthyer tashmë në një terren pjellor për
ngjarje të tilla. Historiani bizantin i shek. XI, Mihal
Ataliati, shprehet se në atë kohë shqiptarët,
dikur aleatë të Perandorisë Bizantine (symmachioi),
u bënë "papritur" kundërshtarë
të saj (polemioi). Një zhvillim i tillë në
marrëdhëniet e shqiptarëve me Bizantin, posaçërisht
i atyre të trevës së Arbrit, nuk vonoi të
pasqyrohej edhe në vetë marrëdhëniet e
Temës së Durrësit me pushtetin qendror. Me
pakënaqësitë e popullsisë shqiptare bashkoheshin
shpeshherë edhe vetë dukët e Temës së
Durrësit. Këta po shqetësoheshin gjithnjë
e më shumë nga rrudhja e vazhdueshme e kompetencave
sa në fushën ushtarake aq edhe në atë
civile. Në fakt, pas vdekjes së Bazilit II, ushtria
bizantine filloi të mbështetej gjithnjë e më
shumë në angazhimin e trupave mercenare të
dërguara nga qendra, gjë që e dobësonte
rolin e ushtrisë së Temës të rekrutuar
tek elementi vendas dhe të drejtuar nga strategu i Temës.
Nga ana tjetër, edhe kompetencat e strategut të
Temës në lëmin e pushtetit civil u rrudhën
në favor të nëpunësve, siç ishte
gjykatësi i Temës (krites apo pretor), që varej
drejtpërsëdrejti nga qendra dhe që tani trajtonte
çështjet e administratës civile. Tronditjet
e mëdha shoqërore të atij shekulli, si dhe
vështirësitë e jashtme në lindje të
Perandorisë Bizantine në marrëdhëniet
me Perëndimin dhe me turqit selxhukë, kontribuan
për të krijuar terrenin e përshtatshëm
për kryengritjet e mëdha të strategëve
ushtarakë të Durrësit të gjysmës
së dytë të shek. XI. Tema e Durrësit u
bë në atë kohë njëra nga vatrat kryesore
të kryengritjeve ndaj pushtetit qendror bizantin. I pari
ndër strategët e Durrësit, që ngriti krye
kundër Konstandinopojës, ishte proedri Niqifor Brieni.
Ky kishte qenë më përpara strateg i Temës
së Shkupit, ku kishte shtypur kryengritjen e vitit 1073.
I transferuar në Temën e Durrësit nga mesi
i viteve 70, Brieni ishte dalluar në mbrojtjen e kufijve
veriorë në luftë me sllavët kroatë
si dhe me diokleasit. Njëherësh ai u ballafaqua
edhe me sulmet pirateske të anijeve të normanëve
të Italisë, të cilët tashmë synonin
të shtriheshin drejt Lindjes, në territoret e Perandorisë
Bizantine.
Në tetor të vitit 1077, strategu Niqifor Brieni
dha sinjalin e kryengritjes kundër perandorit Mihal VII
Dukas. Kronistët bizantinë të kohës pohojnë
njëzëri se me kryengritësin Niqifor u bashkua
popullsia vendase e Temës së Durrësit si dhe
mjaft fisnikë vendas, në mes të të cilëve
Bazil Kurtiqi nga Arbri. Niqifori e deklaroi të rrëzuar
perandorin Mihal dhe, pasi e shpalli veten perandor, iu drejtua
Konstandinopojës me një ushtri që rrugës
vinte e zmadhohej me vullnetarë të rinj. Në
Adrianopojë Brienin e prisnin kryengritës të
tjerë të organizuar nga i vëllai, Johani. Por
në të dalë të qytetit forcat kryengritëse
u ndeshën me ushtrinë perandorake, të cilën
tashmë e komandonte Aleks Komneni, një ndër
gjeneralët bizantinë më të shquar të
të gjitha kohërave. Ushtria kryengritëse u
thye dhe mbeturinat e saj u shpërndanë.
Ndërkohë që Brieni me kryengritësit e
tij ishin nisur në drejtim të Konstandinopojës,
në Durrës kishte hyrë Niqifor Baziliaku, i
emëruar dukë i Durrësit pas rebelimit të
të parit. Por edhe duka i ri i Durrësit nuk vonoi
dhe, vetëm pak muaj pas Brienit, u vetëshpall perandor
dhe ngriti krye kundër qendrës.
I mbështetur nga paria dhe kleri vendas, ku u shqua peshkopi
i Devollit, Teodori, ai grumbulloi forca të shumta shqiptaro-bizantine,
ku nuk mungonin edhe mercenarë nga perëndimi. Në
krye të tyre ai u nis nga Durrësi, kaloi Ohrin dhe
iu drejtua qytetit të dytë të Perandorisë,
Selanikut. Fillimisht perandori Niqifor III Botoniati u përpoq
ta bindte kryengritësin të hiqte dorë nga marshimi
mbi kryeqytet, duke i premtuar falje e tituj të rinj
finikërie. Baziliaku e refuzoi ofertën dhe kështu
u arrit në një betejë të përgjakshme
me forcat qeveritare, të cilat i komandonte përsëri
Aleks Komneni. Kryengritësit u shpartalluan dhe vetë
Baziliaku u çua në pranga në Konstandinopojë.
Kryengritjet e mëdha antibizantine të shek.
XI
Bazili II ishte perandori i fundit i dinastisë maqedone
që mundi të ruajë ekuilibrin e brendshëm
shoqëror e politik midis interesave të shtetit,
atyre të aristokracisë feudale dhe të fshatarësisë
së lirë, si dhe të stratiotëve që
përbënin shtyllën kurrizore të shtetit
bizantin. Me vdekjen e tij (1018) ky ekuilibër u prish:
aristokracia feudale, civile apo ushtarake filloi t'i rrisë
në mënyrë të pakontrolluar pronat e veta
duke gllabëruar pronën e vogël. Pronarët
e vegjël e humbën pak nga pak statusin e mëparshëm
të lirisë dhe u kthyen në fshatarë të
varur. Për një kohë të gjatë shteti
bizantin, e në radhë të parë perandorët
e dinastisë maqedone (shek. IX-XI) ishin përpjekur
t'i vinin fre procesit të krijimit të pronës
së madhe dhe të zhdukjes së pronës së
vogël të fshatarit. Fshatari i lirë si dhe
stratioti, që merrte nga shteti një parcelë
toke kundrejt përmbushjes së detyrimit fiskal e
atij ushtarak, kishin përfaqësuar për shumë
kohë burimin kryesor të të ardhurave të
arkës perandorake dhe njëherësh elementin bazë
të ushtrisë bizantine. Por në kushtet e reja
që u krijuan pas vdekjes së Bazilit II, pronarët
e vegjël u gjendën përballë një sulmi
të dyfishtë: të aristokracisë feudale
të tokës, nga njëra anë, dhe të shtetit
bizantin që rëndoi në mënyrë galopante
barrën e taksave në dëm të tyre. Për
rrjedhojë u krijua një gjendje shpërthyese,
e cila jo rastësisht arriti kulmet e saj në territoret
ballkanike të goditura rëndë nga luftërat
e fundit bullgaro-bizantine. Në vitin 1040 shpërtheu
këtu një kryengritje e fuqishme kundër pushtetit
qendror e udhëhequr nga Pjetër Deljani, një
bujar bullgar që e mbante veten për nip të
car Samuelit dhe që e shpalli sakaq veten car. Kryengritja
prej Beogradit u përhap me shpejtësi drejt Nishit
e Shkupit. Strategu bizantin i Durrësit, Bazil Sinadeni,
mblodhi ushtarakë të temës së tij dhe
shpejtoi t'u zërë rrugën kryengritësve
të Pjetër Deljanit "përpara se e keqja
të përhapej", siç shprehet kronisti
Johan Skilice që përshkruan këtë ngjarje.
Por revolta preku edhe vetë radhët e ushtrisë
së Temës së Durrësit dhe një ushtarak
me emrin Tihomir ngriti flamurin e kryengritjes në zonën
e Dibrës, ku ishin dislokuar forcat e strategut të
Durrësit. Këtu kryengritësit i arriti Pjetër
Deljani me të vetët. Forcat e kryengritësve
u bashkuan nën drejtimin e Pjetër Deljanit, që
ndërkohë kishte hequr qafe Tihomirin. Paskëtaj
forcat kryengritëse iu drejtuan Durrësit, të
cilin e morën, dhe më tej morën Selanikun.
Flakët e kryengritjes përfshinë sakaq edhe
temën e Nikopojës, popullsia e së cilës
ishte tejet e pakënaqur nga arbitrariteti i nëpunësve
perandorakë. Bizantinët mundën të mbanin
këtu vetëm kështjellën e Naupaktit mbi
Gjirin e Korintit.
Megjithatë, si rezultat i kontradiktave që vazhduan
të ekzistojnë në gjirin e drejtuesve të
kryengritjes edhe pas vrasjes së Tihomirit, lëvizja
u shua më shpejt nga çka pritej po të kihen
parasysh përmasat e saj. Këtu luajti rolin e vet
edhe një djalë i carit bullgar Ivan Vladisllav,
Alusiani, që u arratis nga Konstandinopoja ku mbahej
rob dhe u bashkua me kryengritësit. Pasi eliminoi Pjetër
Dejlanin, Alusiani u vu në krye të kryengritësve.
Por pas një beteje të pasuksesshme me trupat perandorake,
Alusiani iu dorëzua perandorit bizantin duke shpejtuar
kështu edhe fundin e kryengritjes. Megjithatë kryengritja
e madhe e vitit 1040-1041 ishte sinjali i parë i fuqishëm
i tensioneve shoqërore që do të mbërthenin
Perandorinë Bizantine. Në të njëjtën
kohë, ajo qe një tregues i hendekut të madh
që ishte krijuar ndërkohë midis pushtetit qendror
bizantin dhe provincave perëndimore të tij, ku bënin
pjesë edhe trevat shqiptare.
Rreth 30 vjet pas kryengritjes së Pjetër Dejlanit,
një tjetër lëvizje shpërtheu në Kosovë,
nga ku u hap me shpejtësi në viset fqinje. Kryengritësit
kërkuan t'i printe princi i Dioklesë, Mihali, i
cili dërgoi për këtë qëllim të
birin, Konstandin Bodinin. Në Prizren kryengritësit
e shpallën Bodinin mbret të tyre. Me Bodinin u bashkua
edhe paria e Shkupit me kreun e saj, Gjergj Vojtehu, i cili
erdhi vetë në Prizren. Në Prizren kryengritësit
thyen keqas edhe forcat e dukës bizantin të Shkupit,
që u dërguan kundër tyre. Pas kësaj kryengritësit
morën Nishin, Ohrin, Devollin dhe vetëm në
Kostur forcat e riorganizuara bizantine mundën të
thyenin grupin kryesor të kryengritësve. Pjesa tjetër
e kryengritësve, me "mbretin" Bodin, ishte
përqendruar në Nish. Në përpjekje për
të sulmuar e për të pushtuar Shkupin, forcat
e Bodinit u thyen keq nga ushtria bizantine e dërguar
me ngut nga perandori bizantin "për të shuar
flakën, përpara se ajo të merrte dhenë",
siç është shprehur një kronist bizantin,
dëshmitar i ngjarjes.
Gjatë betejës Bodini u zu rob dhe u dërgua
në Konstandinopojë ku u mbyll në manastirin
e Serxhit e të Bakut derisa i ati i tij, Mihali i Dioklesë,
organizoi arratisjen e kthimin e tij në atdhe.
Marrëdhëniet e Perandorisë Bizantine me Bodinin
e Dioklesë vazhduan edhe më tej të tensionuara.
Pas betejës së vitit 1082 në rrethinat e Durrësit,
kur Bodini nuk u erdhi në ndihmë ushtrive bizantine
të angazhuara në një betejë vendimtare
me normanët e Robert Guiskardit, princi i Dioklesë
i shfaqi hapur ambicjet për ta shtrirë sundimin
e vet sa në viset e Dalmacisë, në veri, aq
edhe në territoret e Temës së Durrësit,
në jug. Madje, sipas Kronikës së Priftit të
Dioklesë, për një periudhë të shkurtër
Bodini mundi të pushtojë dhe të mbajë
temën në fjalë, së bashku me kryeqendrën
e saj, Durrësin (tulit atque obtinuit totam terram Duracinorum
et ipsam civitatem Durachium). Perandori bizantin, Aleksi
I Komneni, dërgoi atëherë si strateg të
Durrësit një kunatin e tij, Johan Duka, i cili rifitoi
kontrollin mbi Temën e Durrësit dhe e mbajti Bodinin
larg territoreve të saj.
|
 |  |