 |  |
K R E U VII
PËRPJEKJET PËR RIMËKËMBJEN E SHTETIT
SHQIPTAR.
RËNDËSIA E EPOKËS SË GJERGJ KASTRIOTIT
- SKËNDERBEUT
(1468 - 1506)
1. SHQIPËRIA NË VITET 1468 - 1479
Shqipëria pas vdekjes së Skënderbeut
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu vdiq në një kohë
kur Shqipëria ndodhej përballë vështirësive
të mëdha ekonomike të papara ndonjëherë.
Luftimet e ashpra të viteve 1466-1467 dhe prania për
dy vjet radhazi e trupave të shumta osmane në tokat
e lira shqiptare, rrënuan shumë ekonominë e
vendit dhe nuk lejuan të mbillej drithi e kulturat e
tjera bujqësore. Masakrat e padëgjuara dhe uria
detyruan me mijëra shqiptarë të linin atdheun
dhe të emigronin. Një pjesë e rajoneve lindore,
si ato të Tetovës, Kërçovës, Ohrit
e të Elbasanit iu shkëputën viseve të
lira dhe kaluan nën pushtimin osman.
Vdekja e Skënderbeut i tronditi thellë shqiptarët
dhe ndikoi shumë në jetën politike të
vendit. Disa javë pas vdekjes së tij, e shoqja,
Donika, dhe i biri 13-vjeçar Gjoni, u përfshinë
në eksodin e madh shqiptar dhe u vendosën në
pronat që kishin në Itali (Monte Sant Anxhelo dhe
San Xhovani Rotondo).
Humbja e Skënderbeut, e këtij gjeniu të artit
ushtarak, i hoqi botës shqiptare udhëheqësin
e jashtëzakonshëm, personalitetin më të
shquar të historisë kombëtare, që kishte
ndikuar fuqishëm në tërë veprimtarinë
politike të vendit. Nuk kishte në Shqipëri
një personalitet tjetër që t'i afrohej këtij
Heroi nga aftësitë si burrë shteti dhe udhëheqës
ushtarak. Prandaj jeta politike filloi të decentralizohej.
Familjet e mëdha aristokrate dolën përsëri
si zotër më vete dhe disa prej tyre filluan të
mbështeteshin te Republika e Venedikut, që, me vdekjen
e Skënderbeut, veproi energjikisht për të vënë
nën kontroll jetën politike të Shqipërisë.
Senati i Venedikut vendosi që të dërgonte në
Shqipëri Pal Engjëllin, i cili prej shumë vitesh
qëndronte atje si përfaqësues i Skënderbeut.
Sapo erdhi në Shqipëri, Pal Engjëlli bisedoi
me gruan dhe djalin e Skënderbeut, si dhe me të
afërm të familjes së Kastriotëve dhe u
kërkoi atyre që t'i dorëzonin Venedikut Krujën
dhe zotërimet e tjera. Kur gruaja dhe djali i Skënderbeut
u larguan nga Shqipëria, Kruja kaloi në duart e
Venedikut. Vëmendje u kushtoi Republika e Venedikut edhe
marrëdhënieve me fisnikët e tjerë shqiptarë,
që i kishin zotërimet në kufi me të dhe
me Krujën. Prandaj më 1469 i dërguari i posaçëm
(proveditori) i Venedikut në Shqipëri, vizitoi Gjin
Stres Balshën, Vuk Skurën e Bendës e fisnikë
të tjerë që i kishin zotërimet në
afërsi të Krujës.
Ndërkohë disa nga fisnikët shqiptarë ishin
kundër forcimit të pozitave të Venedikut në
Shqipëri dhe marrëdhëniet u acaruan aq shumë,
saqë u ndërmorën edhe masa ndëshkimore.
Më 1469 Senati i Republikës vendosi që, në
qoftë se i biri i Mamicë Kastriotit nuk do t'i bindej
Venedikut, nëna e tij të dëbohej nga qyteti
i Durrësit, ku ajo banonte. Edhe më të acaruara
u bënë marrëdhëniet e Venedikut me Lekë
Dukagjinin. Për të ruajtur zotërimet e veta
nga sulmet osmane, Leka hyri në bisedime me osmanët,
gjë që e shqetësoi shumë Republikën
e Venedikut. Prandaj më 1469 Senati i saj vendosi të
mos lejohej Lekë Dukagjini që të merrte pasuritë
që kishte në Shkodër, duke shpresuar se me
një masë të tillë do ta largonte atë
nga bisedimet me osmanët. Por ky sanksion i acaroi edhe
më tej marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe
e detyroi Lekë Dukagjinin të përdorte armët
kundër Venedikut.
Pas marrjes së Krujës, në duart e Republikës
së Venedikut kishin kaluar të gjitha kështjellat
e rëndësishme të viseve të Shqipërisë
Qendrore e të Sipërme, që ende ishin të
papushtuara prej osmanëve. Edhe pse këto kështjella
mbroheshin kryesisht nga luftëtarë shqiptarë,
ruajtja e tyre varej shumë tani nga qëndrimi që
do të mbante Venediku ndaj pushtuesve osmanë.
Mbrojtja e Shkodrës gjatë Rrethimit I (1474)
Humbjet e rënda të trupave osmane në Shqipëri
gjatë dy fushatave ushtarake të viteve 1466-1467
dhe angazhimi i tyre në fronte të tjera lufte, deri
në fillim të viteve 70, e detyruan sulltan Mehmetin
II që për disa vjet të ndërpriste sulmet
mbi viset e lira shqiptare dhe vetëm më 1474 të
vendoste për organizimin e një fushate të re
ushtarke për pushtimin e rajoneve perëndimore të
Shqipërisë Qendrore e të Epërme.
Ndryshe nga fushatat ushtarake të mëparshme që
kishin për detyrë të shkatërronin ushtrinë
e Skënderbeut dhe i drejtoheshin kryeqendrës shqiptare,
Krujës, tani trupat osmane duhej të luftonin me
Venedikun, prandaj iu drejtuan kryeqendrës së zotërimeve
veneciane në tokat shqiptare, Shkodrës. Krahas kështjellës
së Rozafës, qyteti i Shkodrës dhe rrethinat
mbroheshin edhe prej kështjellave të tjera, si ajo
e Drishtit, e Dejës, e Zhabjakut. Pushtimi i Shkodrës
u hapte rrugën osmanëve që të merrnin
edhe qendra të tilla të rëndësishme, si
Krujën e Lezhën.
Marshimi i trupave osmane në drejtim të Shkodrës
ishte i papritur për qeveritarët venecianë
dhe shkaktoi një shqetësim të përgjithshëm.
Banorët e paaftë për luftë të fshatrave
të fushës së Shkodrës u larguan nga vendbanimet
e tyre dhe u strehuan nëpër male e vende më
të sigurta. Në mbrojtje të kështjellës,
krahas banorëve të qytetit, ishin edhe luftëtarë
të ardhur nga krahinat dhe nga vise të largëta
të vendit, si dhe një repart i vogël venecian.
Numri i përgjithshëm i mbrojtësve të kështjellës
së Shkodrës arrinte deri në 2 mijë luftëtarë.
Në kështjellën e Rozafës u strehuan edhe
banorët e paaftë për luftë të qytetit
dhe të fshatrave të afërt. Mbrojtjen e kështjellës
e drejtonte qeveritari venecian i Shkodrës, Anton Loredani.
Më 15 maj të vitit 1474 shtatë sanxhakbejlerë,
në krye të disa mijëra ushtarësh, arritën
në fushën e Shkodrës. Pasi rrethuan kështjellën,
një pjesë e tyre filloi plaçkitjen e krahinave
rreth saj. Më 4 qershor arritën trupa të tjerë
me bejlerbeun e Rumelisë në krye, Sinan Pashën,
duke e rritur numrin e përgjithshëm të tyre.
Burimet e kohës japin një shifër të ekzagjeruar,
80 mijë veta.
Për pushtimin e kështjellës Sinan Pasha vuri
në përdorim artilerinë. Pranë mureve të
saj u derdhën gjatë muajit qershor 4 topa shumë
të fuqishëm. Pas një bombardimi të vazhdueshëm
muret e kështjellës u dëmtuan rëndë,
por shqiptarët i meremetonin ato vazhdimisht duke punuar
edhe natën.
Mbrojtësit dhe të strehuarit në kështjellën
e Rozafës u gjendën përballë vështirësive
të shumta. Uria, etja dhe sëmundjet shkaktuan ndër
ta vdekje në masë. Sipas një relacioni mbi
rrethimin e Shkodrës, të shkruar e të botuar
ato ditë prej humanistit venecian Gjergj Merulës,
vdiqën gjysma e të strehuarve në kështjellë,
rreth 3 mijë veta. Mbrojtësit e Shkodrës iu
drejtuan për ndihmë dukës së Venedikut.
Komandanti i flotës veneciane Trinidat Griti, që
ndodhej në këtë kohë në detin Egje,
kur e njoftuan për rrethimin e Shkodrës, me iniciativën
e vet u nis menjëherë në ndihmë të
saj. Në krye të 8 anijeve luftarake ai hyri në
lumin e Bunës, por për shkak të cektësisë
së ujit nuk mundi të lundrojë sipër Shirgjit.
Si rrjedhim, ai nuk arriti të krijojë lidhje me
mbrojtësit e kështjellës së Shkodrës,
as të ndërmerrte ndonjë aksion kundër
forcave osmane. Përkundrazi, sapo e zbuluan flotën
veneciane, osmanët e sulmuan atë dhe e detyruan
të largohej menjëherë në det të hapur
nëpërmjet lumit të Bunës.
Ndihmë të rëndësishme u dhanë mbrojtësve
të kështjellës shqiptarët që vepronin
jashtë saj, në rrethinat e Shkodrës dhe në
vise të tjera më të largëta, si edhe luftëtarët
e Gjon Gjurashit. Këta vinin nga kështjellat e papushtuara,
nga liqeni i Shkodrës, nga ngushtica e gryka të
rrezikshme dhe sulmonin pandërprerë trupat osmane
dhe karvanët e furnizimit të tyre, duke u shkaktuar
dëme të rënda.
Pas një muaji bombardimi të pandërprerë
të mureve të Rozafës, Sinan Pasha urdhëroi
më 18 korrik që të sulmohej kështjella,
duke përdorur gjerësisht të gjitha mjetet e
mundshme. Me besim të plotë se do ta merrnin kështjellën,
osmanët vërshuan me tërbim drejt mureve të
saj, por sulmi i tyre ndeshi në qëndresën e
pamposhtur të mbrojtësve të kështjellës.
Këta kundërsulmonin me heroizëm dhe largonin
forcat osmane, duke u shkaktuar humbje të rënda.
Sipas një letre të shkruar ato ditë nga qeveritari
venecian i Shkodrës, A. Loredani, ushtria osmane la në
këto luftime mbi 7 mijë të vrarë dhe një
numër shumë të madh të plagosurish.
Trupat osmane nga dita në ditë po ndesheshin në
vështirësi gjithnjë e më të mëdha,
si prej sulmeve të luftëtarëve shqiptarë
që vepronin në viset përreth, ashtu dhe nga
mungesa e furnizimit me ushqime e materiale të tjera
të nevojshme për ushtarët dhe kuajt e tyre.
Këto vështirësi e bindën Sinan Pashën
se ishte e kotë që të vazhdonte më tej
luftën, prandaj vendosi që t'i largonte ushtritë
nga rajoni i Shkodrës. Më 9 gusht ushtritë
osmane hoqën rrethimin nga Shkodra dhe gjatë largimit
dogjën e shkatërruan çdo gjë, duke përfshirë
edhe kështjellën e Dejës, pas një qëndrese
të fuqishme të popullsisë së saj të
udhëhequr nga vëllezërit Lekë e Nikollë
Dukagjini. Largimi i tyre prej tokave shqiptare shkaktoi një
valë gëzimi jo vetëm në Shqipëri,
por edhe në shtetet italiane e në vende të
tjera, sepse, siç shkruante Gj. Merula, kur osmanët
sulmonin muret e kështjellës së Rozafës
thirrja e tyre e luftës ishte "Roma! Roma!",
gjë që tregonte se ata synonin që, pas pushtimit
të qyteteve shqiptare, të fillonin pushtimin e Italisë.
Rënia e Krujës, e Shkodrës dhe e kështjellave
të tjera
Luftimet e vitit 1474 treguan se luftëtarët shqiptarë
ishin ata që mbrojtën me gjakun dhe jetën e
tyre qytetin e Shkodrës, duke përballuar me heroizëm
sulmin e forcave osmane. Shqiptarët luftonin me vetëmohim
kudo që ndodheshin, si mbrojtës të kështjellës,
si sulmues në rrethinat e Shkodrës etj. Prandaj
Republika e Venedikut u kujdes të forconte lidhjet me
ta, duke u kushtuar vëmendje sidomos marrëdhënieve
me fisnikët shqiptarë, si me Dukagjinët, Gjurashët,
Stres Balshajt, Arianitët etj.
Pas rrethimit të parë të Shkodrës, sulltan
Mehmeti II i angazhoi ushtritë osmane kryesisht me pushtimin
e brigjeve të Detit të Zi dhe pas dy vjetësh
i drejtoi ato kundër Shqipërisë Qendrore e
të Epërme.
Dështimi i fushatës ushtarake të vitit 1474
e bindi sulltan Mehmetin II se për pushtimin e kështjellave
shqiptare duhej përdorur i gjithë potenciali ushtarak
i Perandorisë Osmane dhe se ato duhej të sulmoheshin
radhazi.
Për zbatimin e këtij plani trupat osmane erdhën
përsëri në Shqipëri në vitin 1476,
rrethuan Krujën, që ishte për ta pengesa më
e rëndësishme në drejtim të Shkodrës.
Republika e Venedikut duke vlerësuar rëndësinë
strategjike të Krujës për mbrojtjen e zotërimeve
te saj në Shqipëri, u përpoq të lidhej
sa më shumë me shqiptarët dhe kërkoi që
të kthehej në Shqipëri djali i Skënderbeut,
Gjon Kastrioti, i cili jetonte në pronat që kishte
trashëguar në Mbretërinë e Napolit. Për
mbrojtjen e Krujës Venediku vendosi këtu 300 stratiotë
shqiptarë të sjellë nga Moreja.
Për të liruar Krujën nga rrethimi u formua
një ushtri e përbashkët shqiptaro-veneciane,
e cila në vitin 1477 sulmoi trupat osmane, që mbanin
të rrethuar Krujën, dhe u shkaktoi atyre humbje
të rënda. Në vend që fitorja të çohej
në fund, ushtria shqiptaro-veneciane ra pas plaçkës
së madhe të kampit armik, veprim ky që u dha
mundësi forcave kundërshtare të riorganizoheshin
menjëherë dhe të ndërmerrnin një
sulm të befasishëm. Trupat osmane siguruan një
fitore të plotë mbi ushtrinë shqiptaro-veneciane
dhe vazhduan kështu rrethimin e Krujës.
Në pranverë të vitit 1478 trupa të freskëta
osmane filluan të marshonin mbi tokat shqiptare dhe më
14 maj kontingjentet e para të tyre rrethuan Shkodrën.
Brenda një kohe të shkurtër, deri më 15
qershor, ato u përforcuan me ardhjen e ushtrive të
tjera të drejtuara nga bejlerbeu i Rumelisë, nga
bejlerbeu i Anadollit, si dhe nga vetë sulltan Mehmeti
II.
Pas një rrethimi dyvjeçar mbrojtësit heroikë
të Krujës dhe banorët e strehuar në kështjellë,
të mbetur pa asnjë lloj ushqimi, u detyruan të
pranonin kërkesën e sulltanit për dorëzimin
e kështjellës me kusht që të largoheshin
të lirë nga qyteti. Më 16 qershor të vitit
1478 trupat osmane hynë në kështjellën
e Krujës, por sulltani nuk e mbajti premtimin dhe ata,
me përjashtim të qeveritarit venecian, vranë
të gjithë meshkujt e rritur që gjendeshin në
Krujë, ndërsa gratë e fëmijët i kthyen
në skllevër.
Pasi mori Krujën, sulltani kërkoi pushtimin e menjëhershëm
të Shkodrës. Prandaj të gjitha forcat ushtarake
osmane u përqendruan në luftë për pushtimin
e saj.
Ashtu si gjatë rrethimit të vitit 1474, krahas qytetarëve
shkodranë, në luftën për mbrojtjen e Shkodrës
në 1478 morën pjesë edhe banorë të
rrethinave e të viseve të tjera shqiptare, duke
përfshirë edhe bashkëluftëtarë të
Skënderbeut. Në radhët e tyre ishin edhe anëtarë
të familjes së njohur shkodrane Dukagjini, nga të
cilat ranë në fushën e nderit Teodori dhe Budomiri.
Për të mposhtur mbrojtësit e Shkodrës,
si asnjëherë më parë, osmanët përdorën
gjerësisht artilerinë, të cilën e vendosën
rreth kështjellës. Vetëm topa të rëndë
ishin mbi 10. Prej më se një muaji mijëra predha
goditën vazhdimisht muret e Rozafës, të cilat
i dëmtuan rëndë. Edhe pse në shumë
vende muret u rrafshuan, mbrojtësit e kështjellës
u përleshën trup me trup me forcat osmane dhe i
zbrapsën e i thyen sulmet e vazhdueshme të tyre.
Në këto luftime të rrepta krahas burrave morën
pjesë edhe gratë e strehuara në kështjellë.
Humbje të rënda trupave osmane u shkaktuan edhe
luftëtarët që vepronin në rrethinat e
Shkodrës. Këta sulmonin vazhdimisht nga drejtime
të ndryshme, sidomos duke ardhur me varka nga liqeni
i Shkodrës dhe nga bregu i përtejmë i Bunës.
Deri në fillim të muajit gusht të vitit 1478
trupat osmane e sulmuan vazhdimisht kështjellën
e Rozafës, por pa ndonjë përfundim dhe me humbje
të rënda për ta. Prandaj sulltan Mehmeti II
vendosi t'i mposhtte mbrojtësit e saj nëpërmjet
urisë duke forcuar rrethimin e tyre. Për këtë
ai ndërmori sulme mbi të gjitha kështjellat
e tjera në afërsi të Shkodrës, si Zhabjaku,
Drishti e Lezha, që shërbenin si baza të rëndësishme
strehimi e furnizimi për luftëtarët shqiptarë
që vepronin jashtë kështjellës së
Rozafës.
Detyra për pushtimin e kështjellës së
Zhabjakut, që ishte në brigjet e liqenit të
Shkodrës, iu ngarkua ushtrisë së bejlerbeut
të Rumelisë. Mbrojtësit e Zhabjakut, ku e kishte
selinë Gjon Gjurashi (Cërnojeviçi), djali
i Stefanit që kishte vdekur rreth vitit 1465, nuk bënë
asnjë qëndresë dhe ua dorëzuan kështjellën
trupave osmane.
Pushtimi i Drishtit, ku po përhapej sëmundja e murtajës,
iu ngarkua ushtrisë së bejlerbeut të Anadollit.
Për tri javë mbrojtësit e Drishtit përballuan
me burrëri sulmet e trupave osmane. Vetëm pasi shkatërruan
me artileri nga të gjitha anët muret e fortesës
(muret rrethuese të qytetit), më 1 shtator ushtritë
osmane u futën në qytetin e shkretuar të Drishtit,
kurse kështjella e tij mbeti ende e papushtuar. Rreth
300 drishtianë të zënë rob, ata i vranë
nën muret e Rozafës për të ligështuar
mbrojtësit e saj. Disa ditë më vonë, pasi
morën më parë Lezhën, osmanët pushtuan
edhe kështjellën e Drishtit. Edhe me mbrojtësit
e kështjellës së zënë rob ata vepruan
si me të tjerët, duke i vrarë nën muret
e kështjellës së Rozafës.
Më 5 shtator trupat e bejlerbeut të Rumelisë
u futën lehtësisht në kështjellën
e Lezhës, sepse ajo u braktis nga komandanti venecian
që drejtonte mbrojtjen e saj. Banorët e qytetit,
që ishin strehuar në ishullin e Lezhës, u kapën
dhe u vranë para mureve të kështjellës
së Shkodrës.
Pas pushtimit të kështjellave të mësipërme,
që e përforconin mbrojtjen e Shkodrës, sulltan
Mehmeti II me pjesën më të madhe të ushtrisë,
më 8 shtator të vitit 1478, mori rrugën e kthimit
në Stamboll. Trupat që mbetën në Shqipëri
kishin për detyrë të vazhdonin rrethimin e
Shkodrës derisa uria të mposhtte qëndresën
heroike të shqiptarëve.
Ndërkohë, pas përpjekjeve shumëvjeçare,
më 25 janar 1479, Venediku arriti të siguronte nënshkrimin
e paqes me sulltan Mehmetin II. Në traktatin e paqes,
ndër të tjera, ishte përfshirë edhe çështja
e Shkodrës. Në bazë të tij Shkodra kalonte
në duart e osmanëve, kurse mbrojtësit e banorët
e saj mund të largoheshin të lirë prej qytetit
të tyre. Më 25 prill të vitit 1479 forcat osmane
hynë në Shkodër. Banorët e Shkodrës
e të rrethinave të saj i braktisën ato masivisht
dhe u vendosën kryesisht në rajonin e Venedikut.
Bashkë me ta emigruan edhe personazhe të shquara
të jetës politike shqiptare, si Lekë e Nikollë
Dukagjini, Gjon Gjurashi (Cërnojeviçi) etj.
Po gjatë vitit 1479, Republika e Venedikut u dorëzoi
osmanëve në Shqipërinë e Poshtme kështjellat
bregdetare të Himarës, të Sopotit (Borshi)
e të Kastrovilës. Osmanët morën edhe zotërimet
e fundit që despoti Leonard I (IV) Toko kishte në
Shqipërine e Poshtme.
Edhe pas rënies së këtyre kështjellave
në duart e osmanëve, lufta e shqiptarëve kundër
pushtuesve nuk u shua, ajo mbeti gjithnjë e gjallë
dhe iu përshtat rrethanave të reja, kur qytetet
e kështjellat e vendit kishin rënë përfundimisht
në duart e pushtuesve.
2. PËRPJEKJET PËR RIMËKËMBJEN E SHTETIT
SHQIPTAR
Kthimi në Shqipëri i djalit të Skënderbeut,
Gjon Kastriotit (1481-1484)
Rënia gjatë viteve 1478 e 1479 e Krujës, e
Shkodrës, e Lezhës, e Himarës dhe e kështjellave
të tjera i forcuan pozitat e pushtuesve osmanë në
Shqipërinë Perëndimore dhe u krijuan atyre
prapavija deri diku të sigurta për të realizuar
synimet e sulltan Mehmetit II për pushtimin e Italisë
dhe të vendeve të tjera të Evropës Perëndimore.
Pas marrjes së qyteteve të mësipërme dhe
përgatitjeve intensive, trupat osmane u grumbulluan në
Vlorë dhe në rrethinat e saj. Në pranverë
të vitit 1480 rreth 10 mijë ushtarë me Ahmet
Gjedik pashën në krye u nisën nga Vlora dhe
zbarkuan në tokën e Mbretërisë së
Napolit. Këtu ushtritë osmane rrethuan kështjellën
e Otrantos, të cilën e pushtuan më 11 gusht
të atij viti.
Sulmet e ushtrive osmane për pushtimin e kështjellave
të tjera të Mbretërisë së Napolit
qenë të pasuksesshme, prandaj gjatë dimrit
osmanët filluan përgatitjet për të hedhur
në Itali trupa të tjera. Por ndërkohë,
me vdekjen në maj të vitit 1481 të sulltan
Mehmetit II, ndërmjet djemve të tij, Bajazitit dhe
Xhemit, shpërtheu lufta për trashëgimin e fronit,
gjë që pezulloi dërgimin e përforcimeve
ushtarake osmane në Itali. Pasi siguroi fronin, sulltan
Bajaziti e drejtoi vëmendjen nga Italia dhe komandën
e trupave të reja për në Gadishullin Apenin
ia ngarkoi bejlerbeut të Rumelisë, Sulejman pashë
Eunukut.
Pushtimi i kështjellës së Otrantos prej osmanëve
i kishte tronditur qarqet drejtuese të shteteve evropiane
dhe i nxiti ato që të krijonin një koalicion
të përbashkët nën kryesinë e Mbretërisë
së Napolit. Forcat e koalicionit evropian e detyruan
ushtrinë osmane të qëndronte e rrethuar në
kështjellën e Otrantos. Në këto luftime,
në radhët e ushtrisë napolitane mori pjesë
edhe djali i Skënderbeut, Gjon Kastrioti.
Lufta e koalicionit evropian kundër ushtrisë osmane
në Itali, interesimi i mbretit Ferdinand të Napolit
për të krijuar në Shqipëri një prapavijë
të pasigurt për trupat osmane që vepronin e
që dërgoheshin në Itali, si dhe kriza politike
që shpërtheu në Perandorinë Osmane me
vdekjen e sulltan Mehmetit II, u ngjalli shpresa shqiptarëve
për t'u çliruar nga zgjedha osmane dhe i hodhi
ata në aksione të fuqishme.
Në këto rrethana në Shqipërinë Perëndimore
shpërtheu një valë kryengritjesh, të cilat
e detyruan bejlerbeun e Rumelisë që ushtritë
e destinuara për në Itali t'i angazhonte në
luftë kundër shqiptarëve. Për shpërthimin
dhe organizimin e këtyre kryengritjeve rol parësor
patën disa nga drejtuesit e mëparshëm të
vendit dhe trashëgimtarë të tyre, që u
kthyen në Shqipëri nga mërgimi për të
rimëkëmbur zotërimet e tyre.
Në fillim të verës së vitit 1481, pas
vdekjes së sulltan Mehmetit II, filluan të kthehen
në Shqipëri Nikollë Dukagjini, Lekë Dukagjini,
Gjon Gjurashi (Cërnojeviçi) dhe, pak më vonë,
Gjon Kastrioti e Konstandin Muzaka. Gj. Gjurashi hyri në
marrëveshje me osmanët, u bë vasal i tyre dhe
ringriti kështu shtetin e tij.
Gjon Kastrioti jetonte në Mbretërinë e Napolit,
në pronat që i kishte trashëguar prej babait
të tij, Skënderbeut. Ai ishte duke luftuar kundër
osmanëve në Otranto, kur përfaqësues të
kryengritësve shqiptarë i kërkuan Gjon Kastriotit
që të kthehej në Shqipëri dhe ai e pranoi
kërkesën e tyre.
Duke përfituar nga interesimi që kishte në
këtë kohë oborri napolitan për zgjerimin
sa më shumë të frontit të luftës
kundër pushtuesve osmanë, Gjon Kastrioti arriti
të siguronte nga mbreti Ferdinand mjetet e nevojshme
të lundrimit për të ardhur në Shqipëri
së bashku me një numër luftëtarësh.
Në katër anije (galera) napolitane i ngarkoi forcat
e veta dhe u nis në drejtim të atdheut bashkë
me kushëririn e tij, Konstandin Muzakën.
Pasi Gjon Kastrioti zbarkoi në jug të Durrësit,
anijet napolitane iu drejtuan Shqipërisë së
Poshtme dhe zbarkuan Konstandin Muzakën në zonën
e Himarës, ku ishte krijuar një vatër tjetër
kryengritjesh antiosmane. Ndërkohë në Shqipërinë
e Epërme, në rajonet malore të Lezhës
e të Shkodrës vepronin forcat e Nikollë e Lekë
Dukagjinit. Këta sulmuan edhe qytetin e Shkodrës,
gjë që e detyroi Sulejman Pashën të dërgonte
përforcime ushtarake edhe në këtë zonë.
Gjon Kastrioti u mirëprit nga banorët e Shqipërisë
Qendrore si trashëgimtar i ligjshëm i vendit. Me
ardhjen e tij kryengritësit e këtyre rajoneve e
fuqizuan luftën për dëbimin e pushtuesve osmanë.
Në këto kushte, Sulejman pashë Eunuku nisi
kundër tyre një pjesë të ushtrisë
osmane, e cila po përgatitej në rrethinat e Vlorës
për të shkuar në Itali.
Për të përballuar sulmin e ushtrisë osmane
Gjon Kastrioti dërgoi një pjesë të luftëtarëve
të vet në mbrojtje të një shtegu nga do
të kalonin trupat armike. Por luftëtarët shqiptarë
nuk e përballuan dot sulmin e forcave osmane dhe thuajse
të gjithë ranë robër. Kjo humbje ia lëkundi
besimin Gjon Kastriotit për suksesin e kryengritjes,
prandaj ai mendoi të largohej nga Shqipëria dhe
të kthehej në Itali. Por banorët e zotërimeve
të Kastriotëve shprehën një gatishmëri
masive për të vazhduar luftën kundër pushtuesve
osmanë. Rreth 7 mijë luftëtarë u grumbulluan
rreth Gjon Kastriotit dhe në gjysmën e parë
të muajit gusht të vitit 1481 i sulmuan dhe i shpartalluan
trupat osmane. Krahas kësaj fitoreje u arrit të
liroheshin edhe shqiptarët që ishin zënë
rob prej osmanëve në betejën e mëparshme.
Po gjatë muajit gusht të vitit 1481 edhe në
viset perëndimore të Shqipërisë së
Poshtme, sidomos në rajonin e Himarës, u zhvilluan
luftime të ashpra ndërmjet shqiptarëve dhe
trupave osmane. Nën drejtimin e Konstandin Muzakës
luftëtarët shqiptarë rrethuan dhe sulmuan kështjellën
e Himarës dhe të Sopotit (Borshit). Gjendja shumë
e vështirë që u krijua për forcat osmane,
që vepronin në këto vise, e detyroi Sulejman
Pashën të nisej vetë në krye të 3
mijë ushtarëve në drejtim të Himarës.
Por rrugës këta u shpartalluan prej shqiptarëve
dhe lanë mbi 1 mijë të vrarë e robër.
Midis robërve ishte edhe bejlerbeu i Rumelisë, Sulejman
Pasha, të cilin himariotët ia dhanë si trofe
lufte Gjon Kastriotit, shprehje kjo e ndjenjave të tyre
të thella për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun,
si dhe të respektit që ata tregonin për veprimtarinë
e djalit të tij. Për të tërhequr vëmendjen
e përkrahjen e shteteve evropiane për luftën
e shqiptarëve, Gjoni i dërgoi mbretit të Napolit
si trofe bejlerbeun e Rumelisë.
Pas fitores së himariotëve mbi trupat e Sinan Pashës,
në viset bregdetare të Shqipërisë së
Poshtme u çliruan kështjella e Himarës më
31 gusht 1481 dhe më pas ajo e Sopotit.
Shpartallimi i ushtrisë së Sulejman Pashës
në Shqipëri, i lehtësoi së tepërmi
aksionet luftarake antiosmane që zhvilloheshin në
mbretërinë e Napolit. Më 10 shtator të
vitit 1481 ushtria e Napolit çliroi kështjellën
e Otrantos dhe i dëboi kështu osmanët nga Italia.
Pas fitoreve të shqiptarëve gjatë muajit gusht
të vitit 1481 kundër ushtrisë së Sulejman
Pashës, u zgjeruan veprimet e tyre luftarake për
çlirimin e qyteteve dhe të kështjellave të
vendit. Luftëtarët e Gjon Kastriotit iu drejtuan
Krujës dhe ndërmorën sulme për çlirimin
e saj. Megjithëse nuk arritën ta merrnin atë,
sepse kështjella e Krujës ishte shumë e fortifikuar
dhe e papushtueshme me forcën e armëve, deri në
fund të vitit 1481 shqiptarët çliruan një
pjesë të konsiderueshme të zotërimeve
të Kastriotëve, duke përfshirë edhe kështjellën
e Stelushit, si dhe krahina të tjera rreth saj. Si kryezot
i viseve të çliruara u njoh Gjon Kastrioti.
Pas marrëveshjes së paqes të vitit 1483 ndërmjet
Perandorisë Osmane dhe Mbretërisë së Napolit,
ushtritë osmane fuqizuan veprimtarinë e tyre për
ripushtimin e zotërimeve të Kastriotëve dhe
të viseve të tjera të lira shqiptare. Edhe
pse në janar të vitit 1484 luftëtarët
e Gjon Kastriotit shpartalluan një ushtri osmane pranë
lumit Erzen, qëndresa dhe lufta e organizuar e shqiptarëve
përkohësisht filloi të dobësohej prej
presionit të madh e të pandërprerë të
trupave pushtuese. Në verë të vitit 1484 osmanët
ripushtuan kështjellën e Himarës. Rënia
e qëndresës antiosmane e detyroi Gjon Kastriotin
të largohej nga Shqipëria dhe të vendosej përsëri
në pronat që Kastriotët kishin në Itali.
Të njëjtën gjë bënë edhe sundimtarët
e tjerë shqiptarë, që kishin emigruar dhe që
në fillim të viteve 80 erdhën në Shqipëri
për të udhëhequr kryengritjet antiosmane.
Gjon Kastrioti vdiq pas vitit 1502 dhe la pesë fëmijë:
Gjergjin (Skënderbeu i Ri), Konstandinin, peshkop i Izernias
që vdiq në vitin 1500 në moshën 20-vjeçare,
Ferrantin (të cilit M. Barleci i ka kushtuar një
parathënie te Historia e Skënderbeut
dhe që ka vdekur më 1561), Federikon, që vdiq
më 1503 në moshën 15-vjeçare në
Valencie të Spanjës, ku u varros me nderime mbretërore,
dhe Marien, e cila iu përkushtua artit.
Kryengritja e vitit 1492 në Shqipërinë
e Poshtme
Edhe pas luftimeve të shqiptarëve me ushtritë
osmane gjatë gjysmës së parë të viteve
80, vala e kryengritjeve antiosmane vazhdoi më tej.
Një nga vatrat e qëndresës antiosmane u bë
Labëria. Për nënshtrimin e banorëve të
saj u ngarkua sanxhakbeu i Vlorës, Komjan Arianiti, që
kishte origjinë shqiptare. Më 1486 forcat e tij
u dërguan kundër Labërisë, por ato pësuan
disfatë edhe vetë Komjan Arianiti ra rob dhe u vra
prej shqiptarëve, të cilët ndërkohë
çliruan edhe kështjellën e Himarës.
Për të shtypur kryengritjen erdhi vetë bejlerbeu
i Rumelisë, Sinan Pasha, në krye të një
ushtrie të fuqishme. Gjatë vitit 1486 trupat e tij
kaluan nëpër bregdetin e Himarës dhe e shkretuan
atë.
Gjatë vitit 1488 lëvizja antiosmane u shtri edhe
në viset e Shqipërisë Qendrore. Kryengritësit
e këtyre rajoneve dërguan përfaqësuesit
e vet në Itali dhe kërkuan rikthimin në atdhe
të Gjon Kastriotit që të vihej në krye
të tyre. Por prej Mbretërisë së Napolit
dhe vendeve të tjera evropiane me sa duket, ai nuk gjeti
përkrahjen materiale dhe mjete lundrimi për të
realizuar transportimin e forcave të tij.
Viti 1492 do të shënonte një nga pikat kulmore
të luftës antiosmane, për shtypjen e së
cilës u angazhua vetë sulltan Bajaziti II.
Pas përgatitjeve ushtarake intensive, në pranverë
të vitit 1492 ushtria perandorake osmane me sulltanin
në krye mori drejtimin për në Shqipërinë
e Poshtme. Gjatë muajit maj 1492 ushtria osmane arriti
në Tepelenë, ku vendosi kampin e vet. Ndërkohë,
me qëllim që kryengritësve mos t'u lihej shteg
ikjeje, një flotë osmane prej 300 anijesh, nën
komandën e Sinan Pashës, kishte dalë në
bregdetin e Shqipërisë së Poshtme më parë
se sulltani të arrinte në Tepelenë.
Veprimet ushtarake kundër shqiptarëve sulltan Bajaziti
II i filloi në muajin korrik. Mbasi shtinë në
dorë kështjellat e Himarës e të Sopotit
(Borshit), të cilat me urdhër të sulltanit
u shkatërruan si çerdhe të kryengritësve,
forcat ushtarake të sulltanit u orvatën të
hyjnë në viset e brendshme, për të shpartalluar
kryengritësit shqiptarë, të cilët bashkë
me pleqtë, gratë e fëmijët, kishin kaluar
në malet e Labërisë. Që nga lart shqiptarët
lëshonin mbi ushtarët armiq shkëmbinjtë
e malit. Armët e tyre ishin të thjeshta, shtizat
në trajtën e gjuhës së gjarprit dhe shigjetat
me majë të hekurt që ata i hidhnin me harqe
druri. Megjithatë qëndresa e shqiptarëve ishte
heroike. "Aq të shkathët janë ata në
kohën e luftës, sa që shpata nuk ua cenon dot
dorën dhe shigjeta nuk u prek as gishtin", shkruan
kronisti turk bashkëkohës Ibn Kemali, pjesëmarrës
në këtë luftë.
Pas sulmesh të vazhdueshme të forcave të shumta
osmane, kryengritësit e Labërisë u detyruan
të përqendroheshin në dy maja mali, ku ata
kishin ngritur kulla mbrojtëse. Njëri grup, me gjithë
qëndresën heroike kundër ushtrisë së
Rumelisë të komanduar prej bejlerbeut Jahja Pashës,
u shtrëngua të dorëzohej me kusht që të
lihej i lirë të ikte. Por pushtuesit e shkelën
marrëveshjen dhe mbi kryengritësit e dorëzuar
bënë kërdinë, burrave u prenë këmbë
e duar dhe pastaj i hodhën tatëpjetë malit,
gratë dhe fëmijët, që u gjetën në
atë mal, i bashkuan me vargun e 8 000 robërve që
kishin kapur gjatë këtyre operacioneve dhe, nëpërmjet
skelës së Vlorës, i nisën për në
tregjet e Lindjes që t'i shisnin si skllevër.
Nga ana tjetër, garda perandorake dhe ushtria e Anadollit
nën komandën e Daut Pashës, u përpoqën
të asgjësonin qëndresën që vazhdoi
në malin tjetër. Luftimet vazhduan deri në
fund të gushtit pa asnjë përfundim. Afrimi
i vjeshtës, vështirësitë e mëdha
e shpenzimet që bëheshin për të mbajtur
në këmbë një ushtri aq të madhe kundër
një pakice shqiptarësh, e detyruan sulltan Bajazitin
II të kërkonte dhe të arrinte një marrëveshje
me kryengritësit. Në bazë të saj kryengritësit
do të njihnin sundimin osman dhe, në shenjë
bindjeje, do t'i paguanin sulltanit një tribut të
vogël vjetor, kurse sulltani u njihte atyre të drejtën
të vetëqeverisnin vendin në bazë të
dokeve tradicionale, të kishin gjyqet e tyre dhe të
mbanin armët lirisht. Kjo marrëveshje u dha mundësi
kryengritësve të largonin rrezikun e vendosjes në
krahinën e tyre të qeveritarëve osmanë
dhe të sistemit të timareve.
Në fund të fushatës ushtarake osmane, kur ushtritë
po largoheshin nga Tepelena, sipas kronistit osman të
shek. XVI, Aliut, një kryengritës i veshur si dervish,
iu vërsul në rrugë sulltan Bajazitit II, por
nuk arriti ta vrasë. Pas këtij episodi, sulltani
la një pjesë të ushtrisë në Shqipërinë
e Poshtme për të rivendosur aty administratën
osmane.
Kthimi në Shqipëri i Skënderbeut të Ri
(1501-1503)
Në fund të shek. XV sulltanët osmanë i
shtuan përpjekjet për të zgjeruar pushtimet
e tyre drejt Evropës Qendrore dhe Perëndimore.
Për të përballuar këtë rrezik, shtetet
evropiane u përpoqën të organizonin operacione
ushtarake të përbashkëta kundër Perandorisë
Osmane dhe të nxitnin popujt e Gadishullit Ballkanik
të hidheshin në kryengritje. Në këto rrethana,
Shqipëria kishte një rëndësi të veçantë
edhe për vetë pozitën gjeografike të saj
si vendi që e përshkonin rrugët tokësore
më të shkurtra për të kaluar nga Evropa
Perëndimore në qendër të Perandorisë
Osmane. Ajo formonte krahun perëndimor të kësaj
Perandorie dhe ishte si një urë kalimi për
t'i hedhur ushtritë osmane në Itali.
Për të penguar përgatitjet ushtarake të
osmanëve kundër Italisë, ato projektuan fushata
të përbashkëta kundër Perandorisë
Osmane dhe menduan t'i nisnin nga bregdeti i Shqipërisë.
Iniciativën për të zbarkuar në Ballkan
e mori mbreti i Francës, Karli VIII, i cili bashkë
me ushtrinë e tij kishte pushtuar një pjesë
të madhe të Italisë dhe në fund të
vitit 1494 mori Napolin. Përgatitjet e Karlit VIII ngjallën
entuziazëm në popujt e shtypur të Ballkanit
dhe qenë një nxitje për shqiptarët që
të rrëmbenin përsëri armët. Në
planet e këtij mbreti lëvizja shqiptare ishte llogaritur
si një faktor politik shumë i rëndësishëm.
Kryengritja që filloi në Shqipëri mori përpjesëtime
të mëdha veçanërisht në krahinën
e Himarës dhe në viset pranë Durrësit.
Shqiptarët ishin të gatshëm të sulmonin
forcat osmane dhe të përkrahnin zbarkimin e ushtrive
frënge. Ato riaktivizuan lidhjet me fisnikët shqiptarë
të mërguar në Itali për t'i vënë
në krye të luftës së tyre. Për këtë
qëllim si dhe për të krijuar lidhje me Karlin
VIII, shkoi në Itali kryepeshkopi i Durrësit, Martin
Firmano. Por, kur po kthehej nga Italia, ai u kap në
det prej venecianëve, të cilët nuk e shikonin
me sy të mirë as ardhjen e ushtrive frënge
në Itali, as zbarkimin e tyre në Ballkan dhe as
kryengritjen në Shqipëri. Kundërshtimet që
gjeti në Itali e detyruan Karlin VIII të hiqte dorë
nga ekspedita dhe të kthehej në Francë më
1495. Me largimin e rrezikut frëng, në verën
e vitit 1495 disa sanxhakbejlerë osmanë, që
nga Vlora ku kishin sjell forcat e tyre, filluan ekspeditat
ndëshkimore kundër shqiptarëve, për të
rivendosur sundimin e tyre në rajonet e kryengritjeve.
Por edhe këto ekspedita nuk e shuan dot qëndresën
shqiptare.
Për shkak se Perandoria Osmane kishte filluar të
ndërtonte një flotë të madhe në kuadrin
e përgatitjeve për të sulmuar Italinë,
marrëdhëniet e saj me Venedikun u acaruan në
vitin 1498. Në këto rrethana, duke pasur nevojë
për qëndresën antiosmane të shqiptarëve,
Senati i Venedikut u përpoq të lidhej me të.
Për këtë qëllim ai e nxori nga burgu Martin
Firmanon dhe në qershor të vitit 1499 e nisi për
në Shqipëri bashkë me emisarët e vet.
Midis krerëve shqiptarë dhe të dërguarve
venecianë lindën mosmarrëveshje për qëllimet,
vendin dhe për shtrirjen që do të kishte kryengritja
në Shqipëri. Senati ishte kundër shpërthimit
të një lëvizjeje të përgjithshme
dhe kërkonte vetëm një kryengritje lokale në
rajonin e Lezhës. Këtu Venediku parashikonte të
zbarkonte forcat e veta për të ruajtur zotërimin
e Durrësit. Kurse shqiptarët ishin për një
kryengritje sa më të gjerë për çlirimin
e vendit. Në takimin që bënë krerët
shqiptarë me emisarët venecianë në shtëpinë
e Martin Firmanos në afërsi të Durrësit,
mosmarrëveshjet midis tyre u acaruan në atë
shkallë, saqë Republika me anën e bajlit të
saj të Durrësit e helmoi Martin Firmanon.
Një muaj më vonë, në shtator 1499, shpërtheu
kryengritja në rrethin e Lezhës. Rrugët për
në Shkodër dhe në Dukagjin u prenë dhe
funksionarët osmanë u dëbuan. Kryengritësit
kërkuan që pasardhësit e Skënderbeut të
viheshin në krye të lëvizjes antiosmane. Në
vend të Gjon Kastriotit, që ishte i sëmurë,
ata iu drejtuan birit të tij, Gjergj Kastriotit, të
mbiquajtur Skënderbeu i Ri.
Për të pasur nën kontroll zhvillimin e ngjarjeve
në Shqipëri, Senati i Venedikut shpalli se merrte
përsipër dërgimin e Gjergj Kastriotit dhe të
forcave të tij në Shqipëri. Nga Mbretëria
e Napolit Gjergj Kastrioti shkoi në Venedik, ku me premtime
të ndryshme, u mbajt gjatë, për më tepër
se një vit.
Gjergji u nis për në Shqipëri vetëm në
pranverë të vitit 1501 kur Durrësi, që
ishte nën zotërimin venecian, u rrezikua seriozisht
nga sulmet e ushtrive osmane. Nisjen e Gjergj Kastriotit në
Shqipëri e organizoi Venediku. Me këtë Senati
kishte për qëllim të fuqizonte kryengritjen
e shqiptarëve në rajonin e Lezhës për
t'i detyruar osmanët të largonin ushtritë e
tyre nga rrethimi i Durrësit dhe t'i angazhonin ata në
luftë kundër kryengritësve shqiptarë.
Ekspedita, e përbërë prej 150-200 stratiotësh,
e kryesuar nga Skënderbeu i Ri dhe e shoqëruar nga
një emisar venecian, zbarkoi më 5 mars 1501 në
Ishullin e Lezhës, të çliruar qysh më
parë nga kryengritësit shqiptarë. Por, ndihmat
veneciane që ai solli me vete ishin të pakta. Në
përpjekjen e parë që patën me forcat osmane,
ushtarët e Skënderbeut të Ri u thyen dhe ekspedita
do të kishte dështuar, sikur më pas kryengritësit
shqiptarë të mos i përballonin sulmet e osmanëve.
Ndërkohë midis emisarit venecian dhe Skënderbeut
të Ri, që mbante anën e krerëve shqiptarë,
lindën mosmarrëveshje që ndikuan negativisht
në zhvillimin e kryengritjes.
Më 13 gusht 1501 ushtria osmane, e komanduar nga sanxhakbeu
i Elbasanit, pushtoi Durrësin. Për të mënjanuar
humbjen e Ishullit të Lezhës, të Ulqinit e
të Tivarit, Venediku filloi bisedimet për paqe me
pushtuesit osmanë dhe, më 14 dhjetor 1502, nënshkroi
me ta marrëveshjen përkatëse dhe i braktisi
kryengritësit shqiptarë.
Në këto rrethana Skënderbeu i Ri dhe Progon
Dukagjini, i cili gjithashtu ishte kthyer nga mërgimi,
kërkuan të hynin në marrëveshje me autoritetet
osmane. Më 1503 shkuan në Shkodër dhe i kërkuan
sanxhakbeut Feriz Beut që ata të vendoseshin në
ish-zotërimet e familjeve të tyre dhe t'i qeverisnin
ato nën sovranitetin e sulltanit. U pranua vetëm
kërkesa e Progon Dukagjinit, të cilit iu dha titulli
i pashës dhe, në formë timari, një pjesë
e zotërimeve të Dukagjinëve. Kurse kërkesa
e nipit të Skënderbeut nuk u pranua. Pas këtij
refuzimi dhe një qëndrimi dyvjeçar në
Shqipëri, në shkurt të vitit 1503 Skënderbeu
i Ri u detyrua të mërgonte përsëri në
Itali. Nuk dihet data e vdekjes së tij. Thuhet se vdiq
në Qipro duke lënë pas tre djem. Më 1506
turqit pushtuan Ishullin e Lezhës, kurse Ulqini e Tivari
do të vazhdonin edhe për disa dhjetëra vjet
të qëndronin në duart e Venedikut e të
papushtuara prej osmanëve.
Me përpjekjet që u bënë gjatë fundit
të shek. XV dhe fillimit të shek. XVI për rimëkëmbjen
e shteteve mesjetare shqiptare u mbyll periudha e luftës
së gjatë më se njëshekullore e shqiptarëve
kundër pushtuesve osmanë për të mbrojtur
lirinë dhe jetën e pavarur politike.
Mërgimet masive të shqiptarëve gjatë
shek. XIV-XV
Lëvizjet migruese nga tokat shqiptare drejt vendeve të
tjera, janë një dukuri që ndeshet gjatë
gjithë mesjetës.
Në grupe apo si individë, shqiptarët dëshmohen
të kenë lëvizur të paktën qysh në
shek. XI. Kryesisht si ushtarakë ose si funksionarë
të administratës bizantine, shqiptarë të
veçantë apo grupe shqiptarësh ndeshen në
atë kohë në viset më të ndryshme
të Perandorisë, sa në Italinë e Jugut,
në Dalmaci e në Bullgari, aq dhe në Peloponez
e në vetë Konstandinopojë, ku dhe shumë
prej tyre me kalimin e kohës u integruan.
Por, në krahasim me këto mërgime të para,
për shkak të jetës politike të trazuar
emigrimet shqiptare të shek. XIV-XV morën përmasat
e eksodeve të vërteta, që lanë gjurmë
të thella si në vendin e origjinës, ashtu dhe
në vendbanimet e reja. Valët e emigracionit shqiptar
të shek. XIV-XV ndoqën dy drejtime kryesore: atë
verior, që preku Raguzën (Dubrovnikun) dhe qytetet
e tjera të Dalmacisë, Venedikun dhe qytetet e fshatrat
e provincës italiane të Markës, si dhe drejtimin
e krahut perëndimor të Adriatikut (Fano, Ankona,
Rimini, Pezaro). Vendi nga vinin emigrantët shqiptarë
drejt veriut të Ballkanit Perendimor e të Italisë
Lindore ishin përgjithësisht viset veriore dhe qytetet
e atyshme të Ulqinit, Tivarit, Shkodrës, Drishtit,
Lezhës e deri të Durrësit. Ata u përkisnin
shtresave nga më të ndryshme: bujq, zejtarë,
marinarë, punëtorë, tregtarë të vegjël,
mjeshtër, artistë etj.
Klerikë të shumtë nga Ulqini, Lezha e sidomos
nga Durrësi e nga Drishti dëshmohen në kishat
e manastiret e Raguzës, ku shpesh shërbenin edhe
si shkrues, sekretarë e noterë. Në Raguzë
dhe në qytetet e tjera dalmatine, mjaft emigrantë
shqiptarë mundën të sistemohen dhe të
fitojnë statusin e banorit të përhershëm
(habitator), ndonjë syresh edhe atë të qytetarit
me të drejta të plota (civis). Në Raguzë,
Venedik ose në Rimini e Rekanati (Markë) shqiptarët
organizoheshin në shoqëri fetaro-kulturore, të
quajtura shkolla ose vëllazëri (scuola, confraternitas).
Autoritetet e vendit jo gjithnjë i shihnin me sy të
mirë këto shoqëri me bazë etnike, që
gjithsesi pengonin integrimin e emigrantëve. Megjithatë,
emigracioni shqiptar në Dalmaci e në qendrat italiane
të Adriatikut verior nuk arriti të krijojë
ngulmime kompakte masive, e në krye të 2-3 shekujve
bashkësitë shqiptare të atjeshme u tretën
në popullsinë vendase.
Mërgimet shqiptare në krahun tjetër, atë
jugor, qenë shumë më intensive se ato veriore.
Vatra e nisjes së tyre qenë territoret në jug
të lumit Shkumbin, veçanërisht trevat e Vlorës,
Beratit, Korçës dhe sidomos të Epirit e të
Moresë. Këto shtegtime prekën fillimisht viset
e Greqisë. Prej këndej, një pjesë e tyre
kaloi në Sicili e në Italinë e Jugut.
Një valë e parë e emigracionit shqiptar dëshmohet
në Thesalinë Lindore, në vitet 20-30 të
shek. XIV. Ajo mori shkas nga shtypja e kryengritjeve shqiptare
në zonën e Vlorës, të Devollit e të
Thesalisë veriperëndimore nga ana e Perandorit bizantin
Androniku III. Fluksin e popullatave shqiptare drejt jugut
e ushqeu në atë kohë edhe rritja e presionit
të shtetit serb në trevat shqiptare. Si rezultat,
viset e Thesalisë lindore, në jug të rrjedhës
së Peneut, u kolonizuan dendur nga shqiptarët. Të
joshura nga qeveritarët vendas, mjaft bashkësi shqiptare
e vazhduan shtegtimin e tyre dhe u vendosën në ishullin
e Eubesë, si dhe në krahinat e Beotisë, të
Atikës e të Korintit. Nëpërmjet istmit
të Korintit, valë shtegtarësh që vinin
sa nga Thesalia aq edhe nga Epiri invaduan në fillim
të shek. XV krahinat e Peloponezit. Në vitin 1405,
një dëshmitar okular shkruan se vetëm në
një valë, 10 mijë mërgimtarë shqiptarë,
me familjet, me pasuritë e me bagëtitë e tyre
kaluan Istmin dhe me leje të despotit Teodor Paleolog
u sistemuan në krahinën e Akesë. Këtë
valë e pasuan në vitet e mëvonshme flukse të
tjera që vinin nga Atika, Beotia, Thesalia ose drejtpërdrejt
nga trevat shqiptare, të kërcënuara nga invazioni
osman. Me shterimin e këtyre prurjeve emigruese, aty
nga mesi i shek. XV, krahina të tëra të Peloponezit
(Moresë), si Korinti, Akea, Elida, Arkadia, Argolida,
Mesenia e Lakonia, ishin kolonizuar në mënyrë
mjaft intensive nga popullsi shqiptare. Një defter osman
i vitit 1458, që bën regjistrimin e popullsisë
së Peloponezit qendror, ndër 198 fshatrat e regjistruara
155 i cilëson shprehimisht si fshatra shqiptare. Një
tjetër regjistër i vitit 1461 veçon si shqiptare
16 ndër 20 qendërbanime që kishte zona e Korintit.
Akoma në vitin 1668, udhëtari turk Evlija Çelebi
konstatonte se "banorët e krahinave që shtrihen
nga Kalavrita, Voshtica e Tripolica deri në Korint janë
arbër që flasin arbërisht". Prej Peloponezit,
shumë kolonë shqiptarë u hodhën në
ishujt e afërt të Egjeut, në Salaminë
(Kullur), Hidra, Poros, Specia etj.
Vendosja e kolonëve shqiptarë u inkurajua në
shumë raste nga qeveritarët e krahinave greke, që
u premtonin atyre toka, kullota dhe përjashtimin nga
taksat. Vendosja e kolonëve shqiptarë ndihmoi në
ripopullimin dhe në rigjallërimin e trevave të
tëra greke të braktisura e të lëna djerrë.
"Arbërit", shkruan një autor i shek. XV,
"u vendosën në zona të shkreta; ata i
shpyllëzuan ato dhe i bënë të banueshme.
Shumë vende të egra, që deri atëherë
kishin qenë strehë banditësh, u pastruan dhe
dora e këtyre bujqve me përvojë i mbolli dhe
i kultivoi ato".
Dhënia e lejes së vendosjes për ardhësit
shqiptarë, akordimi i tokave të bukës dhe i
kullotave, thuajse gjithmonë u kushtëzua nga qeveritarët
vendas me detyrimin e shërbimit ushtarak. Në shek.
XIV-XV, luftëtarët shqiptarë mbushnin repartet
ushtarake sa të dukëve katalanë të Athinës,
aq edhe të despotëve bizantinë të Moresë
apo të kështjellarëve venecianë të
Eubesë, të Koronit, Modonit e Nauplionit (Peloponez).
Të inkuadruar ose jo në trupat e sundimtarëve
të huaj, shqiptarët u bënë protagonistë
të qëndresës kundër invadimit të
këtyre viseve nga pushtuesit osmanë. Kronistët
bizantinë të shek. XV, Kritobuli, Dukas dhe Halkokondili
vënë në dukje se në atë kohë,
përveç Shqipërisë, një tjetër
kështjellë e qëndresës shqiptare qe ngritur
në Peloponez. Në luftërat e shqiptarëve
të Peloponezit kundër osmanëve u shquan kapedanët
Pjetër Bua, Teodor Buhali, Primo Koka, Krokodejl Klada,
Manuel Bokali etj.
Invazioni osman i Ballkanit jugperëndimor, që hyri
në një fazë vendimtare pas mesit të shek.
XV, shkaktoi valë të papara mërgimesh shqiptare,
që konvergonin drejt Italisë. Këtu popullsitë
e ikura shqiptare iu shtuan ngulimeve të mëparshme
shqiptare, duke e forcuar elementin shqiptar në Italinë
e Jugut dhe në Sicili. Ngulimet shqiptare të kësaj
kohe u vendosën kryesisht në provincat Abruco, Molize,
Kampanie, Bazilikatë, Kapitanatë, Pulje, Kalabri.
Ngulimet kryesore shqiptare të Sicilisë u bënë
Piana deli Albanezi, San Kristina Xhela, Mexojuso, Kontesa
Entelina, Palaco Adriano.
Kolonët shqiptarë erdhën drejtpërsëdrejti
nga Shqipëria, por shumë syresh erdhën nga
kolonitë shqiptare të Greqisë, veçanërisht
nga Moreja. Vala më e madhe migruese i përket vitit
1479, kur pas rënies së Shkodrës dhe paqes
veneto-osmane, që e pasoi atë, shumë luftëtarë
shqiptarë, sa në Shqipëri aq dhe në More,
u detyruan të largohen për t'i shpëtuar hakmarrjes
osmane. Midis tyre ishin pinjollë të shquar të
familjeve Kastrioti, Gjurashi (Cërnojeviçi), Dukagjini,
Arianiti, Muzaka, Bua etj. Mbreti Ferdinand i Napolit u dha
këtyre feude e poste zyrtare në mbretërinë
e tij, kurse masave të të ikurve u caktoi për
banim vende kryesisht të pabanuara. Valët e emigracionit
shqiptar, ndonëse me intensitet më të vogël,
vazhduan edhe në vitet e mëvonshme. E fundit njihet
ajo e vitit 1744, kur u themelua Vila Badesa në Abrucie.
Numri i fshatrave arbëreshe arrin sot në rreth 100
me një popullsi afër 150 000 banorë.
Për shumë nga ngulimet shqiptare ekzistojnë
aktet e themelimit (capitula) të nënshkruara me
autoritetet civile dhe kishtare të vendit. Në to
fiksohen detyrimet por dhe të drejtat dhe privilegjet
e banorëve të rinj, midis të cilave figuron
shpesh dhe e drejta për të pasur drejtues dhe priftërinj
(papas) të tyre, jo katolikë. Ruajtja e ritit ortodokso-bizantin
luajti një rol mjaft të rëndësishëm
për konservimin e kolonive arbëreshe të Italisë.
Këtu luajtën rolin e tyre edhe kompaktësia
e këtyre ngulimeve si dhe klima e tolerancës që,
ndryshe nga ç'ndodhi me ngulimet arbëreshe të
Greqisë, karakterizuan marrëdhëniet e ardhësve
shqiptarë me popullsinë dhe me autoritetet civile
e kishtare vendase. Edhe sot, arbëreshët e Italisë
ruajnë gjuhën si dhe traditat, këngët
e zakonet e hershme shqiptare.
3. RËNDËSIA E EPOKËS SË GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT
Rrjedhimet e luftës dhe të pushtimit osman në
Shqipëri
Lufta më se njëshekullore e Perandorisë Osmane
për pushtimin e trojeve shqiptare dhe vendosja e pushtetit
osman, sollën rrjedhime të thella në të
drejtat e pronësisë, në veprimtarinë ekonomiko-shoqërore,
në jetën politike dhe në atë fetare-kulturore
të shqiptarëve.
Veprimtaria e pavarur politiko-shoqërore e botës
shqiptare ishte arritja më e rëndësishme në
historinë kombëtare të shqiptarëve gjatë
shekujve të mesjetës. Që në shek. XII
dhe në shekujt që vijuan, deri me pushtimin osman,
në viset shqiptare lindën formacione shtetërore
të pavarura, të cilat ndikuan fuqishëm në
të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore dhe,
në tërësi, për zhvillimin e gjithanshëm
të vendit. Në kuadrin e këtyre formacioneve
shtetërore lindi dhe u fuqizua aristokracia vendase dhe
tradita shqiptare e drejtimit dhe e aparatit administrativ
shtetëror.
Elita drejtuese shqiptare, si ajo laike ashtu edhe fetare,
pati një rol të madh historik për zhvillimin
e gjithanshëm të vendit. Ishte meritë e saj
ndryshimi i orientimit të lidhjeve ndërkombëtare
të Shqipërisë, duke e larguar atë gjithnjë
e më shumë prej Perandorisë Bizantine e vendeve
të tjera fqinje e të prapambetura të Ballkanit
dhe duke e afruar Shqipërinë me vendet e përparuara
të Evropës Perëndimore. Lidhjet politike, tregtare-ekonomike
dhe fetare-kulturore me Italinë dhe vendet e tjera të
Evropës Perëndimore ndikuan që në të
gjitha këto fusha të përshpejtoheshin ritmet
e zhvillimit.
Pushtimi osman i dha fund jetës së pavarur politike
e shtetërore të shqiptarëve dhe i mbylli rrugët
zhvillimeve të mësipërme, ndërpreu lidhjet
intensive të Shqipërisë me vendet e Evropës
Perëndimore dhe i kaloi ato në drejtim të Lindjes.
Këto rrjedhime negative u shfaqën në Shqipëri
jo vetëm gjatë viteve të luftës, por ato
vepruan fuqishëm edhe gjatë gjithë periudhës
së gjatë të sundimit osman.
Pushtimi osman i tokave shqiptare u bë gradualisht, duke
nisur me fundin e shek. XIV, me marrjen prej osmanëve
të qendrave kryesore të viseve lindore, dhe duke
vijuar në fillim të shek. XV me pushtimin e disa
qyteteve e kështjellave të viseve perëndimore
shqiptare. Pas këtyre pushtimeve dhe veçanërisht
me periudhën e luftës nën udhëheqjen e
Skënderbeut dhe deri në rënien e kështjellave
në fund të viteve 70 të shek. XV, një
pjesë e rëndësishme e viseve qendrore e veriore
shqiptare u gjend në kushtet e një lufte të
gjatë e të vazhdueshme.
Që me pushtimet e para të fundit të shek. XIV
të qendrave të tilla si Nishi, Shkupi, Manastiri,
Ohri, Kosturi etj., u dëmtuan rëndë marrëdhëniet
dhe shkëmbimet e ndryshme ekonomike e tregtare ndërmjet
viseve lindore me ato perëndimore, aq të domosdoshme
e jetike për banorët e tyre. Ekspeditat e njëpasnjëshme
të ushtrive osmane dhe luftimet e vazhdueshme e të
ashpra, që ato zhvilluan me forcat shqiptare, dëmtuan
rëndë jetën ekonomike të vendit. Gjatë
ekspeditave ushtarake dhe luftimeve të shumta për
të dobësuar qëndresën shqiptare dhe burimet
ekonomike, aq të domosdoshme për vazhdimin e saj,
ushtritë osmane rrënonin të mbjellat, dëmtonin
objektet ekonomike, rrëmbenin bagëtinë.
Vështirësitë e shumta ekonomike dhe zjarri
i luftës detyruan me mijëra e mijëra vetë
të braktisnin vendin dhe kështu bashkë me të
vrarët në luftë pakësuan ndjeshëm
numrin e banorëve, por edhe dëmtuan jetën ekonomike,
sepse ishin nga forcat më aktive të shoqërisë
shqiptare.
Në kushtet e luftës dhe të pushtimit osman,
ekonomia fshatare u bë edhe më e mbyllur dhe përkohësisht
i dobësoi lidhjet me qytetin, aq të domosdoshme
për zhvillimin ekonomik të vendit. Qytetet shqiptare,
gjatë shekujve të mesjetës kishin njohur të
gjitha tiparet e zhvillimit ekonomik, shoqëror e organizativ
të qyteteve të pellgut të Mesdheut, që
ishte rajoni më i zhvilluar i Evropës, kurse me
pushtimin osman pësuan ndryshime. Që me sulmet e
para osmane filluan të largohen banorët nga qytetet
dhe disa prej tyre u shndërruan në qendra të
vogla administrative e ushtarake. Pjesa më e madhe e
banorëve në disa qytete iu kushtuan kryesisht ekonomisë
bujqësore, dobësuan lidhjet me zonat fshatare dhe
thuajse i ndërprenë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare
e kulturore me Evropën Perëndimore. Rrjedhimisht,
qytetet shqiptare në përgjithësi u shndërruan
gradualisht në qendra administrative ekonomike dhe fetare-kulturore
të tipit lindor, osman. Nga qytetet nisi dhe u përhap
procesi i islamizmit, i cili jo vetëm solli ndryshime
të rëndësishme në besimin fetar të
shqiptarëve, por edhe ndikoi dukshëm përgjithësisht
në botëkuptimin e mënyrën e jetesës
së tyre. Me ndryshimet e mësipërme Shqipëria
nga një vend që kishte tërhequr vëmendjen
e Evropës Perëndimore, gradualisht u shndërrua
në një vend thuajse të harruar prej saj.
Ndonëse pushtimi osman i dha fund copëtimit politik
dhe anarkisë që ekzistonte në Ballkan dhe në
Shqipëri, prapambetja ekonomike që i karakterizoi
vendet ballkanike më pas e kishte burimin e vet në
ndryshimin në fushën e pronësisë që
solli ai pushtim. E drejta feudale mbi tokën në
Shqipëri, në prag të pushtimit osman, ishte
në fazën e zhvilluar edhe pse aty-këtu mund
të shfaqeshin mbeturina të formave arkaike të
saj. Në zonat fushore të Shqipërisë kishte
mbizotëruar prona e madhe feudale dhe e drejta e pakufizuar
e shitblerjes së tokës. Pushtimi osman ligjërisht
i dha fund kësaj forme feudale të përparuar
të pronësisë mbi tokën, zhduku pronën
e madhe e zotëruesit e saj, që përbënin
shtresën drejtuese të vendit. Ai vendosi pronën
feudale ushtarake osmane, sistemin e timarit, që në
thelb ishte rivendosje e pronies bizantine, një formë
pronësie që përgjithësisht ishte kapërcyer
nga vetë zhvillimi i gjithanshëm i shoqërisë
shqiptare. Sistemi i timarit, i vendosur dhe i mbajtur në
këmbë me dhunë për shekuj të tërë,
konsideronte si pronar të tokës shtetin, ua kufizoi
fshatarëve pronarë deri diku të drejtat mbi
tokën dhe feudalët e rinj (timarlinjtë apo
spahinjtë) konsideroheshin si zotërues të një
pjese të rentës feudale, por jo pronarë të
tokës me të drejtën e shitblerjes së saj.
Do të kalonin shekuj që në Shqipëri ligjërisht
të njiheshin pronat e mëdha feudale dhe zotëruesit
e tyre. Kurse në Evropën Perëndimore ndërkohë
ishin shkatërruar marrëdhëniet feudale dhe
atje lulëzonte prona kapitaliste. Pozicioni gjeografik
periferik (në kuadrin e Perandorisë Osmane) i pjesës
më të madhe të viseve shqiptare ndikoi negativisht
për zhvillimin e tyre. Shqipëria u gjend kështu
disa shekuj larg Evropës Perëndimore jo vetëm
në zhvillimin ekonomik, por edhe në fusha të
tjera të veprimtarisë shoqërore.
Rëndësia e luftës antiosmane të shqiptarëve
Lufta e gjatë dhe e ashpër kundër pushtuesve
osmanë ishte rrjedhojë e ndërgjegjësimit
të shqiptarëve, e në radhë të parë
e elitës drejtuese të tyre, për pasojat e rënda
dhe shkatërrimtare që sillte pushtimi osman në
të gjitha sferat e veprimtarisë shoqërore.
Ky pushtim godiste më shumë se këto, deri në
asgjësimin e plotë, shtresat e larta të shoqërisë
shqiptare, duke u marrë pushtetin politik, si dhe pasuritë
etj. Prandaj përfaqësues të tyre e udhëhoqën
me vendosmëri luftën kundër pushtuesve osmanë.
Në këtë luftë morën pjesë të
gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, sepse pushtimi
osman të gjithëve u prekte të drejtën
e pronësisë, interesat ekonomikë dhe mënyrën
e jetesës.
Lufta e shqiptarëve kundër pushtimit osman në
jetën e përditshme zhvillohej si një luftë
për mbrojtjen e pronës e të marrëdhënieve
të përparuara shoqërore kundër shpronësimit,
si dhe kundër formave të prapambetura të pronës
feudale e të marrëdhënieve shoqërore që
rridhnin prej saj. Ishte një luftë kundër dhunës,
shkatërrimit e grabitjes së njerëzve e të
pasurisë dhe që mbronte mënyrën e jetesës,
doket, kulturën dhe besimin fetar të shqiptarëve,
të cilat ishin cilësisht të ndryshme me ato
të pushtuesit lindor osman. Rrjedhimisht, lufta e shqiptarëve
mbronte zhvillimin dhe raportet e përparuara shoqërore
kundër formave arkaike të një shoqërie
feudale të prapambetur dhe tashmë të perënduar
në viset shqiptare. Për të gjitha këto,
në sintezë, përmbajtje themelore e luftës
ishte mbrojtja e jetës së pavarur politiko-shtetërore
të shqiptarëve, pra e lirisë kundër pushtimit
osman të vendit.
Përballë rrjedhimeve të tilla të thella
për të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare,
periudha e sulmeve të ushtrive osmane për pushtimin
e vendit dhe e qëndresë së fuqishme të
shqiptarëve kundër tyre, sidomos gjatë viteve
të luftës nën udhëheqjen e Skënderbeut,
përbën ngjarjen më të rëndësishme
e më kulmore të historisë së popullit
shqiptar, që la gjurmë të pashlyeshme në
vetëdijen kombëtare të të gjithë
shqiptarëve. Ajo u dha atyre traditën historike
të luftës kundër pushtuesve osmanë dhe
mbi këtë bazë ndjenjat e fuqishme kombëtare,
përpara se të vendosej mbi shqiptarët pushtimi
i plotë pesëshekullor osman dhe të bëhej
islamizimi masiv i tyre.
Ndjenja kombëtare, që i ka mbrojtur popujt nga asimilimi
dhe zhdukja, bëri që, gjatë gjithë periudhës
së gjatë pesëshekullore të pushtimit osman,
shqiptarët, edhe pse do të islamizoheshin masivisht,
të ruanin identitetin e tyre kombëtar pa dallime
fetare. Kur e kërkoi koha, si shqiptarët katolikë
e ortodoksë, ashtu dhe ata myslimanë, nuk ngurruan
të ngriheshin kundër pushtimit të huaj osman
dhe të qëndronin në ballë të luftës
për pavarësi kombëtare. Ndjenja kombëtare,
si një tregues identiteti, i ka shoqëruar popujt
gjatë gjithë historisë së tyre. Edhe protagonisti
kryesor, që e udhëhoqi luftën e shqiptarëve
kundër pushtuesve osmanë, Skënderbeu, në
veprimtarinë e tij politike e ushtarake, iu referua traditës
së lavdishme historike të popullit të vet.
Kështu, p.sh., duke iu përgjigjur plot krenari kombëtare
një kundërshtari politik në Itali, Skënderbeu
do t'i shkruante atij për aksionet ushtarake të
epirotëve e të Pirros kundër romakëve
në Itali do të përdorte si simbole të
veta shtetërore elementë nga simbolet e Pirros,
të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë dhe
nga mitologjia pellazge.
Idetë dhe fryma e lëvizjes humaniste evropiane,
që ishte përhapur në atë kohë edhe
te shqiptarët, ndikuan që lufta e tyre titanike
kundër pushtimit osman dhe, sidomos, figura e Skënderbeut
të çimentoheshin në vetëdijen kombëtare
shqiptare dhe të materializoheshin në krijimtarinë
e tyre jo vetëm nëpërmjet gojëdhënave,
tregimeve e këngëve popullore, por edhe nëpërmjet
veprave të para të historiografisë kombëtare,
të cilat i përshkon një patos i fuqishëm
patriotik, siç janë veprat e M. Barlecit, Dh.
Frëngut, F. Bardhit etj.
Një tipar i rëndësishëm dallues i luftës
së shqiptarëve kundër pushtimit osman ishte
zhvillimi i saj mbi dallimet fetare. Në radhët e
ushtrisë shqiptare qëndronin përkrah njëri-tjetrit
luftëtarët e besimit katolik, ortodoks, si dhe shqiptari
i islamizuar, siç ishte, p.sh., vetë Skënderbeu
dhe nipi i tij, Hamzai. Besime të ndryshme fetare kishin
edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë
të Skënderbeut, edhe familjet me të cilat lidhën
krushqi Kastriotët. Krahas klerikëve katolikë,
Skënderbeu dërgoi si përfaqësues të
vet në shtetet italiane edhe priftërinj ortodoksë.
Shembull i tolerancës fetare dhe i mirëkuptimit
ndërmjet shqiptarëve me besime fetare të ndryshme
ishte vetë familja e Kastriotëve. Shumica e fëmijëve
të Gjon Kastriotit kishin emra ortodoksë, një
djalë dhe një nip i tij (Skënderbeu dhe Hamzai)
mbajtën deri në fund të jetës emra myslimanë,
kurse veprimtaria politike e Kastriotëve, e sidomos e
Skënderbeut, ishte e lidhur me botën katolike. Vetë
Heroi Kombëtar, pasi u kthye në Shqipëri më
1443 dhe derisa vdiq, përdori emrin e dyfishtë,
të kristianit dhe të myslimanit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu,
si shprehje kjo e tolerancës fetare dhe e kujdesit të
tij për ruajtjen e unitetit kombëtar të shqiptarëve
që kishin rite fetare të ndryshme. Shqiptarët,
duke përfshirë edhe shtresat e larta shoqërore,
konvertonin lehtësisht besimin e tyre fetar. Balshajt,
p.sh., në fund të shek. XIV u kthyen nga ortodoksë
në katolikë, në përshtatje me besimin
fetar të shumicës së banorëve të
zotërimeve të tyre.
Pjesëmarrja masive e shqiptarëve të të
gjitha besimeve fetare dhe të krahinave në luftën
kundër pushtuesve osmanë ndikoi shumë në
zbutjen e sheshimin e dallimeve e të mosmarrëveshjeve,
që mund të lindnin nga bindjet e ndryshme fetare
si dhe nga përkatësia krahinore. Rrjedhimisht, një
nga arritjet më të rëndësishme të
luftës antiosmane ishte kompaktësimi dhe forcimi
i unitetit të shqiptarëve pa dallime fetare e krahinore,
duke përfshirë edhe banorët e viseve të
largëta që kishin mbetur jashtë shtetit të
Skënderbeut. Dëshmi e gjallë për këtë
është e drejta dokesore, përballë së
cilës ishin të barabartë të gjithë
shqiptarët, pavarësisht nga pozita shoqërore
dhe besimi fetar i tyre. Dëshmi e unitetit kombëtar
të shqiptarëve janë edhe legjendat, tregimet
dhe këngët popullore për figurën e Skënderbeut,
të cilat u ruajtën pa dallime fetare, te shqiptarët
katolikë, ortodoksë e myslimanë të të
gjitha viseve kombëtare, madje edhe jashtë tyre,
si te arbëreshët e Italisë e të Greqisë.
Këngët popullore për Skënderbeun lindën
qysh në shek. XV dhe ato vijuan ndër shekujt të
këndohen me krenari nga shqiptarët. Kronisti venecian
Antonio Sabeliko ka shkruar në vitin 1487 se shqiptarët
me këngë solemne ... këndonin lavdinë
e princit të vdekur (Skënderbeut) ashtu siç
e kishin zakon të moçmit në gostitë
e heronjve të mëdhenj. Në fillim të
shek. XX Edit Durham rrëfen për dy krutanë
që një ditë të tërë i kënduan
trimëritë e Skënderbeut në një këngë
të gjatë pa mbarim.
Lufta kundër pushtimit osman kaliti guximin, trimërinë
dhe heroizmin masiv të shqiptarëve, i bëri
ata të dalloheshin nga popujt e tjerë dhe të
vlerësoheshin shumë në vendet e huaja për
cilësite e vyera ushtarake. Gjatë shekujve që
vijuan, nga radhët e shqiptarëve dalin shumë
komandantë e udhëheqës ushtarakë të
shquar që vepruan në kuadrin e Perandorisë
Osmane apo edhe nëpër vende të tjera evropiane.
Gjatë viteve të luftës kundër pushtuesve
osmanë u intensifikuan, si asnjëherë tjetër,
lidhjet politike, ushtarake, ekonomike, fetare e kulturore
të Shqipërisë me vendet e Evropës Perëndimore,
lidhje që nxitën zhvillimet e brendshme në
të gjitha ato fusha dhe e bënë botën shqiptare
të ndihej më shumë se çdo rajon tjetër
i Ballkanit si pjesë përbërëse e Evropës
Perëndimore. U krijuan lidhje të ndërsjellta
shpirtërore me shtetet italiane dhe me vendet e tjera
të Evropës Perëndimore, sepse me luftën
e tyre heroike shqiptarët i detyruan ushtritë osmane
të luftonin për një periudhë shumë
të gjatë në viset shqiptare dhe u bënë
kështu pengesë e pakapërcyeshme për kalimin
e tyre drejt Perëndimit. Lufta e shqiptarëve të
udhëhequr nga Skënderbeu propagandohej në vendet
e Evropës Perëndimore si pjesë e luftës
së tyre shpirtërore për mbrojtjen e krishterimit
kundër islamizmit dhe prandaj Heroi shqiptar cilësohej
në Perëndim si "luftëtar i Krishtit"
(Athleta Christi). Mbështetja e vendeve të Evropës
Perëndimore ishte një nxitje dhe inkurajim për
luftën e shqiptarëve kundër pushtimit osman.
Me luftën e tyre shqiptarët penguan për një
kohë shumë të gjatë kalimin e ushtrive
osmane në Evropën Perëndimore dhe me këtë
ata dhanë një ndihmesë të vyer për
mbrojtjen dhe përparimin e qytetërimit evropian,
e cila është vlerësuar jo vetëm nga personalitetet
e shquara evropiane të asaj periudhe, por edhe gjatë
shekujve që pasuan me botimin e dhjetëra veprave
historike, letrare e artistike kushtuar figurës së
Skënderbeut dhe epopesë shqiptare të udhëhequr
prej tij. U krijua kështu një traditë e vyer
e lidhjeve shpirtërore të ndërsjellta ndërmjet
Shqipërisë dhe vendeve të Evropës Perëndimore.
Edhe popujt e Evropës Juglindore dhe ata fqinjë
kurrë ndonjëherë nuk janë ndier më
afër shqiptarëve sesa gjatë periudhës
së luftës kundër pushtuesve osmanë. Lufta
e Skënderbeut dhe e Huniadit kundër të njëjtit
armik, krijoi lidhje të ngushta jo vetëm ndërmjet
këtyre dy personaliteteve të shquara evropiane,
por edhe një traditë miqësie e respekti të
ndërsjelltë ndërmjet popujve të tyre.
Lufta e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut
ndikoi te popujt e Ballkanit që shpirtërisht të
ndiheshin pranë njëri-tjetrit si kurrë ndonjëherë.
Ajo i mbante të gjalla shpresat e ballkanasve për
t`u çliruar nga zgjedha osmane, prandaj edhe sundimtari
i fundit i Despotatit të Rashës qëndroi disa
vjet në Krujë dhe u bë baxhanak me Skënderbeun.
Për popujt e Ballkanit Heroi shqiptar u bë edhe
si një hero popullor i tyre, prandaj ata do ta përkujtonin
Skënderbeun nëpërmjet tregimeve e këngëve
popullore dhe në shekujt që pasuan do t'i kushtonin
figurës së tij një numër të madh
veprash historike, letrare, artistike, në disa prej të
cilave cilësohej me origjinë greke apo sllave, duke
e paraqitur kështu si simbol të krenarisë së
tyre kombëtare. Figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut,
mbeti ndër shekuj, jo vetëm te shqiptarët,
por edhe te popujt e tjerë, si një simbol i luftëtarit
të lirisë dhe u shërbente si burim frymëzimi
në luftën e tyre për të mbrojtur e për
të fituar lirinë dhe pavarësinë kombëtare.
Epoka e Skënderbeut në veprat e Marin Barlecit
dhe të autorëve të tjerë shqiptarë
bashkëkohës
Figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, epopeja e shqiptarëve
nën udhëheqjen e tij dhe e gjithë periudha
e luftës së tyre kundër vendosjes së pushtimit
osman, ndikuan fuqishëm në jetën shpirtërore
të shqiptarëve, në rritjen dhe në konsolidimin
e vetëdijes kombëtare të tyre. Epopeja shqiptare
e shek. XV frymëzoi intelektualë të shquar
shqiptarë që ta përjetësonin atë
në vepra historike monumentale e nga më të
shquarat e kohës dhe që patën një jehonë
të gjerë ndërkombëtare, me të cilat
nisi jetën e vet historiografia shqiptare. Themeluesi
i saj u bë Marin Barleci, historian humanist i shquar
i përmasave ndërkombëtare.
Për jetën e Marin Barlecit dihet pak. Ai lindi rreth
fundit të viteve 50 të shek. XV ndoshta në
Shkodër, qytet ky me tradita arsimore për formimin
e shkollimin e klerikëve të besimit katolik. Nuk
përjashtohet mundësia që ai të ketë
lindur në Medun (në verilindje të Podgoricës),
meqenëse në burimet historike bashkëkohëse
është gjetur një banor i tij me emrin familjar
Barleci, mbiemër ky që deri më tani nuk është
hasur te ndonjë person i tretë.
M. Barleci i përjetoi ngjarjet dramatike të Shkodrës
të viteve 70 të shek. XV, qytet ky ku ai padyshim
ka jetuar për vite e vite të tëra, ndaj në
veprat e tij shpesh e cilëson veten shkodran. Gjatë
rrethimit të parë të saj prej turqve, në
vitin 1474, ai ka shkruar se ka qenë i ri dhe se ende
nuk kishte arritur moshën për të rrëmbyer
armët, kurse në vitin 1478, gjatë rrethimit
të dytë të Shkodrës, M. Barleci rrëfen
se ishte rreshtuar përkrah luftëtarëve që
luftuan për mbrojtjen e qytetit të tyre.
Me rënien e Shkodrës në duart e osmanëve,
si shumë bashkëqytetarë, M. Barleci mori rrugët
e mërgimit dhe u vendos në Itali. Këtu ai plotësoi
shkollimin e vet, u bë njohës i thellë i letërsisë
antike e i gjuhës latine dhe u shfaq si një intelektual
humanist nga më të shquarit evropianë të
kohës. Që në fund të shek. XV, M. Barleci
ishte figurë e njohur në jetën kishtare të
Padovës. Në një dokument të muajit janar
të vitit 1497 ai përmendet si rektor i kishës
parokiale të Shën Stefanit në fshatin Plovenar
të dioqezës së Padovës dhe si abat në
kishën Shën Justina të Padovës. Për
vitin e vdekjes së M. Barlecit mungojnë njoftimet.
Nëpërmjet të dhënave të tërthorta
është arritur në përfundimin se ai ka
vdekur më 1512.
Vepra e parë e Marin Barlecit është Rrethimi
i Shkodrës (De obsidione Scodrensi), e botuar latinisht
në Venedik më 10 janar 1504, sipas kalendarit vendas,
datë që i përket vitit 1505. I mbështetur
në shënimet e në kujtimet e veta si dhe të
pjesëmarrësve të tjerë në ngjarjet
që rrëfen, libri i kushtohet jetës politike
e ushtarake gjatë rrethimit të dytë të
Shkodrës më 1478.
Ngjarjet dramatike të Shkodrës gjatë viteve
70 kishin nxitur edhe pena të tjera të shquara që
t'i pasqyronin ato. Humanisti i njohur Gjergj Merula botoi
më 1474 një rrëfim prej 24 faqesh mbi zhvillimet
politike dhe ushtarake në Shkodër gjatë rrethimit
të parë. Kjo ngjarje si dhe rrethimi i dytë
i Shkodrës, vendosja e shkodranëve në Venedik,
episode nga jeta politike e këtij qyteti gjatë shekujve
të mesjetës dhe lidhjet e shkodranëve me Venedikun
kanë zënë vend në panegjerikun e humanistit
shkodran Marin Beçikemi, të botuar më 1503
(ose më 1504) dhe që i drejtohej dukës Loredan
Loredanit dhe Senatit të Republikës së Shën
Markut. Edhe pse bashkëkohësi dhe bashkëqytetari
i të njëjtit fat me M. Barlecin, M. Beçikemi,
po ashtu si Gj. Merula, ishin humanistë me emër
për kohën; veprat e tyre për ngjarjet e Shkodrës
gjatë viteve 70 të shek. XV mbetën të
harruara.
Këtyre ngjarjeve u bëri jehonë të gjerë
nëpër Evropë vepra e Marin Barlecit Rrethimi
i Shkodrës. Deri në mesin e shek. XVII ajo
njohu 17 botime në gjuhë të ndryshme, si latinisht
(5), italisht (7), frëngjisht (4) dhe polonisht (1),
shumica e të cilave janë botime në vëllime
të përbashkëta me vepra të tjera.
Megjithëkëtë vepra që e ngriti figurën
e M. Barlecit në piedestalin e pavdekësisë
është pa dyshim Historia e jetës dhe
e bëmave të Skënderbeut (Historia de
vita et gestis Scanderbegi), e botuar në Romë gjatë
viteve 1508-1510. Deri në mesin e shek. XVIII kjo vepër
njohu jo më pak se 21 botime, në disa gjuhë
të Evropës, si latinisht (4), gjermanisht (4), italisht
(4), katalonisht (2), portugalisht (1), polonisht (1), si
dhe, nëpërmjet një përkthimi të lirë
dhe adoptimi të Lavardenit, frëngjisht (4) dhe anglisht
(1).
Vepra e fundit e M. Barlecit Shkurtesë e jetës
së papëve dhe të perandorëve (Compendium
vitarum pontificum et imperatorum), botuar në Romë
më 1555, nuk pati ndonjë jehonë. Autorësia
e tij mbi këtë vepër është e dyshimtë.
Vetëm pjesa deri më 1512 e kësaj vepre i është
atribuar M. Barlecit, kurse vazhdimi i saj është
hartuar nga Andre Engjëlli. Ky duhet të jetë
autori i vërtetë i veprës. Është
pikërisht kufiri kohor ndërmjet dy pjesëve
të veprës që na lejon të caktojmë
1512 si vit të vdekjes së M. Barlecit, themeluesit
të historiografisë shqiptare.
Veprat e M. Barlecit Historia e jetës dhe e bëmave
të Skënderbeut dhe Rrethimi i Shkodrës,
me botimet e shumta në gjuhë të ndryshme të
Evropës, dëshmojnë për nivelin e lartë
me të cilin e nisi jetën e vet historiografia shqiptare.
Veprat e M. Barlecit ishin fryt i një pune të gjatë
shumëvjeçare. Ato kanë vlera sa historike
aq edhe letrare dhe janë shkruar me një stil të
shkëlqyer prej humanisti. Për hartimin e tyre ai
u mbështet në shënimet e në kujtimet e
veta si dhe të pjesëmarrësve dhe të dëshmitarëve
të tjerë në ngjarjet që rrëfen. Ky
material autentik shumë i pasur u ka dhënë
veprave të M. Barlecit vlerën e burimeve historike
të dorës së parë e të pazëvendësueshme.
Dëshmitë që M. Barleci mblodhi nga burimet
e shumta, si një historian i mirëfilltë, i
shoshiti dhe i plotësoi me literaturën, që
ai gjeti, për t'i lidhur dhe shpjeguar ngjarjet. Megjithëkëtë
veprat e M. Barlecit kanë një varg dobësish,
që janë karakteristike në përgjithësi
për historiografinë humaniste, siç është
fryma panegjirike, fjalimet e sajuara që u vihen në
gojë heronjve, imitimi i historianëve antikë,
si p.sh. i Tit Livit etj. Por vlerat e veprave të tij,
si burime historike, janë shumë më të
mëdha se dobësitë e tyre. Këtë e
dëshmojnë dokumentet e shek. XV, si dhe jetëshkrimi
më i hershëm për Skënderbeun, i shkruar
gjatë viteve 1481-1482 prej peshkopit të Ulqinit,
Martin Segonit nga Novobërda. Jetëshkrimi Tregim
për Gjergj Kastriotin, i quajtur në gjuhën
turke Skënderbe, d.m.th. Aleksandri i Madh (Narrazione
di Giorgio Castriotto, da i Turchi nella lingua loro chiamato
Scanderbeg, cioè Alessandro Magno) është
hartuar nga M. Segoni në disa faqe dhe është
shfrytëzuar si dorëshkrim nga disa autorë të
vjetër, bashkëkohës me autorin apo më
të vonë. Ai u botua për herë të parë
më 1981 nga studiuesi italian Agostin Pertusi.
Atdhedashuria e thellë, ndjenja e detyrës për
të përjetësuar epopenë shqiptare të
shek. XV dhe figurën legjendare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut,
e për t'i përdorur ato si shembull e burim frymëzimi
në luftën për liri, ishin arsyet që e
shtynë M. Barlecin t`i përkushtohej hartimit të
veprave mbi historinë kombëtare.
Ngjarjet politike e ushtarake të Shqipërisë
së shek. XV, jetën e veprimtarinë e Skënderbeut,
rrethimet e Shkodrës etj., M. Barleci i pasqyroi duke
ndjekur parimin e zhvillimit kronologjik të tyre. Megjithëkëtë
në veprat e tij nuk mungojnë edhe digresionet për
të pasqyruar e treguar psikologjinë e botës
shpirtërore të shqiptarëve, legjendat e folklorin
e tyre, veprimtarinë ekonomike dhe rajonet kryesore të
banuara prej shqiptarëve në Ballkan etj. etj. Edhe
fjalimet e shumta që janë vënë në
gojë të figurave historike, ndonëse nuk janë
autentike, tërthorazi pasqyrojnë realitetin historik
dhe mendësitë e shqiptarëve bashkëkohës
të M. Barlecit.
Veprat e M. Barlecit u bënë drejtpërdrejt ose
tërthorazi burimi më i rëndësishëm
nga ku patriotët shqiptarë mësonin historinë
e epopesë së shek. XV. Ato vazhdojnë të
jenë përmendore kushtuar luftës për liri
të shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut.
Krahas vlerave të shumanshme burimore e letrare të
veprave të veta, M. Barleci ka meritën e madhe që,
bashkë me përshkrimin e portretit fizik e moral
të Skënderbeut te Historia e jetës dhe
e bëmave të Skënderbeut, na ka dhënë
edhe një gravurë me portretin e tij. Ky portret
duhet të përmbajë tiparet karakteristike të
fytyrës së Heroit, sepse Barleci këtë
vepër ia kushtoi nipit të Skënderbeut, Ferrant
Kastriotit, dhe e hartoi në bazë të kujtimeve
të bashkëluftëtarëve që ende jetonin,
në mendjen e të cilëve ishin të ngulitura
mirë tiparet e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Pranë
portretit të Skënderbeut, në këtë
vepër M. Barleci ka dhënë në një
gravurë të vogël edhe portretin e vet.
Epopeja shqiptare e shek. XV u përjetësua edhe në
vepra historike të tjera prej bashkëkohësve
të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Njëra ndër
to është vepra e Dhimitër Frëngut (1443-1525):
Komentar për punët e turqve dhe të zotit
Gjergj Skënderbe, princ i Epirit (Commentario de
le cose de Turchi, et del S. Georgio Scanderbeg, principe
di Epyrro).
Dhimitër Frëngu lindi në qytetin e Drishtit
dhe ishte kushëri i parë me familjen e njohur fisnike
Engjëlli të këtij qyteti. Ai u rrit gjatë
epopesë legjendare të Skënderbeut dhe u shkollua
si klerik. Dh. Frëngu u lidh ngushtë me Heroin Shqiptar,
e shoqëroi atë gjatë viteve 1466-1467 në
udhëtimin që bëri në Romë e në
Napoli. Me pushtimin e Drishtit prej osmanëve më
1478, Dh. Frëngu emigroi dhe u strehua në Itali.
Ai u vendos në rajonin e Venedikut dhe për një
periudhë të gjatë shërbeu si famulltar
i nderuar në fshatin Brainë, pranë qytetit
Trevizo, deri më 1513, kur për arsye të moshës
së shtyrë ia liroi detyrën të nipit të
tij, Pal Pjetër Engjëlli. Dh. Frëngu vdiq më
1523, në moshën 82 vjeç.
Veprën për jetën e Skënderbeut Dh. Frëngu
e shkroi latinisht dhe në frymën e ideve humaniste
të kohës. Kjo ishte një përmbledhje, me
disa ndryshime të vogla e Historisë së
Skënderbeut të M. Barlecit, gjë që
dëshmon se vepra e themeluesit të hsitoriografisë
shqiptare kishte pasqyruar drejt një realitet historik
të njohur e të pranuar edhe nga bashkëluftëtarët
e afërt të Skënderbeut, siç kishte qenë
Dh. Frëngu. Pas vdekjes së këtij, veprën
e përktheu italisht i nipi i autorit, Pal P. Engjëlli,
dhe ajo u botua anonime për herë të parë
më 1539 në Venedik. Interesimi i veçantë,
që u tregua për subjektin e kësaj vepre, bëri
që ajo të njihte shumë ribotime. Deri më
1679 pati 18 botime italisht, që u bënë në
Venedik (me tre tituj të ndryshëm), dhe në
mesin e shek. XVI u botua e përkthyer frëngjisht
dhe anglisht. Një përkthim rumanisht, i bërë
prej një të burgosuri rumun në Milano (1763)
dhe që ruhet në dorëshkrim, dëshmon se
vepra lexohej me interes edhe gjatë shek. XVIII.
Në krahasim me Historinë e Skënderbeut
të M. Barlecit, vepra e Dh. Frëngut u përhap
më shumë në Itali (sidomos në Venedik,
ku u shtypën të gjitha botimet e saj italisht),
sepse ishte shumë më e shkurtër, si "një
libër xhepi", botimi i të cilit kërkonte
shpenzime të pakta, dhe se për të u interesuan
pjesëtarë të familjes Engjëlli.
Familja Engjëlli ishte nga të paktët drishtanë
që arritën t'u shpëtonin masakrave osmane dhe
të vendoseshin në Itali pas pushtimit më 1478
të qytetit të tyre prej osmanëve. Ata jetonin
në Venedik, ku kishin zënë një pozitë
të dalluar në rrethet kishtare e intelektuale të
këtij qyteti dhe ishin vënë në krye të
urdhrit fetar të Shën Gjergjit, të lidhur me
emrin e familjes së tyre. Ashtu si te shqiptarët
e tjerë të emigruar, edhe te pinjollët e familjes
Engjëlli u ruajt ndër breza vetëdija kombëtare,
ndjenja e atdhedashurisë dhe dëshira për t'u
kthyer në Shqipëri. Ishin këto motive që
nxitën pjesëtarë të kësaj familjeje
të interesoheshin gjatë shek. XVI e XVII për
botimin e ribotimin e veprave kushtuar epopesë shqiptare
të shek. XV, si dhe të veprave të tjera për
të drejtën e trashëgimisë që mëtonin
se kishte familja Engjëlli në Shqipëri. Me
nxitjen e interesimin e pjesëtarëve të kësaj
familjeje u botuan dhe u ribotuan në Venedik e në
Romë vepra të tilla, si Komentari i
Dh. Frëngut (1539), Shkurtesa e jetës së
papëve e Marin Barlecit (1555), Privilegjet
perandorake për familjen Engjëlli e Françesk
Malvecos (Privilegi imperiali ... a favore della Famiglia
Angela, 1626) etj. si edhe Historia e turqve e
historianit venecian Françesk Sansovinos, (Historia
universale dell'origine et Imperio de Turchi, 1560), në
të cilën u përfshinë dhe u ribotuan shumë
herë gjatë shek. XVI e XVII Komentari
i Dh. Frëngut dhe Rrethimi i Shkodrës
i M. Barlecit,
Krahas përkujdesjes dhe interesimit për veprat e
mësipërme, Engjëllorët botuan edhe vepra
të hartuara prej tyre. Pal Pjetër Engjëlli,
shumë vite më parë se ta përkthente italisht
dhe ta botonte Komentarin e Dh. Frëngut,
kishte botuar në Venedik më 1522 një broshurë
latinisht të titulluar Letër drejtuar saracenëve...
(Epistola Pavli Angeli ad Saracenos...), kurse i vëllai,
Andrea Engjëlli, botoi në Romë më 1553
veprën Gjenealogjia e perandorëve romanë
dhe konstantinopolitë... (Genealogia d'imperatori
romani et constantinopolitani ...), e cila me disa ndryshime
u ribotua shumë herë gjatë shek. XVI e XVII
prej tij dhe anëtarëve të tjerë të
familjes Engjëlli. Vepra i është kushtuar kryesisht
gjenealogjisë së familjes Engjëlli (duke krijuar
lidhje të pavërteta të saj me familjet perandorake
romake e bizantine), si dhe të familjeve të tjera
fisnike shqiptare. Në tërësi veprat e Engjëllorëve
kanë vlera të pakta si burime historike për
njohjen e shoqërisë shqiptare të shek. XV.
Gjon Muzaka ishte anëtar i njërës prej familjeve
më të njohura aristokrate shqiptare. Ashtu si anëtarë
të tjerë të familjes Muzaka, ai kishte marrë
pjesë aktive përkrah Skënderbeut në luftën
kundër pushtuesve osmanë. Pas pushtimit prej osmanëve
të kështjellave të fundit shqiptare, si shumë
bashkatdhetarë të tjerë, Gj. Muzaka emigroi
në Itali dhe u vendos në Napoli. Dëshira për
kthimin e familjes së tij në atdhe e nxitën
Gj. Muzakën të hartonte më 1510 përkujtesën
Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë së
Muzakajve (Historia e Genealogia della casa Musachia)
për t'u dhënë bijve të vet njoftime për
historinë e familjes dhe për zotërimet që
kishin në Shqipëri. E botuar për herë
të parë më 1873, kjo përkujtesë,
me të drejtë është cilësuar prej
zbuluesit të saj, historianit gjerman Karl Hopf, si një
"margaritar" për vlerën e veçantë
që ka për njohjen e historisë mesjetare shqiptare.
Në të gjenden njoftime të rëndësishme
për veprimtarinë e aristokracisë shqiptare
dhe për marrëdhëniet në gjirin e saj,
për organizimin e administratës shtetërore
të Shqipërisë gjatë shek. XV dhe formimin
e shtetit të Skënderbeut, për toponiminë
e shek. XV etj. Ajo dëshmon për njohuritë historike
dhe nivelin kulturor relativisht të lartë që
kishte pasur aristokracia laike shqiptare e shek. XV, pjesëtar
i së cilës kishte qenë Gjon Muzaka.
Fryma atdhetare ka përshkuar tej e mbanë veprat
historike të M. Barlecit, Dh. Frëngut dhe të
autorëve të tjerë të hershëm shqiptarë.
Këto vepra dëshmojnë që periudha e luftës
kundër pushtuesve osmanë nën udhëheqjen
e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe vetë figura
e tij i pasuruan dukshëm traditat tona historike dhe
u shndërruan në simbol të luftës për
liri e pavarësi. Ato mbetën gjithnjë të
gjalla dhe gjatë shekujve që pasuan shërbyen
si një burim i pashtershëm frymëzimi në
luftën dhe përpjekjet e shqiptarëve për
mbrojtjen e interesave kombëtarë.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Hero Kombëtar i
shqiptarëve (1405-17 janar 1468)
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405-17 janar 1468) personifikon
një epokë të tërë të historisë
kombëtare të shqiptarëve, që mori emrin
e tij: luftën më se njëshekullore të tyre
kundër vërshimit osman (fundi i shek. XIV - fillimi
i shek. XVI) për mbrojtjen e tokës, të pasurisë
e të lirisë. Nën udhëheqjen e tij lufta
e shqiptarëve u ngrit në një shkallë të
lartë e të organizuar, shënoi një kthesë
vendimtare në zhvillimin politik të vendit dhe në
forcimin e vetëdijes kombëtare të tyre.
Figura e tij paraqet një nga ato raste, jo të shpeshta
në histori, kur shtresat e ndryshme shoqërore të
një kombi takohen me një personalitet të shquar,
në të cilën gjejnë shprehjen e vet aspiratat
e vetitë e tyre më të mira dhe që për
këtë arsye bëhet simbol i bashkimit kombëtar
dhe i luftës së tyre të përbashkët.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte përfaqësuesi
më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese
shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin
e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve
osmanë. Ai e kuptoi, më qartë se kushdo tjetër,
detyrën që shtronte çasti historik: nevojën
e bashkimit politik si kusht kryesor për të realizuar
mbrojtjen e interesave të të gjitha shtresave shoqërore,
të pasura e të varfra, të kërcënuara
tashmë prej pushtuesve osmanë në çështjet
jetike.
Njohja e thellë e jetës, e botëkuptimit, e
traditës dhe e luftës së shqiptarëve kundër
pushtimit të huaj si dhe e organizimit të shtetit
e të ushtrisë osmane, i dhanë mundësi
Skënderbeut të ndërtonte me efektivitet të
lartë gjithë veprimtarinë e tij si burrë
shteti dhe udhëheqës ushtarak i shquar. Ai arriti
në përfundimin se, përballë një pushtuesi
të fuqishëm, siç ishte Perandoria Osmane,
shqiptarët nuk mund të arrinin në fitore, pa
kapërcyer copëtimin politik të vendit në
një varg zotërimesh, pa një bazë organizative
të qëndrueshme, pa bashkërendimin e mjeteve
dhe të burimeve njerëzore, ekonomike, ushtarake
e materiale, pa bashkërendimin e të gjitha veprimeve
që zhvilloheshin në rrafsh të brendshëm
e të këtyre me veprimet e ndërmarra në
rrafsh ndërkombëtar. Një nga hapat e parë
në këtë drejtim qe themelimi, me nismën
e nën drejtimin e tij, i Besëlidhjes Shqiptare të
Lezhës, që përbënte të parin bashkim
të gjerë politik të shqiptarëve.
Duke njohur zhvillimin e ngjarjeve e perspektivën e tyre,
Skënderbeu e kuptoi me kohë se nuk mund të
mbrohej vendi, të çliroheshin viset e pushtuara
dhe të zhdukej përfundimisht rreziku i pushtimit
osman, duke qëndruar mbi bazën e Besëlidhjes
Shqiptare si aleancë politike vullnetare, karakteristikë
që ajo e kishte pasur në fazën e saj fillestare.
Prandaj në gjirin e koalicionit të fisnikëve
shqiptarë u krye dora-dorës një zhvendosje
në raportin e forcave (që karakterizon etapën
e dytë të veprimtarisë së Skënderbeut
si burrë shteti), dhe që çoi në fund
të viteve 50 në krijimin e një pushteti të
vetëm shtetëror për të gjitha viset e
lira shqiptare. Ai u bë themeluesi i shtetit të
pavarur shqiptar.
Kujdes të veçantë Skënderbeu i kushtoi
ruajtjes së burimeve të brendshme ekonomike, mbi
të cilat u mbështet lufta. Duke fuqizuar mbrojtjen
në brezin kufitar, në lindje e në jug të
viseve të lira, ai u dha mundësi nënshtetasve
të tij të zhvillonin një veprimtari ekonomike
e tregtare deri diku normale. Prandaj, ashtu si më parë,
edhe në këto vite vazhduan të eksportoheshin
nga portet e Adriatikut drithëra e prodhime të tjera.
Krahas mbrojtjes së vendit, Skënderbeu u kushtoi
vëmendje viseve të pushtuara. U mbajtën kështu
të gjalla dhe u forcuan më tej lidhjet me banorët
e këtyre viseve, gjë që ndikoi në forcimin
e bashkimit shpirtëror të shqiptarëve dhe në
konsolidimin e mëtejshëm të kombit shqiptar,
duke i dhënë mundësi të mbijetojë
e të zhvillohet më pas në kuadrin e Perandorisë
Osmane.
Procesin e bashkimit të shqiptarëve e favorizoi
shumë edhe toleranca e lartë fetare e Skënderbeut.
Si i krishterë i rritur në ambientin mysliman, ai
qëndroi mbi dallimet fetare. Ai bashkëpunoi ngushtë
dhe pa asnjë paragjykim me klerin e riteve të ndryshme
dhe dërgoi si ambasadorë të tij në vendet
e huaja priftërinj katolikë dhe ortodoksë.
Respektimi i besimeve e riteve fetare ndikoi pozitivisht në
procesin e bashkimit të shqiptarëve.
Bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar
dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij, shënonin
fitoren më të madhe të epopesë së
lavdishme të shek. XV dhe të tërë veprës
së Skënderbeut.
Aftësitë e Skënderbeut si burrë shteti
spikatën edhe në marrëdhëniet me vendet
e tjera. Ai e vlerësoi drejt rëndësinë
e bashkëpunimit ndërkombëtar, si kusht i nevojshëm
për të përballuar agresionin osman. Duke patur
të qartë se rrezikut osman mund t'i bëhej ballë
me sukses vetëm me forca të bashkuara, Skënderbeu
iu drejtua pareshtur shteteve evropiane dhe kërkoi pjesëmarrjen
e tyre në luftën kundër armikut të përbashkët,
si dhe përkrahje materiale për luftën e popullit
shqiptar.
Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti është
i pandarë nga veprimtaria e tij si udhëheqës
ushtarak i talentuar. Në kushtet e pabarazisë, Skënderbeu
përpunoi strategjinë dhe taktikën e tij ushtarake,
në bazë të së cilës qëndronte
mendimi se fitorja nuk mund të varej nga numri i ushtarëve.
Këtë parim, të ndjekur prej tij, e shprehin
me vërtetësi edhe fjalët që Barleci ka
vënë në gojë të Skënderbeut,
se "kush nuk është në gjendje ta mundë
armikun me një ushtri prej 8 deri 12 mijë vetash,
nuk do të mund ta bënte këtë edhe me një
ushtri shumë më të madhe".
Në kushtet e epërsisë së theksuar të
ushtrive osmane në luftëtarë e në armatime,
Skënderbeu për t'i mposhtur ato i mbante në
alarm të përhershëm, i shqetësonte me
sulme të vogla e të papritura. U priste rrugët
e furnizimit dhe, pasi i kishte futur në kurth, i godiste
me sulme të fuqishme e të befasishme dhe i shkatërronte
përfundimisht. Skënderbeu zbatoi një strategji
të mbrojtjes aktive sipas parimit "mbrohu duke sulmuar".
Në betejat e ndryshme ai ndërthuri mjeshtërisht
operacione të mëdha taktike-strategjike me tërheqje
e sulme, me pusi e befasi të luftës guerile.
Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg
e mjeshtër i artit ushtarak dallonte me mbretërit
e me princët evropianë të kohës. Ndryshe
nga veprimtaria ushtarake e tyre, që bazohej mbi trupat
mercenare të armatosura rëndë, Skënderbeu
u mbështet mbi një ushtri të armatosur lehtë,
me lëvizshmëri të madhe e aftësi të
lartë goditëse, të formuar kryesisht nga vullnetarë
që kishin gatishmëri luftarake dhe shpirt vetëmohimi.
Edhe ai vetë luftonte i pangarkuar me armatime të
rënda e me krah të shpërvjelur si një
ushtar i zakonshëm. Në betejë ai ishte, në
të njëjtën kohë, komandant i talentuar
dhe ushtar i guximshëm, që me shembullin e tij bëhej
burim frymëzimi për luftëtarët shqiptarë.
Edhe në jetën e përditshme Skënderbeu
ishte i thjeshtë dhe kohën e kalonte kryesisht me
bashkëluftëtarët e tij, duke bërë
jetë ushtari.
Skënderbeu gëzonte dashurinë nga bashkëkombësit
e vet, jo vetëm sa qe gjallë, por edhe pas vdekjes.
Figura e tij mbeti e gjallë në ndërgjegjen
e popullit shqiptar si kujtim i asaj lufte që habiti
botën me fitoret e saj legjendare dhe u bë krenaria
për një të kaluar, të cilën donin
ta përsërisnin. Këngët që shqiptarët
i thurën Skënderbeut, të cilat i këndonin
me krenari edhe përpara pushtuesve, gojëdhënat
e lidhura me vendet ku veproi e luftoi ai dhe me vise të
tjera të banuara prej tyre, i dhanë atij tiparet
e një luftëtari me forca vigane, të pajisur
me trimëri të pashoqe, i cili i kalonte caqet e
realitetit dhe merrte cilësitë e një figure
që mishëronte aspiratat e një populli të
tërë për liri e pavarësi.
Kujtimi i Skënderbeut jetoi jo vetëm në zemrën
e popullit që e lindi. Ai pati një shtrirje që
kalonte kufijtë e Gadishullit të Ballkanit, kishte
një rëndësi evropiane. Skënderbeu i detyroi
të gjitha kohërat të flisnin për të.
Figura e Skënderbeut ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen
e ushtarakëve, të burrave të shtetit e në
përgjithësi të opinionit publik evropian, të
cilët kanë kërkuar të nxirrnin mësime
nga përvoja luftarake e shqiptarëve, sidomos kur
vendet e tyre luftonin kundër pushtuesve të huaj.
Këtu e ka burimin ajo literaturë e shumëllojtë
dhe shumëgjuhëshe, që i është kushtuar
figurës së këtij Heroi, në të katër
anët e botës. Kur vërshimi osman qëndronte
si një shpatë mbi Evropën Qendrore, kur në
Gadishullin e Ballkanit shpërthyen lëvizjet për
çlirimin kombëtar etj., historianët, shkrimtarët
e poetët e përdornin figurën e Heroit shqiptar
si flamur frymëzues për mobilizimin e popujve të
tyre në luftë për liri. Dëshmi e përhershme
e vlerësimit dhe e respektit të thellë që
kanë popujt e tjerë për Skënderbeun, krahas
botimeve të shumta për të, janë sheshet
dhe rrugët e Romës, të Parisit, të Brukselit,
të Gjenevës dhe të qyteteve të tjera të
vendeve të ndryshme, ku janë vendosur monumente
e buste të tij ose që mbajnë emrin "Gjergj
Kastrioti - Skënderbeu".
|
 |  |