 |  |
K R E U V
SHQIPËRIA PËRBALLË PUSHTIMIT OSMAN
(1385 - 1443)
1. PUSHTIMET E PARA OSMANE NË SHQIPËRI
Shtrirja e pushtimeve osmane në Ballkan
Osmanët ishin pasardhës të turqve oguzë.
Këta u shpërngulën si tribu nga Azia Qendrore
dhe u vendosën në Anadoll në fund të shek.
XI, pas disfatës së rëndë ushtarake që
turqit selxhukë i shkaktuan Perandorisë Bizantine
(1071), së cilës i morën pjesën më
të madhe të zotërimeve që kishin në
Azinë e Vogël.
Turqit oguzë hynë në histori kur prijësi
i tyre Ertogrulli mori si shpërblim prej sulltanit selxhuk
një zotërim të vogël në brigjet e
lumit Sangaria (Sakaria). Ndërkohë shteti i selxhukëve
u shpërbë në shumë principata të
vogla pas disfatës ushtarake që i shkaktuan mongolët
(1243).
I biri i Ertogrullit, Osmani I (1290-1323), e zgjeroi zotërimin
atëror dhe e ktheu në një shtet të pavarur
me emrin Emirati Osman, që u bë bërthama e
Perandorisë Osmane. Në vitin 1299 Osmani I mori
titullin e sulltanit dhe nënshtetasit e tij u quajtën
turq-osmanllinj. Ushtria e tij përbëhej nga feudalë
të vegjël spahinj (sipah - kalorës), që
ishin të detyruar të merrnin pjesë në
luftë si kalorës sa herë të thirreshin
nga komandantët eprorë të tyre.
Në vitin 1317 Osmani I ngarkoi të birin, Orhanin,
me detyrën e komandantit të ushtrisë. Sulltan
Orhani (1323-1362) në vitin 1326 pushtoi Bursën
dhe e bëri kryeqytet. Ai i zgjeroi kufijtë e shtetit
të tij, krijoi aleancë me Perandorinë Bizantine
dhe u martua me vajzën e Perandorit Johani VI Kantakuzen.
Burimet historike, rrjedhimisht edhe historianët e sotëm,
kanë disa ndryshime kronologjike për vitet e para
të pushtimeve osmane në Ballkan. Në vitet 1347,
1349 dhe 1352 trupat e sulltan Orhanit zbarkuan në Ballkan
për të luftuar përkrah vjehrrit të sulltanit
kundër serbëve, bullgarëve dhe kundërshtarëve
të brendshëm politikë të Johanit VI. Në
këto rrethana në vitin 1352 osmanët krijuan
zotërimin e parë të tyre në Evropë,
duke marrë kështjellën Cimpes pranë qytetit
të Galipolit dhe, pas dy vjetësh (1354), pushtuan
edhe këtë qytet bashkë me rajonin e Dardaneleve
e më gjerë.
Sulltan Orhani fuqizoi organizimin e brendshëm të
Perandorisë Osmane. Ai preu një monedhë të
veçantë për shtetin e tij dhe rreth vitit
1330 krijoi ushtrinë e përhershme elite, korpusin
e jeniçerëve (jeniçer - ushtar i ri). Krahas
spahinjve dhe jeniçerëve, Perandoria Osmane kishte
edhe repartet ushtarake të akënxhinjve (akën
- sulm), që ishin kalorës, të cilët zakonisht
grumbulloheshin kur ndërmerreshin fushata pushtuese.
I biri i Orhanit, sulltan Murati I (1362-1389), vuri nën
pushtetin e tij rajone të tëra të Ballkanit.
Në mes të viteve 60 ai pushtoi Adrianopojën,
të cilën e bëri kryeqytet të Perandorisë
dhe e ripagëzoi me emrin Edrene. Pushtimi i saj ndikoi
shumë për shtrirjen e pushtimeve osmane në
Traki. Rrugën e pushtimeve masive osmane në Ballkan
e hapi fitorja e vitit 1371 pranë lumit Marica, ku trupat
osmane u shkaktuan një katastrofë ushtarake sundimtarëve
sllavë, vëllezërve Vollkashin dhe Uglesha Mërnjavçeviqit,
në krah të të cilëve qe edhe Aleksandri
i Vlorës. Pas betejës së Maricës, perandorët
bizantinë dhe shumë sundimtarë të tjerë
të Ballkanit u bënë vasalë të Perandorisë
Osmane. Si vasalë ata filluan ti paguanin tribut
të përvitshëm dhe, bashkë me trupat e
tyre, merrnin pjesë në luftime përkrah ushtrive
osmane sa herë thirreshin prej sulltan Muratit I dhe
pasardhësve të tij. Aleatë të sulltanëve
osmanë në Ballkan kanë qenë edhe drejtuesit
më të lartë të kishës greke dhe sllave,
që kishin siguruar një varg privilegjesh prej sulltanëve.
Zhvendosja e kryeqytetit nga Azia (Bursa) në Evropë
(Adrianopojë - Edrene) dhe krijimi për herë
të parë këtu dhe jo në Anadoll i bejlerbejllëkut
(Ejalet i Rumelisë), dëshmojnë se që në
kohën e sulltan Muratit I, Ballkani po merrte më
shumë peshë në jetën e Perandorisë
Osmane se Anadolli. Në mes të shek. XV sulltanët
osmanë arritën të grumbullonin më shumë
ushtarë dhe të ardhura prej sistemit tatimor nga
Rumelia (pjesa evropiane e Perandorisë Osmane) sesa nga
Anadolli.
Gjatë viteve e dhjetëvjeçarëve që
vijuan, në qendër të veprimtarisë politike
dhe ushtarake të sulltan Muratit I dhe të pasardhësve
të tij, ishte zgjerimi i kufijve të Perandorisë
Osmane në drejtim të Ballkanit dhe të rajoneve
të tjera të Evropës.
Pushtimet e para osmane në Shqipëri
Sulmet e ushtrive osmane për pushtimin e viseve shqiptare
nisën në mesin e viteve 80 të shek. XIV. Të
udhëhequra nga bejlerbeu i Rumelisë, Timurtash Pasha,
në vitin 1385 ushtritë osmane, pasi morën Sofjen,
u futën në Shqipëri dhe pushtuan qytetet e
Shtipit, të Përlepit, të Manastirit dhe të
Kosturit. Në dokumente perëndimore dhe osmane të
shek. XIV-XV për qytetet e Shkupit, të Manastirit,
të Kosturit, të Janinës etj., si dhe për
Fushë-Dardaninë shprehimisht është shënuar
se ato ishin "në Shqipëri" apo "në
tokat shqiptare".
Në muajin gusht të vitit 1385 Balsha II i shkruante
Republikës së Venedikut se zotërimet e tij
ishin nën sulmet e përditshme të ushtrive osmane
dhe se ato kishin shkaktuar një pështjellim të
madh te nënshtetasit e tij. Kur Balsha II ishte i zënë
në konflikt me mbretin e Bosnjës, Tvërtkon
(1376-1391), për çështjen e zotërimit
të Kotorrit, një ushtri e fuqishme osmane, e komanduar
nga Timurtash Pasha, në shtator të vitit 1385 u
fut me shpejtësi në thellësi të tokave
shqiptare. Balsha II së bashku me një grup fisnikësh
të udhëhequr prej tij, mobilizuan me shpejtësi
një pjesë të ushtrisë dhe u dolën
përpara osmanëve në fushën e Savrës
(pranë Lushnjës). Në betejën e Savrës,
që u zhvillua më 18 shtator 1385, forcat ushtarake
shqiptare u thyen dhe vetë Balsha II gjeti vdekjen. Fitorja
e betejës i dha mundësi ushtrisë osmane që
të pushtonte Beratin, Krujën etj., të cilat
i mbajti përkohësisht, derisa ua lëshoi zotëruesve
të mëparshëm. Inkursionet e tyre u shtrinë
edhe në Shqipërinë e Epërme deri në
Lezhë, si dhe në Shqipërinë e Poshtme.
Në vitin 1386 osmanët pushtuan Nishin dhe pas një
viti Selanikun, që e mbajtën përkohësisht
në duart e tyre, deri më 1403.
Për disa familje fisnike të njohura, si Balshajt,
Muzakajt etj., beteja e Savrës shënoi rënien
e tyre nën vasalitetin osman, i cili në fillim qe
i dobët dhe herë-herë formal. Pa kaluar shumë
kohë nga disfata që pësuan në fushën
e Savrës, Balshajt rifilluan të ndiqnin një
politikë të pavarur. Në vitin 1388, Gjergji
II Balsha, krahas forcave ushtarake të sundimtarëve
të Rashës e të Bosnjës, mori pjesë
në betejën që u zhvillua në Beliqë
(Bosnjë) dhe forcat e tij luajtën një rol të
rëndësishëm në thyerjen e ushtrive osmane,
të komanduara nga L`alla Shahini. Kjo fitore nxiti Karl
Topinë dhe Muzakajt që të shkëpusnin lidhjet
e tyre të vasalitetit ndaj osmanëve.
Intensifikimi i sulmeve të ushtrive osmane dhe zgjerimi
i vrullshëm i pushtimeve të tyre në Ballkan
bënë që sundimtarët ballkanas të
linin mënjanë grindjet e konfliktet ndërmjet
tyre dhe të mendonin e të projektonin aksione të
përbashkëta ushtarake për të mbrojtur
zotërimet e veta. Në vitin 1387 u krijua një
koalicion i gjerë ballkanik, ndërkohë që
më 1388 sulltani përqendroi forca të shumta
në Plovdiv për të vijuar pushtimet në
Ballkanin Qendror.
Knjazi serb i Rashës, Llazari Hrebelanoviçi mori
nismën dhe ftoi sundimtarët e tjerë ballkanas
që të bashkonin forcat e tyre për të ndalur
marshimin osman. Thirrjes së tij iu përgjigjën
disa prej sundimtarëve shqiptarë, si Gjergji II
Balsha, sundimtar i Shkodrës, Teodor II Muzaka, zot i
Beratit dhe i Myzeqesë, Dhimitër Jonima, zot i trevave
përgjatë rrugës tregtare Lezhë-Prizren,
Andrea Gropa, zot i Ohrit dhe i rajoneve rreth tij, sundimtarë
të Shqipërisë së Poshtme etj. Me ta u
bashkuan edhe sundimtarë të tjerë ballkanas,
si vojvoda rumun Mirçea, bani kroat Ivan Horvat, mbreti
Tvërtko I i Bosnjës, sundimtari i Kosovës Vuk
Mlladenoviqi, që zakonisht njihet me mbiemrin Brankoviçi
(Vuk Brankoviçi) etj. Zotërimet familjare i kishte
në pjesën veriore të Drenicës dhe të
Fushë-Dardanisë. Pas vdekjes së Vukës
në tetor 1398, jeta politike në zotërimet e
tij u decentralizua.
Trupat shqiptare kishin një peshë të rëndësishme
në forcat e koalicionit ballkanik. Kronikat osmane, që
përshkruajnë këtë ngjarje, theksojnë
numrin e madh të ushtrisë së Gjergjit II Balsha
dhe e cilësojnë atë si njërin prej tre
sundimtarëve kryesorë të koalicionit antiosman,
krahas knjazit Lazar dhe vojvodës Vllatko Vukoviqit,
komandant i ushtrisë së mbretit Tvërtko I të
Bosnjës.
Në qershor të vitit 1389 ushtritë e koalicionit
ballkanik u bashkuan në Fushë-Dardani (Fushë-Kosovë).
Në çastin e fillimit të betejës, V.
Brankoviçi i largoi trupat e veta nga koalicioni. Më
15 qershor ballkanasit zhvilluan një betejë të
përgjakshme me focat osmane të komanduara nga sulltan
Murati I. Pas disa sukseseve të para të ushtrive
të koalicionit, fitorja në këtë betejë
anoi përfundimisht nga osmanët, por me humbje njerëzore
të mëdha nga të dyja palët. Gjatë
zhvillimit të betejës luftëtari Milosh Kopili
vrau sulltan Muratin I. Për hakmarrje osmanët vranë
robërit e luftës, duke përfshirë knjaz
Llazarin e Milosh Kopilin. Në këtë betejë
mbeti i vrarë Teodori I Muzaka, si dhe shumë bashkëluftëtarë
të tij dhe shqiptarë të tjerë. Beteja
e Fushë-Dardanisë dhe akti heroik i Milosh Kopilit
lanë mbresa të fuqishme te shqiptarët e Kosovës,
të cilët i përjetësuan ato në këngë
popullore.
Disfata e koalicionit ballkanik në betejën e Fushë-Dardanisë
të vitit 1389 pati rrjedhime të rënda për
popujt e Gadishullit të Ballkanit. Ajo i dha fund krijimit
të koalicioneve ballkanike të gjera kundër
pushtuesve osmanë dhe sulltanit pasardhës, Bajazitit
I (1389-1402), të njohur me cilësimin Rrufeja (Jëlldërëm),
i lehtësoi rrugën për pushtime të reja
në Ballkan.
Pushtuesit osmanë e kthyen në vasal të tyre
sundimtarin e Kosovës, Vukë Brankoviçin,
të cilin, në fillim të vitit 1392, e detyruan
t'u dorëzonte Shkupin, e më pas Zveçanin
(kështjellë pranë Mitrovicës) etj. Me
marrjen e Shkupit, osmanët përforcuan pushtetin
e tyre në pjesën lindore të Shqipërisë
Qendrore (Maqedonia e sotme), veçanërisht nëpër
rajonet fushore të lumit Vardar, që ishin nga më
të begatat e Ballkanit. Pozicioni gjeografik shumë
i favorshëm i Shkupit, ku kryqëzoheshin rrugët
më të shkurtra që lidhnin kryeqytetin e Perandorisë
Osmane me të gjitha tokat shqiptare dhe me rajonet e
tjera të Ballkanit, nxitën sulltanët osmanë
që ta bënin atë bazë ushtarake shumë
të fuqishme, duke e shpallur Pashasanxhak, d.m.th. vend-rezidencë
e bejlerbeut të Rumelisë.
Ndërkaq osmanët ishin përpjekur për zgjerimin
e pushtimeve të tyre në Shqipërinë Qendrore.
Qysh në vitin 1385 ata u kishin marrë Muzakajve
qytetin e rëndësishëm të Kosturit, kurse
rreth vitit 1394 u morën Gropajve Ohrin, të cilin
nuk e mbajtën dot për një kohë të
gjatë. Ky qytet buzë liqenit kishte fortesë
të fuqishme dhe një pozicion shumë të
favorshëm për kontrollin e peshkimit në liqen
e në dajlanet e shumta të lumit Drin në Strugë,
ku tregtohej me shumicë peshku i thatë që përgatitej
aty. Për zotërimin e rajonit të liqenit dhe
dobësimin e pranisë së fisnikëve shqiptarë
aty, osmanët vendosën administratën e tyre
në Ohër dhe rrënuan tri kështjellat e
tjera, të Strugës, të Pogradecit e të
Starovës, që ishin në roje të liqenit
dhe të rrugëve që gjendeshin pranë tij.
Në kushtet e mungesës së një kishe kombëtare
shqiptare, që do të ndikonte shumë në
ruajtjen e unitetit fetar te shqiptarët, një pjesë
e konsiderueshme e fisnikërisë dhe e shtresave të
tjera, që jetonin në Shkup, Manastir dhe në
qytete të tjera të viseve lindore, filluan të
përqafonin masivisht islamizmin. Që në fund
të viteve 60 të shek. XV mbi 60% e banorëve
të Shkupit e të Manastirit ishin myslimanë.
Kurse te sllavët, që kishin kishën e tyre kombëtare,
nuk u përhap procesi i islamizimit. Në regjistrat
kadastralë osmanë të shek. XV thuajse asnjë
spahi nuk ka të shënuar cilësimin se është
serb apo sllav, ndryshe nga shumë të tjerë
që mbajnë mbiemrin Shqiptari (Arnauti).
Konvertimi në islamizëm i shqiptarëve i shkëputi
shumë prej tyre nga ndikimi i kishave ortodokse sllave
e greke (që liturgjinë e mbanin në gjuhën
sllave dhe greke), duke ndërprerë kështu vrullin
e procesit shekullor të sllavizimit e të greqizimit
të shqiptarëve. Gjithashtu islamizimi u dha mundësi
shqiptarëve që të integroheshin në jetën
e Perandorisë Osmane dhe të ruanin, deri në
një farë mase, pozitat e tyre ekonomike e politike.
Pasi e konsoliduan pushtetin osman në viset lindore të
Shqipërisë Qendrore, trupat osmane nisën sulmet
në drejtim të rajoneve perëndimore e bregdetare,
si dhe të Shqipërisë së Epërme dhe
asaj të Poshtme, sulme që i vazhduan pa ndërprerë
nga viti 1385 deri në vitin 1402 për t`i rifilluar
pas një dhjetëvjeçari. Pasi morën Zveçanin,
më 1393 osmanët arritën të pushtonin po
përkohësisht Shkodrën, Ulqinin, Dejën
e Krujën, të cilat i mbajtën deri më 1395.
Po në fund të shek. XIV ata morën përkohësisht
Janinën dhe pushtuan krahinat e Korçës e
të Përmetit. Zgjerimi i pushtimeve osmane në
Shqipëri u ndërpre përkohësisht pas betejës
së Ankarasë, të zhvilluar më 20 qershor
1402, ku trupat osmane pësuan një disfatë të
rëndë dhe sulltan Bajaziti I (1389-1402) ra rob
në duart e ushtrive fitimtare mongole të udhëhequra
nga Timurlengu. Pas kësaj beteje, për një dhjetëvjeçar,
jeta politike e Perandorisë Osmane u përfshi nga
konflikte të ashpra ndërmjet tre djemve të
Bajazitit I për trashëgimin e fronit, konflikte
që përfunduan me ardhjen në pushtet të
Mehmetit I (1413-1421). Sulltani i ri riaktivizoi politikën
pushtuese edhe në drejtim të Ballkanit dhe të
Shqipërisë.
Para se sulltan Mehmeti I të vinte në pushtet, në
vitin 1412 ushtritë osmane sulmuan Novobërdën
dhe e mbajtën të rrethuar për një kohë
të gjatë, por nuk e morën dot, sepse mbrojtësit
e saj luftuan me guxim. Ushtritë e sulltan Mehmetit I,
me vdekjen e Niketë Topisë, në fillim të
vitit 1415 pushtuan Krujën, gjatë vitit 1417 i morën
Beratin Teodor Muzakës dhe Kaninën bashkë me
Vlorën Rugina Balshës, kurse në vjeshtë
të vitit 1418 pushtuan Gjirokastrën, kryeqendrën
e zotërimeve të Zenebishëve.
Fitorja e trupave osmane në betejën e Fushë-Dardanisë
të vitit 1389 dhe konsolidimi i pushtetit të tyre
në fund të shek. XIV në qytetin e Shkupit,
në rajonet e lumit Vardar si dhe pushtimi i Krujës,
i Beratit, i Gjirokastrës etj., lehtësuan pushtimet
e mëtejshme osmane në Ballkan e në Shqipëri
dhe shtuan panikun në radhët e sundimtarëve
ballkanas, shumë prej të cilëve u bënë
vasalë të sulltanëve. Në Shkup u vendos
selia e bejlerbeut të Rumelisë, që ishte komandanti
i përgjithshëm i ushtrive osmane për pjesën
evropiane të saj. Me një personalitet të tillë
ushtarak e politik shumë të fuqishëm të
Perandorisë Osmane duhej të përballeshin vazhdimisht
fisnikët shqiptarë. Krahas tij ata duhej të
përballeshin edhe me pinjollët e shumtë të
familjes së fuqishme të Evrenozëve. Qysh kur
nisën pushtimet e para osmane në Shqipërinë
Lindore, në fund të shek. XIV, e deri në fund
të shek. XV, kur ranë në duart e tyre edhe
kështjellat e fundit në tokat shqiptare, ato të
viseve perëndimore, në të gjitha betejat e
aksionet e rëndësishme ushtarake të ushtrive
pushtuese u shquan si komandantë ushtarakë osmanë
një varg pinjollësh të familjes Evrenozi që
jetonin në Shkup. I pari i tyre ishte Evrenoz-Beu (Pasha
Jigit beu), i cili kishte pushtuar Thesalinë; emrin e
tij e përdorën gjatë shekujve si mbiemër
djemtë, nipërit e pasardhësit e tjerë
të tyre.
2. REGJIMI FEUDAL USHTARAK OSMAN NË SHQIPËRI
Regjistrimet e para kadastrale osmane në Shqipëri
Organizimi i Perandorisë Osmane dhe funksionimi i aparatit
të saj shtetëror mbështetej mbi pronën
feudale ushtarake, sistemin e timarit. Kjo lloj prone u vendos
në Ballkan dhe në Shqipëri gradualisht, që
me pushtimet e para osmane të shek. XIV. Por mungojnë
burimet historike të shek. XIV për të pasqyruar
dinamikën e shtrirjes në kohë e hapësirë
të sistemit të timarit.
Dokumenti më i hershëm i zbuluar der tani, për
të njohur sistemin agrar që vendosën pushtuesit
osmanë në Shqipëri dhe në Ballkan, është
një regjistër kadastral i vitit 835 h. (1431-1432),
i emërtuar "Regjistri i Sanxhakut Shqiptar"
(Defter-i Sancak-i Arvanid). Në të janë përfshirë
një pjesë e viseve të Shqipërisë
Perendimore, që shtriheshin nga Çamëria deri
në lumin Mat. Krahas pasqyrimit të shpërndarjes
së timareve në çastin e hartimit të
regjistrit, në të ka edhe shënime që u
referohen periudhave më të hershme, kohës së
sulltan Bajazitit I (1389-1402) dhe të sulltan Mehmetit
I (1413-1421).
Të dhënat e regjistrit të vitit 1431-1432 për
praninë e sistemit të timarit në Shqipëri
që në fund të shek. XIV janë fare të
pakta dhe kanë të bëjnë me krahinën
e Korçës e të Përmetit. Kurse për
kohën e sulltan Mehmetit I janë më të
shumta. Ato tregojnë se pas pushtimit prej osmanëve
në vitet 1417 e 1418 të kështjellave të
Gjirokastrës, të Beratit, të Kaninës etj.,
ishte bërë një regjistër kadastral dhe
ishte formuar Sanxhaku Shqiptar po me atë shtrirje të
përafërt që do të kishte edhe në
regjistrimin e mëvonshëm të vitit 1431-1432.
Në kohën e sulltan Mehmetit I pushtuesit osmanë
kryen regjistrimin themeltar të vendbanimeve, të
shtëpive, të pronave tokësore, i grupuan ato
nëpër timare të madhësive të ndryshme
(sipas funksionit e influencës që kishin spahinjtë),
caktuan llojet e taksave dhe sasinë e detyrimeve që
familjet e regjistruara duhet t`i paguanin shtetit dhe spahiut
të tyre.
Ata synonin të zbatonin sistemin e tyre feudal ushtarak
dhe, në radhë të parë, të vendosnin
pronësinë feudale osmane mbi tokën, e cila
ishte mjeti kryesor i prodhimit. Të gjitha tokat e punueshme,
arat, livadhet, kullotat, pyjet, korijet, pavarësisht
në duart e kujt ndodheshin, konsideroheshin pronë
mirie, d.m.th. pronë shtetërore (araz-i mirye) dhe
vetëm një fond i kufizuar tokash u jepej si pronë
private (araz-i mulk) komandantëve të shquar ushtarakë.
Toka vakuf (erz-i vakfe-tokë e shenjtë) formonte
një kategori të veçantë prone, atë
të institucioneve fetare.
Nga ana formale juridike pronari i tokave të shpallura
mirie konsiderohej Zoti, por ajo administrohej prej sulltanit,
i cili konsiderohej halif (mëkëmbës i profetit
Muhamed).
Me shpalljen e tokave të regjistruara si pronë mirie,
fshatarëve, që ishin pronarë tokash, iu kufizua
e drejta në pronat e tyre, kurse fisnikët shqiptarë
u zhveshën nga zotërimet e tyre dhe nga favoret
që kishin në bazë të së drejtës
feudale. Tani tokat e pushtuara hynë në fondin e
përgjithshëm tokësor të shtetit osman.
Në vartësi me madhësinë e të ardhurave
që, sipas funksioneve, rëndësisë e njohjeve,
u caktoheshin feudalëve të rinj osmanë, tokat
u pjesëtuan në feude të vogla, të mesme
dhe të mëdha, që administrata osmane i emërtonte
timare, ziamete e hase. Këto prona u shpërndaheshin
me kusht ushtarakëve të quajtur spahinj (d.m.th.
kalorës), subashë e sanxhakbejlerë, si dhe
funksionarëve civilë. Këta i mbanin pronat
për aq kohë sa ishin në funksionet përkatëse
dhe përmbushnin detyrimet e tyre.
Në fillim administrata osmane në Shqipëri,
në pjesën më të madhe të saj, përbëhej
nga të huaj. Krahas tyre kishte një numër të
konsiderueshëm spahinjsh shqiptarë të islamizuar,
të cilët përgjithësisht vinin nga radhët
e fëmijëve të fisnikëve që sulltani
i kishte marrë si pengje. Kishte edhe një numër
të kufizuar spahinjsh shqiptarë të krishterë.
Timaret e këtyre të fundit përgjithësisht
ishin në zona të thella, mbi të cilat administrata
osmane e kishte shumë të vështirë të
vepronte.
Krahinat e pushtuara osmanët i ndanin në njësi
të ndryshme administrativo-ushtarake. Këto njësi
nuk ishin krijesa arbitrare, por mbështeteshin në
lidhjet historike e traditën vendase të ndarjeve
kishtare e administrative. Sanxhakët ishin njësitë
më të rëndësishme administrativo-ushtarake
të Perandorisë Osmane.
Sipas burimeve historike, që njihen deri tani, në
tokat shqiptare u krijuan, në periudha të ndryshme
të shek. XV, disa sanxhakë: pashasanxhaku i Shkupit,
sanxhaku i Janinës, Sanxhaku Shqiptar (Sancak-i Arvanid)
etj. Më i rëndësishmi prej tyre ishte pashasanxhaku
i Shkupit, që kishte 22 nahije gjithsej dhe një
shtrirje shumë të gjerë: nga Selaniku në
lindje dhe arrinte në perëndim deri në Gostivar
e Kërçovë. Burimet më të hershme
historike për organizimin e tyre, që kanë arritur
të ruhen deri në ditët tona, i përkasin
Sanxhakut Shqiptar.
Sanxhaku Shqiptar pati si kryeqendër Gjirokastrën
dhe shtrihej nga Çamëria deri në lumin Mat.
Ai bënte pjesë në ejaletin e Rumelisë,
ku përfshiheshin të gjithë sanxhakët e
Ballkanit. Sanxhaku Shqiptar ishte i ndarë në njësi
të vogla, në vilajete, ku përfshiheshin disa
krahina (nahije).
Në krye të sanxhakut qëndronte sanxhakbeu,
komandanti i ushtrisë së sanxhakut që formohej
nga disa qindra spahinj. Në krye të vilajetit ishte
subashi, komandanti i spahinjve që i kishin timaret në
vilajetin përkatës. Subashët vareshin nga sanxhakbeu
dhe kishin vetëm funksione ushtarake.
Në çdo vilajet, pranë subashëve ishin
kadilerët, kryetarët e zyrës së Sheriatit
(Ligji i Shenjtë), të cilët kryenin funksione
administrative, civile, gjyqësore dhe fetare. Ata si
kryetarë gjyqi, vendosnin jo vetëm në proceset
juridike, por edhe ndërhynin në çështjet
e shfrytëzimit dhe të ndarjes së timareve.
Pranë kadilerëve kishte edhe funksionarë të
tjerë të administratës shtetërore osmane.
Këta ishin naibët, zëvendësit e kadilerëve,
dhe imamët, funksionarët e kultit osman. Në
çdo qytet ishte edhe dizdari, komandanti i rojeve të
kështjellës. Të gjithë ata ishin të
pajisur me timare. Popullsia jo myslimane (e krishterë,
etj.) cilësohej raja (e nënshtruar).
Regjistrimi kadastral i vitit 835 h. (1431-1432)
Aparati shtetëror qendror e lokal i Perandorisë
Osmane kujdesej për zbatimin e sistemit të timarit,
mbi bazën e të cilit ishte ngritur e funksiononte
tërë ngrehina politike, ushtarake e administrative
e Perandorisë Osmane. Të ardhurat që vileshin
nga tatimet e sistemit të timarit mbanin në këmbë
gjithë aparatin shtetëror dhe mbulonin shpenzimet
e tij. Gjithashtu ushtria e spahinjve, e zotëruesve të
timareve, ishte pjesa më e rëndësishme e forcave
ushtarake osmane që zbatonte sistemin e timarit, që
mbante në këmbë Perandorinë Osmane dhe
që, nëpërmjet luftërave pushtuese, zgjeronte
kufijtë e saj.
Kujdesin e veçantë, që kishte aparati shtetëror
për zbatimin e sistemit të timarit, e tregojnë
më së miri procesi i regjistrimeve kadastrale të
herëpashershme dhe shënimet e shumta anësore
me të cilat janë pajisur regjistrat përkatës.
Hartuesit e kadastrave (eminët) dërgoheshin nga
kryeqyteti për të bërë regjistrimet. Në
bazë të dekreteve (berateve), që sulltani u
kishte lëshuar spahinjve, eminët shkonin fshat më
fshat për të regjistruar shtëpitë, pronat
e tatimet që duhej të vileshin. Në përfundim
të këtij procesi eminët hartonin regjistrat
e hollësishëm (mufasal defteri). Gjithashtu ata
bënin edhe kopje të përmbledhura të tyre,
siç është edhe regjistri kadastral i vitit
835 h. (1431-1432), që është zbuluar në
arkivat turke. Ai është i pajisur me shënime
anësore që janë bërë vazhdimisht,
deri në vitin 1455, për të pasqyruar zëvendësimin
e spahinjve të mëparshëm me të rinj, ndryshimet
që pësonin timaret, duke i zmadhuar ose zvogëluar
ato, si dhe krijimin e timareve të reja me fshatra e
grupe familjesh që zbuloheshin si të paregjistruara
e të fshehura etj. Prandaj herë pas here ndërmerreshin
regjistrime të reja, nëpërmjet të cilave
administrata qendrore e ajo lokale siguronte pasqyra më
të plota e të sakta për funksionimin e sistemit
të timarit. Në këtë kuadër u ndërmor
edhe regjistrimi i vitit 835 h. (1431-1432), nga i cili është
zbuluar një kopje e përmbledhur e tij. Ai është
regjistri kadastral më i hershëm për Ballkanin
i hartuar nga administrata osmane dhe i zbuluar deri më
tani. Kjo kopje është e ndarë rastësisht
në dy pjesë, nga të cilat vetëm njëra
është botuar në vitin 1954 prej historianit
turk Halil Inalçik. Në të janë shënuar
emrat e ndarjeve administrative e të qendrave të
banimit, emrat e spahinjve, llojet e tatimeve që paguheshin
e madhësia e tyre e shënuar në akçe
(monedhë osmane) etj.
Ashtu si gjatë regjistrimit të kohës së
sulltan Mehmetit I, edhe me regjistrimin e ri të vitit
835 h. (1431-1432), Gjirokastra vazhdoi të ishte kryeqendra
e Sanxhakut Shqiptar dhe në këtë sanxhak ishin
përfshirë krahinat nga Çamëria deri
në lumin Mat. Ai ishte i ndarë në 11 vilajete,
të cilat më vonë do të quhen kaza: vilajeti
i Gjirokastrës, i Këlcyrës, i Kaninës,
i Beratit, i Tomoricës, i Skraparit, i Pavël-Kurtikut,
i Çartallozit, i Krujës, i Përmetit dhe i
Korçës. Dy vilajetet e fundit janë përfshirë
në pjesën e pabotuar të regjistrit osman të
vitit 835 h. Si sanxhakbe i Sanxhakut Shqiptar u caktua Ali
bej Evrenozi.
Krahas krahinave që ishin përfshirë në
Sanxhakun Shqiptar, shënimet anësore të regjistrit
të vitit 835 h. (1431-1432) tregojnë se ndërkohë
osmanët kishin regjistruar edhe rajone të tjera
shqiptare. Sipas tyre, në një regjistër të
veçantë e të panjohur deri tani ishin shënuar
zotërimet e Gjon Kastriotit. Në këto regjistra
nuk u përfshinë zotërimet veneciane në
Shqipëri.
Sipas regjistrit të vitit 835 h. në Sanxhakun Shqiptar
ishin rreth 475 timare, duke përfshirë edhe shtesat
e bëra gjatë viteve të mëvonshme. Shumica
e timareve, afro 80% e tyre, u ishte dhënë spahinjve
myslimanë të huaj, midis të cilëve kishte
edhe osmanë. Pjesa tjetër ishin spahinj shqiptarë
myslimanë apo të krishterë. Këta, veçanërisht
spahinjtë e krishterë, ishin caktuar në rajone
të thella, ku administrata osmane e kishte vështirë
të vepronte. Në raste të tilla eminët
nuk shkelnin fare nëpër fshatra dhe i regjistronin
banorët e tyre formalisht, sipas regjistrit të mëparshëm
ose deklarimit të spahinjve. Kështu u veprua për
fshatrat e rajonit të Këlcyrës, për fshatrat
e viseve përgjatë rrjedhjes së lumit Shkumbin
etj.
Rrjedhimet e sistemit të timarit
Vendosja e sistemit të timarit ndryshonte raportet e
pronësisë mbi tokën, që ishte çështja
themelore për jetën ekonomike, shoqërore e
politike të vendit dhe që përcaktonte shkallën
e zhvillimit të marrëdhënieve feudale.
Si trashëgim nga e drejta bizantine, për shekuj
të tërë toka në tërësi konsiderohej
se i përkiste sovranit (perandorit, mbretit etj.). Në
këtë mënyrë ishin motivuar detyrimet që
popullsia kishte ndaj pushtetit shtetëror qendror për
prodhimet e tokës dhe që përbënte atë
pjesë të rentës që merrte shteti bizantin
(renta qendrore). Pjesa tjetër e rentës u përkiste
individëve të veçantë, përfaqësuesve
të shtresës së pasur, që ishte në
krye të jetës ushtarake, politike e ekonomike në
provinca. Një rentë e tillë, e ndarë në
dy pjesë, krijonte marrëdhënie që në
njërën apo tjetrën formë kufizonin të
drejtat e pronësisë private mbi tokën. Mbi
këtë formë të rentës qe ngritur e
kishte vepruar institucioni feudal bizantin i pronies. Me
kalimin e kohës kornizat kufizuese mbi të drejtat
e pronësisë mbi tokën erdhën duke u shkelur
gjithnjë e më shumë, derisa institucioni i
pronies në fakt pushoi së vepruari dhe përgjithësisht
toka kishte kaluar në pronësi private të plotë
deri në shitblerjen e saj.
Me zbatimin e sistemit të timarit, pushtuesit osmanë
realisht rivendosën pronien bizantine dhe prekën
shtresat e ndryshme shoqërore, sidomos fisnikërinë
shqiptare, e cila përgjithësisht u zhvesh nga pronat
e veta. Vetëm një pjesë e përfaqësuesve
të saj u integruan në radhët e spahinjve e
të drejtuesve të shtetit osman. Këta, si dhe
individë nga shtresat e tjera, qofshin edhe të ulëta,
që futeshin në radhët e luftëtarëve
osmanë dhe dalloheshin në luftime, merrnin timare
dhe poste të ndryshme, madje edhe në viset shqiptare.
Si vendas ata duhej të zbusnin pakënaqësinë
e shqiptarëve ndaj pushtuesve të huaj dhe të
ndihmonin në vendosjen e sistemit të timarit. Edhe
disa familje që ishin caktuar për ruajtjen e mirëmbajtjen
e kështjellave e të ngushticave nga kalonin rrugët,
osmanët i lironin nga një pjesë e detyrimeve
për t`i lidhur me pushtetin e tyre.
Elementë të tjerë nga radhët e fisnikërisë
shqiptare u përfshinë në shtresën e spahinjve
e të funksionarëve osmanë nëpërmjet
institucionit të iç-ogllanit (pazhë) dhe
të gulamit (djalë i rritur).
Dokumentet dëshmojnë se, qysh kur nisën sulmet
për pushtimin e tokave shqiptare, osmanët i kushtuan
vëmendje shtresës së fisnikëve. Krahas
prirjes për mënjanimin e përfaqësuesve
të pabindur të kësaj shtrese, aty ku qëndresa
ishte e dobët, në rajonet ku vendosja e pushtetit
osman ishte e vështirë, pushtuesit u përpoqën
të përdornin elementë nga radhët e fisnikërisë
shqiptare për të neutralizuar pakënaqësinë
dhe qëndresën e tyre. Për këtë ata
përdorën marrëdhëniet e vasalitetit dhe
i detyronin fisnikët shqiptarë të dërgonin
bijtë e tyre të vegjël si pengje në oborrin
e sulltanit, si iç-ogllanë (pazhë). Këtu
ata konvertoheshin në fenë islame dhe edukoheshin
me frymën e besnikërisë ndaj sulltanit. Pas
një dekade, kur mendohej se ishin formuar si osmanllinj
të vërtetë, ata pajiseshin me timare të
mëdha dhe ofiqe të larta, sipas aftësive që
tregonin. Nëpër institucionin e iç-ogllanit
kaluan i biri i Gjon Kastriotit, Skënderbeu, i biri i
Teodor Muzakës, Jakup Beu, i biri i Gjon Zenebishit,
Hamza Beu etj.
Elementë të tjerë nga radhët e fisnikëve
shqiptarë qëndronin pranë bejlerbeve e sanxhakbejlerëve
si gulamë (djalë i rritur), jetonin e shërbenin
pranë tyre që të përgatiteshin për
karrierën e feudalit osman. Pas kësaj, gulamëve
të islamizuar mund t`u jepeshin si timare dhe pronat
e baballarëve ose të afërmve të tyre.
Institucioni i gulamit u zbatua edhe në Shqipëri.
Iç-ogllanë e gulamë me origjinë shqiptare
morën timare e poste jo vetëm në Shqipëri,
por edhe në rajone të tjera të Perandorisë
Osmane.
Këto masa nuk e dobësuan pakënaqësinë
dhe qëndrimin e fisnikëve shqiptarë, të
cilët përgjithësisht pushtimi osman i shkatërroi
si shtresë shoqërore, duke u marrë pronat dhe
të drejtat ekonomike, politike, gjyqësore e administrative
që rridhnin nga e drejta feudale.
Sistemi i timarit preku thellë edhe shtresën e gjerë
të fshatarësisë pronare tokash, së cilës
deri diku iu kufizua shitblerja e tokës si e drejtë
thelbësore e pronësisë reale mbi të. Nën
sistemin e timarit toka konsiderohej pronë e shtetit
dhe fshatari nuk mund ta braktiste atë. Vetëm me
lejen e spahiut ai mund t`ia shiste atë një personi
tjetër me kusht që blerësi të punonte
tokën, të përmbushte të gjitha detyrimet
ndaj shtetit e spahiut dhe t`i paguante këtij të
fundit një taksë të veçantë, atë
të tapisë, që lidhej me aktin e blerjes. Sistemi
i timarit e përkeqësoi gjendjen e fshatarësisë
si pronare tokash, e vendosi atë nën detyrime të
shumta dhe nën varësinë e feudalëve të
huaj osmanë. Duke u shpallur të gjitha tokat si
pronë shtetërore (mirie), fshatarët ish-pronarë
ndiheshin si të zhveshur nga pronat e tyre.
Para pushtimit osman fshatarët përgjithësisht
i paguanin kryezotit të tyre të dhjetën e prodhimeve
bujqësore, një dukat dhe obrokun (që ishte
4 grosh = 2/9 e dukatit) për çdo shtëpi.
Kurse tani nën sistemin e timarit u rrit llojshmëria
dhe madhësia e detyrimeve ndaj shtetit dhe timarlinjve
(spahinjve). Këta të fundit u merrnin për vete
fshatarëve yshyrin (e dhjeta), si taksë në
natyrë për të gjitha prodhimet bujqësore
e çdo aktivitet tjetër ekonomik, ispenxhën,
taksë në të holla që ishte 25 akçe
për familje fshatare jomyslimane (të krishterë
etj.), 22 akçe për familje myslimane (e njohur
me emrin resmi-çift) dhe ishte më e vogël
për beqarët e moshës madhore, si dhe për
familjet e drejtuara nga gra që u kishin vdekur burrat.
Gjithashtu spahinjtë merrnin taksën e tapisë
së tokës, kur ajo shitej apo trashëgohej nga
fëmijët, taksën e martesës, gjoba të
ndryshme etj. Kurse shteti merrte xhizjen, taksë që
e paguanin për familje popullsitë jomyslimane (rajatë)
që ishte në masën e 45 akçeve në
vit, xhelepin, taksë e blegtorisë, të dhjetën
e gjakut, që ishte një tribut vjetor me djem të
vegjël, të cilin ishte e detyruar ta jepte çdo
qendërbanim për të mbushur radhët e ushtrisë
së jeniçerëve. Çdo familje, pavarësisht
nga besimi, paguante avarizin e divanit, që ishte detyrim
në të holla për Këshillin e Lartë
të shtetit turk. Gjithashtu ato kishin edhe një
varg detyrimesh specifike, si p.sh. mbulimin e shpenzimeve
të ushtrisë kur ajo shkonte në luftë etj.
Pesha e detyrimeve të mësipërme rëndohej
edhe më shumë prej abuzimeve që bëheshin
gjatë vjeljes së tyre me dhunë nga aparati
i fuqishëm ushtarako-administrativ i Perandorisë
Osmane që, për nga ashpërsia, ishte i pakrahasueshëm
me atë të sundimtarëve vendas të mëparshëm.
Sa kohë që Perandoria Osmane vazhdonte të zgjeronte
kufijtë e saj, spahinjtë nuk i kushtonin vëmendjen
e duhur mbarëvajtjes së timareve, sepse të
ardhurat që vilnin prej tyre ishin më të vogla
nga ato që siguronin nëpërmjet grabitjeve gjatë
luftërave pushtuese apo shtypjes së kryengritjeve
e revoltave të ndryshme. Kur dalloheshin nëpër
luftime, spahinjtë e ushtarët e tjerë osmanë
në viset e sapopushtuara merrnin timare më të
mëdha nga ato që kishin pasur më parë.
Sipas së drejtës feudale osmane, spahiu e mbante
timarin për aq kohë sa përmbushte detyrimin
e pjesëmarrjes në luftë bashkë me pajisjet
personale luftarake sa herë ta thërrisnin eprorët
e tij. Kur timari i siguronte spahiut deri në 5 mijë
akçe të ardhura në vit, duhej të shkonte
në luftë vetëm dhe, për çdo 5 mijë
akçe të ardhura më tepër, ai duhej të
merrte me vete nga një ushtarak të armatosur (xhebeli).
Pozita e spahinjve, si zotërues timaresh, konsiderohej
e përkohshme dhe e pasigurtë, prandaj veprimtaria
e tyre karakterizohej nga abuzimet, grabitjet e krime të
shumta, po ashtu siç vepronin edhe gjatë fushatave
ushtarake. Vetë kronistët osmanë bashkëkohës
me ngjarjet e mësipërme dëshmojnë për
dhunën e spahinjve, për shkretimin e krahinave të
tëra gjatë fushatave ushtarake të tyre, për
grabitjen e pasurive të tundshme e të patundshme
të banorëve të viseve që sulmoheshin,
të gjësë së gjallë, si dhe të
fëmijëve e të të rriturve, të cilët
shiteshin si skllevër.
3. KRYENGRITJET ANTIOSMANE NË SHQIPËRI
(VITET 30 TË SHEK. XV)
Qëndresa antiosmane në Shqipëri
Pas pushtimit të kështjellave të viseve perëndimore
shqiptare në fillim të shek. XV, osmanët vendosën
edhe në këtë rajon të Shqipërisë
administratën e tyre pushtuese. Nëpërmjet regjistrimeve
të herëpashershme të banorëve e të
tokës dhe të ndarjes së saj në prona të
vogla feudale (timare), pushtuesit vendosën sistemin
feudal ushtarak osman të timareve, që ishte i ngjashëm
me sistemin e pronies bizantine. Kjo lloj prone ishte në
shpërbërje të plotë në prag të
pushtimit osman dhe shoqëria shqiptare ndodhej në
fazën e zhvilluar të feudalizmit, ku prona tokësore
shitej e blihej lirisht. Nëpërmjet këtyre regjistrimeve
osmanët i zhveshën fisnikët shqiptarë
nga pronat e mëdha tokësore dhe nga pozitat e tyre
drejtuese. Përveç kësaj, sulmet e njëpasnjëshme
të ushtrive osmane për pushtimin e trojeve shqiptare,
të shoqëruara me dhunë të egër e
me shkatërrime masive, me rrëmbim të fëmijëve
për të mbushur repartet e jeniçerëve
si dhe me rrëmbimin e të rriturve për t`i shitur
si skllevër, e dëmtuan rëndë jetën
ekonomike të vendit dhe shkaktuan një pakënaqësi
të thellë në të gjitha shtresat shoqërore,
duke i bashkuar e duke i ngritur këta në luftë
kundër armikut të përbashkët, pushtuesit
të huaj osman. Qëndresa dhe lufta e shqiptarëve
shpërtheu kudo në forma të ndryshme deri në
kryengritje të fuqishme.
Përballë një pushtuesi shumë të fuqishëm
e të organizuar mirë, siç ishte Perandoria
Osmane, një pjesë e shqiptarëve braktisnin
përkohësisht vendbanimet e veta, duke u strehuar
në vise të thella e malore, ku mund të përballohej
më lehtë dhuna e pushtuesve. Të tjerë
morën rrugën e mërgimit dhe u vendosën
në Itali e në vende të tjera të huaja.
Braktisja e fshatrave nga banorët u bë një
dukuri e përhapur në rajonet ku zhvilloheshin luftime
ose që gjendeshin pranë rrugëve nga kalonin
ushtritë pushtuese. Kjo dukuri është pasqyruar
në regjistrin kadastral osman të vitit 835 h. (1431-1432),
në të cilin janë shënuar me dhjetëra
fshatra e qendërbanime të braktisura plotësisht
e toka buke të bëra djerrina, që gjendeshin
në rajonet pranë qendrave ushtarako-administrative,
si Gjirokastra, Kanina, Berati, Kruja etj.
Qëndresa e shqiptarëve ndaj pushtuesve osmanë
shfaqej në forma të ndryshme. Shumë familje
përpiqeshin t`u shmangeshin regjistrimeve kadastrale
që administrata osmane ndërmerrte herë pas
here. Gjatë regjistrimeve ato largoheshin përkohësisht
nga vendbanimet e tyre e fshiheshin. Spahinjtë, nga ana
e tyre, përpiqeshin t`i zbulonin familjet e fshatrat
e fshehura dhe të vilnin prej tyre rentën. Në
regjistrin kadastral të vitit 835 h. (1431-1432) gjenden
mjaft shënime për zbulimin e familjeve, e deri të
fshatrave të tëra, që ishin fshehur e kishin
mbetur të paregjistruara. Kështu, p.sh., në
krahinën e Korçës e të Përmetit
vetëm dy spahinj (Sunkurxhe Beu dhe Abdullahu) kishin
zbuluar dhe regjistruar për herë të parë
212 familje.
Qëndresa e shqiptarëve ndaj pushtuesve osmanë
shpërthente edhe në forma më të ashpra.
Masa të tëra fshatarësh nuk pranonin të
shkonin para komisioneve të regjistrimit dhe me armë
në dorë i kundërshtonin ato, duke krijuar situata
të rrezikshme për jetën e personave që
duhej të shkelnin nëpër fshatra për të
kryer regjistrimin e banorëve e të tokave. Përballë
një qëndrimi të tillë, në shumë
raste zyrtarët e kryenin regjistrimin formalisht e në
kundërshtim me ligjet e tyre, pa shkuar në fshatrat
përkatëse. Kështu p.sh. gjatë regjistrimit
të lartpërmendur, për një numër të
madh fshatrash të krahinave të Këlcyrës,
të Kurveleshit etj. ai u bë formalisht, sipas të
dhënave që ishin shënuar në regjistrat
e mëparshëm. Kurse shumica e fshatrave, që
gjendeshin në krahinat ndërmjet lumenjve Shkumbin
dhe Erzen, u regjistruan sipas deklarimit gojor të spahinjve
të tyre. Me dhjetëra e dhjetëra fshatra të
tjera nëpër krahina të ndryshme nuk iu dhanë
menjëherë spahinjve, por u shënuan nëpër
regjistra si mevkuf (të bllokuar) për t`ua shpërndarë
atyre më vonë. Numri i familjeve të fshehura
arrinte në qindra.
Sanxhakbejlerët dhe funksionarët e tjerë osmanë
përdorën gjerësisht e vazhdimisht forcat e
tyre ushtarake për të zbatuar sistemin e timarit.
Ata ndërmerrnin sulme të herëpashershme mbi
fshatrat e pabindura dhe i shndërronin ato në gërmadha.
Dhunës së tyre shqiptarët iu përgjigjën
me luftë të armatosur, duke vepruar në bazë
fshati, madje edhe banorët e disa fshatrave bashkëvepronin
kundër pushtuesve. Në regjistrin e vitit 835 h.
(1431-1432) ka shënime që cilësojnë fshatra
apo timare të formuara me disa fshatra si "çerdhe
qafirësh", "të hedhur në revoltë"
etj. Për fshatin Luzat të Kurveleshit është
vënë shënimi se "është fshat
tradhtar, tre-katër herë dërguan njerëz,
por nuk u kthyen".
Objekt i luftës së fshatarësisë u bënë
edhe feudalët spahinj. Shënimet e regjistrit të
vitit 835 h. (1431-1432) përmendin mjaft raste të
vrasjes së spahinjve dhe të zhdukjes së tyre
pa lënë gjurmë. Në rrethana të tilla
shumë spahinj osmanë i braktisën timaret. Rrjedhimisht
pushteti osman detyrohej t`i zëvendësonte spahinjtë
me persona të tjerë. Kështu p.sh. në vilajetin
e Pavël Kurtikut, të Çartallozit, të
Tomoricës, të Këlcyrës etj., gjatë
regjistrimit të vitit 835 h. (1431-1432), asnjë
timar nuk ishte më nën zotërimin e spahinjve
me origjinë të huaj, që kishin qenë gjatë
regjistrimit të mëparshëm.
Kryengritja e Gjon Kastriotit (1429-1430)
Pushtimi osman i vendit dëmtoi rëndë interesat
e të gjitha shtresave shoqërore, duke përfshirë
edhe elitën drejtuese shqiptare. Një pjesë
e fisnikëve të Shqipërisë së Poshtme,
që i humbën plotësisht pronat e tyre, emigruan
nga Shqipëria. Të tjerë në viset e Shqipërisë
Qendrore e të Epërme, si Kastriotët, Arianitët,
Muzakajt, Dukagjinët, Zahariajt, Spanët etj. u përpoqën
të shmangnin rrënimin e plotë të tyre,
duke u dhënë garanci, tribute e pengje osmanëve,
si dhe duke forcuar lidhjet me Venedikun dhe vendet e tjera
me prirje antiosmane. Sulmet e ushtrive osmane mbi zotërimet
e fisnikëve shqiptarë nxiteshin edhe nga vjehrri
i mëvonshëm dhe vasali besnik i sulltan Muratit
II, që ishte sundimtari i Despotatit të Rashës,
Gjergj Brankoviçi, i cili ishte në luftë
me fisnikët shqiptarë jo vetëm në rajonin
bregdetar të Shqipërisë së Epërme.
Nën trysninë edhe të fisnikëve shqiptarë,
Gj. Brankoviçi u detyrua në vitin 1428 të
zhvendoste kryeqytetin në veri të Despotatit të
tij, në Smederevë, në brigjet e lumit Danub.
Kur presioni i pandërprerë osman përshkallëzohej
aq shumë mbi fisnikët shqiptarë, sa që
rrezikonte tërësisht ekzistencën e tyre, ata
nuk ngurronin të rrëmbenin armët. Pakënaqësia
e shtresave të gjera shoqërore ndaj pushtimit osman
u kishte krijuar fisnikëve shqiptarë mundësi
të reja e të panjohura më parë për
krijimin e ushtrive të mëdha e pa pagesë, të
karakterizuara nga një shpirt i lartë vetëmohimi,
që nuk njihet në kushtet e luftërave të
zakonshme feudale dhe tek ushtritë mercenare.
Kryengritja e parë në shkallë krahinore, që
njihet deri tani, i përket kohës së sulltan
Mehmetit I dhe duhet të jetë zhvilluar gjatë
viteve 1419-1421. Burimet historike, që e përmendin
atë, nuk japin hollësi për zhvillimin e saj,
veçse tregojnë që banorët e krahinës
së Vagenetisë (Çamërisë) u hodhën
në kryengritje.
Në fund të viteve 20 të shek. XV dy ngjarje
të rëndësishme ndikuan në jetën politike
të fisnikëve shqiptarë: fuqizimi në drejtimin
e pashasanxhakut të Shkupit i familjes së Evrenozëve
(veçanërisht dy përfaqësues të
saj Isak Beu dhe, pas vdekjes së tij, i biri, Isa Beu,
arritën të fuqizoheshin shumë ekonomikisht
duke shfytëzuar zgjerimin e pushtimeve osmane në
Ballkan) dhe sidomos lufta e ushtrive osmane për pushtimin
e qytetit të Selanikut, që në vitin 1423 kishte
kaluar nën zotërimin e Venedikut.
Konfliktin e armatosur ndërmjet sulltan Muratit II dhe
Republikës së Venedikut për qytetin e Selanikut,
që zgjati afro tre vjet (1428-1430), disa prej fisnikëve
shqiptarë e panë si një mundësi për
shtrirjen e pushtetit të tyre mbi viset që ishin
nën zotërimet veneciane dhe osmane. Kurse për
Venedikun dhe sidomos për pushtuesit osmanë lufta
e mësipërme i vinte në provë fisnikët
shqiptarët nëse do të përmbushnin apo
jo angazhimet ushtarake që kishin ndaj tyre.
Qysh në gusht të vitit 1428 njoftohej se Gjon Kastrioti
ishte nën presionin e pandërprerë të sulltanit
që të sulmonte zotërimet veneciane dhe se një
djalë i tij, që ishte "bërë turk
e mysliman", i mbante trupat ushtarake pranë rajonit
venecian të Shkodrës. Kurse Stefan Spani, Kojë
Zaharia dhe Stefan Maramonti, sipas dokumenteve të fillimit
të vitit 1430, kishin ndërmarrë aksione të
pasuksesshme kundër zotërimeve të Venedikut
në rajonin e Shkodrës. Ndërkohë Gojçin
Gjurashi (Cërnojeviçi) kishte çliruar zotërimet
e tij në Gentë, duke dëbuar prej tyre forcat
e despotit serb të Rashës, Gjergj Brankoviçit,
djalë i Vukut.
Edhe marrëdhëniet e fisnikëve shqiptarë
me osmanët acarohen shumë dhe pozitat e pushtetit
osman në tokat shqiptare qenë dobësuar, ndonëse
mungojnë të dhënat burimore për aksionet
antiosmane të shqiptarëve. Nëpërmjet tyre
tërthorazi del se ushtria e Gjon Kastrioti ka rrethuar
Krujën dhe është përpjekur ta pushtojë
atë, kështjellë që nuk është
marrë ndonjëherë me forcën e armëve.
Sidoqoftë, pushteti osman në tokat e Shqipërisë
Perëndimore ishte tronditur thellësisht. Prandaj,
pa pritur nënshkrimin e traktatit të paqes më
Venedikun (4 shtator 1430), por sapo pushtuan Selanikun (29
mars 1430), ushtritë osmane të komanduara nga Isak
Evrenozi dhe me pjesëmarrjen e trupave serbe, të
komanduara nga djali i Gjergj Brankoviçit, iu drejtuan
shtetit të Gjon Kastriotit. Sulmi i tyre qe i papërballueshëm.
Gjatë muajve prill-maj 1430 ushtritë osmane shkatërruan
disa kështjella të Gjon Kastriotit dhe arritën
në Prishtinë. Prej këtu morën rrugën
në drejtim të Gentës dhe në fund të
muajit qershor, pasi thyen qëndresën e Gojçin
Gjurashit, zbritën deri në rrethinat e Shkodrës,
duke plaçkitur vendin, dhe morën Dejën.
Përballë një situate të tillë Gjoni
kërkoi marrëveshje me Isak Beun. Edhe me ndërhyrjen
e Skënderbeut dhe të Stanishtës pranë
autoriteteve osmane, u rimëkëmb shpejt shteti i
Kastriotëve. Gjatë gjysmës së parë
të viteve 30 sërish ai u bë kufitar me zotërimet
veneciane të Lezhës e të Shkodrës, siguroi
dalje në det dhe kishte nën kontrollin e vet rrugët
tregtare që lidhnin bregdetin me Prishtinën dhe
Shkupin.
Gjon Kastrioti vdiq në fillim të muajit maj të
vitit 1437 (2 ose 4 maj). Emri i tij do të përmendet
edhe në dy dokumente të mëvonshme (mars 1438
dhe korrik 1439) në kuadrin e përpjekjeve të
Stanishës e të Skënderbeut, si drejtues të
rinj të shtetit të Kastriotëve, për të
vijuar me Venedikun dhe me Raguzën po ato marrëdhënie
që kishte pasur i ati i tyre, Gjon Kastrioti.
Fitoret e Gjergj Arianitit (1432-1435) dhe zgjerimi i
luftës antiosmane
Regjistrimi kadastral osman i vitit 835 h. (1431-1432) u shoqërua
me dhunë të ashpër të forcave pushtuese.
Dokumente të kohës tregojnë se gjatë verës
së vitit 1432 shqiptarët masivisht emigruan në
drejtim të Puljes e të Venedikut. Pakënaqësia
e përgjithshme nga regjistrimi kadastral i vitit 835
h. (1431-1432), nxitja e revoltës së tyre nga Selia
e Shenjtë dhe oborri hungarez, si dhe lajmi i pasaktë
për vdekjen e sulltan Muratit II bënë që
shqiptarët të hidheshin në luftë kundër
pushtuesve osmanë.
Në ballë të kësaj vale të re e të
fuqishme kryengritjesh u vu Gjergj Arianiti. Shqiptarët,
të udhëhequr prej tij, i dëbuan spahinjtë
osmanë prej një pjese të konsiderueshme të
zotërimeve të Arianitëve. Qysh në fund
të viteve 20, gjatë luftës veneto-osmane për
zotërimin e Selanikut, kufijtë lindorë të
shtetit të Gj. Arianitit duhet të jenë shtrirë
në atë kohë deri në Manastir. Ndërkohë
kryengritje shpërthyen edhe në krahina të tjera
të vendit dhe i paralizuan forcat osmane që ishin
në tokat shqiptare. Ato ndodheshin përballë
asgjësimit të plotë, prandaj sulltan Murati
II vendosi të merrej vetë me shtypjen e kryengritjeve
shqiptare.
Gjatë dimrit të vitit 1432-1433 sulltani u vendos
në Serez. Këtu u grumbulluan ushtritë osmane
dhe, duke ndjekur rrugën Egnatia, do të marshonin
e do të sulmonin forcat e Gjergj Arianitit për ta
nënshtruar atë.
Në Serez sulltani organizoi një ushtri prej 10 mijë
vetash dhe në krye të tyre vuri sanxhakbeun e Sanxhakut
Shqiptar, Ali bej Evrenozin. Ushtria osmane hyri në thellësi
të shtetit të Gj. Arianitit dhe arriti në luginën
e Shkumbinit pa u ndeshur me luftëtarët shqiptarë.
Por, kur përparuan në thellësi të luginës,
forcat e Gj. Arianitit u shfaqën befasisht dhe menjëherë
e sulmuan ushtrinë osmane pranë burimeve të
Bushekut. Shumë ushtarë osmanë u vranë
ose ranë robër në duart e shqiptarëve,
ndërsa të tjerët, bashkë me komandantin
e tyre Ali bej Evrenozin, morën arratinë.
Kjo ishte fitorja e parë e rëndësishme e shqiptarëve
kundër ushtrive të fuqishme osmane. Ajo pati jehonë
edhe në vendet e tjera dhe i dha hov luftës antiosmane
në Shqipëri. Fitorja, siç ka shkruar një
bashkëkohës i saj, kronisti bizantin Halkokondili,
i solli "lavdi të shkëlqyer" Gjergj Arianitit,
që u bë personazhi kryesor i jetës politike
shqiptare të viteve 30.
Vala e kryengritjeve antiosmane u përhap edhe në
rajonet e Shqipërisë së Poshtme, edhe pse pozitat
e osmanëve ishin fuqizuar atje me pushtimin prej tyre,
në tetor të vitit 1430, të kryeqendrës
së atyre viseve, të Janinës. Kryengritësit
thirrën nga emigrimi në Korfuz dhe e vendosën
në krye të tyre Depë Zenebishin, djalin e ish-sundimtarit
të vdekur të tyre. Pas kthimit të D. Zenebishit
kryengritësit rrethuan dhe sulmuan kryeqendrën administrative
të Sanxhakut Shqiptar, Gjirokastrën. Për dëmtimin
e mureve të kështjellës dhe çlirimin
e saj, sulmuesit përdorën makina gurëhedhëse.
Ndërkohë kryengritësit i shtrinë veprimet
e tyre edhe në krahinat fqinjë dhe arritën
të pushtonin kështjellën e Këlcyrës.
Kjo situatë i alarmoi osmanët. Prandaj, në
kushtet e vështira të dimrit, u organizua një
ushtri e re osmane e komanduar nga Turhan Beu. Në fillim
të vitit 1433, duke marshuar me shpejtësi nëpër
dëborë, ushtria e Turhan Beut në bashkëpunim
me garnizonin osman të Gjirokastrës i sulmuan befasisht
rrethuesit e kështjellës. Shqiptarët, të
vënë ndërmjet dy zjarreve, nuk e përballuan
dot goditjen dhe me humbje të rënda u tërhoqën
nga rrethimi i Gjirokastrës. Osmanët e zunë
rob Depë Zenebishin dhe e varën.
Valët e kryengritjeve antiosmane u përhapën
edhe në rajone të tjera të vendit. Në
Shqipërinë e Epërme, Nikollë Dukagjini
mori në duart e tij kështjellën e Dejës.
Por këtë kështjellë Nikollë Dukagjini
e mbajti për pak kohë dhe ajo kaloi sërish
në duart e osmanëve. Në Shqipërinë
Qendrore kryengritësit e udhëhequr nga Andre Topia
sulmuan kështjellën e Krujës, por nuk e morën
dot. Edhe në zonën e Vlorës dokumentet e kohës
tregojnë se në vitin 1434 krerët e vendit donin
që "turqve t`ua hiqnin nga duart kështjellën
e Kaninës".
Gjatë viteve 30 të shek. XV zotërimet e Gjergj
Arianitit mbetën rajoni kryesor i luftës antiosmane,
prandaj sulltan Murati II, gjatë verës së vitit
1434, u vendos në Manastir. Këtu u grumbulluan ushtritë
osmane të Rumelisë dhe nën komandën e
bejlerbeut të tyre, Sinan Pashës, në fillim
të gushtit 1434 sulmuan zotërimet e Arianitëve.
Pasi hynë në thellësi të tyre, trupat
osmane u rrethuan dhe u goditën rreptë nga luftëtarët
shqiptarë. Në këtë betejë, shkruante
ato ditë Senati i Raguzës, shqiptarët "dolën
fitues në fushën e nderit dhe shumë turq u
vranë".
Pas fitores së shkëlqyer të shqiptarëve
në gusht të vitit 1434, u ngarkuan Isak bej Evrenozi
dhe sanxhakbejlerët e rajoneve kufitare që të
vazhdonin luftën për shkatërrimin e forcave
të Gj. Arianitit. Në dhjetor të vitit 1434
ushtria e Isak Beut iu drejtua zotërimeve të Arianitëve.
Shqiptarët i dolën përpara ushtrisë osmane
dhe zhvilluan me të një betejë të rreptë,
që përfundoi me një fitore të shkëlqyer
të tyre. Për këtë betejë Senati i
Raguzës do të shkruante ato ditë: "Isaku
vetëm me një numër shumë të vogël
ushtarësh mundi të shpëtojë. Nga ushtria
e tij shumë turq, nga më kryesorët e të
rëndësishmit, u vranë në luftë e
mbetën robër. Që prej asaj dite turqit mbetën
të tmerruar, duke mos pasur guxim kundër arbërve".
Luftimet ndërmjet shqiptarëve dhe forcave osmane
vazhduan edhe në vitin 1435. Më 20 prill të
këtij viti luftëtarët e Gj. Arianitit u ndeshën
rreptë me një ushtri osmane, duke e shpartalluar
atë dhe, siç shkruhej ato ditë, "e mbajtën
fushën e betejës si ngadhënjyes".
Pas disfatave të njëpasnjëshme, që pësuan
trupat osmane prej luftëtarëve të Gj. Arianitit,
sulltan Murati II ndërpreu dërgimin e ushtrive të
tjera kundër shtetit të Arianitëve dhe gjatë
viteve 1435 -1437 i angazhoi forcat e veta në Anadoll
kundër emirit Ibrahim të Karamanisë. Përkohësisht
në Shqipëri u krijua një gjendje e tillë
që, siç shkruhej në fund të vitit 1435,
"turqit e arbërit po qëndrojnë të
qetë në kufijtë e tyre pa ndonjë trazim
ose përleshje".
Kryengritjet e viteve 30 të shek. XV dhe fitoret e forcave
të Gj. Arianitit patën jehonë të madhe
si në Shqipëri, ashtu edhe në vende të
ndryshme të Evropës. Përpara bashkëkohësve
të huaj shqiptarët dolën si një nga popujt
më aktivë në luftën kundër pushtuesve
osmanë. Rëndësia e luftës së tyre
i kalonte kufijtë e botës shqiptare dhe me kohë
tërhoqi vëmendjen e shteteve evropiane, interesat
e të cilëve lidheshin me ngjarjet e Ballkanit. Gj.
Arianiti u bë personalitet i njohur evropian, sepse fitoret
e tij erdhën në një kohë kur Evropa ishte
mësuar të dëgjonte për disfatat që
pësonin forcat antiosmane. Për këto fitore
atë e përgëzuan personalitetet më të
shquara të kohës, si papa Eugjeni IV dhe perandori
gjerman Sigismund, që ishte njëkohësisht edhe
mbret i Hungarisë. Këta i dhanë luftës
së shqiptarëve një përkrahje të gjerë
morale.
Lufta e shqiptarëve përkonte me interesat e Hungarisë,
që gjendej përballë sulmeve të ushtrisë
osmane. Drejtuesit e kryengritjeve shqiptare si Gjergj Arianiti
e Andre Topia krijuan lidhje të ndërsjella me mbretin
e Hungarisë, Sigismundin, dhe dërguan përfaqësuesit
e tyre te njëri-tjetri. Ata projektuan që, duke
u mbështetur në viset e çliruara të
Shqipërisë, të organizonin një kryengritje
të përgjithshme antiosmane në Ballkan. Për
këtë qëllim, në pranverë të
vitit 1435, mbreti i Hungarisë dërgoi në Shqipëri
Fruzhinin, pasardhës i mbretit bullgar Shishman, dhe
në pranverë të vitit 1436 princin Daut, pretendent
i fronit osman i strehuar në oborrin hungarez, me synimin
që kundërshtarët politikë të sulltan
Muratit II të ngriheshin kundër tij dhe ta rrëzonin
nga froni. Me gjithë këto përpjekje nuk u arrit
të organizohej një aksion i përbashkët
ballkanik.
Jehona e luftës antiosmane të shqiptarëve u
ndie edhe në vendet e tjera evropiane. Situatën
e trazuar politike të viteve 30 në Shqipëri,
Republika e Venedikut u përpoq ta shfrytëzonte për
interesat e veta. Ajo arriti t`u merrte shqiptarëve Dejën
dhe më pas, nën presionin e osmanëve, ua dorëzoi
këtyre. Ndërkohë Venediku udhëzonte qeveritarët
e saj në tokat shqiptare që të respektonin
traktatet e paqes me sulltanin, të mos i ndihmonin kryengritësit
shqiptarë, të lejonin kalimin e qëndrimin e
trupave osmane në zotërimet veneciane etj.
Gjendja politike në Shqipëri pas kryengritjeve
të viteve 30 të shek. XV
Gjatë viteve 30 të shek. XV shqiptarët për
herë të parë i thyen ushtritë osmane në
disa beteja. Me gjithë këto fitore, lufta e tyre
nuk dha përfundimet e dëshiruara, sepse mungoi bashkimi
i të gjitha forcave shqiptare, mungoi bashkërendimi
efikas i veprimtarisë ushtarake të tyre dhe aksionet
luftarake në rajonet kryengritëse u zhvilluan të
veçuara, prandaj përgjithësisht qenë
të pasuksesshme. Kjo situatë e përgjithshme
ndikoi negativisht edhe në shtetin e Gj. Arianitit, duke
i bërë të paqëndrueshme rezultatet e fitoreve
ushtarake të tij.
Situata politike në Shqipëri mbeti shpërthyese
edhe gjatë gjysmës së dytë të viteve
30 të shek. XV, kur luftimet kishin pushuar. Në
viset e Gjirokastrës e të Vlorës si dhe në
zonat pranë qendrave ushtarake të pushtuara etj.,
qëndresa antiosmane vazhdoi në forma të tjera.
Për të vendosur në to plotësisht pushtetin
e vet, sulltan Murati II iu drejtua për ndihmë Venedikut.
Kështu, në tetor të vitit 1436, një përfaqësues
i sulltanit i kërkoi Republikës së Venedikut
të ndëshkonte ata shqiptarë që, nga zotërimet
e saj të Shkodrës, Pargës etj., sulmonin forcat
osmane, si dhe të mos lejohej në to strehimi i dezertorëve
të ushtrisë osmane.
Gjendja e rëndë politike në Shqipëri për
pushtuesit osmanë dhe pamundësia e tyre për
të dërguar aty vazhdimisht ushtri të mëdha,
ndërkohë që kishte fronte të tjera lufte
edhe në rajone të tjera kufitare me Perandorinë
Osmane, e detyruan sulltan Muratin II të ndryshonte përkohësisht
qëndrimin e vet ndaj shqiptarëve. Ai ndërpreu
sulmet ushtarake mbi zotërimet e Arianitëve e të
viseve të tjera shqiptare dhe i largoi forcat osmane
nga zonat, ku pozitat e tyre ishin shumë të dobëta.
Osmanët i braktisën krahinat në veri të
lumit Mat dhe kështjellën e Dejës ia dhanë
Lekë Zaharisë. Me aktivizimin energjik të djemve
të Gjon Kastriotit, Stanishës e Skënderbeut,
që ishin funksionarë osmanë, shteti i Kastriotëve
u rimëkëmb shpejt, siguroi përsëri dalje
në det, duke rimarrë skelën e Shufadasë
në grykëderdhjen e lumit Mat, si dhe kontrollin
e rrugëve për në Prishtinë dhe në
Shkup. Zotërimet e tij u bënë kufitare në
perëndim me zotërimet veneciane të Lezhës
e të Shkodrës. Edhe në rajone të tjera
të brendshme e larg qendrave osmane, si në krahinat
malore e fushore që shtriheshin ndërmjet lumenjve
Devoll-Seman dhe Erzen u rivendosën pozitat e zotërve
vendas, ndonjë prej të cilëve i mori zotërimet
e veta në formën e timareve.
Për të ruajtur në viset shqiptare pushtetin
e tronditur osman, sulltan Murati II u përpoq të
mbështetej te ata fisnikë vendas që ishin të
lidhur me administratën vendore osmane. Krahas Evrenozëve,
që vazhduan të ishin në krye të pashasanxhakut
të Shkupit, gjatë viteve 1437-1438 sulltani emëroi
sanxhakbe të Sanxhakut Shqiptar të birin e Teodor
Muzakës, Jakup Beun, dhe subash të Krujës Gjergj
Kastriotin-Skënderbeun. Kurse qysh në verën
e vitit 1434 ishte emëruar në postin e dizdarit
të Krujës Ballaban Beu, i njohur sipas rrëfimit
të M. Barlecit me titullin pashë, titull që
realisht nuk e ka pasur asnjëherë.
Gjatë qeverisjes së Sanxhakut Shqiptar prej Jakup
Beut dhe të vilajetit të Krujës prej Skënderbeut,
sipas rekomandimeve të tyre u bënë shumë
ndryshime në shpërndarjen e timareve e të fshatrave
në të mirë të elementit shqiptar, duke
shprehur kështu vijimin e lidhjeve familjare që
ata mbanin me elitën drejtuese shqiptare. Sa kohë
që Skënderbeu qëndroi në postin e subashit
të vilajetit të Krujës edhe këto vise
mund të konsiderohen si pjesë e shtetit të
Kastriotëve. Por Jakup bej Muzaka dhe Skënderbeu
nuk i mbajtën gjatë pozitat drejtuese në Sanxhakun
Shqiptar.
Në fund të vitit 1438 qenë të pasuksesshme
aksionet e trupave osmane kundër ushtrisë hungareze
në Transilvani. Më pas veprimet luftarake osmane
u shtrinë pranë viseve shqiptare, në Rashë
e në Bosnjë. Në vitin 1439 ata pushtuan kryeqytetin
e Despotatit të Rashës, Smederevën, dhe e nënshtruan
atë.
Ndërkohë sulltan Murati II largoi Skënderbeun
dhe Jakup Beun nga funksionet e larta drejtuese që kishin
në Sanxhakun Shqiptar dhe i ngarkoi me funksionet e larta
të sanxhkbejlerëve në rajone të tjera
më pak shpërthyese, me sa duket larg viseve shqiptare.
Në vend të tyre për drejtimin e Sanxhakut Shqiptar
u emëruan persona të huaj, që ishin më
të besueshëm. Këta bënë ndryshime
të shumta nëpër timaret e Sanxhakut Shqiptar,
duke favorizuar elementin e huaj. Pas një rrethimi të
gjatë njëvjeçar, në qershor të
vitit 1441, osmanët pushtuan Novobërdën, qendra
më e rëndësishme e prodhimit të arit e
të argjendit në Ballkan, të cilin nuk arritën
ta mbanin në duar për një kohë të
gjatë.
Pas kryengritjeve të viteve 30 të shek. XV jeta
politike në Shqipëri u zhvilluan në mënyrë
të tillë që çoi në forcimin shkallë-shkallë
të pozitave të pushtuesve osmanë në dëm
të shqiptarëve, gjë që rriti pakënaqësinë
e tyre. Elita drejtuese shqiptare u vu në pritje të
rrethanave më të favorshme për të rifilluar
luftën kundër pushtuesve osmanë, siç
do të ndodhte në nëntor të vitit 1443
në Shqipëri, kur në krye të saj u vu Gjergj
Kastrioti-Skënderbeu.
|
 |  |