 |  |
K R E U III
LËVIZJA KOMBËTARE SHQIPTARE NË VITET 30-70
TË SHEK. XIX
1. FILLIMET E LËVIZJES KOMBËTARE
Gjendja në Shqipëri pas reformave të para centralizuese
osmane
Zhvillimi i lëvizjes kombëtare në vitet 30-40
të shek. XIX përkon me periudhën e reformave
të para centralizuese, që filluan të ndërmerreshin
në Perandorinë Osmane në vitet 30. Me këto
reforma, në mënyrë të veçantë
me likuidimin e sistemit të timareve, dhe me njohjen
ligjërisht të pronës private mbi tokën
(më 1834), si edhe me masat për riorganizimin e
sitemit administrativ, ushtarak dhe të taksave, Porta
e Lartë synonte ta fuste vendin në rrugën e
evropianizimit, të forconte pushtetin qendror, të
rimëkëmbte fuqinë e Perandorisë, e cila
ishte dobësuar së tepërmi nga prapambetja ekonomiko-shoqërore,
nga sistemi shtetëror anakronik, thellësisht shtypës
e parazitar, dhe nga kryengritjet e vazhdueshme të popujve
të shtypur.
Reformat filluan të zbatoheshin në Shqipëri
qysh në vitet 30. Ato i dhanë një goditje të
rëndë në radhë të parë shtresës
së vjetër feudale-ushtarake, e cila, si kudo edhe
në Shqipëri, kishte filluar të shthurej dhe
ishte dobësuar shumë nga ekspeditat osmane të
viteve 1822-1831. Një pjesë e krerëve feudalë
që ishin aktivizuar në kryengritjet u asgjësua,
të tjerë u internuan dhe ata që mundën
të shpëtonin mërguan jashtë vendit, ndërsa
pronat e tyre u shpallën çifligje shtetërore.
Reforma agrare u dha mundësi të ngriheshin e të
forcoheshin çifligarëve të rinj, pronarë
privatë të tokave, të lidhur me Portën
e me politikën e saj centralizuese.
Dobësimi i klasës feudale shqiptare i dha mundësi
borgjezisë, të përfaqësuar nga tregtarët
dhe pronarët e punishteve zejtare e të manifakturave
të merrte pjesë më me gjallëri në
jetën ekonomike e politike të vendit.
Reformat e para centralizuese u quajtën të pamjaftueshme,
prandaj Mustafa Reshit pasha, pasi mori edhe pëlqimin
e sulltanit të ri, Abdyl Mexhitit, që sapo kishte
hipur në fron, përgatiti projektin e reformave,
të njohura me emrin Tanzimat. Ato u shpallën nga
Mustafa Reshit pasha me dekretin perandorak (Hati Humajun)
të 3 nëntorit 1839, që mban emrin dekreti
i Gjylhanesë. Me këtë akt shpalleshin
këto reforma: garantohej paprekshmëria e jetës,
e nderit dhe e pasurisë për të gjithë
shtetasit osmanë, pa dallim feje; hiqej konfiskimi i
pasurisë për ata që paditeshin në gjykatë
dhe fëmijët e tyre nuk privoheshin nga e drejta
e trashëgimisë së pasurisë; vendosej ndarja
dhe mbledhja e rregullt e taksave dhe hiqej sistemi i sipërmarrjes
së tyre (iltizami); futej shërbimi i rregullt ushtarak
dhe shkurtohej afati i tij; shërbimi i regullt (nizami)
do të zgjaste 4-5 vjet, ndërsa ai rezervist (redifi)
7 vjet.
Po të vlerësohet në përgjithësi,
Tanzimati ishte një orvatje që ndërmorën
qarqet qeveritare osmane për ta shpëtuar Perandorinë
e tyre nga humnera ku po rrukullisej dhe për ta rimëkëmbur
atë mbi baza të reja, sipas shembullit të shteteve
evropiane. Prandaj Tanzimati është vlerësuar
nga bashkëkohësit dhe nga studiues të sotëm
si një përçapje që Perandoria Osmane
po bënte për tu shkëputur nga e kaluara
e saj mesjetare-feudale dhe për të hyrë në
rrugën e shndërrimit në një shtet modern.
Por gjithë këto masa ishin gjysmake dhe nuk mund
të ndodhte ndryshe në kushtet kur Perandoria Osmane
nuk ndërmori reforma rrënjësore për të
ndryshuar sistemin e saj ekonomik të prapambetur gjysmëfeudal
dhe regjimin politik mesjetar absolutist. Në të
vërtetë reformat u katandisën në disa
arnime borgjeze, që nuk mund ta ndryshonin gjendjen në
Perandori. Megjithatë, nëse edhe këto masa
gjysmake ishin të dobishme për Perandorinë
Osmane, sepse mund të ndikonin në forcimin e sistemit
të saj të centralizuar, në aftësinë
për të përballuar lëvizjet çlirimtare
dhe ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha, ato nuk qenë
të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët,
të cilët nuk e gjykuan Tanzimatin me syrin e klikës
sunduese sulltaniste, por me logjikën e popullit të
shtypur, jo nga pozitat e Portës së Lartë,
por nga interesat e kombit të shtypur e të robëruar
dhe të aspiratës së tij për ta ndryshuar
këtë gjendje. Shqiptarët e vlerësuan Tanzimatin,
jo në prizmin e fuqizimit të Perandorisë, por
në këndvështrimin e vetëqeverisjes së
Shqipërisë, jo sipas zhurmës së deklaratave
të bujshme, por nga rezultatet e tij praktike dhe nga
rrjedhojat që pati për popullin shqiptar.
Në të vërtetë Tanzimati nuk u dha shqiptarëve
asnjë të drejtë kombëtare, nuk i njohu
as si komb më vete, nuk dha asnjë mundësi për
vetëqeverisje, madje ua mohoi përsëri të
drejtën më elementare njerëzore për të
shkruar dhe për të mësuar në shkolla gjuhën
amtare. Ai i detyroi shqiptarët ti nënshtroheshin
administratës së huaj burokratike, shërbimit
të rëndë e të detyrueshëm ushtarak,
rriti më shumë peshën e taksave, që edhe
deri atëherë ishte e rënduar dhe përgjithësisht
çoi në keqësimin e gjendjes së tyre
ekonomike e politike, në forcimin e zgjedhës nacionale
turke mbi ta. Ato reforma, në dukje me karakter evropian,
që u shpallën edhe nën trysninë e Fuqive
të Mëdha (si barazia e gjithë shtetasve, gjithnjë
si osmanllinj), nuk u vunë asnjëherë në
jetë dhe nuk mund të realizoheshin pa ndryshime
rrënjësore në sistemin ekonomik e politik të
Perandorisë Osmane, të cilat sulltanët osmanë
nuk ishin në gjendje ti bënin.
Me zbatimin e reformës në fushën administrative,
pushteti civil u nda nga ai ushtarak dhe qeverisja e vendit,
që deri atëherë bëhej nga feudalët
vendas, kaloi në duart e një aparati burokratik
të centralizuar. Porta e Lartë nuk kishte më
besim te funksionarët shqiptarë. Përvoja e
viteve të kaluara kishte treguar se ata ishin të
prirur drejt qeverisjes së krahinave në mënyrë
autonome e drejt shkëputjes së plotë nga vartësia
e Perandorisë Osmane. Prandaj ajo filloi zëvendësimin
e tyre shkallë-shkallë me nëpunës të
huaj. Në fillim u zëvendësuan qeveritarët
e sanxhakëve shqiptarë, kadinjtë, myftinjtë,
veçanërisht në ato krahina ku kishin shpërthyer
përsëri lëvizje kryengritëse, që
sapo ishin shtypur me armë. Kështu, në mjaft
sanxhakë e sidomos në Shqipërinë e Jugut
pushteti kaloi nga duart e qeveritarëve shqiptarë
në ato të funksionarëve turq.
Administrata e re përbëhej nga nëpunës
të huaj që nuk e dinin gjuhën e vendit dhe
nuk i njihnin zakonet e traditat e popullit shqiptar. Meqenëse
do të qëndronin në këto poste një
periudhë të caktuar dhe meqë një pjesë
e nëpunësve ose nuk paguheshin rregullisht ose duhej
të siguronin rrogën nga të ardhurat lokale,
ata përpiqeshin të grabisnin me të gjitha mënyrat
popullsinë me anë taksash e gjobash, pa u përmbajtur
as në përdorimin e forcës. Përveç
kësaj, praktikohej gjerësisht ryshfeti, pa të
cilin nuk mund të kryhej asnjë punë. Ai u jepej
si nëpunësve të thjeshtë, ashtu edhe funksionarëve
të organeve më të larta të Perandorisë
Osmane. Edhe sistemi i mbledhjes së taksave me anë
të iltizamit (sipërmarrjes), megjithëse u krijua
një aparat i veçantë nëpunësish
të financave, në praktikë nuk u hoq, por mbeti
në fuqi për një kohë të gjatë,
sepse u leverdiste funksionarëve të lartë të
shtetit, që përfitonin e pasuroheshin me këto
lloj spekulimesh.
Ndërsa në një varg qendrash administrative
u grumbulluan me shumicë nëpunësit e huaj turq,
disa zona, si Tiranën, Matin, Lezhën, Ulqinin, etj.,
Porta e Lartë i la, në vitet 40, ende në duart
e oxhakëve të vendit, të cilët i paguanin
arkës shtetërore në Stamboll një shumë
të përgjithshme vjetore, të nxjerrë nga
detyrimet në krahinat që administronin.
Krahas reformës administrative, Porta e Lartë mori
masa për të vënë në jetë reformën
ushtarake, e cila parashikonte çarmatimin e popullsisë
dhe krijimin e një ushtrie të rregullt. Në
kuadrin e krijimit të kësaj ushtrie, Veziri i Madh,
Mehmed Reshid pasha, që ishte ngarkuar me zbatimin e
reformave në Shqipëri, filloi të rekrutonte
ushtarë të rregullt (nizamë) nga mosha 15 deri
në moshën 30-vjeçare. Të rekrutuarit
bënin jetë kazerme dhe stërviteshin sipas rregullave
të ushtrive evropiane. Ata e kryenin shërbimin ushtarak
larg vendit të vet në kushte shumë të
vështira. Vetëm një pjesë e tyre mund
të kthehej e gjallë dhe pa u gjymtuar nga shërbimi
i gjatë ushtarak në dhe të huaj. Më të
shumtë ishin ata që vdisnin nga abuzimet e intendentëve,
nga mungesa e ushqimit dhe e veshmbathjes dhe nga epidemitë,
sesa ata që vriteshin në luftë.
Shërbimi rezervist (redif) bëhej zakonisht në
vendlindjen e rezervistëve. Kjo u jepte atyre mundësi
që në një kohë të caktuar, krahas
shërbimit ushtarak, të merreshin edhe me bujqësi
e me blegtori.
Reforma ushtarake u shoqërua edhe me tatime e taksa të
reja të jashtëzakonshme, që shërbenin
për ushqimin dhe për veshjen e ushtarëve nizamë.
Por edhe kjo reformë nuk u zbatua kudo dhe menjëherë.
Ushtria e rregullt u vendos në qytete, ku mbaheshin garnizone
ushtarake. Në Manastir dhe në Janinë u grumbulluan
forca të mëdha, me anë të të cilave
Porta ushtronte një trysni të vazhdueshme mbi trevat
shqiptare.
Ndërsa nga njëra anë Stambolli organizonte
ushtrinë e rregullt, nga ana tjetër vazhdonte të
përdorte repartet e parregullta, të rekrutuara nga
krerë feudalë e bajraktarë midis malësorëve
për ti dërguar në frontet e luftës
me shtete të tjera ose për të shtypur kryengritjet
brenda e jashtë Shqipërisë. Në këto
raste Porta e Lartë synonte jo vetëm të përfitonte
nga ndihma e tyre ushtarake, por edhe ti largonte nga
Shqipëria ku zienin kryengritjet e ti neutralizonte
këto forca të rrezikshme për të.
Me reformat e periudhës së Tanzimatit Porta e Lartë
u kishte njohur kombësive të Perandorisë Osmane
të drejtën të merrnin arsim në gjuhën
amtare në shkollat publike. Por ajo vijonte të barazonte
kombësinë me fenë. Kështu, myslimanët
e Perandorisë, midis të cilëve edhe shqiptarët,
ajo vazhdoi edhe pas kësaj ti quante turq,
ndërsa ortodoksët, qofshin këta shqiptarë,
bullgarë, serbë a vllehë, i quante grekë
ose rumë dhe i kishte lënë nën
administrimin fetar e kulturor të Patrikanës greke
të Stambollit. Si kombësi më vete quheshin
edhe katolikët ose latinët e Perandorisë.
Shqiptarëve të ndarë në myslimanë,
ortodoksë e katolikë, duke mos bërë pjesë
në një bashkësi të vetme fetare dhe duke
mos u njohur kështu si një kombësi më
vete, nuk u jepej mundësia të lëvronin lirisht
gjuhën e tyre amtare. Ata detyroheshin të kishin
arsimin sipas fesë së tyre turqisht, greqisht ose
italisht. Në përputhje me këtë politikë,
pas shpalljes së dekreteve të Tanzimatit në
Shqipëri u rrit numri i shkollave në gjuhë
të huaj. Shkolla shtetërore fillore dhe qytetëse
(ruzhdie) në gjuhën turke u hapën në krahina
të ndryshme të vendit; në Shqipërinë
e Jugut u rrit edhe numri i shkollave laike në gjuhën
greke për popullsinë ortodokse, të cilat ishin
nën mbikqyrjen e peshkopëve grekë, ndërsa
në veri, ndonëse më pak, u rrit numri i shkollave
katolike që drejtoheshin nga kleri ose nga disa mësues
privatë në Shkodër. Megjithëse përhapnin
njohuri të dobishme dhe ndihmonin në arsimimin e
një pjese të fëmijëve, këto shkolla,
përveç atyre që drejtoheshin nga mësues
privatë, përshkoheshin nga një frymë fanatizmi
dhe intolerance fetare, nuk shërbenin për afirmimin
kombëtar të shqiptarëve të feve të
ndryshme, por nxisnin dasinë fetare dhe u shërbenin
politikës së shteteve që i mbanin ato dhe synimeve
të tyre për asimilimin e shqiptarëve.
Reformat, formalisht, parashikonin barazinë e shtetasve
pavarësisht nga feja e tyre. Por në të vërtetë
paria sunduese feudale osmane vijoi ta ruante pozitën
e saj të privilegjuar kundrejt popullsisë së
krishterë. Pabarazia juridike e popullsisë së
krishterë shprehej, përveç të tjerave,
në pagimin e një takse të veçantë
për gjithë meshkujt e krishterë mbi 12 vjeç
(xhizje).
Vetë sulltani e rrethi i tij familjar, si edhe përfaqësuesit
e tjerë të klasës feudale osmane, nxirrnin
përfitime duke shkelur parimet e shpallura nga reformat
dhe duke ruajtur praktikën e vjetër të abuzimeve,
siç ishte veçanërisht shitja e posteve
qeveritare. Sulltani e familja e tij ruajtën në
Shqipëri për një kohë të gjatë
një varg privilegjesh feudale. Kështu, një
pjesë e mirë e të ardhurave të sanxhakut
të Ohrit, ku përfshiheshin krahina të tëra
shqiptare, vijuan ti shkonin si të ardhura private
sulltanes-nënë, kurse sulltanit i shkonin të
ardhurat nga qiraja e Bezistenit? në pazarin e Shkodrës
dhe nga shitja e së drejtës së peshkimit po
në këtë qytet. Madje, gabelët (arixhinjtë)
e Myzeqesë edhe pas shpalljes së reformave vazhduan
të quheshin të gjithë skllevër të
sulltanit dhe shërbimet e tyre u shiteshin për vit
(nga ana e tij) të interesuarve kundrejt një shume
të caktuar.
Fillimet e ideologjisë e të kulturës kombëtare
Reformat shtuan pakënaqësinë e shtresave më
të ndryshme të popullsisë ndaj sundimtarëve
osmanë dhe acaruan më tej kontradiktat kombëtare
dhe ekonomiko-shoqërore me ta.
Këtë gjendje shpirtërore të popullsisë
dhe aspiratat e saj i shprehën në dokumente të
rëndësishme e në vepra shkencore e artistike
ideologët dhe shkrimtarët e parë të Rilindjes,
si Naum Veqilharxhi (1797-1854), Jeronim de Rada (1814-1903)
etj. Kjo veprimtari synonte, me anën e përhapjes
së ideve e të kulturës kombëtare, të
forconte ndërgjegjen kombëtare të popullit
shqiptar dhe bashkimin e tij mbi ndarjet fetare e krahinore
në luftë për lirinë, për tërësinë
territoriale dhe për zhvillimin demokratik të shoqërisë
shqiptare.
Prapambetja e përgjithshme e Shqipërisë dhe
shtypja ekonomike e politike osmane bënë që
ideologjia e kultura kombëtare të zhvilloheshin
me vështirësi e në përmasa të kufizuara
brenda vendit. Ato gjetën kushte më të përshtatshme
zhvillimi jashtë atdheut, në kryeqytetin e Perandorisë,
në Stamboll, në Itali, në shtetet ballkanike
etj. Në këto vende kishin filluar të përhapeshin
idetë e Revolucionit francez (1789-1794), i cili, si
një revolucion i fuqishëm demokratik, i kishte dhënë
një goditje të rëndë regjimit feudal absolutist
e ideologjisë së tij në Evropë dhe kishte
shpallur e kishte përhapur idetë e mëdha të
lirisë e të kombësisë. Këto ide kishin
gjetur mishërimin e tyre edhe në revolucionet çlirimtare
në Serbi, në Greqi e në Rumani. Idetë
e reja kishin ndikuar mbi intelektualë dhe tregtarë
shqiptarë që u njohën me to në qytete
të ndryshme të Evropës dhe filluan luftën
kundër ideologjisë mesjetare-klerikale të Perandorisë
teokratike të sulltanëve-kalifë e të Patrikanës
ortodokse të Stambollit, si dhe kundër zgjedhës
kombëtare të sundimtarëve osmanë.
Idetë kombëtare u bënë jehonë kryengritjeve
popullore kundër Tanzimatit, por nuk arritën ende
në këtë periudhë të formuloheshin
në mënyrë të plotë në një
program tërësor politik të lëvizjes kombëtare.
Ato u shprehën jo aq në traktate politike, në
memorandume ose nëpërmjet shtypit, sesa në
vepra letrare e në studime për popullin shqiptar,
për historinë, gjuhën e kulturën e tij.
Me shkrimet e tyre rilindësit e parë luftuan për
të shtuar dashurinë për vendin, për të
ngritur më tej ndërgjegjen kombëtare të
popullit, duke lartësuar traditat e mëdha patriotike
të së kaluarës e sidomos të epokës
së Skënderbeut dhe kulturën e pasur popullore;
ata i kushtuan një kujdes të veçantë
gjuhës amtare e shkollës shqipe si mjete jo vetëm
për të nxjerrë vendin nga errësira mesjetare,
por edhe për të afirmuar individualitetin e vetëqenien
kombëtare të shqiptarëve.
Naum Veqilharxhi formuloi idetë e para për rrugët
e çlirimit të kombit shqiptar. Si iluminist e
atdhetar i shquar punoi për të përhapur diturinë
e shkollën kombëtare në Shqipëri, të
cilat i quante mjete të rëndësishme për
emancipimin dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve.
Jeronim de Rada, nga arbëreshët e Italisë,
e ripunoi Milosaon i ndikuar drejtpërdrejt
nga lëvizjet kryengritëse të viteve 30. Ai
dalloi tek ato etapën e re që shënuan për
lëvizjen çlirimtare të popullit shqiptar
dhe nxori prej tyre përfundimin se tanimë erdhi
dita e Arbrit, që tingëllonte si një
thirrje për ti nxitur shqiptarët të vijonin
luftën kundër sundimtarëve të huaj.
Kthesa që shënuan kryengritjet e viteve 30-40 në
lëvizjen çlirimtare shqiptare gjeti pasqyrim edhe
në krijimtarinë e shkrimtarit arbëresh Vinçenc
Dorsa, i cili shkruante, më 1847, se Shqipëria kishte
hyrë tanimë në epokën e Rilindjes dhe
se ajo besonte që do të çlirohej së
shpejti.
Duke e kuptuar rolin e madh të përdorimit të
gjuhës amtare për zhvillimin e vendit, rilindësit
i dhanë rëndësi mësimit e shkrimit të
saj dhe përhapjes së arsimit shqip me një alfabet
të përbashkët. Duke u nisur nga mendimi shkencor
se gjuha është e para ndër shenjat themelore
dalluese të kombit, me njësimin e alfabetit ata
synonin njësimin e gjuhës, që do të çonte
në forcimin e njësisë kombëtare. Prandaj
rilindësit e parë, si dhe të tjerët që
i pasuan, ishin ideologë të çlirimit kombëtar
e mësues dhe hartuan vepra shkencore e letrare si edhe
tekste shkollore.
Tiparet e reja të lëvizjeve çlirimtare
kundërosmane
Me zbatimin e Tanzimatit u vendos mbi popullin shqiptar shtypja
e drejtpërdrejtë dhe e egër e sundimtarëve
osmanë. Administrata burokratike e përbërë
nga nëpunës me kombësi të huaj, grabitqarë
e të pangopur, detyrimet e rënda fiskale, shërbimi
i rregullt dhe i zgjatur ushtarak, gjyqet e korruptuara etj.,
e rëndonin zgjedhën kombëtare dhe e shtonin
shtypjen ekonomike e politike mbi pjesën më të
madhe të popullsisë.
Fshatarësia dhe vegjëlia e qyteteve duhej të
përballonin detyrime e taksa të rënda që
vendoste administrata e re, abuzimet e nëpunësve
osmanë, si dhe mashtrimet e spekulimet e sipërmarrësve
të të ardhurave shtetërore, në një
kohë kur ekonominë e popullsisë myslimane e
dëmtonte edhe shërbimi shumëvjeçar ushtarak,
që i rrëmbente krahët më të aftë
për punë.
Me administratën e re u ndesh edhe fshatarësia e
disa zonave malore, që gëzonte të drejta vetëqeverisjeje
të fituara me luftë. Mosnjohja e këtyre të
drejtave dhe orvatjet për të zbatuar sistemin tatimor
e rekrutimin e detyruar ushtarak u sillnin këtyre krahinave
një shtypje e shfrytëzim ekonomik që nuk e
kishin njohur më parë.
Nga reforma prekeshin edhe shtresa të tjera të popullsisë:
spahinjtë e dikurshëm dhe krerët e esnafëve,
të cilët kishin humbur të drejtat e privilegjet
që u siguronte sistemi i mëparshëm feudal-ushtarak;
një pjesë e bajraktarëve, e kapedanëve
dhe e bylykbashëve, të cilët nuk e gëzonin
më të drejtën e rekrutimit të ushtarëve
me rrogë që u sillte fitime; çifligarët
e goditur nga Porta si dhe ata që ishin lidhur me tregun
kërkonin zhvillimin e tij dhe ishin të pakënaqur
nga pengesat burokratike të administratës së
re; pjesa më e madhe e borgjezisë, që u zhgënjye
shumë shpejt nga reformat të cilat, jo vetëm
nuk vendosën rregullin e qetësinë e dëshiruar
dhe nuk zhdukën pengesat e brendshme për zhvillimin
e lirë të tregtisë e të industrisë
së tregut kombëtar, por edhe e bënë atë
objekt të abuzimeve grabitqare të administratës
së re.
Si pasojë, pakënaqësia ndaj reformave përfshiu
shtresat më të ndryshme shoqërore, pjesën
më të madhe të popullsisë. Kjo pakënaqësi
erdhi duke u rritur shkallë-shkallë me orvatjet
që bëri Porta e Lartë për të zbatuar
reformat në Shqipëri dhe u shndërrua në
kryengritje të armatosura që vijuan njëra pas
tjetrës për disa dhjetëra vjet. Në këto
kryengritje morën pjesë pothuajse të gjitha
forcat e grupet shoqërore të popullsisë. Lufta
mori karakter ballor, që dëshmonte për ndryshime
në përmasat e në organizimin e saj. U krijua
kështu një front i gjerë kundërosman,
i cili përbënte tiparin kryesor të kthesës
që ishte bërë në luftën çlirimtare
të popullit shqiptar.
Pas goditjeve ekonomike e politike që krerët feudalë
shqiptarë pësuan në vitet 1822-1831, ata nuk
qenë më në gjendje as të organizonin dhe
as të udhëhiqnin kryengritjet kundër sundimit
osman. Në udhëheqje të lëvizjes kryengritëse,
gjatë viteve 30-40, krahas krerëve çifligarë
dolën përfaqësues të borgjezisë qytetare
e të fshatarësisë. Ky ishte një tipar
tjetër i ri që dëshmonte për ndryshimet
cilësore të ndodhura në zhvillimin e luftës
së armatosur.
Ndryshime thelbësore ndodhën edhe në përmbajtjen
e në karakterin e kërkesave të kryengritjeve
të fillimeve të Rilindjes Kombëtare, të
viteve 30-40 të shek. XIX. Lufta për të përjashtuar
nga zbatimi i politikës së centralizmit burokratik
viset shqiptare shprehte në fakt kërkesën për
njohjen e kombësisë shqiptare si kombësi më
vete, për trajtimin e veçantë të Shqipërisë
në kuadrin e Perandorisë dhe për administrimin
e saj nga njerëzit e vendit, që nënkuptonte
synimin për vetëqeverisje në shkallë kombëtare
e jo më lokale-krahinore. Kurse në rastet, qoftë
edhe të veçanta, siç ishte ai i Kryengritjes
së Dervish Carës të viteve 1843-1844 e ndonjë
tjetër, kur kryengritësit i referoheshin shembullit
të organizimit të shteteve fqinje, shpreheshin haptazi
pretendimet për autonominë e vendit të tyre.
Forcat e shtresat e ndryshme shoqërore u jepnin këtyre
kërkesave përmbajtje të ndryshme. Në lëvizje
u aktivizuan edhe ato shtresa, të cilat kishin humbur
privilegjet e pozitat që gëzonin në sistemin
feudal-ushtarak e që synonin ti rifitonin ato.
Lëvizja e tyre kishte karakter të kufizuar e konservator,
sepse synonte ta kthente vendin prapa, në të kaluarën.
Por pjesa më e madhe e popullsisë që mori pjesë
në kryengritjet përbëhej nga masat qytetare
e fshatare, të cilat në administrimin e vendit nga
shqiptarët shihnin çlirimin e tyre nga zgjedha
e rëndë kombëtare e administratës së
huaj burokratike osmane dhe nga shtypja e egër e saj.
Këto kërkesa nuk arritën, në ato vite,
të formuloheshin në mënyrë të përcaktuar,
në formën e një programi të vetëm
dhe të paraqiteshin në emër të të
gjithë popullit shqiptar, sepse mungonte një udhëheqje
e formuar politikisht dhe një organizatë a një
qendër e vetme drejtuese, që të bashkërendonte
lëvizjet e veçanta, ti shkrinte ato në
një lëvizje të përgjithshme e ti
jepte asaj një program të përbashkët kombëtar.
Megjithatë, siç është pranuar me të
drejtë nga historiografia e sotme shqiptare, kërkesa
më e shpeshtë e këtyre kryengritjeve për
një status të veçantë të trojeve
shqiptare, duke i dalluar e duke i veçuar nga territoret
e tjera të Perandorisë Osmane, përmbante në
embrion, në formulimin e saj fillestar, kërkesën
e administrimit autonom të Shqipërisë, të
autonomisë territoriale-administrative të saj, duke
ua lënë atë në dorë krerëve
të vendit.
Kryengritjet kundër shtypjes kombëtare patën
në fillim karakter lokal, por, meqenëse shpërthyen
pothuajse në të njëjtën kohë e për
të njëjtat shkaqe, drejtoheshin kundër një
armiku të përbashkët dhe kishin kërkesa
të njëllojta. Ato u shndërruan dora-dorës
në kryengritje të gjera të fuqishme duke përfshirë
krahina të tëra të vendit. Për herë
të parë u bënë përpjekje për
kapërcimin e kornizave lokale dhe për organizimin
e një kryengritjeje të përgjithshme (më
1834), që shprehte prirjen e popullit shqiptar drejt
bashkimit. Gatishmëria e bashkëpunimi ndërmjet
vatrave të veçanta të kryengritjeve dhe solidariteti
ndërmjet popullsisë së trevave të ndryshme,
tregonin se procesi i bashkimit të popullit shqiptar
kishte hedhur rrënjë të qëndrueshme.
Ndryshime u vunë re edhe në aspektin organizativ
të kësaj lufte. Dolën në skenë forma
organizative demokratike dhe më të kohës. Me
zgjerimin e luftës, për të përballuar
forcat e mëdha armike dhe për të bashkërenduar
veprimet luftarake u organizuan kuvende, besëlidhje,
pleqësi dhe këshilla të kryengritësve,
disa nga të cilat, ndonëse kishin qenë edhe
më parë, morën përmbajtje të re.
Krahas përfaqësuesve të parisë çifligare,
në to merrnin pjesë tani edhe përfaqësues
të shtresave më të gjera të popullsisë,
të vegjëlisë qytetare e fshatare, të pronarëve
të vegjël të tokave, kryepleq e nëpunës
të vegjël, shumica e të cilëve ishin pak
të njohur. Përveç kësaj, besëlidhjet
e kapërcyen karakterin e ngushtë lokal dhe në
disa raste morën karakter ndërkrahinor, siç
ishin Besëlidhja e nëntë krahinave të
Shqipërisë së Jugut e viteve 1833-1834, Këshilli
i Përkohshëm në Shkodër (1833-1835), Kuvendi
i Madh Ndërkrahinor i Mesaplikut (1847), i cili, duke
krijuar Lidhjen Kombëtare Shqiptare dhe organin e saj
Komitetin Kombëtar, mund të shihet si një organizëm
që synonte të merrte karakterin e një forumi
me përmasa kombëtare.
Një rol gjithnjë e më të dukshëm
filluan të luanin në këto kryengritje qytetet
e sidomos ato kryesore, si Shkodra, Berati, Prizreni, Gjakova,
Shkupi e Elbasani, të cilat u bënë qendra të
rëndësishme të këtyre lëvizjeve.
Kjo dëshmonte për peshën gjithnjë e më
të madhe që filluan të kishin qytetet në
jetën ekonomike e politike të vendit.
Të zhvilluara në kohën, kur te shqiptarët
ishte formuar tanimë një vetëdije politike
e kombëtare, kryengritjet e viteve 30 e 40 nuk mund të
mos merrnin tipare të reja, nacionalçlirimtare.
Dëshmi e kësaj vetëdijeje të shqiptarëve
ishte edhe përkrahja që ata u dhanë revolucioneve
nacionale në Principatat Rumune dhe në Greqi, në
vitet 20, në të cilat dhanë një kontribut
të çmuar. Mjaft e gjerë ishte pjesëmarrja
e shqiptarëve të kolonisë së Rumanisë
dhe jo vetëm e atyre, por edhe e të tjerëve
të ardhur nga Shqipëria, e veçanërisht
nga trevat e saj jugore, në kryengritjen që shpërtheu
në Principatat Rumune në vitin 1821. Disa prej tyre
kishin marrë pjesë edhe në Revolucionin serb
të vitit 1815. Është një fakt i njohur,
tanimë, se Naum Veqilharxhi, një nga personalitetet
më të shquara të Rilindjes Shqiptare, mori
pjesë në kryengritjen e vitit 1821 në Vllahi
dhe në Moldavi qysh në fillim të saj, ndihmoi
në organizimin e revoltës dhe ishte i pranishëm,
si komandant ushtarak, gjatë disa veprimeve luftarake
që u zhvilluan kundër forcave osmane. Rol të
veçantë, si organizator dhe komandant ushtarak,
në kryengritjen e vitit 1821 në Principatat Rumune
luajti iluministi tjetër i njohur shqiptar, Konstandin
Duka.
Shqiptarët përbënin një forcë të
rëndësishme luftarake në trupat e eteristëve*,
të komanduar nga princi grek Aleksandër Ipsilanti,
si edhe në ato të rumunit Tudor Vladimiresku që
luftuan trimërisht në radhët e kryengritësve
të drejtuar nga komandantët shqiptarë, Haxhi
Prodani e kapiten Mihallaqi. Të shumtë ishin shqiptarët
që u vranë në betejat që u zhvilluan gjatë
kësaj kryengritjeje e sidomos në atë të
Skulenit, pas së cilës trupat e tyre u hodhën
në lumin Pruth. Edhe masakra që ushtria osmane ndërmori
në Bukuresht ndaj forcave kryengritëse, në
gusht të vitit 1821, ishte drejtuar kundër shqiptarëve
që morën pjesë në revoltën kundërosmane.
Shqiptarët u bashkuan me kryengritjen e Principatave
Rumune jo si mercenarë, por si luftëtarë që
ishin të ndërgjegjshëm se, duke kontribuar
në çlirimin e popullit rumun nga sundimtarët
osmanë, të cilët mbanin të robëruar
gjithë popujt e Ballkanit, do të jepnin ndihmesën
e tyre edhe në çështjen e çlirimit
kombëtar të popullit shqiptar. Pikërisht pse
vepruan si një forcë e ndërgjegjshme politikisht
në aktet e kryengritjes së Principatave Rumune,
shqiptarët përmenden krahas grupeve të tjera
etnike që morën pjesë në lëvizje.
Edhe frymëzuesit e lëvizjes, eteristët, në
thirrjen që u drejtuan shqiptarëve, grekëve,
vllahomoldavëve, bullgarëve, serbëve, maqedonëve
etj. qysh në fillim të kryengritjes u kujtonin atyre
se kjo luftë bëhej për çlirimin e gjithë
popujve të Ballkanit dhe njëherazi të atdheut
të tyre, se është atdheu i tyre i robëruar
ai që u bën thirrje të ngrihen kundër
sundimtarëve të huaj osmanë.
Shqiptarët ishin, gjithashtu, një forcë aktive
me rol të veçantë si në përgatitjen
e kryengritjes greke të vitit 1821, ashtu edhe në
zhvillimin e revolucionit në përgjithësi. Nëse
Ali pashë Tepelena me veprimet e tij ushtarake kundër
ushtrive osmane u dha dorë eteristëve të shpërthenin
kryengritjen në mars të vitit 1821, shqiptarët
(arvanitët), krahas grekëve, ishin nismëtarë
të kësaj kryengritjeje. Qysh në mars të
vitit 1821 u bashkuan me Revolucionin grek fshatra të
tëra shqiptare (arvanite) të Atikës. Kryengritësit
shqiptarë, të udhëhequr nga fshatari i thjeshtë
Melet Vasili nga Atika (i quajtur Haxhimeleti), marshuan në
fundin e marsit drejt Athinës, e detyruan garnizonin
osman të mbyllet në Akropol dhe çliruan Athinën.
Përgjithësisht gjatë fazës së parë
të Revolucionit grek arvanitët, dhe jo vetëm
ata, por edhe shqiptarët e trevave të Shqipërisë,
duke përfshirë edhe ata myslimanë, u bënë
figura qendrore e ngjarjeve dhe e veprimeve luftarake të
kryengritësve. Kryengritësit e Peloponezit, grekë
e shqiptarë (arvanitë), të komanduar nga Kolokotroni,
arritën të merrnin qytetin e Tripolicës, për
çlirimin e të cilit patën luftuar pesë
muaj me radhë, vetëm pasi shqiptarët myslimanë
hynë në marrëveshje me ta dhe dezertuan në
masë nga ushtria osmane. Pati edhe mjaft shqiptarë
myslimanë, ndërmjet të cilëve njihen Mustafa
Gega, Bajram Lapi, Avdi Gega etj., të cilët jo vetëm
dezertuan nga ushtria osmane, por morën pjesë në
veprimet luftarake të Revolucionit grek. Është
i njohur gjithashtu kontributi i luftëtarëve suliotë,
të udhëhequr nga Marko Boçari, të cilët
gjatë periudhës së parë të Revolucionit
grek mbajtën barrën kryesore të luftës
në Greqinë kontinentale. Edhe sundimtari i pashallëkut
të Shkodrës, Mustafa pashë Bushatlliu, duke
kundërshtuar urdhrin e sulltanit, braktisi, në vitin
1823, luftimet në Misolongjin e rrethuar, nuk pranoi
të marshonte drejt Athinës për të shtypur
kryengritjen dhe u kthye me ushtrinë e tij në Shkodër.
Shpërthimi i rrethimit të Misolongjit nga grekët
më 1823 u arrit, krahas të tjerave, edhe nga ndihmesa
e shqiptarëve që dezertuan në masë nga
ushtria osmane. Këto dezertime të shqiptarëve
myslimanë nga ushtria do të përsëriteshin
edhe në rrethimin e dytë të Misolongjit, në
vitin 1825.
Po kështu, pjesa më e madhe e feudalëve shqiptarë
të Toskërisë nuk pranoi të bashkëpunonte
me Portën e Lartë në shtypjen e kryengritjes
greke. Ata i kumtuan të dërguarve të Stambollit
se do të hynin në ushtrinë osmane vetëm
në qoftë se do të rrezikoheshin territoret
e Shqipërisë Jugore. Për shkak të këtij
qëndrimi të shqiptarëve dështoi fushata
ushtarake osmane kundër Revolucionit grek në shkurt-qershor
të vitit 1821. Dështuan gjithashtu përpjekjet
që Hurshid Pasha bëri në vitin 1822, pas vrasjes
së Ali pashë Tepelenës, për të mobilizuar
shqiptarët në ushtrinë osmane dhe për
ti hedhur ata kundër Revolucionit grek. Dezertimi
i ushtarëve shqiptarë vazhdoi edhe gjatë fushatës
së Ibrahim Pashës së Egjiptit kundër Revolucionit
grek në vitin 1827. Megjithatë, qysh në periudhën
e Revolucionit grek, shqiptarët u ndeshën me qëndrimet
shoviniste të udhëheqësve grekë ndaj tyre
dhe territoreve të Shqipërisë. Ndërsa
popullsia myslimane shqiptare iu nënshtrua atëherë
masakrave nga forcat ushtarake të Revolucionit grek.
Pjesëmarrja e shqiptarëve në revolucionet në
Principatat Rumune e në Greqi dhe kontributi që
dhanë ato në luftën për çlirimin
e popujve rumun e grekë ishin dëshmi jo vetëm
e ndjenjave miqësore ndaj popujve fqinjë, por edhe
dëshmi e aspiratave të tyre liridashëse. Këto
aspirata dëshmojnë njëherazi se shqiptarët,
si popull, po hynin në epokën e re të Rilindjes
me një vetëdije të përcaktuar politike,
me ideale kombëtare e çlirimtare, të cilat
nuk mund të mos shfaqeshin edhe në kërkesat,
në synimet, në shkallën e organizimit dhe përgjithësisht
në karakterin e kryengritjeve të viteve 30-40 të
shek. XIX.
2. KRYENGRITJET KUNDËROSMANE NË VITET 30-40
Kryengritjet e vitit 1833
Reformat centralizuese të qeverisë osmane, që
filluan të zbatoheshin në Shqipëri me dërgimin
e nëpunësve civilë dhe ushtarakë turq,
hasën në qëndresën e popullsisë shqiptare
që nisi me moszbatimin e urdhrave për tu shndërruar
më pas në kryengritje të armatosur.
Pas dy kryengritjeve lokale, që shpërthyen në
fillim të vitit 1833 në Kolonjë e në Dibër
dhe që u shtypën nga qeveria turke, kryengritja
mori një shtrirje të gjerë të panjohur
në periudhat e mëparshme në zonën Berat-Vlorë-Delvinë-Çamëri.
Qeverisja arbitrare e Emin Pashës, i biri i Mehmet Reshit
pashës, e mbështetur në një terror, si
dhe orvatjet për zbatimin e reformës ushtarake ishin
shkaqet e drejtpërdrejta që e kthyen pakënaqësinë
e popullsisë në një kryengritje që u shtri
në krejt Shqipërinë e Jugut. Në fillim
të korrikut 1833 ngritën krye banorët e Tepelenës,
të cilët shtinë në dorë qytetin.
Kryengritja, që udhëhiqej nga Balil Nesho, u shtri
në krahinat e Gjirokastrës e të Delvinës.
Për shtypjen e saj Stambolli dërgoi forca të
shumta osmane, të komanduara nga Emin Pasha. Shumica
e kryengritësve u vendos në Qafën e Peshkëpisë,
ndërsa pjesa tjetër, e organizuar në çeta
të vogla, u vendos gjatë rrugës për në
Peshkëpi. Goditjet që këto çeta u dhanë
forcave osmane dhe dezertimi i shumë ushtarëve shqiptarë,
të rekrutuar me forcë, e vështirësuan
gjendjen e qeveritarit osman. Por këtij i erdhi në
ndihmë peshkopi ortodoks i Drinopojës (i Gjirokastrës),
i cili, duke njohur mirë pozicionet e kryengritësve,
i kaloi forcat osmane nëpër një grykë
tjetër. Të papërgatitur për sulmin e befasishëm,
kryengritësit luftuan me trimëri dhe, pasi lanë
shumë të vrarë, u tërhoqën në
fshatin Luzat, ku i shkaktuan Emin Pashës një shpartallim
të plotë.
Të nxitur nga kjo fitore, u hodhën në kryengritje
edhe banorët e qyteteve të Beratit e të Vlorës.
Duke nisur si një kryengritje fshatare, ajo brenda një
kohe të shkurtër u kthye në një lëvizje
të të gjithë popullsisë, gjeti mbështetje
të fortë në banorët e Beratit, të
cilët rrethuan kështjellën. Kryengritja përfshiu
gjithashtu krahinat e Tomoricës, të Skraparit e
të Kurveleshit. Një pjesë e kryengritësve
shkuan në ndihmë të forcave që kishin
rrethuar kështjellën e Beratit, kurse pjesa tjetër
zuri grykat e rrugët nga pritej të vinte ushtria
osmane. Rrezja e kryengritjes u përhap në krahinat
e Delvinës e të Çamërisë. Jehona
e saj u ndje edhe në Shqipërinë e Mesme. Me
kërkesën e banorëve të Elbasanit një
pjesë e kryengritësve u hodh nga Berati në
atë krahinë për ti ndihmuar ata në
luftën kundër administratës osmane.
Në këto rrethana Porta e Lartë, me shpresë
se kryengritësit do të shpërndaheshin, e largoi
Emin Pashën nga Shqipëria e Jugut. Por në mesin
e shtatorit të 1833-it, nën goditjet e fuqishme
të kryengritësve, ra kështjella e Beratit.
Në qytetin e çliruar të Beratit, kuvendi
i përfaqësuesve të të gjitha krahinave
kryengritëse miratoi dy kërkesa themelore: tu
ngarkohej shqiptarëve drejtimi i krahinave kryengritëse
dhe të uleshin detyrimet ndaj shtetit, duke zbritur në
atë masë që paguhej në kohën kur
pashallëku i Beratit qeverisej nga feudali shqiptar,
Ahmet Kurt pasha.
Shtrirja e gjerë e kryengritjes, që fillonte nga
Skrapari e Kurveleshi, në Myzeqe e në Vlorë
e deri në Çamëri, e detyruan Portën
e Lartë të hiqte dorë përkohësisht
nga rekrutimi i ushtarëve nizamë, të shpallte
amnistinë dhe të lejonte vendosjen e disa shqiptarëve
si qeveritarë në kazatë e Beratit, të
Vlorës, të Tepelenës, të Gjirokastrës
e të Përmetit dhe emërimin e të tjerëve
si komandantë në garnizonet e kështjellave
të Beratit, të Gjirokastrës etj. Kjo ishte
një fitore e rëndësishme e kryengritjes, por
jo e plotë. Të paformuara politikisht dhe me një
udhëheqje pa përvojë, forcat kryengritëse
u shpërndanë, duke besuar se do të plotësoheshin
të gjitha kërkesat e tyre.
Po në vitin 1833 lëvizja kryengritëse përfshiu
edhe Shqipërinë e Veriut. Vatra kryesore e saj u
bë Shkodra, qyteti më i zhvilluar i vendit. Zbatimi
i reformës ushtarake, abuzimet dhe grabitjet e administratës
së re shkaktuan pakënaqësi te popullsia qytetare.
Por shtresat e pasura të krishtera të qytetit, sipas
porosisë së dhënë nga emisarët austriakë,
që u kërkonin të mos bashkoheshin me popullsinë
myslimane, nuk u përfshinë në lëvizje.
Më 10 prill të vitit 1833 u dha kushtrimi për
mbylljen e dyqaneve në tregun e Shkodrës. Rreth
4 000 veta të armatosur nga popullsia e qytetit dhe nga
malësorët përreth zunë sheshin e qytetit.
Në emër të kryengritësve një delegacion
i dërguar nga ata kërkoi që veziri Ali Namik
pasha të hiqte dorë nga zbatimi i reformave, nga
dhuna e grabitjet dhe të vendoseshin rregullat që
kishin qenë në fuqi në kohën e qeverisjes
së vendit nga Mustafa pashë Bushatlliu. Por thelbin
e këtyre kërkesave e përbënte synimi për
një qeverisje autonome të krahinës së
Shkodrës. Duke parë fuqinë e revoltës
dhe për të fituar kohë, qeveritari, Ali Namik
pasha, premtoi se do të merrte parasysh kërkesat
e të revoltuarve. Ndërkohë ai mori masa për
shtypjen e saj. Më 7 gusht të vitit 1833 ai dërgoi
një repart ushtarësh në tregun e qytetit për
ta shtënë në dorë. Ky veprim çoi
në përleshje të ashpra midis forcave osmane
dhe njësive kryengritëse. Pabesia e qeveritarit
e shtyti edhe popullsinë katolike të bashkohej me
myslimanët. Pas kësaj lëvizja mori formën
e një kryengritjeje. Më 8 gusht u organizua një
kuvend, ku morën pjesë përfaqësues të
lagjeve të qytetit. Kuvendi zgjodhi një Këshill
të Përkohshëm, që riorganizoi forcat vullnetare
dhe caktoi një delegacion që do të shkonte
në Stamboll për tu ankuar në emër
të popullsisë së Shkodrës kundër
qeveritarit të sanxhakut. Kryengritja udhëhiqej
nga një Këshill përfaqësues. Kjo ishte
një formë e re organizimi që ndeshej për
herë të parë në lëvizjen shqiptare.
Këshilli përbëhej nga përfaqësues
të parisë, të krerëve që ishin pasardhës
të Bushatllinjve dhe të borgjezisë zejtare-tregtare
të qytetit.
Ndërsa pritej përgjigjja nga Stambolli, Ali Namik
pasha, duke thirrur në ndihmë edhe trupat që
kishte mbledhur i biri në Ohër e në Elbasan,
u orvat të shtypte me forcën e armëve kryengritjen
qytetare. Mirëpo këto orvatje dështuan para
qëndresës së forcave kryengritëse. Forcat
osmane u thyen dhe u tërhoqën me disfatë para
se të mbërrinin në Shkodër.
Kryengritja nuk gjeti ndonjë mbështetje te Fuqitë
e Mëdha. Edhe qeveria austriake, ndonëse kishte
marrë përsipër mbrojtjen e katolikëve,
urdhëroi emisarin e saj në Shkodër që
të mos pranonte asnjë kërkesë të
kryengritësve. Vonesa e përgjigjes së Portës
së Lartë u tregoi qartë kryengritësve
se kërkesat e tyre mund të përmbusheshin vetëm
me luftë e në bashkëpunim me krahinat e tjera
të vendit. Përveç lidhjeve që ishin
vendosur me malësorët e me krahinat përreth
qytetit të Shkodrës, u bënë përçapje
për të hyrë në bashkëpunim me viset
e tjera shqiptare, në Shqipërinë e Mesme e
të Jugut. Një delegacion u dërgua në Elbasan,
ku banorët e qytetit, të ndihmuar edhe nga vullnetarët
e ardhur nga Berati, mbanin të bllokuar qeveritarin e
huaj.
E ndodhur para një lëvizjeje kryengritëse,
që kishte përfshirë tokat shqiptare nga Shkodra
deri në Çamëri dhe që krijonte përshtypjen
e një kryengritjeje të përgjithshme, Porta
e Lartë u detyrua të pushonte nga detyra Ali Namik
pashën, të pezullonte përkohësisht zbatimin
e reformave dhe të premtonte se do të paguante dëmet
që u ishin shkaktuar shqiptarëve gjatë luftimeve.
Më 2 dhjetor 1833 Ali Namik pasha, pas tre muajsh rrethimi,
u detyrua ta lërë Shkodrën. Në vendin
e tij u dërgua Hafëz Pasha. Ndërkaq, pasi zgjidhi
konfliktin me Mehmet Aliun e Egjiptit, Porta e Lartë
rifilloi orvatjet për të zbatuar me forcë reformat.
Kjo u bë shkak për rigjallërimin e lëvizjes
kryengritëse. I shoqëruar nga tetë regjimente
të rregullta, Hafëz Pasha filloi të shkarkonte
elementët kundërshtarë dhe ti zëvendësonte
me nëpunës të huaj, rriti taksat doganore për
mallrat e importuara nga 2% në 5% dhe u orvat të
zbatonte reformën ushtarake. Ndërkohë, edhe
qeveritari i Shqipërisë së Jugut, Mehmet Hamdi
pasha, kishte marrë urdhër të zbatonte reformën
ushtarake në këto treva.
Përpjekjet për organizimin e një kryengritjeje
të përgjithshme (1834-1835)
Kryengritjet në jug e në veri, me gjithë shtrirjen
e gjerë, nuk arritën të vendosnin lidhje midis
tyre dhe të siguronin qeverisjen e tokave shqiptare nga
nëpunësit vendas. Ndërkohë Porta e Lartë,
pasi zgjidhi konfliktin me Egjiptin, u orvat përsëri
të zbatonte me forcë reformat. Kjo i dha shkak rifillimit
të lëvizjes kryengritëse në Shqipëri.
Përvoja luftarake e vitit 1833 u tregoi udhëheqësve
të kryengritjeve të veçanta në Toskëri
dhe në Gegëri se rezultatet do të arriheshin
në rast se do të organizohej një kryengritje
e përgjithshme me një udhëheqje të vetme.
Gjatë verës së vitit 1834 u shkëmbyen
mendime ndërmjet përfaqësuesve të krahinave
të ndryshme të vendit, pas të cilave u vendos
të organizohej një kryengritje e tillë e përgjithshme
dhe u hartua për këtë një plan i përgjithshëm
operativ. Sipas këtij plani do të sulmohej në
fillim kështjella e Beratit dhe, me të rënë
ajo në duart e kryengritësve, gjysma e tyre, së
bashku me forcat kryengritëse të Kavajës, të
Tiranës e të Mirditës dhe me popullsinë
e Shkodrës, do të sulmonin trupat e qeveritarit
të Shkodrës, kurse gjysma tjetër, së bashku
me kryengritësit e sanxhakut të Delvinës, do
të sulmonin forcat e Mahmut Pashës, që kishte
zëvendësuar Emin Pashën në Janinë.
Ky ishte plani i parë operativ për një kryengritje
të përgjithshme dhe përbënte një
hap të rëndësishëm në luftën
çlirimtare. Me këtë plan krerët e Shqipërisë
bashkoheshin në një lidhje ushtarake mbarëshqiptare
dhe merrnin në duart e tyre nismën për të
vepruar bashkërisht.
Kryengritjen, ashtu siç ishte parashikuar, e filloi
në vjeshtën e vitit 1834 popullsia e qytetit të
Beratit, e cila rrëmbeu armët për të mbrojtur
disa ushtarë që kishin ardhur me leje nga Stambolli
e nuk dëshironin të ktheheshin në shërbimin
ushtarak. Kryengritësit mbyllën qeveritarët
në kështjellë dhe ftuan udhëheqësin
e njohur të kryengritjeve të mëparshme, Tafil
Buzin, për të drejtuar veprimet ushtarake. Ai sapo
kishte dështuar përpara Tepelenës, së
bashku me Shahin bej Delvinën, kur zbarkoi këtu
nga Kreta për të organizuar një kryengritje
dhe kishte pranuar amnistinë. Megjithatë, ai erdhi
nga fshati i vet në Berat. Brenda një kohe të
shkurtër rreth tij u grumbulluan 10 000 vullnetarë.
Kryengritësit shtinë në dorë magazinat
shtetërore të drithit, të cilin ia shpërndanë
popullsisë.
Kryengritja u përhap shumë shpejt në krahinat
e Vlorës, të Tepelenës, të Skraparit,
të Tomoricës, të Mallakastrës, të
Përmetit e të Beratit, në atë rreze si
një vit më parë. Kjo dëshmonte për
lidhje të forta ndihme e bashkëpunimi ndërmjet
këtyre krahinave dhe për një ngritje të
ndërgjegjes politike. Përfaqësuesit e shtatë
krahinave u mblodhën në një kuvend në
Berat, ku vendosën të formonin një Besëlidhje
politike. Atë e drejtonte një pleqësi, e cila
si një organ drejtues kolegjial bëri një ndarje
pune ndërmjet anëtarëve të saj. Kryetar
u zgjodh Abaz bej Lushnja nga familja e Ngurzajve. Tafil Buzi
u ngarkua me drejtimin e veprimeve luftarake dhe për
lidhjet me botën e jashtme, veçanërisht me
Mehmet Aliun e Egjiptit. Ky i fundit interesohej gjallërisht
për kryengritjet në Shqipëri, sepse i shihte
si një faktor të rëndësishëm për
dobësimin e fuqisë së Perandorisë Osmane,
me të cilën prej kohësh ishte në konflikt.
Besëlidhja nuk kishte vetëm karakter ushtarak e
ndërkrahinor, por ishte edhe një organ qeverisës,
i dalë nga lufta për të zëvendësuar
administratën osmane. Udhëheqja e Besëlidhjes
përbëhej nga krerë feudalë, përfaqësues
të zejtarëve e të tregtarëve, të
klerit e të fshatarësisë.
Në emër të kryengritësve, Pleqësia
i paraqiti qeveritarit osman, Hamdi Pashës, kërkesat
për të përjashtuar krahinat kryengritëse
nga zbatimi i reformave centralizuese dhe për tu
njohur atyre një qeverisje autonome nga vetë shqiptarët.
Kërkesat e Pleqësisë nuk u morën parasysh
nga Porta e Lartë. Kjo i dha hov më të madh
kryengritjes. Me nismën e Tafil Buzit, në Besëlidhje
hynë edhe krahina e Sulovës dhe e Vërçës.
Nga mesi i dhjetorit, pas 2 muaj lufte, kështjella e
Beratit iu dorëzua kryengritësve. Aty u vendos një
garnizon i ri i përbërë nga 100 ushtarë.
Ata përfaqësonin në mënyrë të
barabartë të nëntë krahinat e Besëlidhjes.
Komandantët e forcave ushtarake të qytetit u zëvendësuan
me kryengritës të dalluar për trimëri.
U bë hapi i parë për sigurimin e vetëqeverisjes.
Por plani i përgjithshëm operativ i kryengritjes
së përgjithshme nuk u zbatua më tej. Porta
e Lartë kishte marrë ndërkohë një
varg masash për ta penguar realizimin e tij. Ajo u kishte
premtuar krerëve dhe udhëheqësve të esnafëve
se do të plotësonte kërkesat e tyre. Nga ana
tjetër, Hafëz Pasha kishte përforcuar garnizonet
e Durrësit e të Kavajës me një sasi të
madhe topash e municionesh. Ai thirri në Shkodër
mjaft pashallarë e bejlerë që kishin marrë
pjesë në hartimin e planit operativ të kryengritjes
dhe u premtoi se do të hiqte dorë nga zbatimi i
reformave centralizuese. Këto masa shkaktuan lëkundje
e përçarje në udhëheqjen e kryengritjes.
Në këto kushte, forcat kryengritëse, pasi morën
kështjellën e Beratit, nuk u nisën kundër
qeveritarit të Shkodrës, ndërsa popullsia e
këtij qyteti nuk u ngrit kundër sundimtarit osman.
Në ditët e para të janarit 1835 Pleqësia
e Beratit, duke u besuar premtimeve të Hamdi Pashës,
që miratoi ndryshimet e bëra në administratën
lokale, nënshkroi me të një marrëveshje
për shpërndarjen e forcave kryengritëse. Kjo
shënoi një fitore të Besëlidhjes së
nëntë krahinave kryengritëse të Shqipërisë
së Jugut pasi u ndërprenë përsëri
reformat centralizuese.
Në shkurt 1835 Hamdi Pasha, që tani ishte ngritur
në postin e valiut të Rumelisë, ftoi mjaft
krerë shqiptarë në Manastir, disa prej të
cilëve i nisi në Stamboll, kurse të tjerët
i shpërbleu. Vetëm Tafil Buzi nuk u paraqit dhe,
kur qeveritari osman filloi të shkelte marrëveshjen,
nisi përsëri kryengritjen. Rreth 6 000-8 000 kryengritës
nën drejtimin e tij vunë nën kontroll zonën
Vlorë-Berat. Këtë herë kryengritja nuk
pati shtrirjen e mëparshme. Pasi dështoi në
Berat e në Elbasan, ai iu drejtua Janinës në
krye të disa qindra kryengritësve. Në afërsi
të saj Tafil Buzi shpërndau një shpallje, me
të cilën u bënte thirrje shqiptarëve të
ngjeshnin armët për çlirimin e atdheut të
tyre. Kërkesat kryesore ishin dy: dëbimi i nëpunësve
dhe i ushtarëve turq nga territoret shqiptare dhe zbritja
e taksave në masën e kohërave të mëparshme.
Shpallja e Tafil Buzit ishte një nga proklamatat e para
ku bëhej thirrje për çlirimin e atdheut.
Këtu për herë të parë flitej në
emër të të gjithë vendit dhe jo vetëm
të krahinave kryengritëse. Në emër të
kryengritësve ai i dërgoi një mesazh Mehmet
Aliut të Egjiptit, me të cilin kërkonte përkrahjen
e tij.
Jehona që gjeti shpallja brenda në vend dhe kërkesa
e ndihmës së Mehmet Aliut, e shqetësuan qeverinë
osmane. Me masa diplomatike ajo e detyroi Mehmet Aliun të
mos i përgjigjej ftesës për ndihmë, ndërsa,
nga ana tjetër, dërgoi kundër kryengritësve
forca të shumta ushtarake. Pas një qëndrese
të ashpër e të gjatë kryengritësit
nuk ishin në gjendje ti bënin ballë armikut.
Më 2 maj 1835 Tafil Buzi u detyrua të pranonte amnistinë
që i propozoi valiu i Rumelisë dhe të hiqte
dorë nga lufta.
Po në maj 1835 shpërtheu një kryengritje e
re në krahinën e Myzeqesë. Qindra fshatarë,
nën drejtimin e Alush bej Frakullës, vunë dorë
mbi çifligjet shtetërore dhe i shpallën pronë
të tyre. Kryengritja u përhap nga Myzeqeja në
krahinat e Vlorës, të Mallakastrës e të
Tepelenës. Numri i kryengritësve arriti në
7 000 veta. Me kryepleqtë e krahinave kryengritëse
u organizua një kuvend në fshatin Portëzë
të Fierit, ku u formua një Besëlidhje e re.
Ajo do të kishte një ushtri të përhershme
me rrogë për mbrojtjen e krahinave të çliruara.
Shpenzimet për mbajtjen e saj do të përballoheshin
prej të ardhurave të çifligjeve shtetërore.
Krahinat e besëlidhura do të drejtoheshin prej kryepleqve
vendas dhe vetëm këta do të kishin të
bënin, në emër të Besëlidhjes, me
pushtetin qendor për të dorëzuar detyrimet
ndaj shtetit. Me këto vendime të kuvendit synohej
të realizohej një autonomi ndërkrahinore.
Mirëpo, kryengritja e Myzeqesë nuk pati sukses për
shkak të dëmeve që i solli veprimtaria përçarëse
e qeveritarëve osmanë e sidomos të paqëndrueshmërisë
së agallarëve e të bejlerëve vendas, të
cilët, kur Porta e Lartë u premtoi se nuk do ti
prekte interesat e tyre, lidhën me të një marrëveshje
bindjeje dhe nënshtrimi.
Rënia e përkohshme e lëvizjes kryengritëse
në Shqipërinë e Jugut dhe trysnia që ushtroi
Stambolli, e shtynë qeveritarin e Shkodrës, Hafëz
Pasha të rifillonte zbatimin e reformave centralizuese
dhe të shkelte premtimet e dhëna. Ai hoqi nga aparati
administrativ e ushtarak vendasit e padëshiruar, ngriti
taksat doganore nga 2-5 për qind, vendosi taksa të
reja të jashtëzakonshme dhe u orvat
të zbatonte reformën ushtarake. Për të
zbutur këto masa qeveria osmane i dërgoi në
ndihmë një ushtri prej 10 000 vetash. Popullsia
e Shkodrës nuk iu bind urdhrave të tij dhe kundërshtoi
të gjitha orvatjet për të zbatuar reformat.
Kështu filloi një kryengritje e re shumë më
e madhe se simotrat e saj me qendër në Shkodër.
Më 18 maj 1835 qeveritari osman zuri tregun, kurse regjimentet
e ushtrisë së rregullt morën kodrat rreth qytetit.
Po atë ditë ai urdhëroi të arrestohej
Hamza Kazazi, ish-komandant i rojës së qytetit,
i hequr nga detyra prej Hafëz Pashës. Krisma e pushkës
së Hamza Kazazit ngriti në këmbë gjithë
qytetin. Luftimet zgjatën atë ditë gjashtë
orë dhe përfunduan me tërheqjen e forcave qeveritare,
që lanë shumë të vrarë e të
plagosur.
Qëndresën e qytetit e udhëhiqte Këshilli
i Ri i Përkohshëm, ku bënin pjesë përfaqësues
të borgjezisë tregtare (Haxhi Abdurrahmani e Kasem
Hoxha), të mjeshtërve zejtarë (Hamza Kazazi
e Dasho Shkreli), të çifligarëve (Hysen bej
Bushati, Ali bej Bajrami dhe Jusuf Beu) dhe një përfaqësues
i klerit të ulët islam (Haxhi Idrizi). Hamza Kazazi
u ngarkua me drejtimin e veprimeve ushtarake. Këshilli
i Përkohshëm njihet në literaturë edhe
si qeveri provizore. Si në asnjë kryengritje tjetër,
këtë herë u hartua një strategji e taktikë
e qartë. Forcat kryengritëse u organizuan në
bazë lagjesh dhe gjithmonë ishin në pozita
sulmi. Me qytetarët shkodranë u bashkuan vullnetarë
nga Postriba, Gjakova, Peja, nga Malësia e Mbishkodrës,
Ulqini, Podgorica, nga krahinat e Mirditës, të Matit
e të Dibrës. Qindra kryengritës nga Dibra e
Mati iu përgjigjën planit operativ të kryengritjes
së përgjithshme dhe zbritën në drejtim
të Elbasanit. Kështu, kryengritja përfshiu
gati gjithë Shqipërinë e Veriut. Gjenerali
francez Kybjer, komandant i forcave të Mesdheut, e quante
kryengritjen një revolucion, duke i dhënë kuptimin
e një lëvizjeje me një shtrirje të gjerë
dhe me synimin për të flakur zgjedhën osmane.
Në pamundësi për ta shtypur me forca ushtarake,
Hafëz Pasha kërkoi të dinte kërkesat e
kryengritësve, të cilat ia paraqiti një delegacion
i dërguar prej tyre. Kryengritësit kërkuan
largimin e Hafëz Pashës nga Shkodra, dorëzimin
e kështjellës një shqiptari dhe anulimin e
taksave të vendosura gjatë reformave centralizuese.
Një nga emisarët francezë në Prevezë
shkruante në ato ditë se kryengritësit pretendonin
një pavarësi të plotë ose të formonin
një shtet të ngjashëm me Serbinë.
Hafëz Pasha nuk mund të pranonte kërkesa të
tilla, prandaj kërkoi ndihmën e Portës së
Lartë. Kryengritësit thyen forcat osmane në
përleshjet që u bënë më 23-24 maj,
më 2 qershor, më 9 qershor, më 24 qershor dhe
më 6 korrik 1835. Më 14 korrik kryengritësit
thyen në Lezhë forcat e valiut të Rumelisë,
me të cilin qenë bashkuar edhe disa pashallarë
shqiptarë. Pas kësaj fitoreje kryengritja u shtri
në të gjithë Shqipërinë e Veriut.
Porta e Lartë u detyrua të dërgojë një
ushtri të rregullt prej 30 000 vetash, një nga më
të mëdhatë e asaj kohe, që u vu nën
komandën e sekretarit të sulltanit, Vasaf Efendiut.
Në pritje të këtyre forcave, valiu i Rumelisë
hyri në bisedime me kryengritësit për të
mënjanuar ndeshjet e armatosura. Ai u dorëzoi atyre
një dokument (ferman) të rremë, me të
cilin sulltani gjoja pranonte kërkesat e tyre.
Por lufta e gjatë kishte dëmtuar shumë zejtarët
e tregtarët shkodranë, që qenë gati të
largoheshin prej saj. Pjesa më e vendosur e udhëheqjes
së kryengritësve, si Haxhi Idris Boksi, Dasho Shkreli
etj., e kuptuan kurthin dhe e vijuan luftën. Por në
ndeshjen me ushtrinë osmane më 1 shtator 1835, në
afërsi të Lezhës, kryengritësit u thyen
dhe u detyruan të tërhiqen drejt Shkodrës.
Nga kjo gjendje e vështirë ata nuk mundën ti
nxirrnin as kryengritësit dibranë e matjanë
që godisnin nga prapa krahëve ushtrinë osmane,
as thirrja e Tafil Buzit drejtuar popullit shqiptar për
të mos furnizuar me ushqime ushtrinë osmane. Më
18 shtator 1835 ushtria osmane, që ishte nisur nga Lezha
e Ulqini, hyri në qytetin e Shkodrës. Pjesa më
e vendosur e kryengritësve u largua drejt zonave malore.
Për të mos e acaruar më tej gjendjen, Porta
e Lartë bëri disa lëshime, e largoi Hafëz
Pashën nga Shkodra dhe e zëvendësoi shërbimin
e rregullt ushtarak me një taksë në të
holla, ndërsa sanxhaku i Shkodrës u përjashtua
nga zbatimi i reformave centralizuese deri në vitet 50.
Por këto ishin vetëm disa fitore të pjesshme
të kryengritësve, të cilët synonin vendosjen
e një qeverisjeje autonome të vendit.
Edhe pse kryengritjet e viteve 1834-1835 përfshinë
një pjesë të mirë të trevave shqiptare,
ato nuk arritën të shndërroheshin në një
kryengritje të përgjithshme, me një udhëheqje
të vetme dhe me veprime të bashkërenduara.
Arsyet duhen kërkuar jo vetëm në epërsinë
ushtarake osmane, por edhe në papjekurinë politike
të kryengritësve dhe sidomos në lëkundjet
e mjaft prej krerëve feudalë e të bajraktarëve,
që braktisnin luftën sa herë që Porta
bënte disa lëshime ose premtonte të kënaqte
interesat e tyre partikulariste.
Kryengritjet shqiptare të viteve 1836-1839
Edhe pse kryengritjet e viteve 1834-1835 u shtypën, gjendja
në Shqipëri nuk u qetësua. Porta e Lartë
ishte e vendosur të zbatonte reformat dhe priste rastin
e volitshëm për të shkelur premtimet që
u kishte bërë shqiptarëve. Por edhe shtresat
e gjera të popullsisë shqiptare ishin të vendosura
të mos i pranonin ato dhe barrën e rëndë
që sillte zbatimi i këtyre reformave. Ndërkaq,
përballë qëndresës së përgjithshne
të shqiptarëve, Porta e Lartë u detyrua të
ndërrojë taktikë, hoqi dorë nga zbatimi
i menjëhershëm i reformave në të gjitha
tokat shqiptare, duke i vënë në jetë pjesë-pjesë.
Në të njëjtën kohë, para zbatimit
të tyre, bëri për vete mjaft krerë feudalë
të lëkundur. Në këto rrethana kryengritjet,
edhe pse vazhduan pareshtur, nuk arritën të merrnin
një shtrirje të gjerë, në rrafsh kombëtar,
por mbetën të kufizuara në caqet lokale ose
krahinore, që i dha mundësi Stambollit ti
shtypte më lehtë.
Në verën e vitit 1836 shpërtheu kryengritja
në krahinën e Vlorës, e udhëhequr përsëri
nga Tafil Buzi, por ajo nuk zgjati shumë. Pas një
viti rifilloi në përmasa më të gjera në
Myzeqe.
Qëndresa e armatosur u shtri edhe në trevat veriore
të vendit, në Rrafshin e Dukagjinit, në Kosovë
dhe në krahinën e Dibrës. Në vjeshtën
e vitit 1836 popullsia shqiptare e krahinave të Bihorit
e të Tërgovishtës nuk pranoi të regjistroheshin
ushtarët rezervistë. Në fillim të vitit
1837 u ngrit popullsia e Matit, dëboi qeveritarin e huaj
dhe e detyroi valiun e Rumelisë të risjellë
atje Haxhi pashë Matin, të shkarkuar pas kryengritjes
së Shkodrës.
Në qershor të vitit 1837 kryengritja e drejtuar
nga Alush bej Frakulla përfshiu krahinën e Myzeqesë.
Në ditët e para të qershorit 1837 kryengritësit
u ndeshën me forcat osmane përpara qytetit të
Beratit dhe i thyen ato. Kundër tyre u hodh Emin Pasha,
me një ushtri prej 5 000 vetash, që mbërriti
në fillim në Berat për të kaluar më
pas në Myzeqe. Në një përleshje të
pabarabartë në fshatin Frakull kryengritësit
u mundën. Alush Frakulla me 150 veta u kapën dhe
u dënuan me punë të detyruar. Megjithëse
kryengritja u shtyp, Emin Pasha nuk guxoi të zbatonte
reformën ushtarake.
Po në verën e vitit 1837 lëvizja kryengritëse
u shtri në krahinat e Gjakovës, të Pejës,
të Plavës e të Gucisë, ku shpërtheu
qëndresa e armatosur kundër rekrutimit të ushtarëve
nizamë e kundër taksave që shoqëronin
reformat. Kryengritësit gjakovarë shpartalluan forcat
qeveritare, shtinë në dorë qytetin e Gjakovës
dhe shpallën vetëqeverisjen e krahinave të
tyre. Kjo ishte një fitore e rëndësishme e
kryengritësve, por në një zonë relativisht
të kufizuar. Kjo u dha mundësi forcave osmane, të
përkrahuara edhe nga krerë vendas, ta shtypnin lëvizjen
brenda një kohe të shkurtër.
Më ndryshe u zhvilluan ngjarjet në krahinën
e Dibrës e në atë të Prizrenit. Në
vjeshtën e vitit 1837 rreth 8 000 kryengritës nga
Dibra e Sipërme dhe e Poshtme iu kundërvunë
përpjekjeve të Portës së Lartë për
kufizimin e vetëqeverisjes lokale të kësaj
krahine. Kryengritësit rrethuan qytetin e Dibrës
së Madhe dhe mblodhën në katundin Krifcë
Kuvendin e tyre, i cili kërkoi nga të dërguarit
e valiut të Rumelisë zëvendësimin e një
nëpunësi të huaj, të caktuar prej tij
me një shqiptar si edhe garancinë për të
mos dënuar asnjë kryengritës. Vendosmëria
e kryengritësve e detyroi Portën e Lartë të
pranonte kërkesat e tyre. Kështu në krahinën
e Dibrave u ruajt tradita e qeverisjes prej nëpunësve
vendas.
Në ditët e para të muajit gusht të vitit
1839 kryengritja përfshiu qytetin e Beratit, që
varej atëherë nga sanxhaku i Vlorës. Qindra
qytetarë sulmuan selinë e qeveritarit të Beratit,
i cili mundi të shpëtojë duke u mbyllur në
kala. Kryengritja u shtri në tërë krahinat
e sanxhakut të Vlorës. Në Kuvendin që
u mbajt në qytetin e Beratit përfaqësuesit
e kryengritësve i paraqitën sulltanit të ri,
Abdyl Mexhitit, në emër të të gjithë
Shqipërisë së Jugut, kërkesën për
vendosjen e një administrate civile e ushtarake shqiptare
në të gjitha hallkat shtetërore. Si qeveritar
i përgjithshëm i saj u propozua Ismail Pasha, nipi
i Ali pashë Tepelenës dhe djali i Veli Beut. Kryengritësit
mendonin se emri i mirë i kësaj shtëpie do
të ndikonte në bashkimin e shqiptarëve dhe
të tokave të tyre. Në shtator 1839 kryengritësit
shtinë në dorë kështjellën. Në
këto rrethana Porta e Lartë u detyrua të pezullojë
përkohësisht reformat centralizuese.
Në mesin e shtatorit të vitit 1839 lëvizja
kryengritëse u shtri në Prizren, banorët e
të cilit rrëmbyen armët dhe e detyruan qeveritarin
osman, Ismet Pashën, të largohej nga qyteti. Një
delegacion i kryengritësve i kërkoi Portës
së Lartë që të hiqte taksat e reja, tu
jepej fund grabitjeve, ti njihej sanxhakut të Prizrenit
një qeverisje autonome, duke e shkëputur njëkohësisht
nga varësia e drejtpërdrejtë ushtarake nga
qeveritari (myshiri-mareshali) i Rumelisë. Ky u orvat
të përdorte mirditasit dhe kapedanin e tyre për
të shtypur kryengritjen. Por mirditorët, tek të
cilët ishte forcuar tanimë vetëdija politike,
nuk pranuan të luftonin kundër vëllezërve
të tyre. Porta e Lartë u detyrua që edhe në
këtë sanxhak të ndërpriste zbatimin e
reformave centralizuese.
Si rrjedhojë e kryengritjeve shqiptare të viteve
30 reformat centralizuese nuk u çuan deri në fund,
mbetën në gjysmën e rrugës. Porta nuk
arriti të zëvendësonte, në gjithë
administratën lokale, nëpunësit vendas me turq.
Krahina e Shkodrës u përjashtua nga reformat dhe
mbeti kështu deri në mesin e atij shekulli. Reformën
ushtarake Stambolli u orvat ta vinte në jetë në
Shqipëri nëpërmjet ekspeditave të njëpasnjëshme
ushtarake, që mobilizonin me forcë ushtarët
nizamë e rezervistë, ndërsa reforma gjyqësore
nuk arriti të zbatohej.
Kryengritja e Dervish Carës (1843-1844).
Qëndresa kundërosmane në Shqipërinë
e Veriut
Në vitet 1843-1844 Kosova dhe trevat lindore shqiptare
u bënë vatër e njërës prej kryengritjeve
më të fuqishme kundërosmane të gjysmës
së parë të shek. XIX, e cila, sipas emrit të
udhëheqësit të saj, është quajtur
Kryengritja e Dervish Carës.
Në Shqipërinë e Veriut reformat e Tanzimatit
u shpallën zyrtarisht në vitin 1843. Shpallja e
tyre shkaktoi një valë të re kryengritjesh
që morën shtrirje të gjerë ndërkrahinore.
Qendra kryesore të tyre mbetën qytetet. Zëvendësimi
i funksionarëve shqiptarë me nëpunës të
huaj dhe urdhri për rekrutimin e ushtarëve nizamë
ishin dy shkaqet e drejtpërdrejta të shpërthimit
të kryengritjeve në këtë zonë. Në
verën e vitit 1843 ngritën krye banorët e Prizrenit,
që dëbuan nëpunësit e rinj turq. Këtë
ngjarje e ndoqën kryengritjet në Prishtinë
e në Gjakovë. Ushtria osmane e përforcuar kundërveproi
menjëherë dhe nuk e pati të vështirë
ti shtypte këto lëvizje lokale. Veprimet e
ushtrisë u shoqëruan me terror e grabitje.
Kryengritja e Dervish Carës filloi në Shkup më
21 korrik dhe u zgjerua më shumë në gusht të
vitit 1843, kur, me ardhjen e forcave osmane nën drejtimin
e Hajredin Pashës, u shtuan përpjekjet për
rekrutimin e ushtarëve të rinj. Kryengritësit
hynë në konflikt të armatosur me ushtrinë
osmane. Në nëntor kryengritësit çliruan
Gostivarin, ndërsa në fillim të janarit 1844,
pas luftimeve të ashpra, çliruan Tetovën.
Këtu, si në Gostivar, u vendos pushteti i kryengritësve
dhe shtabi i saj, me Dervish Carën në krye. Kryengritja,
përveç Dervish Carës, udhëhiqej edhe
nga komandantë të tillë, si Emin Xhambazi,
Sulejman Toli (Tërnova), Selman Rogoçica, Emin
Bojana, Ymer Presheva, Baba Feka, Sejdi Mexha, Bajram Vaksinca
etj.
Në shkurt 10 000 kryengritës të armatosur hynë
në Shkup, e çliruan atë, formuan këtu
një Këshill të kryengritjes dhe përqendruan
pushtetin në duart e veta.
Agjitatorë në vise të ndryshme të Kosovës,
si në Vranjë e Leskovc, i bënin thirrje popullsisë
të hidhej në luftë kundër pushtetit osman.
Të tjerë ishin dërguar në krahinat fqinje
për të siguruar mbështetjen e popullsisë
së tyre. Udhëheqësit e kryengritjes u bënë
thirrje që të ngriheshin kundër sundimtarëve
osmanë edhe banorëve të krahinave të tjera
të Shqipërisë, duke theksuar me këtë
rast se ata duhej të bashkoheshin me kosovarët,
sepse ishin vëllezërit e tyre.
Në fillim të shkurtit u çlirua Kumanova,
ku me kryengritësit u bashkua edhe popullsia maqedone.
Pas Kumanovës u çliruan Presheva, Bujanovci, Vranja,
Gryka e Kaçanikut, Leskovci e viset e tjera veriore
të Kosovës. Në muajt e parë të vitit
1844 kryengritja u përhap në Pejë, në
Gjakovë, në Prizren e deri në Shkodër,
ndërsa në pranverën e vitit 1844 kryengritja
kishte përfshirë të gjitha trevat shqiptare,
nga Manastiri e Ohri në jug deri në skajet veriore
e verilindore të Kosovës, në të cilat
shqiptarët vendosën pushtetin e tyre. Garnizonet
ushtarake turke u detyruan të mbylleshin në kështjellat
e qyteteve.
Shtrirja e kryengritjes dhe fitoret e saj në Kosovë
e në Fushën e Pollogut ngjallën shpresa edhe
në popullsinë e krahinave të tjera të
vendit. Qeveria osmane i trëmbej përhapjes së
saj të mëtejshme dhe shndërrimit në një
kryengritje të përgjithshme shqiptare. Prandaj autoritetet
osmane hynë në bisedime me udhëheqësit
e kryengritjes. Gjatë bisedimeve kryengritësit i
kërkuan Stambollit të anulonte ligjin për shërbimin
e detyrueshëm ushtarak, të zëvendësonte
funksionarët osmanë të pushtetit lokal, që
nuk dinin gjuhën shqipe, me nëpunës shqiptarë
dhe të njihte autonominë e Shqipërisë,
në suazat e Perandorisë Osmane, ashtu siç
ishte njohur autonomia e Serbisë më 1830.
Këto kërkesa nuk u pranuan nga Stambolli, prandaj
bisedimet dështuan. Ndërkaq, Porta e Lartë,
krahas përgatitjeve ushtarake për shtypjen e kryengritjes,
shpalli edhe një amnisti për ata që do të
dorëzonin armët dhe premtoi se nuk do të përdorej
forca për rekrutimin e ushtarëve të rregullt.
Me këto masa ajo synonte të ngjallte lëkundje
në radhët e kryengritësve.
Porta e Lartë, nga njëra anë, premtoi se do
të hiqte dorë nga nizamët e tatimet e reja,
ndërsa, nga ana tjetër, filloi të sjellë
forca të shumta që i përqendroi në Manastir.
Për të shmangur kthimin e saj në një kryengritje
të përgjithshme, me përmasa mbarëshqiptare,
Porta e Lartë përqendroi në Manastir 32 000
ushtarë, të komanduar nga Omer Pasha, që më
18 maj kaluan në mësymje kundër kryengritësve
dhe i detyruan ata të tërhiqeshin drejt Shkupit,
Tetovës, Kumanovës e Karadakut (Malit të Zi)
të Shkupit. Luftime të ashpra u zhvilluan në
Grykën e Katllanovës nga 13-17 maj 1844. Përleshja
më e përgjakshme ishte ajo që u bë më
18 maj në afërsi të Banjës së Katllanovës,
në të cilën u vendos fati i kryengritjes në
Fushën e Shkupit. Pas një qëndrese të
fuqishme kryengritësit, të ndodhur përballë
një ushtrie që kishte epërsi teknike, që
përdori gjerësisht artilerinë, u detyruan të
tërhiqeshin. Pas luftimesh të ashpra që vijuan
edhe pas kësaj beteje, më 21 maj ushtria osmane,
që kishte epërsi mbi kryengritësit, arriti
të merrte Shkupin, ku bëri arrestime të shumta
të pjesëmarrësve të kryengritjes, një
pjesë e të cilëve u dërgua për tu
gjykuar në Stamboll.
Në maj-qershor ushtritë osmane të Omer Pashës,
pas luftimesh të rrepta me kryengritësit, pushtuan
Tetovën, Gostivarin, Kumanovën, Preshevën,
Bujanovcin dhe Vranjën, ndërsa në mesin e korrikut
morën të gjitha qendrat nga Kaçaniku deri
në Prishtinë. Prej andej u hodhën për
të shtypur qëndresën e kryengritësve në
Prizren, në Pejë, në Gjakovë e në
Shkodër, ku bënë arrestime të shumta.
Kryengritësit kudo u bënë ushtrive osmane një
qëndresë të ashpër, e cila qe më
e fuqishme në Kërçovë, në Tetovë
e në Gostivar. Me rivendosjen e pushtetit osman në
këto qytete u arrestuan shumë udhëheqës
të kryengritjes. Pas shtypjes së kryengritjes, në
korrik 1844, Shqipëria, sipas dëshmive të bashkëkohësve,
trajtohej më shumë si vend i pushtuar sesa si provincë
e Perandorisë Osmane.
Pas përfundimit të kryengritjes në Kosovë
e në Pollog, ushtria osmane, në vjeshtën e
vitit 1844, u përqendrua në sanxhakun e Dibrës,
popullsia e të cilit ishte hedhur në kryengritje
kundër zbatimit të reformës ushtarake dhe anulimit
të vetëqeverisjes lokale të krahinës.
Por forcat e komanduara nga Rexhep pashë Tetova u thyen
nga kryengritësit në fushën e Mavrovës.
Pas këtyre ngjarjeve Stambolli hodhi në këtë
krahinë ushtri të shumta, të komanduara nga
Hajredin Pasha.
Përfaqësuesit e kryengritësve thirrën
në nëntor 1844 kuvendin e tyre në Fushën
e Gjoricës, që u drejtua nga Sheh Mustafa Zerqani.
Në kuvend u vendos të mbroheshin të drejtat
e autonomisë lokale, që popullsia gëzonte prej
kohësh. Kuvendi i bëri thirrje për tu
bashkuar me kryengritësit dibranë edhe popullsisë
së krahinave të Kosovës, të Mirditës,
të Elbasanit e të Gjakovës, ku Porta po mblidhte
forca për ti hedhur kundër tyre. Gjatë
muajit nëntor 1844 kryengritësit dibranë e
matjanë, të komanduar nga Cen Leka, u zunë
rrugën ushtrive osmane të komanduara nga Hajredin
Pasha. Por përballë forcave numerikisht të
shumta turke dhe të pajisura me artileri kryengritësit
u tërhoqën në luginën e lumit Drin. Ndërkohë,
Hajredin Pasha, për ti përçarë
shqiptarët, shpalli se të gjithë ata që
do të dorëzonin armët, do të liheshin
të lirë dhe se nuk do të rekrutonte nizamë.
Ky premtim zuri vend te një pjesë e krerëve,
por shumica e tyre e vazhdoi qëndresën. Luftime
të ashpra, që zgjatën 5 ditë të tëra,
u zhvilluan në nëntor në fshatin Gjoricë,
ku krahas burrave luftuan edhe gratë e fëmijët.
Ato përfunduan me humbje të mëdha për
të dyja palët e sidomos për ushtrinë osmane.
Megjithatë, falë epërsisë numerike e teknike,
ushtria osmane, pas luftimesh të përgjakshme, i
detyroi kryengritësit të tërhiqeshin nga pozitat
e tyre. Për tu hakmarrë forcat osmane dogjën
fshatra të tëra, të braktisura nga fshatarësia,
e cila largohej për ti shpëtuar terrorit të
egër të ekspeditës osmane.
Ndonëse kryengritja e sanxhakut të Dibrës u
shtyp, Porta e Lartë u detyrua ta përjashtojë
këtë krahinë nga reforma ushtarake deri në
vitet 50 të shek. XIX, po ashtu si trevën e Shkodrës.
Lufta e vendosur e dibranëve pati jehonë në
viset e tjera shqiptare. Në mesin e majit të vitit
1845 rreth 2 000 malësorë të krahinës
së Gjakovës u ngritën kundër qeveritarit
të saj dhe e detyruan atë të largohej nga qyteti
për në Prizren. Kryengritja u përhap në
viset malore të Rekës, të Bytyçit, të
Gashit, të Tropojës dhe të Krasniqit, që
u ngritën nën udhëheqjen e Binak Alisë
dhe të Sokol Aramit. Rreth 8 000 kryengritës sulmuan
në maj të atij viti qytetin e Gjakovës dhe
e çliruan atë. Por valiu i Rumelisë hodhi
kundër tyre ushtri të shumta dhe mjaft mercenarë,
të rekrutuar nga viset malore të Shqipërisë
së Veriut. Pas luftimesh të përgjakshme, që
vazhduan mbi një muaj, kryengritja u shtyp. Mehmet Reshit
pasha urdhëroi arrestimin e atyre që kishin marrë
pjesë në kryengritje. Në të njëjtën
kohë sulltani, për të qetësuar gjendjen,
fali rreth 2 000 shqiptarë, të burgosur në
Stamboll pas shtypjes së kryengritjeve të viteve
të fundit.
Megjithëse ushtria osmane i shtypi kryengritjet shqiptare
të këtyre viteve, Porta e Lartë, edhe pse e
shpalli Tanzimatin, u detyrua ta ndërpriste edhe për
disa vjet zbatimin e sistemit të ri në Shqipërinë
Veriore.
Kryengritja e vitit 1847 në Shqipërinë
e Jugut
Në Shqipërinë e Jugut Porta e Lartë e
shpalli me bujë Tanzimatin (dekretin e Gjylhanesë)
më 1845, në një ceremoni të organizuar
në Janinë. Por kishte vite që vendi po i ndiente
pasojat shkatërrimtare të ekspeditave ushtarake
dhe të arbitraritetit të nëpunësve grabitqarë
osmanë. Në sanxhakun e Beratit, të formuar
rishtazi, që përfshinte edhe krahinat e Vlorës,
të Mallakastrës, të Skraparit e të Përmetit,
u ngarkua me detyrën e mytesarifit Hysen pashë Vrioni,
çifligari më i madh i atyre trevave. Forca të
rëndësishme ushtarake, një pjesë e të
cilave udhëhiqeshin nga Hysen pashë Vrioni, filluan
të përshkonin vendin duke çarmatosur popullsinë
dhe duke nxjerrë me forcë taksa e nizamë. Një
dëshmitar i kohës, Demir agë Vlonjati, tregon
se, sapo afroheshin ekspeditat turke, të gjithë
njerëzit iknin nga shtëpitë sikur të
kishte rënë murtaja. Zbatimi me dhunë
e me vrazhdësi i reformave, ndonëse në krye
u bë vetëm në disa krahina, e kishte shtuar
së tepërmi urrejtjen e masave popullore ndaj sundimtarëve
osmanë dhe kishte përgatitur truallin për një
kryengritje të re.
Duke e ndier këtë rrezik, qeveritarët osmanë
i ftuan krerët e Toskërisë në Manastir
për ti bindur që të hiqnin dorë
nga qëndresa e të pranonin Tanzimatin. Të njëjtën
gjë bënë në Janinë me rreth 800 agallarë
e koxhabashë të fshatrave, si edhe me përfaqësues
të parisë së qyteteve e të institucioneve
fetare. Ata zyrtarisht u dhanë autoriteteve osmane përgjigje
pozitive, por në të vërtetë, siç
doli më vonë, shumica kishte vendosur ta kundërshtonte
me të gjitha mjetet sistemin e ri.
Për organizimin më të mirë të qëndresës,
krerët e Shqipërisë së Jugut mblodhën
kuvendin e tyre në Mesaplik të Vlorës, në
qershor 1847, në të cilin morën pjesë
përfaqësues nga mjaft krahina të Shqipërisë,
kryesisht të asaj të Jugut. Shumicën dërrmuese
në kuvend e përbënin përfaqësuesit
e fshatarësisë. Kuvendi u shpreh kundër Tanzimatit
dhe vendosi të mos jepeshin ushtarë, të mos
paguheshin taksa të reja dhe të mos pranohej administrata
e re osmane. Ai mori edhe vendime të tjera me rëndësi
të madhe politike. Kuvendi e shpalli popullin shqiptar,
myslimanë e të krishterë, një dhe të
pandarë, bëri thirrje që të gjithë,
pa përjashtim, të hidheshin në luftë kundër
sundimtarëve osmanë dhe kërkoi që tu
sigurohej jeta, nderi e pasuria të gjithë shqiptarëve
pavarësisht nga feja. Kuvendi porositi që forcat
e armatosura shqiptare, të cilat do të mblidheshin
në krahina të ndryshme, të mos i shkaktonin
as dëmin më të vogël popullsisë dhe
ushqimi i luftëtarëve të sigurohej nga taksat
e vjetra që jepte vendi. Mbi këto baza u formua
besëlidhja e përfaqësuesve të Shqipërisë
së Jugut ose, siç u quajt, Lidhja Kombëtare
Shqiptare. Lidhja formoi një komitet për drejtimin
e veprimtarisë politike e ushtarake, në krye të
të cilit u zgjodh Zenel agë Gjoleka nga Kurveleshi,
i dëgjuar për trimërinë dhe për përvojën
luftarake që kishte fituar në kryengritjet e viteve
30.
Kur në fillim të korrikut xhelepçinjtë
erdhën në Kurvelesh për të mbledhur taksat
e bagëtive, ata u pritën me armë nga popullsia.
Zenel Gjoleka me 500 luftëtarë u drejtuan kundër
Delvinës, qendër e administratës osmane, të
cilën e çliruan. Kryengritja përfshiu gjithë
Labërinë dhe brenda pak kohësh u përhap
edhe në trevën e Çamërisë, të
Përmetit dhe sidomos të Mallakastrës, ku fshatarët
kryengritës zgjodhën si udhëheqës Rrapo
Hekalin. Në të njëjtën kohë shpërthyen
kryengritje në trevat veriore, në rrethet e Elbasanit,
të Tiranës, të Matit, të Dibrës,
të Plavës e të Gucisë.
Çifligarët vrionas mobilizuan të gjitha forcat
e tyre dhe, të përkrahur nga reparte ushtarake turke,
sulmuan Mallakastrën. Një betejë e ashpër
që zgjati tri ditë u zhvillua në fshatin Greshicë.
Kryengritësit, të cilëve u erdhën në
ndihmë fshatarë nga Myzeqeja dhe nga krahina e Vlorës,
i shpartalluan forcat armike dhe kapën të gjallë
Isuf bej Vrionin me të vëllanë, që kryesonin
ekspeditën; të dy i ekzekutuan në Qafën
e Sinjës.
Pas kësaj fitoreje kryengritësit, rreth 1 000 veta,
me Rrapo Hekalin në krye, iu drejtuan Beratit dhe e rrethuan.
Pas disa ditë luftimesh qyteti ra në duart e tyre.
Kryengritësit u përpoqën të merrnin kështjellën
ku ishin strehuar qeveritarët turq e vendas, si edhe
forcat turke, por u detyruan të tërhiqeshin nga
zjarri i fortë i artilerisë. Për të mbajtur
kalanë të rrethuar, në Berat u grumbulluan
forca të reja të ardhura nga krahinat përreth,
deri nga Dangëllia e Përmeti. Ndërkohë,
forcat e shtuara të kryengritësve, të udhëhequra
nga Zenel Gjoleka, po arrinin suksese të reja. Pasi shpartalluan
një ushtri turke që vinte nga Janina, ata sulmuan
Gjirokastrën dhe e rrethuan garnizonin në kala.
E shqetësuar nga këto humbje dhe nga përhapja
e gjerë e kryengritjes, qeveria e Stambollit, e cila
në fillim mendonte ti bënte ballë kryengritjes
me forcat që kishte në vend, mobilizoi trupa të
reja, të cilat u përqendruan sidomos në Manastir
e në Janinë për të asgjësuar vatrat
më të rrezikshme të kryengritjes në jug.
Qeveria turke zuri edhe brigjet detare, për të ndaluar
ndihmën që mund tu vinte kryengritësve
nga Muhamet Aliu i Egjiptit. Për ti ardhur në
ndihmë garnizonit të rrethuar në Gjirokastër,
u dërgua nga Thesalia një ushtri prej 3 000 vetash
nën komandën e një feudali shqiptar, Shahin
bej Kosturit. Por, që në përpjekjet e para
me kryengritësit në jug të Gjirokastrës,
forcat turke u thyen nga forcat shqiptare të udhëhequra
nga Zenel Gjoleka.
Fitoret e kryengritësve bënë bujë në
Shqipëri dhe jashtë saj. Jehona e tyre u ndie edhe
në Kosovë, ku filluan të dukeshin shenjat e
një lëvizjeje të re. Nëpunësit turq
braktisnin në panik postet sapo dëgjonin për
afrimin e kryengritësve. Udhëtari anglez E. Spenser,
që udhëtonte në këtë kohë nëpër
Shqipëri, shkruante: Heroi i ditës kudo është
Gjoleka.
Për të siguruar suksesin e plotë të kryengritjes,
Komiteti i Lidhjes u përpoq të gjente edhe një
aleat të jashtëm. Për këtë qëllim
ai iu drejtua Greqisë, marrëdhëniet e së
cilës me Stambollin në këtë kohë
ishin acaruar. Qeveria greke tregoi interesim të veçantë
për kryengritjen shqiptare, jo vetëm sepse përpiqej
ti shkaktonte vështirësi Turqisë duke
nxitur shqiptarët, duke u premtuar edhe ndihma materiale
e financiare, të vijonin luftën, por edhe sepse
synonte që ta vinte kryengritjen shqiptare në shërbim
të saj për të realizuar lakmitë territoriale
ndaj Shqipërisë së Jugut, që ishin shpallur
zyrtarisht qysh më 1844 me të ashtuquajturën
Megali Idea (Idea e Madhe). Këto qëllime ishin shkaku
që bisedimet ndërmjet Zenel Gjolekës dhe kryeministrit
grek J. Koletis nuk patën sukses.
Bisedimet shqiptaro-greke dhe rreziku që mund ti
vinte nga një aleancë e mundshme ushtarake ndërmjet
kryengritësve e Greqisë e shtynë Portën
e Lartë të vepronte më me vendosmëri për
ta nënshtruar sa më parë Toskërinë.
Sulltani i shpalli fermanllinj Zenel Gjolekën
e pasuesit e tij. Një ushtri prej 15 mijë vetash
u nis nga Manastiri në drejtim të Beratit.
Zenel Gjoleka e Tahir Çapari, në krye të
1 500 kryengritësve, më 28 gusht 1847 i dolën
përpara ushtrisë osmane prej 5 000 vetash, që
ishte nisur nga Janina. Pas përleshjes që zhvilluan
me të në fshatin Dholan, në verilindje të
Janinës, i shkaktuan asaj disfatë. Me këtë
fitore para kryengritësve u hap rruga për në
Janinë, të cilën mund ta merrnin edhe për
shkak se garnizoni i qytetit përbëhej në shumicë
nga ushtarë shqiptarë. Por marshimi i mëtejshëm
i kryengritësve drejt Janinës u ndal për shkak
të lajmit se forcat e tjera ushtarake osmane po përparonin
nga Manastiri drejt Beratit e Mallakastrës. Zenel Gjoleka
u hodh në Labëri, ku ishin drejtuar forcat e shumta
osmane.
Kryengritësit e udhëhequr nga Rrapo Hekali goditën
forcat ushtarake të komandantit të Rumelisë
gjatë rrugës drejt Beratit, në afërsi
të këtij qyteti. Sapo ushtria turke iu afrua qytetit,
garnizoni i rrethuar doli nga kalaja dhe sulmoi kryengritësit
në qytet. Duke u ndodhur midis dy zjarresh dhe përballë
fuqive shumë më të mëdha, kryengritësit
u tërhoqën nga qyteti në rrethet e tij dhe
vijuan luftën të ndarë në çeta
më të vogla e me sulme të befasishme.
Nga Berati ushtria osmane u hodh në Vlorë për
tu bashkuar me pjesën tjetër që kishte
ardhur nga deti dhe për të ndarë forcat kryengritëse
të Rrapo Hekalit nga ato të Zenel Gjolekës.
Prej andej ushtria u drejtua për në Labëri,
ku nuk hyri dot nëpërmjet Grykës së Kuçit,
sepse aty ishin përqendruar kryengritësit e Zenel
Gjolekës, por nga ana e Mesaplikut. Ushtria osmane dogji
fshatrat Bolenë, Kuç, Kallarat etj.
Reparte të tjera ushtarake osmane zbarkuan në Himarë
për tu rënë kryengritësve prapa
krahëve. Në kushte të tilla edhe Zenel Gjoleka
i ndau kryengritësit në çeta më të
vogla. Njëra prej tyre u ndesh me forcat osmane në
fshatin Palavli, në fushë të Delvinës.
Ndonëse luftuan me trimëri, kryengritësit u
thyen përballë ushtrive të shumta armike.
Me shtypjen e kryengritjes në Shqipërinë e
Jugut, trupat osmane përdorën gjerësisht terrorin
mbi popullsinë, duke e vijuar ekspeditën ndëshkuese
edhe gjatë dimrit 1847-1848. Ato mundën të
shtinin në dorë udhëheqësit kryesorë
të kryengritjes, si Rrapo Hekalin me të vëllanë
Hamitin, Tahir Çaparin dhe mbi 1 000 luftëtarë
të tjerë, të cilët i burgosën dhe
i internuan. Rrapo dhe Hamit Hekali vdiqën në burg,
ndërsa Zenel Gjoleka me një grup besnikësh
u tërhoqën në Greqi, ku gjetën strehim.
Ushtria turke arriti të shuante njërën pas
tjetrës vatrat e qëndresës edhe në trevat
e tjera. Qeveria osmane ndërmori atëherë zbatimin
e sistemit të ri tanzimatist në Shqipërinë
e Jugut.
Kryengritja e 1847-ës shënon një shkallë
më të lartë të lëvizjeve çlirimtare
kundër Tanzimatit si për nga përmbajtja, ashtu
edhe për nga shtrirja e organizimi i saj. Ajo dallohet
në radhë të parë për rolin aktiv
të masave fshatare në drejtimin e saj. Kjo kryengritje
luajti një rol të rëndësishëm për
bashkimin e shqiptarëve si një tërësi
etnike me interesa të përbashkëta, pavarësisht
nga feja e krahina, ashtu siç ishte vendosur në
kuvendin e Mesaplikut. Ideja e bashkimit u shpreh edhe në
këngët popullore që iu kushtuan kryengritjes.
Në një nga këto këngë poeti popullor
i drejtohet Zenel Gjolekës me fjalët sos lëfton
për vete, / por për gjithë vilajete dhe
vë në dukje se udhëheqësi trim nuk lufton
as për mua, as për ti, / po për gjithë
Shqipëri. Duke folur për këtë kryengritje,
Sami Frashëri vinte në dukje që ajo kërkoi
bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një
Shqipëri autonome.
Në folklor gjejmë mjaft të dhëna edhe
për karakterin shoqëror të kësaj kryengritjeje
të drejtuar, ashtu si edhe të tjerat, kundër
grabitjes nga shteti osman dhe nga feudalët e mëdhenj
vendas. Nizam e xhelepe ska / është
vendi fukara, thuhet në një këngë.
Dhe në një memorandum, të hartuar nga krerët
e lëvizjes më 15 gusht 1847, kryengritësit
vinin në dukje se nuk kishte kush të përkujdesej
për fakir fukaranë.
3. IDEOLOGËT E PARË TË LËVIZJES KOMBËTARE
Krahas dukurive të reja politike e shoqërore
të kryengritjeve kundërosmane të viteve 30-40,
ku spikatën kërkesat për trajtimin e veçantë
të Shqipërisë dhe për administrimin e
saj nga njerëzit e vendit, lindi dhe u zhvillua në
Shqipëri edhe ideologjia kombëtare. Shprehësit
e parë më të shquar të ideve të reja
u bënë Naum Veqilharxhi dhe Jeronim de Rada.
Naum Veqilharxhi dhe veprimtaria e tij në vitet 40
Naum Veqilharxhi (1797-1854) lindi në Vithkuq (rrethi
i Korçës), që ishte një qytezë
me zeje e tregti të zhvilluar dhe me një popullsi
arsimdashëse. Që në moshë të re,
para vitit 1806, ai shkoi në Vllahi, ku kishte një
koloni të rëndësishme shqiptarësh. Më
1821 Naumi, bashkë me shqiptarë të tjerë,
mori pjesë në kryengritjen e madhe popullore që
shpërtheu në Vllahi kundër sundimit osman nën
udhëheqjen e Tudor Vladimireskut.
Lufta që zhvilloi kundër sundimit osman në
dhe të huaj ia shtoi dashurinë për vendlindjen.
Duke punuar si avokat në Brailë të Rumanisë,
ai u njoh me idetë përparimtare dhe u formua si
iluminist. Këtu ai iu kushtua me mish e me shpirt çështjes
së çlirimit kombëtar të atdheut të
vet, Shqipërisë.
Naumi, i cili edhe në dokumentet vetjake në mërgim
e cilësonte veten me kombësi shqiptare, kishte besim
të patundur te populli shqiptar, në aftësitë
e tij për tu ndriçuar e për tu
çliruar dhe në të ardhmen e tij më të
mirë. Ky besim buronte jo vetëm nga patriotizmi
i flaktë dhe nga përvoja e njohuritë filozofike
e historike që kishte fituar, por edhe nga realiteti
i Shqipërisë, ku kryengritjet çlirimtare
kundër sundimit osman pasonin njëra-tjetrën
nga jugu në veri.
Si iluminist Naumi arriti në përfundimin se popullit
shqiptar, të zhytur në padije, i duhej patjetër
arsimimi në gjuhën amtare si mjet për ngritjen
e ndërgjegjes dhe përparimin shpirtëror e material
të tij, se pa zhvillim kulturor nuk mund të kishte
çlirim politik të popullit. Ka ardhur koha,
- shkruante ai më 1846, - që ti flakim të
gjitha paragjykimet e vjetruara, ka ardhur koha që të
mendohemi më me pjekuri dhe më me guxim të
këmbejmë udhë, duke marrë këtej e
tutje si shembull kombet e përparuara mbi tokë...
Dhe duke synuar këtu, le të ecim pa u lëkundur,
me guxim, me durim dhe me këmbëngulje.
Nevoja për masa të frytshme e konkrete në fushën
e arsimit në gjuhën shqipe ishte bërë
veçanërisht e theksuar në vitet 40, me shtimin
e numrit të shkollave të huaja që filluan të
hapeshin në Shqipëri.
Naum Veqilharxhi u bë shprehës i atyre rretheve
atdhetare shqiptare, brenda e jashtë vendit, të
cilat e kuptuan rrezikun e madh që paraqisnin shkollat
e huaja për bashkimin e popullit shqiptar dhe për
çlirimin e tij kombëtar dhe që e ndien nevojën
e ngutshme për të përhapur arsimin në
gjuhën amtare. Prandaj ai kërkonte një shkollë
të re, shqipe nga gjuha, racionaliste nga përmbajtja
dhe masive nga shtrirja. Në kushtet e Shqipërisë
së prapambetur rruga drejt këtij arsimi do të
fillonte nga abetarja dhe për ta hartuar atë duhej
përgatitur alfabeti shqip. Alfabetet latine, greke ose
arabe, që ishin përdorur deri atëherë
për shkrimin e shqipes, pa ndonjë përshtatje
të veçantë, jo vetëm nuk jepnin plotësisht
të gjithë tingujt e saj, por kishin marrë edhe
ngjyrë fetare e ishin bërë përçuese
ndikimesh politike të huaja. Naum Veqilharxhi mendonte
se shqiptarët si komb i veçantë, me gjuhë
të veçantë, duhej të kishin edhe alfabetin
e tyre.
Me alfabetin e ri që sajoi qysh në vitet 20, duke
huajtur edhe elemente nga alfabetet e tjera, ai kishte hartuar
disa tekste; por këto, siç duket, për vështirësi
teknike e mungesë mjetesh mbetën për dy dhjetëvjeçarë
të pabotuara. Më 1844 Naum Veqilharxhi botoi në
Rumani Evetarin e tij, një abetare e vogël
e poligrafuar, e cila është abetarja e parë
e gjuhës shqipe. Abetarja u shpërnda në krahinat
jugore të Shqipërisë, në Korçë,
në Përmet, në Berat, në Gjirokastër
etj. Megjithëse alfabeti ishte i vështirë për
tu përvetësuar, abetarja ngjalli entuziazmin
e bashkatdhetarëve. Në një letër, që
i drejtohej autorit nga Korça më 22 prill 1845,
e njoftonin se abetaret i kishin marrë ... me gëzim
të madh dhe me kënaqësi. Letra i bënte
të ditur se paria e Korçës kishte vendosur
të fillonte një fushatë për të ndihmuar
Naum Veqilharxhin të blinte një shtypshkronjë
dhe të hapte shkolla shqipe. Mjaft për kaq
kohë nën zgjedhën e paditurisë, - shkruanin
patriotët korçarë. - Të shpresojmë
se brenda një kohe të shkurtër arsimi do të
shtrihet në mbarë atdheun tonë dhe në
mbarë kombin tonë... Na dërgoni sa më
shumë evetore, sepse bashkatdhetarët po kërkojnë
pareshtur të gjejnë akoma nga kjo abetare.
Kjo pritje e ngrohtë e këto fjalë tregonin
se nisma e Naum Veqilharxhit shprehte aspiratat e një
shtrese të gjerë shoqërore brenda vendit, që
ndiente nevojën për tu arsimuar në gjuhën
amtare si kusht i rëndësishëm për të
çarë errësirën mesjetare dhe për
ti hapur atdheut rrugën e përparimit.
Për tiu përgjigjur kërkesës së
patriotëve korçarë, më 1845 Naum Veqilharxhi
botoi një abetare të dytë me titull Fare
i ri evetar shqip, shumë më të plotë
se e para dhe me një parathënie të gjerë.
Në këtë abetare Naumi bënte përpjekje
serioze për ta vënë mësimin e shqipes
mbi baza shkencore; ai e pasuroi gjuhën shqipe me një
varg fjalësh e termash të kulturës e të
shkencës. Abetaret e Naum Veqilharxhit luajtën një
rol të rëndësishëm në Rilindjen Shqiptare,
hodhën hapat e parë të arsimit në gjuhën
shqipe.
Pas botimit të abetares së dytë Naum Veqilharxhi,
me sa duket, u përpoq të krijonte një shoqëri
kulturore shqiptare, e cila do të merrej me botimin në
Rumani të librave në gjuhën amtare dhe me dërgimin
e tyre në Shqipëri.
Naum Veqilharxhi ishte një mendimtar i shquar iluminist
dhe hyri në histori edhe si ideologu i parë i Rilindjes
Kombëtare Shqiptare. Idetë e tij ai i shprehu në
Qarkoren, hartuar në gjuhën greke, që
u drejtoi nga Rumania, rreth mesit të viteve 40, bashkatdhetarëve
ortodoksë në Shqipëri, në letrën
e gjatë polemizuese dërguar nipit të vet, që
i quante përpjekjet e të ungjit për çështjen
shqiptare himera dhe në parathënien
e abetares së vitit 1845. Këto janë dokumentet
e para ideologjike e programatike të njohura deri më
sot të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të
hartuara nga një përfaqësues i intelektualëve
atdhetarë shqiptarë.
Naum Veqilharxhi nisej nga koncepti dialektik se, si në
natyrë, ashtu edhe në shoqëri vepron ligji
i zhvillimit, se në bazë të këtij ligji
kalohet nga më e ulëta në më të lartën,
nga e vjetra në të renë. Asnjë komb
nuk ka rënë nga qielli, ...shoqëria,
bashkëpunimi e ka bërë njerinë.
Fjalët e rënda që mund të thuheshin për
shqiptarët, shkruante ai, tregojnë një
gjendje që shkëmbehet e nuk mbetet përjetë.
Vetëm kafshët e kanë të përcaktuar
fatin nga natyra. Njeriu zhvillohet nga të voglat duke
përparuar.
Në gjykimin e gjërave Naum Veqilharxhi vinte arsyen,
të cilën, në kundërshtim me dogmatizmin
mesjetar, e quante një mjet shumë të rëndësishëm
që e ndante njeriun nga bota e kafshëve dhe e bënte
zotin e të fshehtave të gjithësisë.
Sipas këtyre koncepteve filozofike Naumi trajtoi edhe
çështjen shqiptare, historinë e kombit të
vet dhe detyrat që qëndronin përpara vendit.
Kombi shqiptar, theksonte ai, është krijuar në
të njëjtën kohë me kombet e tjera, zë
një vend të caktuar në tokë, ka karakter
të veçantë, gjuhë e zakone të veçanta,
shekujt e tij mitologjikë, heroikë, politikë
e fetarë dhe ruan në gjirin e tij një thesar
të madh kulturor. Të ndihmoje këtë komb
të fitonte ndërgjegjen dhe të zhvillohej Naum
Veqilharxhi e quante një borxh ndaj vendlermit
(vendlindjes).
Shakun kryesor të gjendjes së mjeruar në të
cilën ndodhej populli shqiptar ai e shihte te pushtimet
e shpeshta, te përmbysjet e gjithanshme,
te ndryshimet politike, te dogmat fetare,
te padija dhe sidomos te lënia pas
dore e gjuhës sonë kombëtare dhe zëvendësimi
i saj me një gjuhë të huaj.... Faktor
vendimtar për nxjerrjen e vendit nga kjo gjendje, Naum
Veqilharxhi, si iluminist, quante përhapjen e arsimit
e të kulturës në gjuhën amtare. Ato
kombe që mbetën në padije, - shkruante ai,
- u shëmbëllejnë thjesht skllevërve...,
këto kombe ...vetëm atëherë mund
të dalin nga gjendja e turpshme e mjerimit të tyre
kur do të fillojnë të lëvrojnë gjuhën
e tyre kombëtare....
Me këtë bindje dhe i ndërgjegjshëm për
rrezikun që i vinte atdheut nga arsimi në gjuhë
të huaj, Naum Veqilharxhi i ftonte bashkatdhetarët
e tij të përhapnin arsimin dhe kulturën në
gjuhën amtare. Ai u jepte zemër bashkatdhetarëve
dhe i këshillonte të mos dëshpëroheshin
nga gjendja e vajtueshme në të cilën ndodhej
vendi i tyre. Le të hedhim farën e mirë,
- shkruante ai, - dhe me siguri vetë natyra e shenjtë
e ngjarjeve do të ndihmojë për gjallërimin,
mbirjen dhe rritjen e saj, pemët e bukura dhe shumë
të ëmbla të së cilës do ti
korrë padyshim brezi i ardhmë....
Naum Veqilharxhi kërkonte që shkolla shqipe të
ishte jo vetëm për të pasurit, por edhe për
të varfrit dhe interesi i atdheut të vihej mbi interesin
vetjak. Por ai nuk e prekte, veçse në mënyrë
të papërcaktuar, çështjen e qëndrimit
ndaj qeverisë osmane. Megjithëse kryengritjet çlirimtare
në Shqipëri kishin paraqitur kërkesën
e vetëqeverisjes së vendit, Naumi, me sa duket,
mendonte që më parë duheshin shfrytëzuar
kushtet e krijuara formalisht nga dekreti i Tanzimatit për
të zhvilluar një veprimtari energjike në fushën
e arsimit e të kulturës në gjuhën amtare,
derisa të rritej ndërgjegjja kombëtare e të
arrihej bashkimi i popullit në atë shkallë
që të lejonte shtrimin e çështjes së
marrëdhënieve politike me Turqinë.
Lëvizja e arbëreshëve të Italisë
në përkrahje të çështjes kombëtare
në vitet 30-40
Në kohën kur Naum Veqilharxhi zhvillonte veprimtarinë
e vet në Rumani dhe krijonte lidhje me disa qendra të
Shqipërisë së Jugut, në kolonitë
arbëreshe të Kalabrisë dhe të Sicilisë
në Itali filluan të dukeshin shenjat e para të
një lëvizjeje në përkrahje të çështjes
kombëtare shqiptare. Ngjarjet që po zhvilloheshin
në këtë kohë në Shqipëri, kryengritjet
e njëpasnjëshme, përpjekjet e atdhetarëve
shqiptarë për arsimin dhe kulturën kombëtare
tërhoqën vëmendjen e një vargu intelektualësh
të dalë nga gjiri i kolonive arbëreshe. Arbëreshët
nuk e kishin harruar vendin e të parëve dhe i ruanin
të gjalla, veçanërisht në folklorin
e tyre të pasur, traditat e mëdha të luftës
për liri, si dhe gjuhën e doket që kishin marrë
nga mëmëdheu.
Të nxitur nga dashuria për atdheun e të parëve
dhe nën ndikimin e interesit që shfaqte në
gjysmën e parë të shek. XIX shkenca gjuhësore
evropiane për gjuhën shqipe, intelektualët
arbëreshë filluan të merreshin me studimin
e historisë, të folklorit dhe të gjuhës
së këtyre kolonive, si dhe në përgjithësi
me historinë e mëmëdheut të tyre të
dikurshëm. Në kohën kur filluan të bëheshin
hapat e parë të gjuhësisë krahasuese dhe
u zbuluan lidhjet gjenealogjike të një vargu gjuhësh,
studiuesi arbëresh Engjëll Mashi në vitet e
para të shek. XIX dhe Josif Krispi e Gjon Skiroj në
vitet 30 hodhën tezën e prejardhjes së popullit
shqiptar nga pellazgët e të gjuhës së
tij nga pellazgjishtja, gjuhë që mendohej se ishte
folur nga banorët më të lashtë të
Ballkanit e të Mesdheut. Teza e prejardhjes pellazgjike,
si shprehje e lashtësisë së popullit shqiptar,
zuri vend e u përhap shumë në qarqet shkencore
dhe në opinionin e gjerë.
Po në këtë kohë filloi veprimtarinë
e tij Jeronim de Rada (1814-1903) nga fshati Makje i Kalabrisë,
i cili u bë një nga figurat më të shquara
të letërsisë arbëreshe dhe të lëvizjes
patriotike shqiptare. Qysh në veprën e tij të
parë, poema Këngët e Milosaos (1836),
shkruar në dialektin arbëresh, De Rada i dha letërsisë
shqipe një nga veprat e saj më të bukura. Duke
trajtuar edhe më tej tema historike, nga luftërat
shqiptaro-turke të shek. XV, si p.sh., në poemën
Serafina Topia (1843), poeti, i frymëzuar
nga kryengritjet shqiptare, si dhe nga lëvizjet çlirimtare
që zienin në Itali, në të cilat mori pjesë
vetë, vinte në dukje traditat luftarake e liridashëse
të popullit shqiptar. Me këto vepra ai u bënte
të njohur bashkatdhetarëve dhe nëpërmjet
përkthimit italisht gjithë botës historinë
e lavdishme të popullit shqiptar. Me këtë intelektualët
arbëreshë filluan të sendërtonin atë
që e quajtën si detyrë të madhe ndaj mëmëdheut
të tyre të lashtë: të ringjallnin
përpara opinionit publik ndjenjat e një kombi të
lavdishëm, por të panjohur, siç shkruante
më 1847 në parathënien e veprës së
vet Mbi shqiptarët, kërkime dhe mendime,
studiuesi arbëresh Vinçenc Dorsa. Ai ia kushtonte
veprën e vet kombit të tij të përndarë
e të përçarë, por një. Me
këtë Vinçenc Dorsa donte të theksonte
se kolonitë arbëreshe e ndienin veten si pjesë
të pandara të një të tëre, të
kombit shqiptar.
Me gjithë kushtet e vështira, ndërmjet vatrave
të veçanta të lëvizjes politike e kulturore
shqiptare filluan të krijoheshin që herët lidhjet
e para. Në vitin 1845 Naum Veqilharxhi dhe shqiptarët
e tjerë të Bukureshtit e përgëzonin Jeronim
de Radën me një letër për punimin e tij
Mbi hyjnitë e pellazgëve, të botuar
më 1843 në të cilën poeti përpiqej
të shpjegonte se një varg emrash të mitologjisë
greke në të vërtetë ishin shqip, sepse
shpjegoheshin, sipas tij, me anë të shqipes së
sotme dhe se pellazgët i kishin dhënë hua kulturës
së lashtë greke një varg elementesh. Mendime
të ngjashme në lidhje me prejardhjen pellazgjike
të gjuhës shqipe të popullit shqiptar shfaqën
edhe një varg albanologësh të huaj.
Këto mendime të De Radës dhe të albanologëve
në lidhje me teorinë pellazgjike u përqafuan
nga Naum Veqilharxhi dhe atdhetarë të tjerë
shqiptarë. Ato luajtën një rol për ngritjen
e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve
dhe u përdorën për të vërtetuar autoktoninë
e popullit shqiptar në trojet e veta dhe për të
shtruar përpara opinionit ndërkombëtar njohjen
e të drejtave të shqiptarëve si komb më
vete.
Intelektualët arbëreshë ndiqnin me vëmendje
ngjarjet që po zhvilloheshin në vitet 30-40 të
shek. XIX në Shqipëri. Veprat e tyre jo vetëm
u bënin jehonë këtyre ngjarjeve, por edhe,
duke evokuar të kaluarën, ngrinin probleme të
rëndësishme, si ato të luftës së
armatosur për liri, të bashkimit të popullit
shqiptar etj. Duke vënë në dukje rëndësinë
e kryengritjeve që po ndodhnin në mëmëdheun
e tyre të lashtë dhe duke i interpretuar ato si
shenja të një kthese Vinçenc Dorsa i përshëndeste
këto kërcënime të vazhdueshme, inkursione,
rebelime, mosbindje ndaj ligjeve, bashkimin e shpejtë
nën flamurin e një kryetari dhe tërheqjen e
vëmendjes që i bëjnë Portës së
Lartë. Në këto fakte, unë
lexoj, - vazhdonte ai, - përgatitjen e furtunës
së afërme dhe agimin e ditës së kthjellët
që do të vijë pas saj. Dhe më poshtë:
Shqipëria beson se kjo ditë (e rilindjes së
saj - shën. i aut.) është e afërme dhe
besimi i vë asaj në lëvizje shpirtin për
ta arritur. Ajo nuk flet veçse për rilindje....
4. KUNDËRSHTIMI I PLANEVE EKSPANSIONISTE TË
SHTETEVE FQINJE. SHQIPËRIA DHE KRIZA LINDORE E VITEVE
1853-1856
Megali Idea greke dhe Naçertania
serbe
Kryengritjet për autonomi të viteve 30-40, si pjesë
përbërëse dhe element aktiv i lëvizjes
çlirimtare në Ballkan, e dobësuan sundimin
e Portës së Lartë dhe krijuan kushte objektive
për bashkëpunimin ushtarak të popujve të
shtypur të gadishullit dhe për shpejtimin e çlirimit
të tyre nga zgjedha osmane. Por ky bashkëpunim u
minua nga politika ekspansioniste e Greqisë dhe e Serbisë.
Në vitet 40 shteti serb dhe ai grek nuk e kishin përfunduar
ende bashkimin e tyre kombëtar. Një pjesë e
territoreve me popullsi serbe e greke ndodhej ende nën
sundimin osman. Për këtë arsye, një nga
drejtimet e politikës së këtyre vendeve ishte
ai i çlirimit të territoreve dhe i bashkimit të
tyre me shtetet kombëtare përkatëse. Por, krahas
këtij synimi të drejtë, te qeveritë greke
e serbe që drejtonin këto shtete ishin shfaqur prirje
të frymëzuara nga ide shoviniste, të cilat
u zhvilluan e u shndërruan në një vijë
themelore të politikës së tyre.
Në fillim të vitit 1844 kryeministri grek J. Koleti
e formuloi dhe e shpalli zyrtarisht programin politik ekspansionist,
i cili hyri në histori me emrin Megali Idea
(Megali Idhea - Ideja e Madhe). Sipas
këtij programi, Greqia si trashëgimtare e Bizantit
duhej të shndërrohej në një shtet të
madh me kryeqytet Stambollin (Konstandinopojën), ku do
të bënin pjesë jo vetëm tokat greke, por
edhe të gjitha territoret me popullsi ortodokse jogreke
të Ballkanit, që kishin qenë nën Perandorinë
Bizantine dhe vareshin fetarisht nga Patrikana e Stambollit.
Megali Idea përfshinte në kufijtë
e Greqisë së Madhe edhe tokat shqiptare. Me këtë
projekt, në veri në fillim përfshihej në
kufijtë e Greqisë gjithë Shqipëria, kurse
pas viteve 60 caktohej si kufi verior herë lumi Drin,
herë Shkumbini, ndërsa shovinistët më
të moderuar grekë e çonin atë deri te
lumi Vjosë.
Për realizimin e kësaj platforme qeveria greke parashikonte
të hidhte në Shqipërinë e Jugut çeta
të armatosura, të cilat do të provokonin kryengritje
dhe do të përgatisnin truallin për aneksimin
e këtyre territoreve nga Greqia. Ajo u orvat të
shfrytëzonte për qëllimet e saj edhe kryengritjet
shqiptare, sidomos ato të Shqipërisë së
Jugut, siç ishte ajo e vitit 1847, kur kryeministri
grek J. Koletis hyri në bisedime me Zenel Gjolekën,
të cilat, për shkak të synimeve ekspansioniste
të Athinës, dështuan.
Megali Idea greke gjeti një mbështetje
të fuqishme te Patrikana ortodokse e Stambollit. Me formimin
e shtetit grek, Patrikana e humbi dora-dorës karakterin
ekumenik që kishte më parë dhe u kthye në
një kishë greke, në një aleate e Greqisë.
Kështu që kisha ortodokse dhe shkollat në gjuhën
greke u kthyen në vatra për të helenizuar besnikët
e nxënësit që i frekuentonin ato.
Po atë vit, më 1844, ministri i Serbisë I.
Garashanin shpalli programin që do të vihej në
themel të politikës serbe e që është
i njohur në histori me emrin Naçertanie
(Projekt). Edhe qarqet politike drejtuese të
Serbisë, ashtu si ato të Greqisë, me pretekstin
e çlirimit të tokave të sllavëve të
jugut nga zgjedha osmane, synonin të krijonin një
shtet të madh, që do të përtërinte
perandorinë mesjetare të Stefan Dushanit. Në
kufijtë e kësaj perandorie të re, sipas Naçertanies,
do të hynin edhe viset e Shqipërisë së
Veriut së bashku me Kosovën, që ministri serb
e pagëzoi me emrin Serbi e Vjetër.
Të dyja programet kishin karakter shovinist dhe shprehnin
aspiratat ekspansioniste të borgjezisë greke e serbe.
Ato nuk e njihnin ekzistencën e kombit e të Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare dhe si pasojë kundërshtonin
idenë e krijimit të shtetit shqiptar. Sipas këtyre
programeve, tokat shqiptare ishin të destinuara të
ndaheshin midis Greqisë dhe Serbisë.
Këto synime të shteteve fqinje, që ishin shfaqur
edhe më parë, u shndërruan prej viteve 40 të
shek. XIX në një politikë të përhershme
zyrtare, pasojat e së cilës u ndien shumë shpejt
në Shqipëri.
Lufta kundër turkomanizmit dhe grekomanizmit
Duke filluar prej viteve 50 Lëvizja Kombëtare Shqiptare
bëri një luftë gjithnjë e më të
ashpër kundër ideologjisë së panislamizmit,
të propaganduar nga Porta e Lartë, dhe të panhelenizmit,
të përhapur nga qarqet shoviniste të Athinës.
Qeveria e Stambollit ua mohonte kombësinë shtetasve
myslimanë joturq të Perandorisë, të cilët
i quante osmanllinj dhe ndiqte me këmbëngulje parimin,
sipas të cilit Perandoria teokratike Osmane duhej të
mbështetej mbi gjithë shtetasit myslimanë pa
dallim.
Me qëllim që të përforconin pozitat e
tyre në Shqipëri, të rrezikuara nga kryengritjet
e vazhdueshme shqiptare dhe nga lëvizja e përgjithshme
kryengritëse e popujve të tjerë ballkanas dhe
për ti lidhur sa më ngushtë masat e prapambetura
të popullsisë myslimane shqiptare me fatet e Perandorisë,
qeveritarët e Stambollit filluan të zhvillonin një
fushatë me parulla panislamike për të nxitur
fanatizmin e përçarjen fetare midis shqiptarëve.
Ata dërguan në Shqipëri për këtë
qëllim edhe klerikë myslimanë nga Anadolli
e nga vende të tjera lindore. Këtij qëllimi
i shërbenin edhe shkollat shtetërore turke që
po ngriheshin në vitet 50-60 në Shqipëri, të
cilat, edhe pse quheshin formalisht shkolla laike, pjesën
më të madhe të programit e kishin me lëndë
fetare islamike.
Kundërshtimi që i bënte Porta lëvizjes
shqiptare gjente mbështetje te disa shtresa të caktuara
të shoqërisë shqiptare, te turkomanët.
Këta përbëheshin, në radhë të
parë, nga elementët fanatikë të klerit
mysliman shqiptar, si dhe nga një pjesë e feudalëve
të vendit, të cilët pozitën e privilegjuar
që kishin si funksionarë fetarë ose shtetërorë
ia detyronin sulltanit dhe prandaj ishin të interesuar
të mos prisheshin e as të prekeshin lidhjet me të.
Ndër turkomanët bënin pjesë edhe disa
elementë të borgjezisë së pasur qytetare,
të cilët, jo vetëm nën ndikimin e parullave
fetare islamike, por edhe si sipërmarrës shtetërorë
e pjesëmarrës në spekulime të përbashkëta
me funksionarët e Perandorisë, kishin interes të
ruanin gjendjen ekzistuese, që u siguronte atyre një
varg fitimesh. Qarqet e turkomanëve përpiqeshin
të shfrytëzonin për qëllimet e tyre prapambetjen
arsimore e kulturore të shtresave të gjera të
popullsisë shqiptare, ndjenjat e tyre të natyrshme
fetare islame dhe sidomos ndikimin mbi to të sulltanit
si Kalif.
Kundërshtim të ashpër gjeti Lëvizja Kombëtare
Shqiptare, si edhe ajo e disa popujve të tjerë ballkanas,
edhe nga prirjet shoviniste të disa qarqeve të borgjezisë
greke, që propagandonin panhelenizmin si
armë ideologjike për të përgatitur realizimin
e planit ekspansionist të Idesë së Madhe.
Një rol të veçantë në këtë
lëvizje luante edhe kleri i Patrikanës greke të
Stambollit. Ideologjia panheleniste u mbështet edhe nga
disa shtresa të caktuara të shoqërisë
shqiptare, nga grekomanët, siç u quajtën
përfaqësuesit e këtij orientimi, që vinin
në radhë të parë nga një pjesë
e tregtarëve ortodoksë të Shqipërisë
së Jugut, që kishin lidhje me tregjet e Selanikut,
të Korfuzit etj.
Dobësia e borgjezisë shqiptare si klasë e re
dhe ndikimi i parullave fetare të përhapura me anë
të kishës e të shkollave greke u bënë
shkak që grekomanët të shihnin
te borgjezia greke, e cila kishte krijuar shtetin e vet kombëtar,
të vetmen mbështetje për tu çliruar
nga zgjedha osmane.
Protagonistët e Idesë së Madhe
në Shqipëri u përpoqën të shfrytëzonin
për qëllimet e tyre edhe dasitë fetare midis
borgjezisë e fshatarësisë së krishtere
shqiptare dhe bejlerëve çifligarë të
vendit, që në shumicën dërrmuese ishin
myslimanë, si edhe nevojën e madhe për arsim
që kishte popullsia shqiptare, nevojë e cila, për
mungesë shkollash në gjuhën shqipe, nuk kishte
mundësi të plotësohej atëherë veçse
në shkolla greqisht.
Duke luftuar kundër këtyre rrymave mendimtarët
rilindës përpunuan platformën e vet, që
u bë baza e veprimit të mëtejshëm politik-kulturor
të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Të nisur
nga fakti se në bazë kriteresh objektive populli
shqiptar, me gjithë ndarjen fetare, përbënte
një komb më vete dhe si i tillë kishte një
rrugë të veçantë të formimit historik
që e shpinte në mëvetësinë e tij
kulturore e politike, ideologët e lëvizjes kombëtare
e drejtuan propagandën e tyre kundër përpjekjeve
të panislamistëvedhe panhelenistëve
për të bërë për vete politikisht,
sipas parimit fetar, pjesë të veçanta të
popullit shqiptar.
Një luftë të posaçme bënë
ata, ndër të tjera, kundër tezave politike
të panhelenistëve, që, duke i mbështetur
synimet e tyre në teorinë pellazgjike, propagandonin
se shqiptarët dhe grekët kishin origjinë të
përbashkët, ishin pasardhës të pellazgëve
nga gjuha e nga prejardhja dhe si rrjedhim ishin vëllezër,
e arrinin kështu në përfundimin se shqiptarët
duhej të shkriheshin jo vetëm nga pikëpamja
kulturore, por edhe politikisht në gjirin e helenizmit.
Megjithatë, vështirësitë e krijuara nga
një propagandë e tillë armiqësore ndaj
kombit shqiptar, nuk i penguan Naum Veqilharxhin dhe aktivistët
e tjerë të çështjes kombëtare të
vijonin rrugën e nisur. Naum Veqilharxhi iu drejtua pasanikëve
shqiptarë në Rumani, Vangjel Zhapës nga Labova
e Lunxhërisë (Gjirokastër) dhe Apostol Arsaqit
nga Hotova e Përmetit, të njohur si dhurues shumash
të mëdha për qëllime mirëbërëse
në Greqi, që të jepnin përkrahjen e tyre
për të shtypur libra shkollorë në gjuhën
amtare, të hartuar prej tij dhe për të hapur
shkolla shqipe. Por Vangjel Zhapa doli kundër orientimit
të pavarur të veprimtarisë arsimore shqiptare.
Kur po zhvillonte një veprimtari të dendur për
çështjen shqiptare, Naum Veqilharxhi vdiq (në
vitin 1854). Si fajtor për vdekjen e tij shqiptarët
akuzuan në radhë të parë Patrikanën
e Stambollit, e cila, për të ruajtur unitetin
e fesë së krishterë që gjoja ishte vënë
në rrezik nga veprimtaria e Naum Veqilharxhit, kishte
nxitur Portën për të marrë masa kundër
tij. Rrugën e veprimtarit të palodhur e vijuan shumë
dishepuj, midis të cilëve edhe Thimi Mitkoja nga
Korça.
Një rrugë të veçantë filluan të
ndiqnin në këto vite disa intelektualë ortodoksë
nga Shqipëria e Jugut e në radhë të parë
Anastas Byku nga Lekli i Tepelenës (veproi në vitet
1859-1878). Duke u nisur nga bindja se pa përparim kulturor,
pa lëvrimin e mësimin e gjuhës amtare populli
shqiptar nuk do të kishte mundësi të zinte
vendin që i përkiste midis popujve të tjerë,
Anastas Byku botoi në vitet 1861-1862 në Lamia të
Greqisë gazetën greqisht-shqip Pellasgos,
kushtuar çështjes shqiptare. Të njëjtit
qëllim i shërbente edhe abetarja e vogël me
titull Gramë për shqiptarët (1861),
në të cilën përdorej alfabeti greqisht
për shkrimin e shqipes. Më tej Anastas Byku punoi
për ngritjen e një rrjeti të gjerë shkollash
fillore e të mesme në gjuhën shqipe, për
të cilat u përpoq të fitonte përkrahjen
financiare edhe të Vangjel Zhapës. Por Anastas Byku,
ndonëse ishte për ruajtjen e karakterit të
veçantë të popullit shqiptar, u shpreh kundër
zhvillimit të tij të pavarur dhe për përfshirjen
e tij në gjirin e helenizmit. Rrugën e Anastas Bykut
e ndoqi në fillim të veprimtarisë së vet
edhe Jani Vretoja nga Postenani i Leskovikut (1822-1900),
si dhe Eftim Brandi nga Korça (veproi në vitet
1860-1880).
Mendimi i Anastas Bykut, i cili e vinte lëvizjen shqiptare
në vartësi të synimeve të qarqeve panheleniste,
u kundërshtua nga veprimtarët e lëvizjes shqiptare,
midis tyre nga Thimi Mitkoja. Lufta që zhvillonte Lëvizja
Kombëtare Shqiptare në fronte të ndryshme dëshmonte
për rritjen e saj ideologjike. Mendimi i rilindësve,
i formuar qysh në këtë kohë, në lidhje
me rrugën e veçantë historike të popullit
shqiptar, u bënte jehonë kërkesave të
kryengritjeve popullore kundërosmane për autonominë
e Shqipërisë. Me forcimin e Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare filluan të diferencoheshin edhe radhët
e rretheve borgjeze turkomane e grekomane,
një pjesë e anëtarëve të të
cilave u bashkua me të.
Kriza Lindore e viteve 1853-1856 dhe Shqipëria
Kryengritjet kundër Tanzimatit dhe sidomos kryengritja
e madhe e vitit 1847 i kishin treguar Stambollit rrezikun
që i kanosej Perandorisë nga një acarim i ri
i gjendjes në Shqipëri në një kohë
kur kishte filluar të rritej edhe lëvizja e përgjithshme
për çlirimin kombëtar të popujve të
Ballkanit dhe ishin acaruar kontradiktat e Fuqive të
Mëdha lidhur me trashëgimin e të sëmurit
të Bosforit, siç quhej tashmë Perandoria
Osmane. Shqetësimi i Portës ishte shtuar edhe nga
interesimi që kishin filluar të tregonin për
Shqipërinë shtetet e reja ballkanike dhe nga orvatjet
e tyre për ti shfrytëzuar lëvizjet kundërosmane
të shqiptarëve.
Në këto rrethana, kur mund të shpërthente
një konflikt ndërkombëtar, Stambolli, duke
dashur të kishte në krahun e vet forcën ushtarake
të shqiptarëve, që e çmonte shumë,
krahas zgjerimit të propagandës panislamike mori
edhe disa masa për të ulur tensionin në marrëdhëniet
me shqiptarët. Autoritetet osmane në Shqipëri
u urdhëruan të mos përdornin përkohësisht
forcën për të zbatuar reformat. Sulltani fali
një varg krerësh të burgosur ose të internuar
të kryengritjes, si dhe Zenel Gjolekën. Më
1849 kapedanit të Mirditës Bibë Doda iu dha
titulli pashë dhe iu njoh e drejta që të merrte
pjesë në luftë me një repart të vetin,
të përbërë prej afër 10 mijë
luftëtarësh. Si komandantë repartesh të
çrregullta u njohën edhe feudalë të
tjerë, të cilëve Porta u siguroi shpërblime
e grada.
Nga ana tjetër, në Shqipëri kishte filluar
të shtohej gjithnjë e më shumë shqetësimi
i shkaktuar nga synimet ekspansioniste të shteteve fqinje,
i cili e kishte rritur gatishmërinë e popullsisë
për të mbrojtur trojet e veta. Këtë rrethanë
u përpoq me të gjitha mënyrat ta shfrytëzonte
qeveria osmane për të nxitur urrejtjen e shqiptarëve
kundër vendeve fqinje dhe për të siguruar një
bashkëpunim sa më të ngushtë me ta.
Një rast i tillë u paraqit më 1852, kur Turqia
i shpalli luftë Malit të Zi duke marrë shkas
nga disa ndryshime në formën e shtetit që kishte
bërë princi i ri Danilo. Thirrjes së sulltanit
për të marrë pjesë në luftë
iu përgjigjën një varg krerësh feudalë
dhe bajraktarë shqiptarë, midis tyre edhe Bibë
Doda, Zenel Gjoleka etj., të cilët shkuan me repartet
e tyre në ndihmë të ushtrisë osmane. Por
lufta nuk i solli ndonjë përfitim Stambollit. Ndonëse
u sulmua edhe nga Shqipëria e nga Hercegovina, Mali i
Zi, me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, doli nga
lufta i padëmtuar. Repartet shqiptare nga ana e tyre
patën humbje të ndjeshme në njerëz, midis
të tjerëve u vra edhe Zenel Gjoleka.
Përleshjet e përgjakshme në kufirin turko-malazez
vijuan edhe pas luftës. Ato nxiteshin nga krerët
e Malit të Zi për të përgatitur truallin
për aneksimin e trojeve veriore të Shqipërisë.
Por sulmet malazeze ndeshën në qëndresën
e vendosur të popullsisë shqiptare të këtyre
krahinave.
Në mesin e shek. XIX u acarua edhe më shumë
rivaliteti ndërmjet Fuqive të Mëdha evropiane
për ndikimin në vendet e Lindjes së Afërme.
Në këtë kohë Anglia e Franca e kishin
dëbuar pothuajse krejtësisht Rusinë e prapambetur
nga tregjet e kësaj zone. Por Rusia nuk kishte hequr
dorë nga synimi për të shtënë në
dorë Ngushticat e Dardaneleve dhe vetë Stambollin,
që të shtrinte kështu më tej praninë
e saj në Lindjen e Afërme e në Ballkan. Ajo
priste të krijohej një gjendje ndërkombëtare
e përshtatshme për ta shembur Perandorinë e
sulltanëve dhe për të arritur këto qëllime.
Në projektet e saj për rregullimin e ardhshëm
të Turqisë Evropiane, Rusia parashikonte krijimin
e forcimin e shteteve të pavarura, sllave ose përgjithësisht
të krishtere, të cilat do të ishin nën
ndikimin e Rusisë. Por në këto projekte nuk
figuronte Shqipëria. Qeveria cariste nuk parashikonte
krijimin e një shteti shqiptar dhe prandaj qëllimisht
i identifikonte shqiptarët myslimanë me turqit,
ndërsa ata të krishterë ortodoksë me grekët.
Politika ruse e copëtimit të Perandorisë Osmane
ndeshi në kundërshtimin e vendosur të fuqive
perëndimore e në radhë të parë të
Anglisë e të Francës. Këto fuqi vijonin
të garantonin e të përkrahnin status quo-në
dhe paprekshmërinë e Turqisë, sepse po e kthenin
atë në një gjysmëkoloni të tyre dhe
sepse me ruajtjen e Turqisë pengohej dalja e Rusisë
në Mesdhe. Kur në korrik 1853 qeveria cariste i
shpalli luftë Perandorisë Osmane (Lufta e Krimesë,
1853-1856), ajo u gjend shumë shpejt përpara një
konflikti të madh, në të cilin Anglia e Franca
dhe më vonë edhe Mbretëria e Sardenjës
morën anën e Turqisë. Pas një vargu fitoresh
fillestare të Rusisë në frontin e Danubit e
në det, operacionet e aleatëve të Turqisë
u përqendruan në gadishullin e Krimesë dhe
prandaj konflikti mori emrin Lufta e Krimesë.
Duke pasur ushtritë e saj në brigjet e Danubit,
Rusia u bëri thirrje popujve ortodoksë të Ballkanit
të rrëmbenin armët kundër shtypësit
shekullor. Duke shpresuar se me fitoren e Rusisë ortodokse
do të përmirësohej gjendja e tyre, kësaj
thirrjeje iu përgjigjën vullnetarë nga vende
të ndryshme ballkanike, si edhe shqiptarë ortodoksë
nga Shqipëria e Jugut.
Edhe Turqia nga ana e saj u përpoq të mobilizonte
forcat shqiptare me parullën e mbrojtjes së fesë
islame, por nuk arriti ndonjë sukses të madh. Ajo
nuk mundi të nxirrte nga Shqipëria veçse
pak nizamë. Nuk dhanë fryte të dukshme edhe
përpjekjet e saj për të dërguar krerët
shqiptarë me forcat e tyre në frontin rus. Shumica
e tyre nuk pranoi të shkonte në një front kaq
të largët, siç ishte fronti i Danubit dhe
preferoi ti mbante forcat gati në rastin e një
sulmi të mundshëm nga Mali i Zi ose nga Greqia.
Vetëm Bibë Doda me një numër mirditasish
u nis për në front, por pas disa kohësh edhe
ai u kthye në vendin e vet për shkak të mosmarrëveshjeve
që lindën midis tij dhe komandantit turk, Omer Pashës.
Lufta e Krimesë nxiti Malin e Zi dhe Greqinë të
ndërmerrnin veprime luftarake kundër Perandorisë
Osmane. Mali i Zi ndërmori disa sulme në Hercegovinë
e në tokat shqiptare dhe përgatiste një goditje
kundër Tivarit. Por përballë qëndresës
së vendosur të shqiptarëve dhe nën presionin
e fortë të Austrisë e të Francës,
princi Danilo u detyrua të hiqte dorë nga kjo ndërmarrje.
Më larg shkuan veprimet e Greqisë. Megjithëse
Anglia e Franca nuk e lanë të hynte në luftë
kundër Portës, qeveria greke organizoi çeta
të shumta të komanduara nga oficerë të
ushtrisë, të cilët u futën fshehurazi
në Thesali dhe në krahinat e vilajetit të Janinës
për të organizuar një kryengritje kundërosmane.
Ata hynë edhe në krahina të Shqipërisë,
duke bërë kështu një hap të parë
drejt sendërtimit me forcën e armëve të
Megali Idesë. Për këtë qëllim
ajo u përpoq të shfrytëzonte urrejtjen e shqiptarëve
ortodoksë kundër sundimtarëve osmanë dhe
prandaj vuri në krye të lëvizjes figura të
shquara të luftës për pavarësi me prejardhje
arbëreshe ose nga Suli, si Theodhor Griva e Nikollë
Zerva, të cilët do ti jepnin kryengritjes
në tokat shqiptare dukjen e një aleance greko-shqiptare.
Më 2 janar 1854, pasi shpallën lirinë
dhe pavarësinë e gjithë provincave të
Greqisë së Vjetër, udhëheqësit
e kryengritjes, me parullën perandori greke ose
vdekje, i ftuan banorët e këtyre krahinave
të rrëmbenin armët. Kryengritësit arritën
në fillim disa suksese në ato krahina ku nuk kishte
ushtri të rregullt dhe ku vepronin disa feudalë
shqiptarë me forcat e tyre lokale. Arta ra në duart
e kryengritësve dhe një çetë e madhe
andartësh?, e komanduar nga gjenerali Griva, arriti deri
në Mecovë. Gjatë marshimit në viset e
brendshme të vilajetit të Janinës, andartët
grekë përdorën edhe forcën për ti
detyruar vendasit të bashkoheshin me ta, ndërsa
në Filat persekutuan në prill të vitit 1854
disa familje shqiptare, midis të cilave edhe atë
të Xhafer pashë Demit.
Por synimet aneksioniste të qeverisë greke bënë
që shqiptarët ti shmangeshin bashkëpunimit
me ta dhe kryengritja të mos merrte karakter të
përgjithshëm. Për më tepër, krerët
shqiptarë të Jugut, ndër të cilët
Çelo Picari, Halit bej Frashëri, Ahmet Çapari
etj., duke njohur synimet pushtuese të Athinës,
mobilizuan forcat e tyre dhe i thyen andartët grekë
në krahinën e Artës dhe në Thesali. Nga
ana tjetër, Anglia me Francën, pas protestave të
Turqisë që e akuzoi Athinën për ndërhyrje
në punët e brendshme të Perandorisë Osmane,
e detyruan qeverinë e Athinës të hiqte dorë
nga këto veprime, që ishin në dobi të
Rusisë; si masë shtrënguese kundër saj,
ato pushtuan me flotën e tyre Pireun, limanin kryesor
të Greqisë.
Krizën e shkaktuar nga lufta ruso-turke e shfrytëzoi
edhe Vjena për ti shkëputur Portës së
Lartë një varg koncensionesh dhe për të
përforcuar pozitat në Shqipërinë e Veriut
ku, në bazë të traktateve ndërkombëtare,
ajo kishte fituar të drejtën e mbrojtjes së
popullsisë katolike (i ashtuquaturi kultusprotektorat)??.
Me ndërhyrjen e Austrisë u kthye përsëri
në Shkodër urdhri i jezuitëve, i dëbuar
prej andej 11 vjet më parë. Me anë të
një demonstrate detare përpara grykës së
Bunës më 1853, Vjena e detyroi Portën të
lejonte ngritjen e një seminari të jezuitëve.
Disa vjet më vonë u themelua në Shkodër
nën mbrojtjen e Austrisë edhe një kuvend françeskan.
Nga ana tjetër, kapitali tregtar austriak po bëhej
veçanërisht aktiv në Shqipëri dhe në
trevat e tjera perëndimore të Gadishullit Ballkanik.
Kjo u pasqyrua edhe në shtimin e numrit të anijeve
austriake që vinin në limanet shqiptare. Me forcimin
e pozitave ekonomike e politike Austria fitoi në Shqipëri
dhe në Ballkanin Perëndimor një pozitë
të privilegjuar ndër Fuqitë e Mëdha.
Edhe Franca u përpoq të përforconte me këtë
rast pozitat në Ballkan e të vinte nën ndikimin
e saj princin Danilo të Malit të Zi dhe kapedanin
e Mirditës Bibë Dodën.
Lufta e Krimesë mori fund në mars 1856 me nënshkrimin
nga ndërluftuesit të Traktatit të Paqes në
Paris. Në këtë Traktat u përfshinë
edhe parimet themelore të Dekretit të ri perandorak
(Hat-i Humajun), që sulltan Abdyl Mexhiti ishte detyruar
të shpallte më 15 shkurt 1856 me shtytjen e drejtpërdrejtë
të Anglisë e të Francës dhe që shënonte
fillimin e periudhës së dytë të Tanzimatit.
Ky dekret ritheksonte, përveç të tjerave,
detyrimin e Portës së Lartë për tu
njohur popullsive të krishtere nën sundimin e saj
disa të drejta administrative. Duke e përfshirë
thelbin e Hat-i Humajunit në Traktatin e Paqes të
Parisit (mars 1856), Anglia dhe Franca synonin ti hiqnin
Rusisë mundësinë që të ndërhynte
në favor të këtyre popullsive dhe të vendosnin
një kontroll të përbashkët mbi Perandorinë
Osmane.
Shqipëria gjatë krizës ballkanike të
viteve 60
Çështja e çlirimit dhe e bashkimit kombëtar
të popujve ballkanas nuk gjeti zgjidhje as me Hat-i Humajunin
dhe as me Traktatin e Paqes të Parisit të vitit
1856. Përkundrazi, me këtë Traktat, Anglia,
Franca dhe Austro-Hungaria u bënë garante të
tërësisë territoriale dhe të pavarësisë
së Perandorisë Osmane. Popujt e shtypur të
Ballkanit nuk u pajtuan me këtë përmbajtje
të Traktatit të Parisit, që përbënte
një pengesë në luftën e tyre për
çlirimin nga robëria osmane.
Një varg kryengritjesh çlirimtare shpërthyen
gjatë viteve 60 në Hercegovinë, në Bullgari
etj. Vetëm përpjekjet e diplomacisë së
Fuqive të Mëdha perëndimore dhe prirjet shoviniste
të shteteve ballkanike e shmangën mundësinë
e një lufte të përbashkët të popujve
të shtypur të Ballkanit kundër Perandorisë
së sulltanëve.
Porta e Lartë nga ana e saj bënte çmos që
ta nënshtronte principatën e vogël të
Malit të Zi, e cila i kishte shkaktuar asaj kaq telashe,
kurse princi Danilo organizonte vazhdimisht provokacione në
kufirin turko-malazez kundër viseve shqiptare, të
cilat synonte ti aneksonte. Popullsia e Shkodrës
dhe viset kufitare në veri u shqetësuan nga sulmet
e çetave malazeze drejt tokave shqiptare. Edhe qarqet
patriotike të vendit, me Pashko Vasën, Zef Jubanin,
Oso Kukën etj. në krye, arritën në përfundimin
se shqiptarët duhej të ndërmerrnin veprime
mbrojtëse kundër sulmeve malazeze.
Drejt qëndresës kundër Malit të Zi i nxiste
shqiptarët edhe Porta e Lartë, që ishte e interesuar
të përdorte në luftë forcat e tyre. Në
fillim të vitit 1862 këto provokacione çuan
në shpërthimin e një konflikti kufitar, të
një lufte ndërmjet Malit të Zi dhe Perandorisë
Osmane. Njësitë malazeze sulmuan kullat kufitare
në drejtim të fshatit Vraninë, duke djegur
dhjetëra shtëpi të shqiptarëve. Në
këto rrethana, disa reparte vullnetarësh u nisën
për në front. Në krye të tyre u vu Oso
Kuka, që qe vendosur në Vraninë si komandant
i forcave vullnetare, së bashku me M. Golemin, M. Begenë,
I. Koplikun etj. Forcat vullnetare mbrojtën me vendosmëri
një nga kullat kryesore kufitare në Vraninë.
Më 26 shkurt 1862, pas disa ndeshjesh paraprake, u zhvilluan
luftime të rrepta kundër çetave malazeze
në Kërnicë. Megjithëse pësuan humbje
të mëdha, forcat vullnetare, me Oso Kukën në
krye, qëndruan deri në fund, vendosën të
mbronin vendin qoftë edhe me flijimin e jetës së
tyre. I rrethuar në një kullë të ishullit
të Vraninës (buzë liqenit të Shkodrës),
Osoja, për të mos rënë në duart e
malazezëve, u vuri zjarr fuçive të barutit
dhe u hodh në erë bashkë me luftëtarë
të tjerë shqiptarë, duke vrarë edhe kundërshtarët
malazezë që sulmonin kullën. Akti i tij u bë
një shembull vetëmohimi për mbrojtjen e trojeve
shqiptare.
Në vitet 60 qeveritë e Serbisë e të Greqisë
u aktivizuan përsëri për ndarjen e trojeve
të Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik,
ku përfshihej edhe Shqipëria. Qysh në vitin
1861 ato hynë në bisedime për një aleancë
politiko-ushtarake kundër Turqisë. Në këto
bisedime, të cilat nuk patën sukses, të dyja
palët i jepnin rëndësi qëndrimit të
shqiptarëve si për potencialin e tyre ushtarak që
e çmonin shumë, ashtu edhe për faktin se
territori i Shqipërisë do të formonte hallkën
ndërlidhëse midis frontit jugor grek dhe atij verior
serb. Sipas fjalëve të kryeministrit serb I. Garashanin,
pjesëmarrja e shqiptarëve në luftë ishte
një kusht i domosdoshëm për fitoren mbi Turqinë.
Një mendim të tillë kishin edhe shumë
diplomatë rusë. Njëri prej tyre, M. Hitrov,
duke vlerësuar gjendjen në Shqipëri, ku vihej
re një pakënaqësi e përgjithshme jo vetëm
në malësitë dhe në radhët e borgjezisë
së qyteteve, por edhe midis bejlerëve e pashallarëve
të prekur nga administrata e re, deklaronte më 1862:
Turqia jo vetëm nuk mund të shpresojë
shumë në përkrahjen e shqiptarëve, por,
përkundrazi, në disa kushte të caktuara, pikërisht
këtu përgatitet mbarimi i saj i shpejtë. Çdo
gjë varet nga kjo: A do të përgatitet Shqipëria
me kohë për ngjarjet e ardhshme? A do ti kushtohet
asaj vëmendja e duhur?.
Në gjendjen e krijuar në Gadishullin Ballkanik ndikuan
edhe ngjarjet që kishin ndodhur në Italinë
e afërt. Në vitet 1859-1861, si pasojë e një
lëvizjeje të gjerë popullore, ishte realizuar,
ndonëse akoma jo plotësisht, çlirimi dhe
bashkimi i Italisë në një shtet. Një rol
të rëndësishëm në këto ngjarje
kishte luajtur demokrati revolucionar Xhuzepe Garibaldi. Në
luftë me diplomacitë e Fuqive të Mëdha,
Xh. Garibaldi mendonte të zgjidhte çështjen
e çlirimit dhe të bashkimit kombëtar jo vetëm
të Italisë, por të të gjitha kombeve të
shtypura, veçanërisht të Evropës Juglindore
e Lindore, me anë të një lëvizjeje të
gjerë revolucionare të vetë popujve, të
cilët, sipas tij, ishin aleatë dhe duhej të
harronin urrejtjet, grindjet e paragjykimet kombëtare
e fetare. Çështja e lirisë është
një e vetme, cilido që të jetë populli
që e mbron. Kur ta kenë kuptuar të gjithë
popujt këtë të vërtetë ..., atëherë
mbretëria e despotizmit do të marrë fund përgjithmonë
... Kur të jetë përmbysur më në fund
krenaria e Habsburgëve dhe të jetë dëbuar
osmani barbar në shkretëtirat e tij, Adriatiku do
të banohet në të dy brigjet prej popujsh të
lirë, të denjë të duhen e të kuptohen
si vëllezër ..., deklaronte Garibaldi në
një proklamatë të vitit 1862.
Vëmendja e revolucionarëve italianë u drejtua
edhe nga Shqipëria. Arbëreshët e Sicilisë
e të Kalabrisë, të cilët kishin luajtur
një rol me rëndësi në lëvizjen për
çlirimin dhe bashkimin kombëtar të Italisë
dhe ishin të lidhur me Garibaldin, shërbyen në
këtë rast si ndërmjetës për vendosjen
e lidhjeve ndërmjet revolucionarëve italianë
e shqiptarë.
Qendra kryesore për organizimin e bashkëpunimit
ndërmjet Italisë dhe Ballkanit u krijua në
Korfuz. Emisarët italianë filluan të përshkonin
Shqipërinë dhe provincat e tjera ballkanike të
Perandorisë Omane. Me kërkesën e shqiptarëve,
Garibaldi filloi të dërgonte armë në Shqipëri.
Ai parashikonte ti zbarkonte forcat e veta diku në
bregun e Shqipërisë dhe, duke u bashkuar me forcat
vendase, të niste marshimin drejt veriut.
Kjo ekspeditë, sipas mendimit të revolucionarit
të shquar italian, do ta ndihmonte popullin shqiptar,
që ai e çmonte si popull trim, të fitonte
lirinë dhe do ta vinte diplomacinë evropiane, që
nuk ishte për një kryengritje, përpara një
fakti të kryer.
Por diplomacia evropiane dhe vështirësitë e
brendshme e penguan një zhvillim të tillë të
ngjarjeve. Këtë lëvizje u përpoqën
ta shfrytëzonin qarqet qeveritare italiane për shtrirjen
e ndikimit të Romës në bregun lindor të
Adriatikut, ndërsa qeveria greke me anën e saj shpresonte
të realizonte Idenë e Madhe. Greqia
dërgoi emisarët e vet në Thesali dhe në
vilajetin e Janinës për të drejtuar veprimet
e bandave të andartëve grekë në këto
krahina. Përpjekjet e saj për të gjetur mbështetje
te shqiptarët, që tanimë i njihnin synimet
aneksioniste të Athinës, nuk dhanë rezultat,
ndërsa komitetet greko-shqiptare, që arriti të
ngrejë ajo më 1862, siç ishin ai i Janinës
dhe i Durrësit, nuk u vunë në shërbim
të politikës së Athinës. Komiteti i Durrësit,
më 15 korrik 1862, doli botërisht me anën e
një promemorjeje, drejtuar opinionit publik evropian,
kundër synimeve të Athinës për aneksimin
e Shqipërisë së Jugut, shpalli se shqiptarët,
edhe pse çështja e tyre nuk po përkrahej
nga diplomacia evropiane, ishin të vendosur të luftonin,
nën flamurin e Skënderbeut për të çliruar
atdheun e tyre.
Porta e Lartë, e alarmuar nga mundësia e një
zbarkimi të garibaldinëve, mori masa ushtarake duke
bllokuar me flotën e saj bregdetin shqiptar dhe duke
lidhur një marrëveshje me Austrinë për
të luftuar së bashku çdo lëvizje revolucionare
në Ballkan.
Pas disfatës që pësoi Austria në luftën
kundër Prusisë më 1866 dhe duke marrë
shkas nga kryengritja e popullsisë greke të Kretës
që shpërtheu po atë vit kundër zgjedhës
osmane, Rusia filloi të bënte përsëri
një politikë aktive në Ballkan. Duke synuar
të vendoste ndikimin e saj në këtë zonë,
diplomacia ruse kërkoi nga Porta njohjen e autonomisë
së popujve të krishterë të Perandorisë.
Me memorandumet e kancelarit Gorshakov të datës
12 mars dhe 18 prill 1866, qeveria ruse, duke u bërë
një kritikë të ashpër reformave të
deriatëhershme centraliste, paraqiste një projekt
për krijimin e katër provincave të mëdha
autonome në Turqinë Evropiane, që do të
kishin të drejta mjaft të gjera vetëqeverisjeje.
Por projekti rus e mbështeste parimin e autonomisë
mbi fenë e popullsisë. Asnjëra nga provincat
nuk do të kishte karakter homogjen nga pikëpamja
etnike. Shqipëria e Veriut dhe Kosova parashikohej të
bashkoheshin me Bosnjën dhe Hercegovinën me popullsi
sllave, kurse Shqipëria e Jugut me Thesalinë dhe
me krahinat e vilajetit të Janinës.
Politika ruse përpiqej njëkohësisht të
krijonte në Shqipëri edhe një vatër të
dytë kryengritjesh pranë Kretës, për ta
ashpërsuar edhe më tej krizën. Diplomatët
rusë u vunë në lidhje me disa feudalë
shqiptarë të pakënaqur; ndër ta ishte
edhe Xhelal pashë Mati, i cili rronte në Stamboll
nën vëzhgimin e Portës. Pashai shqiptar i premtoi
Rusisë se do të mobilizonte forca të rëndësishme
shqiptare për një kryengritje me kusht që të
kishte përkrahjen financiare dhe politike të Rusisë.
Qeveria ruse e vuri pashën e Matit në lidhje me
qeverinë serbe, e cila e siguroi se do ta përkrahte
në përpjekjet për tu bërë sundimtar
i pavarur i vendit të tij. Lidhje të tilla qeveria
serbe krijoi edhe me disa krerë bajraktarë të
Veriut e të Dibrës.
Meqë ndërhyrja energjike e Anglisë nuk e lejoi
të merrte pjesë haptazi në konfliktin midis
Portës dhe kretasve, qeveria greke filloi të hidhte
andartë në Thesali dhe në vilajetin e Janinës.
Qeveria e Athinës edhe kësaj radhe u përpoq
të gjente mbështetje në viset e banuara nga
shqiptarët. Por propaganda e saj, ashtu si edhe më
parë, doli me parullën për formimin e një
Greqie të Madhe, që kësaj here shtrihej nga
gjiri i Burgasit në Detin e Zi e deri në Shkodrën
e Shqipërisë në detin Adriatik, gjë
që jo vetëm e bëri të pamundur çdo
afrim me shqiptarët, por shkaktoi edhe kundërshtimin
e vendosur të tyre.
Pas dështimit të bisedimeve serbo-greke të
vitit 1861 dhe të nismave të tjera që u morën
më 1862 e më 1863 për një luftë të
përbashkët kundër Turqisë, qeveritë
e Athinës e të Beogradit i rifilluan ato në
janar të vitit 1867 dhe i përfunduan më 26
korrik të atij viti me një traktat të nënshkruar
në qytetin austriak Vëslau dhe me një konventë
ushtarake që u nënshkrua në Athinë më
28 shkurt 1868. Gjatë këtyre bisedimeve të
dy palët hynë në pazarllëqe për ndarjen
e territoreve dhe i trajtuan si plaçkë tregu sidomos
tokat shqiptare. Qysh në fillim ato u morën vesh
që Greqia nuk do ta kundërshtonte aneksimin nga
Serbia të Bosnjës, të Hercegovinës dhe
të Shqipërisë Veriore gjer në Durrës,
kurse Serbia do të pranonte bashkimin e Thesalisë,
të Epirit (ku përfshihej Shqipëria Jugore dhe
e Mesme deri në Durrës), të Maqedonisë,
të Thrakës dhe të ishujve të Egjeut me
Greqinë. Këto ishin kërkesat e tyre maksimale
që do të shërbenin si bazë për ndarjen
territoriale pas fitores së luftës kundër Turqisë,
kurse në traktat u përfshinë zyrtarisht kërkesa
më të moderuara. Gjatë të gjitha bisedimeve,
si edhe në dokumentet përfundimtare, shqiptarëve
u kushtohej një vëmendje e veçantë.
Të dy palët merrnin përsipër të punonin
me të gjitha mjetet për ti pasur ata me vete
në rastin e konfliktit me Turqinë, d.m.th. për
ti hedhur shqiptarët në një luftë,
fitorja e së cilës do të çonte në
copëtimin e atdheut të tyre.
Megjithatë, këto projekte për ndarjen e Shqipërisë
ndërmjet Serbisë e Greqisë nuk u realizuan
në atë kohë. Ato do të ringjalleshin për
tu vënë në jetë gjatë Krizës
Lindore të viteve 70 dhe luftës ruso-turke të
1877-1878-ës, që përfundoi me disfatën
e plotë të Perandorisë Osmane.
5. ACARIMI I MARRËDHËNIEVE TË SHQIPTARËVE
ME
SUNDIMTARËT OSMANË DHE QËNDRESA NDAJ TYRE
(VITET 1850-1873)
Pasojat e Tanzimatit në Shqipëri
Qëndresa kundërosmane e popullsisë shqiptare,
megjithëse nuk pati shtrirjen e kryengritjeve të
dhjetëvjeçarëve të mëparshëm,
nuk reshti as në vitet 50-60 të shek. XIX. Reformat
që sulltani shpalli me Dekretin perandorak (Hat-i Humajun)
të 18 shkurtit 1856, që shënoi fillimin e periudhës
së dytë të Tanzimatit, nuk e përmirësuan
gjendjen e popullsisë shqiptare dhe si rrjedhim nuk zhdukën
truallin për shpërthimin e kryengritjeve të
reja. Dekreti i ri ishte vazhdim i reformave të Aktit
të Gjylhanesë (viti 1839), të cilat nuk arritën
të viheshin në jetë. Ai shpalli përsëri
barazinë e të gjithë shtetasve osmanë,
myslimanë e të krishterë, sigurimin për
të gjithë, pa dallim feje, të paprekshmërisë
së personit, të nderit e të pasurisë;
vendosi të formonte gjyqe të hapura, të ndalonte
konfiskimin e pasurisë së të paditurve; të
krijonte gjykata të përziera, të fuste të
krishterët në këshillat administrative, në
shërbimin shtetëror e në shkolla ushtarake;
shpalli barazinë e shtetasve në pagesat e taksave,
krijimin e buxhetit shtetëror, të sistemit bankar
etj.
Zbatimi i këtyre reformave, të deklaruara me kërkesën
e Fuqive të Mëdha, do të sillte ndryshime në
jetën politiko-shoqërore të Perandorisë
Osmane duke e afruar sistemin e saj shtetëror me atë
të vendeve të Evropës. Por kjo Perandori, që
mbeti në thelb një shtet me një regjim absolutist
e teokratik të prapambetur dhe me një ekonomi gjysmëfeudale,
nuk ishte në gjendje ti vinte në jetë
ato. Përveç masave për riorganizimin e administrimit
të vendit dhe të ushtrisë, reformat e tjera
mbetën në letër, ashtu si ato të 1839-ës.
Kështu, megjithëse parashikonin trajtimin e barabartë
të shtetasve, ato nuk sollën ndonjë përmirësim
thelbësor në gjendjen e tyre, nuk siguruan barazinë
e shpallur me bujë dhe nuk u dhanë të drejtat
më elementare as shqiptarëve si komb, as edhe popujve
të tjerë joturq. Ndryshime u bënë në
përmirësimin e legjislacionit osman, që filloi
të hartohej sipas shembullit të atij francez, si
edhe në administrimin e vendit. Por ligjet e miratuara
vijuan të mos zbatoheshin, ndërsa reforma në
administratë synonte të forconte pushtetin e centralizuar
osman mbi popujt e robëruar. Përveç kësaj,
zbatimi i reformave u shoqërua, ashtu si në vitet
30-40 me rritjen e taksave dhe me vendosjen e detyrimeve të
reja, që rëndonin sidomos mbi fshatarësinë
dhe mbi vegjëlinë e qyteteve.
Rrjedhojat e reformave të reja u ndjenë edhe në
Shqipëri. Prej mesit të viteve 50 dhe në vitet
60 u përforcua edhe më tej administrata e re dhe
masat e saj shtypëse në trevat e ndryshme të
vendit. Ndarja e re administrative e vitit 1864 në vilajete,
si njësi më të vogla se ato të mëparshmet,
e theksoi centralizimin e pushtetit osman. Në krye të
nëndarjeve të vilajeteve, të sanxhakëve
(prefekturave), të kazave (nënprefekturave) dhe
të nahijeve (komunave) qëndronin tani nëpunës
civilë të dërguar nga qendra, në shumicën
e rasteve turq. Centralizimi burokratik i administratës
nuk zbutej edhe pse, për të përmbushur premtimet
e dekretit të ri perandorak të vitit 1856, Porta
ishte e detyruar të krijonte pranë organeve lokale
këshillat administrativë, të cilët mbetën
krejtësisht formalë. Në një varg qytetesh
qeveritarët osmanë nuk i pranonin fare të krishterët
në mbledhjet e këshillave administrativë.
Porta e Lartë u përpoq të vinte nën kontrollin
e drejtpërdrejtë të administratës së
re edhe krahinat malore të Veriut. Si hallkë të
ndërmjetme, në fund të viteve 50, Porta krijoi
pranë valiut të Shkodrës një komision
të Xhibalit (Malësisë), në të cilin
u emëruan si anëtarë me rrogë përfaqësues
nga secili prej 26 bajrakëve të vilajetit të
Shkodrës. Si anëtarë të komisionit Porta
caktoi edhe 26 bylykbashë nga paria feudale turkomane
e Shkodrës, të cilët do të shërbenin
si komisarë qeveritarë për bajrakët. Me
anë të këtij komisioni qeveria shpresonte të
kufizonte autonominë e zonave malore. Edhe pse veprimtaria
e komisionit të Xhibalit u përqendrua në qytetin
e Shkodrës dhe çdo orvatje për ta zgjeruar
atë hasi në qëndresë të armatosur,
qeveritarët osmanë bënë presion të
vazhdueshëm mbi Malësinë duke e ngushtuar pak
nga pak autonominë e saj.
Synimi kryesor i administratës së re turke ishte
të siguronte pagesën e taksave dhe mbledhjen e rekrutëve
nga të gjitha krahinat. Për të përballuar
shpenzimet e mëdha që kërkonte mbajtja në
këmbë e aparatit burokratik e ushtarak, për
të vënë në vend të ardhurat fiskale
të pakësuara me humbjet tokësore që kishte
pësuar dhe, më në fund, për të paguar
kamatat e huave ndërkombëtare, Stambollit nuk i
mbetej tjetër rrugë veç asaj të shtrëngimit
të darës së taksave. Kështu, shuma e taksave
të nxjerra nga popullsia e Perandorisë, e cila më
1850 kishte qenë 2,5 milionë lira ari, më 1860
arriti në katër milionë dhe vijonte të
rritej. Ministria e Financave, në caktimin e shumës
së taksave që do të nxirreshin nga popullsia,
nuk nisej nga gjendja e numri i kontribuesve, por nga nevojat
e veta. Shtoheshin llojet e taksave, por rritej sidomos shuma
e kërkuar. Veçanërisht e dëmshme ishte
mënyra e nxjerrjes së taksave me anën e iltizamit.
Me shitjen dhe rishitjen në ankand të së drejtës
së mbledhjes së taksave myltezimëve më
të vegjël, e dhjeta arrinte deri në një
të pestën e prodhimit. Ajo vinte vazhdimisht duke
u shtuar, për arsye se çdo vit për ofertat
e blerjes merrej zakonisht si pikënisje maksimumi i arritur
në vitet e kaluara.
Taksa e vergjisë, që paguhej për pasurinë
e patundshme (shtëpi, kopshte, dyqane) dhe për disa
kategori të caktuara të ardhurash, shtohej gjithashtu
vazhdimisht. Më 1863, në sanxhakun e Ohrit, që
përfshinte edhe një pjesë të Shqipërisë
Juglindore, vergjia u shtua në krahasim me vitin e mëparshëm
nga 350 000 në 420 000 groshë, domethënë
20 për qind.
Taksa e veçantë që paguanin të krishterët
meshkuj prej 12 deri 60 vjeç për zëvendësimin
e shërbimit ushtarak (bedel-i askerie) në qytetin
e Shkodrës u shtua nga 45 000 groshë që ishte
në vitet 30, në 100 000 më 1856.
Për të rritur të ardhurat, Porta përqendroi
në duart e veta në formë monopolesh shtetërore
tregtinë e një vargu artikujsh të përdorimit
të përditshëm, siç ishin kripa, plumbi,
duhani, baruti dhe peshku, duke i ngarkuar ato me taksa të
veçanta.
Përveç taksave shtetërore, popullsia e qyteteve
paguante edhe një varg taksash komunale, si taksën
e peshimit në treg, taksën policore etj. Më
në fund rëndonte mbi gjithë meshkujt (prej
16 deri në 60 vjeç), taksa e rrugës, detyrimi
për katër ditë pune angari në vit bashkë
me kafshët e punës, detyrim që kryhej edhe
në viset më të largëta.
Shtimi i tatimeve, ngarkimi i çdo veprimtarie ekonomike
me taksa të reja etj., e ngritën në vitet 1850-1870
koston e jetesës në mënyrë shumë
të ndjeshme. Në këtë ndikoi edhe zhvleftësimi
i vazhdueshëm i monedhës turke, e cila ra deri në
40-50 për qind të vlerës së saj, meqenëse
qeveria nxirrte bankënota (kamje) pa pasur mbulesën
e duhur në ar.
Pjesa më e madhe e shumave që nxirreshin nga Shqipëria
dhe nga provincat e tjera shkonin në Stamboll për
të kënaqur lakmitë e tepruara për të
holla të sulltan Abdyl Azizit (1861-1876) dhe të
oborrtarëve të tij. Por edhe kërkesat për
të holla të funksionarëve të lartë
të Portës në provinca nuk ishin të pakta.
Ata i kënaqnin lakmitë me abuzime të drejtpërdrejta
ose duke marrë pjesë si ortakë në spekulime.
Këto abuzime nxiteshin edhe nga praktika e Portës,
e cila me qëllim i ndërronte shpesh funksionarët
e saj në provinca, sepse caktimi në funksionet e
larta bëhej me anë peshqeshesh në
të holla për sulltanin. Qeveritarit të një
province, zakonisht, nuk i mjaftonin as dy vjet për të
nxjerrë shpenzimet e këtij peshqeshi
dhe për të rregulluar financat e veta; nga ana tjetër,
ai ishte i detyruar të nxirrte shuma sa më të
mëdha taksash nga provinca e tij për të ruajtur
favorin e sulltanit. Prandaj ardhja e çdo funksionari
të ri shënonte një katastrofë për
provincën. Nga ndërrimet e funksionarëve të
lartë e pësoi në mënyrë të veçantë
vilajeti i Shkodrës, ku brenda 40 vjetëve (1831-1871)
u emëruan 52 valinj.
Vilajeti i Janinës, që përfshinte, ndër
të tjera, gjithë Shqipërinë e Jugut (me
përjashtim të rrethit të Korçës
e të Pogradecit), në vitet 60 paguante rreth 22
milionë groshë, nga të cilët shkonin në
Stamboll më shumë se gjysma. Në fillim të
viteve 70, shuma që paguante kjo krahinë kishte
arritur në afër 30 milionë, nga të cilët
dy të tretat shkonin në Stamboll.
Dërgimin në Stamboll të shumave të mëdha,
që nxirreshin nga provincat, autoritetet osmane e motivonin
me nevojën për të mëkëmbur një
aparat shtetëror modern, për ndërtim rrugësh,
për sigurimin e rendit dhe të qetësisë
etj. Në të vërtetë vendi ishte mbushur
me banda kusarësh, krerët e të cilëve
binin shpeshherë në marrëveshje me vetë
qeveritarët osmanë dhe feudalët vendas. Plaçkitjet
e vrasjet ishin diçka e zakonshme jo vetëm në
fshatra, por edhe në qytete e sidomos e pësonte
popullsia e krishtere. Vetëm një pjesë e borgjezisë
së pasur kishte mundësi tu shpëtonte
këtyre përdhunimeve, duke siguruar me pagesë
mbrojtjen nga ana e konsullatës së ndonjë
shteti evropian ose nga vetë kusarët. Edhe ajo pjesë
e taksave që mbetej në vend nuk përdorej për
qëllime prodhuese por, para së gjithash, për
mbajtjen e aparatit parazitar burokratik.
Shfrytëzimi i egër feudal, shtypja dhe abuzimet
e administratës së re, e keqësuan në kulm
gjendjen ekonomike të popullsisë. Udhëtarë
të huaj, që kanë kaluar nëpër Shqipëri
gjatë viteve 1860-1875, kanë vënë në
dukje se mjerimi i fshatarësisë në disa krahina
ishte aq i madh, saqë, siç thoshte konsulli rus
Trojanovski, prindërit i çojnë fëmijët
e tyre në pazar për ti shitur. Edhe familje
që kanë qenë dikur mirë, kanë rënë
në gjendje lypësish. Sështë
aspak për tu çuditur, - shkruante Jonin,
një tjetër diplomat rus, - përse fshatari i
mjerë, duke jetuar në një gjendje të tillë,
humbi çdo shije dhe dëshirë për punë....
Në këto kushte u rrit zemërimi e urrejtja kundër
sundimtarëve osmanë dhe feudalëve turq, që
thirreshin me emrin përbuzës halldupë
(të trashë, të pangopur) ose konjarë
(nga qyteti Konja i Anadollit, me kuptimin njerëz
të këqinj).
Fshatarë të veçuar rrëmbenin armët,
dilnin maleve dhe përpiqeshin të hakmerreshin kundër
shtypjes së rëndë nga ana e organeve shtetërore.
Lëvizja e kaçakëve, si shprehje
e protestës shoqërore e kombëtare që njihej
qysh shumë kohë përpara, mori përpjesëtime
më të mëdha. Një shprehje të kësaj
ndjenje të përgjithshme e jepte në vitin 1865
dervishi bektashi Ali me anë të një vjershe,
e cila është një dëshmi e gjallë
e patriotizmit popullor të kësaj kohe:
... Ky halldupi, ky konjari, bukën tonë po na ha,
/ Xhveshur, zbathur na ka lënë, lakuriq pa një
para. / Gjithë halldupët pashallarë, të
mëdhenj e si të zotë. / Shqipëtari ska
të mbajë asnjë feste më kokë. / Gjynah,
pra, nga perëndija të punojë shqipëtari
/ Dhe të hajë e të pijë e të bëjë
rehat konjari ...
Revolta e popullsisë së Shkodrës më
1854
Gjendja e keqe ekonomike dhe abuzimet e papërmbajtura
të administratës së re osmane në Shkodër
i dhanë shkas shpërthimit në këtë
qytet të një revolte të fuqishme të popullsisë.
Gjatë viteve 1851-1852, valiu i ri Masar Pasha ua dyfishoi
të krishterëve të qytetit taksën nizamie,
të përjashtimit nga shërbimi i detyrueshëm
ushtarak, një pjesë të mirë të së
cilës e merrte për vete. Protestat që popullsia
bëri në Stamboll kundër këtij veprimi
arbitrar nuk dhanë rezultat. Shpallja në Shkodër,
në pranverën e vitit 1854, e një fermani të
sulltanit për barazinë e të drejtave të
nënshtetasve të krishterë me ata myslimanë,
nuk e qetësoi gjendjen, sepse Masar Pasha dhe administrata
e tij vijonin të grabisnin popullsinë. Përveç
kësaj, një burim tjetër pasurimi për qeveritarët
turq u bë spekulimi me tregtinë e drithit sidomos
më 1854, kur zhvillohej Lufta e Krimesë (1853-1856)
dhe vijonin konfliktet me Malin e Zi. Duke bashkëpunuar
ngushtë me ta, sipërmarrësit e tregtarët
e grumbullonin drithin dhe e shisnin me leverdi jashtë
vendit. Pasoja e menjëhershme e këtij veprimi ishte
ngritja e çmimeve të artikujve ushqimorë
e sidomos e çmimit të drithit, që edhe në
kohën e lëmit u dyfishua në vend që të
ulej. Përveç mungesës së drithit gjendjen
në Shkodër e keqësoi edhe më shumë
detyrimi i popullsisë për të mbajtur me ushqime
20 mijë ushtarë osmanë që ndodheshin në
kufirin turko-malazez. Shkodrës po i kanosej zija e bukës.
Pakënaqësia e shtresave të varfra shpërtheu
haptazi, kur në qytet ndodhën vdekjet e para nga
uria. Më 7 gusht 1854 vegjëlia qytetare e udhëhequr
nga Hasan Alia, klerik i ri që do të njihet më
vonë me emrin Sheh Shamia, organizoi një mbledhje
të gjerë, ku kërkoi ndalimin e eksportit të
drithit, uljen e çmimeve dhe dënimin e spekulatorëve.
Por valiu nuk mori asnjë masë. Të nesërmen,
më 8 gusht, një turmë e madhe prej disa mijëra
zejtarësh e punëtorësh të varfër
vërshoi në treg, i cili u mbyll, ndërsa qeveritarët
u detyruan të tërhiqeshin në kala. Demonstruesit
hapën hambarët dhe ua shpërndanë drithin
banorëve të varfër. Sheh Shamia dha shembullin
duke hapur i pari hambaret e babait të vet. Një
ditë më vonë, vegjëlia e armatosur organizoi
një demonstratë të madhe dhe kërkoi largimin
e valiut nga qyteti. Atëherë ndërhyri konsulli
i Francës, i cili bëri çmos që të
shpërndante të revoltuarit, duke vënë
në dukje rrezikun që mund ti vinte Shkodrës
nga revolta për shkak të gjendjes së luftës
dhe qëndrimit kërcënues të Malit të
Zi.
Pas mbarimit të veprimeve ushtarake në kufirin me
Malin e Zi, Porta e zëvendësoi Masar Pashën,
dërgoi në Shkodër valiun e ri, gjeneralin Mustafa
Pasha, me 10 000 ushtarë nizamë, që ndërmori
arrestime në masë. Sheh Shamia mundi të largohej
fshehurazi nga Shqipëria, kurse drejtuesit e tjerë
të revoltës u internuan.Valiu ndaloi eksportimin
e drithit nga qyteti i Shkodrës. Megjithatë, edhe
pse kishte forca të shumta ushtarake, valiu nuk guxoi
të zbatonte reformat e Tanzimatit në Shkodër.
Kryengritja e Dibrës dhe revolta e Shkodrës
kundër Tanzimatit (1860-1861)
Në vitet 60 të shek. XIX marrëdhëniet
ndërmjet sundimtarëve osmanë dhe popullsisë
së Shqipërisë së Veriut u acaruan përsëri
në një shkallë të tillë, sa shkaktuan
shpërthimin e një vargu konfliktesh të reja
të armatosura.
Pakënaqësia e popullsisë ndaj administratës
së re dhe qëndresa kundër saj, që nuk
ishin shuar dhe vijonin të shfaqeshin në forma të
ndryshme, e kishte detyruar pushtetin osman që të
vepronte në mënyrë të matur. Kur nga fundi
i viteve 50 Porta e Lartë ndërmori veprime të
reja për të shtrirë kudo, në Shqipërinë
e Veriut, administratën e re dhe për të zbatuar
me forcë reformat, ajo ndeshi përsëri në
kundërshtimin e vendosur jo vetëm të malësorëve,
por edhe të banorëve të qytetit të Dibrës,
të Shkodrës e të qyteteve të Kosovës.
Në pranverën e vitit 1860 Porta filloi veprimet
ushtarake në malësitë e Dibrës. Ajo gjeti
atje kushte të favorshme për arritjen e qëllimeve
të saj, sepse përfitoi nga konflikti që kishte
shpërthyer ndërmjet dibranëve, i nxitur nga
një pjesë e klerikëve fanatikë e konservatorë
myslimanë të ritit synit. Këta i luftonin si
heretikë të rrezikshëm bektashinjtë e
Dibrës dhe udhëheqësin e tyre Sheh Fejzën
nga Bulqiza, të cilët, ashtu si gjithë sekti
i bektashinjve, ishin në konflikt me dogmat synite dhe
me shtetin osman që i përkrahte ato. Në të
vërtetë konflikti, që në pamjen e jashtme
kishte karakter fetar, në thelb kishte të bënte
me qëndrimin ndaj politikës së Portës
së Lartë në Shqipëri. Kleri i lartë
synit i Dibrës ishte vendosur përkrah qeverisë
dhe reformave. Me qeverinë osmane ishin bashkuar edhe
disa çifligarë e tregtarë të qytetit
të Dibrës së Madhe, si dhe disa bajraktarë,
ndërsa bektashinjtë mbanin anën e fshatarëve
kryengritës. Në krye të tyre u vu Sheh Fejza,
që punonte për të ngjallur në popull ndjenjën
kombëtare, duke nxitur shkrimin e gjuhës shqipe
dhe përpjekjet për një alfabet të veçantë
të saj.
Në këto rrethana, ekspedita osmane, e komanduar
nga Abdi Pasha, mundi të hynte pa pengesë në
qytetin e Dibrës së Madhe. Vetëm krahina e
Grykës së Madhe rroku armët. Në një
ndeshje që u bë në fshatin Xixull, malësorët
e kësaj zone, të udhëhequr nga Sheh Fejza,
zhvilluan luftime të ashpra, por kryengritësit u
thyen, ndërsa Sheh Fejza i plagosur ra rob. Shtypja e
kryengritjes u shoqërua me nje terror të egër,
u dogjën fshatrat që bënë qëndresë,
si Xixulli e Bulqiza.
Qeveria osmane e shtriu me forcë zbatimin e reformave
edhe në trevat deri atëherë të panënshtruara.
Në qytetin e Dibrës së Madhe u vendosën
funksionarë turq të ardhur nga Stambolli. Pas kësaj
filloi rritja e taksave. Në vitin 1863 Porta merrte prej
Dibrës 3 000 qese (1 qese = 500 groshë) në
vend të një shume të përgjithshme vjetore
prej 100 qesesh që kishte marrë që nga viti
1831.
Një problem shqetësues për Stambollin vijonte
të ishte Shkodra me malësitë e saj të
krishtere. Në fillim të viteve 60 reformat pothuajse
nuk ishin zbatuar as në krahinën e Shkodrës,
as edhe në qytet. Në vjeshtën e vitit 1860,
administrata osmane, nën pretekstin e vendosjes së
rendit publik, u orvat të bënte çarmatimin
e popullsisë së qytetit e të zonës fushore
dhe ti hapte rrugë zbatimit të masave të
tjera. Këto përpjekje ndeshën në kundërshtimin
e vendosur të banorëve të Shkodrës, të
cilët edhe pa këto veprime të reja ishin të
pakënaqur nga politika fiskale e qeverisë dhe nga
shpërdorimet financiare. Abuzime të mëdha bëri
administrata lokale gjatë zbatimit të sistemit të
ri tatimor. U morën nga tregtarët e zejtarët
e Shkodrës pa pagesë mallra në vlerën
prej 30 000 qesesh, ndërsa drejtori i financës së
vilajetit të Shkodrës, Talat Beu, kishte përvetësuar
në mënyrë të paligjshme 526 948 groshë.
Popullsia e Shkodrës duhej të përgjigjej me
mjete financiare për mbajtjen e ushtarëve në
kufirin me Malin e Zi, sepse autoritetet lokale nuk ishin
në gjendje të mbronin popullsinë civile nga
cubat malazezë. Gjendja u rëndua edhe për shkak
të prodhimeve bujqësore të këqija të
vitit 1860. Në këto rrethana do të duhej vetëm
një shkëndijë që pakënaqësia
të kthehej në revoltë të hapur.
Në vjeshtën e vitit 1861 Porta filloi përsëri
orvatjet për të zbatuar këtu reformat që
kishin mbetur pezull. Gjithnjë me pretekstin se kërkonte
vendosjen e rendit publik, Porta nisi të çarmatoste
popullsinë e qytetit dhe të fushave, për ti
hapur rrugën zbatimit të masave të tjera, por
ndeshi në kundërshtimin e shkodranëve, të
cilët në çarmatosjen shihnin heqjen e çdo
mundësie për tu mbrojtur si nga grabitjet
dhe zullumet e administratës, ashtu edhe nga sulmet e
herëpashershme të Malit të Zi. Qytetarët
e Shkodrës, duke qenë të armatosur, ngritën
krye, mbyllën tregun, i detyruan forcat osmane të
tërhiqeshin nga qyteti e të mbylleshin në kështjellë,
prenë lidhjen telegrafike me Stambollin dhe e shpallën
valiun, Abdi Pashën, të rrëzuar nga pushteti.
Me qytetarët u bashkuan edhe malësorët. Ndonëse
Abdi Pasha kishte pranë 12 batalione nizamësh, një
regjiment kalorësie dhe disa mijëra ushtarë
toskë, të rekrutuar për të mbrojtur kufirin
me Malin e Zi, nuk guxoi të ndeshet me të revoltuarit,
por kërkoi përforcime të reja, pesë batalione
të tjera. Me ndërhyrjen e zëvendëskadiut
turma, pasi iu premtua se Abdi Pasha do të jepte dorëheqjen,
u shpërnda. Ndërkaq, qeveritari osman nuk pranoi
të largohej. Ky qëndrim e acaroi edhe më shumë
gjendjen në Shkodër.
Myslimanët e të krishterët e qytetit, të
bashkuar, i dërguan sulltanit një memorandum ku
shprehnin zemërimin e tyre kundër administratës
së vendit, e cila, në emër të rregullit
e të rendit publik, e rëndonte popullin me
ngarkesa të reja fiskale. Vendi, deklaronin shkodranët,
skishte as rrugë, as gjyqe të paanshme, as
siguri nga kusarët që ishin turrur mbi të.
Administrata nuk ishte në gjendje të mbronte vendin,
jetën dhe pasurinë e banorëve nga sulmet e
çetave malazeze, që sa vinin e bëheshin më
të shpeshta.
Në kushtet kur edhe marrëdhëniet me Malin e
Zi ishin të acaruara, Porta e Lartë u përpoq
ta mbyllte sa më parë këtë konflikt. Për
këtë dërgoi si komisar me kompetenca të
plota Xhevdet Pashën, me prejardhje nga Korça,
historian i njohur, autor i Historisë së Perandorisë
Osmane në 12 vëllime (1764-1825). Me të
mbërritur në Shkodër, Xhevdet Pasha lexoi urdhrin
e kryeministrit për largimin e Abdi Pashës dhe për
emërimin e Reshit pashë Misirit në vend të
tij. Në saje të qëndrimit të matur Xhevdet
Pasha mundi të vendoste përkohësisht qetësinë
në qytetin e Shkodrës.
Krahas kësaj, duke njohur nga afër gjendjen dhe
potencialin e madh ushtarak të popullsisë së
Shkodrës në rast të një konflikti osmano-malazez,
ai i rekomandoi Portës së Lartë që ta
trajtonte Shkodrën më me kujdes e me vëmendje,
por ajo nuk i mori parasysh këshillat e tij.
Por edhe pse këto kryengritje u shtypën përsëri,
popullsia nuk u pajtua asnjëherë me politikën
e egër të qeverisë osmane. Kjo e detyroi të
dërgonte herë pas here ekspedita ushtarake kundër
malësive të Shkodrës, të Prizrenit, të
Gjakovës dhe të Dibrës, të cilat mbetën
edhe më tej vatra të ndezura të qëndresës
popullore.
Lëvizja e vitit 1862 në Mirditë
Qëndresa e vendosur që vijonte ti bënte
popullsia e Shkodrës dhe e malësive të saj
politikës shtypëse të administratës së
re osmane, frymëzoi një grup intelektualësh
të rinj shkodranë, të cilët u vunë
në lëvizje për ti dhënë luftës
çlirimtare kundërosmane një karakter më
të organizuar. Ky grup përbëhej nga Zef Jubani,
Pashko Vasa dhe nga disa klerikë katolikë atdhetarë,
si abati i Mirditës Gaspër Krasniqi etj. Në
nismën e këtij grupi ndikuan lëvizjet për
çlirimin kombëtar që po zhvilloheshin në
vendet fqinje e në Itali, si dhe kontaktet e revolucionarëve
italianë me rrethet patriotike shqiptare. Ata ishin frymëzuar
nga shembulli i bashkimit të territoreve italiane rreth
krahinës së Piemontit, që çoi në
formimin e shtetin të njësuar italian.
Sipas planit të hartuar nga grupi i intelektualëve
shkodranë, kryengritja kombëtare shqiptare, që
do të ishte njëherazi pjesë përbërëse
e lëvizjes së përgjithshme kundërosmane
në Ballkan, duhej të shpërthente në Mirditë
në pranverën e vitit 1862 dhe prej këtej do
të shtrihej edhe në malësitë e tjera.
Për realizimin e këtij plani ata mbështeteshin
në gatishmërinë për luftë që
kishin prej kohësh popullsitë e armatosura të
Malësisë, në rrethanat e krijuara nga gjendja
e luftës me Malin e Zi, që i lidhte duart Perandorisë
Osmane, si edhe në ndihmën që shpresonin të
kishin nga Franca. Në të vërtetë, Napoleoni
III prej disa kohësh kishte filluar ti ndiqte me
interes ngjarjet në Ballkan, me qëllim që ta
rivendoste përsëri ndikimin e Perandorisë Franceze
në Lindje. Në konfliktin malazezo-turk Franca përkrahu
principatën e vogël, por nuk i kurseu as premtimet
e ndihmat për Shqipërinë e veçanërisht
për Mirditën, e cila, për numrin e bajrakëve,
për potencialin luftarak më të madh dhe për
ndikimin që kishte ndërmjet malësive të
tjera, kishte tërhequr vëmendjen e perandorit francez.
Sipas mendimit të grupit shkodran, kapedani i Mirditës
Bibë Doda duhej të ngrinte i pari flamurin e kryengritjes
dhe të shpallte një principatë shqiptare autonome
ose të pavarur, rreth së cilës më vonë
mund të bashkoheshin edhe krahinat e tjera të vendit.
Pasi arriti ti ndalonte malësorët të
mos rekrutoheshin në repartet ndihmëse që kërkonte
të ngrinte Porta, grupi i atdhetarëve shkodranë
filloi të përgatiste truallin për kryengritjen.
Por kapedani Bibë Doda, i cili si pasha merrte një
rrogë të majme, u tremb nga zhvillimi i ngjarjeve
dhe u tërhoq nga ndërmarrja. Kur ai, në pranverën
e vitit 1862, duke plotësuar urdhrat e qeverisë,
u mundua të rekrutonte disa reparte vullnetarësh,
në Mirditë shpërtheu një konflikt i ashpër.
Në këtë konflikt shumica e popullsisë
u rreshtua kundër kapedanit, të cilin e akuzonte
se donte të përfitonte në kurriz të saj,
se edhe në fushatat e mëparshme kishte përvetësuar
rrogat e vullnetarëve, se po i shpinte ata në një
vdekje të sigurt etj. Në këto kushte ky u detyrua
të largohej nga Mirdita dhe të kërkonte strehë
e mbrojtje te valiu turk në Shkodër. Ndërkohë
mirditasit sulmuan shtëpitë e pronat e kapedanit
në Kallmet dhe u vunë zjarrin.
Njëkohësisht reparte të tjera ndërprenë
rrugën Shkodër-Prizren. Gjendja u bë kërcënuese
për Portën. Masa që mori ajo me arrestimin
e abatit Gaspër Krasniqi, i cili ishte bërë
udhëheqësi i lëvizjes në Mirditë,
nuk e qetësoi, përkundrazi, e acaroi edhe më
shumë gjendjen. Patriotët shkodranë nuk ngurruan
të akuzonin Bibë Dodë pashën si vrasës
të popullit të tij e qeverinë e sulltanit
si shtypëse të pamëshirshme të kombit
shqiptar dhe të vinin në dukje se Fuqitë
e Mëdha, si Anglia e Austria, të cilat me politikën
e tyre përkrahnin një kufomë që
quhet Turqi, ndihmonin për të mbajtur edhe
më tej popullsitë e Ballkanit nën zgjedhën
e Perandorisë Osmane.
Me gjithë fillimet e mbara, kryengritja në Mirditë
nuk mori hov. Fitoret e rëndësishme që korri
ushtria turke kundër malazezëve në qershor
1862, armëpushimi i arritur në gusht të atij
viti dhe dështimi i projekteve për kryengritjen
e përgjithshme në Ballkan i hoqën lëvizjes
mundësinë e zhvillimit të mëtejshëm.
Për më tepër, kundër saj ndërhyri
tani edhe diplomacia austriake, e cila e shihte me shqetësim
gjithnjë më të madh zhvillimin e ngjarjeve
në Shqipërinë e Veriut. Hovi i kryengritjes
ra. Pas disa kohësh Bibë Doda u kthye përsëri
në Mirditë si kapedan-pashë.
Me përpjekjet e përfaqësuesve të kulturuar
të borgjezisë për tu lidhur me lëvizjen
popullore kundërosmane dhe për ta organizuar e për
ta drejtuar atë bëhej një hap i ri në
lëvizjen kombëtare. Por lëvizja u projektua
në një zonë të ngushtë, të banuar
vetëm nga popullsi katolike, pa lidhje me krahinat e
tjera dhe për më tepër u zhvillua vetëm
në Mirditë, në një nga krahinat më
të prapambetura të vendit.
Qëndresa kundërosmane e viteve 1867-1873
Orvatjet që bënte herë pas here Porta e Lartë
për të zbatuar Tanzimatin në zonat e panënshtruara
të vendit, ku ruheshin venomet tradicionale ose për
të vendosur taksa të reja, që rëndonin
në mënyrë të veçantë popullsinë,
shoqëroheshin me konflikte të njëpasnjëshme.
Në vitet 1867-1868 Porta ndërmori ekspedita të
reja kundër krahinave të Lumës dhe të
Malësisë së Gjakovës. Por zaptiet (xhandarët)
turq që vajtën për të nxjerrë taksa
e rekrutë u pritën me pushkë dhe u dëbuan
nga popullsia e udhëhequr nga krerët Binak Alia
e Shaqir Curri. Një farë suksesi patën autoritetet
turke në Mirditë pas vdekjes së Bibë Dodë
pashës më 1868; ato larguan për në Stamboll
trashëgimtarin e tij të mitur Prengën dhe vendosën
një kajmekam nga gjiri i familjes së kapedanit të
vdekur, si dhe dy batalione ushtarësh. Megjithatë,
Porta nuk mundi ta thyente qëndresën e mirditasve,
të cilët, duke kërkuar që kjo trashëgimi
të respektohej sipas zakonit, e mbrojtën për
një kohë të gjatë autonominë e tyre.
Më 1873 atje shpërtheu kryengritja e disa muaj më
vonë ajo u shtri edhe në Dukagjin. Ekspedita osmane
shtypi egërsisht popullsinë, por duke mos mundur
ta nënshtronte atë u detyrua të tërhiqej.
Në vitin 1869, shtypja e ushtruar nga organet e Portës
shkaktoi revolta në qytetet Pejë, Gjakovë e
Prizren. Lëvizja mori përpjesëtime të
mëdha veçanërisht në Shkodër. Pakënaqësia
e shkodranëve shpërtheu atëherë kur valiu
vendosi tri taksa të reja, veçanërisht karagjymrykun.
Tani fshatarët detyroheshin të paguanin 8 për
qind të vleftës për çdo mall që
çonin në qytet. Kjo taksë sillte shtrenjtimin
e ndjeshëm të jetesës dhe dëmtonte veçanërisht
shtresat e vegjëlisë. Me këtë rast borgjezia
shkodrane paraqiti ankesat e vjetra kundër korrupsionit
të valiut dhe të gjyqeve, si dhe kundër abuzimeve
që bëheshin me monopolet shtetërore të
kripës e të duhanit. Shkodranët dhanë
kushtrimin dhe kërkuan ndihmën e malësorëve.
Por autoritetet turke, duke nxitur fanatizmin fetar, ia dolën
ta përçanin popullsinë qytetare dhe të
largonin një pjesë të saj nga lufta. Megjithatë,
malësorët i sulmuan forcat kryesore ushtarake që
ishin përqendruar pranë qytetit në fushën
e Shtojit, por pas një përleshjeje të ashpër
me një armik më të madh në numër
e të armatosur mirë, malësorët e pushuan
zjarrin, duke lënë në fushën e luftës
shumë të vrarë e të plagosur.
Po në vitin 1869 ndodhën turbullira në krahinën
e Matit dhe në qytetin e Tiranës. Për shpërthimin
e trazirave në Tiranë u bë shkak urdhri i qeverisë
për të ndërtuar rrugën për në
Durrës vetëm me shpenzimet e me punën e qytetarëve
dhe të fshatarëve që ndodheshin buzë rrugës.
Meqenëse paria feudale e qytetit e gjeti mënyrën
për të shpëtuar nga çdo detyrim, e gjithë
barra i mbeti vegjëlisë, e cila protestoi duke rrëmbyer
armët, ndërsa zejtarët mbyllën dyqanet.
Qëndresa nuk u ndërpre edhe pasi në përleshje
me repartet ushtarake u vranë mjaft qytetarë dhe
u internua një numër i madh udhëheqësish.
Më 1872 ushtria osmane që u dërgua në
Dibër u thye me humbje mjaft të rënda. Të
njëjtin fat patën orvatjet për të nënshtruar
zonat malore të Kosovës në vitet 1872-1874.
Në një letër të shkruar nga Prizreni në
tetor 1873 thuhej se përballë ushtrisë së
madhe turke, që po futej në Kosovë, shqiptarët
nuk rrinin duarkryq. Ata, thuhej në letër, dëshirojnë
ta ndezin zjarrin dhe janë të vendosur të luftojnë
e të qëndrojnë përballë ushtrisë
turke pa marrë parasysh nëse do ti ndihmojë
ndokush ose jo. Ata kurrsesi nuk e pranojnë pushtetin
turk dhe dëshirojnë të çlirohen nga
ai. Edhe në malësitë e Kosovës,
ashtu si në malësitë e tjera të Shqipërisë
së Veriut, autoritetet turke ushtronin një pushtet
formal, duke e kufizuar veprimtarinë e tyre vetëm
në qytetet dhe në afërsitë e tyre.
Megjithëse të kufizuara e shpeshherë spontane,
këto konflikte ishin rrëke që çonin
ujë në shtratin e lëvizjes së përgjithshme
kombëtare dhe i jepnin peshë çështjes
shqiptare në arenën ndërkombëtare.
|
 |  |