 |  |
K R E U IV
MENDIMI POLITIK DHE KULTURA KOMBËTARE
NË VITET 50-70 TË SHEK. XIX
1. RRYMAT POLITIKE NË LËVIZJEN KOMBËTARE
NË FUND
TË VITEVE 60 DHE NË FILLIM TË VITEVE 70
Në fund të viteve 60 u përpunua dhe u pasurua
më tej mendimi politik kombëtar, u formuluan më
qartë e në mënyrë të përcaktuar
një varg kërkesash kombëtare në fushën
ekonomike, politike e arsimore-kulturore, të cilat shprehnin
nevojat e klasës së re, të borgjezisë
dhe u përgjigjeshin njëherazi aspiratave të
të gjithë popullit.
Pas shtypjes së kryengritjeve të viteve 40-60 kundër
Tanzimatit, ku një rol të rëndësishëm
luajtën qytetet kryesore të vendit, rrethet borgjeze
i humbën shpresat se mund tu vinte ndonjë
ndihmë nga shteti osman për zhvillimin e tregtisë,
të industrisë dhe për mbrojtjen nga depërtimi
e konkurrenca e mallrave të huaja. Për më tepër,
me zbatimin e reformave të Tanzimatit përfaqësuesit
e borgjezisë shqiptare ishin përjashtuar pothuajse
krejtësisht nga pozitat drejtuese në administratën
e re. Përveç kësaj, dobësimi i Perandorisë
Osmane po e bënte gjithnjë më të qartë
se ajo nuk ishte në gjendje të mbronte territoret
e saj nga orvatjet ekspansioniste të shteteve të
tjera. Pikërisht këto lakmi të shteteve ballkanike
fqinje, që u drejtuan në mënyrë të
theksuar edhe ndaj tokave shqiptare, u bënë një
faktor tjetër i rëndësishëm që shqetësonte
forcat më të ndryshme shoqërore të vendit.
Qarqet borgjeze shqiptare ishin gjithashtu të interesuara
të zhdukeshin anarkia dhe grabitjet sistematike që
kryenin sunduesit osmanë në bashkëpunim me
feudalët vendas. Përveç kësaj, ato ishin
të pakënaqura nga shpenzimi joprodhues i shumave
të mëdha që Stambolli nxirrte nga Shqipëria
duke varfëruar fuqinë blerëse të tregut
shqiptar, pa i dhënë vendit asgjë që të
ndihmonte zhvillimin ekonomik.
Në këto kushte, në fund të viteve 60,
ideologët e lëvizjes kombëtare i formuluan
hapur e më gjerë kërkesat për zbatimin
në Shqipëri të reformave që do ti
çelnin rrugën zhvillimit ekonomiko-shoqëror
dhe politik të vendit. Një ndër këta ishte
Zef Jubani nga Shkodra (1818-1880), bir i një tregtari
dhe i një familjeje me tradita atdhetare. Mësimet
e para i mori në Shkodër dhe i vijoi në shkollën
e mesme tregtare në Maltë. Jashtë atdheut ai
ra në kontakt, si dhe intelektualë të tjerë
të rinj shqiptarë të kësaj kohe, me qarqet
demokratike të vendeve të Evropës Perëndimore
dhe veçanërisht të Italisë, ku u lidh
ngushtë edhe me personalitet arbëreshe.
Zef Jubani formuloi për herë të parë kërkesat
e borgjezisë së re shqiptare për reforma ekonomike,
shoqërore e politike. Idetë e tij për gjendjen
e Shqipërisë nën sundimin osman dhe për
nevojën e reformave për përmirësimin e
saj, Zef Jubani i parashtroi në mënyrë më
të qartë në dy studime: Gjendja aktuale
e popullit të Shqipërisë së Veriut
dhe Kundrime mbi gjendjen morale dhe mbi kulturën
intelektuale të popullit shqiptar, që u botuan
më 1871 si hyrje e një përmbledhjeje këngësh
popullore. Në ato vite ai i ishte kushtuar mbledhjes
e studimit të folklorit shqiptar, për të cilin
kishte bërë disa botime. Duke përshkruar, në
dy studimet e mësipërme, gjendjen e vajtueshme ekonomike,
shoqërore e kulturore ku e kishte lënë Shqipërinë
sundimi i huaj, Zef Jubani vinte në dukje traditat pozitive
të së kaluarës së popullit shqiptar, shprehte
besimin në aftësitë e tij për të
ecur përpara dhe bënte thirrje për bashkim
e për të vënë të gjitha energjitë
në shërbim të atdheut të robëruar.
Zef Jubani i kritikonte ashpër ligjet e padrejta, veprimet
arbitrare, taksat e rënda, angaritë dhe gjykatat
osmane, që drejtoheshin nga të paditur e që
shkelnin drejtësinë. Ai dënonte qeveritarët
osmanë, të cilët, gjoja për të luftuar
zakonin barbar të hakmarrjes, përdornin mjete edhe
më barbare. Në këto kushte, - thoshte
Jubani, - në Shqipëri nuk do të mund të
zërë kurrë vend ideja e qytetërimit.
Zef Jubani kërkonte që në Shqipëri të
vendoseshin ligje të tilla që tu siguronin
barazinë politike gjithë banorëve të saj,
pa marrë parasysh ndryshimet fetare, sepse shqiptarët
janë të një gjaku dhe janë të
njëjtë për nga gjuha, për nga zakonet,
për nga aspiratat. Krahas ligjeve të përgjithshme
të Perandorisë, ai kërkonte që të
kishte edhe ligje të veçanta për Shqipërinë,
të cilat të mbështeteshin edhe në traditat
e mira të popullit të saj, të nxjerra,
- siç shkruante ai, - prej statutesh kombëtare
nga më të mirat e më të përshtatshmet.
Ndërkaq, Zef Jubani shprehej në mënyrë
të prerë kundër idealizimit të privilegjeve
që kishte pasur dhe i ruante Malësia. Ruajtja e
tyre donte të thoshte, sipas mendimit të tij, ruajtje
e një gjendjeje arbitrariteti e barbarie. Ai kërkonte
zbatimin e reformave që do të çonin në
zhvillimin ekonomik të vendit; ishte për ndërtimin
e rrugëve e të hekurudhave, për themelimin
e ndërmarrjeve publike, për zhvillimin
e lundrimit me avullore e të tregtisë, për
shfrytëzimin e pasurive të vendit. Shqipëria,
shkruante ai, kishte miniera të pashfrytëzuara,
pyje shekullore, lëndë të çdo lloji,
tokë me pasuri të begata natyrore, që, po të
dinë të nxjerrin prej tyre dobi, mund ti çojnë
shqiptarët në mirëqenie.
Si iluminist i shquar, Zef Jubani mendonte se një rol
të rëndësishëm për zhvillimin e aftësive
të popullit shqiptar, për forcimin e ndjenjave të
tij kombëtare dhe për përparimin e tij, duhej
të luante shkolla kombëtare laike, me mësues
vendas e jashtë çdo ndikimi fetar. Arsimi shqiptar
duhej të përbëhej nga shkollat fillore, që
duhej të çeleshin në çdo vend, nga
gjimnazet në qytete, si edhe nga shkollat profesionale.
Mësimin e gjuhës shqipe ai e quante shumë të
nevojshëm për veprimtarinë e ndërmarrësve
shqiptarë, sesa atë të turqishtes ose të
italishtes, aq më tepër që shkollat në
gjuhë të huaja e ftohnin ndjenjën kombëtare.
Zef Jubani arriti në përfundimin e drejtë se
përhapja e mësimit shqip nuk mund të arrihej
pa një alfabet të vetëm të gjuhës
shqipe dhe kundërshtonte ata që shkruanin vetëm
me shkronjat latine ose greke. Krijimin e një alfabeti
të përbashkët ai e quante një domosdoshmëri
dhe shërbim të paharrueshëm për popullin
shqiptar. Në shkrimet e tij në shqip ai përdori
një alfabet të posaçëm me një sistem
të ri shkronjash me bazë alfabetin latin dhe hartoi
një gramatikë të thjeshtë të gjuhës
shqipe.
Për të ngritur ndërgjegjen e krenarinë
kombëtare të bashkatdhetarëve të tij,
Zef Jubani, ashtu si rilindësit e tjerë, iu drejtua
së kaluarës historike të shqiptarëve,
shkroi një Histori të jetës dhe të
veprave të Gjergj Kastriotit, që mbeti dorëshkrim
e nuk mundi të shohë dritën e botimit. Zef
Jubani e përshkruan Gjergj Kastriotin si një yll
që ndrit e udhëheq popullin shqiptar edhe në
kohët moderne, ndërsa trimëria e mençuria
e tij simbolizonte virtytet e vetë popullit shqiptar.
Kjo vepër është një kushtrim, një
thirrje drejtuar shqiptarëve për luftë, për
çlirimin e atdheut, duke ndjekur shembullin e Skënderbeut.
Ndonëse vinte në dukje me ngjyra të forta gjendjen
e mjerueshme që karakterizonte Shqipërinë,
Zef Jubani theksonte se nuk kishte arsye për tu
dëshpëruar, kishte besim në të ardhmen
e saj, të cilën do ta siguronin vetë shqiptarët.
Ai u drejtohej me zemërim të veçantë
reshperëve që sbëjnë asgjë
dhe presin, duke ndenjur me duar kryq, shpëtimin dhe
qytetërimin e Shqipërisë nga kombet e huaja,
d.m.th. atyre përfaqësuesve të borgjezisë
tregtare që e kishin lidhur fatin e vet politik me një
shtet të huaj. Unë nuk i besoj sinqeritetit
të të huajve që na bëjnë një
të mirë pa pasur një qëllim të dytë,
deklaronte Zef Jubani. Në këtë vështrim
ai nuk shihte me sy të mirë as veprimtarinë
e klerit të huaj katolik në Shqipërinë
e Veriut, e cila u shërbente më shumë të
huajve. Klerikët e huaj kishin përvetësuar
këtu monopolin e arsimit e të kulturës dhe,
siç theksonte ai, nuk ndihmonin në përparimin
e popullit. Zef Jubani u shpreh edhe kundër pozitës
mbizotëruese që mbante Austro-Hungaria në ekonominë
e Shqipërisë, duke dëmtuar kështu interesat
e borgjezisë shqiptare. Për shkak të këtyre
qendrimeve u kritikua ashpër nga kleri katolik, që
e quante atë njeri të asnjë feje,
... shumë të rrezikshëm nga çdo
pikëpamje, sidomos në raportet politike.
Duke kërkuar ligje, kode e institucione të veçanta,
të përshtatshme për popullin shqiptar, i cili
tashmë, sipas tij, ishte formuar si një komb
i bashkuar, Zef Jubani shprehte heshtazi kërkesën
e borgjezisë shqiptare për autonomi, d.m.th. për
njohjen e interesave të veçanta të territorit
që banohej nga kombi shqiptar dhe që dallohej nga
territori i kombësive të tjera të Perandorisë
Osmane.
Në një kohë me Zef Jubanin, në fundin
e viteve 60, kur u acaruan marrëdhëniet ndërkombëtare
në Ballkan, parashtruan mendimet e tyre për rrugët
e shpëtimit të Shqipërisë edhe rilindës
të tjerë, si Thimi Mitkoja (1820-1890), Preng Doçi
etj. Ata shfaqën mendimin se kishte ardhur koha për
një kryengritje të përgjithshme kombëtare
dhe për shkëputjen e plotë të Shqipërisë
nga Turqia.
Thimi Mitkoja lindi në qytetin e Korçës në
një familje tregtare me tradita arsimore e kulturore.
Ndoqi shkollën në gjuhën greke në Korçë.
Veprimtaria tregtare më pas i dha mundësi të
njihej me Vjenën, Triesten, Venedikun, Stambollin, Athinën,
Bukureshtin etj. dhe të bjerë në kontakt me
lëvizjet çlirimtare të popujve të Ballkanit
e të Evropës. Në vitet 60 u vendos në
koloninë shqiptare të Egjiptit, ku punoi për
organizimin e lëvizjes patriotike dhe u përpoq për
vllazërimin e mëmëdhetarëve jo vetëm
në Egjipt, por edhe në vende të tjera.
Pikëpamjet e tij i shprehu në artikujt e botuar
në shtypin e kohës, si edhe në letërkëmbimin
me rilindësit e tjerë e me albanologë të
huaj. Si iluminist ai i kushtoi kujdes të veçantë
ngritjes së nivelit kulturor e politik të shqiptarëve.
Ashtu si Naum Veqilharxhi, ai e quante lëvrimin e gjuhës
shqipe një nga detyrat më të ngutshme të
lëvizjes për çlirim kombëtar. Thimi
Mitkoja punoi me përkushtim për të krijuar
te bashkatdhetarët bindjen se gjuha shqipe është
një nga gjuhët më të lashta të Ballkanit,
më të bukurat dhe me aftësi shprehëse
të pasur. Duke iu drejtuar historisë në trajtimin
e çështjes së gjuhës shqipe, mbështeste
tezën për origjinën pellazgjike të shqiptarëve,
me të cilën desh të vërtetonte lashtësinë
e tyre dhe të gjuhës shqipe. Shqiptarët,
- shkruante Thimi Mitkoja, - janë i vetmi komb autokton
i gadishullit të Ballkanit
, një komb i lidhur
me një gjuhë dhe histori të tijën.
Thimi Mitkoja shënoi një kthesë edhe në
fushën e ideve e në atë politike. Zhvilloi
një veprimtari të gjerë për afirmimin
e të drejtave kombëtare të shqiptarëve
në opinionin publik ndërkombëtar. Ishte ithtar
i kryengritjes së armatosur si mjet për çlirimin
e popullit shqiptar. U bënte thirrje shqiptarëve
të rroknin armët për të rrëzuar
tiraninë. Ishte një ndër përkrahësit
e idesë së lirisë dhe të pavarësisë
së Shqipërisë. Kërkonte formimin e një
shteti kombëtar shqiptar me ligjet e veta, që të
ishte në marrëdhënie të mira me fqinjët
dhe i pavarur prej askujt.
Por, nga ana tjetër, vetë Thimi Mitkoja mendonte
në këtë kohë se shteti i ri shqiptar do
të ishte tepër i dobët për tu bërë
ballë rreziqeve që i vinin nga jashtë dhe prandaj
kërkonte që Shqipëria, duke ruajtur individualitetin
e vet shtetëror, të formonte me fqinjën e saj
në jug, me Greqinë, një lloj lidhjeje federative
ose një mbretëri dualiste, sipas shembullit të
Austro-Hungarisë. Thimi Mitkoja mendonte se ishte në
interes të vetë Greqisë tu respektonte
shqiptarëve të gjitha të drejtat kombëtare
në shtetin e tyre, për ti pasur si aleatë
kundër një zgjerimi territorial të Serbisë
drejt jugut e veçanërisht në Maqedoni. Ky
mendim, i cili përkrahej edhe nga disa qarqe arbëreshe,
nënvleftësonte rrezikun që kërcënonte
Shqipërinë për shkak të prirjeve ekspansioniste
të qarqeve drejtuese të Greqisë që Thimi
Mitkoja, me sa duket, nuk i njihte mirë. Vënia në
jetë e kësaj ideje do të krijonte kushte shumë
të favorshme për realizimin e planeve shoviniste
të Athinës. Vetë Thimi Mitkoja pas disa vjetësh
do të hiqte dorë nga kjo ide.
Edhe intelektualët arbëreshë, si dhe shkrimtarja
përparimtare rumune me prejardhje të largët
shqiptare, princesha Elena Gjika (1828-1888)?, që bashkëpunonte
me ta, mendonin se kriza e krijuar në Ballkan duhej shfrytëzuar
për një kryengritje shqiptare që do të
lidhej me lëvizjet e tjera kryengritëse në
Evropë. Për këtë qëllim grupi i arbëreshëve
u vu në lidhje me ato qarqe demokratike përparimtare
italiane dhe të Evropës Perëndimore në
përgjithësi, të cilat mendonin se në Gadishullin
Ballkanik vendin e Perandorisë Osmane që po shthurrej,
duhej ta zinte një konfederatë popujsh e shtetesh
me të drejta të barabarta.
Elena Gjika, e lindur në Kostancë të Rumanisë,
e pajisur me arsim e kulturë të pasur falë
studimeve që kreu në Rumani, në Vjenë
e në vende të tjera, iu kushtua çështjes
shqiptare, për të cilën mbante lidhje me De
Radën, Zef Jubanin, Thimi Mitkon, Dhimitër Kamardën
dhe me shkrimtarë e atdhetarë të tjerë.
Punoi për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare
të shqiptarëve, por mbi çdo gjë vlerësonte
nevojën e bashkimit të tyre kombëtar. Shqiptarët,
- theksonte ajo, - duhej të merreshin vesh me njëri-tjetrin,
ti harronin përçarjet, të mos ketë
më as gegë, as toskë, as lebër, as çamër,
por bij të devotshëm të të njëjtit
atdhe, sepse kështu gjaku nuk do të shkojë
kot. Për këtë ajo i referohej së
kaluarës, historisë së lashtë të
popullit shqiptar e veçanërisht epokës së
Skënderbeut dhe kontributit të shqiptarëve
në kryengritjet çlirimtare të popujve fqinjë.
Këto i sillte si argumente për të provuar të
drejtën e tyre për të siguruar lirinë
dhe për të themeluar shtetin e tyre të pavarur.
Ashtu si Naum Veqilharxhi, Elena Gjika mendonte se nuk mund
të arrihej bashkimi kombëtar pa përhapjen e
arsimit e të diturisë në gjuhën shqipe
dhe shtronte si detyrë më të ngutshme përhapjen
e shkrimit të gjuhës shqipe në popull e lëvrimin
e saj. Elena Gjika i shikonte kryengritjet shqiptare e veçanërisht
ngjarjet e viteve 1866-1867 si paralajmërim të pavarësisë
së Shqipërisë.
Por, në kushtet e Shqipërisë, kur shumica e
madhe e feudalëve të vendit e shihnin të nevojshme
ruajtjen e lidhjeve me Portën e Lartë dhe lidhjet
fetare me kalifatin ushtronin gjithnjë një ndikim
të madh në masat e besimtarëve myslimanë,
kur borgjezia shqiptare ishte e dobët, pjesërisht
e varur nga tregu i huaj dhe e përçarë nga
ndikimi i feve, më realiste ishin kërkesat e atyre
përfaqësuesve të mendimit politik shqiptar,
si Zef Jubani etj., të cilët, pa hequr dorë
nga synimi kryesor i çlirimit të vendit, e quanin
të parakohshme shkëputjen e plotë të Shqipërisë
nga Turqia. Ata mendonin gjithashtu se një Shqipëri
e pavarur, por ende e dobët dhe e pamëkëmbur,
mund të binte së shpejti viktimë e politikës
grabitqare të shteteve fqinje, ndërsa, duke qëndruar
në kuadrin e Perandorisë Osmane si provincë
autonome, Shqipëria do të siguronte më mirë
tërësinë e saj, jo vetëm sepse tërësia
tokësore e Perandorisë mbrohej edhe nga Porta, por
edhe sepse ajo ishte garantuar nga një sërë
marrëveshjesh të Fuqive të Mëdha.
2. KULTURA KOMBËTARE NË VITET 50 - 70
Përpjekjet për organizimin e shoqërisë
kulturore dhe çështja e alfabetit të gjuhës
shqipe (vitet 1850-1871)
Qysh në vitet 50, jo vetëm në Shqipëri
e Vllahi, ku vazhdonte punën Naum Veqilharxhi, por edhe
në Stamboll, ku ishin grumbulluar shumë shqiptarë,
tregtarë, nëpunës, intelektualë, të
ardhur nga krahina të ndryshme të vendit, vijuan
përpjekjet për lëvrimin e shqipes dhe për
hapjen e shkollave kombëtare. Një hap i rëndësishëm
në këtë drejtim u bë në vitet 50
me themelimin e një shoqërie kulturore në Stamboll,
qëllimi i së cilës ishte të grumbullonte
mjetet e nevojshme për shtypjen e librave dhe për
mbajtjen e shkollave. Shoqëria i vinte vetes si detyrë
të përfshinte në gjirin e saj përfaqësues
të të gjitha krahinave dhe feve. Vetëm kështu,
siç deklaronte më 1857 një nga anëtarët
e saj, Thimi Mitkoja, do të mund të sigurohej qëllimi
i shoqërisë, ringjallja e përgjithshme
kombëtare.
Themelimi i shoqërisë kulturore të Stambollit
qe hapi i parë që bënë aktivistët
e lëvizjes shqiptare për të dalë nga faza
e veprimeve të veçuara, për të krijuar
një bërthamë organizative e përfaqësuese
të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Anëtarët
e shoqërisë bënë përpjekje brenda
dhe jashtë Shqipërisë për të siguruar
përkrahje për realizimin e qëllimeve të
saj.
Por veprimi i patriotëve shqiptarë nuk dha fryte,
sepse u prit me armiqësi nga Porta e Lartë dhe nga
qarqet panheleniste me Patrikanën greke të Stambollit
në krye.
Situata e krijuar veçanërisht me krizën e
viteve 60, e cila u hapi popujve të robëruar të
Perandorisë perspektivën e çlirimit, i nxiti
patriotët që të rifillonin përpjekjet
për organizimin e lëvizjes kulturore kombëtare.
Nismën për këtë e mori Kostandin Kristoforidhi
(1830-1895) nga Elbasani.
Kostandin Kristoforidhi i kishte kryer studimet e larta në
Maltë dhe në Angli. Nga albanologu i njohur J. G.
Han ai kishte marrë nxitjen e parë për tiu
kushtuar studimeve shqiptare dhe shumë shpejt u bë
një njohës i thellë i gjuhës shqipe.
Si Naum Veqilharxhi, edhe Kostandin Kristoforidhi kishte arritur
në përfundimin se mësimi i shqipes kishte një
rëndësi të jashtëzakonshme si shprehje
e ekzistencës së kombit shqiptar dhe e të drejtave
të tij, si mjet vëllazërimi ndërmjet shqiptarëve
të feve e të krahinave të ndryshme. Ai e shprehte
këtë më vonë me fjalët: Ndë
mos u shkroftë gjuha shqipe, nuk do të shkojnë
shumë vjet dhe nuk do të ketë Shqipëri
në faqe të dheut, as nuk do të shënohet
më emri shqiptar në hartë të botës.
Qysh në vitin 1864, sapo kishte vajtur në Stamboll,
në bashkëpunim me bashkatdhetarë të tjerë
që ndodheshin atje, si Pashko Vasa nga Shkodra, Ismail
Qemali nga Vlora, Hasan Tahsini nga Filati i Çamërisë,
Kostandin Kristoforidhi kishte organizuar një varg mbledhjesh
për ringjalljen e shoqërisë kombëtare.
Në këto mbledhje morën pjesë shumë
shqiptarë që ndodheshin në Stamboll, që
biseduan përsëri për nevojën e sigurimit
të mjeteve financiare për shkronja dhe për
shkolla shqipe. Por kusht i domosdoshëm për
hapjen e shkollave dhe për shtypjen e librave shqip ishte
caktimi i një alfabeti të vetëm të shqipes,
që të njihej dhe të përdorej nga të
gjithë shqiptarët si alfabeti i tyre kombëtar
në vend të alfabeteve të shumta që ishin
në përdorim dhe pengonin mësimin e gjuhës
amtare (alfabeti latin në Shkodër, alfabeti grek
ndër ortodoksët e jugut, alfabeti arab midis myslimanëve,
alfabeti i Dhaskal Todrit ose i Naum Veqilharxhit në
disa krahina të veçanta).
Por që në mbledhjet e para u dukën shenja moskuptimi
ndërmjet pjesëmarrësve në lidhje me caktimin
e alfabetit. Mosmarrëveshjet nxiteshin edhe nga Porta
e Lartë, e cila ia arriti qëllimit që mbledhja
të shpërndahej pa dhënë fryte.
Më 1867 këto përpjekje u përsëritën.
Kostandin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Hasan Tahsini, Ismail
Qemali, me të cilët u bashkuan edhe shqiptarë
të tjerë, si bankieri Kristaq Zografi, funksionarë
shqiptarë të Portës, si Mustafa pashë
Gjiriti, Rustem pashë Leskoviku etj., si përfaqësues
të një komisioni nismëtar për themelimin
e një shoqërie kulturore shqiptare, iu drejtuan
kryeministrit, Ali Pashës, me lutje që të lejonte
formimin e një shoqërie shqiptare me karakter kulturor.
Gjendja e nderë në Ballkan i kishte bindur Ali Pashën
dhe disa përfaqësues të qarqeve qeveritare
osmane se vazhdimi i politikës së forcës ndaj
shqiptarëve dhe pengimi i çdo përpjekjeje
të tyre për përparim do ta thellonte armiqësinë
ndaj Portës jo vetëm të të krishterëve,
por edhe të myslimanëve shqiptarë dhe do të
bënte që shqiptarët të merrnin të
gjithë anën e armiqve të Perandorisë.
Përkundrazi, liria e mësimit të gjuhës,
sipas tyre, do ti lidhte myslimanët shqiptarë
më ngushtë me Portën, ndërsa të krishterët
do ti neutralizonte. Për këtë arsye Ali
Pasha autorizoi dhe inkurajoi komisionin të vijonte mbledhjet
e tij.
Anëtarët e komisionit iu përveshën përsëri
punës për ringjalljen e shoqërisë kulturore.
Mirëpo hovi që po merrte lëvizja patriotike
në radhët e shqiptarëve ortodoksë e shqetësoi
Patrikanën greke, e cila ushtroi trysni mbi ta për
ti larguar nga rruga e lëvizjes kombëtare.
Në të njëjtën kohë filloi të
ndryshonte edhe qëndrimi i kryeministrit turk ndaj nismës
shqiptare. Qarqet konservatore në Portën e Lartë
kursin e butë të Ali Pashës ndaj
çështjes shqiptare e shikonin si të rrezikshëm
për unitetin e islamizmit dhe të Perandorisë,
meqenëse u hapte shtegun edhe kërkesave të
kombësive të tjera myslimane. Nën trysninë
e tyre Ali Pasha filloi ti nxirrte pengesa komisionit
nismëtar e pak më vonë e ndaloi krejtësisht
veprimtarinë e tij.
Me gjithë dështimin që pësoi më 1867,
grupi i atdhetarëve të Stambollit nuk hoqi dorë
nga përpjekjet për të krijuar një qendër
të lëvizjes kombëtare. Kjo mbetej një
detyrë e përhershme veçanërisht në
kushtet e zgjerimit të luftës që i bënin
lëvizjes shqiptare Patrikana dhe Porta. Në vitin
1867 nën hijen e Patrikanës ishte themeluar organizata
me emrin Vëllazëria qendrore kulturore
dhe më 1871 Silogu (klubi - shën. i aut.)
kulturor epiriot, president nderi i të cilit u
zgjodh renegati i çështjes shqiptare, bankieri
Kristaq Zografi. Synimet e vërteta të Silogut shiheshin
qartë në statutin e tij, ku gjente shprehje shqetësimi
që kishte kapur Patrikanën e qarqet shoviniste greke
për përparimin që po bënte Lëvizja
Kombëtare Shqiptare dhe për rritjen e ndikimit të
saj në popullsinë e krishtere shqiptare. Duke vënë
në dukje se edhe në vise të largëta malore,
siç ishte krahina e Shpatit të Elbasanit, kishte
filluar të mësohej fshehurazi gjuha shqipe, statuti
theksonte nevojën për të shtuar përpjekjet
për përhapjen e arsimit grek në Shqipëri.
Nën kujdesin e Silogut e me lejen e qeverisë osmane
në Shqipërinë e Jugut e të Mesme u hapën
dhjetëra shkolla greqisht krahas atyre turqisht.
Kjo veprimtari e qarqeve shoviniste greke bashkërendohej
me politikën thellësisht antishqiptare të Portës
së Lartë, e cila ua mohonte shqiptarëve të
drejtën për të mësuar gjuhën amtare.
Edhe gazeta zyrtare, që filloi të dilte më
1871 në Prizren, botohej turqisht e serbisht, ndërsa
ajo e Janinës turqisht e greqisht.
Në këto kushte, në vitin 1871 patriotët
shqiptarë të Stambollit i rifilluan përpjekjet
për krijimin e një organizate patriotike shqiptare.
Një rol të rëndësishëm në këto
përpjekje, krahas Kostandin Kristoforidhit, luajti Hasan
Tahsini (1811-1884), i cili i kishte bërë studimet
në Francë dhe ishte një figurë e shquar
e shkencës. Hasan Tahsini nuk reshti së predikuari
se mësimi i gjuhës shqipe, edhe me shkronja joarabe,
nuk ishte aspak në kundërshtim me frymën e
kuranit. Rreth tij u bashkuan jo vetëm personalitete
që ishin aktivizuar qysh në përpjekjet e para,
por edhe intelektualë të rinj, si Sami Frashëri,
Jani Vretoja etj., që rimëkëmbën komisionin
nismëtar. Por Porta e Lartë edhe kësaj here
i nxori pengesa komisionit nismëtar duke ngulur këmbë
që puna e tij të kufizohej vetëm me të
krishterët shqiptarë, kurse myslimanët sduhej
të kishin asnjë lidhje me këtë çështje.
Kundërshtime u shfaqën edhe në vetë gjirin
e komisionit. Disa pashallarë, të nxitur nga Porta,
kërkonin që gjuha shqipe të shkruhej me alfabetin
arab. Kundër kësaj zgjidhjeje doli shumica e anëtarëve
të komisionit, të cilët vinin në dukje
se jo vetëm për arsye shkencore, por edhe politike,
shqiptarët, si anëtarë të familjes evropiane,
nuk duhej të përdornin një alfabet oriental,
por evropian.
Një grup tjetër, me Jani Vreton në krye, duke
iu mbajtur tezës mbi origjinën e përbashkët
pellazgjike të popullit shqiptar e grek dhe të lidhjeve
kulturore ndërmjet tyre, u shprehën për alfabetin
grek. Për alfabetin latin ishte më në fund
një grup i tretë, me Pashko Vasën, Ismail Qemalin
dhe Kostandin Kristoforidhin, të cilët mbështeteshin
jo vetëm në argumente historiko-politike, por edhe
në ato praktike (siç ishte fakti që shkronjat
latine nuk duheshin derdhur veçanërisht, por gjendeshin
të gatshme në çdo shtypshkronjë).
Një zgjidhje tjetër propozonte Hasan Tahsini, i
cili, ashtu si Naum Veqilharxhi, mendonte se në kushtet
e Shqipërisë duhej përdorur një alfabet
i ri, krejt i veçantë, për të cilin
shkronjat i kishte shpikur vetë.
Komisioni arriti më në fund në marrëveshjen
për të hartuar alfabetin duke u mbështetur
në parimin themelor: për secilin tingull një
shkronjë. Ky parim përjashtonte pranimin e
pandryshuar të një alfabeti latin, ashtu edhe të
alfabetit grek, të cilët tingujt e veçantë
të shqipes nuk mund ti jepnin pa dyzime shkronjash.
Por çështja e alfabetit dhe formimi i shoqërisë
kulturore shqiptare nuk mundën të zgjidheshin përfundimisht.
Porta mbajti një qëndrim kërcënues dhe
pashallarët shqiptarë u larguan menjëherë
nga komisioni. Në të njëjtën kohë
edhe Patrikana i shtoi intrigat e saj kundër lëvizjes
patriotike shqiptare. Në këto kushte komisioni u
detyrua të ndërpriste edhe këtë herë
punën pa arritur ndonjë përfundim konkret.
Me gjithë vështirësitë që hasën,
atdhetarët nuk hoqën dorë nga qëllimet
e tyre. Por, duke mos pasur lejen dhe mundësitë
që të vepronin haptazi për lëvrimin e
mësimin e gjuhës amtare, ata përpiqeshin të
punonin fshehurazi, duke bërë çdo gjë
fli. Koto Hoxhi nga Qestorati i Gjirokastrës (1824-1895),
i cili ishte emëruar më 1873 mësues në
normalen e Qestoratit, në orët e lira u mësonte
fshehurazi nxënësve shqipen dhe u ngjallte atyre
dashurinë për gjuhën, për atdheun, për
bashkatdhetarët e feve të tjera. Kjo veprimtari
patriotike e futi Koto Hoxhin në grindje me konsullin
grek dhe me peshkopin e Gjirokastrës. Peshkopi e shkishëroi
dhe njëkohësisht vuri njerëz ta sulmonin. Por
ky nuk u tërhoq para vështirësive. Kështu,
nga shkolla e Qestoratit nuk dolën vetëm mësues
fanatikë të helenizmit, por edhe atdhetarë
si Pandeli Sotiri e Petro Nini Luarasi, të cilët
ndoqën rrugën e Koto Hoxhit.
Lëvizja letrare dhe botimet shkencore
Fundi i viteve 60 shënojnë një etapë me
rëndësi në përparimin e Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare, që u pasqyrua edhe në
zhvillimin e letërsisë shqipe.
Një veprimtari të madhe në këtë fushë
zhvilloi Kostandin Kristoforidhi. Duke hyrë në shërbim
të një organizate protestante angleze, të Shoqërisë
Biblike, e cila botonte përkthime të ungjillit në
gjuhë të ndryshme të botës për përhapjen
e besimit fetar, Kostandin Kristoforidhi kishte shpresë
që të vinte në jetë planet e tij për
zhvillimin e letërsisë në gjuhën shqipe
me fondet e kësaj Shoqërie. Dhe me të vërtetë,
në vitet 1864-1872, me ndihmën e Shoqërisë
Biblike, ai mundi të botonte mbi 10 vëllime, ndërmjet
të cilave ishin disa përkthime të rëndësishme
fetare, si Dhjata e re etj.
Por Kostandin Kristoforidhi nuk mendonte ta kufizonte veprimtarinë
e vet vetëm në botime fetare. Në këtë
kohë ai vijoi punën për hartimin e një
fjalori themelor të gjuhës shqipe dhe përgatiti
një varg botimesh popullore, si dhe një revistë
kulturore. Nga këto ai mundi të botonte më
1867 Abetaren e gjuhës shqipe toskërisht
e gegërisht. Ndonëse planet e tij për mungesë
përkrahjeje nuk mundën të arriheshin veçse
pjesërisht, veprimtaria e Kostandin Kristoforidhit në
këto vite pati rëndësi të madhe. Përkthimet
e shkrimeve fetare të Kostandin Kristoforidhit u bënë
objektivisht një mjet lufte kundër propagandës
shkombëtarizuese të kishës greke; ato shënonin
një hap të ri drejt krijimit të një kishe
ortodokse shqiptare dhe rrëzonin pretendimet e panhelenistëve
që thoshin se gjuha shqipe ishte një gjuhë
e varfër dhe nuk mund të shërbente si gjuhë
kulture. Me përkthimet e tij Kostandin Kristoforidhi
bëri gjithashtu një punë të madhe për
pasurimin e gjuhës së shkruar me një varg termash
dhe shprehjesh të nxjerra nga gjuha e popullit. Për
më tepër, me shkrimet e tij ai ndihmoi për
afrimin e dy dialekteve kryesore të shqipes, të
gegërishtes dhe të toskërishtes, duke marrë
si bazë për përkthimet e tij gegërisht
autorët e vjetër të Shqipërisë së
Veriut, që ishin shumë afër toskërishtes.
Në këto vite letërsia shqiptare filloi të
merrte përmbajtje të re më të përparuar,
lidhur me detyrat e reja që shtronte koha dhe gjendja
e vendit. Kështu, krahas shkrimeve me karakter fetar
e didaktik që kishin mbizotëruar deri tani, filloi
të trajtohej tema patriotike. Në këto krijime
rilindësit u bënin thirrje bashkatdhetarëve
për të luftuar sundimin e huaj, për ta vënë
çështjen kombëtare përmbi fetë,
për të zhvilluar e për të lëvruar
gjuhën e kulturën kombëtare. Një rol të
rëndësishëm si aktivist i letërsisë
artistike shqipe dhe i lëvizjes kombëtare në
përgjithësi filloi të luante në këto
vite Thimi Mitkoja nga Korça. I mërguar në
Egjipt, ai zhvilloi një veprimtari të madhe e të
frytshme për mbledhjen e folklorit shqiptar.
Në të njëjtën kohë filloi të
shkruante vjersha Spiro Risto Dineja nga Vithkuqi i Korçës
(1846-1922), që përshkoheshin nga fryma atdhetare.
Shovinistëve grekë Spiro Dineja nuk ua kurseu qortimet
për armiqësinë që tregonin kundrejt shqiptarëve,
si p.sh. për vrasjen e pabesë të Naum Veqilharxhit.
Dashuria për atdheun gjeti një shprehje të
zjarrtë dhe artistikisht të lartë në vjershat
e Preng Doçit (1846-1917), siç dëshmojnë
ndër të tjera vargjet: Shqyptarë trima,
zgjedhën lshoni, / kputni prangat e luftoni!
Fryma patriotike përfshiu edhe të tjerë poetë
klerikë katolikë të veriut si Pjetër Zarishin
(1806-1866), Ndue Bytyçin (1847-1917), Leonard de Martinon
(1830-1923) etj.
Në këtë lëvizje morën pjesë
edhe intelektualë arbëreshë, duke dhënë
një ndihmë të çmuar në dobi të
çështjes kombëtare. Besnikë ndaj traditave
demokratike, që ishin shfaqur edhe me pjesëmarrjen
masive të arbëreshëve në Revolucionin
e vitit 1848 edhe në lëvizjen për çlirimin
e Italisë në vitet 1859-1861, një plejadë
intelektualësh arbëreshë, midis të cilëve
shquheshin Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Vinçenc
Dorsa, Zef Serembe etj., iu dhanë me mish e me shpirt
mbledhjes dhe studimit të thesareve të gjuhës
e të kulturës së popullit shqiptar.
Një rol veçanërisht të rëndësishëm
në këtë drejtim vijonte të luante Jeronim
de Rada (1814-1903) me punën e tij si poet i shquar,
studiues i palodhur dhe propagandist i flaktë i çështjes
së çlirimit të popullit shqiptar. Me veprat
e tij shkencore, si Vjetërsi e kombit shqiptar,
me poemat epike madhore, si Skënderbeu i pafanë,
të botuara në vitet 60 e në fillim të
viteve 70, De Rada u bë një figurë e madhe
e kulturës shqiptare, e njohur jo vetëm në
kolonitë arbëreshe e në Shqipëri, por
edhe në botën letrare e kulturore evropiane. Veprimtarët
e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e nderonin De Radën
si një udhëheqës të shquar të luftës
së tyre. Veprat e tij i çmuan edhe figurat e mëdha
të letërsisë evropiane të kohës,
si A. de Lamartinë, F. Mistral; ato u përkthyen
në një varg gjuhësh të huaja.
Në vitin 1866 u botuan dy përmbledhje të rëndësishme
të folklorit arbëresh-shqiptar, njëra Rapsodi
e një poemi shqiptar prej De Radës dhe tjetra
prej filologut të shquar Dhimitër Kamarda (1821-1882)
nga Hora e Arbëreshve pranë Palermos, si Shtojcë
e veprës Sprovë e gramatologjisë krahasuese
mbi gjuhën shqipe. Nëpërmjet pasurisë
së madhe artistike që paraqiste folklori, të
dy studiuesit arbëreshë u përpoqën me
sukses të tërhiqnin vëmendjen e opinionit publik
botëror mbi popullin shqiptar dhe lashtësinë
e tij, si dhe mbi të drejtën e tij për tu
njohur si komb më vete. Nga viti 1865 filloi të
bashkëpunonte me studiuesit arbëreshë edhe
Dora dIstria (Elena Gjika). Ajo zhvilloi një veprimtari
të gjallë publicistike veçanërisht mbi
tema lindore, midis tyre edhe shqiptare, që e bënë
më shumë të njohur dhe shërbyen njëkohësisht
për ta popullarizuar çështjen shqiptare në
opinionin publik botëror.
Duke marrë shkas nga libri i De Radës, Dora dIstria
botoi po atë vit (më 1865) në gjuhën frënge
një studim me titull Kombësia shqiptare sipas
këngëve popullore. Në të autorja
vinte në dukje se këngët popullore historike
shqiptare, e në mënyrë të veçantë
rapsoditë e botuara nga De Rada që kishin si figurë
kryesore Skënderbeun, flisnin jo vetëm për
aftësitë krijuese artistike të një populli
me kulturë të lashtë, por përbënin
edhe një dokument historik, i cili dëshmonte për
dashurinë për liri e pavarësi që kishte
ruajtur populli shqiptar gjatë shekujve, me gjithë
kushtet e vështira të pushtimit të huaj. Ka
ardhur koha, - i shkruante ajo De Radës, - që historia
jonë të dalë gjithashtu nga varri ku e kanë
groposur kaq e kaq farisej. Duke u mbështetur në
të dhënat e historisë, në këtë
vepër dhe në vepra të mëvonshme, Dora
dIstria vinte në dukje se shqiptarët kishin
të drejtë, me rastin e një risistemimi të
ardhshëm politik të Evropës Juglindore, të
fitonin lirinë e tyre dhe mundësinë për
përparim në kuadrin e shtetit të tyre të
pavarur.
Grupi i patriotëve arbëreshë u vu në lidhje
me atdhetarë shqiptarë në Shqipëri dhe
në kolonitë, si p.sh. me Zef Jubanin në Shkodër,
Thimi Mitkon në Egjipt etj., të cilët u dhanë
zemër për të vijuar veprimtarinë politike
e letrare për të mirën e çështjes
shqiptare. Duke u nisur nga parimi i shprehur nga Dora dIstria,
se pa rilindje letrare nuk ka ringjallje politike,
grupi arbëresh përpiqej të themelonte një
shoqëri letrare mbarëshqiptare, që do të
botonte një gazetë me emrin Flamuri i Skënderbeut,
një fjalor dhe një gramatikë të gjuhës
shqipe.
Grupi arbëresh zhvilloi një veprimtari të rëndësishme
për të bërë të njohur çështjen
shqiptare në opinionin publik botëror dhe për
të krijuar lidhje me lëvizjen atdhetare në
Shqipëri. Dëshmi e këtij bashkëpunimi
u bë libri me titull Dora dIstrias - shqiptarët,
një përmbledhje vjershash botuar nga Dhimitër
Kamarda më 1870, për të cilën kishin bashkëpunuar
autorë shqiptarë dhe arbëreshë të
kolonive të Italisë e të Greqisë si Zef
Jubani, Thimi Mitkoja, I. Pema, Preng Doçi, Jeronim
de Rada, Anton Santori, Zef Serembja etj. Përtej qëllimit
kryesor, për ti shprehur filoshqiptares së
shquar mirënjohjen për ndihmën që i jepte
çështjes shqiptare, libri u bë një manifest
i parë, i përbashkët i lëvizjes letrare
kombëtare që po rritej në këto vite.
|
 |  |