 |  |
K R E U I
RILINDJA KOMBËTARE SHQIPTARE DHE
VEÇORITË E SAJ DALLUESE
Rilindja Kombëtare një epokë e re
historike
Shek. XIX shënoi për popullin shqiptar, ashtu si
për popujt e tjerë të Ballkanit, një epokë
të re, atë të Rilindjes. Ai ka hyrë në
historinë moderne të vendeve të Ballkanit si
shekulli i lëvizjeve dhe i revolucioneve kombëtare,
që ndoqën njëri-tjetrin dhe që çuan
në çlirimin e shumicës së popujve të
këtij gadishulli nga zgjedha e Perandorisë Osmane
dhe në formimin e shteteve të pavarura. Këto
lëvizje u zhvilluan në kushtet e rënies së
Perandorisë Osmane, të shthurjes së marrëdhënieve
të vjetra feudale dhe të lindjes së ekonomisë
së tregut, të zgjimit të mëtejshëm
të ndërgjegjes kombëtare të popujve të
këtij gadishulli dhe të zgjerimit të ndërhyrjeve
të Fuqive të Mëdha në këtë Perandori.
Megjithëse, për një varg rrethanash të
brendshme e të jashtme, Shqipëria ishte vendi i
fundit në Ballkan që u shkëput nga Perandoria
Osmane dhe që shpalli pavarësinë kombëtare,
krahasuar me vendet e tjera ballkanike, ajo, që në
fundin e shek. XVIII dhe në fillimin e shek. XIX, nisi
të zhvillohej nga pikëpamja ekonomiko-shoqërore
e politike në po ato drejtime si edhe fqinjët e
saj ballkanikë, Serbia, Greqia, Bullgaria e Rumania.
Vështirësitë e ritmet e ngadalshme të
këtij zhvillimi të Shqipërisë, të
diktuara nga kushtet e rënda e të ndërlikuara,
që ishin karakteristike për vendet nën sundimin
osman, nuk e penguan shoqërinë shqiptare që
në agimin e shek. XIX të kishte, krahas ndryshimeve,
edhe mjaft gjëra të përbashkëta me shtetet
fqinje, të krijonte premisat që çuan në
konsolidimin e shqiptarëve si komb, në ngritjen
e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare dhe
në zhvillimin e lëvizjes kombëtare.
Proceset e reja, që u shfaqën në jetën
politike e kulturore të Shqipërisë në
dhjetëvjeçarët e parë të shek.
XIX, shënuan fillimin e epokës së Rilindjes
Kombëtare Shqiptare, e cila zë një periudhë
të tërë historike, shtrihet nga vitet 30-40
të atij shekulli dhe deri në Shpalljen e Pavarësisë
së Shqipërisë më 1912.
Rilindja Shqiptare përbën një lëvizje
të gjithanshme kombëtare, me një përmbajtje
të re ideologjike, politike, kulturore, ekonomiko-shoqërore
dhe organizative. Ajo synonte të zgjidhte detyrat që
i takonin revolucionit kombëtar, të çlironte
vendin nga sundimtarët e huaj osmanë, të bashkonte
trojet shqiptare në një shtet të vetëm
e të pavarur, tu hapte rrugën zhvillimit e
përparimit ekonomiko-shoqëror, politik e kulturor
të Shqipërisë.
Rilindja ishte e lidhur me një shkallë më të
lartë të zhvillimit të kombit shqiptar, me
konsolidimin e tij, që çoi në lindjen e një
lëvizjeje të re nga përmbajtja dhe objektivat
e saj, të nacionalizmit, që ishte një lëvizje
karakteristike për historinë moderne të të
gjithë popujve, e cila, si në çdo vend edhe
në Shqipëri, kishte si synim të formonte shtetin
kombëtar, që do të përmbushte aspiratat
politike, shoqërore, ekonomike e kulturore të popullit
shqiptar. Ashtu si te popujt e tjerë, edhe te shqiptarët
nacionalizmi u karakterizua nga ndjenja e përbashkësisë,
e komunitetit ndërmjet shqiptarëve, si pjesëtarë
të të njëjtit komb. Kjo lëvizje ishte
e lidhur me ndryshimet dhe me përparimet që u bënë
në shek. XIX në fushën kulturore, ekonomike,
ideore e politike.
Gjuha dhe kultura materiale e shpirtërore e shqiptarëve,
të formuara gjatë shekujve të parë të
historisë së tyre e të konsoliduara veçanërisht
në shekujt e mesjetës, mbetën një faktor
i rëndësishëm, që shprehte njësinë
etnike të popullit shqiptar, që shtrihej në
një territor kompakt, dikur më të gjerë,
por tashmë i rrudhur gjatë dyndjeve të popujve
në Ballkan. Ky territor përputhej përafërsisht
me truallin e banuar në lashtësi nga paraardhësit
e tyre, ilirët e Jugut. Epoka e Rilindjes solli përparime
të mëdha në kulturën e shqiptarëve
e në radhë të parë në lëvrimin
e gjuhës shqipe, e cila ishte dëshmi e bashkësisë
së shqiptarëve, tipari themelor i kombit shqiptar,
nyja qendrore që bashkonte gjithë shqiptarët,
pa dallim krahine e feje. Në gjuhën shqipe u theksuan
prirjet për afrimin e varianteve letrare të dy dialekteve
(të veriut e të jugut) dhe u hodhën themelet
e gjuhës letrare shqipe. Konsolidimi i shqiptarëve
si komb i bashkuar shtroi si kërkesë të domosdoshme
lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe,
kapërcimin e prapambetjes në shkrimin e shqipes,
të trashëguar nga shekujt e sundimit osman, që
u shpreh në përpjekjet për vendosjen e një
alfabeti të njëjtë dhe në zhvillimin gjatë
shek. XIX të një letërsie të gjerë
artistike, didaktike e publicistike. Gjatë Rilindjes
u hodhën themelet e letërsisë dhe të kulturës
së sotme shqiptare në tërësi. Në
fundin e atij shekulli kultura e re kombëtare nuk ishte
më aspiratë, por përbënte, me breza të
tërë shkrimtarësh, mendimtarësh, publicistësh
e dijetarësh të fushave të ndryshme, një
realitet, i cili kishte provuar katërcipërisht identitetin
e përveçëm kulturor të popullit shqiptar,
si edhe vitalitetin e forcën e tij krijuese kulturore.
Përveç kësaj, mbi bazën e kulturës
popullore, me variantet e nënvariantet e shumta, morën
shtrirje të gjerë mbarëshqiptare elemente të
rëndësishme të fushës materiale e shpirtërore,
të mënyrës së jetesës, të veshjeve,
të veglave të prodhimit, të ndërtimeve,
të krijimtarisë artistike (të folklorit etj.),
të cilat u bënë pronë e përbashkët
e gjithë popullit.
Në zhvillimin e mëtejshëm të kombit dhe
të nacionalizmit shqiptar, si në çdo vend
tjetër, ndikuan edhe ndryshimet që ndodhën
në jetën ekonomike të Shqipërisë
qysh në shek. XVIII e sidomos në shek. XIX. Në
këtë periudhë, kur zhvillohet procesi i shthurjes
së mëtejshme të feudalizmit dhe i lindjes së
ekonomisë së tregut, kur forcohen lidhjet e komunikacionit,
ato ekonomike e tregtare ndërmjet qytetit e fshatit dhe
ndërmjet qyteteve, si edhe ato ndërkrahinore, kur
formohet një treg i përbashkët kombëtar
dhe zgjerohen lidhjet tregtare të Shqipërisë
me shtetet evropiane, vendin e ndjenjave të izolimit
e të partikularizmit të ngushtë, krahinor e
provincial, e zunë ndjenjat e interesave të përbashkët
të të gjithë kombit e të territoreve të
banuara prej tij. U rrit roli i qyteteve, jo vetëm si
qendra të administratës osmane, por edhe si qendra
të jetës ekonomike e politike të Shqipërisë.
Këto zhvillime, që ndodhën gjatë Rilindjes,
sollën forcimin e ndërgjegjes kombëtare te
shqiptarët, që u shpreh me vetëdijen e tyre
të përbashkët për përkatësinë
në të njëjtën etni, në të njëjtin
komb, komb që jetonte në një territor të
përbashkët, që kishte prejardhje, gjuhë,
zakone, formim shpirtëror, kulturë e histori të
njëjtë dhe që dallohej nga të tjerët.
Këto elemente kishin fituar qëndrueshmëri si
rrjedhim i qëndresës shekullore të popullit
shqiptar për ti mbrojtur nga pushtuesit e huaj
e sidomos nga ata osmanë; ato u ruajtën e u trashëguan
nga shqiptarët edhe në epokën e Rilindjes.
Gjatë Rilindjes lindi dhe u zhvillua ideologjia e re
kombëtare, e cila, duke u ngritur mbi ndarjet krahinore
e fetare, shprehte aspiratat jo më të krahinave
të veçanta, por të të gjithë Shqipërisë
dhe të të gjithë shqiptarëve. Thelbin
e saj e përbënte lufta kundër shtypjes kombëtare,
jo vetëm me mjete materiale, të armatosura, por
në radhë të parë me ato intelektuale,
me idetë që argumentonin të drejtën e
natyrshme njerëzore të popullit shqiptar për
të qenë i lirë e i pavarur kombëtarisht.
Ashtu si te popujt e tjerë, kjo do të arrihej vetëm
me formimin e një shteti kombëtar e të veçantë
shqiptar. Këto ide, të përhapura gjerësisht
në rrethet e kulturuara brenda e jashtë vendit nëpërmjet
librave e shtypit, u futën dora-dorës edhe në
mendjet e njerëzve të thjeshtë, ndihmuan në
formimin te populli shqiptar të ndërgjegjes së
përbashkët kombëtare, e cila mishëronte
vullnetin e gjithë kombit.
Rilindja ishte një lëvizje e gjerë, që
tërhoqi në jetën politike të gjitha forcat
shoqërore të popullit shqiptar dhe që kishte
rrënjë të thella historike. Ajo u zhvillua
në një truall të përgatitur nga kryengritjet
popullore, që nuk u ndërprenë gjatë katër
shekujve të robërisë osmane dhe që drejtoheshin
kundër kësaj robërie. Gjatë këtyre
lëvizjeve ishte formuar te shqiptarët ndjenja e
kombësisë, e identitetit dhe e individualitetit
të tyre të veçantë përballë
sundimtarëve të huaj. Por këto lëvizje,
edhe pse kishin karakter çlirimtar, mbetën prej
fillimit deri në fund lëvizje të veçuara
e të palidhura ndërmjet tyre. Epoka e Rilindjes
krijoi kushtet për bashkimin e tyre, për ti
kanalizuar ato në hullinë e lëvizjes kombëtare.
Megjithatë, lëvizje organizativisht të veçuara
e pa lidhje me njëra-tjetrën pati edhe gjatë
Rilindjes. Ato dëshmonin se ndërgjegjja kombëtare
nuk kishte arritur ende kudo pjekurinë në shkallën
e duhur. Konsolidimi i ndërgjegjes kombëtare kaloi
përmes një rruge të vështirë, duke
kapërcyer prirjet e lokalizmit, të separatizmit
patriarkal feudal, të trashëguara nga e kaluara.
Të zhvilluara në rrethanat e reja, që u krijuan
në shek. XIX, këto kryengritje të shtresave
të ndryshme të popullsisë morën tipare
të reja, filluan të karakterizohen nga ndjenja e
bashkësisë së interesave të të gjithë
shqiptarëve kundër sundimtarëve osmanë.
Ato u shkrinë dora-dorës në lëvizjen e
përgjithshme kombëtare dhe u bënë pjesë
e saj.
Rilindja solli elemente të reja edhe në organizimin
e drejtimin e lëvizjes çlirimtare shqiptare, duke
e ngritur atë në një shkallë më të
lartë. Nga kuvendet e besëlidhjet krahinore e ndërkrahinore,
që drejtonin veprimet e përbashkëta luftarake
në shkallë të gjerë, u kalua në formimin
e organizatave udhëheqëse mbarëshqiptare, që
drejtonin lëvizjen në shkallë kombëtare,
siç qenë Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881)
e Lidhja Shqiptare e Pejës (1899-1900) gjatë shek.
XIX, si dhe komitetet kombëtare në fazën e
fundit të Rilindjes. Themelimi i organizatave të
tilla udhëheqëse diktohej si nga shtrirja e njëkohshme
e lëvizjes në mbarë trevat shqiptare, ashtu
edhe nga karakteri i përgjithshëm kombëtar
i objektivave të saj gjatë Rilindjes.
Programi politik i Rilindjes
Ideologjia e Rilindjes u konkretizua në programin e saj
politik e kombëtar, i cili u përpunua gradualisht,
duke filluar nga vitet 30-40 të shek. XIX dhe u pasurua
gjatë zhvillimit të mëtejshëm të
lëvizjes kombëtare. Thelbin e tij, si të çdo
lëvizjeje tjetër nacionale, e përbënte
formimi i shtetit kombëtar shqiptar.
Përpjekjet e para (pas atyre të periudhës së
Skënderbeut, në shek. XV) për shkëputjen
e Shqipërisë nga sundimi osman dhe për formimin
e një shteti shqiptar u bënë në vigjilje
të epokës së Rilindjes, në fundin e shek.
XVIII dhe në fillimin e shek. XIX, kur u formuan dy pashallëqet
shqiptare, ai i Shkodrës në veri (1771-1831) dhe
i Ali pashë Tepelenës në jug (1787-1822). Megjithatë,
këto dy pashallëqe, për një varg arsyesh
të brendshme e të jashtme, nuk arritën të
bashkoheshin (siç bënë Principata e Moldavisë
dhe ajo e Vllahisë më 1859-1861) dhe të themelohej
kështu, më herët se në vendet e tjera
të Ballkanit, një shtet autonom shqiptar. Shqiptarët
i shfaqën përsëri prirjet e tyre për tu
shkëputur nga Stambolli dhe, kur krerët e Jugut
formuan, më 1828, Lidhjen Shqiptare, deklaruan se do
të luftonin kundër Greqisë vetëm po të
rrezikohej Shqipëria dhe jo Turqia. Kështu ata nxorën
pothuajse krejtësisht Shqipërinë e Jugut nga
kontrolli i Portës së Lartë. Ata kërkuan
të vendosnin në vilajetin e Janinës një
administratë të tillë civile, e cila tu
njihte të drejta të barabarta gjithë banorëve
të këtij vilajeti, shqiptarëve e grekëve,
myslimanëve e të krishterëve. Bashkëkohësit
shihnin në këto qëndrime të krerëve
shqiptarë të Jugut prirjet nacionaliste, madje edhe
synimin e tyre për pavarësi dhe për tu
shkëputur nga Perandoria Osmane, gjë që mund
të arrihej nëse do të ishte vendosur një
lidhje e ngushtë ndërmjet tyre dhe Pashallëkut
të Shkodrës, i cili shtrihej në atë kohë
pothuajse në gjithë Shqipërinë e Veriut.
Për shkak të pavendosmërisë së vetë
krerëve feudalë shqiptarë, që i trëmbeshin
shkëputjes nga Perandoria Osmane, ky bashkim nuk u arrit
dhe Shqipëria humbi atëherë mundësinë
për të hedhur poshtë robërinë osmane.
Programi kombëtar i Rilindjes Shqiptare nuk lindi menjëherë
në formën e tij të plotë. Fillimet e tij
u hodhën nga mendimtarët e shquar shqiptarë,
intelektualët rilindës në vitet 30-40 të
shek. XIX. Ata përpunuan dora-dorës idetë për
të drejtat e kombit shqiptar, i plotësuan me ato
iluministe për shkollën e gjuhën shqipe dhe
në përgjithësi për kulturën kombëtare,
si edhe me kërkesat për zhvillimin ekonomik të
Shqipërisë. Edhe lëvizjet e para të viteve
30-40 të atij shekulli, që u shtrinë pothuajse
në të gjitha trevat shqiptare, si dhe idetë
e tyre për një administrim të veçantë
për tokat shqiptare, për drejtimin e tyre nga vetë
shqiptarët, madje, siç u kërkua gjatë
kryengritjes së viteve 1843-1844, për një organizim
të tillë të Shqipërisë si ai i shteteve
fqinje, kishin karakter çlirimtar, shënuan një
hap përpara drejt programit autonomist. Me rritjen e
lëvizjes kombëtare në vitet 70 të shek.
XIX dhe veçanërisht në periudhën e Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), u përpunua në
mënyrë të plotë programi kombëtar
i Rilindjes Shqiptare për sigurimin e autonomisë
territoriale-administrative dhe të pavarësisë
së vendit nga sundimi i Perandorisë Osmane, i cili
u pasurua e u zhvillua më tej në fundin e shek.
XIX dhe në fillimin e shek. XX nga organizatat e tjera
politike mbarëshqiptare. Në këtë program,
ideologët rilindës, në përputhje me kohën
e me rrethanat, përcaktuan rrugët nëpërmjet
të cilave populli shqiptar, ashtu si fqinjët e tij
ballkanas, do të arrinte të formonte shtetin e vet
kombëtar e të bashkuar. Organizimin e shtetit shqiptar
rilindësit e mendonin në të dyja format, të
autonomisë dhe të pavarësisë. Autonomia
dhe pavarësia janë konceptuar gjithmonë si
dy etapa të zgjidhjes së çështjes shqiptare,
të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Por
për një varg arsyesh, që kishin të bënin
më shumë me rrethanat e jashtme ndërkombëtare,
por edhe me raportin e forcave shoqërore e politike brenda
vendit, platforma e autonomisë territoriale-administrative
të Shqipërisë mbizotëroi gjatë gjithë
Rilindjes, deri në nëntorin e vitit 1912.
Shteti autonom shqiptar, nën sovranitetin e Perandorisë
Osmane, vlerësohej nga mendimtarët rilindës
si një organizim i përkohshëm e kalimtar, për
të shkuar, në kushte më të favorshme ndërkombëtare
drejt një shteti plotësisht të pavarur. Autonomia
territoriale-administrative krijonte mundësitë që
të ngriheshin institucionet juridike-politike dhe strukturat
ekonomiko-shoqërore, që do të shërbenin
si mbështetje për rendin shtetëror të
pavarur, i cili do të vendosej sapo të krijoheshin
kushtet e përshtatshme. Kjo ishte rruga që kishin
ndjekur drejt pavarësisë edhe disa shtete të
tjera ballkanike; ishte e natyrshme që shqiptarët
të merrnin parasysh edhe përvojën e tyre.
Por në rastin e shqiptarëve kërkesa e autonomisë
u kushtëzua, në një shkallë të konsiderueshme,
nga një varg arsyesh të karakterit ndërkombëtar.
Rilindësit mendonin se autonomia territoriale-administrative
e Shqipërisë, nën sovranitetin e sulltanit,
do të ishte një zgjidhje më e pranueshme për
Portën e Lartë, sesa ajo e pavarësisë
dhe e shkëputjes së plotë të Shqipërisë
nga Perandoria Osmane. Ata e shikonin autonominë si një
masë që mund të pajtohej edhe me politikën
e status quo-së së Perandorisë Osmane, të
ndjekur nga Fuqitë e Mëdha. Një administrim
autonom i Shqipërisë do tu priste rrugën
lakmive pushtuese të shteteve të reja ballkanike,
të shfaqura qysh në vitet 40 të shek. XIX.
Duke siguruar njohjen zyrtare nga Porta e Lartë dhe nga
Fuqitë e Mëdha të të drejtave të
shqiptarëve mbi trojet e tyre dhe të përkatësisë
së tyre etnike shqiptare, autonomia territoriale-administrative
e Shqipërisë nën sovranitetin e Perandorisë
Osmane do të shmangte, sa të ishte e mundur më
shumë, rrezikun e copëtimit dhe të aneksimit
nga shtetet fqinje. Organizimi i Shqipërisë si një
njësi e veçantë shtetërore autonome,
qoftë edhe brenda Perandorisë Osmane, do të
mënjanonte gjithashtu rrezikun e identifikimit të
saj me këtë Perandori, kur kjo të shthurej
dhe zotërimet e saj të ndaheshin ndërmjet shteteve
ballkanike.
Rilindja, edhe pse ishte në thelb një lëvizje
ideore, karakterizohej gjithashtu nga veprime të armatosura
të shtresave më të gjera të popullsisë
kundër sundimtarëve osmanë. Rilindësit
më të përparuar e vlerësuan lëvizjen
e armatosur si një mjet të domosdoshëm për
të siguruar të drejtat kombëtare dhe për
çlirimin e vendit. Këto lëvizje të armatosura,
që ndoqën njëra-tjetrën, gjatë shek.
XIX dhe fillimit të shek. XX, nisën me kryengritjet
kundër reformave të Tanzimatit në vitet 30-40
e vazhduan deri te kryengritjet e mëdha të viteve
1910-1912, që çuan në Shpalljen e Pavarësisë
së Shqipërisë.
Forcat shoqërore të lëvizjes kombëtare
Rilindja Kombëtare ishte një lëvizje e re,
e cila shënoi një etapë më të lartë,
në krahasim me lëvizjet e mëparshme çlirimtare,
edhe nga përbërja e forcave shoqërore që
e udhëhoqën atë. Në periudhën e feudalizmit
në krye të lëvizjeve çlirimtare qëndronin
krerë feudalë ose fshatarë. Meqenëse atëherë
vendi ishte i ndarë në njësi politiko-administrative
të veçanta, pa lidhje me njëra-tjetrën
dhe ku krerët hynin shpeshherë në konflikt
me njëri-tjetrin, lëvizjet kundër zgjedhës
së huaj bëheshin, si rregull, në emër
të një njësie politiko-administrative të
veçantë dhe synonin çlirimin e kësaj
njësie e jo të të gjitha trojeve shqiptare.
Edhe kërkesat e tyre ekonomike e politike ishin të
kufizuara dhe me karakter lokal.
Ndryshe ndodhi në epokën e Rilindjes, kur lëvizja
çlirimtare i kapërceu caqet lokale e krahinore,
krijoi të gjitha kushtet e domosdoshme për bashkimin
e forcave më të ndryshme shoqërore të
kombit shqiptar rreth një programi dhe një qëllimi
të vetëm.
Zhvillimi i ekonomisë së re të tregut solli
ndryshime në strukturën shoqërore të vendit.
U formua borgjezia kombëtare si një forcë e
re shoqërore, e cila, në kushtet e një zhvillimi
të dobët të kapitalizmit dhe të ruajtjes
së mbeturinave të feudalizmit, ishte e lidhur edhe
me pronën mbi tokën. Ajo përfaqësohej
kryesisht nga tregtarët, zejtarët e pasur dhe pronarët
e manifakturave, të punishteve e të fabrikave të
para. Si një forcë që ishte e interesuar si
për formimin e një shteti të bashkuar shqiptar,
ashtu edhe për krijimin e kushteve për sigurimin
e personit e të pronës dhe për zhvillimin e
ekonomisë së tregut në përgjithësi,
borgjezia, në radhë të parë intelektualët
e dalë nga radhët e saj, luajtën një rol
të rëndësishëm si në përpunimin
e programit të lëvizjes kombëtare, ashtu edhe
në drejtimin e saj.
Inteligjencia, e cila vinte jo vetëm nga radhët
e borgjezisë, por edhe nga shtresat e tjera të popullsisë,
zuri një vend të veçantë për nga
roli i saj në lëvizjen kombëtare të periudhës
së Rilindjes. Ajo luftoi e punoi për ngritjen dhe
zhvillimin e arsimit kombëtar, për përhapjen
e tij në popull, për lëvrimin e gjuhës
e të kulturës shqiptare në përgjithësi,
përpunoi idetë nacionale e ideologjinë e Rilindjes,
programin kombëtar dhe mendimin politik shqiptar në
të gjitha etapat e Rilindjes. Nga radhët e saj dolën
edhe mjaft nga themeluesit e drejtuesit e organizatave kombëtare
që udhëhoqën lëvizjen nacionale.
Në një vend si Shqipëria, ku bujqësia
vijonte të mbetej sektori kryesor i ekonomisë, forcën
më të madhe ekonomike e shoqërore e përbënin
pronarët çifligarë, të lidhur me pronën
mbi tokën, por edhe me ekonominë e tregut. Ndryshe
nga pronarët e mëdhenj me origjinë feudale,
që përfaqësonin një shtresë konservatore,
e cila përgjithësisht mbështeste sundimtarët
osmanë, çifligarët, edhe pse nuk kishin një
fizionomi shoqërore homogjene, as pikëpamje politike
të njëjta, ndjenin domosdoshmërinë e shndërrimeve
ekonomike e politike në vend.
Përveç kësaj, çifligarët e rinj
ishin të pakënaqur edhe nga paaftësia e Perandorisë
Osmane për të mbrojtur tërësinë tokësore
të vendit nga rreziku i copëtimit dhe i zhdukjes
së shqiptarëve si komb, rrezik që filloi tu
kanosej, sidomos duke filluar nga mesi i shek. XIX. Grupe
të veçanta të kësaj force shoqërore
u përfshinë në programin kombëtar shqiptar
dhe luajtën një rol të dukshëm në
lëvizjen nacionale shqiptare në epokën e Rilindjes,
kurse mjaft intelektualë, të dalë nga gjiri
i kësaj shtrese çifligarësh, përqafuan
idetë e reja, u bënë pionierë e ideologë
të Rilindjes.
Për bashkimin politik të të gjitha forcave
shoqërore të kombit, krahas rrezikut të jashtëm,
ndikoi edhe një faktor tjetër, me karakter politik
dhe ekonomik, siç ishte zbatimi i reformave (i Tanzimatit)
në vitet 30-40 të shek. XIX. Tanzimati, krahas ndryshimeve
në marrëdhëniet agrare, në administratë
dhe në legjislacionin e Perandorisë Osmane, solli
për shqiptarët dy rrjedhoja: zëvendësimin
e drejtuesve të administratës lokale (që vinin
nga paria shqiptare) me funksionarë turq, të cilët
u vendosën në krye të administratës civile
e ushtarake të Shqipërisë, dhe shtimin e shtypjes
ekonomike e kombëtare mbi popullsinë. Të dy
këta faktorë e zgjeruan bazën shoqërore
të lëvizjes kombëtare
Forcën kryesore njerëzore e luftarake të lëvizjes
kombëtare të periudhës së Rilindjes e
përbënin, si edhe në lëvizjet e mëparshme
çlirimtare, fshatarësia dhe vegjëlia qytetare,
të cilat përfaqësonin shumicën dërrmuese
të popullsisë. Një vend të veçantë
zinin në këtë lëvizje fshatarët pronarë
e malësorët, që ishin edhe forca kryesore më
e gjerë e lëvizjes kombëtare. Fshatarët
pronarë, që përfaqësonin 5/6 e popullsisë
agrare, i ndien më tepër se çdo shtresë
tjetër pasojat rrënimtare të centralizimit
të pushtetit perandorak osman dhe, njëlloj si forcat
e tjera shoqërore, rrezikun e pushtimit të tokave
të tyre nga shtetet fqinje dhe pasojat e politikës
së këtyre shteteve për copëtimin e atdheut.
Prandaj ata morën pjesë aktive në luftën
kundër sundimtarëve të huaj osmanë, si
edhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale
të vendit.
Prej tyre doli edhe pjesa më e madhe e kurbetlinjve,
të cilët, duke u kthyer nga vendet e mërgimit,
ku kishin qenë në kontakt me idetë e përparuara
të kohës, luajtën një rol të rëndësishëm
në formimin më të shpejtë politik të
bashkatdhetarëve, si nëpërmjet shoqërive
të shtypit patriotik të mërgimit, ashtu edhe
me qëndrimet e tyre të herëpashershme në
atdhe. Me fshatarët bashkoheshin zejtarët e tregtarët
e vegjël të qyteteve, që ishin të afërt
nga gjendja ekonomike me ta.
Lëvizja kombëtare, me objektivat e saj themelorë,
me luftën për çlirimin e Shqipërisë
nga robëria e huaj dhe për ruajtjen e tërësisë
së territoreve të saj, ishte një front i gjerë,
i cili bashkoi shumicën dërrmuese të forcave
shoqërore të vendit. Edhe udhëheqja e lëvizjes
kombëtare nuk i takoi një force të vetme shoqërore.
Në krye të saj dolën përfaqësues
të borgjezisë, të inteligjencies, të çifligarëve
(të bejlerëve) me prirje atdhetare, elementë
të veçantë të parisë, klerikë
atdhetarë, përfaqësues të fshatarësisë
etj. Nga radhët e gjithë këtyre forcave dolën
një varg i tërë mendimtarësh (që
vinin sidomos nga inteligjencia), që u bënë
udhëheqës ideologjikë, kulturorë e politikë,
ndërsa nga grupet e tjera shoqërore dolën organizatorë
dhe drejtues politikë e ushtarakë të lëvizjes
kombëtare.
Karakteri demokratik dhe antifeudal i Rilindjes
Lëvizja Kombëtare Shqiptare e periudhës së
Rilindjes pati përgjithësisht tipare demokratike
e antifeudale, sepse drejtohej kundër ideologjisë
së prapambetur mesjetare të sundimtarëve osmanë
dhe kundër administratës së tyre shtypëse.
Përgjithësisht programi politik i Rilindjes frymëzohej
nga parimet demokratike të revolucioneve të Evropës
Perëndimore, në të cilat disa nga mendimtarët
rilindës kishin qenë pjesëmarrës të
drejtpërdrejtë.
Lufta kundër zgjedhës nacionale osmane për
krijimin e një shteti të pavarur, që përbënte
synimin themelor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare,
ishte në vetvete një masë demokratike, e cila
i dha asaj një përmbajtje të përgjithshme
demokratike. Përmbushja e këtij objektivi do ti
hapte rrugën zhvillimit ekonomik e kulturor të vendit.
Përveç kësaj, lëvizja kombëtare
drejtohej kundër një force të caktuar shoqërore,
kundër parisë gjysmëfeudale turko-osmane (me
sulltanin në krye), që kishte pushtetin politik
dhe shtypte e mbante të robëruar popullin shqiptar
e ata joturq në tërësi. Kjo luftë, që
i shkaktoi goditje të njëpasnjëshme gjithë
sistemit ekonomik e politik gjysmëfeudal osman, e dobësoi
atë dhe sundimin e tij në Ballkan, i dha lëvizjes
së Rilindjes Shqiptare një karakter antifeudal.
Por, në një kuptim më të gjerë, fryma
antifeudale e demokratike shfaqet në gjithë përmbajtjen
e Rilindjes Shqiptare, në ideologjinë dhe në
programin e saj, në lëvizjen kulturore, në
luftën për lirinë e shkollës e të
shkrimit shqip dhe në kërkesat programatike të
organizatave kombëtare e të kryengritjeve shqiptare,
që synonin ta fusnin vendin në rrugën e përparimit
ekonomik e kulturor.
Megjithatë, Rilindja Shqiptare nuk doli nga suazat e
lëvizjes kombëtare, ajo synonte të zgjidhte
në radhë të parë çështjen
nacionale dhe nuk arriti të merrte, si në vendet
e tjera të Ballkanit, karakter agrar, të shtronte
për zgjidhje edhe çështjen e tokës.
Për këtë ndikuan një varg faktorësh,
të cilët nuk ishin të pranishëm në
vendet fqinje të Ballkanit. Në këto vende (në
Serbi, në Greqi e në Bullgari) klasa e çifligarëve
feudalë osmanë shtypte ekonomikisht e politikisht
popujt e tyre, jo vetëm me anën e pushtetit politik,
por edhe si pronare e pjesës më të madhe të
tokave. Për më tepër, ajo ishte me fe myslimane,
ndërsa popujt e shtypur ishin të krishterë.
Kështu që në këto vende konflikti nacional
ndërmjet sunduesve osmanë dhe popujve të robëruar
u mpleks edhe me atë shoqëror ndërmjet fshatarësisë
së shtypur e çifligarëve turq, si edhe me
kontradiktën fetare ndërmjet fshatarit të krishterë
e çifligarit mysliman. Të tria këto kontradikta
u shkrinë në lëvizjen kombëtare të
këtyre popujve në një të vetme dhe i dhanë
asaj në të vërtetë, megjithëse jo
në mënyrë të shprehur, edhe karakter agrar.
Lëvizja Kombëtare Shqiptare u zhvillua në rrethana
të tjera shoqërore dhe në një kuadër
tjetër fetar. Në Shqipëri çifligarët
ishin me kombësi shqiptare dhe në pjesën më
të madhe me fe myslimane, pra me të njëjtën
fe që kishte shumica e popullsisë së vendit.
Për më tepër, një pjesë e tyre u
përfshi në lëvizjen kombëtare. Përveç
kësaj, edhe rrethet borgjeze, që morën pjesë
në lëvizje, pjesërisht ishin vetë pronarë
tokash dhe si rrjedhim bashkëpunuan me çifligarët.
Nga ana tjetër, shumica e fshatarëve, që u
rreshtuan në luftën për çlirimin kombëtar,
ishin fshatarë të lirë individualë të
zonave malore e kodrinore. Ata nuk ishin nën varësinë
social-ekonomike të pronarëve çifligarë,
por vuanin nga shtypja e shtetit osman. Prandaj, këta
fshatarë individualë u ngritën kundër
kësaj shtypjeje të rëndë ekonomike e politike
të Portës së Lartë, kundër politikës
së egër fiskale, kundër shërbimit të
detyrueshëm e të gjatë ushtarak, kundër
shpërdorimeve të qeveritarëve dhe të derebejve
që bashkëpunonin me ta për çlirimin
e vendit. Fshatarësia, në përgjithësi,
i drejtoi armët edhe kundër çifligarëve
e parisë gjysmëfeudale, por në ato raste kur
këta bashkëpunuan hapur me sunduesit osmanë
dhe me ushtrinë e tyre që dërgohej për
shtypjen e kryengritjeve.
Në zbehjen e konflikteve sociale dhe të luftës
për tokën ndikoi edhe një faktor tjetër
i natyrës politike. Në kushtet kur në Shqipëri
sundonte një regjim mesjetar e despotik pushtues, me
tiparet më të shëmtuara të dhunës
ekonomike e politike (siç ishin taksat e rënda,
diskriminimi politik, që arrinte deri në mohimin
e vetëqenies së kombit shqiptar, ndalimi i mësimit
të gjuhës amtare shqipe në shkolla, mungesa
e të drejtave më elementare njerëzore, madje
edhe masakrimi i popullsisë shqiptare me anën e
ekspeditave ndëshkimore), dilnin në plan të
parë kontradiktat nacionale midis popullit shqiptar dhe
sundimtarëve osmanë. Në këto rrethana
nuk mund të shtroheshin për zgjidhje problemet ekonomiko-shoqërore
të luftës kundër shtypjes gjysmëfeudale,
duke përfshirë edhe çështjen agrare,
të tokës; kështu Rilindja mori tërësisht
karakterin e një lëvizjeje që duhej të
zgjidhte, në radhë të parë, çështjen
më të mprehtë politike, atë kombëtare,
të zhdukte robërinë osmane, duke krijuar një
shtet autonom ose të pavarur shqiptar. Si rrjedhim, aspiratat
ekonomiko-shoqërore të fshatarëve dhe posaçërisht
ato për tokën nuk u përfshinë në
programet e Rilindjes.
Megjithatë, lufta e fshatarësisë dhe e vegjëlisë
së qytetit kundër sistemit të rëndë
shtypës ekonomik e politik osman dhe në radhë
të parë kundër taksave e detyrimeve të
tjera, kundër diskriminimit në lëmin politik,
të arsimit e të kulturës, kishte karakter shoqëror
e antifeudal. Kjo e përforcoi edhe më shumë
kontradiktën kombëtare dhe i dha përmasa të
gjera bazës sociale të lëvizjes rilindëse.
Iluminizmi
Iluminizmi ka qenë një lëvizje e borgjezisë
evropiane në periudhën e përgatitjes dhe të
kryerjes së revolucioneve të shek. XVIII-XIX. Ai
drejtohej kundër rendit feudal dhe kulturës së
tij, kundër obskurantizmit mesjetar e të gjitha
formave të ideologjisë së prapambetur dhe përpiqej
për përhapjen e arsimit e të diturisë.
Jehona e këtij iluminizmi të vendeve evropiane,
ashtu si ajo e ideve të mëdha të Revolucionit
francez të 1789-s dhe të revolucioneve të 1848-s
që tronditën Evropën, u ndie edhe në Shqipërinë
e atëhershme, u pasqyrua në ideologjinë dhe
në programin e Rilindjes Shqiptare. Shumë nga udhëheqësit
e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (në mënyrë
të veçantë ideologët e Rilindjes) ishin
frymëzuar nga këto ide përparimtare të
revolucioneve evropiane dhe patën nxjerrë mësime
prej tyre. Të panumërt ishin gjithashtu shqiptarët,
madje edhe disa nga rilindësit e njohur, që kishin
marrë pjesë në revolucionet kombëtare
të shteteve fqinje, në ato grek, rumun e serb, si
edhe në revolucionet e vendeve të Evropës.
Këta u bënë të ndërgjegjshëm
se idetë e këtyre revolucioneve duhej të përhapeshin
e të përqafoheshin edhe nga shqiptarët.
Rilindja shënoi një hapje ndaj kulturës përparimtare
botërore nga më të mëdhatë që
kishte njohur kultura shqiptare deri atëherë. Ishte
koha kur kombi shqiptar vendosi lidhje më të dendura
me idetë dhe kulturën përparimtare të
popujve të tjerë, përfitoi nga thesari i kulturës
së Perëndimit dhe sidomos nga Rilindja Evropiane,
nga iluminizmi i saj. Pikërisht nën ndikimin e këtyre
faktorëve të rinj u formuan mendimtarët, ideologët
dhe iluministët shqiptarë të epokës së
Rilindjes.
Përhapja e dijeve, e arsimit dhe e kulturës kombëtare,
që përbënte një nga drejtimet kryesore
të Rilindjes e të iluminizmit shqiptar, vlerësohej
nga mendimtarët rilindës si një nevojë
që shtronte zhvillimi ekonomik, shoqëror e kulturor
i vendit, si një kusht i domosdoshëm i përparimit
material e shpirtëror të kombit shqiptar. Rilindësit
e kuptuan këtë nevojë historike dhe iluminizmi
i tyre i shërbente plotësimit të kësaj
kërkese të shoqërisë shqiptare. Përhapja
e kulturës dhe e arsimit kombëtar do të ndihmonin
në emancipimin e popullit shqiptar nga fanatizmi, prapambetja,
intoleranca e nga dasitë fetare, të mbjella nga
sundimtarët osmanë.
Por iluminizmi shqiptar kishte disa tipare dalluese në
krahasim me atë të vendeve të tjera, duke përfshirë
këtu edhe vendet fqinje, që diktoheshin nga gjendja
e kombit shqiptar në Perandorinë Osmane dhe nga
politika e saj diskriminuese. Duke zbatuar parimin fetar në
përcaktimin e përkatësisë etnike të
popullsisë, qeveria osmane nuk e njihte kombësinë
shqiptare, të cilën e ndante, sipas besimit fetar,
në tri pjesë, që ajo i quante të ndryshme:
myslimane, ortodokse dhe katolike. Si pasojë, sipas sistemit
mesjetar e obskurantist të miletit (të
kombësisë), të vendosur nga sulltanët
osmanë, për turqit myslimani shqiptar, si i çdo
kombi tjetër, ishte turk, ortodoksi grek e katoliku latin
(italian).
Në përputhje me këtë parim, që mohonte
qenien e shqiptarëve si një komb i vetëm, Porta
e Lartë nuk lejoi të hapeshin në Shqipëri
shkolla shqipe, por vetëm shkolla turke, greke, italiane
ose austriake. Në qoftë se Turqia pranoi të
hapej ndonjë shkollë e veçantë shqipe,
këtë e bëri kur ishte e detyruar ose kur ia
kërkonte interesi i çastit, madje priste rastin
që ti mbyllte ato. Prandaj, përhapja e arsimit
dhe e kulturës kombëtare u bë një nga
çështjet themelore të Rilindjes ndryshe nga
çndodhi, p.sh., në tokat greke e të
kombeve të tjera ballkanike të Perandorisë
Osmane, ku popullsisë i njihej e drejta të arsimohej
në gjuhën e vet. Në këto kushte iluminizmi
shqiptar nuk mund të mbetej thjesht një lëvizje
kulturore. Iluminizmi e veçanërisht lëvizja
për shkollën e për kulturën shqiptare
mori karakter politik, sepse drejtohej kundër ideologjisë
së prapambetur obskurantiste, ku përfshiheshin edhe
ato ide konservatore klerikale, që mbështeteshin
në interpretimin qëllimkeq të dogmave të
veçanta të doktrinave fetare të të gjitha
besimeve. Ajo drejtohej edhe kundër politikës tradicionale
të asimilimit e të turqizimit të shqiptarëve,
që ndiqte prej shekujsh Perandoria Osmane. Me karakterin
e saj kombëtar shkolla dhe përgjithësisht kultura
e Rilindjes u mbyllte dyert rrymave ideologjike shkombëtarizuese
ngado që të vinin.
Shkolla kombëtare që kërkonin rilindësit
e që kishte për qëllim arsimimin në gjuhën
shqipe, duhej të ishte laike, të bëhej një
vatër kulture, që të plotësonte nevojat
e zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit dhe,
njëherazi, një vatër e atdhetarisë dhe
e bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Rrjedhimisht,
kërkesat për shkollën dhe për letërsinë
shqipe nuk kishin karakter thjesht kulturor. Iluminizmi shqiptar
kishte edhe një karakter politik, u bë armë
e fuqishme e luftës çlirimtare. Gërshetimi
i shumanshëm i veprimtarisë kulturore-arsimore me
veprimtarinë politike përbën një nga veçoritë
e iluminizmit të Rilindjes Shqiptare dhe të lëvizjes
kombëtare të asaj periudhe. Në fazën e
fundit të saj, nga gjithë pjesët përbërëse
të kulturës shqiptare, mori përparësi
zhvillimi i kulturës politike, që u dha tonin dhe
frymën patriotike gjithë përbërësve
të tjerë. Me rritjen e ngarkesës politike të
kulturës në fundin e shek. XIX dhe në fillimin
e shek. XX u forcua roli i shtypit dhe sidomos i publicistikës,
jo vetëm me numrin e madh të botimeve brenda e jashtë
vendit, por edhe me përmbajtjen kryesisht atdhetare.
Fryma patriotike u ndje edhe në letërsinë artistike,
duke i dhënë asaj një angazhim më të
madh e më të drejtpërdrejtë në lëvizjet
e mëdha politike të kohës, në luftën
për çlirimin kombëtar.
Duke përhapur në popull arsimin dhe përgjithësisht
kulturën në gjuhën shqipe e me frymë atdhetare,
rilindësit synonin të shpejtonin zgjimin e tij kombëtar,
të ndihmonin në ngritjen e mëtejshme të
ndërgjegjes politike dhe të arrinin aftësimin
e shqiptarëve për një jetë shtetërore
të pavarur. Kjo lëvizje u bë pjesë e pandarë
e luftës për çlirimin kombëtar dhe pati
jo vetëm ushtarët, por edhe dëshmorët
e saj. Me këtë mision të shkollës e të
kulturës shqiptare shpjegohet edhe lufta që u bënë
atyre dhe atdhetarëve rilindës Porta e Lartë,
Patrikana greke e qarqet shoviniste të shteteve fqinje,
të cilat shihnin tek ato një pengesë të
fortë për politikën dhe për planet e tyre
aneksioniste ndaj trojeve shqiptare.
Çështja fetare
Si rrjedhojë e pushtimit dhe e sundimit katërshekullor
osman, shqiptarët hynë në historinë moderne
të ndarë në tri besime të ndryshme fetare:
krahas feve të mëparshme ortodokse e katolike, të
cilat i ruajti një pjesë e popullsisë, u shtua
edhe ajo myslimane, së cilës i përkiste tashmë
shumica e shqiptarëve.
Shek. XIX bashkë me këtë ndarje fetare të
popullsisë trashëgoi edhe peshën e rëndë
të politikës teokratike të sulltanëve
osmanë, që vinte shenjën e barazimit midis
fesë e kombësisë dhe e trajtonte popullin shqiptar,
me tri besime, të ndarë në tri kombësi
të ndryshme. Kësaj politike i bënë jehonë
Patrikana greke e Stambollit, si dhe qarqet drejtuese të
shteteve fqinje e kishat e tyre respektive. Jeta shpirtërore
(ndërgjegjja fetare) e besimtarëve shqiptarë
sundohej nga tri institucione fetare, tri shkolla dhe tri
kultura të huaja. Këto institucione klerikale vareshin
nga tri qendra universale të huaja, nga Halifati sulltanor,
Patrikana fanariote dhe Papati roman, prej të cilave
asnjëra nuk e përkrahte idenë e një shteti
kombëtar shqiptar.
Por ndryshe nga disa vende të tjera ballkanike, popullsia
shqiptare nuk u nda në aq kombësi sa edhe fe. Ndërgjegjja
fetare nuk e errësoi dhe nuk e mbuloi asnjëherë
ndërgjegjen e kombësisë shqiptare. Udhëtarët
e huaj të shek. XIX kanë vënë në
dukje se, ndërsa nga pikëpamja fetare në përgjithësi
ishte hapur një hendek midis ortodoksit, katolikut e
myslimanit të të njëjtit komb, te popullsia
e Shqipërisë mbizotëronte ndjenja e kombësisë.
Ndërmjet elementëve të feve të ndryshme
të vendit u ruajtën lidhjet shpirtërore, ekonomike
e shoqërore, madje edhe lidhjet familjare. Me këtë
shpjegohet prania e sinkretizmit fetar të përfaqësuar
nga laramanët (të krishterët e
fshehtë), përhapja e gjerë e bektashizmit me
doktrinat e tij liberale dhe fakti që Shqipëria
nuk njohu asnjëherë grindje e luftëra fetare.
Megjithëse popullsia shqiptare i pati bërë
ballë kësaj trysnie qindravjeçare dhe, siç
shkruante udhëtari anglez Th. S. Hjugs (Th. S. Hughes)
në vitin 1820, e ruajti të paprekur ndjenjën
e kombësisë së vet, ndarja në tri fe të
ndryshme e sidomos varësia e tyre nga institucione të
huaja klerikale dhe politika e përçarjes fetare,
e ndjekur ndaj shqiptarëve, e vështirësuan
bashkimin e popullit shqiptar dhe u bënë pengesë
në luftën e tij kundër zgjedhës së
huaj për çlirimin kombëtar. Përveç
kësaj, Porta e Lartë, Patrikana greke prej nga vareshin
kishat ortodokse të Shqipërisë, si dhe fuqitë
e tjera të huaja u përpoqën ti përdornin
fetë në Shqipëri si një mjet që i
shërbente politikës së tyre. Rrjedhojat negative,
që vinin nga kjo ndarje fetare e shqiptarëve, mund
të shihen si një nga faktorët (pas atyre ekonomiko-shoqërorë),
që përcaktuan ritmet disi të ngadalshme të
procesit të emancipimit politik dhe të zgjimit kombëtar
të shqiptarëve.
Ndarja e popullsisë në tri besime dhe politika e
përçarjes fetare që ndiqej ndaj saj, nuk
mund të mos shtronte përpara Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare disa detyra të veçanta, që nuk
i ka njohur ajo e vendeve të krishtere ballkanike. Feja
e përbashkët, krahas ideve kombëtare, ishte
një faktor që i afronte shpirtërisht elementët
përbërës të këtyre popujve ballkanikë
dhe që shpejtoi bashkimin e tyre kombëtar në
luftën çlirimtare kundër sundimtarëve
osmanë, të cilët ishin myslimanë. Meqë
popullsia e këtyre vendeve i përkiste të njëjtit
besim fetar, udhëheqja e lëvizjes së tyre përfitoi
nga antagonizmi fetar me sundimtarët osmanë për
ta përdorur kishën si forcë ideologjike dhe
agjitatore në lëvizjen çlirimtare. Ndërsa
në Shqipërinë e shek. XIX, kur popullsia ishte
e ndarë në tri besime të ndryshme fetare dhe
kur 3/4 e saj ishte myslimane, domethënë kishte
të njëjtën fe me sundimtarët osmanë,
nuk mund të bëhej fjalë për këtë
antagonizëm, të shtruar në rrafsh fetar.
Në këto kushte bashkimi i shqiptarëve në
luftën çlirimtare do të arrihej jashtë
fesë, mbi fenë dhe vetëm i mbështetur
në parimin e kombësisë. Rrjedhimisht lufta
për afirmimin e parimit të kombësisë,
që ishte e përbashkët për të gjitha
lëvizjet kombëtare ballkanike, pati në Shqipëri
veçoritë e saj, u ngrit jo vetëm jashtë
fesë, por u drejtua njëherazi kundër identifikimit
të përkatësisë fetare të elementëve
të ndryshëm të popullsisë shqiptare me
atë kombëtare dhe e zhveshi ndarjen fetare nga petku
politik. Rilindësit bënë një punë
këmbëngulëse e të vështirë për
të kapërcyer dasitë fetare dhe politikën
përçarëse të sundimtarëve osmanë
e të Patrikanës së Stambollit, që identifikonin
fenë me kombësinë. Ata luftuan gjithashtu kundër
çdo orvatjeje për ta shndërruar ndarjen fetare
në përçarje politike-fetare.
Rilindja Kombëtare u ndesh edhe me konceptet fetare mbi
kombin. Ideologjisë së panislamizmit, të panortodoksizmit
etj., që kishte gjetur mbështetje edhe në disa
qarqe çifligare e borgjeze turkomane e grekomane shqiptare
dhe që identifikonte fenë me kombësinë,
ajo i kundërvuri iluminizmin e racionalizmin e vet e,
në radhë të parë, konceptin mbi kombin
shqiptar si një kategori e veçantë historike,
që ishte një dhe i pandarë, megjithëse
u takonte tri besimeve fetare, e që dallohej nga kombet
e tjera.
Iluministët e vendosën Rilindjen Kombëtare
në një platformë të përparuar, bashkëkohëse
dhe jashtëfetare, në parimin e kombësisë,
të shqiptarisë. Parimi Feja e shqiptarit është
shqiptaria, që përshkon një literaturë
të tërë politike e artistike të periudhës
së Rilindjes, ishte pa dyshim afetar, por jo antifetar,
një parim politik, që synonte bashkimin e shqiptarëve,
pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare. Ky
koncept i shqiptarisë si feja e shqiptarëve pushtoi
gjatë epokës së Rilindjes mendjet e zemrat
e shqiptarëve, duke u bërë një forcë
ideore, që bashkoi shpirtërisht e mendërisht
shqiptarët në luftën për çlirimin
kombëtar.
Tradita historike
Rilindja trashëgoi nga shekujt e mëparshëm
një pasuri të çmuar historiko-kulturore,
me vlera morale e politike, mbi të cilën ajo u mbështet
dhe të cilën e zhvilloi më tej në një
rrafsh të ri, me një platformë të re ideologjike
e politike. Ajo iu drejtua historisë dhe e përdori
këtë trashëgimi për të afirmuar të
drejtën e popullit shqiptar për të jetuar i
lirë e i pavarur. Rilindësit i kthyen sytë
nga e kaluara historike, jo vetëm pse kombi shqiptar,
ashtu si kombet e tjera, merr prej andej burimin e tij, por
edhe për ti vënë provat e lashtësisë
së tij në shërbim të detyrave që
qëndronin para lëvizjes kombëtare: për
të rritur krenarinë e bashkatdhetarëve në
luftën e vështirë për çlirimin
kombëtar, për të ndihmuar në ngritjen
e ndërgjegjes së tyre kombëtare, për të
forcuar më tej individualitetin e shqiptarëve si
komb dhe bashkimin e tyre përballë sundimtarëve
osmanë, për tu dhënë një mbështetje
historiko-shoqërore kërkesave kombëtare dhe
për të tërhequr vëmendjen e opinionit
publik të huaj ndaj çështjes shqiptare. Rilindësit
e përdorën historinë si një mjet të
fuqishëm në shërbim të kësaj çështjeje,
si edhe për të hedhur poshtë pohimet e atyre
shteteve, të cilët, për të arritur më
lehtë synimet e tyre ekspansioniste ndaj Shqipërisë,
ua mohuan shqiptarëve historinë. Rilindësit
u kapën sidomos pas origjinës së lashtë
të shqiptarëve dhe pas epokës së Skënderbeut.
Në rastin e parë ata u përpoqën të
argumentonin e të përhapnin tezën mbi origjinën
pellazgjike ose ilire të popullit shqiptar dhe të
provonin me këtë se shqiptarët janë ndër
banorët më të vjetër të Ballkanit,
autoktonë dhe zotër të ligjshëm të
truallit të vet, të cilin askush nuk kishte të
drejtë ta prekte. Në rastin e dytë, duke evokuar
e duke pasqyruar gjerësisht në letërsi epokën
e Skënderbeut, luftën e tij ngadhnjimtare kundër
ushtrive të Perandorisë së fuqishme Osmane,
rilindësit synonin të afirmonin vitalitetin e popullit
shqiptar, aftësinë e tij për tu bashkuar
politikisht dhe të drejtën për të formuar
shtetin e vet kombëtar.
Historisë i janë drejtuar edhe rrethet politike
të vendeve fqinje, sidomos pas formimit të shteteve
kombëtare. Qarqet politike serbe evokuan Perandorinë
e Stefan Dushanit të shek. XIV, ato greke Perandorinë
Bizantine dhe ato bullgare Perandorinë Mesjetare të
Borisit e të Simeonit. Sipas tyre, shtetet serb, grek
e bullgar ishin trashëgimtarë të perandorive
përkatëse mesjetare dhe rrjedhimisht kishin të
drejtën historike të shtriheshin në kufijtë
e dikurshëm. Mirëpo asnjë nga këto perandori
nuk shtrihej në gjithë Ballkanin ose në pjesën
më të madhe të tij, të banuar si në
të kaluarën edhe në shek. XIX nga popuj të
ndryshëm, që ishin zotër të trojeve ku
jetonin. Rrjedhimisht synimi për ti rikrijuar ato,
që ishte shprehje e politikës ekspansioniste të
këtyre shteteve, cenonte rëndë interesat e
popujve ballkanikë, ndërsa, në rastin e shqiptarëve,
çonte në pushtimin e territoreve të tyre
etnike, amtare, ose në copëtimin e tyre. Orvatjet
për përmbushjen e këtyre synimeve u bënë
shkak për luftëra ndërmjet vetë vendeve
ballkanike.
Përdorimi i traditës historike nga Lëvizja
Kombëtare Shqiptare nuk kishte prirje të tilla ekspansioniste.
Shqiptarët nuk kishin formuar në të kaluarën
ndonjë perandori, së cilës ti referoheshin
mendimtarët e veprimtarët rilindës. Epoka më
e ndritur, të cilën e evokuan rilindësit, ishte
ajo e Skënderbeut. Por kufijtë e shtetit të
lirë e të pavarur shqiptar, të krijuar prej
tij në shek. XV shtriheshin në toka shqiptare, madje
nuk i përfshinin të gjitha këto toka; ky shtet
lindi dhe qëndroi në truallin shqiptar dhe zhvilloi,
derisa u shtyp, një luftë mbrojtëse kundër
agresionit osman.
Ndryshe nga ai i vendeve fqinje ballkanike, historicizmi i
Rilindjes Shqiptare, argumentimi i karakterit historik të
përkatësisë etnike të trojeve shqiptare,
shërbeu si mbështetje për bashkimin politik
të shqiptarëve dhe të territoreve të banuara
prej tyre jo vetëm në të kaluarën, por
edhe në periudhën më të re, në shek.
XIX.
Faktori ndërkombëtar
Lufta për çlirimin kombëtar, për formimin
e një shteti të bashkuar shqiptar, ashtu si në
vendet e tjera të Ballkanit, edhe në Shqipëri
nuk mund të zhvillohej jashtë ndikimit të Fuqive
të Mëdha dhe të raporteve ndërkombëtare
të kohës.
Në shek. XIX Fuqitë e Mëdha e kishin vënë
Perandorinë Osmane nën ndikimin e tyre, ishin bërë
tanimë një faktor i dorës së parë
që përcaktonte fatin e saj dhe të zotërimeve
të saj duke përfshirë edhe ato ballkanike.
Të bindura tanimë përfundimisht se kjo Perandori
po shkonte drejt shembjes së pashmangshme, këto
shtete punonin për të forcuar më tej ndikimin
në zotërimet e saj dhe mbi shtetet që do të
dilnin pas rrënimit të saj. Në këto rrethana,
si lëvizjet kombëtare, ashtu edhe procesi i formimit
të shteteve nacionale, nuk mund të zhvilloheshin
në mënyrë të pavarur dhe jashtë ndikimit
e vullnetit të Fuqive të Mëdha. Ashtu si këto
lëvizje, edhe ajo kombëtare shqiptare, ishin bërë
pjesë e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Zgjidhja e çështjes kombëtare në këto
vende përcaktohej në një shkallë të
konsiderueshme nga këto marrëdhënie ndërkombëtare.
Kështu, edhe pse patën shpërthyer në Serbi
kryengritja e parë më 1804 dhe e dyta më 1815,
ndërsa në Greqi e në Rumani më 1821, këto
vende u çliruan nga robëria osmane vetëm
pas disfatës që Turqia pësoi në Luftën
ruso-turke të viteve 1828-1829, kur, sipas traktateve
të paqes ndërmjet Rusisë e Perandorisë
Osmane, u njoh autonomia e principatës serbe dhe e Malit
të Zi, u përforcua autonomia e principatave të
Vllahisë e të Moldavisë dhe u njoh pavarësia
e Greqisë, e cila u sanksionua edhe me Traktatin e Londrës
të Fuqive të Mëdha më 1830. Edhe Bullgaria,
ndonëse u përfshi më 1876 nga një lëvizje
kryengritëse kundër robërisë osmane, u
shpall si principatë autonome (pjesa veriore e saj) dhe
si njësi shtetërore nën vasalitetin e sulltanit,
me emrin Rumelia Lindore (pjesa jugore), pas shpartallimit
të Perandorisë Osmane në Luftën ruso-turke
të viteve 1877-1878 dhe pas Traktatit të Shën-Stefanit
dhe atij të Berlinit më 1878.
Rol vendimtar ka pasur faktori i jashtëm edhe në
Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, si dhe në fatin
e çështjes shqiptare në përgjithësi.
Por, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, ndërhyrjet
e këtij faktori në Lëvizjen Kombëtare
Shqiptare të periudhës së Rilindjes kanë
qenë, me ndonjë përjashtim, me rrjedhoja negative
për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Asnjë
nga Fuqitë e Mëdha nuk e mori nën sqetull çështjen
shqiptare dhe nuk u angazhua për zgjidhjen e saj. Ky
qëndrim mospërfillës, madje edhe opozitar i
shteteve evropiane ndaj çështjes kombëtare
shqiptare, që do të vazhdonte edhe pas Rilindjes,
ndonëse ka qenë diktuar nga interesat e tyre të
njohur politikë dhe strategjikë në Ballkan
dhe veçanërisht në Shqipëri, si edhe
nga synimi për të ruajtur ekuilibrin ndërmjet
tyre, ka qenë përcaktuar edhe nën ndikimin
e faktorit fetar. Dihet se afria e besimit fetar ka nxitur
jo vetëm Rusinë, ku identifikimi populist i kombit
me fenë ishte më i spikatur (rus kishte
kuptimin kristian - i krishterë), por edhe
Fuqitë e tjera të Mëdha evropiane të përkrahnin
lëvizjen kombëtare të popujve të krishterë
të Ballkanit. Ndërkaq, lëvizja kombëtare
e popullit shqiptar, shumica e të cilit i përkiste
fesë myslimane, përgjithësisht nuk ka gëzuar
një përkrahje të tillë edhe kur ka përjetuar
kulmet e saj, madje të atilla që rrallë mund
të ndeshen edhe në vendet e tjera të Ballkanit,
siç kanë qenë periudha e Lidhjes Shqiptare
të Prizrenit (1878-1881) dhe ajo e Kryengritjes së
Përgjithshme të vitit 1912.
Por edhe Fuqitë e Mëdha, ndonëse përgjithësisht
i sinkronizonin veprimet e tyre kur ndërhynin në
Perandorinë Osmane dhe posaçërisht në
Shqipëri, nuk kanë mbajtur gjithnjë e të
gjitha të njëjtin qëndrim ndaj çështjes
shqiptare. Janë të njohura sidomos qëndrimet
e veçanta të Austro-Hungarisë, e cila, edhe
pse kur ishte fjala për ndërhyrjet në Perandorinë
Osmane vepronte si një nga gjymtyrët më të
rëndësishme të koncertit të shteteve evropiane,
punonte njëherazi për të nxitur zhvillimin
kulturor të shqiptarëve, që e shihte si një
mjet për forcimin tek ata të ndjenjave kombëtare.
Kjo politikë diktohej, pa dyshim, nga interesat e saj
ekonomikë e politikë në Shqipëri, si vend
me një pozicion të rëndësishëm në
Adriatik, nga synimi i Vjenës për të shfrytëzuar
për këta interesa Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Në pragun dhe sidomos gjatë luftërave ballkanike
(1912-1913) Austro-Hungaria nisi të përkrahte në
fillim idenë e vendosjes së një administrimi
autonom në Shqipëri e më pas, në periudhën
e përgatitjes së Shpalljes së Pavarësisë,
atë të një shteti kombëtar shqiptar.
Ndërhyrja e faktorit të jashtëm në çështjen
shqiptare ka qenë e shumëfishtë: krahas Fuqive
të Mëdha në lëvizjen shqiptare ndërhynin
jo vetëm me mjete propagandistike e diplomatike, por
edhe me agresionin e hapur ushtarak, edhe shtetet fqinje (Serbia,
Greqia dhe Mali i Zi). Duke filluar nga vitet 30 të shek.
XIX, këto shtete ndiqnin një politikë ekspansioniste
për pushtimin e tokave shqiptare. Në këto kushte
Rilindja Shqiptare u detyrua ta drejtonte tehun e luftës
njëherësh në dy fronte: kundër sunduesve
osmanë për çlirimin kombëtar dhe kundër
lakmive shoviniste të shteteve fqinje, të cilat
përkraheshin nga Fuqitë e Mëdha, sidomos nga
Rusia, për mbrojtjen e tërësisë territoriale
të Shqipërisë. Lufta në dy fronte, me
dy objektiva, përbënte një veçori të
lëvizjes shqiptare të epokës së Rilindjes,
e cila e bënte atë të dallohej nga lufta që
zhvilluan kombet e tjera të Ballkanit në shek. XIX.
Megjithatë, kjo veçori nuk i përjashtoi aspak
shqiptarët e lëvizjen e tyre kombëtare nga
fronti i përbashkët i qëndresës së
popujve të Ballkanit kundër zgjedhës shekullore
osmane, gjatë së cilës u treguan të gatshëm
për të bashkëpunuar me popujt fqinj të
Gadishullit Ballkanik dhe dhanë një kontribut të
çmuar.
Pasojat e ndërhyrjeve të jashtme Shqipëria
i ndjeu tepër rëndë. Brenda 40 vjetëve
të fundit para Shpalljes së Pavarësisë
(1912), Fuqitë e Mëdha dhe sidomos shtetet fqinje
ballkanike, që përkraheshin prej tyre, ndërhynë,
madje edhe me mjete ushtarake, dy herë në çështjen
shqiptare: në vitet 1878-1881, kur iu kundërvunë
Lidhjes së Prizrenit dhe kërkesave të vazhdueshme
të saj për një shtet autonom shqiptar dhe kur
me vendimet e Kongresit të Berlinit gjymtuan rëndë
territoret shqiptare, si dhe më 1912-1913, kur edhe pse
e njohën shtetin e pavarur, të porsashpallur shqiptar,
i shkëputën atij më shumë se gjysmën
e territoreve dhe të popullsisë, që ua aneksuan
shteteve fqinje.
Periodizimi i lëvizjes kombëtare
Epoka e Rilindjes dhe lëvizja kombëtare që
u zhvillua gjatë saj përbëjnë një
proces unik e tërësor. Megjithatë, sikurse
është pranuar në historiografinë shqiptare,
ajo ndahet në disa periudha ose faza.
Faza e parë fillon në vitet 30 të shek. XIX
dhe vijon deri në vitet e shpërthimit të Krizës
Lindore, më 1876-1877. Kjo është periudha e
ndryshimeve të rëndësishme në jetën
ekonomiko-shoqërore, politike e kulturore të vendit,
e konsolidimit të procesit të formimit të shqiptarëve
si komb. Në këtë fazë nis të përvijohet
mendimi politik i Rilindjes, i ideologjisë dhe i programit
të saj, që u përpunua nga ideologët e
parë të Rilindjes. Përpjekjet për afirmimin
e kombit shqiptar nëpërmjet lëvrimit e përhapjes
së kulturës dhe të arsimit shqip u shoqëruan
me një zhvillim të tillë të kulturës
kombëtare të paparë deri atëherë,
që në kushtet, në të cilat ndodhej Shqipëria
asokohe, e pati qendrën e vet më shumë në
kolonitë shqiptare të mërgimit, por edhe brenda
vendit. Në këtë fazë të lëvizjes
kombëtare u formulua, ndonëse jo në mënyrë
të plotë, edhe kërkesa e organizimit autonom
të trojeve shqiptare. Kjo periudhë karakterizohet
gjithashtu nga një varg kryengritjesh të popullsisë
fshatare e qytetare që shpërthyen në vitet
30-40 dhe që vazhduan thuajse pa ndërprerje deri
në fillimin e Krizës Lindore, më 1876-1877.
Epoka e re historike në të cilën u zhvilluan
u dha atyre tipare të reja, karakteristike për lëvizjet
çlirimtare të Rilindjes.
Faza e dytë përfshin vitet 1878-1881, kur në
kushtet e Krizës Lindore, një element i rëndësishëm
i së cilës ishte edhe Lëvizja Kombëtare
Shqiptare, u shënua një kthesë e rëndësishme
në zhvillimin e saj, u krijua organizata mbarëshqiptare
Lidhja e Prizrenit. Lidhja dhe udhëheqësit
e saj përpunuan programin më të plotë
politik të lëvizjes kombëtare për mbrojtjen
e tërësisë territoriale të Shqipërisë
që kërcënohej nga monarkitë fqinje, për
bashkimin e të gjitha trevave shqiptare në një
shtet autonom kombëtar. Në këtë fazë,
nën drejtimin e Lidhjes së Prizrenit dhe të
udhëheqësve të saj më të vendosur,
u bë përpjekja e parë për të sendërtuar
me rrugën e luftës së armatosur programin e
lëvizjes kombëtare, për të themeluar shtetin
kombëtar shqiptar. Nga kjo fazë çështja
shqiptare u bë një realitet objektiv në politikën
ballkanike të Fuqive të Mëdha, një element
i pandarë i kombinacioneve të tyre diplomatike në
Ballkan dhe në Evropë.
Faza e tretë e lëvizjes kombëtare shtrihet
nga vitet 1881 dhe mbyllet më 1908, me revolucionin e
turqve të rinj. Në këtë periudhë
Lëvizja Kombëtare Shqiptare, edhe pse nuk njohu
pika të atilla kulmore, siç ishin vitet e Lidhjes
së Prizrenit, erdhi duke u rritur, si nga pikëpamja
cilësore, me zhvillimin e mëtejshëm të
mendimit politik e të kulturës, ashtu edhe nga organizimi
i saj. Në vitet e para pas shtypjes së Lidhjes së
Prizrenit mori hov lufta për shkollën dhe kulturën
kombëtare, u hodhën themelet e shkollës kombëtare,
u zhvillua letërsia shqipe, u zgjerua publicistika shqiptare,
zhvilloi veprimtarinë e vet një varg i tërë
shkrimtarësh, mendimtarësh e publicistësh,
që krijuan vepra, të cilat vunë themelet e
letërsisë dhe të kulturës së sotme
shqiptare. Në këtë periudhë zgjerohet
më tej veprimtaria patriotike e kolonive shqiptare të
mërgimit, që dhanë një kontribut të
çmuar në lëvizjen kombëtare. Vitet e
fundit të shek. XIX shënuan një ngritje të
re të lëvizjes për autonominë e Shqipërisë,
që u shpreh në dy drejtime kryesore: së pari,
në përgatitjen e një vargu memorandumesh, peticionesh
e traktatesh politike (ku spikat vepra Shqipëria
çka qënë, çështë
dhe çdo të bëhetë?), me
të cilat u pasurua më tej programi politik i Rilindjes
për formimin e shtetit kombëtar, për organizimin
e kushtetutën e tij; së dyti, në themelimin
e një organizate të re mbarëshqiptare, të
Lidhjes së Pejës (1899-1900), që mori përsipër
të vazhdonte, në kushtet e reja, misionin historik
të Lidhjes së Prizrenit. Themelimi i komiteteve
Për lirinë e Shqipërisë dhe
veprimtaria e tyre (1905-1908) ishte dëshmi e ngritjes
së mëtejshme të shkallës së organizimit
të lëvizjes kombëtare në këtë
fazë. Ndonëse vazhdoi të zhvillohet në
mënyrë të pavarur, me interesat e saj të
veçanta, Lëvizja Kombëtare Shqiptare u bashkua
me atë të turqve të rinj dhe u bë një
faktor i rëndësishëm për fitoren e Revolucionit
xhonturk të vitit 1908.
Faza e katërt (1908-1912) hapet me fitoren e Revolucionit
xhonturk dhe mbaron me Shpalljen e Pavarësisë të
Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Kjo është
periudha e rritjes së lëvizjes politiko-kulturore
(më 1908-1910) dhe e kryengritjeve të mëdha
shqiptare kundër sundimit osman në vitet 1910-1912,
të cilat dallohen si nga përmasat e shkalla më
e lartë e organizimit, ashtu edhe nga programi politik
autonomist që parashtruan. Lëvizja kombëtare
u bë në këto rrethana një faktor i rëndësishëm
ndërkombëtar, ndërsa kryengritjet shqiptare
të viteve 1910-1912 e dobësuan pushtetin osman në
Ballkan dhe i hapën rrugën shkatërrimit të
tij përfundimtar pas luftërave ballkanike të
viteve 1912-1913.
Kryengritjet, sidomos ajo e përgjithshme e vitit 1912,
përgatitën truallin për Shpalljen e Pavarësisë
së Shqipërisë, që ishte një fitore
e madhe historike me të cilën mbyllet epoka e Rilindjes
Kombëtare. Por, i shpallur në vitet e luftërave
ballkanike dhe për shkak të vendimeve të padrejta
të Konferencës së Londrës të Ambasadorëve
të Fuqive të Mëdha (1912-1913), shteti i pavarur
shqiptar nuk arriti të bashkojë, siç ishte
përcaktuar në platformën politike të Rilindjes,
të gjitha trojet e Shqipërisë, pjesa më
e madhe e të cilave mbeti jashtë kufijve të
tij, nën robërinë e shteteve fqinje, të
Serbisë, të Malit të Zi e të Greqisë.
Në këto rrethana çështja kombëtare
shqiptare mbeti e pazgjidhur përfundimisht, duke u kthyer
në periudhat më pas në një problem i lëvizjes
për çlirimin kombëtar të asaj popullsie
shqiptare që mbeti në ato shtete dhe duke u bërë
njëherazi një faktor që ndikoi fuqishëm
në marrëdhëniet e shtetit shqiptar me këto
vende fqinje.
|
 |  |