 |  |
K R E U VII
NGRITJA E LËVIZJES KOMBËTARE NË VITET 1896-1900.
LIDHJA SHQIPTARE E PEJËS (1899-1900)
1. LËVIZJA AUTONOMISTE NË VITET 1896-1897
Shqipëria dhe çështja maqedone
Lëvizja kombëtare u zhvillua në këtë
periudhë në rrethana të ndërlikuara ndërkombëtare,
kur si pasojë e ashpërsimit të çështjes
maqedone në mesin e viteve 90, u shtuan ndërhyrjet
e shteteve fqinje ballkanike dhe të Fuqive të Mëdha
në Turqinë Evropiane.
Ngjarjet që u zhvilluan këtu në vitet 1894-1896
treguan se përveç çështjes shqiptare,
që ishte shtruar për zgjidhje nga koha e Krizës
Lindore të viteve 1876-1881 dhe e Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit, lindi edhe ajo maqedone, përmbajtjen themelore
të së cilës e përbënte lufta e popullsisë
sllave-maqedone për çlirimin nga zgjedha osmane.
Qarqet monarkiste të Sofjes, të Beogradit dhe të
Athinës ndërhynë në çështjen
maqedone, jo aq për të çliruar popullsitë
sllavo-maqedone, serbe e greke të Turqisë Evropiane,
sesa për të përmbushur aspiratat e tyre pushtuese
ndaj territoreve shqiptare e maqedone, që kishin një
pozitë të rëndësishme strategjike, kontrollonin
rrugët nga Danubi drejt detit Egje dhe nga Adriatiku,
nëpër Via Egnacia, për në Egje e në
Lindje. Ato shfrytëzuan faktin se Maqedonia nuk ekzistonte
si njësi e veçantë administrative-territoriale
e Perandorisë Osmane dhe nuk banohej nga një masë
e vetme etnike-kombëtare. I ringjallur në shek.
XIX, emri Maqedoni kishte ardhur nga antikiteti (shek. IV
para erës së re), kur u themelua e lulëzoi
shteti maqedon, i cili arriti kulmin e vet nën Aleksandrin
e Madh. Në shekujt e mesjetës dhe në periudhën
e sundimit osman ky emër përdorej vetëm për
shkak të traditës historike, si një term gjeografik.
Në shek. XIX, territoret e Maqedonisë së kohës
antike, sipas ndarjes administrative të vendosur në
Perandorinë Osmane, përfshinin vilajetin e Selanikut
dhe një pjesë të vilajetit të Manastirit.
Megjithatë, edhe në këto territore banonin
popullsi të ndryshme.
Qarqet qeveritare të Bullgarisë, të Serbisë
e të Greqisë, duke iu referuar të ashtuquajturave
argumente historike dhe të dhënave etnike të
falsifikuara, u përpoqën ti jepnin Maqedonisë
një shtrirje më të gjerë duke përfshirë
në kufijtë e saj, përveç vilajetit të
Selanikut, gjithë sanxhakët e vilajeteve të
Manastirit e të Kosovës. Mirëpo, në dy
vilajetet e fundit shumicën dërrmuese të popullsisë
e përbënin shqiptarët. Sipas statistikave zyrtare
osmane të viteve 1896-1900, në vilajetin e Kosovës
popullsia shqiptare, myslimane e katolike, edhe pse nuk ishte
e regjistruar plotësisht, arrinte në 600 000 frymë
(kundrejt 161 000 serbëve, 220 000 sllavo-maqedonëve,
79 000 turqve etj.) dhe përbënte rreth 60 % të
popullsisë së përgjithshme prej 1 060 000 banorësh.
Me përjashtim të sanxhakut të Shkupit, në
të cilin ishin në pakicë, shqiptarët përbënin
shumicën dërrmuese të popullsisë në
sanxhakët e Prishtinës, të Prizrenit e të
Pejës dhe ishin në një numër të barabartë
me sllavët në sanxhakët e Pazarit të Ri
e të Tashllixhesë.
Në vilajetin e Manastirit (pa sanxhakun e Selfixhesë,
që iu bashkëngjit këtij në vitet 90, si
një njësi e veçantë), sipas statistikave
osmane, popullsia shqiptare, myslimane e ortodokse, arrinte
në 460 000 frymë (kundrejt 214 000 sllavo-maqedonëve,
40 000 grekëve e vllehëve e 8 000 pomakëve)
dhe përbënte 64% të popullsisë së
përgjithshme prej 722 000 frymësh. Në sanxhakun
e Manastirit shqiptarët myslimanë e ortodoksë
përbënin rreth 42% të popullsisë duke
qenë shumë afër me sllavo-maqedonët, të
cilët bashkë me pomakët, zinin 51 për
qind të popullsisë. Ndërsa në tre sanxhakët
e tjerë të vilajetit të Manastirit, në
ata të Dibrës, të Korçës e të
Elbasanit, shqiptarët myslimanë, ortodoksë
e katolikë përbënin shumicën dërrmuese
të popullsisë. Popullsitë joshqiptare (serbe
dhe në një masë më të madhe ajo sllavo-maqedone)
ishin vendosur në disa vise e sidomos në ato periferike
të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit,
ndërsa në vilajetin e Selanikut, përveç
popullsisë sllavo-maqedone që përbënte
shumicën, kishte edhe popullsi greke, vllahe, turke dhe
pakica të tjera.
Në rrethana të tilla ndërhyrja e shteteve ballkanike
dhe e Fuqive të Mëdha në çështjen
maqedone prekte drejtpërdrejt interesat kombëtarë
të popullit shqiptar dhe cenonte tërësinë
e trojeve të tij. Një veprimtari të gjerë
në të ashtuquajturën Maqedoni ndërmorën
qarqet drejtuese të Bullgarisë, të cilat u
orvatën të vënë nën kontrollin e
tyre luftën e drejtë çlirimtare që popullsia
sllavo-maqedone, e udhëhequr nga Organizata e Brendshme
Revolucionare e Maqedonisë (e themeluar në vitet
1893-1894), zhvillonte kundër pushtuesve osmanë.
Ato përpiqeshin tua nënshtronin këtë
lëvizje synimeve ekspansioniste të Mbretërisë
Bullgare, për të krijuar një Bullgari të
Madhe, me kufijtë e caktuar nga Traktati i Shën-Stefanit
i vitit 1878. Këtij qëllimi i shërbente edhe
kërkesa që qeveria bullgare, duke filluar nga viti
1894, u parashtroi Fuqive të Mëdha për formimin
e një Maqedonie autonome, ku të përfshiheshin
edhe viset shqiptare të vilajeteve të Manastirit
e të Kosovës, e cila shihej si një fazë
kalimtare për aneksimin e territoreve të saj nga
Bullgaria.
Të njëjtat aspirata pushtuese vijuan të ushqenin
edhe qarqet sunduese të Serbisë e të Greqisë,
që lakmonin gjithashtu të pushtonin gjithë
Shqipërinë e Maqedoninë. Në Serbi kishte
shpërthyer me një forcë të re propaganda
serbomadhe e ushqyer nga qarqet drejtuese dhe po punohej me
të gjitha mjetet për të zbatuar programin e
Naçertanies, të rimëkëmbjes
së Perandorisë së Stefan Dushanit, ku të
përfshihej, në fillim vilajeti i Kosovës dhe
më pas gjithë Shqipëria. Edhe në Greqi
qarqet politike dhe një varg organizatash shoviniste
(Shoqëria Kombëtare, Helenizmi
etj.), të krijuara në mesin e viteve 90, vijuan
veprimtarinë e tyre për të përgatitur
pushtimin e territoreve shqiptare e maqedone.
Rivaliteti ndërmjet Bullgarisë, Greqisë e Serbisë
u shfaq në fillim me grindjen kishtare, që shpërtheu
me forcë gjatë viteve 1894-1896, midis Patrikanës
greke të Stambollit, e cila përpiqej të ruante
të drejtën tradicionale për të pasur në
varësi ortodoksët e Perandorisë Osmane, Ekzarkatit
bullgar, që ishte shkëputur prej saj qysh më
1870, dhe kishës serbe. Në vitin 1895 qeveria e
Sofjes kërkoi nga Stambolli emërimin e pesë
peshkopëve bullgarë në viset shqiptare e maqedone.
Kjo kërkesë u hodh poshtë atëherë
nga kryeministri turk Said Pasha.
Në vitin 1896 Serbia shkëputi nga Porta e Lartë
urdhëresën për emërimin e një mitropoliti
serb në Prizren, për të cilin po punonte prej
kohësh, ndërsa në janar të vitit 1897
Stambolli caktoi një administrator serb në dioqezën
e Shkupit, që Beogradi synonte ta vinte nën kontrollin
e kishës së vet.
Rritja e ndikimit të kishave bullgare e serbe në
viset shqiptare, çelja më 1890 e një shkolle
bullgare në Korçë, si edhe orvatjet e reja
për ti futur dioqezat e krahinave lindore shqiptare
nën varësinë e Ekzarkatit dhe ato të Kosovës
nën varësinë e kishës serbe dhe për
ti paraqitur ato si sllave, i shtyu atdhetarët
shqiptarë që, krahas qëndresës kundër
Patrikanës greke të Stambollit, që punonte
prej kohësh për të asimiluar të krishterët
shqiptarë, të luftonin edhe kundër ekspansionit
bullgar e serb e të kishave të tyre.
Në këto rrethana, në Lëvizjen Kombëtare
Shqiptare u hodh përsëri ideja e shfaqur prej kohësh
për të krijuar një kishë shqiptare të
pavarur nga Patrikana e Stambollit si një nga mjetet
që do ti jepte fund ndikimit që qarqet shoviniste
fqinje ushtronin mbi popullsinë ortodokse shqiptare me
anë të kishës së tyre dhe do tu
hiqte mundësinë për ta përdorur atë
dhe klerin e lartë ortodoks si një mjet politik
për të përmbushur lakmitë e tyre pushtuese
ndaj territoreve shqiptare.
Atdhetarët shqiptarë të Rumanisë protestuan
disa herë me anë të peticioneve që i dërguan
Patrikanës kundër politikës asimiluese të
kishës së huaj e të asaj greke patriarkiste
në veçanti. Po kështu, më 1894 iu dërgua
sulltanit një memorandum nga Shqipëria në emër
të treqind fshatrave shqiptare të disa krahinave
të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit,
ku parashtrohej ankesa ndaj Portës së Lartë,
që u jepte mundësi bullgarëve, serbëve
dhe grekëve të ngrinin në viset shqiptare,
si në Dibër, në Prizren, në Prishtinë
e gjetkë, shkolla, peshkopata e seminare në gjuhët
e tyre. Në këtë memorandum kërkohej gjithashtu
leje për hapjen e shkollave shqipe në këto
vise. Autoritetet turke jo vetëm që nuk i morën
parasysh këto kërkesa, por përkundrazi i internuan
nismëtarët e memorandumit.
Qarqet drejtuese të shteteve fqinje ngritën gjithashtu
komitetet e tyre, që merreshin me organizimin dhe dërgimin
e bandave të armatosura në viset maqedone e shqiptare.
Në pranverën e vitit 1895 komitetet bullgare hodhën
bandat e armatosura, të komanduara nga oficerë bullgarë,
në vilajetet e Selanikut, të Manastirit dhe të
Kosovës. Nga mesi i viteve 90 edhe Serbia, duke ndjekur
shembullin e Bullgarisë, filloi të hedhë bandat
e saj në territoret periferike të vilajeteve të
Kosovës e të Manastirit, ndërsa bandat greke,
të përbëra nga ushtarë e oficerë
grekë, në verën e vitit 1896, vepronin në
viset e Maqedonisë e të Shqipërisë, deri
në rrethet e Prespës, të Peristerit etj.
Organizatat nacionaliste bullgaro-maqedone dhe ato greke me
bandat e tyre sulmonin popullsinë e fshatrave krishtere
shqiptare e maqedone për ta detyruar atë të
braktiste kombësinë e vet dhe, sipas përkatësisë
fetare, të shpallej bullgare ose greke. Përveç
kësaj, gjatë viteve 1896-1897 bandat e armatosura
bullgare, serbe e greke zhvilluan në qendra të ndryshme
të vilajeteve të Selanikut, të Manastirit e
të Kosovës përleshje të armatosura jo
vetëm kundër forcave ushtarake osmane, por edhe
kundër njëra-tjetrës, duke tërhequr në
këtë luftë edhe kombësitë e ndryshme
të këtyre vilajeteve.
Edhe qëndrimi që Fuqitë e Mëdha mbanin
ndaj çështjes shqiptare, nuk ndihmonte në
zgjidhjen e saj. Politika e tyre ndaj Shqipërisë
përcaktohej nga interesat e tyre ekonomike e politike
në këtë zonë dhe nga pozita gjeostrategjike
e territoreve shqiptare, përmes të cilave kalonin
rrugët tregtare, si edhe ato të një ekspansioni
të mundshëm të këtyre fuqive drejt lindjes,
në thellësi të Ballkanit e drejt jugut për
në Selanik, në detin Egje, në Mesdhe e në
Afrikë.
Ndërkaq, Shtetet e Mëdha evropiane, sidomos Rusia,
Austro-Hungaria e Italia, sado që aspironin të vendosnin
kontrollin mbi zotërimet ballkanike të Perandorisë
Osmane e në mënyrë të veçantë
mbi Shqipërinë, për një kohë të
gjatë u detyruan të ndiqnin politikën e ruajtjes
së status quo-së së Perandorisë Osmane.
Kjo politikë shihej si një mjet që do të
ruante, qoftë edhe përkohësisht ekuilibrin
ndërmjet tyre në luftën për ndikimin në
Lindjen e Afërme dhe në veçanti në zotërimet
evropiane të Turqisë.
Megjithatë, Anglia, duke dashur ta largonte Rusinë
nga çështjet e Lindjes së Largme dhe të
fuste shtetet evropiane në luftë me njëri-tjetrin
për trashëgimin osman, që nga viti
1895 disa herë i propozoi Gjermanisë e më vonë
Rusisë, që ta ndanin Perandorinë Osmane, e
cila, sipas shprehjes së kryeministrit të atëhershëm
anglez Salsbori, ishte e pafuqishme për të
jetuar. Anglia propozonte me këtë rast që
Italinë ta kënaqte në Tripoli dhe në
Shqipëri. Gjermania kundërshtoi atëherë
çdo projekt për copëtimin e Perandorisë
Osmane dhe këmbënguli të ruhej status quo-ja.
Me këtë qëndrim Berlini kërkonte të
shmangte një përleshje të Gjermanisë ose
edhe të aleatit të saj Austro-Hungarisë me
Rusinë dhe ta hidhte këtë të fundit në
luftë me Anglinë në Lindjen e Largme.
Rusia, e angazhuar në Lindjen e Largme, ndonëse
nuk kishte hequr dorë nga pretendimet e saj të vjetra
mbi Stambollin e Ngushticat, nuk pranoi të kthehej në
këtë kohë në çështjet e Lindjes
së Afërme, prandaj, preferoi që përkohësisht
të ruhej status quo-ja në Perandorinë Osmane.
Rusia u gjend atëherë në një pozitë
kontradiktore: nga njëra anë kundërshtonte
të gjitha propozimet e Anglisë për ndarjen
e trashëgimit osman, ndërsa nga ana
tjetër, ashtu si më parë, Rusia përkrahte
synimet e shteteve sllave të Ballkanit për tu
zgjeruar në Turqinë Evropiane dhe për të
pushtuar territoret shqiptare.
Austro-Hungaria, nga ana e saj, kërkonte të shtinte
në dorë një pjesë të mirë të
territoreve ballkanike të Perandorisë Osmane, duke
përfshirë edhe vilajetet shqiptare të Shkodrës,
të Kosovës e të Manastirit dhe të dilte
në Selanik. Por kjo nuk mund të arrihej pa përleshje
me Rusinë, me të cilën do të bashkoheshin
edhe shtetet sllave të Ballkanit dhe do të përfundonte
me forcimin e pozitave të Rusisë në Turqinë
Evropiane. Në këto rrethana Austro-Hungaria, duke
qenë edhe nën trysninë e Gjermanisë, që
nuk donte konflikte në Lindjen e Afërme, ndoqi politikën
e ruajtjes së status quo-së në Perandorinë
Osmane. Ndërkaq, Vjena përpiqej që të
siguronte epërsinë ekonomike e politike në
Shqipëri e në Maqedoni dhe, kur të vdiste
i sëmuri i Bosforit, që ndodhej në shtratin
e vdekjes, të vendoste kontrollin mbi to. Austro-Hungaria
shfrytëzonte për të forcuar pozitat e saj në
Shqipëri edhe të drejtën e protektoratit fetar
mbi klerin katolik e katolikët e Perandorisë Osmane,
të siguruar prej kohësh. Nga 240 institucione kishtare
katolike, që Vjena mbante nën drejtimin e saj në
Perandorinë Osmane, 220 ishin ngritur në Shqipëri.
Italia, e cila, njëlloj si Austro-Hungaria, punonte për
tu zgjeruar drejt bregdetit shqiptar të Adriatikut
e të Jonit, që zinin një pozitë kyçe
në kanalin e Otrantos dhe për depërtimin në
brendi të Ballkanit, preferoi të respektonte në
atë kohë status quo-në në Perandorinë
Osmane e në Shqipëri.
Politika e ruajtjes së status quo-së në Perandorinë
Osmane, ashtu si Fuqitë e tjera të Mëdha, edhe
Austro-Hungarinë e detyronte të kundërshtonte
çdo lëvizje politike autonomiste dhe të armatosur
të popullit shqiptar, e cila, bashkë me çlirimin
e tij, do të sillte fundin e sundimit osman në Ballkan.
Megjithatë, Vjena nxiste dhe përkrahte zhvillimin
arsimor e kulturor të shqiptarëve dhe përpjekjet
që bëheshin për zgjimin e tyre kombëtar.
Në të njëjtën kohë ajo shfrytëzonte
politikën pushtuese të shteteve sllave të Ballkanit
ndaj Shqipërisë dhe rrezikun që përfaqësonte
ajo për të ardhmen e saj, për të krijuar
te shqiptarët bindjen se e vetmja rrugë shpëtimi
ishte protektorati austro-hungarez mbi territoret shqiptare.
Shtetet evropiane, sidomos Austro-Hungaria, Italia e Franca,
kishin ngritur në qytetet e vilajeteve shqiptare konsullatat
dhe agjencitë tregtare, që u shërbenin jo vetëm
marrëdhënieve me këto treva, por edhe synimeve
politike të qeverive të tyre në Shqipëri.
Lakmitë pushtuese të qeverive ballkanike, të
nxitura edhe nga qëndrimi i Fuqive të Mëdha
ndaj çështjes shqiptare, si edhe rreziku i ri
i copëtimit të trojeve shqiptare i dhanë një
shtytje luftës së popullit shqiptar për autonominë
e Shqipërisë dhe për ruajtjen e tërësisë
tokësore të vendit.
Kërkesat për autonominë e Shqipërisë
(1896)
Qeveria turke nuk ishte në gjendje as të zgjidhte
çështjen maqedone, as të ndalonte ndërhyrjet
e shteteve fqinje e të Fuqive të Mëdha në
Turqinë Evropiane. Nën presionin e tyre dhe me shpresën
që të dilte nga gjendja e vështirë, sulltan
Abdyl Hamiti shpalli, më 22 prill 1896, dekretin Mbi
reformat në vilajetet e Rumelisë, që
përfshinte masa të tilla, me të cilat Porta
e Lartë mendonte të siguronte barazinë
e të krishterëve me myslimanët, si emërimi
në vilajetet e Edrenesë, të Selanikut, të
Manastirit e të Kosovës i ndihmësvalinjve të
krishterë (maqedonë, serbë ose grekë)
dhe futja e përfaqësuesve të tyre në këshillat
administrativë (mexhliset) e këtyre vilajeteve,
plotësimi i policisë dhe i xhandarmërisë
me të krishterë të po këtyre kombësive,
që do të përbënin 10 për qind të
efektivit të tyre etj.
Për zbatimin e këtyre masave sulltani dërgoi
në vilajetet e Selanikut e të Manastirit një
komision të veçantë, të kryesuar nga
Haki Beu. Në vilajetin e Kosovës u ngarkua me këtë
detyrë vetë valiu, Hafiz Mehmet pasha. Megjithatë,
ato nuk bënë efektin që priste Porta e Lartë
as mbi bullgarët, serbët e grekët, as edhe
mbi Fuqitë e Mëdha, që vijuan veprimtarinë
e tyre politike në Turqinë Evropiane. Meqë
nuk zgjidhën asnjë nga problemet politike, ekonomike
e shoqërore të popujve të shtypur të Turqisë
Evropiane, reformat nuk arritën të parandalonin
lëvizjen e tyre çlirimtare.
Shpallja nga sulltani e reformave të prillit vuri në
lëvizje tërë klasat dhe forcat politike të
shoqërisë shqiptare. Pavarësisht nga dallimet
që kishin në pikëpamjet dhe në qëndrimet
e tyre ndaj sunduesve osmanë, përfaqësuesit
e shtresave të ndryshme të popullsisë shqiptare
e pritën me shqetësim e me pakënaqësi
dekretin e reformave. Shqiptarët e dinin se përfshirja
e vilajeteve të Manastirit e të Kosovës në
zonën e reformave do të çonte në shkëputjen
e tyre nga dy vilajetet e tjera shqiptare (i Shkodrës
dhe i Janinës) dhe në pranimin e tyre zyrtar si
toka sllavo-maqedone. Ky rrezik ishte real në kushtet
kur qarqet shoviniste bullgare kërkonin të futnin
në kufijtë e Bullgarisë ose të Maqedonisë
autonome, të projektuar prej tyre, në
perëndim të vilajetit të Manastirit viset shqiptare
deri në Boboshticë e në Drenovë (afër
Korçës) dhe në veriperëndim Dibrën
së bashku me një pjesë të Kosovës
deri në Kumanovë.
Shqiptarët kundërshtuan përfshirjen e viseve
të tyre në zonën e reformave maqedone dhe njëherazi
kërkuan nga qeveria e sulltanit reforma të veçanta
për tërë vilajetet shqiptare. Për shkak
të qëndresës së popullsisë shqiptare
të vilajeteve të Manastirit, Komisioni i reformave,
i kryesuar nga Haki Beu, që mbërriti këtu në
maj të vitit 1896, qëndroi vetëm tri javë,
u detyrua të largohej menjëherë nga kazaja
e Kërçovës dhe nuk guxoi të shkojë
në sanxhakët e Elbasanit e të Dibrës,
që u kthyen në vatra të qëndresës
kundër reformave. Propagandë të dendur për
përhapjen e ideve kombëtare dhe për qëndresën
ndaj reformave osmane zhvillonin atëherë në
vilajetin e Manastirit dhe sidomos në Shqipërinë
e Mesme, në Dibër, në Ohër, në Strugë,
në Elbasan, në Tiranë, në Krujë dhe
në qendra të tjera, atdhetarët Hamdi Ohri e
Dervish Hima (Ibrahim Naxhi).
Në vilajetin e Kosovës urdhri për zbatimin
e reformave u dha me vonesë, në nëntor të
vitit 1896, por ndeshi kudo (në Prizren, në Pejë,
në Gjakovë, në Gjilan, në Shkup etj.)
në kundërshtimin e popullsisë shqiptare, e
cila kërkoi gjithashtu reforma të veçanta
për Shqipërinë, që do ti siguronin
asaj autonominë. Në organizimin e kësaj qëndrese,
që në shumë qendra mori formën e luftës
së armatosur, u shqua atdhetari kosovar Haxhi Zeka. Qëndresa
ndaj reformave u shtri në verën e vitit 1896 edhe
në vilajetin e Shkodrës dhe në atë të
Janinës, në Shqipërinë e Jugut.
Përgjithësisht, përpjekjet e Portës së
Lartë për zbatimin e reformave në vilajetet
e Rumelisë dhe sidomos në ato shqiptare dështuan
plotësisht. Në këto rrethana, kur lindi përsëri
rreziku i copëtimit dhe i aneksimit të tokave shqiptare,
atdhetarët rilindës nëpërmjet peticioneve,
protestave e memorandumeve, që iu paraqitën në
vitin 1896 Portës së Lartë e Fuqive të
Mëdha, shtruan një varg kërkesash, që
do të çonin në njohjen zyrtare të kombit
shqiptar dhe të së drejtës së tij për
mësimin e përdorimin e lirë të gjuhës
amtare. Përfaqësuesit më të ngritur të
lëvizjes parashtruan kërkesa më të përparuara,
siç ishte ajo e autonomisë territoriale-administrative
të Shqipërisë, të cilën e quanin
si zgjidhjen më të drejtë të çështjes
shqiptare në ato kushte.
Në maj të vitit 1896, kur Komisioni i Inspektimit
(i Reformave) të Rumelisë ndodhej në vilajetin
e Manastirit, një grup atdhetarësh i dorëzoi
kryetarit të tij, Haki Beut, një promemorje, e cila
ishte hartuar nga Dervish Hima dhe mbante nënshkrimin
Një dashamirës i atdheut.
Në hyrje të saj përshkruhej me shprehje shumë
të rrepta dhe me një qartësi të veçantë
gjendja e rëndë e Shqipërisë dhe e popullit
shqiptar nën Perandorinë Osmane, dhunimet që
ushtronin nëpunësit e pandershëm që
merrnin ryshfete, taksa të jashtëligjshme dhe bënin
lloj-lloj veprimesh arbitrare mbi popullin
. Të
flasim shkurt, - thuhej në këtë dokument, -
qeveria e jonë na shtyp, na pi gjakun dhe pak
nga pak po na shkatërron. Atdhetarët shqiptarë
e vinin theksin gjithashtu te rreziku i jashtëm që
kërcënonte Shqipërinë, për shkak
të lakmive pushtuese të Bullgarisë, të
Serbisë e të Greqisë dhe të ndërhyrjeve
të Fuqive të Mëdha.
Në këtë dokument, atdhetarët shqiptarë
i parashtronin Portës së Lartë e sulltanit,
të cilët i quanin përgjegjës për
këtë gjendje të vendit, një varg kërkesash
politike-kulturore, që i vlerësonin si tepër
të ngutshme e të domosdoshme për parandalimin
e rrezikut të jashtëm dhe për afirmimin kombëtar
të shqiptarëve, siç ishin: ndalimi i propagandave
dhe i shkollave të huaja në Shqipëri; dëbimi
i mësuesve të huaj dhe zëvendësimi i tyre
me mësues shqiptarë, myslimanë e të krishterë;
zhvillimi i arsimit në gjuhën amtare, duke çelur
shkolla shqipe, që do të ndihmonin në konsolidimin
e kombit shqiptar, do të mbronin vetëqenien e tij,
do të çrrënjosnin ndikimet e huaja dhe do
të çonin në njohjen e kombësisë
shqiptare nga Porta e Lartë e nga shtetet e huaja.
Promemorja e majit të vitit 1896 zë vend të
rëndësishëm në mendimin politik të
Rilindjes, si për kërkesat kombëtare që
përmbante, ashtu edhe për faktin se ajo kishte dalë
nga pena e atdhetarëve shqiptarë, që vepronin
e jetonin brenda vendit dhe shprehte pikëpamjet e tyre.
Në korrik të vitit 1896 iu dërgua kryeministrit
turk dhe nëpërmjet tij sulltanit një memorandum
nga një komitet i reformës shqiptare jashtë
atdheut (në Bukuresht), në emër të banorëve
të krishterë e myslimanë të Ballkanit
e të Shqipërisë dhe në mënyrë
të veçantë me porosi të delegatëve
e të krerëve të vilajeteve të Shkodrës,
të Kosovës, të Manastirit e të Janinës.
Memorandumi, që mbante nënshkrimin Në
emër të popullit shqiptar dhe që ishte
shkruar në gjuhën turke nga doktor Ibrahim Temoja,
atdhetar nga Struga (në atë kohë i arratisur
nga Stambolli dhe i vendosur në koloninë shqiptare
të Rumanisë), iu dërgua Portës së
Lartë me nismën e tij, të Nikolla Naços
e të Faik Konicës.
Pasi shprehej në këtë memorandum protesta kundër
propagandave të huaja, të Bullgarisë, të
Serbisë, të Greqisë e të Malit të
Zi, që synonin të asimilonin dhe të shkombëtarizonin
popullsinë shqiptare, kërkohej që qeveria osmane
ti njihte shqiptarët, myslimanë e të
krishterë, si një komb më vete dhe që
përkatësia fetare të mos përzihej me atë
kombëtare.
Memorandumi i korrikut të vitit 1896 nuk shtroi drejtpërsëdrejti
çështjen e autonomisë së Shqipërisë,
por duke u kufizuar me nevojën e zbatimit në vilajetet
e Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit
e të Janinës të Ligjit organik, të parashikuar
në nenin 23 të vendimeve të Kongresit të
Berlinit, kërkoi këto reforma: lirimin e gjithë
shqiptarëve të burgosur e të internuar për
arësye politike; ndalimin e propagandës shkollore-kishtare
greke e sllave në Shqipëri; çeljen e shkollave
kombëtare shqipe; themelimin e kishës shqiptare
dhe përdorimin e gjuhës shqipe në kishat greke
e sllave.
Zbatimi i këtyre masave, që diktoheshin më
shumë nga rreziku i jashtëm, do të çonte
në njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare,
të përkatësisë etnike shqiptare të
vilajeteve të banuara nga shqiptarët, në vendosjen
e një administrate vendase dhe do të shënonte
kështu një hap të rëndësishëm
drejt sendërtimit të programit të autonomisë
dhe të sigurimit të tërësinë së
trojeve shqiptare.
Po në vitin 1896 iu dërgua Fuqive të Mëdha
një memorandum tjetër, me titull Peticion
për të kërkuar mbështetjen dhe mbrojtjen
e qeverive të Fuqive të Mëdha, i hartuar
në frëngjisht, me nënshkrimin Në
emër të popullit shqiptar. Një kopje
e tij i është dërguar qeverisë angleze
më 18 shtator 1896 nga Shoqëria Dëshirë
e Sofjes. Megjithatë, variant i parë i tij ka dalë
nga kolonia shqiptare e Rumanisë dhe është
hartuar në gjuhën turke nga doktor Ibrahim Temoja.
Meqë ky peticion nuk i është dërguar vetëm
Anglisë, por edhe qeverive të Fuqive të tjera
të Mëdha, ka shumë mundësi që këtyre
tu jetë çuar nga Bukureshti, ku kishte edhe
prejardhjen e tij.
Në peticion kërkohej mbështetja e Fuqive të
Mëdha për zgjidhjen e çështjes shqiptare
duke zbatuar një varg reformash radikale, të cilat
do të çonin në formimin e një njësie
shtetërore autonome shqiptare. Përmbajtjen themelore
të këtij dokumenti e përbënte kërkesa
e bashkimit të vilajeteve (të Shkodrës, të
Kosovës, të Manastirit e të Janinës) në
një vilajet të vetëm, me kryeqendër Manastirin,
me një guvernator (vali) shqiptar në krye, me një
administratë të veçantë të përbërë
nga funksionarë shqiptarë, myslimanë e të
krishterë. Aty përcaktohej gjithashtu struktura
organizative e vilajetit të bashkuar shqiptar: në
kryeqendrën e tij, pranë guvernatorit të përgjithshëm,
do të funksiononte një Këshill i Pleqve, i
përbërë prej 24 anëtarësh (nga 6
për çdo vilajet), që do të ishin nga
njerëzit më të aftë, myslimanë e
të krishterë, sipas përbërjes së
popullsisë së sanxhakëve dhe të kazave.
Në memorandum kërkohej gjithashtu hapja e shkollave
në qytetet dhe në fshatrat e Shqipërisë,
ku krahas me shqipen do të mësohej edhe turqishtja,
e cila njihej si gjuhë zyrtare. Kombësive të
tjera, që banonin në vilajetet shqiptare, u njihej
e drejta e shkollimit në gjuhën e tyre amtare. Shërbimi
ushtarak do të ishte i përgjithshëm për
myslimanët e të krishterët dhe do të kryej
në Evropë, për mbrojtjen e kufijve të
Shqipërisë.
Në peticion kërkohej gjithashtu që konsujt
e Fuqive të Mëdha, të cilët ndodheshin
në Manastir, të ngarkoheshin për të kontrolluar
vendimet e Këshillit të Pleqve, derisa të përmbusheshin
reformat e parashikuara.
Në vjeshtën e vitit 1896, në Shqipëri
e sidomos në qendrat e vilajeteve të Kosovës
e të Manastirit, që kërcënoheshin më
shumë nga rreziku i copëtimit për shkak të
reformave osmane, u bënë përpjekje për
një qëndresë të organizuar e të përbashkët
kundër ndërhyrjeve të shteteve fqinje dhe Portës
së Lartë. Kjo do të arrihej duke themeluar
një lidhje të re shqiptare, e cila, sipas shembullit
të Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) do të merrte
përsipër këtë detyrë. Nën drejtimin
e udhëheqësit të lëvizjes kombëtare
në Kosovë, Haxhi Zekës, që u vu në
krye të këtyre përpjekjeve, në fundin
e tetorit të vitit 1896 u mbajtën në Prishtinë
njëra pas tjetrës dy mbledhje të përfaqësuesve
të popullsisë shqiptare, ku u diskutuan kërkesa
e autonomisë, e vetëqeverisjes së vendit dhe
nevoja e organizimit dhe e armatosjes së popullit për
mbrojtjen e atdheut nga rreziku i jashtëm. Për blerjen
e armëve u vendos një kontribut në masën
10% të të ardhurave të çdo shqiptari,
që filloi të vilej menjëherë. Në
fundin e tetorit e në fillim të nëntorit u
zhvilluan bisedime për bashkimin e shqiptarëve në
një lidhje të re në Prishtinë, në
Pejë, në Dibër, në Elbasan dhe në
qendra të tjera.
Gjatë këtyre takimeve shqiptarët e Shkupit,
të Prizrenit, të Pejës, të Dibrës
e të të gjitha viseve të Veriut shtruan edhe
kërkesën e autonomisë, duke shpresuar se edhe
sulltani nuk do ta kundërshtonte atë, se ai do të
pranonte ta bënte Shqipërinë një principatë
autonome. Në fundin e tetorit përfaqësuesit
e popullsisë së Kosovës, të mbledhur në
Prishtinë, kërkuan haptazi nga sulltani që
ti jepte Shqipërisë vetëqeverisjen, të
vinte në krye të saj një princ të pavarur
dhe ajo të kishte të drejtë ti mbante
vetë të ardhurat nga viset shqiptare, duke i dhënë
një pjesë Stambollit. Edhe atdhetarët dibranë
kërkuan, në nëntor të vitit 1896, që
të formohej një vilajet i bashkuar shqiptar, i cili
do të përbënte bërthamën e shtetit
autonom kombëtar.
Në kushtet kur Porta e Lartë kundërshtonte
çdo reformë, që mund të cenonte sundimin
e saj në Shqipëri e në Ballkan, ndërsa
Fuqitë e Mëdha këmbëngulnin për ruajtjen
e status quo-së së Perandorisë Osmane, kërkesa
e autonomisë së Shqipërisë, që u
parashtrua nga përfaqësuesit e popullsisë shqiptare
brenda vendit dhe nga kolonitë shqiptare të mërgimit,
si edhe përpjekjet për të formuar një
lidhje të re nuk dhanë rezultat.
Çështja shqiptare gjatë Krizës Lindore
të vitit 1897
Në pranverën e vitit 1897, si pasojë e shpërthimit
të luftës greko-turke për çështjen
e Kretës, gjendja politike në Shqipëri u acarua
edhe më shumë. Krahas rrezikut që i kërcënohej
pjesës jugore të Shqipërisë nga forcat
greke, lindi edhe ai i ndërhyrjes së shteteve të
tjera të Ballkanit (të Serbisë e të Bullgarisë)
që cenonte tërësinë territoriale të
trevave veriore e verilindore të Shqipërisë.
Përqendrimi i trupave greke në kufijtë e Thesalisë
e të vilajetit të Janinës dhe rreziku i copëtimit
të tokave shqiptare në rast se fitonte Greqia, e
largoi për një kohë vëmendjen e atdhetarëve
shqiptarë nga lufta kundër sunduesve osmanë
dhe e drejtoi atë nga Athina. Megjithatë, derisa
trupat greke luftonin për Kretën dhe nuk kishin
filluar ende veprimet ushtarake në Shqipërinë
e Jugut, në vilajetin e Janinës, udhëheqësit
e lëvizjes kombëtare dhe shumica e parisë shqiptare
nuk pranuan ti jepnin Turqisë ushtarë dhe
i kumtuan Portës së Lartë se do t'i ruanin
forcat e tyre për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë.
Pas ndërmarrjes pa sukses për të pushtuar Kretën
në mesin e shkurtit të vitit 1897, Greqia e shtriu
luftën në Thesali dhe në vilajetin e Janinës,
ku sulmoi forcat turke më 12 prill të vitit 1897.
Kjo rrethanë i dha mundësi sulltanit që luftën
kundër Greqisë ta paraqiste si luftë për
mbrojtjen e territoreve shqiptare. Ndërkaq, edhe atdhetarët
shqiptarë, udhëheqës të lëvizjes
kombëtare, përballë rrezikut të pushtimit
të Shqipërisë së Jugut nga Greqia, u detyruan
të ndryshonin qëndrimin dhe ta përballonin
me forcat e tyre agresionin grek. Gazeta Shqipëria
e Bukureshtit e përcaktoi këtë qëndrim
të atdhetarëve shqiptarë me këto fjalë:
Në fillim të luftës greko-turke, kur
grekët luftonin për Kretën, për ta bashkuar
ose për autonominë e saj, shqiptarët, të
krishterë e myslimanë, simpatizuan luftën e
grekëve dhe deklaruan se nuk i japin (Turqisë -
shën. i aut.) ushtarë për luftën. Por,
kur panë se Greqia donte të rrëmbente Maqedoninë
dhe Epirin, domethënë Shqipërinë, simpatitë
e botës u kthyen në zemërim, ashtu edhe ca
më shumë ajo e shqiptarëve
, që u
lëshuan të mbrojnë mëmëdheun e tyre.
Në të njëjtën kohë Porta e Lartë,
me anë të premtimeve për tu dhënë
tituj, shpërblime e privilegje në administrimin
e vendit, bëri për vete parinë shqiptare. Në
këtë mënyrë ajo siguroi mobilizimin e
forcave vullnetare shqiptare, që u hodhën
në luftë kundër ushtrisë greke në
kufirin jugor të Shqipërisë, në vilajetin
e Janinës.
Në këto rrethana ushtria greke pësoi disfatë
të rëndë në frontin e Janinës dhe
u shpartallua plotësisht brenda tri javësh. Por,
me ndërhyrjen e Rusisë dhe të Fuqive të
tjera të Mëdha, trupat osmane, ku bënin pjesë
edhe repartet vullnetare shqiptare, e ndalën përparimin
e tyre të mëtejshëm. Më 19 maj u nënshkrua
armëpushimi ndërmjet Turqisë e Greqisë
dhe më 4 dhjetor 1897 Traktati përfundimtar i Paqes.
Megjithëse doli fitimtare, Perandoria Osmane, sipas marrëveshjes
me Shtetet e Mëdha evropiane, e humbi Kretën, e
cila u shpall autonome dhe asnjanëse, nën
administrimin e një guvernatori të krishterë,
që në të vërtetë do të ishte
grek dhe nën kontrollin e Fuqive të Mëdha.
Meqenëse lufta greko-turke shkaktoi acarimin e gjendjes
politike në Ballkan dhe mund të prishte status quo-në
e Perandorisë Osmane, Austro-Hungaria e Rusia shpejtuan
të merreshin vesh ndërmjet tyre për çështjet
e Ballkanit e të Lindjes së Afërme. Si rrjedhojë
e bisedimeve që u zhvilluan në Peterburg në
muajin prill ndërmjet perandorit të Austro-Hungarisë,
Franc Jozef, dhe carit të Rusisë, Nikolla II, si
edhe pas notave që u shkëmbyen ndërmjet ministrave
të Jashtëm të të dy shteteve, në
maj të vitit 1897, u arrit, në parim, një marrëveshje
që theksonte edhe njëherë interesimin e vendosmërinë
e të dyja fuqive për të ruajtur status quo-në
në Ballkan. Me këtë rast Ballkani u nda në
dy zona ndikimi: në atë austriake të perëndimit
dhe në atë ruse të lindjes.
Në këto nota bëhej fjalë gjithashtu për
qëndrimin që do të mbahej, në qoftë
se më në fund do të ishte e pamundur të
ruhej status quo-ja në Ballkan. Në këtë
rast Austro-Hungaria kërkoi të aneksonte Bosnjën
dhe Hercegovinën që i kishte pushtuar nga koha e
Traktatit të Berlinit, si edhe sanxhakun e Jenipazarit.
Lidhur me çështjen shqiptare, që zuri një
vend të rëndësishëm në bisedimet
austro-ruse, Vjena propozoi që të krijohej një
shtet i pavarur shqiptar me emrin Principata e Shqipërisë,
që do të përfshinte në kufijtë e
vet tokat midis Janinës në jug dhe liqenit të
Shkodrës në veri dhe do të kishte një
shtrirje të arsyeshme në lindje. Tokat
që do të mbeteshin pas kësaj do tu ndaheshin
shteteve të vogla të Ballkanit në mënyrë
që të ruhej ekuilibri i deriatëhershëm.
Ky shtet, sipas projekteve të fshehta të Vjenës,
do të vihej nën protektoratin austro-hungarez, i
cili, në rast se do ta lejonin rrethanat, do të
shoqërohej edhe me një pushtim të pjesshëm
të tokave të Shqipërisë e në radhë
të parë të Durrësit e të Vlorës.
Kjo do ti siguronte Austro-Hungarisë kontrollin
mbi Otranton dhe mbi detin Adriatik.
Propozimet e Austro-Hungarisë për sistemin e ri
në Ballkan dhe për ndarjen e territoreve të
Turqisë Evropiane, u kundërshtuan nga ministri i
Jashtëm i Peterburgut si të papajtueshme me interesat
dhe politikën e Rusisë në Ballkan, që
synonte të zgjeronte shtetet sllave deri në brigjet
shqiptare të Adriatikut.
Ripohimi nga ana e Fuqive të Mëdha i politikës
së ruajtjes së status quo-së në Perandorinë
Osmane bëri që sulltani ta ndiente veten më
të sigurt dhe të hiqte dorë nga premtimet që
u kishte dhënë shqiptarëve gjatë luftës
greko-turke për tu bërë lëshime
në administrimin e vendit. Sulltani kënaqi vetëm
krerët gjysmëfeudalë, të cilëve u
dha zotërime të reja tokësore dhe shpërblime
të tjera që ti lidhte më shumë pas
Stambollit.
Kriza Lindore nxiti më tej lakmitë e Beogradit,
të Sofjes e të Cetinës, që e shihnin luftën
greko-turke si një moment të përshtatshëm
për të zgjidhur çështjen
maqedone, për të pushtuar territoret shqiptare dhe
ato sllave-maqedone. Gjatë bisedimeve serbo-bullgare,
që u zhvilluan në Sofje në shkurt të vitit
1897, kryeministri serb propozoi që të ndaheshin
zonat e ndikimit e të veprimit të dy shteteve dhe,
duke përfituar nga kjo luftë, të fillonin veprimet
ushtarake në tokat shqiptare e maqedone. Por bisedimet
e Sofjes nuk dhanë rezultat, për shkak të mosmarrëveshjeve
ndërmjet Bullgarisë e Serbisë për ndarjen
e të ashtuquajturave vilajete maqedone.
Ndërkaq, gjatë dhe pas luftës greko-turke (1897)
shpërtheu me një forcë më të madhe
konflikti kishtar serbo-greko-bullgar. Serbia kërkoi
nga Stambolli që të rivendoste Patrikanën e
Pejës (të hequr më 1767), nga e cila të
vareshin dioqezat e Shkupit, të Prizrenit, të Dibrës
e të Manastirit, duke synuar të themelonte kështu
kishën e pavarur serbe në Turqinë Evropiane.
Nga ana tjetër, Bullgaria kërkoi të shtinte
në dorë selitë peshkopale të Dibrës
e të Manastirit dhe të zbonte prej andej Patrikanën
greke. Si Serbia, ashtu edhe Bullgaria synonin me këto
masa të forconin pozitat e tyre politike dhe të
krijonin një mbështetje për pretendimet territoriale
mbi viset shqiptare të vilajeteve të Manastirit
e të Kosovës.
Pas luftës greko-turke Porta e Lartë, duke u bërë
lëshime të reja shteteve ballkanike, emëroi
një mitropolit serb në Shkup në vitin 1897,
nxori në pranverën e atij viti urdhrin për
hapjen e shkollave serbe në vilajetet e Kosovës,
të Manastirit e të Selanikut dhe në fillim
të vitit 1898 emëroi dy dhespotë bullgarë
(ekzarkistë) në Dibër e në Manastir.
Këto lëshime sollën dy pasoja: acaruan edhe
më shumë kontradiktat ndërmjet Bullgarisë,
Serbisë e Greqisë, që çuan në përleshje
të reja të përgjakshme midis bandave të
këtyre shteteve në viset shqiptare e maqedone dhe
ashpërsuan gjendjen politike në Shqipëri, shtuan
pakënaqësinë e shqiptarëve, territoret
e të cilëve rrezikoheshin të aneksoheshin nga
shtetet fqinje.
Besëlidhja Shqiptare e vitit 1897 dhe qëndresa
e armatosur kundërosmane
Të bindur se e vetmja rrugë për tu bërë
ballë ndërhyrjeve të shteteve fqinje në
Shqipëri dhe për të siguruar autonominë
e saj, ishte organizimi i një lëvizjeje të
përgjithshme kombëtare, atdhetarët rilindës
dendësuan përpjekjet për ngritjen e ndërgjegjes
politike të popullit shqiptar, për të ngulitur
tek ai idenë e bashkimit e të organizimit. Krahas
kësaj, rrethet atdhetare shqiptare zhvilluan një
veprimtari të gjithanshme politike e organizative për
të kapërcyer karakterin lokal e të kufizuar
të lëvizjeve të veçanta kundërosmane
dhe për ti shkrirë ato në një lëvizje
të vetme mbarëshqiptare. Edhe shoqëritë
atdhetare të mërgimit, me gjithë punën
e madhe që kishin bërë, vijonin të ishin
të veçuara njëra nga tjetra dhe të palidhura
sa duhej me qendrat kryesore të lëvizjes në
Shqipëri.
Në kushte të tilla, atdhetarët rilindës
arritën në përfundimin se para lëvizjes
kombëtare ngrihej si detyrë e dorës së
parë krijimi i një organizate të re, si ajo
e Lidhjes së Prizrenit, që të përfshinte
të gjithë vendin dhe të siguronte udhëheqjen
e vetme të luftës për çlirimin kombëtar.
Kjo bëhej edhe më e ngutshme për shkak të
rritjes së veprimtarisë së qarqeve shoviniste
fqinje për të pushtuar vilajetet shqiptare e sidomos
ato të Kosovës e të Manastirit dhe nga paaftësia
e qeverisë së sulltanit për të mbrojtur
tërësinë tokësore të Shqipërisë.
Nismën për krijimin e një organizate të
tillë e morën qytetet kryesore të vilajetit
të Kosovës. Pas orvatjeve pa sukses që u bënë
për këtë qëllim në fundin e vitit
1896, në fundin e shkurtit të vitit 1897, menjëherë
pas shpërthimit të luftës greko-turke, u zhvilluan
në Pejë e në Gjakovë mbledhje të
përfaqësuesve të popullsisë dhe u hodhën
bazat e një lidhjeje të re që u quajt Besëlidhja
Shqiptare, organizatorë të së cilës ishin
Haxhi Zeka? e Riza Kryeziu (Gjakova).Në krye të
Komitetit që drejtonte veprimtarinë e saj u vu Haxhi
Zeka, një nga udhëheqësit më të shquar
të Lëvizjes Kombëtare në vilajetin e Kosovës.
Në pranverën e këtij viti Besëlidhja u
zgjerua duke u shtrirë në qytete të tjera të
Kosovës. Pas mbledhjeve e bisedimeve paraprake, që
shqiptarët bënë në mars të vitit
1897 në Prizren, në Pejë e në Gjakovë,
popullsia e këtyre qyteteve përfundoi një marrëveshje,
shpalli një Besëlidhje të përbashkët.
Besëlidhja u forcua më tej. Përfaqësuesit
e popullsisë së qyteteve të vilajetit të
Kosovës mbajtën mbledhje të njëpasnjëshme
në fundin e marsit, në vendin e quajtur Babin Most
(midis Prishtinës e Vuçiternës), ku u diskutuan
masat që do të merreshin për mbrojtjen e Shqipërisë
në rast të një sulmi nga shtetet fqinje.
Po në mars të vitit 1897 u mbajt në Shkodër
një mbledhje e përfaqësuesve të popullsisë
së sanxhakut të Shkodrës, ku u shqyrtua një
rezolutë, në të cilën shtrohej si detyrë
mbrojtja e tërësisë së trojeve shqiptare
dhe sigurimi i të drejtave kombëtare të shqiptarëve.
Por, me gjithë përpjekjet e Haxhi Zekës, vilajeti
i Shkodrës nuk arriti atëherë të bashkohej
me Besëlidhjen Shqiptare. Edhe përfaqësuesit
e popullsisë së Shqipërisë së Jugut,
të Vlorës, të Beratit, të Gjirokastrës
e të qyteteve të tjera, me anën e letrave e
të deklaratave që u dërguan në mars të
vitit 1897 bashkatdhetarëve në Dibër, në
Shkup, në Gjakovë, në Prishtinë e në
qytete të tjera, shprehën gatishmërinë
për të marrë pjesë në Besëlidhjen
Shqiptare.
Besëlidhja Shqiptare përcaktoi si kërkesë
kryesore ruajtjen e tërësisë territoriale të
Shqipërisë nga rreziku i jashtëm. Kjo shpjegohet
me dendësimin e orvatjeve të Serbisë, të
Bullgarisë, të Malit të Zi e të Greqisë
për të copëtuar trojet shqiptare, që u
bënë edhe më të rrezikshme gjatë
dhe pas luftës greko-turke të vitit 1897. Duke përfituar
nga interesimi i Stambollit për mobilizimin e forcave
vullnetare shqiptare për mbrojtjen e kufijve të
Perandorisë Osmane, Besëlidhja veproi në mënyrë
të hapur. Por udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare e shfrytëzuan këtë interesim të
Portës së Lartë për të mbrojtur tërësinë
territoriale të atdheut, të Shqipërisë
dhe jo për interesat e Perandorisë Osmane. Duke
vënë theksin në këtë qëndrim
të drejtë të Besëlidhjes Shqiptare, Sami
Frashëri shkruante kështu në pranverën
e vitit 1897: Lidhjet janë aty (në Shqipëri
- shën. i aut.) dhe jo për interesat e ndonjë
koke të kurorëzuar (të sulltanit - shën.
i aut.); ato janë organizuar vetëm e vetëm
për të mbrojtur atdheun, me shpresë që
një ditë, e cila sidoqoftë nuk duket e largët
(shqiptarët - shën. i aut.) të bëhen të
lirë dhe të lumtur.
Haxhi Zeka dhe drejtuesit e tjerë të Besëlidhjes
punuan gjithashtu për të vënë në
themel të saj kërkesën e autonomisë së
Shqipërisë, duke parashtruar si hap të parë
drejt saj bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në
një vilajet të vetëm. Kjo kërkesë
u përcaktua edhe më qartë në programin
e Komitetit të fshehtë Shqiptar, që vepronte
në Kosovë në vitin 1897 dhe që udhëhiqte
veprimtarinë e Besëlidhjes Shqiptare. Ky Komitet,
që kishte degët e veta në qytetet e Kosovës,
zhvilloi një veprimtari të fshehtë për
të formuar një Shqipëri autonome, nën
sovranitetin e sulltanit, me ushtri e administratë të
pavarur shqiptare, sipas shembullit të Principatës
Bullgare.
Atdhetarët rilindës brenda e jashtë atdheut,
të frymëzuar nga Besëlidhja Shqiptare, bënë
përpjekje për të përpunuar më tej
programin e lëvizjes kombëtare dhe për ta orientuar
Besëlidhjen drejt përmbushjes së detyrave themelore
të saj. Nismën për këtë e mori Shoqëria
e Stambollit, e cila në këtë kohë u riorganizua
me emrin Komiteti Shqiptar, me kryetar gjithnjë Sami
Frashërin. Në manifestin Çduan
shqiptarët, që ky Komitet lëshoi në
pranverën e vitit 1897, miratohej krijimi i Besëlidhjes,
si edhe kërkesa e saj për ruajtjen e tërësisë
territoriale të vendit.
Por Komiteti i Stambollit theksonte njëkohësisht
se krahas kësaj ishte e nevojshme të luftohej kundër
qeverisë së sulltanit dhe të ndryshoheshin
marrëdhëniet e shqiptarëve me të. Komiteti
parashikonte dy variante të mundshme të zgjidhjes
së çështjes shqiptare. Nëse Evropa,
thuhej në manifest, do të vijojë të respektojë
tërësinë e Perandorisë Osmane, atëherë
shqiptarët do të punojnë për të siguruar
autonominë e Shqipërisë, për bashkimin
e vilajeteve të saj në një vilajet të
vetëm autonom, me gjuhën shqipe si gjuhë lokale
dhe me një guvernator të përgjithshëm
që do të administronte vendin nën kontrollin
e një kuvendi kombëtar me funksionarë shqiptarë.
Nëse Evropa do të vendoste ti jepte fund Perandorisë
Osmane, atëherë Shqipëria duhej të bëhej
një shtet i lirë e i pavarur, të shkëputej
krejtësisht prej saj.
Në të dy variantet ndërtimi shtetëror
i Shqipërisë parashikohej të bëhej sipas
parimeve demokratike e të përparuara të kohës.
Sami Frashëri dhe atdhetarët e tjerë të
Komitetit të Stambollit mendonin se sistemi më i
përshtatshëm për Shqipërinë do të
ishte republika, e cila do të ndërtohej në
përputhje me kushtet e me traditat e vendit.
Në manifest i bëhej thirrje popullit shqiptar të
vazhdonte edhe në të ardhmen luftën kundër
synimeve shoviniste të Greqisë dhe të shteteve
fqinje sllave për mbrojtjen e tërësisë
së territoreve shqiptare, theksohej se duhej prerë
çdo lidhje me Patrikanën dhe të formohej
një kishë e pavarur shqiptare. Krahas kundërshtimit
të hapur ndaj çdo protektorati të Fuqive
të Mëdha mbi Shqipërinë, në manifest
shprehej besimi në aftësitë e shqiptarëve
për të drejtuar vendin e tyre.
Veprimtaria e mëtejshme e Besëlidhjes Shqiptare
u pengua nga masat shtypëse të Portës së
Lartë, e cila, në maj të vitit 1897, pas përfundimit
të konfliktit me Greqinë dhe pas afirmimit nga Fuqitë
e Mëdha të politikës së ruajtjes së
status quo-së në Lindjen e Afërme, e ndjeu
veten më të sigurt dhe humbi përkohësisht
interesimin për të mobilizuar forcat shqiptare për
mbrojtjen e kufijve të Turqisë Evropiane. Sulltani
urdhëroi valiun e Kosovës që të shtypte
çdo lëvizje, qoftë edhe legale, për
zbatimin e reformave të premtuara prej tij gjatë
luftës greko-turke. Në dekretin e majit të
vitit 1897 sulltani kundërshtoi përsëri kërkesën
e shqiptarëve për hapjen e shkollave shqipe. Meqenëse
gjuha e shtetit osman është gjuha osmane,- thuhej
në këtë dekret,- nuk do të ishte aspak
e lejueshme që të hapen shkolla në të
cilat mësimi të zhvillohet në gjuhën shqipe
.
Në pranverën dhe në verën e vitit 1897
gjendja në Shqipëri u acarua edhe më shumë
për shkak të përqendrimit të forcave të
mëdha ushtarake osmane për shtypjen e lëvizjes
kombëtare. Nëpërmjet vijës hekurudhore
të Shkupit u dërguan në Mitrovicë 34 vagona
me ushtarë. Ndikim të ndjeshëm ushtroi në
Shqipëri propaganda e ideve kombëtare, që atdhetarët
zhvillonin brenda e jashtë vendit. Nëpërmjet
thirrjeve drejtuar popullit dhe artikujve të botuar në
shtyp, gjatë muajve maj-qershor të vitit 1897, sidomos
në gazetën Shqipëria të Bukureshtit,
veprimtarët rilindës grishnin shqiptarët që
të bashkoheshin, të punonin për kombin
e tyre, për të pasur shtetin e vet të veçantë
e të lirë, për tu bërë zot
të vendit, të Shqipërisë.
Në këto rrethana shpërtheu në Shqipëri
lëvizja e armatosur kundërosmane, që filloi
në verën e vitit 1897 dhe vijoi deri në fundin
e atij viti. Megjithëse u zhvillua në formën
e kryengritjeve lokale, të veçuara nga njëra-tjetra,
lëvizja kundërosmane pati karakter të theksuar
politik, kishte si qëllim të fundit sigurimin e
vetëqeverisjes, të autonomisë territoriale-administrative
të vendit. Për karakterin politik dhe antiqeveritar
të kësaj qëndrese bënte fjalë, në
një nga relacionet që i dërgonte atëherë
Portës së Lartë, edhe guvernatori i vilajetit
të Manastirit. Ndërsa agjenti tregtar bullgar në
Selanik, në nëntor të vitit 1897, i shkruante
qeverisë së Sofjes se pas luftës greko-turke
shqiptarët kanë shfaqur në mënyrë
të pandërprerë pakënaqësinë
e tyre dhe po kërkojnë vazhdimisht autonominë.
Vatra kryesore e qëndresës së armatosur në
vitin 1897 u bë Shqipëria e Veriut, vilajetet e
Kosovës e të Shkodrës. Qysh në maj popullsia
e rretheve të Pejës, të Prizrenit, të
Prishtinës, si edhe ajo e Dibrës, e Tetovës
dhe e Kërçovës në vilajetin e Manastirit,
hyri në konflikt të armatosur me ushtritë osmane.
Gjatë verës lëvizja u shtri në vilajetin
e Shkodrës dhe sidomos në krahinën e Mirditës.
Me kërkesën e valiut të Shkodrës, sulltani
urdhëroi të merreshin masa të jashtëzakonshme
për shtypjen e qëndresës në vilajetet
e Shkodrës e të Kosovës. Në të katër
vilajetet shqiptare, në gushtin e vitit 1897, u arrestuan
300 atdhetarë shqiptarë, të akuzuar për
organizimin e kryengritjes, të cilët u dërguan,
përmes Manastirit, në shkretirat e Anadollit e të
Afrikës osmane.
Përmasa edhe më të mëdha mori qëndresa
e popullsisë shqiptare në gjysmën e dytë
të vitit 1897, sidomos në vjeshtën e atij viti.
Në vilajetin e Kosovës kjo lëvizje e armatosur
udhëhiqej nga Besëlidhja Shqiptare dhe Komiteti
i saj i fshehtë. Nëpërmjet degëve që
kishte ngritur në qendrat e ndryshme të vilajetit
të Kosovës, ky Komitet punonte për bashkimin
e popullit në Besëlidhjen Shqiptare dhe, njëherazi,
për organizimin e qëndresës së armatosur
për autonominë e Shqipërisë. Në shtator
të vitit 1897 shqiptarët kryengritës dëbuan
nga Prizreni e nga Prishtina qeveritarët turq, mytesarifët
dhe nëpunësit e korruptuar, ndërsa në
fillimin e tetorit u zhvilluan në këto qendra, si
edhe në rrethet e tjera, përleshje të armatosura
me ushtritë osmane. Në mbledhjen që mbajti
më 7 tetor, Porta e Lartë pranoi se në
mjaft sanxhakë të vilajetit të Kosovës
pushteti qeveritar nuk ka asnjë ndikim.
Krahas arrestimeve në masë të pjesëmarrësve
të lëvizjes, qeveria e sulltanit, duke parë
se vilajeti i Kosovës dhe veçanërisht rrethi
i Shkupit kërcënohej nga një kryengritje e
re, dërgoi atje 7 batalione, të pajisura me artileri,
të sjella nga vilajeti i Janinës. Po në fillim
të tetorit mbërriti në Shkodër Tefik pasha,
i dërguar nga sulltani, gjoja për të
dëgjuar dëshirat e shqiptarëve. Sikurse
shkruante Shqipëria e Bukureshtit më
11 tetor të vitit 1897, tetëdhjetë shqiptarë
nga krerët myslimanë e të krishterë të
Shqipërisë së Sipërme i deklaruan delegatit
turk se nuk do të pranonin të dorëzonin armët
dhe ti nënshtroheshin qeverisë turke, derisa
ajo të zbatonte reformat që kishin kërkuar
shqiptarët dhe pikërisht autonominë e vendit.
Orvajtjet e Tefik Pashës për ti bindur me
anë të premtimeve krerët e Shkodrës e
të malësive, që ti dorëzonin armët,
nuk dhanë rezultat.
Në ditët e para të nëntorit të vitit
1897 kryengritja, e udhëhequr nga Haxhi Zeka, përfshiu
Pejën, Gjakovën, Prizrenin, Gucinë, Prishtinën,
Tetovën dhe qendra të tjera të vilajetit të
Kosovës. Në rrethet e Gjakovës u përqendruan
3-4 mijë kryengritës, të udhëhequr nga
Riza Kryeziu, që shtinë në dorë qytetin
dhe i detyruan funksionarët osmanë të iknin
në Shkup. Nga 15 nëntori e deri në fundin e
tij në rrethet e Pejës, të Prizrenit, të
Gjakovës e të Prishtinës u zhvilluan, thuajse
çdo ditë, përleshje të përgjakshme
ndërmjet kryengritësve dhe ushtrisë osmane.
Luftime të ashpra u bënë sidomos më 22
e 23 nëntor në rrethet e Gjakovës, kurse Shkupi
kërcënohej nga kryengritësit e Kaçanikut.
Kryengritësit e populli kërkonin që në
vend të funksionarëve të zbuar turq të
emëroheshin guvernatorë dhe nëpunës
shqiptarë, të krijohej kudo administrata shqiptare,
ndërsa shqiptarët e Gjakovës deklaruan se do
të vendosnin një pushtet të pavarur nga
sulltani.
Gjendja vijoi të jetë e tendosur edhe në Shkodër.
Më 11 dhjetor u mbajt këtu një mbledhje e përfaqësuesve
të popullsisë së qytetit e të Malësisë,
nga e cila iu dërgua sulltanit një memorandum, ku
këmbëngulej për zbatimin e reformave në
Shqipëri.
Në nëntor të vitit 1897 lëvizja u përhap
edhe në Shqipërinë e Mesme e të Jugut,
popullsia e të cilave, sidomos ajo e vilajetit të
Janinës, ishte ngarkuar me taksa e me kontribute të
rënda gjatë luftës greko-turke. Qëndresa
kundërosmane që shpërtheu në Elbasan,
në Tiranë, në Vlorë, në Gjirokastër,
në Përmet, në Delvinë e në vise të
tjera, kishte si qëllim të fundit sigurimin e autonomisë
së Shqipërisë. Drejtuesit e lëvizjes bënë
gjithashtu plane për të liruar të burgosurit
e të internuarit politikë, ndërsa në Himarë
shpërtheu kryengritja e hapur, e cila u shtyp nga forcat
osmane.
Në verën e në vjeshtën e vitit 1897, kur
Haxhi Zeka vazhdonte të punonte për zgjerimin e
Besëlidhjes, Murat Toptani e bashkëpunëtorët
e tij u përpoqën të bashkonin me Besëlidhjen
edhe popullsinë e Shqipërisë së Mesme
e të Jugut dhe të formonin një lidhje mbarëkombëtare,
që të bashkonte gjithë shqiptarët, gegë
e toskë, myslimanë e të krishterë.
Po në nëntor të vitit 1897, në një
situatë të acaruar politike, me nismën e Haxhi
Zekës u mbajt në Pejë një mbledhje e gjerë
e përfaqësuesve të popullsisë së
vilajetit të Kosovës, ku morën pjesë rreth
500 veta, në të cilën u shqyrtua çështja
e reformave që duhej të bëheshin në Shqipëri.
Ndryshe nga grupi konservator, i kryesuar nga Riza Gjakova,
Halil pashë Begolli e bajraktarë të tjerë,
që nuk pranonin reforma radikale, të cilat do të
ndryshonin marrëdhëniet e Shqipërisë me
Perandorinë Osmane, Haxhi Zeka dhe ithtarët e tij
parashtruan në këtë tubim kërkesën
e autonomisë së Shqipërisë.
Lëvizja e armatosur kundërosmane dhe veprimtaria
e Besëlidhjes Shqiptare pati edhe në këtë
periudhë përkrahjen e shoqërive patriotike
dhe të atdhetarëve që punonin jashtë vendit.
Në nëntor të vitit 1897, kur lëvizja kryengritëse
ishte ende në ngritje, me nismën e Shoqërisë
Dituria, që ishte organizata më e madhe
patriotike jashtë atdheut (me 2 000 anëtarë),
u thirr në Bukuresht një mbledhje e gjerë,
ku morën pjesë përfaqësuesit e shoqërive
kombëtare, të lidhjeve e të komiteteve që
vepronin në Shqipëri dhe në kolonitë e
mërgimit. Në mbledhje u miratua një memorandum,
i hartuar në shqip dhe i përkthyer në frëngjisht
e italisht, i cili iu dërgua sulltanit dhe përfaqësuesve
të Fuqive të Mëdha në Stamboll, Ndë
emër të Llauzit (popullit - shën. i aut.) shqiptar.
Në këtë memorandum kërkohej nga Turqia
e nga qeveritë evropiane njohja e kombësisë
shqiptare dhe autonomia territoriale-administrative e Shqipërisë,
që do të sendërtohej duke bashkuar të
katër vilajetet (ku shqiptarët përbënin
shumicën) në një vilajet të vetëm,
me një qeveritar të përgjithshëm shqiptar
në krye dhe me kryeqytet Manastirin. Si gjuhë zyrtare
për administratën shtetërore, institucionet
shkollore e fetare do të ishte shqipja. Kërkohej
gjithashtu ndalimi i çarmatimit të shqiptarëve
dhe amnisti për gjithë ata që ishin internuar,
ishin burgosur e ishin dëbuar jashtë për çështje
politike. Qeveria autonome e Shqipërisë
që do të vihej në krye të vendit, do ti
paguante sulltanit një shumë të caktuar të
hollash.
Duke parashtruar rrugën e zgjidhjes së çështjes
shqiptare me anë të krijimit të një shteti
autonom, memorandumi i Bukureshtit iu përgjigj në
thelb kërkesave të lëvizjes kombëtare
në atë kohë. Të mbështetur në
përvojën e Lidhjes së Prizrenit, autorët
e këtij memorandumi e orientuan drejt lëvizjen kombëtare,
duke theksuar se formimi i shtetit kombëtar e autonom
do të ishte edhe rruga më e mirë për sigurimin
e tërësisë territoriale të Shqipërisë.
Krahas kësaj, atdhetarët e Bukureshtit, duke miratuar
këtë memorandum, sikurse theksonte një nga
anëtarët e Komitetit të Shoqërisë
Dituria në ato ditë, synonin ti
tregonin Evropës se kryengritja shqiptare e Kosovës
nuk ishte një lëvizje e elementëve të
egër, siç po e paraqiste Porta e Lartë,
por një lëvizje që ka për qëllim
të vërtetë çlirimin kombëtar të
shqiptarëve.
Çështja e autonomisë territoriale-administrative
të vendit u parashtrua nga atdhetarët rilindës
edhe në një varg artikujsh të botuar në
shtypin shqiptar të kohës, e sidomos në gazetën
Shqipëria të Bukureshtit (1897-1899).
Por kërkesat për njohjen e kombit shqiptar dhe të
së drejtës së tij të ligjshme, për
të formuar shtetin e vet kombëtar, nuk u morën
parasysh as nga qeveria e sulltanit, as edhe nga Fuqitë
e Mëdha.
Duke e ndier rrezikun e madh që i kanosej nga një
lëvizje e organizuar shqiptare me program kombëtar,
Porta e Lartë në fund të nëntorit dhe
në fillim të dhjetorit mori masa të rrepta
për shpërndarjen e Besëlidhjes dhe për
shtypjen e lëvizjes kryengritëse në Shqipëri.
Krahas me ushtritë e shumta që tërhoqi nga
fronti i Thesalisë dhe i hodhi në vilajetin e Kosovës,
Porta e Lartë dërgoi në Shqipëri edhe
një mision të posaçëm, të kryesuar
nga Ishan Beu, si edhe disa grupe hoxhallarësh
për të propaganduar te besimtarët myslimanë
besnikërinë ndaj sulltanit, Kalifit të
gjithë myslimanëve.
Në përpjekjet e tyre për të paralizuar
lëvizjen shqiptare Ishan Beu dhe valiu i Kosovës,
krahas forcave ushtarake, shfrytëzuan edhe lëkundjet
e parisë shqiptare, sidomos të Riza Kryeziut, njërit
prej krerëve të kryengritjes shqiptare në Gjakovë,
i cili ishte dalluar njëherazi për veprime përçarëse
dhe synonte ta përdorte lëvizjen për qëllimet
e tij të ngushta vetjake. Pas bisedimeve që zhvilloi
me ta, Riza Kryeziu pranoi të shkonte në Stamboll
në fundin e vitit 1897, në krye të një
komisioni prej 8 vetash, përfaqësues të parisë
së vendit, për ti paraqitur sulltan Abdyl
Hamitit një pasqyrë të gjendjes së Shqipërisë
dhe nevojat e kërkesat e saj. Në Stamboll Riza Kryeziu
kapitulloi, hoqi dorë nga lëvizja kundërosmane
dhe hyri në rrugën e bindjes e të nënshtrimit
ndaj sulltanit, gjë që e dobësoi ndikimin e
tij në Shqipëri. Për shërbimet që
i solli Perandorisë, ai u emërua anëtar i Kryesisë
së Këshillit të Shtetit, ndërsa anëtarëve
të tjerë të misionit iu dhanë grada civile
e ushtarake, si edhe tituj nderi e dhurata të shumta.
Qëndrim krejt të ndryshëm mbajti Haxhi Zeka,
që nuk pranoi ftesën e Portës së Lartë
për të vajtur në Stamboll, as edhe kërkesën
e saj këmbëngulëse e të përsëritur
për të shpërndarë komitetet shqiptare
që vepronin në Kosovë.
Përpjekjet e shqiptarëve për tu bashkuar
në një Besëlidhje të përgjithshme,
si edhe qëndresa e tyre kundërosmane për autonominë
e Shqipërisë, ndeshën në qëndrimin
armiqësor të shteteve fqinje ballkanike dhe u pritën
me shqetësim edhe nga Fuqitë e Mëdha. Këto
të fundit nuk e përkrahën lëvizjen shqiptare
për formimin e një shteti autonom, sepse e shihnin
atë si një faktor që do të prishte status
quo-në në Ballkan e në Lindjen e Afërme
dhe ekuilibrin midis tyre.
E ndodhur përballë masave shtypëse të
Portës së Lartë (që bëri për
vete edhe një pjesë të parisë shqiptare)
dhe qëndrimit mospërfillës të faktorit
ndërkombëtar, Lëvizja Kombëtare Shqiptare
e vitit 1897 dhe Besëlidhja e krijuar prej saj, nuk sollën
rezultatet që priteshin dhe e ndërprenë përkohësisht
veprimtarinë e tyre.
2. LIDHJA SHQIPTARE E PEJËS
(1899-1900)
Rrethanat e brendshme dhe të jashtme politike në
pragun e themelimit të Lidhjes (1898)
Gjatë vitit 1898, ndërsa Porta e Lartë vazhdonte
të shtypte me të njëjtën ashpërsi
lëvizjen shqiptare, atdhetarët rilindës e shtuan
veprimtarinë për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare
të popullit, për bashkimin dhe organizimin e tij
në qëndresën kundër sunduesve osmanë.
Më 1 janar të vitit 1898 shoqëritë atdhetare
të mërgimit (Komiteti i Stambollit, Shoqëria
Dituria e Bukureshtit, Vëllazëria
Shqiptare në Egjipt, Shoqëria Dëshira
e Sofjes dhe Shoqëria Kombëtare Shqiptare e arbëreshëve
të Italisë) botuan një thirrje të përbashkët
me titullin Në emër të popullit shqiptar,
që u drejtohej qeverisë së Stambollit dhe Fuqive
të Mëdha. Në thirrje dënoheshin intrigat
e shteteve fqinje në Shqipëri, pretendimet e tyre
aneksioniste ndaj vilajeteve shqiptare të Kosovës,
të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës,
si edhe politika e verbër e Portës së Lartë,
që u kishte lejuar grekëve, serbëve e bullgarëve
të hapnin kisha e shkolla në vilajetet shqiptare
dhe u kishte bërë atyre lëshime të njëpasnjëshme
politike në dëm të Shqipërisë.
Në këtë dokument parashtroheshin kërkesat
themelore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Të gjithë ne shqiptarët, - theksohej
në të, - kudo që ndodhemi, brenda dhe jashtë
atdheut dhe pavarësisht nga besimet fetare, kërkojmë
nga sulltan Abdyl Hamiti autonominë administrative të
tokave shqiptare, bashkimin e vilajeteve ku është
përfshirë atdheu ynë në një vilajet
të vetëm me një guvernator shqiptar,
me gjuhë zyrtare gjuhën shqipe, me shkolla e me
kisha shqipe.
Atdhetarët rilindës i bënin të ditur në
këtë thirrje opinionit evropian se shqiptarët,
për të ruajtur qenien e tyre dhe për të
përmbushur programin kombëtar, nuk do të ngurronin
të përdornin edhe kryengritjen e armatosur, të
drejtën supreme të popujve, revolucionin.
Thirrja e shoqërive shqiptare të mërgimit ishte
një dokument i rëndësishëm programatik,
që pati ndikim si në opinionin publik evropian,
ashtu edhe në Shqipëri, ku vijonte propaganda e
ideve autonomiste. Në mjaft qendra të Shqipërisë
vepronin në fshehtësi komitetet shqiptare. Në
maj të vitit 1898 mytesarifi i Prizrenit njoftonte valiun
e Kosovës për veprimtarinë e një Komiteti
Qendror në këtë qytet, ndërsa në
Tetovë ishte ngritur një komitet tjetër i fshehtë,
që kishte shtrirë degët e tij edhe në
mjaft qendra të Kosovës. Këto komitete punonin
për forcimin e bashkimit të shqiptarëve, për
ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit
dhe për organizimin e luftës për autonominë
e Shqipërisë. Idetë autonomiste kishin marrë
një përhapje të gjerë në vilajetin
e Kosovës, në sanxhakun e Dibrës e qendra të
tjera të vilajetit të Manastirit, në të
cilat shqiptarët haptazi kërkonin të drejtën
e vetëqeverisjes, të njëjtë me atë
që gëzonin kombet e tjera të Ballkanit. Duke
bërë fjalë për këtë aspiratë
të shqiptarëve, ministri i Jashtëm i Turqisë,
Tefik Pasha, deklaronte në qershor të vitit 1898,
se shqiptarët kërkojnë vetëqeverisjen
dhe shkojnë më tej: kërkojnë një
princ nga kombi i tyre
, kërkojnë të kenë
ushtrinë e tyre, e cila çështë
e vërteta duhet të jetë pjesë e Perandorisë
Por, po u formua, në rast se u nevojitet, ata mund ta
organizojnë sipas mënyrës së tyre.
Qeveria turke vazhdoi të shtypte me forcën e armëve
lëvizjen dhe popullsinë e zonave kryengritëse
shqiptare. Në projektin e reformave, që
valiu i Kosovës, ai i vilajetit të Manastirit, ministri
i Brendshëm dhe ai i Luftës i paraqitën Portës
së Lartë, në mars të vitit 1898, si edhe
në Projektin mbi Shqipërinë, që
mareshali Ethem Pasha i parashtroi sulltanit me porosi të
qeverisë në korrik të atij viti (1898), shihej
si rrugë e vetme për stabilizimin e
gjendjes në Shqipëri forcimi i pushtetit të
centralizuar osman, që nuk u njihte asnjë të
drejtë popujve të tjerë. Kërkohej të
zbatoheshin në Shqipëri dhe sidomos në pjesën
e saj veriore e veriperëndimore, në sanxhakët
e vilajeteve të Kosovës e të Manastirit reforma
të tilla, siç ishte nënshtrimi me forcë
i popullsisë shqiptare, duke përdorur dhunën
ushtarake për ta detyruar atë të paguante taksa,
të pranonte regjistrimin e përgjithshëm dhe
shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Mareshali Ethem
Pasha, komandant i forcave ushtarake osmane në Kosovë,
kërkonte që të ndërmerrej çarmatosja
e përgjithshme e shqiptarëve, meqë armët
ishin mjeti kryesor i veprimeve të tyre kryengritëse.
Masat shtypëse të Portës së Lartë
u përkrahën edhe nga përfaqësues të
tillë të parisë gjysmëfeudale shqiptare,
si Esat pashë Toptani, Syreja bej Vlora etj. Në
Promemorjen, që Syreja bej Vlora i parashtroi
sulltanit, po në korrik të vitit 1898, kërkonte
që të shtypeshin me dhunën ushtarake forcat
rebele të popullit në anët e Korçës,
të Kolonjës, të Elbasanit e të Shkodrës,
të ndalohej me çdo mjet futja në Shqipëri
e Murat Toptanit (që porsa ishte arratisur nga
internimi në Tripoli) dhe e atdhetarëve të
tjerë; të mos lejoheshin të hynin në
Shqipëri gazetat dhe revistat heretike shqipe,
që botoheshin në Bukuresht dhe në vende të
tjera dhe të ndalohej përhapja e gjuhës
shqipe, e cila po përdorej në korrespondencat private
dhe kishte filluar të mësohej në disa shkolla
të Shqipërisë.
Për të zbatuar këto projekte reformash,
të cilat, siç theksonte në qershor të
vitit 1898 Tefik Pasha, synonin të parandalonin
formimin e një Shqipërie autonome dhe shkëputjen
e saj nga Perandoria Osmane, Porta e Lartë mbante
në Turqinë Evropiane një ushtri prej 150 000
vetash.
Por qeveria e sulltanit nuk qe në gjendje të shtypte
qëndresën e shqiptarëve dhe ti çarmatoste
ata. Në fundin e muajit gusht kryengritja përfshiu
përsëri Pejën, Gjakovën dhe zonën
përreth. Po në verën e atij viti u forcua qëndresa
kundërosmane në rrethet e Shkodrës, të
Korçës, të Kolonjës e të Elbasanit,
ku vepronin çeta të armatosura. Stambolli u gjend
atëherë në një pozitë të ndërlikuar.
Edhe pse ishte i interesuar të shtypte sa më shpejt
lëvizjen shqiptare, sulltani ngurroi të hidhte forca
të mëdha ushtarake në Shqipëri, të
cilat do ta keqësonin gjendjen atje dhe do tu jepnin
shkak shteteve fqinje të ndërhynin në Turqinë
Evropiane.
Acarimi i ri i çështjes maqedone, në fund
të vitit 1898 dhe në fillim të vitit 1899,
që u shoqërua me shtimin e ndërhyrjeve të
qarqeve drejtuese të Bullgarisë, të Serbisë,
të Greqisë e të Malit të Zi në Turqinë
Evropiane, e veçanërisht në vilajetet shqiptare,
krijuan përsëri një gjendje të nderë
politike në Ballkan e si rrjedhim edhe në Shqipëri.
Këtu ndikoi gjithashtu qëndrimi i Fuqive të
Mëdha, të cilat, duke pasur parasysh kërkesat
e shteteve ballkanike, sidomos të Bullgarisë, në
janar 1899 u morën vesh për një ndërhyrje
kolektive pranë Portës së Lartë. Me nismën
e Anglisë e të Italisë iu parashtrua Portës
së Lartë kërkesa për zbatimin e reformave
në Maqedoni, për të parandaluar kryengritjen
në këtë trevë të Ballkanit. Me këtë
ndërmarrje u bashkuan edhe Gjermania, Austro-Hungaria
dhe Rusia. Fillimi po në këtë kohë i bisedimeve
ndërmjet Bullgarisë e Serbisë për të
ndarë tri vilajetet, të Kosovës, të Manastirit
e të Selanikut, e elektrizoi edhe më shumë
gjendjen në Ballkan dhe në Shqipëri.
Kuvendi i Pejës dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare
(23-29 janar 1899)
Në këto rrethana të ndërlikuara rifilluan
përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për
bashkimin e gjithë popullit dhe për krijimin e një
lidhjeje të re, e cila, sipas shembullit të Lidhjes
së Prizrenit, do ti udhëhiqte shqiptarët
në luftën për mbrojtjen e tërësisë
tokësore të Shqipërisë dhe për çlirimin
e saj.
Vatër e përpjekjeve të tilla për formimin
e një lidhjeje të re, ashtu si në vitet e Lidhjes
së Prizrenit (1878-1881) edhe tani, më 1899, u bënë
përsëri qytetet e vilajetit të Kosovës
dhe sanxhaku i Dibrës, të cilat kërcënoheshin
drejtpërdrejt nga qarqet shoviniste të Serbisë,
të Bullgarisë e të Malit të Zi.
Lidhja e re shqiptare u krijua pas një pune të madhe
përgatitore, organizative e politike, që atdhetarët
shqiptarë brenda vendit, të udhëhequr nga Haxhi
Zeka dhe shoqëritë patriotike jashtë atdheut,
sidomos ato të Bukureshtit dhe Komiteti Shqiptar i Stambollit
bënë në fundin e vitit 1898 dhe në janar
të vitit 1899. Gjatë kësaj kohe u mbajtën
mbledhje të gjera të përfaqësuesve të
popullsisë së qyteteve e të rrethinave, si
në Pejë, në Mitrovicë, në Prishtinë,
në Vuçiternë, në Drenicë e në
qendra të tjera të vilajetit të Kosovës,
ku shqiptarët dhanë besën dhe shprehën
gatishmërinë për të formuar lidhjen. Këto
mbledhje të njëpasnjëshme të popullsisë
shqiptare, si edhe letërkëmbimi i dendur i Haxhi
Zekës me qendrat e ndryshme të vilajetit të
Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e
të Janinës, tregojnë se organizatorët
e Lidhjes kishin ndërmend të thërrisnin një
kuvend të përgjithshëm shqiptar, ku të
merrnin pjesë delegatë nga të gjitha krahinat
e Shqipërisë dhe të të gjitha besimeve,
myslimanë, katolikë e ortodoksë. Edhe përfaqësuesit
e popullsisë së Shkodrës, të Dibrës,
të Prishtinës, të Pazarit të Ri, si edhe
të Shqipërisë së Jugut , kërkonin
që të thirrej sa më shpejt kuvendi që
po përgatitej për organizimin e shqiptarëve
në një lidhje të përgjithshme.
Në këtë periudhë përgatitore udhëheqësit
e lëvizjes shqiptare përcaktuan edhe programin e
këtij kuvendi, i cili, i përpunuar tanimë që
në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881)
dhe në memorandumet shqiptare të viteve 1896-1898
përmbante dy çështje themelore: ruajtjen
e tërësisë territoriale të vendit dhe
formimin e një Shqipërie autonome, ku të përfshiheshin
të katër vilajetet shqiptare.
Fryt i këtyre përpjekjeve ishte thirrja e Kuvendit
Kombëtar Shqiptar, i cili i zhvilloi punimet e tij në
Pejë më 23-29 janar të vitit 1899, ku morën
pjesë përfaqësues të parisë dhe të
popullsisë së vilajetit të Kosovës, si
dhe përfaqësues të veçantë të
vilajeteve të Manastirit e të Janinës. Këtu
u shpall formimi i lidhjes së re shqiptare që, sipas
shembullit të Lidhjes të Prizrenit të vitit
1878, u quajt Lidhja e Pejës. Kryetar i Kuvendit dhe
i Komitetit drejtues të Lidhjes u zgjodh Haxhi Zeka.
Kuvendi i zhvilloi punimet e tij në formën e mbledhjeve
të ngushta, ku merrnin pjesë një numër
i vogël delegatësh, ose duke organizuar tubime të
gjera, me 450-500 pjesëmarrës, përfaqësues
të shtresave të ndryshme të popullsisë
së vilajetit të Kosovës dhe të vilajeteve
të tjera shqiptare. Ndërsa 36 delegatët, që
gëzonin të drejtën e votës, vinin nga
qytetet e vilajetit të Kosovës dhe ishin përfaqësues
të shtresave të mesme qytetare e fshatare, mësues
të shkollave gjysmë të mesme dhe të medreseve
turke, nëpunës të administratës lokale,
çifligarë të mëdhenj, nëpunës
të lartë, klerikë etj. Midis tyre ishin Haxhi
Zeka, Halil Hasan pashë Begolli, Myderiz Ismaili, Myderiz
Abdullahu, Myfti Salihu, Bajram Curri, Myderiz Mehmet Hamdiu,
Mehmet Aqifi, Zenel Beu, Ali pashë Draga nga Rozhaja,
Ismail Haki pashë Tetova, Abdyl Halimi, Mehmet Sherifi,
Myderiz Abdyli, Naxhi Mehmet Sulejmani, Mehmet Aqifi, Mehmet
Tahiri, Mehmet Murati nga Senica etj.
Përveç 36 delegatëve të vilajetit të
Kosovës, që kanë vënë nënshkrimet
e tyre në vendimet e Kuvendit të Pejës, në
këtë tubim morën pjesë edhe përfaqësues
të veçantë të vilajeteve të tjera
shqiptare, të Shkodrës, të Manastirit e të
Janinës. Sanxhaku i Dibrës i vilajetit të Manastirit
u përfaqësua nga Selim Rusi, intelektual dhe atdhetar
i shquar i kësaj treve. Mjaft delegatë nga qytetet
e vilajetit të Shkodrës, të Manastirit e të
Janinës, që nuk mundën të shkonin në
Kuvendin e Pejës për shkak të pengesave që
u nxorën autoritetet osmane, i kumtuan Kuvendit se i
miratojnë vendimet e tij dhe se ruajnë të drejtën
për të marrë pjesë në Lidhjen Shqiptare.
Kuvendi i janarit të vitit 1899 u quajt nga organizatorët
e tij si një tubim i parë, paraprak, i cili do të
pasohej nga një kuvend ose kongres më i përgjithshëm
shqiptar.
Kuvendi i Pejës mori vendime të rëndësishme
për zhvillimin e mëtejshëm të Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare, siç ishin Rezoluta (Kararnameja)
prej 11 pikash dhe Akti i Besës prej 12 pikash, që
u miratuan në mbledhjen me dyer të mbyllura të
Kuvendit më 28 janar dhe u shpallën publikisht më
29 janar 1899.
Në vendimet e Kuvendit u shpall formimi i Lidhjes ose,
sikurse quhej në Rezolutë, i Ittifakut dhe u vendos
Besa ndërmjet shqiptarëve. Lidhja shihej si një
organizatë e përgjithshme dhe unike kombëtare,
që do të bashkonte në gjirin e saj gjithë
shqiptarët, gegë e toskë, myslimanë e
të krishterë. Për të arritur këtë
bashkim u vendos që të ndaloheshin gjakmarrjet,
armiqësitë e grindjet dhe parashikoheshin dënime
të rrepta si për këto, ashtu edhe për
veprimet e tjera që cenonin rendin publik.
Lidhja përcaktoi si detyrë kryesore e të dorës
së parë mbrojtjen e tërësisë territoriale
të Shqipërisë kundër çdo orvatjeje
që Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia do të
ndërmerrnin për copëtimin e trojeve shqiptare.
Kuvendi e vuri theksin sidomos te rreziku i aneksimit të
vilajeteve shqiptare të Kosovës e të Manastirit
dhe shprehu gatishmërinë për të mobilizuar
gjithë shqiptarët në rast se atdheu sulmohej
nga cilado anë qoftë dhe veçanërisht
në rast se sulmoheshin këto vilajete, që shtetet
fqinje dhe Fuqitë e Mëdha i përfshinin në
të ashtuquajturën Maqedoni. Në rast lufte ishte
vendosur të bëhej një ndarje e tillë e
forcave shqiptare, që do të mbronin atdheun: ato
të sanxhakut të Prishtinës, të Pazarit
të Ri e të Dibrës do të ruanin kufijtë
verilindorë kundër Serbisë, forcat e Pejës,
të Plavës dhe të Shkodrës kufirin me Malin
e Zi dhe ato të vilajetit të Janinës (të
Shqipërisë së Jugut) do ti kundërviheshin
Greqisë.
Por në luftën për mbrojtjen e tërësisë
territoriale të Shqipërisë ishte e interesuar
edhe Porta e Lartë, që përpiqej të ruante
paprekshmërinë e Perandorisë Osmane. Atdhetarët
shqiptarë përfituan nga ky interesim i Stambollit,
për ta organizuar, nëpërmjet një veprimtarie
legale, popullin dhe për ta bashkuar në një
lidhje të re, e cila mori përsipër mbrojtjen
e tërësisë së territoreve shqiptare. Prandaj
me frazat për besnikërinë ndaj sulltanit,
për gatishmërinë për të jetuar
në suazat e pushtetit të tij, që përfshiheshin
në hyrjen e Rezolutës së Kuvendit të Pejës,
drejtuesit e Lidhjes nuk kishin aspak ndërmend të
përjetësonin sundimin osman në Shqipëri,
por të shprehnin synimet e tyre për të mbrojtur
paprekshmërinë territoriale të Shqipërisë,
për të mos lejuar që ajo të kalonte nga
sundimi osman, i cili ishte në kalbëzim e sipër
dhe po shkonte dita-ditës drejt fundit, nën një
robëri të re edhe më të rrezikshme të
shteteve ballkanike ose të ndonjë prej fuqive evropiane.
Në Rezolutën e Kuvendit të Pejës bëhej
një dallim i përcaktuar qartë ndërmjet
Perandorisë Osmane, shtetit osman dhe atdheut
të shqiptarëve, Shqipërisë. Forcat
vullnetare të Lidhjes, siç thuhej në këtë
dokument, do të përdoreshin pikërisht për
mbrojtjen e atdheut të shqiptarëve,
në rast të një sulmi mbi Maqedoninë
(ku shtetet ballkanike përfshinin edhe vilajetet shqiptare
të Kosovës e të Manastirit) dhe mbi atdheun
tonë.
Shprehja e besnikërisë së Kuvendit ndaj fesë
islame, që përfshihej gjithashtu në Rezolutë,
ishte padyshim rrjedhojë e ndikimit te popullsia myslimane
shqiptare e fesë islame. Nuk mund të mohohet ndikimi
negativ që një deklaratë e tillë ushtronte
në përpjekjet për bashkimin e shqiptarëve
pa dallim feje, aq më shumë kur edhe qeveria e sulltanit
nxiste fanatizmin mysliman për ti përçarë
shqiptarët. Megjithatë, këto shprehje nuk cenonin
përmbajtjen themelore të Rezolutës, që
mishëronte synimin e atdhetarëve për të
bashkuar, nën drejtimin e Lidhjes, gjithë shqiptarët,
myslimanë e të krishterë.
Prandaj edhe shtypi shqiptar i kohës e sidomos revista
Albania e Faik Konicës, duke kundërshtuar
pikëpamjet e atyre që synonin ta paraqitnin Kuvendin
e Pejës si një kongres fetar mysliman,
e quajti atë një asamble kombëtare, që
u mbajt në Shqipëri, ku u diskutua në gjuhën
shqipe rreth mjeteve për mbrojtjen e truallit shqiptar,
që kishte një karakter me të vërtetë
kombëtar dhe do të sillte si rrjedhojë forcimin
e idesë së atdheut shqiptar.
Në Kuvendin e Pejës, sidomos në mbledhjet e
tij të fshehta, ashtu siç ishte parashikuar, u
diskutua edhe çështja e autonomisë së
Shqipërisë. U arrit në përfundimin që
Lidhja të kërkonte autonominë dhe, si masë
e parë drejt saj, do të ishte emërimi i Haxhi
Zekës si guvernator i pavarur i Shqipërisë,
që të vendosej një administratë e veçantë
kombëtare dhe të formohej një ushtri shqiptare
nën sovranitetin e sulltanit. Por, nga njëra anë
rreziku i jashtëm, që kërcënonte tërësinë
e Shqipërisë dhe, nga ana tjetër prania në
Kuvendin e Pejës, krahas ithtarëve të autonomisë
të grupuar rreth Haxhi Zekës, edhe e përfaqësuesve
të forcave konservatore, prosulltaniste, siç ishin
Halil pashë Begolli, Zejnel Efendiu, Zajmët e Pejës,
Ismail Haki pasha etj., që kundërshtonin çdo
ndryshim në marrëdhëniet e shqiptarëve
me Stambollin, bënë që kërkesa e autonomisë
të mos formulohej haptazi e të mos përfshihej
në Rezolutën e atij Kuvendi.
Megjithatë, Rezoluta e Kuvendit të Pejës e
janarit të vitit 1899 shprehte synimin e shqiptarëve
për të vetëqeverisur vendin e tyre, parashikonte
zbatimin e masave të tilla, të cilat do të
çonin gradualisht në vendosjen e një statusi
autonom për katër vilajetet shqiptare.
Në Rezolutë parashikohej që Lidhja ta shtrinte
veprimtarinë e vet në vilajetet shqiptare të
Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e
të Janinës, ku do të formoheshin komitetet
e saj. Organizimi i Lidhjes si një institucion shqiptar,
me komitetet e pajtimit dhe të sigurimit që u ngritën
në qytete të ndryshme të Shqipërisë,
shprehte synimet e shqiptarëve për një administrim
autonom, veçanërisht për të arritur
vetë bashkimin kombëtar dhe për të organizuar
mbrojtjen e atdheut. Rëndësi të veçantë
kishte krijimi nga ana e Lidhjes i ushtrisë shqiptare,
në radhët e së cilës menjëherë
pas Kuvendit hynë më shumë se 15 mijë
vullnetarë. Njësi të tilla vullnetare ushtarake,
të përbëra nga mijëra veta, u vendos të
formoheshin edhe në kuvendet e tubimet, që u mbajtën
në vilajetet e në sanxhakët e tjerë shqiptarë.
U vendos që komandantët e të gjitha trupave
ushtarake në Shqipëri dhe në krahinat kufitare
të ishin shqiptarë.
Në Rezolutën e Kuvendit u kërkua gjithashtu
që të përqendroheshin në duart e komiteteve
të Lidhjes kompetenca të tilla të organeve
lokale qeveritare, si lufta kundër hakmarrjes, pajtimi
i gjaqeve, ndalimi i keqbërjeve, sigurimi i qetësisë
publike, dënimi i atyre që do të kryenin veprime
dhune mbi qytetarët, duke përfshirë edhe nëpunësit
turq që do të shtypnin popullin e do të bënin
padrejtësi. Komitetet e Lidhjes do të merrnin përsipër
të mbronin të drejtat e gjithë banorëve
të Shqipërisë, pa dallim feje dhe krahine.
Në këto kërkesa të Rezolutës shprehej
haptazi synimi i Lidhjes për të përqendruar
pushtetin shtetëror në duart e komiteteve të
saj.
Konsulli austriak në Shkodër, Ippen, duke parë
në vendimet e Kuvendit të Pejës aspiratat autonomiste
të shqiptarëve, vetëm katër ditë
pas përfundimit të punimeve të tij i shkruante
Vjenës se ato janë të ngjashme me kërkesat
e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe se mbështeten
në të njëjtin program.
Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Pejës nuk përbën
aktin e vetëm të saj. Po më 29 janar 1899,
në ditën kur ky Kuvend mbylli punimet dhe shpalli
vendimet e tij, një Komitet Ekzekutiv Shqiptar me qendër
në Bukuresht, që ishte në dijeni të punimeve
të Kuvendit të Pejës e bashkëpunonte me
organizatorët e tij, botoi në gjuhën turke
thirrjen Rruga e shpëtimit është në
Besa-Besën!. Thirrja ishte hartuar nga Dervish
Hima. Titulli i thirrjes, koha kur u publikua dhe përmbajtja
e saj dëshmojnë se ajo ishte hartuar posaçërisht
për Kuvendin e Pejës dhe përbënte në
vetvete një dokument programatik të Lidhjes së
re.
Ideja qendrore që zotëron në këtë
dokument është ajo e bashkimit të të gjithë
shqiptarëve, gegë e toskë, myslimanë e
të krishterë, nën drejtimin e Lidhjes ose të
Besa-Besës. Ajo që do ta shpëtojë
kombin dhe atdheun tonë, - thuhet në thirrje, -
është bashkimi, një Besëlidhje e përgjithshme,
një Besa-Besë. Shtrohej si kërkesë
kryesore shtrirja e Lidhjes në vilajetet e Shkodrës,
të Kosovës, të Manastirit e të Janinës,
të cilët formojnë vendin që quhet
Shqipëri, kërkohej bashkimi i tyre nën
drejtimin e Lidhjes, thirrja e një Kuvendi të Përgjithshëm
ose e një Pleqësie, që do të miratonte
një statut (rregullore) a një kushtetute të
veçantë për administrimin e vilajeteve të
bashkuara. Zbatimi i këtyre kërkesave do të
çonte në formimin e një njësie të
vetme territoriale-administrative shqiptare, të qeverisur
nga vetë shqiptarët, ndërsa Lidhja do të
kthehej në një organizatë të përgjithshme,
e veshur me atribute shtetërore. Ndër masat më
të para dhe më të domosdoshme për kombin,
që duhej të përmbushte Lidhja Shqiptare, ishte
edhe hapja e shkollave shqipe dhe mbyllja e shkollave të
huaja, që qenë shndërruar në fole
intrigash, formimi i ushtrisë shqiptare ose i një
garde kombëtare, pajtimi i gjaqeve, zhvillimi i bujqësisë,
i transportit etj.
Zbatimi nga Lidhja i kërkesave të tilla do të
çonte dora-dorës në përmbushjen e programit
themelor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në
ruajtjen e tërësisë së territoreve shqiptare
dhe në bashkimin e tyre në një shtet autonom.
Megjithëse Kuvendi i Pejës i kaloi caqet e lejuara
(shfaqi synimet e shqiptarëve për vetëqeverisjen
e vendit), Porta e Lartë në ditët e para pas
formimit të Lidhjes nuk guxoi të dilte haptazi kundër
saj dhe nuk mori masa të menjëhershme ushtarake
për shtypjen e saj. Ky qëndrim diktohej, padyshim,
nga interesimi i Stambollit për mobilizimin e forcave
ushtarake shqiptare në luftën kundër rrezikut
të një sulmi nga jashtë mbi Turqinë Evropiane.
Porta ishte e detyruar të vepronte përkohësisht
kështu edhe për shkak se nuk ishte në gjendje
ta shtypte menjëherë Lidhjen që mbështetej
te shqiptarët e armatosur.
Por pak ditë pas mbledhjes së Pejës, me shtrirjen
e komiteteve të saj në qytete të tjera dhe
me zgjerimin e me thellimin e veprimtarisë së tyre
kombëtare, kontradiktat e Portës së Lartë
me shqiptarët u acaruan dhe ajo ndryshoi qëndrimin
ndaj Lidhjes. Duke qenë edhe nën trysninë e
Rusisë e të Austro-Hungarisë, që shikonin
te lëvizja shqiptare një rrezik për prishjen
e status quo-së në Ballkan, qeveria e sulltanit
nxori një varg urdhëresash për ti çarmatosur
shqiptarët dhe për të asgjësuar Lidhjen.
Qysh në shkurt të vitit 1899, sulltani urdhëroi
valinjtë e Shkodrës e të Kosovës, që
të mos lejonin në të ardhmen asnjë mbledhje
të shqiptarëve dhe të ndalonin çdo orvatje
të Lidhjes për të organizuar kuvendet e saj.
Në fazën e parë sulltani, për të
paralizuar Lidhjen, në vend të forcës ushtarake
përdori politikën e përçarjes, duke
nxitur kundër saj disa nga përfaqësuesit e
parisë konservatore me prirje turkomane. Porta u mbështet
sidomos te Riza bej Kryeziu, i cili që në fillim
i ishte kundërvënë Lidhjes. Por qëndresa
e shqiptarëve bëri që të dështonin
këto orvatje të para të Portës së
Lartë.
Shtrirja e Lidhjes në viset e tjera të Shqipërisë
(shkurt-qershor 1899)
Në përputhje me vendimet e Kuvendit të Pejës,
Haxhi Zeka dhe atdhetarët e tjerë, menjëherë
pas përfundimit të tij, iu vunë punës
për të ngritur organet e Lidhjes në të
katër vilajetet shqiptare.
Më 27 shkurt 1899 u mbajt në Prizren, në lokalitetin
Zojzë (Suharekë), një tubim i gjerë, ku
morën pjesë rreth 2 000 veta, qytetarë e fshatarë
të atij sanxhaku. Këtu u shpall bashkimi i popullsisë
së sanxhakut të Prizrenit me Lidhjen, u miratua
Rezoluta e Kuvendit të Pejës dhe u vendos Besa ndërmjet
shqiptarëve deri në nëntor 1899. Në këtë
tubim u zgjodh Komiteti i Lidhjes për sanxhakun e Prizrenit,
i kryesuar nga Myderiz Halim Efendiu, i cili njihej si përfaqësues
i krahut radikal të lëvizjes shqiptare dhe u kërkua
që të thirrej një kuvend i përgjithshëm
shqiptar. Në fillim të marsit morën pjesë
në tubimin e Prizrenit edhe përfaqësuesit e
popullsisë së kazasë së Lumës, që
u bashkuan me Lidhjen Shqiptare të Pejës. Më
9 mars vendimet e këtij tubimi u shpallën publikisht
dhe iu bënë të ditura edhe popullsisë
katolike të këtij sanxhaku, që u ftua të
merrte pjesë në Lidhje.
Me Lidhjen Shqiptare të Pejës u bashkua gjithashtu
popullsia e vilajetit të Shkodrës. Kjo u arrit pasi
forcat atdhetare të lëvizjes kombëtare në
Shkodër sprapsën kundërshtimin e krerëve
turkomanë, që nuk e përkrahnin Lidhjen. Kuvendi
i Shkodrës i filloi punimet në mesin e shkurtit
dhe i vazhdoi deri në fillim të marsit. Këtu
morën pjesë përfaqësues të popullsisë
së këtij sanxhaku dhe të krahinës përreth,
të Malësisë, madje edhe nga krahinat që
i ishin shkëputur Shqipërisë, nga Ulqini, nga
Podgorica, nga Shpuza etj. Në Kuvend ishin të pranishëm
përfaqësues të tillë të krahut autonomist,
si Dedë Gjo Luli, Isuf Tabaku, Selim Çoba, Mehmet
Beci, Haxhi Alush Dibra, Haxhi Haki Lohja, Halil Mandiqi,
Shaqir Shabani, Hysen Dragusha etj., disa prej të cilëve
kishin qenë veprimtarë të Lidhjes Shqiptare
të Prizrenit, si edhe përfaqësues të grupit
konservator prosulltanist, si Bektash agë Kazazi, kryetar
i bashkisë së qytetit dhe disa bajraktarë të
tjerë.
Kuvendi i Shkodrës përfundoi më 5 mars, kur
pas tri javë diskutimesh u miratua Vendimi (Rezoluta)
prej 7 pikash, në të cilin, në emër të
banorëve myslimanë e të krishterë të
vilajetit të Shkodrës, u shpall bashkimi i popullsisë
së kësaj province me Lidhjen Shqiptare të Pejës
të udhëhequr nga Haxhi Zeka dhe u zgjodh Komiteti
i Lidhjes për Shkodrën. Me vendimet e Kuvendit u
bashkua edhe popullsia katolike e ortodokse e Shkodrës,
përfaqësuesit e së cilës, së bashku
me ata të popullsisë myslimane, nënshkruan
më 6 mars, në emër të të gjithë
banorëve të vilajetit të Shkodrës, Rezolutën
prej 7 pikash, të hartuar në gjuhën shqipe.
Ndikimi i Lidhjes u përhap gjithashtu në Shqipërinë
e Mesme dhe në radhë të parë në sanxhakun
e Dibrës të vilajetit të Manastirit. Pa marrë
parasysh urdhëresat e valiut të Manastirit, Abdyl
Kerim pashës, për të ndaluar mbledhjen e Lidhjes
në këtë sanxhak, atdhetarët dibranë
thirrën Kuvendin e tyre. Punimet e Kuvendit të Dibrës
u çelën me mitingun e madh e të hapur, që
u mblodh më 27 shkurt 1899 në një nga sheshet
jashtë qytetit dhe në të cilin morën pjesë
përfaqësues të popullsisë së Dibrës
së Sipërme e të Poshtme, së bashku me
malësitë përkatëse (Gryka, Reka, Mati,
Golloborda, Klenja, Vleshta, Dardha, Lura etj.).
Më 28 shkurt Kuvendi i Dibrës i vijoi punimet në
mbledhje të fshehta, në të cilat, megjithatë,
pati një pjesëmarrje të gjerë. Vetëm
nga sanxhaku i Dibrës erdhën 31 delegatë. Kuvendi
i kaloi caqet lokale, u kthye në një tubim të
përgjithshëm shqiptar, ku morën pjesë
delegatë edhe nga viset e tjera të Shqipërisë
së Veriut e të Mesme, nga Shkodra, nga Tirana e
nga Elbasani. Kuvendi u përshëndet edhe nga qytete
të tjera të vendit. Në këtë Kuvend
u miratua formimi i Lidhjes, u shpall bashkimi i popullsisë
së sanxhakut të Dibrës me Lidhjen Shqiptare
të Pejës dhe u miratua Rezoluta prej 22 pikash,
që u publikua në mitingun e dytë të madh
(mbajtur më 16 mars), me të cilin u mbyllën
punimet e tij. Në Rezolutë u konfirmua bashkimi
i popullsisë së këtij sanxhaku me Lidhjen Shqiptare
të Pejës, u shpall ndalimi i armiqësive, i
gjakmarrjeve dhe i grindjeve që pengonin unitetin e shqiptarëve,
si edhe i çdo dhune dhe arbitrariteti mbi banorët
myslimanë e të krishterë. U shpreh gjithashtu
gatishmëria për të grumbulluar forcat ushtarake
vullnetare shqiptare, të cilat, ashtu si në Pejë,
do të përdoreshin vetëm për të mbrojtur
kufijtë e Shqipërisë nga një sulm i mundshëm
sllavo-rus. Për këtë qëllim u vunë
në dispozicion të Lidhjes 15 mijë vullnetarë.
Kuvendi zgjodhi Komitetin e Lidhjes për sanxhakun e Dibrës
me 18 anëtarë, midis të cilëve ishin Selim
Rusi, Shaqir Jegeni, Nuredin (Nurçe) Pustina, Shaqir
Daci, Beqir Tërshana, Kurtish Aga, Xhafer Noka, Hasan
Zajmi, Bajram Markja, Shaban Dema, Hasan Kaloshi, Memo Alia,
Shaqir Pilko, Alush Pustina, Mustafa Gryksahija, Haxhi Ibrahim
Atila etj.
Komiteti e vijoi veprimtarinë e tij edhe pas mbylljes
së Kuvendit, për aq kohë sa jetoi edhe Lidhja,
deri në fundin e vitit 1900. Në përputhje me
klauzolat e Rezolutës së Kuvendit, Komiteti veproi
krahas qeverisë dhe përqendroi dora-dorës kompetenca
të tilla të organeve shtetërore, ushtarake
e civile, si organizimi i mbrojtjes së atdheut, mbajtja
e rendit dhe e qetësisë publike, funksionet gjyqësore,
fiskale etj. Komiteti punoi gjithashtu për përhapjen
e mësimit shqip dhe për lëvrimin e gjuhës
shqipe, për çeljen e shkollave, në të
cilat mësimi të zhvillohej në gjuhën amtare
shqipe. Për këto qëllime, si edhe për
të ndihmuar shkrimtarët atdhetarë, u themelua
një Arkë Kombëtare ose një fond financiar
i veçantë.
Kuvendi i Dibrës dhe Komiteti që doli prej tij miratuan
gjithashtu thirrjen e kryetarit të Lidhjes, Haxhi Zekës,
për organizimin e një kuvendi të madh kombëtar
dhe zgjodhi delegatët e këtij sanxhakut.
Vendimet e Kuvendit të Dibrës u miratuan edhe nga
popullsia e Elbasanit, e Tiranës, e Beratit, e Starovës,
e Korçës, e Ohrit, e Manastirit, e Kërçovës,
e Përlepit etj., që shprehu gatishmërinë
për tu bashkuar me Lidhjen Shqiptare. Në mars
të vitit 1899, me gjithë pengesat e kajmekamit,
në Ohër u mbajt mbledhja e fshehtë e përfaqësuesve
të popullsisë së kësaj kazaje, në
të cilën u miratua vendimi i Kuvendit të Dibrës
dhe u shpall bashkimi me Lidhjen Shqiptare. Po në mars,
me nismën e Hasan Blloshmit nga Bërzeshta, të
Iljaz Kokodeshit e të Hajdar Kokodeshit, u mbajt mbledhja
e përfaqësueve të popullsisë së kazasë
së Starovës e të Pogradecit, që miratoi
Rezolutën e Kuvendit të Dibrës dhe shpalli
bashkimin me Lidhjen.
Në fillim të majit pushteti i Lidhjes u shtri edhe
në sanxhakun e Elbasanit, ku ishin përhapur gjerësisht
idetë kombëtare. Popullsia e këtij qyteti miratoi
Rezolutën e Dibrës dhe shpalli Besën e bashkimin
me Lidhjen Shqiptare. Në pranverën e vitit 1899
u bashkua me Lidhjen popullsia e Shpatit të Elbasanit,
e cila ishte dalluar për atdhetarizmin e saj dhe kishte
kërkuar në mënyrë të vazhdueshme
hapjen e shkollave shqipe në këtë krahinë.
Menjëherë pas kësaj Porta e Lartë shtypi
me egërsi lëvizjen shqiptare në këtë
zonë, arrestoi drejtuesit e saj, Mehmet Merxhanin, Omer
Gaxhon, Tom Topuzin e Braho Kadinë. Më 18 qershor
popullsia e Çermenikës shpalli gjithashtu bashkimin
me Lidhjen Shqiptare e miratoi vendimet e saj dhe ato të
Kuvendit të Dibrës. Hynë në Lidhje edhe
krahina e Babjes, e Mokrës së Sipërme dhe gjithë
nahija e Qukësit, që formuan një Komitet, me
qendër në katundin Bërzeshtë.
Me shtrirjen e pushtetit të Lidhjes në krahinat
e ndryshme të vendit, ajo filloi të shndërrohet
në një organizatë mbarëshqiptare. Duke
bërë fjalë për këto arritje, Sami
Frashëri shkruante në mars të vitit 1899: Lidhja
po bëhet në Shqipëri, Besa po forcohet, bashkimi
po zgjerohet. Nga një çipi Shqipërisë
u zu Lidhja edhe ditë më ditë po përhapet
nëpër tërë Shqipërit.
Qëndrimi i mendimtarëve rilindës ndaj Lidhjes
Shqiptare
Qysh në formimin e saj Lidhja e Pejës pati përkrahjen
e rretheve patriotike shqiptare brenda e jashtë atdheut,
të cilat, nëpërmjet artikujve të botuar
në shtyp dhe thirrjeve drejtuar popullit, propagandonin
idenë e bashkimit të shqiptarëve nën drejtimin
e Lidhjes, nevojën e shtrirjes së veprimtarisë
së saj në të gjithë vendin dhe të
luftës për autonominë e Shqipërisë.
Në mars të vitit 1899, kur Lidhja vijonte të
shtrihej në qytete të tjera të Shqipërisë
dhe po përgatitej një kuvend i përgjithshëm
i saj, u botua në Bukuresht nga Shoqëria Dituria,
pa emrin e autorit, vepra e Sami Frashërit Shqipëria
çka qënë, çështë
e çdo të bëhetë?
Në këtë vepër Sami Frashëri përcaktoi
rrugën që duhej të ndiqte Lidhja e Pejës
dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare në tërësi,
në luftën kundër zgjedhës osmane. Samiu
e quante formimin e Lidhjes një ngjarje të rëndësishme
në lëvizjen kombëtare dhe shprehte besimin
e shpresën se Lidhja do të arrinte bashkimin e çlirimin
e popullit shqiptar nga zgjedha osmane dhe do të garantonte
tërësinë e trojeve shqiptare. Kjo Lidhje,
kjo mbledhje e kjo Besë që po bëhet sot në
Shqipëri, - shkruante ai, - do të jenë krej
i shpëtimit të Shqipërisë.... Samiu
argumentonte domosdoshmërinë e shtrirjes së
Lidhjes në mbarë Shqipërinë dhe të
bashkimit nën drejtimin e saj të të gjithë
shqiptarëve, myslimanë, ortodoksë e katolikë.
Më parë se çdo gjë, - theksonte
ai, - shqiptarët duhet të lidhin një Besë
të madhe e të përgjithshme në mes tyre
e të bëjnë një lidhje e një bashkim,
që të pushtojnë të tërë Shqipërinë.
Sami Frashëri kërkonte nga atdhetarët shqiptarë
që ta shndërronin Lidhjen në një qeveri
shqiptare, në një organ të përhershëm
shtetëror, që të jetë gjithnjë
e kudo sa tu jepen shqiptarëve ato që duan
dhe të shpëtonjë Shqipëria nga rreziku,
të qëndronjë e të mbanjë vent
qeverie në Shqipëri se qeveri e turqve sështë
një qeveri për ndërtime, po për prishje;
prandaj Lidhja e shqiptarëve të zërë
vendin e saj dhe të plotësojë vetë
ose të detyrojë me forcë qeverinë turke
të plotësojë kërkesat e lëvizjes
shqiptare.
Samiu përcaktoi edhe strukturën organizative të
Lidhjes së re Shqiptare: në çdo sanxhak do
të ngrihej një këshill i përhershëm,
që do të përbënte organin lokal të
Lidhjes, ndërsa në kryeqendrën e saj do të
vendosej këshilli i përgjithshëm, që do
të mblidhej një herë në vit ose kur të
lindte nevoja. Ky do të ishte organi qendror legjislativ
i Lidhjes Shqiptare dhe do të nxirrte nga gjiri i tij
këshillin e përhershëm, i cili do të luante
rolin e organit më të lartë ekzekutiv të
Lidhjes, të një qeverie shqiptare.
Në veprën Shqipëria çka
qënë, çështë e çdo
të bëhetë? ideologu i shquar i Rilindjes
nuk u kufizua vetëm me mendimet që parashtroi për
Lidhjen, por përpunoi më tej programin e tërë
Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në themel të
të cilit vendosi formimin e një shteti kombëtar
autonom shqiptar që në kushte më të favorshme
do të shndërrohej në një shtet të
pavarur.
Vepra Shqipëria çka qënë,
çështë e çdo të bëhetë?
pati ndikim të madh në veprimtarinë e Lidhjes
Shqiptare të Pejës dhe në Lëvizjen Kombëtare
Shqiptare; ajo mbeti një nga dokumentet kryesore programatike
të kësaj lëvizjeje.
Një muaj pas botimit të veprës së Samiut,
në prill të vitit 1899, u publikua në Bukuresht,
në formë broshure në gjuhën turke, në
emër të një Komiteti a Shoqërie Shqiptare
thirrja Të zgjohemi! (Ujanallëm!).
Ky Komitet, i përbërë nga Dervish Hima, Ibrahim
Temo, Mehmet Frashëri, Pandeli Evangjeli, Dhimitër
Ilo Unezi etj., vepronte pranë Shoqërisë së
Bukureshtit. Thirrja Të zgjohemi!, po ashtu
si dokumenti tjetër Rruga e shpëtimit është
në Besa-Besën!, që u përfshi edhe
në këtë broshurë, është hartuar
nga Dervish Hima.
Ideja qendrore që përshkon thirrjen Të
zgjohemi! është ajo e bashkimit të të
gjithë shqiptarëve në Besa-Besën, në
Lidhjen e Pejës. Bashkimi dhe drejtësia, -
thuhej në këtë dokument, - mbajnë në
këmbë një komb. Uniteti i mendimit dhe i veprimit
përbën një nga kushtet më të rëndësishme
për të siguruar lumturinë e një kombi.
Grisheshin gjithë shqiptarët, myslimanë e të
krishterë, gegë e toskë, që jetonin në
vilajetet e Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit
e të Janinës që të jepnin Besa-Besën,
të linin mënjanë përçarjet e dasitë
fetare dhe të bashkoheshin nën udhëheqjen e
Lidhjes për mbrojtjen dhe për çlirimin e
atdheut. Vetëm të bashkuar në Lidhjen që
sapo ishte formuar, theksonin autorët e thirrjes, shqiptarët
do tu bëjnë ballë sunduesve osmanë
(që cilësoheshin si armiq të brendshëm)
dhe lakmive pushtuese të armiqve të jashtëm,
të shteteve fqinje. Bashkimin atdhetarët rilindës
e shikonin gjithashtu si një mjet për afirmimin
e shqiptarëve si komb në Ballkan e në Evropë.
Po të bashkohemi, - thuhej në këtë
dokument, - edhe Evropa do të bindet se ne meritojmë
të kemi vendin tonë si komb i lirë në
gadishullin e Ballkanit.
Në këtë dokument atdhetarët shqiptarë
e orientonin Lidhjen e Pejës drejt luftës për
të drejtat kombëtare të popullit shqiptar,
u bënin thirrje udhëheqësve të saj të
kërkonin nga qeveria e sulltanit dhe nga shtetet evropiane
zbatimin e programit të përgjithshëm të
lëvizjes shqiptare: ndryshimin e sistemit ekzistues të
qeverisjes së Shqipërisë; vendosjen e një
regjimi kushtetues, në të cilin pushtetin legjislativ
do ta kishte një këshill i pleqve që do të
vihej në krye të vendit, ndërsa pushtetin ekzekutiv
një guvernator i zgjedhur nga ky këshill; guvernatori
(valiu) do të vihej në krye të katër vilajeteve
të bashkuara, të cilat do të përfshiheshin
në kufijtë e Shqipërisë; emërimin
në Shqipëri vetëm të nëpunësve
shqiptarë, të krishterë e myslimanë; barazinë
për të gjithë shqiptarët pa dallim feje;
hapjen në çdo qytet të Shqipërisë
të shkollave shqipe; vendosjen e shërbimit të
detyrueshëm ushtarak, që do të kryhej vetëm
në Shqipëri; përdorimin e të ardhurave
të përgjithshme për përparimin e Shqipërisë;
amnisti për të gjithë shqiptarët e burgosur
dhe të internuar etj.
Përmbushja e këtyre kërkesave do të çonte
në formimin e një shteti autonom e kombëtar
shqiptar, i cili, ndonëse do të mbetej ende nën
sovranitetin e sulltanit, do të kishte kufijtë e
tij të përcaktur qartë dhe një regjim
demokratik, të mbështetur në traditat shtetërore
të shqiptarëve dhe në parimet më të
përparuara të kohës.
Veprimtaria e Lidhjes Shqiptare të Pejës u përkrah
gjithashtu nga organet e shtypit atdhetar shqiptar, si Albania
(Bruksel-Londër, 1897-1909), Kalendari Kombiar
(Sofje, 1897-1912), La Nazione Albanese (Kombi
Shqiptar, Kantazaro-Pallagorio, 1897-1912 e në
vazhdim) etj., botuesit e të cilëve i bënë
të njohur opinionit evropian programin e saj kombëtar.
Përpjekjet për thirrjen e një kuvendi të
përgjithshëm shqiptar (prill-qershor 1899)
Vendimi për thirrjen e një Kuvendi të Përgjithshëm,
që u mor menjëherë pas themelimit të Lidhjes,
gjeti përkrahjen e plotë të komiteteve që
u formuan më pas në qytetet e ndryshme të vendit.
Duke qenë i vendosur për të bashkuar në
Lidhje gjithë shqiptarët, myslimanë e të
krishterë, Haxhi Zeka theksonte, në ftesat që
u shpërndau drejtuesve të komiteteve të saj
dhe atdhetarëve të tjerë, se në Kuvendin
që do të thirrej ishte e domosdoshme të merrnin
pjesë edhe përfaqësuesit e popullsisë
katolike e ortodokse.
Nisma për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm
u miratua nga popullsia e Shkodrës dhe e rretheve të
saj, nga popullsia e Mirditës, e Pukës, e Prizrenit
dhe e gjithë qyteteve të Kosovës, e sanxhakut
të Dibrës, e Ohrit, e Starovës, e Elbasanit,
e Tiranës, e Durrësit, e Beratit, e Vlorës
etj. Në shumë nga këto qendra u zgjodhën
edhe delegatët për në Kuvend. Një veprimtari
e dendur politike dhe organizative për mbledhjen e tij
u zhvillua në sanxhakun e Dibrës, ku punonte një
grup i tërë atdhetarësh, si Selim Rusi, Halit
Bërzeshta, Kadri Fishta (Dibra), Fehim Zavalani etj.
Duke përgatitur Kuvendin e Përgjithshëm, Haxhi
Zeka dhe pasuesit e tij synonin që nëpërmjet
tij të forconin Lidhjen e Pejës dhe ta shtrinin
atë në tërë Shqipërinë. Gjatë
ditëve të përgatitjes së kësaj mbledhjeje
të përgjithshme u përpunua më tej edhe
programi kombëtar i Lidhjes së Pejës. Qysh
në prill-maj të vitit 1899 atdhetarët shqiptarë
u morën vesh që në Kuvendin e Përgjithshëm,
përveç vendimit për zgjatjen pa afat të
Lidhjes Shqiptare, të miratonin edhe kërkesën
për të futur shkallë-shkallë gjuhën
shqipe në të gjitha shkollat e vendit, për
të themeluar shkolla kombëtare dhe për të
emëruar nëpunës shqiptarë në të
gjitha viset me popullsi shqiptare. Haxhi Zeka e përfaqësuesit
më të përparuar të forcave atdhetare shqiptare
vendosën gjithashtu të shtronin për miratim
në këtë mbledhje bashkimin e katër vilajeteve
shqiptare në një njësi të vetme administrative,
që do të përbënte hapin e parë drejt
autonomisë së Shqipërisë.
Ishte parashikuar që Kuvendi i Përgjithshëm
ti përmblidhte të gjitha këto kërkesa
kombëtare në një memorandum të përbashkët,
të cilin do tua paraqiste, në formën
e një ultimatumi, sulltanit dhe Fuqive të Mëdha.
Por këto përpjekje të Haxhi Zekës dhe
të atdhetarëve të tjerë shqiptarë
ndeshën në kundërshtimin e hapur të qeverisë
së sulltanit. E shqetësuar përpara zgjerimit
e thellimit të veprimtarisë së Lidhjes së
Pejës, me një urdhëresë të veçantë
që iu dërgua guvernatorëve të të
katër vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës,
të Manastirit e të Janinës, Porta e Lartë
ndaloi thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm
të shqiptarëve, që ishte caktuar të mbahej
në fund të majit të vitit 1899.
Në këtë kohë u përmirësua disi
edhe pozita ndërkombëtare e Perandorisë Osmane.
Konferenca e Hagës e Fuqive të Mëdha për
çarmatimin dhe paqen, që u mblodh në
maj të vitit 1899, tregoi se këto fuqi nuk kishin
ndërmend të ndërhynin në atë kohë
për ta detyruar Turqinë të bënte reforma
në Maqedoni.
Në kushte të tilla Porta e Lartë përqendroi
gjithë vëmendjen në shtypjen e lëvizjes
shqiptare që vazhdonte ende. Në maj të vitit
1899 në mjaft vise të Shqipërisë, si në
Shkodër, në Gjakovë, në Mitrovicë,
në Prishtinë, në Tetovë dhe në sanxhakun
e Dibrës kishin shpërthyer përleshje të
armatosura të popullsisë kundër masave ndëshkimore
të ushtrisë osmane. Luftime të ashpra u zhvilluan
në Glivicë, afër Prishtinës, ku kryengritësit
zunë e mbajtën për disa ditë përfaqësuesit
e pushtetit lokal. Po në muajin maj mijëra kryengritës
të sanxhakut të Tetovës, qytetarë e fshatarë,
u grumbulluan në një fshat afër Shkupit, ku
krahas protestave kundër arbitraritetit të çifligarëve
vendas, shtruan edhe kërkesën për të mbledhur
Kuvendin e Përgjithshëm të Lidhjes.
Përpjekjet për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm
u përkrahën edhe nga atdhetarët e kolonisë
së Bukureshtit. Më 9 gusht u shpall në emër
të komitetit Bashkimi Shqiptar, i përbërë
nga doktor Ibrahim Temoja, Dervish Hima e Jorgji Meksi dhe
i kryesuar nga Mehmet Frashëri, vëllai i Abdylit,
i Naimit e i Samiut, manifesti Kërkimet e shqiptarëve,
në të cilin u bëhej thirrje gjithë shqiptarëve,
që nën drejtimin e komiteteve të Lidhjes të
mblidhnin në Prizren Kuvendin e Përgjithshëm
të saj, i cili do të kërkonte nga Porta e lartë
dhe nga Fuqitë e Mëdha autonominë e Shqipërisë.
Kur qeveria osmane filloi të përdorte dhunën
për të ndaluar mbledhjen brenda në Shqipëri
të Kuvendit të përgjithshëm, Komiteti
Shqiptar i Bukureshtit vendosi që të mbahej në
këtë qytet, më 27 shtator 1899, një Kongres
i Përgjithshëm shqiptar, ku të merrnin pjesë
përfaqësues nga popullsitë shqiptare brenda
vendit dhe nga kolonitë e mërgimit. Kongresi do
ti paraqiste Portës së Lartë e Fuqive
të Mëdha kërkesën për formimin e
një shteti autonom shqiptar, nën sovranitetin e
sulltanit, me asamblenë e vet kombëtare, me një
guvernator të përgjithshëm, të caktuar
nga Shtetet e Mëdha dhe të miratuar nga sulltani.
Por edhe kjo nismë, për shkak të ndalesave
që qeveria rumune nxori nën presionin e Stambollit,
nuk pati sukses.
Lufta e Lidhjes kundër administratës osmane dhe
shtypja e saj (tetor 1899 - dhjetor 1900)
Në vjeshtën e vitit 1899 lëvizja kombëtare,
e udhëhequr nga Lidhja Shqiptare e Pejës, hyri në
një fazë të re, filloi lufta kundër administratës
osmane në tërësi për të vendosur
një administratë shqiptare. Kjo luftë u gërshetua
me qëndresën e armatosur të masave kundër
përpjekjeve të Portës së Lartë për
të shpërndarë komitetet e Lidhjes dhe për
të rivendosur autoritetin e organeve shtetërore
osmane në viset ku qeveriste Lidhja.
Sado që kjo qëndresë nuk u shtri në mbarë
Shqipërinë, ajo ishte një përpjekje për
të përmbushur programin e Lidhjes dhe të lëvizjes
kombëtare në tërësi, për formimin
e një Shqipërie autonome.
Vatër kryesore e kësaj lëvizjeje u bë
sanxhaku i Dibrës. Në shtator të vitit 1899
Porta e Lartë ndërmori këtu një varg masash,
siç ishte rivendosja e gjykatave osmane, të suprimuara
nga Lidhja etj., që kishin për qëllim të
zhvishnin Komitetin e Dibrës nga kompetencat shtetërore
dhe ta asgjësonin atë përfundimisht. Këto
masa shtypëse të qeverisë u bënë
shkak për shpërthimin e kryengritjes popullore,
të udhëhequr nga Komiteti i Lidhjes për Dibrën.
Më 17 tetor mijëra malësorë zbritën
nga fshatrat dhe u bashkuan me popullsinë qytetare të
Dibrës e të qendrave të tjera të këtij
sanxhaku. Kryengritësit dëbuan nëpunësit
osmanë, izoluan mytesarifin dhe shtinë në dorë
postë-telegrafën. Përveç Selim Rusit,
Nurçe Pustinës dhe drejtuesve të tjerë
të Komitetit, me organizimin e qëndresës së
armatosur në këtë sanxhak merrej edhe Hamdi
Ohri, i cili sapo ishte liruar nga internimi pas kërkesës
këmbëngulëse të Lidhjes. Për katër
muaj me radhë, nga fundi i tetorit 1899 e deri në
janar 1900, pushteti faktik në sanxhakun e Dibrës
u përqendrua në duart e shqiptarëve, të
udhëhequr nga Komiteti i Lidhjes, ndërsa qeverisë
dhe autoriteteve lokale nuk u mbeti asnjë fuqi.
Më 6 nëntor, në emër të Komitetit
Arsimor Shqiptar të Dibrës, që vepronte si
organ i Lidhjes Shqiptare, iu dërgua sulltanit një
promemorje, në të cilën kërkohej të
themeloheshin shkolla shqipe në këtë sanxhak.
Promemorja qe nënshkruar nga Shyqri Çoku (nipi
i Iljaz pashë Dibrës), Hamdi Ohri dhe nga atdhetarë
të tjerë, gjithsej 31 veta.
Meqë edhe kjo kërkesë nuk u miratua nga qeveria,
më 8 dhjetor kryengritësit rifilluan veprimet e
tyre, sulmuan selitë e administratës lokale, dëbuan
ushtritë osmane nga qyteti ose e izoluan atë në
kazerma. Në Dibër u përqendruan edhe 1 500
shqiptarë të armatosur, që zbritën nga
Malësia e Dibrës së Poshtme, nga Mati, nga
Luma e nga Selishta.
Duke marrë zemër nga lëvizja kryengritëse
në Kosovë, që po në këtë kohë
përfshiu Prishtinën, Pejën, Gjakovën e
Drenicën, popullsia e Dibrës i zgjeroi veprimet
e saj. Në javën e parë të dhjetorit këtu
qenë grumbulluar 3 000-3 500 kryengritës, që
shtinë në dorë thuajse të gjitha lagjet
e qytetit. Sulltani u detyrua tu bënte lëshime
kryengritësve dibranë, të tërhiqte nëpunësit
e gjykatave osmane dhe të njihte pushtetin gjyqësor
të vendosur nga Lidhja, ndërsa në shkurt pushoi
edhe mytesarifin e sanxhakut të Dibrës.
Në një kohë me qëndresën kundërosmane
atdhetarët dibranë Selim Rusi, Hamdi Ohri, Halit
Bërzeshta etj., në bashkëpunim me Haxhi Zekën,
vijuan përpjekjet për të zgjatur afatin e Lidhjes,
për të forcuar pushtetin e saj në këtë
sanxhak dhe për të thirrur një Kuvend të
Përgjithshëm. Por, për shkak të ndjekjeve
të autoriteteve osmane, përpjekjet që u bënë
në nëntor të vitit 1899 për të mbajtur
një mbledhje të përgjithshme të Lidhjes
në sanxhakun e Dibrës nuk dhanë rezultat.
Më 16 shkurt, pa marrë ende fund kryengritja e Dibrës,
atdhetarët kosovarë, të drejtuar nga Idriz
Gjakova, një nga atdhetarët më me ndikim në
këtë trevë, organizuan një manifestim
të fuqishëm në Shkup, që u kthye në
një kryengritje të armatosur. Kryengritësit
kërkuan pushimin e valiut të Kosovës, Mehmet
Hafiz pashës, të kryetarit të bashkisë
dhe të funksionarëve të tjerë të
administratës osmane në Shkup. Atdhetarët shqiptarë
synonin ta kthenin Shkupin, kryeqendrën e vilajetit të
Kosovës, në vatër të Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare në tërësi dhe nëpërmjet
kryengritjes që organizuan në këtë qytet
të përmbushnin kërkesat autonomiste të
saj. Për këtë qëllim u formua edhe Komiteti
i Shkupit, që doli nga gjiri i kryengritjes dhe që
merrej me udhëheqjen e saj. Kryengritësit e Shkupit,
si edhe të viseve të tjera të Shqipërisë,
shtruan si kërkesë themelore autonominë e Shqipërisë
nën sovranitetin e sulltanit.
Në fillim të marsit në Shkup u mblodhën
2 000 shqiptarë të armatosur, që iu kundërvunë
ushtrive osmane, të cilat mbronin selitë e administratës
lokale. Me kryengritësit shqiptarë u bashkua edhe
popullsia sllavo-maqedone e Shkupit. Pushimi nga sulltani
më 13 mars të vitit 1900 i valiut të Kosovës,
Mehmet Hafiz pashës, ndonëse përbënte
një fitore të kryengritësve kosovarë,
nuk mund të sillte përmbushjen e programit kombëtar
të lëvizjes shqiptare.
Porta e Lartë, megjithëse kishte shpallur amnistinë,
arrestoi më 18 mars udhëheqësit e kryengritjes
së Shkupit, Idriz Gjakovën, Haxhi Raufin e të
tjerë, që u dërguan në Bitlis. Këto
masa u bënë shkak për një manifestim tjetër,
që u organizua më 20 mars, në të cilin
morën pjesë 3 000 veta; ata kërkuan lirimin
e menjëhershëm të Idriz Gjakovës dhe udhëheqësve
të tjerë të kryengritjes. Manifestimet që
shpërthyen në Shkup në mars të vitit 1900,
vijuan pa ndërprerje deri në vjeshtën e atij
viti.
Në ditët e fundit të shkurtit dhe në fillim
të marsit qëndresa kundër administratës
osmane u shtri në Mitrovicë e në krahinën
e Drenicës. Në krye të kësaj lëvizjeje
ishte vënë Komiteti i pajtimit, i Lidhjes Shqiptare
për Mitrovicën e për Drenicën. Po në
fundin e shkurtit dhe në fillim të marsit ndodhën
përleshje të armatosura në rrethet e Prishtinës,
ku qindra kryengritës, që kishin zbritur nga Çiçavica,
u përleshën në hyrje të qytetit me trupat
osmane. Populli kërkonte largimin e mytesarifit dhe të
funksionarëve të tjerë osmanë nga Prishtina.
Lëvizja përfshiu edhe sanxhakun e Prizrenit, ku
popullsia myslimane e katolike ngriti krye duke kërkuar
gjithashtu largimin e mytesarifit e të nëpunësve
të tjerë. Në Prizren u rimëkëmb Besa
dhe u vendos të mbahej një tubim i përgjithshëm
për të konsoliduar Lidhjen Shqiptare.
Masat shtypëse të Portës së Lartë
dhe futja e një shtese të re të taksave u bënë
shkak që të shpërthente (në mars të
vitit 1900) lëvizja kundërosmane në Mitrovicë,
në Senicë dhe në Pazarin e Ri, e cila vijoi
deri në verën e atij viti, kur mori formën
e një kryengritjeje të armatosur. Në korrik-gusht
shpërtheu kryengritja në Pejë e në Gjakovë,
që e detyroi qeverinë të pushonte mytesarifin
e sanxhakut të Pejës.
Në qershor Porta e Lartë hodhi ushtri të shumta,
të komanduara nga Shemsi Pasha, të cilat kaluan
përmes Shkupit në Mitrovicë dhe prej andej
në Pazar të Ri e në Senicë. Vetëm
në pjesën veriore të vilajetit të Kosovës
u përqendruan 14 batalione ushtarësh, 8 000 kalorës
e 36 topa, që shtypën me egërsi kryengritjen
në Senicë e në Pazarin e Ri. U arrestuan, u
burgosën dhe u internuan 573 udhëheqës e veprimtarë
të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në këtë
trevë. Masat shtypëse të Shemsi Pashës
shkaktuan zgjerimin e lëvizjes së armatosur në
Pazarin e Ri. Në peticionin që iu dërgua sulltanit,
në fundin e gushtit të vitit 1900, me nënshkrimet
e 2 000 kryengritësve të Pazarit të Ri, kërkohej
lirimi i të burgosurve politikë dhe largimi i funksionarëve
të administratës osmane.
Në verën e këtij viti shpërthyen konfliktet
e armatosura në kazanë e Gjilanit, në jug të
Prishtinës; u forcua qëndresa kundërosmane
në Shkup, në Ferizaj, në Mitrovicë, në
Mat, në Dibër e në vende të tjera të
vilajeteve të Kosovës e të Manastirit.
Në këto rrethana, sulltani u detyrua të largonte
nga vilajeti i Kosovës Shemsi Pashën, të pushonte
mytesarifin e Pazarit të Ri dhe të hiqte shtesën
e taksës në të gjithë sanxhakët e
Kosovës. Megjithatë, konfliktet e shqiptarëve
me autoritetet osmane në vilajetin e Kosovës vazhduan
deri në shtatorin e vitit 1900.
Në pranverën e vitit 1900, duke përfituar nga
gjendja e krijuar pas shpërthimit të kryengritjeve
në Dibër e në Kosovë, Haxhi Zeka bëri
një përpjekje të re për të mbledhur
një kuvend tjetër shqiptar, ku të kërkohej
autonomia e Shqipërisë. Për këtë,
qysh në mars të vitit 1900, ai shkoi në Dibër,
ku idetë e Lidhjes ishin ende të fuqishme. Në
bisedimet që u zhvilluan në Dibër u arrit në
përfundimin që Besa të vendosej për një
kohë të gjatë, të paktën për
një periudhë pesëvjeçare. Në fundin
e prillit Haxhi Zeka arriti të mbajë në Fushë-Kosovë,
afër Prishtinës mbledhjen e përfaqësuesve
të popullsisë së Prishtinës, të Pejës,
të Mitrovicës, të Shkupit, të Tetovës,
të Gjilanit, të Rozhajës, të Shkodrës,
të Hasit, të Gjakovës, të Dibrës,
të Senicës e të Pazarit të Ri. Këtu
u diskutuan çështjet që kishin të bënin
me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe u vendos të
thirrej Kuvendi i ri i Përgjithshëm, që do
të mbahej në Prizren ose në ndonjë qytet
tjetër.
Por edhe këtë herë atdhetarët shqiptarë
nuk mundën të mblidhnin Kuvendin e Përgjithshëm,
për shkak të pengesave që nxori valiu i Kosovës,
Reshat Pasha. Edhe sulltani, kur mësoi se Kuvendi do
të parashtronte kërkesa kombëtare, urdhëroi
valinjtë e Shqipërisë që të mos e
lejonin mbajtjen e tij. Po kështu dështuan edhe
përpjekjet, që atdhetarët dibranë bënë,
në muajt prill-qershor të vitit 1900, për të
përforcuar dhe për të zgjeruar Lidhjen Shqiptare.
Qeveria e sulltanit, e nxitur edhe nga Fuqitë e Mëdha,
të cilat qenë çliruar nga lëvizja maqedone,
që tanimë kishte rënë, kundërshtoi
çdo kërkesë të shqiptarëve dhe
kaloi në sulm të hapur kundër lëvizjes
kombëtare në Shqipëri. Në shtator të
vitit 1900 Porta e Lartë vetëm kundër vilajetit
të Kosovës hodhi 40 mijë ushtarë. Goditjen
kryesore Stambolli e drejtoi kundër qëndresës
popullore në Shkup, Tetovë, Dibër, Prishtinë,
Gjakovë, Mitrovicë e në qendra të tjera.
Për shtypjen e kryengritjes në Shkup u ngarkua komandanti
i sapoemëruar i xhandarmërisë së kryeqendrës
së vilajetit, Mehmet Pasha. Pas përleshjeve që
u bënë në Shkup më 15 shtator, komanda
e ushtrisë osmane arrestoi edhe 30 veprimtarë të
tjerë të lëvizjes shqiptare. Në nëntor
u arrestua një nga udhëheqësit e kryengritjes
së Shkupit, Haxhi Raufi, me 22 pasues të tij. Terrori
dhe arrestimet në Shkup vazhduan deri në fundin
e vitit 1900.
Nga Shkupi Mehmet pasha u drejtua për në Tetovë
dhe prej andej në Dibër, ku mori gjithashtu masa
të ashpra për shtypjen e qëndresës popullore
dhe për shpërndarjen e komiteteve të Lidhjes.
Për të shtypur kryengritjen në qytetet e Kosovës,
sulltani dërgoi përsëri Shemsi Pashën,
i cili në krye të ushtrive të shumta osmane,
gjatë muajve nëntor-dhjetor të vitit 1900,
goditi në fillim kryengritësit e Prizrenit dhe shpërndau
Komitetin e Lidhjes së këtij sanxhaku. Prej këtej
Shemsi Pasha u hodh në Prishtinë, në Pejë,
në Gjakovë, në Mitrovicë e në qendra
të tjera. Për të vendosur rendin dhe
qetësinë ai shtypi lëvizjen shqiptare
kudo ku shkeli.
Këto masa, krahas disa lëshimeve të pjesshme
që iu bënë kryengritësve dhe krahas dhuratave
e posteve që iu dhanë krerëve konservatorë
e turkomanë, përmirësuan përkohësisht
pozitat e Perandorisë Osmane në vilajetet e Kosovës
e të Manastirit.
Në këto kushte Lidhja e Lëvizja Kombëtare
Shqiptare në tërësi pësuan humbje të
rënda, që çuan në rënien e tyre
dhe të luftës për autonominë e Shqipërisë.
Në fundin e vitit 1900 Lidhja e Pejës u shtyp pa
arritur të përmbushte detyrat e Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare. Megjithatë, ajo la mbresa të thella në
ndërgjegjen e popullit dhe ushtroi një ndikim të
fuqishëm në organizimin e mëtejshëm të
luftës së armatosur kundër sunduesve osmanë.
3. PROGRAMI POLITIK I SAMI FRASHËRIT
DHE I ISMAIL QEMALIT
(1899-1900)
Sami Frashëri dhe Ismail Qemali, dy nga personalitetet
e shquara shqiptare, duke ecur në gjurmët e platformës
politike të përcaktuar nga Lidhja e Prizrenit (1878-1881),
i dhanë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në
kapërcyellin nga shek. XIX në shek. XX një
program të përparuar politik, që hapte perspektiva
për përmbushjen e objektivave të saj dhe për
zgjidhjen e çështjes shqiptare. Ata u bënë
kështu figurat qendrore të lëvizjes çlirimtare,
ndërsa pikëpamjet e tyre mbetën një pikë
referimi për lëvizjen kombëtare të asaj
periudhe.
Traktati politik i Sami Frashërit Shqipëria
çka qënë, çështë
e çdo të bëhetë? (1899)
Me veprën e tij Shqipëria çka
qënë, çështë e çdo
të bëhetë?, që u botua (nga Shoqëria
Dituria e Bukureshtit) pa emrin e autorit në
mars të vitit 1899, Sami Frashëri pasuroi më
tej mendimin politik të Rilindjes dhe ndikoi fuqishëm
për zhvillimin e lëvizjes kombëtare në
fundin e shek. XIX dhe në fillimin e shek. XX. Duke pasur
një përvojë të gjatë, si një
nga udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare, Samiu e shkroi këtë vepër
menjëherë pas Kuvendit të Lidhjes Shqiptare
të Pejës, që u mbajt në javën e fundit
të janarit të vitit 1899. Vepra zë një
vend të veçantë në krijimtarinë
e gjithanshme të autorit dhe përbën traktatin
më të rëndësishëm shqip me karakter
politik e shoqëror të Rilindjes Shqiptare.
Ndonëse e hartoi duke qenë i frymëzuar nga
Lidhja Shqiptare e Pejës (1899-1900) dhe me synimin që
ti jepte asaj një program të plotë politik
e kombëtar, Sami Frashëri i tejkaloi caqet e këtij
qëllimi dhe, me një qartësi të veçantë
e në mënyrë të gjithanshme, shtjelloi
në këtë vepër tërë programin
e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, zhvilloi më
tej mendimin politik e shoqëror shqiptar për çështjet
themelore të luftës për çlirimin kombëtar.
Kjo vepër është një përgjithësim
i përvojës së pasur politike të Samiut
dhe i të gjithë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare,
një program i luftës për çlirimin e
Shqipërisë dhe për organizimin e saj politiko-shtetëror
e ekonomik. Në të janë hedhur themelet e strategjisë
së lëvizjes kombëtare që përcaktohej
nga raporti i atëhershëm i forcave në Perandorinë
Osmane e në Evropë, si edhe të taktikës
e të rrugës që duhej ndjekur për të
siguruar formimin e një shteti të pavarur shqiptar.
Me veprën e tij Shqipëria çka
qënë, çështë e çdo
të bëhetë?, Sami Frashëri u bë
ideologu më i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare
dhe një nga figurat më të ndritura të
historisë së mendimit politik shqiptar.
Ai, si askush tjetër, përcaktoi me një kthjelltësi
të veçantë dhe në një mënyrë
të prerë, pa asnjë mëdyshje e lëkundje,
qëndrimin kundrejt Perandorisë Osmane, shtroi konceptet
dhe bindjet e tij për të tashmen e të ardhmen
e Shqipërisë. Pas një përshkimi të
shkurtër të historisë së lashtë e
mesjetare të Shqipërisë, me qëllim që
të ngjallte te bashkatdhetarët krenarinë kombëtare
për të kaluarën e tyre, Samiu trajtonte me
ngjyra të forta gjendjen e mjerueshme ku e kishte zhytur
Shqipërinë sundimi turk. Sot shqiptarët
janë robër, të poshtëruar e tunjurë,
të shkelur e të çpërndarë shumë
më tepër se të tjerët kombe.... Turqia,
- vazhdonte Samiu, - sot shqiptarë e mer ushtar, e mundon
e rreh që të mësonjë gjuhën e tij
... Shqiptarët janë futur në aq të rënda
pagesa, sa smundin të ngrenë krye..., janë
lakuriq me një këmishë, që ska ku
ta zerë qeni. Vete dhe zaptija e tahsildari e ngre shkopin
e i rreh duke thirrur: paguani! Samiu ngre zërin
kundër politikës antishqiptare dhe asimiluese të
pushtuesve osmanë. Në kohën kur ndihmon grekët,
serbët e bullgarët të çelin shkolla
të huaja në Shqipëri, vinte në dukje Samiu,
qeveria turke nuk le të hapet ndonjë shkollë
shqipe e të shkruhet ndonjë libër shqip.
Varfëria, paqeveria (administrimi i keq - shën.
i aut.), padituria, ishin, sipas Samiut, karakteristikat kryesore
të sundimit osman në Shqipëri.
Autori analizon në këtë vepër gjendjen
e brendshme të Shqipërisë në kuadrin e
Perandorisë Osmane dhe në atë ndërkombëtare,
që e trajton të lidhur me raportin e atëhershëm
të forcave në Ballkan e në Evropë. Kjo
analizë e çoi Sami Frashërin në përfundimin
e drejtë se armiku kryesor i popullit shqiptar ishte
Perandoria Osmane, që e mbante atë të robëruar
prej 500 vjetësh, në prapambetje të madhe ekonomike
e kulturore e që po e çonte tani drejt shkatërrimit;
pas saj vinin shtetet fqinje të Ballkanit, Greqia, Serbia
e Bullgaria, që përpiqeshin me anë të
kishës, të shkollës e të armëve ti
asimilonin shqiptarët dhe të copëtonin atdheun
e tyre. Ai theksonte gjithashtu se Perandoria Osmane, e kalbur
që nga themelet, nuk ishte në gjendje të përballonte
goditjet e shteteve ballkanike dhe të Fuqive të
Mëdha, se shkatërrimi i saj ishte i shpejtë
e i pashmangshëm, se sundimi i saj në Evropë
do të merrte fund.
Duke u mbështetur në këtë analizë,
Sami Frashëri argumentoi në mënyrë shkencore
domosdoshmërinë e shkëputjes së Shqipërisë
nga Turqia dhe të formimit të një shteti të
pavarur shqiptar si rrugë e vetme për shpëtimin
e kombit shqiptar e të Shqipërisë nga zgjedha
turke e nga copëtimi. Turqia në Evropë
jetën e ka fort të shkurtër, - shkruante Samiu,
- Shqipëria ska bërë themel as ka lëshuar
rrënjë në vetëhe; ron në themelet
e gremisurë të Turqisë e në rrënjët
e kalbura të saj. Me të rënët e kësaj
stihie të madhe (të Perandorisë Osmane - shën.
i aut.) do të bjerë edhe Shqipëria e do të
shtypetë nën gërmadhat e rënda të
saj....
Në qoftë se Shqipëria, arsyetonte ideologu
i madh, do të vazhdonte të mbetej nën Perandorinë
Osmane, e ndarë në katër vilajete të zakonshme,
pa asnjë të drejtë të veçantë
dhe në qoftë se shqiptarët do të vijojnë
të durojnë tiraninë turke, nuk do të ngrihen
për të kërkuar të drejtat e tyre kombëtare
dhe për tu çliruar nga robëria, ata
do të identifikoheshin me turqit. Në këtë
rast, kur Perandoria Osmane të shembej, Shqipëria
mund të trajtohej si një pjesë e trashëgimit
turk, si objekt për tu ndarë ndërmjet
monarkive dhe do të gremisej bashkë me këtë
Perandori. Prandaj, theksonte ai, është e domosdoshme
që gjithë shqiptarët të luftojnë
kundër sundimit osman, që Shqipëria të
shkëputej nga Perandoria Osmane, që të shpëtojë
nga shkatërrimi e nga katastrofa drejt së cilës
po shkon kjo Perandori. Shembja e saj duhet ta gjejë
Shqipërinë të organizuar në shtet më
vete me qeverinë e vet. Është detyrë e
parë që shqiptarët të kërkojnë
nga sulltani dhe nga shtetet evropiane që Shqipëria
të veçohej nga trungu turk, që një
orë e më parë të ndahetë Shqipëria
e të dihetë që ku e gjer ku është.
Të njihet vendi ynë për Shqipëri, ta njohë
Evropa për Shqipëri.
Megjithëse në tërë veprën e tij Sami
Frashëri argumentonte domosdoshmërinë e shkëputjes
së plotë të Shqipërisë nga Perandoria
Osmane, ai lejonte që për një kohë ajo
të kishte statusin e autonomisë brenda Perandorisë
Osmane. Kjo qeveri shqiptare, - shkruante ai, - të
jetë sot për sot nën Turqinë..., por me
një mënyrë që në rëntë
Turqia, të mundënjë Shqipëria sikundër
që është të qëndronjë më
vehte. Formimin në fazën e parë të
një shteti autonom shqiptar, të një qeverie
shqiptare nën sovranitetin e sulltanit, Samiu e argumentonte
me faktin se në shtresat e ndryshme të popullsisë
shqiptare ende nuk qe formuar bindja për nevojën
e shkëputjes së plotë të Shqipërisë
nga Perandoria Osmane. Sundimi pesëqindvjeçar
osman, feja e përbashkët (myslimane) e shumicës
së popullsisë shqiptare me turqit, përbashkësia
e interesave ekonomike të parisë shqiptare me sunduesit
osmanë dhe lidhjet e tjera të shumta tradicionale
të krijuara gjatë pesë shekujve ushtronin ndikimin
e vet te shqiptarët, duke errësuar ndërgjegjen
e tyre.
Por edhe në këtë rast Sami Frashëri u
mbeti besnik bindjeve të tij përparimtare dhe, duke
arsyetuar si iluminist e atdhetar i shquar, u përpoq
ti bindte shqiptarët se interesat e tyre si komb
i veçantë janë krejt të ndryshme nga
ato të turqve dhe se të ardhmen e Shqipërisë
duhet ta kërkonin jashtë Perandorisë Osmane.
Shqiptarët, theksonte ai, i dallonte nga turqit jo vetëm
identiteti i tyre krejt i veçantë kombëtar,
por edhe përkatësia e tyre në familjen evropiane,
fakti që ata ishin një popull evropian dhe qenë
formuar si të tillë gjatë historisë mijëravjeçare.
Samiu argumentonte gjithashtu nevojën e luftës me
armë për arritjen e qëllimeve kryesore të
Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, për çlirimin
e atdheut nga zgjedha turke. Duke iu drejtuar atyre krerëve
shqiptarë që shpresonin se Porta e Lartë do
tua jepte me hirin e vet reformat e premtuara,
ai shkruante: Turqia me dashuri e mirësi sjep
gjë kurrë. Do më mirë Turqia ta humbasë
Shqipërinë e ta ndajë në mes të armiqve
të saj sesa ti japë një qeveri të
urtë e të mirë, e cila të ndreqnjë
e të zbukuronjë e ta bënjë vend të
ndriturë si gjithë bota... Prandaj edhe shqiptarëve
me hir Turqia su ka për të dhënë
gjë. Shqiptarët duhet ti marrin ato që
duan me pahir: ti kërkojnë me fjalë,
po të kenë edhe pushkën plot; ata janë
të zotë ti ruajnë dhe ti kërkojnë
të drejtat e tyre edhe me armë në dorë.
Kur përzihet e drejta me fuqinë, - theksonte Samiu,
- merr një forcë të cilës gjë si
rri dot kundrejt.
Në veprën e vet Samiu parashtroi njëkohësisht
parimet themelore dhe strukturën organizative të
shtetit të ardhshëm shqiptar, një lloj projekti
të kushtetutës që, sipas tij, duhej të
kishte Shqipëria kur të bëhej shtet më
vete, i pavarur; kjo ide formulohej në mënyrë
të plotë për të parën herë në
historinë e mendimit politik shqiptar. Në këtë
projekt Samiu zhvilloi më tej mendimet e parashtruara
prej tij në Manifestin e Komitetit Shqiptar të Stambollit
të vitit 1897.
Sipas Sami Frashërit, Shqipëria si shtet më
vete duhej të ishte një republikë parlamentare
me organet e saj të veçanta. Pushteti ekzekutiv
do të ishte i ndarë nga ai legjislativ; të
parin do ta ushtronte qeveria e përbërë prej
shtatë ministrash, njëri prej të cilëve
do të ishte kryetar i Këshillit të Ministrave;
atë legjislativ do ta ushtronte Këshilli i Përgjithshëm
(parlamenti), i përbërë nga deputetët
që do të zgjidheshin një për çdo
20 mijë banorë.
Në krye të shtetit shqiptar do të qëndronte
Këshilli i Pleqësisë i përbërë
prej 15 vetash, të cilët do të zgjidhnin nga
gjiri i tyre një kryetar dhe një nënkryetar.
Ky organ, sipas mendimit të Samiut, do të ishte
si një lloj presidiumi i Këshillit të Përgjithshëm
dhe do të ngarkohej me detyrat që në shtetet
e tjera i kryente mbreti, princi ose presidenti i republikës.
Me vendim të Pleqësisë do të bëhej
edhe ndërrimi i qeverisë ose caktimi i qeverisë
së re dhe i kryetarit të saj. I tillë do të
ishte, sipas Samiut, organizimi i shtetit të pavarur
shqiptar.
Por sa kohë që Shqipëria do të ishte autonome
nën sovranitetin e Perandorisë Osmane, në krye
të qeverisë do të vihej një guvernator
ose, siç e quante Samiu, një qeveritar i përgjithshëm,
i cili do të emërohej nga sulltani për 5 vjet,
pasi të merrej pëlqimi nga Pleqësia e nga Këshilli
i Përgjithshëm. Në të dy rastet qeveria
do të ishte e detyruar të përgjigjej e të
jepte llogari përpara Pleqësisë dhe Këshillit
të Përgjithshëm; këta kishin të drejtë
të pranonin ose të rrëzonin ligjet e vendimet
e paraqitura prej saj. Kushtetuta e Samiut përshkohet
nga një frymë demokratike. Ajo ishte kushtetutë
e një regjimi demokratik- borgjez.
Idesë për shtetin shqiptar Samiu i jepte një
përmbajtje të përparuar edhe nga ana ekonomike
e shoqërore. Ai kërkonte që në Shqipërinë
e lirë të merreshin masa të shpejta me anë
investimesh të mëdha për të përmirësuar
gjendjen e vajtueshme ekonomike të vendit. Ai kërkonte
të ngrihej një industri kombëtare, të
mëkëmbej bujqësia e prapambetur, të pajisej
vendi me një rrjet të gjerë transporti, të
forcoheshin financat dhe të vendosej një sistem
arsimor mjaft i përhapur e i përparuar. Ai i kushtonte
arsimit një kujdes të veçantë, idetë
e tij për këtë çështje janë
thellësisht përparimtare. Samiu kërkonte një
arsim të përgjithshëm e të detyrueshëm
për të gjithë të rinjtë e të
rejat e vendit, të njëllojtë si për djemtë
edhe për vajzat, një arsim në gjuhën amtare
si për shqiptarët, ashtu edhe për pakicat kombëtare
që do të bënin pjesë në Shqipëri;
ai mendonte të themelohej një shkollë, që
të ishte laike, e shkëputur nga kisha e nga xhamia,
e varur krejtësisht nga shteti, një shkollë
që të ishte vatër diturie dhe atdhetarizmi,
që të bëhej bartëse e lulëzimit dhe
e qytetërimit të atdheut. Sistemi arsimor i rilindësit
të shquar parashikonte shkolla fillore, qytetëse,
gjimnaze, teknikume, universitete dhe institute të larta
për miniera, bujqësi, pyje, histori, gjeografi,
gjuhësi, akademi ushtarake e detare etj.
Vepra Shqipëria çka qënë,
çështë e çdo të bëhetë
la përshtypje të thellë në radhët
e atdhetarëve. Idetë e parashtruara nga Samiu në
këtë vepër për rrugët që duheshin
ndjekur për çlirimin e Shqipërisë u
përvetësuan dhe u përhapën nga veprimtarët
më të shquar të lëvizjes kombëtare
dhe nga shtypi shqiptar i kohës. Në saje të
punës së shoqërive shqiptare jashtë atdheut
vepra e Samiut u përhap thuajse në të gjitha
krahinat e vendit. Megjithëse u botua pa emër, shumë
shpejt u kuptua se autori i saj ishte Samiu. Si pasojë
kundër tij filloi persekutimi nga qeveria. Ai u urdhërua
nga policia e Stambollit të qëndronte i mbyllur
në shtëpinë e tij dhe të ndërpriste
çdo lidhje me shokët e miqtë e vet. Ky izolim,
që i ngjante një burgimi të vërtetë,
vijoi derisa rilindësi i madh vdiq më 18 qershor
1904.
Ismail Qemali dhe programi i tij i vitit 1900
Nga viti 1900 filloi të marrë pjesë gjallërisht
në jetën politike të Shqipërisë edhe
Ismail Qemali, që deri në atë kohë njihej
më shumë si një nga personalitetet e shquara
politike e shtetërore të Perandorisë Osmane.
Ai u lind në Vlorë më 24 janar 1844 në
familjen e Sinanajve, që njihej si pronare e madhe tokash
dhe për kontributin e saj në qëndresën
kundërosmane në vitet 20 të shek. XIX, sidomos
gjatë kryengritjes popullore të vitit 1847. Pasi
kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes dhe gjimnazin
Zosimea të Janinës, në vitin 1859 u vendos
me familjen e tij në Stamboll. Këtu hyri si përkthyes
në Ministrinë e Punëve të Jashtme, duke
ndjekur njëkohësisht studimet e larta për drejtësi.
Në Stamboll mori pjesë, së bashku me atdhetarët
e tjerë shqiptarë, në përpjekjet që
u bënë në vitin 1864 e 1867 për hartimin
e një alfabeti të përbashkët për
gjuhën shqipe dhe për të formuar një shoqëri
kulturore shqiptare. Ismail Qemali u shpreh atëherë
kundër përdorimit të alfabetit arab për
gjuhën shqipe dhe u bashkua me Pashko Vasën, me
Kostandin Kristoforidhin dhe me intelektualë të
tjerë që ishin përkrahës të alfabetit
latin.
Në vitet 70 Ismail Qemali filloi të shquhej si personalitet
shtetëror. U ngarkua me detyrën e guvernatorit në
disa provinca të Perandorisë Osmane. Duke qenë
njohës i shumë gjuhëve dhe me një kulturë
të gjerë, i pajisur me zgjuarsi e talent në
fushën shtetërore dhe të diplomacisë,
e sidomos në saje të artikujve që botonte në
gazetat më të mëdha evropiane, Ismail Qemali
qysh në vitet 70 u bë një nga figurat më
të shquara të Perandorisë Osmane e shumë
i njohur edhe në arenën ndërkombëtare.
U dallua veçanërisht si njohës i mirë
i gjendjes së Turqisë e sidomos i asaj ndërkombëtare.
Si funksionar në administratën shtetërore osmane
Ismail Qemali u shqua shumë shpejt për pikëpamjet
përparimtare, si përkrahës i reformave. Në
vitin 1876, kur u bë kryeministër Mithat Pasha,
Ismail Qemali, që kishte bashkëpunuar me të
edhe në të kaluarën kur ishte guvernator në
provincën e Danubit, mori pjesë në komisionin
shtetëror për hartimin e kushtetutës turke,
e cila u shpall në dhjetor 1876. Pas heqjes së kushtetutës
nga sulltan Abdyl Hamiti II dhe pas internimit të Mithat
Pashës më 1877, Ismail Qemali dërgohet si bashkëpunëtor
i tij në internim në Kutahja, ku u mbajt deri në
vitin 1884. Pas kthimit nga internimi e deri në vitin
1899, u emërua përsëri disa herë me radhë
si guvernator në provinca të ndryshme të Perandorisë
dhe u caktua gjithashtu anëtar i Këshillit të
Shtetit.
Gjatë kësaj periudhe, i ngarkuar nga sulltani për
të hetuar gjendjen ndërkombëtare të vendit,
Ismail Qemali kërkoi prej tij disa herë me radhë
që të zbatonte reforma në Perandorinë
Osmane. Në shkurt të vitit 1897, duke qenë
guvernator i Tripolit, i paraqiti Abdyl Hamitit një promemorje
ku, pasi përshkruante gjendjen e rëndë të
brendshme e të jashtme të Perandorisë, korrupsionin,
arbitraritetin e keqadministrimin që zotëronte në
aparatin shtetëror qendror e lokal dhe mungesën
e të drejtave njerëzore e politike për gjithë
shtetasit, parashtronte programin e tij të reformave.
Ai propozonte që të zbatoheshin me ngutësi
reforma radikale, të cilat duhet të ishin të
përgjithshme, tu siguronin shtetasve të drejta
në qeverisjen e vendit, lirinë e mendimit e të
veprimit. Në promemorje kërkohej që të
rivendosej e të vihej menjëherë në jetë
kushtetuta e vitit 1876, së cilës duhej ti
bëheshin ndryshime e përmirësime që tu
përshtateshin gjendjes së Perandorisë Osmane
në fundin e shek. XIX dhe lëvizjeve kombëtare
të popujve; këto ndryshime e përmirësime
do të miratoheshin nga asambleja kushtetuese, që
do të thirrej posaçërisht për këtë
qëllim. Ismail Qemali mendonte që në vend të
regjimit absolutist të sulltanëve osmanë të
vendosej një monarki kushtetuese parlamentare, e ngjashme
me atë të disa vendeve të Evropës. Said
Pasha, ish-kryeministër i Turqisë, shkruante në
kujtimet e tij (më 1912) se, bashkë me promemorjen,
Ismail Qemali i paraqiti sulltanit edhe projektin e një
kushtetute, të cilën ai (Said Pasha) e quante si
më të përshtatshme për vendosjen e një
regjimi parlamentar në Perandorinë Osmane.
Miratimi i një kushtetute të tillë do tu
hapte rrugën reformave decetralizuese, me zbatimin e
të cilave pushteti lokal do të kalonte në duart
e vendasve dhe të përfaqësuesve të të
gjithë popujve të Perandorisë. Ismail Qemali
shpresonte se këto masa do ti sillnin dobi edhe
kombit shqiptar, do të përmirësonin dukshëm
gjendjen politike, kulturore dhe ekonomike të Shqipërisë
e të provincave të saj. Këto ide Ismail Qemali
i shprehu edhe më qartë në intervistën
që botoi në shtypin evropian në janar të
vitit 1900, në të cilën kërkonte që
Perandoria Osmane tu jepte liri të gjera e të
plota popujve që mbante nën zotërimin e saj,
që shqiptarët, grekët, sllavët e arabët
të gëzonin të drejta të njëjta me
turqit dhe të viheshin në një shkallë
barazie me ta.
Promemorja e vitit 1897 u prit mirë nga opinioni zyrtar
e publik i disa shteteve evropiane, pati jehonë në
shtypin e tyre, që e cilësoi Ismail Qemalin si një
reformator dhe burrë shteti të shquar e largpamës.
Ndërsa qarqet përparimtare të Perandorisë
dhe ato të popujve të robëruar i shikonin me
simpati idetë e Ismail Qemalit për zbatimin e reformave,
sulltani e Porta e Lartë i quante ato dhe autorin e tyre
të rrezikshëm për stabilitetin e sundimit të
tyre. Për pikëpamjet e tij, si dhe për lidhjet
me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, sulltani vendosi
ta largonte Ismail Qemalin nga kryeqyteti dhe në prill
të vitit 1900 e emëroi guvernator në Tripoli.
Para se të merrej kjo masë, Porta e Lartë,
me këmbënguljen e sulltanit, kishte vendosur tanimë
pa asnjë akt gjyqësor ta dëbonte atë nga
Stambolli. Në këto rrethana emërimi i tij i
ri u vlerësua si një përpjekje e maskuar për
ta internuar e ndoshta për ta zhdukur. Edhe Ismail Qemali
dyshoi për këtë komplot, prandaj disa ditë
pas takimit që pati me sulltanin, më 28 prill 1900,
u arratis nga Turqia së bashku me tre djemtë e tij
të vegjël. Në fillim shkoi në Athinë,
pastaj në Napoli, në Romë, në Lozanë,
në Paris, në Bruksel dhe u vendos në Londër,
ku qëndroi për një kohë më të
gjatë. Në Athinë dhe në ndonjë vend
tjetër Ismail Qemali pati takime edhe me personalitete
politike e shtetërore të kohës. Përveç
të tjerëve u prit edhe nga mbreti i Greqisë,
Gjergji I, që tregoi interes të veçantë
për të.
Arratisja e Ismail Qemalit bëri përshtypje të
madhe në Turqi e në Evropë, prandaj sulltani
qysh në ditët e para të largimit të tij
bëri disa përçapje për ta tërhequr
në Stamboll duke i premtuar poste të ndryshme shtetërore,
të cilat ai nuk i pranoi.
Në emigrim iu kushtua tërësisht veprimtarisë
politike në dobi të Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare. Krahas me këtë Ismail Qemali, si dhe
mjaft shqiptarë të tjerë, mori pjesë në
lëvizjen e turqve të rinj, ku u bashkua me përkrahësit
e rrymës së decentralizimit që kërkonin
zbatimin e disa reformave, nga të cilat mund të
përfitonin edhe kombësitë e Perandorisë.
Në Bruksel bashkëpunoi me Faik Konicën, duke
marrë për pak kohë edhe drejtimin e gazetës
së tij, Albania (1897-1909). Më pas
nxori këtu gazetën e vet Le salut dAlbanie
(Shpëtimi i Shqipërisë).
Programin e vet politik për Lëvizjen Kombëtare
Shqiptare Ismail Qemali për herë të parë
e shfaqi publikisht në intervistën që i dha
gazetës së njohur italiane Tribuna,
më 21 maj 1900, kur ende ndodhej në Romë; ndërsa
më 15 tetor të po atij viti ai botoi në revistën
Albania thirrjen (Vëllezërve shqiptarë!)
drejtuar gjithë shqiptarëve, në të cilën
paraqiti edhe njëherë pikëpamjet e veta për
lëvizjen shqiptare.
Në të dyja këto dokumente Ismail Qemali, duke
folur për arratisjen e tij, thekson se u largua nga Turqia
për tu bashkuar me vëllezërit e tij shqiptarë
dhe për tu marrë vesh me ta për shpëtimin
e atdheut, të Shqipërisë, e cila për shkak
të rrokullimës së Perandorisë Osmane rrezikon
të copëtohet nga vendet fqinje dhe të humbasë
bashkë me të. Ismail Qemali parashtroi si një
kërkesë të ngutshme, të drejtë e
të rëndësishme njohjen e kombësisë
shqiptare, pranimin si një kurm e një komp
të shqiptarëve që rrojnë tubërisht
në Shkodër, në Kosovë, në Manastir
e në Janinë, e tej e këtej në viset e
tjera të Turqisë Evropiane. Në sendërtimin
e këtyre kërkesave ai shihte rrugën e mundshme
të konsolidimit të kombësisë shqiptare,
të afirmimit të shqiptarëve si komb më
vete dhe të njohjes së identitetit të tyre
kombëtar në arenën ndërkombëtare.
Ne, - shkruante ai, - duam vetëm bashkimin dhe
unitetin e racës (kombësisë - shën. i
aut.) sonë shqiptare, përparimin e saj intelektual
dhe ekonomik me qëllim që të bëhemi mjaft
të fortë për të kundërshtuar atë
që synon të na përpijë ne.... Ismail
Qemali e shihte të ardhmen e shqiptarëve, të
cilët, siç shprehej ai, në gjak kanë
mbetur gjithmonë evropianë, vetëm po
të futeshin në rrugën e qytetërimit evropian.
Edhe pse programi i Ismail Qemalit i vitit 1900 nuk përmbante
(ashtu si ai i Lidhjes së Prizrenit, 1878-1881) të
gjitha kërkesat e platformës së një shteti
autonom shqiptar, ai kishte në thelb karakter autonomist,
synonte të hidhte themelet e këtij shteti. Kërkesa
e Ismail Qemalit për riorganizimin e administrimit të
Shqipërisë sipas artikullit 23 të Traktatit
të Berlinit, duke i bërë plotësimet e
nevojshme në përputhje me rrethanat e kohës
dhe duke i dhënë edhe Shqipërisë po ato
privilegje që i ishin akorduar Kretës (e cila u
shpall autonome më 1897), nënkuptonte pa asnjë
mëdyshje formimin e një Shqipërie autonome.
Në intervistën që i dha gazetës Tribuna
(Romë), Ismail Qemali shpalli haptazi se çështja
shqiptare do të zgjidhej nga shqiptarët e
krishterë e myslimanë, të cilët janë
në harmoni dhe kjo harmoni i bënë të sigurt
se do tia arrijnë qëllimit të tyre, që
është autonomia. Prandaj shtypi evropian shkruante
në vjeshtën e vitit 1900 se autonomistët
shqiptarë kanë tani një udhëheqës
serioz sikurse është Ismail Qemali, i cili
me programin e tij kërkon ndarjen e Shqipërisë,
të kombit shqiptar nga Turqia. Ndërkaq, vetë
Ismail Qemali, duke dashur ta vinte theksin në synimet
autonomiste të programit të vet, në intervistat
që u dha organeve të shtypit në marsin e vitit
1901 dhe në bisedën që pati po në atë
kohë me konsullin francez në Kajro, deklaroi se
nuk kishte kërkuar pavarësinë e plotë
dhe absolute të Shqipërisë. Ai theksoi
me këtë rast se nuk përkrahte shkëputjen
e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, por kërkonte
një organizim të tillë, që nuk do të
cenonte të drejtat e sulltanit si kalif dhe nuk do të
ndryshonte nënshtrimin ndaj tij; me një deklaratë
të tillë ai kishte parasysh autonominë e Shqipërisë
nën sovranitetin e sulltanit.
Në kushtet kur Fuqitë e Mëdha ishin për
ruajtjen e status quo-së dhe nuk lejonin shkëputjen
e kombësive joturke nga Perandoria Osmane, Ismail Qemali
shihte si rrugëdalje organizimin autonom të Shqipërisë
dhe të kombeve të tjera, që sipas mendimit
të tij duhej të sigurohej me rrugën e reformave,
me përkrahjen e drejtpërdrejtë dhe të
hapur të Fuqive të Mëdha. Duke menduar se një
Shqipëri e shkëputur nga Perandoria Osmane nuk do
të mund ti bënte ballë rrezikut të
copëtimit nga shtetet fqinje, Ismail Qemali theksonte
se ishte në interesin e përbashkët të
shqiptarëve dhe të turqve që të ruhej
status quo-ja në Ballkan. Përsa u përket
shqiptarëve, - deklaronte ai në intervistën,
që dha në Romë në vitin 1900, - çdo
lëvizje e hapur revolucionare nuk do të sillte gjë
tjetër veçse do të bënte të ligjshme
ndërhyrjen e huaj.
Bashkimin e shqiptarëve si komb dhe afirmimin e tyre
kombëtar Ismail Qemali e shihte të lidhur ngushtë
me përparimin e tyre arsimor e kulturor. Për
tu futur në rrugën e qytetërimit, - shkruante
ai po në atë periudhë, - ne kemi nevojë
të mësojmë, kemi nevojë të hapim
shkolla kombëtare për tërë Shqipërinë,
që gjuha shqipe të lexohet dhe të përhapet
në çdo vend. Kjo nevojë për shkolla
është e para nga ato reforma që duhet të
kërkojmë. Është e mundur të përmirësohet
një popull pa shkolla dhe pa arsim? Duhet të jesh
i verbër e tradhtar të mos pranosh shkollat kombëtare.
Shqiptarët nuk do të vonojnë të marrin
në duart e tyre armën e arsimit shqip.
Ismail Qemali ishte ithtar i marrëdhënieve të
fqinjësisë së mirë me shtetet që
e rrethonin Shqipërinë. Ai theksonte se shqiptarët
duhet të rrojnë në paqe me gjithë fqinjët
e vet, por me kusht që edhe këta duhet të mos
ua mohojnë shqiptarëve të drejtat e tyre kombëtare
dhe të mos përpiqen ti pengojnë në
sigurimin e tyre.
Me veprimtarinë e tij të gjithanshme politike e
diplomatike, që zhvilloi në të mirë të
çështjes shqiptare brenda vendit dhe në rrafshin
ndërkombëtar, ai u radhit ndër personalitetet
më të përparuara të Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare në fillimin e shek. XX .
|
 |  |