 |  |
K R E U V
LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT
(1878 - 1881)
1. KRIZA LINDORE DHE LËVIZJA SHQIPTARE
Gjatë viteve 70 të shek. XIX u duk qartë
se politika 40-vjeçare tanzimatiste e qarqeve sunduese
osmane nuk arriti të ndalte procesin e shthurjes së
mëtejshme të perandorisë së sulltanëve.
Plogështia e strukturës shtetërore, arbitrariteti
i hallkave administrative dhe korrupsioni i aparatit burokratik,
që Perandoria Osmane kishte trashëguar nga sistemi
i mëparshëm feudal-ushtarak, u shtuan më shumë.
Në vitet 70 ekonomia e saj ndodhej në një amulli
të përgjithshme. Gjatë dy dekadave të
fundit vërshimi i mallrave të industrisë evropiane
ishte trefishuar. Më 1875 niveli i eksportit përfaqësonte
çerekun e importit. Kriza e saj financiare ishte acaruar
në kulm. Porta e Lartë ishte e detyruar të
merrte çdo vit nga jashtë borxhe të reja,
pasi me të ardhurat buxhetore nuk përballonte dot
as gjysmën e shpenzimeve të veta. Më 1875 të
ardhurat ishin 800 milionë franga ari, kurse borxhet
e saj të jashtme kapnin 5,3 miliardë franga ari.
Perandoria Osmane nuk ishte në gjendje të shlyente
jo vetëm këstet e kredive, por as kamatën e
tyre të përvitshme.
Me gjithë përpjekjet e tyre gjysmëshekullore,
qarqet sunduese osmane nuk i siguruan dot Perandorisë
së tyre as qetësinë e brendshme politike. Kryengritjet
e masave popullore kundër shtypjes feudale dhe ato të
kombësive joturke kundër zgjedhës osmane, vazhduan
të shpërthenin në të katër anët
e Perandorisë. Për më tepër, tani kishte
dalë në skenë, si forcë e re kundërshtare,
edhe lëvizja liberale demokratike turke, e përfaqësuar
nga organizata e Osmanëve të Rinj, e
cila synonte të zhdukte despotizmin feudal teokratik
të sulltanëve.
Edhe gjendja ndërkombëtare po zhvillohej në
dëm të saj. Gjatë viteve 70 kishte dalë
në skenë Perandoria Gjermane, e cila kishte filluar
të trondiste pozitat ndërkombëtare të
dy perandorive koloniale, të Anglisë dhe të
Francës. Disfata që pësoi Franca nga Prusia
(1871), i dha rast Rusisë cariste të hidhte poshtë
nenet e Traktatit të Parisit (1856), që e pengonin
të armatosej në Detin e Zi kundër Perandorisë
Osmane. Po ashtu, Austro-Hungaria, pas disfatës që
kishte pësuar politika e zgjerimit të saj në
Gjermani e në Itali, kishte filluar të aktivizohej
në drejtim të Gadishullit Ballkanik dhe të
detit Egje. Gjatë kësaj kohe edhe Italia, e cila
kishte përfunduar bashkimin e saj politik dhe kishte
hyrë në radhët e Fuqive të Mëdha,
ndonëse ishte ende e dobët, aspironte të vinte
një këmbë në bregdetin lindor të
Adriatikut.
Si pasojë e këtyre ndryshimeve, përballë
Anglisë e Francës, të cilat përpiqeshin
si edhe më parë ta mbanin në këmbë
Perandorinë Osmane, tani, gjatë viteve 70, qëndronin
dy fuqi të tjera të mëdha që dëshironin
shembjen e saj të shpejtë - Rusia cariste dhe Austro-Hungaria.
Për të vënë në jetë planin e
saj ekspansionist, Rusia filloi të nxiste popullsitë
e shtypura të Turqisë Evropiane për kryengritje
kundër Portës së Lartë dhe sidomos shtetet
sllave ballkanike për luftë kundër Perandorisë
Osmane. Për këtë qëllim ajo doli me flamurin
e pansllavizmit, i cili në të vërtetë
çonte në nënshtrimin e kombësive sllave
dhe josllave ndaj politikës cariste.
Në këto rrethana shpërtheu në korrik të
vitit 1875 kryengritja çlirimtare kundërosmane
në Hercegovinë. Muajin tjetër ajo u shtri në
Bosnjë. Në kryengritjet e të dy vendeve morën
pjesë vetëm popullsitë sllave të krishtere.
Banorët sllavë myslimanë, të cilët
në Bosnjë përfaqësonin shumicën e
popullsisë, qëndruan jashtë kryengritjes, madje
pjesërisht anuan kundër saj. Me gjithë ndihmën
që patën nga Serbia e Mali i Zi, kryengritësit
nuk i bënë dot ballë kundërveprimit ushtarak
osman. Në vjeshtë e në dimër, hovi i kryengritjeve
ra, por në pranverën e vitit 1876 ato u gjallëruan
përsëri. Për më tepër, në prill
1876 shpërtheu kryengritja çlirimtare në
Bullgari. Megjithatë Porta e Lartë mundi përsëri
ti shtypte kryengritjet bullgare, boshnjake dhe hercegovinase.
Sapo shpërtheu kryengritja në Hercegovinë e
në Bosnjë, Serbia e Mali i Zi u përpoqën
ta shtrinin zjarrin e saj edhe në popullsitë e tjera
të shtypura të Turqisë Evropiane. Ato i nxitën
për kryengritje kundërosmane edhe shqiptarët,
por këta nuk lëvizën, sepse panë që
Beogradi dhe Cetina kishin qëllime aneksioniste ndaj
trojeve të tyre. Në qershor 1876, kur u pa se plani
i shpërthimit të kryengritjes së përgjithshme
të popujve të shtypur të Ballkanit kishte dështuar,
Beogradi e Cetina kaluan në aksion të hapur. Serbia
më 30 qershor dhe Mali i Zi më 1 korrik 1876 i shpallën
luftë Perandorisë Osmane. Serbia e Mali i Zi patën
përkrahjen e Perandorisë Ruse, e cila u dërgoi
armatimet e nevojshme dhe, së bashku me to, edhe 30 mijë
vullnetarë rusë për të luftuar
për çlirimin e vëllezërve
sllavë nga zgjedha osmane.
Por lufta e dy monarkive ballkanike kundër Turqisë
krijoi një situatë tepër të ndërlikuar
në arenën ndërkombëtare. Cilido që
të ishte përfundimi i saj, ajo do të tërhiqte
ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha për të
rregulluar, secila sipas interesave të vetë, hartën
politike të Evropës Juglindore. Në të
vërtetë, një javë pas fillimit të
luftës, më 8 korrik 1876, Rusia dhe Austro-Hungaria
bënë me anën e dy notave të veçuara
një marrëveshje të fshehtë në Rajhshtat
(Reichsttadt) të Bohemisë për ta rregulluar
Gadishullin Ballkanik sipas interesave të tyre ekspansionistë.
Vjena e Peterburgu vendosën të mos ndërhynin
ushtarakisht në konfliktin e Serbisë e të Malit
të Zi me Turqinë. Por të dyja palët ranë
në ujdi që, po ta fitonte luftën Perandoria
Osmane, nuk do të bëhej asnjë ndryshim në
hartën politike të Gadishullit Ballkanik. Megjithatë,
në këtë rast do ta detyronin Portën e
Lartë të zbatonte në favor të popullsisë
sllave disa reforma si ato që iu dhanë Kretës
më 1886, ndërsa po ta fitonte luftën pala tjetër
(Serbia e Mali i Zi), Bosnja do të kalonte nën zotërimin
kryesisht të Austro-Hungarisë dhe pjesërisht
të Serbisë, e cila do të merrte gjithashtu
një pjesë të Kosovës, kurse Mali i Zi
një pjesë të Hercegovinës. Bullgaria do
të bëhej një shtet autonom dhe Rumelia një
vilajet autonom. Në këtë rast Vjena vuri conditio
sine qua non që të mos krijohej një shtet i
madh sllav në Gadishullin Ballkanik. Kjo do të thoshte
që as Serbia nuk duhej të shtrihej deri në
Adriatik, as Bullgaria nuk duhej të përfshinte Maqedoninë,
sepse, si njëra, si tjetra, do ta pengonin ekspansionin
e Austro-Hungarisë drejt Egjeut. Në notën austro-hungareze
parashihej krijimi i një shteti autonom shqiptar, kurse
nota ruse nuk e përfillte fare fatin e Shqipërisë.
Në Rajshtat çështja shqiptare hyri për
të parën herë në qerthullin e diplomacisë
evropiane si çështje politike. Megjithëse
aty nuk u mor asnjë vendim, qysh në hapin e parë
u shfaqën dy qëndrime të kundërta, që
do ta karakterizojnë, tani e tutje, trajtimin e çështjes
shqiptare nga kancelaritë e mëdha: njëri i
Rusisë, që mohonte krejtësisht të drejtat
kombëtare të shqiptarëve, tjetri i Austro-Hungarisë,
që kërkonte, veçse pjesërisht, respektimin
e tyre. Edhe ideja e Vjenës për krijimin e një
formacioni politik shqiptar, ishte e kushtëzuar me futjen
e këtij shteti nën protektoratin e saj.
Si pasojë e këtyre tre faktorëve - e kalbëzimit
të Perandorisë Osmane, e rritjes së lëvizjes
çlirimtare dhe e ndërhyrjes së Fuqive të
Mëdha - lindi përsëri në mesin e viteve
70, por me një mprehtësi më të madhe se
në të kaluarën, e ashtuquajtura Krizë
Lindore. Thelbin e saj e përbënte, si edhe më
parë, jo vetëm çështja e çlirimit
kombëtar të popujve të robëruar të
Perandorisë Osmane, por edhe çështja e ndarjes
së zotërimeve të Perandorisë Osmane, në
të cilën përfshihej edhe copëtimi i trojeve
shqiptare.
Shqipëria në fillim të Krizës Lindore
(1875-1876)
Fillimi i Krizës Lindore i gjeti shqiptarët në
marrëdhënie të acaruara me Perandorinë
Osmane. Asnjë nga kërkesat e ngritura prej tyre
gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm
nuk ishte pranuar nga Porta e Lartë. Shqipëria nuk
gëzonte asnjë të drejtë kombëtare.
Në viset e saj, administrata e vilajeteve ndodhej gjithnjë
në duart e nëpunësve turq. Në krahinat
malore vazhdonte presioni i pushtetit qendror për tua
hequr malësorëve venomet tradicionale dhe për
ti futur nën zgjedhën e administratës
burokratike centraliste. Vendi nuk ishte lehtësuar as
nga pesha e rëndë e taksave, as nga shërbimi
i gjatë i nizamit. Me masat centraliste që Porta
kishte ndërmarrë pasi shpalli dekretin e dytë
të Tanzimatit (Hatt-i Humayun i vitit 1856), gjendja
e Shqipërisë u keqësua më shumë.
Kudo mbretëronte varfëria ekonomike, administrata
shtetërore e shthurur, korrupsioni pa skrupull i qeveritarëve
dhe krimet e pandëshkuara të hajdutëve. Banorët
e Shqipërisë ndodheshin, sipas shprehjes së
një dëshmitari të huaj, në kulmin
e varfërisë. Gjykatat burokratike perandorake,
të urryera nga shqiptarët, vinin duke u forcuar
vazhdimisht. Po aq e rëndë ishte edhe gjendja politike
dhe ajo e arsimit në Shqipëri. Porta e Lartë
vazhdonte ti diskriminonte shqiptarët, të
mos i njihte si komb më vete dhe shqiptarët e tri
besimeve si elementë të të njëjtit komb.
Ngritja e shkollave shqipe vijonte të ishte e ndaluar,
në një kohë kur rrjeti i shkollave të
huaja po zgjerohej nga viti në vit. Trojet shqiptare
qëndronin të copëtuara ndërmjet vilajeteve
të ndryshme. Me këtë copëtim, Porta e
Lartë vijonte tua mohonte atyre karakterin etnik
shqiptar.
Megjithatë, regjimi policor e teokratik nuk kishte mundur
ta asgjësonte idenë e çlirimit të Shqipërisë
nga zgjedha shekullore osmane. Ndikimi i ideve çlirimtare
e patriotike ishte shtrirë në të katër
anët e atdheut. Malësorët qëndronin të
gatshëm për të mbrojtur autonominë e tyre
lokale nga çdo ekspeditë e befasishme osmane.
Shqiptarët kishin filluar të bindeshin se shpëtimi
i vendit mund të arrihej vetëm me një kryengritje
të përgjithshme çlirimtare dhe me formimin
e një shteti kombëtar e të veçantë
shqiptar ose, siç shprehej një vëzhgues i
huaj, të një principate të lirë shqiptare.
Me qëllim që të largonte rrezikun e shpërthimit
të kryengritjes çlirimtare në Shqipëri,
Porta e Lartë shpalli në verën e vitit 1875
se tani e tutje nuk do ti përsëriste më
ekspeditat ushtarake për vendosjen e pushtetit të
saj centralist në krahinat e panënshtruara. Por
ky vendim, me të cilin Perandoria Osmane vuloste fundin
e periudhës së Tanzimatit në trojet shqiptare,
nuk e ndryshoi gjendjen e brendshme të Shqipërisë.
Orvatjet e saj për ti mobilizuar shqiptarët
në masë kundër kryengritësve hercegovinas
e boshnjakë dështuan. Thirrjes së saj iu përgjigjën
vetëm pak feudalë derebej, të cilët për
më tepër qëndruan pasivë në prapavijat
e frontit.
Në fillim të Krizës Lindore, Shqipëria
kishte, pra, forca të gatshme për të shpërthyer
një kryengritje çlirimtare kundërosmane.
Megjithatë, qarqet politike shqiptare nuk u treguan të
prirura për shpërthimin e saj. Në ngurrimin
e tyre ndikoi jo aq mungesa e një organizate kombëtare
që ti grumbullonte rrëketë krahinore
në lumin e kryengritjes së përgjithshme çlirimtare,
sesa koniunktura negative për çështjen shqiptare
në arenën ndërkombëtare. Kriza Lindore
e viteve 70 i gjeti shqiptarët të rrethuar nga mospërfillja
e Fuqive të Mëdha, asnjëra prej të cilave
nuk ishte shprehur publikisht për njohjen e të drejtave
të tyre kombëtare.
Në radhë të parë ishte rreziku që
kryengritja shqiptare të shkaktonte ndërhyrjen në
favor të Portës së Lartë të Fuqive
të Mëdha, të cilat nuk dëshironin që
të prishej status quo-ja në Gadishullin Ballkanik.
Por edhe sikur kjo të prishej, qarqet patriotike shqiptare
ishin të bindura se Fuqitë e Mëdha, meqenëse
nuk e përkrahnin, qoftë edhe në parim, idenë
e pavarësisë politike të Shqipërisë,
madje as atë të autonomisë së saj administrative,
do të shfrytëzonin rastin ose për ta okupuar
atë ushtarakisht (Austro-Hungaria dhe Italia), ose për
ta copëtuar atë midis shteteve fqinje (Rusia, Anglia,
Franca). Gjendjen ndërkombëtare të çështjes
shqiptare e ndërlikonte sidomos politika e tri monarkive
fqinje ballkanike. Krahas mobilizimit ushtarak për luftën
kundër Perandorisë Osmane, Serbia, Greqia e Mali
i Zi po zhvillonin një veprimtari të dendur diplomatike
e propagandistike, për të siguruar nga ana e Fuqive
të Mëdha miratimin e aspiratave të tyre mbi
trojet shqiptare.
Kriza Lindore krijoi kështu një situatë mbytëse,
madje të rrezikshme për kryengritjen çlirimtare
kundërosmane në Shqipëri. Ajo e ktheu mundësinë
e copëtimit të Shqipërisë nga një
rrezik potencial në një rrezik real. Në këto
rrethana qarqet politike shqiptare nuk e shtruan çështjen
e kryengritjes së armatosur për pavarësinë
e Shqipërisë. Derisa të krijohej gjendja e
favorshme ndërkombëtare, ato i vunë vetes si
qëllim të vijonin përpjekjet për të
arritur bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet
autonom në kuadrin e Perandorisë Osmane, zgjidhje
kjo që nuk e cenonte politikisht status quo-në në
Evropën Juglindore dhe që do të krijonte kushtet
për sigurimin e tërësisë e të paprekshmërisë
së territoreve shqiptare.
Krijimi i një vilajeti autonom shqiptar u bë kështu,
në fillim të Krizës Lindore, program i përbashkët
politik si për atdhetarët më radikalë
rilindës, ashtu dhe për qarqet atdhetare të
moderuara. Megjithatë, ndërmjet programit autonomist
të të dyja rrymave kishte ndryshime në këto
drejtime: të parët e vlerësonin autonominë
administrative si një etapë drejt pavarësisë
kombëtare të Shqipërisë; të dytët
e shikonin si qëllim në vetvete, si program maksimal
të aspiratave të tyre politike; të parët
mendonin ta realizonin vilajetin autonom me rrugën e
kryengritjes; të dytët, që kishin besim në
dashamirësinë e sulltanit, shpresonin ta arrinin
me anën e reformave që do të bënte Porta
e Lartë.
Me platformën për krijimin e vilajetit autonom shqiptar
nuk u bashkuan vetëm bajraktarët e disa krahinave
malore të veriut dhe, në mënyrë të
veçantë, kapedani i Mirditës, Preng Bibë
Doda, biri i Bibë Dodë pashës. Në të
vërtetë, qysh nga vdekja e të atit (1868),
Prenga, ende i ri, mbahej i internuar në Stamboll me
pretekst se ishte duke vijuar shkollën. Por, me këmbënguljen
e vazhdueshme të mirditorëve, Porta e Lartë
u detyrua, në fund të korrikut 1876, ta kthente
Preng Bibë Dodën në Shkodër, duke i dhënë
titullin pashë dhe duke e emëruar kajmekam të
Mirditës. Prenga, tani 17-vjeçar, ishte si dhe
i ati, një prijës partikularist. Gjatë qëndrimit
të tij në Stamboll ai u kishte parashtruar ambasadorëve
të Rusisë, të Francës dhe të Austro-Hungarisë
ambicjen e vet për tu bërë princ i Mirditës
autonome. Parisi e Vjena nuk e përkrahën projektin
e tij, pasi nuk donin ti shkaktonin në këto
çaste Perandorisë Osmane shqetësime në
Shqipërinë Veriore. Përkundrazi, Rusia e Italia
e miratuan, por i vunë si kusht që ai të lidhte
aleancë ushtarake me Cetinën dhe të sulmonte
me mirditorët ushtritë osmane, të cilat tani
ishin të zëna me luftën në kufirin malazez.
Në këto rrethana Preng Bibë Doda ngriti në
Orosh flamurin e luftës për autonominë e Mirditës.
Në të njëjtën kohë filloi bisedimet
e fshehta me qeveritarët serbë e malazezë për
të hyrë në luftë krahas tyre kundër
Turqisë. Këto traktativa nuk u pritën mirë
nga bashkatdhetarët e vet dhe e diskredituan atë
në sytë e tyre. Projekti i Preng Bibë Dodës
gjeti përkrahje vetëm në disa qarqe reshpere
katolike të Shkodrës, veçse, në vend
të një principate të mbyllur brenda kufijve
të ngushtë të Mirditës, ato kërkonin
një formacion politik më të gjerë, - një
principatë autonome, ku të hynin të gjitha
krahinat malore të Shqipërisë së Veriut.
Këtë platformë politike e përqafuan edhe
disa intelektualë, si Zef Jubani, Preng Doçi,
Pjetër Gurakuqi, të cilët mendonin se krahina
autonome e Mirditës do të shërbente si pikënisje
për formimin më vonë të një shteti
kombëtar shqiptar.
Qarqet patriotike shqiptare nuk u solidarizuan as me projektin
e Preng Bibë Dodës, as me idenë e reshperëve
katolikë shkodranë, pasi të dyja kishin karakter
partikularist dhe nuk pajtoheshin me platformën më
të përparuar rilindëse. Mirdita e vogël
dhe e izoluar, patriarkale dhe e varfër, pa qytete e
pa bujqësi të zhvilluar, nuk mund të jetonte
e pavarur dhe nuk mund të bëhej bërthama e
shtetit të ardhshëm kombëtar shqiptar. Përkundrazi,
kthimi i Mirditës katolike, qoftë edhe së bashku
me fqinjët e saj, në një principatë autonome,
me një prijës partikularist në krye siç
ishte Preng Bibë Doda, do të bëhej faktor i
përçarjes fetare e krahinore të vendit dhe
do tu jepte rast tri monarkive fqinje, të përmbushnin
aspiratat e tyre pushtuese ndaj trojeve shqiptare veriore,
lindore e jugore.
Marrëveshja e Budapestit dhe lufta ruso-turke e viteve
1877-1878
Me gjithë nxitjet politike që pati nga Rusia, nga
Serbia dhe nga Mali i Zi, Preng Bibë Doda ngurroi të
fillonte veprimet luftarake kundër Turqisë, derisa
Rusia nuk i kishte shpallur luftë asaj. Ndërkaq,
Serbia e Mali i Zi, me gjithë ndihmën e madhe që
patën nga Rusia, nuk qenë në gjendje ta mundnin
Perandorinë Osmane, së cilës i kishin shpallur
luftë në fillim të verës 1876. Disfatat
që pësuan ushtritë serbe lanë përshtypjen
se Rusia nuk do të pajtohej me situatën e krijuar
në Ballkan në dëm të saj dhe se së
shpejti ajo do të hynte vetë në luftë
kundër Perandorisë Osmane. Nën ndikimin e diplomatëve
caristë, që e shfrytëzuan këtë rrethanë,
kapedani mirditor filloi në fund të vitit 1876 përgatitjet
për aksionin luftarak kundërosman. Në janar
1877 mirditorët bllokuan rrugën Shkodër-Prizren,
kurse në shkurt arrestuan disa funksionarë të
administratës perandorake.
Por ngjarjet ndërkombëtare u zhvilluan në dëm
të Preng Bibë Dodës. Rusia nuk hyri menjëherë
në luftë, siç parashihej. Madje, me propozimin
e Anglisë, Fuqitë e Mëdha pranuan që çështjet
e ngritura nga Rusia në kurriz të Perandorisë
Osmane të shqyrtoheshin nga një Konferencë
Ndërkombëtare, e cila do të zhvillohej me pjesëmarrjen
e ambasadorëve të tyre të akredituar në
Stamboll.
Konferenca Ndërkombëtare i filloi punimet në
Stamboll, buzë Bosforit, më 24 dhjetor 1876. Por
ajo ndeshi qysh në fillim në pengesa të organizuara
nga vetë nismëtarja e saj, Anglia. Me përkrahjen
e fshehtë të Londrës, ditën që u
hap Konferenca sulltan Abdyl Hamiti shpalli kushtetutën
e përgatitur nga Mithat Pasha, i cili u deklaroi ambasadorëve
të Fuqive të Mëdha se në kuadrin e saj
do të zgjidheshin të gjitha problemet që shqetësonin
kombësitë e Perandorisë, prandaj e quante Konferencën
Ndërkombëtare të panevojshme. Por manovra e
Portës së Lartë nuk pati rezultat. Me përkrahjen
që gjeti këmbëngulja e Rusisë, Konferenca
Ndërkombëtare i vijoi punimet në Londër.
Qeveria ruse, e cila nuk kishte asnjë besim në Konferencën
Ndërkombëtare, i vazhdoi përgatitjet për
luftë kundër Perandorisë Osmane. Në këtë
drejtim ajo kishte edhe nxitjen e Gjermanisë, e cila
megjithatë e kushtëzonte përkrahjen e saj me
pëlqimin që duhej të jepte për këtë
luftë edhe Austro-Hungaria. Rusia u detyrua të bënte
lëshime, të cilat u fiksuan në marrëveshjen
e fshehtë që ajo lidhi me Austro-Hungarinë
në Budapest, më 15 janar 1877.
Marrëveshja e Budapestit u hartua mbi platformën
e miratuar gjashtë muaj më parë në Rajhshtat
dhe u plotësua me një marrëveshje shtojcë
që u nënshkrua më 18 mars 1877. Sipas tyre,
Austro-Hungaria do të qëndronte asnjanëse në
luftën ruso-turke. Si shpërblim ajo fitonte të
drejtën të pushtonte ushtarakisht Bosnjën dhe
Hercegovinën, kurse fati i sanxhakut të Novi Pazarit
(Pazarit të Ri) do të caktohej me një marrëveshje
të veçantë që do të lidhnin Peterburgun
me Vjenën. Perandoria dualiste zotohej të mos i
prekte Rumaninë, Serbinë, Bullgarinë dhe Malin
e Zi, të cilat Rusia i mbante si territore të zonës
së saj të ndikimit. Perandoria Ruse do të kënaqej
me aneksimin e Besarabisë në Ballkan dhe të
Batumit në Kaukaz. Por, në rast se Perandoria Osmane
do të shembej krejtësisht, Bullgaria, Rumania dhe
Shqipëria do të bëheshin shtete autonome; Kreta,
Thesalia dhe Epiri do të aneksoheshin nga Greqia, kurse
Stambolli me rrethinën e tij do të shpallej qytet
i lirë.
Marrëveshja e Budapestit, sado që në parim
pranonte idenë e një shteti autonom shqiptar, e
linte të papërcaktuar si hapësirën territoriale,
ashtu edhe statusin e tij. Kjo rrethanë krijonte mundësinë
për të cenuar rëndë tërësinë
tokësore të Shqipërisë, i hapte rrugën
Serbisë që të aneksonte krahinën e Kosovës,
Malit të Zi viset e Shqipërisë Veriore, Greqisë
trojet e Shqipërisë Jugore, të cilat përfshiheshin
nën emërtimin Epir, kurse krahinat e Shqipërisë
Lindore ishin në rrezik të përfshiheshin brenda
kufijve të shtetit autonom sllav, që do të
krijohej me emrin Rumeli. Veç kësaj, me marrëveshjen
e Budapestit Rusia cariste e detyronte Austro-Hungarinë
të mos i prekte Rumaninë, Serbinë, Bullgarinë
dhe Malin e Zi, por jo Shqipërinë. Kjo do të
thoshte se Vjena, e cila e kishte ngritur çështjen
e shtetit autonom shqiptar, kishte liri veprimi ta përfshinte
atë në suazën e politikës së saj
ekspansioniste. Si rrjedhim, me shembjen e Perandorisë
Osmane, më shumë se gjysma e trojeve shqiptare do
të copëtohej ndërmjet fqinjëve ballkanikë,
kurse pjesa tjetër, edhe në qoftë se bashkohej
në një shtet të veçantë autonom
shqiptar, do të hynte nën kontrollin e Perandorisë
dualiste. Megjithatë, duhet pranuar se marrëveshja
e Budapestit, pavarësisht nga këto aspekte negative,
ishte akti i parë diplomatik ndërkombëtar që
pranoi në parim idenë e krijimit të një
shteti shqiptar. Kjo ide ishte e Austro-Hungarisë, e
cila u nis nga interesi për të krijuar në Ballkanin
Perëndimor një barrierë kundër ekspansionit
serb drejt Adriatikut e Maqedonisë.
Po aq negative për çështjen shqiptare qenë
edhe vendimet që morën Fuqitë e Mëdha
në Konferencën Ndërkombëtare të Londrës,
e cila i mbylli punimet e saj me nënshkrimin e një
protokolli në mars të vitit 1877. Konferenca nuk
e mori fare në shqyrtim çështjen shqiptare.
Protokolli i Londrës e njohu parimin e autonomisë
për kombësitë e Perandorisë Osmane, por
edhe nga ky parim shqiptarët u përjashtuan, pasi
nuk u panë si një komb i veçantë. Protokolli
e detyronte Portën e Lartë të pranonte formimin
e një province autonome në Bosnjë-Hercegovinë
dhe të dy provincave autonome të Bullgarisë
dhe të Rumelisë Lindore. Madje njëra prej tyre,
vilajeti perëndimor (Bullgaria) me qendër në
Sofje, do të përfshinte në kufijtë e vet
edhe disa vise të banuara nga popullsi shqiptare, siç
ishin krahinat e Kaçanikut, të Tetovës, të
Gostivarit, të Kërçovës e të Dibrës
deri në rrjedhën e lumit Drin. Protokolli e detyronte
gjithashtu Perandorinë Osmane që ti jepte
Malit të Zi, përveç të tjerave, tre
ishuj në liqenin e Shkodrës dhe ti njihte
atij të drejtën e lundrimit të lirë në
këtë liqen dhe në lumin Bunë. Çështjen
e principatës autonome të Mirditës, me gjithë
premtimet që i kishte bërë Preng Bibë
Dodës, Rusia nuk e shtroi fare për diskutim në
këtë Konferencë. Pas nënshkrimit të
paqes ndërmjet Turqisë e Serbisë në mars
1877, Mirdita kryengritëse, e braktisur nga Rusia, Serbia
e Mali i Zi, mbeti vetëm përballë Portës
së Lartë.
Perandoria Ruse mbeti e pakënaqur nga Protokolli i Londrës.
Rreziku i një lufte ruso-turke nuk u largua. Për
të siguruar prapavijat e saj, Porta e Lartë vendosi
atëherë ta shtypte me të shpejtë rebelimin
e Mirditës, ndonëse Preng Bibë Doda qëndronte
në pasivitet. Kapedani mirditor u orvat ta shmangte operacionin
ushtarak osman duke bërë lëshime, por Porta
e Lartë, e cila donte ta zhdukte me këtë rast
vetëqeverisjen e Mirditës dhe venomet e saj, kërkoi
dorëzimin e tij pa kushte. Kështu, pas një
sërë ultimatumesh të përsëritura,
më 8 prill 1877, filluan operacionet e vërteta ushtarake
osmane kundër Mirditës.
Tri kolona të ushtrisë së rregullt osmane marshuan
kundër Mirditës nga Lezha, nga Prizreni dhe nga
Mati. Ndonëse me huta të vjetra, mirditorët
trima e ndalën për një javë marshimin
e tyre. Por javën e dytë kolona osmane, që
marshonte nga Mati, duke përfituar nga pakujdesia që
kishte treguar Preng Bibë Doda në këtë
anë, përparoi me lehtësi në brendi të
Mirditës dhe u mori krahët mirditorëve që
luftonin në sektorin perëndimor e verior. Preng
Pasha, i pushtuar nga paniku, braktisi më 15 prill Mirditën
dhe u fsheh në Lurë. Pas tij krerët e tjerë
u arratisën ose u dorëzuan te turqit. Malësorët
e thjeshtë e vazhduan edhe disa ditë qëndresën
derisa ajo u shtyp. Kështu, për të parën
herë në historinë e sundimit shekullor osman
në Shqipëri, më 22 prill 1877, ushtritë
turke hynë në kryeqendrën e Mirditës,
në Orosh, të cilin e plaçkitën dhe e
dogjën.
Dy ditë më vonë, më 24 prill 1877, Perandoria
Ruse i shpalli luftë Turqisë. Serbia, e cila ndërkohë
kishte nënshkruar paqen me Stambollin, qëndroi mënjanë.
Përkundrazi, Mali i Zi, i cili nuk kishte pranuar as
të nënshkruante paqen, as të përsëriste
armëpushimin, u bashkua me Rusinë në luftën
kundër Perandorisë Osmane.
Sapo filloi lufta, rusët e malazezët u bënë
thirrje përsëri shqiptarëve dhe në mënyrë
të veçantë mirditorëve që të
bashkoheshin me ta kundër Perandorisë Osmane. Por
tashmë, edhe mirditorët kishin nxjerrë mësime.
As malësorët, as krerët e tyre nuk kishin më
besim në politikën e Rusisë e të Malit
të Zi. Nën presionin e tyre kapedani i Mirditës
u detyrua të mos i dëgjonte më nxitjet ruse
e malazeze. Ndërkohë edhe Porta e Lartë, e
cila tani nuk donte të kishte telashe me mirditorët,
pasi mori garanci se Preng Pasha kishte hequr dorë nga
ideja e kryengritjes së armatosur, shpalli faljen e tij
dhe e pezulloi përsëri vendosjen e administratës
së saj centraliste në Mirditë. Mirditorët
u kthyen në shtëpitë e tyre të djegura,
por armët nuk i dorëzuan.
Komiteti i Janinës dhe projekti i kryengritjes çlirimtare
kundërosmane (1877)
Lufta ruso-turke krijoi një gjendje të re për
të gjitha kombet e shtypura nga Perandoria Osmane dhe
për të gjitha monarkitë e Gadishullit Ballkanik.
Kudo sundonte bindja se kjo luftë do të përfundonte
me disfatën e Portës së Lartë. Të
gjitha shtetet ballkanike u vunë në lëvizje
për të plotësuar në përfundim të
kësaj lufte bashkimin e tyre kombëtar dhe, ca më
shumë, për të përmbushur aspiratat e tyre
aneksioniste në dëm të kombeve të tjera
të gadishullit.
Për çështjen shqiptare fillimi i luftës
ruso-turke krijoi një gjendje më të ndërlikuar
se ajo që ishte më parë. Qarqet politike shqiptare,
edhe pse nuk e dinin marrëveshjen e fshehtë të
Budapestit, nuk kishin asnjë dyshim për katastrofën
që e priste Shqipërinë, në rast se luftën
do ta fitonte Rusia dhe në rast se pas luftës do
të triumfonte diktati i saj. Në këtë rast
Shqipërinë e priste copëtimi i saj territorial
dhe, për pasojë, vdekja e saj politike. Dëshmia
e fundit për këtë ishte proklamata që
lëshoi cari rus më 24 prill 1877, me të cilën
ai ftonte të gjitha kombësitë e krishtera të
Gadishullit Ballkanik të rrëmbenin armët krahas
ushtrive ruse, pasi për ta tashmë kishte ardhur
dita e çlirimit nga shtypësi mysliman osman. Theksi
i saj fetar tregonte se Rusia nuk kishte hequr dorë nga
platforma e panortodoksisë dhe se në projektin e
saj për rregullimin e ardhshëm të Ballkanit
nuk kishte vend për shqiptarët myslimanë si
subjekt i të drejtave kombëtare. Por qarqet atdhetare
shqiptare e shihnin me shqetësim edhe fitoren e Perandorisë
Osmane, sepse kjo do të sillte forcimin e zgjedhës
shekullore të sulltanit mbi atdheun e tyre.
Mendimi i përgjithshëm që pushtoi opinionin
publik të vendit në atë kohë ishte që
Shqipëria të ngrinte sa më parë zërin
për të drejtat e saj, përndryshe, po të
qëndronte pasive dhe, ca më keq, po të rreshtohej
prapa Stambollit, do të identifikohej me Perandorinë
Osmane dhe do të quhej si një zotërim turk,
si një pre në duart e fitimtarit.
Në këto rrethana qarqet atdhetare përparimtare
e radikale shqiptare vendosën ta kërkonin shpëtimin
e tërësisë territoriale të atdheut jo
te lufta kundër shovinistëve ballkanikë, as
te qëndrimi pritës, por tek organizimi i kryengritjes
së armatosur çlirimtare kundërosmane që
do të çonte në shpalljen e pavarësisë
së Shqipërisë. Me këtë veprim edhe
diplomacia evropiane do të vihej para një fakti
të kryer.
Ideja e kryengritjes çlirimtare kishte, si edhe më
parë, mbështetje në gatishmërinë
e masave popullore. Ajo gjeti gjithashtu miratimin e forcave
atdhetare të moderuara, të cilat tani u bindën
se Perandoria Osmane nuk ishte më në gjendje ti
mbronte trojet shqiptare nga invazioni sllav. Por shpërthimi
i kryengritjes çlirimtare dhe shpallja e pavarësisë
sipas platformës së patriotëve më të
përparuar ose e autonomisë, sipas asaj, të
qarqeve të moderuara kërkonte paraprakisht zgjidhjen
e disa problemeve themelore, siç ishin: formimi i një
qendre të vetme drejtuese, përgatitja politiko-ushtarake
dhe sigurimi i përkrahjes në arenën ndërkombëtare.
Nismën për ta vënë në jetë idenë
e kryengritjes çlirimtare kundërosmane e mori
Komiteti Shqiptar, që u formua në Janinë në
maj të vitit 1877, në krye të të cilit
u vu Abdyl Frashëri, një nga ideologët, diplomatët
dhe organizatorët më të shquar të Rilindjes
Kombëtare Shqiptare. Në këtë Komitet bënin
pjesë personalitete, që përfaqësonin pothuajse
të gjitha krahinat e vilajetit të Janinës,
si Mehmet Ali Vrioni (Berat), Mustafa Nuri Vlora (Vlorë),
Sulejman Tahiri (Tepelenë), Myslim Vasjari (Kurvelesh),
Sabri Gjirokastra (Gjirokastër), Mihal Harito (Zagori),
Mehmet Goroshiani (Përmet), Vesel Dino (Prevezë)
etj.
Komiteti i Janinës vendosi lidhje edhe me qarqet politike
që vepronin në viset e tjera të atdheut, me
të cilat shqyrtoi çështjen e përgatitjes
së kryengritjes së armatosur. Në të njëjtën
kohë ai ra në kontakt me oficerët shqiptarë
që shërbenin në garnizonet osmane të vendit
dhe që treguan gatishmëri për të marrë
pjesë në kryengritjen e armatosur. Pas kësaj,
shqetësimi kryesor i Komitetit u përqendrua në
aspektin diplomatik të çështjes shqiptare.
Udhëheqësit e Komitetit të Janinës mendonin
se tani që Perandoria Osmane ishte në rrezik të
shembej plotësisht nga armatat ruse, fuqitë perëndimore
nuk do ta linin Perandorinë Ruse që ta ndryshonte
hartën politike të Gadishullit Ballkanik sipas planeve
të saj ekspansioniste. Duke u kapur pas zërave që
qarkullonin në shtypin ndërkombëtar, se fuqitë
perëndimore do ta zmadhonin territorin e Greqisë
për ta përdorur si barrierë kundër ortekut
rus, ata shpresonin se po ato fuqi, për interesat e politikës
së ekuilibrit në Evropën Juglindore, do të
merrnin në konsideratë edhe idenë e një
shteti shqiptar të pavarur. Sikurse shkruante disa muaj
më vonë Abdyl Frashëri, Evropa do të bindej
se qytetërimin e saj në Gadishullin Ballkanik nuk
mund ta mbronte nga rreziku rus vetëm diga greke, por,
së bashku me të, edhe diga shqiptare. Udhëheqësit
e Komitetit të Janinës mendonin se në këto
rrethana Shqipëria duhej të lidhte me Greqinë
një aleancë politike e ushtarake për të
hyrë bashkërisht në luftë kundër
Perandorisë Osmane përpara se armatat ruse të
zbritnin në jug të Gadishullit Ballkanik. Por ata
kërkonin si kusht që Athina ta mbështeste idenë
e pavarësisë së Shqipërisë dhe ta
miratonte tërësinë e saj tokësore. Në
rast se Athina do ta nënshkruante mbi këtë
parim aleancën dypalëshe, do të konsiderohej
e kapërcyer për çështjen shqiptare pengesa
kryesore në plan ndërkombëtar.
Udhëheqësit e Komitetit të Janinës ishin
të ndërgjegjshëm se qeveria greke nuk do të
hiqte dorë aq lehtë nga qëndrimi i saj i vjetër,
nuk ishte e prirur që të pranonte kërkesën
e shqiptarëve për të përfshirë në
shtetin e tyre krejt Shqipërinë e Jugut deri në
Prevezë, sepse ishte pushtuar nga lakmia për të
aneksuar krejt vilajetin e Janinës, deri te lumi Seman.
Megjithatë ata shpresonin se përballë gjendjes
kritike që ishte krijuar për Greqinë nga përparimi
i ushtrive ruse, Athina mund të hiqte dorë nga platforma
që kishte parashtruar vitin e kaluar dhe do ta shikonte
me një sy realist propozimin e shqiptarëve.
Në të vërtetë opinioni publik grek ishte
i tronditur nga politika ruse. Greqia, e cila priste prej
kohësh shembjen e Perandorisë Osmane që të
sendërtonte aspiratat e saj territoriale, tani e ndiente
veten krejtësisht të braktisur. Për shkak të
lidhjeve të Athinës me Anglinë e Francën,
Rusia cariste nuk po i përfillte fare aspiratat e saj
nacionaliste, ndërsa Anglia me Francën po e shtrëngonin
Athinën që të qëndronte asnjanëse.
Opinioni publik grek po bindej gjithnjë e më shumë
se me qëndrimin asnjanës të Greqisë, Trakia
dhe Maqedonia ishin në rrezik të përfshiheshin
në kufijtë e Bullgarisë dhe të Rumelisë
që do të krijoheshin sipas planit carist, kurse
Thesalia dhe Epiri mund të mbeteshin përsëri
brenda kufijve të Perandorisë Osmane, të cilën
Anglia me Francën përpiqeshin ta shpëtonin
nga katastrofa e plotë. Brenda në Greqi organizatat
irredentiste helenike kërkonin me këmbëngulje
të ndërmerreshin veprime energjike për të
mos e humbur rastin e favorshëm që po krijohej nga
shembja e Perandorisë Osmane. Por Mbretëria Helenike
me rreth një milion banorë, me financa krejtësisht
të rrënuara dhe me forca ushtarake të dobëta,
nuk e ndiente veten në gjendje të ndërmerrte
me sukses veprime të armatosura kundër Perandorisë
Osmane. Në këto rrethana propozimi i Komitetit të
Janinës për një aleancë shqiptaro-greke
gjeti një pritje pozitive në qarqet qeveritare të
Athinës. Qeveria greke pranoi të hynte në bisedime
me shqiptarët.
Bisedimet u zhvilluan në mënyrë të fshehtë
në Janinë gjatë gjysmës së dytë
të korrikut 1877, ndërmjet Abdyl Frashërit,
i cili shoqërohej nga Mehmet Ali Vrioni, dhe Epaminonda
Mavromatis, një funksionar i Ministrisë së
Jashtme greke. Qysh në fillim u duk se të dyja palët
erdhën në takim me pikëpamje të papajtueshme.
Abdyl Frashëri, që si nismëtar i takimit e
nisi i pari bisedën, pasi argumentoi interesat jetikë
të të dyja palëve për një luftë
të përbashkët kundër Perandorisë
Osmane e pansllavizmit carist, parashtroi zotimet dhe kushtet
e palës shqiptare për lidhjen e aleancës politike
e ushtarake. Shqiptarët zotoheshin që ta fillonin
të parët luftën kundërosmane me anën
e kryengritjes çlirimtare, e cila do të shpërthente
në Shqipëri sapo të nënshkruhej aleanca.
Ata merrnin kështu përsipër që pushtetin
turk në Shqipëri ta asgjësonin me forcat e
tyre të brendshme. Menjëherë pasi të shpërthente
kryengritja e armatosur, deklaroi Abdyl Frashëri, do
të shpallej pavarësia kombëtare e Shqipërisë.
Ai kërkoi që, sapo të fitonte kryengritja në
Shqipëri, Greqia ti shpallte luftë Perandorisë
Osmane. Shqiptarët zotoheshin gjithashtu ta ndihmonin
ushtrinë greke që ti pushtonte pa vështirësi
Thesalinë e Maqedoninë, pasi oficerët dhe ushtarët
shqiptarë, që shërbenin në garnizohet
osmane të këtyre viseve, ishin në lidhje me
Komitetin e Janinës, pra të gatshëm që,
me urdhrin e tij, ti dorëzonin qytetet pa gjakderdhje.
Kundrejt këtyre detyrimeve pala shqiptare kërkonte
si kusht nga qeveria e Athinës që ajo ta njihte
zyrtarisht formimin e principatës së pavarur shqiptare
në kufijtë etnikë të Shqipërisë,
duke përfshirë Kosovën në veri, deri në
Vranjë, dhe Çamërinë në jug, deri
në Prevezë.
Pala greke nuk pranoi asnjë nga kushtet e parashtruara
nga Komiteti i Janinës. Para së gjithash ajo e kundërshtoi
krejtësisht idenë e një principate shqiptare
të pavarur dhe ca më shumë përfshirjen
në kufijtë e saj, qoftë edhe të një
pjese të vogël të të ashtuquajturit Epir.
Sipas tezës së saj, krejt Epiri, që nga lumi
Seman deri te gjiri i Prevezës, ishte tokë greke.
Si rrjedhim ajo nguli këmbë që Shqipëria
e Jugut të rrëmbente armët nën flamurin
grek dhe të kërkonte bashkimin e saj me Greqinë.
Athina pranoi që kryengritja çlirimtare të
kishte karakter shqiptar vetëm në veri të lumit
Seman, por vuri si kusht që edhe këto vise të
kërkonin bashkimin e tyre me Greqinë për të
formuar një shtet dualist greko-shqiptar nën sovranitetin
e mbretit të Greqisë.
Abdyl Frashëri u përpoq ta bindte qeverinë
e Athinës për absurditetin e pikëpamjeve të
saj. Populli shqiptar, deklaroi ai, po ndërmerr revolucionin
çlirimtar për të formuar shtetin e vet të
pavarur dhe jo për ta zëvendësuar zgjedhën
osmane me robërinë greke, për të ruajtur
tërësinë e vet territoriale dhe jo për
ta ndarë atë në tokë greke dhe në
tokë shqiptare. Në bazë të udhëzimeve
që mori nga Athina, Epaminonda Mavromatis nuk bëri
asnjë tërheqje, madje mbajti gjatë takimeve
një qëndrim arrogant dhe fyes ndaj shqiptarëve.
Ndërkaq, gjatë kohës që zhvilloheshin
bisedimet e fshehta në Janinë, ngjarjet në
frontin ruso-turk morën tjetër rrugë. Sado
që Perandoria Osmane ishte shumë e dobët, invazioni
carist ngjalli në popullsinë turke ndjenjën
e atdhetarisë dhe rriti frymën e qëndresës
së saj ushtarake. Si rrjedhim, pas sukseseve të
shpejta që korrën gjatë dy muajve të parë
të luftës, në fillim të korrikut ushtritë
ruse u gozhduan në Plevnë të Bullgarisë.
Qëndresa e Plevnës, e cila tregonte se Perandoria
Osmane nuk ishte aq e dobët sa pandehej, e qetësoi
deri diku qeverinë greke dhe e çliroi përkohësisht
nga ngutja që kishte për të hyrë në
luftë. Nga ana tjetër, Athina u bind se aspiratat
e saj pushtuese ndaj Shqipërisë nuk mund ti
plotësonte me anën e Komitetit të Janinës.
Shpresat për të aneksuar krejt vilajetin e Janinës
ajo tani i vari te Komiteti Epirot, që ishte formuar
në Korfuz nga disa emigrantë grekë, të
cilët kërkonin bashkimin e vilajetit të Janinës
(të Shqipërisë së Jugut) me Mbretërinë
Greke. Këta morën përsipër detyrën
që të organizonin në këto vise një
kryengritje filoheleniste. Nën ndikimin e këtyre
faktorëve në fund të korrikut bisedimet greko-shqiptare
u ndërprenë.
Komiteti i Stambollit dhe platforma e tij politike
Qëndresa osmane e Plevnës vazhdoi pesë muaj.
Ndërkohë patriotët shqiptarë, edhe pse
bisedimet e Janinës u ndërprenë, nuk hoqën
dorë nga ideja e kryengritjes çlirimtare kundërosmane.
Ata i vazhduan përpjekjet për ti shkrirë
komitetet shqiptare lokale në një komitet kombëtar,
për formimin e komitetit qendror kombëtar dhe për
përgatitjen e kryengritjes së armatosur. Por, ndërsa
në malet Ballkan dhe në sektorin e Kaukazit ushtritë
osmane ndalën përparimin e ushtrisë ruse, në
frontin malazez, në Shqipërinë e Veriut në
gusht 1877, mbrojtja turke u thye dhe ushtria osmane filloi
të tërhiqej drejt jugut. Kjo ngjarje tronditi opinionin
publik në Shqipërinë e Veriut. Në këto
rrethana u formua në Shkodër një komitet shqiptar
i përbashkët për qytetarët myslimanë
e katolikë, i kryesuar nga Pjetër Gurakuqi. Në
memorandumin e këtij komiteti kërkohej të formohej
një shtet kombëtar më vete nën vasalitetin
e sulltanit, siç ishin në atë kohë Serbia
dhe Rumania. Por gjendja në frontin me Malin e Zi u stabilizua
shpejt. Përparimi i ushtrisë malazeze u ndal.
Gjatë vjeshtës së vitit 1877 patriotët
shqiptarë i kushtuan kujdes edhe fushatës së
zgjedhjeve për parlamentin e dytë osman. Megjithëse
zgjedhjet qenë indirekte dhe u zhvilluan nën diktatin
e valinjve, nën trysninë që vinte nga poshtë
dolën deputetë edhe disa personalitete atdhetare,
ndër të cilat ishte edhe Abdyl Frashëri.
Çeljen e parlamentit në dhjetor të atij viti
patriotët shqiptarë, sidomos antarët e Komitetit
të Janinës, e shfrytëzuan për të
organizuar në kryeqytetin perandorak një takim në
shkallë kombëtare. Për këtë qëllim,
përveç deputetëve të parlamentit, u
thirrën në Stamboll edhe personalitete të njohura
shqiptare që përfaqësonin pothuajse të
gjitha krahinat e Shqipërisë. Në mbledhjen
e parë, që u mbajt më 18 dhjetor 1877, u miratua
forumi i organizatës atdhetare revolucionare me emrin
Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të
Kombësisë Shqiptare, ose siç u quajt shkurt
Komiteti i Stambollit. Kryetari i Komitetit u zgjodh Abdyl
Frashëri. Megjithëse nuk dihet ende përbërja
e plotë e këtij Komiteti, janë njohur tanimë
si anëtarë të tij Pashko Vasa, Jani Vreto,
Ymer Prizreni, Zija Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Koronica,
Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani,
Mustafa Nuri Vlora, Mane Tahiri etj.
Në programin politik të Komitetit të Stambollit
përfshihej teza mbi organizimin me ngutësi të
kryengritjes së armatosur kundërosmane dhe krijimin
e shtetit kombëtar shqiptar. Komiteti vendosi gjithashtu
që të zhvilloheshin bisedime me Greqinë për
të arritur një aleancë shqiptaro-greke sipas
platformës së parashtruar nga Abdyl Frashëri.
Ndërkohë ngjarjet në front pësuan një
kthesë rrënjësore. Më 10 dhjetor 1877
qëndresa e Plevnës u thye. Ushtritë ruse filluan
të përparonin përmes maleve Ballkan. Serbia
e Mali i Zi morën zemër nga përparimi rus dhe
rifilluan veprimet luftarake kundër Turqisë. Perandoria
Osmane tani dukej se ishte në pragun e katastrofës
së plotë. Në këto rrethana qeveria e Athinës
e pranoi propozimin e ri të paraqitur nga patriotët
shqiptarë për të rifilluar bisedimet dypalëshe
që ishin ndërprerë në fund të korrikut.
Turi i dytë i bisedimeve shqiptaro-greke u zhvillua në
Stamboll gjatë gjysmës së dytë të
muajit dhjetor 1877. Këtë radhë qeverinë
greke e përfaqësonte Stefanos Skuludhi, deputet
në parlamentin e Greqisë. Abdyl Frashëri, i
cili kryesonte përsëri delegacionin shqiptar, tani
nuk përfaqësonte Komitetin Ndërkrahinor të
Janinës, por Komitetin Kombëtar të Stambollit.
Abdyli i parashtroi Stefanos Skuludhit planin e hollësishëm
të shpërthimit të kryengritjes shqiptare, e
cila do të fillonte në Shqipërinë e Jugut.
Menjëherë pas saj do të formohej qeveria e
përkohshme e Shqipërisë, që do të
njihej nga Greqia, e cila do të hynte gjithashtu në
luftë kundër Perandorisë Osmane në Thesali.
Kryengritja do të shtrihej në Gegëri e në
Kosovë. Greqia do ti ndihmonte shqiptarët
me armatime. Projekti i Abdyl Frashërit ishte i leverdishëm
për të dyja palët. Shqipëria siguronte
tërësinë territoriale, duke përfshirë
në kufijtë e saj edhe vilajetin e Janinës (Epirin),
ndërsa Greqia hiqte dorë nga Epiri, por do të
aneksonte pa luftë Thesalinë, me ndihmën e
oficerëve shqiptarë që komandonin ushtrinë
osmane. Abdyli u përpoq edhe një herë ta bindte
qeverinë e Athinës, se ishte në interes të
Greqisë që ajo të kishte si aleate, kundër
Perandorisë Osmane e kundër rrezikut rus, një
Shqipëri të fortë, prandaj nguli këmbë
që aleanca dypalëshe të ndërtohej sipas
parimit të njohjes së një principate të
pavarur shqiptare në kufijtë e saj etnikë,
në krye të së cilës mund të vihej
edhe një princ me origjinë nga dinastia që
mbretëronte në Greqi. Por pala greke nuk hoqi dorë
as këtë radhë nga pretendimet ndaj Shqipërisë.
Si rrjedhim, në ditët e fundit të dhjetorit,
me urdhrin telegrafik të ardhur nga Athina, bisedimet
shqiptaro-greke u ndërprenë përsëri.
Në fillim të vitit 1878 situata në front u
përmbys plotësisht. Pasi kaluan malet Ballkan, ushtritë
ruse filluan të përparonin me shpejtësi në
drejtim të jugut, pa ndeshur ndonjë rezistencë
serioze nga ana e ushtrive osmane. Më 4 janar 1878 ato
pushtuan Sofjen, më 18 janar Edrenenë dhe më
28 janar arritën në fshatin Shën-Stefan, në
periferi të Stambollit. Nga paniku që pushtoi Perandorinë
Osmane përfituan ushtritë serbe, të cilat marshuan
pa vështirësi drejt vilajetit të Kosovës
dhe, pasi morën Pirotin, Nishin, Kurshunlinë dhe
Vranjën, në fund të janarit arritën në
Gjilan. Po ashtu, ushtritë malazeze pushtuan më
10 janar Tivarin, më 19 janar Ulqinin dhe një javë
më vonë dolën në brigjet e liqenit të
Shkodrës e të lumit të Bunës.
Disfata e plotë e ushtrive osmane i shqetësoi të
gjitha Fuqitë e Mëdha. Në mënyrë
të veçantë ajo tronditi Britaninë e
Madhe, e cila, për të penguar hyrjen e ushtrive
ruse në Stamboll, dërgoi flotën e saj luftarake
në detin Marmara. Në të njëjtën kohë,
me nxitjen e saj, Porta e Lartë i kërkoi komandës
ruse armëpushim. Duke parë se Anglia ishte e vendosur
të mbronte me çdo kusht kryeqytetin osman, Rusia
nënshkroi në Edrene, më 31 janar 1878, armëpushimin
me Perandorinë Osmane dhe filloi bisedimet për të
përfunduar Traktatin e Paqes me të.
Situata e re ndërkombëtare, që u krijua pas
disfatës së plotë turke, e detyroi Komitetin
e Stambollit ta rishikonte programin e vet. Sipas tij, shpërthimi
në këto rrethana i kryengritjes kundërosmane
në Shqipëri do të ishte një hap i dëmshëm,
që do ta lehtësonte përparimin e ushtrive serbe,
malazeze e greke në brendi të trojeve shqiptare
dhe do tu jepte rast monarkive fqinje që ta sanksiononin
me anën e fitores ushtarake aneksimin e viseve të
pushtuara prej tyre. Për këtë arsye Komiteti
hoqi dorë përkohësisht nga projekti i kryengritjes
së armatosur dhe hartoi një program të ri politik
për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Programi i ri, i cili u përpunua në ditët e
para të vitit 1878, përmbante ndryshime taktike
e jo strategjike. Udhëheqësit e Komitetit të
Stambollit nuk hoqën dorë nga synimi i tyre i mëparshëm,
nga formimi i shtetit kombëtar shqiptar. Por tani para
Shqipërisë qëndronte si detyrë e ngutshme
ruajtja e tërësisë së saj tokësore.
Përveç kësaj, ata mendonin se në kushtet
e reja pavarësia kombëtare e Shqipërisë
ishte e parealizueshme, pasi ajo nuk gëzonte asnjë
mbështetje në arenën ndërkombëtare.
Për më tepër, tani që kishte filluar pushtimi
i trojeve shqiptare nga ushtritë fqinje, rreziku i copëtimit
të Shqipërisë ishte bërë shumë
serioz. Në këtë gjendje të re shqiptarët
u kthyen përsëri në programin e mëparshëm.
Në vend të pavarësisë së plotë
kombëtare, ata vendosën të kërkonin bashkimin
e trojeve të tyre amtare në një vilajet autonom
shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane. Udhëheqësit
e Komitetit të Stambollit shpresonin se krijimi i një
vilajeti të tillë do të gjente përkrahës
në arenën ndërkombëtare, të paktën
mbështetjen e atyre Fuqive të Mëdha që
nuk e dëshironin shpartallimin e plotë të Perandorisë
Osmane. Veç kësaj, për të mbrojtur tërësinë
territoriale, shqiptarët do të luftonin të
veçuar nga Perandoria Osmane, do të hynin në
betejë kundër rrezikut sllav, grek, austriak ose
italian në emër të interesave kombëtarë
të Shqipërisë. Ata ishin të bindur se
një luftë e tillë, si edhe formimi i vilajetit
autonom shqiptar, do ta sanksiononte në plan ndërkombëtar
ekzistencën e shqiptarëve si komb dhe tërësinë
territoriale të Shqipërisë. Këto fitore
do të shërbenin si bazë për ta kthyer
vilajetin autonom shqiptar, në rrethana koniunkturale
më të favorshme, në një shtet të
pavarur shqiptar. Për të arritur bashkimin politik
dhe organizativ të mbarë vendit rreth kësaj
platforme, udhëheqësit e Komitetit të Stambollit
vendosën të formonin një lidhje shqiptare me
karakter kombëtar, ku të përfaqësoheshin
të gjitha shtresat shoqërore dhe të gjitha
krahinat shqiptare që bënin pjesë në të
katër vilajetet perëndimore të Gadishullit
Ballkanik. Projektin për formimin e saj e përgatiti
qysh në fillim të vitit 1878, Pashko Vasa, që
në atë kohë ishte këshilltar i valiut
të Kosovës.
Udhëheqësit e Komitetit të Stambollit shpresonin
se me programin e tyre të ri, i cili e përjashtonte
përkohësisht konfliktin e armatosur shqiptaro-turk,
Porta e Lartë nuk do ta pengonte formimin e Lidhjes Shqiptare.
Kjo liri veprimi kishte rëndësi të veçantë
për ta, pasi u jepte atyre mundësi që ta shpejtonin
formimin e lidhjes kombëtare dhe organizimin e forcave
të saj të armatosura. Për këtë qëllim
Komiteti i Stambollit ngarkoi një komision të posaçëm,
të kryesuar nga Pashko Vasa, për të nxjerrë
lejen përkatëse nga Porta e Lartë. Për
një kohë të gjatë Stambolli nuk dha asnjë
përgjigje.
Gjatë muajit shkurt 1878 tensionin politik të shqiptarëve
e rriti edhe më shumë ekspedita që organizoi
qeveria greke kundër trojeve kombëtare të Shqipërisë.
Që ta vinte Rusinë para faktit të kryer dhe
të merrte parasysh aspiratat e saj territoriale, qeveria
e Athinës e detyroi Komitetin e Korfuzit që, para
se të nënshkruhej Traktati i Paqes me Turqinë,
të provokonte në Shqipërinë e Jugut një
kryengritje të armatosur kundërosmane dhe të
nxiste kryengritësit vendas që të kërkonin
bashkimin e krahinave të tyre me Mbretërinë
e Greqisë. Sipas planit të saj të përgatitur
me kujdes, më 12 shkurt 1878 një bandë e madhe
greke me rreth 600 vullnetarë të ashtuquajtur
epirotë, të rekrutuar në Greqi, midis të
cilëve kishte edhe disa mercenarë të huaj,
të pajisur me armë e topa të ushtrisë
helenike dhe të komanduar nga oficerë grekë,
zbarkuan nga ishulli i Korfuzit në fshatin Lëkurës,
në afërsitë e Sarandës. Pasi ngritën
këtu flamurin e Greqisë, shpallën fillimin
e kryengritjes greke në viset e Epirit. Të
nesërmen, më 13 shkurt, internacionalistët
grekë pushtuan Sarandën; pastaj një pjesë
e tyre u drejtua për në fshatin Çukë,
pjesa tjetër për në fshatin Gjashtë, duke
shpresuar se aksioni i tyre do të ishte sinjali për
shpërthimin e kryengritjes së përgjithshme
nga ana e popullsisë vendase.
Ndërkaq popullsia shqiptare vendase jo vetëm nuk
u bashkua me bandën greke, por, përkundrazi, u ngrit
në këmbë kundër saj. Nën thirrjen
e krerëve lokalë, me mijëra vullnetarë
shqiptarë rrëmbyen armët për mbrojtjen
e vendit. Përparimi i forcave greke u ndal në kodrat
e Gjashtës. Më 17 shkurt vullnetarët shqiptarë,
së bashku me forcat turke që erdhën nga Janina,
u shkaktuan atyre dy disfata të rënda, njërën
në Karalibej, tjetrën në Gjashtë, dhe
i detyruan të tërhiqeshin me humbje të mëdha
në Lëkurës. Pas një luftimi tjetër,
që u zhvillua më 23 shkurt 1878 në Lëkurës,
banda u shpartallua plotësisht. Komandanti i tyre mundi
të shpëtonte së bashku me 110 veta, duke u
tërhequr gjatë bregdetit, derisa u hodh në
Korfuz. Të tjerët u vranë ose u zunë robër
gjatë luftimeve.
2. THEMELIMI I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT
Shqipëria dhe Traktati i Shën-Stefanit (3 mars
1878)
Një muaj pas armëpushimit të Edrenesë
u nënshkrua në Shën-Stefan, më 3 mars
1878, Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse
dhe Perandorisë Osmane.
Traktati i Shën-Stefanit i shkëpuste Perandorisë
Osmane rreth 80 për qind të zotërimeve të
saj në Gadishullin Ballkanik. Me shpresë se do të
shmangte kundërshtimin e fuqive të tjera të
mëdha, Rusia nuk mori për vete asgjë nga këto
territore. Ajo u kufizua vetëm duke i shkëputur
Rumanisë, të cilën e kishte aleate në
luftën që fitoi, krahinën e Besarabisë
në veri të lumit Pruth dhe duke aneksuar disa krahina
që zotëronte Perandoria Osmane, në jug të
Kaukazit (Kars, Ardahan, Bajazid e Batum). Synimet e saj hegjemoniste
në Evropën Juglindore Rusia cariste do ti
siguronte kryesisht nëpërmjet Bullgarisë së
madhe autonome që u krijua me Traktatin e Shën-Stefanit.
Bullgaria do të ishte një principatë autonome
me qeverinë e saj, tributare ndaj sulltanit. Formimi
i saj ishte në vetvete një hap pozitiv, pasi e çlironte
popullin bullgar nga zgjedha shekullore osmane. Por, Rusia
krijoi një Bullgari të madhe, të cilën
ajo do ta kishte si një satelite të saj me qëllim
që të vendoste nëpërmjet saj zotërimin
e vet në Gadishullin Ballkanik. Në kufijtë
e saj do të përfshihej shumica dërrmuese e
tokave që i shkëputeshin Perandorisë Osmane.
Kjo do të shtrihej në lindje deri në Detin
e Zi, në jug deri në detin Egje, në veri deri
në Danub dhe në perëndim deri në malet
e Voskopojës. Sado që Bullgaria e madhe do të
mbetej nën sovranitetin e sulltanit turk, Porta e Lartë
nuk do të kishte të drejtë të vendoste
brenda kufijve të saj asnjë garnizon ushtarak osman.
Pjesa tjetër e territoreve perandorake do ti jepej
Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi, që
ktheheshin nga principata autonome në shtete të
pavarura. Greqia nuk përfitonte asgjë. Ajo do të
mbetej ashtu siç ishte, një shtet i pavarur brenda
kufijve të saj të paraluftës.
Traktati i Shën-Stefanit nuk e zinte fare në gojë
Shqipërinë, e cila për Rusinë nuk ekzistonte
si subjekt të drejtash politike. Sipas Traktatit të
Shën-Stefanit, gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej
shteteve sllave ballkanike. Bullgaria do të merrte, përveç
të tjerave, krahinat shqiptare të Korçës,
të Bilishtit, të Pogradecit, të Strugës,
të Dibrës, të Kërçovës, të
Gostivarit, të Tetovës, të Shkupit, të
Kaçanikut etj. Serbia, e cila do të shtrihej kryesisht
drejt jugperëndimit, do të aneksonte edhe viset
veriore e verilindore të Kosovës, deri në afërsi
të Mitrovicës. Mali i Zi, sipërfaqja e të
cilit do të rritej më tepër se tri herë,
do të përfshinte brenda kufijve të tij gjithashtu
një varg krahinash shqiptare, si atë të Ulqinit,
të Krajës, të Anamalit, të Hotit, të
Grudës, të Tuzit, të Kelmendit, të Plavës,
të Gucisë dhe të Rugovës. Pjesa tjetër
e Shqipërisë do të mbetej nën sundimin
e Perandorisë Osmane. Si rrjedhim, me Traktatin e Shën-Stefanit
trojet shqiptare do të copëtoheshin ndërmjet
katër shteteve të huaja. Perandoria Ruse e gjymtonte
kështu rëndë tërësinë tokësore
të Shqipërisë dhe e vështirësonte
në kulm luftën e popullit shqiptar për krijimin
e shtetit kombëtar.
Zemërimin e thellë që shkaktoi në Shqipëri
Traktati i Shën-Stefanit e rriti më tej terrori
i ushtrive serbo-malazeze mbi shqiptarët e viseve të
pushtuara prej tyre dhe shpërngulja me dhunë nga
këto krahina e dhjetëra mijë familjeve shqiptare,
të cilat vërshuan si muhaxhirë në krahinat
e papushtuara nga ushtritë ballkanike. Vetëm në
vilajetin e Kosovës endeshin rreth 100 mijë burra,
gra e fëmijë, të shpërngulur nga zona
e pushtimit serb. Gati 38 mijë veta të dëbuar
nga ushtritë ruse e bullgare qenë shpërndarë,
sipas konsullit anglez Blunt, në viset e vilajetit të
Manastirit. Sipas të dhënave të konsullit austro-hungarez
Lipih (Lipich), mbi 26 mijë shqiptarë, të dëbuar
nga zona e pushtimit malazez, ishin vendosur në vilajetin
e Shkodrës. Por numri i shqiptarëve të shpërngulur
ishte më i madh, po të kemi parasysh se jo pak prej
tyre mërguan në vilajetet e Selanikut, të Stambollit,
të Izmirit, të Adanasë e të Sirisë.
Zemërimi kundër Traktatit të Shën-Stefanit
përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare,
që nga fshatarët e zejtarët e deri te qarqet
çifligare e tregtare. Ky zemërim i shqiptarëve
nuk drejtohej vetëm kundër Perandorisë Ruse
dhe aleatëve të saj ballkanikë, por edhe kundër
Perandorisë Osmane, e cila kishte nënshkruar një
akt të tillë, që e dënonte me vdekje atdheun
e tyre. Fakti se asnjë nga fuqitë e tjera të
mëdha nuk e ngriti zërin për të drejtat
kombëtare të Shqipërisë, i bindi përfundimisht
shqiptarët se ata tashmë ishin krejtësisht
vetëm.
Gjendja e re që u krijua nga vendimet e Shën-Stefanit
dhe nga ngjarjet që rrodhën më pas, në
mars-prill 1878, kur u duk qartë se Fuqitë e Mëdha
perëndimore ishin të vendosura të mbronin me
çdo kusht sundimin e Perandorisë Osmane në
Ballkan dhe si rrjedhim nuk ishin të prirura të
merrnin parasysh të drejtat kombëtare të shqiptarëve,
Komiteti Qendror i Stambollit arriti në përfundimin
se si kryengritja e armatosur kundërosmane, ashtu edhe
kërkesa për pavarësinë e Shqipërisë
nuk mund të qëndronin më si pika kryesore të
programit të tij politik. Tani që copëtimi
i trojeve shqiptare filloi të vihej në jetë
dhe doli në plan të parë detyra e mbrojtjes
së tërësisë tokësore të Shqipërisë,
kryengritja e armatosur kundër Perandorisë Osmane
jo vetëm që nuk e zgjidhte çështjen
shqiptare, por e ndërlikonte edhe më keq atë
e fatin e atdheut. Në rrethana të tilla ndërkombëtare,
Komiteti Shqiptar i Stambollit adaptoi, për aq kohë
sa do të vijonte kjo gjendje e ndërlikuar, një
platformë të re politike, e cila kërkonte mobilizimin
e mbarë vendit për plotësimin e dy detyrave
kryesore: për të kundërshtuar me luftë
të armatosur, në emër të kombësisë
shqiptare, çdo vendim që do të merrnin Fuqitë
e Mëdha, qoftë edhe me pëlqimin e Perandorisë
Osmane, në dëm të tërësisë territoriale
të Shqipërisë dhe, në të njëjtën
kohë, për të arritur bashkimin e të gjitha
trojeve të atdheut në një vilajet të vetëm
shqiptar, të pajisur me disa të drejta autonomiste,
që mund të realizoheshin pa hyrë në konflikt
me Portën e Lartë.
Përmbushja e këtyre objektivave bënte të
nevojshëm formimin e një fronti të vetëm
politik mbarëshqiptar dhe pranimin nga ana e këtij
fronti të platformës politike të përpunuar
nga Komiteti Kombëtar i Stambollit.
Për krijimin e frontit të bashkuar politik, që
do të kishte formën e një lidhjeje kombëtare
shqiptare, kishte tashmë në Shqipëri një
truall deri diku të përgatitur edhe nga pikëpamja
organizative. Qysh në dhjetor të vitit 1877, në
krahinat periferike të Shqipërisë, kur ato
filluan të kërcënoheshin nga pushtimi serb
e malazez, ishin organizuar besëlidhje shqiptare krahinore
ose, siç quheshin në disa vise, komisione lokale
të vetëmbrojtjes, të cilat u përpoqën
të mobilizonin shqiptarët për të hyrë
në veprim sapo të lëshohej kushtrimi. Traktati
i Shën-Stefanit i dha një nxitje të fuqishme
krijimit të besëlidhjeve të reja. Por me evolucionin
ekonomik, shoqëror, politik e kulturor që kishte
pësuar Shqipëria, gjatë dekadave të fundit,
ndryshe nga periudhat e mëparshme, ndërgjegjja e
bashkësisë krahinore ishte tejkaluar tanimë
te shqiptarët. Çdo krahinë kishte filluar
ta ndiente veten si gjymtyrë e një trupi të
vetëm, si pjesë e një atdheu të përbashkët.
Ky evolucion në ndërgjegjen kombëtare të
shqiptarëve ishte një faktor i favorshëm për
veprimtarinë e Komitetit Kombëtar të Stambollit,
të cilit tani i takonte detyra ti bashkonte besëlidhjet
krahinore në një trup të vetëm organizativ
dhe me një platformë të vetme politike.
Derisa të shkriheshin në një organizatë
kombëtare, përballë besëlidhjeve krahinore
qëndronin tri detyra themelore: të mobilizonin shtresat
e gjera popullore në lëvizjen e madhe të protestës
kundër vendimeve të padrejta të Traktatit të
Shën-Stefanit; të përgatiteshin ushtarakisht
për të kundërshtuar me armë copëtimin
e trojeve shqiptare, në rast se vendimet e Traktatit
do të mbeteshin në fuqi; të kujdeseshin për
të ndihmuar dhe për të sistemuar rreth 150
mijë muhaxhirët shqiptarë, të grumbulluar
në vilajetet e Kosovës, të Shkodrës e
të Manastirit, të cilët kishin mbetur pa bukë
e pa strehë.
Ndërkaq, në prill të vitit 1878, opinioni publik
shqiptar u informua nga shtypi ndërkombëtar për
kundërshtimin që kishte gjetur Traktati i Shën-Stefanit
në fuqitë e tjera të mëdha. Në të
vërtetë, kundërshtimin më të rreptë
ai e pati nga Anglia dhe nga Austro-Hungaria, të cilat
u shqetësuan së tepërmi nga rritja e shpejtë
e ndikimit të Rusisë në Gadishullin Ballkanik
nëpërmjet Bullgarisë së Madhe. Për
këtë arsye, me këmbënguljen e tyre, u
vendos që kushtet e përcaktuara në Traktatin
e Shën-Stefanit të rishikoheshin nga një kongres
i posaçëm i Fuqive të Mëdha, i cili,
sipas vendimit që u mor më vonë, do të
mblidhej në Berlin më 13 qershor 1878.
Shqiptarët ishin të bindur se Fuqitë e Mëdha,
ndonëse e kundërshtuan Traktatin e Shën-Stefanit,
përsëri nuk ishin të prirura që ti
merrnin parasysh interesat kombëtarë të Shqipërisë.
Megjithatë, pezullimi i tij deri në thirrjen e kongresit
të Berlinit u jepte në dorë patriotëve
shqiptarë një kohë të çmueshme
për ta organizuar më mirë qëndresën
politike e ushtarake. Por, nga ana tjetër, leja që
kishte kërkuar Komiteti i Stambollit për të
formuar një lidhje shqiptare, ndeshi më në
fund në kundërshtimin e Portës së Lartë.
Në parim qeveria osmane nuk e shihte me sy të keq
lëvizjen e protestës së popullsive të
saj kundër Traktatit të Shën-Stefanit, por
ajo nuk e pranonte në asnjë mënyrë që
kjo lëvizje të zhvillohej e të organizohej
ashtu siç e kuptonte Komiteti i Stambollit, si një
lëvizje kombëtare shqiptare. Porta e Lartë
kërkonte që shqiptarët të protestonin
kundër Traktatit të Shën-Stefanit si nënshtetas
myslimanë, që nuk donin të shkëputeshin
nga Perandoria Osmane dhe nga sulltani i saj halif. Patriotët
shqiptarë, të cilët nuk mund të pajtoheshin
me këto kushte, vendosën që ta formonin lidhjen
shqiptare duke u mbështetur në lëvizjen popullore
dhe në besëlidhjet lokale.
Rrymat politike dhe protestat shqiptare
Gjatë pranverës së vitit 1878, krahas hovit
që mori lëvizja e protestës kundër Traktatit
të Shën-Stefanit, ngadhënjeu edhe ideja për
të kundërshtuar me armë vendimet që mund
të merreshin në Kongresin e Berlinit në dëm
të tërësisë tokësore të atdheut.
Në këto rrethana, kërkesa për të
formuar një lidhje të përgjithshme u bë
mjaft popullore. Megjithatë forcat e ndryshme atdhetare
të lëvizjes kombëtare nuk e konceptonin njësoj
karakterin dhe programin që duhej të kishte kjo
lidhje e përgjithshme. Qarqet atdhetare shqiptare, të
përfaqësuara, në përgjithësi, nga
Komiteti Kombëtar i Stambollit, që formuan grupimin
ose, siç u quajt nga vëzhguesit e huaj të
kohës, rrymën radikale, synonin të themelonin
një lidhje shqiptare, e cila duhej të mobilizonte
popullsinë e vendit në emër të të
drejtave kombëtare të Shqipërisë dhe ta
drejtonte atë në luftë për ruajtjen e
tërësisë tokësore të atdheut, duke
kërkuar në të njëjtën kohë krijimin
e një vilajeti autonom shqiptar ose, po ta lejonin rrethanat
ndërkombëtare, të një shteti shqiptar
autonom. Sipas udhëheqësve të kësaj rryme,
lidhja shqiptare duhej përgatitur për të luftuar,
në përshtatje me rrethanat që do të krijoheshin,
jo vetëm kundër shteteve shoviniste fqinje, por
edhe kundër Perandorisë Osmane. Një grupim
ose rrymë e dytë në lëvizjen kombëtare
ishte ai i të moderuarve, siç u cilësua po
nga bashkëkohësit, që përfaqësohej
nga personalitete të njohura atdhetare, si Ali bej Gucia,
Iljaz pashë Dibra, Abedin pashë Dinoja, Mahmud pashë
Biçaku, Omer pashë Vrioni etj. Ashtu si radikalët,
edhe të moderuarit kërkonin që lidhja e përgjithshme
të kishte karakter kombëtar. Ata e pranonin në
parim edhe idenë e një vilajeti të bashkuar
autonom shqiptar, të pajisur me një autonomi administrative
e kulturore. Por, ndryshe nga elementët radikalë
të Komitetit të Stambollit, këta nuk e shikonin
vilajetin e bashkuar shqiptar si një hallkë, si
një shkallë për të shkuar më tej
drejt një shteti të bashkuar e të pavarur shqiptar.
Përveç kësaj, të moderuarit nuk ishin
gjithashtu të prirur për tiu kundërvënë
Portës së Lartë. Ata shpresonin se vilajeti
shqiptar mund të krijohej me pëlqimin e vetë
sulltanit, të cilin, besonin se do ta bindnin, pasi,
sipas tyre, krijimi i këtij vilajeti ishte në interesin
e vetë Perandorisë Osmane.
Përgjithësisht qarqet e moderuara, duke pasur parasysh
rrezikun e jashtëm, prireshin ta kufizonin lëvizjen
vetëm me mbrojtjen e territoreve të kërcënuara,
vetëm me luftën kundër copëtimit të
vendit. Si rrjedhim, ata e përfytyronin besëlidhjen
shqiptare jo si një front politik kombëtar të
veshur me atribute shtetërore, por si një federim
ose aleancë krahinash të krijuar vetëm për
të luftuar bashkërisht kundër shovinistëve
fqinjë.
Megjithatë, ndërmjet platformës së qarqeve
radikale dhe platformës së të moderuarve kishte
mjaft pika takimi, siç qe ajo e karakterit kombëtar
shqiptar të lidhjes së përgjithshme dhe pranimi
në parim i formimit të një vilajeti autonom
shqiptar. Në situatën dramatike, që u krijua
në pranverën e vitit 1878, këto pika të
përbashkëta merrnin rëndësi të dorës
së parë përballë pikëpamjeve të
ndryshme që kishin ato për kohën e mënyrën
se kur dhe si duhej të sendërtohej ky vilajet, të
cilat mund të zgjidheshin pas formimit të lidhjes
shqiptare. Në këto rrethana, u arrit bashkëpunimi
i të dy rreshtimeve politike për formimin e një
lidhjeje shqiptare me karakter kombëtar, që do të
udhëhiqte luftën e popullit shqiptar kundër
copëtimit territorial të atdheut dhe do të
parashtronte nevojën e bashkimit administrativ të
mbarë viseve shqiptare në një vilajet autonom
shqiptar.
Jashtë këtyre dy grupimeve atdhetare, që përfaqësonin
Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, në jetën
politike të Shqipërisë vepronte edhe një
rreshtim i tretë sulltanist, i udhëhequr nga nëpunësit
turkomanë të administratës së vilajeteve,
nga elementë feudalë e klerikë turkomanë,
të cilët e identifikonin veten me qarqet sunduese
perandorake, anonin plotësisht nga vija politike e Portës
së Lartë dhe i shërbenin asaj. Të interesuar
për të kundërshtuar vendimet e Traktatit të
Shën-Stefanit, edhe pasuesit e këtij grupimi u bashkuan
me lëvizjen për organizimin e qëndresës
së armatosur nëpërmjet lidhjes
së përgjithshme, e cila duhej të vepronte sipas
orientimeve të sulltanit. Ata nuk ishin për një
lidhje shqiptare, por për një lidhje islamike, ku
të merrnin pjesë të gjitha popullsitë
myslimane të Gadishullit Ballkanik, pavarësisht
nga kombësia e tyre, nga e cila, logjikisht, do të
përjashtoheshin shqiptarët e krishterë, si
ortodoksë, edhe katolikë. Veç kësaj,
sulltanistët, siç u quajtën në atë
kohë, nuk e pranonin as në parim idenë e një
vilajeti shqiptar, sepse ky vilajet, sipas tyre, do ti
ndante shqiptarët myslimanë nga vëllezërit
myslimanë të Gadishullit Ballkanik dhe të Perandorisë
Osmane.
Këto qëndrime u kundërshtuan nga atdhetarët
shqiptarë, radikalë e të moderuar, që
nuk mund të pajtoheshin me platformën e qarqeve
sulltaniste dhe në mënyrë të veçantë
me idenë konservatore të një lidhjeje islamike,
e cila po të krijohej do ta shuante emrin e Shqipërisë.
Në të vërtetë, qarqet sulltaniste nuk
kishin ndonjë mbështetje në shtresat e gjera
të popullsisë shqiptare. Veprimtarinë e tyre
e udhëhiqnin valinjtë e katër vilajeteve shqiptare,
që zbatonin me besnikëri udhëzimet e Portës
së Lartë. Megjithatë, ato luanin ende një
rol të rëndësishëm në jetën
politike të vendit, pasi kishin në dorë aparatin
shtetëror - administratën, ushtrinë, xhandarmërinë,
financat dhe mjetet e telekomunikacionit që lidhnin krahinat
me njëra-tjetrën. E vetmja pikë që dukej
sikur i afronte sulltanistët me qarqet atdhetare, ishte
gatishmëria e tyre për të luftuar me rrugë
jashtëqeveritare, kundër shkëputjes së
zotërimeve perandorake në Ballkan, pra edhe kundër
shkëputjes së trojeve shqiptare, ndonëse këtë
luftë ata kërkonin ta zhvillonin nën flamurin
islamik.
Për të mos shkaktuar në atë çast
kritik përçarjen e forcave politike të vendit,
Komiteti i Stambollit dhe rrethet e tjera atdhetare të
vendit iu shmangën përkohësisht luftës
së hapur kundër qarqeve sulltaniste. Madje, duke
u kapur pas gatishmërisë që tregonin këto
qarqe për të luftuar kundër Traktatit të
Shën-Stefanit, udhëheqësit atdhetarë mendonin
se, me një punë të mëtejshme sqaruese,
do ta tërhiqnin masën e tyre në platformën
e lidhjes shqiptare.
Platformën e vet politike Komiteti i Stambollit e ngriti
gjatë pranverës edhe në arenën ndërkombëtare.
Qysh në muajin mars, kur përmbajtja e Traktatit
të Shën-Stefanit ende nuk ishte shpallur, Pashko
Vasa i paraqiti ambasadorit britanik në Stamboll një
promemorje në emër të popullit shqiptar, në
të cilën lufta kundër copëtimit territorial
të Shqipërisë lidhej organikisht me kërkesën
për autonominë e saj administrative. Shqiptarët,
shkruante ai, nuk mund të kënaqen me administratën
e kalbur osmane. Ata janë të bindur se Porta e Lartë,
as nuk dëshiron dhe as nuk është në gjendje
tu japë atyre një administratë më
të mirë se atë që u ka dhënë
deri sot. Shqiptarët, theksonte patrioti rilindës,
janë të vendosur ti këputin të gjitha
lidhjet që i bashkojnë me Turqinë dhe nuk duhet
të përjashtohen nga ajo e drejtë që kanë
popujt sllavë të Ballkanit për të formuar
shtete të pavarura ose autonome. Megjithatë, përfundonte
Pashko Vasa, shqiptarët kërkojnë një administratë
autonome që tu përgjigjet më shumë
nevojave dhe traditave të tyre.
Një vend të veçantë në veprimtarinë
politike që zhvilloi Komiteti i Stambollit gjatë
pranverës së vitit 1878 zënë shkrimet
e Abdyl Frashërit, të cilat ai i botoi në shtypin
e huaj, brenda dhe jashtë Perandorisë Osmane. Në
një artikull të botuar në muajin prill në
gazetën turke Basiret (Stamboll), ai i tërhiqte
tërthorazi vëmendjen Portës së Lartë
që të mos pranonte asnjë lëshim në
kurriz të trojeve të Shqipërisë dhe tu
njihte shqiptarëve të drejtat e tyre kombëtare.
Askush, pra, as Perandoria Osmane, shkruante kryetari i Komitetit
të Stambollit, nuk ka të drejtë tu japë
të tjerëve tokat që u takojnë shqiptarëve.
Duke evokuar luftën që zhvilluan shqiptarët
në shek. XV kundër Perandorisë Osmane, Abdyl
Frashëri u linte të nënkuptonin qeveritarëve
të Stambollit se Shqipëria ishte gati të përsëriste
epopenë e Skënderbeut, në rast se nuk do ti
njiheshin të drejtat e saj kombëtare.
Në një seri artikujsh të botuar gjatë
prillit e majit në organin austriak Messager de
Vienne (Mesazher dë Vjenë), Abdyl
Frashëri argumentonte para opinionit publik evropian
të drejtat politike që i takonin popullit shqiptar,
si një nga kombet më të lashta të Evropës,
me gjuhë, me territor, me kulturë, me ndërgjegje
dhe me histori të përbashkët mijëravjeçare.
Kombi shqiptar, nënvizon ai, nuk aspiron asgjë tjetër,
veçse të jetojë i lirë, të dalë
nga prapambetja dhe të zërë vendin që
meriton në radhët e kombeve të qytetëruara
të Evropës. Në rast se Fuqitë e Mëdha,
theksonte Abdyli, do ta dënojnë këtë popull
trim e liridashës të mbetet në robëri
dhe ca më keq të copëtohet ndërmjet shteteve
fqinje, Gadishulli Ballkanik nuk do të ketë kurrë
qetësi, sepse shqiptarët nuk do të pushojnë
asnjëherë së luftuari për të fituar
pavarësinë e tyre kombëtare. Përkundrazi,
në rast se shqiptarëve do tu njihen të
drejtat e tyre kombëtare, Shqipëria do të bëhet
faktor i paqes dhe do të kthehet në një digë
kundër ekspansionit carist, i cili rrezikon jo vetëm
Gadishullin Ballkanik, por edhe Kontinentin Evropian.
Në të njëjtën kohë anëtarët
e Komitetit të Stambollit e shtuan veprimtarinë
e tyre politike edhe brenda në Shqipëri. Por këtu
ata ndeshën në pengesat e qarqeve sulltaniste, të
cilat, duke shfrytëzuar terrorin që po ushtronin
organet ushtarake serbe-malazeze kundër shqiptarëve
në veri dhe provokacionet që po kurdisnin agjentët
shovinistë grekë në viset shqiptare jugore,
përpiqeshin ta vështirësonin organizimin e
popullit shqiptar në shkallë kombëtare dhe
ti nxisnin shqiptarët që të hidheshin
në një luftë të parakohshme e të
paorganizuar kundër shteteve fqinje.
Anëtarët e Komitetit të Stambollit dhe atdhetarët
e tjerë i bënë ballë me sukses, në
shumicën e krahinave të vendit, këtij presioni
të qarqeve qeveritare e sulltaniste. Ata arritën
të shmangnin konfliktet e parakohshme që ishin gati
të shpërthenin, sidomos në veri, në sektorin
shqiptaro-malazez. Me këtë rast Komiteti i Stambollit
e shpalli edhe një herë publikisht platformën
e vet. Me një proklamatë drejtuar më 30 maj
1878 popullit shqiptar dhe, për njoftim, opinionit ndërkombëtar,
ai shprehte keqardhjen që në një çast
aq kritik për Shqipërinë, vendi po u nënshtrohej
sulmeve fatkeqe dhe persekutimeve të shëmtuara nga
qeveria malazeze, serbe e greke, veçanërisht nga
fqinjët malazez. Megjithatë, Komiteti i Stambollit,
thuhej në proklamatë, e konsideron të
ngutshme nevojën për të ndalur një luftë
midis dy popujve (shqiptarëve dhe malazezëve - shën.
i aut.), të cilët kanë pasur mjaft raste ta
matin fuqinë dhe trimërinë e tyre, dhe për
të larguar kështu rreziqe të reja për
paqen në Lindje. Proklamata përfundonte: Ne
dëshirojmë nxehtësisht të jetojmë
në paqe me të gjithë fqinjët tanë,
Malin e Zi dhe Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë.
Ne nuk kërkojmë, nuk dëshirojmë asgjë
prej tyre, por jemi krejtësisht të vendosur të
mbajmë me këmbëngulje çdo gjë që
është jona. Tu lihet pra shqiptarëve
toka shqiptare!
Shqetësimi që pushtoi shqiptarët për fatin
e atdheut, u shpreh me një lumë protestash, që
shpërthyen gjatë muajve prill e maj 1878 nga të
katër anët e vendit kundër Traktatit të
Shën-Stefanit. Pothuajse në çdo qendër
kazaje u zhvilluan mbledhje popullore, në të cilat
u morën vendime për të kundërshtuar me
çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare. Në
shumicën e rasteve, në përfundim të këtyre
mbledhjeve u hartuan protesta me shkrim drejtuar Fuqive të
Mëdha, në të cilat shprehej vendosmëria
e shqiptarëve për të mbrojtur deri në
njeriun e fundit çdo pëllëmbë të
tokës amtare. Funksionarët e admnistratës dhe
përkrahësit e tyre sulltanistë ushtruan në
këto mbledhje presion të fuqishëm për
ti detyruar pjesëmarrësit që ti
nënshkruanin protestat e tyre jo si banorë shqiptarë,
por si nënshtetas islamikë të lidhur me Perandorinë
Osmane. Por këto presione nuk dhanë rezultat. Në
asnjë nga krahinat shqiptare, pjesëmarrësit
e mbledhjeve nuk pranuan ta cilësonin veten e tyre si
banorë islamikë. Në të gjitha aktet drejtuar
Fuqive të Mëdha banorët myslimanë dhe
të krishterë, protestonin si shqiptarë, si
pjesëtarë të një kombi të vetëm.
Madje, në shumë raste, pjesëmarrësit e
mbledhjeve popullore hartuan peticione drejtuar Portës
së Lartë, me anën e të cilave kërkonin
reforma autonomiste për Shqipërinë.
Themelimi i Lidhjes së Prizrenit (10 qershor 1878)
Një nga çështjet kryesore, që u shtrua
gjatë pranverës së vitit 1878, në mbledhjet
popullore të krahinave të vendit ishte formimi i
lidhjes shqiptare, karakterin kombëtar të së
cilës e mbrojtën si patriotët radikalë,
ashtu dhe qarqet e moderuara. Si procedurë për formimin
e saj udhëheqësit politikë vendosën të
shfrytëzonin traditën e lashtë shqiptare. Sipas
kësaj tradite, sa herë që vendin e kërcënonte
rreziku i jashtëm, secila krahinë thërriste
kuvendin e vet krahinor dhe pastaj përfaqësuesit
e tyre mblidheshin në një kuvend të jashtëzakonshëm,
i cili formonte, sipas rastit, besëlidhjen ndërkrahinore
ose lidhjen e përgjithshme. Ekzistenca, në pranverën
e vitit 1878, e besëlidhjeve lokale ose e komisioneve
të vetëmbrojtjes, e lehtësonte punën e
udhëheqësve politikë. Duhej vetëm thirrja
e kuvendit të përgjithshëm dhe organizimi me
sukses i punimeve të tij.
Nismën për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm
e mori Komiteti i Stambollit. Por, për të mos shkaktuar
reagimin e hapur të organeve qeveritare osmane, Komiteti
i Stambollit vepronte, si edhe më parë, në
rrethanat e fshehtësisë së plotë. Si vend
për mbledhjen e Kuvendit u caktua Prizreni, qyteti kryesor
i Kosovës dhe një nga më të mëdhenjtë
e Shqipërisë, që ndodhej në afërsi
të krahinave, ku do të zhvillohej qëndresa
e armatosur e Lidhjes për mbrojtjen e tërësisë
së atdheut. Me organizimin e drejtpërdrejtë
të veprimeve për thirrjen e Kuvendit u ngarkua një
Komision i posaçëm, shumica e anëtarëve
të të cilit ishin nga Prizreni e Gjakova. Ndërmjet
tyre njihen Ymer Prizreni dhe Ahmet Koronica, ndërsa
thirrjen për mbledhjen e Kuvendit e lëshoi qysh
në fund të prillit një nga përfaqësuesit
më të shënuar të qarqeve atdhetare të
moderuara, Ali bej Gucia (më vonë: Ali pashë
Gucia), pronar i madh tokash dhe kundërshtar i vjetër
i Tanzimatit e i Traktatit të Shën-Stefanit.
Lëvizja për thirrjen e Kuvendit Kombëtar u
gjallërua në kulm gjatë gjysmës së
dytë të majit. Sapo u përhap lajmi se Kongresi
i Berlinit do të mblidhej më 13 qershor 1878, në
viset e të katër vilajeteve u zhvilluan mbledhje
për të zgjedhur delegatët që do të
niseshin për në Prizren. Nga viset shqiptare të
vilajetit të Kosovës, të Shkodrës, të
Manastirit dhe të Janinës, nuk u caktua si delegat
për në Prizren asnjë nga elementët sulltanistë.
Megjithatë, ulematë dhe funksionarët osmanë,
duke përdorur mjete nga më të ndryshmet, bënë
që në ato kaza, ku banonin në mënyrë
të përzier popullsi myslimane shqiptare, boshnjake,
turke dhe pomake (bullgarë të islamizuar), të
caktoheshin si delegatë edhe mjaft pashallarë e
bejlerë sulltanistë.
E shqetësuar nga zhvillimi i Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare, Porta e Lartë nuk e la fatin e politikës
së saj në Shqipëri vetëm në duart
e autoriteteve shtetërore të vilajeteve, por ndërhyri
edhe vetë për të ndryshuar rrjedhën e
ngjarjeve. Për këtë qëllim ajo thirri
në Stamboll, në fund të majit, personalitetet
më të dëgjuara të jetës politike
shqiptare, si Iljaz pashë Dibrën, Ali bej Gucinë,
Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Ahmet Koronicën,
Zija Prishtinën, Mustafa pashë Vlorën, sheh
Mustafa Tetovën, Vejsel bej Dinon dhe disa dhjetëra
të tjerë, ndaj të cilëve ushtroi për
disa ditë me radhë një trysni të fortë
për ti detyruar që ti jepnin besëlidhjes
karakterin e një organizate islamike ballkanike. Personalitetet
shqiptare, që i rezistuan presionit të qeverisë
osmane, Porta u përpoq ti mbante në Stamboll
me pretekste të ndryshme, për të penguar pjesëmarrjen
e tyre në Kuvendin Kombëtar. Por ata u nisën
për në Prizren pa lejen e saj. Prizreni kishte marrë
në ato ditë të para të qershorit një
pamje festive. Përveç banorëve të përhershëm
qarkullonin në qytet mijëra mysafirë të
tjerë të veshur me rrobat e krahinave të tyre
dhe të armatosur.
Kuvendi Kombëtar u hap më 10 qershor 1878. Por atë
ditë në Prizren nuk kishin arritur të gjithë
delegatët e krahinave shqiptare. Mungonin delegatët
e vilajetit të Shkodrës, nisjen e të cilëve
e kishin penguar intrigat e valiut turk, Hysen Pashës.
Po ashtu, nga vilajeti i Janinës arritën vetëm
dy delegatë (njëri nga të cilët ishte
Abdyl Frashëri), pasi të tjerët ishin ende
në udhëtim. Nga të dhënat e derisotme
dokumentare nuk ka qenë e mundur të përcaktohet
lista e plotë e delegatëve, as numri i saktë
i atyre që u ndodhën të pranishëm në
ditën e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm
të Lidhjes. Njihen më se 110 emra, shumica e të
cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës. Ishin këta
përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore,
çifligarë e agallarë, tregtarë e zejtarë,
klerikë e nëpunës, bajraktarë e malësorë.
Kishte personalitete të shquara politike të së
kaluarës, por edhe emra të rinj që po hynin
në jetën politike të vendit, figura që
kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër
Tanzimatit ose që kishin luftuar prej kohësh kundër
ushtrive të monarkive fqinje ballkanike. Ndër figurat
më të shquara që merrnin pjesë në
Kuvendin e Përgjithshëm njihen: Ali bej Gucia, Iljaz
pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar
i komisionit organizator të Kuvendit), Abdullah pashë
Dreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Zija bej Prishtina,
Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, Sulejman Vokshi,
Shuajip Spahiu, Ali Ibra, Abdyl Frashëri etj. Në
Prizren kishin ardhur gjithashtu delegatë disa feudalë
sllavë e sulltanistë nga viset e Bosnjë-Hercegovinës.
Kuvendi i Prizrenit i filloi punimet në ditën e
caktuar, me qëllim që kërkesat shqiptare tu
paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej
Kongresi i Berlinit (13 qershor 1878). Kuvendi i Përgjithshëm
i zhvilloi punimet në një nga sallat e medresesë
së ndërtuar në shek. XVII nga Mehmet Pasha;
kjo ndërtesë ndodhet pranë xhamisë ose
Bajrak-Xhamisë, siç quhej nga qytetarët prizrenas.
Kryetar i Kuvendit u zgjodh delegati më i moshuar, Iljaz
pashë Dibra (Qoku)?.
Delegatët që morën pjesë në Kuvendin
e Përgjithshëm kishin për çështjen
kryesore të ditës një unitet të plotë
mendimi; të gjithë qenë të vendosur për
të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin
e trojeve shqiptare, për të mbrojtur tërësinë
tokësore të Shqipërisë. Mendim të
njëjtë shprehën delegatët që u takonin
qarqeve atdhetare edhe për karakterin dhe programin politik
të organizatës, që do të themelonte Kuvendi.
Ata kërkuan me këmbëngulje që Kuvendi,
ashtu siç ishte parashikuar prej tyre, të formonte
një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar. Ndryshe
nga këta, delegatët, që i takonin krahut sulltanist,
u përpoqën që organizata që do të
themelohej të kishte një karakter islamik e jo kombëtar
shqiptar dhe tia nënshtronin atë interesave
të Stambollit. Në ditën e parë të
punimeve në Kuvend folën delegatë të të
gjitha grupimeve politike. Nga fjalimet që u mbajtën
në këtë ditë ruhet vetëm një
fragment i fjalës së Abdyl Frashërit, kryetar
i Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë
(i vilajetit të Janinës). Duke mbrojtur platformën
atdhetare të lëvizjes kombëtare, ai i ftoi
të gjitha krahinat shqiptare që të bashkoheshin
si një trup i vetëm për të mbrojtur mbarë
atdheun nga rreziku i asgjësimit. Abdyli ndër të
tjera tha: Qëllimi i Kuvendit është që
tua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur
besën shqiptare dhe duke u betuar që ti mbrojmë
me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit
dhe stërgjyshërit tanë. Fjalimi i Abdyl
Frashërit la përshtypje brenda dhe jashtë sallës.
Delegatëve të grupimit atdhetar, iu desh të
përballeshin në Kuvend si me qendrimet e dëmshme
të qarqeve sulltaniste, ashtu edhe me trysninë e
autoriteve qeveritare osmane, të përfaqësuara
nga mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu, që ishte
i pranishën në këtë tubim. Të dyja
këto forca u përpoqën të pengonin bashkimin
e shqiptarëve në një lidhje kombëtare.
Megjithatë, Kuvendi i Prizrenit e përmbushi misionin
e tij historik kombëtar. Akti më i rëndësishëm
i tij ishte vendimi për themelimin e një organizate
me karakter politik e ushtarak, të një Lidhjeje
(Ittifaku), me një qendër të vetme drejtuese
dhe me degë të saj në të gjitha krahinat
e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën
që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit.
Po atë ditë Kuvendi Kombëtar miratoi tekstin
e një proteste, drejtuar Kongresit të Berlinit,
me anën e së cilës ngrihej zëri kundër
shkëputjes së krahinave shqiptare në favor
të shteteve fqinje. Sipas traditës, së bashku
me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e
përgjithshme, në bazë të së cilës
duhej të pushonin menjëherë të gjitha
veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të
krahinave që ishin përfaqësuar në Kuvendin
e Prizrenit.
Vendimi i Kuvendit të Prizrenit për themelimin e
Lidhjes ishte një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare, pasi me anën e tij iu dha goditja e parë
dhe e fuqishme përpjekjeve të Stambollit për
ta veshur Lidhjen me karakter islamik dhe u hodhën themelet
e një organizate kombëtare shqiptare, e cila, qysh
në ditën e parë të saj, pati një
karakter atdhetar.
Menjëherë pas themelimit të Lidhjes u formuan
organet e saj të larta. Në krye të Lidhjes
qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me funksione
legjislative dhe me seli në Prizren, nga i cili do të
vareshin degët krahinore. Kryetar i tij u zgjodh Iljaz
pashë Dibra. Për të ushtruar funksionet ekzekutive
u formua Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare, i përbërë
nga tri komisione, secili me një përgjegjës
të veçantë: komisioni i punëve të
jashtme (Abdyl Frashëri), komisioni i punëve të
brendshme (Haxhi Shabani) dhe komisioni i të ardhurave
financiare (Sulejman Vokshi).
Krijimi i organeve të larta të Lidhjes së Prizrenit
dhe pajisja e tyre me funksione pushtetore ishin një
fitore tjetër që korrën forcat atdhetare, pasi
me anën e tyre u hodhën themelet për krijimin
në Shqipëri të një pushteti të veçuar
nga ai i Portës së Lartë. Kjo fitore u përforcua
me caktimin në krye të organeve të larta të
personaliteteve që militonin në Komitetin e Stambollit
(Abdyl Frashëri e Sulejman Vokshi), ose që u takonin
qarqeve të moderuara (Iljaz pashë Dibra e Haxhi
Shaban Prizreni). Për fitoren e plotë të krahut
patriotik nuk mbetej tjetër hap, veçse pajisja
e besëlidhjes me një statut ose kanun, siç
quhej në atë kohë, të ndërtuar mbi
platformën rilindëse.
Kanuni dhe Urdhëresa (17 qershor 1878)
Aktet e para të Kuvendit të Përgjithshëm
ishin: një peticion për çështjen shqiptare,
dërguar Kongresit të Berlinit, një peticion,
dërguar Portës së Lartë, Kararnameja (Akti
i Vendimeve-Kanuni) dhe Talimati (Urdhëresa).
Të dyja peticionet u miratuan më 15 qershor 1878.
Ato u pajisën me nënshkrimet e disa mijëra
përfaqësuesve të popullsisë shqiptare
në të gjitha krahinat e Shqipërisë. Me
anën e tyre kërkohej nga Kongresi i Berlinit dhe
nga qeveria turke që të mos i jepnin shteteve të
huaja asnjë pëllëmbë tokë nga atdheu
i tyre. Edhe në këto dokumente të Kuvendit
të Lidhjes shprehej vendosmëria e përfaqësuesve
shqiptarë për të luftuar deri te njeriu i fundit
për të kundërshtuar çdo vendim që
do të cenonte tërësinë territoriale të
atdheut. Veç kësaj, në peticionin që
iu dërgua Portës së Lartë, parashtrohej
edhe kërkesa për të bashkuar të gjitha
trojet shqiptare në një vilajet të vetëm
shqiptar ose, siç thuhet në peticion, në
një vilajet të bashkuar (Tevhidi vilajet)
me një kuvend të bashkuar në krye
dhe me administratë, buxhet e ushtri të veçantë,
pra të pajisur me autonomi administrative e kulturore.
Por ky program i autonomisë (krijimi i vilajetit të
bashkuar me autonomi administrative) nuk u përfshi në
të dy dokumentet e tjera që u miratuan nga Kuvendi,
më 17 qershor 1878, në Kararnamenë dhe në
Talimatin. Kjo shpjegohet me ndikimin e qarqeve konservatore
në punimet e vendimet e Kuvendit, të cilat nuk ishin
të interesuara për ndryshime të raporteve të
Shqipërisë me Perandorinë Osmane. Ndikimi i
këtyre qarqeve, me të cilat qenë bashkuar edhe
delegatët boshnjakë, u forcua, përkohësisht,
në krahasim me atë të grupimit të delegatëve
autonomistë kosovarë, edhe për shkak se në
Kuvendin e Përgjithshëm nuk kishin arritur ende
delegatët e krahinave të tjera të Shqipërisë,
sidomos ata të vilajeteve të Shkodrës e të
Janinës, të cilët ishin të gjithë
përkrahës të autonomisë. Por, veç
këtij faktori, në mungesën e kërkesës
në Kararname të një vilajeti të bashkuar
shqiptar, me autonomi administrative, ndikoi edhe rreziku
i jashtëm, ai i copëtimit të Shqipërisë,
që nxirrte në plan të parë dhe si detyrë
më të ngutshme mbrojtjen e tërësisë
së trojeve shqiptare.
Në këto rrethana, qarqet konservatore, të nxitura
edhe nga qeveritarët osmanë, u përpoqën
ti impononin Kuvendit të Përgjithshëm
një platformë me ndikime sulltaniste dhe islamike.
Por këto orvatje dështuan, sepse ndeshën në
kundërshtimin e rreptë të përfaqësuesve
të vijës patriotike të Kuvendit.
Kanuni i Lidhjes, me emrin Kararname (Akti i Vendimeve) sanksionoi
formimin e Lidhjes si organizatë politike shqiptare dhe
përcaktoi detyrat e saj më të ngutshme. Megjithëse
ky dokument nuk iu shmang dot disa formulimeve kontradiktore,
me këmbënguljen e delegatëve atdhetarë
aty u përfshinë dispozita të tëra, që
i shërbenin Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe
që binin ndesh me interesat e Portës së Lartë.
Kështu, në nenin 1 thuhej se qëllimi i Lidhjes
së Prizrenit ishte të mbronte tërësinë
tokësore të Perandorisë Osmane, me të
cilën Lidhja nënkuptonte edhe mbrojtjen e tërësisë
tokësore të Shqipërisë, kurse në
nenin 6 shpallej në formë edhe më të qartë
e më të prerë, se Lidhja do të kundërshtonte
vetëm lëshimet tokësore në favor të
Bullgarisë, të Serbisë dhe të Malit të
Zi (pra, jo kundër tokave që do të merrte Rusia
dhe Austro-Hungaria), që do të thoshte se ajo do
të luftonte vetëm për mbrojtjen e tërësisë
së trojeve shqiptare. E vështruar nga kjo pikëpamje,
Kararnameja i përgjigjej detyrës së parë
e kryesore që qëndronte para Lidhjes dhe Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare: lufta për mbrojtjen e tërësisë
territoriale të atdheut, të Shqipërisë.
Po ashtu, ajo shprehte synimet vetëqeverisëse të
shqiptarëve. Nga njëra anë thuhej se Lidhja
e Prizrenit do ta shihte si armik çdo njeri që
do të përpiqej të dobësonte autoritetin
e qeverisë osmane (neni 2), ndërsa nga ana tjetër,
ajo e vishte veten dhe komitetet e saj me funksione pushtetore
të veçuara nga ato të Stambollit (neni 14),
të cilat e dobësonin autoritetin e Portës së
Lartë në Shqipëri.
Lidhja trajtohej në Kararname si një institucion
politik, me një personalitet juridik të pavarur
nga Porta e Lartë. Qeveria e Stambollit, thuhej në
nenin 14 të saj, nuk do të përzihet në
asnjë mënyrë në çështjet e
Lidhjes. Por ajo që e theksonte më shumë
karakterin e saj të pavarur ishte e drejta që fitoi
Lidhja me anën e Kararnamesë për të ngritur
në këmbë forca të armatosura, të
veçuara nga ushtria perandorake osmane, dhe për
të hyrë në luftë kundër fuqive të
huaja, pavarësisht nga qëndrimi i Portës së
Lartë. Lidhja merrte përsipër edhe disa prerogativa
në fushën administrative e gjyqësore.
Të gjitha këto dëshmojnë se referimi në
ndonjë rast te feja islame ose përfshirja në
të e shprehjes së besnikërisë ndaj Perandorisë
Osmane, nuk përcaktonin karakterin e vërtetë
të Kararnamesë, nuk cenonin përmbajtjen e saj
themelore, që i përgjigjej synimeve të Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare në atë periudhë. Veç
kësaj, ky nuk ishte programi përfundimtar i Lidhjes,
i cili do të miratohej në një mbledhje më
të përgjithshme të Kuvendit, ku të merrnin
pjesë përfaqësuesit e të gjitha krahinave
të Shqipërisë.
Në dokumentin tjetër, që Kuvendi i Përgjithshëm
miratoi po atë ditë (më 17 qershor 1878), i
cili u quajt Talimat (Urdhëresë), trajtoheshin aspektet
organizative, politike e ushtarake të Lidhjes. Urdhëresa,
ndryshe nga Akti i Vendimeve, ishte e zhveshur nga çdo
referim te feja islame, si dhe nga deklarata e besnikërisë
ndaj Perandorisë Osmane. Veç kësaj, funksionet
pushtetore të Lidhjes këtu ishin më të
theksuara. Në Urdhëresë flitej haptas se Lidhja
do të formonte një administratë qendrore me
seli në Prizren, të përbërë nga përfaqësues
të çdo sanxhaku, nga e cila do të vareshin
administratat lokale të kazave. Krahas kësaj administrate
të veçuar do të krijohej edhe një ushtri
e shkëputur nga ajo e Portës së Lartë,
e cila do të varej drejtpërdrejt nga Lidhja. Nëpërmjet
Kararnamesë, delegatët e Kuvendit të Përgjithshëm
shpallën Prizrenin si kryeqytetin e Lidhjes.
Lidhja vendosi të ngrinte një ushtri të rregullt,
të disiplinuar dhe të ndërgjegjshme, të
aftë për të mbrojtur atdheun. Në Talimat
përfshihej edhe një shtojcë që përmbante
një varg masash konkrete për dislokimin e menjëhershëm
të forcave të armatosura të Lidhjes së
Prizrenit në pikat kryesore strategjike, si në Guci,
në Rugovë, në Kolashin, në Prepol, në
Senicë, në Tashllixhe, në Mitrovicë, në
Gjilan, në Palankë, në Shkodër e gjetkë.
Prej këtej ato do të mbronin viset shqiptare, nëse
Kongresi i Berlinit do tua jepte Serbisë, Bullgarisë
e Malit të Zi. Sipas Talimatit, Kuvendi Kombëtar
parashihte të ngrinte, në rast nevoje, një
ushtri kombëtare prej 190 mijë vetash.
Lajmi i formimit të Lidhjes në Prizren u përhap
menjëherë në Shqipëri dhe pati jehonë
në të katër anët e vendit. Kudo filloi
një diskutim i zjarrtë rreth vendimeve të Kuvendit
të Prizrenit. Me këtë rast atdhetarët
përparimtarë kërkuan që të mblidhej
përsëri Kuvendi i Përgjithshëm, në
të cilin të merrnin pjesë përfaqësuesit
e krahinave shqiptare të të katër vilajeteve.
Në protestat, që popullsia e krahinave të ndryshme
i drejtoi gjatë atyre ditëve Kongresit të Berlinit,
mbahej një qëndrim krejt i ndryshëm ndaj Stambollit,
nga ai i krahut sulltanist. Ashtu sikurse nuk jemi dhe
nuk duam të jemi turq, po ashtu do të luftojmë
me të gjitha forcat tona kundër cilitdo që
do të kërkonte të na bënte sllavë,
austriakë ose grekë, thuhej ndër të
tjera në një memorandum drejtuar, më 13 qershor
1878, kryeministrit britanik, lordit Bikonsfild (Beaconsfield),
nënshkruar nga rreth 500 qytetarë shkodranë,
të cilët kërkonin respektimin e tërësisë
tokësore të Shqipërisë dhe formimin e
një shteti shqiptar të pavarur. Me telegramet që
i drejtonin Kongresit të Berlinit në ditët
e mëpasme, përfaqësuesit e kazave shqiptare
të vilajeteve të Shkodrës, të Janinës,
të Kosovës e të Manastirit kërkonin gjithashtu,
si shqiptarë, respektimin e tërësisë tokësore
të atdheut të tyre, të Shqipërisë.
Të tilla kërkesa iu paraqitën areopagut ndërkombëtar
edhe nga shqiptarët e mërguar jashtë Shqipërisë,
madje edhe nga grupe shqiptarësh që ndodheshin në
Stamboll. Në një memorandum, drejtuar më 20
qershor 1878 ministrave të Jashtëm të Fuqive
të Mëdha nga një grup personalitetesh shqiptare
që banonin në kryeqytetin e Perandorisë Osmane,
midis të cilëve bënin pjesë edhe disa
anëtarë të Komitetit të Stambollit (Pashko
Vasa, Sami Frashëri, Ali Danish Prishtina, Sermedi Seid
Toptani dhe Abedin bej Dino), pasi protestohej në emër
të popullit shqiptar kundër copëtimit territorial
të atdheut, shtrohej kërkesa për ti dhënë
Shqipërisë një rregullim të veçantë
administrativ, sipas një projekti të hartuar prej
një komisioni të përbërë nga shqiptarë
dhe të miratuar nga Porta e Lartë.
Paralelisht me rritjen e lëvizjes masive në të
mirë të platformës kombëtare, përfunduan
edhe përgatitjet për mbledhjen e Kuvendit të
Përgjithshëm. Në fund të qershorit në
Prizren arritën delegatët e pothuajse të gjitha
krahinave shqiptare. Në të njëjtën kohë
u kthye nga Berlini edhe delegacioni shqiptar, i kryesuar
nga Abdyl Frashëri, që kishte shkuar atje për
tu paraqitur Fuqive të Mëdha të mbledhura
në Kongres, Peticionin me kërkesat e Kuvendit të
Lidhjes së Prizrenit. Shumica dërrmuese e delegatëve
ishte edhe më e vendosur për ta mbrojtur deri në
fund programin politik kombëtar të Lidhjes. Madje
disa delegatë, si për shembull ata të Shkodrës,
kishin porosi nga popullsia e tyre që të mos
pranonin asgjë që mund të interpretohej si
forcim i frymës islamike dhe po të vinin
re se Lidhja po i shmangej rrugës kombëtare për
të hyrë në rrugën thjesht fetare, të
largoheshin prej saj.
Kuvendi i Përgjithshëm u mblodh në Prizren
më 1 korrik 1878. Nga 300 delegatët që, sipas
disa dëshmive, kishin ardhur në Prizren, njihen
të paktën 140 emra, nga të cilët 96 nga
Kosova, 26 nga Shkodra dhe 20 nga vilajeti i Janinës.
Pas dy ditë diskutimesh Kuvendi i Përgjithshëm
miratoi, më 2 korrik 1878, një Rezolutë ose
Kanun të ri për Lidhjen e Prizrenit, me të
cilin u bënë hapa të rëndësishëm
në përpunimin e mëtejshëm të programit
të Lidhjes.
Kanuni i ri e shpalli botërisht organizatën e formuar
në Prizren si Lidhje Shqiptare dhe organin e saj qendror
e quajti Komitet Kombëtar. Statuti i ri ishte pastruar
nga ndonjë formulim me karakter fetar islamik dhe nga
ideja e besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane,
që kishin pasur vend në Kararname. Në tekstin
e Kanunit thuhej shprehimisht se Lidhja do të luftonte
për të drejtat kombëtare të Shqipërisë
dhe se veprimtarinë e saj do ta shtrinte vetëm në
trojet shqiptare. Ai i jepte të drejtë Komitetit
Kombëtar të formonte nënkomitete të Lidhjes
në qendrat e sanxhakëve të Shqipërisë,
të organizonte një ushtri të armatosur për
të mbrojtur trojet shqiptare, të shpallte mobilizimin
ushtarak të të gjithë burrave të aftë
për armë, të vilte, për nevojat e veta
buxhetore, një sërë taksash të ndryshme
dhe të jepte dënime penale kundër dezertorëve
nga Lidhja Shqiptare. Kuvendi mori edhe masat e nevojshme
për anët organizative të Lidhjes.
Në një mbledhje të fshehtë, që u
zhvillua natën në shtëpinë e atdhetarit
prizrenas Shuaip Spahiu, u zgjodhën anëtarët
e Këshillit të Përgjithshëm, që vishej
me funksione legjislative dhe, të Komitetit Kombëtar,
që do të ushtronte funksione ekzekutive. Në
Këshillin e Përgjithshëm u zgjodhën 56
anëtarë nga krahinat shqiptare të të katër
vilajeteve, të cilët ishin nga të gjitha besimet
fetare dhe përfaqësonin forcat atdhetare të
vendit. Midis tyre ishin: Iljaz pashë Dibra, Ali pashë
Gucia, Sheh Mustafa Tetova, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni,
Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Ahmet Koronica, Haxhi Shabani,
Binak Alia, Ali Ibra, Ali pashë Draga, Ali bej Tirana,
Qazim bej Gjirokastra etj. Si kryetar i Këshillit mbeti
përsëri Iljaz pashë Dibra. Tri komisionet e
Komitetit, të pajisura me funksione dikasteriale, mbetën
siç ishin, nën kryesinë e Abdyl Frashërit,
të Haxhi Shabanit e të Sulejman Vokshit.
Kanuni, i miratuar më 2 korrik 1878, shënonte fitoren
e plotë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare
në gjirin e Lidhjes së Prizrenit. Kjo fitore ishte
e dyfishtë. Nga njëra anë, detyra për
të mbrojtur vetëm trojet shqiptare, me të cilën
e ngarkoi ky kanun, e ktheu përfundimisht Lidhjen e Prizrenit
në një organizatë politike kombëtare dhe
i dha të drejtën për ta përfaqësuar
Shqipërinë e robëruar në arenën ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, të drejtat që i dha po ai kanun
për të pasur administratë, ushtri, buxhet dhe
gjyqe të veçanta, e pajisën Lidhjen e Prizrenit
me funksione pushtetore të veçuara nga ato të
shtetit centralist osman. Në të vërtetë,
me këto të drejta, që u sanksionuan në
kanunin e 2 korrikut 1878, Lidhja e Prizrenit fitoi bazën
ligjore për të ngritur shkallë-shkallë
një shtet autonom shqiptar brenda shtetit perandorak
osman.
3. MBROJTJA E TROJEVE SHQIPTARE
Shqipëria dhe Kongresi i Berlinit (13 qershor-13
korrik 1878)
Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878, me rend
dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në
të morën pjesë 6 Fuqitë e Mëdha të
Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria
dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht,
vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e
Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto
Bismark.
Në punimet e Kongresit të Berlinit mori pjesë
edhe një delegacion qeveritar i Perandorisë Osmane,
i kryesuar nga ministri i saj i Jashtëm, Kara Theodhor
Pasha, me ndihmës të parë Mehmet Ali Pashën,
një mareshal turk me origjinë gjermane. Por delegacioni
turk nuk kishte të drejta të barabarta me ato të
Fuqive të Mëdha. Ai mund të diskutonte për
çdo çështje të rendit të ditës,
por nuk kishte të drejtë të votonte për
vendimet e Kongresit.
Me ftesën e Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike
(Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi) dërguan
në Berlin delegacionet e tyre qeveritare, të cilat
parashtruan dhe mbrojtën në seanca të veçanta
të Kongresit kërkesat e tyre politike e territoriale.
Edhe shqiptarët, sidomos organizmat e Lidhjes së
Prizrenit, i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat
e tyre. Në dhjetëra peticione e memorandume të
dërguara gjatë muajve qershor-korrik 1878, përveç
protestave kundër lakmive pushtuese të shteteve
fqinje, që cenonin tërësinë territoriale
të Shqipërisë, parashtrohej edhe kërkesa
për ti dhënë Shqipërisë disa
të drejta autonomiste. Këtë kërkesë
ia përcolli me anën e Abdyl Frashërit Kongresit
të Berlinit edhe Lidhja e Prizrenit me peticionin që
miratoi më 15 qershor.
Megjithëse kjo platformë e autonomisë ishte
pranuar nga shumica e qarqeve patriotike shqiptare, nuk munguan
tu paraqiten Fuqive të Mëdha edhe kërkesa
të tjera, që parashikonin formimin e një shteti
të pavarur shqiptar. Kështu, në memorandumin,
që një grup atdhetarësh shkodranë i dërguan
më 13 qershor 1878 lordit Bikonsfild, kryetar i delegacionit
anglez në Kongresin e Berlinit, pasi flitej hollësisht
për rrezikun që i kanosej tërësisë
territoriale të Shqipërisë nga shtetet fqinje,
parashtrohej si zgjidhja më e përshtatshme për
çështjen shqiptare, në kushtet në të
cilat ndodhej Evropa Juglindore, formimi i një shteti
shqiptar të pavarur. Krijimi i shtetit të pavarur
shqiptar do ta çlironte popullin shqiptar nga zgjedha
shekullore osmane, do të krijonte në Ballkan një
mburojë kundër pansllavizmit rus dhe do të
shërbente si një element ekuilibri në lindje.
Megjithatë, Fuqitë e Mëdha, të mbledhura
në Kongresin e Berlinit, nuk i morën parasysh këto
kërkesa të shqiptarëve. Edhe pse në Berlin
luhej fati i popullit shqiptar, Fuqitë e Mëdha e
injoruan qenien e tij. Madje, delegacioni shqiptar, i ngarkuar
nga Lidhja e Prizrenit, i cili shkoi në Berlin me nismën
e vet për ti parashtruar Kongresit të drejtat
e Shqipërisë, nuk u përkrah nga askush. Abdyl
Frashëri, kryetari i delegacionit, u përpoq ta bindte
kryetarin e Kongresit, kancelarin Bismark, në një
takim që pati me të, që ta përfshinte
në rendin e ditës së një seance edhe çështjen
e kombit shqiptar. Por kancelari gjerman nuk pranoi duke u
shprehur brutalisht se nuk ka një komb shqiptar.
Si rrjedhim, çështja shqiptare nuk u përfill
fare si çështje më vete nga Kongresi i Berlinit.
Të mbledhura për të rishikuar Traktatin e Shën-Stefanit,
Fuqitë e Mëdha morën përsipër që
të hartonin në Kongresin e Berlinit një hartë
të re politike të Gadishullit Ballkanik. Në
Kongres Fuqitë e Mëdha nuk u udhëhoqën
nga parimi i lirisë së popujve, por nga interesat
e tyre të veçantë, të cilët ishin
në kontradiktë të thellë ndërmjet
tyre. Perandoria Ruse luftonte për të sanksionuar
kushtet e Traktatit të Shën-Stefanit, kurse Britania
e Madhe me Austro-Hungarinë përpiqeshin të
pakësonin sa më shumë përfitimet e Rusisë
dhe ti përforconin pozitat e tyre në Evropën
Juglindore. Perandoria Gjermane orvatej të kënaqte
Austro-Hungarinë për të mos e lënë
që të bashkohej me Francën dhe ta neutralizonte
kundërshtimin e Rusisë, duke provokuar keqësimin
e marrëdhënieve të saj me Perandorinë
Britanike. Synimi kryesor i Francës ishte izolimi politik
i Gjermanisë, kurse Italia, nga ana e saj, kërkonte
zgjidhje të tilla që do të çonin në
dobësimin e pozitave të Austro-Hungarisë në
Gadishullin Ballkanik.
Punimet e Kongresit të Berlinit vijuan plot një
muaj. Ato përfunduan më 13 korrik 1878 me nënshkrimin
e Traktatit të Berlinit, i cili zëvendësoi
atë të Shën-Stefanit.
Sipas traktatit të ri, përfitimet politike e territoriale
të Rusisë u pakësuan si në Gadishullin
Ballkanik, ashtu edhe në Azinë e Vogël. Ideja
e një principate bullgare, nën sovranitetin e sulltanit,
mbeti në fuqi, por kufijtë e saj u zvogëluan
gati trefish. Kongresi i Berlinit vendosi që territori
i saj të shtrihej midis lumit Danub dhe maleve Ballkan.
Viset në jug të maleve Ballkan do të formonin
një provincë autonome të Perandorisë Osmane
me emrin Rumelia Lindore. Viset e Maqedonisë, së
bashku me krahinat lindore të Shqipërisë, të
cilat me Traktatin e Shën-Stefanit i jepeshin Bullgarisë,
do të mbeteshin gjithashtu nën sundimin osman. Kongresi
i Berlinit ua njohu pavarësinë Rumanisë, Serbisë
dhe Malit të Zi. Ai ripohoi gjithashtu vendimin e mëparshëm
për ti dhënë Rumanisë Dobruxhën
Veriore dhe për ti shkëputur asaj provincën
e Besarabisë në favor të Rusisë. Kufijve
të Serbisë e të Malit të Zi ai u bëri
ndryshime të rëndësishme. Me këmbënguljen
e Austro-Hungarisë u vendos që Serbia të mos
zgjerohej nga ana jugore (në drejtim të Novi Pazarit,
të Mitrovicës dhe të Prishtinës, të
cilat Vjena i lakmonte për vete), por nga ana juglindore,
duke i dhënë asaj krahinat e Pirotit, të Trenit,
të Vranjës e të Nishit; këto, me Traktatin
e Shën-Stefanit, i qenë premtuar Bullgarisë.
Për të njëjtën arsye, me këmbënguljen
e Vjenës, Malit të Zi iu pakësuan së tepërmi
përfitimet territoriale nga ana veriore, në drejtim
të Hercegovinës dhe të Novi Pazarit. Sipas
Traktatit të Berlinit, ai do të zgjerohej kryesisht
nga ana jugore: do të merrte krahinat e Tivarit, të
Podgoricës, të Plavës, të Gucisë,
të Rugovës e të Kolashinit. Aneksimi i Ulqinit
nuk iu njoh, por Cetina fitonte të drejtën që
anijet tregtare malazeze të lundronin lirisht në
lumin Bunë dhe në liqenin e Shkodrës.
Përfitime tokësore në kurriz të Perandorisë
Osmane patën sidomos dy fuqi të mëdha, të
cilat nuk kishin marrë pjesë fare në luftën
ruso-turke: Austro-Hungaria dhe Britania e Madhe. Austro-Hungaria
fitoi të drejtën për të pushtuar ushtarakisht,
gjoja për ti administruar, Bosnjën dhe Hercegovinën,
përveç limanit Spic, në brigjet jugore të
Dalmacisë, të cilën e aneksoi zyrtarisht; po
ashtu fitoi të drejtën për të mbajtur
garnizone ushtarake në sanxhakun e Novi Pazarit. Britania
e Madhe, e cila u paraqit në Kongres si mbrojtësja
më e flaktë e Perandorisë Osmane, i shkëputi
kësaj ishullin e Qipros.
Me përkrahjen e Anglisë e të Francës,
Kongresi i Berlinit mori në shqyrtim edhe kërkesat
e Greqisë, e cila gjithashtu nuk kishte marrë pjesë
në luftën ruso-turke. Athina pretendonte të
aneksonte Thesalinë, Maqedoninë, Kretën dhe
sidomos Epirin (vilajetin e Janinës). Pas mjaft debatesh,
Kongresi, duke marrë parasysh kundërshtimin që
bëri Anglia për Kretën dhe Rusia për Maqedoninë,
nuk pranoi që këto ti jepeshin Greqisë,
ndërsa për pretendimet greke në Epir, Perandoria
Osmane deklaroi haptas se aneksimi i Epirit nga Greqia do
të ishte i rrezikshëm për të dyja palët,
pasi aty mbisundonte popullsia shqiptare, e cila do tu
shkaktonte telashe si Greqisë, ashtu dhe Turqisë.
Më në fund u vendos që kufiri në Thesali
dhe në Epir të caktohej nga një komision turko-grek.
Megjithatë, Kongresi rekomandonte si vijë kufiri
lumin Kalamas në Epir dhe lumin Selemvria në Thesali.
Në rast se Greqia e Turqia nuk do të merreshin dot
vesh ndërmjet tyre, thuhej në nenin 24, atëherë
do të ndërhynin Fuqitë e Mëdha.
Vendimet e Kongresit të Berlinit cenonin rëndë
interesat e popullit shqiptar dhe tërësinë
territoriale të Shqipërisë. Ashtu si Traktati
i Shën-Stefanit, edhe ai nuk e pa Shqipërinë
si një njësi politike të veçantë,
por e trajtoi si një plaçkë tregu të
destinuar për të përmbushur synimet e Fuqive
të Mëdha dhe për të kënaqur lakmitë
e shteteve ballkanike. Traktati i Berlinit nuk i njohu Shqipërisë
asnjë të drejtë kombëtare, madje nuk e
zinte fare në gojë emrin e saj. Ai nuk e respektoi
as tërësinë e saj territoriale. Malit të
Zi, përveç trojeve me popullsi të përzier
shqiptare e sllave, iu dhanë përsëri disa vise
thjesht shqiptare (krahinat e Plavës, të Gucisë
e të Rugovës), sikundër edhe Serbisë (krahinat
e Vranjës, të Trenit e të Pirotit). Bullgarisë
nuk iu njohën viset e Shqipërisë Lindore, por,
nga ana tjetër, iu dhanë Greqisë (e cila nuk
përfitonte asgjë nga Traktati i Shën-Stefanit),
viset e Çamërisë. Veç kësaj,
me Traktatin e Berlinit lindi edhe një rrezik tjetër
për trojet shqiptare. Ky rrezik vinte nga Austro-Hungaria,
e cila, përveç pushtimit të Bosnjës
dhe të Hercegovinës, fitonte gjithashtu të
drejtën të vendoste garnizone ushtarake dhe të
ndërtonte rrugë strategjike në sanxhakun e
Novi Pazarit deri përtej Mitrovicës.
Me këto koncesione Vjena hidhte hapin e parë për
të pushtuar një ditë krejt Kosovën dhe
për të dalë pastaj në Selanik.
Midis vendimeve të tjera që mori Kongresi i Berlinit,
dy prej tyre preknin, njëri tërthorazi e tjetri
drejtpërdrejt, dy çështje që kishin
lidhje me aspektin politik të trojeve shqiptare, që
do të mbeteshin nën sundimin e Perandorisë
Osmane. E para trajtohej në nenin 23 të traktatit.
Sipas këtij neni, Porta e Lartë detyrohej të
hartonte për viset ballkanike, që ndodheshin nën
sundimin e saj të plotë, rregullore organike
për një administrim autonom të vilajeteve,
pak a shumë të njëllojtë me atë që
i qe dhënë ishullit të Kretës më
1868. Me qëllim që këto rregullore
tu përshtateshin nevojave të vendit, Porta
duhej të ngarkonte komisione të posaçme
për hartimin e tyre, në të cilat elementi
vendas duhej të përfaqësohej në shkallë
të gjerë. Projektet që do të hartoheshin
për çdo vilajet, thuhej në po këtë
nen, para se të hynin në fuqi, do të miratoheshin
edhe nga Komisioni Evropian që u krijua nga Fuqitë
e Mëdha për Rumelinë Lindore. E dyta ishte
përfshirë në Protokollin nr.13 të Kongresit
të Berlinit dhe kishte lidhje me venomet e Mirditës.
Fillimisht çështja u ngrit nga përfaqësuesit
e Francës dhe të Austro-Hungarisë. Këta
kërkuan nga Porta e Lartë që ajo ti respektonte
edhe në të ardhmen privilegjet dhe imunitetet
(domethënë: venomet), të cilat popullsia
e Mirditës i gëzon ab antiquo (që në
kohët e lashta). Përfaqësuesi osman e kundërshtoi
këtë propozim që e pengonte Portën e Lartë
ta nënshtronte Mirditën, duke u kapur pas faktit
se zotimi për të respektuar venomet në këtë
krahinë binte në kundërshtim me nenin 23, i
cili e detyronte atë të zbatonte reforma administrative
në vilajetet e Turqisë Evropiane. Megjithatë
ai shtoi se Porta e Lartë nuk kishte ndërmend të
zbatonte reformat e saj në krahinën e Mirditës.
Fuqitë e Mëdha mbetën të kënaqura
nga deklarata e përfaqësuesit turk, e cila u përfshi
në Protokollin nr.13, duke marrë kështu vlerën
e një zotimi zyrtar. Të dyja këto vendime ishin
negative për Shqipërinë.
Me nenin 23 Fuqitë e Mëdha cenonin interesat jetike
të Shqipërisë, jo pse e detyronin Perandorinë
Osmane ti pajiste viset ballkanike me administratë
autonome të përshtatshme me nevojat
e tyre, por me të drejtën që fitoi Porta e
Lartë për ta mbajtur edhe në të ardhmen
ndarjen administrative që ishte në fuqi, pra copëtimin
e trojeve shqiptare ndërmjet katër vilajeteve të
ndryshme. Reformat administrative autonomiste i kërkonin
vetë qarqet përparimtare rilindëse, por ato
i kushtëzonin këto reforma me bashkimin e trojeve
shqiptare në një vilajet të vetëm autonom.
Pajisja e katër vilajeteve me rregullore organike
të veçantë, gjoja në përshtatje
me nevojat e vendit, do ti vështirësonte edhe
më tej lidhjet ekonomike, shoqërore, politike e
kulturore ndërmjet krahinave shqiptare të këtyre
vilajeteve. Për më tepër, e drejta që
fituan me nenin 23 Fuqitë e Mëdha për të
ndërhyrë në këtë çështje,
u dha atyre mundësinë, siç shkruante pak
më vonë Abdyl Frashëri, që tu jepnin
reformave karakter joshqiptar, por serb në vilajetin
e Kosovës, bullgar në atë të Manastirit
dhe grek në vilajetin e Janinës. Si rrjedhim, me
zbatimin e nenit 23 rritej më tepër në të
ardhmen rreziku i aneksimit të trojeve shqiptare nga
shtetet fqinje ballkanike dhe vështirësohej më
shumë lufta e shqiptarëve për bashkimin e këtyre
trojeve në një vilajet të vetëm autonom.
Po ashtu, me Protokollin nr. 13, Fuqitë e Mëdha
cenonin interesat jetike të Shqipërisë, sepse
çështjen kombëtare shqiptare e reduktuan
vetëm si problem të popullsisë së saj
katolike dhe në mënyrë të veçantë
vetëm si çështjen e një krahine të
saj, siç ishte krahina e vogël dhe e prapambetur
e Mirditës, e cila, sipas tyre, nuk aspironte gjë
tjetër, veçse të ruante statusin e saj partikularist
e patriarkal. Protokolli nr.13 i hapte kështu rrugën
Vjenës, e cila gëzonte prej kohësh të
drejtën e mbrojtjes së popullsive katolike të
Perandorisë Osmane (kultusprotektoratin), që të
ndërhynte lirisht në jetën e brendshme të
Mirditës dhe ta kthente atë në një pikëmbështetje
të avancuar për ekspansionin e saj të mëtejshëm
drejt brigjeve shqiptare të Adriatikut dhe drejt viseve
të Ballkanit Qendror.
Acarimi i marrëdhënieve shqiptaro-turke.
Aksioni i Gjakovës (korrik-shtator 1878)
Vendimet e Kongresit të Berlinit e shtuan zemërimin
e shqiptarëve kundër Fuqive të Mëdha dhe
kundër Portës së Lartë. Nga të katër
anët e vendit u bënë protesta për të
kundërshtuar shkëputjen e trojeve shqiptare në
favor të shteteve fqinje. Kudo u shpreh gatishmëria
e masave popullore për të mos lëshuar, qoftë
në veri, qoftë në jug, asnjë pëllëmbë
tokë të banuar nga popullsi shqiptare. Megjithatë,
pasi mbaruan punimet e Kongresit të Berlinit, vëmendja
e shqiptarëve u drejtua kryesisht nga fati i trojeve
veriore, pasi vendimi i Fuqive të Mëdha për
dorëzimin e Plavës dhe të Gucisë në
favor të Malit të Zi kishte formë të prerë.
Si i tillë ai duhej të zbatohej menjëherë,
kurse vendimi për viset jugore do të merrte formë
përfundimtare më vonë, pasi ishte i lidhur
me bisedimet turko-greke.
Tensioni i madh politik që pushtoi opinionin publik krijoi
një truall të favorshëm për rritjen e
shpejtë të autoritetit të Lidhjes Shqiptare
të Prizrenit dhe për shtrirjen e saj organizative,
brenda pak javëve, në të katër anët
e vendit.
Pasi u kthyen në krahinat e tyre delegatët që
kishin marrë pjesë në Kuvendin e Prizrenit,
besëlidhjet lokale ose komisionet e vetëmbrojtjes,
që ishin krijuar më parë, u kthyen menjëherë
në degë të Lidhjes Shqiptare. Në ato krahina,
ku ato mungonin, u organizuan mbledhje të posaçme,
të cilat formuan degët lokale të Lidhjes. Duke
marrë parasysh vështirësitë e ndërlidhjes
së degëve të shumta me Komitetin Kombëtar
dhe për ta rritur operativitetin e këtyre degëve
në përshtatje me rrethanat lokale, në fillim
të korrikut u formuan në bazë vilajetesh tri
komitete ndërkrahinore të Lidhjes Shqiptare me qendër
në Prizren, në Shkodër dhe në Janinë.
Me to u lidhën degët e shpërndara në sanxhakët
dhe në kazatë e këtyre vilajeteve. Meqenëse
më 1878 vilajeti i Manastirit ishte suprimuar, degët
e formuara në sanxhakët e Dibrës, të Ohrit
e të Manastirit u lidhën me Komitetin Ndërkrahinor
të Prizrenit, kurse ato të sanxhakut të Korçës
me Komitetin Ndërkrahinor të Janinës. Lidhjet
ndërmjet Komitetit të Janinës dhe komiteteve
të Prizrenit ose të Shkodrës kryheshin sipas
rastit, nëpërmjet degës së Elbasanit ose
nëpërmjet degës së krijuar posaçërisht
për këtë qëllim në Selanik, e cila
shërbente si ndërmjetëse për lidhjet e
komiteteve ndërkrahinore të vilajeteve me Komitetin
e Stambollit. Për të shpejtuar lidhjet ndërmjet
tyre, komitetet krahinore shfrytëzuan edhe linjën
telegrafike, madje, nëpërmjet telegrafistëve
atdhetarë, edhe shifrazhin sekret telegrafik.
Në përshtatje me situatën e krijuar, Komiteti
Ndërkrahinor i Janinës u ngarkua me detyrën
që të merrte masa politike e ushtarake për
të parandaluar ose, në pamundësi të kësaj,
për të kundërshtuar shkëputjen e Çamërisë
në favor të Greqisë. Për këtë
qëllim në dhjetëditëshin e tretë
të korrikut 1878 u organizua në Janinë një
Kuvend i gjerë Ndërkrahinor me përfaqësues
të të gjitha degëve të vilajetit. Pasi
vendosi të shprehte botërisht vendosmërinë
e shqiptarëve për të kundërshtuar me armë
çdo lëshim të trojeve të tyre në
favor të Mbretërisë Greke, Kuvendi Ndërkrahinor
caktoi për çdo kaza numrin e forcave vullnetare,
që do të mobilizoheshin për të hyrë
në luftë menjëherë sapo të dilte
nevoja. Në të njëjtën kohë përfaqësuesit
e degëve të Jugut miratuan një memorandum,
me të cilin paralajmërohej Porta e Lartë se
shqiptarët ishin të vendosur të viheshin edhe
kundër saj, në rast se ajo do të tërhiqej
përballë pretendimeve shoviniste të Athinës.
Në mbledhjen që mbajti më 24 korrik 1878, nën
drejtimin e Abdyl Frashërit, Kuvendi Ndërkrahinor
i Janinës, krahas vendimeve që mori për mbrojtjen
e tërësisë tokësore të Shqipërisë,
shqyrtoi edhe çështjen e formimit të vilajetit
autonom shqiptar. Për këtë qëllim, më
24 korrik 1878, u hartua një rezolutë e veçantë,
në të cilën aspirata e shqiptarëve për
autonomi është formuluar nëpërmjet tri
kërkesave: bashkimi i trojeve të tyre në një
vilajet të vetëm, zhvillimi i gjuhës shqipe
si gjuhë kombëtare dhe zbatimi menjëherë
në Shqipëri i reformave të përshtatshme
me nevojat e saj, sikurse ishte krijimi i milicisë
shqiptare me forca të rekrutuara nga e gjithë
Shqipëria. Lidhja parashikonte që vetëm në
vilajetin e Janinës të mblidhte 30 mijë burra
të armatosur.
Kjo rezolutë, në të cilën shprehej vendosmëria
e shqiptarëve për të kundërshtuar me armë
në dorë çdo aneksim të tokës së
tyre nga Greqia, madje edhe në kundërshtim me qëndrimin
e Portës së Lartë, shqetësoi qarqet qeveritare
të Stambollit. Në telegramet që i dërgonte
kryetarit të Kuvendit Ndërkrahinor të Janinës
më 3 dhe 25 gusht, kryeministri turk shpejtoi ti
qetësonte shqiptarët, duke u zotuar se nuk do ti
lëshonte Greqisë asnjë pëllëmbë
tokë nga vilajeti i Janinës.
Gjithashtu, në përshtatje me situatën e krijuar,
dy komitetet ndërkrahinore të Veriut u mobilizuan
për të kundërshtuar me armë dorëzimin
e kazasë së Gucisë (ku bënte pjesë
edhe Plava) në favor të Malit të Zi. Për
mbrojtjen e tyre në Shkodër u zhvillua një
miting popullor, pas të cilit filluan menjëherë
përgatitjet për të rekrutuar vullnetarë
dhe për të grumbulluar armë. Brenda pak ditëve,
në fillim të korrikut, në rrethin e Shkodrës
u regjistruan rreth 6 mijë vullnetarë. Qytetarët
dhe fshatarët dhanë kontribut në të holla
e drithë. Një mobilizim i tillë ndodhi edhe
në Kosovë, sidomos në Gjakovë e në
Pejë. Më shumë se kudo mobilizimi përfshiu
banorët e Plavës e të Gucisë. Shqiptarët,
të cilët përbënin shumicën dërrmuese
të këtyre dy krahinave, u vunë në gatishmëri
të plotë, duke vëzhguar ditë e natë
lëvizjet e ushtrive malazeze përtej kufirit. Sipas
vendimit që mori Komiteti Kombëtar i Lidhjes së
Prizrenit, vullnetarët e krahinave të tjera do të
qëndronin në shtëpitë e tyre në pritje
për tu nisur në front sapo të lëshohej
kushtrimi.
Përgatitjet politike dhe ushtarake të Lidhjes së
Prizrenit tregonin se nenet e Traktatit të Berlinit,
që cenonin të drejtat kombëtare të Shqipërisë,
nuk mund të zbatoheshin pa dhunën e armatosur kundër
shqiptarëve që do të ushtrohej ose nga Mali
i Zi, ose nga Perandoria Osmane. Për ta mënjanuar
këtë konflikt tepër të kushtueshëm
dhe me përfundime të pasigurta për Malin e
Zi, knjaz Nikolla kërkoi ndërhyrjen e Fuqive të
Mëdha, duke e akuzuar Portën e Lartë si organizatoren
e Lidhjes së Prizrenit.
Për Perandorinë Osmane kazaja e Gucisë, me
më pak se 10 mijë banorë, nuk kishte asnjë
rëndësi ekonomike e strategjike në krahasim
me territoret e gjera të Bullgarisë, të Bosnjës,
të Hercegovinës etj., që asaj iu shkëputën
nga Traktati i Berlinit. Por Porta e Lartë nuk donte
që, për shkak të një krahine të parëndësishme
kufitare, të ndizte revoltimin e mëtejshëm
të 1,6 milion shqiptarëve, të cilët do
të mbeteshin brenda kufijve të Perandorisë.
Si rrjedhim, ajo ngurroi të dorëzonte Plavën
e Gucinë, duke u justifikuar para Fuqive të Mëdha
me arsyen e vërtetë, me rrezikun e një konflikti
të armatosur ndërmjet saj dhe shqiptarëve.
Ndërkaq, në dhjetëditëshin e tretë
të korrikut u acaruan marrëdhëniet e Portës
së Lartë me shqiptarët, për shkak të
qëndrimit të këtyre të fundit ndaj pushtimit
të Bosnjës e të Hercegovinës nga Austro-Hungaria.
Kur më 22 korrik ushtritë austro-hungareze filluan
marshimin drejt Bosnjës dhe Hercegovinës, autoritetet
shtetërore osmane u kërkuan krerëve të
Lidhjes Shqiptare që tu vinin në ndihmë
me forcat e tyre të armatosura boshnjakëve, që
kishin rrëmbyer armët kundër pushtuesve të
huaj. Kërkesën e Stambollit e miratuan vetëm
qarqet sulltaniste, të cilat u përpoqën të
bindnin Këshillin e Përgjithshëm të Lidhjes
për të marrë pjesë në luftën
kundër Austro-Hungarisë, ndërsa anëtarët
e tij nuk pranuan, duke përdorur si argument nevojën
e ngutshme që kishte vendi për mbrojtjen e trojeve
shqiptare. Presioni i qarqeve qeveritare dhe i elementëve
turkomanë vijoi katër javë, derisa më
19 gusht 1878 Këshilli i Përgjithshëm, i mbledhur
posaçërisht për këtë qëllim,
e hodhi përfundimisht poshtë kërkesën
e Portës së Lartë. Lidhja vendosi të mos
dërgonte forcat e saj të armatosura kundër
invazionit austro-hungarez në Bosnjë, me arsyen
e thjeshtë se ato ishin krijuar për të mbrojtur
interesat kombëtarë të Shqipërisë
e jo të Perandorisë Osmane. Me këtë qëndrim
Lidhja e Prizrenit u dha, pas miratimit të kanunit kombëtar
më 2 korrik 1878, goditjen e dytë planeve të
sulltanit. Goditjen e tretë ajo ua dha tre javë
më vonë me vrasjen në Gjakovë të
mareshalit Mehmet Ali pashë Maxhari.
Pas dështimit të planeve të saj në lidhje
me Bosnjën e me Hercegovinën, Porta e Lartë
filloi të shqetësohej si nga rruga e veprimeve të
pavarura në të cilët tashmë kishte hyrë
Lidhja Shqiptare, ashtu edhe nga trysnia e madhe që po
ushtronin Fuqitë e Mëdha në lidhje me zbatimin
e Traktatit të Berlinit kundrejt Malit të Zi e Mbretërisë
Greke. Trysni të fuqishme ushtronte sidomos Rusia cariste,
e cila po e kushtëzonte tërheqjen e ushtrive të
veta nga Rumelia Lindore me dorëzimin nga ana e Perandorisë
Osmane të trojeve që i qenë premtuar Malit
të Zi. Kërkesën e plotësimit të detyrimeve,
që rridhnin nga Kongresi i Berlinit, ia parashtroi Stambollit
edhe princi i Malit të Zi, më 13 gusht 1878. Për
tu çliruar nga ky presion e sidomos nga ai që
ushtronte Rusia, ushtritë e së cilës ndodheshin
në afërsitë e Stambollit, Porta e Lartë
vendosi të shpejtonte veprimet për dorëzimin
e këtyre trojeve, duke përfshirë këtu
edhe Plavën e Gucinë. Në përgjigjen që
i dha princit të Malit të Zi, më 20 gusht,
Ministria e Jashtme e njoftonte knjaz Nikollën se qeveria
perandorake kishte caktuar mareshalin Mehmet Ali Pashën
si komisar i jashtëzakonshëm për të kryer
formalitetet e dorëzimit të Plavës e të
Gucisë.
Në fund të gushtit u dërgua në Shqipëri
mareshali Mehmet Ali pashë Maxhari si komisar me fuqi
të jashtëzakonshme për kufijtë turko-malazezë,
i shoqëruar nga një adjutant i sulltanit. Ai u porosit
që, para se të shkonte në kufi, ta bindte Komitetin
e Lidhjes të mos e kundërshtonte dorëzimin
e Plavës e të Gucisë dhe të mos i sillnin
atij pengesa në zbatimin e Traktatit të Berlinit.
Qysh në fillim u mor vesh se mareshali turk kishte marrë
përsipër të shpërndante Komitetin Kombëtar
të Lidhjes Shqiptare në Prizren dhe, pasi të
kryente dorëzimin e Plavës e të Gucisë,
do të vinte në Shkodër për të shpërndarë
edhe aty Komitetin Krahinor të Lidhjes. Prandaj lajmi
i misionit të Mehmet Ali pashës u prit me zemërim
në Shqipëri. Në Prizren, Komiteti Kombëtar
i Lidhjes u shpreh kundër pjesëmarrjes së mareshalit
në komisionin e kufirit. Po kështu, në një
mbledhje të fshehtë që u mbajt në Shkodër
nga aktivistët më radikalë, u vendos që
të mos e linin komisarin e sulltanit as të hynte
në qytetin e tyre.
Mehmet Ali pasha arriti në Prizren më 25 gusht 1878
dhe ra menjëherë në kontakt me anëtarët
e organeve qendrore e ndërkrahinore të Lidhjes Shqiptare.
Ai u përpoq të bindte veçan udhëheqësit
e saj për kotësinë dhe dëmin e kundërshtimit
të shqiptarëve, pasi, sipas tij, jo vetëm Porta
e Lartë, por as Fuqitë e Mëdha nuk do të
tërhiqeshin; ato do ta zbatonin me çdo kusht Traktatin
e Berlinit. Në një mbledhje të përbashkët
me të gjithë krerët e Lidhjes, më 26 gusht,
ai përdori, midis të tjerave, edhe kërcënimin,
duke u lënë një afat prej 24 orësh për
tu menduar. Por të nesërmen askush nuk u paraqit
në mbledhje. Për më tepër, atë ditë
u vra nga njerëzit e Lidhjes Shqiptare me atentat, në
kafenenë Marash të Prizrenit, telegrafisti
i Mehmet Ali pashës, të cilin mareshali e kishte
sjellë me vete për të ruajtur sekretin e raporteve
që do t`i drejtonte Portës së Lartë. Vrasja
e telegrafistit ishte një paralajmërim që Lidhja
e Prizrenit i drejtonte Maxhar? Pashës dhe nëpërmjet
tij qeverisë osmane, për të hequr dorë
nga dorëzimi i trojeve shqiptare.
Mehmet Ali pasha nuk qe në gjendje as ti bindte
udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare, as edhe të
shpërndante Komitetin Kombëtar sipas porosive të
posaçme që kishte marrë në Stamboll.
Megjithatë, mareshali turk nuk hoqi dorë nga misioni
i tij. Më 31 gusht ai u nis për në Gjakovë
i shoqëruar nga tri batalione ushtarësh turq, duke
kërkuar nga Mitrovica që ti dërgonin
në ndihmë edhe një batalion tjetër. Edhe
në Gjakovë ai thirri më 1 shtator në një
mbledhje krerët e degës së Lidhjes, të
cilët u përpoq ti bindte që ti
nënshtroheshin vullnetit të sulltanit. Por këtu
ai gjeti një qëndrim më të rreptë.
Me përjashtim të kryetarit të degës së
Lidhjes, Abdullah pashë Drenit, i cili si përfaqësues
i krahut sulltanist u bashkua me Maxhar Pashën, të
gjithë anëtarët e tjerë, të udhëhequr
nga patriotët e vendosur Sulejman Vokshi e Ahmet Koronica,
e ftuan mareshalin osman që të mos e vijonte më
tej rrugën drejt kufirit malazez. Sapo morën vesh
nisjen e tij, udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare për
Gjakovën, lëshuan kushtrimin, të cilit iu përgjigjën
mijëra malësorë të armatosur. Më
1 shtator, nën drejtimin e Ali pashë Gucisë,
ata u grumbulluan në malin Erenik, duke zënë
rrugën që kalonte prej Gjakove në Plavë
e në Guci. Në këto rrethana, Mehmet Ali pasha
e shtyu marshimin për në kufi dhe u struk në
sarajet e Abdullah pashë Drenit në Gjakovë.
Pas kësaj, për ti dhënë një
paralajmërim tjetër më të prerë,
po atë mbrëmje qytetarët e malësorët
gjakovarë, rreth 4 500 veta të armatosur, të
cilët i qenë përgjigjur kushtrimit të
Lidhjes Shqiptare, lanë malin Ereç dhe zbritën
në qytet, ku rrethuan sarajet e Abdullah pashë Drenit.
Të nesërmen, më 2 shtator 1878, një delegacion
gjakovarësh u paraqit përsëri te Abdullah pashë
Dreni (në sarajet e të cilit ishte strehuar Mehmet
Ali pasha) dhe i dha një ultimatum prej 24 orësh
që ta përcillte mareshalin nga kishte ardhur. Të
dy pashallarët shpresuan se me gjashtë kompanitë,
rreth 600 veta që mbronin sarajet, me 30 trimat që
kishin me vete dhe me ndihmat që prisnin tu vinin
nga Mitrovica, nga Prizreni dhe nga miqtë e tyre, do
ta shtypnin kryengritjen. Në të vërtetë
atyre u erdhën vetëm 70 malësorë nga Fandi
i Gjakovës, të mashtruar prej priftit të tyre.
Më 3 shtator, pasi mbaroi afati i ultimatumit, rreth
4 500 kryengritës, që mbanin të rrethuar sarajet,
filluan sulmin. Përleshja ishte e ashpër dhe me
humbje të mëdha për të dyja palët.
Në mbrëmje u bë një armëpushim prej
24 orësh për të rifilluar bisedimet, të
cilat vijuan gjatë natës dhe gjatë ditës
së nesërme, por pa ndonjë rezultat. Në
mbrëmjen e 4 shtatorit rifilluan luftimet. Më 5
shtator gjendja e të rrethuarve u keqësua, pasi
shumica e ushtarëve që mbronin sarajet u dorëzuan.
Batalioni që u nis nga Mitrovica për ti ardhur
në ndihmë Maxhar Pashës u shthur rrugës
dhe shumica e ushtarëve të tij, duke qenë shqiptarë,
u bashkuan me kryengritësit. Më 6 shtator 1878,
pas një sulmi të rreptë që ndërmorën
luftëtarët e Lidhjes Shqiptare, edhe mbeturinat
e kompanive turke që mbronin mareshalin osman u dorëzuan.
Pastaj kryengritësit arritën tu vënë
zjarr sarajeve. Mehmet Ali pasha dhe Abdullah pashë Dreni
mbetën të vrarë gjatë sulmit të fundit.
Me vrasjen e tyre luftimet morën fund me fitoren e forcave
të Lidhjes Shqiptare. Gjatë këtij luftimi treditor
të dyja palët patën humbje të mëdha,
të rrethuarit rreth 90 veta, forcat e Lidhjes rreth 500
veta.
Përpjekja e armatosur e Gjakovës ishte frymëzuar
nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ndërsa me organizimin
e saj të drejtpërdrejtë u mor dega e Lidhjes
për Gjakovën. Udhëheqësit kryesorë
të saj ishin Ahmet Koronica, Sulejman Vokshi, Ali bej
Gucia, Jakup Ferri dhe Ismail Myderizi, së bashku me
krerët e esnafëve të qytetit të Gjakovës.
Përpjekja e Gjakovës pati jehonë të madhe
brenda dhe jashtë vendit. Në saje të pjesëmarrjes
së gjerë të masave popullore dhe të gjakut
të tyre të derdhur në këto luftime, kjo
ngjarje shënoi fitoren e plotë të vijës
atdhetare shqiptare në gjirin e Lidhjes së Prizrenit.
Aksioni i Gjakovës tregoi se Lidhja e Prizrenit ishte
një organizatë krejtësisht e pavarur nga Porta
e Lartë, madje ajo ishte e vendosur që, për
të mbrojtur tërësinë territoriale të
atdheut, të luftonte edhe kundër saj. Në të
vërtetë, Lidhja e Prizrenit, e cila u formua për
të kundërshtuar vendimet e Fuqive të Mëdha
dhe u përgatit për të hyrë në luftë
kundër ekspansionit të shteteve fqinje, dëshmorët
e saj të parë i la në luftë kundër
Perandorisë Osmane.
Luftimet e Gjakovës patën jehonë edhe jashtë
kufijve të Shqipërisë në tri drejtime:
si një akt që cenonte Traktatin e Berlinit në
lidhje me detyrimet territoriale të Perandorisë
Osmane ndaj Malit të Zi; si një aksion që keqësoi
më shumë marrëdhëniet e Portës së
Lartë me shqiptarët; si një veprim që
e vështirësonte më keq zgjidhjen e problemeve
të krijuara nga Kriza Lindore në Gadishullin Ballkanik.
Kuvendi i Dibrës dhe rezoluta e tij (1 nëntor
1878)
Me aksionin e Gjakovës, Lidhja e Prizrenit bëri
një hap të rëndësishëm përpara.
Opinioni shqiptar priste tani që Porta e Lartë të
ndërhynte energjikisht për të vënë
në vend dinjitetin e saj, të shkelur rëndë.
Nga ana tjetër, vëzhguesit e huaj, të cilët
e vlerësuan këtë aksion si një kryengritje
kundër Stambollit, prisnin që ajo të shtrihej
edhe në viset e tjera të Shqipërisë.
Porta e Lartë në fillim mendoi të ndërhynte
duke ndërmarrë një fushatë ushtarake ndëshkimore
kundër gjakovarëve dhe Lidhjes Shqiptare. Për
këtë, më 8 shtator u nisën nga Selaniku
për në Kosovë forca të shumta ushtarake,
të cilat, me urdhër nga Stambolli, u ndalën
më pas një pjesë në Ferizaj dhe të
tjerët në Shkup. Qeveria e sulltanit arriti në
përfundimin se në atë situatë nuk mund
të ndërmerrej asnjë masë ushtarake e ndëshkimore
ndaj shqiptarëve, sepse nuk ishte në interesin e
saj të shkaktonte një luftë, që funksionarët
e saj e quanin civile, me shqiptarët. Një veprim
i tillë do të bëhej shkak për një
kryengritje të përgjithshme në Shqipëri,
të cilën, siç dëshmojnë dokumentet
bashkëkohëse, Stambolli nuk ishte në gjendje
në atë kohë ta shtypte. Prandaj Porta e Lartë
e la në heshtje përleshjen e Gjakovës, duke
ua ngarkuar përgjegjësinë e gjakderdhjes disa
personave të pandërgjegjshëm, kundër
të cilëve deklaroi se do të merreshin masa
në kohën e duhur.
Për një kryengritje të armatosur kundër
Stambollit në këtë periudhë, kur rreziku
i copëtimit territorial ndodhej në momentin e tij
më të mprehtë, nuk qenë të interesuara
as qarqet atdhetare shqiptare. Megjithatë, ato mendonin
se tani që lëvizja kishte ecur mjaft përpara,
ishin krijuar rrethana të favorshme për ta detyruar
Portën e Lartë që të lëshonte pe
në lidhje me të drejtat autonomiste të Shqipërisë
pa qenë nevoja për një kryengritje të
armatosur kundër saj. Kjo çështje u trajtua
nga Komiteti i Stambollit gjatë dhjetëditëshit
të tretë të muajit shtator 1878.
Pasi analizoi gjendjen e re politike, Komiteti i Stambollit,
në mbledhjen e fshehtë që zhvilloi nën
kryesinë e Abdyl Frashërit, vendosi ta ngrinte me
forcë para Portës së Lartë çështjen
e formimit të Vilajetit Shqiptar. Vendimi i Komitetit
u shpall botërisht si lajm, pa emër autori, më
27 shtator 1878, në gazetën Terxhuman-i Shark,
që botohej nën drejtimin e Sami Frashërit në
kryeqytetin perandorak. Sipas këtyre lajmeve, Lidhja
Shqiptare kishte hartuar një program prej 7 pikash. Në
pikën e parë thuhej se sovraniteti i sulltanit do
të ruhej në Shqipëri dhe se asnjë pëllëmbë
tokë shqiptare nuk duhej tu jepej shteteve të
tjera. Në pikën e dytë kërkohej krijimi
i Vilajetit të Shqipërisë, domethënë
bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një
njësi të vetme politiko-administrative. Pikat e
tjera trajtonin prerogativat autonomiste dhe parimet kushtetore
që duhej të kishte ky vilajet. Të gjithë
nëpunësit do të ishin shqiptarë. Në
administratë e në shkollë do të përdorej
gjuha shqipe. Osmanishtja do të përdorej vetëm
në korrespondencën me Portën e Lartë.
Vilajeti i Shqipërisë do të kishte gjithashtu
ushtrinë e vet kombëtare. Shqipëria autonome
do të qeverisej nga një regjim demokratik. Të
gjithë banorët, pa marrë parasysh dallimet
fetare e shoqërore, do të kishin të drejta
dhe detyra të barabarta. Vendi do të qeverisej nga
organe pushtetore të zgjedhura demokratisht prej tyre.
Çdo nahije (lokalitet), çdo kaza (rreth) dhe
çdo sanxhak (prefekturë) do të kishte këshillin
e vet të zgjedhur periodikisht. Organi më i lartë
do të ishte Kuvendi i Madh i Vilajetit i zgjedhur nga
këshillat e sanxhakëve, i veshur me pushtet legjislativ
dhe ekzekutiv. Kuvendi i Madh do të zgjidhte qeverinë
e vilajetit (Këshillin e Vilajetit). Qeveria do të
përgatiste ligjet, do të studionte reformat, do
të hartonte buxhetin dhe do të zgjidhte gjykatën
e përgjithshme, të cilat do tia paraqiste
për miratim Kuvendit të Madh. Vendimet e Këshillit
të Vilajetit, thuhej në këtë program,
do të zbatoheshin nga të gjithë banorët
e vilajetit. Ato do të ishin të detyrueshme edhe
për qeverinë perandorake osmane.
Pasi programi i ri u shpall botërisht, u ftuan të
gjitha degët e Lidhjes së Prizrenit që ta miratonin
dhe të ngarkonin një delegacion të përbërë
nga personalitete shqiptare të njohura për tia
paraqitur atë Portës së Lartë. Në
shumë krahina të vendit u hap një diskutim
i zjarrtë ndërmjet aktivistëve atdhetarë,
që e mbështetën programin e ri dhe qarqeve
sulltaniste, të cilat u ngritën kundër përmbajtjes
së tij. Me qëllim që të tërhiqnin
në anën e tyre përkrahësit e krahut të
moderuar, në mjaft krahina udhëheqësit u detyruan
të bënin një lëshim, - të hiqnin
dorë nga pjesa e fundit e programit (nga parimet kushtetore
që duhej të kishte Vilajeti i Shqipërisë),
rreth të cilave u përqendrua diskutimi më i
rreptë.
Në fillim programi u shtrua për diskutim në
degën e Lidhjes Shqiptare për Dibrën, me nismën
e së cilës u mbajt në Dibër, më 14
tetor, një kuvend i jashtëzakonshëm, ku morën
pjesë krerët e qytetit të Malësisë
dhe të Fushës së Dibrës, që miratuan
një rezolutë, të hartuar mbi parimet e programit
të Komitetit të Stambollit. Pasi protestohej kundër
copëtimit të trojeve shqiptare nga Kongresi i Berlinit
dhe pasi flitej për rrezikun e asgjësimit të
Shqipërisë nga shtetet fqinje, në rezolutë
vihej në dukje se për të larguar këtë
rrezik është e domosdoshme që të gjithë
sanxhakët shqiptarë të bashkohen në një
vilajet të vetëm autonom (Vilajeti i Shqipërisë).
Vilajeti i Shqipërisë do të kishte kryeqytetin
e vet, organet e tij ekzekutive e legjislative, nëpunës
shqiptarë, arsimim në gjuhën shqipe, buxhetin
e tij etj. Rezoluta që doli nga ky Kuvend do ti
nënshtrohej një diskutimi më të gjerë
në një kuvend të posaçëm, në
të cilin do të merrnin pjesë përfaqësuesit
e të gjitha krahinave të sanxhakut.
Kuvendi i posaçëm i Lidhjes u mblodh më 1
nëntor 1878 në qytetin e Dibrës, me nismën
e Komitetit të Lidhjes Shqiptare për të dyja
Dibrat dhe veçanërisht të kryetarit të
saj, Iljaz pashë Dibrës (Qoku). Në Kuvend mori
pjesë si përfaqësues i Lidhjes Shqiptare për
mbarë Toskërinë (vilajetin e Janinës)
Abdyl Frashëri. Kuvendi miratoi një rezolutë
në trajtën e një memorandumi, të hartuar
nga dora e Abdyl Frashërit.
Rezoluta e Kuvendit të Dibrës përmbante po
ato kërkesa, që shtroheshin në programin e
Komitetit të Stambollit dhe që ishin përfshirë
në rezolutën e mbledhjes së Dibrës të
14 tetorit 1878, të përmbledhura në pesë
pika: formimi i Vilajetit të Shqipërisë, pajisja
e tij me nëpunës shqiptarë, zhvillimi i arsimit
në gjuhën shqipe, zbatimi i reformave nga Kuvendi
i Madh, përdorimi i një pjese të madhe të
buxhetit për përparimin e arsimit dhe për ndërtime
botore. Nga programi i Komitetit të Stambollit nuk u
përfshinë haptas në rezolutë vetëm
parimet demokratike të strukturës shtetërore
të Vilajetit të Shqipërisë. Vendin e tyre
këtu e kishte zënë e drejta që do të
kishte Kuvendi i Madh për të zbatuar reforma
të dobishme për shtetin dhe për kombin.
Më në fund në rezolutë thuhej se këto
kërkesa do ti paraqiteshin brenda një muaji
në emër të të gjithë popullit shqiptar,
Portës së Lartë, me anë të një
delegacioni të përbërë nga personalitete
të shquara të Shqipërisë. Anëtarët
e delegacionit, para se të vinin në Stamboll, duhej
të merrnin pëlqimin, me mandat të shkruar,
nga të gjitha kazatë dhe sanxhakët shqiptarë.
Shqipëria, - thuhej në fund të rezolutës,
- do të rezistojë duke qenë e lidhur dhe e
bashkuar si një trup i vetëm, derisa të arrihet
plotësimi i kërkesave të lartpërmendura.
Sipas marrëveshjes që u arrit në Dibër,
delegacioni që do ta paraqiste dhe do ta mbronte rezolutën
para Portës së Lartë do të përbëhej
nga 14 veta, midis të cilëve ishin Iljaz pashë
Dibra, Sheh Mustafa Tetova, Hasan pashë Prizreni, Mustafa
pashë Vlora, Abedin bej Dino, Mehmet Ali Vrioni, Sabri
Gjirokastra, Mihal Kristo, Abdyl Frashëri etj. Detyrën
për të nxjerrë mandatet, me të cilat miratohej
nga përfaqësuesit e kazave e të sanxhakëve
shqiptarë rezoluta dhe mandatet e përbërjes
së delegacionit, e morën përsipër Iljaz
pashë Dibra për krahinat veriore dhe Abdyl Frashëri
për krahinat jugore.
Misionin e vet të vështirë e të lodhshëm
Abdyl Frashëri e kreu brenda një muaji. Pasi la
Dibrën, ai u nis në drejtim të Elbasanit, kaloi
në Berat, në Fier e në Vlorë, pastaj në
Gjirokastër, në Delvinë e në Filat dhe,
pasi përshkoi Çamërinë deri në
Prevezë, u kthye në Janinë. Që këtej
ai e njoftoi, më 2 dhjetor 1878, Iljaz pashë Dibrën
për entuziazmin që kishin shkaktuar kudo vendimet
e Kuvendit të Dibrës dhe për gatishmërinë
e përfaqësuesve të popullit shqiptar për
të nënshkruar mandatet e përfaqësimit.
Në veri mandatet e miratimit të rezolutës dhe
të pjesëtarëve të delegacionit Iljaz pashë
Dibra i përfundoi aty nga mesi i janarit 1879.
Por delegacioni shqiptar e pezulloi nisjen për në
Stamboll, pasi ndërkohë lindi rreziku i aneksimit
të pjesës jugore të Çamërisë
nga Greqia. Ky rrezik i detyroi udhëheqësit e Lidhjes
Shqiptare që të merreshin me mbrojtjen e kufijve
jugorë dhe ta linin për më vonë paraqitjen
e rezolutës së Kuvendit të Dibrës në
Portën e Lartë.
Mbrojtja e trojeve jugore. Kuvendi i Prevezës (11
janar 1879) dhe misioni diplomatik i Abdyl Frashërit
(pranverë 1879)
Gjatë kohës që patriotët shqiptarë
po merreshin me çështjen e të drejtave autonomiste
të Shqipërisë, qeveria e Athinës i bënte
presion të vazhdueshëm Portës së Lartë
që të zbatonte menjëherë Protokollin nr.13
të Kongresit të Berlinit, domethënë të
fillonte bisedimet me palën greke për të caktuar
kufirin e ri midis tyre sipas vijës Kalamas-Selemvria
që kishin rekomanduar Fuqitë e Mëdha. Nën
trysninë e protestave shqiptare, Porta e Lartë e
zvarriti për muaj me radhë përgjigjen e saj,
me shpresë se me kalimin e kohës do të krijoheshin
rrethana më të favorshme për të. Por në
fund të vitit 1878 ajo u detyrua të pranonte se
ishte gati të fillonte bisedimet me qeverinë greke.
Konferenca dypalëshe u vendos të zhvillohej në
Prevezë, në fund të janarit 1879.
Sapo u hap lajmi i mbledhjes së afërt të konferencës,
Komiteti Ndërkrahinor i Janinës ftoi të gjitha
kazatë e Shqipërisë së Jugut dhe të
gjithë sanxhakët e Shqipërisë së
Veriut, që të dërgonin sa më parë
përfaqësuesit e tyre në një kuvend të
jashtëzakonshëm në Prevezë, për të
përcaktuar qëndrimin që duhej mbajtur ndaj
konferencës turko-greke. Në Kuvend u ftuan të
merrnin pjesë posaçërisht përfaqësuesit
e komiteteve ndërkrahinore të Prizrenit dhe të
Shkodrës.
Kuvendi i Prevezës u hap më 11 janar 1879 me pjesëmarrjen
e rreth 400 delegatëve, të cilët, pasi e shpallën
veten si krerë të mbarë Shqipërisë,
morën një sërë vendimesh politike e ushtarake.
Kuvendi nuk e kundërshtoi plotësisht Protokollin
nr.13. Delegatët deklaruan se e pranonin rekomandimin
e Fuqive të Mëdha për bashkimin e Thesalisë
me Greqinë (deri te lumi Selemvria), porse ishin kategorikisht
të vendosur për ta kundërshtuar deri në
fund lëshimin e Epirit Mbretërisë Greke (deri
te lumi Kalamas). Në rast se Fuqitë e Mëdha,
thuhej në rezolutën e Kuvendit, nuk do ti
marrin parasysh interesat e Shqipërisë, atëherë
shqiptarët do ti kundërshtojnë me armë
vendimet e tyre. Për këtë qëllim, thuhej
më tej, do të mobilizohen, me shpenzimet e
Lidhjes, të gjithë shqiptarët e aftë për
luftë. Në fundin e janarit 1879 filluan të
vinin në Prevezë edhe delegatë nga viset e
Shqipërisë së Veriut, nga Shkodra, Durrësi,
Elbasani, Ulqini, Prizreni, Dibra, Novi Pazari etj.
Para se të shpërndahej, Kuvendi i Prevezës
formoi tri komisione me detyra të posaçme. I pari,
komisioni politik, që do të qëndronte në
Prevezë për të ndjekur nga afër punimet
e konferencës turke-greke; i dyti, komisioni ushtarak,
që do të shpërndahej në Shqipëri
për të organizuar forcat luftarake të Lidhjes;
i treti, komisioni diplomatik, që do të shkonte
në Stamboll për ti bërë trysni Portës
së Lartë që të mos pranonte lëshimin
e trojeve shqiptare Greqisë. Në krye të komisionit
të tretë u vu Abdyl Frashëri, meqenëse
ky do të merrte pjesë edhe në delegacionin
e Kuvendit të Dibrës. Për këtë arsye
ai e shtyu për më vonë nisjen e tij për
ti paraqitur Portës së Lartë rezolutën
e 1 nëntorit 1878.
Delegacioni osman arriti në Prevezë javën e
fundit të janarit 1879. Atë e kryesonte mareshali
Ahmet Muhtar pasha, i cili gëzonte një konsideratë
të veçantë në Perandorinë Osmane
për qëndresën që kishte bërë
gjatë luftës së fundit kundër ushtrive
ruse. Sulltani shpresonte se, për hir të kësaj
konsiderate, mareshali do ti zbuste shpirtrat e revoltuar
të shqiptarëve. Për të njëjtin qëllim,
në delegacionin prej tre komisarësh, siç
u quajtën anëtarët e tij në atë kohë,
ishte vënë edhe një personalitet i njohur shqiptar,
Abedin bej Dino (komisar i Bursës së Stambollit),
anëtar i Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes
Shqiptare për vilajetin e Janinës, i cili u emërua
nga sulltani që të qetësonte opinionin publik
shqiptar. Por as njëri, as tjetri nuk patën sukses.
Sapo delegacionet turke e greke arritën në Prevezë,
më 28 janar, delegatët e Kuvendit së bashku
me popullsinë qytetare shpërthyen një demonstratë
në rrugët e Prevezës, duke shprehur përpara
selive të komisioneve turke e greke vendosmërinë
e tyre për mbrojtjen e tërësisë tokësore
dhe për të mos pranuar asnjë lëshim të
trojeve të tyre në dobi të Greqisë. Po
më 28 janar 1879 përfaqësuesit e krahinave
shqiptare, që ndodheshin në Prevezë, u drejtuan
Fuqive të Mëdha, nëpërmjet konsujve të
tyre në këtë qytet, një protestë
kategorike, me të cilën paralajmëronin se do
të ndërmerrnin një luftë vendimtare me
pasoja të thella për paqen në Gadishullin Ballkanik,
në rast se nuk do të merreshin parasysh të
drejtat territoriale të Shqipërisë dhe do të
cenohej tërësia e saj tokësore.
Për shkak të demonstratave kërcënuese
të shqiptarëve, të cilat vijuan për disa
ditë me radhë, konferenca turko-greke filloi me
vonesë, më 6 shkurt 1879. Veç kësaj,
presioni i fortë i shqiptarëve e detyroi delegacionin
osman që të mos u nënshtrohej kërkesave
greke. Duke u justifikuar me rrezikun e shpërthimit të
kryengritjes kundërosmane në Shqipëri dhe duke
u kapur pas faktit se vija Kalamas-Selemvria, që kishin
shënuar Fuqitë e Mëdha në Protokollin
nr.13 nuk kishte formën e një vendimi, por të
një rekomandimi, Ahmet Muhtar pasha u tregua më
në fund i gatshëm ti lëshojë Greqisë
Thesalinë, por jo Epirin. Meqenëse Athina nuk e
pranoi këtë zgjidhje, pas gjashtë javësh
konferenca e Prevezës u mbyll.
Menjëherë pas dështimit të bisedimeve
dypalëshe qeveria e Athinës kërkoi ndërhyrjen
e Fuqive të Mëdha, të cilat në të
vërtetë ishin të prirura për të vënë
në jetë Protokollin nr.13. Ndërkohë edhe
udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare formuan bindjen
se lufta paraprake kundër vendimeve që do të
merrnin Fuqitë e Mëdha për një çështje
të tillë, siç ishte tërësia territoriale
e Shqipërisë, nuk mund të zhvillohej me sukses
vetëm me anë të memorandumeve e të protestave.
Kërkohej një ballafaqim me përgjegjësi
me politikën e jashtme të Fuqive të Mëdha
për të argumentuar ballë për ballë
tezat themelore dhe për të sqaruar çdo pikë
të errët, që mund të ngrinte aparati i
tyre diplomatik. Për këtë qëllim Komiteti
Ndërkrahinor vendosi që, krahas peticioneve e memorandumeve,
të niste një mision diplomatik në kryeqytetet
kryesore të Evropës për të mbrojtur çështjet
e parashtruara në ato dokumente dhe për të
argumentuar para kancelarive të tyre padrejtësinë
që kishin kryer me Protokollin nr. 13 ndaj interesave
jetikë të Shqipërisë. Barra e këtij
misioni diplomatik iu ngarkua Abdyl Frashërit dhe Mehmet
Ali Vrionit.
Misioni diplomatik i përfaqësuesve të Lidhjes
Shqiptare zgjati tre muaj. Ata u nisën nga Preveza në
fund të muajit mars 1879, shkuan në Romë, në
Paris, në Londër, në Berlin, në Vjenë
e në Stamboll?. Kudo ku shkuan ata u paraqitën si
të dërguar të Lidhjes Shqiptare, e cila përfaqësonte
gjithë Shqipërinë. Ata u dorëzuan ministrave
të Jashtëm të Fuqive të Mëdha (dhe
për njoftim edhe Portës së Lartë) një
memorandum me të njëjtën përmbajtje që
ishte hartuar nga Abdyl Frashëri qysh më parë.
Në këtë memorandum dënoheshin haptas vendimet
që kishin marrë Kongresi i Berlinit në dëm
të Shqipërisë, duke shkëputur shumë
krahina të saj në favor të Serbisë, të
Malit të Zi e të Greqisë. Megjithatë diskutimi
kryesor këtu sillej rreth Protokollit nr. 13. Qeveria
greke, theksohej në këtë memorandum, kishte
përdorur prej kohësh të gjitha mjetet për
ta shtënë në dorë Epirin. Ajo kishte harxhuar
shuma të mëdha për të nxitur popullsinë
lokale që të kërkonte bashkimin e saj me Greqinë.
Por të gjitha orvatjet e Athinës kishin dështuar,
sepse popullsia e Epirit në shumicën e saj dërrmuese
ishte shqiptare dhe jo greke. Pasi u bind se në Epir
ajo nuk kishte mbështetjen e popullsisë lokale,
thuhej më tej, qeveria greke iu drejtua Kongresit të
Berlinit, duke shpresuar se me përkrahjen e Fuqive të
Mëdha do ti kënaqte lakmitë e saj shoviniste.
Por Kongresi i Berlinit, nënvizohej në memorandum,
ndonëse nuk i miratoi me vendim të prerë kërkesat
greke, fakti që rekomandoi ti lëshohen Greqisë
krahinat në jug të lumit Kalamas tregonte se nuk
u shqetësua për të drejtat e popullit shqiptar.
Më tej në memorandum rreshtoheshin argumentet etnike,
historike, ekonomike e strategjike që provonin karakterin
shqiptar të këtyre krahinave dhe domosdoshmërinë
për të mos i shkëputur nga trupi i Shqipërisë.
Ti japësh Greqisë, - theksohej po aty,
- vendet që ajo kërkon në këtë krahinë,
do të thotë ti shmangesh detyrës që
ka çdo popull për të mbrojtur atdheun dhe
kombin e tij, sepse kjo do të ishte njëlloj sikur
ti jepje që tani çelësat e Shqipërisë
një vendi të huaj (Greqisë - shën. i aut.),
i cili me përpjekjet e tij nuk synon tjetër veçse
ta pushtojë dhe ta sundojë atë tërësisht.
Në lidhje me qëndrimin e shqiptarëve ndaj Protokollit
nr.13, gjuha e memorandumit ishte e prerë. Shqiptarët,
thuhej aty, si një popull i frymëzuar nga ndjenja
atdhetare, nuk do të lejojnë që vendi i tyre
të pushtohet dhe të sundohet nga të tjerët.
Dhe më tej: Shqiptarët kanë ruajtur atdheun
e tyre, kombësinë e tyre, gjuhën e tyre dhe
zakonet e tyre duke prapsur sulmet e romakëve, të
bizantinëve e të venedikasve. Si mund të lejohet
që në këtë shekull të diturisë
e të qytetërimit, një komb kaq trim e kaq i
lidhur me truallin e tij të sakrifikohet duke ia dhënë
një fqinji kaq të pangopur, pa asnjë arsye
të ligjshme? Memorandumi drejtuar Fuqive të
Mëdha shpallte në fund se përballë lakmive
të egra të fqinjëve shqiptarët qenë
bashkuar me njëri-tjetrin dhe qenë betuar solemnisht
se do ta mbronin me armë atdheun e tyre deri te njeriu
i fundit dhe se në të njëjtën kohë
do të përpiqeshin për të zbatuar në
atdheun e tyre reformat për të cilat kishte nevojë
vendi, në mënyrë të veçantë
zhvillimin e arsimit publik.
Tezat e parashtruara në memorandum Abdyl Frashëri
i shtjelloi më hollësisht gjatë takimeve që
pati me ministrat e Jashtëm dhe me personalitete politike
të vendeve që vizitoi. Argumentet që ai solli,
se shqiptarët do ti mbronin me armë të
drejtat e tyre kombëtare, në rast se Fuqitë
e Mëdha do të merrnin një vendim të prerë
në lidhje me lëshimin e Epirit në favor të
Greqisë, lanë kudo një përshtypje të
thellë. Mbrojtësi më i flaktë i pretendimeve
greke, ministri i Jashtëm frëng V. Vadington (Waddington),
u detyrua të pranonte se Franca nuk do të ngulte
këmbë për zbatimin me çdo kusht të
Protokollit nr.13 dhe se kufiri i ri turko-grek nuk do të
caktohej përfundimisht pa u dëgjuar edhe teza e
shqiptarëve. Një premtim të tillë Abdyl
Frashëri mori edhe nga kryeministri italian Depretis
dhe nga ministri i Jashtëm britanik Solsbëri (Salisbery).
Para se të ktheheshin në Shqipëri, gjatë
qëndrimit në Stamboll, Abdyl Frashëri e Mehmet
Ali Vrioni i drejtuan sulltanit, më 23 qershor 1879,
një memorandum, në të cilin i kërkonin
që të mos pranonte në asnjë mënyrë
zbatimin e Protokollit 13, pasi copëtimi i Shqipërisë,
thuhej aty, do të sillte asgjësimin e kombit shqiptar
dhe kjo, nga ana e vet, do të vinte në rrezik vetë
Perandorinë Osmane. Sikurse shkruanin autorët e
këtij memorandumi, të pesë Fuqitë e Mëdha,
përveç Francës, të cilat ata sapo i
kishin vizituar, ishin tashmë të prirura që
të mos i jepej Greqisë tokë nga Epiri. Ata
i kërkonin sulltanit që të thyente këmbënguljen
e Francës, duke kënaqur Greqinë me më
tepër toka nga ato që i ishin premtuar në Thesali.
Trajtimi i mosmarrëveshjeve turko-greke rreth Protokollit
nr.13 nga ambasadorët e Fuqive të Mëdha zgjati
gati dy muaj. Por këto fuqi u treguan të pavendosura
për të dhënë një vendim të prerë,
ngurruan që ta caktonin vetë kufirin turko-grek.
Me propozimin e Francës, në qershor 1879, ato kërkuan
bashkërisht nga Perandoria Osmane dhe nga Mbretëria
Greke që të rifillonin bisedimet dypalëshe
rreth kufirit të tyre të ri. Konferenca e re turko-greke
do të zhvillohej në Stamboll dhe do të ndiqej
së afërmi nga ambasadorët e Fuqive të
Mëdha të akredituar pranë Portës së
Lartë. Fakti që Fuqitë e Mëdha pranuan
të vihej në diskutim Protokolli nr. 13, qe fitorja
e parë diplomatike që korri Lidhja Shqiptare në
arenën ndërkombëtare.
Por vendimi që ato morën për rifillimin e bisedimeve
turko-greke i nxiti shqiptarët që ta vazhdonin presionin
e tyre si ndaj Portës së Lartë, ashtu dhe ndaj
Fuqive të Mëdha. Në qershor të vitit 1879,
Lidhja Shqiptare deklaroi se nuk kishte hequr dorë nga
vendimi i saj i mëparshëm për të luftuar
me armë jo vetëm kundër Greqisë, por edhe
kundër Stambollit, në rast se do të miratoheshin
pretendimet e Athinës në Epirin shqiptar. Për
tia paraqitur Portës së Lartë këtë
vendim, në muajin gusht shkoi në Stamboll një
delegacion i përbërë nga Abdyl Frashëri,
Mehmet Ali Vrioni dhe Vesel Dino. Një muaj më vonë,
në shtator 1879, Këshilli i Përgjithshëm
i Lidhjes Shqiptare, në një mbledhje të jashtëzakonshme
që zhvilloi në Prizren, ripohoi vullnetin e mbarë
Shqipërisë për të mbrojtur trojet e saj
përballë lakmive të Greqisë dhe në
të njëjtën kohë formoi një Komitet
të Luftës të përbërë nga 37
anëtarë, për të vazhduar përgatitjet
e nevojshme ushtarake në krahinat jugore.
Vendosmëria që treguan shqiptarët për
të mbrojtur trojet e tyre dhe rreziku i shpërthimit
të kryengritjes kundërosmane në Shqipëri,
e detyruan Portën e Lartë që ti zvarriste
përsëri nga njëri muaj në tjetrin bisedimet
me palën greke, duke mos pranuar tezën e Athinës,
e cila ngulte këmbë për të marrë
si bazë në këto bisedime Protokollin nr.13.
Në të njëjtën kohë, edhe Fuqitë
e Mëdha vijuan përherë e më tepër
të bindeshin se zbatimi i këtij Protokolli nuk varej
vetëm nga nënshkrimi i Perandorisë Osmane dhe
se aneksimi i Epirit nga Mbretëria Greke nuk mund të
arrihej pa luftë me shqiptarët ose, siç shprehej
një diplomat frëng në nëntor 1879, pa
një gjakderdhje të madhe, e cila mund të ishte
fatale për Greqinë. Kështu, pas gati 10 muaj
përpjekjesh, edhe Konferenca e Stambollit u shpërnda
pa asnjë rezultat. Në këto rrethana Fuqitë
e Mëdha vendosën ta merrnin vetë në dorë
caktimin e kufirit turko-grek. Për këtë qëllim
ato thirrën në qershor të vitit 1880 një
forum ndërkombëtar, Konferencën e Berlinit.
Mbrojtja e Plavës dhe e Gucisë (tetor 1879-janar
1880)
Me revoltën e armatosur të Gjakovës dhe me
aksionin diplomatik të pranverës së vitit 1879,
Lidhja Shqiptare ia hoqi Portës së Lartë de
facto të drejtën që të fliste në
emër të Shqipërisë. Veç kësaj,
me qëndresën e saj energjike, ajo bëri që
të zvarriteshin e të mos zbatoheshin menjëherë
dy vendimet e rëndësishme të Kongresit të
Berlinit, që cenonin interesat kombëtarë të
Shqipërisë, njëri në favor të Malit
të Zi (neni 28 i Traktatit) dhe tjetri në dobi të
Greqisë (Protokolli nr. 13 i Kongresit).
Megjithatë Lidhja e Prizrenit nuk e kishte plotësuar
ende përfundimisht programin e saj. As gjashtë Fuqitë
e Mëdha nuk ishin të prirura ti anulonin vendimet
që kishin marrë në Kongresin e Berlinit, as
dy shtetet fqinje ballkanike nuk kishin ndërmend të
hiqnin dorë nga viset që u kishin premtuar Fuqitë
e Mëdha. Si rrjedhim, lufta për mbrojtjen e trojeve
shqiptare ende nuk kishte marrë fund, përkundrazi,
parashikohej që ajo të merrte trajta të përgjakshme.
Pas vrasjes në Gjakovë të mareshal Mehmet Ali
pashës, Porta e Lartë u dha të kuptojnë
Fuqive të Mëdha se e kishte tepër të vështirë
të përmbushte kundrejt Malit të Zi detyrimet
territoriale që rridhnin nga Traktati i Berlinit. Por
knjaz Nikolla nuk donte të dinte për asnjë
justifikim. Nga frika se me kalimin e kohës mund të
ndryshonin rrethanat ndërkombëtare në dëm
të saj, Cetina kërkonte vazhdimisht ndërhyrjen
e Fuqive të Mëdha për ta detyruar Perandorinë
Osmane të dorëzonte sa më parë krahinat
e Podgoricës, të Shpuzës, të Zhabjakut,
të Plavës, të Gucisë e të Rugovës,
të cilat Kongresi i Berlinit ia kishte dhënë
Malit të Zi. Veç kësaj, si kundërpeshë
ajo po e vononte dorëzimin e Ulqinit, të Dinoshit
dhe të Bregut të Bunës, të cilat i mbante
të pushtuara qysh nga koha e luftës, por që
sipas Traktatit të Berlinit duhej ti ktheheshin
Perandorisë Osmane.
Presionin më të fortë ndaj Perandorisë
Osmane e ushtroi Rusia cariste, e cila vijoi ta kushtëzonte
tërheqjen e ushtrive të saj pushtuese nga Traka
me dorëzimin e krahinave që i qenë premtuar
Malit të Zi. Fuqitë e tjera të Mëdha u
bashkuan me presionin carist, pasi e shikonin me shqetësim
qëndrimin e mëtejshëm të ushtrive ruse
në afërsi të Stambollit. Kështu, në
fund të vitit 1878, Porta e Lartë vendosi ti
zbatonte detyrimet territoriale kundrejt Malit të Zi.
Vendimi i Stambollit ngriti përsëri në këmbë
shqiptarët. Për të shqyrtuar gjendjen e re
u mblodh menjëherë, në fillim të janarit
1879, Komiteti Kombëtar i Lidhjes, i cili ripohoi qëndrimin
e vet të caktuar më parë. Sipas kësaj
vije, Lidhja e Prizrenit nuk do ta pengonte dorëzimin
e Podgoricës, të Shpuzës e të Zhabjakut,
pasi ato banoheshin nga popullsi të përziera sllavo-shqiptare,
por do ta kundërshtonte me armë lëshimin e
Plavës dhe të Gucisë, popullsia e të cilave
ishte në masën dërrmuese shqiptare. Vendimin
e Komitetit Kombëtar e miratuan të dy komitetet
ndërkrahinore të vilajeteve të Shkodrës
dhe të Kosovës, të cilat po në janar 1879
mblodhën kuvendet e tyre të jashtëzakonshme,
pothuajse në atë kohë që zhvilloi punimet
e veta edhe Kuvendi Ndërkrahinor i Prevezës. Meqenëse
Plava e Gucia bënin pjesë në vilajetin e Kosovës,
barrën e drejtimit dhe të organizimit të luftës
për mbrojtjen e tyre e mori përsipër Komiteti
Ndërkrahinor i Prizrenit, i cili nga ana e vet formoi
një shtab ushtarak të posaçëm, me Ali
pashë Gucinë në krye.
Ndërkaq u mblodh në fshatin Virpazar, në afërsi
të liqenit të Shkodrës, komisioni turko-malazez,
i cili më 2 shkurt 1879 nënshkroi marrëveshjen
dypalëshe për formalitetet e dorëzimit brenda
një jave të krahinave të vilajetit të
Shkodrës, që i takonin njëra-tjetrës sipas
Traktatit të Berlinit. Nga frika e kryengritjes së
shqiptarëve, Porta e Lartë nuk pranoi ta përfshinte
në marrëveshje dorëzimin e Plavës e të
Gucisë, duke e lënë çështjen e
tyre për tu zgjidhur më vonë. Sipas marrëveshjes,
dorëzimi i Podgoricës, i Shpuzës dhe i Zhabjakut
nga ana e autoriteteve turke u krye pa vështirësi.
Po ashtu u bë edhe dorëzimi i Ulqinit, i Dinoshit
dhe i Bregut të Bunës nga ana e autoriteteve malazeze.
Por Mali i Zi nuk deshi ta linte punën të zgjatej
më tej. Knjaz Nikolla iu drejtua menjëherë
Fuqive të Mëdha, duke kërkuar prej tyre që
ta detyronin Perandorinë Osmane tia dorëzonte
dy krahinat shqiptare (Plavën dhe Gucinë) Malit
të Zi. Nga ana e vet Porta e Lartë u kërkoi
Fuqive të Mëdha të dërgonin në Plavë
e në Guci një Komision Ndërkombëtar për
tu bindur për vështirësitë që
gjente te shqiptarët e egërsuar nga padrejtësitë
e Kongresit të Berlinit. Në vend të tij ato
dërguan Komisionin Ndërkombëtar për caktimin
e vijës së kufirit, të përbërë
nga përfaqësues të gjashtë Fuqive të
Mëdha dhe të dy shteteve të interesuara. Komisioni
filloi nga puna në maj 1879 dhe për disa muaj me
radhë u mor me caktimin e pikave të kufirit turko-malazez
në vilajetin e Shkodrës. Por gjatë verës,
kur Komisioni Ndërkombëtar donte të shkonte
në Plavë e në Guci, përfaqësuesit
e Komitetit Ndërkrahinor të Prizrenit u paraqitën
Fuqive të Mëdha, më 22 gusht 1879, një
notë me shkrim, me të cilën deklaronin se nuk
do të njihnin asnjë ndryshim të kufirit me
Malin e Zi pa pjesëmarrjen në Komisionin Ndërkombëtar
të krerëve të Lidhjes Shqiptare dhe pa u miratuar
vendimet e tij nga e gjithë Shqipëria.
Pas kësaj note të rreptë, Komisioni Ndërkombëtar
e ndërpreu punën e vet, pezulloi udhëtimin
e tij për në Plavë e në Guci.
Me këtë rast filluan përsëri protestat
e Malit të Zi dhe ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha
për ta detyruar Perandorinë Osmane që ta zgjidhte
sa më parë çështjen e Plavës e
të Gucisë. Porta e Lartë provoi ti bindte
banorët e dy krahinave kufitare që të hiqnin
dorë nga qëndresa e mëtejshme, duke u premtuar
familjeve, që nuk dëshironin të jetonin nën
sundimin malazez, se do tu jepte tokë në vendbanime
të reja dhe se do ti çlironte nga taksat
për dhjetë vjet. Por shqiptarët nuk u lëkundën
nga vendimi i tyre. Atëherë knjaz Nikolla filloi
të kërcënonte se do ta zgjidhte këtë
çështje me anën e luftës së armatosur
dhe se në një rast të tillë nuk do të
aneksonte vetëm Plavën e Gucinë, por edhe vise
të tjera shqiptare.
Në këto rrethana, marrëdhëniet shqiptaro-malazeze
erdhën duke u keqësuar vazhdimisht. Gjatë muajit
tetor 1879 Mali i Zi filloi përqendrimin e ushtrive në
kufi, duke e çuar numrin e tyre në 5 600 veta.
Këtyre masave Lidhja e Prizrenit iu përgjigj duke
vënë në gatishmëri luftarake forcat e
saj të armatosura.
Sipas vendimit që Këshilli i Përgjithshëm
i Lidhjes kishte marrë më 3 tetor 1879, Komisioni
Ushtarak a Shtabi Ushtarak, nën kryesinë e Ali pashë
Gucisë, i krijuar nga Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes
Shqiptare për Kosovën, shpalli për zonën
e Plavës e të Gucisë gjendjen e luftës.
Të gjithë burrat plavianë e gucianë të
aftë për armë u shpallën luftëtarë
që do të qëndronin në gatishmëri
në shtëpitë e tyre. Po në tetor 2 mijë
gjakovarë të armatosur u nisën për në
Guci. Në fund të tetorit mbërritën këtu
edhe vullnetarë nga Shkodra e Malësia.
Porta e Lartë, për të mënjanuar konfliktin
e armatosur, i propozoi Cetinës që në vend
të krahinave shqiptare të Plavës e të
Gucisë ti jepte disa vise sllave të Hercegovinës.
Por propozimin e Stambollit, të cilin e kundërshtoi
Austro-Hungaria, nuk e pranoi as Mali i Zi.
Pas disa ndeshjeve sporadike kufitare, që ndodhën
gjatë tetorit, knjaz Nikolla vendosi më në
fund të kalonte në sulme të hapura. Më
31 tetor dhe 1 nëntor 1879 forcat malazeze, duke dashur
të tërheqin vëmendjen e Fuqive të Mëdha
dhe, njëherazi, të matnin pulsin e shqiptarëve,
kryen dy inkursione kundër vijës mbrojtëse
të forcave të Lidhjes, të parin në fshatin
Pepaj dhe të dytin në fshatin Arzhanicë. Në
këtë të fundit vranë në befasi 30
fshatarë dhe dogjën mjaft shtëpi, por pas disa
orë luftimesh u dëbuan nga forcat e Lidhjes. Në
të vërtetë këto qenë sulme demonstrative,
të cilat shqiptarët i përballuan pa ndonjë
vështirësi. Edhe pse dështoi, sulmi malazez
nxiti një valë të madhe mobilizimi në
të katër anët e Shqipërisë. Me mijëra
vullnetarë të tjerë vrapuan në krahinat
e Gjakovës, të Pejës, të Dibrës e
të Shkodrës. Gatishmëria e shqiptarëve
qe aq masive, sa Shtabi Ushtarak i Lidhjes së Prizrenit,
i vendosur në Guci, u detyrua të pengonte nisjen
e tyre drejt frontit, pasi nuk ua ndiente nevojën dhe
nuk kishte mundësi për ti sistemuar.
Në fillim të muajit dhjetor forcat kryesore malazeze
qenë rreshtuar gjatë vijës kufitare, në
fshatrat Murinë, Pepaj, Arzhanicë e Velikë,
kurse forcat shqiptare përballë tyre në fshatrat
Guci, Kolenivicë, Martinaj, Plavë e Nokshiq. Midis
forcave malazeze dhe shqiptare në sektorin verilindor
kalonte lumi Lim vetëm me një urë prej druri.
Zona malazeze ishte kryesisht malore, ndërsa në
atë shqiptare dominonte pllaja e Plavës.
Më 4 dhjetor 1879, pjesa më e mirë e ushtrisë
malazeze prej 4 mijë ushtarësh, nën komandën
e Mark Milanit, ndërmori një sulm të furishëm
në sektorin e Nokshiqit, në drejtim të Plavës
e të Gucisë. Shtabi ushtarak i Lidhjes, i përbërë
nga Ali pashë Gucia (kryetar), Jakup Ferri, Sulejman
Vokshi, Haxhi Zeka, Filip Çeka, Jusuf Sokoli e të
tjerë, midis të cilëve kishte edhe disa oficerë
të karrierës, u përgjigj duke hedhur në
sulm rreth 2 mijë luftëtarë. Luftimet më
të ashpra u bënë në luginën e Nokshiqit,
ku u angazhuan forca të shumta malazeze. Luftëtarët
u përleshën aq ashpër me njëri-tjetrin,
sa që të dy palët lanë mënjanë
hutat dhe nxorën jataganët, duke u përleshur
trup me trup. Përleshja vazhdoi disa orë me radhë.
Forcat vullnetare të Lidhjes ndalën sulmin e ushtrisë
malazeze dhe i shkaktuan asaj disfatë në Nokshiq,
duke e detyruar të tërhiqej brenda kufijve të
Malit të Zi. Edhe pse të dhënat për humbjet
e të dy palëve janë kontradiktore, mund të
nxirret si përfundim se nga malazezët pati 300 të
vrarë e të mbytur në lumë gjatë tërheqjes,
ndërsa nga shqiptarët 300-400 veta. Në këto
luftime u vra edhe një nga komandantët e shquar
të ushtrisë së Lidhjes, Jakup Ferri.
Vendosmëria e shqiptarëve për të qëndruar
deri në fund dhe këmbëngulja e Cetinës
për të vazhduar më tej luftën alarmuan
si Fuqitë e Mëdha, ashtu edhe Perandorinë Osmane.
Nga frika e ndërlikimeve të reja, Porta e Lartë
vendosi ta zgjidhte me çdo kusht dorëzimin e dy
krahinave kufitare. Për këtë qëllim ajo
nisi menjëherë për në Kosovë mareshal
Ahmet Muhtar pashën, i cili atë kohë ishte
komandanti i Armatës osmane të Rumelisë me
qendër në Manastir. Mareshali, i shoqëruar
nga 11 batalione (rreth 6 000 ushtarë), sapo arriti në
Prizren thirri në takim anëtarët e Komitetit
Kombëtar të Lidhjes për ti bindur që
ti nënshtroheshin vendimit të sulltanit. Por
ata nuk pranuan. Më 14 dhjetor 1879 lëshoi një
shpallje, me të cilën u kërkonte shqiptarëve
që të merrnin në konsideratë gjendjen
kritike të Portës së Lartë dhe të
mos pengonin dorëzimin e dy krahinave kufitare, pasi
me qëndresën e tyre po shkaktonin shkatërrimin
e Perandorisë Osmane, por as lutjet, as kërcënimet
nuk dhanë rezultat. Më 15 dhjetor 1879 u mblodh
në Guci Kuvendi i përfaqësuesve të Komitetit
Ndërkrahinor të Kosovës, i cili vendosi që
ta kundërshtonte me armë deri në fund dorëzimin
e kalasë së Gucisë. Ne, banorët
e Plavës e të Gucisë, - thuhej në memorandumin
e miratuar nga Kuvendi, - nuk i njohim traktatet e shteteve
evropiane që u japin malazezëve tokat e trashëguara
nga prindërit tanë. Ne do ta kundërshtojmë
me armë dorëzimin e tokave tona.
Sipas porosisë që kishte dhënë Porta e
Lartë, Ahmet Muhtar pasha mori masa ushtarake për
të penguar vajtjen e vullnetarëve shqiptarë
në Plavë e në Guci. Për këtë
qëllim ai solli nga Mitrovica edhe 7 batalione të
tjera, të cilat i vendosi nëpër shtigjet e
rrugëve. Pas kësaj u nis për në Gjakovë,
ku gjeti një gjendje më të acaruar se në
Prizren. Gjakovarët e paralajmëruan se, po ta vazhdonte
më tej rrugën drejt kufirit, do të pësonte
fatin e Mehmet Ali pashë Maxharit. Kur pa se edhe Peja
e kishte bllokuar rrugën për në Plavë
e në Guci, mareshali osman e ndërpreu misionin e
vet, hoqi dorë nga vajtja në Guci dhe u kthye në
Prizren.
Dështimi i misionit të Ahmet Muhtar pashës
e bindi përfundimisht knjaz Nikollën të mos
shpresonte më as te ndërhyrjet e Fuqive të
Mëdha. Si rrjedhim, ai vendosi të ndërmerrte
kundër forcave të Lidhjes Shqiptare një mësymje
të përgjithshme, e cila u zhvillua javën e
parë të muajit janar 1880. Në këtë
mësymje u hodh pothuajse e gjithë ushtria malazeze,
25 batalione me rreth 9 mijë veta, që u rreshtuan
përballë Plavës e Gucisë.
Sapo u njoftua për përgatitjet ushtarake të
Cetinës, Shtabi Ushtarak Shqiptar i përforcoi masat
mbrojtëse. Me thirrjen e Lidhjes Shqiptare u mobilizuan
mijëra vullnetarë nga e gjitha Shqipëria, nga
Plava, Gucia, Peja, Prizreni, Gjakova, Shkodra, Dibra dhe
nga krahinat më të largëta të Shqipërisë
së Jugut. Por shtabi ushtarak i kryesuar nga Ali pashë
Gucia, që mori vetë në dorë drejtimin
e operacioneve luftarake, përqendroi në zonën
kufitare me Plavën e Gucinë 4 mijë luftëtarë
vendas dhe 3 mijë vullnetarë të tjerë,
gjithsej 7 mijë veta.
Komanda malazeze kishte rreshtuar në vijën e parë
të frontit forcat vullnetare të komanduara nga Mark
Milani, të cilët do të fillonin sulmin sipas
taktikës së tyre tradicionale që kishte pasur
kurdoherë sukses përballë ushtrive osmane.
Forcat malazeze ishin përqendruar në një sektor
të ngushtë (Velikë-Pepaj), me qëllim që
ti shpartallonin shqiptarët që me sulmin e
parë, në drejtim të Plavës. Por Shtabi
Ushtarak Shqiptar ua mori malazezëve në mënyrë
të papritur iniciativën. Më 6 dhe 7 janar 1880
njësi të vogla shqiptarësh, me qëllim
që të tërhiqnin vëmendjen e komandës
ushtarake malazeze, ndërmorën dy sulme në verilindje
të Malit të Zi, nga ana e sanxhakut të Novi
Pazarit. Komanda ushtarake malazeze, duke kujtuar se shqiptarët
do të vazhdonin të sulmonin nga verilindja, për
tu dalë forcave të tyre prapa shpine e tërhoqi
ushtrinë nga zona jugore dhe e nisi drejt veriut. Duke
përfituar nga kjo rrethanë, forcat shqiptare, të
rreshtuara në sektorin e Plavës, shpërthyen
më 8 janar një sulm të furishëm kundër
pozitave të armikut që ndodhej në Velikë,
në Pepaj e në Arzhanicë.
Sulmin e nisën luftëtarët e Nokshiqit të
komanduara nga Kurt Asllani dhe Nure Kurti. Mësymja ishte
e furishme dhe pas luftimesh të ashpra e trup më
trup forcat malazeze, të përbëra nga 4 mijë
luftëtarë, u detyruan të tërhiqeshin.
Ushtritë e Lidhjes, pasi thyen edhe njësitë
malazeze të komanduara nga Mark Milani, hynë në
tokën malazeze, shtinë në dorë Arzhanicën,
Velikën e Pepajn dhe u drejtuan për në Murinë.
Luftimet më të përgjakshme u bënë
në Velikë e në Pepaj, prandaj përpjekja
e 8 janarit mori emrin e tyre. Ushtria malazeze u tërhoq
në Sutjeskë. Por Shtabi Shqiptar nuk kishte ndërmend
të vazhdonte përparimin në thellësi të
tokës së Malit të Zi. Më 9 janar ai urdhëroi
forcat shqiptare, që nuk hasën ndonjë kundërshtim
nga ushtritë malazeze, të tërhiqeshin në
kufirin e vjetër.
Gjatë betejës së Pepajt e të Velikës,
të dyja palët patën dëme në njerëz,
por, sipas të dhënave të ndryshme, ato të
Malit të Zi qenë më të shumta. Shqiptarët
lanë në këto luftime edhe dy kapedanët
trima, Kurt Asllanin e Nure Kurtin.
Vrulli patriotik që përshkoi luftën në
Velikë e në Pepaj dhe fitorja që shqiptarët
korrën kundër ushtrive malazeze më 8 janar
1880, la përshtypje të thellë në opinionin
ndërkombëtar. Disa ditë më vonë,
kryekonsulli austro-hungarez në Shkodër, Shmuker,
i cili e ndoqi së afërmi zhvillimin e betejës,
i raportonte qeverisë së vet: Vetë malazezët
pohojnë se në luftën e Velikës e të
Pepajt shqiptarët luftuan burrërisht dhe fituan
mbi ta. Dhe me të vërtetë, fuqia e Lidhjes
(së Prizrenit - shën. i aut.) e theu atë ushtri
malazeze që ka qenë kurdoherë e zonja tu
bëjë ballë forcave turke. Shqiptarët luftuan
të shtyrë nga ideja kombëtare. Pas kësaj,
opinioni publik evropian filloi të interesohej për
historinë e popullit shqiptar dhe për të drejtat
e tij kombëtare. Veç kësaj, disa publicistë
kritikuan Kongresin e Berlinit që nuk i kishte përfillur
të drejtat e një kombi aq trim dhe aq liridashës,
siç ishte populli shqiptar.
Me fitoren që korrën në Nokshiq, në Pepaj
e në Velikë shqiptarët i dhanë të
kuptonte diplomacisë evropiane se Perandoria Osmane,
sado që po e mbante Shqipërinë prej pesë
shekujsh nën zgjedhë, nuk ishte zonjë e trojeve
të saj dhe se zotër të këtyre trojeve
ishin banorët shqiptarë.
Disfata që pësoi në front e bindi qeverinë
malazeze se ajo vetë nuk ishte në gjendje ta thyente
qëndresën e Lidhjes Shqiptare me anën e luftës
së armatosur. Për këtë arsye knjaz Nikolla
shpalli menjëherë se i kishte pezulluar veprimet
luftarake në kufi dhe se zbatimin e Traktatit të
Berlinit në këtë pikë po ua linte përsëri
në dorë Fuqive të Mëdha. Madje ai kërkoi
nga konsulli britanik në Shkodër që të
ndërhynte pranë autoriteteve qeveritare të
vilajetit, me qëllim që edhe shqiptarët ti
pezullonin veprimet e mëtejshme luftarake.
Mbrojtja e Hotit dhe e Grudës (pranverë 1880)
Fitoret e shqiptarëve kundër ushtrive malazeze dhe
jehona e tyre në arenën ndërkombëtare
patën pasoja të thella në Shqipëri. Ato
e përforcuan më tej bindjen e shqiptarëve se
tashmë ishin në gjendje ti mbronin trojet
e tyre jo vetëm pa ndihmën e ushtrive osmane, por
edhe kundër vullnetit të Portës së Lartë.
Besimi që fituan te forca e tyre e armatosur, e ngriti
në një shkallë më të lartë vendosmërinë
për të kundërshtuar me armë çdo
ndërhyrje të re të Fuqive të Mëdha
ose çdo orvatje të re të qeverisë së
Stambollit në dëm të trojeve të tyre amtare.
Pas disfatës që pësoi në Velikë e
në Pepaj, knjaz Nikolla iu drejtua përsëri
Fuqive të Mëdha dhe këto, nga ana e tyre, i
bënë përsëri presion Perandorisë
Osmane për ta çuar deri në fund dorëzimin
e Plavës e të Gucisë. Porta e Lartë u
përgjigj se ishte e gatshme ta kënaqte Malin e Zi,
por jo në Plavë e në Guci. Duke parë vendosmërinë
luftarake të shqiptarëve dhe paaftësinë
ushtarake të Malit të Zi, Fuqitë e Mëdha
pranuan në parim ta rishikonin vendimin që kishin
marrë në Kongresin e Berlinit. Me këtë
rast u bënë disa propozime për ta kënaqur
Cetinën me vise sllave në veri ose në jug të
Malit të Zi, por nuk u pranuan. Më në fund
ndërhyri Italia, e cila, nëpërmjet ambasadorit
të saj në Stamboll, kontit Korti (Corti), sugjeroi
që ti jepeshin Malit të Zi viset e Hotit e
të Grudës së bashku me një pjesë
të Kelmendit, të cilat banoheshin gjithashtu nga
popullsi shqiptare. Fuqitë e Mëdha menduan se popullsia
e këtyre viseve, duke qenë katolike dhe jo myslimane,
nuk do ta kundërshtonte bashkimin e saj me Malin e Zi
të krishterë. Porta e Lartë nuk solli ndonjë
pengesë. Vetëm knjaz Nikolla, i bindur se do të
kishte përsëri telashe me shqiptarët, protestoi
rreptësisht. Por më në fund, duke parë
këmbënguljen e të gjitha Fuqive të Mëdha,
u detyrua të përulej. Kështu, më 18 prill
1880, ambasadorët e Fuqive të Mëdha miratuan
propozimin italian, që njihet me emrin vija Korti,
për ti dhënë Malit të Zi, në
vend të Plavës e Gucisë, viset e Hotit e të
Grudës. Dorëzimi i këtyre viseve u vendos të
bëhej pas 4 ditësh, më 22 prill 1880.
Fakti që Fuqitë e Mëdha, Perandoria Osmane
dhe Mali i Zi u detyruan, pas 20 muaj përpjekjesh pa
rezultat, të hiqnin dorë nga vendimi i Kongresit
të Berlinit në lidhje me Plavën e Gucinë,
shënonte një fitore të re diplomatike që
arritën shqiptarët në arenën ndërkombëtare.
Protokolli i Stambollit, i nënshkruar nga ambasadorët
e tyre më 18 prill 1880 për Hotin e Grudën,
ishte po aq i padrejtë sa edhe neni i Traktatit të
Berlinit për Plavën e Gucinë. Viset e Hotit
e të Grudës, së bashku me ato të Kelmendit
e të Kastratit, ishin pjesë e pandarë e Malësisë
së Madhe, kurse nga ana administrative vareshin nga vilajeti
i Shkodrës. Banorët e tyre, krejtësisht shqiptarë
dhe me tradita të lashta luftarake liridashëse,
ishin bashkuar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit qysh
me themelimin e saj. Për këtë arsye, më
1 mars 1880, sapo arritën lajmet e para rreth propozimit
italian, pra një muaj para se të nënshkruhej
Protokolli i Stambollit, krerët e tyre, të mbështetur
nga banorët e krejt Malësisë së Madhe,
zbritën në Shkodër dhe shpallën se ishin
të vendosur të kundërshtonin çdo vendim
që do të merrej në dëm të viseve
të tyre. Në mbledhjen e përbashkët që
bënë në Shkodër, më 1 mars 1880,
krerët e Hotit, të Grudës, të Kelmendit
e të Kastratit miratuan një peticion drejtuar Fuqive
të Mëdha, në të cilin deklaronin se do
të rrëmbenin armët për të mbrojtur
trojet e tyre, në rast se Fuqitë e Mëdha do
ta miratonin projektin Korti.
Kushtrimi që lëshuan banorët e Malësisë
së Madhe vuri në lëvizje popullsinë e
të gjitha krahinave të vendit. Gjatë atyre
ditëve shqiptarët, myslimanë e të krishterë,
u lidhën më shumë se kurrë me njëri-tjetrin.
Kudo u shpreh vendosmëria për të mbrojtur Hotin
e Grudën deri në pikën e fundit të gjakut.
Shqipëria u përgatit kështu përsëri
për luftë.
Meqenëse Hoti, Gruda, Kelmendi e Kastrati bënin
pjesë në vilajetin e Shkodrës, barra e organizimit
të luftës mbrojtëse i takonte Komitetit Ndërkrahinor
të këtij vilajeti. Qysh nga 25 marsi 1880, Komiteti
Ndërkrahinor i Lidhjes Shqiptare në Shkodër
ishte në mbledhje të vazhdueshme dhe filloi të
merrte masat e nevojshme ushtarake për mbrojtjen e Hotit
e të Grudës. Më 3 prill 1880 u zhvillua në
Shkodër një kuvend krahinor, ku morën pjesë
përfaqësues të popullsisë së qytetit
e të Malësisë. Kuvendi vendosi të kundërshtohej
me çdo kusht lëshimi i Hotit e i Grudës.
Ai u dërgoi një peticion Fuqive të Mëdha,
në të cilin thuhej, ndër të tjera: Kemi
vendosur që të derdhim pikën e fundit të
gjakut para se të hynim nën zgjedhën e një
qeverie të huaj. Ideja kombëtare na bashkon në
mbrojtjen e atdheut tonë. Më 11 prill 1880
Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës, ashtu siç
kishin vepruar edhe dy komitetet e tjera ndërkrahinore,
formoi menjëherë Shtabin Ushtarak të vilajetit
me detyrë që të merrte masat e duhura për
mbrojtjen e Hotit e të Grudës. Në krye të
Shtabit Ushtarak u vu Hodo Sokoli, një kolonel i karrierës.
Midis anëtarëve të tij bënin pjesë
jo vetëm përfaqësues nga qyteti, si Selim Çoba,
Filip Çeka, Shaban Bushati, Zef Simoni, Selim Gjyrezi
etj., por edhe mjaft krerë malësorë të
regjur në luftëra, si Dedë Gjoni dhe Ismail
Marku nga Hoti, Ismail Martini dhe Bazo Kurti nga Gruda, Nikë
Gila dhe Nikë Leka nga Kelmendi, Shaban Elezi dhe Gjon
Deda nga Kastrati etj. Komiteti Ndërkrahinor i Shkodrës
i bëri thirrje të veçantë Preng pashë
Bibë Dodës, i cili deri atëherë nuk kishte
marrë pjesë në mbrojtjen e trojeve shqiptare,
duke e emëruar, në rast se do të ishte i gatshëm,
nënkryetar të Shtabit Ushtarak.
Formimi i Shtabit Ushtarak u pasua nga gatishmëria që
treguan krahinat e ndryshme të vendit për të
dërguar vullnetarë sipas zakonit nga një burrë
për shtëpi, kurse viset e Malësisë së
Madhe u zotuan të mobilizonin të gjithë burrat
e aftë për armë. Shtabet ushtarake, të
formuara në vilajetet e Kosovës dhe të Janinës,
njoftuan se ishin gati të dërgonin forcat e tyre
vullnetare sapo të ndihej nevoja. Por Shtabi Ushtarak
i Shkodrës, duke parë gatishmërinë e masave
popullore, i konsideroi të mjaftueshme forcat luftarake
të mobilizuara vullnetarisht në vilajetin e vet.
Në të njëjtën kohë, Komiteti Ndërkrahinor
i Shkodrës lëshoi një shpallje, me anën
e së cilës, pasi vinte në dukje vendosmërinë
e mbarë vendit për të mbrojtur trojet e atdheut,
u kërkonte vullnetarëve të qëndronin në
gatishmëri, në pritje të zhvillimit të
ngjarjeve.
Zemërimi e vendosmëria e shqiptarëve arriti
kulmin pasi u nënshkrua nga ambasadorët e Fuqive
të Mëdha Protokolli i Stambollit, më 18 prill
1880, me emrin Protokolli mbi kufijtë e Turqisë
dhe të Malit të Zi. Me këtë rast
u përsëritën protestat telegrafike drejtuar
Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë.
Në të njëjtën kohë filluan përgatitjet
ushtarake. Më 19 prill u zhvillua në Shkodër
një miting i madh popullor, një nga manifestimet
më masive që kishte parë qyteti deri atëherë.
Në miting, midis entuziazmit popullor, Hodo Sokoli, në
një fjalim të zjarrtë që mbajti para mijëra
qytetarëve dhe malësorëve, deklaroi ndër
të tjera, se përballë veprimeve që po
kryente Porta e Lartë në dëm të tërësisë
territoriale të Shqipërisë dhe për të
shpëtuar atdheun nga fatkeqësi të tjera që
do të sillte sundimi i mëtejshëm i saj, shqiptarët
duhej ti këpusnin lidhjet me Perandorinë Osmane
dhe ta merrnin vetë në dorë fatin e atdheut
të tyre. Hodo bej Sokoli dhe pas tij 1 500 veta që
ndodheshin në miting, hoqën publikisht spaletat
e uniformës ushtarake e dekoratat e sulltanit dhe deklaruan
se nuk do ta njihnin as atë, as Stambollin. Po atë
ditë u nisën për në vijën e kufirit
vullnetarët e parë qytetarë, rreth 1 500 veta,
të cilët u bashkuan me mijëra vullnetarë
malësorë që kishin vrapuar nga malësitë
e Veriut.
Në mbrëmjen e 21 prillit u nisën nga Shkodra,
duke lundruar në liqen, disa dhjetëra anije me vullnetarë
shkodranë, rreth 3 mijë veta, të cilët,
së bashku me Shtabin Ushtarak dhe komandantin e tij Hodo
Sokolin, u vendosën në Tuz. Në 22 prill 1880,
sipas Protokollit të Stambollit, trupat turke u larguan
nga kalaja e Tuzit dhe nga pikat e tjera që i takonin
Malit të Zi. Por, ashtu siç ndodhi në Plavë
e Guci, edhe në Hot e Grudë forcat shqiptare i zunë
këto pika para se të afroheshin ushtritë malazeze.
Gjatë gjithë vijës mbrojtëse qenë
rreshtuar rreth 8 mijë vullnetarë shqiptarë,
në gatishmëri për të kundërshtuar
përparimin e ushtrive malazeze.
Pak më vonë, ushtritë malazeze, me rreth 10
mijë veta, arritën tek Ura e Rzhanicës, pika
më e përparuar e kufirit të vjetër. Aty
u ndeshën me pararojat e ushtrisë së Lidhjes
Shqiptare, të përbëra nga disa qindra qytetarë
e malësorë, të cilët u bënë
thirrje të ndaleshin, pasi banorët e këtyre
vendeve nuk i njihnin vendimet e Fuqive të Mëdha.
Ushtritë malazeze nuk u bindën, por kërkuan
të marshonin për të marrë në dorëzim
kalanë e Tuzit. Atëherë pararojat shqiptare
hapën zjarr kundër pararojave malazeze. Kështu,
tek Ura e Rzhanicës filloi më 22 prill përleshja
e armatosur ndërmjet tyre.
Sapo shpërthyen krismat e para, forcat vullnetare të
Malësisë së Madhe, nën drejtimin e Ismail
Markut e Baca Kurtit, u hodhën në sulm të furishëm
kundër forcave kryesore malazeze që ndodheshin në
Helm, në breg të lumit Cem. Të dyja palët
luftuan me vendosmëri për disa orë rresht.
Më në fund ushtritë malazeze u thyen dhe u
tërhoqën për në Podgoricë, duke lënë
disa të vrarë e të plagosur.
Fitorja e Rzhanicës dhe e Helmit ngjalli entuziazëm
në mbarë Shqipërinë. Komiteti Ndërkrahinor
i Shkodrës, duke parashikuar një sulm të ri
nga ana malazeze, vendosi ti mbante forcat luftarake
në kufi dhe të siguronte armë martina për
vullnetarët shqiptarë të pajisur pjesërisht
me huta dhe pjesërisht me jataganë. Për këtë
qëllim u ftuan krahinat e vilajetit që të shtonin
ndihmat financiare. Mbi shtresat e pasura të Shkodrës
u shpall një tatim i jashtëzakonshëm në
të holla e në drithë. Në këto rrethana
Preng pashë Bibë Doda, duke parë se me qëndrimin
e vet të lëkundur po cilësohej nga opinioni
publik si bashkëpunëtor i Cetinës, pranoi ftesën
e Komitetit Ndërkrahinor për të mobilizuar
mirditorët dhe për ti sjellë në
Tuz.
Pas luftës së Rzhanicës, viset e Hotit e të
Grudës, të liruara nga ushtritë osmane, por
të papushtuara nga ato malazeze, mbetën de facto
nën sovranitetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
për 8 muaj, nga 22 prilli 1880 deri më 28 dhjetor
1880, kur në Tuz u rivendos administrata osmane. Me qeverisjen
e tyre merrej Komiteti i Lidhjes Shqiptare për Shkodrën,
që kishte ngarkuar në Tuz një Komision të
kryesuar nga Hodo Sokoli, i cili ushtronte pushtetin ekzekutiv
si një institucion shtetëror i Lidhjes Shqiptare.
Menjëherë pas disfatës që pësoi më
22 prill 1880, knjaz Nikolla protestoi pranë Fuqive të
Mëdha dhe këto më 24 prill i drejtuan qeverisë
osmane një notë kolektive, me të cilën
e shtrëngonin që ti dëbonte forcat shqiptare
nga kufiri për tu hapur rrugën forcave malazeze.
Por Porta e Lartë nuk e kishte më situatën
në dorë. Përveçse nuk donte të
hapte konflikt me shqiptarët, ajo nuk kishte as forca
të mjaftueshme në Shkodër për të
zbatuar kërkesën e Fuqive të Mëdha.
Në fillim të muajit maj, pas ardhjes së forcave
mirditore, në vijën kufitare numri i vullnetarëve
u rrit në rreth 9 mijë veta, përveç
7 mijë të tjerëve që qëndronin në
gatishmëri në shtëpitë e tyre për
tu nisur në luftë sapo të lëshohej
kushtrimi. Sipas njoftimeve që kishte Shtabi Ushtarak,
përtej kufirit qëndronin rreth 20 batalione malazeze
me afërsisht 9 mijë veta të armatosur me martina
dhe të pajisura me topa e artileri. Morali i vullnetarëve
shqiptarë ishte aq i lartë, sa nga radhët e
tyre doli propozimi që të ndërmerrej një
mësymje kundër ushtrive malazeze për ta detyruar
knjaz Nikollën që të hiqte dorë një
herë e përgjithmonë nga lakmia e tij për
trojet shqiptare. Këtë ide e përqafoi jo vetëm
Hodo Sokoli, kryetari i Shtabit Ushtarak të Shkodrës,
por edhe Ali pashë Gucia, kryetari i Shtabit Ushtarak
të Kosovës, i cili për më tepër u
zotua ta fillonte mësymjen me forcat e veta nga Plava
e Gucia, në thellësi të territoreve malazeze.
Nuk pritej veçse miratimi nga Komiteti Kombëtar
i Lidhjes Shqiptare. Por udhëheqësit e tij, për
tiu shmangur ndërlikimeve ndërkombëtare
që do të shkaktonte mësymja shqiptare, nuk
e pranuan propozimin e dy shtabeve ushtarake. Sipas tyre,
presioni, që ushtronte përqendrimi i forcave kufitare
në Hot e Grudë, ishte i mjaftueshëm për
ti detyruar Fuqitë e Mëdha të rishikonin
Protokollin e Stambollit.
Në fakt lufta për mbrojtjen e Hotit e të Grudës
pati jehonë të thellë jashtë Shqipërisë.
Interesimi i publikut evropian për konfliktin shqiptaro-malazez
u rrit më shumë. Pothuajse të gjitha gazetat
kryesore të Evropës Perëndimore dërguan
ato javë korrespondentët e tyre të posaçëm
në Shkodër, shumica e të cilëve u detyruan
të vinin në dukje atdhetarinë e lartë
që frymëzonte qëndresën shqiptare. Fuqitë
e Mëdha u bindën përfundimisht se as Protokolli
i Stambollit nuk mund të zbatohej me anën e presionit
diplomatik. Anglia me Rusinë propozuan një ndërhyrje
ushtarake të përbashkët të Fuqive të
Mëdha kundër shqiptarëve të përqendruar
në kufi, por Austro-Hungaria me Gjermaninë kundërshtuan.
Më në fund fitoi qëndresa shqiptare. Pasi pranuan
në parim të hiqnin dorë edhe nga Protokolli
i Stambollit, Fuqitë e Mëdha miratuan më 15
qershor 1880 propozimin e Anglisë e të Austro-Hungarisë
për ti dhënë Malit të Zi, në
vend të Hotit e të Grudës, qytetin bregdetar
të Ulqinit së bashku me rrethinat e tij. Heqja dorë
e Fuqive të Mëdha nga vendimi që kishin marrë
më 18 prill 1880 ishte fitorja e tretë diplomatike
që korrën shqiptarët, brenda 6 muajve, në
arenën ndërkombëtare. Por vendimi i Fuqive
të Mëdha për ti lëshuar Malit të
Zi Ulqinin me rrethinat e tij shtroi përsëri detyrën
e ngutshme të mbrojtjes së tërësisë
së atdheut, të cilit po i shkëputej tani një
pjesë më e rëndësishme dhe jetike.
4. LËVIZJA PËR AUTONOMINË E SHQIPËRISË
Lëvizja kundër administratës osmane gjatë
vitit 1879
Me gjithë përqendrimin e vëmendjes së
tyre kundër rrezikut të copëtimit territorial
të atdheut, patriotët nuk hoqën dorë nga
programi autonomist, nuk e lanë pas dore kërkesën
për vilajetin autonom të Shqipërisë, që
u formulua në rezolutën e Kuvendit të Dibrës,
më 1 nëntor 1878. Si qendra e Lidhjes Shqiptare,
ashtu edhe komitetet e saj ndërkrahinore e ngritën
herë pas here me anën e memorandumeve çështjen
e të drejtave autonomiste të vendit. Ndërsa
Porta e Lartë, e vendosur për të mos bërë
asnjë lëshim, vijoi ta zvarriste përgjigjen,
në shumë krahina të Shqipërisë mori
hov lëvizja popullore kundër administratës
shtetërore osmane.
Në të vërtetë, në viset shqiptare,
administrata qeveritare e vilajeteve ishte paralizuar qysh
në verën e vitit 1878. Gjyqet shtetërore nuk
funksiononin. Qeveria e Stambollit, që nga vera e vitit
1879, nuk kishte mundur të nxirrte nga viset shqiptare
as taksa dhe as nizamë. Në shumë raste një
pjesë e këtyre taksave ishte vjelë nga organet
e Lidhjes Shqiptare për të përballuar luftën
mbrojtëse dhe sistemimin e muhaxhirëve. Rekrutët
shqiptarë, në vend që të vinin nizamë
në ushtrinë perandorake, ishin regjistruar vullnetarë
në ushtrinë e Lidhjes së Prizrenit. Degët
e saj kishin filluar të ushtronin në të njëjtën
kohë edhe funksionet gjyqësore.
Porta e Lartë nuk mund të pajtohej gjatë me
këtë gjendje. E shqetësuar nga rrjedha që
po merrnin ngjarjet në Shqipëri, ajo u orvat në
pranverën e vitit 1879 ta rivendoste autoritetin e saj
në viset shqiptare, duke rimëkëmbur në
këto vise administratën e saj të mëparshme.
Por rivendosja e administratës së vjetër osmane
shkaktoi reagimin e menjëhershëm të shqiptarëve.
Ata e kundërshtuan rreptësisht urdhrin që lëshoi
Stambolli për të vjelë taksat e reja dhe ca
më tepër taksat e prapambetura jo vetëm për
faktin se pagesa e tyre ishte një barrë e rëndë
për popullsinë e varfëruar nga lufta, por edhe
për arsye politike. Fshatarët e qytetarët e
quanin pa vend ti paguanin taksa Perandorisë Osmane
që nuk ishte në gjendje të mbronte trojet e
tyre, madje, që po tregohej e gatshme ti shiste,
siç shpreheshin ata, tek armiqtë e vendit. Qëndresa
kundër taksave mori përpjesëtime aq të
mëdha, sidomos në vilajetet e Kosovës e të
Shkodrës, sa tagrambledhësit nuk guxonin tu
afroheshin fshatarëve e qytetarëve. Për ta
shpënë urdhrin e saj deri në fund, Porta e
Lartë i porositi valinjtë që, po ta shihnin
të nevojshme, të përdornin për vjeljen
e taksave edhe dhunën ushtarake. Por, siç raportonte
më 7 qershor 1879 ministri serb në Stamboll, për
shkak të kësaj porosie shqiptarët e Prizrenit
e të Prishtinës u revoltuan aq shumë ndaj qeverisë
osmane, sa ishin gati të rrëmbenin edhe armët
kundër saj. Si pasojë e kësaj qëndrese
Stambolli u detyrua të hiqte dorë përkohësisht
nga përdorimi i dhunës në vjeljen e taksave.
Të njëjtën qëndresë ndeshi te shqiptarët
edhe orvatja tjetër e Portës së Lartë
për të rekrutuar nizamë në Shqipëri.
Nizamët shqiptarë nuk iu përgjigjën thirrjes
nën armë ose, edhe kur u paraqitën, u arratisën
sapo u pajisën me armë, duke deklaruar se do ta
kryenin shërbimin ushtarak nën urdhrat e Lidhjes
së Prizrenit. Lëvizja përfshiu edhe nizamët
shqiptarë të rekrutuar gjatë viteve të
kaluara, të cilët ndodheshin ende në radhët
e ushtrisë osmane. Në mjaft raste, ata që kryenin
shërbimin ushtarak jashtë Shqipërisë i
braktisën repartet e tyre, sapo u formua Lidhja e Prizrenit.
Përpjesëtimi që mori arratisja e detyroi Portën
e Lartë që ti mbante ata në reparte të
dislokuara në trojet shqiptare.
Hov të madh mori sidomos lëvizja kundër gjykatave
shtetërore osmane, që urreheshin nga masat popullore
për shkak të procedurës së ndërlikuar,
të ligjeve të papërshtatshme, të gjuhës
së pakuptueshme dhe të korrupsionit të thellë
që sundonte në to. Në mars të vitit 1879,
në Prishtinë, në qendrën e vilajetit të
Kosovës, filloi agjitacioni ndërmjet qytetarëve
për të kërkuar krijimin e gjykatave popullore,
të pavarura nga pushteti qendror, të cilat duhet
tu përshtateshin kushteve dhe zakoneve të
vendit, pra të ishin shqiptare nga ligjet, nga gjuha
dhe nga gjyqtarët. Në prill agjitacioni u shtri
edhe në fshat. Në këtë kohë kërkesa
për krijimin e gjykatave popullore shqiptare mori formën
e një lëvizjeje për vetëqeverisjen e vendit,
në krye të së cilës ishte vënë
Zija Prishtina, anëtar i Komitetit të Stambollit.
Në maj të vitit 1879 Zija Prishtina i paraqiti Portës
së Lartë peticionin e popullsisë së sanxhakut
të Prishtinës, në të cilën kërkohej
të mos bënte asnjë lëshim të trojeve
shqiptare, të lejonte formimin e gjyqeve të pavarura
shqiptare dhe të largonte ushtrinë nga Kosova. Më
12 maj 1879 sulltani lejoi që në sanxhakun e Prishtinës
të formoheshin gjykatat shqiptare, të cilat të
vepronin krahas gjykatave shtetërore, duke ua lënë
në dorë shtetasve që ti drejtoheshin,
sipas dëshirës, njërës prej tyre. Por
disa ditë më vonë, me zgjerimin që mori
lëvizja në viset e tjera, ai u detyrua ta shtrinte
këtë të drejtë në gjithë vilajetin
e Kosovës.
Lëvizja për gjykatat shqiptare, ashtu si edhe lëvizjet
kundër taksave shtetërore e rekrutimit të nizamëve,
ndonëse u zhvilluan nën hijen e Lidhjes së
Prizrenit, në fillim patën karakter spontan e lokal.
Por hovi i madh që ato morën, tërhoqi menjëherë
vëmendjen e organeve udhëheqëse të Lidhjes
së Prizrenit, të cilat morën në dorë
drejtimin e tyre. Lëvizja kundër pagesës së
taksave dhe rekrutimit të nizamëve u përhap
kështu në pjesën më të madhe të
vendit. Kërkesa për gjykatat shqiptare u shtri në
vilajetin e Shkodrës, kurse në atë të
Kosovës u thellua më tej. Qysh në maj, nën
drejtimin e degëve të Lidhjes, u parashtrua në
Gjakovë e në Pejë kërkesa që me krijimin
e gjykatave shqiptare të suprimoheshin gjykatat osmane.
Madje, më 19 maj 1879, Komiteti Kombëtar i Lidhjes
vendosi ta shtrinte kërkesën e vetëqeverisjes
jo vetëm në institucionet gjyqësore, por në
mbarë administratën shtetërore të vilajetit.
Meqenëse Porta e Lartë nuk pranoi ti suprimonte
gjykatat shtetërore, Lidhja e Prizrenit shpalli bojkotimin
e tyre. Popullsia u ftua tu drejtohej vetëm gjykatave
shqiptare, madje u shpallën ndëshkime kundër
atyre që do të trokisnin në gjykatat shtetërore.
Porta e Lartë u përpoq ta shuante lëvizjen
popullore pa hyrë në konflikt të armatosur
me shqiptarët. Për këtë qëllim ajo
dërgoi në Shqipëri emisarë dhe agjitatorë
të posaçëm, të cilët i përsëritën
premtimet e zakonshme për reforma administrative. Në
të njëjtën kohë, me qëllim që
të shkaktonin përçarje ndërmjet udhëheqësve
të Lidhjes Shqiptare, ata e shtuan trysninë ndaj
qarqeve të moderuara. Megjithatë, në mbledhjen
që Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes mbajti
më 24 korrik 1879, vendosi me shumicë votash që
ti kujtonte Portës së Lartë se shqiptarët
do të detyroheshin ta përmbysnin vetë pushtetin
lokal në rast se Stambolli nuk do të plotësonte
kërkesat e Shqipërisë. Në të njëjtën
kohë, atdhetarët radikalë, duke mos pasur besim
në gatishmërinë e Stambollit për reforma,
kërkuan ta thellonin më tej lëvizjen popullore
kundër administratës osmane për ta detyruar
sulltanin që ta merrte parasysh rezolutën e Kuvendit
të Dibrës.
Porta e Lartë, pasi e zvarriti për një kohë
të gjatë përgjigjen për rezolutën
e Kuvendit të Dibrës, deklaroi, në verën
e vitit 1879, se kërkesat e shqiptarëve do të
zgjidheshin në kuadrin e ligjeve organike
(reformave administrative) që ajo detyrohej të zbatonte
në territoret e saj evropiane sipas nenit 23 të
Traktatit të Berlinit. Me këtë deklaratë
ajo linte të kuptonte se nuk kishte ndërmend ta
ndryshonte ndarjen administrative të vilajeteve që
ishte në fuqi.
Në këto rrethana qarqet atdhetare shqiptare e ngritën
menjëherë zërin, duke theksuar se zbatimi i
nenit 23 të Traktatit të Berlinit, pa bashkuar më
parë trojet e tyre në një vilajet të vetëm,
ishte një shkelje e hapur e të drejtave kombëtare
të Shqipërisë. Me një parashtresë
drejtuar kryeministrit osman, më 27 gusht 1879, Abdyl
Frashëri kërkonte që në kushtet aktuale
të mos zbatohej në Shqipëri neni 23 i Traktatit
të Berlinit, domethënë të mos formoheshin
komisione të posaçme për të hartuar
reforma të ndryshme për çdo vilajet. Që
Shqipëria të shpëtonte nga rreziku i asgjësimit,
që ajo të bëhej e aftë për veten
e saj dhe për Perandorinë Osmane duhej, theksonte
Abdyl Frashëri, që reformat e nevojshme të
hartoheshin nga një komision i vetëm për të
gjitha trojet shqiptare, gjë që kërkonte paraprakisht
bashkimin e të gjitha këtyre trojeve (të ndara
në 11 sanxhakë) në një vilajet të
vetëm. Veç kësaj, shtonte ai, ishte e domosdoshme
që ky komision i posaçëm ti studionte
reformat e dobishme për Shqipërinë në
bashkëpunim me përfaqësuesit e Lidhjes Shqiptare
të Prizrenit.
Në këto rrethana, kur u acaruan edhe marrëdhëniet
shqiptaro-malazeze dhe forcat e Malit të Zi u vunë
në gatishmëri luftarake në kufijtë e Shqipërisë,
u mblodh në Prizren, më 3 tetor 1879, Kuvendi i
Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare, në të
cilin u trajtuan dy çështje themelore që
shqetësonin vendin: qëndrimi që duhej mbajtur
ndaj provokacioneve ushtarake të Cetinës e përgatitjeve
të saj për luftë dhe zhvillimi i lëvizjes
për autonominë e Shqipërisë. Për
çështjen e parë nuk pati diskutime të
shumta. Të gjithë qenë të një mendimi
për tiu përgjigjur ushtrive malazeze me armë,
nëse ato do të orvateshin të merrnin me dhunë
Plavën e Gucinë. Diskutime të shumta u bënë
brenda e jashtë Kuvendit për çështjen
e të drejtave autonomiste të Shqipërisë.
Delegatët e Kuvendit dhe veprimtarët e lëvizjes
kombëtare jashtë tij ishin të mendimit që
këtë herë Lidhja Shqiptare të kërkonte
jo si një vit më parë me rezolutën e Dibrës
(të 1 nëntorit 1878) një Vilajet Shqiptar,
por një Principatë Shqiptare ose një
Republikë Shqiptare, me kryeqytet Manastirin,
nën suzerenitetin e sulltanit, duke i paguar atij një
tribut vjetor. Një kërkesë e tillë, që
do të çonte në shkëputjen gati të
plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane,
u parashtrua nga përfaqësuesit e krahut radikal
të Lidhjes, ndërsa pjesa tjetër e delegatëve
të Kuvendit dhe e udhëheqësve të saj mendonte
se, për shkak të konfliktit me Malin e Zi, që
po trokiste në derë, nuk ishte e volitshme që
në ato ditë të hyhej në luftë kundër
Portës së Lartë.
Në këto rrethana, delegatët radikalë u
tërhoqën nga kërkesa e një Principate
Shqiptare ose të një Republike Shqiptare
dhe vendosën të kërkojnë nga Stambolli
Vilajetin e Shqipërisë, pa bërë
asnjë hap të mëtejshëm prapa. Por qeveria
turke e kundërshtonte edhe këtë kërkesë
dhe, duke qenë në dijeni të punimeve të
Kuvendit, kaloi në përdorimin e forcës ndaj
tij. Më 13 tetor 1879 organet qeveritare të Prizrenit
vunë në përdorim garnizonin ushtarak dhe e
shpërndanë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm,
pa i lënë kohë atij të përfundonte
punimet e tij dhe të miratonte rezolutën përkatëse.
Në një nga seancat e para Kuvendi i Përgjithshëm
arriti të zgjidhte sërishmi Këshillin e Përgjithshëm
të Lidhjes Shqiptare. Kryetar i Lidhjes Shqiptare u zgjodh
në vend të Sheh Mustafa Tetovës (që kishte
zëvendësuar Iljaz pashë Dibrën) Haxhi
Ymer efendiu (Prizreni), myderriz (profesor i së drejtës
islame), përkrahës i krahut radikal të lëvizjes
kombëtare.
Në fillim të nëntorit 1879, kur filluan sulmet
e ushtrive malazeze në sektorin e Plavës e të
Gucisë, të cilat u pasuan nga mësymja që
ato zhvilluan në fillim të dhjetorit 1879 dhe në
javën e parë të janarit 1880, lëvizja
popullore kundër administratës shtetërore osmane
ra përkohësisht.
Lëvizja autonomiste gjatë pranverës 1880
Mbrojtja me sukses e Plavës dhe e Gucisë nga sulmet
e ushtrive malazeze u dha zemër rretheve atdhetare që
ta drejtonin vëmendjen përsëri në marrëdhëniet
e tyre me administratën osmane. Rastin për ta tërhequr
lëvizjen spontane popullore nën flamurin e kërkesave
autonomiste e dha përsëri Porta e Lartë.
Menjëherë pas fitores që korrën shqiptarët
në Velikë e në Pepaj, qeveria osmane shpalli
reformat administrative (ligjet organike) që do të
zbatoheshin në zotërimet e saj të Gadishullit
Ballkanik. Reformat u shpallën pa krijuar asnjë
komision lokal, për të cilin flitej në nenin
23 të Traktatit të Berlinit, dhe pa e përfillur
fare kërkesën e Lidhjes së Prizrenit për
formimin e një vilajeti të vetëm shqiptar.
Sipas këtyre reformave, në viset shqiptare, të
copëtuara ndërmjet katër vilajeteve, do të
forcohej më shumë se më parë zgjedha politike,
ekonomike, shoqërore e kulturore e pushtetit qendror
osman. Shqiptarët nuk fitonin asnjë të drejtë
kombëtare; nuk kishin të drejtë as për
arsim në gjuhën amtare, madje as të drejtën
të quheshin shqiptarë, sepse Porta e
Lartë nuk e njihte kombësinë shqiptare. Karakteri
burokratik i administratës së vilajeteve forcohej,
po ashtu edhe vartësia e saj prej Portës së
Lartë. Në reformën gjyqësore nuk kishte
vend për gjykata shqiptare. Gjykatat e reja perandorake,
edhe pse formalisht ndaheshin nga pushteti administrativ,
mbeteshin organe të pushtetit qendror osman. Sistemi
fiskal dhe shërbimi ushtarak nuk prekeshin. Nga të
ardhurat buxhetore vetëm një e dhjeta u lihej këshillave
administrativë lokalë për tu shpenzuar
në vend dhe vetëm në rast se të ardhurat
realizoheshin plotësisht.
Në të njëjtën kohë me shpalljen e
reformave administrative, Porta e Lartë e shtroi me forcë
kërkesën e saj të mëparshme për të
mbledhur taksat e nizamët e prapambetur; madje tani taksat
e nizamët ajo i kërkonte për llogari të
tre vjetëve.
Në këto rrethana, qëndresa popullore shqiptare
kundër administratës perandorake osmane hyri në
një fazë të re. Në mjaft raste ajo u shpreh
me sulme të armatosura kundër saj. Gjatë pranverës
së vitit 1880 këto sulme u drejtuan jo vetëm
kundër vjeljes me dhunë të taksave, por edhe
për pastrimin e vendit nga administrata shtetërore
e vilajeteve.
Në vilajetin e Kosovës përpjekjet e para të
armatosura ndërmjet fshatarëve shqiptarë dhe
ushtarëve turq, që shoqëronin tagrambledhësit
qeveritarë, u shfaqën qysh në muajin shkurt
1880. Në mars qëndresa e armatosur u shtri në
krejt rrethet e Prizrenit e të Prishtinës. Në
fillim të prillit u grumbulluan në Shtimje gati
3 mijë fshatarë për të sulmuar Prizrenin
dhe për ta zëvendësuar administratën osmane
me organe shtetërore shqiptare. Garnizoni turk i Prizrenit
u doli përpara dhe në fshatin Krushe sulmoi një
pjesë të tyre, por nuk i shpërndau dot. Për
raprezalje autoritetet turke burgosën 6 udhëheqës
të Lidhjes Shqiptare. Atëherë kryengritësit
sulmuan Prizrenin, hynë brenda në qytet dhe pasi
çliruan të burgosurit, ia dorëzuan pushtetin
Komitetit të Lidhjes Shqiptare. Përballë këtij
aksioni të armatosur garnizoni turk u detyrua të
qëndronte i mbyllur në kala. Sulme të tilla
ndodhën edhe në sanxhakët fqinjë të
Prishtinës e të Pejës, ku pushteti lokal kaloi
gjithashtu në duart e degëve të Lidhjes Shqiptare.
Lëvizja autonomiste u shtri, ndonëse në përpjesëtime
më të vogla, në mjaft vise të vilajetit
të Manastirit e të Janinës. Përkundrazi,
në vilajetin e Shkodrës ajo u shpreh në një
formë të tillë që la përshtypje të
thellë si brenda, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Më 9 prill 1880, kur popullsinë e vilajetit e kishte
pushtuar vala e përgatitjeve ushtarake për të
mbrojtur Hotin e Grudën, u mblodh një Kuvend i jashtëzakonshëm
i Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës. Pas dy
ditë punimesh Kuvendi miratoi një rezolutë,
me të cilën kërkohej nga sulltani që ky
ti largonte ushtritë turke nga Shqipëria dhe
tu njihte autonominë administrative mbarë
viseve shqiptare të bashkuara në një vilajet
të vetëm. Ky vendim u përsërit me ceremoni
të veçantë në mitingun popullor, që
u zhvillua në Shkodër më 19 prill 1880, me
rastin e nisjes së vullnetarëve të parë
për në Tuz. Në fillim të majit Komiteti
Ndërkrahinor i Lidhjes e ktheu gazetën qeveritare
turqisht të vilajetit, me emrin Shkodra,
në një gazetë shqip dhe në një organ
të tij. Në numrin e saj të parë shqip,
që doli më 7 maj 1880, u botua një deklaratë,
në të cilën thuhej se tani e tutje duhej të
merrte fund sundimi osman në Shqipëri.
Megjithatë ky sundim nuk mori fund dhe Lidhja e Prizrenit
nuk e kishte ende në duart e saj pushtetin politik të
vendit. Me fitoret që ajo arriti në saje të
lëvizjes popullore në pranverën e vitit 1880,
në Shqipëri u krijua një diarki (dypushtet)
e ndarë ndërmjet Portës së Lartë
dhe Lidhjes Shqiptare. Edhe Porta e Lartë kishte formuar
tanimë bindjen se kërkesa e autonomisë së
Shqipërisë kishte lëshuar rrënjë
në ndërgjegjen e popullsisë shqiptare dhe kishte
përfshirë të gjitha trevat shqiptare. Nën
trysninë e kësaj aspirate të shqiptarëve
dhe për tu dhënë fund kërkesave
të vazhdueshme të Lidhjes së Prizrenit për
krijimin e një vilajeti të bashkuar të
Shqipërisë, qeveria turke, pas diskutimeve
të shumta që u zhvilluan në prill-maj 1880,
më 5 qershor miratoi vendimin për formimin e Vilajetit
të Rumelisë, në të cilin, siç
thuhej në këtë vendim, do të bashkoheshin
vilajetet që janë në Shqipëri, domethënë
ai i Shkodrës, i Kosovës, i Manastirit dhe i Janinës.
Edhe pse ky do të quhej Vilajeti i Rumelisë,
nuk do të mbante emrin Vilajeti i bashkuar i Shqipërisë
dhe do të kishte në krye një guvernator turk,
Ejup Pashën, krijimi i tij do të shënonte një
hap të rëndësishëm në bashkimin e
tokave shqiptare në një vilajet të vetëm,
prandaj u kundërshtua nga Fuqitë e Mëdha, sidomos
nga Rusia, nën presionin e të cilave edhe sulltani
hoqi dorë nga ky vendim.
Ndërkaq, atdhetarët më të vendosur shqiptarë
arritën në përfundimin se tani ishin krijuar
kushtet për të përmbushur kërkesën
e autonomisë së Shqipërisë, hap i parë
drejt së cilës do të ishte pajisja e Lidhjes
Shqiptare me atributet e një qeverie të përkohshme.
Kjo çështje u shtrua në mbledhjen që
u mbajt në Frashër, në fillim të muajit
qershor 1880. Këtu morën pjesë përfaqësuesit
e krahinave të Shqipërisë Juglindore, të
cilat administrativisht vareshin nga vilajetet e Janinës
e të Manastirit (afërsisht rrethet e sotme të
Përmetit, të Skraparit, të Korçës
e të Kolonjës). Midis çështjeve të
tjera që kishin të bënin me mbrojtjen e trojeve
shqiptare, mbledhja miratoi edhe propozimin për të
formuar një qeveri të përkohshme për krejt
Shqipërinë, e cila të merrte në dorë
administrimin e të gjithë vendit. Qeveria do të
formohej nga një kuvend i përgjithshëm i Lidhjes
së Prizrenit, ku duhej të merrnin pjesë përfaqësuesit
e të gjitha krahinave shqiptare. Barra kryesore e plotësimit
të kësaj detyre historike iu ngarkua Abdyl Frashërit.
Fill pas mbylljes së punimeve të mbledhjes së
Frashërit, Abdyli së bashku me aktivistët e
tjerë atdhetarë u shpërndanë në viset
e Shqipërisë Jugore për të popullarizuar
idenë e qeverisë së përkohshme shqiptare.
Përpara se të thirrej kuvendi i përgjithshëm
i Lidhjes Shqiptare, u mendua që çështja
të shqyrtohej nga Kuvendi Ndërkrahinor i vilajetit
të Janinës. Kuvendi Ndërkrahinor u vendos të
mblidhej në Gjirokastër pasi të shiheshin përfundimet
e Konferencës së Berlinit, e cila do të fillonte
punimet e veta së afërmi, më 16 qershor 1880.
Konferenca e Berlinit dhe çështja shqiptare
në arenën ndërkombëtare (qershor-gusht
1880)
Zyrtarisht Konferenca e Berlinit, në të cilën
morën pjesë ambasadorët e gjashtë Fuqive
të Mëdha, nën kryesinë e ministrit të
Jashtëm të Gjermanisë, princit Bylov (Bülov),
u mblodh për tu dhënë fund çështjeve
të Traktatit të Berlinit, që kishin mbetur
pas dy vjetësh ende të pazgjidhura. Në të
vërtetë, dy qenë çështjet e rëndësishme
të pazgjidhura dhe që të dyja ishin pasojë
e qëndresës shqiptare: kufiri turko-grek dhe kufiri
turko-malazez. Megjithatë, edhe pse shqiptarët e
kishin mbajtur në tension dy vjet me radhë diplomacinë
ndërkombëtare, Fuqitë e Mëdha vijuan të
mos i përfillnin aspiratat e tyre kombëtare. Shqiptarët
nuk u lejuan as në Konferencën e Berlinit që
të parashtronin dhe të mbronin interesat e tyre
jetikë.
I vetmi mjet për ta çuar zërin e tyre në
Konferencën e Berlinit qenë protestat dhe memorandumet.
Për këtë qëllim, në të katër
anët e vendit u organizuan përsëri nën
drejtimin e organeve të Lidhjes së Prizrenit mbledhje
të gjera popullore, në të cilat u shpreh edhe
njëherë vendosmëria për të mos lejuar
asnjë copëtim të trojeve shqiptare në
favor të shteteve fqinje. Nga të katër anët
e vendit u hartuan, me një përmbajtje të tillë,
një varg protestash, të cilat iu drejtuan telegrafisht
Konferencës së Berlinit. Rëndësi të
veçantë patën tri peticionet dërguar
veç e veç në qershor nga Komitetet Ndërkrahinore
të Lidhjes Shqiptare për vilajetin e Janinës,
për atë të Kosovës (i Prizrenit) dhe për
vilajetin e Shkodrës. Nënshkruesit e këtyre
akteve kërkonin respektimin e të drejtave kombëtare
të shqiptarëve në fushën e tërësisë
territoriale, vinin në dukje padrejtësinë e
pretendimeve territoriale greke dhe pasojat që do të
kishin shqiptarët nëse ato do të pranoheshin.
Në peticione, me një ton diplomatik, shprehej besimi
se Fuqitë e Mëdha do ti merrnin në konsideratë
të drejtat kombëtare të shqiptarëve, por
theksohej njëkohësisht, se ata ishin të vendosur
të kundërshtonin me armë copëtimin e trojeve
të tyre amtare. Por krahas këtyre protestave të
rrepta, qarqet atdhetare rilindëse u përpoqën
tu tërhiqnin vëmendjen Fuqive të Mëdha
edhe ndaj problemit të të drejtave autonomiste të
Shqipërisë.
Këtë radhë Porta e Lartë u ndodh më
ngushtë se herët e tjera. Meqenëse Fuqitë
e Mëdha nuk i përfillnin shqiptarët, gjithë
përgjegjësinë e çështjeve të
pazgjidhura të Traktatit të Berlinit ia ngarkonin
Perandorisë Osmane. Si rrjedhim, presioni i tyre për
tu dhënë fund këtyre çështjeve
në favor të Greqisë e të Malit të
Zi qe më i fortë se kurrë. Por tani që
në Shqipëri lëvizja autonomiste kishte marrë
hov të madh dhe autoriteti i Stambollit ishte dobësuar
shumë, Porta e Lartë më shumë se kurdoherë
e pati të vështirë tu impononte shqiptarëve
vullnetin e Fuqive të Mëdha. Ajo ishte e ndërgjegjshme
se çdo ndërhyrje e saj ushtarake për ti
detyruar shqiptarët të pranonin copëtimin e
trojeve të tyre do ta ndizte më keq flakën
e luftës kundërosmane në Shqipëri. Për
këtë arsye, me gjithë presionin e Fuqive të
Mëdha, ajo vendosi të kundërshtonte në
këtë Konferencë çdo zgjidhje territoriale
në dëm të shqiptarëve. Madje, për
ti qetësuar në këtë drejtim, sulltani
emëroi, në pragun e Konferencës së Berlinit,
ministër të Jashtëm të Perandorisë
Osmane Abedin pashë Dinon, ish-anëtarin e Kryesisë
së Lidhjes së Prizrenit.
Konferenca e Berlinit i filloi punimet më 16 qershor
1880. Pothuajse të gjitha çështjet që
trajtoi kishin të bënin me Shqipërinë.
Midis tyre, ajo që pati më shumë debate ishte
çështja e kufirit turko-grek. Prirja që tregonin
Fuqitë e Mëdha për ta zmadhuar Greqinë,
me qëllim që ta kishin si një ledh kundër
ndikimit rus në Ballkan, e nxiti Athinën të
kërkonte në Epir më shumë troje shqiptare
se ato që rekomandoheshin në Protokollin nr. 13
të Kongresit të Berlinit, jo deri në lumin
Kalamas, por deri në jug të Sarandës, duke
përfshirë edhe qytetin antik të Butrintit.
Por Fuqitë e Mëdha kërkuan ta kënaqnin
Greqinë në sektorë të tjerë, pasi,
sipas tyre, prania e shumë shqiptarëve në Mbretërinë
Greke do ta dobësonte fuqinë e saj. Perandoria Osmane
kundërshtoi si njërën, si tjetrën zgjidhje.
Përfaqësuesi i saj la të kuptojë edhe
njëherë se Porta e Lartë ishte e prirur për
të bërë lëshime vetëm në Thesalinë
greke, por jo në Epirin shqiptar. Përfundimisht,
Konferenca e Berlinit nuk bëri në këtë
çështje asnjë hap përpara. Ajo miratoi
propozimin e Francës për ta kthyer nga rekomandim
në vendim vijën kufitare Kalamas-Selemvria,
për të cilin flitej në Protokollin nr. 13.
Megjithatë vendimi ishte përsëri i cunguar,
pasi nuk parashikonte asnjë mjet për ta detyruar
Perandorinë Osmane që ta çonte deri në
fund zbatimin e tij.
Konferenca e Berlinit nuk e trajtoi drejtpërdrejt çështjen
e kufirit turko-malazez, pasi kjo, sipas pikëpamjes së
Fuqive të Mëdha, kishte gjetur zgjidhje dy javë
më parë. Por gjatë ditëve që konferenca
vazhdonte punimet e saj, ambasadorët e tyre në Stamboll
ia propozuan variantin e ri Portës së Lartë,
duke ia lënë asaj në dorë që të
zgjidhte për ti dorëzuar Malit të Zi
ose krahinën e Hotit e të Grudës, ose qytetin
e Ulqinit me rrethinat e tij.
Edhe pse Konferenca e Berlinit nuk i përfilli interesat
kombëtarë të Shqipërisë, lufta e
masave shqiptare nën udhëheqjen e Lidhjes së
Prizrenit për të mbrojtur tërësinë
territoriale dhe për të fituar të drejtat e
saj autonomiste, tashmë kishte filluar të bënte
jehonë edhe në disa nga kancelaritë e Fuqive
të Mëdha. Kush më shumë e kush më
pak, ato filluan të bindeshin se lëvizja shqiptare
nuk ishte, siç kishin pohuar deri atëherë,
një makinacion i Stambollit, se ajo ishte shprehje e
protestës së një populli që kishte aspiratat
e veta kombëtare dhe se faktori shqiptar nuk duhej lënë
pas dore në qoftë se dëshironin që vendimet
e tyre të mëtejshme të viheshin me të
vërtetë në jetë. Megjithatë, qëndrimi
që mbajtën ndaj faktorit shqiptar nuk qe i njëjtë.
Në secilën prej tyre ndikuan interesat e veçantë
politikë dhe ekonomikë që ato kishin në
Evropën Juglindore.
Qëndrimi më i papajtueshëm për çështjen
shqiptare u duk midis Rusisë cariste dhe Britanisë
së Madhe. Rusia vijonte të mos e pranonte idenë
e një shteti autonom shqiptar, për ta lënë
gjithnjë të hapur rrugën e përmbushjes
së aspiratave pushtuese që ushqenin shtetet sllave
të Ballkanit. Anglia udhëhiqej nga parime të
kundërta. Ajo donte, si edhe më parë, forcimin
e Perandorisë Osmane, të cilën, përveçse
e kishte kthyer në një gjysmëkoloni të
saj, vijonte ta shihte si një ledh të rëndësishëm
për të penguar ekspansionin rus në Evropën
Juglindore. Për këtë arsye, qeveria britanike
ishte e prirur që tu jepeshin shqiptarëve
disa të drejta autonomiste, me qëllim që ta
çlironte Perandorinë Osmane nga telashet që
i vinin prej tyre, të cilat çonin në dobësimin
e saj. Një qëndrim të ndërmjetëm
mbajti Austro-Hungaria, e pasuar nga Gjermania. Edhe Vjena
udhëhiqej nga synimi për të penguar ekspansionin
rus në Ballkan, por tani kishte filluar të shqetësohej
edhe nga pavarësia që po fitonte Lëvizja Kombëtare
Shqiptare dhe në mënyrë të veçantë
nga fryma antiaustriake, që kishte shkaktuar në
Shqipëri vendosja e garnizoneve të saj ushtarake
në hyrje të Kosovës, deri në afërsi
të Mitrovicës. Për këtë qëllim,
Vjena nuk ishte për shtrirjen e të drejtave kombëtare
në mbarë viset shqiptare, por vetëm në
Shqipërinë Veriore me popullsi të dendur katolike,
të cilën ajo shpresonte ta mbante nën kontrollin
e saj nëpërmjet kultusprotektoratit.
Gjatë ditëve të Konferencës së Berlinit
ngadhënjeu pikëpamja e Vjenës. Më 26 qershor
1880 ambasadorët e Fuqive të Mëdha në
Stamboll, së bashku me variantin e zëvendësimit
të krahinës së Hotit e të Grudës
me qytetin e me rrethinat e Ulqinit, e këshilluan Portën
e Lartë që të shqyrtonte mundësinë
për ti dhënë të drejtën e vetëqeverisjes
administrative vetëm vilajetit të Shkodrës.
Por disa diplomatë të huaj, të cilët e
ndiqnin nga afër gjendjen e Shqipërisë, dyshonin
se me këtë zgjidhje Perandoria Osmane përsëri
nuk do të kishte qetësi të brendshme. Sikurse
i raportonte qeverisë së vet në korrik të
vitit 1880 ambasadori anglez në Stamboll, Goshen, dhënia
e autonomisë administrative vetëm për vilajetin
e Shkodrës, nuk i shërbente Perandorisë Osmane,
as politikës britanike në Ballkan. Kombësia
shqiptare, - shkruante ai, - është një element
që nuk duhet lënë pa përfillur në
çdo kombinim politik në të ardhmen. Edhe
në qoftë se është e parakohshme, unë
do të rekomandoja që formimi i një province
shqiptare të bashkuar, të mbahej të paktën
gjithnjë parasysh. Sipas diplomatit britanik, ishte
në interes të Anglisë që Shqipëria
të bëhej e fortë dhe ajo mund të bëhej
e tillë vetëm nëse bashkoheshin të gjitha
viset shqiptare në një provincë të vetme
autonome. Ky popull, - nënvizonte Gosheni, - që
në pjesën më të madhe është
mysliman, do të bëhet burim vështirësish
nga më të mëdhatë për vendet sllave
e greke të Gadishullit Ballkanik. Qeveria britanike
e Gladstonit e përvetësoi tezën e ambasadorit
të vet, por Fuqitë e tjera të Mëdha qëndruan
në pikëpamjen e Vjenës, e cila vijoi të
ngulte këmbë për ti dhënë autonominë
administrative vetëm vilajetit të Shkodrës,
madje as krejt territoreve të tij, por kryesisht malësive
katolike që bënin pjesë në këtë
vilajet.
Megjithatë, çështja shqiptare tashmë
kishte fituar të drejtën e qytetarisë në
arenën ndërkombëtare dhe nuk mund të injorohej
si më parë nga Fuqitë e Mëdha. Kjo u duk
qartë në mbledhjet që zhvilloi gjatë verës
së vitit 1880 Komisioni Evropian për Rumelinë
Lindore, i krijuar nga Fuqitë e Mëdha për të
shqyrtuar, në mbështetje të nenit 23 të
Traktatit të Berlinit, projektin e reformave administrative
që kishte përgatitur Porta e Lartë për
të zbatuar në vilajetet e saj të Gadishullit
Ballkanik. Me këtë rast përfaqësuesi britanik
Ficmoris (Fitzmaurice) i paraqiti komisionit një projekt,
me anën e të cilit kërkonte jo bashkimin e
menjëhershëm të trojeve shqiptare në një
vilajet të vetëm, por organizimin e tyre në
katër sanxhakë me qendër në Shkodër,
në Prizren, në Elbasan dhe në Janinë,
si hap të parë për bashkimin e tyre në
të ardhmen në një shtet të vetëm
shqiptar. Por projekti britanik ndeshi përsëri në
kundërshtimin e fuqive të tjera. Madje Komisioni
Evropian, me përjashtim të përfaqësuesit
rus, miratoi më 23 gusht 1880 projektin e hartuar bashkërisht
nga përfaqësuesit e Francës dhe të Austro-Hungarisë,
i cili shënonte një hap prapa në krahasim me
idenë e formuluar dy muaj më parë, pasi tani
i sugjerohej Portës së Lartë të jepte
autonominë administrative jo për krejt vilajetin
e Shkodrës, por vetëm për malësitë
patriarkale të Veriut. Megjithatë, me këmbënguljen
e përfaqësuesit britanik, në deklaratën
e Komisionit Evropian për Rumelinë Lindore u vu
si shtesë shënimi se Fuqitë e Mëdha nuk
do të kishin asnjë kundërshtim, në
rast se Porta e Lartë do ta shihte me vend që ti
bashkonte krahinat shqiptare në një vilajet të
vetëm.
Por Porta e Lartë nuk pranoi asnjë nga këto
sugjerime.
Kuvendi i Gjirokastrës (23 korrik 1880)
Sukseset që u arritën gjatë pranverës
kundër administratës osmane të vilajeteve,
paaftësia e Portës së Lartë për ta
ndaluar vrullin e luftës së masave shqiptare dhe
jehona që patën këto suksese në arenën
ndërkombëtare i dhanë një shtytje të
mëtejshme lëvizjes autonomiste në Shqipëri.
Por vendimi që morën Fuqitë e Mëdha brenda
e jashtë Konferencës së Berlinit, për
ta detyruar Portën e Lartë që ti kënaqte
Athinën dhe Cetinën me lëshime territoriale
në Çamëri e në Ulqin, krijoi një
rrethanë thellësisht të ndërlikuar për
Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Qarqet atdhetare të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare,
duke qenë të bindura se Porta e Lartë në
gjendje paqeje nuk do ti jepte asnjë të drejtë
kombëtare Shqipërisë dhe se këto mund
të siguroheshin vetëm nëse asaj i krijohej
një gjendje pa rrugëdalje, këmbëngulën
që lufta për autonominë e vendit të vijonte
edhe në këto kushte. Sipas pikëpamjes së
tyre, ishte e nevojshme që lufta kundër copëtimit
të trojeve shqiptare të shkrihej me luftën
për të drejtat autonomiste të Shqipërisë.
Në një rast të tillë, mendonin ato, Porta
e Lartë do të ngurronte të hapte një luftë
frontale kundër gjithë Shqipërisë, aq
më tepër që fuqitë perëndimore, në
radhë të parë Britania e Madhe dhe Austro-Hungaria,
do ta detyronin Perandorinë Osmane ta shmangte me çdo
kusht këtë konflikt me shqiptarët për
të mos përfituar prej tij Rusia cariste. Këto
çështje pritej të diskutoheshin në mbledhjen
e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes
Shqiptare që u mbajt në Prizren në dhjetëditëshin
e fundit të korrikut të vitit 1880. Këshilli
do të vendoste rreth masave që duheshin marrë
për të pranuar lëshimin e territoreve që
Konferenca e Berlinit ia kishte dhënë Greqisë,
si edhe për të kundërshtuar vendimin e Konferencës
së Stambollit për Ulqinin. Mbledhja e korrikut e
Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes
kishte një përbërje mjaft të gjerë,
megjithatë burimet dokumentare të njohura deri më
sot heshtin rreth vendimeve të tij.
Në të njëjtën kohë Komiteti Ndërkrahinor
i Lidhjes për Shqipërinë e Jugut, sapo mori
njoftim për rezolutën e 1 korrikut të Konferencës
së Berlinit për ratifikimin në favor të
Greqisë të kufirit greko-turk, vendosi të mbledhë
në Gjirokastër një kuvend tjetër të
Lidhjes Shqiptare. Ndryshe nga sa ishte menduar në fillim,
Kuvendi i Gjirokastrës nuk pati karakter ndërkrahinor,
por mbarëshqiptar. Sipas njoftimit që jep konsulli
rus, Trojanski, Kuvendi u vendos të mblidhej në
Gjirokastër për të qenë më afër
qendrës së trojeve shqiptare, më larg presionit
të qendrës së vilajetit dhe ndërhyrjes
së agjentëve të huaj që ndodheshin në
Janinë.
Kuvendi u mblodh më 23 korrik 1880. Aty morën pjesë
kryesisht krerët shqiptarë myslimanë e të
krishterë të Beratit, të Përmetit, të
Vlorës, të Labërisë dhe të Çamërisë.
Por, sipas të dhënave të konsullatës austro-hungareze
në Prevezë, në këtë Kuvend kanë
marrë pjesë përfaqësues nga e gjithë
Shqipëria, jo vetëm nga jugu, por edhe nga Gegëria,
ndërsa krahinat që nuk dërguan dot përfaqësuesit
e tyre, i miratuan vendimet e tij me shkrim.
Punimet e Kuvendit i drejtoi Abdyl Frashëri. Çështja
themelore që u trajtua aty ishte: autonomia e Shqipërisë,
koha e shpalljes dhe mënyra e realizimit të saj.
Kuvendi i Gjirokastrës vendosi që, në rast
se qeveria e Stambollit do të shtrëngohej të
zbatonte rezolutën e Konferencës së Berlinit
ose në rast se Greqia do të orvatej ti merrte
me dhunë tokat shqiptare që asaj i qenë premtuar,
Lidhja Shqiptare do të shpallte menjëherë një
qeveri të përkohshme kombëtare. Me formimin
e saj do të merrte fund sundimi osman në Shqipëri.
Sapo të shpallej qeveria e përkohshme shqiptare,
do të pushoheshin nëpunësit turq dhe do të
zëvendësoheshin nga nëpunës shqiptarë
pa dallim feje. Të ardhurat shtetërore do të
administroheshin nga qeveria e përkohshme për nevojat
e Lidhjes Shqiptare. Menjëherë do të hartohej
një kushtetutë, e cila do të garantonte sigurinë
e personit, të pasurisë dhe ushtrimin e lirë
të fesë. Qeveria e përkohshme do të merrte
të gjitha masat për të vendosur rendin dhe
qetësinë shembullore në mbarë vendin.
Për këtë qëllim do të dënoheshin
me rreptësi jo vetëm autorët e krimeve, por
edhe tradhtarët e vendit. Në të njëjtën
kohë do ti kushtohej një kujdes i veçantë
ushtrisë kombëtare, në radhët e së
cilës do të inkuadroheshin të gjithë nizamët,
rezervistët dhe oficerët shqiptarë që
shërbenin në ushtrinë osmane.
Kuvendi i Gjirokastrës vendosi që Shqipëria
të mos kalonte përtej caqeve të një shteti
autonom nën sovranitetin e sulltanit. Megjithatë,
marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë
autonome dhe Perandorisë Osmane do të kufizoheshin
në minimum. Sulltani do të kishte vetëm një
të drejtë: të emëronte guvernatorin e
përgjithshëm të Shqipërisë, kurse
Shqipëria detyrohej ti paguante Portës së
Lartë një tribut vjetor në të holla dhe
të ndihmonte me një kontigjent të caktuar ushtarësh
shqiptarë në rast lufte me shtetet e huaja. Për
kompensim Perandoria Osmane do të detyrohej ta mbronte
ushtarakisht Shqipërinë nga çdo agresion
i jashtëm.
Lidhur me rezolutën e Konferencës së Berlinit
të 1 korrikut 1880 Kuvendi i Gjirokastrës mbajti
të njëjtin qëndrim që kishte përcaktuar
më parë Lidhja. Shpalli se shqiptarët nuk kishin
punë me Thesalinë, por ishin të vendosur të
kundërshtonin me çdo kusht një copëtim
të Shqipërisë së Jugut (të Epirit).
Kuvendi shprehu gatishmërinë e shqiptarëve
për tu hedhur menjëherë në front,
në qoftë se ushtritë greke do të shkelnin
kufirin. Kuvendi vendosi të merrte edhe masa konkrete
ushtarake për mbrojtjen e tërësisë së
Shqipërisë, duke ngritur për këtë
qëllim ushtrinë kombëtare.
Për ta detyruar Perandorinë Osmane që ta njihte
de jure autonominë e Shqipërisë, udhëheqësit
mendonin të tërhiqnin në veprime luftarake
shtresat e gjera popullore dhe ta vinin Portën e Lartë
para faktit të kryer. Sipas tyre, fakti i kryer do të
siguronte në të njëjtën kohë edhe
mbështetjen e atyre Fuqive të Mëdha, të
cilat nuk dëshironin trazira të brendshme, që
do ta dobësonin më shumë Perandorinë Osmane.
Ata mendonin të siguronin mbështetjen e tyre duke
tërhequr simpatinë e opinionit botëror në
favor të kryengritjes çlirimtare dhe duke dhënë
prova se shqiptarët ishin të përgatitur për
të organizuar shtetin e tyre kombëtar.
Kuvendi zë një vend të rëndësishëm
në historinë e Lidhjes Shqiptare. Ai shënoi
një shkallëzim të mëtejshëm të
luftës për autonominë e Shqipërisë
dhe shtroi për herë të parë, në shkallë
kombëtare, krijimin e një qeverie të përkohshme
shqiptare. Me vendimet e tij Kuvendi i Gjirokastrës ua
parashtroi edhe njëherë Fuqive të Mëdha
përgjigjen kategorike se shqiptarët nuk do të
lejonin në asnjë mënyrë copëtimin
e territoreve të atdheut të tyre.
Fill pas mbylljes së Kuvendit të Gjirokastrës
pjesëmarrësit u shpërndanë përsëri
në viset e tyre, me qëllim që të mobilizonin
forcat ushtarake për të mbrojtur tërësinë
e trojeve shqiptare dhe për të siguruar të
drejtat kombëtare.
Tërheqja e shtresave të gjera të popullsisë
në platformën atdhetare të krahut radikal të
Lidhjes i dha shtytje lëvizjes autonomiste. Fill pas
mbylljes së Kuvendit të Gjirokastrës në
mjaft krahina të Jugut u rritën veprimet e popullsisë
për dëbimin e nëpunësve turq nga administrata
lokale dhe për kthimin e saj në administratë
shqiptare. Një muaj më vonë, në gusht
1880, konsulli rus në Janinë, Trojanski, raportonte
në lidhje me gjendjen në Çamëri: Qeverisja
e vilajetit tani po kalon dalëngadalë në duart
e shqiptarëve, të cilët përpiqen të
largojnë që këtej të gjithë nëpunësit
me origjinë joshqiptare dhe kanë pasur aq sukses
në këtë punë, saqë në rrethet
e Epirit Veriperëndimor Lidhja Shqiptare vepron pothuajse
në mënyrë të pavarur. Dëshmi
e rritjes së autoritetit të Lidhjes Shqiptare ishte
vendosja e qetësisë së plotë jo vetëm
në Shqipërinë e Jugut, por në mbarë
vendin. Lidhja arriti të vendoste qetësinë
e rendin edhe në vilajetin e Manastirit e të Kosovës.
Me vendimet e Kuvendit të Gjirokastrës u solidarizua
edhe opinioni publik i vilajetit të Kosovës e të
Shkodrës, veçse në këto treva shqiptarët
mbetën të gozhduar për shkak të shqetësimit
që vijoi të shkaktonte çështja e Ulqinit.
Vendimet e Kuvendit të Gjirokastrës shkaktuan shqetësim
në Stamboll. Porta e Lartë mori masa për ta
shtypur lëvizjen autonomiste me anë të përçarjes
ose të dhunës në rast se acarohej situata në
sektorin e Ulqinit. Për çështjen e Çamërisë
ajo vendosi të fitonte kohë duke e vazhduar kundërshtimin
ndaj Protokollit nr. 13 dhe duke i zvarritur përsëri
bisedimet me palën greke.
5. MBROJTJA E ULQINIT. KUVENDI I DIBRËS
(GUSHT-NËNTOR 1880)
Demonstrata navale (gusht-tetor 1880)
Mali i Zi e pranoi propozimin që bënë ambasadorët
e Fuqive të Mëdha në Stamboll, më 26 qershor
1880, për të zëvendësuar krahinat e Hotit
e të Grudës me qytetin dhe rrethinat e Ulqinit.
Por Porta e Lartë, megjithëse zyrtarisht nuk e kundërshtoi,
nxori përsëri në shesh pengesën që
do të ndeshte në dorëzimin e tij nga ana e
shqiptarëve. Në të vërtetë, jo vetëm
qyteti bregdetar i Ulqinit, por edhe hinterlandi i tij fshatar
banohej krejtësisht nga popullsi shqiptare. Përveçse
pjesë e pandarë e truallit kombëtar të
Shqipërisë, Ulqini ishte skela kryesore e Shkodrës
dhe e pellgut të saj në detin Adriatik. Ai ishte
njëkohësisht edhe pika më e rëndësishme
bregdetare që lidhte tregtinë e jashtme të
Kosovës me skelat e ndryshme të Mesdheut.
Si edhe më parë, shqiptarët protestuan menjëherë
për këtë padrejtësi të re që
Fuqitë e Mëdha po bënin në dëm të
interesave të tyre kombëtarë. Në të
njëjtën kohë ata ia përsëritën
Portës së Lartë vendosmërinë për
ta mbrojtur me çdo kusht Ulqinin dhe gatishmërinë
për të hyrë në luftë edhe kundër
saj. Por këtë radhë Fuqitë e Mëdha
ishin të vendosura për të mos i marrë
në asnjë mënyrë parasysh justifikimet
e qeverisë osmane. Me një notë kolektive, që
i drejtuan më 3 gusht 1880 Stambollit, ato e ftonin Portën
e Lartë ta thyente qëndresën e shqiptarëve
dhe tia dorëzonte Ulqinin Malit të Zi.
Në fillim qeveria osmane përsëri ngurroi të
përdorte forcën ushtarake kundër Lidhjes Shqiptare.
Ajo u përpoq më shumë se kurdoherë me
anë të kërcënimeve për ti bindur
udhëheqësit e saj të hiqnin dorë nga qëndresa,
por orvatjet nuk patën sukses. Vullnetarët shqiptarë
nën komandën e Isuf Sokolit, të Haxhi Mehmet
Becit, të Mehmet Gjylit etj., e rrethuan Ulqinin dhe
u përgatitën për ta shtënë në
dorë, sapo të largoheshin ushtritë turke nga
qyteti.
Për ta zgjidhur çështjen e dorëzimit
të Ulqinit, Fuqitë e Mëdha e kërcënuan
Turqinë se do të zhvillonin një demonstratë
navale në bregdetin shqiptar, madje më vonë
se do të zbarkonin trupat e tyre në skelën
turke të Izmirit. E tmerruar nga demonstrata navale dhe
për të shmangur ndërlikimet ndërkombëtare,
Porta e Lartë dërgoi në gusht 1880 në
Shkodër gjeneral Riza Pashën me 3 000 ushtarë,
me detyrën që ta dorëzonte Ulqinin pa konflikte
të armatosura. Riza Pasha, që mbërriti në
Shkodër më 19 gusht, u përpoq ti bindte
krerët e Lidhjes me të holla e me premtime që
të hiqnin dorë nga mbrojtja e Ulqinit. Në një
takim të veçantë që pati më 22
gusht me anëtarët e Komitetit Ndërkrahinor
të Shkodrës, ai u deklaroi se do të përdorte
dhunën ushtarake kundër të gjithë atyre
që do të pengonin dorëzimin e Ulqinit. Me 24
gusht 1880 Riza Pasha shpalli në Shkodër shtetrrethimin
e ndalimin e qarkullimit dhe të lidhjeve me Ulqinin nga
mbrëmja në agim. Por orvatjet e tij nuk dhanë
rezultat. As letrat personale që sulltani u drejtoi krerëve
të Lidhjes, as ndërhyrjet e ministrave të tij
nuk i prapsën vullnetarët nga vendimi për mbrojtjen
e Ulqinit. Për këtë 2 000 luftëtarë
shqiptarë (ndër të cilët 600 ishin shkodranë),
të komanduar nga Muftar agë Reçi, zunë
pozita midis Midës së Krajës dhe Malit të
Mozhurës për të penguar kalimin e forcave të
Riza Pashës në Ulqin. Forca të tjera ulqinake,
nën komandën e Haxhi Mehmet Becit, qëndronin
në gatishmëri kundër marshimit të mundshëm
të forcave malazeze.
Më 1 shtator Fuqitë e Mëdha vendosën të
ndërmerrnin demonstratën navale para ujërave
të Ulqinit dhe më 4 shtator 1880 rreth 20 korracata
me shumë anije të vogla angleze, franceze, gjermane,
ruse, italiane dhe austro-hungareze hodhën spirancat
në ujërat e Raguzës.
Por edhe pas kësaj as popullsia e Shkodrës dhe e
Ulqinit, as edhe Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes për
Shkodrën nuk u nënshtruan; ata u treguan të
vendosur të mbronin Ulqinin. Për mbrojtjen e Ulqinit
u shpreh edhe Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes
që u mblodh në Prizren në fillim të shtatorit.
Ndërkaq, më 7 dhe 8 shtator 17 batalione osmane,
të komanduara nga Riza Pasha, rrethuan qytetin e Shkodrës
dhe u drejtuan për në Ulqin. Forcat vullnetare shqiptare,
që ndodheshin në Ulqin e në Mozhurë, u
dolën përpara forcave osmane dhe ndalën marshimin
e tyre për në Ulqin. Më 15 shtator dega e Lidhjes
Shqiptare për Ulqinin u dërgoi Fuqive të Mëdha,
nëpërmjet konsujve të tyre në Shkodër,
një memorandum ku protestonte në mënyrë
kategorike kundër lëshimit të Ulqinit dhe shprehte
gatishmërinë e popullsisë së tij për
të qëndruar deri në fund.
Më 17 shtator komandanti i flotës ushtarake të
Gjashtë Fuqive të Mëdha i dërgoi Riza
Pashës një ultimatum, me të cilin i jepte 3
ditë afat për dorëzimin e Ulqinit. Më
17 shtator ushtritë e Lidhjes, të përbëra
nga 6 mijë ushtarë që deri atëherë
e mbanin të rrethuar Ulqinin, sapo morën lajmin
për demonstratën navale, sulmuan ushtritë osmane
dhe e shtinë në dorë qytetin. Ushtria turke
u mbyll në kazerma dhe më pas u largua fshehurazi
nga qyteti.
Më 20 shtator flota e gjashtë Fuqive të Mëdha
la Raguzën dhe u drejtua për në jug, por nuk
hyri në ujërat e Ulqinit. Megjithatë, ushtritë
e Lidhjes Shqiptare, të cilat tani qëndronin përballë
flotës ndërkombëtare, nuk u bindën. Më
25 shtator Riza Pasha shpalli shtetrrethimin në Shkodër,
bllokoi rrugën e Ulqinit për të ndaluar furnizimin
e vullnetarëve, çarmatosi forcat e armatosura
të qytetit që vareshin nga Lidhja, ndaloi mbledhjet
dhe shpalli shpërndarjen e Degës së Lidhjes.
Njëkohësisht bëri arrestime. Më 29 shtator
Riza Pasha urdhëroi shpërndarjen e Komitetit Ndërkrahinor
të Lidhjes dhe e kërcënoi se do të merrte
masa ushtarake kundër tij, nëse nuk shpërndahej.
Dega e Lidhjes të nesërmen u përgjigj se ajo
tashmë nuk e njihte Riza Pashën si komandant ushtarak
të vilajetit dhe e kërcënonte se do ta dëbonte
atë së bashku me garnizonin e tij nga Shkodra.
Pikërisht në këto ditë, kur acarimi i
marrëdhënieve ndërmjet Lidhjes së Prizrenit
dhe Portës së Lartë po çonte drejt konfliktit
të armatosur, Anglia dhe Austro-Hungaria ndërhynë
për të penguar mbrojtjen me armë të Ulqinit.
Duke parë se as demonstrata detare e flotës ndërkombëtare,
as masat ushtarake të qeverisë osmane nuk po jepnin
rezultat, konsujt britanikë dhe austro-hungarezë
u përpoqën të bindnin krerët e degëve
të Lidhjes së Prizrenit e në mënyrë
të veçantë anëtarët e Komitetit
Ndërkrahinor të Shkodrës se Fuqitë e Mëdha
ishin të prirura tu jepnin shqiptarëve të
drejta autonomiste, por kërkonin si kusht që këta
të mos e kundërshtonin dorëzimin e Ulqinit
dhe të mos shkaktonin konflikt të armatosur me Portën
e Lartë. Edhe pse premtimi i tyre qe një mashtrim,
si edhe presionet e dhunshme të Stambollit nuk mbetën
pa efekt. U lëkundën sidomos qarqet e moderuara,
të cilat menduan se ia vlente të sakrifikohej Ulqini
për të siguruar të drejtat autonomiste pa hyrë
në konflikt me Portën e Lartë. Si rrjedhim,
disa nga anëtarët e Komitetit Ndërkrahinor
të Shkodrës, ndërmjet të cilëve edhe
Hodo Sokoli, përkrahës i njohur i lëvizjes
autonomiste, tani hoqën dorë nga lufta për
mbrojtjen e Ulqinit.
Kjo rrethanë e vështirësoi më shumë
detyrën e atdhetarëve për të mbrojtur
me armë Ulqinin dhe për të siguruar autonominë
e Shqipërisë. Megjithatë, ata nuk hoqën
dorë nga qëndrimi i tyre, por u përpoqën
të mbanin gjallë frymën luftarake në të
katër vilajetet. Veç kësaj, ata vendosën
të ndërmerrnin përçapjen e fundit për
të tërhequr në programin e tyre qarqet e moderuara,
në mënyrë të veçantë forcat
luftarake që ishin ende të lidhura pas tyre. Për
këtë qëllim u thirr një kuvend i jashtëzakonshëm
i Lidhjes Shqiptare në qytetin e Dibrës.
Kuvendi i Dibrës (20-24 tetor).
Lufta e Ulqinit
Kuvendi i Dibrës i filloi punimet më 20 tetor 1880.
Aty morën pjesë rreth 300 delegatë të
ardhur nga krahinat shqiptare të katër vilajeteve,
të shoqëruar nga 5 mijë veta të armatosur.
Shumica e tyre ishin dërguar nga vilajeti i Kosovës
dhe nga viset shqiptare të vilajetit të Manastirit.
Numri i delegatëve që përfaqësonin Shkodrën,
Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut ishte më
i pakët. Pjesa më e madhe e delegatëve u përkiste
rrymave radikale dhe të moderuara. Midis delegatëve
ishin Ali pashë Gucia, Iliaz pashë Dibra, Abdyl
Frashëri etj.
Kuvendi trajtoi tri çështje me rëndësi
vendimtare për Shqipërinë: qëndrimin ndaj
çështjes së Ulqinit, krijimin e një
vilajeti autonom dhe formimin e qeverisë së përkohshme.
Lidhur me çështjen e parë Kuvendi e quajti
të domosdoshme mbrojtjen me armë të Ulqinit
dhe shprehu gatishmërinë për të dërguar
në Shkodër forcat vullnetare të sanxhakut të
Dibrës. Ky vendim iu njoftua edhe Komitetit Ndërkrahinor
të Shkodrës. Abdyl Frashëri dhe përfaqësuesit
e krahut radikal argumentuan gjithashtu programin e miratuar
në Kuvendin e Gjirokastrës, për krijimin e
vilajetit autonom të Shqipërisë dhe për
formimin e qeverisë së përkohshme. Ashtu siç
parashikohej, elementët konservatorë (rreth 25 veta)
mbajtën anën e Portës së Lartë. Ata
nuk pranuan asnjë nga kërkesat e atdhetarëve
radikalë dhe u sulën me ashpërsi kundër
tyre. Vendimi për mbrojtjen e Ulqinit, pavarësisht
nga urdhri që kishte dhënë sulltani për
dorëzimin e tij, u mor me votat e atdhetarëve radikalë
dhe të moderuar. Të moderuarit e pranuan në
parim edhe formimin e Vilajetit të Shqipërisë.
Madje disa prej tyre, ndër të cilët Iljaz pashë
Dibra dhe Ali pashë Gucia, e miratuan edhe tezën
e Abdyl Frashërit për ta sendërtuar vilajetin
autonom me anën e veprimeve të armatosura. Të
tjerët ngulën këmbë në pikëpamjen
e tyre të mëparshme: për të mos shkuar
përtej paraqitjes së peticionit, duke ia lënë
sulltanit në dorë plotësimin e kërkesave
të tij. Debate të zjarrta u zhvilluan sidomos rreth
çështjes së formimit të qeverisë
së përkohshme, kundër së cilës u
ngritën gjithë delegatët konservatorë.
Si pasojë e këtyre divergjencave, Kuvendi i Dibrës
doli me dy rezoluta. Njëra, e ndërtuar sipas platformës
së Kuvendit të Gjirokastrës, me të cilin
kërkohej krijimi i Vilajetit të Shqipërisë
me autonomi të gjerë, fitoi afërsisht 120 vota.
Tjetra, e propozuar nga delegatët e krahut të moderuar,
me të cilin lutej Porta e Lartë që të
krijonte një Ejalet të Shqipërisë, pa
i shkrirë vilajetet, dhe të zbatonte në këtë
reformat për organizimin e ri të vilajeteve, sipas
nenit 23 të Traktatit të Berlinit. Ejaleti i Shqipërisë
do të kishte një autonomi të kufizuar. Rezoluta
e dytë grumbulloi shumicën prej 150 votash. Delegatët
konservatorë nuk nënshkruan asnjërin prej tyre.
Të dyja rezolutat u dërguan veç e veç
në Stamboll. Për çështjen e qeverisë
së përkohshme, Kuvendi i Dibrës zyrtarisht
nuk mori asnjë vendim. Në bazë të marrëveshjes
që u arrit ndërmjet patriotëve revolucionarë,
ajo u la të shqyrtohej edhe njëherë në
Prizren. Miratimi i dy rezolutave tregoi se Kuvendi i Dibrës
nuk arriti të bashkonte të gjitha forcat patriotike
shqiptare rreth një programi të vetëm autonomist.
Megjithatë, vendimet e tij patën jehonë pozitive
si brenda vendit, ashtu edhe në opinionin publik evropian.
Gjatë ditëve të Kuvendit të Dibrës
qeveria e Stambollit mori masa të tjera shtrënguese
kundër shkodranëve për të siguruar dorëzimin
pa luftë të Ulqinit. Ajo vendosi të përfitonte
nga përçarja që u thellua në Kuvendin
e Dibrës dhe ti jepte fund qëndresës
së Lidhjes për mbrojtjen e Ulqinit. Më 25 tetor
1880 Porta e Lartë largoi nga Shkodra gjeneral Riza Pashën
dhe në vend të tij dërgoi mareshal Dervish
Pashën, të shoqëruar nga 21 batalione dhe të
pajisur me fuqi të jashtëzakonshme. Ai u emërua
komisar i jashtëzakonshëm dhe kryekomandant i vilajetit
të Shkodrës. Për të shmangur pusitë
e forcave shqiptare, Dervish Pasha udhëtoi nga Stambolli
në Shqipëri me anije. Sapo arriti në Shkodër,
më 3 nëntor 1880, ai i dha një ultimatum Komitetit
Ndërkrahinor të Shkodrës për të tërhequr
vullnetarët shqiptarë nga Ulqini.
Në këtë kohë treva e Ulqinit ndodhej nën
kontrollin e forcave vullnetare të Lidhjes Shqiptare,
që drejtoheshin nga shtabi ushtarak i formuar për
mbrojtjen e Ulqinit. Nën drejtimin e tij, sipas të
dhënave më të sakta, qenë 2 mijë
vullnetarë të vendosur në Ulqin (nga të
cilët 800 ulqinakë) dhe 2 mijë të tjerë,
në sektorin e Tuzit. Në fillim të nëntorit,
kur Dervish Pasha ishte vendosur tanimë në Shkodër,
mbërritën këtu qindra vullnetarë të
tjerë nga Tetova, nga Shkreli, nga Dibra, nga Kelmendi
dhe pritej të vinin rreth 4 mijë të tjerë
nga Prizreni, nga Gjakova e nga Dibra.
Presionet që Dervish Pasha bëri nga 7 deri në
16 nëntor 1880 ndaj Komitetit Ndërkrahinor të
Lidhjes për Shkodrën për ta detyruar të
dorëzonte Ulqinin nuk dhanë rezultat. Edhe Komiteti
i Lidhjes për Ulqinin në peticionin që u dërgoi
më 16 nëntor Fuqive të Mëdha, shprehte
vendosmërinë për mbrojtjen e qytetit. Fryma
e qëndresës kishte përfshirë gjithë
popullsinë e qytetit.
Për të shpejtuar dorëzimin e Ulqinit u angazhuan
konsulli anglez (K. Grini) dhe ai austro-hungarez (F. Lipih)
në Shkodër, të cilët, në marrëveshje
me Dervish Pashën, ushtruan trysni mbi Komitetin Ndërkrahinor
të Shkodrës për ta bindur të hiqte dorë
nga mbrojtja e Ulqinit. Përkundrejt kësaj konsujt
e huaj do të ndërhynin pranë sulltanit për
tu dhënë shqiptarëve të drejtat
autonomiste. Përballë trysnisë së Dervish
Pashës dhe premtimeve të konsujve të huaj,
më 17 nëntor 1880 shumë anëtarë të
Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës deklaruan
se hiqnin dorë nga qëndresa e armatosur në
Ulqin. Ndërkohë edhe mjaft nga përfaqësuesit
e krahut të moderuar kishin kapitulluar para Dervish
Pashës dhe patën shkuar aq larg, sa disa ditë
më parë kishin lajmëruar telegrafisht Kuvendin
e Dibrës se nuk kishin nevojë për ndihma, pasi
kishin vendosur ta dorëzonin qytetin. Kapitullimi i tyre
shkaktoi revoltimin e atdhetarëve shkodranë, të
cilët formuan një komitet të ri të Lidhjes
Shqiptare për Shkodrën. Në komitetin e ri,
që u ngrit më 19 nëntor 1880, hynë partizanët
e vendosur të mbrojtjes me armë të Ulqinit,
si Selim Çoba, Isuf Sokoli, Fetah Dragusha, Filip Çeka
etj.
Por ngjarjet u zhvilluan me shpejtësi të madhe.
Përçarja në udhëheqjen e Lidhjes dobësoi
forcat e saj ushtarake, sidomos ardhjen e vullnetarëve
të tjerë. Komiteti i ri nuk pati kohë të
mobilizonte popullin dhe të organizonte qëndresën
e armatosur kundër ushtrisë osmane. Tri ditë
më vonë, më 22 nëntor 1880, ndërsa
Shkodra nuk e kishte kapërcyer ende krizën e brendshme
politike, Dervish Pasha i dha urdhër ushtrisë turke
të fillonte marshimin për në Ulqin. Atë
ditë ushtritë turke u ndeshën me forcat shqiptare
te Kodra e Kuqe, afër fshatit Klesna. Në fillim
vullnetarët shqiptarë i sprapsën ushtritë
turke, por më vonë, pasi arritën reparte të
tjera osmane të pajisura me artileri moderne, forcat
shqiptare u thyen. Komandanti i tyre Isuf Sokoli u plagos
rëndë dhe pak më vonë vdiq.
Pasi u thye ushtria shqiptare, forcat turke vazhduan marshimin
dhe hynë në Ulqin, më 23 nëntor 1880,
të cilin pastaj më 26 nëntor ua dorëzuan
ushtrive malazeze.
Së bashku me dorëzimin e Ulqinit mori fund edhe
çështja e kufijve veriorë, e cila kishte
shqetësuar për gati 30 muaj jo vetëm Perandorinë
Osmane, por edhe diplomacinë evropiane. Megjithatë,
edhe pse çështja e kufirit turko-malazez u mbyll,
lufta që zhvilluan shqiptarët kundër shantazhit
brutal të Fuqive të Mëdha dhe ndërhyrjes
ushtarake të Portës së Lartë la përshtypje
të thellë në opinionin publik të Evropës.
Jo vetëm në shtyp, por edhe në disa parlamente
të Evropës, u ngritën zëra proteste kundër
politikës së Fuqive të Mëdha, të
cilat vendosën të përdornin luftanijet për
të shtypur të drejtat kombëtare të popullit
shqiptar.
6. LËVIZJA KULTURORE SHQIPTARE NË VITET
E LIDHJES SË PRIZRENIT
(1878-1881)
Mendimi politik, filozofik e shoqëror në vitet
e Lidhjes së Prizrenit
Gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit Lëvizja
Kombëtare Shqiptare nuk u shpreh vetëm me luftën
e përditshme politike, diplomatike e ushtarake për
mbrojtjen e tërësisë tokësore të
atdheut dhe për formimin e shtetit kombëtar shqiptar.
Ajo u shfaq në të njëjtën kohë edhe
me zhvillimin e vrullshëm të mendimit politik, filozofik
e shoqëror, si edhe të veprimtarisë publicistike,
letrare e shkencore.
Nga frymëzimi atdhetar e nga karakteri përparimtar,
lëvizja kulturore shqiptare e viteve të Lidhjes
së Prizrenit ishte pjesë përbërëse
e lëvizjes kulturore rilindëse, e cila kishte marrë
jetë në dhjetëvjeçarët e mëparshëm.
Por gjatë viteve të Krizës Lindore ajo përshiu
të gjitha sferat e jetës kulturore të vendit
dhe u kthye, më shumë se në të kaluarën,
në një lëvizje atdhetare. Si e tillë ajo
u frymëzua nga lufta politike, diplomatike e ushtarake
që zhvilluan shqiptarët nën udhëheqjen
e Lidhjes së Prizrenit, por me përmbajtjen e saj
atdhetare e demokratike ndikoi në ngritjen ideologjike
të lëvizjes kombëtare në një shkallë
të paparë deri atëherë.
Lëvizjen kulturore të kësaj periudhe e udhëhoqën
po ata atdhetarë, të cilët përpunuan edhe
platformën politike të Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit. Atë e udhëhoqën figura të shquara,
si Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Sami Frashëri,
Thimi Mitko, Ymer Prizreni, të cilët me veprimtarinë
e tyre si ideologë e si aktivistë, si shkrimtarë
e si organizatorë, zënë një vend të
rëndësishëm në historinë e gjithë
Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Në fushën e mendimit politik e shoqëror, lëvizja
kulturore trajtoi problemet kryesore që shqetësonin
lëvizjen kombëtare në kushtet e Krizës
Lindore të viteve 70: konsolidimin e unitetit kombëtar
të shqiptarëve, mbrojtjen e tërësisë
tokësore të atdheut dhe formimin e shtetit shqiptar
autonom si hap drejt krijimit të shtetit kombëtar
të pavarur, demokratik e iluminist.
Një vend qendror në platformën ideologjike,
të përpunuar në një varg shkrimesh nga
udhëheqësit e lëvizjes kombëtare të
këtyre viteve, zuri koncepti filozofik për kombin.
Çështja kishte rëndësi jetike për
shqiptarët, pasi në arenën ndërkombëtare
sundonte ende koncepti mesjetar, i cili e mbante bashkësinë
fetare të një populli si një përbërës
të domosdoshëm për të qenë një
komb. Sipas këtij koncepti, shqiptarët të ndarë
në tri besime fetare të ndryshme nuk merreshin ende
si pjesëtarë të një kombi të vetëm
as nga Perandoria Osmane, as nga Fuqitë e Mëdha,
as nga shtetet fqinje ballkanike. Si rrjedhim, atyre u mohohej
e drejta për të formuar një shtet kombëtar
më vete. Kundër këtij koncepti të prapambetur
u ngritën të gjithë ideologët dhe aktivistët
e lëvizjes kulturore shqiptare. Të ngresh
besimin fetar në parim kombësie dhe të marrësh
dogmën për racë apo ritin për atdhe, nuk
është aspak e pranueshme, shkruante Pashko
Vasa më 1879.
Veç kësaj rilindësit nuk u pajtuan as me
konceptin tjetër që qarkullonte në disa teoricienë
të kohës së tyre, sipas të cilëve
një popull quhet komb kur ka formuar shtetin. Konceptin
filozofik për kombin e formuloi në mënyrë
më të plotë Abdyl Frashëri qysh në
pragun e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në artikujt e tij, të botuar në pranverën
e vitit 1878, ai shikonte si përbërës të
një kombi gjuhën e përbashkët, territorin
e përbashkët, historinë e përbashkët
dhe jetën shpirtërore të përbashkët
(të cilën ai e kërkonte jo në fenë
e përbashkët, por në fushën e dokeve,
të zakoneve, të tregimeve, të këngëve,
të valleve dhe të virtyteve të përbashkëta)
dhe mbi të gjitha aspiratën për të formuar
një shtet të përbashkët. Lëvizja
kulturore shqiptare përvetësoi kështu në
fushën ideologjike një nga konceptet filozofike
më të përparuara të shek. XIX.
Lëvizja kulturore shqiptare e shtriu këtë koncept
të përparuar edhe në truallin e veprimtarisë
politike. Ideologët rilindës të këtyre
viteve, më shumë se paraardhësit e tyre, i
dhanë lëvizjes kulturore shqiptare, ashtu si edhe
lëvizjes politike kombëtare, një përmbajtje
laike. Madje, për hir të unitetit kombëtar,
ata u bënin thirrje bashkatdhetarëve që të
mos dëgjonin predikimet e xhamisë e të kishës,
kur ato binin ndesh me interesat kombëtarë, u shërbenin
sunduesit të huaj dhe propagandave të shteteve fqinje;
kështu ata ishin në konflikt të hapur me institucionet
klerikale dhe të palëkundur përballë kërcënimeve
të tyre. Thirrje të tilla si ajo e Pashko Vasës:
E mos shikjoni kisha e xhamia / Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
u bënë shumë popullore në Shqipëri.
Ky laicizim i ndërgjegjes kombëtare, i cili gjatë
viteve të Lidhjes së Prizrenit përparoi me
hapa të shpejtë, pushtoi pothuajse të gjitha
fushat e jetës kulturore të vendit.
Një vend po aq të rëndësishëm në
platformën ideologjike të lëvizjes kulturore
zuri edhe koncepti politik për territorin kombëtar
të shqiptarëve. Kjo çështje kishte gjithashtu
rëndësi jetike, pasi në kushtet e Krizës
Lindore shqiptarëve u duhej të afirmonin sa më
parë në arenën ndërkombëtare tërësinë
territoriale të Shqipërisë si njësi politike,
për të parandaluar përmbushjen e lakmive të
huaja shoviniste në kurriz të saj. Ashtu si në
konceptin e kombit, edhe në atë të territorit
ideologët atdhetarë nuk ndoqën rrugën
e udhëheqësve nacionalistë të monarkive
ballkanike, të cilët, për të përligjur
aspiratat e tyre shoviniste në kurriz të kombeve
të tjera, ngritën të ashtuquajturin kriter
historik. Siç dihet, ky kriter krijoi te Serbia, Bullgaria
e Greqia prirjen për të rimëkëmbur, në
antagonizëm me njëra-tjetrën, e para Perandorinë
e Stefan Dushanit, e dyta Perandorinë e car Samuilit,
e treta Perandorinë Greke-bizantine, të cilat patën
në mesjetë nën zgjedhën e tyre një
varg kombësish të Ballkanit. Edhe shqiptarët,
shkruante Abdyl Frashëri, kishin mundësi të
merrnin nga historia e tyre e lashtë argumentin e trevës
ku banonin mbarë fiset ilire për të përligjur
krijimin e një shteti të madh shqiptar. Por ky kriter
do të ishte i padrejtë, pasi në mjaft nga ato
vise tashmë banojnë popuj të tjerë, të
cilët nuk do të pranonin në kushtet e reja
të qytetërimit të hynin nën një zgjedhë
të huaj. Rilindësit kërkonin që të
zbatohej në radhë të parë kriteri etnik
dhe jo ai historik, të respektoheshin gjendja reale dhe
të drejtat territoriale të sotme të të
gjithë popujve. Vetëm kriteri etnik, theksonte Abdyl
Frashëri, do të vendoste një paqe të qëndrueshme
në Gadishullin Ballkanik dhe një harmoni të
vërtetë ndërmjet kombeve të tij. Me këtë
koncept politik lëvizja kulturore shqiptare u rreshtua
gjithashtu në pozitat më të përparuara
të lëvizjeve kulturore evropiane të shek. XIX.
Gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit lëvizja
kulturore shqiptare ngriti në një shkallë më
të lartë edhe koncepte të tjera politike, filozofike
ose shoqërore, të cilat ishin shfaqur gjatë
dhjetëvjeçarëve të mëparshëm.
Ajo i dha konceptit atdhe ose mëmëdhe një përmbajtje
të re politike jo vetëm si një bashkësi
krahinore të vendlindjes, por si një bashkësi
të mbarë trojeve amtare dhe si një ideal të
shenjtë, për çlirimin ose mbrojtjen e të
cilit të gjithë shqiptarët duhej të përpiqeshin
me çdo mjet, duke mos kursyer as jetën e tyre.
Ajo e pasuroi më tej kulturën politiko-shoqërore,
duke e trajtuar konceptin e autonomisë së Shqipërisë
nga këndi i interesave kombëtarë shqiptarë,
si një hallkë kalimtare për të sendërtuar,
në kushte kombëtare më të përshtatshme,
pavarësinë e saj të plotë. Procesi i laicizimit
të ndërgjegjes politike kombëtare ia hapi dyert
një depërtimi më të hovshëm të
mendimit iluminist në jetën kulturore të vendit,
gjë që shpejtoi emancipimin ideologjik të shqiptarëve
nga presioni i dogmatizmit obskurantist i institucioneve fetare.
Veç kësaj, ajo e shtriu konceptin e vëllazërimit
të shqiptarëve jo vetëm në fushën
e detyrave, por edhe në atë të të drejtave.
Si rrjedhim, ajo e shkriu atë me konceptin e barazisë
së tyre qytetare, pavarësisht nga përkatësia
fetare, shoqërore e krahinore, e cila nuk ishte në
rendin shoqëror osman. Përveç të tjerave,
ajo e konceptoi edhe vetë kulturën jo si një
stoli, por si një armë që duhej të forconte
unitetin kombëtar të shqiptarëve në luftë
për të mbrojtur tërësinë tokësore
të Shqipërisë dhe për të formuar
shtetin kombëtar shqiptar.
Letërsia politike
Gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit mendimi
politik shqiptar u shpreh me mjete të panjohura më
parë. Të tilla ishin protestat e memorandumet drejtuar
Fuqive të Mëdha e Portës së Lartë,
të cilat vetëm fare pak u redaktuan nga kryesia
e Lidhjes së Prizrenit, ndërkohë që shumica
dërrmuese u hartua me nismën e degëve krahinore
të saj ose të qarqeve të ndryshme atdhetare
të vendit. Pavarësisht nga autorët, ato pajtohen
ndërmjet tyre në trajtimin dhe në zgjidhjen
e çështjeve themelore që shqetësonin
Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Pothuajse të
gjitha flasin në emër të kombit shqiptar. Kudo
spikat fryma e vëllazërimit të shqiptarëve
pavarësisht nga dallimet fetare, spikat krenaria e tyre
për traditat e përbashkëta liridashëse
dhe vendosmëria për të mbrojtur të drejtat
kombëtare. Takimi i tyre në këto çështje
të rëndësishme politike tregonte se platforma
ideologjike kombëtare kishte depërtuar thellë
në shtresat e gjera të popullsisë shqiptare.
Por shprehjen e vet më të lartë, si nga forma
ashtu dhe nga përmbajtja, ajo e gjeti te traktatet politike
dhe te shkrimet publicistike të hartuara nga personalitetet
e lëvizjes kombëtare për publikun ndërkombëtar.
Patriotët shqiptarë e kishin ndier prej kohësh
nevojën për një tribunë shtypi të
pavarur. Por Porta e Lartë e kishte kundërshtuar
vazhdimisht lejen për të nxjerrë një organ
periodik shqip brenda kufijve të Perandorisë. Edhe
përpjekjet për të botuar një gazetë
shqiptare jashtë Perandorisë Osmane kishin dështuar
pjesërisht për mungesë mjetesh financiare,
pjesërisht nga qëndrimi armiqësor i qeverive
të huaja. Me përpjekje të mëdha Sami Frashëri
arriti ta shtinte në dorë, në qershor të
vitit 1878, drejtimin e gazetës turke Terxhuman-i
Shark (Interpreti i Lindjes), që botohej
në Stamboll, por kjo nuk pati jetë të gjatë,
pasi pas katër muajsh u mbyll nga censura osmane. Një
vit më vonë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare
i erdhi në ndihmë një nga arvanitët më
përparimtarë të Greqisë, Anastas Kullurioti,
i cili filloi në shtator 1879 botimin në Athinë
të gazetës I foni tis Alvanias (Zëri
i Shqipërisë), por edhe kjo u mbyll pas një
viti.
Ndër penat publicistike Abdyl Frashëri u dallua
në mënyrë të veçantë për
gamën e problemeve, për forcën e argumenteve
dhe për qartësinë e mendimeve në shkrimet
e tij të botuara në shtypin turk, austriak e frëng.
Ai shtjelloi në mënyrë koncize pothuajse të
gjitha aspektet e platformës ideologjike e politike të
Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në përgjithësi
dhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në veçanti.
Një veprimtari po aq të pasur zhvilloi gjithashtu
Sami Frashëri, i cili u shqua në fushën e publicistikës
polemizuese kundër armiqve të çështjes
kombëtare shqiptare. Veç kësaj, ai trajtoi
në gazetën e vet Terxhuman-i Shark,
nga këndi i interesave të Shqipërisë,
edhe ngjarjet e përditshme ndërkombëtare. Në
publicistikën e këtyre viteve morën pjesë
gjithashtu, ndonëse në mënyrë më
të kufizuar, Jani Vretoja, Thimi Mitkoja dhe shumë
atdhetarë të tjerë, të cilët i botuan
shkrimet e tyre pa emrin e autorit. Një kontribut të
rëndësishëm dha në këtë fushë
edhe Jeronim de Rada, një nga arbëreshët më
të shquar të Italisë.
Ndërmjet traktateve politike të këtyre viteve,
vendin kryesor e zë vepra e Pashko Vasës E
vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët,
e cila u botua më 1879 frëngjisht, anglisht e gjermanisht,
kurse një vit më vonë u përkthye turqisht
e greqisht. Me këtë vepër autori kishte për
qëllim, sikurse shkruante vetë, ta bënte të
njohur popullin shqiptar para botës së qytetëruar
me cilësitë, me të metat, me nevojat
dhe me shpresat e tij, të tregonte origjinën
e tij si një nga popujt më të lashtë të
Evropës, të përshkruante fazat që ai kishte
kaluar gjatë shekujve, ta mbronte nga armiqtë keqdashës
që e kishin përbuzur dhe të argumentonte të
drejtat kombëtare që i takonin, duke përfshirë
edhe atë të bashkimit të vilajeteve shqiptare
në një vilajet të vetëm, që do të
shënonte një hap drejt autonomisë së Shqipërisë.
Çështjes së aleatëve të shqiptarëve
në luftën e tyre kombëtare iu kushtuan dy traktate
të veçanta. Në njërin prej tyre, të
botuar bullgarisht në Sofje më 1879 nga Jusuf Ali
beu, me titull Bisedime të ditës që meritojnë
vëmendje, autori shprehte mendimin se shqiptarët
e bullgarët kishin mjaft interesa të përbashkëta,
të cilët krijonin mundësinë për të
qenë bashkëluftëtarë. Në tjetrën,
të botuar greqisht në Athinë më 1880 nga
Thimi Brandi, me titull Ankime të shqiptarëve,
mbrohej teza se shqiptarët e grekët rrezikoheshin
njësoj nga rritja e shteteve sllave, se asnjëra
nga të dyja palët nuk mund të shpresonte te
Fuqitë e Mëdha, se historia u diktonte rrugën
e bashkëpunimit të ngushtë politik dhe se këtë
bashkëpunim e pengonin vetëm qarqet zyrtare greke,
të cilat mendonin pa të drejtë se me zhvillimin
e saj lëvizja kulturore shqiptare do të pakësonte
shkëlqimin e helenizmit. Një vend të rëndësishëm
në letërsinë politike të këtyre viteve
zë, më në fund, broshura Shqiptarët
dhe demonstrata navale përpara jurisë eprore të
shtypit, që një autor anonim shqiptar e botoi
frëngjisht më 1880, për qëndresën
që organizoi Lidhja e Prizrenit në mbrojtje të
Ulqinit. Në këtë broshurë autori u bën
një akuzë të ashpër Fuqive të Mëdha
në përgjithësi dhe qeverisë britanike
në veçanti, të cilat, në vend që
të përkrahnin idenë e krijimit të një
shteti kombëtar shqiptar si e vetmja rrugë e drejtë
e zgjidhjes së Krizës Lindore, dërguan flotën
e tyre luftarake për të shtypur me dhunë të
drejtat legjitime të një populli liridashës.
Shkrimet publicistike dhe traktatet politike trajtojnë
po atë temë që frymëzuan protestat e memorandumet
e kësaj periudhe - njohjen e shqiptarëve në
arenën ndërkombëtare si një komb i formuar
plotësisht dhe miratimin e të drejtës së
tyre supreme për të pasur shtetin kombëtar
në kufijtë e tyre etnikë.
Me këto shkrime e traktate autorët sollën një
varg argumentesh historike, filozofike, etnografike, filologjike
e politike, që provonin se shqiptarët i kishin të
gjitha vetitë për të qenë një komb
dhe për të formuar shtetin e vet. Një nga argumentet
e dorës së parë ishte prejardhja e shqiptarëve
nga ilirët, të cilët njiheshin si pasardhës
të pellazgëve, pra, lashtësia e tyre shprehej
në lashtësinë e autoktonisë, të gjuhës
e të kulturës. Ata kritikuan tezën pseudoshkencore
të përhapur në ato vite, sipas së cilës
nuk kishte një gjuhë të vetme shqipe, por aq
gjuhë sa ishin dialektet e saj ose tezën tjetër
se të folmet e saj ishin dialekte të bastardhuara
të greqishtes a të latinishtes dhe mbrojtën
pikëpamjen, të cilën e kishin pranuar gjuhëtarët
më të shquar të kohës, se gjuha shqipe
ishte një gjuhë më vete në familjen e
gjuhëve indoevropiane, se dallimet dialektore brenda
saj nuk kishin rëndësi themelore dhe se lidhjet
ndërmjet saj e greqishtes ose latinishtes ishin pak a
shumë njësoj si lidhjet ndërmjet gjuhëve
të ndryshme indoevropiane. Po ashtu, ata sollën
argumente të reja me të cilat provuan se shqiptarët
e të gjitha besimeve e të të gjitha krahinave
kishin të njëjtin formim shpirtëror. Shqiptarët,
shkruante Abdyl Frashëri, kanë pasur kulturën
e tyre të veçantë qysh në kohët
parahistorike; ata u kanë qëndruar besnikë,
deri në njëfarë shkalle, traditave të
lashta pasi përqafuan jo vetëm krishterimin, por
edhe islamizmin. Në Shqipëri dallimet fetare, nënvizonte
ai, nuk kanë ndonjë rëndësi përballë
dallimeve shoqërore. Shoqëria shqiptare karakterizohej,
sipas tij, nga ndarja në krerë e në popull
dhe jo nga ndarja në myslimanë e të krishterë.
Myslimanët dhe të krishterët shqiptarë,
shkruante Pashko Vasa, flasin po atë gjuhë,
kanë po ato zakone, vazhdojnë po ato doke dhe po
ato tradita. Midis tyre nuk ka pasur kurrë smirë
të rrënjosur, as armiqësira shekullore. Ndryshimi
i fesë nuk ka qenë kurrë shkak për ti
shtytur në një përçarje sistematike.
Pothuajse të gjithë autorët e kësaj periudhe
evokuan në shkrimet e tyre politike figurën e ndritur
të Skënderbeut si mishërim i njësisë
kombëtare, si simbol i atdhedashurisë shqiptare
dhe si flamur i luftës çlirimtare. Në të
njëjtën kohë, nëpërmjet emrit të
tij të lavdishëm, ata u kujtonin sundimtarëve
osmanë se shqiptarët ishin gati, në rast se
nuk do tu njiheshin të drejtat e tyre kombëtare,
të përsëritnin epopenë e shek. XV. Veç
kësaj, ata u kujtonin popujve të Evropës se
vendet e tyre kishin detyrime të mëdha ndaj Shqipërisë,
e cila me luftën e saj heroike që kishte zhvilluar
nën udhëheqjen e Skënderbeut, e kishte mbrojtur
lirinë e tyre nga pushtimi osman. Një vend të
rëndësishëm në publicistikën e këtyre
viteve zunë shkrimet që mbronin karakterin e programin
kombëtar të Lidhjes së Prizrenit nga akuzat
e shpifjet e armiqve të çështjes shqiptare,
të cilët e paraqitnin atë si një organizatë
fanatike islamike të manipuluar nga Porta e Lartë
dhe të drejtuar kundër popujve fqinjë të
krishterë. Sami Frashëri, i cili u dallua më
shumë se të tjerët në këtë fushë,
argumentoi me një varg artikujsh të botuar në
shtypin osman se Lidhja e Prizrenit u formua nga ndërgjegjja
kombëtare e shqiptarëve dhe se Porta e Lartë
nuk ka pasur gisht në formimin e saj. Si mund të
thuhet, - shkruante ai, - se Lidhja e Prizrenit është
formuar mbi bazën e fanatizmit mysliman, kur aty kanë
marrë pjesë pa dallim feje myslimanë e të
krishterë, domethënë mbarë bijtë
e atdheut?. Porta e Lartë, shkruante Samiu në
një artikull tjetër, jo vetëm nuk ka
pasur gisht në formimin e saj, por ajo as nuk
është në gjendje ti ndalojë shqiptarët
që të marrin pjesë në të. Lidhja
e Prizrenit, theksonin njëzëri patriotët e
këtyre viteve, ka për qëllim të mbrojë
të drejtat kombëtare të shqiptarëve dhe
nuk drejtohet kundër kombeve të tjera të Ballkanit.
Lidhja Shqiptare, - shkruante më 1879 një
atdhetar anonim nga Shqipëria e Mesme, - është
lidhje kombëtare. Ajo nuk dëmton asnjë komb
tjetër. Ajo dëshiron, kërkon dhe përpiqet
me të gjitha fuqitë e saj të shpëtojë
kombin e vet duke bashkuar Shqipërinë në një
vilajet të vetëm autonom dhe të shkëputet
nga prapambetja duke zhvilluar shkrimin në gjuhën
e kombësisë së saj. Ajo dëshiron e kërkon
të ketë paqe dhe miqësi me të gjitha kombet
që e rrethojnë. Ajo respekton e nderon të gjitha
kombësitë e huaja dhe të gjitha gjuhët
e tjera që mund të ndodhen në gjirin e saj.
Më në fund, të gjithë autorët dhanë
të njëjtin vlerësim për politikën
e ndjekur nga Fuqitë e Mëdha në lidhje me çështjen
shqiptare. Të gjithë e dënuan njësoj Traktatin
e Shën-Stefanit dhe Kongresin e Berlinit. Askush nuk
pati iluzione se Fuqitë e Mëdha do ti merrnin
parasysh me vullnetin e tyre interesat kombëtarë
të Shqipërisë. Ata qenë njëzëri
të mendimit, se në kushtet e atyre viteve rreziku
më imediat vinte nga politika pansllaviste ruse, se me
synimet e veta ekspansioniste Perandoria Cariste kërcënonte
jo vetëm ekzistencën e kombësisë shqiptare,
por edhe atë të kombësive të tjera ballkanike,
madje edhe ekzistencën e kombësive sllave të
gadishullit. Sipas mendimit të përgjithshëm
të atdhetarëve shqiptarë, e vetmja rrugëdalje
nga situata dramatike, që kërcënonte jo vetëm
Gadishullin Ballkanik, por edhe Kontinentin Evropian, ishte
respektimi i parimit të kombësisë për
tërë popujt. Në rast se Shqipëria do të
copëtohej midis fqinjëve të saj, Gadishulli
Ballkanik nuk do të kishte kurrë qetësi, pasi
shqiptarët nuk do hiqnin asnjëherë dorë
nga lufta për të fituar të drejtat e tyre kombëtare.
Përkundrazi, theksonte Abdyl Frashëri, në rast
se Shqipëria do të fitonte të drejtat e saj,
do të vijë dita kur Evropa do të bindet
se shqiptarët i shërbejnë çështjes
së njerëzimit dhe të qytetërimit më
mirë se çdo popull tjetër i Lindjes.
Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip (Shoqëria
e Stambollit-1879)
Hovi që mori lufta për autonominë e Shqipërisë
i dha gjithashtu një shtytje të fuqishme lëvizjes
në fushën e arsimit e të letërsisë
shqipe, të cilat tani synonin jo vetëm të ngrinin
në një shkallë më të lartë ndërgjegjen
atdhetare të masave popullore, por edhe të përballonin
nevojat që shtronte zëvendësimi i administratës
osmane me administratën shqiptare.
Që me themelimin e Lidhjes së Prizrenit, u ndje
më shumë se kurdoherë nevoja e ngutshme për
të caktuar alfabetin e njësuar të gjuhës
shqipe dhe për ti dhënë fund anarkisë
që sundonte në këtë fushë. Po ashtu,
tani u ndje më shumë se më parë nevoja
e ngutshme për të formuar një organizatë
qendrore ose, siç thuhej atëherë, një
shoqëri kulturore, e cila të merrte përsipër
barrën e drejtimit e të organizimit të përpjekjeve
për të ngritur shkolla shqipe në gjithë
vendin dhe për të zhvilluar me ritme më të
shpejta letërsinë shqiptare, duke botuar tekste
shkollore, vepra letrare, broshura shkencore e organe periodike
shqipe.
Nismën për zgjidhjet e këtyre dy detyrave e
mori drejtpërdrejt Komiteti i Stambollit. Për këtë
qëllim ai formoi qysh në fillim të vjeshtës
së vitit 1878 një komision të gjerë prej
25 vetash, i cili ngarkoi një komision të ngushtë
me 7 anëtarë (Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko
Vasa, Hoxha Tahsini, Koto Hoxhi, Ibrahim Bërzeshta, Said
Toptani), për të zgjidhur çështjen e
alfabetit të përbashkët.
Sikurse shprehej disa ditë më vonë Thimi Brandi
në një letër që i drejtonte Jani Vretos,
formimi i Komisionit Kulturor u përshëndet si një
hap i rëndësishëm që do të
vinte themelet e gjuhës shqipe. Por përpjekjet
e atdhetarëve shqiptarë për të formuar
një shoqëri kulturore të ligjshme, e cila ta
zhvillonte lirisht veprimtarinë e saj në Perandorinë
Osmane, përsëri dështuan. Porta e Lartë
dhe nën shembullin e saj Patrikana e Fanarit e kundërshtuan
kërkesën e paraqitur prej tyre si për formimin
e organizatës kulturore, ashtu dhe për botimin e
një gazete shqip.
Ndërsa i vijuan përpjekjet për formimin e shoqërisë
kulturore, atdhetarët u morën me çështjen
e alfabetit. Në fillim të vitit 1879 para komisionit
të alfabetit u paraqitën katër projekte të
ndryshme për shkrimin e shqipes, të cilat u diskutuan
duke pasur parasysh kriteret shkencore, politike e praktike
që duheshin për gjuhën shqipe. Prej tyre komisioni
miratoi projektin e Sami Frashërit, i cili ishte i ndërtuar
sipas parimit fonetik (për çdo tingull një
shkronjë) dhe sipas alfabetit latin, të plotësuar
për tinguj të veçantë të shqipes
me shkronja të huajtura nga alfabeti grek ose të
sajuara nga autori. Projektet e tjera nuk u pranuan për
arsye të ndryshme, ose pse mbështeteshin vetëm
në alfabetin grek (J. Vreto), ose pse nuk i përmbaheshin
parimit fonetik (P. Vasa), ose pse për përdorimin
e tij duheshin shtypshkronja të posaçme (H. Tahsini).
Në një letër që anëtarët e komisionit
u dërgonin më 5 mars 1879 bashkatdhetarëve
që banonin në Egjipt, i porositnin të përdornin,
sikurse thuhet aty, këtë alfabet (të
cilin) ne shokë vëllezër shqiptarë...
me një mendje, me një zemër, me një fjalë,
vumë themeli për të shkruar gjuhën tonë
shqipenë. Ai shënonte një hap të
madh përpara në fushën e lëvizjes kulturore
dhe për rrjedhim pati një përhapje të
gjerë në masën e shqiptarëve. Megjithatë,
edhe ai nuk ishte shumë praktik, pasi shtypshkronjat
duhej të pajiseshin dhe me disa shkronja të posaçme.
Kjo e metë shkaktoi më vonë kundërshtime
nga mjaft personalitete shqiptare, si pasojë e të
cilave çështja e alfabetit të njësuar
mbeti përsëri në rend të ditës.
Tre muaj më vonë, komisioni botoi veprën e
parë me alfabetin e ri, me titull Alfabetare e
gluhësë shqip, e cila përmbante, përveç
alfabetit të Stambollit, disa shkrime mësimore të
përgatitura nga Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani
Vreto e Koto Hoxhi.
Për të mos e acaruar më shumë pakënaqësinë
e shqiptarëve, të cilët në këtë
periudhë i kishte pushtuar vala e lëvizjes autonomiste,
Porta e Lartë ngurroi të ndërhynte menjëherë
kundër kësaj veprimtarie që po zhvillohej brenda
në kryeqytetin e Perandorisë. Këtë rrethanë
e shfrytëzuan atdhetarët shqiptarë, të
cilët shpejtuan të formonin, pa lejen e qeverisë,
edhe shoqërinë kulturore. Pas disa ditë bisedimesh
paraprake, ata thirrën në Stamboll, më 12 tetor
1879, një konferencë të posaçme, e cila
do të themelonte shoqërinë dhe do të miratonte
statutin e saj, sipas projektit që kishte përgatitur
Jani Vreto qysh në tetorin e vitit të mëparshëm.
Në konferencën e Stambollit morën pjesë
27 veta, të cilët përfaqësonin, aq sa
lejonin rrethanat politike, popullsinë shqiptare të
tri besimeve dhe të krahinave kryesore të vendit,
që nga Kosova deri në Çamëri. Veç
kësaj, ata vinin nga radhët e të gjitha shtresave
shoqërore të Shqipërisë. Ndërmjet
tyre kishte bejlerë çifligarë dhe intelektualë
qytetarë, por shumicën dërrmuese e përbënin
emigrantë me origjinë fshatare, të cilët
kishin lënë vendlindjen për të punuar
në kurbet. Krahas këtyre njerëzve të thjeshtë,
aty morën pjesë edhe figurat më të shquara
të Lidhjes së Prizrenit, të cilët ishin
në të njëjtën kohë edhe anëtarë
të Komitetit të Stambollit, si Abdyl Frashëri,
Pashko Vasa, Jani Vreto, Sami Frashëri, Zija Prishtina
etj.
Më 12 tetor 1879 konferenca vendosi themelimin e shoqërisë
kulturore dhe miratoi kanonizmën (statutin) e saj, të
cilën e nënshkruan të gjithë pjesëmarrësit.
Zyrtarisht organizata u quajt Shoqëria e të
Shtypurit Shkronja Shqip, kurse shkurtimisht u bë
zakon të thirret Shoqëria e Shkronjëzave,
ose Shoqëria e Stambollit. Kryetar i saj
u zgjodh Sami Frashëri, kurse pjesëmarrësit
e konferencës formuan këshillin qendror të
shoqërisë.
Programi i Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja
Shqip u shpreh në mënyrë të qartë
në kanonizmën e saj. Ai nisej nga teza e shpallur
qysh prej rilindësve të parë, se çdo
komb që nuk e shkruan gjuhën e tij dhe nuk ka alfabetin
e vet kombëtar është një komb i prapambetur.
Prandaj qëllimi i shoqërisë ishte ta nxirrte
popullin shqiptar nga prapambetja duke zhvilluar arsimin kombëtar
dhe letërsinë shqipe. Ajo synonte të mobilizonte
në këtë veprimtari të gjithë shqiptarët
atdhetarë, kudo që ndodheshin, në atdhe ose
në mërgim, duke i grumbulluar organizativisht, në
degë krahinore të varura prej qendrës. Ajo
mendonte gjithashtu të krijonte një fond për
të përballuar nevojat materiale të programit
të saj. Fondi do të krijohej nga kuotizacionet e
anëtarëve dhe nga të ardhurat që do të
mblidheshin nga shitja e librave. Sapo të shtoheshin
të ardhurat, thuhej në nenin 18, shoqëria do
të pajisej me një shtypshkronjë, me anën
e së cilës do të shtypte libra, gazeta e revista
shqipe. Më vonë, thuhej në nenin 19, kur të
ardhurat do të rriteshin më shumë, shoqëria
do të ngrinte me shpenzimet e saj edhe shkolla shqipe.
Këto shkolla do të ishin krejt të pavarura
dhe do të formonin bërthamën e rrjetit arsimor
kombëtar.
Krerët e Shoqërisë së të Shtypurit
Shkronja Shqip iu përveshën punës për
të zbatuar menjëherë programin e saj. Disa
javë pas themelimit të shoqërisë ata shtypën
në një shtypshkronjë të Stambollit kanonizmën
e saj, të cilën e shpërndanë brenda e
jashtë Shqipërisë. Në të njëjtën
kohë u nis në Shqipëri një grup aktivistësh
për të ndihmuar në formimin e degëve të
Shoqërisë. Por gjatë vitit 1880 Porta e Lartë
kaloi në reaksion të hapur kundër lëvizjes
kulturore shqiptare. Administrata e saj ndërhyri me ashpërsi
dhe me kërcënime për të ndaluar veprimtarinë
e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip.
Ajo nuk dha leje as për botime librash, as për krijim
degësh, as për ngritje shkollash shqipe. Në
të njëjtën kohë edhe përfaqësues
të turkomanëve e të grekomanëve, të
institucioneve klerikale islamike e ortodokse, ndërmorën
një fushatë të egër kundër veprimtarëve
të lëvizjes kulturore shqiptare. Peshkopi ortodoks
i Drinopojës (Gjirokastrës) lëshoi një
mallkim publik kundër shkrimit shqip. Hovi që mori
lëvizja kulturore shqiptare shqetësoi jo vetëm
kishën fanariote, por edhe qeverinë greke. Si pasojë
e këtij shqetësimi, organet shtetërore të
Athinës ndaluan në vjeshtën e vitit 1880 botimin
e mëtejshëm të gazetës I foni tis
Alvanias dhe filluan persekutimet kundër botuesit
të saj, Anastas Kulluriotit.
Në këto rrethana Shoqëria e të Shtypurit
Shkronja Shqip nuk pati mundësi ta zhvillonte veprimtarinë
e saj kulturore brenda Perandorisë Osmane dhe ca më
pak në Shqipëri. Madje ajo u detyrua të kalonte
në ilegalitet. Ndjekjeve u shpëtoi vetëm dega
e Shoqërisë së Shkronjëzave që u
formua më 1880 në Bukuresht (Rumani), e cila më
vonë luajti një rol të rëndësishëm
për plotësimin e programit kulturor të Shoqërisë
së Stambollit.
Letërsia popullore dhe artistike
Një vend të rëndësishëm në lëvizjen
kulturore të viteve të Lidhjes së Prizrenit
zë letërsia popullore dhe artistike shqip.
Në letërsinë popullore një zhvillim shumë
të begatshëm pati epika historike. Në qershor
të vitit 1878, në ditët e themelimit të
Lidhjes së Prizrenit, u botua në Aleksandri të
Egjiptit vepra madhore e Thimi Mitkos Bëleta shqiptare,
në të cilën qenë përfshirë mjaft
këngë popullore historike të krijuara gjatë
dhjetëvjeçarëve të mëparshëm
nga poetët anonimë të krahinave të ndryshme
të Shqipërisë. Në hullinë e këtyre
këngëve eci edhe vepritmaria popullore e viteve
të Lidhjes së Prizrenit. Si më parë, edhe
tani ajo pati për qëllim të përjetësonte
në vargje ngjarjet tronditëse historike dhe të
frymëzonte brezat e rinj për betejat e ardhshme.
Por poezia popullore historike e kësaj periudhe dallohet
nga ajo e dhjetëvjeçarëve të mëparshëm
për frymën e saj më të theksuar kombëtare.
Uniteti kombëtar i shqiptarëve që krijoi Lidhja
e Prizrenit në fushën politike, u pasqyrua kështu
edhe në krijimtarinë popullore historike.
Sipas traditës, rapsodët popullorë krijimet
e tyre letrare më monumentale ua kushtuan ngjarjeve historike
më të shënuara. Në qerthullin e këtyre
ngjarjeve tani nuk hynë vetëm momentet dramatike
madhore, siç ishin përpjekjet e armatosura me
armiqtë e tyre, por edhe momentet politike kulmore. Kështu,
krahas këngëve epike që iu kushtuan luftës
për mbrojtjen e Lëkurësit e të Gjashtës,
të Plavës e të Gucisë, të Hotit e
të Grudës, të Kelmendit e të Ulqinit,
të Slivovës e të Shtimjes, u thurën gjithashtu
këngë historike për kuvendet e Prizrenit e
të Gjirokastrës, të Gjakovës e të
Frashërit, të Shkodrës e të Dibrës,
madje edhe për forume të tilla ndërkombëtare,
siç ishte Kongresi i Berlinit. Po ashtu, tani poetët
anonimë u ngritën monumente në vargje jo vetëm
kryetrimave që u shquan në fushën e luftës,
si Mic Sokoli, Ali Ibra, Isuf Sokoli, Col Delia, Çel
Shabani ose Sef Kosharja, por edhe ideologëve ose udhëheqësve
politikë të Lidhjes së Prizrenit, siç
ishin Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Ali pashë
Gucia, Haxhi Ymeri (Ymer Prizreni) etj.
Të gjitha këngët popullore historike të
këtyre viteve kanë karakter epik ose retorik. Pavarësisht
se janë thurur nga rapsodë të viseve të
ndryshme dhe në mënyrë të pavarur nga
njëra-tjetra, ato bashkohen qoftë nga boshti tematik,
qoftë nga frymëzimi atdhetar. Nëpërmjet
vargjeve të tyre të pasura me figura dhe shprehje
poetike, autorët anonimë himnizojnë drejtpërdrejt
ose tërthorazi luftën atdhetare të Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit. Në të njëjtën
kohë ata stigmatizojnë herë me tallje, herë
me sarkazëm armiqtë, kryesisht shtatë
krajlat (gjashtë Fuqitë e Mëdha së
bashku me Perandorinë Osmane), rreshtimi i të cilëve
kundër Shqipërisë shkaktonte te shqiptarët
jo frikë, por krenari.
Krenaria kombëtare, e lidhur ngushtë me besimin
për të ardhmen, mbizotëron pothuajse në
të gjitha këngët popullore historike të
kësaj periudhe. Shqiptarët janë krenarë,
sepse asnjëherë nuk i kanë lëshuar armët
kundër sundimtarit osman: Se Shqipnia e ka pas
adet / Nga një pashë me mbyt për vjet!,
thuhet në një këngë popullore të
këtyre viteve. Sef Kosharja nuk e ndien veten të
turpëruar, si dikur kreshnikët mesjetarë, kur
mareshali osman Dervish Pasha e dënoi me varje në
majën e një lisi. Përkundrazi, ai është
krenar se vdes për atdhe (Po hije mka mue,
o djemte mi / Se kam lanë shpirtin për Shqipni).
Në një këngë tjetër popullore, Dervish
Pasha, pasi e shtyp Lidhjen e Prizrenit pyet: Ku ndodhet Sulejman
Vokshi, që nuk po e kap dot? Ku u zhduk populli që
shkon pas tij? Dhe rapsodi përgjigjet: Janë atje
lart në bjeshkë, atje ku zbardhin retë dhe
së shpejti do të takohen përsëri me të
(Nato bjeshkë, te retë e bardha / Qatje
nelt, ku zbardhin ret/ Kjoft kysmet doi shihsh
opet!). As Abdyl Frashëri nuk e ndien veten të
mundur ose të turpëruar kur kalonte përmes
Manastirit i lidhur me hekura dhe i shoqëruar nga xhandarët
osmanë, të cilët po e çonin në
burgun e Prizrenit. Përkundrazi, këndon rapsodi
popullor, emiri i Shqipërisë (udhëheqësi
i Shqipërisë) iu drejtua me krenari e me optimizëm
një konsulli të huaj, i cili qeshi me ironi kur
e pa të lidhur me pranga: Ne e mbollëm këtë
farë / Po të tjerë shqiptarë / Do ta korrin
më të mbarë!.
Edhe letërsia artistike e këtyre viteve u dallua
për karakterin më të theksuar kombëtar
luftarak, për lidhjen e ngushtë me detyrat politike,
për rolin më të fuqishëm edukativ atdhetar
dhe për vëllimin më të pasur të krijimeve
letrare.
Vrulli i lëvizjes atdhetare që shpërtheu gjatë
viteve të Lidhjes së Prizrenit tërhoqi në
fushën e letërsisë mjaft pena të reja,
por shumica e krijimeve të tyre letrare mbetën të
pabotuara. Përveç Alfabetares dhe
Kanonizmës së Shoqërisë së
Stambollit, të cilat ishin një përjashtim,
Porta e Lartë nuk lejoi asnjë shkrim tjetër
shqip që të botohej në Perandorinë Osmane.
Por edhe jashtë kufijve të saj mundësitë
e botimit ishin të kufizuara. Vetëm pak shkrime
shqipe arritën të botoheshin në ndonjë
organ periodik të jashtëm, siç ishte gazeta
I foni tis Alvanias që dilte në Athinë,
ose revista Iris, që shtypej në Bukuresht.
Për të siguruar një përhapje më të
gjerë në rradhët e bashkatdhetarëve, disa
krijime letrare shqipe, siç ishte poema Mori
Shqypni e Pashko Vasës dhe himni me titull Marsejeza
i Thimi Mitkos, u botuan në fletë qarkulluese dhe
u shpërndanë në atdhe me anën e veprimtarëve
të Lidhjes së Prizrenit. Pati gjithashtu krijime
letrare, të cilat u shpërndanë në dorëshkrim
midis bashkatdhetarëve. Kështu ndodhi, për
shembull, me poemën Shqipëria, të
shkruar nga Naim Frashëri.
Lëvizja letrare shqipe u zhvillua kryesisht në gjininë
e poezisë luftarake. Kjo u lidh me detyrat politike e
kulturore më të ngutshme që shtroheshin para
lëvizjes kombëtare në përgjithësi
dhe Lidhjes së Prizrenit në veçanti. Si rrjedhim,
tematika e rrahur prej saj ishte po ajo që trajtoi edhe
letërsia politike e atyre viteve. Në çdo
poezi spikat thirrja për bashkimin e shqiptarëve
si një trup i vetëm pavarësisht nga dallimet
fetare. Të gjithë autorët e tyre dënojnë
armiqtë e atdheut - Perandorinë Osmane, Fuqitë
e Mëdha, monarkitë ballkanike dhe institucionet
klerikale. Të gjithë lëshojnë kushtrimin
për të rrëmbyer armët jo vetëm për
të fituar lirinë e Shqipërisë, por edhe
për të mbrojtur tërësinë e saj tokësore.
Në të njëjtën kohë ata ftojnë
bashkatdhetarët e tyre për të shkruar gjuhën
amtare, lëvrimin e së cilës e vlerësonin
si një armë të fuqishme jo vetëm për
përparimin e vendit, por edhe për thellimin e lëvizjes
atdhetare.
Krijimi letrar më i frymëzuar i viteve të Lidhjes
së Prizrenit dhe në të njëjtën kohë
një nga poezitë më përfaqësuese të
mbarë Rilindjes Kombëtare është poema
Mori Shqypni e Pashko Vasës. Me një
pasuri figurash poetike, me një patos romantik atdhetar
dhe me një gjuhë të rrjedhshme, autori synon
të ngrejë peshë zemrat e bashkatdhetarëve
në luftë për lirinë e atdheut. Ai e fillon
poemën e vet duke kundërvënë mjerimin
e atëhershëm të Shqipërisë me madhështinë
e saj të dikurshme. Shqipëria, këndon poeti,
dikur zonjë e nderuar, nënë trimash të
dëgjuar, të cilët në të kaluarën
i kallnin tmerrin armikut, tani ishte e shtrirë përdhe
si një lis i lartë, gjithkush e shkelte me këmbë
trupin e saj dhe askush nuk e thoshte një fjalë
të ëmbël për të. Pse ndodhte kjo?
Kjo ndodhte, theksonte autori, jo se shqiptarët e kishin
humbur trimërinë dhe atdhedashurinë e dikurshme,
por se ishin të përçarë nga institucionet
fetare, se ishin të ndarë nga krerët në
njëqind çeta dhe, si rrjedhim, në
vend që të bashkoheshin kundër armiqve, luftonin
kundër njëri-tjetrit. Pas tablosë dramatike,
fillon shpërthimi epik i poetit atdhetar, i cili i fton
shqiptarët të lënë mënjanë fetë,
të bashkohen të gjithë si vëllezër,
të lidhen të gjithë në një besë,
të rrëmbejnë të gjithë armët
dhe Para se të humbasë kështu Shqipnia
/ Me pushkë në dorë le të vdesë trimnia.
Poema arrin pikën e vet kulmore kur autori lëshon
thirrjen për të mbrojtur me çdo kusht tokën
shqiptare: Asht toka jonë, tparët na
e kanë lanë / Kush mos e preki! Të vdesim të
tanë! / Të vdesim si burrat qi diqen motit.
Këtë kalim nga nota heroike për të kalurën
në gjëmën elegjiake për të tashmen,
e përdorën edhe autorë të tjerë të
këtyre viteve, si Thimi Mitkoja, Naim Frashëri dhe
Nikolla Çako, pasi u jepte dorë që të
ndiznin me patos atdhetar zemrat e bashkatdhetarëve në
luftën për çështjen e madhe të
Shqipërisë.
Të gjithë krijuesit letrarë të periudhës
së Lidhjes së Prizrenit janë krenarë për
të kaluarën e shqiptarëve, e cila zë fill
me pellazgët parahistorikë, ata krenohen për
figurat e mëdha që kanë hyrë në historinë
e njerëzimit, si Aleksandri i Maqedonisë, Pirroja
i Epirit, sidomos Skënderbeu (që, siç theksonte
Naim Frashëri, i dha dërmën Perandorisë
Turke) ose Marko Boçari (që, siç shprehej
Nikolla Çako, fitoi kundër skllavërisë
osmane). Nëpërmjet këtyre evokimeve ata i përgjigjeshin
në të njëjtën kohë atij opinioni
konservator evropian, që e paraqiste kombin shqiptar
si një popull pa histori. Madje, si poetë, ata reagonin
më me pasion sesa si prozatorë, duke arritur deri
në atë shkallë sa lashtësinë e Shqipërisë
dhe të shqiptarëve nuk e shprehnin me argumente
historike, por me hiperbola letrare (për Naimin Shqipëria
ka qenë gjallë që kur u krijua bota, për
Mitkon shqiptarët kanë lindur para se të formohej
hëna).
Ashtu si Pashko Vasa, edhe poetët e tjerë e përshkruajnë
gjendjen e Shqipërisë së atyre viteve me ngjyrat
më të errëta. Ata kanë pika takimi edhe
kur trajtojnë detyrat që shtroheshin para vendit.
Çna duhet trimëria, theksonte Naimi, në
qoftë se prej saj nuk fiton gjë Shqipëria?
Madje, vijonte ai, sot Shqipëria ka nevojë jo vetëm
për trimërinë e bijve të saj, por edhe
për diturinë e tyre e në mënyrë të
veçantë për lëvrimin e gjuhës amtare.
Në një thirrje të vargëzuar Thimi Mitkoja
u kujtonte bashkatdhetarëve se për të shpëtuar
nga sundimi i huaj dhe për ta ndritur kombin e tyre,
duhej të luftonin për tri çështje: për
lirinë, për vetëligjësinë (autonominë)
dhe për shkrimin e gjuhës shqipe, përveç
detyrës që ishte në rend të ditës
- mbrojtja e trojeve shqiptare. Madje, të pushtuar nga
patosi atdhetar, shpeshherë ata shkuan më larg se
kërkesat që përmbante programi politik i Lidhjes
së Prizrenit. Në shumicën e rasteve ata u bënë
thirrje vëllezërve të tyre jo aq për vetëligjësi,
sesa për zbimin e Turqisë dhe lirinë
e Shqipërisë, si në kohën e Skënderbeut.
Karakteristikë tjetër e përbashkët e poetëve
të këtyre viteve ishte optimizmi për të
ardhmen e atdheut. Ashtu si në shkrimet politike, edhe
në krijimet letrare autorët ishin të bindur
se, me djem trima si ata që luftuan në Guci dhe
me udhëheqës të ndritur si Abdyl Frashëri
me shokë, Shqipëria e robëruar dhe e prapambetur
do ta fitonte një ditë lirinë e humbur e do
të hynte shpejt në rrugën e qytetërimit.
Në një poezi greqisht, një poet anomin e shprehte
optimizmin e vet për luftën e mëtejshme të
shqiptarëve me këto katër vargje: Sa
kohë jetojnë bijtë e Gjergjit të Madh
/ në Shqipëri, / Sa kohë që ata kanë
moshën rinore / dhe shquhen për trimëri, /
Sapo të vijë pranvera dhe tërfili / të
mbijë përsëri, / Karejfili? i shqiptarit do
të ushtojë / prapë për liri!.
7. LUFTA PËR REALIZIMIN E AUTONOMISË
DHE SHTYPJA E LIDHJES SË PRIZRENIT
Kryengritja e armatosur dhe formimi i qeverisë së
përkohshme (dhjetor 1880-janar 1881)
Pas dorëzimit të Ulqinit forcat politike shqiptare
dhe veçanërisht Lidhja Shqiptare e Prizrenit e
përqendruan vëmendjen në dy çështje
kryesore: në atë të pretendimeve greke ndaj
Çamërisë dhe në problemin e të
drejtave autonomiste të Shqipërisë. Në
këtë periudhë u rrit më tej vendosmëria
e shqiptarëve për të mos i lëshuar Greqisë
asnjë pëllëmbë tokë të Çamërisë.
Të gjitha forcat atdhetare kishin qëndrim të
njëjtë për këtë çështje,
vijuan të kërkonin që Protokolli nr.13 të
korrigjohej në mënyrë të tillë që
Greqia të kënaqej jo me vise shqiptare, por me troje
greke në Thesali.
Edhe Porta e Lartë, duke qenë e bindur se përdorimi
i dhunës për ti detyruar shqiptarët të
hiqnin dorë nga Çamëria do të shkaktonte
një kryengritje të re, me përmasa të mëdha
në Shqipëri, po kundërshtonte zbatimin me forcë
të këtij vendimi. Stambolli u përpoq të
përfitonte nga zvarritja e çështjes së
Çamërisë për të marrë masat
për rivendosjen e autoritetit të tij të tronditur
në Shqipëri dhe për të shtypur lëvizjen
autonomiste. Megjithëse krahu i moderuar i Lidhjes Shqiptare
hoqi dorë nga lufta për autonominë e Shqipërisë,
atdhetarët radikalë e vazhduan atë më
me forcë pas ngjarjeve të Ulqinit. Në një
mbledhje të veçantë që u mbajt në
Prizren në nëntor, në të cilën mori
pjesë edhe Abdyl Frashëri, u vendos që ky (Abdyl
Frashëri) të nisej për në Stamboll për
ti paraqitur edhe njëherë Portës së
Lartë kërkesën për bashkimin e vilajeteve
dhe veç kësaj kryengritja kundërosmane të
niste sapo të shihej se Porta e Lartë do të
kalonte në sulm kundër Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit.
Qysh në javën e parë të muajit dhjetor
1880 Porta e Lartë filloi të kalonte shkallë-shkallë
në sulm kundër lëvizjes autonomiste shqiptare.
Goditjen e parë ua dha forcave atdhetare në Shkodër.
Menjëherë pasi përfundoi dorëzimin e Ulqinit,
Dervish Pasha u turr me egërsi të jashtëzakonshme
kundër organeve të Lidhjes së Prizrenit në
vilajetin e Shkodrës, të cilat arriti ti shpërndante
me terror, duke rivendosur pushtetin e administratës
centraliste osmane. Mareshali turk u tregua më i egër
me partizanët e lëvizjes autonomiste, sesa me pjesëmarrësit
e luftës së Ulqinit. Më 11 dhjetor ai arrestoi
pabesisht dhe internoi në Anadoll edhe figura të
tilla si Hodo Sokolin e Preng Bibë Dodën, të
cilët nuk morën pjesë në luftën e
Ulqinit, por ishin përkrahës të kërkesave
autonomiste, ndërsa Daut Boriçin e izoloi në
Stamboll. Arrestime të tjera ndërmori ai në
qytetin e Shkodrës.
Disa ditë më vonë Porta e Lartë e thirri
në Stamboll Dervish Pashën dhe i ngarkoi detyrën
të hartonte planin e një ekspedite të madhe
ushtarake kundër Shqipërisë, për të
shtypur në mbarë vendin Lidhjen Shqiptare dhe prirjen
e saj për kryengritje të armatosur kundërosmane.
Në relacionin që i paraqiti sulltanit më 27
dhjetor, Dervish Pasha kërkonte që lëvizja
autonomiste shqiptare të shtypej para se të shpërthente
një kryengritje e përgjithshme e armatosur dhe për
këtë qëllim të dërgoheshin në
Shqipëri 40 batalione ushtarësh me dy qendra drejtuese,
njëra në Shkodër, tjetra në Shkup, që
ekspedita ushtarake të fillonte në Veri dhe pas
zgjidhjes së çështjes së Çamërisë
të shtrihej edhe në Shqipërinë e Jugut.
Në të njëjtën kohë sulltan Abdyl
Hamiti II u drejtoi shqiptarëve një thirrje të
jashtëzakonshme, ku i cilësonte të gjithë
ata që kërkonin krijimin e një vilajeti të
vetëm shqiptar si armiqtë më të rrezikshëm
të Perandorisë Osmane.
Udhëheqësit shqiptarë i morën vesh synimet
e Stambollit, prandaj i shpejtuan përgatitjet për
organizimin e aksionit të armatosur autonomist. Sipas
planit të tyre, ai do të fillonte në vilajetin
e Kosovës, do të shtrihej menjëherë në
vilajetin e Janinës dhe pastaj do të përhapej
në viset shqiptare të dy vilajeteve të tjera.
Në Kosovë veprimet e armatosura filluan në
sanxhakun e Prizrenit, qysh në muajin dhjetor 1880, me
një varg sulmesh nga ana e fshatarëve kundër
administratës osmane. Fill pas tyre u ngritën banorët
e Prizrenit, të cilët dëbuan nga qyteti mytesarifin
|