 |  |
K R E U - X -
LËVIZJA POLITIKE KULTURORE NË SHQIPËRI
PAS SHPALLJES
SË KUSHTETUTËS TURKE
(1908 1910)
Revolucioni i turqve të rinj (1908) dhe shqiptarët
Përvoja e lëvizjes kombëtare e viteve të
fundit u tregoi shqiptarëve se një nga rrugët
për të krijuar kushte të favorshme në
luftën për autonominë e Shqipërisë
dhe për të larguar rrezikun e copëtimit të
vendit ishte përmbysja e regjimit autokrat të sulltanit
dhe vendosja e një rendi kushtetues, që të
njihte të drejtat kombëtare të popujve të
shtypur. Për tia arritur këtij qëllimi,
një varg personalitetesh shqiptare hynë në
bashkëpunim me lëvizjen nacionale-borgjeze të
turqve të rinj? që lindi në vitet 80 të
shek. XIX dhe drejtohej kundër absolutizmit të sulltan
Abdyl Hamitit II. Pas formimit në Stamboll, në maj
të vitit 1889, të Komitetit të fshehtë
Bashkim e Përparim (Ittihad ve Terakki),
i cili pas disa vitesh u shpërnda nga qeveria e sulltanit,
turqit e rinj vijuan veprimtarinë e tyre kryesisht jashtë
vendit, ku gjatë viteve 1895-1896 formuan shoqëritë
e tyre dhe nxorën një varg organesh shtypi.
Programi i turqve të rinj, i formuluar në mënyrë
më të përcaktuar nga grupi i Ahmet Rizajt,
që ishte vendosur në mesin e viteve 90 në Paris
ku nxirrte gazetën Meshveret (Debatet),
ishte tepër i kufizuar, përmbante vetëm kërkesën
e zbatimit të ligjeve që kishin dalë nga koha
e Tanzimatit (1839-1876) dhe në mënyrë të
veçantë rivendosjen e kushtetutës së
vitit 1876, me të cilat synonin të forconin qëndrueshmërinë
e Perandorisë Osmane ndaj ndërhyrjes së huaj.
Turqit e rinj ishin kundërshtarë të autonomisë
së popujve të shtypur, nuk merrnin në konsideratë
çështjen kombëtare, që përbënte
problemin themelor të Perandorisë multietnike Osmane
dhe synonin në fund të fundit të forconin pushtetin
e saj të centralizuar mbi këta popuj. Thelbin e
këtij programi e përbënin ruajtja e unitetit
dhe e tërësisë së Perandorisë Osmane,
paprekshmëria e dinastisë osmane, por me kusht që
pushteti i saj arbitrar, absolutist, të shndërrohej
në një monarki kushtetuese parlamentare. Ideologjia
e tyre nuk arriti të ngrihej në shkallën e
mendimit nacional-borgjez më të përparuar të
kohës, por vijoi të mbështetej në osmanizmin,
panturkizmin dhe panislamizmin.
Megjithatë, kishte një pikë takimi ndërmjet
lëvizjes së turqve të rinj dhe Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare, që qëndronte në luftën
kundër absolutizmit të sulltanit, e cila ishte një
çështje që bashkonte shqiptarët e popujt
e tjerë të shtypur me xhonturqit, megjithëse
synimet e tyre në këtë luftë ishin të
ndryshme. Ndryshe nga turqit, shqiptarët me përmbysjen
e regjimit të Abdyl Hamitit II synonin të siguronin
autonominë dhe të hiqnin qafe zgjedhën turke.
Prandaj një pjesë e atdhetarëve u përfshinë
në lëvizjen e turqve të rinj qysh në fillimet
e saj dhe luajtën atje një rol të rëndësishëm.
Një nga themeluesit e komitetit të parë xhonturk
Bashkim e Përparim (1899) ishte shqiptari
nga Struga, Ibrahim Temo, student i shkollës së
lartë ushtarake-mjekësore të Stambollit. Edhe
pas arratisjes së tij nga Turqia në Rumani (nëntor
1895), doktor Ibrahim Temo mbeti një nga veprimtarët
më të dalluar të lëvizjes xhonturke dhe
njëherazi një nga pjesëmarrësit më
aktivë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Në lëvizjen e turqve të rinj morën pjesë
gjithashtu Ismail Qemali, Dervish Hima, Hamdi Ohri, Hoxha
Kadriu (Prishtina), Jashar Erebara dhe mjaft atdhetarë
të tjerë brenda e jashtë atdheut.
Qysh në vitet 1896-1897, kur shoqëria Bashkim
e Përparim nuk kishte ngritur ende organizatat
e saj në Rumeli, falë ndihmesës së degës
së Kostancës, të kryesuar nga dr. Ibrahim Temoja
dhe veprimtarëve të tjerë shqiptarë, ajo
arriti të shtrinte ndikimin e vet në Shkodër,
Durrës, Manastir, Ohër, Strugë, Dibër,
Elbasan, Tiranë, Korçë, Starovë, Berat,
Janinë dhe në qendra të tjera. Në disa
nga këto qytete ishin ngritur edhe bërthama të
shoqërisë Bashkim e Përparim, ndërsa
në Shkodër vepronte në vitet e fundit të
shek. XIX një degë e organizuar e kësaj shoqërie.
Këto degë kishin marrëdhënie me qendrat
e Gjenevës e të Londrës të Bashkim
e Përparimit. Nëpërmjet portit të
Durrësit dhe vijës Selanik-Manastir hynin në
Shqipëri, me anën e postës austriake, gazetat
e revistat e turqve të rinj, që shpërndaheshin
në qytete të ndryshme të vendit.
Shqiptarët që morën pjesë në lëvizjen
e turqve të rinj, u përpoqën të formonin
në gjirin e kësaj lëvizjeje një krah demokratik-përparimtar,
të përbërë kryesisht nga përfaqësues
të popujve të shtypur të Perandorisë Osmane
ose nga elementë të moderuar turq, që synonin
të përmbysnin absolutizmin e sulltan Abdyl Hamitit
dhe të shpallnin kushtetutën.
Duke qenë përfaqësues të Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare, këta veprimtarë, në
një varg thirrjesh drejtuar turqve e shqiptarëve,
në artikujt e botuar në shtypin e turqve të
rinj dhe në korrespondencat me Ahmet Rizanë e krerët
e tjerë xhonturq gjatë viteve 1896-1905, parashtruan
si kërkesa të ngutshme njohjen e kombësisë
shqiptare dhe çeljen e shkollave shqipe, bashkimin
e tokave shqiptare në një vilajet të vetëm,
madje formimin e një Shqipërie autonome. Këto
kërkesa u kundërshtuan nga Ahmet Rizaj dhe krerët
e tjerë të lëvizjes, që i quanin ato të
papranueshme për kombin sundues (turk) që
ishte në fuqi dhe për shtetin osman
që kishte si gjuhë të përgjithshme dhe
zyrtare atë osmane (turke).
Në Kongresin xhonturk të Parisit, që u mbajt
në shkurt të vitit 1902, morën pjesë përveç
turqve edhe shqiptarët (Ismail Qemali, Dervish Hima,
Jashar Erebara etj.), armenët, maqedonët, arabët
etj. Shqiptarët, midis të cilëve u shqua Ismail
Qemali, kërkuan që tu njiheshin atyre dhe
kombësive të tjera joturke liria e gjuhës dhe
e shkollës amtare, si edhe të drejtat e tjera politike.
Ismail Qemali theksoi gjithashtu nevojën e përgatitjes
së kryengritjes kundër absolutizmit të sulltanit,
ku të merrnin pjesë edhe forcat ushtarake. Por turqit
e rinj deri në fund të vitit 1907 mbetën në
pozita konservatore e reformiste, u shprehën kundër
revolucionit dhe kryengritjes, duke i quajtur ato të
dëmshme e shkatërrimtare për Turqinë.
Në këto rrethana, kur Shoqëria Bashkim
e Përparim nuk deshi tu njihte popujve joturq
asnjë të drejtë kombëtare, pjesëmarrja
e shqiptarëve në lëvizjen e turqve të
rinj, deri në pragun e Revolucionit xhonturk, nuk ishte
e gjerë. Sikurse dëshmon edhe shtypi i kohës
(Shqipëria, Bukuresht, 1897-1899; Drita,
Sofje, 1901-1908; Shkopi, Kajro, 1907-1908; Kombi,
Boston, 1906-1908 etj.), shumica e qarqeve atdhetare shqiptare
e shihnin me mosbesim lëvizjen e turqve të rinj
dhe deri në këtë periudhë mbajtën
ndaj saj një qëndrim të rezervuar, madje opozitar.
Edhe vetë turqit e rinj, deri në vitet 1905-1906,
nuk ndërmorën as në Anadoll, as edhe në
Rumeli, veprime konkrete politike, organizative e të
armatosura, që do ti tërhiqnin shqiptarët
dhe popujt e tjerë në lëvizje, por u kufizuan
me propagandën që shtypi i tyre i jashtëm bënte
kundër absolutizmit të sulltanit, për rivendosjen
e kushtetutës.
Zhvillimi me sukses i luftës së armatosur të
popullit shqiptar dhe atij maqedon nga njëra anë,
forcimi i ndërhyrjeve të Shteteve të Mëdha
dhe të atyre fqinje nga ana tjetër, i nxitën
turqit e rinj të shtonin përpjekjet për të
tërhequr në anën e tyre shqiptarët e maqedonët.
Në vitin 1906 u ngrit qendra e Selanikut e Bashkim
e Përparimit, që luante rolin e një komiteti
qendror për Turqinë evropiane dhe zhvillonte një
propagandë të gjerë në vilajetet e Rumelisë.
Në Kongresin e dytë, që u mbajt në Paris
në dhjetor të vitit 1907, turqit e rinj po për
këtë qëllim pranuan të përdornin
kryengritjen e armatosur si mjet të luftës kundër
absolutizmit të sulltanit dhe për të rivendosur
kushtetutën.
Në shpërthimin e shpejtë të revolucionit
ndikuan veçanërisht dy ngjarje të rëndësishme
ndërkombëtare, të cilat u vlerësuan si
hapa të mëtejshëm në politikën kapitulluese
të sulltanit përpara Fuqive të Mëdha dhe
si një kërcënim i rëndë për
tërësinë e Perandorisë. Në janar
të vitit 1908 ministri i Punëve të Jashtme
të Austro-Hungarisë, Erental, deklaroi se qeveria
e tij me pëlqimin e sulltanit do të fillonte ndërtimin
e hekurudhës së Mitrovicës. Në këtë
mënyrë Vjena do të lidhej drejtpërdrejt
me vijën hekurudhore që shkonte përmes vilajeteve
shqiptare të Kosovës e të Manastirit dhe dilte
në Selanik. Ndërtimi i një hekurudhe të
tillë do të lehtësonte depërtimin austriak
në dy vilajetet shqiptare dhe në territoret e tjera
me popullsi sllavo-maqedone. Si përgjigje ndaj këtij
veprimi të njëanshëm të Austro-Hungarisë,
në qershor 1908 u mbajt takimi i Revalit (Rusi), i carit
të Rusisë me mbretin e Anglisë, në të
cilin u arrit marrëveshja anglo-ruse mbi programin e
reformave të reja në Maqedoni, që do të
çonin në forcimin e kontrollit të këtyre
fuqive në Turqinë Evropiane.
Duke qenë tanimë të bindur se Turqia Evropiane
do të shkëputej nga Perandoria Osmane, qoftë
si rrjedhojë e ndërhyrjeve të Fuqive të
Mëdha, qoftë për shkak të lëvizjeve
çlirimtare shqiptare e maqedone, xhonturqit i shtuan
përpjekjet për organizimin e kryengritjes së
armatosur. Ky orientim i ri, si edhe premtimet që u bënë
shqiptarëve, maqedonëve e popujve të tjerë
për tu dhënë, bashkë me kushtetutën,
lirinë, barazinë, vëllazërimin dhe
drejtësinë, i siguruan udhëheqjes xhonturke
përkrahjen e këtyre popujve e në mënyrë
të veçantë të shqiptarëve. Në
këtë ndikuan edhe thirrjet që xhonturqit u
drejtuan shqiptarëve gjatë vitit 1908, të cilat
kishin një tingëllim antiimperialist, bënin
fjalë për synimet e Austro-Hungarisë
dhe të Italisë për të pushtuar vilajetet
shqiptare të Shkodrës, të Kosovës dhe
të Janinës. Në këto rrethana u rrit
ndikimi i xhonturqve mbi popujt e Rumelisë dhe veçanërisht
në Shqipëri.
Në pranverën e verën e vitit 1908, në
një varg qytetesh të Shqipërisë, si në
Ohër, Prespë, Strugë, Manastir, Shkup, Gjirokastër,
Shkodër, Prizren, Ferizaj, Mitrovicë etj., përveç
komiteteve kombëtare Për lirinë e Shqipërisë,
u formuan edhe komitetet xhonturke Bashkim e Përparim,
ku krahas turqve hynë edhe oficerë e intelektualë
shqiptarë. Suksese më të mëdha turqit
e rinj siguruan në repartet ushtarake, sidomos midis
oficerëve e ushtarëve shqiptarë. Shumica e
oficerëve shqiptarë të garnizonit të Shkupit
përkrahu lëvizjen e turqve të rinj. Në
verën e vitit 1908 u bënë të shpeshta
edhe veprimet kundërqeveritare të ushtarëve
dhe të oficerëve shqiptarë të garnizonit
të Shkodrës.
Zgjerimi i veprimtarisë së organizatave xhonturke
në Shqipëri e në Maqedoni u dha mundësi
turqve të rinj të fillonin kryengritjen. Më
3 korrik të vitit 1908 ngriti krye reparti ushtarak i
Resnjës, i komanduar nga oficeri shqiptar Ahmet Njaziu.
Kjo kryengritje u pasua nga ajo e majorit turk Enver Beut,
që shpërtheu më 6 korrik në Demir Hisar.
Këto dy ngjarje shënuan fillimin e Revolucionit
xhonturk, që u përhap pastaj në qytetet kryesore
të Shqipërisë e të Maqedonisë, të
cilat u bënë vatra e tij kryesore.
Në proklamatat, që Ahmet Njaziu dhe Komiteti Bashkim
e Përparim përhapën në ditët
e para të korrikut të vitit 1908 në qytetet
e fshatrat e Shqipërisë, theksohej se synimi i tyre
ishte të shpallnin kushtetutën dhe me këtë
akt tu siguronin gjithë popujve të perandorisë,
pa dallim feje, lirinë, barazinë, vëllazërinë
dhe drejtësinë, ndërsa fshatarëve
shqiptarë iu premtua se do ti çlironin nga
taksat dhe do ti shpëtonin nga arbitrariteti i
nëpunësve. Sikurse pohon Ahmet Njaziu në Kujtimet
e tij (Hatirati Niazi, Stamboll, 1910),
kryengritja u përkrah nga fshatarësia shqiptare
e rretheve të Resnjës, të Ohrit, të Starovës,
të Dibrës, të Elbasanit, të Korçës,
që formoi njësitë e saj vullnetare të
armatosura dhe u hodh në luftë kundër pushtetit
autokratik të sulltanit.
Qysh në ditët e para të revolucionit qeveria
e Stambollit, duke qenë e ndërgjegjshme për
rolin e shqiptarëve në këto ngjarje, dërgoi
kundër kryengritësve gjeneralin turk, Shemsi Pasha,
i cili, siç thuhej në një nga dokumentet
e kohës, njihej si specialist për shtypjen
e shqiptarëve. Por Shemsi Pasha, me vendim të
komitetit xhonturk të Manastirit, u vra sapo mbërriti
këtu, më 7 korrik të vitit 1908.
Përputhja e kërkesave të reja, që xhonturqit
shpallën në ditët e para të kryengritjes
së korrikut, me ato të lëvizjes shqiptare çoi
në bashkëpunimin ndërmjet komiteteve Për
lirinë e Shqipërisë dhe atyre xhonturke.
Që në ditët e para të kryengritjes Komiteti
i fshehtë i Korçës e përkrahu revolucionin
me njerëz e me të holla dhe u bëri thirrje
çetave shqiptare të bashkoheshin me repartet kryengritëse.
Ky akt pati rëndësi të veçantë,
sepse me këtë komitet ishin lidhur komitetet e fshehta
Për lirinë e Shqipërisë të
qyteteve të Shqipërisë së Jugut. Me kryengritjen
e turqve të rinj u bashkua që në ditët
e para edhe Komiteti shqiptar i Ohrit.
Me kryengritjen u bashkuan gjithashtu çetat e armatosura
shqiptare, të cilat iu përgjigjën thirrjes
për bashkëpunim, që Ahmet Njaziu, qysh më
5 korrik, u kishte drejtuar atyre e sidomos çetës
së Çerçiz Topullit, që kishte ndikim
të madh në Toskëri. Si komitetet, ashtu edhe
çetat shqiptare nuk hoqën dorë nga programi
i tyre kombëtar dhe gjatë bisedimeve me xhonturqit
paraqitën kërkesën e autonomisë së
Shqipërisë. Më 20 korrik 1908, pas takimit
që u bë në fshatin Çëravë
të Pogradecit, u arrit marrëveshja ndërmjet
përfaqësuesve të Ahmet Njaziut dhe atyre të
çetave shqiptare, të udhëhequra nga Çerçiz
Topulli. Shqiptarët paraqitën si kusht për
bashkëpunim kërkesën e autonomisë së
vendit, që Shqipëria të sundohej vetvetiu
nga një guvernator i dërguar prej sulltanit.
Mihal Gramenoja, pjesëmarrës aktiv i këtyre
ngjarjeve, shkruante në kujtimet e tij (Kryengritja
Shqiptare, Vlorë, 1925) se përfaqësuesit
e Njazi Beut nuk i kursyen premtimet e tyre dhe deklaruan
se do të plotësoheshin të gjitha kërkesat
e shqiptarëve.
Kuvendi i Ferizajt (14-23 korrik 1908).
Shpallja e kushtetutës
Lajmi mbi koncesionin e hekurudhës së Mitrovicës,
si edhe marrëveshja anglo-ruse për reformat në
Maqedoni, kishin krijuar në Kosovë një atmosferë
shumë të nderë. Shpërthimi në këto
rrethana i revolucionit përkoi në kohë me rritjen
e lëvizjes së popullsisë shqiptare kundër
zgjedhës turke dhe ndërhyrjeve të Fuqive të
Mëdha në Kosovë, që arriti kulmin e saj
me thirrjen e Kuvendit të Ferizajt, në korrik të
vitit 1908. Ky Kuvend, si edhe lëvizja shqiptare e qershor-korrikut
e vitit 1908, u zhvilluan për shkaqe krejtësisht
të veçanta dhe të ndryshme nga ato të
turqve të rinj dhe pikërisht për shkak të
rrezikut të aneksimit nga Austro-Hungaria të territoreve
shqiptare, përmes të cilave do të kalonte vija
hekurudhore austriake.
Lëvizja shqiptare, që solli si rrjedhim thirrjen
e Kuvendit të Ferizajt, i ka fillimet e saj në dhjetëditëshin
e fundit të muajit qershor të vitit 1908. Qëndresa
e armatosur filloi në rrethet e Mitrovicës qysh
në prill-maj të vitit 1908 dhe vijoi më pas
me grumbullimet e protestat e shqiptarëve në Prizren,
në Prishtinë e në tërë vilajetin
e Kosovës. Vatër e kësaj lëvizjeje u bë
Ferizaj. Në shpërthimin e zemërimit popullor
ndikoi edhe lajmi i përhapur ato ditë, sipas të
cilit Porta e Lartë kishte ndërmend tu shiste
austriakëve tokat rreth Ferizajt për ndërtime
dhe për vendosjen e kolonëve.
Më 5 korrik gjithë hapësira nga Kaçaniku
e deri në Lipjan, me një shtrirje prej 40 km, ishte
zënë nga shqiptarët e armatosur, të cilët
kishin ardhur nga Kaçaniku, Ferizaj, Morava e Epërme
dhe e Poshtme, madje edhe nga Podrima. Më 9 korrik, sipas
të dhënave konsullore serbe, në Ferizaj qenë
mbledhur 15 000 veta të armatosur.
Thirrjes së kryengritësve për t'u bashkuar
me ta, iu përgjigjën thuajse të gjitha kazatë
e vilajetit të Kosovës. Më 15 korrik u mblodhën
në Ferizaj njëri pas tjetrit krerët shqiptarë
të sanxhakut të Prishtinës, ata të sanxhakut
të Pejës, të atij të Prizrenit dhe të
krahinave veriore të Kosovës, midis të cilëve
qenë Isa Boletini, Ferhat bej Draga etj. nga Mitrovica;
Bajram Curri, Sulejman agë Batusha etj. nga Gjakova;
Qerim Mahmut Begolli etj. nga Peja; Jahja Beu dhe Rasim Aga
nga Prizreni; Mustafa Lita, Ramadan Zaskoku etj. nga Luma;
Fuat Pasha, Zenel agë Alushi etj. nga Prishtina; Zejnullah
Beu dhe Abdyl Kadri efendiu nga Vuçiterna; Murat Aga
etj. nga Tetova; Jakup Beu etj. nga Gjilani; Idriz Seferi
që njihet edhe si organizator i këtij Kuvendi, Islam
Pira, si edhe Hasan Prishtina.
Tubimin e tij të parë Kuvendi i Ferizajt e mbajti
më 14 korrik. Në këtë mbledhje delegatët
u shprehën kundër ndërhyrjeve të huaja,
kundër refomave, që do të sillnin copëtimin
e trojeve shqiptare dhe diskutuan për masat që duheshin
marrë për mbrojtjen e vendit nga një invazion
i mundshëm i jashtëm.
Kryengritësit kërkuan reforma për tërë
Turqinë Evropiane, me të cilat t'u siguroheshin
shqiptarëve dhe gjithë popujve të Perandorisë
të drejta të plota kombëtare, të barabarta
me ato të turqve, dhe që këto të garantoheshin
me ligj e me kushtetutë. Konsulli serb në Prishtinë,
dr. Peçanaci, duke u mbështetur në burime
që ai i merrte për të sigurta, i shkruante
Beogradit, më 15 korrik, se në Kuvend ishte diskutuar
edhe çështja e formimit të një Shqipërie
autonome dhe se pritej të merreshin vendime për
këtë problem. Megjithatë, deri më sot
nuk janë gjendur të dhëna të tjera që
të vërtetojnë se Kuvendi i Ferizajt shtroi
edhe kërkesën e autonomisë së Shqipërisë.
Shqiptarët u shprehën kundër projekteve të
Fuqive të Mëdha për zbatimin e reformave vetëm
për të ashtuquajturat vilajete maqedone, te të
cilat shihnin rrezikun e copëtimit dhe të aneksimit
të viseve shqiptare të vilajetit të Kosovës
dhe të atij të Manastirit nga shtetet fqinje.
Por ngjarjet e mëtejshme, ndikimi i propagandës
së turqve të rinj në radhët e lëvizjes
shqiptare dhe veçanërisht zhvillimi me sukses
i kryengritjes së turqve të rinj, i dha Kuvendit
të Ferizajt një drejtim disi të ndryshëm,
e tërhoqi atë në rrjedhën e lëvizjes
së përgjithshme kundër absolutizmit të
sulltanit, që dominoi jetën politike të Turqisë
Evropiane në vitin 1908.
Për të tërhequr në anën e vet masën
e madhe të kryengritësve shqiptarë, të
mbledhur në Ferizaj, Komiteti Qendror Bashkim e
Përparim, me qendër në Selanik, dërgoi
atje emisarët e vet, Galip Beun, komandat i xhandarmërisë
së Shkupit, një nga krerët e komitetit xhonturk
të atij qyteti dhe Selaedin Beun nga Manastiri, bashkë
me disa të tjerë, që u bënë thirrje
shqiptarëve të grumbulluar në Ferizaj të
bashkoheshin me Revolucionin xhonturk, të kërkonin
shpalljen e kushtetutës dhe mbledhjen e parlamentit.
Duke njohur aspiratat e vërteta kombëtare të
shqiptarëve, xhonturqit dhe emisarët e tyre, përveç
premtimeve për t'u dhënë atyre lirinë,
barazinë e drejtësinë, u munduan t'i bindnin
se me shpalljen e kushtetutës do të zhdukej edhe
rreziku që kërcënonte tërësinë
e territoreve shqiptare, do të merrnin fund ndërhyrjet
e kontrolli i huaj, si edhe arbitrariteti i administratës
osmane. Ata u premtuan gjithashtu shqiptarëve se me shpalljen
e kushtetutës do të shpëtonin nga taksat dhe
nga detyrimet e tjera të rënda, nga gjyqet e padrejta
dhe nga arbitrariteti i shtetit osman dhe se nuk do të
shkonin ushtarë.
Pas tri javë përpjekjesh turqit e rinj arritën
të tërhiqnin shqiptarët e grumbullur në
Ferizaj në Revolucionin e korrikut të vitit 1908.
Në këtë ndikoi edhe qëndrimi i përgjithshëm
i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, i komiteteve dhe
i çetave të armatosura shqiptare, që tanimë
qenë bashkuar me Revolucionin xhonturk.
Vendimi përfundimtar për t'u bashkuar me revolucionin
u mor më 20 korrik, kur pas diskutimeve që krerët
shqiptarë bënë në mbledhjet e fshehta,
Kuvendi i Ferizajt i dërgoi sulltan Abdyl Hamitit një
telegram, në të cilin kërkonte që të
rivendosej menjëherë kushtetuta e vitit 1876 dhe
të mblidhej parlamenti, që donte të thoshte
të vendosej në Perandorinë Osmane një
regjim monarkist kushtetues e parlamentar. Më 22 korrik
iu dërgua Pallatit një telegram tjetër, po
nga Kuvendi i Ferizajt, ku thuhej se në rast se nuk shpallej
menjëherë kushtetuta, populli me armë në
dorë do të zbriste drejt Stambollit. Mendimi se
masa prej 30 000 vetash të armatosur, të grumbulluar
në Ferizaj, mund të marshonte drejt Shkupit, Selanikut
e Stambollit shqetësoi jo vetëm sulltanin, por edhe
xhonturqit, që i kishin nxitur shqiptarët të
bashkoheshin me ta. Më 23 korrik, pa ardhur ende përgjigjja
nga Stambolli, kryengritësit shqiptarë shpallën
kushtetutën në Manastir, në Selanik, në
Preshevë, në Kopryly dhe në qendra të
tjera.
Bashkimi po ato ditë me xhonturqit i ushtrisë dhe
sidomos i Armatës II të Maqedonisë, shumica
e ushtarëve dhe e oficerëve të së cilës
ishin shqiptarë, si edhe përkrahja e kryengritjes
nga Kuvendi i shqiptarëve i mbledhur në Ferizaj,
ishin faktorët vendimtarë, që përcaktuan
fitoren e Revolucionit të korrikut të vitit 1908.
Më 23 korrik repartet kryengritëse, të përshëndetura
nga popullsia hynë në Selanik, në Manastir
dhe në qytete të tjera, ku në emër
të ushtrisë dhe të popullit shpallën
rivendosjen e kushtetutës së vitit 1876.
Në rrethanat kur administrata osmane në Rumeli ishte
shthurur dhe zotër të situatës ishin bërë
xhonturqit, si edhe përballë rrezikut të një
sulmi të ushtrisë kryengritëse kundër
Stambollit, Abdyl Hamiti u detyrua të pranonte, natën
e 23-24 korrikut, shpalljen e kushtetutës së vitit
1876 dhe rivendosjen e rendit kushtetues.
Regjimi i turqve të rinj dhe qëndrimi i shqiptarëve
ndaj tij (24 korrik - tetor 1908)
Shpallja e kushtetutës a e Hyrietit (lirisë), si
në gjithë Perandorinë Osmane edhe në Shqipëri
u prit me gëzim e entuziazëm nga gjithë populli
shqiptar, që vuante prej shekujsh nën sundimin e
autokracisë së sulltanëve. Në manifestimet
që shpërthyen në mënyrë spontane
në qytete të ndryshme të vendit, nën parullat
e përhapura në atë kohë liri, barazi,
vëllazëri dhe drejtësi, populli shprehu
solidaritetin me revolucionin dhe kushtetutën. Të
pritur me gëzim nga populli, zbritën nga malet në
qytete luftëtarët e lirisë, çetat kryengritëse,
që kishin luftuar kundër tiranisë së sulltanit
për çlirimin e Shqipërisë.
Drejtuesit e shumë aktivistë të Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare shpresonin se me shpalljen e kushtetutës
shqiptarëve dhe gjithë kombësive të shtypura
do tu siguroheshin liritë politike e barazia, të
premtuara nga turqit e rinj. Vetëm disa përfaqësues
konservatorë të parisë e të klerit të
lartë myslimanë, që merrnin pensione e shpërblime
nga sulltani, e pritën shpalljen e kushtetutës në
mënyrë të ftohtë e të përmbajtur.
Manifestime të mëdha u mbajtën më 24-29
korrik në qytetet kryesore të Shqipërisë
së Jugut, të Mesme, si edhe në Shkodër
e në qytetet e Kosovës. Gjatë këtyre mitingjeve
populli përshëndeti shpalljen e kushtetutës
dhe shprehu njëherazi besnikërinë ndaj Shqipërisë
dhe dashurinë për gjuhën shqipe. Në shumë
nga këto qytete ushtarët turq vëllazëroheshin
me luftëtarët e çetave.
Në këto manifestime populli shfaqi gjithashtu aspiratat
e tij kombëtare. Shpallja e kushtetutës u kuptua
si shpallja e lirisë dhe e të drejtës së
vetëqeverisjes së Shqipërisë. Qysh në
ditët e para pas fitores së revolucionit, në
shumë qytete, si në Vlorë, Krujë, Durrës,
Tiranë, Prizren, Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Kaçanik
etj., populli me nismën e vet filloi të dëbonte
nëpunësit e aparatit të vjetër administrativ,
mutesarifët, kajmekamët, gjykatësit, komandantët
e xhandarmërisë, të policisë etj., dhe
bëri përpjekje për të marrë pushtetin
në duart e veta, duke krijuar komisione që kryenin
funksionet e organeve të vetëqeverisjes, pajtonin
gjaqet dhe mbanin rregullin e qetësinë. Shkupi e
kremtoi shpalljen e kushtetutës më 25 korrik, në
rrethana të veçanta, i rrethuar nga forcat e këmbësorisë
e të artilerisë turke, që u ngarkuan të
ndalonin hyrjen në qytet të katër mijë
fshatarëve të armatosur, të cilët donin
të shpallnin autonominë e Shqipërisë me
qendër në Shkup. U lejuan të hynin në
qytet vetëm disa dhjetëra nga prijësit e kryengritësve
shqiptarë, që u pritën me gëzim nga populli.
Duke parë shthurjen e plotë të administratës
së vjetër osmane në Shqipëri, turqit e
rinj shpejtuan të krijonin në të gjitha qytetet
e vendit komitetet osmane Bashkim e Përparim,
të cilat do të përqendronin pushtetin në
duart e tyre, derisa të formohej qeveria e re. Menjëherë
pas shpalljes së kushtetutës, në ditët
e fundit të korrikut dhe në fillim të gushtit,
komitete të tilla të Bashkim e Përparimit
u formuan në Tiranë, në Durrës, në
Kavajë, në Krujë, në Berat, në Vlorë
e më pas në gjithë Shqipërinë. Në
radhët e tyre hynë anëtarët e komiteteve
lokale të turqve të rinj, oficerë xhonturq,
por edhe përfaqësues të popullsisë shqiptare.
Për shkak të përfaqësimit të gjerë
të shqiptarëve dhe veprimtarisë së tyre
në të mirë të lëvizjes kulturore-kombëtare,
këto komitete shprehnin më shumë aspiratat
e popullsisë shqiptare sesa të xhonturqve.
Në Vlorë komiteti osman i bashkimit u kujdes për
të ngritur një shtypshkronjë për botimet
në gjuhën shqipe. Në Berat ky komitet iu kushtua
përhapjes së gjuhës shqipe, për të
cilën zhvilloi një veprimtari të gjerë
në qytet dhe në fshatra. Në Tiranë një
komitet i tillë (me emrin Shoqëria mirëbërëse)
dhe komisioni që doli prej tij, i drejtuar nga Refik
bej, Abdi bej dhe Fuat bej Toptani, mori përsipër
mbajtjen e rendit e të qetësisë në vend,
si edhe kujdesin për futjen e gjuhës shqipe në
shkollat shtetërore dhe për hapjen e shkollave shqipe.
Në vilajetin e Kosovës, për shkak të gjendjes
së acaruar politike, xhonturqit ngritën komitetet
osmane të Bashkim e Përparimit, vetëm
në ndonjë qendër si në Shkup e në
Ferizaj, ndërsa në shumicën e qyteteve të
tjera të kësaj province formuan komisione të
përzjera, në të cilat merrnin pjesë përfaqësues
të parisë së vendit dhe të komiteteve
të turqve të rinj. Megjithatë, ata arritën
ta kthejnë Komitetin Bashkim e Përparim
të Shkupit në një organ të rëndësishëm
qeveritar për gjithë këtë provincë.
Revolucioni xhonturk dhe shpallja e kushtetutës krijuan
kushte disi të favorshme për zhvillimin e lëvizjes
shqiptare e sidomos të asaj kulturore-kombëtare.
Në rrethana të tilla, kur edhe shqiptarët ende
nuk e kishin humbur besimin te regjimi i ri kushtetues dhe
shpresonin se në kushtet e tij do të përmbushnin
aspiratat e tyre kombëtare, pothuajse të gjitha
forcat politike shqiptare u bashkuan në mendimin se lëvizja
kombëtare duhej të zhvillohej duke respektuar këtë
regjim, duke përfituar prej lirive të shpallura
prej tij dhe pa shtruar si qëllim të afërm
përmbysjen e tij me anën e dhunës, me rrugën
e kryengritjes së armatosur.
Shumica e veprimtarëve të lëvizjes kombëtare
brenda e jashtë vendit dhe organet e shtypit atdhetar,
e quanin të dobishme që shqiptarët të
shfrytëzonin liritë që u dha kushtetuta për
të zhvilluar në mënyrë legale lëvizjen
kulturore-kombëtare, për të hapur shkolla shqipe
në tërë vendin, për të përhapur
me të gjitha mjetet mësimin e gjuhës shqipe
dhe për lëvrimin e saj të mëtejshëm.
Zhvillimi i lëvizjes kulturore shihej si një nga
mjetet më të rëndësishme për ngritjen
e ndërgjegjes politike të popullit dhe për
forcimin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve.
Megjithatë, edhe në këto kushte u vunë
re dallime ndërmjet atdhetarëve shqiptarë,
me pikëpamje radikale dhe atyre të krahut të
moderuar, që u shprehën në qëndrimet e
ndryshme ndaj objektivit kryesor të Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare, ndaj luftës politike për autonominë
e Shqipërisë, që kundërshtohej me ashpërsi
nga xhonturqit.Të parët theksonin se kishte një
dallim thelbësor midis synimeve të turqve të
rinj, që përpiqeshin të ruanin sundimin osman
në Shqipëri, dhe aspiratave të shqiptarëve
për çlirimin kombëtar, midis asaj që
ishte arritur pas fitores së revolucionit dhe programit
themelor të lëvizjes shqiptare, formimit të
një Shqipërie autonome. Ky krah radikal i Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare, ndonëse këmbëngulte
për të shfrytëzuar liritë e shpallura
kushtetuese në të mirë të lëvizjes
për zhvillimin e arsimit e të kulturës shqiptare,
nuk e shihte këtë si një qëllim të
fundit, por si një mjet për arritjen e objektivit
themelor të lëvizjes shqiptare, të autonomisë
së Shqipërisë dhe të çlirimit të
saj nga robëria osmane. Disa ditë pas shpalljes
së kushtetutës, më 31 korrik 1908 gazeta Kombi
shkruante se dëshira dhe mejtimi i çdo shqiptari
duhet të jetë vetëqeverimi dhe storasja (shpallja
- shën. i aut.) e një konstitucie kombëtare,
e një shteti shqiptar. Atje duhet të drejtohen të
gjitha veprimet tona. Në shkrimet e botuara në
gazetën Shkopi (15 nëntor 1908) u bëhej
thirrje shqiptarëve të hapnin shkolla shqipe, por
të kërkonin edhe të drejtat e tyre politike,
njohjen e kombit shqiptar nga qeveria osmane dhe të punonin
për vetëqeverimin e Shqipërisë.
Këto qarqe atdhetare i mbaheshin pikëpamjes se kërkesat
politike, siç ishin ajo e njohjes së kombit shqiptar
dhe e autonomisë, nuk mund të plotësoheshin
në kuadrin e bashkëpunimit me xhonturqit, që
i kundërshtonin ato, por vetëm me një zhvillim
dhe organizim të pavarur të Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare. Ngjarjet e mëvonshme treguan se edhe në
luftën për të siguruar lirinë e shkollës
e të shkrimit shqip, që përbënin një
nga të drejtat më elementare njerëzore e kombëtare,
shqiptarët do të ndesheshin me kundërshtimin
dhe me dhunën e turqve të rinj.
Krahu i moderuar i lëvizjes kombëtare të periudhës
së pasrevolucionit xhonturk, i mbahej pikëpamjes
se shqiptarët në këto kushte të reja nuk
duhej të shtronin kërkesa politike, por të
kufizoheshin vetëm me kërkesa humanitare, arsimore
e kulturore, të punonin për të përhapur
arsimin në Shqipëri nëpërmjet klubeve,
gazetave e shkollave shqipe, të paktën për
një periudhë 10-20- vjeçare. Këto parashikohej
të arriheshin nëpërmjet një bashkëpunimi
të plotë e pa kushte me xhonturqit. Qëndrime
të tilla u shprehën nga atdhetarë të këtij
grupimi në organet e ndryshme të shtypit shqiptar,
por sidomos në gazetën Liria (Selanik,
1908-1910), të drejtuar nga Mithat Frashëri, drejtor
për çështjet e jashtme të vilajetit
të Selanikut, e cila u bë zëdhënëse
e këtij krahu të moderuar. Në shkrimet e botuara
në këtë gazetë pas revolucionit (më
17 korrik e 21 korrik, më 18 gusht e 18 tetor 1908 etj.),
theksohej se shqiptarët do të përmbushnin kërkesat
e tyre arsimore e kulturore dhe do të shijonin
frytet e kulturës së sotme, nëse do të
hynin në komunitet me turqit dhe do të
bashkëpunonin me xhemijetin (Komitetin Bashkim
e Përparim), i cili i do të mirën dhe
i jep të drejta çdo kombi; se shqiptarët
dhe xhonturqit nuk i ndante asgjë, se ata kishin
qëllime e dëshira të njëjta
dhe se përparimi i Shqipërisë nuk do të
arrihej pa ndihmën e mirëdashjen e qeverisë
turke.
Në të vërtetë turqit e rinj pas ardhjes
në fuqi hoqën dorë nga premtimet, që u
kishin bërë shqiptarëve për tu dhënë
të drejtën e autonomisë. Në çështjen
kombëtare ata mbajtën qëndrim të hapur
shovinist. Përballë prirjeve autonomiste të
popujve të shtypur, xhonturqit vunë doktrinën
e osmanizmit, e cila ishte shpallur në kushtetutën
e vitit 1876 (Neni 8) dhe u përfshi pastaj edhe në
programin, që Komiteti Qendror Bashkim e Përparim
miratoi në mbledhjen e mbajtur në Selanik, në
ditët e para të shtatorit të vitit 1908. Me
ndihmën e kësaj doktrine, që i shpallte të
gjithë shtetasit e Perandorisë osmanllinj
dhe si të tillë gjoja të barabartë para
ligjit, turqit e rinj synonin të mohonin ekzistencën
e popujve të tjerë e të çështjes
kombëtare në Turqi dhe të mos u njihnin kombësive
joturke të drejtat më elementare. Ata shpallën
gjuhën turke si gjuhë zyrtare e të detyrueshme
në organet shtetërore e në shkollat. Doktrina
e osmanizmit tregoi se xhonturqit do të vijonin politikën
e vjetër të asimilimit të popujve të shtypur,
të turqizimit të tyre. Një politikë e
tillë i ktheu në fraza boshe parimet e mëdha
demokratike të shpallura nga xhonturqit gjatë revolucionit:
Liri, Barazi, Vëllazëri
dhe Drejtësi.
Në rrethana të tilla qysh në periudhën
e parë të pasrevolucionit dolën në shesh
kontradiktat ndërmjet Lëvizjes Kombëtare Shqiptare,
synimeve të saj për vetëqeverisjen e vendit,
madje edhe kërkesave të saj më të thjeshta
kulturore-kombëtare dhe pushtetit të turqve të
rinj, që synonin të ruanin me çdo mjet sundimin
e tyre mbi shqiptarët e popujt e tjerë dhe tërësinë
e Perandorisë Osmane. Në këto orvatje turqit
e rinj u përkrahën nga kategori të caktuara
të shoqërisë shqiptare, nga paria konservatore,
e lidhur me interesa ekonomikë e politikë me këtë
Perandori, nga nëpunës të aparatit shtetëror,
rrethe burokratike-ushtarake etj. Ata u përpoqën
gjithashtu të tërhiqnin pas vetes edhe veprimtarët
e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe veçanërisht
përfaqësuesit e krahut të saj të moderuar.
Klubet kombëtare (1908)
Atdhetarët rilindës, pa marrë parasysh pengesat
që nxirrnin xhonturqit, duke e vlerësuar gjithnjë
si detyrë kryesore luftën për çlirimin
e Shqipërisë nga zgjedha turke, shfrytëzuan
mundësitë legale që u krijuan pas shpalljes
së kushtetutës për të organizuar në
përmasa mbarëshqiptare lëvizjen politike-kulturore,
për ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes
kombëtare dhe për bashkimin e popullit. Për
këtë qëllim menjëherë pas revolucionit
u ngritën klubet kombëtare, që u shtrinë
në qytetet e në fshatrat e vendit dhe në qendra
të tjera të Perandorisë ku kishte shqiptarë,
filloi ngritja e shkollave shqipe, dhënia e mësimit
të gjuhës amtare në shkollat e huaja në
Shqipëri dhe u bënë përpjekje për
miratimin e përdorimin e një alfabeti të vetëm
për gjuhën shqipe.
Më 31 korrik 1908 u themelua klubi Bashkimi
i Manastirit, me kryetar Fehim Zavalanin që sapo ishte
liruar nga internimi, nënkryetar Gjergj Qiriazin dhe
sekretar Naum Naçin. Ishte ndër klubet më
të mëdha dhe më të rëndësishme,
që luajti një rol të veçantë në
formimin e klubeve të tjera dhe në zhvillimin e
Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në periudhën
e regjimit xhonturk. Menjëherë pas themelimit të
tij, klubi i Manastirit dërgoi në qytetet e tjera
të vendit emisarët e vet për të propaganduar
idetë kombëtare të shqiptarëve, siç
ishin bashkimi i vilajeteve të Shqipërisë dhe
ruajtja e tërësisë së saj. Në shembullin
e tij dhe me nismën e atdhetarëve, u formuan në
muajt gusht-shtator 1908 klubi i Korçës, i Vlorës,
i Elbasanit, i Shkodrës, i Shkupit (Klubi arsimor
shqiptar), i Kumanovës, i Tetovës, i Beratit,
i Selanikut, i Stambollit, i Pogradecit, i Janinës, i
Filatit. Në periudhën e mëvonshme u ngritën
klubet shqiptare në qytetet dhe në qendrat e tjera
të Shqipërisë, në Tiranë, Durrës,
Gramsh, Gjirokastër, Ohër, Strugë, Gjilan,
Dibër, Vuçiternë, Tepelenë, Delvinë,
Filat, Follorinë, Kurvelesh, Përmet, Pogon, Konicë,
Negovan, Bellkamen etj. Në gjithë Shqipërinë
u ngritën atëherë më shumë se 40
klube.
Klubet ishin organizata të gjera demokratike, të
cilat përfshinin në gjirin e tyre përfaqësues
të shtresave të ndryshme të popullsisë.
Në klube merrnin pjesë intelektualë, nëpunës
të aparatit shtetëror e mësues shkollash, përfaqësues
të borgjezisë qytetare, të prodhuesve e të
tregtarëve të vegjël të qytetit e të
fshatit, të bejlerëve-çifligarë, të
oficerëve, si edhe të parisë të lidhur
me sunduesit osmanë. Ato bashkonin në gjirin e tyre
të gjitha rrymat politike të lëvizjes kombëtare,
si atdhetarët me pikëpamje radikale, ashtu edhe
të moderuarit, ndërsa në udhëheqjen e
tyre zotëronin intelektualët e dalluar edhe më
parë për veprimtari atdhetare. Klubet nuk kishin
një program të vetëm e të përbashkët.
Por statutet e tyre (si Kanonizma e ligje klubit
të shqiptarëve në Manastir, Sofje, 1908;
Kanonizma e klubit të Diturisë shqip
në Korçë, 1908; Kanonizma e klubit të
Gjirokastrës Drita, 1908; Rregullore
e shoqërisë së shqiptarëve në Janinë,
1908 etj.), ndonëse ishin të veçanta për
secilin klub, kishin një përmbajtje të përbashkët,
që i afronte klubet si organizata të njëjta
kombëtare. Pothuajse në të gjitha këto
statute kërkohej që kombi shqiptar të gëzonte
të gjitha liritë që garantoheshin nga një
regjim kushtetues, si edhe të drejtën e mësimit
të gjuhës amtare; vihej si detyrë të punohej
për bashkimin e kombit shqiptar, për të
ndriturit e tij duke përhapur dituritë, për
përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe dhe për
lëvrimin e saj, për ngritjen kulturore të popullit
duke hapur shkolla, shtypshkronja dhe duke botuar gazeta e
libra.
Për të mos u dhënë shkas xhonturqve të
mbyllnin klubet që vepronin në mënyrë
legale, atdhetarët theksonin se, duke punuar për
interesat e veçantë të kombit shqiptar, ata
do të vepronin gjithashtu në pajtim me qëllimet
e larta të Komitetit Bashkim e Përparim.
Ky qëndrim u përfshi në shumë nga statutet
e tyre, ndërsa pothuajse në të gjitha ato thuhej
se klubet nuk do të përziheshin në çështjet
politike. Në të vërtetë, shumica
e klubeve mori pjesë aktive në tërë jetën
politike të vendit dhe mbrojti me vendosmëri interesat
kombëtarë të popullit shqiptar.
Klubet gëzonin përkrahjen e popullit që i quante
ato si organet e veta në luftën për përmbushjen
e aspiratave kombëtare. Në mjaft raste popullsia
njihte më shumë autoritetin e klubeve, sesa atë
të administratës osmane.
Në periudhën e parë pas revolucionit xhonturqit
nuk guxuan të dilnin haptazi kundër klubeve, madje
u detyruan për një kohë të pajtoheshin
me zhvillimin e lëvizjes kulturore-arsimore shqiptare.
Në këtë qëndrim të Komitetit Bashkim
e Përparim ndikuan faktorë të tillë
politikë, si gjendja e nderë në Shqipëri
pas shpalljes së kushtetutës, roli i madh që
luajtën shqiptarët në Revolucionin e korrikut
të vitit 1908 dhe fakti që turqit e rinj nuk e kishin
stabilizuar ende diktaturën e tyre ushtarake. Ndërkaq,
turqit e rinj shtypën me rreptësi çdo prirje
të lëvizjes shqiptare për autonominë a
për pavarësinë e Shqipërisë, që
nuk munguan të shfaqeshin edhe në këto kushte,
ndërsa në ato raste, kur gjetën mbështetjen
e forcave turkomane vendase, ata u munduan të pengonin
formimin e klubeve shqiptare. Kështu, themelimi i klubit
Bashkimi në Elbasan u arrit pas një
konflikti ndërmjet atdhetarëve shqiptarë e
xhonturqve, që përkraheshin nga elementët turkomanë.
Në Tiranë e në Durrës xhonturqit, duke
pasur përkrahjen e disa klerikëve fanatikë
dhe të elementëve konservatorë turkomanë,
penguan për një kohë themelimin e klubeve shqiptare,
që u arrit pas qëndresës së vendosur të
popullit kundër klubit të oficerëve dhe komiteteve
xhonturke të këtyre qyteteve. Ngritja e klubit Labëria
në Vlorë u arrit gjithashtu pasi u kapërcyen
pengesat që nxorën xhonturqit dhe paria turkomane
e këtij qyteti. Në Shkodër në vjeshtën
e vitit 1908 xhonturqit, të mbështetur edhe në
ulematë e në disa hoxhallarë fanatikë
e turkomanë, shpërndanë për një kohë
klubin e këtij qyteti dhe kundërshtuan të gjitha
kërkesat për ngritjen e shoqërive kulturore
shqiptare. Këtu Komiteti Bashkim e Përparim
dhe ushtarakët xhonturq arrestuan më 26 gusht 1908
atdhetarin Dervish Hima, që sapo ishte kthyer në
Shkodër nga internimi, për shkak se kundërshtoi
propagandën xhonturke, që i shpallte shqiptarët
osmanllinj dhe mbrojti idenë e një Shqipërie
të lirë e të pavarur.
Ndërkaq turqit e rinj, qysh në fillim, duke u mbështetur
në elementët e moderuar, si edhe në ata turkomanë,
si Arif Hiqmeti (nënkryetar i klubit të Selanikut)
me shokë, arritën të ushtronin një ndikim
të fuqishëm në dy nga klubet më të
rëndësishme shqiptare, në atë të
Stambollit e të Selanikut, dhe u përpoqën që
me anën e tyre të vinin nën kontrollin e vet
të gjitha klubet, si dhe vetë lëvizjen kombëtare.
Por shumica e atdhetarëve shqiptarë nuk ra pre e
kësaj veprimtarie, i dënoi këto orvatje të
xhonturqve dhe nuk u pajtua me ata shqiptarë që
bashkëpunuan me ta. Kësaj periudhe i përket
pamfleti i Andon Z. Çajupit Klubi i Selanikut,
në të cilin fshikullohet rëndë bashkëpunimi
i drejtuesve të këtij klubi me xhonturqit.
Si lëvizja kombëtare, ashtu edhe klubet nuk e humbën
karakterin e vet luftarak e të pavarur. Të ndodhur
nën vëzhgimin e vazhdueshëm të autoriteteve
osmane, klubet e kishin gjithnjë më të vështirë
të zhvillonin legalisht e haptazi veprimtarinë e
tyre politike-kombëtare. Për këtë arsye
pranë tyre u krijuan komitete të fshehta, të
cilat merreshin me propagandën kundërosmane dhe
me organizimin e luftës për autonominë e vendit.
Nga komitetet e para të fshehta ishte ai që u themelua
në Vlorë në fund të gushtit 1908, si organ
drejtues i Lidhjes kombëtare për përkrahjen
e shkollave shqipe. Ky komitet, i përbërë
kryesisht nga ushtarakë, propagandonte idetë
e pavarësisë dhe kishte si qëllim të
parë organizimin e një aksioni energjik për
formimin e një Shqipërie autonome. Për
këtë arsye ai u shpërnda me ashpërsinë
më të madhe nga xhonturqit. Një komitet i tillë
i fshehtë u formua në vjeshtën e vitit 1908
pranë klubit Bashkimi të Manastirit.
Ky klub dërgoi njerëz për themelimin e komiteteve
të fshehta në qytetet e vilajeteve të Manastirit
e të Kosovës. Në nëntor të vitit
1908 komitetet e fshehta vepronin në Korçë,
në Kolonjë e në fshatrat përreth, në
Follorinë, në Kozhanë, në Selfixhe, në
të gjitha qytetet e vilajetit të Janinës, në
Gjakovë, në Shkup dhe në qendrat e tjera të
vilajetit të Kosovës. Më 7 dhjetor të
vitit 1908 konsulli austriak në Manastir njoftonte Vjenën
se komitete të tilla të fshehta qenë
ngritur tanimë në çdo qytet dhe fshat të
Shqipërisë. Me nismën e veprimtarit të
njohur të lëvizjes kombëtare Themistokli Gërmenji,
Komiteti i fshehtë i klubit të Manastirit vendosi
lidhje me komitetet e fshehta maqedone dhe bashkëpunoi
me to për të siguruar armë.
Komitetet e fshehta ndiqnin qëllime të rëndësishme
politike, punonin për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare
të popullit dhe për të bashkuar, nën drejtimin
e tyre, gjithë shqiptarët që ishin të
gatshëm të kundërshtonin regjimin xhonturk
dhe të siguronin në momentin e përshtatshëm
autonominë e Shqipërisë
Me veprimtarinë e tyre klubet dhe komitetet e fshehta
luajtën një rol të rëndësishëm
në organizimin e lëvizjes kombëtare në
këtë fazë të re të zhvillimit të
saj. Me nismën e klubeve, për herë të
parë në historinë e vendit, filluan të
botoheshin brenda në Shqipëri dhe në disa qytete
të tjera të Perandorisë gazeta në gjuhën
shqipe. Në Korçë dolën njëra pas
tjetrës gazetat: Korça (1908-1910),
nën drejtimin e Sami Pojanit; Lidhja Orthodokse
(1909-1910) dhe Koha (1911-1912), nën drejtimin
e Mihal Gramenos; në Manastir Bashkimi Kombit
(1909, 1910), nga Fehim Zavalani dhe më pas Drita
(1911-1912), nga Mustafa Hilmi Leskoviku; në Shkup Shkupi
(1911-1912), nën drejtimin e Jashar Erebarës; në
Janinë Zgjimi Shqipërisë
(1909-1910), nga Abdyl Hakiu; në Elbasan Tomori
(1910), nga Lef Nosi dhe organe të tjera. Nga organet
kryesore të shtypit shqiptar ishin gjithashtu Lirija
në Selanik (1908-1910), nga Mithat Frashëri; Shqipëtari
në Stamboll (1909-1911), nga Dervish Hima etj. Pranë
klubit të Manastirit e klubeve të tjera u ngritën
shtypshkronja për botimin e gazetave dhe të librave
shqip.
Jashtë Shqipërisë vijuan të botoheshin
organe të tilla të rëndësishme të
shtypit atdhetar shqiptar, si Shqypeja e Shqypenis
(1909-1911) në Sofje, nën drejtimin e Josif Bagërit
Shkopi (1907-1908) dhe Rrufeja (1909-1910)
në Egjipt, Dielli (1909-1910) në Boston,
Liri e Shqipërisë (1911-1915) në
Sofje etj. Në vitet 1908-1912 në Shqipëri dhe
jashtë botoheshin më shumë se 35 organe të
shtypit shqiptar.
Në organet e shtypit gjetën pasqyrim problemet dhe
ngjarjet kryesore të lëvizjes kombëtare të
viteve 1908-1912. Ato u bënë propaganduese të
ideve kombëtare dhe mbrojtëse të programit
politik të kësaj lëvizjeje. Shumica e tyre
edhe në gjendjen e re të krijuar pas shpalljes së
kushtetutës, quante si detyrë themelore të
Lëvizjes Kombëtare Shqiptare luftën për
çlirimin e Shqipërisë dhe për krijimin
e shtetit kombëtar shqiptar. Gazeta Kombi
shkruante për çporjen e xhonturqve dhe për
vetëqeverisjen e Shqipërisë (24 korrik
1908); Korça parashtronte hollësisht
kërkesën e formimit të një shteti autonom
shqiptar duke bashkuar katër vilajetet shqiptare në
një të vetëm, me kryeqytet Ohrin ose Manastirin,
me gjuhën shqipe si gjuhë zyrare, me një vali
të emëruar nga Stambolli dhe me nëpunës,
ushtri e oficerë shqiptarë (18 shkurt dhe 14 shtator
1909). Ideja e formimit të një shteti autonom shqiptar,
të një Shqipërie për shqiptarët
propagandohej edhe nga gazeta të tilla, si Dielli,
Bashkimi Kombit etj.
Me shkrimet e botuara, në vitet 1909-1910, kur xhonturqit
iu kundërvunë në përmasa më të
gjera lëvizjes kulturore-kombëtare shqiptare, filluan
të mbyllnin shkollat shqipe dhe po u impononin shqiptarëve
alfabetin arab, organet e shtypit atdhetar protestuan kundër
kësaj politike obskurantiste dhe shoviniste të Komitetit
Bashkim e Përparim. Dielli shkruante
në ato ditë se sot punërat në Shqipëri
janë më keq se në kohërat e Abdyl Hamitit
dhe se gjuha shqipe ndiqet më tepër se kurrë
ndonjëherë dhe u bënte thirrje shqiptarëve
të bashkoheshin dhe të zinin luftën e
vërtetë kundër armiqve të kombit tonë,
luftën e fundit kundër xhonturqve (17 shtator
1909).
Organe të tilla të shtypit, si Shqypeja e
Shqypenis, Korça, Dielli,
Shqipëtari etj., pasqyruan hap pas hapi konfliktin
e madh që shpërtheu në fillim të vitit
1910 për çështjen e alfabetit të gjuhës
shqipe, botuan një varg shkrimesh për mbrojtjen
e kulturës shqiptare, si edhe dhjetëra protesta,
që iu dërguan parlamentit e qeverisë turke
nga mësuesit atdhetarë, nga nxënësit e
shkollave dhe nga mitingjet që u mbajtën në
fillim të vitit 1910. Gazeta Korça
shkruante më 18 shkurt se me këto mitingje populli
shqiptar tregoi gatishmërinë e tij për
të mbrojtur shkronjat e veta qoftë edhe me gjak
po të ishte nevoja. Me shkrimet e tij shtypi shqiptar
u bë paralajmëtar i konfliktit të madh që
po piqej në Shqipëri ndërmjet popullit shqiptar
e xhonturqve, në fushën ekonomike, arsimore, kulturore
e politike, për tu shndërruar më pas
në një luftë të hapur të armatosur.
Shtypi atdhetar shqiptar u bë gjithashtu tribunë
dhe propagandues i kryengritjeve të mëdha kundërosmane
që shpërthyen në Shqipëri në vitet
1910-1912. Gazeta të tilla, si Kombi, Shqipëtari,
Shqypeja e Shqypenis etj., duke u bërë
jehonë ngjarjeve të Kryengritjes së Kosovës
të vitit 1910, shkruanin për qëndresën
e shqiptarëve të Prishtinës, të Kaçanikut,
të Shkupit, të Gjakovës, të Prizrenit,
të Pejës, të Lumës etj. kundër hordhive
të gjeneralit turk Shefqet Turgut pashës dhe dënonin
masakrat e papara të ushtrisë turke mbi kryengritësit,
mbylljen e klubeve e të shkollave shqipe, si edhe persekutimin
e internimin e atdhetarëve shqiptarë (Shqypeja
e Shqypenis, 15 maj 1910; Shqipëtari,
8 prill 1910, 26 maj 1910 etj.). Duke përkrahur Kryengritjen
e Malësisë së Mbishkodrës, të pranverës
së vitit 1911, shtypi atdhetar ftonte gjithë shqiptarët,
gegë e toskë, të rrëmbenin armët,
të bashkoheshin dhe të hidheshin në kryengritjen
e përgjithshme shqiptare për të shpëtuar
atdheun, për lirinë e Shqipërisë (Shqypeja
e Shqypenis, 2 prill 1911). Shtypi mbrojti programin
e autonomisë së Shqipërisë, ose Memorandumin
e Greçës të vitit 1911, dhe kërkoi
që ai të vihej në themel të kryengritjes
së përgjithshme shqiptare (Drita, Manastir,
7 dhe 28 korrik 1911).
Me shpërthimin e Kryengritjes së përgjithshme
të vitit 1912, veprimtarët rilindës, nëpërmjet
artikujve të botuar në organet e shtypit, i tregonin
popullit shqiptar se tanimë kishte ardhur koha të
zbatohej programi i autonomisë territoriale-administrative
të Shqipërisë, kërkonin nga Stambolli
që të njihte Shqipërinë autonome dhe u
bënin thirrje kryengritësve ta çonin deri
në fund luftën, të merrnin fuqinë
në dorë të tyre dhe të ngrinin një
qeveri të përkohshme që të mbante sigurimin
e vendit (Liri e Shqipërisë, Sofje,
18 qershor 1912, 11 gusht 1912).
Lufta për autonominë e Shqipërisë trajtohej
në shtypin atdhetar e lidhur ngushtë me qëndresën
ndaj politikës shoviniste të shteteve fqinje, të
cilët kundërshtonin çdo përpjekje për
formimin e një shteti autonom shqiptar. Gjithë veprimet
e këtyre shteteve, theksonte shtypi shqiptar më
1912, në pragun e Luftës Ballkanike, që nga
ngritja e shkollave të huaja e ndërhyrjet e vazhdueshme
në Shqipëri dhe deri tek armatosja e përgatitjet
për luftë, dëshmonin për synimet e tyre
për copëtimin e trojeve shqiptare (Drita,
7 qershor 1912). Në këto kushte, kur, siç
theksohej në organet e shtypit, Shqipërisë
i kanosej rreziku i copëtimit, kur po vihej në pikëpyetje
vetë ekzistenca e saj dhe e kombit shqiptar, shtrohej
si detyrë e ngutshme shkëputja e Shqipërisë
nga Turqia dhe formimi i një shteti të veçantë
shqiptar (Liri e Shqipërisë, 27 shkurt
1912).
Idetë atdhetare e përparimtare të propaganduara
nga shtypi shqiptar ndikuan fuqishëm në luftën
e popullit shqiptar për bashkimin dhe për çlirimin
kombëtar.
Çelja e shkollave shqipe dhe përhapja e mësimit
shqip (korrik-nëntor 1908)
Ndonëse u njihte të drejtën e arsimimit të
gjithë shtetasve të Perandorisë, pa dallim
feje, kushtetuta turke, duke i shpallur ata si osmanllinj
dhe turqishten si gjuhë mësimi zyrtare e të
detyrueshme në shkolla, mohonte në thelb të
drejtën e popujve joturq, rrjedhimisht edhe të shqiptarëve,
për tu arsimuar në gjuhën amtare dhe
për të pasur shkollat e tyre kombëtare. Në
këto kushte çelja e shkollave shqipe dhe përhapja
në popull e mësimit dhe e këndimt shqip, ashtu
si më parë, mbeti atribut i Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare, në mënyrë të veçantë
i klubeve dhe i shoqërive atdhetare shqiptare.
Qysh në ditët e para të formimit klubet, në
përputhje me statutet e programet e tyre, u bënë
qendra të veprimtarisë kulturore të atdhetarëve
shqiptarë, të përpjekjeve për hapjen e
shkollave dhe për lëvrimin e gjuhës shqipe.
Me nismën e tyre dhe me përkrahjen aktive të
popullit brenda pak muajve u hapën shkolla jo vetëm
në qytete, por edhe në fshatra. Nga shkollat e para
fillore shqipe, të çelura pas shpalljes së
kushtetutës, ishte ajo e Elbasanit, që u hap më
2 gusht 1908. Në gusht u hapën gjithashtu shkolla
të tjera shqipe, si ajo e Vlorës, e Kaninës,
e Tiranës dhe dy shkollat e Beratit. Gjatë muajve
shtator-tetor 1908 u çel shkolla e parë shqipe
në Gjirokastër (shkolla Liria), rifilloi
shkolla e vajzave e Korçës, u hap po në këtë
qytet një shkollë fillore për djem, të
dyja nën administrimin e misionit protestant, si edhe
shkollat shqipe në Filat e në Luros të Çamërisë.
Me përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë u hap
një shkollë shqipe në qytetin e Manastirit
dhe një tjetër në Nistrovë të Dibrës,
ndërsa në Prizren vijonte të funksiononte shkolla
shqipe e ngritur më parë.
U bënë hapat e parë edhe për hapjen e
shkollave shqipe në fshatra. Në gusht të vitit
1908 u çel shkolla e parë shqipe në Myzeqe,
në katundin Libofshë dhe po në këtë
periudhë të parë pas shpalljes së kushtetutës,
me nismën e klubit të Beratit dhe të atdhetarit
Hasan Koprëncka, u ngritën tri shkolla shqipe në
katundet Koprënckë, në Gostenckë dhe në
Çorovodë. Në nëntor filloi të funksionojë
një shkollë shqipe në Bellkamen.
Në disa nga qytetet e Shqipërisë, si në
Elbasan, në Berat, në Vlorë, në Tiranë
etj., hapja e shkollave shqipe u shoqërua me manifestime
popullore, ku morën pjesë mijëra njerëz,
dhe me ceremoni, ku u mbajtën fjalime me frymë atdhetare
dhe u hodhën parullat Rroftë liria!,
Rroftë gjuha shqipe!, Rroftë Shqipëria!
etj.
Ngritja e lëvizjes kulturore në Shqipëri e
shtyti Vjenën, që nëpërmjet ambasadorit
të saj në Stamboll, Pallaviçini, ti
kërkonte Portës së Lartë të fuste
mësimin e gjuhës shqipe në të gjitha shkollat
shtetërore të viseve shqiptare. Duke e parë
lëvizjen për mësimin e gjuhës shqipe si
një aspiratë të përgjithshme të kombit
shqiptar, Vjena e paralajmëronte Stambollin që të
mos e kundërshtonte atë dhe të mos ua linte
shqiptarëve ta arrinin vetë. Austro-Hungaria synonte
që me këtë ndërhyrje të siguronte
epërsinë në çështjen shqiptare,
e cila po merrte një rëndësi gjithnjë
e më të madhe.
Të themeluara me nismën e klubeve dhe të atdhetarëve
shqiptarë, shkollat shqipe nuk u ngritën mbi dasitë
fetare dhe, ndryshe nga ato turke, greke, vllahe, sllave etj.,
bashkonin fëmijët e të gjitha besimeve, myslimanë
e të krishterë. Ato dalloheshin gjithashtu për
karakterin e tyre kombëtar shqiptar e laik. Shkollat
u kthyen jo vetëm në qendra të arsimimit të
shqiptarëve, por edhe në vatra të zgjimit e
të bashkimit të tyre kombëtar.
Megjithëse në kushtet kur mungonte një sistem
shtetëror i arsimit kombëtar, shkollat shqipe nuk
kishin një program unik, në shumicën e tyre,
krahas lëndëve të kulturës së përgjithshme
(që jepen në të gjitha shkollat fillore të
çdo vendi, si bukurshkrimi, kënga, vizatimi, aritmetika
etj.), mësoheshin si të veçanta gjuha dhe
letërsia shqipe, historia e Shqipërisë, gjeografia
e Shqipërisë etj.
Ngritja e shkollave dhe mësimi i gjuhës shqipe u
shndërruan në një lëvizje të gjerë
patriotike. Shkollat i ndiqnin jo vetëm fëmijët,
por edhe të rriturit, për të cilët u krijuan
posaçërisht kurse të mbrëmjes, ku mësonin
shkrim e këndim zanatçinjtë, tregtarët,
shegertët, nëpunësit dhe në katunde bujqit.
Vetëm klubi Bashkimi i Manastirit ngriti
në këtë qytet disa kurse nate. Në klubin
e Elbasanit ishte ngritur një shkollë nate, ku mësonin
shkrim e këndim çdo mbrëmje rreth 60-70 djem
të rinj, myslimanë e të krishterë. Kurse
të tilla qenë ngritur gjithashtu pranë klubeve
të tjera ose pranë shkollave, në Korçë,
Gjirokastër, Janinë, Filat, Vlorë, Tiranë,
Durrës, Shkodër, Prizren, Shkup, në disa fshatra
të Skraparit etj. Klubet shqiptare plotësonin në
atë kohë, në një farë mënyre,
mungesën e shkollave shtetërore shqipe.
Sipas të dhënave dokumentare arkivore dhe atyre
të shtypit shqiptar, në periudhën gusht-nëntor
1908 në trevat shqiptare qenë ngritur rreth 20 shkolla
të ditës e 15 kurse a shkolla të mbrëmjes,
që dëshmonin për një përparim të
rëndësishëm në lëmin e arsimit kombëtar,
të panjohur më parë në Shqipëri.
Mësimin e gjuhës shqipe dhe të lëndëve
të tjera në këto shkolla e jepnin mësuesit
patriotë, si Hysen Ceka, Babë Dudë Karbunara,
Petro Nini Luarasi, Andrea Konomi, Thoma Papapano, Nuçi
Naçi, motrat Sevasti e Parashqevi Qiriazi, Josif Bagëri,
Musa Demi, Jani Minga, Jovan Ndreko, Toli Xhaxhollari etj.
Meqenëse nuk mjaftonin mësuesit, dhënia e mësimit
të gjuhës shqipe u bë një çështje
nderi e një detyrë e lartë atdhetare për
gjithë ata që mund ta kryenin atë, për
djemtë myslimanë e të krishterë
me zemër të nxehtë, sikurse i quante
në një nga letrat e tij të tetorit 1908 atdhetari
Sotir Kolea.
Gjuha shqipe mësohej edhe në mënyrë individuale
ose në kurse të drejtuara nga mësues e të
rinj atdhetarë, në qytete e në fshatra të
Shqipërisë, që ndiqeshin kryesisht nga të
rriturit, nga nëpunës të ndryshëm, hoxhallarë
e mësues të shkollave turke etj.
Duke marrë parasysh vështirësitë e mëdha
për hapjen e shkollave shqipe nga klubet dhe nga vetë
populli, atdhetarët shqiptarë bënë përpjekje
që mësimi i gjuhës shqipe të përfshihej
në sistemin shtetëror shkollor, në shkollat
shtetërore turke dhe në ato të huaja, greke
etj., që kishin buxhet të rregullt. Ky do të
ishte hapi i parë për kthimin më pas, të
paktën të shkollave fillore, në shkolla kombëtare,
me gjuhën shqipe si gjuhë mësimi. Qysh në
fillim të gushtit të vitit 1908, në Tiranë,
me përpjekjet e komisionit të kryesuar nga Refik
Toptani, u arrit të futej mësimi i gjuhës shqipe
në shkollat turke e në atë greke të këtij
qyteti. Klubi Bashkimi i Elbasanit dhe atdhetarët
e kryesuar nga Aqif pashë Elbasani mblodhën mjetet
e nevojshme financiare për të paguar mësuesit,
që do të jepnin mësimin e shqipes në shkollat
shtetërore dhe caktuan nga një mësues të
gjuhës shqipe për katër shkollat fillore turke,
për dy shkollat greke, si dhe një mësuese për
vajzat. Pranë klubit Bashkimi të Elbasanit
u ngrit një kurs mujor për përgatitjen e mësuesve
për gjuhën shqipe. Me gjithë kundërshtimin
e valiut të provincës së Manastirit nga varej
Elbasani, me këmbënguljen e atdhetarëve elbasanas
gjuha shqipe filloi të mësohej në shkollat
turke të atij qyteti qysh në vjeshtën e vitit
1908. Po në shtator u fut gjuha shqipe si gjuhë
mësimi në shkollën e komunitetit ortodoks të
Elbasanit, ndërsa gjuhës greke iu la vendi i dytë.
Në Korçë, me nismën e klubit të
këtij qyteti, në fillim të nëntorit u
fut gjuha shqipe si lëndë mësimi në shkollën
fillore turke. Pas kërkesave energjike të mësuesve
dhe të nxënësve gjirokastritë, administrata
osmane u detyrua të fuste shqipen edhe në shkollat
turke të Gjirokastrës. Mësimi i shqipes u fut
gjithashtu në shkollat shtetërore turke të
Vlorës dhe në shkollën turke për vajza
të Beratit. Në Vlorë që në vitin
shkollor 1908-1909 gjuha shqipe filloi të mësohej
edhe në shkollën greke të këtij qyteti,
që kishte si drejtor mësuesin atdhetar Jani Minga.
Futja e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat
greke ose të komunitetit ortodoks u arrit pas kapërcimit
të pengesave që nxirrnin qarqet politike të
Greqisë dhe klerikët ortodoksë shqiptarë,
që u shërbenin atyre.
Me nismën e disa mësuesve e klerikëve atdhetarë
shkrimi e këndimi shqip mësohej edhe në shkollat
turke të disa fshatrave, si në Bilisht, në
Kolonjë, në Devoll, në Frashër etj.
Përpjekje për futjen e gjuhës shqipe në
shkollat shtetërore turke, madje edhe për shndërrimin
e tyre në shkolla shqipe bëri në shtator të
vitit 1908 klubi i Shkupit dhe veçanërisht Nexhip
Draga, që ishte një nga drejtuesit e tij. Në
disa shkolla fillore të fshatrave të Kosovës,
si në Pakashticë, në Dumnicë, në
Dumosh etj., mësuesit e klerikët atdhetarë,
si Mulla Zeka, Mulla Hamiti, Mulla Dema, Mulla Bajram Dumnica
etj., bënë përçapje për të
futur mësimin e gjuhës shqipe dhe për tu
mësuar fëmijëve shkrimin e këndimin e
shqipes.
E ndodhur përballë kërkesave këmbëngulëse
të popullsisë shqiptare për ngritjen e shkollave
shqipe, Ministria e Arsimit nxori në tetor të vitit
1908 urdhëresën sipas së cilës gjuha shqipe
futej si lëndë mësimi në shkollat shtetërore
turke, në ato fillore (mejtepet) dhe gjysmë të
mesme (ruzhdie). Edhe pse qeveria, nëpërmjet administratës
lokale, nxirrte pengesa të shumta për zbatimin e
këtij dekreti, publikimi i tij i dha një shtysë
të re lëvizjes për futjen e gjuhës shqipe
si lëndë mësimi në të gjitha shkollat
shtetërore. Në fundin e tetorit klubi shqiptar Bashkimi
i Janinës vendosi të fuste gjuhën shqipe në
të gjitha shkollat turke, si dhe të themelohej në
Janinë një shkollë shqipe për përgatitjen
e mësuesve të gjuhës shqipe për gjithë
vilajetin.
Edhe nxënësit e shkollave të Prishtinës
dhe ata të gjimnazit të Manastirit, duke përfituar
nga dekreti i qeverisë turke, kërkuan nëpërmjet
peticioneve dërguar Stambollit, që gjuha shqipe
të mësohej edhe në shkollat e mesme. Qeveria
turke u detyrua ti pranonte këto kërkesa dhe
urdhëroi që gjuha shqipe të mësohej edhe
në shkollat e mesme (idadie) të këtyre qyteteve.
Në vjeshtën e vitit 1908 mësimi i gjuhës
shqipe u fut në gjimnazin shtetëror turk të
Manastirit.
Në kohën kur qeveria turke nuk bënte asnjë
shpenzim për shkollat shqipe dhe i nxirrte pengesa të
shumta përhapjes së tyre, ato mbaheshin vetëm
me përkrahjen e ndihmën materiale që jepte
populli dhe klubet shqiptare; në shumë qytete, si
në Elbasan, në Tiranë etj., me nismën
e klubeve dhe të atdhetarëve, që në gusht
të vitit 1908 u krijuan për këtë qëllim
fonde kombëtare. Në qytetin e Beratit për mbajtjen
e dy shkollave u caktua me kërkesën e atdhetarëve
një taksë prej 10 paresh për çdo lëkurë
që shitej dhe u vendos të vihej monopoli mbi shitjen
e vajgurit. E njëjta gjë ndodhi edhe në qytetet
e tjera.
Ngritja e shkollave shqipe dhe përhapja e mësimit
të gjuhës shqipe solli shtimin e nevojave për
abetare e libra shqip, të cilët dërgoheshin
në Shqipëri nga kolonitë atdhetare të
mërgimit, nga ajo e Bukureshtit dhe e Sofjes. Kërkesa
të shumta për libra shqip u vinin çdo ditë
nga të gjitha anët e Shqipërisë klubit
Bashkimi të Manastirit, klubit të Korçës
dhe klubeve të tjera, sidomos shoqërisë Bashkimi
të Bukureshtit dhe shtypshkronjës Mbrothësia
të Kristo Luarasit në Sofje. Në një nga
letrat e tij të gushtit 1908, klubi i Manastirit i shkruante
shoqërisë Bashkimi të Bukureshtit
se tërë Shqipëria kërkonte libra.
Qindra abetare e libra shqip i kërkoheshin klubit të
Elbasanit nga popullsia e këtij qyteti, si edhe nga Peqini,
Gramshi e Lushnja, ndërsa nga Vlora në fund të
gushtit 1908 u kërkuan 1 000 abetare të Sami Frashërit
dhe 800 libra këndimi, të cilat u shpërndanë
edhe në rrethin e Beratit. Kërkesa të shumta
për libra shqip i vinin klubit të Korçës
nga ky qytet dhe më shumë nga Kolonja, Starova,
Opari e nga fshatra të tjera.
Më të kërkuar ishin librat e Sami Frashërit,
si Abetarja, Shkronjëtorja, Dheshkronja;
librat e Naim Frashërit, si E këndimit e çunave
këndonjëtoreja, Mësimet,
Dituritë, Gjithësia, Vjersha
për mësonjëtoret e para, si edhe veprat
e tjera, si Shqipëria çka qënë,
çështë e çdo të bëhetë?
(e Sami Frashërit); Bagëti e Bujqësija,
Lulet e verës dhe Skënderbeu
(të Naim Frashërit); Mirëvetia
e Numeratorja (të Jani Vretos); Abetarja
(e Gasper Benusit); Fizika (e Gjergj Qiriazit)
etj.
Qysh në ditët e para pas shpalljes së kushtetutës,
në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit
1908, Shoqëria Bashkimi e Bukureshtit dërgoi
në Shqipëri (klubit të Manastirit) 20 000 copë
abetare e libra të tjerë shqip. Në Korçë
brenda disa javësh u shitën 15 000 abetare shqipe.
Kristo Luarasi, në një nga letrat e tij të
4 gushtit, shkruante se përveç 400 librave që
kishte bërë gati për ti dërguar
në Shqipëri, do të çonte në
Tiranë edhe 1 000 abetare gegërisht dhe 800 libra
të tjerë, që i kishte gati në Sofje.
Zhvillimi i lëvizjes politike-kulturore kombëtare
ndeshi jo vetëm në pengesat e autoriteteve xhonturke,
por edhe në kundërshtimin e atyre klerikëve
konservatorë, myslimanë e ortodoksë, që
u shërbenin fuqive të huaja. Në Tiranë,
në Durrës, në Shkodër, në Ohër,
në Strugë, në Dibër dhe në vende
të tjera klerikët turkomanë u përpoqën
të ndalonin shkrimin dhe mësimin e gjuhës shqipe,
duke e shpallur atë në kundërshtim me fenë
myslimane e me kuranin. Në disa nga këto qendra
administrata lokale turke kërcënonte me internim
atdhetarët që përhapnin shkrimin e shqipes,
ndërsa në Shkodër nxiti klerikët fanatikë
myslimanë ti dërgonin telegrame të stisura
Ministrisë së Brendshme, në të cilat thuhej
se nuk njihnin gjuhë tjetër zyrtare veç turqishtes.
Edhe shovinistët grekë e klerikët ortodoksë
grekomanë u orvatën të pengonin hapjen e shkollave
të para shqipe në Shqipërinë e Jugut.
Këta vijuan të përdornin për këtë
qëllim të gjitha mjetet e mundshme që nga kërcënimet,
mallkimet e shkishërimet e atdhetarëve që dërgonin
fëmijët në shkollat shqipe dhe deri te bandat
e andartëve.
Megjithatë, falë entuziazmit të popullit dhe
punës këmbëngulëse të klubeve këto
vështirësi u kapërcyhen dhe u krijuan kushtet
për thirrjen e Kongresit Kombëtar të Manastirit.
Kongresi i Manastirit për njësimin e alfabetit
të gjuhës shqipe (14-22 nëntor 1908)
Përhapja e shkollave dhe e mësimit të gjuhës
shqipe, si edhe zhvillimi i kulturës kombëtare në
përgjithësi, shtruan në rend të ditës
nevojën e caktimit të një alfabeti të
vetëm. Rilindësit me të drejtë e shihnin
mungesën e një alfabeti të njëjtë
të gjuhës shqipe jo vetëm si një problem
gjuhësor e kulturor, por edhe si një çështje
politike, një shenjë dasie, që pengonte bashkimin
e shqiptarëve. Zgjidhja e saj do të ndihmonte si
në lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës
e të letërsisë shqipe, ashtu edhe në konsolidimin
e unitetit kombëtar dhe të bashkimit politik të
popullit shqiptar.
Vendosja e një alfabeti të njëjtë të
gjuhës shqipe u përgatit gjatë një epoke
të tërë të Rilindjes, falë veprimtarisë
krijuese në lëmin e gjuhësisë dhe të
letërsisë të brezave të tërë
të iluministëve shqiptarë, gjuhëtarë,
shkrimtarë, poetë, publicistë etj. Një
ndihmesë të vyer dhanë organet e shtypit, sidomos
ato të viteve të fundit të shek. XIX dhe të
fillimit të shek. XX, ku spikati në mënyrë
të veçantë revista Albania (Bruksel-Londër,
1897-1909) e Faik Konicës. Miratimi i alfabetit (alfabetares)
së Stambollit, në vitin 1879, ndonëse shënoi
një hap të rëndësishëm përpara
në rrugën e vendosjes së një alfabeti
të njëjtë të gjuhës shqipe, nuk arriti
ta zgjidhte përfundimisht këtë çështje.
Alfabeti i Stambollit u përhap vetëm në Shqipërinë
e Jugut e të Mesme, ndërsa në Shqipërinë
e Veriut, posaçërisht në Shkodër përdoreshin
tri alfabete të tjera për shkrimin e shqipes, ai
i shoqërisë Bashkimi (1899), i Agimit
(i jezuitëve) dhe alfabeti i shkrimtarëve të
vjetër të Veriut, që përdorej më
shumë nga klerikët katolikë. Organet e shtypit
shqiptar, ndonëse botoheshin të gjitha me alfabetin
latin, kishin ndryshime ndërmjet tyre.
Në rrethana të tilla, vendosja e një alfabeti
të njëjtë të gjuhës shqipe do të
arrihej jo vetëm në luftë me sunduesit e huaj
osmanë, që përpiqeshin ta pengonin atë
si një arritje që do të çonte në
afirmimin e mëtejshëm të kombit shqiptar, por
edhe duke kapërcyer frymën dhe interesat lokalë
të shoqërive e të grupeve kulturore shqiptare,
që ushqeheshin edhe nga dasitë krahinore të
trashëguara nga e kaluara.
Ndonëse në thelb ishte një çështje
kulture, njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe
paraqitej njëherazi një nga problemet më të
rëndësishme politike të kohës, zgjidhja
e të cilit do të varej nga zhvillimi i lëvizjes
kombëtare në përgjithësi. Në të
vërtetë, thirrja e kongresit për njësimin
e alfabetit të gjuhës shqipe u bë e mundur
vetëm në rrethanat e reja, që u krijuan për
lëvizjen kulturore-kombëtare pas shpalljes së
kushtetutës në vitin 1908.
Nismën për thirrjen e kongresit për njësimin
e alfabetit të gjuhës shqipe e mori klubi Bashkimi
i Manastirit, që luante rolin kryesor ndërmjet klubeve
shqiptare. Drejtuesit e këtij klubi, menjëherë
pas themelimit të tij, e shpallën zgjidhjen e kësaj
çështjeje si detyrën më të ngutshme
të lëvizjes kombëtare. Gjatë muajve gusht-shtator,
pasi kishte marrë edhe pëlqimin e klubeve e të
shoqërive të tjera atdhetare, klubi i Manastirit
ndërmori masat konkrete për thirrjen e kongresit
kombëtar për çështjen e alfabetit. Në
Zëdhënien që u shpërnda me
këtë rast, ftoheshin të merrnin pjesë
në kongres gjithë shqiptarët, brenda
dhe jashtë Shqipërisë, si edhe çdo
filolog shqiptar. Nisma e tij u prit mirë nga atdhetarët
shqiptarë dhe nga klubet e shoqëritë patriotike
brenda e jashtë vendit, që u treguan të gatshme
të dërgonin përfaqësuesit e tyre në
këtë kongres.
Kongresi u hap në Manastir më 14 nëntor 1908
dhe i vijoi punimet deri më 22 nëntor. Në Kongres
morën pjesë 32 delegatë me të drejtë
vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri
të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut,
si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës
pa të drejtë vote. Kongresi i Manastirit u shndërrua
kështu në një kuvend të vërtetë
mbarëshqiptar, në të cilin morën pjesë
gjithsej 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë,
nga qytetet e vilajeteve të Manastirit, të Kosovës,
të Janinës e të Shkodrës, si edhe nga
shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të
Sofjes, të ShBA-së, të Egjiptit, të Italisë
etj.
Kongresi i Manastirit për çështjet që
diskutoi e zgjidhi dhe si një nga tubimet më të
gjera e më përfaqësuese nga përbërja
e tij, vlerësohet me të drejtë si kuvendi më
i rëndësishëm kombëtar në historinë
politike e kulturore të shqiptarëve në fillim
të shek. XX. Delegatë të tij ishin shkrimtarët
dhe publicistët më të njohur, lëvrues
të gjuhës shqipe, laikë e klerikë, si
Gjergj Fishta, Nikollë Kaçori, Ndre Mjeda, Gjergj
Qiriazi, Mithat Frashëri, Hilë Mosi, Mati Logoreci,
Thoma Avrami, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi,
Adam Shkaba; veprimtarë të lëvizjes kombëtare
dhe të klubeve shqiptare, si Bajram e Çerçis
Topulli, Mihal Gramenoja, Fehim Zavalani, Dhimitër Mole,
Nyzhet Vrioni, Rrok Berisha, Leonidha Naço, Dhimitraq
Buda, Akil Eftimi, Shefqet Frashëri, Refik Toptani, Gligor
Cilka, Emin bej Shkupi, Hafiz Ibrahim efendiu (nga Shkupi),
Ramiz Daci, Xhemal Beu (nga Ohri), Fahri Frashëri (nga
Resna) etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri,
ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj
Qiriazi. Megjithatë, për një varg arsyesh të
diktuara nga rrethanat e kohës, pati edhe intelektualë
të shquar (si Faik Konica etj.) që nuk arritën
të merrnin pjesë në punimet e këtij Kongresi.
Gjatë dy ditëve të para të Kongresit u
zhvilluan mbledhje të gjera e të hapura, ku morën
pjesë, përveç delegatëve, edhe intelektualë
e nxënës të shkollave të Manastirit, si
edhe banorë të tjerë të këtij qyteti,
rreth 400 veta. Këto mbledhje u shndërruan në
manifestime kombëtare, në të cilat u mbajtën
fjalime patriotike për nevojën e bashkimit të
të gjithë shqiptarëve, gegë e toskë,
myslimanë e të krishterë, si dhe për përparimin
e kombit e të kulturës së tij.
Vendin kryesor në punimet e Kongresit, duke përfshirë
edhe mbledhjet e hapura, e zuri çështja e caktimit
të një alfabeti të përbashkët për
të gjithë shqiptarët. Gjatë diskutimeve
që u bënë në ditët e para, të
gjithë shfaqën mendimin se alfabeti që do të
vendosej duhej të kishte si bazë atë latin.
Por pikëpamjet e delegatëve më tej u ndanë,
prandaj në ditën e tretë të punimeve Kongresi
zgjodhi një komision prej 11 vetash, të kryesuar
nga at Gjergj Fishta, ku bënin pjesë njohësit
më të mirë të gjuhës shqipe, përkrahës
të alfabeteve të Stambollit, të Bashkimit,
të Agimit, si dhe intelektualë të
tjerë të shquar. Komisionit iu dhanë fuqi të
plota për të vendosur për këtë çështje.
Pas shumë diskutimesh Komisioni vendosi që të
mos merrej në vështrim asnjëri nga tri alfabetet
e përmendura më sipër, por të krijohej
një alfabet i ri mbi bazën e atij latin, duke u
dhënë shkronjave latine vlera fonetike në përputhje
me nevojat e gjuhës shqipe. Por Komisioni ndeshi në
vështirësi për caktimin e shkronjave dyshe,
që nevojiteshin për ata tinguj të shqipes,
që i mungonin latinishtes (për dh, gj, nj, th etj.).
Në këto rrethana, pas tri ditë diskutimesh
(17-19 nëntor), anëtarët e Komisionit, sikurse
thuhej në vendimin e Kongresit, të shtyrë
edhe nga disa shkaqe të përjashtme, nuk arritën
të caktonin një alfabet të vetëm për
gjuhën shqipe, prandaj vendosën të kthehen
prapa, duke pranuar alfabetin e Stambollit e me
të bashkë edhe një abece thjesht latine, që
të përdoreshin e të mësoheshin bashkarisht
në mes të shqiptarëve. Të dy alfabetet
do të përdoreshin detyrimisht në shkolla.
Ky vendim, që vetë Kongresi e quajti kthim prapa,
u argumentua nga Komisioni me disa shkaqe të përjashtme
dhe pikërisht me nevojën për të shtypur
me alfabetin thjesht latin libra jashtë Shqipërisë
dhe për korrespondencat me jashtë. Në të
vërtetë, me shkaqe të jashtme nuk kuptoheshin
vetëm ato thjesht teknike, por edhe trysnia e ushtruar
mbi Komisionin nga qarqet e shoqëritë e ndryshme
shqiptare, që ishin për alfabetin e Stambollit (në
Shqipërinë e Jugut) dhe atë të Bashkimit
në Gegëri e sidomos në Shkodër. Vendimi
për të përdorur bashkërisht dy alfabete
u mor për të mos shkaktuar përçarje
në radhët e delegatëve dhe të shqiptarëve
në përgjithësi. Në të njëjtën
kohë ai u quajt si një zgjidhje e përkohshme
për të kaluar në të ardhmen në përdorimin
e një alfabeti të vetëm.
Ndonëse nuk caktoi një alfabet të vetëm,
vendimi i Kongresit të Manastirit ishte një hap
i rëndësishëm përpara në rrugën
e zgjidhjes përfundimtare të çështjes
së alfabetit të shqipes dhe ushtroi një ndikim
të fuqishëm në bashkimin politik dhe përparimin
e mëtejshëm kulturor të kombit shqiptar. Me
këtë vendim iu dha fund kaosit që mbretëronte
deri atëherë në çështjen e shkrimit
të shqipes. Në vend të alfabeteve të shumta
që ishin përhapur në Shqipëri e në
kolonitë e mërgimit, tani do të përdoreshin
vetëm dy, edhe këta bashkërisht. Përveç
kësaj, duke vendosur për dy alfabete, që mbështeteshin
në atë latin, Kongresi i Manastirit ripohoi edhe
njëherë vendosmërinë e shqiptarëve
për të mbrojtur individualitetin e tyre kombëtar,
kundër orvatjeve të xhonturqve për tu
imponuar alfabetin arab dhe për ti identifikuar
ata me turqit.
Atë që nuk e çoi dot deri në fund Kongresi
i Manastirit, e zgjidhi përfundimisht vetë jeta
e popullit shqiptar. Alfabeti thjesht latin, duke qenë
i papërzier e më homogjen nga karakteri i shkronjave,
më i lehtë e më praktik për shtyp, u përhap
gjithnjë e më shumë dhe nga fundi i Luftës
së Parë Botërore u bë tashmë alfabeti
i përbashkët e i vetëm për gjithë
shqiptarët, alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe.
Megjithëse çështja e njësimit të
alfabetit zuri vendin kryesor në punimet e Kongresit
të Manastirit, vetë Kongresi nuk ishte një
mbledhje thjesht gjuhësore, por edhe një manifestim
politik. Krahas tubimeve të hapura, u organizuan edhe
mbledhje të fshehta kushtuar çështjeve politike
të ditës. Objekti kryesor i diskutimeve në
këto mbledhje ishin marrëdhëniet e shqiptarëve
me turqit, lufta për të drejtat kombëtare të
popullit shqiptar, për zhvillimin kulturor dhe ekonomik
të vendit, si edhe marrëdhëniet me shtetet
evropiane. Përfundimet e këtyre diskutimeve dhe
vendimet që u morën në këto mbledhje,
u përfshinë në programin kombëtar prej
18 pikash që iu dha deputetit të Korçës,
Shahin Kolonjës, për ta paraqitur në parlament
në emër të shqiptarëve. Ky program ështe
një nga dokumentet më të rëndësishme
të Kongresit të Manastirit, në të cilin
u pasqyruan aspiratat e shqiptarëve për autonominë
territoriale-administrative të Shqipërisë.
Vendin kryesor në program e zinin kërkesat politike
për njohjen zyrtare të kombësisë
shqiptare dhe të gjuhës shqipe. Në lidhje
të ngushtë me këtë kërkohej emërimi
i nëpunësve shqiptarë në të katër
vilajetet, zgjedhja e të gjitha organeve lokale, zgjerimi
i kompetencave të tyre dhe kryerja e shërbimit ushtarak
nga dy deri në dy vjet e gjysmë në Shqipëri,
nën drejtimin e oficerëve shqiptarë të
dalë nga shkollat ushtarake që do të ngriheshin
në vend.
Pjesë përbërëse e kërkesës për
njohjen e kombësisë shqiptare dhe e të drejtave
të saj, ishte edhe themelimi i shkollës së
pavarur shqipe, që do të arrihej duke i kthyer të
gjitha shkollat shtetërore turke në Shqipëri,
ato fillore, qytetëse e të mesme, në shkolla
kombëtare dhe duke vendosur gjuhën amtare shqipe
si gjuhë mësimi në të gjitha këto
shkolla shtetërore, ndërsa turqishtja do të
mësohej si lëndë e veçantë, duke
filluar nga viti katërt i shkollës fillore. Të
lidhura ngushtë me këtë ishin edhe masat që
parashikohej të merreshin për kthimin e shkollave
në gjuhën greke, që funksiononin për shqiptarët
e krishterë, në shkolla kombëtare, me gjuhën
shqipe si gjuhë mësimi, duke i hequr ato nga administrimi
i klerit dhe duke i shpallur shkolla shtetërore. Këto
shkolla do të mbaheshin me të ardhurat nga pasuritë
e kishave, të cilat duhej të administroheshin nga
shteti dhe me të ardhurat e buxhetit të shtetit
osman. Për tu prerë rrugën ndërhyrjeve
të Austrisë, të Italisë e të Greqisë
në Shqipëri, kërkohej që klerikët
katolikë e ortodoksë të paguheshin nga shteti
turk. Me këto masa do të kufizohej ndikimi i propagandave
të huaja shkollore e kishtare në Shqipëri,
sidomos i asaj greke.
Një nga kërkesat më të rëndësishme
në fushën e arsimit ishte ajo për themelimin
e një universiteti shqiptar, që kishte qenë
aspiratë e hershme e rilindësve. Për përgatitjen
e profesorëve për këtë universitet do
të dërgoheshin çdo vit, me bursa të
shtetit, të rinj që do të mësonin në
shkollat e larta të Evropës dhe të ShBA-së.
Po kështu kërkohej të themelohej një muze
arkeologjik kombëtar në një nga qytetet e Shqipërisë.
Programi përmbante gjithashtu një varg masash, që
kishin për qëllim zhvillimin ekonomik të vendit,
për të cilin ishte interesuar borgjezia shqiptare.
Të tilla ishin masat për hapjen dhe shfrytëzimin
e minierave, për ndërtimin e hekurudhave nga sipërmarrës
shqiptarë, për ngritjen e ekonomive të mëdha
bujqësore në Myzeqe etj. Në pjesën ekonomike
përfshihej edhe kërkesa për kufizimin e depërtimit
të kapitalit të huaj në ekonominë shqiptare,
që kishte për qëllim të ndalonte ekspansionin
ekonomik të shteteve të huaja dhe në mënyrë
të veçantë tu jepte mundësi borgjezisë
shqiptare e kapitalit vendas të shtinte në dorë
tregun dhe ekonominë e Shqipërisë.
Programi politik, i miratuar në Kongresin e Manastirit,
megjithëse nuk përmbante kërkesa të domosdoshme
për organizimin e një shteti autonom, si veçimi
i territoreve shqiptare dhe forma e qeverisjes së tyre,
ai pati rëndësi të veçantë, sepse
i përmbysi shpresat e tyrqve të rinj dhe të
bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë
për ta kufizuar Kongresin vetëm me çështjet
e alfabetit, për ta mbajtur larg problemeve politike
e luftës kundër regjimit xhonturk. Miratimi i tij
dëshmonte gjithashtu se Lëvizja Kombëtare Shqiptare
edhe pas shpalljes së kushtetutës kishte ruajtur
karakterin e saj politik e të pavarur dhe kishte si objektiv
themelor realizimin e autonomisë së Shqipërisë.
Kongresi i Manastirit shënoi gjithashtu një hap
të rëndësishëm në ngritjen e shkallës
së organizimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Vetë thirrja e tij si një forum mbarëkombëtar,
vendimet që mori për çështje të
tilla që i takonin gjithë kombit dhe, në mënyrë
të veçantë, njohja faktike e klubit të
Manastirit si klub qendror, me të cilin do të mbanin
lidhje gjithë klubet e tjera, dëshmojnë për
vendosjen e një bashkërendimi të veprimtarisë
organizative e politike-kulturore të klubeve dhe të
shoqërive shqiptare, nën drejtimin e klubit Bashkimi
të Manastirit. Jo rastësisht konsujt e huaj e trajtonin
këtë masë si një përpjekje që
do të krijonte njëlloj federate të klubeve
shqiptare.
Vendimi për ti dhënë klubit Bashkimi
të Manastirit, që qëndronte në krye të
luftës për të drejtat kombëtare të
shqiptarëve, atributet e një klubi qendror, u arrit
pas kundërshtimit të përpjekjeve të krahut
të moderuar të lëvizjes kombëtare për
tu imponuar klubeve e shoqërive shqiptare udhëheqjen
politike dhe organizative të klubit të Stambollit,
drejtuesit e të cilit, përgjithësisht, njiheshin
si përkrahës të xhonturqve.
Kongresi i Manastirit dhe vendimet e tij përbëjnë
një nga ngjarjet më të rëndësishme
në historinë e re të popullit shqiptar. Për
herë të parë pas kuvendeve, që u mbajtën
në periudhën e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881)
dhe të Lidhjes së Pejës (1899-1900), u mblodhën
në këtë Kongres përfaqësues nga të
gjitha krahinat e Shqipërisë dhe u morën vendime
të rëndësishme për çështjen
e alfabetit e për ato politike, që ndihmuan për
ngritjen në një shkallë më të lartë
të kulturës e të arsimit shqiptar, si edhe
për bashkimin e tij të mëtejshëm në
luftën për çlirimin kombëtar.
Shqipëria gjatë zgjedhjeve parlamentare të
vitit 1908 dhe Kundërrevolucionit të prillit të
vitit 1909
Zgjedhjet për në parlamentin turk u bënë
sipas ligjit elektoral të shpallur nga xhonturqit më
15 shtator 1908, i cili nuk njihte kombësitë joturke
dhe i shpallte të gjithë banorët e Perandorisë
osmanllinj. Ai vinte si kusht për të
qenë deputet pranimin e përkatësisë në
kombësinë osmane, njohjen e gjuhës
turke, si dhe caktonte për këtë një cenz
të lartë pasurie, duke përjashtuar kështu
nga zgjedhjet shtresa të gjera të popullsisë
fshatare e qytetare. Por xhonturqit e shkelën edhe këtë
ligj, i kufizuan më shumë të drejtat e kombësive
joturke në zgjedhje.
Fushata elektorale e muajve tetor-nëntor u zhvillua në
Shqipëri në një gjendje të nderë
dhe u shoqërua me konflikte ndërmjet atdhetarëve
shqiptarë e xhonturqve. Në zona të tëra
popullsia shqiptare, duke kujtuar se regjistrimi i popullsisë
që xhonturqit ndërmorën për zgjedhjet
bëhej për shtimin e taksave, e bojkotuan atë.
Për shkak të veprimeve arbitrare të xhonturqve,
në vilajetet e Kosovës dhe të Shkodrës
pati protesta, konflikte e përleshje me autoritetet lokale.
Si pasojë, krahina të tëra të shqipërisë
nuk morën pjesë në zgjedhje. Popullsia katolike
e Shkodrës, për shkak të shkeljes së ligjit
elektoral, i bojkotoi zgjedhjet; po kështu veproi edhe
popullsia e Mitrovicës, në vilajetin e Kosovës.
Pothuajse gjithë popullsia e sanxhakut të Prevezës,
shumica e asaj të sanxhakëve të Gjirokastrës
e të Janinës etj., që përbëheshin
nga çifçinjtë, u përjashtuan nga e
drejta elektorale. Përveç kësaj, xhonturqit
përdorën të gjitha mjetet për ti
detyruar zgjedhësit të votonin për deputetët
turq e proturq, që ishin kandidatë të Komitetit
Bashkim e Përparim.
Në Vlorë e në Berat xhonturqit organizuan një
fushatë të ashpër kundër kandidaturës
së Ismail Qemalit. Megjithatë, në saje të
veprimtarisë së klubeve dhe të atdhetarëve,
popullsia e sanxhakut të Beratit e zgjodhi atë deputet.
Në Elbasan klubet dhe atdhetarët e tjerë vunë
përballë kandidaturës së Abdullah Mahir
efendiut, që përkrahej nga xhonturqit, atë
të atdhetarit doktor Ibrahim Temo. Megjithëse gëzonte
mbështetjen e atdhetarëve elbasanas e sidomos të
të rinjve me ndjenja kombëtare, për shkak të
propagandës së xhonturqve dhe ithtarëve të
tyre, doktor Ibrahim Temoja nuk arriti të zgjidhej si
deputet i këtij sanxhaku. Në Dibër forcat atdhetare
të vendit hynë në konflikt me xhonturqit, që
kërkonin tu impononin si kandidatë për
deputetë përkrahësit e tyre, elementët
proturq, duke përdorur për këtë qëllim
edhe ushtrinë kundër zgjedhësve vendas. Përkundër
pengesave të xhonturqve, që në Gjilan u shoqëruan
me përdorimin e forcave ushtarake kundër shqiptarëve,
Hasan Prishtina u zgjodh deputet i sanxhakut të Prishtinës.
Fushata e zgjedhjeve përkoi me aneksimin nga Austro-Hungaria
të Bosnjës dhe të Hercegovinës, në
tetor të vitit 1908 (që ishin pushtuar prej saj
me vendimet e Kongresit të Berlinit, më 1878). Thirrjet
e xhonturqve për bojkotimin e mallrave austriake gjetën
në një farë mase përkrahje edhe midis
shqiptarëve, që ishin të shqetësuar për
mundësinë e vazhdimit të ekspansionit austriak
drejt tokave të tyre, në vilajetin e Kosovës.
Megjithatë, xhonturqit nuk arritën atëherë
të formonin me shqiptarët një front të
përbashkët kundëraustriak.
Zgjedhjet u zvarritën shumë dhe si rrjedhim parlamenti
u hap vetëm më 17 dhjetor 1908. Nga krahinat shqiptare
në të u zgjodhën 26 deputetë, nga të
cilët vetëm një pjesë e tyre, si Ismail
Qemali, Nexhip Draga, Hasan Prishtina, Shahin Kolonja, Bedri
Pejani etj., përfaqësonin forcat atdhetare shqiptare,
që vepruan në parlament si kundërshtarë
të politikës së xhonturqve ndaj shqiptarëve.
Ismail Qemali, udhëheqës i grupit të deputetëve
shqiptarë në parlament, u vu njëkohësisht
në krye të opozitës liberale, e cila në
dhjetor të vitit 1908 u shndërrua në një
parti më vete me emrin Ahrar (Liberalët).
Megjithëse partia Ahrar përfaqësonte
interesat e qarqeve konservatore të Turqisë dhe
luftonte kundër regjimit xhonturk nga pozitat e tyre,
në programin e saj përfshihej edhe kërkesa
për decentralizimin e administrimit të Perandorisë
Osmane dhe për vetëqeverisjen e provincave kombëtare.
Ishte pikërisht kjo kërkesë dhe synimi për
ta shfrytëzuar atë në të mirë të
shqiptarëve, ajo që e shtyu Ismail Qemalin të
bashkohej me këtë organizatë e të tërhiqte
në të edhe deputetët shqiptarë e të
kombësive të tjera. Në të njëjtën
kohë, Ismail Qemali u përpoq ta shndërronte
atë në një parti me një program të
vërtetë liberal, e cila, krahas të tjerave,
duhej tu siguronte kombeve lirinë e veprimit për
çështjet që u takonin interesave të
tyre nacionalë, domethënë një autonomi
të gjerë.
Në sesionin e dhjetorit parlamenti diskutoi gjendjen
politike në Perandorinë Osmane, çështjen
e çetave shqiptare e maqedone dhe të shkollave
kombëtare të popujve joturq. Meqë shumica e
deputetëve i përkiste Komitetit Bashkim e
Përparim, parlamenti u bë përçues
i politikës nacionaliste xhonturke, nuk pranoi të
plotësonte kërkesat e lëvizjeve kombëtare
në Shqipëri e në Maqedoni, duke përfshirë
edhe atë të hapjes së shkollave kombëtare
në gjuhën shqipe.
Vazhdimi nga xhonturqit i politikës së asimilimit
të shqiptarëve, duke u mohuar kombësinë
dhe të drejtën e mësimit të gjuhës
amtare, si edhe arbitrariteti i administratës osmane,
u bënë shkak për acarimin e gjendjes politike
në Shqipëri dhe të marrëdhënieve
të shqiptarëve me Komitetin Bashkim e Përparim.
Në Manastir, ku ndodhej qendra drejtuese e klubeve, xhonturqit
përgatitën atentate kundër udhëheqësve
të lëvizjes shqiptare. Një atentat i tillë
u bë edhe në Korçë kundër Dervish
Himës, që kundërshtonte me vendosmëri
politikën shoviniste të turqve të rinj.
Xhonturqit u orvatën të veçonin dhe të
zhduknin një nga udhëheqësit më me ndikim
në të lëvizjes shqiptare, Isa Boletinin. Ndonëse
kishte qenë një nga drejtuesit e Kuvendit të
Ferizajt, të korrikut të vitit 1908, Isa Boletini,
pas shpalljes së kushtetutës, shfaqi mosbesim ndaj
regjimit xhonturk, nuk pranoi propozimet e Komitetit Bashkim
e Përparim për tu futur në organizatat
e xhonturqve dhe për tiu nënshtruar atyre.
Kjo ishte arsyeja e konfliktit të tij me kajmekamin e
Mitrovicës, që lindi menjëherë pas revolucionit
dhe që e detyroi Isa Boletinin të tërhiqej
në gusht të vitit 1908 në Boletin. Megjithatë,
Isa Boletini nuk ndërmori atëherë ndonjë
veprim konkret politik a të armatosur kundër qeverisë,
ndërsa xhonturqit, për të përligjur veprimet
ushtarake për zhdukjen e tij, e shpallën kundërshtar
të kushtetutës dhe përkrahës të regjimit
të vjetër absolutist. Duke përfituar nga rritja
e pakënaqësisë së shqiptarëve ndaj
qeverisë, ata, më 22 nëntor 1908, me qëllim
që ta kapnin ose ta zhduknin Isain, dërguan kundër
tij në Boletin 1 500 ushtarë, të pajisur me
artileri. Pas përleshjes që zgjati gjithë ditën,
në të cilën u vranë rreth 30 ushtarë
turq dhe 3 shqiptarë, Isa Boletini u tërhoq natën
në fshatrat përreth për tu vendosur më
pas në katundin Isniq të Pejës.
Në jug të Shqipërisë Komiteti Bashkim
e Përparim dhe degët e tij u përpoqën
të shfrytëzonin gjendjen e acaruar që ishte
krijuar në marrëdhëniet greko-turke lidhur
me çështjen e Kretës për ti tërhequr
shqiptarët në anën e tyre, për ti
mobilizuar kundër grekëve dhe për ta çorientuar
lëvizjen e tyre kombëtare në këto krahina.
Për këtë qëllim në shkurt të
vitit 1909 xhonturqit organizuan në Tepelenë një
mbledhje të përfaqësuesve të parisë
myslimane të vilajetit të Janinës. Këtu
morën pjesë edhe delegatë të klubeve kombëtare,
të cilët e shfrytëzuan këtë tubim
për të kërkuar ngritjen e shkollave shtetërore
shqipe, caktimin e nëpunësve shqiptarë, zbatimin
e masave për zhvillimin ekonomik të vendit dhe armatosjen
e popullsisë shqiptare. Xhonturqit i hodhën poshtë
këto kërkesa.
Në fillim të vitit 1909, si pasojë e të
korrurave të këqija të dy vjetëve të
fundit dhe e bojkotimit të mallrave austriake për
shkak të aneksimit të Bosnjës dhe të Hercegovinës
nga Austria, gjendja ekonomike në Shqipëri u keqësua
shumë. Rajone të tëra të vilajeteve shqiptare
kërcënoheshin nga uria; fshatarët po detyroheshin
të shisnin bagëtinë e tokën dhe të
vërshonin në qytete, ku gjendja nuk ishte më
mirë. Zejtaria e tregtia po kalonin gjithashtu një
krizë të rëndë, që e keqësoi
gjendjen e prodhuesve e të tregtarëve të vegjël.
Pakënaqësia e popullsisë u shtua edhe më
shumë kur qeveria turke, në vend që tua
lehtësonte fshatarëve barrën e taksave, siç
u kishte premtuar gjatë revolucionit, filloi të
mblidhte të gjitha llojet e taksave për vitin 1909
dhe ato të prapambetura të dy viteve të fundit.
Edhe ligji i ri i shërbimit ushtarak i shpallur në
gusht të vitit 1908, sipas të cilit thirreshin në
ushtri të gjithë shqiptarët, pa dallim feje,
cenoi venomet e krahinave malore të Shqipërisë
dhe shkaktoi kundërshtimin e popullsisë së
tyre. Të gjitha këto bënë që në
shkurt të vitit 1909 malësorët e rretheve të
Pejës, të Gjakovës e të Dibrës të
ngrinin krye kundër administratës osmane dhe kundër
Komitetit Bashkim e Përparim.
Në mars kryengritja u shtri sidomos në sanxhakun
e Pejës dhe në Malësinë e Dibrës,
por trazira pati edhe në Pazarin e Ri. Për shtypjen
e saj u dërguan nga Mitrovica 4 batalione ushtarësh,
me 24 topa, të drejtuara nga komandanti i Divizionit
të 18 të Mitrovicës, Xhavit Pasha. Por xhonturqit
shpallën si qëllim të parë të ekspeditës
zhdukjen e Isa Boletinit, që me 700 kryengritës
ishte përforcuar në Isniq. Më 20 mars Xhavit
Pasha, në krye të 3 000 ushtarëve, me 16 topa
e me forca të kavalerisë, u nis nga Mitrovica në
Pejë dhe më 24 mars u drejtua për në Isniq,
ku kërkoi nga krerët shqiptarë të dorëzonin
Isa Boletinin, ndërsa popullsia të paguante taksat
dhe të jepte ushtarë, duke i kërcënuar
se do tu digjte shtëpitë e pasurinë.
Megjithëse Isa Boletini, për të mos i dhënë
shkak Xhavit Pashës të shkatërronte fshatrat
e kësaj zone, u tërhoq nga Isniqi drejt jugut pa
bërë ndonjë qëndresë, ushtria osmane
shkatërroi 96 kulla të përkrahësve të
tij në Isniq e në katunde të tjera të
rrethit të Pejës. Këto veprime e shtuan pakënaqësinë
e popullsisë dhe e ndërlikuan gjendjen jo vetëm
në vilajetin e Kosovës, por edhe në gjithë
trevat shqiptare.
Veprimet ushtarake u shtrinë edhe në Malësinë
e Dibrës, ku në fillim të prillit u zhvillua
një përleshje ndërmjet fshatarëve kryengritës
dhe ushtrisë turke në katundin Gjuricë, gjatë
së cilës turqit patën humbje të mëdha.
Kryengritësit bënë përpjekje për
tu organizuar dhe për tu bashkuar. Më
10 prill u mbajt në Malësinë e Dibrës
një tubim i gjerë, ku morën pjesë, përveç
përfaqësuesve të popullsisë së Dibrës,
edhe ata të Shkodrës, të Elbasanit, të
Prizrenit, të Pejës etj. Këtu u formua një
Këshill, i cili do të merrej me organizimin dhe
me zgjerimin e kryengritjes, për ti dhënë
asaj një karakter më të përgjithshëm.
Lëvizja përfshiu edhe Shkodrën, Janinën
etj., ku të rinjtë shqiptarë nuk pranonin të
kryenin shërbimin ushtarak dhe largoheshin nga ushtria.
Autoritetet xhonturke dërguan në Shqipërinë
e Jugut forca ushtarake për ta shtypur këtë
lëvizje. Për tu prerë hovin largimeve
nga ushtria ato pushkatuan vetëm në Janinë,
në mars të vitit 1909, 80 ushtarë shqiptarë.
Me politikën e vet nacionaliste Komiteti Bashkim
e Përparim e thelloi edhe më shumë armiqësinë
me popullin shqiptar dhe me popujt e tjerë të shtypur
të Perandorisë. Këtë gjendje e shfrytëzuan
qarqet reaksionare të Turqisë, me sulltan Abdyl
Hamitin në krye, që prisnin rastin e përshtatshëm
për të asgjësuar rendin kushtetues dhe për
të rivendosur absolutizmin. Komplotin kundërrevolucionar,
siç është quajtur ai në histori, e organizoi
partia opozitare Ahrar. Kjo parti, duke pasur
përkrahjen e disa përfaqësuesve të parisë
dhe të klerikëve turkomanë të Dibrës
e të Kosovës, shpresonte të bënte për
vete shqiptarët e veçanërisht repartet ushtarake
shqiptare të pakënaqura nga regjimi xhonturk. Mirëpo
shqiptarët, pikërisht ata të sanxhakut të
Dibrës dhe të zonave malore të Kosovës,
që në atë kohë kishin ngritur krye kundër
qeverisë xhonturke, duke kundërshtuar qëndrimet
nacionaliste të xhonturqve, kërkonin të siguronin
të drejtat e tyre kombëtare duke u mbështetur
në kushtetutën, e jo të restauronin regjimin
e vjetër absolutist të sulltan Abdyl Hamitit, prandaj
nuk e përkrahën kundërrevolucionin. Ithtarët
e sulltan Abdyl Hamitit në këto treva mundën
të bënin për vete vetëm një pjesë
të oficerëve të ushtrisë turke, por jo
popullsinë shqiptare të këtyre zonave. Këtë
kthesë nuk e përkrahu as grupi i deputetëve
shqiptarë që bashkëpunonte në parlament
me partinë Ahrar, duke përfshirë
këtu edhe Ismail Qemalin.
Më 13 prill 1909 ngriti krye garnizoni i Stambollit që
rrëzoi qeverinë dhe detyroi Komitetin Bashkim
e Përparim të largohej nga Stambolli. Në
kryeqytet e rreth tij ndodheshin atëherë 25 000
ushtarë. Pushteti kaloi në duart e forcave reaksionare
gjysmëfeudale e klerikale, të kryesuara nga Shejhylislami
dhe të lidhura me regjimin absolutist të sulltan
Abdyl Hamitit. Por kundërrevolucioni i prillit i vitit
1909 nuk gjeti përkrahje as në Turqi, as edhe në
kombësitë e shtypura. Edhe Ismail Qemali, që
u gjend atëherë në Stamboll, ndonëse i
përkiste partisë Ahrar, e dënoi
si të dëmshme kthesën reaksionare të prillit.
Megjithëse nuk e kundërshtoi postin e kryetarit
të Senatit, që parlamenti i mbetur turk i ofroi
atëherë, ai nuk pranoi të bashkëpunonte
me sulltanin dhe nuk mori pjesë si ministër në
qeverinë që u formua në ato ditë. Lajmet
që qarkullonin në atë kohë për pjesëmarrjen
e Ismail Qemalit në këto ngjarje, për shkak
të të cilave ai u detyrua të largohej nga Turqia,
ishin të rreme, të trilluara nga armiqtë e
tij e sidomos nga sulltan Abdyl Hamiti, ato kishin për
qëllim ta zhduknin atë. Komisioni i posaçëm
i parlamenti turk, i formuar pas shtypjes së kundërrevolucionit
të prillit të vitit 1909, e shpalli Ismail Qemalin
të pafajshëm.
Shqiptarët, me gjithë armiqësinë e tyre
ndaj regjimit xhonturk, iu përgjigjën pozitivisht
thirrjes që Komiteti Qendror Bashkim e Përparim,
me seli në Selanik, u drejtoi gjithë klubeve. Edhe
popullsia e krahinave veriore, që kishte filluar tu
kundërvihej xhonturqve, nuk u bashkua me kundërrevolucionin
e prillit siç shpresonin përkrahësit e sulltan
Abdyl Hamitit. Sikurse vinte në dukje konsulli francez
në Manastir në relacionin që i dërgonte
qeverisë së tij më 18 maj 1909, shqiptarët
dhe ushtarët reaksionarë (siç
i quanin xhonturqit - shën. i aut.) në pragun e
këtyre ngjarjeve u bënë menjëherë
luftëtarë të zjarrtë të kushtetutës.
Drejtuesit e klubeve shqiptare u vunë tërësisht
në mbrojtje të rendit kushtetues dhe dërguan
në Armatën III të Maqedonisë, që
u ngarkua për të shtypur kundërrevolucionin,
reparte vullnetare shqiptare, të ngritura në vilajetet
e Manastirit dhe të Kosovës. Për hir të
veprimeve të klubit shqiptar të Shkupit, të
drejtuar nga Bajram Curri e atdhetarë të tjerë,
dështuan përpjekjet e myftiut të Prishtinës,
të dërguar me porosi nga Stambolli në kryeqendrën
e vilajetit për të tërhequr shqiptarët
e Kosovës në kthesën kundërrevolucionare.
Më 17 prill klubi i Shkupit i bëri thirrje popullsisë
shqiptare të përkrahte regjimin kushtetues, të
hynte në repartet ushtarake vullnetare për të
marshuar drejt Stambollit dhe për të shtypur forcat
kundërrevolucionare. Në mbrojtje të kushtetutës
u vunë edhe maqedonët.
Shqiptarët, të inkuadruar në forcat e Armatës
III, morën pjesë në luftimet e Çatallxhasë,
që zgjatën tri ditë dhe që çelën
rrugën për veprime të mëtejshme kundër
forcave të reaksionit hamitian. Në këto rrethana
revolta u kufizua vetëm në Stamboll dhe dy javë
pas shpërthimit të saj u shtyp nga Armata III e
Maqedonisë, e cila, e komanduar nga Mahmut Shefqet pasha,
hyri më 29 prill në kryeqytet dhe rivendosi pushtetin
e Komitetit Bashkim e Përparim. Sulltan Abdyl
Hamiti II u rrëzua nga froni dhe vendin e tij e zuri
sulltan Mehmet Reshati V, që ishte një kukull në
duart e xhonturqve dhe të Komitetit Qendror Bashkim
e Përparim. Kryeministër u caktua Hysen Hilmi
pasha.
Ismail Qemali, që në ato ditë të majit
të vitit 1909 ndodhej në Athinë, përkrahu
menjëherë qeverinë e re dhe i bëri thirrje
edhe partisë Ahrar ta mbështeste atë.
Pas kthimit në Stamboll, duke pasur ndihmën e shqiptarëve
dhe të arabëve, që bënin pjesë në
partinë Ahrar, Ismail Qemali u zgjodh kryetar
i saj.
Shkolla e shkrimi shqip pas Kongresit të Manastirit
dhe dhuna xhonturke (dhjetor 1908 - gusht 1909)
Të mbështetur në vendimet e Kongresit të
Manastirit, atdhetarët shqiptarë hapën shkolla
të reja shqipe dhe i shtuan përpjekjet për
të përhapur shkrimin shqip në të katër
anët e vendit. Në janar të vitit 1909 klubi
i Elbasanit mblodhi të holla të mjaftueshme për
të mbajtur me mjetet e tij 4 shkolla shqipe, një
në qytet me 100 nxënës dhe tri në fshatra
me nga 60 nxënës secila. Klubi kishte caktuar gjithashtu
3 mësues shëtitës në krahinën e Shpatit,
të cilët u mësonin gjuhën shqipe fëmijëve
e banorëve të rritur të 10 fshatrave. Përveç
këtyre, që nga fundi i vitit 1908 në Shpat
funksiononin 4 shkolla shqipe, ku mësonin fëmijët
e 19 fshatrave.
Në janar-shkurt të vitit 1909 u ngrit një shkollë
shqipe në Glinë të Leskovikut, një në
Pogradec, dy shkolla shqipe në katundet Kakos e Selenicë
të Frashërit (në të cilat mësonin
edhe fëmijët e katundeve përreth), një
shkollë shqipe në katundin Cakran të Fierit
dhe një tjetër në Negovan. Në shkurt të
vitit 1909 filloi të funksiononte shkolla shqipe e Kumanovës,
që u hap nga klubi shqiptar i këtij qyteti. Në
fillim të vitit 1909, pas një lufte të ashpër
me oficerët xhonturq, u arrit të çelen shkolla
shqipe në qytetin e Ohrit. Në mars të vitit
1909 në Korçë, përveç dy shkollave
të hapura menjëherë pas shpalljes së kushtetutës,
u çel edhe një shkollë tjetër e pavarur
për djem, kurse në verën e atij viti u çel
një shkollë shqipe në fshatin Libohovë.
Me përpjekjet e klubeve vijoi të futet mësimi
i gjuhës shqipe në shkollat shtetërore turke
dhe të huaja. Në dhjetor të vitit 1908 mësimi
i gjuhës shqipe ishte futur si lëndë e detyrueshme
në të katër shkollat fillore turke të
Elbasanit, në atë gjysmë të mesme (qytetëse),
si edhe në shkollën e komunitetit ortodoks. Pranë
kësaj shkolle ishte ngritur edhe një kurs nate për
mësimin e shqipes, që ndiqej nga 60 djem. Pas kësaj
qeveria greke i preu kësaj shkolle subvencionimin.
Në fillim të vitit 1909 klubet shqiptare arritën
të fusnin mësimin e gjuhës shqipe në shkollat
fillore turke të Gjirokastrës, të Frashërit,
të Përmetit, të Tepelenës, të Beratit,
të Peqinit, të disa fshatrave të Mallakastrës
etj., ndërsa klubi i Vlorës e shndërroi shkollën
fillore turke të këtij qyteti në shkollë
shqipe. Mësimi i shqipes u fut gjithashtu në shkollat
turke të fshatrave Qesarakë, Novoselë e Selenicë
e Kolonjës dhe në shkollën greke të Fierit.
Në pranverën e vitit 1909, falë përpjekjeve
të klubeve e të mësuesve atdhetarë, gjuha
shqipe mësohej edhe në shkollat qytetëse (ruzhdie)
turke të Vlorës, të Përmetit, të
Mitrovicës, të Beratit si dhe në disa gjimnaze
(idadie) të vendit, si në atë të Manastirit,
të Gjirokastrës, të Beratit, të Korçës,
të Janinës, të Durrësit, të Shkupit
etj.
Në mjaft qytete të Shqipërisë u kërkua
që gjuha shqipe të përdorej edhe në gjykata
e në predikimet fetare të kishës ortodokse.
Në fundin e shkurtit të vitit 1909 klubi i Korçës,
së bashku me përfaqësuesit e popullsisë
ortodokse të këtij qyteti, vendosi që predikimi
në kishat ortodokse të bëhej në gjuhën
shqipe. Ky vendim iu njoftua edhe peshkopit të Korçës,
Patrikanës së Stambollit dhe valiut të Manastirit.
Ndërkaq, atdhetarët korçarë, me nismën
e tyre, filluan të futnin gradualisht gjuhën shqipe
në kishat e qytetit. Në kishën e Negovanit
predikimi filloi të bëhej gjithashtu në shqip.
Edhe përfaqësuesit e popullsisë katolike e
myslimane të Kurbinit, në mbledhjen që mbajtën
në gusht të vitit 1909, kërkuan nga qeveria
turke që të hapte shkolla fillore shqipe në
fshatrat e kësaj krahine.
Klubi i Elbasanit, për të shmangur pengesat që
xhonturqit u nxirrnin shkollave shqipe, u propozoi më
31 dhjetor gjithë klubeve shqiptare që ti
përcillnin parlamentit turk e deputetëve shqiptarë
kërkesën për njohjen zyrtare të kombësisë
shqiptare, plotësimi i së cilës do tu
siguronte shqiptarëve të drejtat kombëtare
në lëmin e kulturës dhe të arsimit. Por
kjo kërkesë nuk u miratua nga qeveria turke.
Shkolla shqipe qysh në periudhën e parë pas
revolucionit u ndesh me përpjekjet e xhonturqve për
të penguar përhapjen e saj. Prandaj edhe përkrahja
që shqiptarët u dhanë xhonturqve për shtypjen
e kundërrevolucionit të prillit të vitit 1909,
ishte akti i fundit i bashkëpunimit me ta. Pasi forcuan
pozitat në Stamboll, xhonturqit kaluan në përdorimin
e masave shtypëse ndaj lëvizjes kulturore të
popujve të shtypur në përgjithësi dhe
të shqiptarëve në veçanti.
Lëvizja për arsimin e kulturën kombëtare
shqiptare u gjend shumë shpejt përballë goditjeve
të Komitetit Bashkim e Përparim, i cili,
meqë paraqitej si mbrojtës i kushtetutës, vepronte
më shpesh në mënyrë të fshehtë
sesa të hapur. Një nga mjetet kryesore që xhonturqit
përdorën për të ndaluar këtë
lëvizje, për ti përçarë shqiptarët
sipas dasisë fetare dhe për të penguar ngritjen
e ndërgjegjes kombëtare, ishte propaganda e shkrimit
të gjuhës shqipe me alfabetin arab, që filloi
menjëherë pas Kongresit të Manastirit. Në
shërbim të kësaj propagande u vunë disa
nga klerikët konservatorë myslimanë dhe elementë
të tjerë fanatikë e turkomanë, të
cilët, duke shfrytëzuar ndjenjat fetare të
popullsisë myslimane shqiptare, u përpoqën
të formonin tek ajo bindjen se shkronjat latine janë
të të pafeve (të kaurëve), se binin ndesh
me fenë islame dhe se shqipja mund të shkruhej vetëm
me alfabetin turko-arab, që ishte i shenjtë, sepse
me të ishte shkruar Kurani. Në fillim të vitit
1909 u formua në Stamboll Shoqëria për
mësimin dhe për shkrimin e gjuhës shqipe me
shkronjat turqishte, e përbërë kryesisht
nga ulematë (klerikët e lartë) myslimanë,
që shpërndante thirrje dhe abetare shqipe me alfabetin
arab. Një abetare e tillë u përhap në
viset e ndryshme të Shqipërisë në muajin
janar të atij viti.
Kjo fushatë u shoqërua me orvatjet, që xhonturqit
bënë për të provokuar mitingje të
elementëve fanatikë e turkomanë kundër
përdorimit të alfabetit latin, siç ndodhi
në fillim të shkurtit në Manastir, në
Dibër, në Follorinë e në Përlepë.
Konsulli francez në Manastir, Pisho (Pichon), në
informacionin e tij (të 16 shkurtit 1909), shkruante
se në këto tubime, të provokuara në
mënyrë të fshehtë nga vetë autoritetet
turke, nuk arritën të grumbullohen veçse
hoxhallarët dhe turqit fanatikë, ndërsa shqiptarët,
thuajse në mënyrë të përgjithshme
nuk pranuan të duken atje. Jo rastësisht këto
mitingje u mbajtën në xhami. Po kështu, ulematë
dhe disa nga hoxhallarët e Shkodrës, të nxitur
nga Komiteti Bashkim e Përparim i këtij
qyteti, duke përfituar nga fanatizmi i pjesës myslimane
të popullsisë, zhvilluan në pranverën
e vitit 1909 një agjitacion të fuqishëm për
përdorimin e alfabetit arab në shkrimin e shqipes.
Ministria e Arsimit e Turqisë që në fund të
vitit 1908 urdhëroi që në shkollat e vilajetit
të Kosovës shqipja të mësohej me shkronjat
arabe. Një urdhër i tillë iu dha në shkurt
të vitit 1909 edhe prefekturës së Elbasanit.
Po kështu vepruan autoritetet turke dhe komitetet xhonturke
në qytetet e tjera të vendit, në Janinë,
në Filat etj. Atdhetarët shqiptarë të
këtyre trevave u vunë para një trysnie të
dyfishtë, të shovinistëve grekë dhe të
xhonturqve, që vepronin të bashkuar në luftën
kundër shkollës dhe kundër shkrimit shqip.
Në të njëjtën kohë komitetet xhonturke
përkrahnin në ato ditë propagandën asimiluese
panhelenike që disa profesorë grekë dhe Shoqëria
Etniki Heteria (Shoqëria Kombëtare)
zhvillonin në atë kohë në viset shqiptare
të vilajetit të Janinës.
Për të fshehur veprimtarinë e tij armiqësore
kundër kulturës shqiptare, Komiteti Qendror Bashkim
e Përparim në mars të vitit 1909 u kumtoi
klubeve shqiptare se do të qëndronte asnjanës
dhe nuk do të ndërhynte në çështjen
e zgjedhjes së alfabetit të gjuhës shqipe.
Klubet e quajtën këtë deklaratë një
përpjekje të re për të mashtruar shqiptarët
dhe morën masa për të mbrojtur liritë
kushtetuese e për ti bërë ballë
reaksionit xhonturk. Në protestën që klubi
Bashkimi i Manastirit i dërgoi Komitetit
Qendror Bashkim e Përparim në javën
e fundit të marsit, i shkruante se, duke luftuar alfabetin
shqip ky komitet bie ndesh me kushtetutën turke, e cila
ua garanton gjithë popujve të Perandorisë të
drejtën e mësimit dhe të shkrimit të gjuhës
amtare. Në letërkëmbimin e tij të marsit
të vitit 1909 me klubet e Filatit, të Korçës
etj., klubi Bashkimi i Manastirit i quante këto
veprime të xhonturqve dhe të turkomanëve shqiptarë
për tu imponuar shqiptarëve alfabetin arab,
si veprime armiqësore kundër kombit shqiptar. Ai
udhëzonte në ato ditë klubet e tjera kombëtare
që kundër këtyre tradhtarëve të
mos vepronin vetëm me penë, por edhe me armë.
Komiteti Bashkim e Përparim u orvat të
zhdukte klubet shqiptare dhe atdhetarët më të
njohur, që drejtonin luftën kundër reaksionit
xhonturk. Në maj të vitit 1909 xhonturqit, pasi
arrestuan disa nga veprimtarët e klubit Labëria
të Vlorës dhe i detyruan të tjerët të
arratiseshin jashtë Shqipërisë, e likuiduan
këtë klub, që ishte një nga më të
rëndësishmit në Shqipërinë e Jugut.
Po në atë kohë mbyllën edhe klubin e Ohrit,
kryesia e të cilit u çua e lidhur me pranga në
Manastir e pastaj në Stamboll.
Në fundin e majit të vitit 1909 vetëm në
Ohër, në Pogradec e në Strugë u arrestuan
17 veta, përkrahës të shkollës dhe të
shkrimit shqip, që u akuzuan për propagandë
reaksionare kundër regjimit kushtetues. Midis të
arrestuarve ishin edhe Hamdi Ohri, një nga udhëheqësit
më në zë të lëvizjes kombëtare
në këtë trevë, që kishte kaluar vite
të tëra në burgjet e sulltan Abdyl Hamitit,
Xhemaledin Beu, kryetar i klubit të Ohrit dhe Mehmet
Beu, sekretar i klubit, intelektual dhe përkrahës
i shkollës shqipe. Klubet shqiptare protestuan kundër
këtij veprimi të dhunshëm, derisa i detyruan
xhonturqit ti shpallnin të pafajshëm dhe ti
lironin këta atdhetarë.
Ditë të vështira kaloi në verën e
vitit 1909 lëvizja kulturore kombëtare në Tiranë.
Më 23 korrik, në përvjetorin e shpalljes së
kushtetutës, u zhvillua në Tiranë ceremonia
e hapjes së klubit të këtij qyteti. Ishte paraparë
gjithashtu që më 24 të këtij muaji të
çelej një shkollë shqipe e mbrëmjes
për të rriturit dhe të fillonte në mënyrë
të organizuar mësimi i gjuhës shqipe në
të gjitha shkollat shtetërore turke të Tiranës.
Por pikërisht në këtë ditë, me nxitjen
e komiteteve xhonturke dhe të klubeve të oficerëve
të lidhur me ta, nxënësit sulmuan e goditën
në të gjitha shkollat mësuesit atdhetarë,
sapo këta u njoftuan se nga ai çast do të
fillonin mësimin e gjuhës shqipe. Më 27 korrik,
po me shtytjen e klubeve të oficerëve, hynë
në Tiranë më shumë se 200 fshatarë
të armatosur, që demonstruan në rrugët
e qytetit dhe para klubit të oficerëve, duke kërkuar
mbylljen e klubit shqiptar dhe arrestimin e 64 anëtarëve
të tij. Veprimtarë të tillë të lëvizjes
kombëtare në Tiranë, si Refik Toptani e bashkëpunëtorët
e tij, ose klerikët atdhetarë Hafiz Ibrahim Dalliu,
Beqir Luga etj., u sulmuan drejtpërdrejt dhe u fyen publikisht.
Me këto veprime të xhonturqve e të turmave
fanatike të këtij rrethi u mbyll klubi kombëtar
i Tiranës dhe dështoi orvatja e atdhetarëve
tiranas për të futur gjuhën shqipe në
shkollat e këtij qyteti. E njëjta gjendje u krijua
edhe në Durrës, në kryeqendrën e prefekturës,
ku atdhetarët shqiptarë nuk guxonin të hapnin
klube e shkolla shqipe, si edhe në nënprefekturën
e Kavajës, ku përpjekjet për hapjen e shkollës
shqipe e të mësimit shqip ndeshën në kundërshtimin
e reaksionit xhonturk dhe të klerikëve fanatikë
myslimanë.
Aktet e dhunshme të xhonturqve, sidomos ngjarjet e Tiranës,
e bënë gazetën Dielli të shkruante
në atë kohë se sot punërat në
Shqipëri janë më keq se në kohërat
e Abdyl Hamitit. Sot gjuha shqipe ndiqet më tepër
se kurrë ndonjëherë (Çështja
e Tiranës, 16 shtator 1909). Ishin këto veprime
arbitrare të administratës osmane, që i bënë
konsujt e huaj, bashkëkohës të këtyre
ngjarjeve, të arrinin në përfundimin se turqit
e rinj po mbajnë qëndrim armiqësor ndaj
nacionalizmit shqiptar, se duke zbatuar traditat
hamitiane dhe në kundërshtim me premtimet e tyre
solemne, ata po persekutojnë çdo shfaqje të
ndjenjave kombëtare shqiptare, se në Turqi
po shkohej drejt një diktature ushtarake dhe se kishte
rrezik që kushtetuta të kthehej në një
iluzion.
Politika turqizuese kundër shkollave e shkrimit shqip
dhe konflikti i armatosur me shqiptarët, i nxitur nga
administrata ushtarake osmane, zbuloi para popullit shqiptar
thelbin reaksionar të regjimit xhonturk.
Ekspeditat ushtarake të Xhavit Pashës në
Kosovë dhe Kryengritja shqiptare e vitit 1909 (maj-tetor
1909)
Me rivendosjen e pushtetit të tij në kryeqytet dhe
në provinca Komiteti Bashkim e Përparim,
megjithëse edhe këtë herë fitoren mbi
forcat e kundërrevolucionit hamitian të prillit
1909, ia detyronte në një masë të madhe
mbështetjes që i dhanë shqiptarët, e vazhdoi
më me ngulm e në mënyrë të dhunshme
politikën e vet nacionaliste, për të forcuar
Perandorinë një e të pandashme
Osmane, duke i mohuar popullit shqiptar dhe popujve të
tjerë joturq çdo të drejtë kombëtare.
Krahas goditjeve kundër lëvizjes arsimore e kulturore
shqiptare, në acarimin e marrëdhënieve ndërmjet
shqiptarëve e xhonturqve ndikuan fuqishëm edhe ekspeditat
ushtarake të Xhavit Pashës në Kosovë dhe
në Shqipërinë e Veriut në përgjithësi,
të ndërmarra kryekëput me nismën e qeverisë
së Stambollit.
Popullsia e Kosovës, edhe pse nuk kishte pranuar të
paguante taksat (përfshirë edhe ato të prapambetura),
të njihte shërbimin e detyrueshëm ushtarak
dhe të dorëzonte armët, nuk pati ndërmarrë
ndonjë qëndresë të armatosur kundër
pushtetit xhonturk. Megjithatë, Komiteti Bashkim
e Përparim, duke synuar ti nënshtronte
shqiptarët e Kosovës, ti çarmatoste
për ti bërë të paaftë për
të kundërshtuar, ti detyronte të paguanin
taksat e prapambetura dhe ti rekrutonte me forcë
në ushtrinë osmane, ndërmori ekspedita ndëshkimore
të njëpasnjëshme, të komanduara nga Xhavit
Pasha, që vazhduan nga pranvera e deri në muajin
tetor të vitit 1909.
Për të mënjanuar çdo reagim të
opinionit publik evropian dhe të Fuqive të Mëdha
kundër dhunës mbi shqiptarët, qeveria turke
deklaroi se ekspeditat ushtarake kishin për qëllim
të qetësonin elementët reaksionarë,
përkrahësit e sulltan Abdyl Hamitit dhe kundërshtarët
e kushtetutës, edhe pse dihej se shqiptarët, duke
përfshirë edhe ata të Kosovës, kishin
luftuar kundër absolutizmit për vendosjen e regjimit
kushtetues dhe për mbrojtjen e tij.
Në fillim të majit të vitit 1909 qeveria xhonturke
nisi nga Shkupi drejt Gjakovës një ekspeditë
të re ndëshkimore, të drejtuar nga Xhavit Pasha,
komandant i Divizionit të 18 të Mitrovicës.
Në krye të 10 batalioneve të këmbësorisë,
të pajisura me 32 topa, Xhavit Pasha hyri më 16
maj në Pejë. Pasi la këtu tri batalione për
të mbajtur rregullin, Xhavit Pasha u hodh në
Gjakovë, ku kërkoi nga popullsia e qytetit të
dorëzonte armët, të bëhej regjistrimi
i popullsisë, të vileshin taksa të dyfishta
për bagëtinë dhe të zgjeroheshin dritaret
e kullave. Meqë krerët e Malësisë së
Gjakovës që ishin thirrur në qytet, i kundërshtuan
këto kërkesa, Xhavit Pasha u nis me pesë batalione
këmbësorie dhe me dy bateri artilerie drejt Malësisë
së Gjakovës.
Persekutimi i popullsisë dhe shkatërrimi i fshatrave
(Ponoshec etj.) shkaktoi zemërimin e malësorëve,
të cilët me forca të bashkuara sulmuan më
12 qershor ushtrinë e Xhavit Pashës në Qafën
e Morinës. I goditur nga të katër anët
nga kryengritësit, gjenerali turk u gjend në këtë
zonë malore në një pozitë të vështirë,
u thye keq dhe u detyrua të tërhiqej në Gjakovë.
Për të parandaluar vazhdimin e ekspeditës ushtarake
në Shqipëri, deputetët shqiptarë Hasan
Prishtina e Fuat Pasha, në fillim të qershorit,
paraqitën një interpelancë në parlament,
me të cilën kërkuan nga ministri i Brendshëm
shpjegime rreth ngjarjeve në Kosovë. Por qeveria
turke nuk hoqi dorë nga përdorimi i dhunës
për nënshtrimin e shqiptarëve.
Pasi i erdhën përforcime të reja, Xhavit Pasha,
në fundin e qershorit të vitit 1909, rifilloi ekspeditën,
këtë herë kundër popullsisë së
Pejës dhe të Rugovës. Gjatë kësaj
fushate të egër ushtritë turke shkatërruan
dhe kthyen në gërmadha fshatrat në të
dyja anët e Grykës së Rugovës, vranë
pleq e fëmijë dhe çnderuan vajza e gra.
Po ato ditë lëvizja u shtri edhe në trevën
juglindore të Kosovës. Me nxitjen e krerëve
të Malësisë së Gjakovës, të
Pejës, të Ferizajt, të Prizrenit dhe të
Lumës u mblodhën në Ferizaj rreth 3 000 veta,
që kërkuan nga qeveria turke të kthente në
detyrat e tyre gjithë nëpunësit shqiptarë
të dëbuar si atdhetarë, të emëroheshin
në administratën shtetërore vetëm nëpunës
shqiptarë, të mos paguhej asnjë lloj takse
e re, të ndërpritej çarmatimi i popullsisë
së Lumës dhe tu lejohej shqiptarëve të
mbanin armë. Për të shtypur lëvizjen në
Ferizaj xhonturqit dërguan forca ushtarake, me të
cilat mundën të krijonin vetëm një qetësi
të përkohshme.
Në fillim të korrikut Xhavit Pasha u kthye si fitimtar
në Mitrovicë së bashku me ushtrinë e tij.
Por ngjarjet e mëvonshme treguan se, me gjithë raprezaljet
që bëri, pashai turk nuk arriti ti nënshtronte
shqiptarët. Kthimi i armëve, regjistrimi i popullsisë
dhe mbledhja e taksave u ndërprenë sapo u largua
ushtria. Ndërkaq, shqiptarët rindërtuan shumë
shpejt kullat e shkatërruara.
Në gjysmën e parë të korrikut të
vitit 1909, kur në Shqipërinë e Veriut vijonte
ende qëndresa e armatosur kundër ekspeditave të
Xhavit Pashës, Ismail Qemali, atë kohë i arratisur
në Itali, publikoi thirrjen drejtuar Vëllezërve
shqiptarë!, e cila, e botuar në formë
manifesti në mijëra kopje, u shpërnda në
të gjitha anët e Shqipërisë?. Shqiptarët,
vinte në dukje Ismail Qemali në këtë thirrje,
kanë 100 vjet që po luftojnë për të
drejtat njerëzore dhe për lirinë, megjithatë
sot rrezikohen të humbasin si komb. Duke njohur thelbin
nacionalist të regjimit xhoturk, Ismail Qemali përpiqej
të bindte shqiptarët të mos i mbështesnin
shpresat te Komiteti Bashkim e Përparim.
Pas shpalljes së lirisë (kushtetutës), theksonte
ai, shqiptarët më shumë se çdo komb
tjetër shpresuan se do të kishin mundësi të
punonin për përparimin e gjuhës së tyre,
por u gënjyen. Si dëshmi për këtë
përmendeshin dhunimet në Shqipërinë e
Poshtme, vrasjet që po bënte Xhavit Pasha në
Shqipërinë e Sipërme, si edhe përçarjet
që xhonturqit po mbillnin midis shqiptarëve.
Ismail Qemali arrinte në përfundimin se rruga e
vetme, për shpëtimin e kombit shqiptar nga lakmitë
e të huajve, do të ishte lufta për autonominë
e Shqipërisë. Shpresa e jonë, jeta e
jonë, - shkruante ai, - lipset të jetë: Vetëurdhrimi
i Shqipërisë, nën hijen e Perandorisë
Osmane. Ai parashtroi në këtë dokument
programin e vet politik për zgjidhjen e çështjes
shqiptare, të cilën e shihte në themelimin
e një shteti autonom shqiptar. Për këtë
duhej të bashkoheshin të gjitha viset ku flitej
gjuha shqipe, të banuara nga popullsia shqiptare, në
një vilajet të vetëm, i cili do të mbante
emrin Shqipëri, Vilajeti Shqiptar (Arnautlluk
Vilajeti) dhe do të kishte si kryeqytet Ohrin ose
Elbasanin. Në kufijtë e Shqipërisë autonome
do të përfshiheshin nga vilajeti i Janinës
sanxhakët e qendrës (i Janinës), të Prevezës,
të Gjirokastrës dhe të Beratit; nga vilajeti
i Shkodrës sanxhaku i Shkodrës me Malësinë
dhe sanxhaku i Durrësit; nga vilajeti i Manastirit sanxhaku
i qendrës (i Manastirit), kazaja e Grebenesë nga
sanxhaku i Selfixhesë, sanxhakët Dibrës, të
Korçës dhe të Elbasanit; nga vilajeti i Kosovës
sanxhakët e Shkupit, të Prishtinës, të
Pejës dhe të Prizrenit.
Shqipëria autonome do të qeverisej nga një
guvernator i dërguar nga Stambolli, pranë të
cilit do të vepronte, po si organ ekzekutiv, Këshilli
i Pleqve. Mësimi në të gjitha shkollat do të
zhvillohej në gjuhën shqipe. Shqipja do të
përdorej, bashkë me turqishten, edhe në shkollat
e larta. Gjithë nëpunësit civilë e ushtarakë
do të ishin shqiptarë nga kombësia. Ushtria,
që do të përbëhej nga shqiptarët,
do të shërbente brenda kufijve të Shqipërisë.
Ashtu si Sami Frashëri, edhe Ismail Qemali mendonte që
organizimi shtetëror i Shqipërisë autonome
të ishte i tillë që, kur Perandoria Osmane
të shthurej, Shqipëria të qëndronte në
këmbë dhe të dilte prej saj si shtet i pavarur.
Ismail Qemali parashtroi në këtë thirrje programin
më të plotë dhe më të përshtatshëm
për zgjidhjen e çështjes shqiptare, rreth
të cilit shpresonte të bashkonte jo vetëm krahun
radikal të lëvizjes politiko-kulturore, forcat atdhetare
që drejtonin klubet dhe shoqëritë shqiptare,
por edhe kryengritësit e Kosovës e të Veriut
të Shqipërisë, të cilët luftonin
kundër ekspeditave ushtarake të Xhavit Pashës
dhe kundër qeverisë xhonturke që i kishte organizuar
ato.
Ndërkaq vijoi në Kosovë qëndresa kundërosmane,
vatër e së cilës u bë Ferizaj me rrethinat
e tij. Lëvizja kryengritëse në Ferizaj ishte
e lidhur me veprimtarinë e një komiteti të
fshehtë, që filloi të vepronte në këtë
rreth në verën e vitit 1909. Me nismën e tij,
më 20-22 gusht u mbajt në Ferizaj një manifestim
i gjerë i shqiptarëve të armatosur, ku, përveç
popullsisë së këtij qyteti dhe të rrethinave
të tij, morën pjesë edhe banorë të
rretheve të Gjilanit e të Prishtinës, që
protestuan kundër taksave të reja, që vuri
në atë kohë qeveria xhonturke. Më 22 gusht
numri i demonstruesve u shtua duke arritur në 3 000 veta.
Po në këtë ditë, forcat ushtarake osmane,
të dërguara nga Shkupi e Selaniku, goditën
shqiptarët e tubuar në Ferizaj dhe vranë 12
prej tyre e plagosën disa të tjerë. Konflikte
të armatosura ndërmjet shqiptarëve e ushtrisë
pati edhe në rrugën Ferizaj-Gjilan.
Në ditët e fundit të gushtit lëvizja u
përhap në rrethin e Pejës, midis Gucisë
e Beranës. Për të ndëshkuar popullsinë
e kësaj ane u dërguan ato ditë nga Peja, Shkupi,
Prizreni e Selaniku forca të tjera ushtarake, që
goditën kryengritësit në hapësirën
midis Gucisë e Beranës. Në të njëjtën
kohë vijuan përpjekjet edhe me kryengritësit
e Rugovës.
Në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit
lëvizja përfshiu Lumën e Podrimën, në
sanxhakun e Prizrenit. Lumjanët, ashtu si shumica e popullsisë
së sanxhakut të Prizrenit, patën luftuar për
shpalljen e kushtetutës turke, në korrik të
vitit 1908. Qëndresa e tyre e armatosur nuk drejtohej
kundër kushtetutës, por kundër politikës
së xhonturqve, të cilët shkelën premtimet
që u kishin bërë shqiptarëve gjatë
revolucionit për të kufizuar taksat, për tu
dhënë të drejtat kombëtare, madje edhe
autonominë, dhe kërkonin tu hiqnin banorëve
të këtyre krahinave edhe ato privilegje që
i gëzonin prej shekujsh sipas venomeve të tyre,
të njohura edhe nga sulltanët osmanë.
Më 3 e 4 shtator rreth 700-800 kryengritës lumjanë,
të udhëhequr nga Ramadan Zaskoku, u përgatitën
të hynin në Prizren për ti paraqitur
mytesarifit kërkesat e tyre. Megjithatë, për
të shmangur konfliktin e armatosur me garnizonin e Prizrenit,
që u përgatit të rezistonte, kryengritësit
pranuan të shpërndaheshin dhe të dërgonin
në Prizren një komision prej 20-30 vetash, i cili
do të paraqiste kërkesat e tyre paqësore, që
duhej tu përcilleshin edhe deputetëve shqiptarë
të parlamentit.
Por Stambolli ndërmori një fushatë të
re ushtarake kundër shqiptarëve. Më 6 shtator
1909 Xhavit Pasha, në krye të 8 batalioneve të
këmbësorisë dhe 2 baterive të artilerisë
malore, u nis nga Mitrovica për në Prizren. Gjatë
rrugës nga Ferizaj për në Prizren ushtria turke
sulmoi e shkatërroi krejtësisht katundin Duhl dhe
rrënoi gjithashtu 60 shtëpi të katundit Bllacë.
Nga Prizreni Xhavit Pasha, në krye të 5 batalioneve,
u hodh në Lumë, ku dogji e shkatërroi fshatra
të tëra, duke i lënë lumjanët pa
shtëpi e katandi. Për tu shpëtuar masakrave
popullsia e Lumës u tërhoq në Has e në
zona të tjera malore, përtej Drinit të Bardhë.
Por, i goditur nga kryengritësit lumjanë në
perëndim të Prizrenit, Xhavit Pasha, pasi shkatërroi
me topa Bllacën e fshatrat e tjera të Lumës,
u tërhoq përsëri në Prizren, ku tashmë
qenë përqendruar rreth 3 500 ushtarë, me dy
bateri malore.
Për të dalë nga gjendja e vështirë,
pashai turk dërgoi në Lumë nga Shkupi deputetin
shqiptar Nexhip bej Draga, një nga drejtuesit e klubit
të atij qyteti, i njohur për ndjenjat atdhetare.
Nexhip Draga, ashtu si shumë intelektualë të
tjerë shqiptarë, e quante të parakohshme qëndresën
e armatosur kundër regjimit xhonturk, prandaj hyri në
bisedime me lumjanët dhe i bindi të mos u kundërshtonin
ushtrive të Xhavit Pashës. Më 11 shtator Xhavit
Pasha, në krye të 5 batalioneve dhe të një
baterie malore, u dynd në Lumë. Lumjanët nuk
e fshehën pakënaqësinë e tyre, megjithatë
ruajtën për një kohë qetësinë.
Ushtria e tij zuri katundin Bicaj, qendrën e kajmekamllëkut
të Lumës, ku filloi të çarmatoste banorët.
Më 15 shtator, kur u drejtua për në Kolesian,
u sulmua gjatë rrugës nga kryengritësit, që
vranë e plagosën disa ushtarë dhe e detyruan
atë të kthehej përsëri në Bicaj,
ku bëri raprezalje të mëdha. Sipas informatave
të Xhavit Pashës, kryengritësit lanë në
këtë përpjekje 100 të vrarë, ndërsa
Bicaj u shkatërrua nga goditjet e artilerisë, që
rrafshoi me tokën 37 kulla.
Më 16 shtator, kur ushtria osmane vazhdoi ekspeditën
drejt jugut të Bicajt, u godit në pyjet e Kolesianit
nga kryengritësit, që pas një përleshjeje
të shkurtër u tërhoqën në zonën
malore. Edhe këtu Xhavit Pasha shkatërroi krejtësisht
fshatin Kolesian, duke përfshirë edhe kullën
e udhëheqësit të lumjanëve, Islam Spahiut,
si edhe katundet përreth, Nangë, Bushat, Gabricë,
Mamëz, Pobreg etj. Gjatë këtyre përleshjeve
u plagos edhe drejtuesi tjetër i kryengritësve,
Ramadan Zaskoku. Gjithë kryengritësit, që ishin
arrestuar gjatë luftimeve dhe qenë mbyllur në
kazermat e Bicajt, u pushkatuan pa gjyq, kurse njerëzit
u varfëruan deri në atë shkallë sa, sikurse
pohojnë pjesëmarrësit turq të kësaj
ekspedite, u mbeti vetëm shpirti, të cilin
e jepnin pa dhimbje.
Xhavit Pasha nuk arriti të depërtonte, siç
kishte parashikuar, drejt Drinit, sepse më 19 shtator
u sulmua përsëri në Kolesian nga kryengritësit,
që këtë herë i shkaktuan humbje edhe më
të rënda dhe e detyruan të tërhiqej në
Prizren. Së bashku me ushtrinë populli dëboi
edhe nëpunësit e administratës osmane dhe gjykatësit
e kajmekamllëkut të Bicajt.
Sado që Xhavit Pasha, në relacionet që i çonte
Stambollit, i zvogëlonte së tepërmi humbjet
e tij, ai pati në luftimet me shqiptarët shumë
të vrarë e të plagosur. Shtypi shqiptar, duke
u mbështetur në dëshmitë e ushtarëve
turq, pjesëmarrës të këtyre luftimeve,
shkruante se vetëm në Lumë Xhavit Pasha la
rreth 1 000 ushtarë të vrarë (Dielli,
Boston, 24 shtator 1909: Pa komplimente). Vështirë
është të përcaktohen dëmet në
njerëz të kryengritësve, megjithatë, po
të gjykohet nga relacionet konsullore të kohës
dhe të dhënat e Xhavit Pashës, arrihet në
përfundimin se kryengritësit kanë pasur rreth
300-500 të vrarë, midis të cilëve edhe
8-10 komandantë.
Në intervistën që i dha më 20 shtator
1909 gazetës Le Progrès de Salonique
(Përparimi i Selanikut), Xhavit Pasha deklaroi
se qëllimi i ekspeditës ishte të likuidonte
disa rebelë shqiptarë, megjithatë e pati
të vështirë të justifikonte me këtë
persekutimet masive e barbare që bëri gjatë
fushatës ushtarake në Lumë e në vise të
tjera të Shqipërisë së Veriut. Këto,
siç i relatonte qeverisë së tij konsulli
italian në Shkup, u kryen me metodat e lashta të
barbarisë turke, që turqit nuk i kishin harruar.
Këtë egërsi të xhonturqve e shprehu edhe
Xhavit Pasha, kur u deklaroi gazetarëve anglezë,
francezë etj., se nuk do të prehej para se
tua shtypte kokën shqiptarëve.
Megjithëkëto mizori, Xhavit Pasha nuk arriti të
shtypte qëndresën e shqiptarëve dhe të
përballonte goditjet e tyre, rrjedhimisht nuk u largua
nga Luma si fitimtar. Personalitetet shtetërore të
kohës arritën, atëherë, në përfundimin
se ekspedita e tij pësoi disfatë.
Ngjarjet e shtatorit të vitit 1909 në Shqipërinë
e Veriut vunë në lëvizje shqiptarët që
vepronin në Stamboll e sidomos grupin e deputetëve.
Në promemorjen, që doktor Ibrahim Temoja nga Struga
dhe doktor Zenel Abedini nga Gjilani i drejtuan nga Stambolli
ministrit të Brendshëm, Talat Beut, më 21 shtator
1909, dënohej dhuna ushtarake ndaj shqiptarëve të
viseve të veriut si një veprim krejtësisht
i paligjshëm dhe i paudhë. Me shqiptarët që
ndihmuan për shpalljen e kushtetutës, theksonin
autorët e saj, duhet vepruar me këshilla e me urtësi
dhe jo siç po bën qeveria, me topa dhe me dyfekë,
që nxisin edhe më shumë pakënaqësinë
e popullsisë së Shqipërisë. Në këtë
dokument thuhej se ishte qeveria ajo që i detyroi shqiptarët
të rrëmbenin armët, se ata po mbrojnë
të drejtat e tyre të ligjshme, po ashtu siç
luftuan për kushtetutën dhe për lirinë
e përgjithshme. Në vend që të përdorni
armët kundër tyre, - thuhej në promemorje,
- përhapni arsimin dhe zhdukni injorancën.
Por ministri i Brendshëm, Talat Beu, nuk ua vuri veshin
as protestave të atdhetarëve shqiptarë, as
edhe propozimeve të tyre për të ndaluar gjakderdhjen.
Edhe shtypi patriotik shqiptar e quante qëndresën
e shqiptarëve një mbrojtje të ligjshme, të
provokuar nga dhuna ushtarake e xhonturqve. U ranë
më qafë pa ndonjë shkak të vërtetë,
- shkruante gazeta Korça më 14 shtator
1909, - Xhavit Pasha, sikur ndiqte armiqtë, preu e po
pret eshtrat e vëllezërve tanë dhe ka lënë
shumë etër e nëna pa bij, shumë motra
pa vëllezër, shumë gra pa burra dhe foshnja
nëpër rrugë.
Ekspeditat ndëshkimore ashpërsuan marrëdhëniet
e xhonturqve me shqiptarët në tërësi.
Valiu i Kosovës, Masar Beu, i shkruante ato ditë
Portës së Lartë se ekspedita e Xhavit Pashës,
në vend që ta qetësonte gjendjen në Lumë,
e acaroi edhe më shumë, shkaktoi pakënaqësinë
e përgjithshme të popullsisë së Kosovës.
Për këtë u bind edhe Stambolli, që urdhëroi
Xhavit Pashën të merrej vesh me kryengritësit.
Më 2 tetor ai pranoi propozimet e Mustafa Litës,
njërit prej udhëheqësve të kryengritësve,
që në emër të të gjthë popullsisë
së Lumës i premtoi se shqiptarët e kësaj
zone do tu nënshtroheshin urdhrave të qeverisë,
me kusht që ekspedita e tij ushtarake të tërhiqej
nga Luma. Pas kësaj ndodhi tërheqja e Xhavit Pashës
dhe e ushtrisë së tij nga Luma e Prizreni, që
shkaktoi habinë e bashkëkohësve të huaj
në Turqi e jashtë saj. Më 5 tetor Xhavit Pasha
ishte kthyer tanimë në Mitrovicë.
Por, pa përfunduar ende ekspedita ushtarake në Lumë,
shpërtheu kryengritja në Malësinë e Dibrës,
ku, përveç popullsisë vendase, ishin mbledhur
edhe shumë nga kryengritësit kosovarë. Këtu
u mbajt një tubim i gjerë, ku morën pjesë
rreth 2 000 veta nga Malësia, Dibra e Poshtme, Mati e
Mirdita, që vijoi dy ditë me radhë, më
14 e 15 shtator. Në tubim u kërkua që shqiptarët
të luftonin për vetëqeverisjen e atdheut të
tyre. Për të penguar shtrirjen e lëvizjes në
gjithë sanxhakun e Dibrës, Porta e Lartë, përveç
batalioneve që ndodheshin në qytetin e Dibrës,
dërgoi më 27 shtator forca të tjera ushtarake
nga Selaniku.
Megjithatë, lëvizja u shtri edhe në Dibrën
e Poshtme, ku mori përmasa edhe më të mëdha.
Shqiptarët braktisën fshatrat e zunë grykat
malore për ti bërë pritë ushtrisë
osmane. Këtu u përqendruan, në dhjetëditshin
e parë të tetorit, forcat kryesore ushtarake osmane.
Komanda e ekspeditës kundër Dibrës së
Poshtme iu besua Xhavit Beut, i cili më 26 tetor 1909,
në krye të 300 ushtarëve të pajisur me
topa, u fut midis fshatrave Dardhë e Rexhë, që
njihej si zona ku kryengritësit zhvillonin tubimet e
tyre, ndërsa një forcë tjetër ushtarake
u dërgua në Mat dhe në rrethet e tij. Megjithatë,
Xhavit Beu shumë shpejt u detyrua të tërhiqte
ushtritë e tij nga Dibra e Poshtme dhe nga Malësia,
pa arritur ta nënshtronte popullsinë e tyre.
Ekspeditat ushtarake e dhuna e ushtruar nga Xhavit Pasha mbi
shqiptarët provuan se qëllimi i xhonturqve nuk ishte
të mbronin rendin kushtetues, të kërcënuar
gjoja nga reaksionarët shqiptarë, por
të vendosnin një regjim të centralizuar të
skajshëm në Perandorinë Osmane. Me këto
masa Komiteti Bashkim e Përparim synonte
të pengonte gjithashtu zgjerimin e lëvizjes kombëtare,
kulturore dhe autonomiste në Shqipëri, pjesë
e së cilës ishte edhe kryengritja që po zhvillohej
atëherë në krahinat veriore të vendit.
Në memorandumin që kryengritësit e Gegërisë
i dorëzuan qeverisë turke, në fundin e tetorit
të vitit 1909, krahas amnistisë për pjesëmarrësit
në kryengritje, parashtroheshin edhe kërkesa me
karakter kombëtar, si futja e gjuhës shqipe si gjuhë
mësimi në të gjitha shkollat e Shqipërisë
dhe emërimi në Shqipëri i nëpunësve
që e njihnin vendin. Shqiptarët e zonave malore
u treguan gjithashtu të gatshëm të hiqnin dorë
nga disa prej venomeve të tyre, por kërkuan që
ti jepej popullsisë së zonave të afërta
me kufirin me Malin e Zi e drejta për mbajtjen e armëve,
që të ndërtoheshin fortifikata në kufi
dhe të ndryshonte mënyra e mbledhjes së taksave
sipas gjendjes së vendit.
Kërkesa të njëjta me këto i parashtruan
qeverisë turke edhe klubi shqiptar i Stambollit së
bashku me klubet e tjera të Shqipërisë.
Dhuna ushtarake mbi shqiptarët u denoncua botërisht
nga shqiptarët e Stambollit. Në fund të tetorit
u formua një Komitet Nismëtar Kombëtar, i përbërë
nga doktor Zenel Abedini, doktor Ibrahim Temoja dhe Mehmet
pashë Dëralla (Tetova), i cili organizoi në
Aksaraj të Stambollit dy tubime të rëndësishme,
njërin më 27 tetor dhe një tjetër më
5 e 8 nëntor 1909. Si në mbledhjen e parë,
ashtu edhe në të dytën morën pjesë
dhjetëra veta, intelektualë të profesioneve
të ndryshme dhe deputetë, që përfaqësonin
të katër vilajetet shqiptare. Në mbledhjen
e nëntorit u miratua një promemorje, në të
cilën përshkruhej gjendja tragjike, që ishte
krijuar në Shqipërinë e Veriut për shkak
të operacioneve ushtarake të qeverisë. Vihej
theksi në mënyrë të veçantë
në ndihmesën e shqiptarëve për shpalljen
e kushtetutës më 1908 dhe për mbrojtjen e saj
gjatë ngjarjeve kundërrevolucionare të 13 prillit
1909. Ishin forcat ushtarake qeveritare, thuhej në promemorje,
ato që përdorën të parat forcën,
që ngjallën tmerr kudo ku shkelën dhe u bënë
shkak për armiqësimin e popullsisë me qeverinë.
Në këto rrethana, shqiptarët u detyruan të
ngrenë flamurin e kryengritjes. Edhe për ngjarjet
e Lumës bëhej fajtore qeveria që deshi t'i
shtypte ato me ekspeditat ushtarake të Xhavit Pashës,
që përdori armët dhe dogji fshatrat e Lumës
e të Prizrenit. Edhe pse ushtria u tërhoq, ajo la
pas zona të shkretuara dhe urrejtjen e popullit.
Me qëllim që në të ardhmen të mos
ndodhnin ngjarje të tilla, atdhetarët shqiptarë
të Stambollit i propozonin qeverisë të ndërmerrte
këto masa: të dërgohej në Shqipërinë
e Veriut një komision për të bërë
hetimet në vend për shkaqet e ngjarjeve që
u parashtruan më lart; të gjithë ata që
kishin bërë veprime të këqija të
dënoheshin sipas ligjeve; të ngriheshin organet
e rregullta të drejtësisë; të emëroheshin
në ato zona të Shqipërisë së Veriut
nëpunës, që dinin gjuhën e vendit dhe
që do të ndihmonin në përparimin e popullsisë;
të ngriheshin fortifikime në kufirin me Malin e
Zi për t'i mbrojtur ato vise nga sulmet e malazezëve;
të mos shtrihej në vilajetet e Shkodrës, të
Kosovës e të Manastirit shërbimi i detyrueshëm
ushtarak, i cili nuk ka qenë njohur asnjëherë
nga popullsia; të ndërtoheshin sa më parë
rrugët, ku të gjenin punë banorët e varfër
të atyre viseve, të cilët detyroheshin të
shkonin në emigracion në Serbi, në Bullgari
e në Hungari; të hapeshin shkolla fillore në
fshatra e në ato qytete ku nuk kishte të tilla.
Promemorja iu dorëzua më 13 nëntor 1909 ministrit
të Brendshëm, Talat Beut, për tia përcjellë
qeverisë. Ajo u nënshkrua gjithashtu nga deputetët
shqiptarë të parlamentit, të cilët kërkuan
që Xhavit Pasha të largohej nga Rumelia dhe të
hidhej në gjyq si shkaktar i trazirave në Gegëri.
Mbledhjet, që u organizuan nga atdhetarët shqiptarë
e nga grupi i deputetëve, patën jehonë në
Stamboll dhe në opinionin publik në përgjithësi;
ato treguan, siç shkruante gazeta Lirija
e Selanikut më 12 dhjetor 1909, se shqiptarët
qenkan të zotë dhe kur duan mund të mblidhen
e të kuvendojnë për të mirën e kombit.
Dhuna e ushtruar nga Xhavit Pasha dhe nga ushtria osmane mbi
shqiptarët e thelloi edhe më shumë hendekun
midis popullit shqiptar e xhonturqve, forcoi te shqiptarët
bindjen se interesat e tyre si komb ishin krejt të veçantë
nga ata të xhonturqve. Në një korrespondencë
të dërguar nga Shkupi dhe të botuar në
gazetën Dielli më 26 nëntor 1909,
thuhej se kombëtaria pati prej sjelljeve të
turqve një fitim të madh, se pas ngjarjeve
të Lumës filloi të gjallërohet edhe më
tepër lëvizja kombëtare në Kosovë,
u përhapën aq shumë idetë dhe dëshirat
për vetëqeverimin e Shqipërisë, sa nuk
ishte menduar kurrë e që as me një propagandë
20-vjeçare nuk do të kishim mundur ti arrinim.
Kongresi i Dibrës (23-29 korrik 1909)
Ngjarjet në Shqipëri e vunë qeverinë xhonturke
në një pozitë të vështirë, nga
e cila ajo u përpoq të dilte duke thirrur një
kongres në Dibër më 23 korrik 1909, ditën
e përvjetorit të shpalljes së kushtetutës.
Kongresi u organizua me nismën e Komitetit Qendror Bashkim
e Përparim, i cili për të krijuar përshtypjen
se ky tubim ishte thirrur nga shqiptarët, ia ngarkoi
shpërndarjen e ftesave një komisioni kushtetues
vendas, të formuar posaçërisht për këtë
qëllim në Dibër. Ndërkaq xhonturqit nuk
hoqën dorë nga synimi për ti dhënë
këtij Kongresi një karakter të përgjithshëm
osman, prandaj shpallën se qëllimi kryesor i kësaj
mbledhjeje do të ishte përcaktimi i qëndrimit
që do të mbahej kundrejt projekteve të Fuqive
të Mëdha për copëtimin e Maqedonisë
dhe të Shqipërisë, si edhe forcimi i
veprimtarisë së përbashkët për
lulëzimin e Perandorisë dhe për mënjanimin
e shkaqeve të pakënaqësisë dhe të
ftohjes midis elementëve të saj. Në Kongres
u ftuan të marrin pjesë jo vetëm shqiptarët,
por edhe kombësitë e tjera të gjashtë
vilajeteve të Turqisë Evropiane.
Në të vërtetë, duke thirrur Kongresin
e Dibrës, xhonturqit synonin të realizonin atë
detyrë që nuk mundën ta kryenin me anë
të ekspeditave ushtarake: të nënshtronin shqiptarët
dhe ti detyronin të hiqnin dorë nga lufta
për çlirimin kombëtar ose, siç thuhej
në dokumentet e kohës, për pavarësinë
e Shqipërisë. Valiu i provincës së
Manastirit, Fahri Pasha, vetëm dy ditë para hapjes
së Kongresit, u kumtoi përfaqësuesve të
huaj konsullorë në Manastir se qëllimi
i thirrjes së Kongresit të Dibrës është
që të ndikohet me mjete paqësore te shqiptarët
për ti qëndruar besnik kushtetutës dhe
qeverisë turke. Me këtë Kongres xhonturqit
shpresonin gjithashtu të forconin lidhjet me parinë
e Shqipërisë dhe të krijonin para botës
së jashtme përshtypjen se turqit e rinj dhe shqiptarët
kishin qëllime të përbashkëta dhe se ndërmjet
tyre ishte vendosur një bashkëpunim i ngushtë.
Ata shpresonin gjithashtu që me tubime të tilla
të fitonin kohë dhe, pasi të stabilizonin gjendjen
në vend, të shtypnin me dhunë Lëvizjen
Kombëtare Shqiptare.
Për të tërhequr në Kongres vetëm
përkrahësit e tyre dhe për të mos u dhënë
kohë klubeve shqiptare, sidomos atyre të viseve
të Shqipërisë së Jugut, që ishin
më larg Dibrës, të dërgonin përfaqësuesit
e vet në këtë mbledhje, xhonturqit i shpallën
ftesat e tyre vetëm 5-6 ditë para Kongresit. Ftesat
iu dërguan kryesisht parisë e krerëve klerikë
myslimanë, nga radhët e të cilëve komitetet
xhonturke dhe valinjtë shpejtuan të zgjidhnin si
delegatë të Kongresit ithtarët e tyre. Megjithatë,
klubet shqiptare, sidomos ai i Manastirit dhe i Selanikut,
që në atë kohë po përgatisnin thirrjen
e Kongresit kombëtar të Elbasanit, ndonëse
u gjendën të papërgatitur, vepruan në
mënyrë energjike, zhvilluan një veprimtari
të dendur organizative për të dërguar
në Kongresin e Dibrës delegatët e tyre nga
radhët e intelektualëve atdhetarë, disa prej
të cilëve do të shkonin drejtpërdrejt
nga Dibra në Elbasan.
Në Kongres morën pjesë 325 delegatë nga
qytetet e ndryshme të vilajeteve shqiptare dhe nga viset
e tjera të Turqisë Evropiane. Shumica e tyre ishin
shqiptarë, myslimanë e të krishterë. Por
krahas tyre kishte edhe delegatë turq, 16 sllavo-maqedonë,
15 grekë, disa serbë e vllehë. Përbërja
e Kongresit qe heterogjene: një pjesë e mirë
qenë klerikë të lartë dhe çifligarë
turkomanë, nëpunës, mësues e drejtorë
shkollash (turke e të huaja) dhe intelektualë me
prirje xhonturke, ndërsa disa ishin oficerë xhonturq
të veshur civilë. Por në Kongres morën
pjesë edhe mjaft përfaqësues të forcave
atdhetare të lëvizjes kombëtare, laikë
e klerikë, të dërguar kryesisht nga klubet
e shoqëritë atdhetare, midis të cilëve
qenë Vehbi efendi Dibra, Sotir Peci, Fehim Zavalani,
Dervish Hima, Loni Logori, Hafiz Ali Korça, Llambi
Kota, Abdyl Ypi (Starja), Aqif pashë Elbasani, Beniamin
Nosi, Andrea Ballamaçi, Qazim Beu (kryetar i klubit
Bashkimi të Dibrës), Jusuf Karahasani
(nga Malësia e Dibrës), Haxhi Hafiz Ibrahim efendiu
(nga klubi i Shkupit), Murat Aga (nga Gjakova) etj.
Për tiu përgjigjur qëllimeve që
shtruan xhonturqit dhe për shkak të përbërjes
së tij, kuvendi mori emrin Kongresi kushtetues
i përbashkët shqiptaro-osman.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Vehbi efendi Dibra, myfti i këtij
sanxhaku, një nga personalitetet me ndikim në trevat
shqiptare dhe i njohur njëherazi për atdhetarizmin
e tij. Qysh në fillim të punimeve të Kongresit,
xhonturqit u orvatën tu impononin delegatëve
programin e vet prej 4 pikash, të përgatitur qysh
më parë nga Komiteti Qendror Bashkim e Përparim,
që kishte për qëllim të detyronte shqiptarët
dhe përfaqësuesit e kombësive të tjera
joturke të pranonin doktrinën e osmanizmit,
të shprehnin, krahas besnikërisë ndaj kushtetutës,
edhe gatishmërinë për të mbrojtur Perandorinë
Osmane nga rreziku i jashtëm dhe nga çdo lëvizje
e brendshme kryengritëse.
Më 24 korrik, ditën e dytë të Kongresit,
kryetari i tij, i detyruar të zbatonte rendin e ditës
të përcaktuar qysh më parë nga Komiteti
Qendror Bashkim e Përparim, parashtroi rezolutën
prej 4 pikash, që ishte paraparë të nënshkruhej
pa diskutim nga gjithë delegatët dhe ti dërgohej
në formën e një peticioni parlamentit turk.
Por këto përpjekje të xhonturqve për ti
kufizuar punimet e Kongresit vetëm me miratimin e kësaj
rezolute, hasën në kundërshtimin e vendosur
të atdhetarëve shqiptarë, të delegatëve
nacionalistë, siç thuhet në dokumentet
bashkëkohëse, të cilët nuk pranuan të
nënshkruanin verbërisht dhe pa diskutim programin
e paraqitur nga Komiteti.
Për shkak të qëndresës së atdhetarëve
shqiptarë, xhonturqit dhe përkrahësit e tyre
u detyruan të tërhiqeshin, pranuan që punimet
e mëtejshme të Kongresit të vijonin nëpërmjet
një Komisioni prej 40 delegatësh, të cilëve,
me qëllim që të neutralizohej grupi i atdhetarëve
shqiptarë, iu shtuan edhe pesë funksionarë
osmanë, të caktuar nga Komiteti Bashkim e
Përparim. Komisioni, që zgjodhi si kryetar
Vehbi Dibrën, u ngarkua të hartonte vendimet përfundimtare
të Kongresit të Dibrës.
Punimet e mëtejshme të Kongresit (të Komisionit),
që zgjatën disa ditë me radhë dhe u zhvilluan
në gjuhën shqipe, u karakterizuan nga një konfrontim
i ashpër midis dy grupimeve politike, atij proturk, që
përkrahte programin e paraqitur nga Komiteti Bashkim
e Përparim, dhe grupit të atdhetarëve
shqiptarë, që kërkonin të përfshiheshin
në program kërkesa të tilla kombëtare,
si futja në shkolla e mësimit të detyrueshëm
të gjuhës shqipe dhe themelimi i shkollave shqipe
në gjithë Shqipërinë. Këto kërkesa,
si edhe ajo e mësimit të shqipes me alfabetin e
Kongresit të Manastirit, ndeshën në kundërshtimin
e xhonturqve dhe të delegatëve turkomanë shqiptarë,
sidomos të disa klerikëve të lartë myslimanë
të dërguar nga valiu i Shkodrës e i Kosovës.
Megjithatë, në saje të këmbënguljes
së atdhetarëve shqiptarë, Kongresi, në
mbledhjen e tij të fundit më 28 korrik, miratoi
një program tjetër prej 17 pikash, të përgatitur
nga Komisioni e të përbërë prej dy pjesësh:
pjesa e parë, prej 5 pikash, që gjatë diskutimeve
u quajtën nene të bashkimit ose bashkimtare,
përfaqësonte programin e paraqitur nga xhonturqit
me disa ndryshime që iu bënë në Kongres,
nën trysninë e delegatëve shqiptarë. Në
këtë pjesë shprehej uniteti i të gjithë
osmanllinjve dhe besnikëria e shqiptarëve ndaj osmanizmit,
vendosmëria e tyre për të respektuar regjimin
kushtetues, për të mbrojtur me armë në
dorë qeverinë kushtetuese, në rast se do të
kërcënohej nga jashtë ose nga ata që brenda
vendit do tu shërbenin ideve të huaja; kërkohej
gjithashtu që gjithë shqiptarët të kryenin
shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Kjo pjesë
e programit, me gjithë ndryshimet që pësoi
në Kongres, ruajti në thelb karakterin e saj xhonturk.
Në pjesën e dytë të programit, të
përbërë nga 12 pika, të cilat gjatë
punimeve të Kongresit u quajtën nenet dytësore
ose të nevojshme (për shqiptarët - shën.
i aut.), megjithëse në mënyrë mjaft të
moderuar, u përfshinë disa nga kërkesat e parashtruara
nga përfaqësuesit e rrymës kombëtare shqiptare.
Një pjesë e mirë e masave që përfshiheshin
këtu kishin të bënin me zhvillimin e përgjithshëm
ekonomik e kulturor të vilajeteve të Turqisë
Evropiane. Parashikohej ndërtimi në këto vilajete
i hekurudhave dhe i rrugëve automobilistike; tharja e
kënetave dhe sistemimi i lumenjve; krijimi në Turqinë
Evropiane i shkollave normale turke për mësues dhe
i shkollave të larta për tregti e mjeshtëri
(profesionale), në të cilat të mësohej
filozofia fetare, morali islam e Kurani; ngritja në një
nga qendrat e Turqisë Evropiane e një universiteti
turk; likuidimi i menjëhershëm i Shoqërisë
së duhanit të Perandorisë Osmane (Régie
des tabacs
) etj.
Krahas këtyre përfshiheshin edhe disa masa të
veçanta për Shqipërinë. Kërkohej
që të hapeshin në Shqipëri, ku arsimi
është më i prapambetur, shkolla fillore, të
mesme dhe të larta për tregëti e mjeshtëri,
ku gjuha shqipe të mësohej lirisht në kufijtë
e dëshëruar. Mësimi i gjuhës shqipe
dhe sasia e orëve për të i liheshin për
ti caktuar çdo lokaliteti të veçantë.
Një masë e tillë, edhe pse krijonte mundësinë
për mësimin e gjuhës shqipe, ishte larg kërkesës
së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për themelimin
e shkollave kombëtare shqipe dhe për futjen e mësimit
të detyruar të shqipes në shkolla. Vendimi
që u mor në lidhje me alfabetin e gjuhës shqipe,
për të përdorur lirisht alfabetin turk
ose shqiptar, ishte gjysmak dhe u çelte rrugën
xhonturqve e gjithë kundërshtarëve të
alfabetit shqip për të penguar e për të
luftuar përhapjen e shkrimit shqip.
Në këtë pjesë të programit, po me
këmbënguljen e shqiptarëve, kërkohej që
në emërimin e nëpunësve tu
jepet përparësi banorëve vendas që njihnin
karakterin dhe zakonet e vendit, që të hiqeshin
shkollat fetare (të krijuara për shqiptarët
ortodoksë e për vllehët) nga administrimi i
kishës dhe ti jepeshin Ministrisë së
Arsimit, si dhe të njihej gjuha e vendit në komunitetet
fetare.
Duke qenë i organizuar nga xhonturqit dhe duke pasur
në përbërjen e vet një shumicë delegatësh
turkomanë, si edhe delegatë nga kombësitë
e tjera të Turqisë Evropiane, Kongresi i Dibrës,
me gjithë përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë,
sikurse theksohet në dokumentet bashkëkohëse,
nuk arriti të kthehej në një manifestim të
pavarur dhe kombëtar shqiptar. Në vendimet e botuara
në formën e një broshure të veçantë
në Manastir më 1909 (1325), ky tubim mbante emrin
Kongresi kushtetues i përbashkët shqiptaro-osman.
Po këtë emërtim do të kishin edhe kongreset
e tjera, të cilat, sipas vendimit që u mor në
Dibër, do të thirreshin çdo vit në një
nga qytetet e Turqisë Evropiane?. Po kështu, komisionet,
që Kongresi rekomandonte të krijoheshin në
qendra të ndryshme të Rumelisë, për
të bashkuar të gjitha kombet e Perandorisë
Osmane do të quheshin Bashkimi i Kombeve
(Ittihad-i Anasir).
Megjithatë, ka rëndësi të veçantë
fakti që atdhetarët shqiptarë e shndërruan
Kongresin e Dibrës në një arenë të
luftës kundër reaksionit xhonturk, mbrojtën
të drejtat kombëtare të popullit shqiptar dhe
i detyruan organizatorët e tij xhonturq të pranonin
disa nga kërkesat e tyre, të cilat, ndonëse
nuk shprehnin në mënyrë të plotë
aspiratat e kombit shqiptar, binin ndesh me politikën
e osmanizimit të ndjekur nga xhonturqit. Prandaj Komiteti
Qendror Bashkim e Përparim dhe ithtarët
e tij në Shqipëri, si myftiu i Manastirit, Rexhep
efendi Tetova etj., i dhanë popullaritet, me anën
e shtypit, të mitingjeve e të mjeteve të tjera,
asaj pjese të vendimeve që bënte fjalë
për unitetin e shqiptarëve, si osmanllinj,
me turqit dhe nuk përfillën aspak masat që
parashikonin mësimin, qoftë edhe me kufizime, të
gjuhës shqipe në shkolla.
Por as vendimet e Kongresit të Dibrës, as propaganda
xhonturke për bashkëpunimin e shqiptarëve me
Komitetin Bashkim e Përparim nuk mundën
të mbulonin kundërshtitë e kombit shqiptar
me regjimin turqve të rinj.
Kongresi Kombëtar i Elbasanit (2-8 shtator 1909)
Kongresi i Dibrës nuk e ndryshoi vendimin e marrë
qysh më parë nga rrethet atdhetare për të
mbledhur një kongres kombëtar në Elbasan, i
cili do të shqyrtonte në mënyrë të
veçantë problemin e shkollës shqipe që
ishte bërë objekt i sulmeve të xhonturqve,
përgatitjen e mësuesve, organizimin në shkallë
kombëtare të rrjetit të shkollave shqipe, drejtimin
e përqendruar të tyre nga një institucion kombëtar
dhe sigurimin e mjeteve financiare për mbajtjen e tyre.
Thirrja e tij bëhej e domosdoshme edhe për shkak
të rritjes së rrjetit të shkollave shqipe pas
Kongresit të Manastirit.
Pak kohë para thirrjes së Kongresit (më 3 korrik
1909), Ministria e Arsimit e Turqisë, nën trysninë
e kërkesave këmbëngulëse të shqiptarëve,
u detyrua të njoftonte vilajetet që të përfshinin
në programin mësimor të shkollave shtetërore,
qytetëse (ruzhdie) dhe në gjimnazet (idadie), mësimin
e gjuhës së vendit (shqipe) dhe që mësuesit
e kësaj gjuhe të paguheshin nga buxheti i shtetit.
Kjo ishte një rethanë që favorizonte punimet
e Kongresit të Elbasanit për çështjet
e arsimit shqiptar.
Kongresi u thirr me nismën e klubit shqiptar të
Selanikut, i cili, qysh në fund të marsit njoftoi
për këtë klubet e shoqëritë shqiptare,
ndërsa me përgatitjen e tij të drejtpërdrejtë
u morën klubet Bashkimi e Vllaznia
të Elbasanit, që u shpërndanë ftesat klubeve
dhe shoqërive shqiptare brenda e jashtë vendit.
Kongresi i Elbasanit u hap më 2 shtator të vitit
1908 dhe i vijoi punimet deri më 8 shtator. Në të
morën pjesë 35 delegatë, përfaqësues
të klubeve dhe të shoqërive shqiptare të
qyteteve të tilla të Shqipërisë, si Tirana,
Durrësi, Dibra, Shkupi, Manastiri, Gjirokastra, Korça,
Berati, Leskoviku, Përmeti, Ohri, Struga, Pogradeci,
Janina, Filati, krahinat e Gramshit, të Skraparit etj.
Nuk mundën të dërgonin delegatët e tyre
Vlora, për shkak të terrorit të xhonturqve
mbi atdhetarët e këtij qyteti, Shkodra, për
arsye të veprimtarisë së reaksionit xhonturk,
të përkrahur nga klerikët konservatorë
dhe elementët fanatikë turkomanë, si edhe vilajeti
i Kosovës, po për shkak të pengesave që
nxorën klerikët dhe paria konservatore e fanatike,
që përkrahte alfabetin arab. Megjithatë, klubi
i Shkupit ngarkoi si përfaqësues të vetin Mithat
Frashërin, ndërsa atdhetarët shkodranë
njoftuan në mënyrë paraprake se do ti
njihnin vendimet e këtij Kongresi. Po ashtu nuk u përfaqësuan
edhe shoqëritë atdhetare të mërgimit.
Midis delegatëve të Kongresit kishte veprimtarë
të njohur të lëvizjes kombëtare, si edhe
mësues atdhetarë, siç ishin Orhan Pojani,
Grigor Cilka, Gjergj e Sevasti Qiriazi, Mithat Frashëri,
Dervish bej Biçaku, Ahmet Dakli, Refik Toptani, Hafiz
Ibrahim Dalliu, Thoma Papapano, Hamdi Ohri, Nikollë Kaçori,
Josif Haxhi Mima, Simon Shuteriqi, Dhimitër Buda, Abdullah
Rushit Ahmeti (Struga), Abdulla Koprëncka, Kristo Dako,
Emin Haxhi Ademi, Selman Blloshmi, Andrea Konomi, Idhomenë
Kosturi etj.
Punimet e Kongresit u drejtuan nga një kryesi e zgjedhur
nga delegatët dhe e përbërë nga Dervish
bej Biçaku (kryetar), Mithat Frashëri (nënkryetar)
dhe Simon Shuteriqi e Josif Haxhi Mima (sekretarë).
Ashtu siç ishte parashikuar, në Kongres u shqyrtuan
tri çështje themelore: çelja e një
shkolle normale dhe masat e nevojshme për të; krijimi
i një qendre të vetme për drejtimin, për
organizimin dhe për financimin e shkollave shqipe; masat
për bashkërendimin e veprimtarisë së klubeve
shqiptare.
Akti themelor i Kongresit të Elbasanit ishin Vendimet
ose, siç u quajt ndryshe, Rezoluta prej 15 nenesh,
që u miratua dhe u nënshkrua nga gjithë delegatët.
Një nga masat më të rëndësishme të
kësaj Rezolute ishte çelja në Elbasan në
vjeshtën e atij viti e një Shkolle Normale (pedagogjike),
me gjashtë klasa, e cila do të përgatiste mësues
për shkollat fillore shqipe. Shkolla pedagogjike do të
mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive
shqiptare. Në Kongres u miratua edhe një rregullore
e veçantë e Shkollës Normale, e përpunuar
nga një komision i posaçëm. Për ti
vënë shkollat shqipe nën një drejtim unik
e të përqendruar në shkallë kombëtare,
Kongresi vendosi që të krijohej në Korçë
Shoqëria qendrore shkollore Përparimi.
Sipas statutit të saj të veçantë ajo
do të quhej Shoqëria e mësonjëtoreve shqipe
Përparimi dhe do të kishte për
detyrë të kujdesej për mbajtjen e administrimin
e Shkollës Normale të Elbasanit, për hapjen
e shkollave të tjera shqipe dhe për botimin e librave
të nevojshëm. Pranë shoqërisë krijohej
edhe një arkë e përgjithshme, që do të
plotësohej me kontributin e klubeve, të shoqërive
dhe të atdhetarëve të veçantë.
Me qëllim që Shoqëria Përparimi
të ushtronte lirisht dhe pa pengesa veprimtarinë
e saj, Kongresi kërkoi që ajo të njihej zyrtarisht
si person juridik nga qeveria turke; u hartua
një rregullore e veçantë e kësaj shoqërie,
e cila do ti paraqitej gjithashtu për miratim qeverisë.
Shoqëria duhej të kërkonte ndihmën financiare
të shtetit turk.
Kongresi ngarkoi të gjitha klubet dhe shoqëritë,
si edhe çdo shqiptar, të përpiqeshin të
vinin gjuhën shqipe në të gjitha shkollat e
vendit. Në mënyrë të veçantë
u ngarkua klubi qendror (i Manastirit) që të nxirrte
lejen që gjuha shqipe të hynte zyrtarisht në
të gjitha shkollat e Shqipërisë, ndërsa
me pikën 8 të Vendimeve, Kongresi i Elbasanit ngarkonte
klubin qendror që sa më parë të kërkonte
futjen e gjuhës shqipe si gjuhë mësimi në
të gjitha shkollat shtetërore fillore dhe qytetëse
(ruzhdie). Përmbushja e këtyre kërkesave
do të shënonte një hap të rëndësishëm
në shndërrimin e të gjitha shkollave të
huaja (turke ose në gjuhë të tjera) në
shkolla shqipe dhe për themelimin e një sistemi
kombëtar shkollor në Shqipëri. Kongresi ngarkonte
gjithë atdhetarët shqiptarë që të
kërkonin nga këshillat e vilajeteve hapjen e shkollave
bujqësore, aq të nevojshme për popullsinë
e zonave bujqësore të vendit.
Në Kongres u diskutuan gjithashtu disa çështje
organizative dhe politike. Për të forcuar bashkëpunimin,
lidhjet organizative dhe bashkërendimin e veprimeve ndërmjet
të gjitha klubeve e shoqërive, u vendos që
të gjitha klubet e shoqëritë shqiptare të
drejtoheshin nga një klub qendror. Në pajtim me
këtë Kongresi zgjodhi si klub qendror (për
dy vjet) klubin e Manastirit, i cili qëndronte në
krye të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Për të bashkërenduar dhe për të organizuar
më mirë e në përmasa kombëtare veprimtarinë
politiko-kulturore të klubeve dhe të shoqërive
shqiptare, u miratua një Rregullore e përgjithshme
e klubeve dhe e shoqërive shqiptare, ku përcaktoheshin
detyrat e tyre dhe format e lidhjeve e të bashkëpunimit
ndërmjet tyre.
Në mbledhjet e mbyllura e të shpeshta në Kongres
delegatët shprehën mosbesimin ndaj regjimit xhonturk
dhe Komitetit Qendror Bashkim e Përparim,
të cilët në shumë qytete të Shqipërisë,
si në Strugë, në Tiranë, në Gjirokastër,
në Filat etj., nxitnin komitetet lokale që tu
kundërviheshin aspiratave kombëtare të shqiptarëve.
Në emër të delegatëve të Kongresit
iu dërgua kryeministrit turk një telegram, në
të cilin protestohej kundër dhunës mbi atdhetarët
shqiptarë në Vlorë e në qendra të
tjera dhe kërkohej lirimi i bejlerëve atdhetarë
të arrestuar. Po në këto mbledhje delegatët
u shprehën për një organizim më të
mirë të komiteteve të fshehta dhe për
forcimin e lidhjeve ndërmjet tyre.
Në Kongres u shfaq mendimi se, në kushtet kur xhonturqit
nuk pranonin ti njihnin popullit shqiptar të drejtat
më elementare kombëtare e njerëzore për
tu çliruar njëherë e përgjithmonë
nga arbitrariteti e zgjedha e turqve të rinj, shqiptarët
duhej të organizonin luftën e armatosur për
të siguruar autonominë e Shqipërisë dhe
për këtë qëllim populli shqiptar duhej
të bashkëpunonte me popujt e tjerë të
shtypur të Turqisë Evropiane, me maqedonët,
vllehët etj., që luftonin gjithashtu për çlirimin
e tyre kombëtar.
Kongresi dënoi ndërhyrjet e fuqive të huaja
në Shqipëri që ishin forcuar në fillim
të shek. XX, e veçanërisht pas aneksimit
të Bosnjës dhe të Hercegovinës nga Austro-Hungaria.
Në këtë Kongres u vendos gjithashtu që
pas tri vjetësh, më 1912, të mbahej po në
Elbasan një kuvend tjetër, që do të shqyrtonte
nevojat e Shqipërisë, programin e të
cilit do ta përgatisnin shoqëritë e këtij
qyteti.
Kongresi i Elbasanit i dha një shtytje të re lëvizjes
për shkollën dhe për arsimin kombëtar
në përgjithësi. Të mbështetur në
vendimet e tij, atdhetarët shqiptarë ngritën
në Korçë, më 20 shtator 1909, Shoqërinë
qendrore shkollore Përparimi, në kryesinë
e së cilës u zgjodhën atdhetarët e njohur
Orhan Pojani (kryetar), Stavri Karoli, Idhomenë Kosturi
e Mihal Gramenoja.
Me qëllim që Shoqëria Përparimi
të ushtronte ligjërisht të gjitha kompetencat
e saj si një institucion qendror e drejtues i arsimit
kombëtar, kryetari i saj Orhan Pojani, duke pasur mbështetjen
e deputetëve atdhetarë shqiptarë të parlamentit,
bëri përçapje pranë Këshillit të
Shtetit në Stamboll për të siguruar njohjen
e saj zyrtare si person juridik. Megjithëse kjo kërkesë
u kundërshtua nga qeveria turke, Shoqëria Përparimi
u kthye në të vërtetë në një
organizatë arsimore kombëtare dhe dha një ndihmë
të çmuar për organizimin e drejtimin e arsimit
shqiptar. Ajo dha një ndihmesë të veçantë
për sigurimin e fondeve të nevojshme financiare
për Shkollën Normale të Elbasanit dhe për
shkollat e tjera shqipe. Duke iu përgjigjur thirrjes
që shpërndau për këtë qëllim
brenda e jashtë Shqipërisë, dhjetëra klube
dhe shoqëri atdhetare të vendit, organet e shtypit
shqiptar, shoqëritë e kolonive të mërgimit
dhe qindra atdhetarë derdhën në arkën
e saj shuma të mëdha të hollash. Brenda një
kohe të shkurtër u mblodhën për nevojat
e Shkollës Normale dhe të shkollave të tjera
1 000 lira turke. Në mënyrë të veçantë
rreth 340 atdhetarë dhanë ndihmën e tyre në
të holla.
Më 1 dhjetor 1909 u çel në Elbasan Shkolla
Normale (pedagogjike), që ishte shkolla e parë e
mesme kombëtare shqipe. Mësuesit e saj të parë
ishin atdhetarë të njohur dhe njerëz të
shquar në lëmin e kulturës, si Aleksandër
Xhuvani (i diplomuar në Greqi për filologji, i dalluar
në fushën e letërsisë), Sotir Peci (i
diplomuar gjithashtu në Greqi për matematikë-fizikë,
drejtor i gazetës Kombi) etj. Drejtor i parë
i saj u caktua Luigj Gurakuqi?, i cili vuri të gjitha
forcat dhe aftësitë e tij në shërbim të
arsimit kombëtar. Në Shkollën Normale jepnin
gjithashtu mësim Petër Dodbiba, Simon Shuteriqi,
Hasan Mejza dhe Hafiz Ibrahim Dalliu.
Shkolla Normale kishte gjashtë klasa, me një plan
mësimor prej 30 lëndësh, humanitare, të
shkencave të natyrës etj. Ajo dallohej për
karakterin e saj kombëtar, që përcaktohej nga
përmbajtja e lëndëve dhe nga fakti se pranonte
nxënës të të gjitha besimeve fetare, myslimanë
e të krishterë. Atdhetarët bashkëkohës
e çmonin atë si një vatër të formimit
atdhetar të brezit të ri.
Qysh në vitin e parë të themelimit të
saj (1909-1910) Shkolla Normale e Elbasanit pati 160 nxënës
të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë.
Disa prej tyre, rreth 50 nxënës, kishin ardhur nga
Kosova, Rrafshi i Dukagjinit e Dibra, të dërguar
nga klubet shqiptare, si ai i Shkupit, i Dibrës etj.
dhe me kujdesin e veçantë të atdhetarëve
Hasan Prishtina, Bajram Curri, Nexhip Draga etj.
Shkolla shqipe u hapën në këtë periudhë
pas Kongresit të Elbasanit edhe në vende të
tjera të Shqipërisë. Në fund të shtatorit
u bë në Korçë përurimi i shkollës
së riorganizuar të djemve (i mësonjëtores
së parë shqipe të vitit 1887), çelur
qysh në pranverën e vitit 1909, e cila ishte një
nga shkollat më të plota me pesë klasa dhe
pesë mësues. Në tetor u hapën shkolla
shqipe në Progër, në Cukaj të Martaneshit,
në Verlen të Bilishtit, në Margëllëç,
ndërsa në muajin dhjetor u çel shkolla shqipe
në Negovan (nën drejtimin e Petro Nini Luarasit)
dhe në fshatin Koshtan të Tepelenës.
Me përpjekjet e Klubit Arsimor të Shkupit, të
Hasan Prishtinës e të atdhetarëve të tjerë
kosovarë, në vjeshtën e vitit 1909 u hapën
shkolla shqipe në vilajetin e Kosovës, në Moravë,
në Gjilan dhe në fshatin Pozharan, ku mësonin
edhe fëmijët e katundeve përreth. Shkolla shqipe
kanë qenë ngritur në këtë kohë
edhe në Prizren, në Gjakovë, në Pejë
dhe në Vuçiternë. Në janar të vitit
1910 klubi i Shkupit ngriti një shkollë private
shqipe në këtë qytet, ndërsa në shkurt
u hap shkolla shqipe në Mitrovicë.
Në mars-prill të vitit 1910 u çelën
shkolla shqipe në Mesare të Leskovikut, në
Labovën e Poshtme (nga klubi Drita i Gjirokastrës),
në fshatra të Çamërisë, si në
Ninat, Konispol, Koskë, Janjar, Konicë, Mazarek
etj. Në verën e atij viti u hapën shkolla shqipe
në Tepelenë, në Tiranë, në Vlorë,
në Zerqan, në Kaninë, në Leskovik etj.
U bënë përçapje për ngritjen e
shkollave të tjera shqipe pothuajse në të gjitha
qytetet e Shqipërisë. Në fillim të vitit
1910 klubi i Dibrës mori nismën për hapjen
e një numri të madh shkollash shqipe në këtë
rreth.
Gjatë vitit shkollor 1909-1910, përveç qyteteve
të tjera, gjuha shqipe u fut edhe në gjimnazet turke
të Elbasanit, të Vlorës, të Beratit dhe
të Shkupit (ku jepte mësim Bedri Pejani). Shqipja
filloi të mësohej gjithashtu në shkollën
Edep të Shkupit, që mbahej nga klubi
Rinia patriotike (Shubani vatan) të
këtij qyteti. Sipas të dhënave të shtypit
shqiptar të kohës, në vjeshtën e vitit
1909 gjuha shqipe ishte futur si lëndë pothuajse
në të gjitha gjimnazet (idadijet) turke të
Shqipërisë dhe në shumë shkolla qytetëse
(ruzhdie). Meqë Ministria e Arsimit, qysh në korrikun
e vitit 1909, kishte lejuar mësimin e gjuhëve të
vendit në gjimnazet turke, mësuesit e gjuhës
shqipe në këto shkolla u emëruan nga organet
e saj.
Por këto shkolla ndiqeshin nga një numër i
kufizuar nxënësish, prandaj atdhetarët shqiptarë
vijuan të kërkonin që gjuha shqipe të
mësohej në të gjitha shkollat fillore të
vendit, rrjeti i të cilave ishte më i gjerë.
Në fundin e vitit shkollor 1909-1910 mësimi i shqipes
u fut edhe në shkollën qytetëse të Prevezës,
në atë të Lurosit, në shkollat fillore
turke të Kolonjës, të Oparit, të Devollit,
të Përmetit, të Elbasanit dhe të disa
qendrave të Kosovës. Në fillim të vitit
1910 përfaqësues të popullsisë së
Ohrit kërkuan nga parlamenti që gjuha shqipe të
mësohej në të gjitha shkollat shtetërore
të kësaj prefekture.
Me gjithë pengesat e shovinistëve grekë, atdhetarët
shqiptarë gjatë vitit 1910 arritën të
fusnin mësimin e shqipes edhe në shkollat e tjera
greke, si në ato të Elbasanit, të Beratit,
të Kavajës dhe të Labovës së Poshtme.
Por përhapja e mëtejshme e shkollave dhe e shkrimit
shqip u pengua për shkak të shpërthimit të
reaksionit xhonturk kundër kulturës dhe Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare në përgjithësi.
Reaksioni xhonturk dhe qëndresa kundër tij (1909-1910)
Megjithëse Komiteti Qendror Bashkim e Përparim
kishte deklaruar se nuk do të përzihej në çështjen
e zgjedhjes së alfabetit të gjuhës shqipe,
në të vërtetë ai mobilizoi kundër
Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe në mënyrë
të veçantë kundër klubeve e shkollave
shqipe gjithë administratën shtetërore, qendrore
e lokale, klerikët fanatikë myslimanë dhe ekspeditat
e gjeneralëve osmanë.
Xhonturqit u mbështetën në këtë veprimtari
në ligjin mbi Bandat, që parashikonte
masa shumë të rrepta për të gjithë
ata që merrnin pjesë në çetat e armatosura
dhe për të afërmit e tyre, si dhe në ligjin
Mbi shoqëritë, që ndalonte të
gjitha organizatat kombëtare, përveç atyre
osmane. Këto dy ligje u miratuan nga parlamenti turk
në vjeshtën e vitit 1909, me gjithë kundërshtimin
e deputetëve të kombësive joturke.
Në shtator të vitit 1909 me urdhër të
valiut të Kosovës u mbyll shkolla shqipe e Pejës,
ndërsa në janar u dëmtua dhe më pas u
mbyll shkolla shqipe e Gjilanit. Në shkurt të vitit
1910 valiu i Kosovës urdhëroi të mbyllen të
gjitha shkollat shqipe të këtij vilajeti dhe të
hiqej mësimi i gjuhës shqipe nga shkollat shtetërore
turke. Hasan Prishtina, Nexhip Draga e atdhetarë të
tjerë kosovarë protestuan menjëherë kundër
këtyre veprimeve dhe kërkuan nga Stambolli largimin
e valiut nga Kosova.
Veprime të njëjta kundër shkollave shqipe u
ndërmorën në vilajetin e Janinës, ku drejtoria
e arsimit në fillim kundërshtoi kërkesat për
hapjen e shkollave të reja shqipe (në Leskovik,
Filat etj.), ndërsa në mars të vitit 1910 urdhëroi
të ndalohej mësimi i gjuhëve të tjera
në shkolla, përveç turqishtes.
Në fillim të vitit 1910 ministri i Arsimit deklaroi
se qeveria turke do të qëndrojë neutrale
në punët e alfabetit, por në shkollat shtetërore
do të vërë në zbatim alfabetin arab.
Pas kësaj administrata osmane filloi të fuste me
forcë në të gjitha shkollat e vendit alfabetin
arab për mësimin e shqipes. Sikurse theksonte ato
ditë kryeministri turk, Ibrahim Haki pasha, qeveria e
Stambollit e trajtonte çështjen e alfabetit shqip
si një problem politik, shihte në përdorimin
e alfabetit latin për shkrimin e shqipes hapin e parë
për shkëputjen e Shqipërisë nga Turqia.
Në përpjekjet e tyre për të penguar përhapjen
e shkollës e të shkrimit shqip xhonturqit u mbështetën
te klerikët konservatorë dhe tek elementët
e tjerë turkomanë nga radhët e shqiptarëve.
Kjo i dha mundësi Komitetit Qendror Bashkim e Përparim
ta paraqiste konfliktin rreth alfabetit shqip si një
çështje të brendshme të shqiptarëve.
Myftiu i Manastirit, Rexhep Nuredini, që ishte autor
i njërës prej tri abetareve shqipe me shkronja arabe,
bënte propagandë kundër alfabetit shqip të
Kongresit të Manastirit në vise të ndryshme
të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut
(deri në Vlorë), duke mobilizuar për këtë
qëllim edhe klubet xhonturke të oficerëve.
Po kështu vepronin myftinjtë e Korçës,
të Gjirokastrës, të Kavajës etj., ndërsa
ai i Prishtinës dhe i Dibrës nxorën qarkore,
në të cilat u bënin thirrje gjithë klerikëve
myslimanë të organizonin mitingje për të
përkrahur alfabetin arab.
Të nxitur nga xhonturqit, një grup prej 14 deputetësh
të parlamentit, që u paraqitën si shprehës
të ndjenjave të popullit shqiptar, edhe
pse mjaft prej tyre nuk dinin të shkruanin e të
lexonin shqip, kërkuan nga kryeministri turk në
janar të vitit 1910 që të përdorej alfabeti
arab për shkrimin e shqipes dhe të ndalohej ai latin.
Kishte midis tyre edhe deputetë shqiptarë të
njohur për qëndrimet e tyre antikombëtare,
si Mahmut Bedriu (Peja), Haxhi Ali Elbasani, Fuat Pasha i
Prishtinës, Sait Efendiu (Idrizi) i Shkupit, Hasan Basriu
i Dibrës, Riza Efendiu i Shkodrës etj.
Përkundrazi, deputetët atdhetarë, Ismail Qemali,
Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Shahin Kolonja etj., të
zemëruar nga veprimet e parlamentarëve turkomanë,
i dërguan kryeministrit një letër proteste,
ku kërkuan që të respektoheshin të drejtat
e ligjshme të shqiptarëve, të liheshin ata
të lirë të përdornin alfabetin që
dëshironin dhe që administrata qeveritare të
mos ndërhynte.
Në bashkëpunim me elementët turkomanë,
si Sait Efendiu (deputet i Shkupit), Arif Hiqmeti etj., valiu
i Kosovës, Masar Beu, më 2 shkurt të vitit
1910 organizoi një miting në një nga xhamitë
e Shkupit, në të cilën klerikët fanatikë
i shpallën shkronjat latine në kundërshtim
me fenë islame dhe kërkuan që të ndalohej
përdorimi i tyre për gjuhën shqipe. Më
6 shkurt u mbajt një miting tjetër në një
nga xhamitë e Manastirit, ku u kërkua të hiqej
alfabeti latin për gjuhën shqipe dhe të futej
ai arab, me të cilin ishin shkruar edhe librat e shenjtë.
Mitingje të tilla në përkrahje të alfabetit
arab u mbajtën në shkurt të atij viti edhe
në Elbasan, në Gjakovë, në Korçë,
në Gjilan, në Vuçiternë, në Mitrovicë
e në qendra të tjera, në të cilat, sipas
dëshmive të bashkëkohësve, morën
pjesë vetëm klerikët konservatorë myslimanë
dhe një grusht fanatikësh turkomanë.
Disa nga krerët turkomanë shqiptarë, duke pasur
përkrahjen e xhonturqve, formuan në Stamboll më
4 mars 1910 shoqërinë me emrin Rrethi arsimor
shqiptar (Arnavud mahfel mearifi), të
kryesuar nga kleriku e senatori Haxhi Ali Elbasani, që
ishte edhe deputet i parlamentit, Mahmut Bedriu, deputet i
Pejës etj. Shoqëria ose Mahfeli, siç
u quajt në atë kohë, filloi të punonte
për të përhapur në Shqipëri arsimin
me shkronja arabe, duke botuar libra e gazeta me këtë
alfabet, që të forconte kështu lidhjet
e shqiptarëve me atdheun osman.
Me gjithë përpjekjet e xhonturqve për ta shtrirë
veprimtarinë e Mahfelit në vilajetin
e Kosovës e në viset e tjera shqiptare, ajo u kufizua
kryesisht në Stamboll. Edhe këtu iu kundërvunë
atij shumë atdhetarë të Stambollit, që
formuan Shoqatën e intelektualëve shqiptarë,
e cila mbronte alfabetin shqip të Kongresit të Manastirit.
I nxitur nga Komiteti Bashkim e Përparim,
edhe Shejhylislami i propozoi Ministrisë së Arsimit
që të ndalonte futjen e alfabetit latin për
shkrimin e shqipes dhe më 5 prill, me anën e një
qarkoreje të veçantë u kërkoi të
njëjtën gjë gjithë myftinjve të Shqipërisë.
Shejhylislami dhe fill pas tij shehlerët e hoxhallarët
fanatikë e turkomanë mallkuan alfabetin latin, u
ndaluan myslimanëve ta përdornin atë dhe kërkuan
prej tyre të shkruanin gjuhën shqipe vetëm
me shkronjat e shenjta të Kuranit.
Në luftën kundër shkollës e kulturës
kombëtare shqiptare turqit e rinj patën përkrahjen
e dhespotëve ortodoksë grekë dhe të klerikëve
grekomanë shqiptarë, të cilët, me ndihmën
e bandave të andartëve që vepronin lirisht
edhe pas shpalljes së kushtetutës, terrorizonin
popullsinë e Negovanit, të Bellkamenit dhe të
fshatrave të Shqipërisë së Jugut e të
Mesme, që kërkonte çeljen e shkollave shqipe.
Këto veprime të xhonturqve shkaktuan zemërim
të thellë tek atdhetarët dhe te populli shqiptar,
që u ngritën për mbrojtjen e shkollës
e të shkrimit shqip dhe të të drejtave kombëtare.
Në krye të kësaj qëndrese, thuajse të
përgjithshme, u vunë klubet e shoqëritë
atdhetare, si klubi Bashkimi i Manastirit, klubi
Dituria i Gjirokastrës, klubet e Korçës,
të Elbasanit, të Pogradecit, të Kolonjës
etj. Ato protestuan pranë qeverisë turke kundër
ndjekjeve që po u bëheshin gjuhës shqipe dhe
atdhetarëve shqiptarë.
Paria e Prishtinës, në një letër që
i dërgonte në fund të dhjetorit të vitit
1909 deputetit të saj, Hasan Prishtina, në emër
të popullsisë së kësaj treve, protestonte
kundër përpjekjeve që po bëheshin për
ti detyruar shqiptarët të përdornin alfabetin
arab, theksonte se alfabeti latin është më
i përshtatshëm për gjuhën shqipe, se përdorimi
i tij nuk krijon ndonjë shqetësim as nga pikëpamja
politike, as edhe nga ajo fetare. Në këtë dokument
i kërkohej Hasan Prishtinës që të ndërmjetësonte
pranë qeverisë që mësimet në shkollat
fillore të bëheshin në gjuhën shqipe dhe
që ajo të jepej me alfabetin latin.
Orvatjet e qeverisë turke në fillim të vitit
1910 për të futur në shkolla alfabetin arab
për mësimin e shqipes, hasën në qëndresën
e vendosur të mësuesve dhe të nxënësve,
që në shumë qytete të Shqipërisë,
si në Korçë, Berat, Durrës, Janinë,
Shkup e në vende të tjera, braktisën shkollat
turke dhe protestuan kundër autoriteteve shtetërore.
Edhe populli i Elbasanit iu përgjigj mitingut të
klerikëve fanatikë e turkomanë myslimanë
me një manifestim masiv kundër futjes së alfabetit
arab, i cili u organizua më 18 shkurt 1910 në një
nga sheshet e qytetit, ku morën pjesë rreth 7 000
qytetarë e fshatarë të ardhur nga Shpati dhe
nga katundet e tjera të Elbasanit. Në këtë
miting populli kërkoi nga qeveria dhe nga parlamenti
të pranonin përdorimin e alfabetit shqiptar (latin)
për shkrimin e gjuhës shqipe.
Më 27 shkurt u organizua nga klubi Dituria
një miting i madh në Korçë në mbrojtje
të abëcësë shqipe, ku morën pjesë
rreth 15 000 veta nga qyteti e nga rrethi i Korçës,
nga Devolli, nga Kolonja, nga Opari e nga Pogradeci. Në
emër të popullit të mbledhur në këtë
tubim iu dërguan telegrame proteste, kundër futjes
së alfabetit arab, qeverisë turke dhe deputetëve
shqiptarë të parlamentit.
Një pjesëmarrje të gjerë pati edhe mitingu
që u zhvillua në Berat më 28 shkurt, ku qenë
të pranishëm rreth 15 000 veta, banorë të
qytetit e të fshatrave të rrethit. Në telegramet
e protestës, që iu dërguan qeverisë turke
në emër të popullit të Beratit, theksohej
se, duke futur alfabetin arab qeveria synon ti
lërë shqiptarët në padije si gjer më
sot dhe të futë grindje e përçarje ndërmjet
atyre myslimanë dhe ortodoksë. Mitingje të
tilla u mbajtën edhe në Tepelenë, në Përmet
dhe në Skrapar.
Telegrame proteste kundër përdorimit të alfabetit
arab dhe për mbrojtjen e alfabetit latin iu dërguan
qeverisë e parlamentit turk edhe në emër të
popullit të Gjirokastrës (nga Shoqëria Bashkimi),
të Çamërisë (nga klubi i Filatit), të
Shkupit, të Ohrit, të Vlorës, të Prishtinës,
të Mitrovicës, të Gramshit, të Përmetit,
të Frashërit, të Tepelenës, të Konicës,
të Leskovikut etj.
Duke vënë theksin në përmasat e kësaj
lëvizjeje, konsulli francez në Shkodër i shkruante
qeverisë së tij, në shkurt të vitit 1910,
se tërë Shqipëria është ngritur kundër
përpjekjeve të qeverisë turke për ti
detyruar shqiptarët të përdorin alfabetin arab,
si dhe për të mbrojtur alfabetin shqip të vendosur
në Kongresin e Manastirit.
Mitingjet e zhvilluara nga klubet shqiptare në shkurt
të vitit 1910, si nga shkalla e organizimit e rregulli
që zotëroi në to, nga përmbajtja kombëtare
e përparimtare e kërkesave të tyre, ashtu edhe
nga përmasat që morën, ishin ngjarje të
reja për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe të
rralla e të papara deri atëherë, jo vetëm
për Shqipërinë, por edhe për gjithë
Perandorinë Osmane.
Kongresi i Dytë i Manastirit (2-3 prill 1910)
Në këtë gjendje të acaruar të marrëdhënieve
shqiptaro-turke, kur konflikti me xhonturqit për çështjet
e kulturës shqiptare kishte arritur kulmin e tij, atdhetarët
shqiptarë mblodhën një kuvend tjetër kombëtar,
Kongresin e Dytë të Manastirit. Ky tubim u thirr
me nismën e klubit Bashkimi të Manastirit
dhe i zhvilloi punimet nga 2-3 prill të vitit 1910.
Në Kongres morën pjesë 20 delegatë, që
përfaqësonin 34 klube e shoqëri të vilajeteve
të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit
e të Janinës, si edhe klubet shqiptare të Stambollit,
të Selanikut e të qendrave të tjera. Kongresit
i erdhën telegrame përshëndetjeje nga anë
të ndryshme të Shqipërisë dhe nga shoqëritë
atdhetare të mërgimit.
Ndryshe nga kongreset e mëparshme kombëtare, në
këtë kuvend pati një numër mjaft të
madh delegatësh nga qytetet e vilajeteve të Kosovës
dhe të Manastirit, nga Peja, Gjakova, Gjilani, Mitrovica,
Vuçiterna, Shkupi, Tetova, Dibra, Struga, Ohri etj.
Midis delegatëve ishin Dervish Hima, Fehim Zavalani,
Petro Nini Luarasi, Hysni Curri, Ferit Ypi, Bedri Pejani,
Qamil Shkupi, Gjergj Qiriazi, Bejtullah Gjilani, Themistokli
Germenji, Tefik Panariti, Hajdar Blloshmi, Abdullah Efendiu
(nga Struga), Qazim Iliaz Dibra, Rexhep Mitrovica, Xhafer
Kolonja etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Bedri Pejani, ndërsa
sekretarë Ferit Ypi dhe Petro Nini Luarasi.
Sikurse dëshmon Zëdhënia që
klubi Bashkimi i Manastirit shpërndau me
këtë rast, qëllimi i këtij Kongresi ishte
të diskutonte çështjet që kishin të
bënin me mbrojtjen e shkollës, të shkrimit
e të kulturës kombëtare kundër reaksionit
xhonturk dhe kundër politikës asimiluese të
xhonturqve. Kongresi do të merrte masa të mëtejshme
për zgjerimin e rrjetit të shkollave shqipe dhe
për zhvillimin e kulturës shqiptare në tërësi.
Kongresi i Dytë i Manastirit ishte një manifestim
politik e kombëtar shqiptar. Si në fjalimet e delegatëve,
ashtu edhe në vendimet e Kongresit u shpreh protesta
kundër përndjekjeve që po u bëheshin shkollës
e alfabetit shqip nga Komiteti Qendror Bashkim e Përparim
dhe nga qeveria turke.
Dervish Hima, që mbajti edhe fjalën e hapjes në
Kongres, foli për nevojat e zhvillimit të
arsimit, të përhapjes së diturisë dhe
të përparimit të kombit shqiptar. Ai
dhe delegatët e tjerë, si Ferit Ypi, Tefik Panariti
etj., kritikuan Komitetin Qendror Bashkim e Përparim,
i cili, në kundërshtim me premtimet që u kishte
bërë shqiptarëve, po u mohonte të drejtën
e arsimit kombëtar dhe të përdorimit të
lirë të gjuhës shqipe, ndërhynte egërsisht
në çështjen e alfabetit të gjuhës
shqipe, që ishte një e drejtë e natyrshme e
njerëzore si për çdo popull. Ky qëndrim
i xhonturqve u cilësua nga delegatët si një
përpjekje për të përçarë shqiptarët
sipas dasive fetare, për të osmanizuar myslimanët
shqiptarë dhe për të penguar përparimin
kulturor dhe emancipimin politik të kombit shqiptar.
Na kanë shpallur luftë në fushën
e shkronjave, theksoi Dervish Hima në Kongres,
prandaj ne që jemi mbledhur këtu, bashkë
me gjithë atdhetarët shqiptarë, do ti
mbrojmë me çdo mjet shkronjat tona kombëtare
.
Kongresi tërhoqi vëmendjen e gjithë atdhetarëve
shqiptarë për rrezikun e shkombëtarizimit dhe
të aneksimit të territoreve të Shqipërisë
nga shtetet fqinje, nga Serbia, Greqia e Bullgaria. Serbia,
u tha në Kongres, duke ndjekur një politikë
shoviniste, synon të pushtojë Kosovën, të
cilën e ka pagëzuar me emrin Stara Serbia,
ndërsa qarqet politike të Greqisë po përpiqen
me të gjitha mjetet, duke përdorur klerikët
ortodoksë konservatorë e progrekë, shkollat
e mësuesit grekomanë, të asimilojnë shqiptarët
e krishterë dhe të aneksojnë territoret e Shqipërisë
së Jugut. Petro N. Luarasi theksoi në fjalën
e tij se këta klerikë fanatikë e grekomanë,
të nxitur nga Greqia, mallkojnë e shkishërojnë
banorët e fshatrave Progër, Negovan e Bellkamen
sepse çojnë fëmijët në shkollat
shqipe, ndërsa bandat e andartëve grekë, të
paguar nga Athina, vrasin atdhetarët më të
dalluar që përhapin mësimin e shkrimin shqip.
Gjatë 5 vjetëve të fundit ishin vrarë
në Negovan nga bandat greke 45 shqiptarë. Për
të paralizuar këtë veprimtari Petro Nini Luarasi,
përveç të tjerave, i propozoi Kongresit që
të kërkonte që kisha shqiptare të ndahej
nga Patrikana greke.
Aktet kryesore të Kongresit të Dytë të
Manastirit ishin Programi prej 10 pikash dhe një Promemorje
prej 4 pikash, që iu dërgua qeverisë turke.
Në këto dokumente parashikoheshin masa të rëndësishme
për zhvillimin e arsimit kombëtar, për mbrojtjen
e alfabetit të shqipes, për botimin e librave dhe
të teksteve shkollore shqipe. Për këtë
qëllim do të ngrihej pranë klubit qendror një
komision arsimor-kulturor, që në program quhej Akademi,
i cili do të merrej me botimin e teksteve shkollore,
të veprave letrare dhe të një fjalori shqip-turqisht
e anasjelltas. Parashikohej të hapej në Shkup një
shkollë normale me konvikt, e ngjashme me atë të
Elbasanit, dhe të themelohej këtu një gazetë
e re në shqip dhe në turqisht, me anën e së
cilës do të informoheshin shqiptarët dhe opinioni
publik evropian për ngjarjet e rëndësishme
që po zhvilloheshin në këtë vilajet. Kongresi
ngarkonte klubet dhe gjithë atdhetarët shqiptarë
që të punonin për zgjerimin e mëtejshëm
të rrjetit të shkollave shqipe, për sigurimin
e lokaleve shkollore, të mësuesve dhe të mjeteve
të nevojshme financiare.
Në Promemorjen prej katër pikash, që iu dërgua
Portës së Lartë, parashtroheshin këto
kërkesa: të jepej liri e plotë për mësimin
e gjuhës shqipe, në përputhje me të drejtat
kushtetuese; të mënjanoheshin të gjitha pengesat
që nxirrnin autoritetet shtetërore për zhvillimin
e lirë të kombit shqiptar dhe veçanërisht
të mos lejohej asnjë lloj ndërhyrjeje në
mënyrën e mësimit të gjuhës kombëtare
(shqipe), duke ua lënë të drejtën e zgjedhjes
së alfabetit të shqipes, siç qe vendosur
në Kongresin e Dibrës, mësuesve (shqiptarë);
të caktohej nga qeveria një subvencion për
shkollat e të krishterëve shqiptarë, për
ti shkëputur ato nga ndikimi i Greqisë dhe
ti kërkohej Patrikanës nga qeveria që
të lejonte përdorimin e gjuhës shqipe gjatë
predikimit në kisha. Promemorja ngarkonte klubin qendror
shqiptar që të këshillohej me Shejhylislamin
rreth dëmit që gjoja i shkaktohej fesë
myslimane nga përdorimi i alfabetit latin për mësimin
e shqipes.
Kongresi mori masa edhe për forcimin e lidhjeve organizative
ndërmjet klubeve shqiptare dhe për bashkërendimin
e veprimtarisë së tyre. U vendos që klubet
shqiptare të kishin një rregullore të njëjtë
dhe të detyrueshme për të gjithë. Kjo
rregullore a kanonizëm e përgjithshme do të
njihej zyrtarisht edhe prej qeverisë turke. Një
vendim i tillë ishte marrë edhe në Kongresin
e Elbasanit, por nuk ishte vënë në zbatim.
Të gjitha klubet do të drejtoheshin nga klubi qendror
shqiptar, atributet e të cilit tani, ndryshe nga vendimet
që ishin marrë në kongreset e mëparshme,
do ti kishte klubi i Stambollit. Kongresi mendoi se
duke e shpërngulur qendrën udhëheqëse
të klubeve nga Manastiri në Stamboll do të
krijohej një udhëheqje e vetme e Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare, ku të bashkoheshin drejtuesit e klubeve dhe
deputetët atdhetarë shqiptarë të parlamentit,
si Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Shahin Kolonja etj. Këta
deputetë parashikohej të përfshiheshin edhe
në kryesinë qendrore të klubit të Stambollit.
Megjithatë, vendimi i Kongresit të Dytë të
Manastirit, për të caktuar si klub qendror atë
të Stambollit, nuk u pëlqye nga rrethet e gjera
atdhetare të vendit. Edhe ngjarjet e mëvonshme,
sidomos qëndrimi i udhëheqjes së këtij
klubi ndaj kryengritjes shqiptare të vitit 1910, kur
ajo mori hapur në mbrojtje xhonturqit, provuan se ky
vendim ishte i gabuar.
Po kështu u vendos që të thirrej në korrik
të vitit 1910 një kongres më i gjerë në
Janinë, i cili, krahas problemeve të tjera, do të
zgjidhte përfundimisht problemin e alfabetit, duke zgjedhur
njërën prej dy abëcëve latine, të
miratuara nga Kongresi i Parë i Manastirit.
Në Kongresin e Dytë të Manastirit, ashtu si
në ato të mëparshmet, u mbajtën edhe mbledhje
të fshehta, në të cilat u diskutuan çështje
të tilla politike, siç ishin forcimi i komiteteve
të fshehta dhe masat që duheshin marrë për
përgatitjen e një kryengritjeje të përgjithshme.
Por, ndërsa për komitetet e fshehta u mor vendim
që të zgjeroheshin e forcoheshin më tej, për
përgatitjen e kryengritjes së përgjithshme
nuk u mor ndonjë masë. Kjo çështje u
la të diskutohej e të vendosej në kongresin
e ardhshëm. Sipas të dhënave të bashkëkohësve,
në mbledhjet e fshehta u hartua edhe një program
politik, të cilin ata e quanin platformë të
autonomisë së Shqipërisë, ku, përveç
të tjerave, parashikohej njohja zyrtare e kombit shqiptar,
mësimi i gjuhës shqipe në të gjitha shkollat
e Shqipërisë dhe njohja e saj si gjuhë zyrtare.
Megjithatë, ky program nuk u përfshi në asnjërin
nga dy aktet e shpallura botërisht të Kongresit.
Kongresi i Dytë i Manastirit, ashtu si mitingjet, protestat
dhe manifestimet e tjera që u zhvilluan në Shqipëri
në pragun e këtij kuvendi, në shkurt-mars të
vitit 1910, shprehën vendosmërinë e shqiptarëve
për mbrojtjen e shkrimit shqip, të shkollës
dhe të kulturës kombëtare në tërërsi.
Ato ishin, njëherazi, një paralajmërim për
kryengritjen e armatosur që do të shpërthente
në pranverën e vitit 1910.
|
 |  |