 |  |
K R E U II
JETA POLITIKE NË TROJET SHQIPTARE.
KRYENGRITJET E ARMATOSURA
(SHEK. XVI - MESI I SHEK. XVIII)
1. KRYENGRITJET E ARMATOSURA TË SHEK. XVI
Kryengritja e Himarës
Gjatë shek. XVI vatër e kryengritjeve u bënë
veçanërisht tri krahina: Labëria, Dukagjini
dhe Malësia e Madhe.
Labëria u përfshi në sistemin e timarit gjatë
periudhës midis viteve 1492-1506, por banorët e
kësaj treve të gjerë e vazhduan qëndresën
e tyre kundër këtij sistemi. Më 1507 fshatrat
Veliqot, Dragot, Vasiar, Tatzat, Kudhës, Dhërmi,
Kallarat etj., vazhdonin të mos paguanin xhizjen dhe
me armë në dorë u kundërshtonin spahinjve.
Në vitin 1537 fshatarësia labe organizoi një
kryengritje të madhe që shqetësoi edhe sulltanin
për shkak se, ashtu si më 1492, kjo u bë pengesë
për zbatimin e planeve që po përgatiste Sulejmani
II për të pushtuar Italinë. Nënshtrimi
i Labërisë do të shërbente si bazë
operacionesh për të kaluar në bregdetin perëndimor.
Mirëpo qeveritarët e sanxhakut të Vlorës,
me forcat e tyre ushtarake, nuk qenë në gjendje
ta shtypnin kryengritjen. Ashtu si Bajazidi II, edhe sulltan
Sulejman Ligjvënësi vendosi të bënte me
këtë rast një rrugë e dy punë, të
nënshtronte Labërinë, për të nxjerrë
të gjitha detyrimet e prapambetura që nuk u ishin
paguar spahinjve dhe shtetit, dhe pastaj të hidhej me
flotën e tij në bregun tjetër të detit
Adriatik. Për këtë qëllim, në pranverën
e atij viti ai u nis në drejtim të Shqipërisë
dhe në muajin korrik 1537 e vendosi kampin ushtarak në
afërsitë e Vlorës. Në të njëjtën
kohë arriti para bregdetit të Himarës edhe
flota osmane.
Ardhja e ushtrisë perandorake në Shqipërinë
Jugore u bë shkak që tërë krahina e Labërisë
të ngrihej në luftë. Filluan sulmet kundër
kampeve ushtarake osmane dhe karvaneve ushqimore.
Për të shtypur kryengritjen sulltani ngarkoi Vezirin
e Madh, Ajaz Pashën, me prejardhje nga Himara, i cili
i njihte shtigjet e këtyre krahinave. Por nuk e pati
të lehtë ti shtypte kryengritësit shqiptarë.
Pasi u qëndruan me trimëri sulmeve armike, kryengritësit
me shkathtësi të madhe kaluan në kundërsulme
të shpeshta.
Luftimet vazhduan gjatë verës së vitit 1537,
por pushtuesit nuk mundën ta shtypnin kryengritjen. Gjatë
këtyre sulmeve, një himariot i quajtur Damian hyri
në kampin perandorak për të vrarë sulltanin,
por nuk ia arriti qëllimit, sepse u kap nga rojet. Gjersa
iu pre kryet, Damiani u qëndroi torturave dhe nuk u tregoi
armiqve pozitat e bashkëluftëtarëve.
Sukseset e kryengritësve shqiptarë të korrura
në këto luftime të pabarabarta, i dhanë
kohë mbretit të Napolit për të organizuar
mbrojtjen e vendit nga inkursionet e flotës osmane. Nga
ana tjetër, ato e detyruan sulltanin të ndërpriste
sulmet në bregdetin perëndimor dhe të hiqte
dorë nga zbarkimi në Pulje. Kontributi i madh i
shqiptarëve për mbrojtjen e Italisë prej një
shkatërrimi të mundshëm osman, pasqyrohet qartë
në dëshmitë e një relatori bashkëkohës,
i cili shkruante: Kur çdo gjë ... ishte
gati për të kaluar në Pulje, ... shqiptarët,
kryesisht himariotët, u shkaktuan ushtarëve të
sulltanit pengesa e trazira të mëdha... Këta
... u bënë shkaku kryesor që shpëtoi Pulja,
dhe ajo mbretëri (e Napolit) nga një rrënim
i madh dhe nga zjarri që u rrinin mbi kokë.
Me këtë rast sulltani, me qëllim që të
forconte sundimin e vet në krahinat e bregdetit shqiptar,
vendosi të pushtonte ishullin e Korfuzit, që ishte
nën pushtetin venedikas.
Edhe për pushtimin e Korfuzit shqiptarët u shkaktuan
trupave të sulltanit pengesa të mëdha. Për
një muaj të tërë ata nuk i lejuan forcat
osmane të kalonin nga Vlora gjatë bregdetit të
Himarës. Këto forca u detyruan të ndërronin
drejtim dhe të ndiqnin rrugën Tepelenë-Gjirokastër-Delvinë
gjersa dolën në bregdet përballë ishullit
të Korfuzit. Kampi perandorak u vendos në Butrint.
Lufta e kryengritësve labë u dha mundësi venedikasve
të përforconin ndërkohë mbrojtjen e ishullit,
prandaj edhe sulmi osman kundër Korfuzit dështoi.
Megjithëkëtë, sulltani nuk u largua pa bërë
edhe një përpjekje për të nënshtruar
krahinën kryengritëse të Kurveleshit. Për
këtë qëllim ai urdhëroi të ndërtohej
kështjella e Cerjes (në Mesaplik). Por në shtator,
duke hequr dorë nga pushtimet e ëndërruara
drejt Italisë dhe pa arritur ta nënshtronte plotësisht
Labërinë, pasi i vuri zjarrin Butrintit, sulltani
u largua nga bregdeti jugor shqiptar për në Stamboll.
Ndërkohë qeveritarët lokalë, me ndihmën
e forcave të pushtetit qendror, më së fundi
arritën ti nënshtronin, qoftë dhe përkohësisht,
krahinat kryengritëse të Kurveleshit dhe të
Himarës, por duke u njohur privilegjin e vetëqeverisjes.
Kryengritjet antiosmane në gjysmën e dytë të
shek. XVI
Në një kohë me nënshtrimin e krahinës
së Labërisë në jug, qeveritarët osmanë
i shtuan përpjekjet për të forcuar pozitat
e tyre edhe në Shqipërinë e Veriut dhe të
Mesme, në krahinat fushore si edhe në ato malore
të vetëqeverisura. Duke i nisur sulmet e tyre nga
kështjellat e Shkodrës, e Podgoricës, e Zhabjakut,
e Medunit, e Plavës dhe nga qytezat gjatë rrugës
Shkodër-Prizren, spahinjtë u përpoqën
të depërtonin e të vendoseshin në çdo
krahinë të kësaj treve. Malësorët
dhe fshatarësia fushore iu përgjigjën këtyre
sulmeve me një qëndresë të armatosur,
e cila gjatë dhjetëvjeçarit 1560-1571 u shndërrua
në një kryengritje të gjerë që përfshiu
shumë krahina të Shqipërisë Veriore e
të Mesme si dhe krahinën e Labërisë. Në
mënyrë të veçantë kryengritja u
përhap në Malësinë e Madhe, në zonën
e Dukagjinit, të Dibrës, të Kurbinit dhe në
krahinat fushore të Shkodrës, Lezhës, Mysjes,
Ishmit etj.
Në muajt shkurt-prill 1560, më shumë se 500
fshatarë nga Reçi, Dardha e nga fshatra të
tjerë të Lurës e të Dibrës së
Poshtme, ngritën krye, vranë spahinjtë dhe
u dogjën shtëpitë. Sulltani dërgoi Çaush
Koçiun, njohës shumë i mirë i terrenit
dhe ngarkoi për të shtypur kryengritjen forcat e
sanxhakbejlerëve të Ohrit, Elbasanit e të Dukagjinit.
Kryengritësit nuk mundën tu bënin ballë
ushtrive osmane. Pesë vjet më vonë flaka kryengritëse
u përhap në nahijen e Pukës dhe në zonën
midis liqenit të Ohrit e bregdetit, deri në krahinën
e Mysjes. Rrugët u prenë ndërsa kryengritësit
sulmuan kështjellat. Ashpërsia e Stambollit për
shtypjen e kësaj kryengritjeje duket në urdhrin
e sulltanit, ku thuhej: të pabindurit ti
shkoni në shpatë, fëmijët dhe gratë
e tyre ti bëni robër, kurse pasuritë
dhe plaçkat tua grabitni.
Për shtypjen e kryengritjes, u mobilizuan forcat ushtarake
të sanxhakbejlerëve të Ohrit, të Elbasanit
dhe të Dukagjinit, por as këto forca të bashkuara,
nuk arritën ta mposhtnin atë. Madje, gjendja u ashpërsua
më tepër dhe kryengritja pak nga pak u përhap
në të gjitha tokat e sanxhakëve të Ohrit,
të Dukagjinit dhe të Shkodrës.
Në shkurt të vitit 1565 u ngritën përsëri
malësorët e krahinave të Pukës, Iballës,
Spasit, Mirditës dhe të Lumës. Vatra të
rëndësishme të luftës u bënë
sidomos fshatrat Riba, Rapi, Dushi, Kullumbria, Fandi i Vogël,
Mirdita e Madhe dhe e Vogël, Qerreti i Sipërm e
i Poshtëm, Ujmishti, Syroj etj. Kryengritësit prenë
rrugën Shkodër-Prizren dhe i shtrinë sulmet
e tyre në viset fushore. Ndërkohë kryengritja
u përhap edhe në krahinat malore të Kelmendit,
Kuçit, Pipërit si dhe në fshatrat e rrethinës
së Shkodrës, si në Kakariq, Balldren, Trush
i Sipërm dhe i Poshtëm, Reç, Obod, Shënkoll,
Shas etj. Kryengritësit dëbuan përfaqësuesit
e pushtetit lokal dhe kundërshtuan ti bindeshin
legjislacionit osman. Krerët e tyre kishin zënë
tani vendet e kadilerëve dhe të subashëve.
Kundër kryengritësve u hodhën forcat ushtarake
të bashkuara të sanxhakbejlerëve të Dukagjinit,
të Ohrit dhe të Shkodrës, por edhe këto
nuk arritën ta përmbushnin urdhrin e sulltanit për
tu dhënë fund një herë e mirë
trazirave në Shqipëri. Kryengritjet vazhduan
edhe pas vitit 1565, kur u bënë më të
përgjithshme, meqenëse u shtrinë edhe në
Shqipërinë Jugore.
Dy vjet më vonë (më 1567) ngritën krye
përsëri malësorët e Labërisë.
Forcat ushtarake të sanxhakbejlerëve të Vlorës
dhe të Janinës hynë në thellësi të
krahinës, ku ndëshkuan disa fshatra, duke i plaçkitur
e djegur, por lëvizjen nuk mundën ta shuanin. Kryengritësit
u hakmorën menjëherë, siç thuhet në
një dokument bashkëkohës, duke sulmuar
lëmin e luftës të sanxhakbeut të Janinës,
të cilin e thyen, e vunë në ikje, e plaçkitën
dhe vranë më shumë se 800 turq.
Në nëntor të vitit 1568, banorët e disa
fshatrave të sanxhakëve të Dukagjinit dhe të
Ohrit, veçanërisht ata të krahinave të
Dibrës së Poshtme, Lumës, Mirditës, Mysjes
u hodhën përsëri në kryengritje, vranë
përfaqësuesit e pushtetit osman dhe refuzuan të
paguanin xhizjen. Gjendja në vend nuk ishte qetësuar
aspak. Pushteti osman në një varg krahinash u përmbys
dhe kryengritjet vazhduan të shpërthenin dhe në
vitin 1570, kur me krijimin e një gjendjeje të jashtme
ndërkombëtare të favorshme, arritën kulmin
e zhvillimit të tyre.
Në gjysmën e dytë të shek. XVI Perandoria
Osmane ishte në kulmin e fuqisë së vet. Epërsia
e saj ushtarake qëndronte jo vetëm në forcat
tokësore, por edhe në fuqinë e madhe detare,
me të cilën rrezikonte ishujt e deteve Egje e Jon,
që ishin kryesisht nën sundimin e Republikës
së Venedikut. Më 1570 një flotë e madhe
osmane sulmoi ishullin e Qipros. Hyrja në veprim e kësaj
fuqie të rëndësishme detare shqetësoi
Venedikun dhe shtetet e tjera mesdhetare evropiane. Si rrjedhim,
u formua një koalicion nga shtetet pjesëmarrëse
kundër Perandorisë Osmane. Spanja, Papati e Venediku
ishin më të interesuar në shpërthimin
e kryengritjeve shqiptare, me të cilat synonin ti
gozhdonin osmanët në Shqipëri. Venediku kërkonte
të mbronte me anë të kryengritjeve zotërimet
e veta të Ulqinit e të Tivarit si dhe ishullin e
Korfuzit. Pranë krerëve kryengritës u dërgua
si përfaqësues i koalicionit princi roman Prosper
Kolana. Krerët e lëvizjes kryengritëse shqiptare
u vunë menjëherë në lidhje me koalicionin
e shteteve evropiane, duke shpresuar të gjenin te ky
koalicion një aleat të jashtëm, që do
ti ndihmonte për ta hequr qafe zgjedhën osmane.
Prandaj me shpërthimin e luftës midis Perandorisë
Osmane dhe koalicionit të shteteve evropiane, lëvizja
kryengritëse shqiptare, që nuk ishte ndërprerë,
mori hov më të madh dhe karakteri i saj çlirimtar
doli në plan të parë.
Lëvizja mori një hov të tillë sidomos
në krahinat e sanxhakëve të Shkodrës e
të Dukagjinit. Përveç malësorëve
u hodhën në luftë edhe banorët e rrethinës
së Shkodrës, të cilët kishin vendosur
lidhje me garnizonet e fortesave të Tivarit dhe të
Ulqinit. Në shkurt të vitit 1570, 7 000 deri 8 000
kryengritës shqiptarë, të bashkuar me forcat
e këtyre garnizoneve, sulmuan për tri ditë
rresht qytetin e Lezhës, por nuk arritën ta çlironin.
Pasi u bashkuan me malësorët dukagjinas, ata çliruan
Ishullin e Lezhës. Ndërkohë ngritën krye
edhe banorët e Mysjes, të Kurbinit e të Krujës,
të cilët i shtrinë sulmet deri në kështjellën
e Lezhës. Pas çlirimit të Ishullit të
Lezhës, forcat e kryengritësve në bashkëveprim
me forcat venedikase iu drejtuan Shkodrës dhe sulmuan
qytetin. Mbrojtësve të Shkodrës u erdhi në
ndihmë ushtria e ejaletit të Rumelisë, ndaj
sulmi nuk pati sukses. I alarmuar nga përpjesëtimet
e mëdha që mori kryengritja, pushteti qendror osman
dërgoi forca të mëdha ushtarake dhe mundi ta
kufizonte atë vetëm në viset malore.
Ndërkohë vazhduan luftimet veneto-osmane në
bregdetin shqiptar e dalmat. Në qershor të vitit
1570 flota e Venedikut u përpoq të pushtonte Durrësin,
por garnizoni osman mundi ta përballonte sulmin. Pas
kësaj flota mori rrugën drejt bregdetit të
Himarës, ku banorët prej kohësh ishin hedhur
në kryengritje. Në bashkëpunim me stratiotët
që erdhën me anije, himariotët shtinë
në dorë kështjellën e Sopotit dhe çliruan
të gjithë krahinën e Himarës. Por edhe
kjo fitore nuk zgjati shumë. Forcat e sanxhakbejlerëve
të Vlorës dhe të Delvinës, të përkrahura
nga trupa të shumta jeniçere, që erdhën
me flotën osmane, e shtypën kryengritjen dhe vendosën
përsëri pushtetin e tyre.
Pastaj flota osmane kaloi në ujërat e Ulqinit për
të bashkëvepruar me forcat ushtarake që vepruan
kundër kryengritësve në sanxhakët e Shkodrës
e të Dukagjinit. Pasi ishin çliruar tashmë
nga pesha e madhe e kryengritjes së Veriut, forcat osmane
rrethuan garnizonin venedikas të Ulqinit që qëndroi
gjatë dhe u dorëzua vetëm në gusht të
vitit 1571. Sanxhakbeu fitimtar e la të lirë garnizonin
venedikas të shkonte në Raguzë, kurse popullsinë
vendase shqiptare e ndëshkoi me egërsi të madhe.
Një pjesë të qytetarëve i kaloi në
shpatë, kurse pjesën tjetër, sidomos gratë
e fëmijët, i mori me vete si skllevër.
Pak më vonë forcat e sanxhakbeut të Shkodrës
rrethuan Tivarin, mirëpo garnizoni venedikas e dorëzoi
qytetin pa luftë. Kështu kaluan edhe pjesët
e fundit të truallit shqiptar nën zgjedhën
osmane.
Në tetor të vitit 1571, flota e koalicionit të
shteteve evropiane e shpartalloi flotën osmane në
gjirin e Korintit, në afërsi të Lepantit. Por
kjo fitore e madhe nuk u shfrytëzua, sepse kontradiktat
që lindën midis pjesëmarrësve të
koalicionit çuan shpejt në prishjen e tij. Republika
e Venedikut, duke mos pasur më frikë nga epërsia
osmane në det, u shkëput nga aleanca dhe lidhi paqe
me Stambollin (1573).
Shpresat që kishin shqiptarët për të gjetur
te Venediku një aleat të jashtëm, që do
ti ndihmonte në mënyrë aktive në
luftën për çlirim nga zgjedha osmane, morën
fund kur venedikasit lidhën marrëveshje me osmanët
dhe i braktisën kryengritësit në fatin e tyre.
Nën presionin e forcave të mëdha ushtarake
të sundimtarëve osmanë, kryengritësit
u detyruan të tërhiqeshin nga Ishulli i Lezhës
për tu mbrojtur në malet e tyre (1574).
Me ekspeditat e shpeshta ushtarake që ndërmorën
më vonë, sundimtarët osmanë arritën
të përforconin pushtetin e tyre të lëkundur
dhe më së fundi të futnin spahinjtë në
të gjitha krahinat malore të sanxhakut të Shkodrës
dhe të Dukagjinit. Depërtimi i spahinjve në
këto malësi ishte i përkohshën.
Lëvizjet kryengritëse nuk pushuan edhe gjatë
viteve 80-90 të shek. XVI. Ato u shtrinë në
krahinat e Kuçit e të Kelmendit, Piprit, në
sanxhakët e Prizrenit e të Shkupit. Me 1586 qindra
kryengritës kishin zënë Grykën e Kaçanikut,
pasi kishin vrarë kadiun së bashku me familjen e
tij. Përpjekja për të vjelë xhizjen në
krahinën e Matit (1590) u bë shkak për kryengritjen
në krahinat e Ohrit, të Dibrës e të Tetovës.
Këtu, sipas burimeve bashkëkohore, vepronin 10 000
kryengritës shqiptarë. Megjithatë kryengritjet
dështuan.
Për shtypjen e tyre u përdorën një sërë
masash: forcat e armatosura dhe dhuna, ndërtimi i kështjellave
të reja dhe vendosja e garnizoneve ushtarake, copëtimi
i sanxhakëve të mëdhenj në më të
vegjël, shpërngulja me forcë e kryengritësve
nga zonat malore në ato fushore, kundërvënia
e qytetarëve kundër fshatarëve, duke i falur
nga disa taksa shtetërore, vrasjet, djegiet deri në
marrjen rob të grave e të fëmijëve. Si
përfundim i një vargu ekspeditash ushtarake, spahinjtë
u vendosën edhe në krahinat malore të sanxhakut
të Shkodrës dhe atij të Dukagjinit.
Fitorja e Lepantit u tregoi shteteve të ndryshme të
Evropës se ushtria osmane nuk ishte e pamposhtur.
Prandaj Fuqitë e Mëdha evropiane projektuan organizimin
e ekspeditave të tjera ushtarake kundër Perandorisë
Osmane, në të cilat një rëndësi të
posaçme do të kishin edhe kryengritjet në
Shqipëri. Spanja, Papati dhe pak më vonë Austria,
u orvatën të vendosnin lidhje me kryengritësit
shqiptarë, ato dërguan në Shqipëri misionarë
të huaj dhe shqiptarë, me anën e të cilëve
përpiqeshin të afroheshin me krerët shqiptarë.
Interesimi i këtyre shteteve gjeti një pritje të
mirë në Shqipëri. Krerët e krahinave të
ndryshme e shfrytëzuan rastin për të kërkuar
nga shtetet e huaja ndihmë në armë e në
mjete të tjera lufte, duke shpresuar, njëkohësisht,
se do të gjenin tek ata aleatë në luftën
e përbashkët kundër osmanëve. Më
1577 dhe 1581 himariotët i kërkuan papës tu
jepte ndihmë në të holla për të blerë
armë kundër osmanëve. Si Papati, ashtu dhe
Spanja e Austria, zakonisht u përgjigjeshin shqiptarëve
me premtime dhe këshilla që të prisnin kohë
më të mira për të filluar luftën
kundër sundimtarëve osmanë.
Ndryshe nga këto, Republika e Venedikut mbajti një
qëndrim të hapur armiqësor ndaj kryengritjeve
shqiptare. Pas paqes që lidhi me turqit më 1573,
ajo nuk kishte më interes ti prishte marrëdhëniet
me Perandorinë Osmane. Me shkatërrimin e flotës
osmane në Lepant, kjo nuk e kërcënonte më
epërsinë e Venedikut në det. Senati venedikas
i trembej më tepër fuqisë së madhe detare
të Spanjës dhe sidomos kalimit të saj në
bregdetin shqiptar e ballkanik. Për ti dalë
para këtij rreziku, ai u përpoq që të
asgjësonte çdo lidhje të shqiptarëve
me Spanjën, duke mbytur që në lindje çdo
kryengritje të tyre. Përveç disa krerëve
dhe prelatëve që ishin nën ndikimin e tij,
senati përdori çdo mjet që nga korruptimi
me të holla e deri në komplotet e armatosura për
të bërë që shqiptarët jo vetëm
të mos fitonin lirinë me ndihmën e ndonjë
shteti tjetër, por të bëheshin në një
të ardhme shtetasit e tij. Venedikasit, shkruante
Gjergj Vlladenji, një personalitet shqiptar i njohur
i shek. XVII, meqenëse pretendojnë të bëhen
një ditë zotër të Shqipërisë,
nuk lejojnë të çlirohet ky vend nga duart
e të tjerëve, madje kur u bie në vesh ndonjë
marrëveshje e tillë, ua zbulojnë vetë
turqve, siç vepruan në vitet e kaluara kur qe
fjala për të shtënë në dorë
Shkodrën. Një qëndrim të tillë
mbajti Republika për gati 70 vjet (1573-1644).
Edhe shtetet e tjera evropiane, të interesuara për
shpërthimin e kryengritjeve në Shqipëri, u
përpoqën ti përdornin këto në
interes të planeve të tyre luftarake. Kur përgatiteshin
të hynin në luftë kundër Perandorisë
Osmane, ato u premtonin kryengritësve shqiptarë
ndihma dhe i nxitnin të intensifikonin luftën. Por,
kur lidhnin paqe me të, i linin pa ndihma dhe të
vetëm përballë ekspeditave ndëshkimore
osmane. Nga ana tjetër, secila fuqi evropiane, në
rivalitet me të tjerat, duke dashur ti lidhte krerët
shqiptarë pas politikës së vet, shkaktonte
me anën e premtimeve dhe mjeteve propagandistike që
përdorte, përçarjen e forcave të kryengritësve
vendas. Si rrjedhim, në fund të shek. XVI, krerët
himariotë dhe një pjesë e atyre të Shqipërisë
së Veriut e të Mesme me peshkopin e Stefaniskës
(Shqipëria e Mesme) në krye, Nikollë Mekajshin,
anonin nga Papati dhe Spanja. Të tjerë krerë
të veriut nëpërmjet peshkopit të Zadrimës,
Nikollë Bardhit, mbanin anën e Venedikut. Nga mbarimi
i shek. XVI disa krerë të veriut dhe personalitete
të Shkodrës, të Lezhës, të Durrësit,
të Prizrenit, filluan të orientoheshin edhe nga
Austria. Ndërsa kryepeshkopët e Ohrit, në jug
të vendit, anonin nga Moska.
Në këto rrethana nuk u realizua detyra e rëndësishme,
nuk u ndihmua lufta e popujve të Ballkanit dhe në
mënyrë të veçantë e popullit shqiptar
për tu çliruar nga sundimi osman. Përmbushja
e këtij objektivi, siç vinin në dukje shpeshherë
përfaqësuesit e kryengritësve shqiptarë,
ishte edhe në interes të popujve dhe shteteve të
Evropës.
Kryengritjet e armatosura të shek. XVI dështuan.
Ato nuk u zhvilluan në të njëjtën kohë,
në mënyrë të organizuar dhe nuk ia dolën
të shkriheshin në një kryengritje të vetme.
Pushteti osman ndoqi politikën përça
e sundo. Krerët shqiptarë civilë e klerikë
nuk kishin një unitet mendimi sidomos për zgjedhjen
e aleatit të jashtëm. Së fundi, mungoi edhe
ndihma konkrete nga jashtë.
2. KUVENDET SHQIPTARE
Kuvendet e shek. XVI
Depërtimi i spahinjve nëpër malësitë
e vetëqeverisura, përhapja e sundimit osman, rritja
e detyrimeve ndaj fshatarësisë shqiptare, shkaktuan
një qëndresë më të fuqishme të
malësorëve, gjallëruan lëvizjen e pjesës
tjetër të fshatarësisë shqiptare, si dhe
përpjekjet e krerëve shqiptarë laikë e
fetarë për ti shndërruar kryengritjet
e veçanta të armatosura dhe pakënaqësinë
e shqiptarëve në një lëvizje të përgjithshme
për çlirim, me një organizim më të
lartë e më të gjerë se deri atëherë.
Përvoja luftarake e dështimi i kryengritjeve të
shek. XVI u tregoi kryengritësve malësorë se
mbrojtja e vetëqeverisjes dhe lufta për çlirim
nga zgjedha osmane mund të arriheshin duke bashkuar forcat
e tyre me ato të krahinave të tjera, dhe me forma
organizative më të përshtatshme. Një formë
e tillë u bë në kuvendet shqiptare, që
ishin një institucion i ri politik me karakter ndërkrahinor,
një bashkim forcash më i lartë e më i
gjerë, i cili u arrit mbi bazën e kuvendeve krahinore
ekzistuese. Në kuvendin shqiptar, përveç
krerëve të krahinave të vetëqeverisura
malore, morën pjesë përfaqësuesit e krahinave
të tjera. Me këto kuvende u bashkuan edhe një
varg prelatësh katolikë e ortodoksë, interesat
e të cilëve, sikurse ato të fshatarësisë,
nuk pajtoheshin me sunduesit osmanë.
Kalimi në këtë formë të re organizative
prapa së cilës qëndronte fshatarësia dhe
krerët e saj laikë e klerikë, e ngriti luftën
në një shkallë më të lartë,
më të gjerë e më të ashpër,
e futi atë në një fazë të re. Malësitë
shqiptare, të favorizuara edhe nga terreni malor, u bënë
tani qendrat e shtabeve drejtuese dhe vatrat kryesore nga
shpërthyen dhe u përhapën në pjesën
tjetër të vendit lëvizje kryengritëse
të papara deri atëherë për gjerësinë
e forcën e tyre.
Përvoja e luftës i mësoi krerët shqiptarë
të përqafonin një formë të re lufte
për ti bërë ballë më me sukses
fuqisë së madhe të pushtuesve: të bashkonin
e të drejtonin nëpërmjet kuvendeve shqiptare
të gjitha vatrat e qëndresës shqiptare, dhe
të bashkërendonin luftën e tyre për liri
me atë të popujve të shtypur të Gadishullit
Ballkanik e me luftën e shteteve evropiane për dëbimin
e osmanëve nga Evropa.
Në kuvendet shqiptare u hartuan një sërë
projektesh. Ato iu drejtuan shteteve evropiane për çlirimin
e të gjitha tokave shqiptare. Në promemorjet tregohej
gatishmëria e shqiptarëve për luftë, sasia
e luftëtarëve, strategjia dhe taktika që do
të ndiqej për çlirimin e vendit, duke përfshirë
këtu edhe bashkëpunimin e kryengritësve me
rojtarët e kështjellave, të cilët kishin
prejardhje shqiptare. Aty bëheshin përpjekje për
ti bindur qeveritë e shteteve evropiane të
ndërmerrnin një aksion kundër Perandorisë
Osmane, i cili do të bashkërendohej me veprimet
luftarake të kryengritësve shqiptarë dhe ballkanikë.
Njëkohësisht kuvendet kërkonin prej tyre edhe
armë zjarri, meqenëse me shpatat, heshtat e shigjetat,
kryengritësit shqiptarë gjendeshin në kushte
inferiore në krahasim me forcat osmane.
Në periudhën midis viteve 1590-1620 u organizuan
një varg kuvendesh të tilla. Qendra ku u zhvilluan
këto kuvende u bë krahina e Matit. Lufta e kryengritësve
të krahinave të veriut e arriti kulmin e vet në
vitet 1590-1595, kur 10 000 kryengritës të krahinave
malore të sanxhakëve të Ohrit e të Dukagjinit
i dëbuan autoritetet e pushtetit osman nga malësitë
dhe i shtrinë sulmet në krahinat fqinje. Kryengritja
ushtroi një ndikim të madh brenda dhe jashtë
kufijve të tokave shqiptare, e në mënyrë
të veçantë ajo gjallëroi luftën
çlirimtare të popullsisë maqedone.
Në flakën e këtyre kryengritjeve, më 7
nëntor të vitit 1594, u mblodh në manastirin
e Shën Mërisë në Mat një kuvend i
përgjithshëm i krerëve shqiptarë për
të hartuar projektin e kryengritjes dhe të çlirimit
të krejt vendit. Krerëve shqiptarë, Tom Plezhja
e Mark Gjini, të cilët mbanin edhe titullin e kalorësit,
si dhe ipeshkvit Nikollë Mekajshi, iu ngarkua detyra
të hynin në bisedime me papën për zbatimin
e projektit të kryengritjes. Fshehtaz Republikës
së Venedikut, që nuk donte të prishte paqen
me Stambollin, projekti iu paraqit delegatit të papës
në shkurt të vitit 1595. Kërkesat e përfaqësuesve
shqiptarë në Romë për të siguruar
armë nuk dhanë asnjë fryt. Papa i këshilloi
shqiptarët që të prisnin mbasi nuk kishte ardhur
koha e duhur. Nga ana tjetër, Venediku, mundi ti
përçajë radhët e pjesëmarrësve
të kuvendit duke shfrytëzuar ndikimin e vet mbi
disa krerë. Në qershor të vitit 1595 kur në
Shqipëri u mor vesh formimi i koalicionit evropian kundër
shtetit osman, krerët shqiptarë njoftuan papën
se shqiptarët katolikë e ortodoksë ishin gati
të fillonin kryengritjen sapo të niste lufta.
Në të njëjtën kohë edhe në krahinat
e Shqipërisë Jugore u bënë përpjekje
për të siguruar armë e mjete për kryengritjen
nga shtetet evropiane. Më 1595, patriku i Ohrit, pasi
u kthye nga Moska, shkoi në Butrint dhe, me anën
e qeveritarit të Korfuzit, i kërkoi senatit venedikas
ndihmë për kryengritjen. Por senati e hodhi poshtë
kërkesën e tij.
Armë iu kërkuan edhe Papatit e Spanjës (1596),
por Papa nuk dërgoi asnjë ndihmë, duke paraqitur
si pretekst shpenzimet e mëdha që bënte në
Hungari për luftën e këtij vendi me Perandorinë
Osmane. Oborri i Spanjës premtoi dhe nisi një kontingjent
të vogël ushtarësh. Gati 10 000 kryengritës
të armatosur me jataganë e shigjeta e të nisur
nga krahinat rreth e qark Vlorës, e sulmuan ushtrinë
osmane në qytet me shpresë se në portin e Vlorës
do të vinin ndihmat spanjolle. Por kjo ndërmarrje
shkoi kot, se edhe ato armë që ishin nisur u sekuestruan
në det prej venedikasve.
Ky qëndrim i shteteve evropiane dhe i Vatikanit, i dëmtoi
kryengritjet në Shqipëri, por nuk mundi ti
ndalte përpjekjet për përhapjen e tyre në
shumicën e krahinave. Më 1598 u organizua Kuvendi
i dytë ndërkrahinor në Blinisht të Zadrimës.
Ai iu drejtua për ndihmë perandorit austriak. Venediku
kapi përfaqësuesit e kuvendit dhe sabotoi aleancën.
Megjithatë ideja e organizimit të një kryengritjeje
të përgjithshme u përhap në krejt tokat
shqiptare. Një rol për përhapjen e saj luajtën
klerikët e prelatët. Me krerët e prelatët
e krahinave të Mbishkodrës dhe të Dukagjinit
u bashkuan edhe shumë krerë të krahinave të
tjera veriore, të mesme dhe jugore. Me pjesëmarrjen
e përfaqësuesve të tyre në vitin 1601
u mbajt një kuvend i madh pranë kishës së
Shën Lleshdrit (Aleksandrit) në fshatin Dukagjin.
Në punimet e tij, që vazhduan edhe më 1602,
morën pjesë 2 656 delegatë laikë e fetarë
të ardhur nga 14 krahina të Shqipërisë
(nga Malësia e Shkodrës, Zadrima, Dukagjini, Kosova,
Lezha, Kurbini, Mati, Dibra, Petrela, Durrësi, Elbasani,
Shpati e nga Myzeqeja). Kuvendi u drejtua nga Nikollë
Mekajshi, Nikollë Bardhi dhe Gjin Gjergji. Ai mori vendimin
ta fillonte luftën për çlirimin e vendit.
Këtë vendim historik e nënshkruan 52 krerë
kryesorë, 4 nga secila krahinë. Por mbeti si problem
sigurimi i aleatëve dhe i armëve.
Për të larguar dyshimet e Venedikut dhe për
ta tërhequr atë në anën e vet, kuvendi
vendosi këtë radhë ti drejtohej më
parë Republikës së Shën Markut për
ti kërkuar ndihmë dhe armë. Për
këtë qëllim dy përfaqësues, Nikollë
Bardhi dhe Pal Dukagjini u dërguan në Venedik. Por
edhe këtë herë senati i përcolli përfaqësuesit
shqiptarë me porosinë e zakonshme për të
pritur pasi nuk kishte ardhur koha për luftë
kundër turqve.
Kuvendi vendosi që ti niste përsëri dy
përfaqësuesit e vet në Venedik për ti
deklaruar senatit se po të mos e ndihmonte lëvizjen
e armatosur, të 40 mijë kryengritësit shqiptarë
do të ishin të shtrënguar ti drejtoheshin
mbretërisë tjetër evropiane, duke pasur parasysh
Spanjën, rivalen e Venedikut. As këto kërcënime
nuk e bindën Republikën, e cila më shumë
se kurdoherë donte të ruante paqen me osmanët,
për arsye se në këtë kohë midis Stambollit
dhe Vjenës kishin filluar bisedime për paqe. Edhe
këtë herë Republika veproi aty për aty
për të mbjellë farën e përçarjes
në radhët e udhëheqësve të kuvendit
me qëllim që të mënjanonte rrezikun e
afrimit të shqiptarëve me Spanjën. Ajo mundi
të korruptonte me ar dhe të bënte për
vete Nikollë Bardhin e Pal Dukagjinin, si dhe disa krerë
të tjerë.
Kështu përpjekjet për të siguruar një
aleat të jashtëm aktiv si dhe armë, nuk dhanë
asnjë fryt. Situata politike ndërkombëtare
nuk ishte e pjekur për veprime luftarake kundër
Perandorisë Osmane, sepse, të nisura nga interesat
e tyre për të ruajtur paqen me Stambollin, shtetet
kryesore evropiane nuk u dhanë shqiptarëve ndihmën
e kërkuar.
Dëbimi i spahinjve nga malësitë
Krahas kuvendeve në Shqipëri shpërthyen edhe
një varg kryengritjesh. Sipas letrës së Nikollë
Mekajshit drejtuar papa Klementit VIII në vitin 1603,
dukagjinasit vazhdonin të ishin në kryengritje.
Përveç zonave autonome kryengritja u shtri edhe
në zonën e timarit. Një lëvizje e tillë
qe kryengritja e vitit 1607, e drejtuar nga Andrea (Idar)
Manesi. Ai shpalli se do të bëhej një Skënderbe
i dytë. Thirrjes për luftë të Andrea Manesit
iu përgjigjën 3 000 veta. Ai pretendonte se zoti
i kishte besuar Perandorinë Osmane për të ndëshkuar
të këqijat që ndodhnin në të. Për
të përmirësuar gjendjen e fshatarëve ai
zbriti madhësinë e taksave në 3/4 e tyre. Andrea
Manesi ishte për të qeverisur me drejtësi,
prandaj u bëri thirrje kadilerëve në rast se
do të kryenin me ndershmëri detyrën, do ta
mbanin atë, në të kundërt, do të
ndëshkoheshin. Shumë qeveritarë braktisën
detyrën. Brenda një kohe të shkurtër,
numri i kryengritësve u rrit shumë. Kryengritja
përfshiu krahinat e Dukagjinit, të Kthellës
e të Selitës. Kjo kryengritje ishte me mbulesë
fetare dhe kërkonte rivendosjen e drejtësisë
ligjore islamike. Sulltani e thirri në Stamboll Andrea
Manesin për të vërtetuar profecinë e tij.
Andrea e kuptoi se ftesa ishte një kurth për ta
eleminuar, prandaj nuk u paraqit në pallat. Atëherë
sulltani mobilizoi forca të shumta për ta shtypur
këtë kryengritje që zhvillohej krahas atyre
të malësive dhe që mund të përhapej
në të gjitha zonat fushore dhe më tej në
gjithë vendin. Megjithatë, udhëheqësi
i saj, bashkë me ndjekësit e vet më të
afërt, arriti të shpëtonte dhe u strehua në
Dukagjin. Prej këndej ai zbriste kohë më kohë
në krye të çetës së vet në
zonat fushore të Shqipërisë së Mesme,
duke mbajtur gjallë një lëvizje kaçake
gjer më 1610. Andrea hyri në lidhje me mbretin e
Spanjës dhe kërkoi ndihmën e tij, por nuk mori
përgjigje. Kryengritja u shtyp më 1610.
Në vitin 1608 në zonën e Tivarit e të
Ulqinit, fshatarët u ngritën kundër grabitjeve
të bëra nga sanxhakbeu i Shkodrës gjatë
një vizite në atë krahinë. 3 000 shqiptarë
e rrethuan atë dhe e detyruan të mbyllej në
kështjellën e Shkodrës. Numri i kryengritësve
para qytetit të Shkodrës arriti në 10 000 veta.
Tre vjet më vonë, shqiptarët që ndodheshin
në Malin e Zi e pritën me armë sanxhakbeun,
i cili kishte shkuar për të vjelë haraçin,
dhe e vranë atë së bashku me spahinjtë
që e shoqëronin. Qeveria osmane dërgoi kundër
tyre pashain e Bosnjës në krye të 10 000 ushtarëve.
Gjatë dhjetëvjeçarit të parë të
shek. XVII edhe lëvizja çlirimtare në malësitë
erdhi duke u rritur. Kryengritja e malësorëve, e
udhëhequr nga krerët e tyre pjesëmarrës
të kuvendeve, filloi me thyerjen e sigurisë së
rrugëve dhe u zhvillua me sulme plaçkitëse
kundër karvaneve tregtare në rrugët Shkodër-Prizren
e Shkodër-Podgoricë-Pejë dhe me operacione
kundër kështjellave e qytezave të fortifikuara,
të mbrojtura nga garnizone ushtarake. Me gjithë
varfërinë e të dhënave rreth kësaj
kryengritjeje, dokumentet dëshmojnë për faktin
se njëri pas tjetrit u dëbuan të gjithë
spahinjtë dhe vojvodët e vendosur në krahinat
malore të sanxhakëve të Shkodrës dhe të
Dukagjinit.
Fitorja e kësaj kryengritjeje ishte shumë e rëndësishme.
Spahinjtë u dëbuan e nuk mundën të fitonin
pozitat e humbura dhe këto krahina u bënë vatrat
kryesore të luftës kundër sundimit osman. Pas
këtyre fitoreve të viteve të para të shek.
XVII, malësorët kryengritës u derdhën
për një kohë të gjatë edhe kundër
fushave që rrethonin malësitë e tyre, duke
dëmtuar në radhë të parë bazat ushtarake
dhe ekonomike të sunduesve osmanë në tokat
shqiptare dhe në viset fqinje.
Qeveritarët osmanë, duke vlerësuar humbjet
që kishin pësuar nga lëvizjet kryengritëse
të malësorëve, organizuan ekspedita ndëshkimore
veçanërisht kundër vatrës kryesore të
këtyre lëvizjeve - malësive të Dukagjinit.
Në mënyrë të veçantë ndërprerja
e rrugës Shkodër-Prizren i shtyu sundimtarët
osmanë të ndërmerrnin ekspedita të fuqishme.
Një ekspeditë e parë prej 1 500 ushtarësh,
e komanduar nga Ahmet bej Kuka, sulmoi kryengritësit
në krahinën e Iballës, por nuk arriti ta hapte
rrugën dhe dështoi krejtësisht. Prandaj sanxhakbejlerët
e Shkodrës dhe të Prizrenit, me tu kthyer
nga fronti i luftës me Austrinë, morën masa
të rëndësishme për të hapur këtë
rrugë të domosdoshme që lidhte bregdetin me
viset e brendshme të Shqipërisë dhe me ato
të Gadishullit Ballkanik.
Gjatë kësaj periudhe si nga vetë shqiptarët,
ashtu edhe nga të huajt, u hartuan projekte për
çlirimin e Shqipërisë dhe të krejt Ballkanit
nga sundimi osman. Kalorësi boshnjak Bertuçi hartoi
dhe u përpoq të vërë në jetë
një projekt të vetin për çlirimin e
Shqipërisë e të Ballkanit. Për vite me
radhë ai u end nëpër kryeqytetet e Evropës
si udhëheqës i një ushtrie kryengritësish
prej 30 000 shqiptarëve dhe 50 000 boshnjakëve.
Mbreti i Spanjës dhe zëvendësmbreti i Napolit
nëpërmjet kalorësit Dofisti dhe personave të
tjerë, u përpoqën të hartonin në
bashkëpunim me Nikollë Mekajshin, Lala Drekalin
etj. një plan për çlirimin e Shqipërisë.
Anton Kaboja dhe Aleksandër Kastro u paraqitën këtyre
disa projekte të tjera. Por edhe këta u ftohën
nga ky plan kur panë qëndrimin e shqiptarëve,
të cilët më mirë pranonin sundimin osman
sesa të kalonin nën sundimin spanjoll. Në vitet
1609-1610 Nikollë Mekajshi i paraqiti mbretit të
Spanjës, Filipit II dy relacione. Por të gjitha
projektet mbetën në letër.
Më 1610, ushtritë e dy sanxhakbejlerëve, të
nisura njëra nga Shkodra dhe tjetra nga Prizreni, hynë
në luginën e Drinit. Malësorët, duke mos
siguruar nga jashtë asnjë lloj ndihme dhe duke qenë
të armatosur vetëm me armë të vjetra,
nuk mundën të ndalonin marshimin e tyre. Këto
dy ushtri përparuan gjatë rrugës, vendosën
garnizone nëpër qytezat e kështjellat dhe u
takuan te Vau i Dejës. Duke u vërsulur në brendi
të krahinave përreth rrugës, repartet osmane
u shkaktuan dëme të ndjeshme malësorëve,
por nuk mundën të vendosnin kontrollin e tyre në
thellësi.
Kjo ekspeditë e tronditi mjaft rëndë vatrën
e qëndresës në malësitë e Dukagjinit.
Vendosja e garnizoneve bëri që Dukagjini ta humbiste
rëndësinë e vet si vatra kryesore e qëndresës
së malësorëve të Shqipërisë
Veriore. Një vatër e re qëndrese tashmë
u bë Mirdita. Duke u nisur nga një krahinë
e vogël fillestare që mbante këtë emër,
qëndresa përfshiu në këtë periudhë
edhe nahijet e Fanit të Madh dhe Fanit të Vogël.
Pak më në jug midis krahinave malore të Shqipërisë
së Mesme u krijua një bashkim politiko-ushtarak
me emrin Lidhja e Arbënit. Por, vatra më
e rëndësishme e qëndresës së malësorëve
u bënë krahinat në veri të lumit Drin.
Nga malësitë e sanxhakut të Dukagjinit, qendra
e kryengritjeve kaloi në malësitë e sanxhakut
të Shkodrës. Krahinat e Kastratit, Shkrelit, Hotit,
Kuçit, Piprit, Vasojeviqit, Palabardhit etj., të
cilat njihen me emrin e përbashkët Malësia
e Madhe ose Malësia e Mbishkodrës, u lidhën
midis tyre në luftën kundër të njëjtit
armik dhe formuan një bashkim politik e ushtarak që
njihet në dokumentet e kohës me emrin Malet
shqiptare. Në kuvendet e përbashkëta,
krerët e tyre lidhën besën se do tu bënin
ballë me çdo kusht ekspeditave ushtarake, se do
të luftonin bazat e këtyre ushtrive në viset
fqinje dhe se do ta mbronin vetëqeverisjen e vet, për
të mos lejuar të vendoseshin përsëri në
trojet malore pushteti osman dhe spahinjtë. Nën
drejtimin e këtyre kuvendeve, malësorët filluan
sulme të shpeshta, duke dëmtuar veçanërisht
pronat e spahinjve në Plavë dhe në krahinat
e Bosnjës dhe të Maqedonisë.
Qeveritarët osmanë i drejtuan tani sulmet e tyre
kundër kësaj vatre të re të qëndresës
së malësorëve. Më 1612, në krye të
një ushtrie prej 25 000 vetash, që u grumbullua
në Podgoricë, ata filluan ekspeditën ndëshkimore
kundër Malësisë së Madhe.
Për tre muaj rresht këto forca luftuan rreth shtigjeve
kryesore për të depërtuar në brendi të
kësaj malësie, mirëpo nuk ia arritën qëllimit.
Pasi dogjën vetëm Palabardhin, ato u detyruan të
tërhiqeshin duke lënë 300 spahinj të vrarë.
Një vit më vonë, forcat e bashkuara ushtarake
të sanxhakbejlerëve të Shkodrës, të
Dukagjinit, të Prizrenit dhe të Elbasanit, nën
komandën e Asllan Pashës, ndërmorën një
ekspeditë të re kundër Kelmendit, qendrës
kryesore të lëvizjes, për ta shkatërruar
një herë e mirë dhe për të vendosur
këtu më në fund sundimin e sulltanit. Pas dy
javë luftimesh, edhe kjo ekspeditë dështoi.
Meqë nuk mundën të thyenin luftëtarët
malësorë, këto forca ushtarake u mjaftuan me
shkatërrimin e një vargu fshatrash të braktisura
dhe me robërimin e një numri grash e fëmijësh.
Gjatë rrugës së kthimit, ato u sulmuan rreptë
nga çetat e kryengritësve dhe pësuan humbje
të rënda në njerëz, në kafshë,
në ushqime dhe në veshmbathje, që i lanë
në fushën e luftës, nga ikën të shpartalluar.
Fitorja e arritur kundër këtyre dy ekspeditave,
si dhe nevoja për tu bërë ballë
të tjerave në të ardhmen, e rritën autoritetin
e Lidhjes së Maleve dhe e fuqizuan luftën çlirimtare.
Ishin krerët e malësorëve të Kelmendit
dhe të Kuçit ata që do të luanin tani
e tutje rolin kryesor si udhëheqës të kuvendeve
të Lidhjes dhe që u njohën si të tillë
edhe nga përfaqësuesit e krahinave të tjera
përreth Malësisë së Madhe. Lufta që
bënë malësorët me forcat e veta të
kufizuara nën udhëheqjen e kuvendeve kushtonte shumë
shtrenjtë. Prandaj ata nuk i reshtën përpjekjet
për të fituar aleatë dhe për tu
lidhur me kryengritjet antiosmane edhe të vendeve fqinje,
ku luftimet dhe fitoret e kryengritësve shqiptarë
patën një jehonë të madhe. Në disa
raste malësorët shqiptarë ndërmorën
veprime luftarake të përbashkëta me kryengritësit
fqinjë, veçanërisht me malësorët
malazezë.
Kuvendet ndërballkanike
Në dhjetëvjeçarin e parë të shek.
XVII, lufta antiosmane e popujve ballkanas kaloi në një
fazë më të lartë, që karakterizohet
nga përpjekjet për të bashkërenditur lëvizjet
çlirimtare të vendeve të veçanta.
Një rol të dorës së parë në
këtë drejtim luajtën krerët shqiptarë,
të cilët u bënë nga organizatorët
më të rëndësishëm të luftës
së popujve të shtypur. Fryt i përpjekjeve të
tyre ishin mbledhjet e disa kuvendeve ballkanike që u
mbajtën në Kuç, në Prokuplje dhe në
Beograd. Më 13 dhjetor 1608 në manastirin e Moraçës,
pranë liqenit të Shkodrës, nën drejtimin
e patriarkut të Pejës, u mblodhën krerë
serbë, shqiptarë, bullgarë, boshnjakë,
hercegovinas e serbë ku u diskutua për dëbimin
e osmanëve dhe iu kërkua ndihmë dukës
së Savojës. Kjo mbledhje shërbeu si pikënisje
për organizimin e disa kuvendeve ballkanike.
Kuvendi i parë u mblodh më 1614 në Kuç,
në zemrën e Maleve shqiptare, me pjesëmarrjen
e përfaqësuesve të kryengritësve të
Shqipërisë, të Malit të Zi, Bosnjës,
Hercegovinës, Serbisë dhe të Maqedonisë.
Ai u zhvillua në dy sesione, njëri në korrik
e tjetri në shtator. Nga të gjashtë krerët
kryesorë ballkanas të këtij kuvendi dy ishin
shqiptarë, Gjergj Bardhi i Mirditës dhe Lala Drekali
i Kuçit, kurse nga 44 përfaqësuesit ballkanas
një e katërta vinin nga vatrat e qëndresës
shqiptare.
Në sesionin e dytë të kuvendit u hartua plani
i operacioneve luftarake. Rëndësi e veçantë
për përgatitjen dhe fillimin e veprimeve ushtarake
në Gadishullin Ballkanik iu kushtua vatrave malore kryengritëse
shqiptare. Në këto vatra do të dërgoheshin
për ndihmë nga të gjitha krahinat ballkanike
12 000 luftëtarë, të cilët do të
pajiseshin me armë dhe, së bashku me kryengritësit
shqiptarë, do të shpërthenin prej andej sulmet
kundër garnizoneve osmane. Nga Himara do të kryhej
sulmi për çlirimin e Vlorës, nga malësitë
e Dukagjinit do të zhvilloheshin operacionet për
çlirimin e Krujës, nga Malësia e Madhe do
të fillonte sulmi për çlirimin e Shkodrës;
po kështu edhe nga Mali i Zi do të sulmohej Kastelnovo
në Grykën e Kotorrit. Në themel të këtij
plani qëndronte gatishmëria për luftë
si dhe përvoja shumëvjeçare e kryengritjeve
të deriatëhershme të popujve të Ballkanit,
e veçanërisht ajo e shqiptarëve. Në
kryengritje do të merrnin pjesë edhe mitropoliti
i Durrësit e peshkopët ortodoksë të Janinës
e të Artës.
Në këtë sesion u shtrua përsëri si
çështje kryesore ajo e sigurimit të armëve.
Të dëshpëruar nga dështimet e mëparshme,
pjesëmarrësit morën një vendim të
ri, që ishte një goditje e rëndë për
princat katolikë, të cilët i kishin mbajtur
deri tani me fjalë për organizimin e kryqëzatave
dhe nuk kishin dhënë ndihmë efektive në
armë. Kuvendi ngarkoi të dërguarin e vet diplomatik,
shqiptarin Gjon Renësi, që të deklaronte në
oborret katolike të shteteve italiane se kuvendi nuk
do të ngurronte tu drejtohej për ndihmë
shteteve protestante, si Anglisë, Holandës dhe princave
të tjerë protestantë të Gjermanisë.
Midis burrave të shtetit të Evropës Perëndimore,
që filluan të inkurajonin kryengritësit ballkanas
me shpresë se fitorja do tu jepte atyre mundësi
të vinin dorë mbi tokat e çliruara, ishin
duka i Parmës në Itali dhe duka i Neverit në
Francë, prapa të cilëve qëndronte në
fakt Spanja. Duka i Parmës pranoi ta ndihmonte me armë
kryengritjen e projektuar dhe nisi një anije të
ngarkuar me furnizime për në brigjet shqiptare,
por kjo u sekuestrua rrugës nga venedikasit. Atëherë
kuvendi vendosi të bashkërendiste kryengritjen me
ekspeditën që përgatiste duka i Neverit për
të zbarkuar në Gadishullin Ballkanik. Mirëpo
edhe përpjekjet e këtij princi frëng dështuan
për shkak të kontradiktave politike evropiane.
Meqenëse hapat e parë nuk dhanë rezultatet
e dëshiruara, pas kuvendit të Kuçit u bënë
përpjekje për një kuvend të ri. Më
11 nëntor 1616 në Prokuplje morën pjesë,
siç thotë një burim bashkëkohës,
zotnitë kryesorë të mbretërisë
së Bosnjës, të Kosovës, të Serbisë,
të Shqipërisë, të Maqedonisë dhe
të Arkidukatit të Hercegovinës. Për
shkak të kushteve të reja që ishin krijuar
me rritjen e rolit të Austrisë si kundërshtari
kryesor i Perandorisë Osmane, këtë herë
kuvendi nxori në plan të parë si detyrë
për të çliruar së pari Bosnjën,
meqenëse kishte mundësi më të mëdha
të ndihmohej nga ana e Austrisë. Megjithëkëtë
edhe në këtë kuvend u pa i nevojshëm një
zbarkim në Shqipëri, sepse kryengritjet shqiptare
mbanin vazhdimisht të hapur një plagë në
anët më të dobëta të Perandorisë
Osmane. Në bregdetin shqiptar, prej nga niseshin rrugët
drejt viseve të brendshme të Ballkanit dhe se, -
siç thuhej në vendim, - një pjesë e
popullit të këtij vendi nuk i bindet sulltanit
dhe jeton i lirë (siç janë shën.
i aut.) zotnitë e Dukagjinit, e Kelmendit, e Piprit,
e Palabardhit dhe të Malit të Zi. Prandaj
në çdo plan ushtarak, si më përpara
edhe tani, Shqipëria zinte një vend nga më
të rëndësishmit. Me të zbarkuar flota
evropiane në brigjet shqiptare, 10 000 burra do të
bashkoheshin me forcat hercegovinase. Me 40 000 veta nga Dukagjini,
Kelmendi, Pipri, Palabardhi e nga Mali i Zi do të merrnin
kështjellën e Shkodrës e prej andej do të
shkonin drejt Sofjes, ku do të bashkoheshin me forcat
e tjera për të parashtruar planin për marrjen
e Stambollit. Projekti mbeti përsëri në letër.
Duka i Neverit e zgjati shumë përgatitjen e ekspeditës.
Në pragun e nisjes flota u dogj. Spanja i druhej luftës
me shtetin osman.
Një dëshmi tjetër e lëvizjes çlirimtare
ballkanike u bë kuvendi i Beogradit, që u mblodh
më 18 nëntor 1620. Aty u shqyrtuan më me hollësi
planet e dy kuvendeve të mëparshme dhe u theksua
nevoja e çlirimit të Shkodrës nga kryengritësit
e Malësisë së Madhe dhe të malësive
të Dukagjinit, si dhe çlirimi i Krujës nga
banorët e malësive të Shqipërisë
së Mesme.
Nga të 24 krerët e kuvendit të Beogradit, që
nënshkruan planin e luftës, më të rëndësishmit
ishin Lala Drekali i Kuçit, Gjin Gjergji i Dukagjinit
dhe Vuk Gjeçi i Kelmendit, pas të cilëve
vinin krerët e tjerë të ardhur në kuvend
nga malet shqiptare. Të bashkuar në Lidhjen
e Arbënit, Dukagjini, Pipri e Kelmendi do të
nxirrnin 14 000 luftëtarë. Të gjithë do
të grumbulloheshin në Pejë, ku do të krijohej
një ushtri prej 50 000 këmbësorëve e 30
000 kalorësve prej forcave të Shqipërisë,
Maqedonisë e Serbisë. Edhe këtë herë
kuvendi zgjodhi shqiptarin Gjon Renësi si njërin
nga të dërguarit e vet për në oborret
evropiane. Por, ndihma e kërkuar me armë dhe zbarkimi
në brigjet shqiptare nuk u siguruan as këtë
herë.
Kuvendet ndërballkanike nuk arritën të organizonin
një aksion të përbashkët për dëbimin
e osmanëve nga Evropa. Popujve ballkanas e në radhë
të parë kryengritësve shqiptarë iu desh
të luftonin me forcat e veta. Shkaqet e dështimeve
të përpjekjeve për organizimin e një aksioni
të përbashkët ballkanik qëndrojnë
kryesisht në kontradiktat midis shteteve evropiane, të
cilat ishin në rivalitet me njëra-tjetrën në
zotërimet osmane.
Gjatë periudhës së kuvendeve ballkanike u hartuan
mjaft projekte. Patriku i Ohrit, Athanasi, hartoi një
projekt më 1615-1616. Ai kishte vënë në
lëvizje peshkopë e klerikë të të
gjitha rangjeve. Si njohës shumë i mirë i gjendjes
në Ballkan, krahas kulturës teologjike, Athanasi
kishte njohuri edhe nga arti ushtarak, aq sa ishte në
gjendje të hartonte planin e kryengritjes. Ai kishte
hyrë në lidhje me dukagjinasit, kelmendasit dhe
pastroviqasit dhe shqiptarët e tjerë, të cilët
prisnin ndihmën nga Spanja e Napoli.
Në vitin 1621, Pjetër Budi hartoi një relacion
me të cilin përkrahte projektin e Bertuçit
dhe kërkonte vënien e tij në jetë. Sipas
tij, 30 000 shqiptarë të krishterë e myslimanë,
ishin gati të rrëmbenin armët. Shqiptarët
kishin nevojë për armë, municione dhe për
një princ për ti udhëhequr. Koha më
e përshtatshme ishte viti 1621, mbasi forcat ushtarake
osmane të tokave shqiptare kishin shkuar në luftë
kundër Polonisë. As relacioni i P. Budit nuk gjeti
përkrahje.
Ekspedita në Malësinë e Madhe në vitin
1638
Rrezikshmëria e kryengritjeve të malësorëve
shqiptarë dhe mundësia e shndërrimit të
Malësisë së Madhe në qendër të
një aksioni të përbashkët ballkanik dhe
evropian kundër Perandorisë Osmane, shqetësoi,
bashkë me sundimtarët osmanë në Shqipëri
edhe vetë Stambollin. Prandaj ekspedita të shumta
ushtarake u lëshuan njëra pas tjetrës mbi malësitë
e të dy krahinave të lumit Drin, e veçanërisht
mbi Malësinë e Madhe.
Këto ekspedita dështuan pa arritur qëllimin
e tyre, vendosjen e pushtetit osman. Fitoret kundër tyre
ishin fryt i sakrificave të mëdha të malësorëve.
Sipas misionarëve të kishës katolike që
vepronin në këto malësi, popullsia e këtyre
viseve ishte përgjysmuar. Klerikët, si p.sh. arkipeshkvi
i Tivarit, Marin Bici, mundoheshin ti bindnin malësorët
të nënshtroheshin dhe të paguanin haraçin
për të mos u shfarosur krejt. Malësorët
trima mendonin se liria ishte më e shtrenjtë se
gjithçka.
Më 1638, para se të hynte në luftë kundër
Bagdatit, sulltan Murati IV mori masa për të mbrojtur
kufijtë perëndimorë të shtetit nga ndonjë
sulm ose zbarkim i mundshëm i shteteve evropiane, që
mund të përfitonin nga lëvizjet kryengritëse
shqiptare. Për këtë qëllim ai organizoi
një ekspeditë të madhe për të nënshtruar
një herë e mirë vatrën kryesore të
lëvizjes, Malësinë e Madhe. Me këtë
detyrë të rëndësishme ai ngarkoi Vuço
Pashën, bejlerbeun e Bosnjës.
Bejlerbeu grumbulloi në Podgoricë ushtritë
e shtatë sanxhakëve të krahinave të Shkodrës
dhe të Dukagjinit. Numri i ushtarëve i kaloi të
15 000 vetat. Mbasi nënshtruan në fillim krahinat
e Piprit dhe të Palabardhit, në ditët e para
të shkurtit 1638, ushtarët e Vuço Pashës
u nisën në drejtim të Kelmendit, qendrës
së kryengritësve. Komandanti i ekspeditës parashikonte
që për shkak të dëborës, do ti
gjente malësorët në shtëpitë e tyre
dhe do të bënte kërdinë mbi ta.
Mirëpo, kur ushtarët e Vuço Pashës hynë
në luginat e Kelmendit, malësorët i kishin
braktisur vendbanimet e tyre me gjithçka dhe ishin
tërhequr nëpër shpella. Pasi dogji disa fshatra,
në mungesë të nozullimeve dhe nga frika e mbylljes
së rrugëve prej dëborës, Vuço Pasha
pas dy javësh dha urdhrin e tërheqjes. Ndërkohë
malësorët kelmendas, të stërvitur në
këto vende malore të mbuluara me dëborë,
nën udhëheqjen e Vuk Dodës, u mbyllën
armiqve dy shtigjet nga mund të dilnin prej Kelmendit
dhe i sulmuan me vrull. Ushtria e bejlerbeut pësoi dëme
të rënda. Frang Bardhi shkroi disa muaj më
vonë se vetëm në përleshjen e parë
u vranë një mijë ushtarë armiq. Duke e
goditur pareshtur andej nga nuk e priste, malësorët
e vunë ushtrinë osmane në ikje dhe e shpartalluan
keqas, e detyruan të linte shumë të vrarë
dhe plaçkë të madhe lufte. Deri në ditët
tona ruhet kujtimi i heroizmave të kelmendasve në
këto luftime, si ajo e malësores Nora që sakrifikoi
veten për të vrarë pashain osman, zgjuarsia
e malësorit Dedë Gjesi që ndërtoi një
top duke gdhendur një trung lisi etj.
Jehona e kësaj disfate të bejlerbeut të Bosnjës
dhe e trimërive të malësorëve u përhap
gjerësisht në Gadishullin Ballkanik dhe në
vendet e tjera evropiane. Por dëmet e malësorëve
në njerëz e në mjete jetese dhe humbja e çdo
shprese për ndihma e aksione nga jashtë, i detyruan
kuvendet malësore të lidhnin marrëveshje me
sundimtarët osmanë.
Sipas kësaj marrëveshjeje krahinat e Malësisë
së Madhe do të ruanin vetëqeverisjen, me kusht
që të paguanin haraçin, një flori në
vit për çdo shtëpi, dhe që të pranonin
të dërgonin një burrë për derë
në rast lufte. Të drejtën e vetëqeverisjes
me të njëjtin kusht e ruajtën edhe malësitë
e Dukagjinit. Por, në një varg rastesh, sundimtarët
osmanë i shkelën marrëveshjet dhe i sulmuan
malësitë. Atëherë malësorët
i kundërshtuan me luftë, siç bënin kurdoherë
në raste të tilla. Më 1639, sanxhakbeu i Dukagjinit
u orvat të hynte në Shalë për të
nënshtruar banorët. Megjithëse këta i
dërguan fjalë se ishin gati ti paguanin detyrimet
dhe i kërkuan që të hiqte dorë nga synimi
për të shkelur krahinën, ai nuk pranoi. Atëherë
Shala, e bashkuar me fqinjët, e sulmoi dhe e vuri përpara
ushtrinë e sanxhakbeut kokëfortë, gjersa ky
dhe shumë pasues të tij mbetën të vrarë.
Më 1648 Venediku përhapi lajmin se do të niste
në Shqipëri një ekspeditë nën drejtimin
e sulltan Jahjasë, një pretendent për fronin
e sulltanit që endej në kryeqytetet e vendeve evropiane.
Kjo i dha një gjallëri lëvizjes kryengritëse.
Një vit më vonë kelmendasit sulmuan kështjellën
e Medunit dhe, pas tri ditë luftimesh, e shtinë
në dorë. Kryengritës të tjerë goditën
Rizanon në Grykën e Kotorrit. Kryepeshkopi i Durrësit,
Mark Skurra, me 7 000 luftëtarë sulmoi Shkodrën.
Himariotët rrëmbyen armët dhe prisnin ekspeditën.
Me pretekstin e vdekjes së sulltan Jahjasë, Venediku
hoqi dorë nga ekspedita. Mungesa e armëve dhe e
mbështetjes politike nga jashtë, ndikuan në
mënyrë të ndjeshme në rënien e përkohshme
të hovit të kryengritjes.
Kryengritjet e shek. XVI dhe ato të gjysmës së
parë të shek. XVII, megjithëse shpeshherë
morën përpjesëtime të gjera dhe kërkuan
sakrifica tepër të mëdha, nuk e realizuan dot
synimin e tyre kryesor, çlirimin e vendit. Sidoqoftë
ato patën një varg rezultatesh shumë pozitive.
Në radhë të parë mbajtën gjallë
frymën e qëndresës e të luftës për
liri, ruajtën të pacenuar individualitetin kombëtar
të shqiptarëve. Në radhë të dytë,
krahinat malësore e ruajtën të drejtën
e vetëqeverisjes së brendshme në bazë
të normave dokesore vendase dhe nuk lejuan zbatimin e
sistemit të timarit dhe vendosjen në to të
përfaqësuesve të administratës osmane.
Përveç këtyre, malësorët ruajtën
edhe të drejtën të mbanin armët kudo që
të ishin, madje edhe para autoriteteve më të
larta të sanxhakut. Kundrejt këtyre të drejtave
ata detyroheshin, sipas marrëveshjeve të përfunduara
me përfaqësuesit e pushtetit osman, të paguanin
nga një flori në vit për çdo shtëpi
dhe të dërgonin nga një burrë për
derë në ushtrinë e sanxhakbeut në rast
lufte brenda sanxhakut.
Lufta e popullit shqiptar vazhdoi të luante një
rol të rëndësishëm ndërkombëtar
gjatë shek. XVI deri në mesin e shek. XVII. Ajo
nuk lejoi që pushtuesit e huaj të krijonin në
tokat shqiptare një bazë të fuqishme ushtarake
për tu hedhur përtej Adriatikut. Kryengritësit
shqiptarë gozhduan në vend për një kohë
të gjatë një pjesë të konsiderueshme
të forcave ushtarake armike dhe penguan vërshimin
e tyre drejt Italisë dhe Evropës Perëndimore.
Kryengritjet e shek. XVI-XVII e shndërruan vendin tonë
në një nga vatrat kryesore të luftës çlirimtare
kundër sunduesve osmanë në krejt Gadishullin
Ballkanik. Me luftën e tyre shqiptarët ndikonin
në mënyrë aktive në luftën e popujve
të tjerë të Perandorisë Osmane për
çlirim. Pikërisht kjo luftë bëri që
në projektet e shteteve evropiane kundër Perandorisë
Osmane, Shqipëria të zinte vendin kryesor, nga ku
mund të fillonin operacionet luftarake. Megjithëse
projektet e shteteve evropiane mbetën vetëm në
letër dhe shqiptarët nuk gjetën një aleat
të jashtëm që ti përkrahte aktivisht,
ata e vazhduan luftën dhe e rritën bashkëpunimin
me popujt e tjerë fqinjë, që luftonin në
një front të përbashkët kundër pushtuesit
osman. Ky bashkëpunim gjeti shprehjen më të
qartë edhe në kuvendet ballkanike.
Kryengritjet antiosmane
(mesi i shek. XVII-mesi i shek. XVIII)
Thellimi i shfrytëzimit ekonomik dhe grabitjet e feudalëve
e të nëpunësve osmanë sillnin në
mënyrë të domosdoshme rezistencën kundër
tyre. Lufta që zhvilloi fshatarësia shqiptare pati
forma të ndryshme, që nisnin me qëndresën,
vazhdonin me arratisjet dhe përfundonin me kryengritjet
e armatosura. Rezistenca u zhvillua me dy rrugë: rruga
e parë, ishte qëndresa ekonomike. Kjo mori formën
e përpjekjeve të fshatarit për të rritur
të ardhurat e tij dhe për të pakësuar
vëllimin e rentës që merrte feudali dhe shteti.
Kjo ishte forma më e ulët e qëndresës
së fshatarëve kundër shtypjes feudale.
Në këto forma bëjnë pjesë edhe përpjekjet
e fshatarëve për të shtënë në
dorë tokat e hapura prej tyre.
Në kushtet e punës me mjete primitive, rritja e
rendimentit, që mund të çonte në shtimin
e të ardhurave të fshatarit, ishte shumë e
vogël, prandaj fshatari që kishte krahë pune
përpiqej të gjente rrugë të tjera për
të siguruar tokë buke e për të shtuar
të ardhurat. Një nga këto rrugë ishte
kthimi i kullotave verore ose dimërore në toka buke.
Kështu, në vitin 1671 çifçinjtë
e çifligut Moçalas në kazanë e Myzeqesë
kishin hapur pa leje tokë në kullotën dimërore
dhe e kishin kthyer në arë. Përveç kullotave,
fshatarët prisnin drurët e pyjeve dhe tokat i kthenin
në toka buke. Në vitin 1655 çifçinjtë
e çifligut Lifaj kishin prerë pyllin dhe e kishin
kthyer në arë, duke e mbjellë me grurë
e elb. Por, sipas legjislacionit, toka e hapur mund tu
jepej me tapi atyre që e hapën ose personave të
tjerë në rast se të parët nuk pranonin
ta merrnin me tapi. Këto toka kalonin shpesh në
duart e çifligarëve. Kështu ndodhi në
Barbullinjë (1654), në fshatin Dukas të Mallakastrës
(1686).
Përveç luftës ekonomike, qëndresa e
fshatarësisë mori edhe forma të hapura, siç
ishin ankesat e protestat që shkonin deri te sulltani.
Ankimi ishte një rrugë ligjore, të cilën
e lejonte sheriati, për të vënë në
dukje dhunën, grabitjen e shkeljen e legjislacionit osman.
Ankuesit u drejtoheshin organizmave shtetërorë për
çështjet që ishin në kompetencat e tyre
dhe, në rast se ato nuk i zgjidhnin, u drejtoheshin organeve
më të larta. Zakonisht ato fillonin nga kadiu për
problemet që i takonin atij. Ankesat preknin aspekte
të ndryshme të shtypjes. Ato drejtoheshin kundër
nëpunësve ose vjelësve të detyrimeve shtetërore,
që bënin kërkesa më të mëdha
sesa ishte parashikuar në dëfterët, kundër
marrjes së të hollave më tepër se plani,
angarive të paligjshme etj. Më të shpeshta
ishin ankesat e protestat kundër grabitjes nga ana e
feudalëve dhe nga vjelësit e taksave shtetërore.
Këto ankesa pasqyronin rastet e shkeljes së legjislacionit
osman. Edhe ankesa të tjera, që nuk ishin të
parashikuara në sheriat, dëshmojnë për
faktin se gjendja e fshatarësisë sa vinte e keqësohej
më shumë.
Meqë ankesat nuk sillnin ndryshimin e gjendjes, fshatarësia
shqiptare e rriti qëndresën në një shkallë
më të lartë, duke kundërshtuar në
mënyrë kategorike shlyerjen e detyrimeve të
mbështetura në sheriat e në urdhrat e sulltanit.
Ky refuzim ishte individual dhe kolektiv. Refuzimet bëheshin
edhe më të organizuara në bazë fshati.
Banorët e fshatit Pobrat në vitin 1685 kundërshtuan
shlyerjen e së dhjetën e të salaries. Kjo vendosmëri
i detyronte feudalët të kërkonin ndihmën
e gjyqit në veçanti e të shtetit në
përgjithësi.
Gjyqi në përgjithësi ndihmonte feudalët.
Në grindjen e organizuar midis popullsisë së
Libofshës e Mahmut Tabakut, gjyqi i besoi spahiut dhe
urdhëroi fshatarësinë ti jepte pjesën
që pretendonte spahiu.
Si rezultat i kundërshtimit të fshatarëve,
feudalët dhe shteti ishin të detyruar të hartonin
lista me taksa të prapambetura që duheshin paguar
më vonë. Në vitin 1680 në sanxhakët
e Shkodrës, Ohrit, Vlorës, Elbasanit, Delvinës,
Prizrenit e të Dukagjinit nuk ishin vjelë xhizja,
avarizi, nuzuli e surati për vitet 1670-1680.
Në raste të veçanta fshatarësia vinte
dorë mbi kullotat dimërore e verore të spahinjve
ose të çifligarëve. Në vitin 1644 popullsia
e fshatit Gribë hyri në kullotën verore dhe
dëboi bagëtitë e spahiut. Në vitin 1678
banorët e fshatit Qereshnik pohuan përpara kadiut
se feudalët, zotërues të kullotës së
fshatit, u kishin marrë kullotën arbitrarisht, kishin
ngritur stane e vatha dhe kishin sjellë 1 500 dhen për
ti kullotur.
Kur këto forma të qëndresës nuk sillnin
ndonjë përfitim, fshatarësia zgjidhte si rrugëdalje
nga gjendja e mjeruar, ikjet nga vendbanimi i mëparshëm.
Ikjet synonin shkëputjen e plotë ose të pjesshme
të varësisë feudale. Fshatarët e arratisur
dëshironin të gjenin kushte më të mira
jetese në krahina të tjera. Duke u larguar pa lënë
adresë, ata shpresonin se do ti këpusnin lidhjet
me feudalin. Për rrjedhojë do të shpëtonin
nga detyrimet ndaj tij si zot i rajasë. Po kështu
ata shpresonin të shpëtonin përkohësisht
nga taksa për kokë.
Ikja kishte përfshirë disa shtresa të fshatarësisë.
Në radhë të parë ikte fshatarësia
raja. Shumë raja arratiseshin nga vendbanimi i përhershëm
dhe vendoseshin në vise të tjera, ku merreshin me
punëra të ndryshme. Shkaqet e shpërnguljeve
lidheshin me gjendjen e rëndë të rajave dhe
me përpjekjet për të shpëtuar nga kjo
gjendje. Në disa dokumente theksohet se qëllimi
kryesor i largimit të fshatarëve ishte shmangia
për të mos paguar taksën për kokë,
në disa të tjera për tiu shmangur pagimit
të avarizit e të nuzulit. Në një ferman
të sulltanit të 5 shtatorit 1716 pohohet se rajatë
janë rrënuar si mos më keq.
Vendstrehimi i fshatarëve të shpërngulur u
bënë edhe çifligjet. Në fermanet e sulltanëve
të viteve 1644, 1696, 1700, 1702 e 1707, drejtuar qeveritarëve
të sanxhakëve shqiptarë, pohohet se çifligarët
fshihnin rajanë e arratisur. Një vendstrehim tjetër
i fshatarëve të ikur ishin pronat tokësore
të institucioneve fetare myslimane (vakfet) e të
atyre të krishtere (të manastireve), institucione
që përfitonin nga këto largime. Për ti
tërhequr në pronat e tyre, ata i joshnin të
ikurit duke i vënë përkohësisht në
disa kushte të favorshme vetëm për disa vjet.
Megjithatë ata kishin përfitime të mëdha
sepse siguronin krahë pune për çifligjet
e tyre. Duke filluar nga vitet 80 të shek. XVII, kur
gjendja e çifçinjve u bë më e mjerueshme,
edhe këta filluan të largohen në masë
nga çifligjet.
Një vend tjetër grumbullimi i fshatarëve të
ikur ishin qytetet shqiptare si edhe qytetet më të
mëdha të perandorisë, si Stambolli, Edreneja
e Bursa, të cilat ndodheshin shumë larg tokave shqiptare.
Në vitin 1646 sulltani pranonte se fshatarët ishin
larguar nga kazatë e Vlorës, Skraparit e të
Myzeqesë dhe ishin vendosur nëpër qytete.
Arratisjet ndodhnin në kushte të vështira.
Shteti përpiqej të forconte presionin ndaj individit
ose krejt fshatit për të penguar largimet. Xhizjedarët
e vjelësit e tjerë të detyrimeve shtetërore
ishin pajisur me dokument për tua vjelë taksat
kudo që të ndodheshin. Ata dhe spahinjtë caktonin
njerëz për të mbledhur fshatarët e shpërngulur.
Shteti kishte vendosur garancinë kolektive, me anë
të së cilës detyrimet e të shpërngulurve
ndaheshin midis atyre që kishin mbetur në fshat.
Strehuesit e fshatarëve të shpërngulur ishin
vënë nën trysninë dhe kërcënimet
e shtetit që nuk ngurronte ti dënonte edhe
me varje.
Megjithatë arratisjet vazhdonin. Në vitin 1738 ato
kishin përfshirë 40% të fshatrave të krahinës
së Beratit, ndërsa numri i shtëpive të
arratisura kapte afro 12% të numrit të përgjithshëm
të shtëpive. Në disa raste largimet ishin aq
masive sa fshatrat ishin rrënuar krejtësisht. Në
regjistrat e taksave të jashtëzakonshme gjen shënimin
i rrënuar krejtësisht, i braktisur
etj.
Ndonëse ishin më shumë një qëndresë
spontane dhe e paorganizuar, arratisjet krijonin vështirësi
serioze për pushtetin osman, i privonin feudalët
nga pjesa e rentës që u takonte, i shkaktonin vështirësi
administratës fiskale për të grumbulluar detyrimet
shtetërore. Ato ishin shprehje e një mosbindjeje
të fortë dhe e një bojkotimi të vërtetë
ndaj regjimit feudal osman.
Arratisjet ishin një prolog i çlirimit të
fshatarësisë. Si rrjedhojë e tyre sipërfaqe
të tëra toke mbeteshin pa punuar, gjë që
sillte pakësimin e prodhimeve bujqësore. Nga kjo
dëmtoheshin si feudalët, ashtu edhe shteti. Meqenëse
drejtimi kryesor i largimeve ishte nga vendet ku niveli i
shtypjes ekonomike ishte më i lartë për në
vendet me një shtypje më të ulët, ato
ndihmonin në barazimin e gjendjes së fshatarësisë.
Për të penguar ose pakësuar shpërnguljet
nga vendet e para, feudalët detyroheshin të ulnin
shkallën e shtypjes ekonomike. Ikjet ndihmonin sadopak
në kapërcimin e izolimit feudal dhe ndihmonin në
lidhjen e mëtejshme të një krahine me një
krahinë tjetër, të qytetit me rrethinën
dhe të një qyteti me një qytet tjetër.
Arratisjet nuk mund ta shpëtonin fshatarësinë
nga gjendja e keqe, prandaj ajo përdori edhe forma më
të ashpra të luftës, si organizimin e çetave
të armatosura, që formoheshin nëpër pyje
e male. Lëvizja kaçake në tokat shqiptare
pati disa veçori që e dallojnë nga viset
e tjera të Ballkanit. Si një shfaqje e vetvetishme
e luftës çlirimtare, ajo nuk pati atë fizionomi
dhe përhapje të madhe si në viset e tjera të
Ballkanit. Kjo lidhej kryesisht me kushtet konkrete historike
të tokave shqiptare, ku kryengritjet ndiqnin njëra-tjetrën.
Në këto kushte i arratisuri bashkohej me valën
kryengritëse, gjë që e zvogëlonte shumë
rolin e kaçakërisë. Me shthurjen e sistemit
të timarit dhe me përhapjen e sistemit të çifligut,
mjaft fshatarë humbën të drejtën e përdorimit
të tokës dhe pronën private. Zhveshja tërësisht
ose pjesërisht e fshatarit nga pronësia çonte
në rrënimin e tij. Të shtyrë nga kjo gjendje,
një pjesë e fshatarëve morën rrugën
e kaçakut. Meqenëse deri në mesin e shek.
XVIII sistemi i çifligut nuk pati një shtrirje
të madhe, edhe lëvizja e kaçakëve nuk
mori një përhapje të gjerë.
Në çetat grumbulloheshin fshatarë që
kishin humbur të drejtën e shfrytëzimit të
tokës ose që kishin ngritur dorën kundër
feudalëve dhe mbledhësve të detyrimeve shtetërore.
Një përbërje tjetër kishin çetat
e malësorëve të varfër, të cilët
nuk ishin në gjendje të shlyenin detyrimet. Në
këto çeta merrnin pjesë gjithashtu ish-spahinjtë,
të zhveshur nga zotërimet, elementë të
klasës feudale që ishin fuqizuar e rivalizonin në
sipërmarrjet e detyrimeve ose të nëpunësive,
klerikë myslimanë etj. Të gjithë këta
përfaqësues të shtresave të ndryshme shtyheshin
nga motive të veçanta. Ndaj lufta e kaçakëve
merrte tipare të anarkisë feudale. Anarkia feudale
la, pa dyshim, gjurmët e veta në lëvizjen kaçake.
Çetat mund të formoheshin nga fshatarë të
një fshati, të dy a më shumë fshatrave,
të një nahije ose kazaje. Çetat e armatosura
sulmonin edhe spahinjtë, shtëpitë e tyre dhe
u merrnin pasurinë, madje nuk kursenin as familjet e
tyre. Kështu në vitet 1681-1682, kaçakë
nga fshati Pobrat sulmuan dhomat dhe haremet e Ahmet Agait
e të Ali Efendiut dhe u rrëmbyen plaçkat
e sendet ushqimore. Në vitin 1708 kaçakët
nga fshati Kaçë i Zadrimës rrëmbyen
pasurinë e bejlerëve të Zadrimës. Në
vitet 1712-1713 kaçakë nga fshati Qidhnë
sulmuan shtëpinë e spahiut Ahmet dhe i rrëmbyen
gjënë e gjallë. Shpeshherë objekt sulmi
ato bënin edhe pronat shtetërore, si vivaret (daljanet)
etj. Në vitin 1707 kaçakë nga fshatrat Margëllëç,
Kuç e Glloboçar sulmuan vivaret e mukatasë
shtetërore dhe në bashkëpunim me çifçinjtë
vunë dorë mbi çifligjet shtetërore.
Objekt sulmi ishin edhe taksambledhësit e nëpunësit
e shtetit, si dhe konakët e tyre. Në vitin 1606
një çetë nga Kurveleshi sulmoi sanxhakbeun
e Delvinës, i cili kishte marrë përsipër
të vilte taksat në sanxhakët e Vlorës,
Delvinës, Elbasanit etj., dhe i rrëmbyen xhizjen
e vjelë.
Çetat në të njëjtën kohë merrnin
nën mbrojtje masat e varfra fshatare e qytetare dhe nuk
lejonin vjeljen e taksave shtetërore. Në vitin 1713,
Ali Hoxha, së bashku me të tjerë, pengoi vjeljen
e taksave shtetërore.
Lëvizja e çetave të armatosura ishte më
e rëndësishme se format e tjera të ulta të
qëndresës. Duke marrë nën mbrojtje fshatarët,
ato nuk lejonin vjeljen e detyrimeve. Me vrasjen e spahinjve
e të nëpunësve, çetat e shpëtonin
përkohësisht fshatarësinë nga dhuna. Në
mjaft raste çetat shërbenin si qendra të
grumbullimit të fshatarëve të pakënaqur
dhe në periudha të caktuara, ato u bënë
bërthama të lëvizjeve kryengritëse. Në
çdo protestë, në çdo refuzim për
të shlyer detyrimet, në çdo arratisje dhe
sidomos në luftën e çetave të armatosura,
qëndronte mundësia për ta kthyer qëndresën
në kryengritje të armatosur.
Nga gjysma e dytë e shek. XVII, kur Perandoria Osmane
filloi luftën kundër koalicionit të Austrisë,
Venedikut, Polonisë dhe pastaj Rusisë, lëvizjet
fshatare morën hov më të madh dhe, si në
jug, ashtu dhe në veri, u shndërruan në kryengritje
të armatosura me karakter çlirimtar. Disa prej
tyre u zhvilluan në kushte të favorshme ndërkombëtare
dhe në vitet 1683-1691 morën përpjesëtime
shumë të mëdha në Shqipërinë
e Veriut e të Jugut, e veçanërisht në
Kosovë.
Pas vitit 1683, në Shqipëri ziente lëvizja
antiosmane, ndërkohë që perandoria kishte hyrë
në luftë me koalicionin e madh të Austrisë,
Venedikut, Polonisë e të Rusisë. Kleri katolik
shqiptar me Pjetër Bogdanin në krye i nxiti shqiptarët
të ngrinin krye dhe këta nuk ngurruan të radhiten
në vijat e para të luftës çlirimtare
që mori hov në kuadrin e gjendjes së jashtme
të favorshme. Përkrahja që shqiptarët
u dhanë ushtrive austriake e venedikase kundër forcave
osmane në atë kohë u dha dorë si austriakëve,
ashtu edhe venedikasve të përparonin në brendi
të Gadishullit Ballkanik dhe të zinin disa qytete
bregdetare. Peshkopi shkrimtar Pjetër Bogdani hartoi
një projekt për çlirimin e vendit duke u
mbështetur te lufta që kishte shpërthyer, në
të cilën shqiptarët kryengritës po jepnin
ndihmesën e tyre të çmueshme.
Pasi u thye hovi i osmanëve kundër forcave austriake
në dyert e Vjenës, nuk patën përfundim
më të mirë as sulmet e tyre kundër forcave
ushtarake venedikase. Një rol vendimtar për dështimin
e një vargu operacionesh të ushtrisë osmane
luajtën malësorët kryengritës shqiptarë
e malazezë. Më 1686, sanxhakbeu i Shkodrës
Sulejman Pasha, i cili mbronte kështjellat nga kryengritësit,
kaloi kufirin dhe sulmoi qytetin e Budues. Por sulmi i tij
dështoi, sepse rruga për në këtë
qytet u pre nga malazezët, të cilët u dolën
përpara në ndihmë venedikasve. Edhe kur pas
këtij dështimi Sulejman Pasha kërkoi të
kalonte me forcat e veta përmes Malësisë së
Madhe, ai ndeshi në qëndresën e malësorëve
shqiptarë të lidhur me fqinjët e tyre. Kështu
pashai u detyrua të kthehej në Shkodër.
Lëvizja e malësorëve shqiptarë dhe malazezë
ngriti në këmbë rreth dhjetë mijë
luftëtarë, që synuan të shtinin në
dorë kështjellat e Shkodrës, Podgoricës
dhe të Zhabjakut. Pas luftimesh që u zhvilluan gjatë
vitit 1687 dhe në pranverën e vitit 1688, forcat
ushtarake të Sulejman Pashës si dhe ato të
një vargu sanxhakbejlerësh boshnjakë dhe hercegovinas
pësuan disfatë të rëndë. Kryengritësit
e Malësisë së Madhe, të Kuçit,
të Piprit dhe të Kelmendit, sulmuan dhe çliruan
kështjellën e Medunit, por meqenëse ata nuk
kishin mjetet e domosdoshme ua dorëzuan atë venedikasve
për ta mbrojtur.
Pas kësaj fitoreje, në muajin maj 1688 shqiptarët
e malazezët u mblodhën në një kuvend të
përbashkët në Gradec, ku lidhën besën
për ta vazhduar luftën dhe vendosën të
sulmonin e të çlironin kështjellën e
Podgoricës, duke bashkërenduar veprimet e tyre me
ato të flotës venedikase që do të sulmonte
qytetet e Ulqinit dhe të Tivarit. Mirëpo në
muajin qershor malësorëve shqiptarë iu desh
të përballonin sulmin e 10 000 ushtarëve të
Sulejman Pashës, që u përpoq të nënshtronte
Kuçin, Grudën e Kelmendin dhe të shtinte
përsëri në dorë kështjellën
e Medunit. Ushtria e tij ndeshi në kundërsulmin
e kryengritësve shqiptarë, u thye dhe u detyrua
të tërhiqej në Podgoricë. Edhe forcat
e Sulejman Pashës që u drejtuan për në
Mal të Zi, u thyen në fshatin Osriniq.
Angazhimi i shqiptarëve në anën e austriakëve
u bë më i dukshëm në pranverën e
vitit 1689, kur konti Ludvig Badeni, komandant i frontit austriak
vendosi të pushtonte Nishin dhe nëpërmjet Prokupjes
të kalonte në Kosovë. Nëpërmjet Prizrenit
dhe Kukësit, ai desh të dilte në Shkodër
e në detin Adriatik për të ndarë Bosnjën
e Hercegovinën nga Porta e Lartë. Me një thirrje
të veçantë konti i Badenit ftoi popujt e
Ballkanit për tu bashkuar me ushtrinë e tij.
Kur forcat ushtarake hynë në tokat ballkanike, në
to u përfshinë serbë, bullgarë, grekë
e shqiptarë. Në afërsi të Nishit u zhvillua
një betejë e ashpër (24 shtator 1689), e cila
përfundoi me fitoren e austriakëve. Osmanët
lanë në fushën e betejës 10 000 të
vrarë. Pas kësaj fitoreje ushtria austriake u nda
në dy pjesë: e para e komanduar prej kontit të
Badenit u nis drejt Vidinit (Bullgari), kurse e dyta me gjeneral
Pikolominin në krye u nis për në Kosovë,
ku u prit nga shqiptarët. Shqiptarët ishin gati
të pranonin mbrojtjen e perandorit austriak. Të
njëjtin veprim bënë edhe shqiptarët e
Kelmendit. Kur Pikolomini hyri në Prishtinë, shqiptarët
e Kosovës deklaruan se ishin me perandorin. 6 000 shqiptarë
ortodoksë (Albanensen) u bashkuan me austriakët.
Pikolomini të njëjtën situatë ndeshi edhe
në Prizren. Banorët e qytetit i dolën përpara
dhe e pritën me nderime. Rreth 5 000 shqiptarë me
kryepeshkopin e tyre, Pjetër Bogdanin, e përshëndetën
me breshëri të shtënash. Gjenerali kërkoi
nga shqiptarët, që hynin në ushtrinë austriake,
tu bindeshin oficerëve austriakë dhe të
mbanin armët, ndërsa të tjerët duhej të
ktheheshin në shtëpitë e tyre. Burimet austriake,
angleze e papale pohojnë se pranë Pikolominit ishin
mbi 20 000 shqiptarë. Sipas një përllogaritjeje
5 000 veta ishin nga Prishtina, 3 000 veta nga Peja, 6 000
nga Klina dhe Drenica, 6 000-8 000 veta nga Prizreni.
Shqiptarë të tjerë të palidhur me ushtrinë
austriake vazhdonin kryengritjen. Kur forcat austriake hynë
në Prizren, 3 000 kryengritës shqiptarë morën
Pejën. Sapo gjenerali Pikolomini kaloi në Shkup
(25 tetor 1689), shqiptarët shprehën gatishmërinë
për të hyrë nën mbrojtjen e austriakëve.
Një grup kryengritës u nis drejt Tetovës për
të pastruar krahinën nga forcat osmane, që
ndeshën në rezistencë në Kaçanik.
Ndërkohë forca tatare nga Krimea hynë në
Prishtinë, por u thyen nga shqiptarët e Prishtinës.
Sipas burimeve osmane me austriakët ishin bashkuar: Peja,
Prizreni, Tetova, Shtipi, Prishtina, Vuçiterna, Kosova
(Belasica), Jenipazari (Pazari i Ri), Mitrovica, Shkupi, Çiçaku,
Plevla, Jagodina, Kumanova etj.
Pas vdekjes së gjeneral Pikolominit (nëntor 1689)
qëndrimi i shqiptarëve ndryshoi për disa arsye.
Në radhë të parë ndikoi këtu qëndrimi
i pasardhësve të Pikolominit dhe të oficerëve
të tjerë austriakë. Ata filluan ti trajtojnë
keq shqiptarët. Në një ditar anonim thuhej:
Pikolomini në çastet e vdekjes i dorëzoi
komandën dukës së Holshtajnit. Pas kësaj
punët morën një pamje krejt tjetër, sepse
timonieri kishte mbaruar dhe anija do të lundronte në
det sipas dëshirave të erërave, siç
duket drejt mbytjes. Duka i Holshtajnit në fillim
i pa shqiptarët me mospërfillje e me xhelozi dhe
pastaj u soll ashpër me ta. Në Prizren u përpoq
të çarmatoste shqiptarët, kurse në Lumë
urdhëroi djegien e disa fshatrave. Jo vetëm Duka,
por edhe komandantë të tjerë vepruan keq me
shqiptarët. Kur këta të fundit zemëroheshin
për padrejtësitë e oficerëve austriakë
dhe kërkonin drejtësi, keqtrajtoheshin me përbuzje
e me fyerje të padurueshme nga komanda ushtarake. Së
dyti, komanda austriake nuk i mbajti premtimet që u kishte
bërë shqiptarëve. Në fillim ajo premtoi
tu lehtësonte barrën e detyrimeve, por ky
premtim mbeti në letër. Së treti, negativisht
ndikoi edhe vdekja e arkipeshkvit të Shqipërisë,
Pjetër Bogdanit, i cili ishte përpjekur disa herë
për të zbutur pakënaqësinë e bashkatdhetarëve
të vet. Kontributi i P. Bogdanit jepet kështu në
ditarin anonim: Në mënyrë që çështjet
tona të mund të pësonin një goditje të
rëndë, deshi perëndia që të vdiste
arqipeshkvi i Arbërisë. Megjithatë, mjaft
shqiptarë vazhduan ti mbeten besnikë qeverisë
austriake dhe morën pjesë në disa beteja. Shtrirja
e kryengritjes shqetësoi Portën e Lartë, e
cila më 1 dhjetor 1689 njoftonte: në rast
se do të vazhdojë kjo kryengritje e arbërve,
i gjithë vendi do të rrënohej deri në
Durrës dhe ndoshta edhe Greqia do të pësojë
shumë dëme, sepse kudo shtetasit po çohen
në kryengritje.
Një vatër tjetër kryengritëse ishte Luma.
Mjaft banorë të kësaj krahine ishin bashkuar
me austriakët duke dhënë një tribut si
dëshmi të besnikërisë. Por, përballë
forcave të shumta të komanduara nga Mahmut Pasha,
lumianët ulën armët dhe pranuan amnistinë
e qeveritarit osman. Zjarri i kryengritjes ishte shtrirë
edhe në Rozhajë, ku shqiptarët e kësaj
krahine u bashkuan me austriakët. Kundër tyre erdhi
beu (administratori) i Filipopolit në krye të forcave
të shumta ushtarake. Pas një bombardimi të
rreptë kryengritësit e Rozhajës pranuan kërkesën
e faljes që u parashtroi beu osman. Gjendja e ushtrisë
austriake dhe e kryengritësve shqiptarë u keqësua
me emërimin e Vezirit të Madh, shqiptarit Mustafa
pashë Kypryliut, si kryekomandant i ushtrisë. Ushtria
osmane përbëhej nga forca të hanit të
Krimesë, të bejlerbeut të Rumelisë dhe
të sanxhakbejlerëve të tokave shqiptare. Në
fillim forcat osmane iu drejtuan Karposhit, që vepronte
si kryengritës, të cilin e kapën, e ngulën
në hu dhe e hodhën në Vardar. Forcat austriake
dhe kryengritësit shqiptarë u tërhoqën
në Kaçanik. Duka i Holshtajnit u detyrua të
organizonte një këshill ushtarak, i cili vendosi
tu bëjë thirrje shqiptarëve që kishin
qenë pranë Pikolominit, por ishte tepër vonë.
Megjithatë, shqiptarët, besnikë të austriakëve,
morën pjesë në luftën me tartarët
e hanit të Krimesë. Në fillim ra Prishtina,
më vonë Prizreni, Peja. Shkalla e rrezikshmërisë
së kryengritjes së shqiptarëve u duk edhe në
dhunën e ashpër osmane. Pas betejës së
Kosovës osmanët kryen mizori të papara, duke
djegur fshatra të panumërta, duke shkretuar
vendin, duke vrarë barbarisht ata banorë të
shkretë, sepse vetëm i kishin shfaqur bindje dhe
i kishin dhënë ndihmë ushtrisë gjermane.
Duke parë potencialin ushtarak të shqiptarëve
dhe gatishmërinë e tyre, Tome (Thoma) Raspasari,
vikar françeskan për Shqipërinë, e këshilloi
perandorin austriak të shpërndante diploma perandorake,
drejtuar popujve të Ballkanit ku tu premtohej njohja
e të gjitha privilegjeve, njohja e krerëve të
tyre, zgjedhja e lirë e vojvodëve (komandantëve
ushtarakë), ushtrimi i lirë i fesë, përjashtimi
nga detyrimet dhe nga pagesat në të holla. Me këto
kushte shqiptarët do të ngriheshin me armë
në dorë përkrah austriakëve. Perandori
austriak Leopold I në bazë të këtij propozimi,
duke pasur parasysh edhe ndihmesën e mëparshme të
shqiptarëve, më 6 prill 1690 lëshoi një
thirrje drejtuar popujve të Ballkanit, në të
cilën në krye radhiteshin shqiptarët dhe u
kërkonte që të rroknin armët kundër
osmanëve. Si shpërblim u premtonte pak a shumë
propozimet e Tomë Raspasarit, një qeverisje lokale
autonome nëpërmjet vojvodëve të zgjedhur.
Shqiptarët shprehën menjëherë dëshirën
për të bashkëpunuar me austriakët. Sipas
një letre nga Nishi të 22 prillit 1690 arbrit
i kanë çuar fjalë gjeneral Veteranit se përherë
janë perandorakë të mirë, se nuk presin
veçse ardhjen e ushtrisë sonë për tu
bashkuar kundër turqve e tartarve. Megjithëkëtë
gatishmëri, një kryengritje e dytë e shqiptarëve
nuk u organizua. Me sa duket qeveria austriake nuk dëshironte
ta vazhdonte luftën, prandaj ajo nuk pranoi as propozimin
e Veteranit që ta mbështeste me mjete financiare
për të krijuar një ushtri me shqiptarë.
Në këto kushte Veterani u largua nga Nishi, ndërsa
shqiptarët mbeten vetëm përballë ushtrisë
osmane: Mahmut Pasha, siç thuhej në dokumentet
e kohës, ndërmori një fushatë ndëshkimore
kundër Surroit, Gashit e Krasniqes, vende që në
mënyrë të patundur kanë mbajtur besën
ndaj madhërisë perandorake, duke mos pranuar kurrë
miqësinë turke, ndonëse shumë herë
janë joshur me premtime e kërcënime prej atij
(pashës).
Me ushtrinë austriake u larguan nga Serbia e Kosova shumë
kryengritës, besnikë të Austrisë. Mbi
këtë fakt u ngrit teza e historiografisë serbe
mbi të ashtuquajturën shpërngulje të
madhe të serbëve nga Kosova dhe mbi popullimin e
saj nga shqiptarët. Është e vërtetë
se midis atyre që u tërhoqën së bashku
me ushtrinë austriake ishte patriarku i Pejës, Arsen
III Cërnojeviçi, së bashku me disa murgjër
që nëpërmjet Jenipazarit e Studenicës
u vendos në Panoni. Por serbët që u larguan
me të nuk ishin aq të shumtë në numër
sa të bëhet fjalë për një shpërngulje
të madhe të tyre nga Kosova në ato vite. E
ashtuquajtura shpërngulje e madhe e serbëve
nga Kosova është një sajesë e historiografisë
serbe, e bërë me qëllime të caktuara politike.
Të mbështetur në të dhënat e kishës
serbe, mjaft historianë serbë duke synuar t`i japin
një mbështetje historike e shkencore
politikës grabitqare të Serbisë ndaj tokave
shqiptare të Kosovës, janë orvatur të
provojnë se Kosova kishte qenë në mesjetë
qendër e shtetit serb dhe trevë e banuar nga serbët
deri në fund të shek. XVII - fillimi i shek. XVIII.
Pas luftërave austro-osmane të viteve 1683-1699,
pohojnë këta autorë, një pjesë e
popullsisë serbe që mori anën e Austrisë,
qenkërka tërhequr për në veri dhe vendin
e tyre e paskan zënë shqiptarët e ardhur nga
vise të brendshme të Shqipërisë së
Veriut. Historianë të tjerë, duke rënë
viktimë e njëanshmërisë së burimeve
dokumentare serbe, janë bashkuar me autorët serbë.
Kështu është krijuar një letërsi
e tërë historike që nuk i përgjigjet të
vërtetës shkencore. Megjithatë, ka edhe mjaft
studiues që e kundërshtojnë këtë
mendim që mbizotëron në historiografinë
serbe. Në disa vepra të historiografisë austriake
dhe italiane, të mbështetura në burime të
besueshme, pranohet se territoret e Kosovës ishin të
banuara nga popullsi shqiptare dhe përfshiheshin brenda
kufijve të Shqipërisë si nocion etnik.
Dokumentet e komandës së lartë ushtarake tregojnë
se nga forcat që u vunë përkrah forcave austriake,
dy grupe ishin më kryesorët: shqiptarët dhe
serbët. Nga një përllogaritje e
përafërt del se numri i shqiptarëve ishte dy
herë më i madh se ai i serbëve.
Përveç dokumenteve të komandës ushtarake,
edhe dokumentet angleze e papale dëshmojnë se shumë
shqiptarë qëndruan deri në fund me austriakët.
Edhe ndër të shpërngulurit që nuk i kalonin
të 10 000 vetat shqiptarët ishin më të
shumtë. Sipas një interpretimi që meriton të
përmendet, edhe termi serb, i cili përdorej
në dokumente, nënkuptonte shqiptarët ortodoksë
që bënin pjesë në juridiksionin e kishës
së Pejës. Në këtë rast duhet pranuar
se kryengritësit e Kosovës, që u bashkuan me
austriakët, ishin thuajse të gjithë shqiptarë.
Ndërsa në krahinën e Kosovës kryengritja
u shtyp në verën e vitit 1690, ajo vazhdoi në
Shqipërinë Jugore, në krahinat e sanxhakëve
të Delvinës e në krahinën e Himarës.
Në bashkëpunim me forcat detare venedikase që
zbarkuan në Ujin e Ftohtë pranë Vlorës,
kryengritësit sulmuan kështjellat e Kaninës
dhe të Vlorës dhe i dëbuan garnizonet e tyre.
Vetëm pas 6 muajsh, një ushtri osmane e përbërë
nga forcat e më shumë se 10 sanxhakbejlerëve
mundi ti ripushtonte. Venedikasit para se të largoheshin,
i vunë zjarrin për hakmarrje qytetit të Vlorës,
dhe dëmtuan në radhë të parë vlonjatët.
Duke përfituar nga hutimi që shkaktoi kundërsulmi
osman, Sulejman Pasha i Shkodrës guxoi të ndërmerrte
dy ekspedita ndëshkimore kundër malësorëve
shqiptarë dhe kundër malazezëve. Por që
të dyja dështuan. Vetëm në vjeshtën
e vitit 1692 ai mundi të hynte në Mal të Zi
dhe të shkelte Cetinën, kurse orvatjet për
të nënshtruar Malësinë e Madhe nuk i shkuan
mbarë as këtë herë.
Gjatë luftës së viteve 1683-1699 dhe fill pas
mbarimit të saj, fshatarësia raja e krahinave jugore
dhe veriore vazhdoi të kundërshtonte me këmbëngulje
e gjer në përleshje të armatosura pagimin e
detyrimeve të rënda feudale. Kështu, ajo jo
vetëm e përkrahu, por edhe bashkëpunoi me fshatarësinë
e vetëqeverisur në luftën çlirimtare
kundër sundimit osman. Një qëndrim i tillë
u mbajt prej tyre dhe në fillimet e shek. XVIII.
Gjatë viteve 1699-1704, popullsia e kazasë së
Tepelenës nuk pagoi taksat e jashtëzakonshme të
avarizit dhe bedeli nuzulit. Kjo lëvizje u përhap
gjatë këtyre viteve thuajse në gjithë
Shqipërinë Jugore. Përveç vështirësive
ekonomike, që i detyronin fshatarët raja të
mos paguanin taksat e jashtëzakonshme, qëndresa
e tyre u nxit edhe nga grupe feudalësh të vegjël
të krahinave të Korçës, Kolonjës,
Përmetit, Skraparit, Tomoricës e Shpatit që
u bashkuan me lëvizjen fshatare. Të shpronësuar
nga timaret ose të kërcënuar që ti
humbisnin ato për shkak të thellimit e përhapjes
së procesit të çifligimit, këta feudalë
të pakënaqur të lidhur dhe me feudalë
të tjerë në rrethin dhe në qytetin e Beratit,
u ngritën kundër qeveritarëve vendas.
Sanxhakbeu i Vlorës nuk mundi me ushtarët e vet
të shtypte kryengritësit e bashkuar. Meqë lëvizjet
fshatare u bënë të rrezikshme për Stambollin,
Porta e Lartë mori masa të tjera, dërgoi kundër
kryengritjes së vitit 1700 forca ushtarake të të
katër sanxhakëve nën urdhrin e ish-Vezirit
të Madh, Ali Pashës. Por as këto nuk arritën
ta shtypnin kryengritjen. Në vjeshtën e vitit 1701,
Porta urdhëroi Hydaverdi Pashën e Shkodrës
që, në krye të forcave ushtarake të sanxhakeve
të Shkodrës, Dukagjinit, Elbasanit, Ohrit e të
Vlorës, të përbëra nga rreth 10 000 veta,
të shkonte për të shtypur kryengritjen, që
e kishte qendrën në Kurvelesh. Hydaverdi Pasha përdori
në radhë të parë taktikën e përçarjes
së forcave kryengritëse, duke shkëputur nga
lëvizja drejtuesit e përbërë nga grupet
e feudalëve të vegjël. Në këto rrethana
lëvizja fshatare ra përkohësisht në të
gjitha krahinat, duke përfshirë edhe Kurveleshin,
për të rifilluar me hov të ri në vitet
1703-1704.
Në këtë fazë të dytë, në
krye të saj doli një feudal vendas, komandanti i
garnizonit të kështjellës së Tepelenës,
çaushi i jeniçerëve Muço Aga Hysoja.
Në muajin qershor 1704 kundër kësaj kryengritjeje
u dërguan forca ushtarake nga ejaleti i Rumelisë
nën komandën e valiut, Hasan Pashës. Në
këto forca bënin pjesë edhe ushtri të
sanxhakëve të Janinës, Delvinës, Ohrit,
Elbasanit, Shkodrës, Dukagjinit dhe të Prizrenit.
Me përqendrimin e gjithë këtyre forcave ushtarake,
qeveria arriti më së fundi ta nënshtronte krahinën
e Kurveleshit. Në dështimin e kryengritjes një
rol të veçantë luajti braktisja e lëvizjes
nga Muço aga Hysoja, i cili, pasi u fal, u la në
postin e vet si më parë.
Një lëvizje fshatare, e udhëhequr nga krerë
malësorë, shpërtheu në të njëjtën
kohë në krahinën e Matit. Në muajin maj
të vitit 1703, kryengritës nga Selita e Macukulli
rrethuan dhe sulmuan garnizonin e kështjellës së
Stelushit. Mirëpo nuk mundën ta merrnin, sepse të
rrethuarve u shkuan në ndihmë forcat e sanxhakëve
të Ohrit, Shkodrës, Dukagjinit e Prizrenit. Në
fund të gushtit, osmanët e nënshtruan edhe
krahinën e Matit.
Lëvizje kryengritëse pati edhe në viset e Shqipërisë
Veriore. Fshatarësia e lirë e Malësisë
së Madhe, e sidomos kelmendasit, vazhduan qëndresën
e armatosur që u rrit në fillim të shek. XVIII.
Në vitin 1701, 6 000 ushtarë osmanë, të
komanduar nga Hydaverdi Pasha i familjes së Begollajve
të Pejës, sulmuan viset malore dhe rrethuan Kelmendin.
Rrethimi vazhdoi për një kohë të gjatë.
Të ndodhur pa ushqime dhe pa bukë, një pjesë
e kelmendasve pranuan të hiqnin dorë nga kryengritja.
Për këtë arsye Hydaverdi Pasha i la ata të
lirë në krahinat e tyre. Pjesën tjetër
(274 familje), që e vazhduan luftën, pashai i shpërnguli
nga Kelmendi në tokat që zotëronte në
pllajën e Peshterit, pranë Novi Pazarit. Ai kujtoi
se do ta shuante me këto masa këtë vatër
të përhershme të qëndresës dhe ti
fuste malësorët e lirë nën zgjedhën
feudale. Por nuk ia arriti qëllimit. Më vonë,
në vitin 1707 shumica e 274 familjeve braktisën
vendbanimet e reja dhe u kthyen në Kelmend. Gjatë
kthimit ata u ndeshën me forca të shumta qeveritare,
të cilat u detyruan tu hapnin rrugë.
Largimi i forcave ushtarake të qeveritarëve vendas
për në frontin e luftës veneto-osmane gjatë
viteve 1714-1718 i dha rast shpërthimit me përmasa
më të mëdha të lëvizjeve kryengritëse.
Kur feudalët vendas u ndaluan malësorëve të
shtegtonin bagëtitë në kullotat dimërore
dhe i pushtuan ato, popullsia e krahinave të vetëqeverisura
të Kelmendit, Pultit, Shalës, Gashit dhe të
Mirditës, sulmoi krahinat fushore fqinje dhe ndërpreu
qarkullimin e rrugëve. Në të njëjtën
kohë, rreth dy mijë raja matjanë, dibranë,
lezhjanë e krutanë refuzuan të paguanin xhizjen
dhe taksat e tjera shtetërore. Këto lëvizje
u përkrahën përkohësisht edhe nga disa
feudalë të pakënaqur nga shteti si ajanët
e Matit, që synonin ti përdornin ato si mjet
presioni për të fituar të drejtën e taksave
në dobi të vet dhe për të forcuar pozitat
e tyre politike në pushtetin vendor.
Po kështu, fshatarët e nahijes së Mazarakut
dhe Ajdonatit në Çamëri, e sidomos banorët
e Margëllëçit, që ishin ngritur kundër
pagimit të taksave qysh më 1708, vranë tagrambledhësit
dhe rojen e armatosur që i shoqëronte dhe u hodhën
në kryengritje të hapët. Në maj të
vitit 1714 rreth 1 500 çamë thyen forcën
ushtarake të sanxhakbeut të Delvinës, që
u dërgua kundër tyre. Kryengritës të tjerë
nga Kolonja e Konica nuk pranuan të paguanin taksat dhe
e vranë xhizjedarin në Leskovik.
Krahas këtyre lëvizjeve, më 1715, shpërtheu
një kryengritje tjetër e madhe, që kishte si
qendër Kurveleshin. Në muajin korrik të vitit
1715 fshatarësia raja e kazave të Tepelenës
dhe të Përmetit refuzoi të paguante taksat
e jashtëzakonshme si dhe xhizjet e vitit 1714. Kundër
kësaj lëvizjeje u dërguan të shkonin forcat
e kështjellave të Vlorës, të Kaninës
dhe ato të esnafëve të qytetit të Beratit.
Meqenëse kjo kryengritje shpërtheu në kohën
kur ushtria osmane luftonte me forcat venedikase të Korfuzit,
ajo përbënte një rrezik serioz për to.
Ndaj valiu i Rumelisë, Ahmet Pasha, shkoi vetë në
nëntor 1715, për të drejtuar operacionet ushtarake
për shtypjen e lëvizjes së Kurveleshit. Ai
mori gjithashtu përforcime nga sanxhakët e Janinës,
Delvinës, Vlorës, Ohrit dhe të Elbasanit, me
të cilat mundi të shtypte kryengritjen dhe të
shtronte krahinën.
Në vitin 1729 banorë të disa fshatrave të
kazasë së Matit u hodhën në kryengritje
dhe nuk pranuan të paguanin xhizjen, avarizin e nuzulin.
Sulltani ngarkoi për shtypjen e saj qeveritarët
e sanxhakëve të Elbasanit e të Shkodrës.
Në pamundësi për ti bërë qëndresë
ushtrisë osmane kryengritësit pranuan të nënshtroheshin.
Qeveritarët morën si peng 10 veta nga ata më
me ndikim, por kur ata u larguan nga krahina e Matit, kryengritja
filloi përsëri. Popullsia e Matit, nën drejtimin
e Hal Bajramit, refuzoi të shlyente detyrimet, ktheu
prapa të ngarkuarit për vjeljen e tyre dhe liroi
pengjet. Pushteti qendror nisi përsëri qeveritarët,
që me forca të shumta shtypën kryengritjen.
Në fillim të vitit 1739 u hodh në kryengritje
popullsia e krahinave të Kurveleshit, Margëllëçit
dhe të Ajdonatit që nuk pranoi të paguante
xhizjen. Për shtypjen e saj qeveria osmane ngarkoi qeveritarin
e sanxhakut të Delvinës, që u ndihmua nga bejlerët
e Delvinës.
Në vitin 1744 fshatarësia e krahinës së
Peqinit kundërshtoi me armë pagimin e taksës
ndihmë në kohë lufte. Meqë
orvatjet e valiut të Rumelisë për shtypjen
e saj dështuan, ky pranoi të vjelë vetëm
shumën që i ofruan kryengritësit, kurse pjesa
tjetër do të shënohej në listën e
të prapambeturave.
Dy vjet më vonë kryengritja përfshiu krahinat
e Beratit e të Mallakastrës, popullsia e të
cilave nuk pranoi të paguante taksën ndihmë
në kohë lufte. Kryengritja u zgjerua aq sa
valiu i Rumelisë u detyrua të vinte në krye
të ekspeditës ushtarake për të ndëshkuar
ata që kishin ngritur krye dhe për të vjelë
taksat. Por edhe kjo kryengritje u shtyp. Përgjithësisht,
kryengritjet e viteve 1718-1750 tregojnë se kjo nuk ishte
një periudhë zbatice në qëndresën
e armatosur të fshatarësisë shqiptare. Ato
e shtyjnë cakun kohor të mbylljes së qëndresës
deri në mesin e shek. XVIII, i cili shënon një
moment kthese. Atëherë dolën në skenë
pashallëqet shqiptare, si formacione shtetërore
autonome. Nga kjo kohë lufta e fshatarësisë
shqiptare merr disa tipare të reja.
Qëndresa e fshatarësisë pati pothuajse shkaqe
të njëjta gjatë gjithë periudhës
nga fillimi i shek. XVI deri në mesin e shek. XVIII.
Ajo e kishte burimin në kontradiktën kombëtare
e shoqërore të popullit shqiptar me pushtuesin osman.
Lufta kishte si synim të kufizonte ose të zhdukte
shtypjen feudale dhe zgjedhën osmane. Gjatë kryengritjeve
të shek. XVI-XVII forca kryesore lëvizëse ishte
fshatarësia raja dhe ajo e krahinave të vetëqeverisura,
kurse në shek. XVIII shtohen edhe feudalët e disa
klerikë të lartë të krishterë. Meqë
interesat e këtyre krerëve laikë e fetarë
u cenuan nga vendosja e regjimit feudal-osman, ata u afruan
me fshatarësinë. Në qëndresën e shek.
XVIII morën pjesë edhe aristokratë të
mëdhenj shqiptarë, për shkak të rivalitetit
në sipërmarrjen e detyrimeve ose pse kishin hyrë
në rrugën e shkëputjes nga klasa feudale osmane.
Krahas të krishterëve në kryengritje merrnin
pjesë edhe myslimanët, si nxënës të
medreseve (softë), muezinë, haxhinj, shejhlerë
deri dhe dijetarët islamë (ulema). Në raste
të veçanta kryengritjet morën ngjyrë
fetare, ndonëse shteti gjithnjë përpiqej ti
trajtonte kryengritësit si armiq të fesë e
pastaj të shtetit.
Kryengritjet u zhvilluan në dy zona: në krahinat
e vetëqeverisura dhe në ato të timarit. Për
rrjedhojë është i papranueshëm koncepti
se lufta u zhvillua vetëm në krahinat autonome.
Antagonizmi kombëtar dhe shoqëror me osmanët
ishte i pranishëm në të gjitha krahinat, pavarësisht
nga veçoritë që i karakterizonin ato. Kjo
nuk e vë në dyshim faktin se malësitë
ishin kthyer në vatra pothuajse të përhershme
të luftës dhe shërbenin si baza për organizimin
e qëndresës në shkallë vendi. Forca e
madhe e qëndresës së tyre shpjegohet me faktin
se fshatarësia e lirë luftonte kundër cenimit
të vetëqeverisjes, kundër përpjekjeve
të osmanëve për ti përfshirë
në sistemin e timarit dhe për ti vënë
në pozitat e fshatarëve raja dhe, përgjithësisht,
kundër rëndimit të zgjedhës së huaj.
Megjithëse në periudha të caktuara kryengritjet
u shtrinë pothuajse në pjesën më të
madhe të vendit dhe u zhvilluan në të njëjtën
kohë, ato patën karakter lokal dhe nuk u shkrinë
në një kryengritje të vetme, ndonëse morën
edhe forma të reja organizimi, siç ishin kuvendet.
Tiparet çlirimtare të kryengritjeve ishin mpleksur
me ato shoqërore. Në varësi nga kushtet historike,
nga forca dhe shkalla e organizimit të tyre, kryengritjet
herë merrnin më tepër tipare çlirimtare
e herë tipare shoqërore. Sidomos, kur kryengritësit
bashkëpunonin me shtetet evropiane dhe shtronin si synim
të flaknin zgjedhën e huaj, dilte në plan të
parë karakteri çlirimtar.
Përgjithësisht kryengritjet e kësaj periudhe
dështuan dhe nuk arritën të përmbushnin
objektivat e tyre çlirimtare e shoqërore.
|
 |  |