 |  |
K R E U IV
PASHALLËQET E MËDHA SHQIPTARE
(1771 - 1831)
Vështrim i përgjithshëm i periudhës
Si në të gjithë Perandorinë Osmane, edhe
në tokat shqiptare, gjatë shek. XVIII e sidomos
në gjysmën e dytë të tij, filloi të
mbizotëronte një situatë e re, e cila solli
zhvendosje të rëndësishme në raportin
e forcave ekonomiko-shoqërore dhe politike të vendit.
Në jetën ekonomike mori përhapje të mëtejshme
ekonomia e mallrave, vazhdoi të fuqizohej sistemi i çifligjeve
si pronë feudale private dhe u thellua diferencimi në
gjirin e klasës feudale, u shtypën njëra pas
tjetrës kryengritjet fshatare, të gërshetuara
me rebelimin e feudalëve ushtarakë të rënë
ekonomikisht, dhe filloi afrimi i feudalëve qeveritarë
me krerët ushtarakë malësorë. Lufta e
familjeve çifligare më të fuqishme për
të marrë e për të mbajtur pushtetin, tërhoqi
me vete forca të rëndësishme të shoqërisë
shqiptare. Kjo luftë e acaroi për disa dhjetëvjeçarë
gjendjen anarkike në të gjithë vendin, por
edhe i dha fund asaj për të filluar një fazë
të re zhvillimi në lëmin ekonomik e kulturor
dhe në atë shoqëror e politik.
Në gjysmën e dytë të shek. XVIII në
tokat shqiptare pati një zhvillim më të madh
ekonomik e kulturor në krahasim me shekujt pararendës,
u rrit prodhimi bujqësor e blegtoral për treg, dhe
lidhur me këtë, qytetet shqiptare njohën një
zhvillim mjaft të shpejtë. Ato u bënë
tregje të rëndësishme në radhë të
parë për artikujt e bujqësisë e në
mënyrë më të kufizuar për prodhimet
e esnafeve vendase. Sfera e veprimtarisë së këtyre
qyteteve u shtri përtej tokave shqiptare, duke zhvilluar
një tregti mjaft të gjallë tranzite midis viseve
perëndimore e qendrore të Gadishullit Ballkanik
dhe Evropës.
Lidhjet që u krijuan çuan në forcimin e dy
tregjeve me rëndësi ndërkrahinore që patën
si bosht dy qytetet kryesore, Shkodrën dhe Janinën.
Formimi i këtyre tregjeve ishte një hap i rëndësishëm
përpara drejt bashkimit ekonomik të vendit. Këtu
filloi të vepronte një shtresë e re shoqërore
që po zhvillohej në qytete, borgjezia tregtare shqiptare.
Por lidhjet me sferën e veprimit të këtyre
tregjeve ishin ende të dobëta, ato hasnin në
vështirësitë dhe pengesat që krijonte
sistemi i timarit me mjedisin e vet feudal rrethues, i cili
nuk lejonte shkrirjen e tyre në një treg të
vetëm kombëtar. Borgjezia tregtare ishte e dobët
në numër dhe e varur nga përfaqësuesit
e parisë së vjetër feudale, që kishte
në dorë pushtetin politik.
Ndryshimet që u kryen në planin ekonomik, sollën
pasoja të rëndësishme edhe në fushën
shoqërore e politike, që u pasqyruan në fuqizimin
e pronarëve të mëdhenj çifligarë
vendas, në kurriz të pushtetit qendror, i cili pa
ata nuk ishte në gjendje të ushtronte sundimin e
vet mbi provincat. Këto familje të mëdha feudale,
oxhaqet, bashkuan me pushtetin ekonomik edhe atë vendor,
vendosën sundimin e tyre në vend, të cilin
e bënë në fakt të trashëgueshëm.
Të interesuar në fillim për të mos ndarë
më me osmanët pushtetin ekonomik të vendit,
ku kishin zotërimet e veta, oxhaqet shqiptare u drejtuan
më në fund edhe kundër pushtetit qendror dhe
përpjekjeve të tij për të mbajtur ende
në këmbë sistemin e vjetër feudal ushtarak
të timareve dhe për të ushtruar, nëpërmjet
funksionarëve të dërguar nga qendra, pushtetin
e vet në tokat shqiptare.
Edhe pse ishte e lidhur me interesat e feudalëve të
mëdhenj çifligarë, lindja e këtyre pashallëqeve,
objektivisht, u përgjigjej edhe interesave të shtresave
të reja shoqërore, elementëve të borgjezisë
tregtare. Këta kishin nevojë për krijimin e
një pushteti të fortë në vend, që
të ishte në gjendje ti vinte fre anarkisë,
gjë që se bënte më pushteti qendror
osman, dhe për krijimin e uniteteve politike më
të mëdha se sanxhakët, tek të cilët
shihnin jo vetëm një zgjerim të tregut të
brendshëm, por edhe një përpjekje për
të shkëputur trevat shqiptare, të Veriut e
të Jugut nga kontrolli i administratës osmane. Në
këta faktorë i kishte rrënjët formimi
e fuqizimi i pashallëqeve shqiptare gjysmë të
pavarura të Shkodrës e të Janinës në
gjysmën e dytë të shek. XVIII dhe në fillim
të shek. XIX.
Pashallëqet shqiptare të shek. XVIII - fillimi i
shek. XIX, shënuan një hap të parë drejt
bashkimit politik të vendit, siç ishte arritur
deri diku deri në shek. XIV. Por, të ngritur mbi
themele ekonomike ende jo të shëndosha, kur mungonte
uniteti në gjirin e klasës feudale shqiptare dhe,
të ndodhur në kushte jo të favorshme ndërkombëtare,
këto pashallëqe nuk mundën të bënin
hapin vendimtar të shkëputeshin vetë nga varësia
e Stambollit dhe të shkëpusnin edhe Shqipërinë
nga sundimi i Perandorisë Osmane.
Krahas këtyre ndryshimeve, shek. XVIII shënoi dukuri
të reja me interes edhe në fushën e kulturës.
U zhvillua më tej kultura popullore, sidomos poezia,
që kishte arritur vlera artistike me poezinë epike.
Qytetet u pajisën me ndërtesa monumentale, civile
dhe të kultit, kurse në ambientin e kishës
ortodokse piktura murale shënoi një lulëzim
të ri me elementë realistë. Në qytete
zhvillohej një tip i ri letërsie në gjuhën
amtare, e cila në krahasim me letërsinë e mëparshme
kishtare, merrte tani karakter kryesisht didaktik, përmbante
elemente laike e realiste. Krijohet një shtypshkronjë,
rritet numri i librave të botuar në gjuhën
shqipe dhe numri i shkollave, ku veprojnë tashmë
mësues të ditur laikë, të cilët përçojnë
deri diku ndikimin e racionalizmit evropian.
Shtypja me armë e këtyre pashallëqeve nga ana
e pushtetit qendror osman e acaroi më tej konfliktin
e sundimtarëve osmanë me popullin shqiptar. Për
të realizuar politikën e tij centralizuese në
Shqipëri, pushteti sulltanor shtypi qëndresën
e shtresës drejtuese vendase, e cila nuk donte të
hiqte dorë nga pozitat e veta në administrimin e
vendit. Zbatimi i kësaj politike centralizuese, që
u quajt pushtimi i dytë osman i vendit, e
vuri Stambollin përballë lëvizjeve popullore,
të cilat u ndërthurën me ato të krerëve
feudalë. Këto lëvizje çuan në vitet
30 të shek. XIX, në një varg kryengritjesh
të tjera kundër sundimit osman, të cilat, krahas
faktorëve ideologjik, kulturor dhe politik, përgatitën
truallin për zhvillimin e lëvizjes kombëtare
të epokës së Rilindjes në Shqipëri.
Në periudhën e sundimit të sistemit feudal
ushtarak osman, me gjithë kushtet e vështira në
të cilat ndodhej Shqipëria, u përgatitën
një varg elementesh të reja ekonomike, shoqërore,
politike e kulturore, që krijuan premisat për kalimin
në një periudhë historike me përmbajtje
të re, të Rilindjes Kombëtare.
1. ANARKIA FEUDALE DHE PËRPJEKJET PËR KAPËRCIMIN
E SAJ
Fuqizimi i pushtetit të feudalëve krahinorë.
Oxhaqet shqiptare
Procesi i shndërrimit të pronës shtetërore
të tokës në pronën feudale private dhe
diferencimi i mëtejshëm në gjirin e shtresës
feudale vendase shpunë, ashtu si në pjesët
e tjera të perandorisë, në fuqizimin politik
të çifligarëve nëpër sanxhakët
shqiptarë dhe, rrjedhimisht, në dobësimin e
pushtetit qendror në to.
Duke pasur nevojë për forca ushtarake që të
mund të përballonte rreziqet e brendshme e të
jashtme, dhe duke qenë e detyruar që të siguronte
me anën e feudalëve vendas shuma sa më të
mëdha të hollash për të mbuluar shpenzimet
gjithnjë në rritje, Porta e Lartë jo vetëm
nuk mundi ta ndalte procesin e fuqizimit politik të feudalëve
provincialë, por edhe u mbështet kryesisht tek ata
më të fuqishmit. Sulltanët qenë të
detyruar tu besonin feudalëve të mëdhenj
vendas detyrat më të rëndësishme administrative
e ushtarake dhe ti njihnin ata zyrtarisht si pari (si
ajanë). Nga ana tjetër, kjo shtresë, ende e
dobët, nuk kishte aspak ndërmend të shkëputej
nga Stambolli. Përkundrazi, ajanët mundoheshin të
përfitonin sa më shumë nga pushteti qendror
për të dalë në krye të pushtetit
provincial.
Si rrjedhim, sipas pasurisë dhe forcave të armatosura
që dispononte, secili ajan kishte vendosur ndikimin e
tij mbi një krahinë më të madhe a më
të vogël, ku zakonisht ai kishte edhe çifligjet.
Rreth ajanëve ishin grumbulluar çifligarë
më të vegjël, kurse jashtë krahinës
ata kishin lidhur krushqi e aleancë për ndihmë
reciproke me feudalë të tjerë të mëdhenj.
E mbështetur kryesisht mbi çifligjet e veta të
trashëgueshme, mbi pasurinë monetare dhe mbi aleancat
feudale, kjo shtresë e ajanëve e ndiente veten më
pak të lidhur me pushtetin qendror sesa feudalët
ushtarakë. Familjet e këtyre ajanëve formuan
në Shqipëri një elitë aristokrate feudale,
oxhaqet.
Nga këto oxhaqe, disa ishin ngritur në këtë
pozitë shoqërore pasi u bënë pronarë
të mëdhenj çifligjesh dhe sipërmarrës
kryesorë të taksave. Ata fituan gjithashtu grada
pashallarësh e vezirësh, sipas funksioneve që
u detyrua tu jepte pushteti qendror. Të tilla oxhaqe
ishin dyert e Kryezinjve në Gjakovë, të Biçakçinjve
në Elbasan etj. Kurse oxhaqet e Begollajve në Pejë,
të Bushatllinjve në Shkodër, të Toptanëve
në Krujë, të Asllanpashallive në Janinë
e në Gjirokastër etj., kishin qenë familje
feudale ushtarake të vjetra e me funksione të larta.
Duke shfrytëzuar ofiqet e tyre, këto familje u pasuruan,
krijuan çifligje dhe, ndryshe nga e kaluara, burimin
e fuqisë tashmë e kishin kryesisht te këto
prona, dhe jo aq te funksionet e dhuruara nga sulltani.
Nga këto familje Porta detyrohej të zgjidhte funksionarët
e vet për qeverisjen e sanxhakëve, sepse vetëm
ato ishin në gjendje ta kryenin këtë detyrë
në sajë të marrëveshjes me ajanë
të tjerë të sanxhakut. Ajani më i fuqishëm,
që ngarkohej me detyrën e qeveritarit, që kishte
ofiqet administrative nëpër krahinat e sanxhakut,
ua ndante komandat e kështjellave dhe sipërmarrjet
e dyta të taksave të besuarve të tij nga paria
e këtyre krahinave. Kishte ikur tani ajo kohë kur
pushteti qendror dërgonte nëpër sanxhakët
shqiptarë njerëzit e vet dhe vendasit i bindeshin.
Pati raste kur Porta e Lartë emëronte si qeveritarë
përfaqësues nga oxhaqet e fuqishme të sanxhakëve
fqinjë, por as këta nuk mund ta mbanin pushtetin
pa përkrahjen e ajanëve më të fuqishëm
vendas.
Shtresa e ajanëve përbënte tani shtyllat e
pushtetit nëpër sanxhakët shqiptarë. Kjo
ishte shprehje e qartë e dobësimit të pushtetit
qendror osman në periudhën para formimit të
pashallëqeve të mëdha në vendin tonë.
Lufta e parisë vendase për pushtet
Fuqizimi ekonomik e politik i shtresës së ajanëve
nuk u arrit pa konflikte me pushtetin qendror, që e kishin
burimin në mospërfilljen e interesave të tij,
pa qëndresën e vazhdueshme e shpeshherë të
armatosur të fshatarësisë dhe pa grindje e
luftime të ashpra e të gjata në gjirin e vetë
parisë vendase. Të gjitha këto u bënë
shkak që i gjithë vendi u fut për një
kohë të gjatë në një gjendje anarkie
gjithnjë e më të rëndë, pasojat negative
të së cilës u pasqyruan në përgjithësi
në zhvillimin ekonomik e në veçanti në
gjendjen ekonomike të popullsisë së thjeshtë
të fshatit e të qytetit.
Një nga shkaqet e konflikteve të shpeshta në
gjirin e shtresës feudale vendase ishin abuzimet e funksionarëve
të mëdhenj në shpërndarjen e timareve.
Këta, duke pasur si qëllim të grumbullonin
rreth vetes sa më shumë pasues dhe të merrnin
tapitë e tokave, të cilat synonin ti akaparonin,
propozonin për zotërim timaresh vakante njerëzit
e tyre, pavarësisht nëse këta kishin timare
të tjera. Këto shkelje, edhe pse shkaktonin qortime
dhe madje ndëshkime nga ana e sulltanit, i cili disave
u konfiskoi edhe pasurinë, nxisnin në radhë
të parë zemërimin e spahinjve të zhveshur
nga timaret. Këta spahinj, tashmë të shpronësuar,
formonin zakonisht çeta të armatosura dhe hidheshin
në sulm, digjnin e grabisnin prona çifligarësh
të mëdhenj, prona shtetërore, qytete, ndërprisnin
rrugët etj., dhe spyesnin për autoritetet
qeveritare. Regjistrat e kadilerëve të qyteteve
shqiptare tregojnë se grindjet shkaktoheshin edhe midis
çifligarëve e spahinjve për faktin se çifligarët,
pasi shtinin në dorë tapitë ose zinin ndonjë
ofiq zyrtar me rëndësi, fillonin të mos u njihnin
spahinjve të drejtat që u takonin si tapilëshues.
Mosmarrëveshje e konflikte të ashpra shkaktonin
sidomos sipërmarrjet e taksave. Heqja e një sipërmarrjeje
nga dora e një familjeje dhe dhënia e saj një
tjetre, që ofronte më shumë ose kishte miq
më të fortë në Stamboll, pasohej zakonisht
me turbullira. Nga interesat që kishin familjet e fuqishme
me sipërmarrjet, përcaktoheshin edhe aleancat dhe
kundërshtinë midis tyre. Të pakënaqurit,
duke bashkëpunuar me tarafet e veta, u krijonin rivalëve
vështirësi të mëdha. Ato në raste
të veçanta, sikurse feudalët e shpronësuar,
dërgonin kundër objekteve të sipërmarrjeve
shtetërore ose pronave të rivalëve banda të
armatosura. Këto formoheshin nga çetat e feudalëve
të shpronësuar, nga ato të krerëve ushtarakë
malësorë dhe në disa raste nga luftëtarë
me rrogë të liruar pas përfundimit të
luftërave, të cilëve nuk u ishin dhënë
plotësisht pagesat që u takonin. Krerët e Matit,
nga familjet e Zogollëve dhe e Çelajve me rreth
njëmijë veta, të lidhur fshehurazi me zëvendësin
e qeveritarit të sanxhakut të Manastirit, që
deshi të diskreditonte eprorin dhe rivalin e vet për
postin e mytesarifit të Manastirit, në vitin 1711
sulmuan e plaçkitën dy herë këtë
qytet dhe penguan grumbullimin e taksave. Në gusht të
vitit 1712 disa feudalë të vegjël peqinas,
të cilët kishin tre vjet që cenonin rendin
në qytetin e Peqinit, duke prerë rrugën tregtare
të Durrësit dhe duke grabitur kripën e shtetit,
që shpihej me karvan në Elbasan, dëmtuan rëndë
sipërmarrësin e të ardhurave të skelës
së Durrësit. Në maj-qershor të vitit 1714,
feudalët frashërllinj, përmetarë e kolonjarë
dhunuan Voskopojën, Shipskën etj., duke grabitur
bagëti e plaçka deri te vathët e grave. Në
të njëjtën kohë, çeta prej 200-400
vetash nga Margëllëçi e Kuçi grabitën
e dogjën dajlanin e Prevezës dhe shkatërruan
çifligjet e fshatrat përreth.
Në disa raste antagonizmi ndërfeudal arrinte deri
atje saqë, përfaqësues të feudalëve,
përkrahnin lëvizjet fshatare kundër pagimit
të taksave për të dëmtuar rivalët,
sikurse ndodhi në vitet 1703-1704 dhe në vitet 1714-1715.
Nga të gjitha këto forma të grindjeve feudale
përfitonin në fund të fundit familjet më
të fuqishme, oxhaqet. Këto shfrytëzonin forcat
e feudalëve të vegjël, që i merrnin në
mbrojtje kur ua kishin nevojën dhe i futnin nën
varësinë e tyre, ose i luftonin ato me anë
të forcave ushtarake qeveritare kur nuk ua kishin nevojën.
Kështu oxhaqet forcuan pozitat e veta dhe u bënë
jo vetëm shtyllat e pushtetit krahinor në sanxhaqe,
por edhe mbështetja kryesore e pushtetit qendror, i cili
tashmë nuk bënte dot pa ta.
Disa përfaqësues më të fuqishëm oxhaqesh
nga radhët e ajanëve të krahinave, Porta e
Lartë i ngarkonte me detyrën e qeveritarit të
sanxhakut. Por, qoftë për të frenuar fuqizimin
e tyre, qoftë për të marrë shpërblime
nga ata, qoftë edhe për të ndëshkuar të
pabindurit, ajo brenda një ose dy viteve i shkarkonte
dhe emëronte rivalët e tyre. Familje të tilla
rivale, në gjysmën e parë të shek. XVIII,
kishte pothuajse në çdo sanxhak: në sanxhakun
e Shkodrës ishin Çaushollajt e Bushatllinjtë;
në atë të Dukagjinit ishin Begollajt e Pejës
dhe Kryezitë e Gjakovës; në sanxhakun e Elbasanit
ishin Vërlacët e Biçakçinjtë;
në atë të Beratit ishin Vlorajt, Velabishtajt
e Ngurzajt; në sanxhakun e Delvinës ishin Asllanpashallitë
e Kokajt; në atë të Janinës ishin gjithashtu
Asllanpashallitë e Alizotajt.
Secila nga këto familje feudale, e mbështetur në
tarafet e veta e që përbëheshin nga feudalë
më të vegjël dhe nga bylykbashë e krerë
ushtarakë malësorë të krahinave, si dhe
nga udhëheqës esnafesh nëpër qytete, përpiqej
të merrte e të ruante pushtetin në vend në
kundërshtim me politikën e ekuilibrimit të
forcave rivale që ndiqte Porta e Lartë. Si pasojë,
konfliktet u shtrinë në gjithë vendin, çrregullimet
kapnin gjithë aparatin shtetëror, pasiguria e jetës
dhe e pasurisë kërcënonte këdo, zhvillimi
ekonomik pengohej për kohë të tëra.
Në sanxhakun e Shkodrës, për shkak të
rivalitetit midis familjes së Bushatllinjve dhe asaj
të Çaushollajve, në vitet 30 të shek.
XVIII mundën të sundonin familjet kryesore të
sanxhakut të Dukagjinit, ajo e Begollajve të Pejës
dhe ajo e Kryezinjve të Gjakovës. Rivale midis tyre
edhe për pushtetin e sanxhakut të Dukagjinit, këto
dy familje arritën të qeverisnin në Shkodër
duke u mbështetur herë te Bushatllinjtë e herë
te Çaushollajt, pa siguruar qetësinë e domosdoshme.
Në vitet 40, nevoja për ti dhënë
fund anarkisë i zhvendosi forcat e brendshme, esnafet
dhe malësorët, në favor të Çaushollajve,
të cilët qeverisën thuajse pesëmbëdhjetë
vjet me ndonjë ndërprerje të vogël. Megjithatë,
as këta nuk mundën ta shuanin grindjen me Bushatllinjtë
derisa këta të fundit arritën të grumbullonin
rreth tyre masën kryesore të zejtarëve e të
malësorëve dhe, në vitin 1755, i dëbuan
përfundimisht Çaushollajt nga Shkodra. Bushatllinjtë,
të mbështetur nga shumica e shtresave shoqërore
të qytetit dhe të krahinës, jo vetëm nuk
e lëshuan më pushtetin nga duart e tyre, por duke
e shtrirë atë mbi sanxhakët e Shqipërisë
Veriore, u dhanë fund grindjeve të feudalëve
lokalë, të cilët i nënshtruan me dhunë
ose me marrëveshje.
Në Shqipërinë Jugore, lufta për pushtet
vazhdoi më gjatë. Në sanxhakun e Beratit, deri
më 1764, ajo u zhvillua kryesisht midis familjes së
vjetër të Vlorajve dhe degës së saj në
Berat, Velabishtajve, kur atë e mori një familje
e tretë, ajo e Ngurzajve që përkrahte Velabishtajt.
Por edhe Ngurzajt nuk mundën ta mbanin pushtetin veçse
gjer më 1788, kohë në të cilën kundërshtarët
e tyre e morën dhe e mbajtën deri në 1810,
kur thuajse gjithë Shqipëria Jugore ra nën
sundimin e vezirit të Janinës, Ali pashë Tepelenës.
Ashtu si Bushatllinjtë, edhe ky pasha i fuqishëm
i kishte dhënë fund luftës për pushtet
si në sanxhakun e Janinës (1787), ku grindeshin
Asllanpashallitë me Alizotajt, ashtu dhe në sanxhakun
e Delvinës, ku mosmarrëveshjet midis familjeve rivale
vendase nuk reshtën thuajse gjatë gjithë shek.
XVIII.
2. PASHALLËKU I SHKODRËS NËN SUNDIMIN E BUSHATLLINJVE.
LUFTA PËR SHKËPUTJE NGA STAMBOLLI
(1771-1796)
Ardhja në fuqi e Bushatllinjve
Qeverisja e sanxhakut të Shkodrës nga përfaqësuesit
e pashallarëve të Gjakovës dhe të Pejës,
nuk mundi të ndalte gjendjen anarkike; konfliktet nuk
reshtën as në qytete e as në krahina ku vepronin
përkrahësit e dy familjeve të fuqishme feudale
shkodrane: Çaushollajve dhe Bushatllinjve. Më
8 shtator 1736 në mes të tregut të Shkodrës
u vranë e u plagosën 29 veta nga tarafet e esnafëve
të tabakëve (që përkrahnin Bushatllinjtë)
dhe të terzijve (që përkrahnin Çaushollajt).
Tetë ditë më vonë u vranë e u plagosën
87 veta në një konflikt midis krahinave të
Shkrelit dhe të Kastratit, i cili filloi me armë
zjarri dhe përfundoi me shpata.
Gjatë luftës austro-osmane të viteve 1736-1739
banorët e Malësisë së Madhe u ngritën
përsëri kundër sundimit osman nën nxitjen
e kryepeshkopit të Tivarit, Mëhill Sumës, dhe,
duke u bashkuar me ushtritë austriake, u bënë
ballë me sukses ekspeditave ndëshkimore të
vezir Mahmud pashë Begollit. Ndërkohë feudalët
shkodranë e vlerësuan fuqinë e tyre luftarake
dhe bënë përçapjet e duhura për
ta përdorur atë në dobi të synimeve të
veta. Që në këtë kohë malësorët
filluan të luanin rol me rëndësi në luftën
e familjeve rivale vendase për të shtënë
në dorë pushtetin e sanxhakut. Çaushollajt
ishin të parët që e shfrytëzuan këtë
forcë kundër vezirit pejan, Mahmut pashë Begollit,
dhe përkrahësve të tij, Bushatllinjve. Me ndihmën
e malësorëve Çaushollajt, më 5 shkurt
1739 vranë vezirin në mes të rrugës dhe
arritën të merrnin pushtetin në sanxhakun e
Shkodrës që e mbajtën thuajse për dhjetë
vjet rresht. Gjatë kësaj kohe dështuan orvatjet
e Bushatlinjve dhe të përkrahësve të tyre,
tarafit të fuqishëm esnafor të tabakëve
të Shkodrës dhe agallarëve të pasur e
guximtarë të Ulqinit, për të përmbysur
Çaushollajt. Këta, duke bërë për
vete malësorët dhe duke gëzuar përkrahjen
e tarafit esnafor të terzijve, që mbronte edhe interesat
e tregtarëve shkodranë, arritën të hynin
në luftë dhe të sprapsnin me armë forcat
e valiut të Rumelisë, të cilat erdhën
në Shkodër për të nxjerrë disa taksa
të reja, që tregtarët shkodranë nuk deshën
ti paguanin. Nuk ka krahinë në botë
kaq të pabindur ndaj sulltanit, shkruante në
këtë kohë zëvendëskonsulli venedikas,
Anton Duoda. Duke organizuar një sulm rrethues, Çaushollajt
vranë më 8 gusht 1731 në sarajin e vet edhe
Ethem pashë Begollin me të vëllanë, të
cilët Porta e Lartë i kishte dërguar të
qeverisnin në Shkodër pas revoltës së
Çaushollajve kundër valiut të Rumelisë.
Por dy vjet më vonë, më 1753, Porta u detyrua
tu ligjëronte pushtetin. Megjithatë, lufta
e Çaushollajve kundër Begollajve, Kryezinjve dhe
Bushatllinjve, vazhdoi të ashpërsohej dhe të
dëmtonte veçanërisht zhvillimin ekonomik
të vendit, gjer në tetor të vitit 1755.
Paaftësia e Çaushollajve për të vendosur
hegjemoninë e tyre mbi kundërshtarët dhe për
ti dhënë fund anarkisë në sanxhak,
e detyroi tarafin e terzijve të mos i përkrahte
më ata dhe të pajtohej me tarafin e tabakëve,
në krye të të cilit kishte dalë Mehmet
bej Bushatlliu (vdiq më 1775). Në këtë
mënyrë ata shpresonin që të vendosej një
pushtet i vetëm e i fortë, për të cilin
ishin të interesuar kryesisht zejtarët e tregtarët.
Lufta shpërtheu dhe në këto rrethana, Çaushollajt
të braktisur nga forcat kryesore të tarafeve të
tyre, u dëbuan nga Shkodra. Bushatllinjtë mbetën
e vetmja familje e madhe vendase që mundi të merrte
pushtetin e sanxhakut.
Pas dëbimit të Çaushollajve, Mehmet bej Bushatlliu
ende nuk ishte emëruar qeveritar i sanxhakut të
Shkodrës, por, i përkrahur nga dy tarafet esnafore
dhe nga forca malësorësh me rrogë, ai ishte
në fakt sundimtari i vërtetë i vendit, derisa
Porta e njohu atë si mytesarif të sanxhakut të
lartpërmendur në gusht të vitit 1757, duke
i dhënë edhe titullin pashë. Nga kjo kohë
e deri më 1831 familja e Bushatllinjve, e mbështetur
në shumicën e ajanëve të sanxhakut, të
bylykbashëve dhe të bajraktarëve, si dhe nga
një pjesë e mirë e zejtarëve, të
tregtarëve e të detarëve, mbajti pa ndërprerje
këtë pushtet duke e trashëguar.
Për përforcimin e pushtetit të vet, Mehmet
pashë Bushatlliu ndoqi në përgjithësi
një politikë të brendshme që u përshtatej
edhe interesave kryesorë të vendit. Synimi i kësaj
politike ishte në radhë të parë të
vendoste rregullin e qetësinë kaq të dëshiruar
si nga fshatarësia, ashtu edhe nga qytetarët e dëmtuar
rëndë gjatë periudhës së anarkisë.
Arritja e këtij synimi ishte e pashkëputur nga zgjidhja
e një vargu çështjesh. Një nga këto
ishte mposhtja e ajanëve të fuqishëm kundërshtarë.
Që para njohjes së tij si mytesarifi i sanxhakut,
Mehmet Pasha e kishte filluar këtë detyrë dhe
thuajse kishte eleminuar krerët e tarafeve esnafore të
tabakëve dhe të terzinjve, si dhe një varg
krerësh të tjerë. Disa krerë kishin mundur
të arratiseshin, por ai nuk i la të qetë gjatë
gjithë jetës së vet.
Mehmet Pasha i kushtoi vëmendje mbështetjes së
pushtetit të tij nga ana e elementit të krishterë,
forca ushtarake e të cilit në sanxhakun e Shkodrës
ishte shumë e rëndësishme. Këtë mbështetje
ai e arriti duke mbrojtur tregtarët e krishterë
e duke bashkëpunuar me ta, duke shtuar pjesëmarrjen
e malësorëve katolikë në ushtrinë
e tij me pagesë dhe duke mos penguar veprimtarinë
e klerit katolik. Me përkrahjen e krerëve ushtarakë
malësorë dhe me njohjen e privilegjeve të tjera
të malësive, ai arriti të siguronte prej këtyre
një burrë për shtëpi në rast lufte
dhe pagesën e një dukati për shtëpi në
vit.
Një çështje e rëndësishme, kryesisht
me karakter ekonomik, ishte zgjidhja e mosmarrëveshjeve
midis ulqinakëve dhe venedikasve, të cilat pengonin
zhvillimin e lirë e të sigurt të tregtisë
në sanxhakun e Shkodrës. Konkurrenca e pamëshirshme
e venedikasve me flotën ulqinake në rritje e sipër,
kishte shtyrë një pjesë të mirë të
agallarëve të Ulqinit qysh në vitet 20 të
shek. XVIII të lidheshin shumë ngushtë me një
rival të fuqishëm të Venedikut, me Beun e Tripolit.
Si rrjedhim, flota e Ulqinit dhe e Tripolit bashkëpunonin
për mbrojtje, por në disa raste sulmonin edhe flotat
perëndimore e sidomos atë të Venedikut. Kështu,
pirateria kishte marrë hov në Adriatik dhe Ulqini
ishte bërë një fole piratësh. Mehmet Pasha
e luftoi me ashpërsi piraterinë e ulqinakëve
si dhe lidhjet e tyre me Tripolin, duke djegur të gjitha
anijet pirate që shtiu në dorë. Kështu
brenda një kohe të shkurtër Ulqini u kthye
në një qytet normal tregtie e lundrimi dhe Bushatlliu
siguroi marrëveshjen si me agallarët e këtij
qyteti, që kërkonin të punonin me anijet e
tyre në kushte të qeta brenda e jashtë vendit,
ashtu edhe me autoritetet e Republikës së Venedikut,
në duart e së cilës ishte një pjesë
e mirë e tregtisë në Adriatik. Si rrjedhim,
Anton Duoda njoftonte: askush nuk guxon më të
shkojë në Berberi (është fjala për
Tripolin - shën. i aut.), se u shpall urdhri që
në brigjet e Tivarit, Valdanosit e Shën Gjinit
të Medues si dhe në Grykën e Bunës, askush
të mos guxojë të trazojë shtetasit venedikas,
sepse i shkon koka.
Frytet e një politike të tillë të brendshme,
që vendosi me të vërtetë rregullin e qetësinë,
u panë qysh në dhjetë vitet e para të
sundimit të Mehmet Pashës, sidomos në fushën
e prodhimit dhe të qarkullimit të mallrave.
Qyteti i Shkodrës, qendër e tregut ndërkrahinor
të Shqipërisë së Veriut
Ndryshe nga qytetet e tjera shqiptare, Shkodra kishte kushte
shumë të favorshme për tu bërë
qendra më e rëndësishme ekonomike e vendit.
E vendosur anash një liqeni të madh, të pasur
me peshk dhe të lidhur me detin nëpërmjet lumit
të lundrueshëm të Bunës, e rrethuar me
fusha, që udhëtarët i kishin cilësuar
të bukura e pjellore, e përshkuar nga
rrugë tregtare që vinin nga Kosova, nga Shqipëria
Qendrore e Jugore, nga Maqedonia e nga Bosnja, Shkodra u rrit
jo vetëm si qendra administrative e një sanxhaku
të rëndësishëm, por para së gjithash
si qendër zejtare e tregtare. Përveç skelës
së saj në lumin Bunë, limanet e Tivarit, Ulqinit,
Lezhës dhe të Durrësit ishin gjithashtu skela
të saj. Më 1736, zëvendëskonsulli venedikas
në Shkodër, që ishte tregtari shkodran Anton
Duoda, shkruante se qyteti i Shkodrës numëronte
një mijë dyqane në treg. Tre vjet më vonë,
gjeografët venedikas njoftonin se Shkodra ishte një
qytet i madh, ishte qyteti kryesor i Shqipërisë.
Aty nga fundi i shek. XVIII ajo numëronte 6 700 shtëpi,
d.m.th rreth 30-35 mijë banorë, ndërsa konsulli
rus në Raguzë, himarioti Gjika, e çmonte
popullsinë e qytetit deri në 60 000 frymë.
Për fuqizimin ekonomik të Shkodrës shërbeu
në mënyrë të veçantë qyteti
shqiptar i Ulqinit me 7-8 mijë frymë, i cili qysh
në fillim të shekullit kishte një flotë
tregtare prej 250 njësish të mëdha e të
vogla të ndërtuara në kantieret e veta, prej
nga vazhdimisht hidheshin në det anije të ndryshme
të tipave tartanë, polakë, pink, trabekull,
felikë si dhe një numër i madh barkash. Punëtorët,
të gjithë myslimanë, zotëronin dijeni
të shumta e të shumëllojshme për ndërtimin
e anijeve. Duke qenë fare afër kësaj skele
dhe duke qenë pjesëtarë në investimet
e flotës ulqinake, tregtarët e Shkodrës, e
rrjedhimisht edhe qytetarët e saj, patën te kjo
flotë një mjet të rëndësishëm
për tregtinë e mallrave.
Tregtarët shkodranë, ashtu si shumë tregtarë
të tjerë shqiptarë, e lidhën veprimtarinë
e tyre me Venedikun qysh në fillim të shek. XVIII.
Me kalimin e viteve, duke shfrytëzuar me zgjuarsi konkurrencën
midis porteve rivale të detit Adriatik, ata lidhën
marrëdhënie tregtare edhe me Ankonën, Triesten
etj. Jo vetëm në skelat veriore të vendit,
por edhe në skelën me rëndësi ndërballkanike
të Durrësit, ku ishin vendosur konsujt e Venedikut,
Raguzës, Francës, Anglisë, Holandës dhe
të Austrisë, shkodranët u dalluan si më
aktivët. Mbi 80 për qind e tyre ishin myslimanë
që tregtonin pjesën dërrmuese, rreth 90 për
qind të vëllimit të mallrave. Kjo pasqyronte
jo vetëm përbërjen fetare të banorëve
të Shkodrës, por edhe fuqinë ekonomike të
popullsisë myslimane që ishte më e madhe nga
ajo e të krishterëve.
Hov më të madh tregtia shkodrane mori pas ardhjes
në fuqi të Bushatllinjve e sidomos në dhjetë
vitet e para të sundimit të Mehmet Pashës.
Krahas zhdukjes së piraterisë dhe rregullimit të
mosmarrëveshjeve me venedikasit, rol vendimtar në
zhvillimin ekonomik të Shkodrës luajti rritja e
prodhimit bujqësor e blegtoral për treg. Ekonomia
bujqësore u lidh me tregun në të tillë
shkallë, sa çifligarët, për të
realizuar fitime të mëdha, filluan të mbillnin
ato kultura që kërkonte më shumë tregu.
Një ndër këta çifligarë ishte vetë
Mehmet Pasha, i cili qysh në vitin 1764 mbolli sipërfaqe
të mëdha me oriz e pambuk, dhe, si shumë feudalë
të tjerë, u bë pjesëtar në tregti
dhe në lundrim duke investuar këtu shuma të
konsiderueshme. Në këtë periudhë tregtia
shkodrane u gjallërua edhe për shkak se ajo filloi
të përdorë gjerësisht kreditin. Konsulli
venedikas i Durrësit shkruante më 1762 se pjesa
më e madhe e tregtisë shqiptare ishte në duart
e tregtarëve shkodranë dhe se ata ishin bërë
shpirti i saj. Tregtarët shkodranë grumbullonin
lesh, dyllë, lëkurë të punuara, drithëra
dhe prodhime të tjera bujqësore e zejtare sidomos
nga Tirana, Elbasani, Kavaja, Berati, Gjakova, Prizreni, Ohri
e nga tregje të tjera shqiptare, ku kishin arritur të
përcaktonin edhe çmimet e blerjes dhe të
shitjes së mallrave. Ata futeshin edhe në Rumeli,
e sidomos në Manastir, Shkup, Seres dhe në krahinat
përqark tyre gjer në zonën e Selanikut, ku
grumbullonin lesh, pambuk, lëkurë etj. Përveç
Rumelisë tregtarët e Shkodrës kalonin thellë
edhe në Serbi, Vllahi, prej nga sillnin dyllë, mëndafsh
etj. Këto mallra ata i blinin ose kundrejt të hollash,
ose kundrejt cohërash, pëlhurash mëndafshi
etj. Në vitet 1760-1769, nga i gjithë vëllimi
i mallrave që eksportoheshin për në Venedik
prej limaneve të Durrësit dhe të Shkodrës,
shkodranëve u takonte 87,4 për qind e leshit, 95,3
për qind e dyllit, 98,3 për qind e mëndafshit,
56,8 për qind e lëkurëve të punuara dhe
kështu edhe për artikujt e tjerë.
Duke qenë se kapitali tregtar shkodran ishte bërë
ndërlidhës kryesor i krahinave të ndryshme
të Gegërisë me Shkodrën, pavarësisht
nga copëzimi administrativ-politik ekzistues, lidhjet
ekonomike të krijuara qysh nga gjysma e parë e shekullit,
u përforcuan aq shumë në kohën e sundimit
të Bushatllinjve sa morën trajtën e një
tregu të madh ndërkrahinor. Ky treg ishte një
hap shumë i rëndësishëm përpara drejt
formimit të tregut të brendshëm kombëtar.
Pjesa kryesore e kapitalit tregtar, në formë mallrash,
anijesh, magazinash e parash, ndodhej ende në duart e
çifligarëve, e veçanërisht të
ajanëve të mëdhenj.
Formimi i Pashallëkut të Shkodrës
Nën qeverisjen energjike të Mehmet Pashës,
i cili nuk la pa përdorur edhe pushtetin e vet në
dobi të përforcimit të lidhjeve ekonomike të
Shkodrës me krahinat e tjera, tregtarët vendas arritën
të vinin në duart e tyre, me përjashtim të
duhanit, gjithë tregtinë që kryenin venedikasit
në bregdetin shqiptar dhe ta detyronin kapitalin venedikas
të rriste kreditin në favor të tregtarëve
shqiptarë, në mënyrë që mallrat e
tyre të mos kalonin në skelat e tjera të Adriatikut
e veçanërisht në Trieste. Por edhe këtu
sa vinte e po shtohej numri i agjencive tregtare shqiptare.
Lidhjet e tregut të Shkodrës me krahinat e tjera
nuk mund të kryheshin pa pengesa e rreziqe. Dihet se
skelat e rrugët tregtare gjendeshin në sanxhakët
fqinjë, ku rivaliteti i grupeve të ndryshme feudale
për çështjen e pushtetit dhe të sipërmarrjeve
të taksave, i kishte bërë këta sanxhakë
fole grindjesh të vazhdueshme dhe njëkohësisht
qendra të rrezikshme edhe për vetë pushtetin
e Bushatllinjve në sanxhakun e Shkodrës. Kështu,
bejlerët e Lezhës, që sundonin në fushën
e Zadrimës, bënin pjesë në tarafin e rivalëve
kryesorë të Bushatllinjve, të Begollajve të
Pejës, dhe gëzonin përkrahjen luftarake të
forcave mirditore të komanduara nga Gjon Marku; Toptanët
e Krujës ishin lidhur me Çaushollajt e arratisur
dhe kërcënonin aleatët e Bushatlliut; në
gjirin e familjes së Alltunëve të Kavajës,
të cilët ishin sipërmarrës të dytë
të skelës së Durrësit, kishte hyrë
një grindje për punë të kësaj sipërmarrjeje.
Një gjendje e tillë kërkonte medoemos vendosjen
e një pushteti të vetëm mbi këto krahina.
Mehmet pashë Bushatlliu nuk ngurroi ti hynte kësaj
detyre me energji e zgjuarsi në kohën e luftës
ruse-osmane të viteve 1768-1774.
Pasi mori pjesë me të gjitha forcat e sanxhakut
në luftën kundër Malit të Zi më 1768,
ai dërgoi nën komandën e djalit të madh,
Mustafa Beut, një repart të fortë luftëtarësh
në frontin rus në mars të vitit 1769, ndërsa
një repart tjetër nën komandën e djalit
të dytë, Mahmut Beut, mori pjesë në shtypjen
e një kryengritjeje në More më 1770. Kështu
ai mundi të fitonte besimin e Vezirit të Madh osman.
Ky, pasi dënoi me vdekje Kahreman pashë Begollin
e Pejës për rebelizëm dhe shpërdorim financiar,
i dha Mehmet pashë Bushatlliut qeverisjen e sanxhakut
të Dukagjinit dhe, nga ana tjetër, e gradoi Mustafa
Beun pashë për një akt trimërie në
luftë. Duke marrë zemër nga këto ofiqe,
Mehmet Pasha u vërsul kundër krerëve kundërshtarë
të Lezhës, të cilët i vari dhe mori në
zotërim Zadrimën. Në të njëjtën
kohë ai ndërhyri në Tiranë. Kështu
bëri hapin e parë drejt vendosjes së pushtetit
të vet mbi këto zona, që bënin pjesë
në tregun ndërkrahinor të Shkodrës.
Në vitin 1771 Mehmet Pasha bëri hapin e dytë
që do të shpinte në formimin e Pashallëkut
të madh të Shkodrës. Pas disfatës së
flotës osmane në betejën detare të Çesmës
në Detin e Zi, ai i kërkoi Portës së Lartë
komandën e një armate detare, të cilën
u zotua ta krijonte me forcat e veta për mbrojtjen kundër
rusëve në det dhe kundër aleatëve të
tyre, malazezëve, në tokë. Për faktin
se rrethanat dhe gjendja e tanishme kërkojnë vendosjen
e një personaliteti të fuqishëm në krye
të punës, në atë të frontit, - thuhet
në dekretin përkatës të emërimit
të tij si vezir, - doli urdhri i lartë mbretëror
që Mehmet Pashës ti jepet posti e grada e
lartë e vezirit..., dhe të birit të tij, Mahmudit,
ti jepet sanxhaku i Shkodrës me titullin mirimiran,
ndërsa djalit tjetër ti jepet një sanxhak
sikurse Elbasani. Grada e vezirit u shoqërua me
shtrirjen e kontrollit të vezirit shkodran edhe në
sanxhakun e Ohrit. Për këtë ngjarje, konsulli
venedikas i Durrësit njoftonte qeverinë e vet në
fillim të vitit 1772, se Mehmet Pasha u bë aq i
fuqishëm, sa prej kufijve venedikas gjer nën
Manastir komandon absolutisht dhe e druajnë të gjithë.
Kështu u zgjerua pushteti i Bushatllinjve mbi trojet
e katër sanxhakëve, atje ku shtrihej më e fortë
rrezja e veprimit të tregut ndërkrahinor të
Shkodrës. I përbërë nga sanxhakët
e Shkodrës, të Dukagjinit, të Ohrit dhe të
Elbasanit, qysh në vitin 1771 u krijua kështu një
formacion politik i bashkuar në dorën e një
pashai të fuqishëm shqiptar, Pashallëku i madh
i Shkodrës.
Skela e Durrësit kishte një rëndësi po
aq të madhe për tregtinë e Pashallëkut
të Shkodrës sa edhe skela e Shkodrës. Mirëpo
oxhaqet e Alltunëve të Kavajës dhe të
Toptanëve të Krujës ishin bërë pengesë
e madhe për vendosjen e rregullit dhe të qetësisë
në këtë zonë të varur drejtpërdrejt
nga veziri i Shkodrës. Toptanët kishin mbyllur rrugët
tokësore për tregtarët shkodranë. Për
më tepër, këta tregtarë si dhe lundërtarët
ulqinakë nuk gjenin në skelën e Durrësit
mbrojtjen e duhur. Tarafët e tabakëve dhe të
terzinjve, si dhe, në radhë të parë, tregtarët
e Shkodrës kërkonin me çdo kusht, bashkë
me lundërtarët e Ulqinit, përmirësimin
e gjendjes së krijuar në zonën Durrës-Kavajë-Krujë.
Për zgjidhjen e kësaj çështjeje urgjente
e me shumë rëndësi veziri i Shkodrës bëri
për vete Alltunët nga Kavaja dhe u detyrua të
pajtohej me Toptanët e Krujës. Kështu u hapën
rrugët tregtare dhe zona e skelës së Durrësit
u fut nën ndikimin e pushtetit të Shkodrës.
Ndërkohë Mehmet Pasha, sipas premtimit të tij,
kishte marrë urdhër nga Porta për të dërguar
në luftë me rusët një armatë detare
dhe një ushtri tokësore. Por në vend të
tridhjetë anijeve të mëdha me gjashtë
mijë detarë, veziri përgatiti vetëm një
të tretën. Edhe këtë fuqi, që e armatosi
keq, e vonoi dhe e nisi në shtator 1772 nën komandën
e të birit, Mustafa Pashës, vetëm kur midis
palëve ndërluftuese ishte arritur një armëpushim.
Po kështu ai i ktheu në Stamboll me duar zbrazur
të dërguarit e sulltanit, të cilët kishin
ardhur në Shkodër për të dërguar
ushtrinë tokësore në frontin rus. Veziri nxori
si shkak për këtë rritjen e rrezikut malazias,
sepse prijësi i Malit të Zi, agjenti rus i quajtur
Stefani i Vogël, po kërcënonte Podgoricën.
Në këtë mënyrë veziri Bushatlli i
shkeli urdhrat perandorakë dhe zotimin e tij lidhur me
luftën për të rregulluar punët e veta.
Që të siguronte kufirin verior nga sulmet e kuçasve
mbi fushën e Podgoricës dhe që të pengonte
bashkimin e tyre me Malin e Zi, Mehmet Pasha u propozoi atyre
të largoheshin me të mirë nga malet ku jetonin
dhe të zgjidhnin brenda pashallëkut një truall
tjetër për banim. Kur ky propozim nuk u pranua prej
kuçasve, ushtria shkodrane hyri në muajin maj
1774 në Kuç dhe shkaktoi dëme të mëdha
me qëllim që ta bënte të pabanueshëm,
por edhe pas kësaj ekspedite kuçasit nuk iu nënshtruan.
Pas nënshkrimit të traktatit të paqes së
Kyçyk Kajnarxhes, Porta e Lartë, e çliruar
nga barra e luftës, e drejtoi vëmendjen nga Pashallëku
i Shkodrës, kreu i të cilit po bëhej tepër
i fuqishëm dhe i rrezikshëm. Mjeti më i mirë
për ta neutralizuar ishte ndezja e armiqësisë
me oxhaqet më të fuqishme kundërshtare.
Mehmet pashë Bushatlliu, duke ofruar 9 000 qese groshë
për të marrë në sipërmarrje haset
e sulltanit në Myzeqe, kishte dalë si rivali kryesor
i Ahmet Kurt pashës së Beratit. Kurse ky ishte rival
i Bushatlliut në sipërmarrjen e taksave të
skelës së Durrësit dhe për komandën
e zonës që përfshinte kjo sipërmarrje,
e cila shtrihej gjer në afërsi të Lezhës.
Megjithëse veziri i Shkodrës paraqiti një ofertë
më të madhe, motra e sulltanit, që e administronte
dhe merrte të ardhurat e kësaj skele si sipërmarrëse
e parë, pranoi ofertën e sundimtarit të Beratit.
Mehmet pashë Bushatlliu vendosi të mos bindej. Kur
Ahmet Kurt pasha, në prill të vitit 1775, hyri me
12 000 ushtarë në maliqanenë e Durrësit,
veziri i Shkodrës dërgoi kundër tij ushtrinë
shkodrane të komanduar nga dy bijtë e vet. Me këtë
veprim filloi hapur konflikti me Stambollin dhe me veglën
e tij, Ahmet Kurt pashën.
Më 14 korrik 1775 vdiq veziri plak i Shkodrës. Porta
e Lartë emëroi në vendin e tij një besnik
të saj, vezirin Mehmet pashë Kystendilin, dhe urdhëroi
Ahmet Kurt pashën të hynte në zonën e
Durrësit. Mirëpo ky vendim nuk përputhej me
interesat e Bushatllinjve dhe të ajanëve aleatë
të tyre në atë zonë. Aq më pak ai
nuk pajtohej me interesat e tregtarëve shkodranë,
të lundërtarëve ulqinakë si dhe të
tregtarëve të tjerë të Veriut të
Shqipërisë, që do të humbisnin përkrahjen
e Bushatllinjve dhe monopolin e tregtisë së vendit.
Në kundërshtim me pushtetin qendror, ajanët
shkodranë e fqinjë të grumbulluar në Shkodër
u betuan të mos i bindeshin vezirit nga Kystendili dhe
vendosën ta ndalnin me luftë hyrjen e Ahmet Kurt
pashës në zonën e Durrësit. Ata zgjodhën
Mustafa pashë Bushatlliun për komandant të
ushtrisë shkodrane.
Më 12 shtator të vitit 1775 kjo ushtri prej 14 000
vetash u ndesh me forcat e Ahmet Kurt pashës në
afërsitë e Peqinit, por u thye keqas duke humbur
4 000-5 000 veta, ndër të cilët ishte edhe
kreu ushtarak mirditas Gjon Marku me 60 veta.
Pas kësaj disfate Porta e Lartë vendosi ti
shfaroste Bushtallinjtë dhe të nënshtronte
përkrahësit e tyre. Për këtë qëllim
ajo organizoi dy ekspedita ndëshkimore kundër tyre,
duke ngritur më këmbë oxhaqet kundërshtare
të Bushatllinjve, të cilat i vuri nën komandën
e vezirit, Mehmet pashë Kystendilit. Në këto
ekspedita morën pjesë Ahmet Kurt pasha, Çaushollajt,
Toptanët dhe agallarët e Ishmit. Ndërsa ekspedita
e parë pësoi disfatë, e dyta nuk u realizua
gjer në fund, sepse paria shkodrane i mbeti besnike Bushatllinjve.
Porta e Lartë, pasi kishte shpallur luftën me Persinë,
pranoi ti falte rebelët shkodranë duke e kufizuar
pushtetin e tyre vetëm në sanxhakun e Shkodrës
dhe duke i detyruar ata të paguanin një dëmshpërblim
prej 2 000 qesesh.
Pashallëku i Shkodrës u gjymtua rëndë,
por vetëm përkohësisht. Ndërkaq mbetën
shkaqet ekonomike e shoqërore që kërkonin një
pushtet vendor të fortë e të përqendruar.
Qëndresa e Mahmud pashë Bushatlliut kundër
Stambollit
Sipërmarrja e skelës së Durrësit qëndroi
në dorën e Ahmet Kurt pashës rreth pesë
vjet. Ky feudal i fuqishëm dhe paria që e përkrahte
atë në Kavajë, Peqin, Ishëm e në
Tiranë, u përpoqën të nxirrnin për
vete përfitime të shumta e shpesh në dëm
të banorëve. Ata mbyllën rrugët tregtare
dhe limanet për shkodranët e ulqinakët. Kjo
masë u dha mundësi venedikasve të shtinin përsëri
në dorë monopolin e tregtisë dhe të lundrimit
që kishin pasur para ardhjes në fuqi të Bushatllinjve.
Si pasojë, pakënaqësia e banorëve arriti
kulmin. E pakënaqur ishte edhe motra e sulltanit, së
cilës iu pakësuan së tepërmi të ardhurat
nga maliqaneja e Durrësit.
Veprimtaria e tregtarëve elbasanas, beratas, kavajas,
krutanë e tiranas nuk mund ta zëvendësonte
atë të tregtarëve shkodranë e ulqinakë,
si dhe rolin vendimtar të kapitalit tregtar shkodran
në jetën ekonomike të skelës së Durrësit.
Prandaj motra e sulltanit nuk ngurroi më 1781 tia
hiqte komandën e sundimtarit të Beratit dhe tia
jepte Mahmud pashë Bushatlliut (1749-1796). Për
të siguruar mbrojtjen e rrugës tregtare midis Shkodrës
e Prizrenit, ajo ndërhyri që Bushatlliut të
ri ti jepej edhe qeverisja e sanxhakut të Dukagjinit.
Pas vendosjes së pushtetit të Mahmut Bushatlliut
në këto vise, rrugët u hapën e u sigurua
qarkullimi i lirë nga bregdeti gjer në thellësi
të Kosovës e të Maqedonisë, prodhimet
e të cilave drejtoheshin për në skelat e Adriatikut.
Jeta ekonomike u gjallërua shumë shpejt. Mahmud
Pasha, duke ndjekur politikën ekonomike të të
atit, e zgjeroi pjesëmarrjen në tregti e në
lundrim dhe shtiu në dorë sipërmarrje të
shumta, ndër të cilat edhe atë të nxjerrjes
dhe të shitjes së serës së Selenicës
së Vlorës. Ashtu si i ati, ai përdori pushtetin
e vet për të përkrahur tregtarët vendas
kundër atyre venedikas, të cilët humbën
përsëri atë pjesë të tregtisë
së drithrave, të vajit e të ziftit që
kishin vënë në dorë gjatë viteve
1775-1780.
Më 1784 Mahmud Pasha arriti të siguronte për
vëllanë e vet, Ahmet Beun, qeverisjen e sanxhakut
të Ohrit bashkë me gradën pashë. Ndërkohë
ai i siguroi kunatit të vet, Sulejman pashë Vërlacit,
qeverisjen e sanxhakut të Elbasanit. Në këtë
mënyrë Mahmud pashë Bushatlliu e përtëriu
Pashallëkun e Shkodrës. Ndryshe nga sundimtarët
e sanxhakëve të tjerë, ai e lidhi fuqizimin
e tij politik me zhvillim ekonomik të pashallëkut.
Kujdes të veçantë Bushatlliu i ri tregoi
për ushtrinë. Krijoi një ushtri të rregullt,
e cila dy-trefishohej me forcat luftarake të ajanëve
aleatë vartës dhe me ato, që vinin prej malësive
sipas zakonit burrë për shtëpi,
kur bënte thirrje me tri të shtëna topi nga
kështjella e Rozafës.
Qysh nga viti 1782, Mahmut Pasha kishte forcuar pushtetin
në pashallëk e po vepronte me vullnetin e vet, duke
mos përfillur fermanet e Portës së Lartë.
Konsujt venedikas njoftonin qeverinë e tyre se ai po
punonte për tu bërë sa më i pavarur.
Komandantin e kështjellës së Shpuzës,
që kishte ngritur krye me rastin e dy ekspeditave të
vitit 1775-1776, në shkurt të vitit 1785 e detyroi
të largohej pa kundërshtimin më të vogël.
Katër muaj më vonë, me ushtrinë e riorganizuar,
shkeli dhe nënshtroi Malin e Zi të rebeluar qysh
nga lufta e viteve 1768-1774. Pasi mori tributin e prapambetur
dhe pengjet e bindjes dhe të nënshtrimit, në
rrugën e kthimit për në Shkodër ndëshkoi
rëndë krahinën e Pastroviqit për punë
të një provokimi të armatosur të kryer
me nxitjen e autoriteteve të Venedikut. Qëllimi
i këtij provokimi kishte qenë shpresa se Porta e
Lartë, për të mos krijuar një skandal
politik me Republikën e Shën Markut, do ta hiqte
qafe këtë pasha të pabindur dhe të rrezikshëm
si për autoritetin e sulltanit në Shqipëri,
ashtu edhe për sigurinë e zotërimeve venedikase
në kufi të Pashallëkut të Shkodrës
dhe për interesat ekonomikë të republikës
në këtë trevë.
Menjëherë pas nënshtrimit të Malit të
Zi, Mahmud Pasha u vërsul në drejtim të Elbasanit
e të Beratit, sepse armiku i vjetër i Bushatllinjve,
Ahmet Kurt pasha, kishte tërhequr nga ana e vet pashanë
e Elbasanit dhe u kishte mbyllur limanet ulqinakëve.
Gjatë muajve korrik e gusht 1785, pasi siguruan nga ana
juglindore bashkëpunimin e Ali pashë Tepelenës,
armikut të sundimtarit të Beratit, që e kishte
penguar të merrte qeverisjen e sanxhakut të Janinës,
Mahmud Pasha dhe i vëllai Ahmed Pasha, e nënshtruan
qeveritarin e Elbasanit dhe e ndëshkuan Ahmet Kurt pashën,
duke i rënë kryq e tërthor sanxhakut të
tij. Duke u kthyer nga Korça, Mahmud Pasha dhe Ahmet
Pasha nga Buzi i Tepelenës, thyen ushtrinë kryesore
të qeveritarit të Beratit në Peqin, pikërisht
aty ku ushtria shkodrane kishte pësuar disfatën
e madhe dhjetë vjet më parë.
Këto fushata e ngritën më lart autoritetin
e Bushatllinjve në sy të të gjithë feudalëve
shqiptarë dhe i ndanë ata në përkrahës
e në kundërshtarë të tyre. Në të
njëjtën kohë, këto fushata shkaktuan zemërimin
e Portës së Lartë dhe të Senatit të
Venedikut dhe, nga ana tjetër, tërhoqën vëmendjen
e atyre shteteve evropiane që kishin interesa të
kundërta me Perandorinë Osmane. Në radhë
të parë ishte diplomacia e Austrisë, që
filloi ta inkurajonte Bushatlliun për veprime më
të guximshme kundër varësisë ndaj Stambollit.
Për shkak të fushatës kundër sanxhakëve
të Elbasanit e të Vlorës, që Porta e Lartë
e quajti veprim rebel, sulltani i shpalli dy Bushatllinjtë
dhe Ali pashë Tepelenën si kryengritës dhe
në vjeshtë të vitit 1785 dha urdhër për
të përgatitur një ekseditë të madhe
ndëshkimore kundër Shkodrës. Këto masa
e shtynë Bushatlliun që ta shndërronte mosbindjen
e tij në kryengritje. Ndërkaq afrimi i luftës
së Rusisë dhe Austrisë kundër Perandorisë
Osmane që po shqetësonte diplomacinë evropiane,
i nxiti disa nga pashallarët shqiptarë, me Mahmud
Pashën në krye, ta shikonin kryengritjen si rrugën
e vetme për shpëtimin nga sundimi i një perandorie
që dukej se po shembej. Ndaj Mahmud Pasha, në vend
që të pranonte faljen dhe gradën e vezirit
që i ofroi Porta e Lartë në prag të luftës
me Rusinë e Austrinë, në prill të vitit
1786, shpalosi zyrtarisht flamurin e luftës.
Forcat e ushtrisë kryengritëse të përbëra,
sikurse shkruante një funksionar i lartë osman në
një raport dërguar Portës së Lartë,
nga ushtarë e bylykbashë shqiptarë, të
veshur me kostumet e tyre popullore të krahinës
së Shkodrës dhe të atyre fqinje me të,
gjetën shumë shpejt përkrahje në të
gjithë Kosovën gjer në Kystendil. Ato patën
ndihmën e një vargu feudalësh të Kosovës,
të cilët autori i këtij raporti i quante tradhtarë.
Pastaj kryengritja u shtri edhe në Shqipërinë
e Jugut. Ahmet Kurt pasha i Beratit ndoqi shembullin e Bushatllinjve,
i shtyrë nga i njëjti shqetësim për fatin
e Perandorisë Osmane, dhe u ngrit kundër Stambollit,
duke u pajtuar dhe duke u bashkuar me Mahmud Pashën.
Kështu forcat ushtarake kryengritëse të dy
feudalëve më të fuqishëm shqiptarë
u shtrinë në të gjithë Shqipërinë
dhe në Maqedoni.
Nga muaji prill i vitit 1786 e gjer në mars të vitit
1787, kryengritja thuajse nuk ndeshi në ndonjë qëndresë
serioze si nga forcat kundërshtare në Shqipëri,
ashtu edhe nga forcat ushtarake të vezirëve të
Rumelisë dhe të Bosnjës. Vezirët e Rumelisë
dhe të Bosnjës, të urdhëruar nga Porta
e Lartë, e cila shpresonte se mund ti kthente kryengritësit
në rrugën e bindjes, mbajtën qëndrim pasiv.
Në këto kushte Bushatlliu përvetësoi të
gjitha të ardhurat shtetërore, vuri dorë mbi
shtatë barrë të hollash nga thesarët e
Beogradit dhe të Vidinit dhe, me anë të njerëzve
të vet, mori në dorë qeverisjen e viseve të
pushtuara. Hovi i papërmbajtur luftarak, trimëria
dhe guximi i rrallë, si dhe fitoret kundër pashallarëve
rivalë, bënë që pashai shkodran të
mbiquhej Kara Mahmud Pasha (Mahmud Pasha i zi,
i tmerrshëm). Mirëpo, kur Porta e Lartë pa
se shpresat për ti bindur kryengritësit ishin
të kota dhe se çifligarët e tjerë shqiptarë
mund të bashkoheshin me ta, mori masa për të
përçarë forcat shqiptare, si edhe për
përgatitjen e një ekspedite të madhe kundër
Shkodrës. Për këtë qëllim ajo i kënaqi
ambiciet për pushtet të katër personaliteteve
politike shqiptare: Ali pashë Tepelenës i dha qeverisjen
e sanxhakut të Tërhallës, Ibrahim bej Vlorës
i dha gradën e pashës dhe sanxhakun e Janinës,
Mehmet pashë Çaushollit qeverisjen e sanxhakut
të Shkodrës dhe Mustafa bej Toptanit komandën
e maliqanesë së Durrësit. Më në fund,
në mars të vitit 1787, Porta e Lartë arriti
të mënjanonte Ahmet Kurt pashën, duke e helmuar
me anë të mjekut të tij, dhe futi të birin
dhe dhëndrin në grindje për trashëgimin
e pushtetit. Me këto mënyra ajo arriti të bënte
për vete krerët e Toskërisë dhe ti
shkëpuste ata nga lëvizja kryengritëse e kryesuar
nga Kara Mahmud Pashë Bushatlliu.
U bë e qartë se feudalët e Toskërisë,
të tërhequr edhe nga interesat e tyre vetjake, nuk
qenë në gjendje të arrinin në një
bashkim politik të qëndrueshëm me ata të
Gegërisë. Kështu, Porta krijoi kushtet e nevojshme
për të ndërmarrë ekspeditën e saj
të madhe ndëshkimore kundër Shkodrës.
Kjo ekspeditë shërbeu për të përçarë
edhe radhët e feudalëve të Gegërisë,
vartës e aleatë të Bushatllinjve.
Megjithëkëtë, Kara Mahmudi nuk hoqi dorë
nga rruga e nisur. Për ta fuqizuar kryengritjen, ai u
mundua të tërhiqte në të sa më shumë
njerëz nga radhët e shtresave të gjera popullore.
Për këtë qëllim ai premtoi se do të
lehtësonte gjendjen ekonomike të shtresave popullore
duke shpallur se do ti falte nga taksat për 20
vjet. Ai shfrytëzoi njëkohësisht edhe urrejtjen
e trashëguar të shqiptarëve kundër sunduesve
të huaj osmanë, e sidomos emrin e heroit kombëtar
të shek. XV, që vazhdonte të rronte në
popull si simbol i luftës për liri dhe e shpalli
veten pasardhës të Skënderbeut. Si pasojë,
Mahmud Pasha dhe i vëllai korrën disa fitore ushtarake
kundër Mehmet pashë Çaushollit në afërsitë
e Prishtinës dhe kundër Mahmud pashë Ajdoslliut
pranë Shkupit, si dhe bënë një qëndresë
këmbëngulëse e me shumë humbje për
armikun në kufijtë e sanxhakut të Shkodrës.
Me këto fitore ata arritën të vononin për
disa muaj përparimin e fuqive të shumta ushtarake
të Portës drejt Shkodrës. Por epërsia
numerike e forcave osmane, lëkundjet e feudalëve,
aleatë të Bushatllinjve dhe veçanërisht
tradhtia e disa funksionarëve të tij, bënë
që, në pjesën e dytë të muajit gusht,
tu dorëzoheshin njëri pas tjetrit forcave
detare e tokësore osmane qytetet e Tivarit, Ulqinit dhe
më në fund edhe qyteti i Shkodrës. Kështu
forcat kryengritëse u përçanë. Më
26 gusht, pas vrasjes së Ahmet pashë Bushatlliut
në një pusi, Kara Mahmudi bashkë me 250-300
veta nga më besnikët e tij, u mbyll në kështjellën
e Shkodrës. Ushtria e Portës filloi rrethimin e
kështjellës së Rozafës. Kështu u
krijua një gjendje shumë e vështirë për
Bushatlliun.
Ndërkohë edhe në radhët e rrethuesve lindën
vështirësi serioze, siç qenë ato lidhur
me furnizimin e trupave me municione, ushqime e të holla,
që filluan të shfaqeshin menjëherë pas
fillimit të luftës me Rusinë. Këto vështirësi
shkaktuan përçarje në radhët e komandës
osmane. Valiu i Rumelisë dhe Mehmet pashë Çausholli
morën masa që ti nxirrnin ushqimet e nevojshme
me anë grabitjesh dhe dhunimesh të popullsisë
vendase. Valiu i Bosnjës dhe komandanti i flotës,
bashkë me forcat e tyre, u larguan nga veprimet luftarake.
Kjo përçarje e ndryshoi situatën në
favor të Bushatlliut. Rol vendimtar pati ndërhyrja
e qytetarëve të Shkodrës, e fshatarëve
rreth saj dhe e malësorëve të Hotit, të
Shalës, të Shoshit, të Postribës etj.
Të zemëruar nga grabitjet, vrasjet dhe nga përdhunimet
e kryera prej forcave ushtarake të valiut të Rumelisë
dhe të Mehmet pashë Çaushollit, më 25
nëntor, 8 000 ushtarë vendas u vërsulën
njëkohësisht bashkë me garnizonin e kështjellës
mbi rrethuesit dhe i shpartalluan aq keq sa, në Shkodër
e nëpër rrugët gjer në Drin, mbetën
rreth gjashtë mijë të vrarë përveç
robërve. Ndër të vrarët ishte edhe vetë
Mehmet pashë Çausholli.
Një disfatë të tillë trupat osmane nuk
e kishin pësuar prej shumë vitesh në Shqipëri.
Me qëllim që konflikti të merrte fund dhe të
mos bëheshin më viktima të një ekspedite
ndëshkimore të re, qytetarët e Shkodrës
kërkuan qysh të nesërmen e fitores që
sulltani të falte Kara Mahmudin dhe ky të lironte
robërit e të pajtohej me pushtetin qendror.
Pas shpartallimit të valiut të Rumelisë dhe
Mehmet pashë Çaushollit, raporti i ri i forcave
në lëmin ndërkombëtar dhe në pashallëk
e vuri Mahmud pashë Bushatlliun para dy rrugëve:
ose të pajtohej me Portën e Lartë, ose të
ecte në rrugën e shkëputjes dhe të lidhej
me fuqitë armike të saj për të vazhduar
luftën.
Ata feudalë të sanxhakut, që e kishin braktisur
dhe tradhtuar gjatë kryengritjes, nuk përbënin
për të një mbështetje të sigurt.
Përkundrazi, ata kërkonin nënshtrimin ndaj
sulltanit e madje largimin e Bushatlliut nga pushteti i pashallëkut.
Edhe pronarët e vegjël, që përbënin
shumicën myslimane të banorëve të qyteteve,
sidomos të Shkodrës, ndonëse e kërkonin
për qeveritar, e kushtëzonin këtë me nënshtrimin
e tij ndaj sulltanit. Në këtë qëndrim
ndikuan edhe dëmi që shkaktoi bllokimi i rrugëve
tokësore e detare, i cili paralizoi veprimtarinë
ekonomike të qytetit dhe frika e një ekspedite të
dytë. Ndërsa banorët e krishterë dhe në
veçanti malësorët të cilët përbënin
shumicën e ushtrisë së Bushatlliut, ishin për
vazhdimin e kryengritjes, për tu marrë vesh
me fuqitë e krishtera armike të Portës, me
Rusinë e sidomos me Austrinë, nën mbrojtjen
e së cilës ishte futur kisha katolike. Duke mos
pasur më besim te falja nga ana e Portës dhe duke
qenë i bindur për shkatërrimin e shpejtë
të Perandorisë Osmane, Mahmud Pasha prirej për
rrugën e dytë.
Ngjarjet e Shkodrës tërhoqën vëmendjen
e diplomacisë ruse e austriake, sidomos pas hyrjes në
luftë të Perandorisë Austriake kundër
Portës së Lartë, në janar të vitit
1788.
Oborret e Petërsburgut dhe të Vjenës ngarkuan
diplomatët e tyre që ti premtonin Bushatlliut
përkrahje ekonomike e ushtarake për të vazhduar
kryengritjen kundër Stambollit dhe për të marrë
pjesë në luftë në ndihmë të
veprimeve të tyre ushtarake. Porta e Lartë, nga
ana e vet, u kërkoi shkodranëve kokën e qeveritarit
të tyre, përndryshe Shkodra do të shkatërrohej
nga një ekspeditë e dytë dhe banorët e
saj do të trajtoheshin si robër për pesë
vjet rresht. Në shkurt të vitit 1788 filluan të
gjallëroheshin pashallarët e Sarajevës dhe
të Beratit, si dhe komandanti i maliqanesë së
Durrësit, Mustafa pashë Toptani, që bashkëpunoi
me krerët kundërshtarë në sanxhakun e
Shkodrës. Krahinat e Pogradecit, të Shpuzës,
të Kuçit dhe të Piprit ngritën krye
me armë, kurse Mustafa pashë Toptani kërcënoi
me luftë aleatët e Bushatlliut në Kavajë
e në Tiranë dhe mbylli rrugët.
Me gjithë këtë gjendje të rëndë,
Mahmud Pasha me forcat e tij ushtarake arriti të nënshtronte
përsëri krahinat e Veriut, të ndëshkonte
krerët e tyre kundërshtarë dhe ata të
qytetit të Shkodrës, që ishin lidhur me ta,
dhe të dëbonte nga qyteti një varg familjesh
të dyshimta. Por ai nuk mundi tu shkonte në
ndihmë aleatëve evropianë, sepse këto
ngjarje kishin shkaktuar lëvizje në popullsinë
qytetare dhe ai ruhej nga ndonjë kryengritje në
Shkodër.
Në muajin maj të vitit 1788, Mahmud Pasha u takua
në kështjellën e Rozafës me një përfaqësues
të ambasadorit rus në Venedik. Në këtë
takim Bushatlliu pranoi të vazhdonte kryengritjen kundër
armikut të përbashkët (Perandorisë
Osmane) dhe u zotua të lehtësonte hyrjen e trupave
ruse në Stamboll, duke pushtuar Shqipërinë
deri në Manastir e një pjesë të Maqedonisë
deri në Selanik. Kundrejt kësaj pjesëmarrjeje
në luftë, ai kërkoi ti jepej një
shumë të hollash për të bërë
për vete pashallarët shqiptarë dhe të
dërgohej në bregdet një skuadër anijesh
luftarake për të kërcënuar ose, po të
ishte nevoja, për të bombarduar ato qytete që
do të mbanin anën e Portës. Gjithashtu ai kërkoi
të njihej autonomia e tokave të kontrolluara prej
ushtrisë shqiptare, një autonomi politike e fetare,
nën mbrojtjen e fronit perandorak rus, siç ndodhi
me Hanatin e Krimesë. Kjo marrëveshje duhej të
miratohej nga Katerina II e Rusisë.
Ndërsa pritej ky miratim, sipas një kërkese
që kishte bërë vetë Bushatlliu me anë
të kryepeshkopit të Tivarit, Gjergj Radovanit, oborri
i Vjenës dërgoi përfaqësuesit e vet në
Shkodër. Kjo përfaqësi mbërriti në
Shkodër në mesin e muajit qershor, pavarësisht
se diplomatët rusë ishin përpjekur për
ta penguar.
Kërkesat e Bushatlliut ishin pothuajse të njëllojta
me ato që iu parashtruan përfaqësuesit rus.
Por kërkohej që vendi të vihej jo nën
mbrojtjen e Rusisë, por të shtëpisë së
Habsburgëve. Austriakët synonin tërheqjen e
forcave të qeveritarit të Shkodrës, në
ndihmë të ushtrive të tyre në luftën
për pushtimin e Bosnjës. Por, kur dërgata austriake
mori rrugën e kthimit, forcat kundërshtare të
Bushatlliut kapën dhe vranë të gjithë
pjesëmarrësit e saj. Kështu nuk mbeti asnjë
shpresë për lidhje me Vjenën. Petërsburgu
nga ana e vet nuk dha përgjigje. Bushatlliut nuk i mbeti
veçse rruga e pajtimit me Portën e Lartë.
Ndërkohë, i detyruar nga rrethanat e luftës,
divani i sulltanit kishte ndryshuar mendim dhe i premtoi Kara
Mahmudit faljen dhe gradën e vezirit, në qoftë
se ai merrte pjesë në luftë me forcat e veta
në frontin e Bosnjës kundër austriakëve.
Bushatlliu e pranoi këtë premtim, por duke i shkëputur
Portës së Lartë qeverisjen e sanxhakut të
Ohrit dhe atij të Elbasanit, si dhe gradën e pashës
për të vëllanë, Ibrahim Beun, dhe për
të nipin, Mehmet Beun. Kështu Pashallëku i
Shkodrës e përforcoi përsëri pozitën
e vet. Jeta ekonomike filloi të gjallërohej.
Pjesëmarrja e Bushatlliut në këtë luftë,
gjersa u nënshkrua me Austrinë traktati i paqes
së Sistovës (4 gusht 1791), i shërbeu përgatitjes
për kryengritjen e dytë. Duke shfrytëzuar gradën
e vezirit dhe të kryekomandantit të frontit të
Vidinit, Kara Mahmudi grumbulloi sasi të rëndësishme
të hollash dhe armatimesh, të cilat i dërgoi
në Shkodër.
Por lufta nuk vazhdoi më tej. Duke iu trembur përhapjes
së ideve të revolucionit frëng edhe Rusia,
ashtu siç kishte bërë më parë Austria,
shpejtoi të nënshkruante traktatin e paqes me Perandorinë
Osmane në Jassi, më 2 janar 1792. Kështu shteti
osman shpëtoi nga shkatërrimi. Por kriza e brendshme
e tij u thellua më tej, prandaj sulltan Selimi III filloi
përpjekjet për të përqendruar pushtetin
e për të modernizuar ushtrinë. Këto reforma,
që njihen me emrin Nizam-i-xhedid, nuk përputheshin
me interesat e parisë së provincave. Për rrjedhim,
kundër reformave të sulltan Selimit u organizua
me shpejtësi një qëndresë e gjerë
e kryesuar nga ulematë dhe nga feudalët e çifligarët
më të fuqishëm të provincave. Mahmud pashë
Bushatlliu e Ali pashë Tepelena ishin nga më kryesorët
në Gadishullin Ballkanik.
Pasi u kthye në Shkodër, Bushatlliu dha shenjat
e para të një kryengritjeje të dytë. Ai
e filloi atë me një fushatë ndëshkimore
e nënshtrimi të feudalëve përkrahës
të Stambollit. Këtë e bëri jo vetëm
brenda katër sanxhakëve që përbënin
Pashallëkun e Shkodrës gjer në atë kohë,
por edhe në sanxhakët e Prizrenit e të Shkupit,
ku, për shkak të lidhjeve të tyre ekonomike
me Shkodrën dhe të prirjeve separatiste të
vezirit të saj, një pjesë e parisë feudale
dhe tregtare të këtyre qendrave morën anën
e tij. Kundërshtarët e vezirit shkodran në
qytetet e rrethet e Pejës, të Prishtinës, të
Shkupit, të Ohrit dhe të Elbasanit njohën tani
goditjen e rëndë të tij që i çoi
deri në shfarosje. Kështu filloi periudha e kryengritjes
së dytë, e cila synonte shkëputjen e plotë
nga varësia e Portës. Veziri i Shkodrës tanimë
nuk i nënshtrohej fare autoritetit të Portës.
Ai nuk nxirrte më taksa për thesarin perandorak,
por i dëbonte gjyqtarët e Stambollit dhe vetëm
fjala e tij ishte ligj. Kjo kryengritje e shkëputi faktikisht
pjesën më të madhe të tokave shqiptare
nga perandoria.
Politika e re e Mahmudit shkaktoi një reaksion të
fortë, që filloi në gjirin e vetë familjes
së Bushatlliut, te vëllai dhe nipi i tij. Këta
u vunë në krye të atij grupi feudalësh,
të cilët ishin kundërshtarë të shkëputjes
së vendit nga Perandoria Osmane, duke e quajtur atë
të rrezikshme për jetën, pasuritë dhe
për postet e tyre. Prandaj e braktisën atë.
Kjo i dha dorë sulltanit të merrte masa të
shpejta. Në fillim të vitit 1793 ai nisi kundër
Shkodrës një ekspeditë ndëshkimore. Ekspedita,
e përbërë nga forcat e shtatë pashallarëve
shqiptarë me në krye valiun e Rumelisë, Beqir
Pashën, mundi të mbërrinte në Shkodër
vetëm pas tetë muajsh. Pas një qëndrese
të fortë, Mahmud Pasha u detyrua më së
fundi të mbyllej në kështjellë më
1787. Edhe këtë herë shumica e parisë
vartëse dhe e aleatëve e braktisën, duke u
besuar premtimeve të Portës së Lartë që
kishte shpallur se do tu njihte privilegjet që
kishin. Por fshatarët e malësorët dhe shtresat
e gjera qytetare shkodrane, të shqetësuara nga mundësia
e kthimit të anarkisë, nuk ndoqën rrugën
e krerëve feudalë. Të mbushura edhe me urrejtjen
e një populli që nuk mund ti duronte aktet
e dhunshme të pushtuesit të huaj, ato u bashkuan
me vezirin kryengritës dhe i shpartalluan përsëri
forcat qeveritare, duke u shkaktuar dëme shumë të
rënda.
Përçarja e lëkundjet e aleatëve të
vet vendas si dhe frika nga një ekspeditë tjetër
e Portës e detyruan Mahmud Pashën, me gjithë
fitoren që korri, të shpallte përsëri
faljen e të gjithë atyre që e kishin braktisur,
të lironte robërit e kapur dhe të padiste vëllanë
e nipin si shkaktarë të vërtetë të
konfliktit, kurse sulltanin ta paraqiste si viktimë të
mashtrimit të tyre. Ndërkaq, me anën e klerit
katolik ai siguroi ndërmjetësinë e oborrit
të Spanjës, për ti kërkuar falje
sulltanit. Por të gjitha këto veprime, ashtu si
edhe më 1787, nuk shprehnin ndjenjat e mendimet e vërteta
të tij.
Ndërmjetësimi i përfaqësuesit diplomatik
të Spanjës në Stamboll, vështirësitë
e mëdha financiare të perandorisë e, mbi të
gjitha, pamundësia e Portës për të organizuar
një ekspeditë te re bënë që në
muajin mars të vitit 1795, sulltan Selimi III ti
jepte Bushatlliut faljen, me kusht që të zotohej
se nuk do të ngrinte krye më, të derdhte në
thesarin perandorak shumat e mëdha të taksave të
prapambetura nga e kaluara dhe të pranonte zbatimin e
reformave ushtarake e financiare.
Gjersa erdhi falja, Bushatlliu e përforcoi përsëri
pozitën e vet dhe i nënshtroi sanxhakët e Ohrit
dhe të Elbasanit duke ua dhënë për qeverisje
të vëllait dhe të nipit, të cilët
ishin kthyer në Shkodër e i kishin kërkuar
falje. Veziri i Shkodrës i kërkoi edhe Ali pashë
Tepelenës të hiqte dorë nga orvatja e të
birit, Myftar Pashës, për të qeverisur sanxhakun
e Ohrit dhe për të vënë dorë mbi
sipërmarrjen e Durrësit. Në vjeshtën e
vitit 1795 ai shpartalloi edhe forcat e pashallarëve
kosovarë, të cilët ishin lidhur kundër
tij dhe kishin marrë pushtetin në Prizren. Këtë
fat pësoi edhe Jusuf bej Dibra, i cili kishte guxuar
të dëbonte nga Dibra qeveritarin e vendosur prej
Bushatlliut.
Këto veprime që ishin në kundërshtim me
kushtet e faljes, i acaruan përsëri marrëdhëniet
e Stambollit me vezirin e pabindur të Shkodrës.
Por Porta e Lartë, e mbërthyer nga reaksioni i brendshëm
kundër reformave, nuk ishte aspak në gjendje të
merrte masa energjike kundër tij.
Mahmud Pasha e drejtoi tani vëmendjen kundër krahinave
malore shqiptare të Kuçit, të Piprit e të
Palabardhit, të cilat, qysh nga lufta ruso-turke e viteve
1787-1792, ishin bashkuar me Malin e Zi dhe i kishin dalë
duarsh vezirit të Shkodrës. I zënë me
ngjarjet e lartpërmendura, Kara Mahmudi nuk kishte pasur
kohë të merrej me to. Kurse tani rrethanat ndërkombëtare
kishin ndryshuar. Franca ishte hedhur në sulm kundër
monarkive evropiane, dhe oborret e Vjenës e të Petërsburgut
i kishin lënë mbas dore synimet e tyre në Mal
të Zi. Kjo gjendje e re politike i dha mundësi Bushatlliut
të përgatitej për nënshtrimin e tyre.
Edhe diplomacia frënge, për të mos lejuar që
Mali i Zi ti shërbente si bazë politikës
ruse e austriake dhe, me qëllim që të tërhiqte
qeveritarin e Shkodrës nga ana e Francës, krijoi
lidhje me Bushatlliun me anë të ambasadorit të
saj në Venedik. Gjeneral Bonaparti, i cili pas nënshtrimit
të Italisë Veriore projektonte të pushtonte
edhe Dalmacinë, dërgoi në Shkodër në
muajin maj 1796 shtatë specialistë ushtarakë
për organizimin më të mirë të ushtrisë
shqiptare si dhe shtatë galera me municione e ushqime
për fushatën që Kara Mahmud Pasha kishte parasysh
të ndërmerrte kundër Malit të Zi. Por
këto të fundit u konfiskuan në det prej venedikasve,
që dyshonin se fushata e Bushatlliut drejtohej edhe kundër
tokave të tyre.
Në korrik të vitit 1796 tri reparte të sundimtarit
të Shkodrës hynë në Mal të Zi. Malazezët
dhe malësorët e tri krahinave shqiptare të
lidhur me ta i kishin dërguar fjalë vezirit të
Shkodrës se do të luftonin gjer në pikën
e fundit të gjakut po ti sulmonte. Dhe me të
vërtetë forcat e Bushatlliut ndeshën në
një mbrojtje shumë të fortë, që i
detyroi ato të tërhiqeshin dhe që bëri
të dështonte sulmi. Në shtator, Kara Mahmud
Pasha e përsëriti sulmin mbi Malin e Zi, por edhe
këtë herë ushtria e tij nuk përparoi dot,
kurse ai vetë bashkë me shtabin e tij, në të
cilin ishin edhe katër oficerë francezë, ra
në kurth, me sa duket i tradhtuar, u rrethua dhe u vra
nga malazezët (1796).
Rëndësia dhe karakteri i Pashallëkut të
Shkodrës
Dëshmitë shkodrane të kohës, të shkruara
dhe gojore, duke e cilësuar Kara Mahmudin asllan
i Shkodrës e i madhi Kara Mahmud Pasha
dhe duke e krahasuar atë me të shkëlqyeshmin
Kastriot, tregojnë konsideratën që shkodranët
bashkëkohës kishin për të. Vrasja e tij
u prit me keqardhje të veçantë në Pashallëkun
e Shkodrës e në Mal të Zi dhe u konsiderua
si fatkeqësi për vendin. Kurse dëshmitë
e huaja bashkëkohëse, duke theksuar se Kara Mahmudi
e mbajti vendin të pavarur gjer në atë
shkallë sa u duk se synonte të bëhej sundimtar
absolut, ose se talenti i tij, trimëria e
tij, pasuria e tij dhe bindja e popullit që sundonte,
kanë treguar përherë pavarësinë e
vërtetë të tij, nxjerrin në dritë
se konsiderata e popullit për Vezirin e Shqipërisë
lidhej kryesisht me veprimtarinë politike të ndjekur
prej tij e, në radhë të parë, me qeverisjen
e pavarur të Pashallëkut të Shkodrës.
Kara Mahmudi kishte bërë për vete shumicën
e popullsisë të Pashallëkut të Shkodrës,
e cila e mbështeti atë fuqimisht dhe i doli zot
duke rrëmbyer armët në çastet më
të vështira të konfliktit të armatosur
me pushtetin qendror e rivalët e vet brenda vendit. Kjo
tregon se veprimtaria politike e tij pasqyronte aspiratat
themelore të kësaj popullsie, për të jetuar
e pavarur nga pushteti i Stambollit dhe se lufta e banorëve
të Pashallëkut të Shkodrës, të udhëhequr
prej Kara Mahmudit ishte vazhdim i luftës së popullit
shqiptar kundër zgjedhës së huaj osmane. Pra,
synimi përfundimtar i veprimtarisë së tij politike
ishte dobësimi e çrrënjosja e pushtetit qendror
të sulltanit në Pashallëkun e Shkodrës
dhe zëvendësimi i tij me pushtetin e përqendruar
të Kara Mahmudit. Me fjalë të tjera, Pashallëku
i Shkodrës të shndërrohej në një
shtet feudal shqiptar të pavarur ose dhe vasal të
ndonjërës nga Fuqitë e Mëdha të Evropës,
siç treguan projektmarrëveshjet me përfaqësuesit
e Rusisë dhe të Austrisë.
Kara Mahmudi arriti të dobësonte në një
shkallë të theksuar pushtetin qendror të sulltanit
në Pashallëkun e Shkodrës. Brenda këtij
pashallëku veprohej kryesisht sipas urdhrave të
pashait shkodran, të cilat ishin të detyrueshme
për të gjithë banorët, madje edhe për
shtetasit e huaj, ndonëse konsujt e tyre protestonin
kur ato urdhra nuk përputheshin me marrëveshjet
e përfunduara midis qeverive të tyre dhe Portës
së Lartë. Kara Mahmudi hyri në bisedime për
marrëveshje ushtarake e politike me fuqitë e krishtera,
armike të Perandorisë Osmane dhe, në kundërshtim
me ndarjen administrative të saj e pa pëlqimin e
Stambollit, shtriu pushtetin e vet në sfera administrative-ushtarake
të tjera nga ato që i takonin si pasha e si vezir.
Këto e të tjera veprime si këto, ashtu dhe
qëndresat e armatosura kundër ushtrive qeveritare
që u dërguan kundër tij, treguan se Bushatlliu
kishte marrë rrugën drejt pavarësisë,
se ai kishte krijuar një sundim efektivisht autonom në
zotërimet që përfshinin Shqipërinë
Veriore e Verilindore ose mbarë Gegërinë. Vdekja
e tij e parakohshme (1796) nuk e lejoi të realizonte
deri në fund synimin për shndërrimin e pashallëkut
të tij në një shtet shqiptar, qoftë edhe
tributar apo vasal ndaj Perandorisë Osmane ose ndaj ndonjë
shteti evropian.
Megjithëkëtë, rezultatet kryesore të veprimtarisë
politike të Kara Mahmud Pashës, përhapja e
forcimi i lidhjeve ekonomike midis krahinave të Shqipërisë
Veriore e Verilindore dhe bashkimi i tyre nën pushtetin
e një familjeje të fuqishme feudale shqiptare ishin
dy hapa të mëdhenj përpara drejt krijimit të
shtetit kombëtar shqiptar. Prandaj veprimtaria e Bushatlliut
shënoi një kthesë me rëndësi në
historinë ekonomike e politike të Shqipërisë.
3. PASHALLËKU I JANINËS NË VITET 1787-1812
Lufta për pushtet në Shqipërinë Jugore
Ashtu si në Shqipërinë Veriore, edhe në
atë Jugore, anarkia nxiti veprimtarinë politike
të familjeve të vjetra feudale, të cilat ishin
nga më të fuqishmet. Në sanxhakun e Vlorës
familjet rivale për pushtetin lokal ishin ajo e pashallarëve
të Vlorës dhe dega e tyre, familja e Velabishtajve,
që ishte vendosur në fshatin Velabisht, afër
Beratit. Që të dyja përpiqeshin të shtinin
në dorë jo vetëm pushtetin e sanxhakut të
Vlorës, por edhe atë të sanxhakut të Delvinës.
Në gjysmën e parë të shek. XVIII më
shpesh sunduan pashallarët e Vlorës, por, me lidhjet
që krijoi Mahmud pashë Velabishti me feudalët
e vegjël të Tepelenës, të Përmetit,
të Skraparit etj., edhe ky nuk mbeti pa e marrë
pushtetin kohë mbas kohe. Që nga viti 1751 e gjer
nga vjeshta e vitit 1759 sanxhakun e Vlorës dhe, shpeshherë,
edhe atë të Delvinës, i qeverisi i biri i Mahmud
pashë Velabishtit, Ismail Pasha, i cili përkrahej
nga një shtëpi tjetër feudale, ajo e Ngurzajve,
përfaqësuesit e së cilës ishin nga ajanët
kryesorë në Myzeqe. Në vitin 1754 Porta i dha
Ismail Pashës gradën e vezirit bashkë me qeverisjen
e sanxhakut të Ohrit dhe me komandën e derbendëve.
Ajo synonte që, duke bashkuar nën urdhrat e tij
sa më shumë forca feudale vendase, të nënshtronte
popullsinë e Shqipërisë Jugore, dhe kështu
të mund të kryhej vjelja e taksave shtetërore,
sepse banorët e disa zonave malore kishin vite të
tëra pa paguar taksat.
Ismail Pasha, sikurse edhe i ati, përveç lidhjeve
me feudalët beratas e myzeqarë, ruajti edhe lidhjet
që vazhdimisht kishte pasur familja e tij me feudalët
e vegjël të zonave malore, shumica e të cilëve
komandonte reparte ushtarësh me rrogë, aq të
nevojshëm për të ruajtur grykat dhe rrugët.
Më 1758 sulltani urdhëroi vezirin e Beratit të
nisej vetë në krye të një ekspedite për
të vjelë taksat në sanxhakët e Vlorës
dhe të Delvinës dhe për të nënshtruar
rebelët, duke vendosur kështu rendin e qetësinë,
por në të njëjtën kohë, kinse për
ti lënë vezirit duart e lira, e shkarkoi atë
nga komanda e derbendëve, që e bënte shumë
të fuqishëm dhe të rrezikshëm. Meqë
ky urdhër çonte në shkatërrimin e mbështetjes
së vezirit të Beratit në zonat malore të
dy sanxhakëve dhe u jepte dorë Vlorajve që
të bënin për vete malësorët derbendxhinj,
Ismail Pasha nuk iu bind atij. Valiu i Rumelisë, më
1759, dërgoi kundër tij zëvendësin e vet.
Atëherë Ismail Pasha u arratis bashkë me tre
besnikë, ndër të cilët ishte i kunati,
Ahmet Kurt beu i Ngurzajve.
Meqenëse familja e Vlorajve e përfaqësuesit
e Stambollit nuk gjenin mbështetje nga ajanët vendas,
Porta e Lartë u detyrua ta falte Ismail Pashën në
vjeshtën e vitit 1761 dhe ti njihte atij privilegjet
që gëzonte dy vjet më parë. Edhe ky, meqë
nuk ishte në gjendje tu imponohej feudalëve
beratas e myzeqarë, e pranoi faljen. Por Ismail Pasha
nuk e la pa shfrytëzuar këtë dobësi të
pushtetit qendror për të nënshtruar krahinën
e Vlorës bashkë me pinjollët e familjes së
Vlorajve, që ishin të mitur dhe nën tutelën
e nënës së tyre, të vesë së
Kapllan pashë Vlorës, kushëririt të tij.
Në fillim të gushtit, Ismail Pasha u nis nga Berati
me forcat e veta dhe hyri në qytetin e Vlorës pa
luftë. Për tia arritur qëllimit, kërkoi
dorën e vejushës së të kushëririt.
Kjo e la me shpresën se pranonte të martohej me
të, por ndërkohë përgatiti kurthin për
ta vrarë. Kështu Ismail Pasha u rrethua prej forcave
të saj në shtëpinë ku u vendos dhe, në
luftim e sipër, u vra.
Vezir Ismail pashë Velabishtin e zëvendësoi
i kunati, Ahmet Kurt pasha, që qeverisi sanxhakun për
njëzet vjet rresht. Duke ruajtur pushtetin e vet, ky
feudal ndoqi në përgjithësi një politikë
bindjeje ndaj Stambollit dhe një politikë paqësore
me oxhakun e Vlorajve. Ahmet Kurt pasha si derbend-pashë
mbrojti interesat e feudalëve çifligarë dhe
ndoqi pa mëshirë feudalët e vegjël, si
dhe lëvizjet e tyre rebele kundër qyteteve, mukatave
dhe pronave të çifligarëve të mëdhenj.
Një nga viktimat e sulmeve grabitqare të tyre, gjatë
luftës ruso-turke të viteve 1768-1774, u bë
qyteti tregtar i Voskopojës.
Edhe në sanxhakët e Delvinës e të Janinës
u zhvillua një luftë e gjatë dhe e ashpër
për pushtet midis familjeve të mëdha vendase,
e cila e futi Shqipërinë Jugore në një
anarki të rëndë me rrjedhoja shkatërrimtare,
veçanërisht për zhvillimin ekonomik. Kjo
gjendje u dha mundësi disa familjeve më të
vogla feudale të përfitonin për tu fuqizuar
dhe, duke marrë pjesë në grupet rivale, të
krijonin tarafet e veta dhe të pretendonin për marrjen
e pushtetit krahinor në duart e tyre. Një nga këto
familje u bë ajo e Hysove të Tepelenës, e cila
i përkiste shtresës së komandantëve ushtarakë
apo të bylykbashëve, d.m.th. shtresës së
atyre shtëpive feudale të zonave malore që
nuk kishin prona të shumta tokësore. Këto mbaheshin
e pasuroheshin kryesisht duke pajtuar e drejtuar njerëz
me rrogë në shërbim të forcave të
armatosura perandorake dhe të qeveritarëve të
sanxhakëve brenda apo jashtë Shqipërisë,
ose duke marrë nën mbrojtje fshatra e krahina kundrejt
shpërblimesh. Ndryshe nga çpretendohet në
disa gojëdhëna që i paraqisin me prejardhje
anadollake, meqenëse i pari i tyre paska qenë një
dervish i arratisur për krime nga rajoni i Anadollit,
Hysot vinin nga një shtëpi e vjetër labe, të
parët e së cilës kishin qenë të krishterë,
por që u islamizuan pas pushtimit osman. Me rrënjë
të vjetra në krahinën e Tepelenës, Hysot
u dalluan si shtëpi bylykbashësh në fundin
e shek. XVII, pikërisht kur Perandoria Osmane filloi
të mbushte radhët e forcave të armatosura të
saj me ushtarë me pagesë. Përfaqësuesi
i saj në mbarim të shek. XVII deri në mesin
e dhjetëvjetorit të dytë të shek. XVIII
ishte Mustafa agë Hysoja ose Muço Hysoja. Në
dokumentacionin e kohës ai përmendet herë si
çaush jeniçerësh e herë si dizdar
i kështjellës së Tepelenës, por kryesisht
përmendet si një aga i pasur e i fuqishëm që
ndiqej prej disa qindra trimash luftëtarë. Ai njihej
gjithashtu si rebel dhe si një nga krerët e kryengritjes
së Labërisë në vitet 1704-1714 për
të mos paguar xhizjen, ndërsa djemtë e tij
dalin si sipërmarrës të kësaj takse të
rëndësishme shtetërore në krahinën
e Myzeqesë dhe të Mallakastrës, të cilën
mund ta vilnin, sidomos në periudhën e anarkisë
feudale, vetëm feudalët më të fuqishëm.
Muço Hysoja ishte një nga krerët labë
më në zë dhe shtëpia e tij, njëra
nga më të shquarat e Labërisë, që
kishte filluar të ngjiste shkallët e hierarkisë
së lartë administrative dhe të rivalizonte
me oxhaqet kryesore të Shqipërisë Jugore në
luftën për pushtetin politik.
Pjesëmarrja e Myftar bej Hysos si komandant ushtarak
me rrogë në luftën veneto-osmane të viteve
1714-1718 dhe vrasja e tij në rrethimin e kështjellës
së Korfuzit në vitin 1716 e rritën rolin e
të birit, Veli Beut, si pretendent për kreun e sanxhakut
të Delvinës. Ky pinjoll i Hysove, që kishte
hyrë dhëndër në oxhakun e Mahmud pashë
Konicës, arriti të ngrihej në radhët e
mirmiranëve dhe në mesin e shek. XVIII u emërua
qeveritar i sanxhakut të Delvinës me gradën
pashë. Por grindjet për pushtet vijuan dhe u acaruan
më tej, prandaj Veli pashë Hysoja nuk qëndroi
gjatë në pushtet. Pas vdekjes së tij, rivalët
mundën të kapnin edhe të venë e tij që
e burgosën për disa muaj në qytetin e fortifikuar
të Kardhiqit, për ta liruar pastaj kundrejt një
shpërblimi e garancish të miqve të shtëpisë
së Hysove. Sidoqoftë kjo shtëpi tashmë
ishte në radhët e oxhaqeve shqiptare. Nën drejtimin
e Ali Beut, djalit të Veli Pashës, ajo do të
bëhej shtëpia më e fuqishme e Shqipërisë
Jugore dhe e gjithë Shqipërisë.
Stërnipi i Muço Hysos dhe djali i Veli Pashës,
Ali Beu, nuk e filloi karrierën e tij si hajdut rrugësh,
sikurse mëtohet në gojëdhënat që
janë pasqyruar në shumicën e literaturës
së shkruar për jetën e Ali pashë Tepelenës
(1740-1822), e sidomos për dyzetë vitet e para të
jetës së tij. Përkundrazi, ai u rrit e u edukua
si të gjithë djemtë e tjerë të oxhaqeve
feudale të kohës së vet. Ali Beu u arsimua
si një bir pashai dhe, duke u ndihmuar nga të afërmit
dhe sidomos nga miqtë e shtëpisë së vet,
që e kishin lidhur të ardhmen e tyre me atë
të kësaj shtëpie të dëgjuar, u vu
shpejt në krye të formacioneve ushtarake me pagesë
të krahinës së vet aq të kërkuara
nga qeveritarët e ndryshëm të sanxhakëve
e sidomos nga valiu i Rumelisë. Si i tillë, ai u
lidh me krushqi dyfishe me oxhakun feudal të Asllanpashallive
të Gjirokastrës më 1768 dhe u bë një
nga prijësit ushtarakë më të dëgjuar.
Pa arritur moshën 40 vjeç, ai fitoi më 1784
gradën pashë në rreshtat e ushtrisë perandorake
të Rumelisë. Po atë vit, për shkak se
Selim pashë Koka kishte uzurpuar pushtetin e sanxhakut
të Delvinës duke vrarë tre vjet më parë
Mustafa Pashën e Delvinës, Porta e Lartë e
emëroi mytesarif të këtij sanxhaku. Me këtë
rast ai u urdhërua nga sulltani që, pasi të
shtinte në dorë pushtetin, të ndëshkonte
me vdekje fermanliun Selim pashë Kokën e përkrahësit
e tij kryesorë dhe të vilte me forcë xhizjen
e papaguar nga krahinat malore. Në krye të një
fuqie ushtarake të madhe, me luftë dhe aspak me
pabesi, pashai i ri zbatoi urdhrat e Portës së Lartë
dhe në fundin e vitit 1784 mori në dorë pushtetin
e sanxhakut të Delvinës. Pas të atit ai u bë
pashai i dytë i familjes së Hysove që qeverisi
këtë sanxhak. Edhe Aliu, që i përkrahu
djemtë e Selim Pashës, nuk lejoi tu konfiskoheshin
çifligjet dhe nuk i arrestoi e i burgosi ata, siç
pretendojnë, pa asnjë bazë, gojëdhënat,
nuk u kufizua vetëm me sundimin në këtë
sanxhak. Të ardhurat e atij sanxhaku të vogël
nuk mjaftonin për të përballuar shpenzimet
e ushtrisë së tij mjaft të madhe, prandaj Aliu
synonte të shtinte në dorë sanxhakët më
të rëndësishëm. Qysh në fillim të
vitit 1785 kërkoi qeverisjen e sanxhakut të Tërhallës
ose atë të Janinës. Më 1786 atij iu dha
qeverisja e sanxhakut të Tërhallës dhe detyra
e zëvendëskomandantit të derbendëve, kurse
në mars të vitit 1787, kur vezir Ahmet Kurt pasha
i Beratit vdiq i helmuar si aleat i Mahmud pashë Bushatlliut,
atij iu besua detyra e komandantit të derbendëve.
As i biri i vezirit të helmuar, Mehmet Pasha i Ngurzajve,
dhe as kunati i këtij, Ibrahim Pasha i Vlorajve, që
hynë në grindje midis tyre për punën e
trashëgimit të pushtetit në sanxhakun e Vlorës,
nuk ishin në gjendje të kryenin atë detyrë.
Por Ibrahim Pasha, i cili arriti të merrte pushtetin
në Berat, nuk mungoi ta kërkonte postin e derbend-pashës
dhe të rivalizonte me Ali Pashën për një
kohë të gjatë.
Duke përfituar nga mungesa e mytesarifit të sanxhakut
të Janinës, Alizoi Pashës, që ishte larguar
nga Shqipëria dhe ishte dërguar në frontin
e luftës me Rusinë, pasi u mor vesh me Tahir Pashën
e Asllanpashallive (që i kishte dhënë Aliut
vajzën e vet për grua të dytë) dhe, duke
pasur përkrahjen e shtresave të pasura të qytetit
e të rrethit të Janinës që shihnin tek
ai të vetmin qeveritar, që mund të vendoste
e të ruante qetësinë, ashtu siç kishte
bërë në Thesali, Ali Pasha i Tepelenës
hyri në Janinë dhe vendosi sundimin e vet në
fund të vitit 1787. Ai e vlerësonte drejt Janinën
kur e quante kyç të Shqipërisë.
Janina prej kohësh priste një qeveritar si ai për
tu bërë me të vërtetë kyç
jo vetëm nga pikëpamja strategjike e administrative,
por edhe nga ana ekonomike, duke u shndërruar në
qendër e tregut ndërkrahinor të Shqipërisë
Jugore.
Janina, qendër e tregut ndërkrahinor të Shqipërisë
Jugore
Qyteti i Janinës ishte vendosur në krye të
një fushe pjellore, e përmendur si e tillë
qysh në antikitet dhe anash një liqeni të pasur
me peshk. E mbrojtur prapa e anash prej malesh të larta,
në afërsi të detit Jon dhe duke qenë nyje
e gjashtë rrugëve tregtare që e lidhnin jo
vetëm me qytetet e tjera të Shqipërisë,
por edhe me Maqedoninë e Greqinë, ajo i kishte të
gjitha kushtet e duhura gjeografike dhe ekonomike për
tu bërë një qendër shumë e
rëndësishme administrative dhe ekonomike.
Zejtaria dhe tregtia e Janinës, të ushqyera gjithnjë
e më mirë me lëndë të para bujqësore
e blegtorale nga tepricat e fshatarësisë si dhe
nga të ardhurat e pronarëve çifligarë,
u gjallëruan pa ndërprerje aq sa në gjysmën
e dytë të shek. XVII udhëtarët evropianë
e quajtën atë qytet i pasur e tregtar.
Por në kushtet e anarkisë feudale që mbuloi
gjithë Shqipërinë Jugore, sidomos gjatë
shek. XVIII, ritmet e zhvillimit të qytetit të Janinës
u ngadalësuan. Megjithëse me shumë vështirësi
e pengesa, ekonomia e këtij qyteti i ruajti lidhjet e
veta me tregjet e panairet e brendshme dhe të jashtme,
prapëseprapë kapitali tregtar janinot nuk gjente
kushte të merrte frymë lirisht për të
luajtur rolin e një qendre tregtare ndërkrahinore,
sikurse qyteti i Shkodrës në Shqipërinë
Veriore. Ndryshe nga Shkodra, Janina nuk kishte një pushtet
të fortë që ti vinte fre anarkisë
feudale dhe i mungonte bregdeti me qytete-skela për të
forcuar e zgjeruar si lidhjet e brendshme, ashtu dhe ato të
jashtme. Dalja në det me anë të skelës
së Salahorës në Gjirin e Artës ishte krejt
e pamjaftueshme. Zotërimet venedikase, ku gjendeshin
portet e Vonicës, Prevezës, Pargës etj., dhe
politika monopoliste tregtare e lundruese e sundimtarëve
të tyre ishin me të vërtetë pengesa serioze
që i zinin frymën. Mallrat, që tregtarët
vendas grumbullonin sidomos në trevat e Janinës
e të Artës si dhe tepricat e atyre që sillnin
nga Thesalia ose krahinat e tjera të Rumelisë, nuk
mund ti shisnin drejtpërdrejt në ishullin
e madh të Korfuzit e në ishujt e tjerë. Venedikasit
nuk lejonin anije të huaja e, rrjedhimisht, edhe tregtarë
të huaj të hynin në skelat e tyre të bregdetit
Jon, me qëllim që të zbatonin deri në
fund politikën e vartësisë ekonomike të
këtyre ishujve nga tregtia e lundrimi venedikas. Kështu
tregtarët janinotë ose të qyteteve të
tjera detyroheshin që mallrat e tyre ti shpinin
e ti shisnin në portet venedikase të bregdetit
ku gjenin vetëm tregtarë e lundërtarë
venedikas. Mallrat që grumbullonin në pazaret e
panairet e sanxhakëve fqinjë, veçanërisht
në atë të Magarës, të Larisës
e të Mavronorosit, ata detyroheshin ti shpinin
në portin e Selanikut meqenëse aty, edhe pse kishin
të bënin kryesisht me tregtarët e lundërtarët
venedikas që luanin rolin kryesor në jetën
ekonomike të portit, gjenin kushte më të favorshme
për shitblerje e për transport, por edhe anije e
tregtarë të tjerë të huaj. Edhe për
të blerë mallra industriale, tregtarët vendas
detyroheshin të plotësonin kërkesat e veta
kryesisht në pjacën e Venedikut, megjithëse
e dinin që aty këto mallra u shiteshin me çmime
më të larta se në pjacat e tjera të Adriatikut.
Prandaj janinotët e sidomos shtresat e pasura të
tyre i kishin sytë nga bregdeti dhe prisnin që gjendja
e tij të ndryshonte dhe të merrte fund politika
e venedikasve.
Pengesë tjetër që rrezikonte jetën dhe
kapitalin ose që kapërcehej me shpenzime të
rënda ishte pasiguria e rrugëve të karvanëve,
që vinin nga tregjet e sanxhakëve fqinjë dhe
sidomos nga ata të Delvinës e të Vlorës.
Çetat grabitqare të himariotëve dhe sidomos
ato të feudalëve labë e çamë dëmtonin
shpesh qarkullimin e mallrave dhe nuk lejonin forcimin e lidhjeve
ekonomike të qytetit të Janinës me Gjirokastrën,
Delvinën, Paramithinë, Margëllëçin
etj. Por jo më pak dëm bënin edhe çetat
grabitqare të suliotëve në rrugët e tjera
tregtare që vinin nga Thesalia, Akarnania etj. Anarkia
feudale që ishte bërë plagë e rëndë
për të gjithë vendin, duhej frenuar si një
nevojë e domosdoshme për zhvillimin ekonomik, politik
dhe kulturor.
Ardhja e Ali pashë Tepelenës në krye të
sanxhakut të Janinës (1787) shqetësoi jo vetëm
feudalët e vegjël, të cilët ose iu nënshtruan
ose u arratisën, por edhe qeveritarët fqinjë
dhe kapedanët e malësive të vetëqeverisura.
Këta shihnin tek ai njeriun e fortë dhe të
etur për pasuri e pushtet, i cili, duke pasur funksionin
e derbend-pashës, do të orvatej të shtrinte
autoritetin e tij mbi sanxhakët e tyre dhe do tu
vinte fre veprimeve anarkiste, së pari në sanxhakun
e Janinës e pastaj edhe në të tjerët.
Edhe autoritetet venedikase nuk u shqetësuan më
pak, duke parë tek ai mbrojtësin e interesave ekonomikë
të vendit në dëm të tregtarëve e
të lundërtarëve venedikas, sikurse kishin bërë
e po bënin qeveritarët e fuqishëm të Shkodrës.
Alarmin e parë tek ata e dhanë zënia prej tij
e sipërmarrjes së të ardhurave të Artës
e të doganës së Salagorës, si dhe përpjekjet
e tij për të ndërtuar fortifikime në këtë
skelë që të mbroheshin anijet osmane kundër
orvatjeve të vazhdueshme të atyre venedikase, të
cilat vepronin lirisht në Gjirin e Artës. Duke mos
dashur të kishin një sundimtar të fuqishëm,
i cili pa ardhur mirë në fuqi i hodhi sytë
drejt bregdetit, diplomatët venedikas u përpoqën
ta luftonin si brenda vendit, duke nxitur kapedanët suliotë
e feudalët çamë të vijonin veprimet
e tyre grabitqare e kundërshtimet ndaj tij, si dhe besëlidhjet
e qeveritarëve fqinjë kundër tij. Venedikasit
ndërhynë gjithashtu pranë Portës së
Lartë, duke e paraqitur veprimtarinë e Ali Pashës
për të vendosur rregullin e qetësinë tepër
të rrezikshme për pushtetin qendror të sulltanit.
Përveç kësaj, me qëllim që të
mënjanonin kërcënimin që mund tu
bënte Aliu nga toka, ata arritën të përfundonin
me Portën e Lartë një marrëveshje, e cila
ndalonte kalimin e anijeve luftarake në ngushticën
e Korfuzit pa lejën e tyre si dhe ndërtimin e fortifikimeve
ushtarake në afërsi të zotërimeve venedikase.
Vështirësitë që i krijuan Ali Pashës
kundërshtarët vendas e të huaj të cilët
u lidhën kundër tij, u kapërcyen pas përpjekjeve
që vazhduan për një kohë mjaft të
gjatë. Ali Pasha qysh në vitet e para vendosi autoritetin
e vet në rrugët që lidhnin Janinën me
Artën e Manastirin përveç atyre me Thesalinë;
por atij iu deshën dhjetë vjet që të vendoste
lidhjet me një pjesë të qyteteve të sanxhakut
të Delvinës ose të shtinte në dorë
bregdetin nga Butrinti në Prevezë, përveç
qytetit të Pargës, që kaloi në duart e
francezëve e pastaj të rusëve. Për të
siguruar kalimin e qetë të karvaneve në zonën
lindore e juglindore të sanxhakut të Janinës,
ku vepronin çetat suliote, atij iu deshën plot
gjashtëmbëdhjetë vjet luftë, kurse për
të vendosur sundimin e plotë mbi sanxhakun e Delvinës
e të Vlorës iu deshën rreth njëzet e pesë
vjet. Sidoqoftë, me këmbënguljen e tij të
jashtëzakonshme dhe duke përfituar me zgjuarsi nga
rrethanat politike të brendshme e të jashtme, Ali
Pasha mundi tia arrinte qëllimit të vet, ti
jepte thuajse fund anarkisë dhe të vendoste sundimin
e tij mbi bregdetin shqiptar, nga gryka e Shkumbinit deri
në Gjirin e Prevezës.
Në këtë mënyrë tregtisë së
jashtme të Pashallëkut të Janinës iu krijuan
mundësitë e nevojshme që të lidhej me
skelat mesdhetare evropiane të Lindjes. Kështu drithërave,
mishit, lëkurëve, leshit, serës e prodhimeve
të tjera vendase dhe atyre të sjella nga sanxhakët
fqinjë e nga pjesa e brendshme e Rumelisë, iu sigurua
qarkullimi më i qetë nëpër rrugët
tokësore, iu krijua mundësia të vinin në
skelat bregdetare të pashallëkut; prej këtej
ato niseshin me anije ulqinake e hidriote, si dhe me ato të
flotës tregtare të Ali Pashës në drejtim
të ishujve Jonianë, të Stambollit e të
Aleksandrisë dhe sidomos në drejtim të Maltës,
të Venedikut, të Ankonës, të Triestes,
të Raguzës etj. Nga këto vende sillnin prodhime
industriale e koloniale që mbërrinin në depot
e tregtarëve janinjotë në Prevezë, Gumenicë,
Salshorë e sidomos në Artë e Janinë, prej
nga shpërndaheshin në qytetet e tjera të pashallëkut
ose edhe të Rumelisë.
Në tregun e Janinës dhe dy herë në vit
në panairin e Bonilas, një milje larg saj, përveç
shqiptarëve, vinin për shitblerje edhe tregtarë
të kombësive të ndryshme, madje edhe ata që
më parë frekuentonin Beratin e Manastirin. Kështu,
duke u shndërruar në një qytet zejtar e sidomos
tregtar të dorës së parë si dhe në
një qendër administrative të një pashallëku
të madh, Janina u bë qendra e tregut ndërkrahinor
të Shqipërisë Jugore, si edhe të krahinave
fqinje. U rrit dhe u fuqizua borgjezia tregtare, veçanërisht
në këtë qytet, si dhe në qytetet e tjera
që përfshiheshin në radhë të parë
në rrezet e kapitalit janinjot. Por, pjesa dërrmuese
e kapitalit tregtar gjatë sundimit të Ali Pashës
gjendej në duart e pronarëve të mëdhenj
të tokës e të bagëtive; edhe mjetet kryesore
të qarkullimit i përkisnin po shtresës feudale
(një pjesë e së cilës merrte pjesë
në veprimtarinë ekonomike me anë të kreditit
e të ortakërisë). Në këto rrethana,
borgjezia tregtare ishte në përgjithësi e varur
ekonomikisht prej tyre. Vetëm ata janinjotë që
u vendosën në Lajpcig, në Vjenë, në
Bukuresht, në Moskë e gjetiu u shkëputën
nga kjo vartësi.
Rrjedhojat e pasurimit të dy shtresave të pasura
shoqërore u dukën në qytetin e Janinës
si dhe në qytetet e tjera sidomos në ndërtimet
publike me karakter urban dhe ekonomik, si dhe në ndërtimet
private. Rrugët u mbushën me ura e hane që
shprehnin gjallërinë e lidhjeve ekonomike me Janinën.
Hani i Luros i gjerë, i lartë e i madh sa një
pallat në rrugën Prevezë-Janinë u ndërtua
nga Ali Pasha, i cili po në këtë rrugë
ndërmori edhe gërmimin e kanalit lundrues të
Strevinës që afroi tregtinë detare me Janinën.
Në rrugën Tepelenë-Janinë ai ndërtoi
edhe urën e madhe të Tepelenës mbi lumin Vjosë.
Në qytetin e Gjirokastrës ndërtoi ujësjellësin,
kurse në Janinë sarajet madhështore të
tij e të bijve të tij, dhe në një varg
qytetesh ose çifligjesh vila të bukura e komode
ku pushonte sa herë largohej nga Janina. Por edhe përfaqësues
të tjerë të shtresave të pasura, në
një mënyrë ose në një tjetër,
arritën të plotësonin nevojat komunale të
qytetit të tyre, shtruan me kalldrëm copa rrugësh,
ndërtuan çezma etj. Megjithëse Janina u bë
qyteti, ku për herë të parë u zbatua vaksinimi,
u luajtën aty-këtu pjesë teatrale dhe u organizuan
biseda sallonesh me karakter kulturor, prapëseprapë
ajo ruajti pamjen orientale në arkitekturën e ndërtimit
dhe të urbanizimit. Sidoqoftë, Janina u bë
një qytet i gjallë që gumëzhinte nga veprimtaria
ekonomike dhe ajo administrative e aparatit të sundimtarit
energjik të saj, nën qeverisjen e të cilit
arriti kulmin e zhvillimit të vet edhe nga pikëpamja
demografike.
Disa nga dëshmitarët e kohës e çonin
numrin e banorëve të kryeqytetit të pashallëkut
të Shqipërisë Jugore deri më 50 000 frymë,
por të tjerë që përbënin shumicën,
midis të cilëve edhe ata që jetuan aty disa
vjet me radhë, pohonin se Janina nuk mund të kishte
më shumë se 35-36 000 banorë, nga të cilët
vetëm 25-28 000 ishin të qëndrueshëm.
Nga këta 2/3 ishin të krishterë kurse 1/3 myslimanë.
Të krishterët i përkisnin kombësisë
shqiptare, vllahe, greke etj., kurse myslimanët thuajse
të gjithë ishin shqiptarë. Midis banorëve
të qëndrueshëm nja 400 familje ishin hebrenj.
Banorët e përkohshëm të Janinës përbëheshin
në radhë të parë nga ushtarët shqiptarë
në shërbim të Ali Pashës, nga pengjet
e ndryshme të krahinave, nga tregtarët klientë
dhe nga të huajtë kalimtarë. Fakti që
elementi shqiptar mbante pozitat drejtuese administrative
dhe ushtarake dhe kishte epërsi si numër banorësh,
të qëndrueshëm e të përkohshëm,
i jepte Janinës më shumë pamjen e një
qyteti shqiptar se sa të përzier.
Formimi i Pashallëkut të Janinës (1787)
Në mbarim të vitit 1787, kur Ali pashë Tepelena
vuri në dorë sundimin e Janinës, në Shkodër
kishte dështuar ekspedita e parë ndëshkimore
kundër Kara Mahmud Pashës. Po në këtë
kohë ose më saktë në fillim të vitit
1788 hyri në luftë kundër Perandorisë
Osmane edhe Austria. E gjetur në luftë me Rusinë
dhe me Austrinë, Porta e Lartë e miratoi shtrirjen
e qeverisjes të Aliut në sanxhakun e Janinës,
jo vetëm pse kishte nevojë të madhe për
forcat e tij luftarake, por edhe pse me këtë veprim
ajo synonte që të pengonte mundësinë e
marrëveshjes së dy pashallarëve të fuqishëm
shqiptarë, të cilët dy vjet më parë
kishin qenë aleatë, dhe të ndalonte kalimin
e tyre në anën e Fuqive të Mëdha.
Shtrirja e pushtetit të Ali pashë Tepelenës
edhe në sanxhakun e Janinës, ose përqendrimi
i qeverisjes së sanxhakëve të Tërhallës
e të Janinës në një dorë të
vetme, krijoi bërthamën e Pashallëkut të
Janinës (1787). Ky përqendrim i dha dorë parisë
feudale shqiptare të bëhej klasë sunduese edhe
nga pikëpamja ekonomike, duke u shndërruar pronare
e pjesës më të madhe e më të rëndësishme
të kullotave, të pyjeve dhe të tokës së
punueshme të këtyre dy sanxhakëve. Kështu
u krijua baza nga e cila kjo pari, nën drejtimin e Ali
Pashës, mundi të shtrinte pushtetin e vet mbi të
gjitha trojet e Shqipërisë Jugore.
Ndërsa pas nënshkrimit të traktatit të
paqes së Kyçyk Kajnarxhisë, më 1774,
besimi i çifligarëve shqiptarë te qëndrueshmëria
e Perandorisë Osmane vetëm sa kishte filluar të
tronditej, pas 15 vjetësh, kur ajo kishte hyrë në
luftë kundër dy perandorive më të fuqishme
evropiane, që synonin ta copëtonin, mosbesimi u
rrit bashkë me theksimin e rrezikut të shembjes
së saj të afërme.
Ashtu si pjesa kryesore e ajanëve shkodranë, përkrahës
të vezirit Bushatlli, edhe shumica e ajanëve të
Shqipërisë Jugore, mbi të cilët mbështetej
Ali pashë Tepelena, kujtonin se lufta e Rusisë dhe
e Austrisë kundër Perandorisë Osmane do të
sillte ndryshime të rëndësishme politike në
pjesën evropiane të kësaj perandorie të
kalbur nga brenda. Duke menduar për të ardhmen e
tyre, por në të njëjtën kohë edhe
për fatin e vendit ku sundonin, krerët e parisë
shqiptare synonin që, pas dëbimit të osmanëve,
të ruanin pushtetin në atë pashallëk ku
kishin pronat e tyre. Në përshtatje me këto
interesa jetike u rrit në radhë të parë
bashkimi i shtresës së çifligarëve rreth
Aliut, i cili përcaktoi, sipas rrethanave, vijat e politikës
së pashallëkut të ri.
Në politikën e brendshme Ali Pasha veproi me shkathtësi
të madhe, për të mos i lejuar familjet e vjetra
feudale, të cilat kishin qenë mbështetja kryesore
e Portës së Lartë, të bashkoheshin kundër
tij. Prandaj, ai i goditi me shpejtësi duke shkatërruar
jo vetëm pushtetin e tyre politik, por edhe atë
ekonomik. Për të krijuar një bazë sa më
të gjerë e më të shëndoshë shoqërore,
Ali Pasha siguroi mbështetjen e familjeve të vjetra
kundërshtare që sundonin në sanxhakun e Janinës,
duke u dhënë atyre jo vetëm ofiqe në administratë
e në ushtri, por edhe prona e pasuri të konfiskuara
të feudalëve të vrarë, të kapur apo
të arratisur. Në këtë mënyrë,
bashkëluftëtarët e vjetër dhe të
rinj të pashait tepelenas, sikurse edhe vetë ai,
e rritën pasurinë e tyre dhe nuk mbetën rrogëtarë
apo shërbëtorë të tij, siç pretendohet
në ndonjë studim pa asnjë mbështetje dokumentare.
Për më tepër, kjo shtresë e re sunduese,
e përbërë thuajse tërësisht nga shqiptarë,
duke përdorur të gjitha format, e shpejtoi ritmin
e procesit të çifligimit dhe e shtoi numrin e
çifligjeve që kishte në zotërim. Vetë
Ali Pasha u bë çifligari më i madh. Ndryshe
nga ajanët me origjinë feudale-ushtarake të
shtresave të larta dhe nga ata që më parë
u pasuruan, e pastaj vunë në dorë pushtetin,
paria sunduese e sanxhakëve të Janinës dhe
të Tërhallës me Ali Pashën në krye
e shumëfishoi pasurinë pasi mori pushtetin në
duart e veta.
Mirëpo ekonomia çifligare lidhej ngushtë
me ekonominë qytetare. Edhe Ali pashë Tepelena,
ashtu si Mahmud pasha i Shkodrës, ishte i interesuar
për një zhvillim të shpejtë të ekonomisë
qytetare që përbënte një burim tjetër
të madh pasurimi. Prandaj ai e përdori pushtetin
politik në shërbim të zhvillimit ekonomik të
vendit.
Pasi zhduku një numër familjesh të mëdha
feudale, ai shpartalloi, dëboi jashtë kufijve ose
i nënshtroi duke i futur në shërbimin e tij
thuajse të gjitha bandat, që mbillnin pasigurinë
ndër banorët ose që pengonin me grabitjet e
tyre qarkullimin e lirë të mallrave. Me përjashtim
të viseve përreth malësisë së Sulit,
ku kohë më kohë sulmonin çetat e suliotëve,
thuajse kudo në pashallëk u vendos qetësia.
Pa cenuar privilegjet e parisë sunduese vendase, por
edhe pa i lejuar asaj të kryente veprime arbitrare, Ali
Pasha tregoi kujdes të veçantë për mbrojtjen
e jetës dhe të pronës së shtresës
së pasur zejtare e tregtare, pa bërë dallim
nëse i përkiste kombësisë shqiptare apo
greke dhe nëse ishte myslimane, hebraike apo e krishterë.
Kështu ai siguroi përkrahjen e kësaj shtrese.
Në të njëjtën kohë, për të
tërhequr pas vetes popullsinë e besimeve të
ndryshme të pashallëkut, Ali Pasha lejoi ushtrimin
e lirë të veprimtarisë së institucioneve
fetare të të gjitha llojeve dhe inkurajoi si arsimin
fetar, ashtu edhe atë laik. Në këtë mënyrë
sundimtari i ri mundi të afronte edhe klerin, e sidomos
atë ortodoks.
Duke qenë se shtylla kryesore e sundimit të vet
ishte ushtria, Ali Pasha vëmendjen kryesore ia kushtoi
asaj. Themelin e kësaj ushtrie e bënin ushtarët
me rrogë, me prejardhje kryesisht nga malësitë
e varfra të Shqipërisë Jugore. Këta ushtarë
të varfër plotësonin nevojën e jetesës
së familjeve të tyre me rrogat që merrnin dhe
për këtë arsye interesat e tyre ishin të
lidhura me ato të parisë feudale sunduese, së
cilës i shërbenin.
Krahas ushtarëve shqiptarë, në forcat e armatosura
të Pashallëkut të Janinës, veçanërisht
për ruajtjen e grykave e të rrugëve, bënin
pjesë gjithashtu me rrogë edhe reparte malësorësh
vllahë e grekë, martallozët ose armatolët,
të cilët dikur përbënin repartet e vetëmbrojtjes
fshatare kundër arbitraritetit fedual. Tani këtë
detyrë e kryenin forcat e derbendëve të Aliut.
Në rast nevoje mobilizoheshin me detyrim edhe forcat
e esnafeve qytetare, si dhe forcat fshatare nga çifligjet.
Nuk munguan të pajtoheshin e të shërbenin në
ushtrinë e Pashallëkut të Janinës edhe
ushtarë me pagesë nga Shqipëria Veriore e Verilindore.
Ushtria ndahej në reparte këmbësore, që
përbënin forcën kryesore të saj, por në
të filluan të dukeshin edhe bërthama kalorësie
e artilerie.
Pashallëku u pajis edhe me një aparat administrativ
e gjyqësor sipas organizimit osman, me ndryshimin e rëndësishëm
se pranë çdo myteselimi ose qeveritari krahinor,
u krijua një këshill i përbërë nga
paria myslimane ose ajanët, të cilët ishin
përfaqësuesit e krahinave myslimane, dhe nga paria
e krishtere ose koxhabashët, të cilët ishin
përfaqësuesit e krahinave të krishtere. Veç
kësaj, vendimet gjyqësore apeloheshin në Janinë
e jo në Stamboll dhe në krye të këtij
aparati, përveç myslimanëve me përvojë,
Ali Pasha tërhoqi një varg këshilltarësh
dhe sekretarësh nga elementi i krishterë.
Në krye të aparatit të pashallëkut qëndronte
vetë Aliu si një sundimtar absolut. Ai ndihmohej
nga një këshill i lartë apo divan, që
përbëhej nga djemtë e tij si dhe nga miqtë
më të ngushtë e më besnikë, sikurse
ishin Thanas Vaja, Jusuf Arapi, Tahir Abazi, Meço Bono,
Veli Gega, Hysen Poda, Dalip Përmeti, Dervish Hasani,
Ago Vasjari, Mehmet Myhyrdari etj. Përveç pushtetit
ekzekutiv, Ali Pasha kishte kthyer në pronë private
të tij edhe thesarin, i cili nën kujdesin e tij
të veçantë, ishte gjithmonë në
gjendje të përballonte shpenzimet.
I ndërtuar në këtë mënyrë, ky
aparat i shërbente pushtetit tanimë autonom të
shtresës sunduese të çifligarëve vendas,
e cila ndonëse nuk ishte shkëputur plotësisht
nga varësia politike e pushtetit qendror, qeveriste në
mënyrë autonome, kurse me dëbimin e osmanëve,
ajo synonte të krijonte shtetin e vet të pavarur.
Udhëheqësi i saj mbajti lidhje të rregullta
me pushtetin duke shlyer gjithë detyrimet financiare
ndaj arkës perandorake, për të mënjanuar
çdo konflikt të parakohshëm dhe për
ta përdorur atë në dobi të përforcimit
të mëtejshëm të pashallëkut e të
shkëputjes së tij nga kjo vartësi e Stambollit.
Përforcimi i pushtetit brenda pashallëkut dhe shtrirja
e tij kryesisht në troje shqiptare, për të
arritur pastaj në shkëputjen nga varësia e
Portës së Lartë, ndodhën në kushtet
kur u shtrua mundësia e dëbimit të osmanllinjve
nga Evropa, që përbënte njëherazi qëllimin
kryesor të veprimtarisë së Ali Pashës
në dhjetëvjeçarin e fundit të shek.
XVIII. Në përputhje me këtë qëllim
ai ndoqi një politikë të dyfishtë: synonte
të shfrytëzonte në dobi të vet, sa të
qe e mundur më shumë, konfliktin midis Perandorisë
Osmane e fuqive armike të saj, si dhe konfliktet midis
vetë Fuqive të Mëdha evropiane, që cenonin
drejtpërsëdrejti ose tërthorazi ekzistencën
e shtetit osman dhe që lidheshin në një farë
mase edhe me të ardhmen e Pashallëkut të Janinës
dhe të të gjithë Shqipërisë. Pasi
forcoi pozitat e veta duke marrë pjesë në luftë,
në frontin e Danubit gjatë vitit 1788, Ali Pashës
iu desh të ndeshej me një besëlidhje të
kapedanëve suliotë dhe të qeveritarëve
të sanxhakëve të Delvinës e të Vlorës,
të cilën e përkrahën autoritetet osmane
për të ruajtur anarkinë feudale në Shqipërinë
Jugore.
Të shqetësuar prej ardhjes në fuqi të
Ali Pashës në sanxhakun e Janinës, sunduesit
osmanë mbajtën qëndrim armiqësor ndaj
tij. Ata strehuan në zotërimet e tyre feudalët
e ndjekur dhe të shpronësuar nga sundimtari i Janinës,
nxitën dhe ndihmuan me armë, me municione e me ushqime
suliotët e himariotët, u premtuan atyre ndihmë
kundër Ali Pashës dhe ndërhynë që
paria çame dhe pashallarët e Delvinës e të
Beratit të lidheshin kundër tij.
Të inkurajuara në këtë mënyrë,
të gjitha këto forca filluan të lëvizin.
Sidomos suliotët dendësuan sulmet e tyre kundër
trafikut të rrugës Janinë-Artë. Prania
e malësisë së panënshtruar e të vetëqeverisur
të Sulit dhe veprimtaria e banorëve të saj
përbënin për pashallëkun një rrezik
të brendshëm që duhej mënjanuar me çdo
mënyrë. Këta malësorë trima e guximtarë,
të vendosur në një vend strategjik, 50 km në
jugperëndim të Janinës, jo vetëm shqetësonin
rrugët e pronat feudale, por kishin arritur të dëbonin
një varg feudalësh nga 60-70 fshatra përreth
malësisë së tyre, të cilat i kishin vënë
nën mbrojtje kundrejt një rente të
rregullt në prodhime e në të holla. Për
ta mënjanuar rrezikshmërinë e suliotëve,
për Aliun kishte vetëm dy zgjidhje: ose ti
afronte që tu shërbenin interesave të
tij, të pashallëkut, ose ti nënshtronte
me forcë.
Duke i mbetur besnikë lidhjeve të tyre të vjetra
me Republikën e Venedikut, suliotët nuk pranuan
propozimet e Ali Pashës për marrëveshje. Kështu
filloi lufta e gjatë dhe e vështirë që
ndërmori Ali Pasha kundër anarkisë feudale
brenda vendit. Kjo luftë u gërshetua edhe me orvatjet
e tij për të nënshtruar sanxhakët e Shqipërisë
Jugore nën një pushtet të vetëm politik,
dhe për ti dhënë fund anarkisë.
Në shkurt të vitit 1789 ushtria e Janinës,
që u nis kundër malësisë së panënshtruar
të Sulit, u detyrua të tërhiqej për shkak
të kundërsulmit të malësorëve trima,
por edhe për shkak të komplotit të madh të
mytesarifit të Janinës, që u përgatit
nga feudalët kundërshtarë përreth pashallëkut.
Ali Pasha përfundoi menjëherë paqen me suliotët,
të cilëve u pagoi shuma të konsiderueshme dhe
iu vu punës për të mënjanuar ngatërresat
që ishin kurdisur prapa krahëve të tij.
Lufta e Ali Pashës kundër suliotëve e kishte
favorizuar lidhjen e një marrëveshjeje midis agallarëve
të Çamërisë dhe sundimtarëve të
sanxhakëve të Delvinës dhe të Vlorës.
Këta nuk e shihnin me sy të mirë ardhjen në
fuqi të Ali pashë Tepelenës dhe përforcimin
e pushtetit të tij për shkak të pasojave ekonomike
e ushtarake që do të sillnin ato në sanxhakët
e tyre. Nën ndikimin e një shqetësimi të
tillë, Ibrahim pashë Vlora, rivali i Aliut për
postin e derbend-pashës, mori nga valiu i Rumelisë
për vitin 1789 sipërmarrjen e të ardhurave
të krahinës së Korçës, që
qeveritari i Janinës e kishte marrë një vit
më parë. Mirëpo Ali Pasha nuk hoqi dorë
dhe e mbajti sipërmarrjen me forcë, duke zhvilluar
luftime në zonën Kostur-Bozhigrad-Korçë
kundër rivalit dhe të besëlidhurve të
tij, të cilët mundi ti shpërndante. Gjatë
këtyre luftimeve ndëshkoi fshatrat e Hormovës
dhe të Leklit, që dikur kishin qenë nën
mbrojtjen e shtëpisë së tij dhe
që tani bënin pjesë në radhët e të
besëlidhurve armiq të tij. Rivaliteti midis qeveritarëve
të Janinës e të Beratit, i shkaktoi ngatërresa
të mëdha Aliut: Porta e Lartë, për të
mënjanuar sherrin midis dy rivalëve, ia hoqi Ali
Pashës qeverisjen e sanxhakut të Tërhallës
si dhe detyrën e derbend-pashës dhe ia dha këtë
dhëndrit të sulltanit, Beqir Pashës. Mirëpo
ky nuk mundi të vendoste rregullin e qetësinë,
sepse forcat ushtarake qenë lidhur me Aliun e i mbetën
besnike atij. Valiu i Rumelisë kërkoi me ngut që
ato detyra ti ktheheshin Aliut, sepse vetëm ai
ishte në gjendje të vendoste qetësinë
dhe të rekrutonte ushtarë për në front.
Ndërkohë luftimet në frontin rus nuk shkuan
mbarë për osmanët. Kjo e nxiti Ali Pashën
për të krijuar pa humbur kohë lidhje me rusët.
Duke iu bindur thirrjes së sulltanit për të
shkuar në luftë, Aliu nuk ndenji atje veçse
aq kohë sa iu desh që të hynte në letërkëmbim
me princin Potjomkin. Ky i premtoi një marrëveshje
të favorshme dhe e shtyti të vazhdonte të pengonte
dërgimin e forcave ushtarake të pashallarëve
shqiptarë në luftën kundër Rusisë.
Në shkurt të vitit 1791, Ali Pasha zhvilloi bisedime
të reja me një diplomat rus, të cilit i deklaroi
se ishte gati të merrte anën e Rusisë në
qoftë se i jepeshin garanci se pas luftës do të
mbetej i pavarur. Kurse në muajin qershor i kërkoi
komandantit të flotiljes ruse në detin Mesdhe ti
dorëzonte princit Potjomkin propozimet e veta për
një aleancë ushtarake dhe për të diskutuar
për fatin e mëtejshëm të Pashallëkut
të Janinës pas dëbimit të osmanëve
nga Gadishulli Ballkanik. Ali Pasha premtoi të merrte
pjesë në një kryengritje antiosmane të
shqiptarëve dhe të grekëve. Për këtë
qëndrim ai kërkoi sigurime për njohjen e tij
si zot e sundues i pashallëkut, për njohjen e kufijve
të territorit që do të zotëronte dhe për
ushtrimin e lirë të fesë nga myslimanët.
Nga ana e vet ai u zotua ti trajtonte njëlloj si
myslimanët, ashtu edhe të krishterët në
administratë e në ushtri dhe pranonte që Rusia
të kishte të drejtën e mbrojtjes së të
krishterëve në shtetin e tij. Ali Pasha kërkoi
gjithashtu që, në rast se kryengritja do të
dështonte, Rusia ta merrte nën mbrojtjen e saj për
ti shpëtuar ndëshkimit të sulltanit.
Më në fund, ai pranoi që, si garanci të
dërgonte peng në Petërsburg njërin nga
djemtë e vet, i cili të mësonte atje artin
ushtarak rus. Mirëpo, për këtë çështje
kaq të rëndësishme, atij iu tha se duhej të
priste përgjigjen nga qeveria qendrore.
Propozimeve të lartpërmendura, që shprehnin
dëshirën e Ali Pashës për të siguruar
pas fitores mbi osmanët pozitën e vet si sundimtar
i një shteti shqiptar, qeveria ruse nuk u dha përgjigje.
Së pari, si qeveri e një populli të madh ortodoks,
që i kishte vënë detyrë vetes të
çlironte popujt e krishterë nga sundimi i gjysmëhënës
dhe ti fuste nën zotërimin e saj, Rusia nuk
mund të pranonte sundimin e një princi mysliman
mbi të krishterët shqiptarë e grekë dhe,
së dyti, ishte koha kur lufta me Perandorinë Osmane
po merrte fund. Në fillim të vitit 1792 u nënshkrua
traktati i paqes në Jashi. Ndërsa qeveritari i Janinës
zhvillonte bisedimet me diplomatët rusë dhe priste
përgjigjen e oborrit rus, suliotët ia filluan një
fushate plaçkitjesh që zgjati nga pranvera e vitit
1791 deri në mbarim të tij. Përveç fshatrave
dhe rrugëve tregtare, ata sulmuan dhe plaçkitën
krahinat e Paramithisë, Margëllëçit
dhe Artës. Këto veprime i shtrinë deri në
fshatrat e Pindit. Kështu ata ndezën zemërimin
jo vetëm të çifligarëve, por edhe të
fshatarësisë së dëmtuar rëndë
dhe të zejtarëve e të tregtarëve të
Janinës, të Artës, të Paramithisë,
të Margëllëçit etj., dhe të qyteteve
të lidhura ekonomikisht me to.
Në muajin korrik 1792 Ali Pasha, i lidhur me agallarët
e bejlerët çamë si dhe me krerët e armatolëve
të fshatrave të dëmtuara, sulmoi malësinë
e Sulit për ta nënshtruar, meqenëse edhe këtë
herë, krerët e saj kishin refuzuar çdo lloj
marrëveshjeje. Por edhe këtë herë sulmi
i pashës së Janinës dështoi, mbasi nën
nxitjen e agjentit rus në Korfuz, L. Benaqi, u krijua
një besëlidhje e re e feudalëve të sanxhakëve
fqinjë dhe e kapedanëve suliotë. Ali Pasha
mënjanoi më parë suliotët. Besëlidhja
nuk arriti të hynte në veprim, sepse Aliut i erdhi
në ndihmë edhe Porta e Lartë, e cila ndërhyri
për ti pajtuar, duke vendosur marrëdhënie
krushqie midis qeveritarëve të Janinës dhe
të Beratit.
Gjatë viteve 1787-1797 Ali Pasha kishte mundur të
shtrinte pushtetin e vet vetëm në një territor
të ngushtë që kapte krahun e djathtë të
lumit Vjosë deri në krahun perëndimor të
vargmalit të Pindit, d.m.th. hapësirën Konicë-Këlcyrë-Korçë,
si dhe krahinat e Artës. Por ky pushtet bazohej më
shumë në sipërmarrjet e të ardhurave të
tyre dhe në pëlqimin e valiut të Rumelisë
e të Kapedan Pashës se sa në forcën e
armëve të tij. Sidoqoftë, me këtë
përfundoi faza e parë e përpjekjeve për
forcimin e pashallëkut. Suksesin më të madh
për shtrirjen drejt bregdetit dhe në Shqipërinë
Jugore Ali Pasha e arriti në vitet e fundit të shek.
XVIII, kur ndodhën ngjarje të mëdha politike
në arenën ndërkombëtare.
Në këtë kohë Republika Franceze kishte
filluar luftërat pushtuese. Armata e Italisë, që
komandohej nga gjeneral Napoleon Bonaparti, pasi nënshtroi
një numër shtetesh italiane, nënshtroi edhe
Republikën e Venedikut. Me nënshkrimin e traktatit
të Kampo Formios midis Republikës Franceze dhe Perandorisë
Austriake iu dha fund në vitin 1797 sundimit në
këtë trevë të shtetit venedikas, zotërimet
e të cilit në ishujt dhe në bregdetin Jonian
u vunë nën sundimin francez. Kështu kufijtë
e Francës u shtrinë deri në kufijtë e
Pashallëkut të Janinës.
Sukseset e forcave të armatosura në Itali, i dhanë
dorë gjeneral Bonapartit që ti paraqiste Direktoratit
planin e sulmit kundër kolonive angleze, të cilat
përbënin burimin kryesor të potencialit ekonomik
të Anglisë. Ky plan do të fillonte me depërtimin
e një armate franceze në Egjipt. Direktorati e miratoi
planin edhe pse depërtimi me luftë në Egjipt
do ta armiqësonte me Perandorinë Osmane.
Për të lehtësuar ndërmarrjen ushtarake
në Egjipt, Franca përkrahte fuqizimin e pashallarëve
të Rumelisë dhe prirjet e tyre vetëqeverisëse
në dëm të pushtetit qendror të sulltanit.
Komandanti francez i Korfuzit u urdhërua ta përkrahte
Ali pashë Tepelenën në forcimin e pushtetit
të tij brenda pashallëkut dhe jashtë tij. Përforcimi
i këtij sundimtari shqiptar, theksonte Bonaparti, ishte
në interes të Republikës.
Në sajë të kësaj përkrahjeje, që
e shfrytëzoi në dobi të synimeve të tij,
Ali Pasha ndërmori në gusht të vitit 1797 një
sulm të befasishëm kundër bregdetit shqiptar
të Himarës. Para kësaj, me lejen e francezëve,
kishte futur flotiljen e tij në kanalin e Korfuzit. Si
rrjedhim, ai shtiu në dorë pjesën kryesore
të këtij bregdeti që nga Butrinti deri në
Porto Palermo. Këto pushtime ishin një hap i rëndësishëm
për shtrirjen e mëtejshme të pushtetit të
Ali Pashës në Shqipërinë Jugore. Duke
u njohur banorëve të këtyre trevave privilegjet
e tyre dhe duke i trajtuar mirë, ai i ktheu ata në
rezervën e vet ushtarake. Përparimin përtej
Porto-Palermos nuk e ndalën aq forcat e bashkuara të
Xhafer Pashës së Vlorës dhe Mustafa Pashës
së Delvinës, sesa ndërhyrja e Ibrahim pashë
Bushatlliut, që u dërgoi ushtri osmanëve, si
dhe aleanca ruso-osmane që u krijua në këtë
kohë kur Bonaparti filloi fushatën kundër Egjiptit.
Tani sundimtarit të Janinës i erdhi rasti për
tu kthyer kundër Francës dhe për të
shtënë në dorë ish-zotërimet venedikase
në bregdet.
Napoleon Bonaparti dërgoi adjutantin e tij për ti
kërkuar Aliut të mbante anën e Francës
kundrejt premtimit se do tia rriste shumë lavdinë
e tij, ose të mbante të paktën neutralitetin
nëse nuk mund të merrte pjesë aktive në
kryengritjen e pashës së Vidinit, Pasvan Ogllusë,
që i shkaktoi shqetësime Stambollit. Por Aliu, me
të marrë vesh aleancën anglo-ruso-osmane kundër
Francës, pa pritur të mbërrinte flota e bashkuar
ruso-turke, që do ti dëbonte francezët
nga qytetet dhe ishujt jonianë, pushtoi Butrintin, të
cilin francezët kishin refuzuar tia jepnin në
formë miqësore, dhe pastaj Prevezën e Vonicën.
Pargën nuk e mori dot, sepse ndërkohë mbërritën
forcat ruse që e vunë nën kontrollin e tyre.
Kështu u realizua më së fundi synimi për
ti siguruar pashallëkut një dalje të
gjerë në bregdet dhe zotërimin e një vargu
skelash me rëndësi tregtare.
Për ta shpërblyer për pjesëmarrjen e forcave
të Pashallëkut të Janinës në luftën
kundër francezëve, Porta e Lartë, në vitin
1799, i dha Ali Pashës gradën e vezirit. Por kjo
gradë nuk ishte veçse një akt ngushëllimi,
sepse, me këmbënguljen e rusëve, të cilët
e shihnin Ali Pashën si një pengesë të
synimeve të tyre sunduese në Gadishullin Ballkanik,
qytetet bregdetare duhej ti hiqeshin atij nga dora.
Konventa ruso-osmane e muajit prill 1800 krijoi Republikën
e Shtatë Ishujve dhe me këtë sanksionoi vendosjen
e rusëve në ishujt jonianë. Duke i njohur ish-qytetet
venedikase si prona të sulltanit, konventa sanksionoi
shkëputjen e tyre nga sundimi i Ali Pashës. Mirëpo
ky i fundit edhe pse i largoi garnizonet e veta ushtarake
nga këto qytete, e ktheu në një vegël
të vetën të dërguarin e sulltanit të
caktuar për administrimin e tyre.
Ndërhyrja e rusëve në Pargë dhe në
përpilimin e konventës i ashpërsoi aq shumë
marrëdhëniet e vezirit të Janinës me përfaqësuesit
diplomatikë rusë, sa këta filluan të ndiqnin
politikën e venedikasve, duke nxitur e përkrahur
suliotët si dhe bllokun feudal të Shqipërisë
së Jugut kundër tij.
Vendosja e rusëve në ishujt jonianë dhe qëndrimi
i tyre armiqësor ndaj vezirit të Janinës, që
nisi qysh më 1798, i dha zemër Mustafa pashë
Delvinës të kërkonte ndihmë prej tyre
dhe të ngrihej kundër Ali Pashës. Por në
tetor 1799, Aliu e detyroi me forcën ushtarake Mustafa
Pashën të nënshtrohej. Pastaj nën komandën
e Jusuf Arapit, të cilin e dërgoi në Filipopoli,
nënshtroi rebelin Kara Fejzi, komandant i kërxhallinjve.
Por rusët, pasi e detyruan Portën e Lartë të
nënshkruante traktatin e 21 prillit 1800, kërkuan
që sundimin e sanxhakut të Delvinës tia
jepnin agjentit të tyre, Mustafa Pashës. Kjo ngjarje,
si dhe veprimtaria ruse kundër Ali Pashës, u dha
siguri suliotëve që kishin gjetur tani një
aleat të fuqishëm. Megjithëse kishin rënë
në një farë marrëveshje me Ali Pashën
dhe nuk e kishin trazuar për të mos provokuar sulme
të tjera, suliotët e shkelën ujdinë dhe,
të ndihmuar prej rusëve, arritën të grabisnin
edhe kopetë e Aliut. Ai nga ana e vet vendosi tani ti
nënshtronte përfundimisht suliotët, duke i
akuzuar si vegla të rusëve. Këta filluan të
veprojnë ndaj tij dhe e paditën në Stamboll
për përpjekje për pavarësi.
Në muajin qershor 1800, pasi siguroi përkrahjen
e agallarëve kryesorë çamë, Aliu filloi
ekspeditën kundër Sulit, por këtë herë
duke përdorur një taktikë të re, atë
të një rrethimi të fortifikuar që sa vinte
e ngushtohej. Ndonëse rusët bënë përpjekje
për të ndihmuar malësorët suliotë
me armë e municion, duke organizuar një besëlidhje
me feudalët kundërshtarë fqinjë, zgjuarsia
e vezirit bëri që ato të mos kishin sukses.
Pas luftimesh të dëshpëruara, më 25 dhjetor
1803, malësorët trima të Sulit nënshkruan
aktin e kapitullimit para Veli Pashës, i cili pranoi
kushtin që ata të largoheshin jashtë kufijve
të pashallëkut. Por veziri, duke paraparë se
suliotët do të vazhdonin luftën nga Parga e
ishujt jonianë, nuk e miratoi marrëveshjen dhe urdhëroi
që karvanët e suliotëve të ktheheshin
e të vendoseshin në trojet e pashallëkut, ku
ai do tu krijonte kushte jetese, pune e shërbimi
siç u kishte premtuar disa herë me radhë.
Mirëpo suliotët nuk pranuan të ktheheshin dhe
filluan luftimet kundër reparteve të vezirit. Në
këto luftime ndodhi edhe heroizmi i grave suliote, të
cilat u sakrifikuan bashkë me fëmijët e tyre
duke u hedhur në rrëpirën e shkëmbit të
Za-Llongut. Një pjesë e mirë e suliotëve
duke pasur edhe armët në dorë kapërcyen
kufijtë e pashallëkut dhe u strehuan në Pargë
e në ishujt jonianë. Ata, ashtu siç kishte
parashikuar Ali Pasha, vazhduan luftën e tyre kundër
tij, sidomos inkursionet në vendbanimet bregdetare duke
shkaktuar aty vrasje, djegie e grabitje të shpeshta gjatë
dy dhjetëvjeçarësh. Këtë çështje
të rëndë Aliu u përpoq ta mënjanonte,
por nuk e zgjidhi, veçse në fund të vitit
1820, kur suliotët morën anën e tij kundër
sulltanit.
Edhe pas kapitullimit të suliotëve, konti Mocenigo,
përfaqësues rus në Korfuz, e vazhdoi qëndrimin
armiqësor ndaj Ali Pashës. Ai nënshkroi me
dy krerët e Çamërisë, Hasan Çaparin
dhe Islam Pronjën, një marrëveshje për
ndihmë kundër vezirit të Janinës. Ali
Pasha, i cili mundi ta shtinte në dorë këtë
akt, e denoncoi marrëveshjen e tyre pranë Portës
së Lartë, si ndërhyrje të rusëve
në punët e brendshme të Perandorisë Osmane.
Ishte viti 1806 para se të fillonte lufta ruso-osmane
e viteve 1806-1812.
Në pragun e kësaj lufte sulltani mori anën
e Aliut, i la atij dorë të lirë mbi qytetet
bregdetare të Prevezës, Vonicës e Butrintit
dhe urdhëroi agallarët çamë ti
nënshtroheshin autoritetit të tij.
Ndërsa veziri i Janinës kishte filluar tanimë
luftën për të nënshtruar përfundimisht
suliotët dhe po ndeshej dhëmb për dhëmb
me veprimtarinë armiqësore të rusëve,
në muajin prill të vitit 1802, Porta e Lartë
e ngarkoi të vendoste qetësinë në Rumeli
ku vlonte mosbindja e anarkia, gjendje kjo që u interesonte
synimeve ruse në Ballkan, ashtu siç u interesonte
edhe gjendja e krijuar dhe e nxitur prej tyre në Shqipërinë
Jugore.
Shtrirja e mëtejshme e Pashallëkut të Janinës
në Shqipërinë Jugore (1804-1812)
Postin e valiut të Rumelisë Ali Pasha e pranoi dhe
u mundua ta shfrytëzonte për të luftuar rusët
në një front më të gjerë dhe për
të rritur autoritetin e vet në Rumeli e sidomos
në Shqipëri, duke bërë për vete sa
më shumë përkrahës. Meqenëse në
këtë kohë, krahas suliotëve, kundër
tij ishte formuar përsëri besëlidhja e qeveritarëve
kufitarë të Delvinës dhe të Vlorës,
të cilët kishin siguruar edhe përkrahjen e
Ibrahim pashë Bushatlliut, Aliu e pranoi detyrën
e re pasi vuri si kusht që Porta e Lartë të
garantonte zotërimet e veta nga kërcënimi i
tyre. Kësaj pune Porta e Lartë ia doli mbanë
dhe besëlidhja këtë herë nuk arriti të
vepronte kundër Aliut. Kështu ai, pa e pezulluar
luftën kundër suliotëve, filloi me zell detyrën
e re. Ushtria e madhe që grumbulloi për të
vendosur qetësinë në Rumeli, e sidomos në
Bullgari, sukseset e rrufeshme që pati kundër Osman
Pashës së Silistrës, kundër çetave
rebele dhe feudalëve të pabindur, si dhe pasuritë
e armët që shtiu në dorë kudo që
kaloi, shqetësuan kaq shumë qeveritarët osmanë,
sa këta përhapën fjalën se tepelenasi
po bëhej rrezik për fronin e sulltanit. Në
muajin qershor 1803 Selimi III, i cili pati më shumë
frikë sesa nevojë për të, e liroi nga
ai post dhe në vend të tij emëroi si vali të
Rumelisë vezir Ibrahim pashë Bushatlliun.
Edhe ky korri një varg suksesesh kundër feudalëve
rebelë. Madje në muajin nëntor 1804 pashai
Bushatlli përqendroi 30 000 ushtarë në Manastir.
Ky përqendrim në afërsi të Pashallëkut
të Janinës e shqetësoi Ali Pashën, i cili
pati frikë se mos i iknin nga duart 14 kaza që kishte
shkëputur nga sanxhaku i Manastirit. Prandaj u shpërngul
në Tepelenë dhe bëri përgatitje për
mbrojtje, duke hyrë në bashkëpunim me Ibrahim
Pashën e Beratit, tashmë rival i Bushatlliut për
sanxhakun e Elbasanit. Në maj të vitit 1805 Bushatlliu
filloi operacione luftarake për pushtimin e sanxhakut
të Elbasanit, që e qeveriste si shtesë Ibrahim
Pasha i Beratit. Mirëpo u gjend para qëndresës
së forcave ushtarake të dy sundimtarëve të
fuqishëm të Shqipërisë Jugore, të
cilët e detyruan të hiqte dorë nga synimi i
vet.
Ndërkohë po zhvilloheshin ngjarje të rëndësishme
politike në arenën ballkanike dhe në atë
evropiane. Pas fushatës kundër Republikës Franceze,
sulltan Selimi III, duke dashur të përforconte pushtetin
qendror në perandori, filloi zbatimin e reformave. Mirëpo
feudalët e mëdhenj provincialë në Gadishullin
Ballkanik, si Ismail bej Serezi, Tersekli Ogllui dhe Pasvan
Ogllui, u ngritën kundër reformave të sulltanit,
e veçanërisht kundër reformës ushtarake,
e cila parashihte organizimin e ushtrisë sipas mënyrës
evropiane. Me këta u bashkua edhe Ali Pasha, jo vetëm
pse dëshironte dobësimin e pushtetit qendror të
sulltanit për tu bërë sa më i pavarur,
por edhe sepse me sistemin e rekrutimit sipas mënyrës
evropiane do të goditej rëndë sistemi i rekrutimit
të ushtarëve me rrogë e bashkë me të
do të goditeshin edhe interesat e shtresës feudale
që mbështeste pushtetin e tij. Me nxitjen edhe të
Aliut, në korrik të vitit 1806, në Edrene u
rebeluan jeniçerët. Kështu për pushtetin
qendror u krijua një situatë shumë e rrezikshme,
që sulltanit reformator ia veniti hovin për të
vënë në jetë reformat.
Ndërkohë në fushën e marrëdhënieve
ndërkombëtare, Perandoria Osmane po afrohej me Francën
dhe po ftohej me Rusinë e Anglinë. Lufta me këto
dy shtete ishte bërë e pashmangshme. Si rrjedhim,
edhe diplomacia e këtyre shteteve po merrte tjetër
qëndrim ndaj vezirit të Janinës. Oborri i Petërsburgut
kërkoi nga kont Mocenigo të ndiqte një politikë
paqësore me të. Parisi i premtoi Aliut ta njihte
si sundimtar të pavarur, në rast se trupat frënge
do të pushtonin Gadishullin Ballkanik, dhe se do ta merrte
nën mbrojtje kundër çdo ndëshkimi nga
ana e sulltanit. Kur më 1806 Fransua Pukëvili (François
Pouqueville), i emëruar konsull i përgjithshëm
i Francës, mbërriti në Janinë në
krye të detyrës, i solli Aliut edhe premtimin e
Bonapartit se do ta ngarkonte me qeverisjen e Korfuzit, po
qe se nuk do të kursente ndihmën e tij për
dëbimin e rusëve që andej. Duke shpresuar se
do të siguronte përkrahjen e Napoleonit për
tu bërë sovran i pavarur, Aliu u mundua të
lidhej sa më ngushtë me Francën, aq më
shumë kur rusët vazhdonin të nxisnin besëlidhjen
e feudalëve kundërshtarë të tij. Me anë
të Pukëvilit ai i paraqiti qeverisë franceze
një plan bashkëpunimi ushtarak për dëbimin
e rusëve nga ishujt jonianë. Sipas këtij plani,
Ali Pasha do ti luftonte rusët me forcat e veta
gjatë bregdetit deri në Selanik, pastaj do të
merrte pjesë në nënshtrimin e serbëve,
lëvizja e të cilëve u shërbente rusëve.
Qeveria franceze e vonoi përgjigjen me prapamendim për
të mos i prerë hovin Ali Pashës, por edhe për
të mos e prishur me Portën e Lartë që
arriti ta bënte atë aleat të saj kundër
Rusisë dhe Anglisë.
Në dhjetor të vitit 1806, Porta e Lartë i shpalli
luftë Rusisë. Në janar 1807 Aliu arrestoi konsujt
rusë në territorin e vet dhe, i armatosur me artileri
nga francezët, u orvat të sulmonte ishullin e Shën
Maurës, por rusët ngritën kundër tij feudalët
çamë, kurse martallozët grekë i hodhën
në një revoltë të fuqishme në Thesali.
Aliu gjeti mënyrën se si të pajtohej me çamët,
kurse kundër revoltës së martallozëve
thesaliotë dërgoi Myftar Pashën, i cili e mbyti
në gjak dhe e shtypi atë. Kurse Napoleoni, duke
u nisur nga synimi që të siguronte aleancën
e Portës së Lartë dhe futjen e saj në
luftë me Rusinë e Anglinë, e këshilloi
Ali Pashën që interesat e vërteta të
tij ti shihte të lidhura me ato të Perandorisë
Osmane. Me fjalë të tjera, Franca nuk pranoi shkëputjen
e vezirit të Janinës nga shteti osman. Edhe pse
në këtë kohë Ali Pasha e trajtoi përfaqësuesin
e Francës me përzemërsi, marrëdhëniet
me këtë shtet nuk mbetën të përzemërta
dhe veziri i Janinës kërkoi të gjente një
mbështetje të jashtme që ta përkrahte
në synimet e tij.
Kur në pranverën e vitit 1807 filluan në Tilsit
bisedimet e paqes midis perandorëve të Rusisë
dhe të Francës, Aliu dërgoi përfaqësuesin
e vet për ti kujtuar Napoleonit I premtimin lidhur
me qeverisjen e Korfuzit. Mirëpo ky nuk e përfilli.
Si rrjedhim, marrëdhëniet me forcat frënge,
që u vendosën përsëri në ishujt jonianë,
u ftohën shumë. Pashai i Janinës u bë
pengesë e pakapërcyeshme për planet e Bonapartit
për zotërimin e Butrintit dhe për ta kthyer
këtë skelë në një bazë që
do tu shërbente forcave franceze për të
mbrojtur më mirë kanalin e Korfuzit dhe si pikënisje
për të depërtuar më vonë në
pjesën evropiane të Perandorisë Osmane.
Porta e Lartë e dha gojarisht pëlqimin për
dorëzimin e Butrintit në duart e komandës franceze
të Korfuzit, si dhe për kalimin e trupave franceze
nga Dalmacia në këtë pikëmbështetje
nëpërmjet tokave shqiptare. Mirëpo shqiptarët
si në veri, ashtu edhe në jug, e kundërshtuan
një veprim të tillë të Stambollit. Në
këto rrethana, Ali pashë Tepelena, Ibrahim pashë
Bushatlliu dhe pashallarët e tjerë shqiptarë,
nuk i pranuan kërkesat franceze. Ata lanë mënjanë
mosmarrëveshjet e tyre dhe u përgatitën për
mbrojtjen e përbashkët. Në shkurt të vitit
1808 gjenerali Bertje kërkoi dorëzimin e Butrintit.
Pasi u deklaroi diplomatëve dhe ushtarakëve francezë
se nuk do ta lëshojë Butrintin dhe asnjë
pëllëmbë të tokës shqiptare pa luftë
... e se francezët nuk do të kalonin në vendin
e tij veçse mbi valë gjaku, Ali Pasha e
shpalli në popull ultimatumin francez dhe bëri thirrje
për mbrojtje. Popullsia e përkrahu qëndrimin
e vezirit të Janinës. Po kështu bëri edhe
Porta e Lartë, e cila anuloi pëlqimin gojor që
u kishte dhënë francezëve. Për të
mos i prishur marrëdhëniet me Stambollin që
e ndryshoi qëndrimin e vet, Bonaparti largoi gjeneralin
Bertje nga Korfuzi, ashtu siç largoi edhe ambasadorin
Sebastian nga Stambolli. Por plani i tij dështoi. I armiqësuar
tani si me Rusinë, ashtu edhe me Francën, Ali Pasha,
për të mbrojtur qytetet bregdetare, u drejtua nga
Anglia, me të cilën ishin vendosur kontaktet e para
qysh më 1803. Përfaqësuesit anglezë në
Stamboll e Patras i kishin dhënë pashait të
Janinës informata rreth veprimeve të rusëve
kundër tij dhe kishin nxitur popullsinë myslimane
ta përkrahte atë. Më 22 prill 1806, në
Janinë u vendos konsulli anglez J. P. Morier. Me këtë
rast Ali Pasha u përpoq të përmirësonte
marrëdhëniet e tij me agallarët çamë
të përkrahur nga rusët. Edhe Morieri ishte
i mendimit se rusët do të kishin më shumë
përfitime, nëse do ta kishin mik vezirin e Janinës
sesa armik, prandaj i këshilloi të hynin në
bisedime me të. Por edhe pse filluan, këto bisedime
u ndërprenë sidomos nga fundi i vitit 1806, kur
politika osmane mori drejtim profrëng dhe Stambolli i
shpalli luftë Rusisë e pastaj, edhe aleates së
saj, Anglisë.
Në nëntor të vitit 1807, kur i kishte prishur
marrëdhëniet me Francën, Aliu i rifilloi bisedimet
me anglezët për të siguruar të paktën
mbështetjen e tyre. Më 1808 ai nisi për në
Londër një përfaqësuesin e vet, Said Ahmetin,
që të shfaqte gatishmërinë e vezirit të
Janinës për të ndërmjetësuar në
Stamboll rreth përfundimit të paqes midis Perandorisë
Osmane e Mbretërisë Angleze dhe për të
ndihmuar forcat detare të saj kundër francezëve.
Vrasja e sulltan Mustafait IV dhe sidomos vrasja e Mustafa
pashë Bajraktarit bënë që politika profrënge
të fashitej dhe të miratohej përfundimi i traktatit
të paqes me Anglinë në fillim të muajit
janar 1809. Ali Pasha, që kishte luajtur një rol
me rëndësi në këto ngjarje, vazhdoi përpjekjet
për zgjerimin e pashallëkut në drejtim të
Shqipërisë Jugore. Pasi u arrit paqja midis Londrës
e Stambollit, në shkurt të vitit 1809, qeveria angleze
i dërgoi atij si dhuratë një pajisje të
plotë artilerie me predha ndezëse, një nga
prodhimet e fundit të armëve të kohës.
Bashkë me këtë dhuratë, në Janinë
erdhi dhe u vendos si përfaqësues diplomatik i qeverisë
angleze V. M. Lik (William Martin Leake). Në këtë
atmosferë, më 1809, e vizitoi Ali Pashën edhe
Xhorxh Bajroni me Hobharzin. V. M. Lik nuk solli me vete përgjigjen
ndaj propozimit të Ali Pashës për aleancën
me Anglinë dhe për ta marrë atë në
mbrojtjen e saj siç i kishte premtuar edhe në
bisedimet e fshehta. Pasi siguruan aleancën me Portën
e Lartë, anglezët skishin më nevojë
për një aleancë me Aliun kundër francezëve.
Madje Liku e këshilloi Aliun të mos ndërmerrte
veprime luftarake kundër francezëve. Atëherë
Aliu u përgatit të asgjësonte aleatët
vendas të francezëve. Rasti i përshtatshëm
iu paraqit atij me vdekjen e Ibrahim pashë Bushatlliut
dhe me grindjet në Shkodër për punën e
trashëgimisë së pushtetit.
Duke pasur një farë përkrahjeje nga ana e qeverisë
angleze, duke bërë për vete grupimin e fortë
të çifligarëve beratas që kryesonte
Omer bej Vrioni dhe duke shfrytëzuar kohën kur Porta
e Lartë gjendej në luftë me Rusinë dhe
se telashet e saj me kryengritësit serbë u bënë
me të vërtetë serioze, Ali Pasha iu vu pushtimit
të plotë të sanxhakut të Vlorës dhe
të Elbasanit. Nën drejtimin e të birit, Mustafa
Pashës, ai i hyri pushtimit të sanxhakut të
Vlorës duke filluar nga kryeqendra e tij, Berati. Aliu
dërgoi drejt këtij qyteti një ushtri të
fortë. Pas katër muaj luftimesh, Ibrahim Pasha i
Beratit kërkoi paqe, duke i lënë Ali Pashës
një pjesë të sanxhakut të vet dhe duke
hequr dorë nga sanxhaku i Elbasanit. Këtë sanxhak
sulltani ia njohu nipit të Aliut, Mehmet Pashës.
Për të shmangur zemërimin e sulltanit, Aliu
nuk vonoi të dërgonte një pjesë të
forcave të tij në front. Me pjesën tjetër
të ushtrisë ai ndërmori në vjeshtë
një sulm të dytë e të befasishëm
kundër Beratit, të cilin këtë herë
e pushtoi. Ibrahim Pasha u mbyll në kështjellë.
Por përpara se ti vinte ndihma nga aleatët
e vet, nga feudalët çamë dhe nga Mustafa
pashë Delvina dhe i braktisur nga ushtarët e vet,
Ibrahim Pasha u detyrua në fillim të vitit 1810
të pranonte kushtet e kapitullimit dhe të tërhiqej
në Vlorë. Përpjekjet e tij për të
rifituar tokat e humbura patën një sukses kalimtar
me ripushtimin e përkohshëm të Beratit. Por
gjatë veprimeve luftarake të mëtejshme Ibrahim
Pasha dështoi dhe flota e vezirit të Janinës
e ndihmuar prej anglezëve e mbajti atë të bllokuar.
Bashkë me Beratin mori fund edhe nënshtrimi i pjesës
së papushtuar të Himarës, shumica e banorëve
të lirë të së cilës ishin lidhur
me francezët duke shërbyer në formacionet ushtarake
të tyre. Ali Pasha e bllokoi krahinën nga deti dhe
nga toka, zbarkoi së pari në Vuno e pastaj në
Himarë, Piqeras e Dhërmi ku vendosi garnizone dhe
mori pengje. Më 24 dhjetor 1810 krahina e Himarës
u detyrua të nënshtrohej.
Pas nënshtrimit të Himarës, feudalët çamë,
të gjendur përballë kundërshtimit të
popullsisë çame, e cila e shihte pushtetin e vezirit
të fuqishëm të Janinës si mbrojtës
të vetëm të interesave të saj, pranuan
njëri pas tjetrit të hynin nën kontrollin e
tij. Në muajin qershor 1811 iu nështruan edhe njëzet
e dy krerë të Dukatit (rrethi i Vlorës) që
kishin qenë lidhur deri atëherë me Ibrahim
Pashën. Për garanci të besnikërisë
së tyre ata i dhanë pengje Ali Pashës. Kështu
ra në duart e tij edhe Pashalimani.
Ndërkohë, krahas krahinave bregdetare vazhdoi edhe
nënshtrimi i brendisë së vendit. Jashtë
kontrollit mbetën ende Gjirokastra, Kardhiqi, Zhulati
e Vlora, si dhe zonat fshatare të Nivicës, të
Malëshovës e të Kuçit. Marrja e qytetit
të Vlorës paraqiste vështirësi, sepse
binte ndesh me këmbënguljen e Portës së
Lartë për të mos e zhveshur nga pushteti Ibrahim
Pashën, të cilin e përkrahte diplomacia franceze.
Por nuk vonoi që edhe kjo nyje të zgjidhej. Ali
Pasha mundi të shtinte në dorë faktet që
zbuluan se Ibrahim Pasha ishte orvatur tua dorëzonte
Vlorën francezëve. Kështu Porta e Lartë
mori anën e Aliut dhe hodhi poshtë të gjitha
akuzat franceze kundër vezirit të Janinës.
Ajo nuk kundërshtoi pushtimin më 1 gusht 1811 të
Vlorës nga Ali Pasha, me të cilin u bashkuan edhe
krerët feudalë vlonjatë. Përkundrazi urdhëroi
vrasjen e Ibrahim Pashës që u arratis në malet
e Labërisë. Por Ali Pasha mundi ta shtinte në
dorë dhe nuk e vrau, e strehoi në Konicë e
pastaj në sarajet e veta në Janinë, duke e
lënë atë dhe djalin e tij Sulejman Pashën,
nën kujdesin e grave të Myftarit dhe Veliut, që
ishin bijat e Ibrahimit.
Rënia e Vlorës dhe premtimi që emisari francez
nga Stambolli u bëri krerëve të Shqipërisë
së Jugut, për tu siguruar përkrahjen
e Portës së Lartë dhe të komandës
franceze të Korfuzit, i vuri këta në lëvizje.
Në fund të muajit gusht 1811, Mustafa pashë
Delvina, i vëllai i Sali Beut, Demir Dosti i Kardhiqit,
bejlerët e Gjirokastrës dhe agallarët e Zhulatit,
u lidhën midis tyre në kuvendin e Palavlisë
dhe vendosën ti kundërviheshin me 10 000 ushtarë
shtrirjes së mëtejshme të pushtetit të
vezirit të Janinës. Prandaj më 9 tetor Aliu
nisi 2 000 ushtarë kundër Gjirokastrës. Mustafa
Pasha e i vëllai ngritën krye duke dëbuar njerëzit
e vezirit. Atëherë kundër tyre Ali Pasha dërgoi
një ushtri tjetër, e cila i detyroi të dy vëllezërit
të braktisnin Delvinën e të shkonin në
Kardhiq. I rrethuar prej dy ushtrive të Aliut, qyteti
i Gjirokastrës, pas marrëveshjes që u arrit
me bejlerët vendas, u dorëzua më 20 nëntor
1811. Nën presionin e banorëve dhe me ndërmjetësinë
e motrës së vezirit Shanishasë, bejlerët
vendas u detyruan ti nënshtroheshin pasi artileria
prishi ujësjellësin dhe mullinjtë e qytetit.
Pas kësaj ngjarjeje agallarët e Zhulatit u tërhoqën
nga beslidhja kundër Ali Pashës dhe iu nënshtruan
atij pa luftë. Mbeti vetëm Kardhiqi, krerët
e të cilit vendosën të luftonin.
Luftimet zgjatën nga muaji nëntor 1811 dhe deri
nga fundi i muajit shkurt 1812. Forcave rrethuese të
Aliut iu desh të bënin sakrifica të shumta
për të përparuar duke shembur njërën
pas tjetrës shtëpitë fortesa ku qëndronin
mbrojtësit e qytezës. Luftimet do të zgjasnin
edhe më, po të mos qe ndërhyrja e shtresave
të ulta qytetare që i detyroi krerët të
ndërprisnin luftën, e cila u bë e pashpresë
sidomos pas ikjes fshehurazi të emisarit francez në
Korfuz. Mustafa Pasha, Demir Dosti e të tjerë u
dorëzuan dhe u dërguan në Janinë ku u
burgosën. Aty mjaft prej tyre u pushkatuan me përjashtim
të Mustafa Pashës, i cili vdiq më vonë
në burg. Mirëpo Ali Pasha nuk la pa ndëshkuar
qytezën dhe banorët e saj që i kundërshtuan
me luftë. Ndryshe nga trajtimi i qyteteve të tjera,
përveç djegies fund e majë të Kardhiqit,
ai pushkatoi edhe shtatëqind meshkuj. Ky akt i rëndë
hakmarrës për gjakun e derdhur gjatë luftimeve
duket se u bë edhe si masë frikësimi politik
për të shmangur kundërshtimet e tjera në
rrugën e pushtimeve të mëtejshme drejt veriut
të Shqipërisë.
Porta e Lartë pranoi kërkesën e vezirit të
Janinës që Myftar Pasha të emërohej qeveritar
i sanxhakut të Vlorës. Duke vënë nën
pushtetin e vet Thesalinë, Morenë dhe Shqipërinë
Jugore nga Preveza deri në Shkumbin, familja e Ali pashë
Tepelenës arriti kulmin e fuqizimit të vet. Me shtrirjen
e pushtetit të vezirit të Janinës në gjithë
Shqipërinë e Jugut, u bë një hap i rëndësishëm
përpara për bashkimin politik të trojeve shqiptare.
Ky ishte një objektiv, drejt të cilit bashkoheshin
synimet e feudalëve më të fuqishëm shqiptarë
të çerekut të parë të shek. XIX.
4. PASHALLËKU I SHKODRËS NË VITET 1797-1812
Pashallëku i Shkodrës nën qeverisjen e
Ibrahim pashë Bushatlliut (1797-1809)
Ndërsa po fuqizohej e zgjerohej Pashallëku i Janinës
dhe po theksoheshin prirjet e sundimtarit të tij për
tu shkëputur nga varësia e Portës, Pashallëku
i Shkodrës, hyri në vitet e fundit të shek.
XVIII, kur qeverisej nga Ibrahim pashë Bushatlliu, në
rrugën e bindjes ndaj Stambollit. Këtë veprim
e bëri me kusht që interesat e shtresës së
tij dhe sidomos trashëgimia e pushtetit nga familja e
tij të mos cenoheshin. Si përfaqësues i grupit
më të fuqishëm feudal në Shkodër,
ai u njoh prej sulltanit në maj ose në qershor 1797
si qeveritar i Pashallëkut të Shkodrës me gradën
bejlerbej, kurse i nipi Mehmet Pasha u emërua qeveritar
i sanxhakut të Elbasanit e, pak më vonë, edhe
i atij të Ohrit. Por kjo njohje u arrit vetëm pasi
ata pranuan shlyerjen e shumave të detyrimeve të
prapambetura nga Kara Mahmudi, i cili i kishte përdorur
ato për të financuar kryengritjen. Porta e Lartë
u besoi atyre pushtetin si pjesëtarë të së
vetmes familje që mund të ngrinte shqiptarët
e Veriut për mbrojtjen e kufijve në një kohë
kur armata franceze, e komanduar prej gjeneral Napoleon Bonapartit,
po korrte fitore pas fitoresh, po i jepte fund Republikës
së Venedikut dhe po u afrohej kufijve veriperëndimorë
të Perandorisë Osmane.
Për ta përdorur në mbrojtjen e kufijve të
perandorisë dhe kundër fuqizimit të Pashallëkut
të Janinës, Porta e Lartë i dha Ibrahim Pashës
gradën e vezirit më 1799, kur këtë gradë
ia dha edhe Ali pashë Tepelenës, që kishte
mbajtur qëndrim të vendosur kundër rrezikut
francez.
Ky rrezik, që e detyroi sulltanin të harronte të
kaluarën e shtëpisë së Bushtallinjve,
e detyroi edhe Ibrahim Pashën të ndiqte një
politikë bindjeje ndaj Stambollit për të gjetur
përkrahjen që i nevojitej. Veziri Bushatlli, ashtu
si paraardhësit e tij, nuk e ndërpreu kursin e politikës
së brendshme të ndjekur prej tyre dhe sidomos politikën
e tolerancës fetare ndaj të krishterëve. Për
rrjedhim, ai i ruajti marrëdhëniet e vjetra me Papatin,
me oborrin e Spanjës dhe vazhdoi me Austrinë marrëdhëniet
e mira ekonomike që kishte pasur me Venedikun. Ish zëvendëskonsulli
venedikas, tani austriak, Jak Mark Suma, vazhdoi funksionin
që kishte pasur deri në traktatin e Kampo Formios.
Po kështu u soll Ibrahim Pasha edhe me Republikën
e Raguzës.
Në sajë të kësaj politike të brendshme
e të jashtme, Pashallëku i Shkodrës njohu për
disa vjet një periudhë relativisht të qetë,
që i dha mundësi zhvillimit ekonomik të vendit
dhe rritjes së mëtejshme të autoritetit të
Ibrahim Pashës në Shqipërinë Veriore.
Ai u bë sundimtar i pavarur e zot absolut në vendin
e tij. Më 1802 vdiq Mehmet Pasha dhe sanxhaku i Elbasanit
kaloi në duart e Ali Pashës së Beratit. Megjithëse
midis vezirit të Shkodrës e atij të Beratit
filluan mosmarrëveshje për punë të këtij
sanxhaku, sulltani duke parë te Bushatlliu një nga
funksionarët e lartë më të bindur, në
tetor 1803 ia besoi atij postin e valiut të Rumelisë,
pasi ia hoqi atë Ali pashë Tepelenës. Detyrën
që iu ngarkua në vitin 1804, për të shfarosur
një varg krerësh separatistë në Rumeli,
Ibrahim Pasha e përmbushi me sukses.
I kënaqur prej valiut shkodran, sulltani jo vetëm
ia konfirmoi ofiqet dhe sipërmarrjet që kishte pasur,
por i dha atij edhe të drejtën të emëronte
në sanxhakun e Elbasanit dhe të Dukagjinit njerëzit
që dëshironte vetë. Bushatlliu emëroi
në Elbasan dhëndrin e vet Ahmet pashë Tiranën,
kurse në Pejë ithtarin e vet Mustafa pashë
Gjakovën. Kështu Pashallëku i Shkodrës
arriti përpjesëtimet tokësore që kishte
pasur në kulmin e sukseseve të vezirëve Bushatllinj
paraardhës.
Mirëpo ky përforcim i pushtetit të Ibrahim
Pashës së Shkodrës zgjoi shqetësimin e
Ali pashë Tepelenës, i cili u tremb se mos valiu
shkodran do të shtinte në dorë edhe 14 kazatë
që ai kishte shkëputur nga sanxhaku i Manastirit,
të cilat i përkisnin Bushatlliut si vali. Kjo e
shtyu Alinë të pajtohej me vezirin e Beratit dhe
të përgatitej për luftë kundër Bushatlliut.
Ishte koha kur kishte shpërthyer kryengritja serbe dhe
malazezët, të nxitur dhe prej rusëve, filluan
trazira në kufi. Ibrahim pashë Bushatlliu ndërmori
një ekspeditë kundër Malit të Zi, me anë
të së cilës shkëputi prej tij krahinat
e Kuçit, të Piprit dhe të Kelmendit, mirëpo
nuk i eci puna mbarë ndaj dy vezirëve toskë
që korrën fitore kundër trupave të tij
në Ohër e në Elbasan. Kjo grindje mund të
shndërrohej në një luftë të madhe
po të mos ndërhynte Porta për fashitjen e saj.
Në dhjetor 1805 Selimi III e konfirmoi përsëri
Bushtalliun në postin e valiut të Rumelisë
edhe për vitin 1806. Një nga detyrat më me
rëndësi që i ngarkoi Porta Bushatlliut ishte
shtypja e kryengritjes serbe. Në korrik 1806 bashkë
me vezirët e Bosnjës dhe të Vidinit ai ndërhyri
me forcat e tij kundër kryengritjes në Serbi. Serbët
kërkuan pezullimin e luftimeve. Porta e Lartë, që
nuk deshi të hynte në luftë me Rusinë
ku e shtynte Franca, pranoi. Ibrahim Pasha, i cili prishi
marrëdhëniet e veta me mirditasit duke vrarë
prijësin e tyre, u largua para kohe duke paraqitur pretekste
të ndryshme, si mungesë furnizimi etj. Kronika shkodrane
thotë se kthej pa fare dobijet në Shkodër.
Porta e Lartë e shkarkoi nga detyra e valiut të
Rumelisë, edhe nga ajo e kryekomandantit ushtarak të
ekspeditës kundër Serbisë.
Ndërkohë francezët kishin pushtuar Dalmacinë
dhe kishin mbërritur deri në kufijtë e Pashallëkut
të Shkodrës. Qeveria franceze dërgoi në
Shkodër, ashtu siç kishte dërguar në
Janinë, përfaqësuesin e vet, konsullin Mark
Bryer, me mision të lidhte e të forconte marrëdhëniet
miqësore. Bushatlliu u druhej fqinjëve të rinj
të fuqishëm, prandaj mbajti ndaj tyre qëndrim
të rezervuar e korrekt dhe nuk pranoi të merrte
anën e tyre as përpara dhe as gjatë luftës
ruso-turke që filloi në mbarim të vitit 1806.
Jo vetëm nuk pranoi të bashkëpunonte me gjeneralët
francezë kundër Malit të Zi, por as të
rekrutonte ushtarë me rrogë në pashallëkun
e tij. Ai shfaqi dëshirën të vendoste marrëdhënie
miqësore në interes të të dy palëve,
gjë që e miratoi edhe qeveria franceze. Mirëpo
këto marrëdhënie hasën në pengesa
të shumta si nga korsarët francezë që
kapnin anijet shkodrane, ashtu dhe nga aparati administrativ
burokratik francez, drejtuesit e të cilit kërkonin
të nxirrnin përfitime për veten e tyre.
Traktati i Tilsitit (më 1807) i dha fund konfliktit franko-rus
dhe ngjalli shpresa se paqja do të krijonte kushte për
zhvillimin më të mirë të marrëdhënieve
tregtare me vendet e tjera. Ibrahim pashë Bushatlliu
si çifligar i madh, si pjesëmarrës në
veprimtarinë tregtare e lundrimore dhe si qeveritar i
një qyteti të madh tregtar si Shkodra, shumica e
banorëve të së cilës jetonin me tregti,
i përmirësoi marrëdhëniet me konsullin
Bryer dhe lejoi disa favore në dobi të fqinjëve
lidhur me furnizimin me ushqime e me lëndë druri.
Por mosbesimi që kishte ndaj francezëve mbeti. Duke
përfituar nga përvoja e hidhur e miqësisë
së Ali pashë Tepelenës me ta, ai filloi ta
shihte miqësinë me Perandorinë Franceze si
rrezik të afërt për pushtimin e Shqipërisë,
aq më shumë kur edhe Porta e Lartë deklaronte
se në Tilsit ishin marrë vendime sekrete kundër
Perandorisë Osmane dhe se ndërmjetësimi i Francës
për rivendosjen e paqes me Rusinë ishte i rremë.
Prandaj, edhe sipas udhëzimeve të Stambollit, ai
filloi përgatitjen për mbrojtje dhe, në të
njëjtën kohë, u afrua me vezirët e Beratit
dhe të Janinës për lidhje ushtarake si e vetmja
rrugë për mbrojtjen e pushtetit të tyre dhe
të gjithë vendit. Ultimatumi që guvernatori
francez i Korfuzit i dërgoi Ali pashë Tepelenës
për ti dorëzuar Butrintin se ndryshe do ta
pushtonte me forcë, si dhe kërkesa e autoriteteve
ushtarake franceze për të kaluar një divizion
ushtarësh nëpër tokën shqiptare shkaktuan
shqetësime në Shqipëri. Në këto rrethana
edhe popullsia e Shqipërisë Veriore, sikurse ajo
e pjesëve të tjera të Shqipërisë,
bashkë me krerët e saj, shfaqi zemërim ndaj
fqinjit të huaj dhe u rreshtua rreth vezirit të
vet, e gatshme për të mbrojtur vendin. Konsulli
Bryer shkruante në këtë kohë se kokat
e njerëzve ishin nxehur më shumë sesa kujtonte
veziri i Shkodrës. Bushatlliu, ndonëse nuk
i reshti masat mbrojtëse dhe njoftoi edhe krerët
e malësive të ishin gati për luftë, nuk
e ndërpreu veprimtarinë e vet diplomatike për
të ruajtur marrëdhëniet paqësore me Francën.
I ndërgjegjshëm për pasojat shumë të
rënda që do të sillte një luftë me
Francën, ai i deklaroi konsullit Bryer se në një
rast të tillë, më shumë se kushdo tjetër
ishte ai dhe vendi i tij që do të pësonin po
të prisheshin marrëdhëniet paqësore, por,
në qoftë se lufta do të bëhej e pashmangshme,
ai do të kryente detyrën e vet.
Përpjekjet e Ibrahim Pashës për të mos
provokuar konfliktin e armatosur dhe për të ruajtur
gjendjen paqësore dështuan. Vrasja e katër
ushtarakëve francezë në Tivar më 13 mars
1808, që erdhi si pasojë e sjelljes së tyre
arrogante dhe e urrejtjes së tivarasve ndaj tyre, solli
rrjedhime të rënda në marrëdhëniet
fqinjësore.
Megjithëse hetimet nxorën në dritë fajësinë
e katër oficerëve francezë dhe me gjithë
kujdesin e veçantë të vezirit të Shkodrës
e të vartësve të tij, në Tivar për
të mënjanuar incidentin, kryekomandanti i ushtrisë
së Dalmacisë, gjenerali Marmon e akuzoi Ibrahim
Pashën te perandori Napoleon si shkaktar të vrasjes
së katër oficerëve dhe i kërkoi dënimin
e komandantit të Tivarit e të personave të
tjerë pjesëmarrës në këtë vrasje.
Në të njëjtën kohë, gjenerali Marmon
burgosi të dërguarin e vezirit të Shkodrës,
që 11 ditë më parë i kishte shpënë
dhurata në shenjë miqësie.
Napoleon Bonaparti kërkoi të ndëshkoheshin
shkaktarët e vrasjes së oficerëve francezë
në Tivar, urdhëroi që të kërkohej
sadisfaksioni i plotë, ndryshe konsulli Bryer do të
largohej nga Pashallëku i Shkodrës me gjithë
shtetasit francezë që gjendeshin aty. Edhe ky urdhër
kishte karakterin e një ultimatumi. Por, ashtu siç
dështoi ultimatumi për pushtimin me forcë të
Butrintit, dështoi edhe ky. Sa për sy e faqe Ibrahim
Pasha, i përkrahur nga vezirët e Beratit e të
Janinës, si dhe nga Porta e Lartë, e pushoi nga
detyra komandantin e Tivarit dhe e goditi këtë qytet.
Kurse francezët, që nuk kishin interes ti
prishnin marrëdhëniet diplomatike me Portën
e Lartë dhe që kishin nevojë për furnizime
me ushqime, nuk e zgjatën më tej çështjen
e sadisfaksionit. Si përfundim, marrëdhëniet
tregtare u normalizuan, por ngjarje të rëndësishme
në pashallëk e zhvendosën vëmendjen e
Ibrahim Pashës nga politika e jashtme në atë
të brendshme.
Ndërsa filluan të normalizoheshin marrëdhëniet
fqinjësore me francezët dhe të gjallëroheshin
shkëmbimet tregtare, që përbënin një
nga preokupimet kryesore të shkodranëve, në
Tiranë lindi një konflikt i rëndësishëm
brenda pashallëkut që solli rrjedhime serioze me
karakter politik dhe ekonomik në Shqipërinë
e Veriut dhe shënoi fillimin e procesit të shpërbërjes
së Pashallëkut të Shkodrës.
Vdekja e Ahmet pashë Tiranës që ndodhi në
këtë kohë, shtroi për Ibrahim pashë
Bushatlliun dy çështje me rëndësi: së
pari, zëvendësimin e tij me një komandant besnik
në krahinën e Tiranës, dhe së dyti, sigurimin
e administrimit të pasurisë së dhëndrit
të vdekur, e cila u përkiste vajzave të mitura
që la pas. Për këtë ai shkoi vetë
në Tiranë i shoqëruar nga një forcë
e rëndësishme ushtarake. Për komandant vendosi
Sulejman pashë Peqinin, megjithëse paria e Tiranës
nuk e deshi, kurse për administrator caktoi të bijën,
Humajun hanëmin, nënën e vajzave trashëgimtare.
Pas largimit të vezirit shkodran, paria e Tiranës
ngriti krye më 19 nëntor 1808. E lidhur me Kapllan
pashë Toptanin, ajo dëboi me forcë Sulejman
Pashën, kurse Kapllan Pasha nisi për në Shkodër
Humajun hanëmin dhe mori vetë në dorë
administrimin e pasurisë së Ahmet Pashës së
vdekur, duke u bërë kujdestari i vajzave të
tij. Kështu filloi armiqësia e vjetër e Bushatllinjve
me Toptanët, të cilët jo vetëm prenë
rrugën me Shkodrën, por rrethuan edhe Durrësin,
të cilit i mbetën hapur vetëm rrugët detare
për të komunikuar me Shkodrën.
Zgjidhja e këtij konflikti shumë të rëndësishëm
nuk mund të arrihej veçse me forcën e armëve.
Në muajin shkurt 1809, veziri Bushatlli dërgoi kundër
Tiranës një pjesë të rëndësishme
të ushtrisë, të përbërë kryesisht
prej malësorësh, nën drejtimin e komandantit
të gardës së vet, Abdyl agë Dervishit.
Por zgjidhja që kërkoi të arrinte Ibrahim Pasha
nuk u arrit, sepse pas një sëmundjeje prej pesë
ditësh ai vdiq dhe ushtria u kthye në Shkodër
për të vendosur rendin. Kështu krahinat e Tiranës
dhe të Krujës mbetën të shkëputura
nga Pashallëku i Shkodrës. Kjo shënoi fillimin
e procesit të shthurjes së këtij pashallëku.
Ibrahim Pasha la pas dy djem të rritur, Tahir Pashën
dhe Dervish Beun. Porta e Lartë ia la pushtetin Tahir
Pashës, por meqenëse ai ishte i mitur (nuk kishte
mbushur as pesë vjeç) lindi grindja në gjirin
e oborrit të Shkodrës për çështjen
e qeverisjes, që hapi rrugë për një thellim
të mëtejshëm të procesit të thërmimit
të pashallëkut të Shqipërisë Veriore.
Megjithëse gjatë viteve 1796-1809 vezir Ibrahim
pashë Bushatlliu u tregua më i bindur ndaj Portës
së Lartë sesa paraardhësi i tij Kara Mahmudi,
në të vërtetë ishte po aq i pabindur sa
edhe i vëllai. Parimi i përparësisë së
interesave të pashallëkut të vet ndaj atyre
të perandorisë mbeti edhe për të princip
udhëheqës i marrëdhënieve me pushtetin
qendror. Ky qëndrim i dha atij mundësinë që
jo vetëm të mbetej në radhën e parë
të feudalëve të krahinave, që faktikisht
ishin autonomë, por edhe të shtrinte pushtetin e
familjes së vet në kufijtë maksimalë që
kishte arritur Pashallëku i Shkodrës në periudhën
më të lulëzuar të të atit dhe të
vëllait të vet.
Kur konflikti i madh evropian mbërriti në kufijtë
veriperëndimorë të Perandorisë Osmane
dhe kur i gjithë vendi, e sidomos Shqipëria e Veriut
u gjend në vijën e parë të rrezikut të
pushtimit që sillte me vete ky konflikt, Pashallëku
i Shkodrës mundi ti përballonte pa pasoja
të rënda politike dhe ekonomike synimet grabitqare
të shteteve të fuqishme ruse e franceze. Për
rrjedhim, veprimtaria ekonomike e brendshme dhe e jashtme
ndoqi një ritëm thuajse normal. Ky ishte fryt i
politikës së aleancës ushtarake midis vezirëve
e pashallarëve vendas, të cilët, përpara
kërcënimit që të humbisnin gjithçka,
u detyruan të hiqnin dorë nga rivalitetet e tyre
dhe ndihmuan njëri-tjetrin me mjete dhe ushtarë
derisa u kapërcye rreziku me tërheqjen e fqinjëve
agresorë francezë. Ky bashkëveprim, i mbështetur
në ndjenjat patriotike të popullsisë shqiptare
që ata qeverisnin, e detyroi edhe Portën e Lartë
të hiqte dorë nga premtimet që u kishte dhënë
francezëve për të shkelur dhe për të
përdorur trojet shqiptare në dobi të luftës
së tyre.
Ibrahim Pasha, ashtu sikurse Ali pashë Tepelena, mbajti
kundrejt rrezikut të jashtëm një qëndrim
të mençur e burrëror. Kurse në çështjen
e bashkimit të Shqipërisë nën një
pushtet të vetëm e të përqendruar politik
dhe të shkëputjes së saj nga varësia politike
e Portës së Lartë ose për tu bërë
një shtet autonom brenda suazës së Perandorisë
Osmane, ai u tregua konservator. Megjithatë, Ibrahim
Pasha, në kushtet e ndarjes së Shqipërisë
në vezirate dhe pashallëqe, arriti të mbante
të bashkuar pjesën më të madhe të
Shqipërisë së Veriut dhe krijoi kështu
kushtet për zhvillimin ekonomik të vendit. Ky nivel
ekonomik, shoqëror e kulturor, që u sigurua në
Shqipëri, nxiste më shumë prirjen drejt bashkimit
politik të vendit. Fillimi i procesit të shthurjes
së Pashallëkut të Shkodrës me shkëputjen
e krahinave të Tiranës dhe të Krujës nga
varësia e vezirit të Shkodrës dhe afrimi e
lidhja e tyre me vezirin e Janinës, si dhe kalimi i Shqipërisë
së Jugut nën pushtetin e Ali pashë Tepelenës,
që eci me ritme të shpejta, sidomos pas vdekjes
së Ibrahim pashë Bushatlliut, ishin shprehje të
qarta të prirjes së vendit drejt bashkimit politik
Grindjet për pushtet në Pashallëkun e Shkodrës
Menjëherë mbas vdekjes së Ibrahim Pashës,
u formua regjenca nën kryesinë e qehajait të
vezirit, Sali bej Koplikut, Sulejman Beut të vogël
dhe të Mehmet agë Tabakut, që ishin tre nga
bashkëpunëtorët kryesorë të vezirit
të vdekur. Regjenca mori pushtetin në emër
të Tahir Pashës pesëvjeçar dhe u mundua
të ruante rendin e qetësinë. Kjo ishte një
masë e nevojshme veçanërisht kur doli në
dritë rreziku i shpërbërjes së pashallëkut,
që filloi me ngjarjet e Tiranës. Por, me kthimin
e ushtrisë nga Tirana, doli si pretendent për të
marrë pushtetin Xheladin Beu, kushëri i vezirit,
i përkrahur nga vëllezërit Dervishaj, njëri
komandant i gardës dhe tjetri hazinedar (përgjegjës
i thesarit) i vezir Ibrahim Pashës. Këta pretendonin
se detyra e myteselimit të Tahir Pashës i takonte
Xheladin Beut, meqenëse ai ishte më i moshuari në
farefisin e vezirit të vdekur dhe se vetë Ibrahim
Pasha atë e linte si mëkëmbës sa herë
që largohej nga Shkodra. Në të vërtetë
Dervishajt synonin ta drejtonin vetë pashallëkun,
meqë Xheladin Beu ishte njeri i pazotë. Por synimet
e tyre ndeshnin në antipatinë e krerëve shkodranë
dhe të popullsisë së qytetit të Shkodrës
ndaj Xheladin Beut. Krahas këtij grupi doli një
tjetër, i cili duke u mbështetur në pjesën
më të madhe të shkodranëve, kërkonte
ti jepte pushtetin Mustafa Beut, djalit 13-14 vjeçar
të Mehmet pashë Bushatlliut, kujtimi i mirë
i të cilit si burrë i virtytshëm ruhej ende
në Shkodër. Ky pinjoll Bushatlli përkrahej
edhe nga veziri i Janinës, që kishte fejuar mbesën
e vet me të. Ali Pasha i njoftoi krerët feudalë
shkodranë se kishte ndërhyrë në favor
të tij pranë Portës së Lartë. Ky
interesim, që në dukje lidhej me krushqinë,
nuk ishte i zhveshur nga interesa politike me bazë bashkimin
politik, vullnetar e paqësor të Shqipërisë.
Më 7 mars 1809 në Shkodër plasi një zjarr
i shkaktuar nga grindjet midis grupeve rivale. Ky zjarr u
fashit pas djegies së një lagjeje të qytetit,
dhe pas marrëveshjes së krerëve kryesorë
për tia lënë qeverisjen e përkohshme
Xheladin Beut. Mirëpo, duke pasur frikë se mos humbiste
pushtetin dhe meqë Koplikajt, sipas tij, ishin nxitës
të një komploti që synonte ti jepte qeverisjen
Mustafa Beut, Xheladin Beu vrau Sulejman Beun e vogël.
Atëherë, për ti dalë përpara
përçarjes së mëtejshme dhe luftës
civile, krerët e shkarkuan Xheladin Beun nga funksioni
që i kishin besuar dhe ia kaluan atë Mustafa Beut,
të bindur se vetëm autoriteti i derës së
Bushatllinjve do të shpëtonte pashallëkun dhe
do të mënjanonte luftën civile.
Xheladin Beu megjithëse u ngrit me 300 pasuesit e tij
kundër myteselimit të ri dhe luftoi i mbyllur në
sarajet e veta, u detyrua të dorëzohej me kusht
që të largohej nga qyteti pa iu prekur pasuria.
Ky sukses si dhe nënshtrimi i krahinës së Vasejoviqit,
që në atë kohë kaloi në anën
e Malit të Zi, e rriti autoritetin e Mustafa Beut dhe
u duk sikur u vendos qetësia. Mirëpo intrigat në
oborrin e Shkodrës nuk pushuan. Pas Xheladin Beut u revoltuan
vëllezërit Dervishaj. I këshilluar edhe prej
Ali pashë Tepelenës, Mustafa Beu i shkarkoi ata
nga funksionet e larta që mbanin. Ata kundërshtuan
dhe, më 21 dhjetor 1809, filluan qëndresën
e armatosur në sarajet e tyre ku kishin futur edhe artileri.
Më 18 dhjetor, edhe ata kapitulluan dhe u larguan nga
Shkodra pasi siguruan paprekshmërinë e pasurisë
së tyre.
Fakti se Mustafa Beu ua detyronte pushtetin këshilltarëve
e favoritëve që e përkrahnin, u dha mundësi
disave prej tyre të fillonin të pasuroheshin në
kurriz të popullit duke kryer veprime arbitrare.
Ky regjim arbitrar ndeshi në kundërshtimin e fortë
të qytetarëve. Përfaqësuesit e esnafeve
me çaushbashin në krye shkuan në kështjellë
dhe protestuan te Mustafa Beu, duke kërkuar prej tij
të ndëshkonte veprimin arbitrar të një
oficeri të tij ndaj një tregtari. Mustafa Beu, sipas
këshillave të favoritëve të tij, jo vetëm
refuzoi ta ndëshkonte oficerin fajtor, por urdhëroi
që çaushbashi të dëbohej nga Shkodra.
Përfaqësia shkodrane kundërshtoi dhe kërkoi
prej tij të dëbonte këshilltarët e këqinj.
Shpërtheu kështu konflikti midis qytetarëve
dhe qeveritarit. Qytetarët u bashkuan dhe bllokuan kështjellën.
Me lagjet e tjera të Shkodrës u lidh edhe ajo e
tabakëve që njihej si përkrahëse besnike
e Bushatllinjve. Shumica e qytetarëve, zejtarë e
tregtarë, ngjeshën armët, ngritën barrikada,
siguruan mallrat më të vyera të tregut në
vise ku nuk i kapte rrezja e qitjeve të artilerisë
dhe e forcuan bllokadën e kështjellës. Në
këto përgatitje nuk munguan të merrnin pjesë
edhe gra shkodrane të armatosura.
Java e parë e rebelimit të popullit kundër
qeveritarit Bushatlli e sidomos kundër favoritëve
të tij, shkoi pa u zbrazur armë nga të dy palët,
sepse të gjithë e dinin se Mustafa Beu ishte ende
tepër i ri për ta ngarkuar me përgjegjësi
të plotë. Edhe pas një muaji gjendja nuk ndryshoi.
Kjo gjendje pritjeje filloi të shkaktonte çrregullime
në qytet dhe të rrënonte shtresat e varfra
qytetare për shkak të pezullimit të veprimtarisë
së tregut. Ndërkohë, përfituan nga trazira
dhe mbërritën në Shkodër Xheladin Beu
dhe Dervishajt me qëllim që të merrnin pushtetin
duke shfrytëzuar mosmarrëveshjen midis popullit
dhe qeveritarit Bushatlli. Për tia arritur qëllimit
të tyre, ata përgatitën një komplot të
rrezikshëm. Ndërsa u lidhën me kapedanin e
Mirditës, Preng Lleshin, dhe me komandantin e Lezhës,
Sulejman Agën, të cilët i bindën të
ngrinin krye, në Shkodër bënë për
vete shumicën e krerëve të qytetit për
ta rrëzuar Bushatlliun e ri nga pushteti i myteselimit.
Mirëpo lagjja e tabakëve u shkëput nga lidhja
qytetare, sepse krerët e saj nuk donin të vinte
në fuqi Xheladin Beu dhe as të ndërronte karakteri
i lëvizjes që ishte ndëshkimi e dëbimi
i favoritëve të myteselimit të ri. Nga ana
e tij, Mustafa Beu kërkoi ndihmën e malësive
të Shkodrës. Më 2 mars 1810 u ndez lufta civile
midis përkrahësve të Xheladin Beut dhe atyre
të Mustafa Beut, kurse më 3 mars Zadrima ra në
duart e mirditorëve dhe Sulejman Aga i Lezhës u
bashkua me Xheladin Beun.
I përkrahur nga banorët e lagjes së tabakëve
dhe nga malësitë, Mustafa Beu filloi më 9 mars
kundërsulmin, duke përdorur të gjitha forcat
dhe armët e veta, pa përjashtuar artilerinë.
Dy ditë e dy net vazhduan luftimet dhe, megjithëse
u vranë e u plagosën 300 veta nga të dyja palët,
fitorja nuk u buzëqeshi as rrethuesve e as të rrethuarve.
Për të varrosur të vrarët dhe për
të filluar bisedimet për marrëveshje, Mustafa
Beu dërgoi përfaqësuesin e vet në qytet.
Të lodhur e të dëshpëruar nga konflikti
që shkaktoi aq gjakderdhje e aq dëme materiale në
qytet, e sidomos në treg dhe, meqë nuk prisnin asgjë
të mirë nga ardhja në pushtet e Xheladin Beut,
shkodranët e thjeshtë e pritën me dëshirë
lajmin e dërgatës së Mustafa Beut.
Bisedimet për marrëveshje filluan më 11 mars,
por nuk nxorën në dritë asnjë përfundim.
Kjo gjendje i mërziti shkodranët, prandaj, ata më
nevojtarët filluan nga punët e veta. Shembullin
e tyre e ndoqën edhe të tjerë, kështu
lëvizja dalëngadalë u shua. Në këtë
mënyrë, heshtazi Shkodra nuk pranoi që pushteti
të kalonte në duart e Xheladin Beut, synimet e të
cilit dështuan. Ndërkaq, nga Porta e Lartë
mbërriti fermani që i dha gradën e pashës
me dy tuja Mustafa Beut dhe miratoi qeverisjen e sanxhakut
të Shkodrës nga ana e tij në emër të
Tahir Pashës, derisa ky të arrinte moshën madhore.
Pashës së ri i mbetej të zgjidhte problemin
e Zadrimës dhe të Lezhës që rrezikonin
ti dilnin përfundimisht nga duart.
Meqenëse nuk ia arritën qëllimit me forcat
e tyre në qytetin e Shkodrës, krerët kundërshtarë
u lidhën me forca të jashtme sikurse ato të
Kapllan pashë Toptanit dhe Numan pashë Begollit.
Preng Lleshi e Sulejman Aga i dhanë pengje Kapllan Pashës,
kurse Numan Pashës i premtuan bashkimin e krahinave të
Lezhës, të Zadrimës e të Mirditës
me sanxhakun e Dukagjinit. Kjo shkëputje që ishte
dëshirë e vjetër e Begollajve, të cilët
i kishin humbur ato krahina qysh më 1769, i interesonte
edhe Kapllan Pashës, sepse kështu ai nuk do ti
kishte më në kufi Bushatllinjtë dhe do të
siguronte sundimin e vet në krahinat e Krujës, të
Tiranës, të Durrësit dhe të Ishmit deri
në lumin Drin, që ishin vënë nga ajo kohë
në vartësi të vezirëve shkodranë.
Fakti që krerët kundërshtarë nuk pranuan
njohjen zyrtare të Mustafa Beut si myteselim e si pashë
dhe veçanërisht përhapja e lajmit për
mundësinë e shkëputjes së tri krahinave
nga sanxhaku i Shkodrës, i afroi shkodranët dhe
i lidhi me qeveritarin e tyre ligjor. Ky lajm i detyroi edhe
pashallarët kosovarë të Prizrenit, të
Prishtinës, të Shkupit dhe të Tetovës
të afroheshin me Bushatlliun dhe ti premtonin atij
përkrahje ushtarake kundër Numan Pashës së
Pejës me të cilin ishin në grindje. Shqetësimi
i tyre lidhej në radhë të parë me ndryshimet
që po ndodhnin në Shqipërinë Jugore në
dobi të pushtetit të Ali Pashës dhe me rrezikun
e shtrirjes së mëtejshme të sundimit të
tij edhe në Shqipërinë Veriore, mbasi ndërkohë
administrimi i sanxhakëve të Elbasanit dhe të
Ohrit kishin kaluar në duart e tepelenasve.
I çliruar nga trazirat në qytetin e Shkodrës
dhe i përkrahur nga pashallarët kosovarë, Bushatlliu
e drejtoi ushtrinë e vet, të përforcuar me
malësorë besnikë të Mbishkodrës,
në Zadrimë e në Lezhë. Preng Lleshi dhe
Sulejman Aga, të mbetur pa ndihmën e forcave të
Numan Pashës, që nuk guxoi të ndërhynte,
sepse u gozhdua nga forcat e pashallarëve kosovarë,
pësuan disfatë. Kapidani i Mirditës, që
u plagos vetë dhe humbi të vëllanë e një
numër pasuesish, u tërhoq në krahinën
e vet, kurse komandanti i Lezhës u kap i gjallë.
Kjo fitore e rëndësishme i detyroi krerët kundërshtarë
shkodranë, duke filluar nga më të moderuarit
deri te Xheladin Beu e Dervishajt që kishin qenë
koka e komplotit, por që u fshehën prapa aleatëve
të tyre, të kërkonin pajtim me myteselimin
zyrtar e fitimtar. Për tu dhënë fund
grindjeve, Bushatlliu pranoi ti falte dhe të pajtohej
me ta në muajin gusht 1810. Por pajtimi nuk zgjati shumë.
Xheladin Beu e Dervishajt, të shqetësuar se mund
të arrestoheshin, sikurse disa krerë përkrahës
të tyre, u rebeluan përsëri më 27 mars
1811 dhe luftuan kundër forcave të Bushatlliut deri
më 2 shkurt 1811, derisa pozicionet e tyre u shkatërruan
nga artileria e tij. Pas kësaj ata u larguan fshehurazi
nga Shkodra.
Ky sukses i ri si dhe një fitore tjetër mbi malazezët,
që kishin sulmuar në kufi, i dhanë fund përçarjes
feudale në Shkodër dhe në sanxhak. Kjo u shpreh
në bindjen e plotë të komandantëve të
krahinave, të cilët njëri pas tjetrit iu nënshtruan
pashës Bushatlli. Kështu u rivendos autoriteti i
shtëpisë së Bushatllinjve dhe u rrit përqendrimi
i pushtetit në duart e saj. Por trazirat e deritanishme
thuajse e kishin reduktuar Pashallëkun e Shkodrës
në kufijtë e sanxhakut të Shkodrës.
Nga Pashallëku i Shkodrës ishin shkëputur sanxhakët
e Ohrit dhe të Elbasanit, që kishin kaluar nën
sundimin e vezirit të Janinës, ndërsa, nga
ana tjetër, kishte dalë në shesh armiqësia
e Begollajve ndaj Bushatllinjve duke u asgjësuar kështu
edhe lidhja që e bënte sanxhakun e Dukagjinit të
konsiderohej si pjesë përbërëse e atij
pashallëku. Më 1 gusht 1811, Ali pashë Tepelena
pushtoi qytetin e Vlorës dhe bashkë me të,
pjesën dërrmuese të sanxhakut të Vlorës.
Kjo gjendje i detyroi krerët kryesorë të sanxhakut
të Shkodrës si dhe ata të sanxhakëve të
Kosovës të shtrëngonin lidhjet e tyre rreth
Mustafa Pashës, me qëllim që të krijohej
një ekuilibër i ri forcash në Shqipëri
për të penguar shtrirjen e mëtejshme të
sundimit të vezirit të Janinës drejt veriut.
Ky afrim u bë sidomos kur Bushatlliu i ri filloi përgatitjet
për martesën e vet me mbesën e Ali Pashës.
Nën ndikimin e tyre, Mustafa Pasha i drejtoi Portës
së Lartë një kërkesë, me anën
e së cilës i lutej ti besohej detyra e mytesarifit
të sanxhakut të Shkodrës. Këtë kërkesë
e motivoi me nevojën për ti bërë
ballë vezirit të Janinës, i cili duke strehuar
Xheladin Beun, si dhe bejlerët e agallarët e tjerë
të dëbuar nga Shkodra, kishte për qëllim
të shtinte në dorë edhe sanxhakun e Shkodrës
dhe pastaj të shpallej sundimtar i pavarur. Në fund
të lutjes ai shtonte se e konsideronte Ali Pashën
armik dhe, po ta lypte nevoja, ishte gati të jepte jetën
e vet për sulltanin.
Kjo kërkesë u shoqërua nga një varg deklaratash
të kadilerëve të krahinave të sanxhakut
të Shkodrës, në të cilat thuhej se Mustafa
Pasha ishte treguar i aftë të vendoste rendin e
qetësinë dhe të mbronte kufijtë, prandaj
kërkohej nga Porta e Lartë që ai të emërohej
mytesarif i sanxhakut të Shkodrës.
Në të vërtetë, Mustafa Pasha dhe ata që
qëndronin pas tij kishin arsye ti shihnin me dyshim
synimet pushtuese të vezirit të Janinës, mbasi
Numan Pasha i Pejës ishte një nga të përkrahurit
e tij, kurse Kapllan Pasha i Krujës ishte vartës
i drejtpërdrejtë i tij, meqenëse krahinat ku
qeveriste ai i përkisnin sanxhakut të Ohrit. Xheladin
Beu dhe Dervishajt jo vetëm ishin strehuar në trojet
ku sundonte Kapllan Pasha, por kishin marrë edhe drejtimin
e krahinës së Tiranës, kishin vrarë dy
vëllezër të familjes së Jellajve, që
nuk kishin dashur të shkëputnin lidhjet e tyre me
Bushatllinjtë, dhe kishin detyruar Ahmet agë Jellën
të braktiste sipërmarrjen e Durrësit e të
arratisej. Në këto rrethana Mustafa Pasha filloi
të kundërvepronte. Nga njëra anë, dërgoi
forcat ushtarake deri 10 km larg Pejës për të
nxitur e inkurajuar pejanët të ngriheshin kundër
Numan Pashës, për të dëbuar e për
të vendosur në vendin e tij Ethem Pashën; nga
ana tjetër, filloi një fushatë të gjerë
për pajtimin e gjaqeve dhe armiqësive në të
gjithë sanxhakun e Shkodrës. Fushata të tilla
bëheshin vetëm në raste të jashtëzakonshme,
kur i duhej bërë ballë ndonjë rreziku
të madh.
Të gjitha këto ngjarje treguan ndarjen në dy
fronte armiqësore të pashallarëve shqiptarë,
që ishin njëri kundër bashkimit të vendit
nën një pushtet të vetëm, kurse tjetri
pro këtij bashkimi. Kjo përçarje u kristalizua
pikërisht kur mendohej se lidhja e krushqive midis dy
familjeve më të fuqishme të parisë shqiptare,
mund të shpinte në marrëveshje midis tyre për
tu kryer kthesa e madhe politike e bashkimit të
klasës feudale shqiptare dhe e shtetit të saj, pa
të cilën nuk mund ti jepej fund pushtimit
shekullor osman. Mirëpo përçarja e krerëve
shqiptarë ishte ende një plagë e thellë,
që ushqehej në radhë të parë nga
partikularizmi i theksuar i disa oxhaqeve kryesore feodale.
Porta e Lartë nuk la pa e shfrytëzuar këtë
gjendje. Ajo jo vetëm pranoi ta emëronte Mustafa
Pashën mytesarif të sanxhakut të Shkodrës,
por shqyrtoi edhe mundësinë për ta ngritur
atë në shkallën e vezirit dhe për ti
krijuar kushtin e domosdoshëm që të grumbullonte
rreth vetes të gjithë krerët, kundërshtarë
të vijës së bashkimit të klasës feudale
shqiptare nën një udhëheqje të vetme politike.
Një vendim të tillë ajo e mori kur Mustafa
Pasha dërgoi 800 krushq të vinin të merrnin
nusen e tij në Janinë. Më 25 maj 1812, kur
krushqit shkodranë po ktheheshin në Shkodër
bashkë me nusen, mbërriti i dërguari i Portës
së Lartë me fermanin në fjalë. Në
atmosferën e gëzimit të dasmës, shpallja
e fermanit që e emëronte Mustafa Pashën mytesarif
të sanxhakut të Shkodrës e të njësive
që vareshin prej tij dhe që e ngrinte atë në
shkallën e vezirit, zhduku ato mundësi të pakta
për afrimin e qeveritarëve të Shqipërisë
Veriore e Verilindore me qeveritarin e Shqipërisë
së Jugut, i hapi rrugën jo vetëm shembjes së
afërt të dy pashallëqeve, por edhe asgjësimit
ekonomik e politik madje dhe fizik të dy familjeve sunduese
që nuk arritën të merreshin vesh e të
bashkoheshin me njëra-tjetrën.
5. SHEMBJA E PASHALLËKUT TË SHQIPËRISË
JUGORE
Konflikti i vezirit të Janinës me Stambollin
Qysh në fund të vitit 1787 Ali Pasha kishte synuar,
sikurse thuhej, të shpallej një Mahmud Pasha
i dytë sapo turqit të pësonin disfatën
e parë. Përforcimi i tij ekonomik, dobësimi
i vazhdueshëm i pushtetit qendror dhe rrethanat politike
ndërkombëtare ushqenin vazhdimisht shpresën
e një pjese të krerëve shqiptarë që
përfaqësoheshin nga Ali Pasha, për të
mënjanuar sa më shumë vartësinë nga
Porta e Lartë, për të mos e ndarë pushtetin
dhe të ardhurat e vendit me pushtetin qendror osman.
Një varg dëshmish tregojnë se Ali Pasha nuk
hoqi dorë nga ideja e pavarësisë. Këtë
çështje e kanë vënë në dukje
sidomos personalitetet diplomatike me të cilat ai pati
lidhje. Nënadmirali rus Ushakov theksonte më 1789
se Ali Pasha përpiqet të jetë sundimtar
i pavarur, madje kësaj mund tia arrijë së
shpejti. Uilljam Hamiltoni, sekretar i ambasadës
angleze në Stamboll, që vizitoi Janinën më
1803, i raportoi qeverisë angleze të njëjtin
mendim, madje ai vuri në dukje se Ali Pasha në
fakt është i pavarur nga qeveria turke. Edhe
personalitetet osmane kishin krijuar një bindje të
tillë nga veprimtaria e Aliut. Kapedan Pasha shfaqi më
1804 mendimin se Ali Pasha kërkon të pushtojë
gjithë Shqipërinë dhe pastaj të shpallet
i pavarur. Në korrespondencën që i drejtohej
sulltanit, thuhej se Ali Pasha nuk ka lidhje me fenë
islame dhe ka për ta tradhtuar shtetin osman me të
gjitha forcat e tij gjer në shkallën e fundit.
Por edhe sulltan Mahmudi II priste të vinte koha e përshtatshme
për të larë llogaritë me mëkëmbësin
e tij të fuqishëm e të pabindur, edhe pse në
marrëdhëniet zyrtare me Portën, ai ishte nga
më të rregulltit në shlyerjen e detyrimeve
ushtarake e sidomos të atyre financiare.
Në vitin 1812, kur lidhi paqen me Rusinë dhe kur
Fuqitë e Mëdha evropiane gjendeshin në pragun
e fazës vendimtare të luftës midis tyre, sulltan
Mahmudi II e drejtoi vëmendjen në problemet e brendshme
të perandorisë. Pushteti qendror duhej forcuar,
duke kufizuar dhe mënjanuar sundimtarët e fuqishëm
të provincave. Vëmendja e tij u drejtua në
radhë të parë mbi më të fuqishmin
e më të rrezikshmin e tyre, Ali pashë Tepelenën,
i cili jo vetëm kishte qenë kundër përfundimit
të paqes së Bukureshtit të muajit maj 1812,
por kishte ndezur në sanxhakun e Ohrit luftën me
Jusuf Beun e Dibrës, vartësin e vet të pabindur
dhe ithtarin e vezirit të Shkodrës. Mirëpo
sulltani e njihte mirë fuqinë e këtij dhe nuk
guxoi të merrte ndonjë vendim. I nxitur nga ambasadori
frëng Andreosi, ai arriti të merrte një masë
të ndërmjetme, me qëllim që ta kufizonte
pushtetin e vezirit të Janinës. Prandaj urdhëroi
që Veli Pasha të transferohej në sanxhakun
e Tërhallës dhe funksionet që mbante vetë
Aliu e Myftar Pasha të pezulloheshin deri në një
urdhër tjetër. Ky qëndrim i sulltanit e shqetësoi
Ali Pashën dhe e detyroi të merrte masa mbrojtjeje
e të mbështetej kryesisht në forcat e veta.
Nga ana tjetër, ai ruajti dhe i forcoi lidhjet me Anglinë,
së cilës ndihma e tij i shërbente për
dëbimin e francezëve nga ishujt jonianë si
dhe për depërtimin e mallrave angleze në Evropë.
Në muajin prill 1813 u bë në Janinë takimi
i vezirit me gjeneralin anglez Ejre, të cilit Ali Pasha
i premtoi ndihmën e vet kundër francezëve për
pushtimin e Korfuzit. Në emër të qeverisë
angleze gjenerali premtoi ti dorëzonte qytetin
e Pargës dhe sipas shërbimeve që do të
kryente, mund ti dorëzohej edhe Lefkadha, Itaka
dhe Meganisia. Ai i premtoi gjithashtu Aliut se, po të
lindte nevoja, Anglia do ta mbronte atë dhe familjen
e tij nga zemërimi i sulltanit duke e strehuar në
ishujt jonianë pas vendosjes së protektoratit të
saj mbi to. Afrimi me Anglinë si dhe ndërhyrja e
vezirit të madh, Hurshid Pashës, pranë sulltanit,
për të mos i acaruar më marrëdhëniet
me vezirin e fuqishëm të Janinës në një
kohë kur kryengritja serbe po zgjerohej, sollën
një farë zbutjeje. Porta e Lartë nuk nguli
këmbë që ai e Myftari të merrnin pjesë
në shtypjen e kësaj kryengritjeje. Në muajin
tetor 1813 detyra e derbend-pashës dhe ajo e qeverisjes
së sanxhakut të Janinës iu konfirmuan përsëri
Ali Pashës, kurse të bijve e të nipërve
iu shpërndanë sanxhakët e Shqipërisë
Jugore dhe grada pashallarësh. Rrethanat politike ende
nuk e lejonin sulltanin të vazhdonte goditjet e papërgatitura
kundër Ali Pashës, prandaj ky mundi të ruante
pozitat kryesore ushtarake e financiare. Por, duke parashikuar
furtunën e ardhshme, ai vazhdoi të shtonte armatimet
dhe të pajisej dhe me 200 topa zjarrhedhës të
prodhimit të fundit anglez.
Në mars të vitit 1814, kur francezët po largoheshin
nga ishujt jonianë dhe forcat angleze nuk ia kishin më
nevojën vezirit të Janinës, Londra i shkeli
premtimet, ndër të cilat edhe dorëzimin e qytetit
të Pargës, të cilin e mori vetë nën
mbrojtje. Megjithëse Ali Pasha i kishte afruar shumë
forcat e tij pranë këtij qyteti dhe ishte munduar
tua merrte atë francezëve, duke u premtuar
se nuk do të lejonte që ata të binin në
duart e anglezëve, nuk ia arriti qëllimit. Francezët
nuk i zunë besë Ali Pashës dhe parapëlqyen
të kapitullonin para anglezëve. Por Aliu nuk hoqi
dorë dhe priti rastin e duhur për të mos e
lënë edhe atë pjesë të bregdetit
shqiptar në duart e të huajve.
Qëndrimi i ri i Anglisë ndaj Ali Pashës ishte
lidhur me situatën e re ndërkombëtare që
u krijua në Evropë pas vitit 1815. Me shembjen e
Perandorisë Franceze dhe me stabilizimin e gjendjes ndërkombëtare
që u shpreh në formimin e Lidhjes së
Shenjtë, Fuqitë e Mëdha u drejtuan kundër
çdo lëvizjeje që rrezikonte fronet mbretërore.
Me fjalë të tjera, Londra nuk mund të përkrahte
synimet e pavarësisë së mikut të saj.
Meqenëse pushtimi i Pargës solli me vete një
farë ftohjeje me Portën e Lartë, anglezët,
që deklaruan se pushtimi ishte i përkohshëm,
e ndreqën punën kur përfunduan traktatin e
Parisit. Ata pranuan me këtë rast ti kthenin
Perandorisë Osmane Pargën kundrejt njohjes së
protektoratit anglez mbi ishujt jonianë. Dorëzimi
i Pargës u arrit vetëm më 10 maj 1819 pasi
Ali Pashai pagoi, siç rezulton nga regjistri i llogarive
të tij, 612 000 realë për të shpërblyer
pasurinë e braktisur të atyre parganjotëve
që u shpërngulën në ishujt jonianë.
Kështu, pas përpjekjesh shumëvjeçare,
Ali Pasha i sheshoi kufijtë politikë që e veçonin
këtë qytet nga bregdeti shqiptar dhe e bashkoi atë
me mëmëdheun. Që prej kësaj kohe, i plotësuar
me banorë të rinj, të ardhur nga brendia e
vendit, Parga, nga një vatër grindjesh e lufte,
u shndërrua në një qytet paqësor dhe në
një skelë tregtare të rëndësishme.
Gjatë viteve 1815-1819, meqenëse kushtet ndërkombëtare
dhe ato të brendshme nuk ndihmonin në realizimin
e procesit të bashkimit të trojeve shqiptare, Ali
Pasha u detyrua ti përmirësonte marrëdhëniet
e tij me Stambollin. Kështu, ai mundi të ruante
të paprekur sundimin e familjes së tij në Thesali,
në Shqipërinë Jugore, dhe në sanxhakët
e Ohrit dhe të Elbasanit, ku u mundua të përforconte
autoritetin e vet duke tërhequr nga ana e tij një
varg feudalësh kryesorë, të cilëve u la
në dorë postet drejtuese dhe sipërmarrjet.
Në sanxhakun e Ohrit mbajti si myteselim Xheladin Beun,
dajën e Mustafa pashë Bushatlliut, në Elbasan
Abdulla pashë Taushanin, në sipërmarrjen e
Durrësit Alltunët e Toptanët, në Dibër
bëri për vete ajanin e Dibrës, Abaz Beun dhe
në Mat bejlerët kryesorë vendas, duke rekrutuar
atje ushtarë me rrogë etj. Si rrjedhim, ai arriti
të kufizonte shtrirjen e ndikimit të Mustafa pashë
Bushatlliut në Tiranë ku komandën e vendit
e mori Molla Beu. Përveç kësaj, duke përkrahur
qeveritarët e Prizrenit dhe të Shkupit, dy nga rivalët
kryesorë të orvatjeve të vezirit Bushatlli
për të vendosur pushtetin e tij të drejtpërdrejtë
ose dhe të tërthortë në sanxhakun e Dukagjinit,
Ali Pasha bëri që të dështonin këto
orvatje në këtë sanxhak. Porta e Lartë
vendosi këtu si qeveritar një njeriun e vet. Pra,
mosmarrëveshjet ndërmjet vezirëve të Shkodrës
e të Janinës, që filluan qysh në mesin
e vitit 1812, nuk u ndërprenë. Të dyja palët
u qëndruan besnike vijave të tyre politike.
Porta e Lartë, që kishte ndjekur me kujdes të
veçantë veprimtarinë e dy vezirëve dhe
sidomos atë të vezirit të Janinës, nuk
priste veçse rastin të ndërhynte kundër
tij. Më 1819 sulltani kishte arritur në përfundimin
se Ali pashë Tepelena ... ka ndërmend të
shtjerë në dorë edhe Gegërinë
dhe po shkuan punët kështu, në Shqipëri
ka për të plasur kryengritja. Mustafa pashë
Bushatlliu, pushteti i të cilit gjatë viteve 1812-1819
mbeti i lëkundshëm si brenda, ashtu dhe jashtë
kufijve, doli kundër synimeve të Ali Pashës.
Ky mbështetej atëherë te Porta e Lartë
edhe te pashallarët kosovarë. Në këto
rrethana Mustafa Bushatlliu vazhdoi ta nxiste Portën
kundër këtij rivali të fuqishëm. Bushatlliu
shkruante se qëllimi dhe ëndrra e Ali Pashës
qëndronte në pushtimin e Gegërisë, ashtu
siç ka pushtuar vendet e Toskërisë.
Por sulltan Mahmudi II nuk i besonte as Mustafa Pashës,
sepse edhe te ky, si te të gjithë feudalët
e mëdhenj, shihte një kundërshtar të reformave
që synonin fuqizimin e pushtetit qendror. Për sulltanin
ishte e qartë se edhe pashai shkodran kishte mendime
rebelimi në kokën e tij. Duke parë pozitën
e dobët të Portës në Shqipëri, sulltani
zbatoi politikën e thyerjes së feudalëve të
mëdhenj njëri pas tjetrit, me anë të rivalëve
të tyre. Mahmudi II u përpoq të përdorte
Bushatlliun kundër vezirit të Janinës, sa pa
u bërë ndonjë marrëveshje midis tyre,
dhe filloi të merrte masa për të përgatitur
shembjen e Pashallëkut të madh të Janinës.
Në përputhje me këtë vijë, qysh në
fillim të vitit 1820, sulltani urdhëroi që
ndaj Mustafa pashë Bushatlliut të mbahej një
qëndrim afrues, meqenëse, siç thuhej në
urdhër, mytesarifi i Shkodrës është
penduar nga rruga që ka ndjekur. Më pas ai
vuri në zbatim fazën e parë të planit
të vet, që parashihte kufizimin e pushtetit të
Ali pashë Tepelenës.
Organizimi i brendshëm i pashallëkut
Në të vërtetë, pas një vargu veprimesh
kryesisht të paligjshme, por të mbuluara me vellon
e akteve të ligjshme, që kinse bëheshin për
forcimin e pushtetit osman, Ali Pasha kishte vënë
nën sundimin e vet, në fillim të vitit 1819,
një territor mjaft të madh të banuar pjesërisht
nga shqiptarë dhe pjesërisht nga popullsi greke,
sllave, vllahe e hebraike, që së bashku arrinin
në rreth 1,5 milionë frymë. Kufijtë e
këtij territori fillonin nga lumenjtë Shkumbin e
Vardar në Veri dhe mbaronin në gjirin e Korinthit
në Jug, pasi i vinin rrotull një pjese të deteve
Adriatik e Jon në Perëndim dhe një pjese të
detit Egje në Lindje. Pashallëku i Janinës
përfshinte sanxhakët e Tërhallës, Lepantit,
Janinës, Delvinës, Vlorës, Elbasanit dhe të
Ohrit, 14 kaza të sanxhakut të Manastirit dhe 3
kaza të sanxhakut të Selanikut.
Për të qeverisur këtë territor të
madh, veziri i Janinës kishte bërë përpjekje
që ushtrinë e tij të viteve të para të
sundimit ta zmadhonte, ta organizonte më mirë dhe
ta armatoste edhe me mjete më të reja të kohës.
Tashmë ai kishte ngritur dhe mbante në këmbë
një ushtri të përhershme, repartet e së
cilës shërbenin në të gjitha pjesët
e pashallëkut nëpër grykat e urat e rrugëve,
nëpër kullat e fortifikimet e shumta të kufijve
dhe sidomos nëpër kështjellat gjatë bregdetit
dhe brenda vendit. Efektivi i kësaj ushtrie në vitin
1819 arrinte deri në 15 000 veta. Në kohë lufte
Ali Pasha mund të grumbullonte brenda dy-tri ditëve
një ushtri prej 50 000 vetash dhe brenda dy-tri javësh
këtë forcë ushtarake mund ta dyfishonte dhe
ta mbante në këmbë për një kohë
mjaft të gjatë me mjetet e veta financiare, me armatime
dhe me kuadro komanduese të sprovuara. Duke ndjekur sistemin
e rekrutimit vullnetar me pagesë, që e bënte
me anën e bylykbashëve, kapedanëve dhe të
bajraktarëve, dhe duke qenë se këta ushtarë
sidomos ata shqiptarë, ishin të stërvitur për
punë armësh që në vogëli, Ali Pasha
nuk e kishte problem të veçantë përgatitjen
për luftë të forcave që i nevojiteshin.
Përveç kësaj, këta ushtarë duke
qenë qitës të mirë, marshues të shpejtë
e të qëndrueshëm dhe në përgjithësi
trima, mbaheshin si ushtarët më të mirë
të Perandorisë Osmane. Përveç armës
së këmbësorisë, në ushtrinë
e tij bënin pjesë si reparte më vete kaloria
dhe artileria. Ali Pasha kishte edhe një numër më
të madh anijesh luftarake. Për aftësimin dhe
përdorimin sa më të mirë të armëve
moderne, Aliu mori në shërbim instruktorë të
aftë evropianë dhe ngriti në Bonila edhe një
fonderi për prodhim armësh, sidomos topa e bombarda.
Në krye të këtyre forcave të armatosura
qëndronte Këshilli i Lartë ushtarak. Komandant
ushtarak ishte krijuesi dhe financuesi i tyre Ali Pasha. Anëtarë
të këtij Këshilli ishin mëkëmbësit
e tij nëpër sanxhakë, si Myftar Pasha, Veli
Pasha, Xheladin bej Ohri, Abdullah pashë Taushani etj.,
dhe nga bashkëluftëtarët e vjetër që
kishin mbetur, Meço Bono, Ago Vasjari, Thanas Vaja,
Mehmet agë Muhyrdari, Tahir Abazi etj. Në të
bënin pjesë edhe komandantë të rinj, si
Omer bej Vrioni, Iljaz bej Poda, Elmas e Selfo Bono etj.,
por fjalën e fundit edhe në këtë forum
e thoshte vetëm Aliu.
Mëkëmbësit e Ali Pashës kryenin në
sanxhakët e pashallëkut, përveç funksioneve
ushtarake, edhe funksione administrative; zëvendësit
e tyre nëpër krahinat e sanxhakëve, myteselimët,
ushtronin pushtetin e tyre duke u mbështetur, sikurse
edhe më parë, te ajanët e koxhabashët.
Përveç këtij rrjeti administrativ që
kishte ngritur e që përbënte themelin e administratës
së tij, Ali Pasha kishte ruajtur e zgjeruar në Janinë
edhe aparatin qendror. Ai solli aty zyrtarë të zgjuar
e me përvojë, myslimanë e të krishterë,
që i shërbenin si këshilltarë e sekretarë
për çështjet e brendshme, për lidhjet
me Portën dhe për marrëdhëniet me jashtë.
Këta zyrtarë ishin zgjedhur nga gjiri i parisë
së pashallëkut, sikurse Mehmet Efendiu, Said Ahmeti,
Haxhi Shehriu, Hysen bej Konica, Sali Çami etj. Kurse
Kosta Gramatikoi, Spiro Kolovoi, Mantho Konomi, Lluka Vaja
etj., ishin zgjedhur nga borgjezia e pasur e krishtere me
kombësi shqiptare, greke, vllahe etj. Për punë
të veçanta me karakter ekonomik, fetar e politik,
Ali Pasha shfrytëzonte edhe arkondët Stavro Capallano
e Dhimitër Dhroso, peshkopët e Janinës e të
Artës, profesorin Athanas Psalidha etj. Ndër këshilltarët
më të afërt, që kryenin detyrën e
sekretarëve, të cilët mbrojtën për
një kohë të gjatë interesat e vezirit
të Janinës pranë Portës së Lartë,
ishte edhe Hysen bej Konica, një i afërt i tij nga
e ëma.
Duke përqendruar gjithnjë e më shumë pushtetin
në duart e veta, Ali Pasha ushtroi më me kujdes
edhe të drejtën e gjyqit të apelit, me të
cilin ai kontrollonte veprimtarinë e gjykatave dhe titullarët
e tyre, kadilerët.
Ndryshe nga qeveritarët e tjerë të perandorisë,
Ali Pasha krijoi ndërkohë një armë të
re, atë të policisë. Kjo i shërbeu kryesisht
për ta informuar lidhur me veprimtarinë sekrete
të kundërshtarëve të tij brenda dhe jashtë
pashallëkut, me planet e qeverisë qendrore në
Stamboll dhe me pikëpamjet e qeverive evropiane lidhur
me politikën ndërkombëtare.
Shpenzimet për ushtrinë dhe administratën,
për ngritjen, pajisjen dhe për mbajtjen e pallateve
e të vilave, si dhe rezervat e thesarit për ditët
e vështira, Ali Pasha e djemtë e tij i siguruan
në sajë të dy burimeve kryesore të ardhurash,
prej pasurisë private të tyre dhe prej monopoleve.
Pasuria private e familjes së Ali Pashës erdhi duke
u rritur vazhdimisht nga konfiskimet e pronave të familjeve
kundërshtare, nga blerja e tokave të
një vargu fshatrash, nga tregtimi i prodhimeve bujqësore
e blegtorale brenda e jashtë vendit, nga veprimtaria
bankare etj. Prodhimi e tregtimi i kripës, i ziftit etj.,
që tradicionalisht kanë qenë monopole shtetërore,
i sillnin arkës së Ali Pashës të ardhura
të mëdha.
Megjithëse shpenzimet ushtarake e administrative ishin
mjaft të mëdha në krahasim me ato të vezirëve
të tjerë, sepse Aliu përgatitej që një
ditë të mund të shpallej sundimtar i pavarur
ose autonom, ai mundi të krijonte një thesar të
konsiderueshëm, i cili në vitet 1819 vlerësohej
në 250 milionë piastra.
Në varësi të synimeve që Ali Pasha kërkonte
të arrinte me anë të pushtetit të vet
të fuqishëm e të organizuar, ai zbatoi edhe
një politikë të tolerancës fetare. Nuk
ishte i rastit fakti që një pjesë e klerit,
sidomos bektashinjtë, propagandonin se ai ishte njeri
me fat të madh, se ishte caktuar të themelonte dinastinë
e mbretërisë shqiptare. Nuk ishte e rastit as edhe
prirja e disa klerikëve për të futur në
shërbesat kishtare edhe gjuhën shqipe. Më së
fundi, nuk ishte e rastit as propaganda e një vargu oborrtarësh
që e krahasonin atë me Pirron e Epirit.
Shembja e Pashallëkut të Janinës (1822)
Sulltan Mahmudi II, e kuptoi rrezikun e madh që i vinte
Perandorisë Osmane nga ngritja dhe fuqizimi i pushtetit
të Ali Pashës dhe sidomos nga përpjekjet e
tij për të nënshtruar gjithë Shqipërinë
e Veriut, prandaj kur pa qartë se veziri i Janinës
nuk arriti të bëjë për vete pashallarët
e kësaj treve, më 1819 vendosi të vinte në
jetë planin e vet kundër tij, të ndërprerë
më 1810. Atë e ndihmoi në këtë vepër
edhe qëndrimi i vezirit të Shkodrës, i cili
pranoi të vihej në shërbim të Portës
së Lartë për të luftuar e shkatërruar
Ali Pashën. Për rrjedhim, në fillim të
vitit 1820 sulltani i dha goditjen e parë; e emëroi
të birin e Aliut, Veli pashë Tepelenën qeveritar
të sanxhakut të vogël të Lepantit, kurse
sanxhakun e rëndësishëm të Tërhallës
ia dha një besniku të perandorisë, Sulejman
Pashës.
Pasi mësoi se ky qëndrim ishte rrjedhim edhe i këshillave
të favoritit të sulltan Halit Efendiut, që
ishte nxitur nga intrigat e Pasho Beut, një feudal janinjot
i dëbuar prej tij, Ali Pasha vendosi që këtë
ngatërrestar ta zhdukte. Por atentati që organizoi
në muajin mars kundër tij në Stamboll dështoi,
ndërsa njerëzit që u kapën treguan se
ishin dërguar nga Janina prej Ali Pashës.
Sulltan Mahmudi II e quajti atentatin një fyerje ndaj
autoritetit të vet. Duke marrë shkas nga ky veprim,
i hoqi vezirit të Janinës detyrën e derbend-pashës
dhe dëboi nga Stambolli Hysen bej Konicën bashkë
me vartësit e tij si mbështetës të atentatorëve.
Po në këtë kohë iu dha urdhri valiut të
Rumelisë, Hysen Pashës, të shpërngulej
nga Sofja, të kalonte në Manastir, ku të vendoste
pushtetin e vet dhe të shkatërronte ndikimin e Aliut
në këtë zonë, duke i rimarrë 14 kazatë
që tepelenasi i qeveriste në emër të tij.
Edhe Veli Pashës, i akuzuar se ishte larguar nga Lepanti
pa leje për të takuar Aliun në Prevezë,
Porta e Lartë i hoqi gradën e vezirit dhe komandën
e Lepantit, të cilën ia dha Pehlivan Ibrahim pashës.
Ndërkohë sulltani nuk mori parasysh protestën
e Ali Pashës lidhur me postin e derbend-pashës dhe
nuk lejoi që komisioni i të krishterëve, i
cili do ti parashtronte lutjen për tia kthyer
Aliut atë post, të hynte në Stamboll. Meqenëse
veziri i Janinës nuk kishte larguar forcat e veta nga
derbendet, por përkundrazi kishte filluar të rekrutonte
ushtarë, Porta e Lartë vendosi ti hiqte sanxhakët
e Ohrit dhe të Elbasanit, të cilat ia dha vezir
Mustafa pashë Bushatlliut. Veziri i Madh i shkruante
Aliut se sulltani e dënoi për fajet e tij dhe, duke
pasur mëshirë për të e besim se do të
largonte forcat ushtarake nga sanxhakët e kazatë
që tashmë u përkisnin vezirëve të
tjerë, po i linte atij sanxhakun e Janinës, Sali
Pashës sanxhakun e Vlorës dhe Mehmet Pashës
(nipit) sanxhakun e Delvinës.
Ali Pasha, që e kuptoi se masat e lartpërmendura
do të pasoheshin nga të tjera, kërkoi nga Porta
anulimin e tyre. Me këtë rast ai e njoftoi Stambollin
se pranonte më mirë luftën se sa të hiqte
dorë vullnetarisht nga pushteti, të cilin Porta
po ia merrte nga duart gradualisht me metoda tinëzare.
Ai kishte kohë që po përgatitej për një
luftë të tillë dhe nuk i largoi forcat as nga
derbendet, as nga sanxhakët. Përkundrazi, Ali Pasha
urdhëroi shpejtimin e ritmit të rekrutimit ushtarak
duke shpallur mobilizimin një burrë për
shtëpi, si dhe duke marrë masa të tjera
ushtarake. Në mesin e muajit maj 1820 ai thirri Muhtar
Pashën e Veli Pashën për të biseduar e
për të vendosur. Tri ditë zgjatën bisedimet
e tyre në çifligun e Rapçishtës. Muhtar
Pasha kërkoi që pajtimi me sulltanin të arrihej
me çdo kusht. Por Aliu nuk ia pranoi një qëndrim
të tillë kapitullues, duke menduar se po të
tërhiqte forcat e të ngushtohej në tre sanxhakët
e Shqipërisë Jugore, do të bëhej e pamundur
mbrojtja e vendit dhe e pushtetit. Ky ishte edhe qëllimi
që kërkonte të arrinte sulltani. Prandaj vendosi
të mos i lëshonte këta sanxhakë e kaza
pa luftë. Vetëm kjo rrugë do ta shpëtonte
pushtetin e tij dhe vendin. Ai e lidhi kështu fatin e
tij dhe të familjes së tij me fatin e vendit.
Në përputhje me këtë vendim, Aliu mblodhi
në sarajet e veta, në Janinë, krerët e
krahinave shqiptare e greke të pashallëkut dhe u
kërkoi këtyre, si përfaqësues të
popullsisë myslimane e të krishterë, që
ta përkrahnin në luftën kundër sulltanit.
Ai shpalli më 23 maj 1820 se, në rast fitoreje,
do të krijonte një shtet monarkik konstitucional
shqiptar, të përbërë nga zotërimet
shqiptare dhe nga Thesalia, në krye të të cilit
do të vihej vetë. Greqia qendrore dhe Moreja mund
të formonin një shtet grek autonom, i cili do të
vihej nën protektoratin e tij. Grekëve, për
ti nxitur të fillonin luftën, u premtoi një
milion e gjysmë piastra. Njëkohësisht Ali Pasha
shpalli heqjen e disa taksave në Pashallëkun e Janinës
për të bërë për vete shtresat popullore
dhe filloi propagandën e luftës.
Mirëpo programi i shpallur nga Ali Pasha nuk kënaqte
interesat e të gjithë pjesëmarrësve në
mbledhje. Duke ruajtur në kufijtë e shtetit
konstitucional shqiptar krahinën e pasur të
Thesalisë dhe duke shpallur protektoratin e tij në
shtetin grek që do të krijohej, Ali Pasha nuk kënaqte
kërkesat e borgjezisë greke, e cila, me luftën
nacionalçlirimtare që po përgatitej të
shpërthente, synonte të vendoste pushtetin e vet
të paktën mbi të gjithë territorin nacional
grek. Në të njëjtën kohë, premtimi
i Ali Pashës për një shtet konstitucional
shqiptar, ndonëse nuk cenonte pasuritë e feudalëve
shqiptarë, cenonte në një farë mase monopolin
e pushtetit të tyre, prandaj nuk i nxiste as këta
të hynin në luftë kundër Stambollit. Meqë
masat e Portës së Lartë synonin të godisnin
vetëm Ali Pashën dhe nuk preknin privilegjet e feudalëve
vendas dhe, meqë nuk ekzistonte rreziku i shembjes së
Perandorisë Osmane, tek e cila shihnin një garanci
më të sigurt për interesat e tyre se sa te
shteti konstitucional, feudalët shqiptarë
u treguan pak të interesuar për ta mbështetur
Aliun në kryengritjen e tij. Edhe shtresat popullore,
mbi të cilat rëndonte pesha e sistemit çifligar
dhe e regjimit fiskal të vezirit të Janinës,
nuk arriti ti frymëzonte premtimi i shtetit
konstitucional për të hyrë në luftë,
edhe pse në programin e shpallur bëhej fjalë
për heqjen e disa taksave. Kështu, mbështetja
shoqërore e Ali Pashës në luftën kundër
Stambollit ishte e kufizuar dhe përbëhej kryesisht
nga fshatarësia malore e lidhur me të me anë
të sistemit të rekrutimit me rrogë. Por edhe
kjo mbështetje ishte e pasigurt, mbasi ajo varej nga
qëndrimi i shtresës së feudalëve bylykbashë,
që tashmë ishin bërë edhe pronarë
tokash e tufash blegtorale dhe me të cilët kjo fshatarësi
ishte lidhur drejtpërdrejt. Meqë nuk u përgjigjej
interesave të shtresave të ndryshme shoqërore
të Pashallëkut të Janinës, programi i
23 majit nuk luajti ndonjë rol me rëndësi në
konfliktin e Janinës me Stambollin. Pa pasur tjetër
rrugëdalje dhe duke u mbështetur në forcat
ushtarake që dispononte e që ishin të mjaftueshme
për ti bërë ballë një ekspedite
të Portës së Lartë, Ali Pasha nuk bëri
hapa prapa dhe deklaroi se ushtria e tij e fuqishme nuk do
të lejonte forcë tjetër të shkelte vendin.
Por, tashmë, gjithçka varej nga qëndrimi
që do të mbante kjo ushtri.
Me besim se do ti bënte ballë rrethimit të
vezirëve kundërshtarë, Ali Pasha filloi të
zbatonte menjëherë edhe planin luftarak që
vendosi në Rapçishtë bashkë me dy djemtë
e tij. Veli Pashën e dërgoi në Prevezë,
ku gjendej edhe flotilja prej 40 njësish luftarake, për
të drejtuar qëndresën nga jugu e deti. Muhtar
Pashën e nisi në Berat, që të mbronte
kufijtë verilindorë, kurse vetë qëndroi
në Janinë për të drejtuar qëndresën
në drejtimet juglindore duke pasur nën komandë
Omer bej Vrionin, të cilin e dërgoi në Tërhallë.
Ai vuri gjithashtu në lëvizje njerëzit e vet
të besuar në Mal të Zi, në Serbi e sidomos
në Vllahi, për të nxitur e acaruar lëvizjen
çlirimtare në ato vende. Plani luftarak i vezirit
të Janinës i përshtatej gjendjes së krijuar
dhe mbështetej në forcën e konsiderueshme ushtarake
të pashallëkut. Por, edhe ky plan, në vend
që të vihej në jetë me guxim, u minua
nga vetë bijtë e Aliut, prandaj ishte i destinuar
të dështonte.
Më 2 qershor 1820, edhe pse i druhej sulmit të malazezëve,
Mustafa pashë Bushatlliu, i inkurajuar nga qëndrimi
i favorshëm i Portës së Lartë kundrejt
tij, u nis me një ushtri të madhe prej Shkodre drejt
jugut. Duke mos ndeshur në ndonjë kundërshtim
serioz nga ana e forcave të Muhtar Pashës, të
cilat morën rrugën për në Berat, Bushatlliu
shtiu në dorë sanxhakët e Elbasanit dhe të
Ohrit. Muhtar Pasha, duke synuar që të pajtohej
me çdo kusht me sulltanin, nuk ndërmori ndonjë
veprim për ta penguar ose ndaluar Bushatlliun.
Në fillim të muajit qershor valiu i Rumelisë
u nis nga Sofja për në Manastir, ku mbërriti
më 26 të atij muaji, duke mbledhur rrugës një
forcë ushtarake mjaft të madhe. As ai nuk e pati
të vështirë të vinte nën pushtetin
e vet të 14 kazatë e sanxhakut të Manastirit
që Ali Pasha ia kishte shkëputur. Krerët e
këtyre kazave, me përjashtim të asaj të
Kosturit, shkuan në Manastir dhe i kërkuan falje.
I udhëzuar nga Stambolli, ai i fali që të gjithë.
Me krerët që kërkuan falje prej tij u radhit
në fundin e muajit qershor edhe Iljaz bej Poda, kur valiu
vajti në Korçë. Kështu veproi edhe Pehlivan
Ibrahim pasha, që mori në dorë, pa kundërshtim
serioz, qeverisjen e sanxhakut të Lepantit, si edhe Siri
Selim pasha i Selanikut, që futi nën pushtetin e
vet tri kazatë e shkëputura nga sanxhaku i tij prej
Ali Pashës.
Ndërkohë, meqenëse Sulejman Pasha i Tërhallës
nuk pranoi të dëbonte forcat e Aliut nga Thesalia,
dhe i dha mundësi atij të dërgonte atje Omer
bej Vrionin me 2 000 veta, sulltani e shkarkoi nga të
gjitha funksionet, duke e akuzuar për bashkëpunim
me Ali Pashën dhe e zëvendësoi me armikun e
betuar të tepelenasit, Mahmud Pashën e Dramës.
Këtë qeveritar të ri e nisi menjëherë
për në Tërhallë që të merrte
pushtetin me ndihmën e ushtrisë, të cilën
do ta grumbullonte, në rrugë e sipër, me ndihmën
e vezirëve fqinjë.
Realizimi i kësaj faze të sulmit të sulltanit
kundër Ali Pashës, që u arrit pa hasur kundërshtim
serioz nga forcat vartëse të vezirit të Janinës,
i dha dorë Stambollit që të përcaktonte
orientimet e veta ndaj feudalëve shqiptarë, duke
shpallur me solemnitet se nuk do tu prekte pasurinë
dhe privilegjet e tyre. Kjo propagandë bëri efektin
që pritej dhe krijoi kushtet që sulltan Mahmudi
II të urdhëronte zbatimin e fazës tjetër
të planit të vet, asgjësimin e Pashallëkut
të Janinës
Në të njëjtën kohë sulltani nënshkroi
fermanin për likuidimin e Pashallëkut të Janinës,
të cilin nuk e shpalli menjëherë. Me këtë
ferman iu dha Ismail Pasho beut qeverisja e sanxhakëve
të Janinës e të Delvinës dhe grada e vezirit,
si dhe kryekomanda e ekspeditës ushtarake të drejtuar
kundër Ali Pashës, djemve dhe nipave të tij,
po qe se këta nuk do ti bindeshin urdhrit që
i shkarkonte nga të gjitha funksionet e gradat zyrtare
dhe nuk do të pranonin të shkonin në Tepelenë
ku duhej të banonin këtej e tutje. Mirëpo nga
frika se mos Ali Pasha kalonte në sulm pa u përgatitur
ende ushtritë e Dramalliut dhe të Ismail Pasho beut,
sulltan Mahmudi II nuk e shpalli këtë ferman, ndërsa
Ismail Pasho beun e nisi, bashkë me vjehrrin e tij, Mahmud
Pashën e Dramës, me detyrën e hazinedarit.
Në mesin e korrikut 1820, kur u duk se erdhi koha e përshtatshme,
sulltani shpalli papritur fermanin për likuidimin e Pashallëkut
të Janinës, i cili u lexua edhe në Janinë.
Ali Pasha nuk iu bind urdhrit dhe deklaroi se do të mbrohej
me luftë. Atëherë Porta e Lartë e shpalli
fermanlli, jashtë ligjit, dhe Shejhylislami
miratoi fetvanë e ndëshkimit të tij me vdekje.
Filluan njëkohësisht veprimet luftarake të
ushtrive qeveritare në tokë e në det dhe u
shpallën premtimet e Stambollit, sipas të cilave,
me përjashtim të Ali Pashës, të gjithë
të afërmit dhe pasuesit e tij do të faleshin
dhe nuk do tu prekeshin privilegjet që gëzonin
po ti nënshtroheshin padishahut dhe të braktisnin
Aliun. Kaq prisnin pasuesit e Ali Pashës, të cilët,
duke filluar nga djemtë e nipat e tij, nga motra dhe
deri te bashkëpunëtorët e tij më të
vjetër, vendosën që në rastin më
të parë ta braktisnin Aliun në fatin e vet.
Kështu shtresa feudale vendase, duke u dhënë
përparësi interesave të çastit, mori
një rrugë që nuk u përgjigjej as synimeve
të saj të ardhshme, as atyre të të gjithë
vendit. Këtë veprim kaq të gabuar ajo do ta
kuptonte me vonesë dhe do të përpiqej ta ndreqte
pas vdekjes së Ali Pashës, por hapi i hedhur i kushtoi
shumë shtrenjtë.
Gjatë muajit gusht filloi sulmi i ushtrive të vezirëve
që ishin ngarkuar me ripushtimin e Shqipërisë
Jugore dhe me asgjësimin e Pashallëkut të Janinës.
Pas rënies së Tërhallës në duart
e vezir Mahmud pashë Dramës dhe vezir Ismail Pashës,
që ndodhi për shkak se forcat e Aliut, të nxitura
nga krerët e lëkundur, u tërhoqën, i erdhi
radha Beratit. Muhtar Pasha e Salih Pasha iu dorëzuan
vezirit Mustafa pashë Bushatlliut, kur ky rrethoi kështjellën
e Beratit. Në përputhje me fermanin sulltanor, Bushatlliu
i dërgoi në Tepelenë të shoqëruar
nga vëllai i Ismail pashë Plasës, i cili gjithashtu
mori pjesë në rrethimin e kështjellës
së Beratit në krye të një force ushtarake
të nisur nga Korça. Ata qenë dërguar
nga valiu i Rumelisë, i cili filloi veprimet luftarake
për të mbërritur sa më parë në
Janinë bashkë me vezirët e tjerë.
Pas rënies së Beratit, Mustafa Pasha u urdhërua
të nënshtronte gjithë sanxhakun e Vlorës
dhe të vendoste një myteselim derisa të mbërrinte
aty vezir Nurullah Pasha, që ishte emëruar qeveritar.
Në shtator 1820, kur ky vezir mbërriti në Vlorë,
motra e Ali Pashës, Shanishaja, me djemtë e saj,
Izet Beun e Maliq Beun, si dhe komandanti i kështjellës
së Gjirokastrës, Ago Myhyrdari, kërkuan falje.
Porta e Lartë miratoi faljen pa prekur pasuritë
e tyre. Kështu vepruan edhe Veli Pasha me djemtë
e tij, Mehmet Pashën e Selim Beun. Këta iu dorëzuan
kapedan Ali Beut, duke i lëshuar pa luftë qytetet
e bregdetit nga Vlora në Pargë. Më 1 shtator
këta dorëzuan edhe Prevezën, të cilën
kapedani mundi ta merrte me shumë sakrifica pasi kaloi
një kohë e gjatë. Vetëm qyteti i Artës
i rezistoi me luftë për 25 ditë forcave të
vezirit të Lepantit.
Në muajin gusht gjithçka që përbënte
Pashallëkun e Janinës, me përjashtim të
kryeqytetit të tij, kishte rënë në duart
e ushtrive të sulltanit. Veziri plak, megjithëse
humbi pjesën kryesore të ushtrisë, të
bashkëluftëtarëve më të ngushtë
dhe thuajse të të gjithë territorit që
sundonte, nuk e humbi shpresën për një përmbysje
të kësaj gjendjeje tepër të dëshpëruar.
Këtë shpresë ai e mbështeti në një
varg faktorësh që ishin në dobi të tij:
kishte dy kështjella të fuqishme me 250 gryka zjarri,
me një garnizon ushtarak të fortë dhe me rezerva
të shumta ushqimore e municione; ushtria osmane nuk u
grumbullua me kohë dhe nuk ishte në gjendje të
organizonte ndonjë sulm të përgjithshëm
para se të vinte dimri; banorët e larguar nga qyteti
i Janinës nuk do ti shërbenin Turqisë,
kurse shkatërrimi i pjesës më të madhe
të ndërtesave të vendit e linte ushtrinë
osmane pa strehë; ajo do ta kishte të vështirë
të siguronte edhe furnizimet e domosdoshme, për
shkak të luftës së organizuar të çetave
shqiptaro-greke.
Frytet, që Ali Pasha parashikonte të korrte, nuk
vonuan. Mosmarrëveshjet në shtabin drejtues të
forcave osmane morën hov aq sa i paralizuan veprimet
e rëndësishme ushtarake. Pehlivan Ibrahim pasha
një mëngjes të muajit tetor 1820 u gjend i
vdekur në çadrën e tij, i helmuar si tradhtar,
me urdhrin e kryekomandantit dhe me pëlqimin e Portës
së Lartë, për shkak se kishte hyrë në
lidhje me Ali Pashën dhe kërkonte të merrte
kryekomandën.
Sulmi i parë i përgjithshëm, që mezi u
organizua pas një kohe mjaft të gjatë grindjesh,
u zmbraps me trimëri nga të rrethuarit dhe u shoqërua
me një kundërsulm që e kryesoi vetë Ali
Pasha. Ky sukses luftarak, dhuna e ushtarëve armiq e
grabitjet e tyre në popull, mungesa e furnizimeve, mospagimi
i rrogave dhe të ftohtët e dimrit shkaktuan dezertime
të forta në radhët e trupave perandorake. Në
të njëjtën kohë komanda osmane kishte
filluar të trajtonte keq krerët shqiptarë,
si Tahir Abazin, Iljaz Podën, Ago Vasjarin, Dervish Hasanin,
Aleks Nuçe Marinogllun etj., të cilët e kishin
braktisur Aliun dhe ishin bashkuar me osmanët. Në
këto rrethana ata, të pakënaqur nga komanda
osmane e veprimet e saj, vendosën të ktheheshin
tek Aliu.
Për të shfrytëzuar pakënaqësinë
e popullit që sa vinte e rritej, Ali Pasha i dërgoi
këta krerë të penduar nëpër krahinat
shqiptare që të grumbullonin ushtri dhe të
sulmonin osmanët. Edhe suliotët, të cilët
ishin bashkuar me ushtritë e Portës për tu
hakmarrë ndaj Ali Pashës dhe për të çliruar
vendlindjen, të dëshpëruar nga vezir Ismail
Pashoja, i cili jo vetëm nuk e mbajti fjalën për
ti kthyer në malësinë e tyre, por mendonte
ti shfaroste krejt, u morën vesh me Ali Pashën.
Pasi u premtoi suliotëve ti linte të lirë
në malësinë e tyre dhe pasi u dha një
shumë të hollash, Aliu ra në marrëveshje
me ta për të sulmuar forcat armike, duke shkëmbyer
më 12 dhjetor pengjet e rastit sikurse ishte zakoni.
Në këtë mënyrë Ali Pasha filloi të
shpresonte se lufta e tij kundër Stambollit jo vetëm
nuk do të mbetej pa mbështetje, por edhe mund të
sillte fitoren.
Ndërkaq, Ismail Pashoja dhe shtabi i tij, të nxitur
edhe nga një i dërguar i Portës së Lartë,
u përgatitën të sulmonin e të pushtonin
kështjellën e vogël të Litharicës.
Në murin e saj ishte hapur një çarje e rëndësishme
ku mund të hynin 30 veta njëherësh. Ali Pasha,
që mësoi synimin e shtabit armik, nuk i la kohë
atij ta vinte në jetë planin e vet. Në një
natë me stuhi të 14 dhjetorit, Aliu doli me forcat
e tij dhe sulmoi në befasi rrethuesit që u zmbrapsëm
me humbje të mëdha dhe që braktisën jo
vetëm pozicionet e përparuara, por edhe bateritë
e topave që ishin më pranë kështjellës
së Litharicës.
Pas 12 dhjetorit 1820, bashkë me Ali Pashën, edhe
suliotët filluan luftën e çetave në
rrugën Artë-Janinë kundër karvaneve që
furnizonin ushtrinë osmane. Ali Pasha qysh më parë
kishte vënë në krye të tyre kapedan Odhise
Andrucon, duke e nxjerrë atë dhe trimat e tij jashtë
nga kështjella. Kjo luftë u zgjerua nga fillimi
i vitit 1821, kur me Aliun u bashkuan repartet e reja që
krerët shqiptarë i kishin mobilizuar e përqendruar
në krahina të ndryshme. Labëria, Myzeqeja dhe
Çamëria, si edhe krahinat e Zagorit dhe Agrafës,
u vunë në përkrahje të luftës së
Ali Pashës. Kjo kthesë me rëndësi u konkretizua
me përfundimin e një besëlidhjeje të krerëve
dhe kapedanëve shqiptarë, si Iljaz Poda, Ago Vasjari,
Tahir Abazi, Aleks Nuço, Marko Boçari, Noti
Boçari, Kiço Xhavella etj. Këta udhëheqës
të kryengritjes popullore u zotuan se do të
jenë vëllezër me trup e me shpirt dhe së
bashku do të derdhin gjakun për të shpëtuar
Ali Pashën. Frytet e kësaj besëlidhjeje
forcat osmane i ndien thellë jo vetëm me shkatërrimin
e disa karvanëve, por edhe me rritjen e qëndresës
popullore, që tashmë po organizohej e po drejtohej
nga njerëzit e vezirit të Janinës.
Porta e Lartë u detyrua të dërgonte në
krye të ushtrisë së saj në Janinë
ish-Vezirin e Madh, Hurshid Pashën, të cilin e hoqi
nga Moreja bashkë me trupat që komandonte. Ky veprim
u dha mundësi udhëheqësve të lëvizjes
nacionalçlirimtare greke të fillonin kryengritjen.
Ndërsa në muajin mars 1821, Hurshid Pasha përpiqej
të vinte rregull në ushtrinë që rrethonte
Janinën dhe kërkoi përforcime të reja,
Aleksandër Ipsilanti shpalosi në Moldavi flamurin
e kryengritjes. Edhe në More shpërtheu kryengritja,
e cila me të shpejtë, nën drejtimin e Shoqërisë
së Miqve (Filiqi Eteria)?, shënoi
fillimin e luftës për çlirimin kombëtar
dhe formimin e shtetit grek.
Në kushtet e zgjerimit të kësaj lufte, Porta
e Lartë mendoi të merrej vesh me Ali Pashën,
por duke kërkuar kapitullimin e tij, ndërsa ai vuri
si kusht kryesor largimin e forcave osmane nga Pashallëku
i Janinës dhe shpalljen e tij si qeveritar i përjetshëm
i këtij pashallëku. Porta e Lartë nuk pranoi,
prandaj lufta filloi përsëri. Aliu ndërmori
veprime luftarake me qëllim që Hurshid Pasha të
mos organizonte një sulm të përgjithshëm
kundër tij dhe të mos shkëpuste ndonjë
pjesë të forcave, që dispononte për ti
dërguar kundër kryengritjes greke. Edhe para këtyre
ngjarjeve Ali pashë Tepelena u kishte lënë
dorë të lirë eteristëve të zhvillonin
veprimtarinë e tyre propagandistike dhe organizative
në pashallëkun e vet. Me këtë veprimtari
Aliu ndihmoi grekët dhe lëvizjen e tyre çlirimtare.
Ai hyri në bisedime me kryengritësit grekë
duke shpresuar se ata mund të bëheshin aleatë
në luftën kundër sulltanit dhe se me këtë
rrugë do të siguronte ndihmën e Rusisë.
Ndonëse ishte në dijeni të letrës që
Aleksandër Ipsilanti u kishte dërguar krerëve
të kryengritjes, ku i porosiste ta shfrytëzonin
Ali Pashën duke i zhvatur të holla e armatime dhe
ta linin në fatin e vet për të rënë
mbi të goditja e ushtrive osmane, ai i dha udhëzime
Aleks Nuços që të takohej me përfaqësuesin
e Shoqërisë së Miqve, H. Porevos,
dhe të fillonte bisedimet për marrëveshje.
Këto bisedime filluan në qershor 1821 dhe iu kushtuan
përgatitjes së një bashkëpunimi luftarak
kundër armikut të përbashkët. Vetë
Ali Pasha, me qëndresën e tij të patundur dhe
me prirjen për bashkëpunim, krijoi besim te një
pjesë e mirë e krerëve grekë, të
cilët i njoftoi se kishte dërguar njerëz të
nxitnin për kryengritje edhe popujt e tjerë ballkanikë.
Në vjeshtë të vitit 1821 Ali Pasha dërgoi
në Misolongji, që ishte njëra nga qendrat kryesore
të luftës greke, dy nga bashkëpunëtorët
e tij më të ngushtë, Tahir Abazin e Aleks Nuçon
për të bashkërenduar veprimet me kryengritësit
grekë. Por, megjithëse u arrit marrëveshja,
kryetari i lëvizjes në Greqinë Perëndimore,
A. Mavrokordato, ndryshe nga një varg krerësh të
tjerë që ishin për bashkëpunim, nuk e
respektoi atë dhe, duke vepruar në kundërshtim
me interesat e të dy popujve fqinjë, bëri krime
të shëmtuara ndaj popullsisë myslimane shqiptare.
Duke parë këtë qëndrim, Tahir Abazi e
krerët e tjerë shqiptarë e hoqën shpresën
për bashkëpunim me kryengritësit grekë.
Krerët shqiptarë e vazhduan luftën. Pasi ra
kështjella e Tepelenës në duart e kryengritësve
shqiptarë, Iljaz Poda, që arriti të grumbullonte
rreth 6 000 veta myslimanë e të krishterë nga
krahinat e Myzeqesë, Tepelenës dhe Gjirokastrës,
u nis në drejtim të Zagorit, ku në bashkëpunim
me kryengritësit e rrethit të Janinës synonte
të çante rrethimin e Ali Pashës. Më
pas iu drejtuan rrethinave të Artës, ku vepronte
pjesa tjetër e të besëlidhurve. Në kohën
kur Arta ishte e rrethuar nga larg prej suliotëve dhe
forcave të Tahir Abazit dhe Ago Vasjarit, njësitë
e Iljaz Podës u hodhën drejt saj duke e ndarë
ushtrinë në reparte të vogla, që u shkrinë
me çetat suliote dhe ato të kleftëve. Çlirimi
i Artës do ta bënte më të lehtë sulmin
për çlirimin e Ali Pashës nga rrethimi. Ky,
pasi kështjella e Litharicës pati rënë
më 16 nëntor në duart e Hurshid Pashës,
ishte përqendruar i vetëm në kështjellën
e Kastros. Por gjendja e garnizonit osman në Artë
ishte aq e vështirë, sa nuk mund të qëndronte
gjatë. Përveç mungesës së ushqimeve
ndikoi edhe qëndrimi i njërit prej komandantëve
shqiptarë të ushtrisë osmane, Mehmet Beut,
që ishte lidhur me forcat shqiptare, të cilat pas
mbërritjes së Iljaz Podës, arritën në
10-12 000 veta. Gjendja e garnizonit osman u vështirësua
më shumë, kur kjo forcë mjaft e madhe shqiptare
iu afrua me luftë qytetit më 25 nëntor dhe
më 28 në mëngjes u gjend në portat e tij.
Ndërsa pritej që të çlirohej Arta me
urdhër të Mavrokordatos, mbërriti aty kapedan
Makriu me 2 000 grekë, i ngarkuar që të mos
lejonte që qyteti të binte në duart e forcave
shqiptare. Pikërisht në këtë kohë
suliotët shkelën zotimet e besëlidhjes, u bashkuan
me lëvizjen greke dhe u vunë nën komandën
e kapedan Makriut. Ndërkaq, në ndihmë të
garnizonit të Artës mbërritën dy reparte
të fuqishme osmane, njëri nga të cilët
u doli nga prapa forcave shqiptare. Suliotët braktisën
pozitat e tyre në Pesë Puset, ndërsa forcat
shqiptare, që u rrezikuan të mbeteshin të gozhduara
midis dy zjarresh, u detyruan të hiqnin dorë nga
rrethimi i Artës dhe të kalonin në pozitat
që kishin pasur para sulmit të 25 nëntorit.
Por luftimet u ndërprenë nga të dyja palët,
sepse komandantët kryengritës shqiptarë, duke
parë se po dështonin synimet e tyre dhe duke ndjerë
rrezikun që u kanosej trojeve shqiptare nga veprimet
aneksuese greke, nuk ngurruan ti dorëzoheshin Omer
pashë Vrionit në Pesë Puset, të siguronin
faljen nga Hurshid Pasha dhe të viheshin përsëri
nën komandën e tij.
Kjo ngjarje shënoi afrimin e fundit të qëndresës
së Ali Pashës. Pas kësaj, i ndodhur përballë
forcave shqiptare të Mustafa pashë Bushatlliut,
që dërgoi në Janinë një fuqi prej
3 000 vetash, të pashallarëve dhe krerëve të
tjerë shqiptarë, edhe garnizoni i Kastros nuk vonoi
të braktiste vezirin plak dhe të hapte dyert e kështjellës.
Kështu më 23 janar 1822 trupat osmane e pushtuan
kështjellën me përjashtim të një
pjese të brendshme të saj, ku mbeti i rrethuar Ali
Pasha me rreth 50 veta besnikë dhe me gruan e tij, Vasiliqinë.
Në këto kushte Ali Pasha nuk mundi të qëndronte
gjatë. I mashtruar edhe nga njerëzit e vet, që
ishin vënë në shërbim të Hurshid
Pashës dhe që i premtuan se do të falej, Aliu
ra në kurthin e kryekomandantit osman. Ky e siguroi se
sulltani kishte nxjerrë fermanin e faljes, i cili nuk
mund të zbatohej para se ai të tërhiqej në
ishullin e liqenit dhe të dorëzonte fortesën
e fundit, ku po vazhdonte qëndresën i vetmuar. Ali
Pasha e priti me plumb të ngarkuarin e Hurshid Pashës,
i cili, në vend të fjalës së premtuar,
lexoi dënimin me vdekje. Më 5 shkurt 1822, Ali pashë
Tepelena. u vra me armë në dorë në manastirin
e Shën Pandelemonit, në ishullin e liqenit të
Janinës. Koka e tij u ekspozua më pas në oborrin
e sulltanit
Karakteri i Pashallëkut të Janinës
Me vrasjen e Ali Pashës mori fund konflikti ndërmjet
pushtetit qendror osman dhe sundimtarit të fuqishëm
shqiptar të Pashallëkut të Janinës, i
cili kishte për qëllim të arrinte shkëputjen
e këtij pashallëku nga varësia e Stambollit
dhe ta shndërronte atë në një shtet shqiptar
të pavarur ose autonom.
Edhe ky vezir shqiptar, si një nga përfaqësuesit
më të rëndësishëm të shtresës
së pronarëve të mëdhenj të tokës
dhe të komandantëve të reparteve ushtarake,
që shtinë në duart e tyre pushtetin politik
e ushtarak krahinor në Shqipërinë Jugore, në
sajë të pushtetit ekonomik synonte të siguronte
vetëqeverisjen e vendit. Qysh në vitet e para të
sundimit të vet, Ali pashë Tepelena formoi bindjen
se Perandoria Osmane po shkonte drejt greminës. Për
rrjedhim, ai dhe shtresa e çifligarëve që
përfaqësonte, për të shpëtuar pasuritë
dhe pushtetin e vet, ndoqi rrugën e shkëputjes së
pashallëkut. E gjithë veprimtaria e Ali Pashës,
si në politikën e brendshme, ashtu edhe në
atë të jashtme, tregoi se ai u përpoq të
jetë sundimtar i pavarur. Duke ngritur në
gjithë hapësirën nga Thesalia në Shkumbin
një aparat administrativ e ushtarak të posaçëm,
që vepronte brenda pashallëkut sipas vendimeve të
tij, duke lidhur marrëveshje politike, ushtarake e ekonomike
me shtete të huaja pa pëlqimin e dijeninë e
Portës së Lartë dhe duke shtrirë pushtetin
e vet në territore të qeverisura nga funksionarë
të emëruar prej sulltanit, Ali Pasha qeverisi në
mënyrë autonome. Prandaj Pashallëku i Janinës,
ashtu si dhe ai i Shkodrës kishte nga pikëpamja
organizative dhe nga pikëpamja e mënyrës së
ushtrimit të pushtetit tiparet e një shteti në
fakt autonom.
Megjithëkëtë, edhe në Pashallëkun
e Janinës, ashtu sikurse në atë të Shkodrës,
pushteti ishte i deleguar nga sulltani sovran dhe ushtrohej
në emër të tij. Prandaj edhe Pashallëku
i Janinës mbeti një zotërim autonom pa u kthyer
ende në një shtet shqiptar.
Deri më 1812, edhe pse rreziku i copëtimit të
Perandorisë Osmane ishte në rendin e ditës,
Ali Pasha nuk u shpall dot sundimtar i pavarur, sepse mungonin
për këtë akt kushtet e brendshme. Ai nuk kishte
mundur të shtrinte e të konsolidonte pushtetin e
vet mbi sanxhakët e tjerë të Shqipërisë
Jugore, dhe nuk kishte mundur ti jepte fund anarkisë
feudale. Ndërsa pas vitit 1812, kur u pa qartë se
rreziku i jashtëm po mënjanohej, Aliu nuk e hodhi
hapin vendimtar, sepse gjendja e përgjithshme politike
ndërkombëtare nuk e favorizonte. Në këto
kushte, as feudalët shqiptarë, mbi të cilët
mbështetej Aliu, nuk u treguan të gatshëm si
më parë për tu shkëputur nga Stambolli
dhe parapëlqyen të ruanin gjendjen ekzistuese të
pashallëkut. Ja përse deri në muajin prill
të vitit 1820 Ali Pasha nuk guxoi të hidhej në
kryengritje për tu shpallur sundimtar i pavarur
ose edhe vasal i sulltanit. Por kur sulltan Mahmudi II filloi
zbatimin e reformave centraliste, me qëllim që të
përqendronte pushtetin në duart e veta dhe ta ushtronte
atë me funksionarë turq, Ali Pasha pa qartë
se shtresa feudale shqiptare do të humbiste privilegjet
politike dhe ekonomike që kishte mundur të fitonte,
kurse vendi do të ndiente në kurrizin e tij gjithë
peshën e pushtimit të ri osman. Prandaj, edhe pse
të bijtë dhe bashkëluftëtarët më
besnikë e këshilluan të pajtohej me Stambollin,
ai nuk pranoi të nënshtrohej, por u ngrit mbi interesat
e veta dhe luftoi deri në fund për një çështje
më të madhe: për shkëputjen e vendit me
luftë nga sunduesit shekullorë osmanë.
Me qartësinë e një politikani të shquar
të kohës, Ali Pasha u përpoq ta bashkërendiste
kryengritjen kundër Stambollit me lëvizjen çlirimtare
të popujve ballkanikë duke e parë këtë
si të vetmen rrugë drejt fitores. Ai u përpoq
që të nxiste luftën e popujve në Mal të
Zi, në Serbi e në Vllahi, ndihmoi drejtpërsëdrejti
kryengritjen e popullit grek (1821) dhe kërkoi bashkëpunimin
luftarak me udhëheqësit e saj, duke u mbështetur
kryesisht tek ajo pjesë e krerëve grekë që
e vlerësonin drejt faktorin shqiptar në luftën
kundër Perandorisë Osmane.
Veprimtaria e Ali Pashës për formimin e Pashallëkut
të Janinës dhe lufta e tij për mbrojtjen dhe
për shndërrimin e këtij pashallëku në
një shtet të pavarur ose me statusin e vasalitetit,
ishte një hap i madh përpara drejt bashkimit ekonomik
e politik të vendit, ishte një kthesë me rëndësi
në historinë e Shqipërisë.
Pushtimi i dytë i Shqipërisë, që
erdhi si pasojë e shembjes së Pashallëkut të
Janinës, me pasojat e tij të rënda materiale
e shpirtërore, vërtetoi se sa e drejtë kishte
qenë përpjekja e Ali Pashës për një
kryengritje të të gjitha forcave shoqërore
të vendit. Ky pushtim, që nuk u mënjanua as
nga lëvizja feudale e viteve 20 të shek. XIX, tregoi
qartë se në Shqipëri ende nuk ishin pjekur
kushtet ekonomike, shoqërore e politike për të
hedhur poshtë robërinë shekullore osmane.
Shembja e Pashallëkut të Janinës i hapi rrugën
zbatimit të reformave centraliste në Shqipëri,
por dhe një periudhë të re qëndrese ndaj
sunduesit osman.
6. LËVIZJA NË SHQIPËRINË JUGORE PËR
VETËQEVERISJEN E VENDIT
Shqiptarët dhe kryengritja çlirimtare greke
Me shembjen e Pashallëkut të Janinës u duk
sikur politika e reformave centralizuese u kufizua me asgjësimin
e shtëpisë së fuqishme feudale të tepelenasve.
Duke i dhënë Omer pashë Vrionit gradën
e vezirit dhe qeverisjen e sanxhakëve të Janinës,
të Delvinës dhe të Vlorës, Porta e Lartë
synonte të provonte se po e vinte përsëri qeverisjen
e Shqipërisë Jugore në duart e feudalëve
vendas. Por kjo qe një dukuri e përkohshme, sepse
sulltani pasi ia arriti qëllimit të tij të
parë me asgjësimin e pushtetit krahinor të
Ali Pashës, nuk hoqi dorë nga synimi i tij kryesor
për të rrënjosur, jo vetëm në Shqipërinë
Jugore, por në të gjithë Shqipërinë,
sundimin e vet të tërëfuqishëm. Për
këtë dëshmoi edhe fakti që nga fundi i
vitit 1822 sulltani i hoqi Mustafa pashë Bushatlliut
sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit.
Nevoja për të përdorur të gjithë
potencialin ushtarak të Shqipërisë Jugore për
të shtypur kryengritjen greke ishte shkaku që detyroi
Mahmudin II të sillte në pushtet Omer pashë
Vrionin dhe të mbante përkohësisht premtimet
për të mos cenuar privilegjet e feudalëve toskë.
Porta e Lartë kërkonte të grumbullonte rreth
40 000 ushtarë shqiptarë, kryesisht nga Shqipëria
Jugore, që do të viheshin nën komandën
e përgjithshme të Hurshid Pashës kundër
kryengritjes nacionalçlirimtare greke. Për këtë,
qysh në muajin mars 1822, u shpall në të gjithë
Shqipërinë fermani për mobilizimin e një
burri për shtëpi.
Mirëpo ky mobilizim ndeshi në dy pengesa të
mëdha: së pari, popullsia e sanxhakëve të
Shqipërisë Jugore ishte dëmtuar rëndë
nga fatkeqësitë që i kishin rënë
mbi shpatulla gjatë pushtimit osman. Si rrjedhim, e mërzitur
nga lufta popullsia nuk donte të jepte ushtarë.
Përveç kësaj, pa i vënë rëndësi
të posaçme fesë, shqiptarët toskë,
shumica e të cilëve ishin myslimanë, dëshironin
të mbanin marrëdhënie miqësore me grekët,
me vllahët etj., me të cilët i afronte bashkëjetesa
paqësore shumëshekullore, njohja e ndërsjelltë
dhe bashkëpunimi si fqinjë, si dhe mjaft zakone
që i kishin të ngjashme e të përbashkëta,
si popuj fqinjë e si ballkanas. Së dyti, bejlerët
shqiptarë, të dëshpëruar nga humbja e
pushtetit pas vrasjes së Ali Pashës (të cilin
e varrosën me nderime të mëdha), nuk ia vunë
veshin thirrjes për mobilizim, megjithëse Hurshid
Pasha nuk ngurroi të ofronte paga të larta për
çdo ushtar.
Ky qëndrim bëri që planet luftarake të
Hurshid Pashës për të shtypur kryengritjen
greke ende të dobët, të dështonin njëri
pas tjetrit; edhe ata ushtarë shqiptarë, që
detyroheshin të shkonin për të shërbyer,
shpesh herë hynin në grindje me ushtarët e
komandantët osmanë, duke hapur atë plagë
të madhe që karakterizoi ushtritë osmane gjatë
viteve të kryengritjes greke, dezertimin në masë.
Si rrjedhim i qëndrimit të ftohtë e mospërfillës
që shqiptarët shfaqën qysh në vitin 1822,
Stambollit iu deshën të paktën 6 muaj që
të grumbullonte një ushtri për fushatën
ndëshkimore kundër kryengritjes greke. Por edhe
kjo ushtri ishte shumë më e vogël nga sa pritej.
Kjo vonesë në mobilizimin e ushtrisë ishte
një ndihmë për kryengritjen greke, sepse u
dha mundësi e kohë krerëve të saj të
grumbullonin forca të mjaftueshme, madje të arrinin
edhe epërsi numerike ndaj ushtrive osmane. Por kjo epërsi
nuk solli rezultatet që priteshin, sepse midis udhëheqësve
grekë filloi grindja, ndërsa synimet shoviniste
të krerëve fanariotë ndaj Shqipërisë
Jugore e paralizuan ndihmën e atyre forcave shqiptare,
të cilat u bashkuan atëherë me suliotët
dhe bënë që të dështonte plani i
nënshtrimit të malësisë së Sulit
nga divizioni osman, i komanduar nga Mehmet Reshit Pasha.
Këto ngjarje i dhanë dorë Hurshid Pashës
që të vinte theksin te rreziku grek për Shqipërinë,
të shpallte faljen e dezertorëve dhe të grumbullonte
forca të mjaftueshme për të ndërmarrë
ekspeditën ndëshkimore të vitit 1822. Në
muajin shtator, ushtria e komanduar prej tij mundi të
depërtonte në More ku ishte vatra e kryengritjes
greke, kurse ai vetë me një ushtri tjetër,
arriti suksesin e parë kundër mbrojtësve të
Termopileve. Kjo i dha shpresë se do të mund të
nënshtronte Morenë, ku gjendej e robëruar edhe
familja e tij. Ky rrezik i detyroi krerët grekë
të hidhnin prapa krahëve grindjen dhe tu kushtoheshin
luftimeve. Ata korrën suksese, sidomos duke bllokuar
ushtritë osmane në More. Por një rol të
dorës së parë luajtën edhe shqiptarët.
Një pjesë e tyre, u morën vesh me kapedanët
grekë për tu hapur rrugën dhe dezertuan,
ndërsa pjesa tjetër, që kishte mbetur në
garnizonet e kështjellave të Moresë si dhe
në ushtrinë e komanduar nga vetë Hurshid Pasha,
u rebelua për shkak të pagave të prapambetura
dhe paralizoi gjithçka. Kështu kryengritësit
grekë mundën të ndërprisnin lidhjet midis
kryekomandantit në Larisa dhe Omer pashë Vrionit
e Mehmet Reshid pashës në Prevezë e në
Artë, dhe e bënë të pamundur hyrjen e
tyre në Akarnani. Mirëpo ky sukses nuk dha fryt,
sepse kapedan Varuskioti tradhtoi e kaloi në anën
e dy pashallarëve. Tradhtia e tij bëri të mundur
sulmin e forcave të Omer Pashës e të Mehmet
Reshid pashës drejt Akarnanisë e sidomos drejt qytetit
të Misolongjit.
Më 3 nëntor 1822 artileria osmane filloi të
godiste forcat greke të mbyllura në Misolongji.
Por osmanët nuk ndërmorën atëherë
sulmin e përgjithshëm, i cili filloi vetëm
më 6 janar 1823. Ndërkaq të rrethuarve u erdhën
ndihma nga deti, me të cilat u përgatitën për
të përballuar sulmin e 6 janarit. Sulmi i përgjithshëm
dështoi dhe pas një jave, më 12 janar filloi
tërheqja. Gjatë largimit Mehmet Reshid pasha ndërmori
një fushatë terrori duke grabitur fshatrat përgjatë
rrugës. Por edhe grekët masakruan gjithë myslimanët
që u ranë në dorë. Shqiptarët, të
mërzitur nga këto veprime, dezertuan në masë
dhe u morën vesh me kapedanët grekë që
u hapën rrugët. Kështu nga 12 000 ushtarë
që u nisën nga Preveza, mbetën në ushtri
vetëm 1 500.
Përgjegjësia e dështimit të ekspeditës
iu ngarkua Hurshid Pashës, i cili u dënua me vdekje
me helmim. Sulltani e ruajti Omer pashë Vrionin me shpresë
se ai do të mund të grumbullonte forca të reja.
Këto ngjarje treguan se përkrahja e kryengritjes
greke nga shqiptarët qe një faktor i rëndësishëm
në dështimin e ekspeditës së vitit 1822
kundër kryengritjes greke, që në atë kohë
ishte ende e dobët.
Pa përfunduar mirë ekspeditën e parë,
Porta vendosi të organizonte një të dytë,
por këtë herë duke shpresuar në mobilizimin
në masë të shqiptarëve me ndihmën
e krerëve të tyre feudalë. Kjo detyrë
iu ngarkua së pari Omer pashë Vrionit.
Ky vezir u bëri thirrje shqiptarëve që në
emër të fesë dhe të sulltanit
të hynin me forcat e tyre në radhët e ushtrisë
osmane për të nënshtruar Akarnaninë. Mirëpo
krerët shqiptarë të mbledhur në kuvend
vendosën të mos dërgonin forcat e tyre jashtë
sanxhakëve shqiptarë dhe të rrëmbenin
armët vetëm po qe se trojet e tyre do të sulmoheshin
prej grekëve. Në fakt synime të tilla shoviniste
ndaj trojeve shqiptare u shfaqën atëherë në
udhëheqjen greke, të kryesuar nga princi Dh. Ipsilanti.
Përveç kësaj në sanxhakun e Vlorës
ziente lufta për pushtet midis shtëpisë së
madhe feudale të Vlorajve, të kryesuar nga Ismail
Beu, që kërkonte marrjen e pushtetit nga Sulejman
Pasha, të birit të vezir Ibrahim Pashës, dhe
shtëpisë së Vrionasve, partizanët e së
cilës pretendonin që pushteti i sanxhakut të
vihej në duart e Hasan Beut, vëllait të vezirit
të tre sanxhakëve. Në janar 1823, para se të
mbërrinte në Berat thirrja e Omer Pashës, Hasan
Beun e dëbuan nga qyteti. Kjo tregoi se bejlerët
shqiptarë nuk e përfillën autoritetin e vezirit
dhe se mobilizimi nuk do të kishte sukses.
Meqenëse thirrja e Omer Pashës nuk dha rezultatet
e pritura, sulltan Mahmudi II kërkoi nga krerët
shqiptarë të paraqiteshin me forcat e tyre në
Larisë, ku do të grumbullohej ushtria perandorake.
Fermani iu drejtua Iljaz Podës, Ismail bej Vlorës,
Shahin bej Delvinës, Haxhi Ismail Pronjës, Tahir
e Mehmet Çaparit dhe Abdyl bej Kokës. Në
mars të vitit 1823 sulltani, pasi ia kishte kthyer përsëri
sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit vezir Mustafa
pashë Bushatlliut, e urdhëroi edhe këtë
të nisej me forcat e Gegërisë për të
nënshtruar Akarnaninë. Me përjashtim të
Iljaz Podës, që kishte dalë fitimtar në
grindjen me Taho Podën, ungjin e vet, dhe që druhej
nga ndëshkimi i Omer Pashës, deri në muajin
maj asnjë feudal toskë, lab apo çam, nuk
shkoi në Larisë. Disa prej tyre, duke përfituar
nga fakti se Portës së Lartë i mungonin të
hollat, vunë si kusht për pjesëmarrjen në
ushtri akordimin e një paradhënieje për disa
muaj dhe të një page mujore prej 100 piastrash për
çdo ushtar. Sidoqoftë pas Iljaz Podës u paraqitën
në Larisë disa bejlerë të tjerë toskë
e gegë, por edhe pas kësaj në radhët e
reparteve të ushtrisë që u grumbulluan në
Larisë ndodhi diçka e paparë. Ushtarët,
meqë nuk u paguan rrogat, ngritën krye, rrahën
komandantët e tyre, kurse kryekomandanti Ahmet Pasha
mezi shpëtoi kokën duke dalë nga dritarja prapa
shtëpisë.
Pas përfundimit të paqes me Persinë, Porta
e Lartë në mesin e vitit 1823 arriti të gjente
fonde dhe të dërgonte edhe ushtarë turq. Kështu
ajo formoi ushtrinë e vet në Larisë, që
do të hynte në veprim menjëherë pas Bajramit.
Por edhe në gjirin e saj, përveç mungesës
së disiplinës, u shtua edhe urrejtja e ndërsjelltë
midis shqiptarëve dhe turqve që shiheshin si të
huaj e armiq.
Kur ushtria osmane e grumbulluar në Larisë, por
përgatitej të fillonte veprimet luftarake, u nis
nga Shkodra për në Akarnani edhe ushtria e vezirit
të Shkodrës. Ndërkohë, në Prevezë
u formua prej Jusuf Pashës së Patrasit edhe një
ushtri tjetër mercenare prej 6 000 vetash, e cila pasi
të bashkohej me atë të Mustafa pashë Bushatlliut,
do të sulmonte Akarnaninë. Hyrjen e këtyre
dy ushtrive në Akarnani ishin ngarkuar ta ndalnin kapedanët
kryengritës grekë, që ishin caktuar të
mbronin krahinën. Në të vërtetë,
atë e ndalën shqiptarët e rekrutuar nën
komandën e Jusuf Pashës. Pasi u morën vesh
me kapedanët grekë, ata dezertuan në masë
dhe u ndanë në dy pjesë nga 3 000 veta secila.
Kështu kjo ushtri u shkri dhe komandanti i saj, i mbetur
vetëm, u detyrua të hipte në një barkë
e të strehohej në një anije të flotës
osmane që të shpëtonte kokën dhe të
mos binte në duart e grekëve. Ky dezertim, i paparë
ndonjëherë, siç shkruante konsulli francez
në Korfuz, dë Shantal, vërtetoi plotësisht
se shqiptarët myslimanë nuk deshën të
luftonin kundër grekëve. Kështu, shqiptarët
ndihmuan edhe një herë kryengritjen greke.
Pas kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme, forcat
e kapedanëve grekë shkuan nga Akarnania në
rrethin e Agrafës që të pengonin marshimin
e forcave të vezirit të Shkodrës për në
Akarnani. Por këto orvatje të kapedanëve grekë
dështuan. Ushtria e vezirit shkodran, e cila me qëllim
të paramenduar nuk u nxitua të arrinte në Akarnani
dhe nuk përdori dhunën gjatë rrugës së
vet derisa u sulmua në Karpenisi, mbërriti përpara
Misolongjit pa ndonjë pengesë tjetër. Me këtë
ushtri u bashkua edhe një forcë prej 3-4 mijë
vetash që solli aty Omer pashë Vrioni. Por, këto
reparte shqiptare të prirura për të mos luftuar
kundër kryengritësve grekë, vazhduan të
mbanin qëndrim pasiv, ashtu si edhe ushtria shkodrane
dhe, pasi u plotësua afati gjashtëmujor i pajtimit
të ushtarëve me pagë, filluan të tërhiqeshin
dhe të ktheheshin në vendlindje. Heqja e rrethimit
të Misolongjit, - shkruante konsulli dë Shantal
- nga pashai i Shkodrës së Shqipërisë,
nuk është aspak rezultat i ndonjë luftimi ushtarak
të grekëve. Kjo ngjarje është vetëm
fryt i tërheqjes së trupave të pashait në
fjalë, të cilat ... vendosën të kthehen
secila në shtëpi të vet.
Qëndrimi i forcave shqiptare që u endën rrugëve
ose që nuk ndërmorën thuajse asnjë veprim
serioz luftarak si gjatë marshimit, ashtu dhe gjatë
rrethimit të Misolongjit, minoi ekspeditën
e vitit 1823.
Me dështim të plotë përfundoi edhe ekspedita
e vitit 1824 kundër kryengritjes greke që iu ngarkua
Dervish pashë Pejës, i cili sulmoi nga ana e Larisës,
dhe Omer pashë Vrionit që u hodh në anën
e Akarnanisë. Ajo dështoi në radhë të
parë, ngaqë Mustafa pashë Bushatlliu dhe krerët
kryesorë të Shqipërisë Jugore kundërshtuan
të merrnin pjesë në të. Përveç
kësaj, masakrimi i 300 shqiptarëve nga komanda osmane
në Eube (Negropont), shkaktoi dezertimin e më shumë
se 300 luftëtarëve shqiptarë të grumbulluar
nga veziri Vrionas. Pas kësaj hemorragjie, ky vezir nuk
paraqiste më ndonjë rrezik për forcat greke.
Duke u përqendruar kundër Dervish Pashës, ato
e thyen edhe atë. Kështu, për shkak të
qëndrimit dashamirës të shqiptarëve ndaj
kryengritjes greke, përfundoi me dështim edhe kjo
fushatë ndëshkimore osmane.
Qëndrimi i shqiptarëve, që me të drejtë
u konsiderua si shkaku kryesor, i cili bëri që ushtritë
e Rumelisë nuk kryen asnjë shërbim të
frytshëm, u kthye në një problem
shqiptar, të cilin Porta e Lartë e shtroi
për zgjidhje. Stambolli vendosi atëherë që
Omer pashë Vrioni të hiqej si i paaftë nga
posti që mbante në Shqipërinë Jugore dhe
të transferohej në sanxhakun e Selanikut; qeverisja
e sanxhakut të Vlorës ku kishte ndikim më të
fortë shtëpia e vjetër e Vlorajve, ti
jepej Sulejman pashë Vlorës, kurse derbendët
ti jepeshin Iljaz bej Pashës. Sanxhakët e
Janinës dhe të Delvinës si dhe posti i valiut
të Rumelisë e kryekomanda e ekspeditave kundër
Greqisë, ti jepeshin Mehmet Reshid pashës.
Me këto masa, që përbënin hapin e parë
drejt rivendosjes së funksionarëve osmanë në
Shqipërinë Jugore, u pajtuan shumica e krerëve
të Shqipërisë. Kështu, Mehmed Reshid pasha,
ngriti një ushtri prej 15 000 vetash, shumica e të
cilëve ishin shqiptarë. Por, kur kjo ushtri hyri
në Akarnani dhe rrethoi Misolongjin, shqiptarët
u trajtuan keq prej kryekomandantit osman. Në këto
rrethana ata filluan përsëri të dezertonin
dhe kundërshtuan të merrnin pjesë në sulmin
e përgjithshëm që u ndërmor në shtator
1824. Atëherë Mehmet Reshid pasha, të cilit
sulltani i kishte kërkuar ose Misolongjin ose kokën,
dërgoi Haxhi bej Gegën, Veli bej Jaçen dhe
Banush aga Sevranin të merreshin vesh me kapedanët
suliotë për ti bindur që të dorëzonin
qytetin me të mirë, sa pa ardhur i biri i Mehmet
Ali Pashës së Egjiptit, i cili kishte zbarkuar në
More. Mirëpo, në vend që tu mbushnin
mendjen mbrojtësve të Misolongjit për të
dorëzuar qytetin, anëtarët e delegacionit u
thanë kapedanëve suliotë të vazhdonin
të qëndronin, pasi ashtu si Mehmet Reshid pasha,
do të dështonte edhe Ibrahim pasha i Egjiptit. Atëherë
kryekomandanti osman urdhëroi arrestimin e Haxhi bej
Gegës. Me këtë masë e acaroi gjendjen
dhe shpejtoi dezertimin. Ushtarët gegë u rebeluan,
nxorën nga burgu komandantin e tyre dhe u larguan. Kështu
bënë edhe të tjerët e sidomos Sulejman
pashë Vlora, i cili mësoi se ndërkohë
ishte shkarkuar nga qeverisja e sanxhakut, i cili i ishte
dhënë Ismail pashë Plasës.
I mbetur me një ushtri të pakët në numër,
Mehmet Reshid pasha e hoqi rrethimin e Misolongjit, u tërhoq
në pozita të tjera dhe e njoftoi Mahmudin II për
disfatën e ekspeditës, dhe se kishte vendosur të
dimëronte aty dhe do të priste përforcime nga
qendra.
Masat që u morën për likuidimin e çështjes
shqiptare nuk dhanë rezultat. Feudalët shqiptarë,
siç kishte thënë Sulejman pashë Vlora
në komisionin që shqyrtoi këtë çështje
vitin e kaluar, kërkonin ta qeverisnin vetë vendin
e tyre si në kohën e Ali pashë Tepelenës.
Veprimet e Stambollit u treguan atyre se sjellja në fuqi
e Mehmet Reshid pashës në sanxhakët e Janinës
dhe të Delvinës ishte një hap i madh kundër
vetëqeverisjes së vendit nga shqiptarët. Por
kjo u duk më qartë kur në qershor të vitit
1826 filloi reforma ushtarake, me asgjësimin e korpusit
të jeniçerëve.
Porta e Lartë mbajti një qëndrim të veçantë
ndaj shqiptarëve, të cilët treguan se ishin
kundër sistemit të ri ushtarak të quajtur nizami
xhedid (nizam-i cedid). Ajo e ndaloi Mehmet Reshid pashën
të përdorte dhunën për të zbatuar
reformën ushtarake në Shqipëri dhe urdhëroi
ta shtynte atë për më vonë. Sulltani theksonte
atëherë se më parë duhej zgjidhur
problemi grek, prandaj detyra kryesore ishte të nxirreshin
sa më shumë trupa shqiptare për ti hedhur
në Greqi. Pas pushtimit e shkatërrimit në
prill 1826 të qytetit të Misolongjit nga trupat
egjiptiane-osmane, Stambolli shtroi si synim të nënshtronte
pjesën tjetër të Greqisë e në radhë
të parë kështjellën e Akropolit të
Athinës, për të hapur rrugën drejt Moresë.
Në këto rrethana Mehmet Reshit pasha e ndryshoi
qëndrimin ndaj feudalëve shqiptarë e sidomos
ndaj Iljaz Podës, komandantit të derbendëve,
të cilit filloi ti paguante rregullisht rrogat
e ushtarëve. Përveç kësaj, Porta e Lartë
emëroi si myteselim të sanxhakut të Janinës
Ismail bej Tepelenën, nipin e Ali Pashës. Qëllimi
ishte që tu krijohej përshtypje shqiptarëve
se synimet e tyre për vetëqeverisjen e Shqipërisë
Jugore po realizoheshin. Këtë bindje pati formuar
edhe Iljaz Poda, i cili e festoi me gëzim të madh
lajmin e emërimit të Ismail bej Tepelenës në
Janinë.
Luftimet për pushtimin e kështjellës së
Akropolit, që filluan në muajin gusht 1826, përfunduan
në qershorin e vitit 1827. Nën komandën e gjeneralit
anglez Kurç, mbrojtësit e jashtëm të
kështjellës luftuan pa zell, bënë gabime
të rënda dhe humbën betejën e 6 majit
me dëme të shumta. Ndërkaq edhe ushtria e Mehmet
Reshid pashës nga 18 000 ushtarë që kishte
në fillim, tani ishte katandisur me 8 000 veta, për
shkak të dezertimeve të shqiptarëve. Në
pamundësi të vazhdonte mbrojtjen, garnizoni grek
i kështjellës kapitulloi dhe ia dorëzoi atë
Mehmet Reshid pashës.
Pas kësaj fitoreje ky ngriti zërin kundër silahdar
Iljaz Podës, të cilin e akuzoi se nuk kishte zbrazur
asnjë pushkë kundër kryengritësve grekë,
madje, i kishte ndihmuar ata fshehurazi. Ai nuk i kishte shkuar
në ndihmë as Ismail bej Tepelenës kur ky ishte
rrethuar në Salona, dhe as Musa bej Qafëzezit në
Rahovë të Livadhisë ku edhe u vra. Iljaz Poda
kishte liruar pengjet e zonave të Agrafës e të
Patërxhikut.
Krerët shqiptarë iu vunë punës për
të diskredituar e hequr Mehmet Reshid pashën nga
pushteti i Shqipërisë Jugore dhe për ta detyruar
sulltanin që tu linte atyre vetëqeverisjen
e vendit. Këto veprime lehtësuan kryengritësit
grekë. Qëndrimi i krerëve shqiptarë dhe
dezertimet e ushtarëve e penguan kryekomandantin anadollak
të vazhdonte marshimin për në More. Meqë
i mbetën pak forca, ai ra moralisht deri në atë
shkallë sa kërkoi dorëheqjen nga postet e tij.
Për të kapërcyer këtë gjendje të
vështirë që u krijua në Shqipërinë
e Jugut, Porta e Lartë i propozoi sulltanit, që
Iljaz Poda të gradohej pashë dhe ti jepej
qeverisja e sanxhakut të Tërhallës, ndërsa
Omer pashë Vrionit ti jepej qeverisja e tre sanxhakëve
të Shqipërisë Jugore, por me kusht që
të dy të siguronin bashkimin e feudalëve të
tre sanxhakëve shqiptarë rreth tyre për të
sulmuar Greqinë dhe të zbatonin reformën ushtarake.
Silahdar Iljaz Poda, si çdo feudal tjetër shqiptar,
autoriteti i të cilit mbështetej në radhë
të parë në forcat ushtarake me rrogë,
nuk e pranoi detyrën e re. Ai propozoi që sanxhaku
i Tërhallës ti jepej Omer pashë Vrionit,
kurse ai vetë do të shërbente nën urdhrat
e tij. Nga ana tjetër, ai e njoftoi Portën e Lartë,
me anë të përfaqësuesit të vet që
dërgoi në Stamboll, se feudalët shqiptarë
nuk mund të bashkoheshin për të shkuar kundër
grekëve. Këtë nuk mund ta bënin jo vetëm
pse ishin kundër zbatimit të reformës ushtarake,
por edhe sepse ky bashkim konsiderohej thuajse i pamundur
në kohën kur Fuqitë e Mëdha, me protokollin
e 4 prillit 1827, kishin vendosur të përkrahnin
çështjen greke. Ai i bëri të qartë
Portës së Lartë se në këto kushte
nuk duhej të shpresonte në pjesëmarrjen e shqiptarëve
në luftën kundër Greqisë.
Ndërkaq, Fuqitë e Mëdha evropiane që kishin
kërkuar pezullimin e veprimeve luftarake të Ibrahim
Pashës së Egjiptit kundër Moresë dhe Hidrës,
më 19 tetor 1827 shkatërruan flotën osmane
në gjirin e Navarinit.
Porta e Lartë refuzoi kushtet e Fuqive të Mëdha
për të njohur pavarësinë e popullit grek,
dhe, duke shpresuar se do të gjente përkrahje nga
shtetasit e vet myslimanë, nga kleri dhe feudalët,
filloi përgatitjet për të kundërvepruar.
Për të tërhequr feudalët shqiptarë,
sulltani emëroi Omer pashë Vrionin në krye
të sanxhakut të Tërhallës, mirëpo
qeverisjen e Shqipërisë Jugore, duke përfshirë
edhe sanxhakun e Vlorës, ia la përsëri Mehmet
Reshid pashës. Ky vazhdoi të ngulte këmbë
që Shqipëria Jugore të mos binte në duart
e feudalëve vendas. Pas kësaj, shumica e krerëve
shqiptarë nuk u bashkua me Portën. Pakënaqësinë
e tyre ata e shfaqën hapur, veçanërisht gjatë
luftës ruso-turke që u shpall më 14 mars 1828.
Kuvendi i Beratit (nëntor 1828)
Gjatë përgatitjeve që Porta e Lartë po
bënte për të përballuar presionin e Fuqive
të Mëdha në favor të çështjes
greke, sulltani, ashtu si gjithë myslimanëve të
perandorisë, edhe myslimanëve shqiptarë u bëri
thirrje të rrëmbenin armët për të
mbrojtur fenë e shtetin.
Mehmet Reshid pasha urdhëroi krerët feudalë
të Shqipërisë Jugore të paraqiteshin në
Janinë bashkë me luftëtarët e tyre. Këtij
urdhri nuk iu bind së pari Iljaz Poda, megjithëse
veziri anadollak i kishte dërguar njoftime se e kishte
falur për qëndrimet e kaluara. Për ta bindur
Iljaz Podën, ndërhyri edhe Porta e Lartë, e
cila, në të njëjtën kohë, e kërcënoi
se do ta ndëshkonte po të mos bindej. Iljazi nuk
iu bind as Portës dhe, bashkë me krerët e tjerë
që ndoqën shembullin e tij, filloi punën për
ti dëbuar Mehmet Reshid pashën dhe funksionarët
e tjerë nga Shqipëria Jugore.
Ndërkohë kryengritja greke, që ishte çoroditur
nga goditjet e forta të ushtrive osmane-egjiptiane, me
përkrahjen e Fuqive të Mëdha filloi të
ringjallej. Meqë në këtë kohë dhe
ushtritë e Portës ishin larguar nga Moreja, ndërsa
forcat e tjera osmane duke përfshirë edhe ato të
Omer pashë Vrionit e të Ismail pashë Plasës
ishin përqendruar në luftën me rusët,
Stambolli urdhëroi Valiun e Rumelisë të organizonte
një ekspeditë të re kundër grekëve.
Por edhe kjo ekspeditë mund të ndërmerrej vetëm
me ndihmën e feudalëve shqiptarë.
Feudalët shqiptarë, jo vetëm pse ushqenin simpati
për çështjen greke, por edhe sepse ishin
të bindur se ajo do të triumfonte, dhe pse e quanin
me rrezik për interesat e tyre dhe për vendin, pjesëmarrjen
në ekspeditë, nuk pranuan të angazhohen në
luftën kundër Greqisë. Ata e shihnin këtë
veprim si një nga rrugët për të dëbuar
Mehmet Pashën dhe funksionarët e tjerë osmanë
nga Shqipëria Jugore. Iljaz Poda, Ismail bej Vlora dhe
Shahin bej Delvina, vendosën që për këtë
çështje të thirrej një kuvend i gjerë
i përfaqësuesve të krerëve shqiptarë.
Ndërkaq, para se të mblidhej kuvendi, ata hynë
në bisedime me qeverinë greke për të përcaktuar
qëndrimin që do të mbanin të dyja palët
në konfliktin që kishte shpërthyer. Gjatë
bisedimeve të dyja palët u zotuan të mos sulmonin
trojet e njëri-tjetrit.
Pas kësaj marrëveshjeje, në javën e parë
të muajit nëntor 1828, u mblodh në Berat kuvendi
i krerëve shqiptarë. Kuvendi i zhvilloi punimet
e veta në mbledhje të fshehta, që zgjatën
nga 6 deri më 8 të atij muaji dhe u mbajtën
nën kryesinë e Ismail bej Vlorës, Iljaz Podës
dhe Shahin bej Delvinës. Në kuvend u diskutua kryesisht
për çështjen e qeverisjes dhe u theksua se
funksionarët osmanë kishin përqendruar në
duart e tyre të gjitha privilegjet, duke dëbuar
vendasit. Prandaj u vendos që të thyhej autoriteti
i vezirit nga Kytahijaja e Anadollit, ta largonin atë
nga qeverisja e Shqipërisë dhe nëse ai do të
zëvendësohej me të tjerë, edhe këta
të dëboheshin duke u krijuar pengesa, derisa pushteti
i vendit të përqendrohej në dorën e shqiptarëve.
Mendohej që ky synim të arrihej para se Stambolli
të zgjidhte mosmarrëveshjet e veta me Fuqitë
e Mëdha, sepse kur Mehmet Reshid pashës ti
liroheshin duart, u tha në kuvend, ai do të hakmerrej
ashpërsisht ndaj tyre dhe do ta nënshtronte vendin
duke përdorur shqiptarët kundër shqiptarëve.
Më 9 nëntor, të dërguar nga Mehmet Reshid
pasha, mbërritën në Berat, Sulejman bej Konica
dhe Tahir aga Abazi, që kërkuan përgjigjen
e shqiptarëve ndaj thirrjes së vezirit. Krerët
e kuvendit i kthyen prapa duke u kumtuar se përgjigjen
do tia jepnin vezirit me gojë në Zicë,
ku do të paraqiteshin me forcat e tyre. Ata mendonin
ti njoftonin Mehmet Reshid pashës se pranonin të
merrnin përsipër mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë
Jugore me forcat e tyre, por me kusht që, përveç
sigurimit të ushqimit dhe municioneve, ti jepej
sanxhaku i Vlorës për qeverisje Ismail bej Vlorës,
sanxhaku i Delvinës Shahin bej Delvinës dhe derbendët
e sanxhaku i Tërhallës, Iljaz bej Podës. Ndërsa
për trupat që do të nevojiteshin për tu
përdorur jashtë kufijve të Shqipërisë
Jugore, kundër trupave franceze ose greke, kërkonin
sigurimin e pagave të ushtarëve. Kërkesat e
krerëve të kuvendit synonin në të vërtetë
dëbimin e Mehmet Reshid pashës dhe të funksionarëve
osmanë nga Shqipëria Jugore.
Mehmet Reshid pasha, që u informua mbi vendimet e kuvendit
nga një agjent i tij i fshehur në radhët e
pjesëmarrësve të kuvendit, nuk u paraqit në
Zicë, por dërgoi tre përfaqësues të
tij. Krerët e kuvendit të Beratit e kuptuan këtë
shmangie të vezirit, ndaj u larguan dhe nuk morën
pjesë në ekspeditë, që nuk u arrit të
ndërmerrej. Sipas shembullit të tyre edhe feudalët
çamë, që kishin pranuar në një
farë mënyre të shkonin nën urdhrat e Mehmet
Reshid pashës, jo vetëm hoqën dorë, por
dëbuan forcat dhe përfaqësuesit e tij nga Paramithia.
Ky veprim shënoi fillimin e lëvizjes feudale shqiptare
për vetëqeverisjen e vendit si në kohën
e Ali pashë Tepelenës.
I demoralizuar nga dështimi që pësoi dhe i
shqetësuar se mos dëbohej me forcë, Mehmet
Reshid pasha edhe këtë herë kërkoi të
hiqej nga postet që mbante. Mirëpo Porta e Lartë
nuk e pranoi këtë kërkesë dhe, meqenëse
feudalët shqiptarë u mjaftuan vetëm me këto
akte dhe nuk ndërmorën veprime për të
pastruar sanxhakun e tyre nga funksionarët osmanë,
Stambolli hartoi një plan tjetër, për të
vrarë krerët kryesorë shqiptarë - Ismail
bej Vlorën dhe Iljaz Podën, dhe të shpërndante
kështu besëlidhjen e Beratit, ta shtypte atë
ose ta detyronte tu bindej urdhrave të pushtetit
qendror. Për tia arritur këtij qëllimi,
u përhap fjala se Mehmet Reshid pasha do të hiqej
nga detyra e vet për shkak se u tregua i pazoti për
ta bërë Besëlidhjen Shqiptare një mbështetje
të perandorisë në periudhën e krizës
së asaj kohe. Njëkohësisht iu dërguan
Ismail bej Vlorës fermani i emërimit të tij
si qeveritar i sanxhakut të Vlorës me gradën
pashë me dy tuja dhe Iljaz bej Podës, fermani i
emërimit të tij si komandant i përkohshëm
i Janinës derisa të mbërrinte aty Ismail bej
Tepelena.
Ismail bej Vlora ra në kurthin e kurdisur dhe shkoi në
Janinë, ku më 5 janar 1829, kur po ngjiste shkallët
e sarajit, u vra nga njerëzit e Mehmet Reshid pashës.
Ndërsa Iljaz Poda shpëtoi, sepse nuk shkoi në
Janinë. Por vrasja e Ismail bej Vlorës nuk i vërtetoi
shpresat e Portës së Lartë për të
nënshtruar shqiptarët. Përkundrazi, lëvizja
mori karakterin e një revolte të vërtetë,
që u shoqërua me dëbimin e funksionarëve
osmanë dhe me vendosjen e pushtetit të parisë
shqiptare në krahinat përreth Janinës, në
Zagori, Konicë, Mecovë. Qëllimi ishte që
Mehmet Reshid pasha të largohej. Ky i fundit, pasi i
kumtoi Portës se për të nënshtruar shqiptarët
duheshin përdorur forca të mëdha ushtarake,
u përgatit të largohej nga Shqipëria. Ndërkohë,
sulltani e ngarkoi me detyrën e Vezirit të Madh
dhe të kryekomandantit të ushtrisë në
luftën kundër Rusisë. Ky vendim u shpall në
Janinë më 6 shkurt 1829.
Masakra e Manastirit (9 gusht 1830)
Me pretekstin se nuk u ishin paguar rrogat ushtarëve,
një varg komandantësh të tjerë shqiptarë
u larguan nga shërbimi zyrtar. Ndërkohë, Besëlidhja
e Beratit kishte mundur të tërhiqte në anën
e vet edhe disa kapedanë grekë që qëndronin
në krahinat e tyre për ti mbrojtur nga dhuna
osmane. Por radhët e saj u shtuan edhe me krerë
të tjerë shqiptarë të pakënaqur nga
Porta e Lartë. Në këto rrethana u krijua në
sanxhakun e Janinës një gjendje e turbullt.
Megjithëse sulltani nuk ia hoqi menjëherë Mehmet
Reshid pashës detyrat e valiut të Rumelisë
dhe të vezirit të tre sanxhakëve të Shqipërisë
Jugore, për të mos ia ulur autoritetin në sytë
e shqiptarëve, pas largimit të tij për në
front, e ngarkoi me detyrën e valiut të Rumelisë
dhe të qeveritarit të sanxhakut të Tërhallës
e të nazërit (mbikëqyrës, ministër
- shën. i aut.), të derbendëve ish-Vezirin
e Madh, Mehmet Selim pashën. Ndërsa në postin
e qeveritarit të të tre sanxhakëve shqiptarë
u emërua, me gradën e vezirit Mahmud Hamdi pasha,
një nga vartësit e Mehmet Reshid pashës. Edhe
pas dërgimit të tij në front, Mahmudi II ia
besoi pushtetin në Shqipëri një funksionari
osman. Kjo tregonte edhe një herë se ai nuk donte
të kënaqte kërkesën e krerëve feudalë
shqiptarë për vetëqeverisje, sepse, siç
shprehej ai, shqiptarët do të vazhdonin turbullirat
e nuk do të shërbenin si duhej, dhe se këtë
do ta bënin kur mbi ta të ushtrohej një dhunë
e fortë nga ana e shtetit. Megjithatë, për
të ulur hovin e lëvizjes në Shqipërinë
Jugore dhe sidomos, për të nxitur më tej rivalitetin
dhe armiqësitë midis krerëve kryesorë
të kësaj lëvizjeje, sulltani kërkoi nga
Mehmet Selim pasha që të thërriste Iljaz Podën
në detyrën e myteselimit të sanxhakut të
Tërhallës dhe të agait të derbendëve.
Pas këtyre emërimeve, në vargun e feudalëve
të rebeluar u përfshi edhe Asllan bej Puçeja,
ish-myteselim i sanxhakut të Tërhallës, një
nga krerët më në zë të Shqipërisë
Jugore, që mbeti pa ndonjë post zyrtar. I pakënaqur
ishte edhe Ismail bej Qafëzezi i Kolonjës, të
cilit Mehmet Reshid pasha i kishte premtuar myteselimllëkun
e Tërhallës. Po ashtu, në këtë grup
u radhit edhe Myslim Beu, vëllai i Veli bej Jaçes,
komandant i Prevezës e i Artës, i cili ishte një
tjetër feudal shqiptar po aq i fuqishëm sa Iljaz
Poda ose Asllan Beu. Mehmet Reshid pasha i kishte premtuar
Myslim Beut agallëkun e derbendëve, që nuk
iu dha. Në këto kushte gjendja e turbullt u thellua
në Shqipërinë Jugore dhe në të njëjtën
kohë u shtuan armiqësitë dhe rivaliteti midis
krerëve kryesorë.
I braktisur nga një pjesë e mirë e komandantëve
shqiptarë, veziri Mahmud Hamdi pasha u detyrua të
thërriste në Janinë Veli bej Jaçen.
Me këtë veprim Veli bej Jaçja, që konsiderohej
ndër feudalët e fuqishëm shqiptarë, përveç
Prevezës dhe Artës, vuri nën komandën
e vet edhe kështjellën e Janinës, ndërsa
veziri osmanlli u gjend në mëshirën e tij.
Në këtë kohë edhe Vlora e rrethi i saj
kishin rënë në duart e Beqir bej Vlorës,
vëllait të Ismail Beut, ish-kryetarit të Besëlidhjes
së Beratit, ndërsa qyteti i Beratit kishte rënë
në duart e Tafil Buzit. E njëjta gjendje ishte krijuar
edhe në sanxhakun e Delvinës, ku Shahin bej Delvina,
bejlerët e Gjirokastrës dhe ata të Çamërisë,
vepronin me kokë të vet, pa pyetur për autoritetin
e Mahmut Hamdi pashës.
Meqenëse ky vezir nuk solli ndonjë shërbim,
Porta e Lartë e hoqi dhe e dërgoi në frontin
rus, ku Mehmet Reshid pasha po pësonte disfata mbas disfatash.
Detyrën e qeverisjes së Shqipërisë Jugore
Porta ia ngarkoi valiut të Rumelisë. Ky, me qëllim
që të shtinte në dorë komandën e
kështjellës së Janinës, kërkoi ndihmën
e njërit prej feudalëve shqiptarë, Latif Efendiut.
Ndërkaq, i premtoi komandantit të saj, Veli bej
Jaçes, se do ti paguante rrogat e ushtarëve
nëse ky i largonte trupat e tij nga Janina. Por këto
orvatje nuk patën sukses. E gjithë Shqipëria
Jugore si dhe Tërhalla e derbendët, ranë në
fakt në duart e feudalëve shqiptarë.
Pasi njohu pavarësinë e Greqisë (1830), Porta
e Lartë u mor tërësisht me nënshtrimin
e Shqipërisë, e cila për shkak të popullsisë
së saj, që në shumicë ishte myslimane,
bashkë me Bosnjën, konsideroheshin si dy mbështetjet
e pushtetit osman në Rumeli. Detyrën e nënshtrimit
të Shqipërisë së Jugut sulltani ia ngarkoi
Vezirit të Madh, Mehmet Reshid pashës. Pas kësaj
do të fillonte nënshtrimi i Shqipërisë
Veriore dhe do të zbatoheshin në vend reformat centralizuese,
sidomos ajo ushtarake.
Pa u larguar akoma nga Edreneja, Veziri i Madh emëroi
të birin, Emin Pashën, si qeveritar të Janinës,
Mahmud Hamdi pashën si qeveritar të Tërhallës
dhe si komandant të derbendëve, Iljaz Podën.
Sipas mendimit të sulltanit, ai duhet ta emëronte
këtë të fundit myteselim të sanxhakut
të Vlorës me titullin Kapëxhëbash
(kryeportier - shën. i aut.) i Oborrit, por kjo
nuk pati efekt, sepse Iljaz Poda ishte kundërshtari kryesor
i qeverisjes së Shqipërisë Jugore nga osmanët.
Nga Edreneja Mehmed Reshid pasha mbërriti në Manastir,
ku ftoi krerët shqiptarë e sidomos Iljaz Podën,
Asllan bej Puçen dhe Veli bej Jaçen etj., të
paraqiteshin në selinë e tij për të biseduar
për çështje të organizimit të ushtrisë
dhe të pagesave të prapambetura.
Asllan bej Puçja, që kishte qenë në
luftë me forcat e Vezirit të Madh në Alasonjë,
i ndërpreu luftimet dhe, pasi u takua me Veli bej Jaçen
në Mecovë, vendosën të shkonin bashkërisht
në Manastir të shoqëruar me kontingjente të
forta ushtarësh, për të parandaluar ndonjë
pabesi dhe për ti shkëputur vezirit të
drejtat që pretendonin.
Ndërsa Asllan Beu e Veli Beu shkuan në Manastir,
Iljaz Poda, që nuk i zuri besë Vezirit të Madh,
u tërhoq në zonën e Dangëllisë dhe
filloi përgatitjet për tu mbrojtur në
malin e Melesinit në rast se sulmohej nga forcat qeveritare,
që mund të vinin kundër tij nga Korça
ose Janina.
Mehmed Reshid pasha nuk kishte aspak ndërmend të
bisedonte me krerët shqiptarë që erdhën
në Manastir, përkundrazi, ai kishte marrë masat
për ti likuiduar ata me pabesi. Pikërisht
në këtë kohë ai i preu kokën në
Berat Hasan bej Vrionit dhe vari në Manastir Shaban Gegën,
që kishte zënë rob në Janinë. Ndërsa
ndaj bejlerëve që mbërritën në Manastir,
Mehmet Reshit pasha, pasi u bëri një pritje madhështore,
organizoi më 9 gusht një masakër të paparë.
Në këtë ditë ai i ftoi ata të merrnin
pjesë në një stërvitje të reparteve
të rregullta ushtarake që u bë jashtë
qytetit. Këtu ata do të hanin edhe drekën në
një kopsht të hapur. Mirëpo sapo mbërritën
në vendin e ceremonisë, dy të ftuarit e parë,
Veli Jaçe beu dhe Asllan Puçe beu, ushtarët
që stërviteshin i kthyen pushkët kundër
tyre dhe hapën zjarr mbi ta. Kështu të qëlluar
në befasi, dy bejlerët shqiptarë dhe shoqëruesit
e tyre nuk mundën të bënin veçse një
qëndresë të vogël. Veli Beu u vra në
vend, kurse Asllan Beu, të cilit iu plagos kali, u godit
dhe iu pre koka. Pas tyre, po atë ditë të 9
gushtit u vranë të masakruar po në vendin e
ceremonisë edhe 800-1 000 shqiptarë kurse 400-500
të tjerë u zunë robër.
Një veprim i ngjashëm dhe i pabesë u krye edhe
nga i biri i Vezirit të Madh, Emin Pasha, ndaj Myslim
Beut e Kapllan Beut, i pari vëlla i Veli Beut, ndërsa
i dyti i Asllan Beut. Kapllan Beu mundi të shpëtonte
por, para se të largohej nga Janina, bëri një
akt të pakuptimtë e barbar, dogji thuajse gjysmën
e qytetit.
Me masakrën e Manastirit dhe të Janinës Mehmet
Reshid pasha synonte tu jepte një mësim krerëve
të tjerë shqiptarë dhe ti bënte
që të nënshtroheshin.
Kjo masakër, që zhduku krerët më të
rëndësishëm të lëvizjes shqiptare
të Jugut, arrestimi i familjeve të luftëtarëve
të garnizoneve të qyteteve të Shqipërisë
Jugore, konfiskimi i pasurive të tyre si dhe presioni
i vazhdueshëm i forcave qeveritare mbi popullsinë,
bënë që feudalët shqiptarë të
hiqnin dorë nga lëvizja. Megjithëse një
pjesë e tyre u hodh në male për një farë
kohe, lëvizja u topit, për tu gjallëruar
më pas, në mesin e muajit prill 1831, kur feudalët
e jugut mbështetën luftën e Mustafa pashë
Bushatlliut kundër reformave centraliste në Shqipërinë
Veriore.
7. LËVIZJA PËR VETËQEVERISJE NË SHQIPËRINË
VERIORE.
SHEMBJA E PASHALLËKUT TË SHKODRËS
Mustafa pashë Bushatlliu në luftën ruso-osmane
të viteve 1828-1829
Porta e Lartë, që kërkonte me çdo kusht
të shuante kryengritjen greke, në pranverën
e vitit 1824 e urdhëroi vezirin Bushatlli, pa mbërritur
mirë në Shkodër nga Akarnania, të nisej
përsëri kundër lëvizjes greke. Por ky
nuk pranoi jo vetëm pse kërkonte të ruante
forcat e veta për tu bërë ballë
turbullirave brenda pashallëkut dhe për tu
mbrojtur nga rivali i tij, Dervish pashë Peja, që
ishte emëruar vali i Rumelisë, por edhe sepse ushtarakët
shkodranë e malësorët nuk dëshironin të
ktheheshin në Greqi ku, krahas të tjerave, kishin
shpërthyer edhe epidemitë.
Megjithatë, më 1825, si Bushatlliu, ashtu dhe pashallarët
kosovarë u detyruan të dërgonin nën komandën
e valiut të Rumelisë, Mehmet Reshid pashës,
kontingjentet e tyre ushtarake, por kur panë trajtimin
e keq të shqiptarëve nga kryekomandanti osman, që
po i përdorte ata si mish për top, i tërhoqën
forcat e tyre. Kjo shkaktoi zemërimin e valiut, që
ra sidomos mbi Mustafa Pashën e Shkodrës.
Veziri Bushatlli, pushteti i të cilit ende nuk ishte
konsoliduar si duhej, u mundua tu shmangej sa më
shumë detyrimeve ndaj pushtetit qendror. Kështu
veproi atëherë edhe shumica e pashallarëve
kosovarë. Mirëpo Mehmet Reshid pasha përsëri
shkaktoi ngatërresa midis tyre. Me kryengritjen që
nxiti në marsin e vitit 1826 në Prishtinë kundër
Jashar Pashës, kunatit të Tahir pashë Bushatlliut,
dhe me një komplot që organizoi në muajin maj
të të njëjtit vit në Shkodër për
të vrarë Mustafa Pashën e për të
sjellë në fuqi Tahir Pashën, ai arriti të
përçante pashallarët gegë. Përçarja
u thellua më shumë me shpalljen e reformës
ushtarake, pasojat e rënda të së cilës
për pushtetin e tij, veziri shkodran, edhe pse me vonesë,
i kuptoi dhe e kundërshtoi së bashku me krerët
feudalë boshnjakë, të cilët u shpallën
gjithashtu haptazi kundër saj. Mirëpo, edhe pse
sistemi i ri ushtarak binte ndesh gjithashtu me interesat
e pashallarëve kosovarë, këta jo vetëm
nuk ndoqën veprimin e Bushatlliut, por iu kundërvunë
atij duke ndihmuar përfaqësuesin e Portës së
Lartë në Bosnjë, vezir Abdurrahman Pashën.
Ky mundi ta paralizonte për një kohë lëvizjen
boshnjake dhe pas kësaj filloi të vepronte kundër
Mustafa Pashës duke bërë presion në kufijtë
e pashallëkut të tij me anën e forcave të
pashallarëve të Shkupit e të Prizrenit. Por
edhe këto veprime u ndalën, pasi Bushatlliu dërgoi
kundër këtyre dy pashallarëve shqiptarë
një ushtri prej 14 000 vetash. Pas kësaj Porta e
Lartë, u detyrua të ndërhynte për ndërprerjen
e konfliktit.
Në vitin 1826 veziri Bushatlli kundërshtoi të
dërgonte forca ushtarake në Greqi. Mirëpo Porta
e Lartë, që po shkonte drejt një konflikti
të madh me Fuqitë e Mëdha evropiane, të
cilat filluan të ndërhynin hapur në favor të
njohjes së Greqisë si shtet më vete, nuk hoqi
dorë nga përpjekjet për ta tërhequr atë
dhe për të përdorur me ndihmën e tij potencialin
ushtarak të Gegërisë. Porta kërkoi prej
Mustafa Pashës të ngrinte një ushtri prej rreth
40 000 vetash të përbërë prej ushtarësh
shqiptarë gegë, duke i dërguar edhe listën
e pashallarëve, të bejlerëve dhe të kapedanëve
që do të hynin nën komandën e tij. Ai
u porosit me këtë rast, që ti trajtonte
si kryengritës të gjithë ata krerë që
nuk do ti bindeshin.
Ky urdhër e joshi Bushatlliun, sepse do ti shërbente
para së gjithash, forcimit të autoritetit të
tij në Gegëri. Por këtij urdhri kundërshtuan
ti bindeshin Abaz Pasha i Dibrës dhe Mehmet Pasha
i Matit. Kapedani i Mirditës, që u ngarkua për
ti bindur këta të bashkëpunonin, tërhoqi
pas Bushatlliut feudalin e Matit, kurse atë të Dibrës
nuk arriti ta bindte. Në këto rrethana, në
nëntor të vitit 1827, Mustafa Pasha nisi kundër
tij 18 000 ushtarë. Ndërkaq edhe feudalët dibranë
u përçanë. Kundër Abaz Pashës u
ngritën malësorët dibranë. I shqetësuar
se mund të vritej nga njerëzit e vet, Abaz Pasha
u arratis. Kështu Mustafa Pasha mundi të konsolidonte
pozitën e vet edhe në këto treva. Ndërkohë
Porta e Lartë gradoi si mirmiran djalin e tij të
madh, Mahmud Beun, dhe vazhdoi ta joshte këtë kundërshtar
të reformave për aq kohë sa pati nevojë
për mbrojtjen e kufijve tokësorë e detarë
të perandorisë. Këto ishin rrethanat në
të cilat u gjend Pashallëku i Shkodrës dhe
përgjithësisht Shqipëria e Veriut dhe ajo e
Verilindjes në prag të fillimit të luftës
ruso-turke të vitit 1828-1829.
Fillimi i kësaj lufte solli pushtimin nga ushtria ruse
të Vllahisë dhe të Moldavisë. Ushtria
osmane në kushtet kur nuk i erdhi në ndihmë
as kontingjenti i fortë ushtarak boshnjak që ishte
paraparë të dërgonte veziri i Bosnjës,
nuk e ndali dot vrullin e rusëve. Ndërkaq, më
8 qershor 1828 shpërtheu kryengritja e krerëve boshnjakë
kundërshtarë të reformave. Kjo bëri që
edhe kontingjenti ushtarak i Bosnjës që ishte në
rrugë drejt frontit rus, të mos arrinte atje dhe
të shkrihej krejtësisht.
Në këtë gjendje të vështirë
Porta i drejtoi sytë në Shqipëri. Duke pasur
si synim që forcat e Shqipërisë Veriore ti
përgatiste për frontin e Danubit, Porta dërgoi
në Shkodër një funksionar të Lartë,
i cili u ngarkua të formonte një ushtri të
fortë dhe sipas sistemit të ri ushtarak. Por urdhri
u anulua, kur Mustafa Pasha i deklaroi sulltanit se shqiptarët
gegë e urrenin atë sistem, dhe për rrjedhojë
ishte rrezik që të hidheshin në kryengritje
sikurse ndodhi në Bosnjë. Atëherë Porta
pranoi që përgatitja e ushtrisë të bëhej
sipas sistemit të vjetër, por me kusht që pashai
shkodran të nisej drejt Danubit për të zhbllokuar
në radhë të parë Vidinin, që rrezikohej
të rrethohej prej rusëve e të binte në
duart e tyre.
Për të mënjanuar humbjet e mëdha që
do të pësonin forcat e tij ushtarake në një
luftë fundi i së cilës po dukej qartë,
Mustafa Pasha bëri të gjitha përpjekjet për
të vonuar nisjen e tyre në frontin e Danubit. Për
këtë i dhanë dorë disa ngjarje jo të
parëndësishme. E tillë ishte kërkesa që
Mali i Zi i bëri carit rus për të dërguar
kuadro e të holla për të gozhduar në vend
pashallarët e zonave kufitare shqiptare dhe për
ti penguar të niseshin për në front.
Një ngjarje tjetër e tillë ishte kryengritja
e zonës së Peshterit, ku Bushatlliu dërgoi
një forcë prej 4 000 vetash. Më në fund,
ai përfitoi edhe nga fakti që as pajisjet dimërore
dhe as fondet e të hollave e për pasojë, as
forcat e vartësve të tij, nuk i mbërritën
me kohë. Në këto rrethana, Bushatlliu kërkoi
shtyrjen e kohës së nisjes së tij për
në pranverën e vitit 1829, të cilën Porta
u detyrua ta pranonte.
Sapo mori vesh se Mehmed Reshid pasha u emërua Vezir
i Madh dhe kryekomandant, Mustafa Pasha me qëllim që
të mos vihej nën vartësinë e tij të
drejtpërdrejtë, kërkoi nga Porta e Lartë
ta lejonte që me forcat e veta, me ato të pashallarëve
kosovarë dhe me 20 000 ushtarë boshnjakë, të
formonte një ushtri të madhe prej 60 000 vetash,
që do të vepronte në sektorin e Vidinit. Sulltani
e pranoi këtë propozim duke menduar se kjo, edhe
pse mund të mos i sillte dobi ushtarake, do ti
sillte përfitime me karakter politik, do ti duhej
për bisedimet për paqe që kishte ndërmend
ti fillonte së shpejti.
Në literaturën e huaj e sidomos në atë
franceze është pohuar se fermani i sulltanit për
të caktuar Bushatlliun si komandant të pavarur në
sektorin e Vidinit, u nxor falë ndërmjetësisë
që princi Milosh i Serbisë bëri pranë
Portës. Ky pohim nuk qëndron, sepse në dokumentacionin
osman nuk bëhet fjalë fare për një ndërmjetësim
të tillë për këtë emërim. Edhe
vonesa e nisjes së Bushatlliut për në front,
në këtë literaturë lidhet me princ Miloshin,
i cili e paska siguruar atë se rusët do ta ndihmonin
të bëhej sundimtar i pavarur po qe se nuk do të
merrte pjesë në luftën kundër tyre. Por,
siç treguan ngjarjet e mëvonshme, edhe ky pohim
është po aq i pabazuar sa edhe i pari.
Bushatlliu duhej të ishte nisur më 15 maj, por doli
nga Shkodra vetëm më 6 qershor. Kjo ndodhi për
shkak se në atë kohë banorët e Ljeshko
Poljes, të Kuçit dhe të Piprit, jo vetëm
nuk pranuan të dërgonin ushtarët, për
të cilët kishin marrë edhe paradhëniet,
por sulmuan kështjellën e Shpuzës dhe të
Zhabjakut. Mustafa Pashës, para së gjithash, iu
desh të sqaronte, se mos këto sulme i kishte organizuar
Vladika dhe të dërgonte kundër tri krahinave
rebele një forcë prej 5 000 vetash.
Më 6 qershor, pasi la si zëvendës djalin e
vet, Mahmud Pashën, dhe këshilltar të tij Xheladin
Beun e Ohrit dhe, pasi mbylli në pallat kushërinjtë
rivalë, Tahir Pashën e Dervish Beun, Bushatlliu
u nis për në frontin e Danubit. Duke menduar se
ndërkaq do të sheshoheshin mosmarrëveshjet
ruso-turke, për të cilat kishin filluar bisedimet
për paqe, ai i imponoi ushtrisë së tij prej
20-25 000 vetash (me të nuk u bashkuan as boshnjakët
e as forcat e disa pashallarëve shqiptarë), një
marshim të ngadalshëm dhe vetëm më 6 korrik
mbërriti gjysmë ore afër Vidinit, ku vendosi
kampin e vet.
Ndërsa ndërmjetësit e të dy perandorive
ndërluftuese kishin filluar bisedimet për paqe,
ushtritë osmane pësuan disfata të rënda.
Pasi dogjën flotën osmane në Detin e Zi, pasi
pushtuan kështjellën e Silistrës dhe e detyruan
Mehmet Reshid pashën të futej në kështjellën
e Shumlës, rusët kërkuan si kusht për
përfundimin e paqes dorëzimin e një numri fortesash,
ndër të cilat edhe atë të Shumlës.
Në rast të kundërt, e kërcënuan ata
Portën, paqja do të nënshkruhej në Stamboll.
Këto fitore u dhanë mundësi rusëve të
drejtoheshin në Edrene dhe prej aty drejt Stambollit,
prandaj i ndërprenë bisedimet.
Shthurja në ushtri dhe paniku që u përhap në
perandori, e detyruan Portën e Lartë të shpejtonte
përfundimin e paqes dhe të dërgonte të
plotfuqishmit e saj në Radost, ku gjendej Shtabi i Përgjithshëm
i ushtrisë ruse. Por, meqenëse Mustafa Pasha arriti
të detyronte ushtrinë ruse, që ndodhej 18 orë
larg Vidinit, në qytetin Orahovë, ta braktiste këtë
qytet të pushtuar qysh në maj, sulltani vendosi
ta përdorte këtë fitore si mbështetje
për dërgatën e tij diplomatike. Mustafa Pashën
e emëroi kryekomandant të korparmatës së
Rumelisë Qendrore, duke e urdhëruar që të
vendosej midis Edrenesë e Stambollit për të
mbrojtur kryeqytetin. Por, ndërsa Bushatlliu filloi marshimin
nga Vidini për të zbatuar urdhrin e sulltanit, Edreneja
ra më 22 gusht 1829 në duart e rusëve, të
komanduar nga gjenerali Dibiç. Kjo ngjarje u dha rusëve
mundësinë që të kërkonin zhvillimin
e bisedimeve për paqe në këtë qytet.
Diplomatët osmanë, që ishin vënë
në dijeni për lëvizjen e forcave të Mustafa
Pashës, kërkuan prej tij ti afrohej Edrenesë
deri në vendin Haskëj, me qëllim që ta
bënin më të efektshëm vringëllimën
e armëve. Por gjenerali Dibiç protestoi, duke
deklaruar se afrimi i tij do të sillte ndërprerjen
e bisedimeve.
Rusët ishin të shqetësuar, sepse, përveç
40 000 ushtarëve që solli me vete nga Vidini, Mustafa
Pasha e shtoi potencialin ushtarak edhe me repartet e vezirëve
të ndryshëm që u vunë nën komandën
e tij.
I bindur se as ushtria vullnetare, që u ngrit për
mbrojtjen e Stambollit dhe as ajo e Mustafa Pashës nuk
ishin në gjendje tu bënin ballë forcave
ruse, sulltan Mahmudi II nxori vendimin e divanit për
të nënshkruar paqen me çdo kusht. Sulltani,
edhe pse Mustafa Pasha mund tua merrte përsëri
Edrenenë rusëve, nuk pranoi zgjatjen e luftimeve
për të mos pësuar ndonjë humbje më
të rëndë dhe urdhëroi nënshkrimin
e Traktatit të Paqes.
Megjithëse e ndiente veten të fyer për shkak
se përfundimin e traktatit të paqes dhe kushtet
e tij i mësoi nga gazetat dhe jo nga kanalet zyrtare,
Mustafa Pasha nuk diskutoi më tej dhe me të marrë
pëlqimin e qeverisë, u kthye në vendlindje.
Sulltani jo vetëm i dërgoi rrogat e prapambetura
të ushtarëve, por i dha atij si dhuratë një
shpatë të stolisur me xhevahire. Dhurata të
ngjashme ai u dërgoi edhe pashallarëve kosovarë.
Gjatë luftës së Turqisë me Rusinë,
të viteve 1828-1829, Bushatlliu, duke shfrytëzuar
gjendjen e vështirë të perandorisë, forcoi
pozitën e vet në sy të shqiptarëve e krerëve
të tyre, e shtriu pushtetin edhe në sanxhakët
e Ohrit dhe të Elbasanit, dhe, duke mbetur kundërshtar
i reformave centralizuese, u afrua me krerët boshnjakë
dhe ata të Rumelisë, u bë një qeveritar
krahinor i rrezikshëm për Portën e Lartë,
një pengesë që ajo vendosi ta zhdukte sa më
parë.
Krahas fuqizimit të pushtetit të Bushatllinjve në
Pashallëkun e Shkodrës, në fundin e shek. XVIII
e sidomos gjatë dhjetëvjeçarëve të
parë të shek. XIX, u forcuan edhe mjaft familje
feudale në Shqipërinë Verilindore (Kosovë)
dhe në atë Lindore (trevat shqiptare në Maqedoninë
e sotme). Disa prej këtyre familjeve të fuqishme
ishin me origjinë të hershme feudale, ndërsa
të tjerat u shfaqën rishtas si rezultat i fitores
në rivalitetet e ashpra me familje të tjera kundërshtare.
Kështu në Prizren u ngrit familja e Rrotullajve,
të cilët, të paktën që nga viti 1794,
kur mundën të mposhtin e të dëbojnë
kundërshtarët e vet, Sali Pashitët, sunduan
si të plotfuqishëm në këto anë, duke
i dhënë sanxhakut të Prizrenit karakterin e
një pashallëku të vogël. Më të
njohurit e kësaj familjeje në dekadat e para të
shek. XIX u bënë Rustem Pasha dhe Mahmud pashë
Rrotulla, të cilët qeverisën këtë
sanxhak përkatësisht gjatë viteve 1801-1806
dhe 1809-1836. Gjurmë të thella la në historinë
e viseve veriore të Shqipërisë sidomos veprimtaria
politike e familjes së fuqishme të Begollajve të
Pejës. Pinjollë të shquar të saj që
nga shek. XVII patën qeverisur në mënyrë
periodike, jo vetëm rajonin e Pejës, por edhe sanxhakun
e Shkodrës.
Ndikim të veçantë në zhvillimet politike
të Kosovës gjatë kësaj kohe kishte edhe
familja e Gjinollëve e vendosur në Prishtinë.
Nga kjo familje u shquan sidomos Maliq Pasha dhe i nipi Jashar
Pasha, të cilët gjatë këtyre viteve sunduan
me dorë të hekurt në qytetin e Prishtinës
dhe rrethinën e tij.
U dalluan gjithashtu për nga fuqia e tyre politike dhe
ekonomike familje të tjera në qytete të ndryshme
shqiptare, si në Vuçiternë, Tetovë etj.
Megjithatë, fuqizimi i familjeve shqiptare në viset
verilindore dhe lindore nuk arriti atë shkallë ndikimi
dhe atë pushtet që patën fituar Bushatllinjtë
në Shqipërinë Veriore dhe Ali pashë Tepelena
në atë Jugore.
Shembja e Pashallëkut të Shkodrës (1831)
Vendosja e Mehmet Reshid pashës në Manastir dhe
sidomos masakrimi i njëkohshëm në këtë
qytet dhe në Janinë i krerëve kryesorë
të Shqipërisë së Jugut, si dhe futja e
saj në binarët e sistemit të reformave centralizuese,
u treguan krerëve të Shqipërisë së
Veriut se, me vezirin Bushatlli në krye, pushteti politik
dhe ekonomik i tyre si dhe vetë jeta e tyre ishin vënë
në rrezik. Tashmë, nuk kishte dobi qëndrimi
i lëkundur që kishin mbajtur deri atëherë.
Duhej zgjedhur një nga dy rrugët: ose të pranonin
zbatimin e reformave me gjithë pasojat e tyre, ose të
ngrinin krye me armë në dorë kundër reformave
për të mbrojtur sistemin vetëqeverisës,
pushtetin e tyre krahinor.
Pa kaluar më shumë se një vit, më 4 janar
1831, mbërriti në Shkodër fermani i sulltanit
që e kufizonte pushtetin e vezirit Bushatlli vetëm
në sanxhakun e Shkodrës. Qeverisja e sanxhakut të
Ohrit, të Dukagjinit dhe të Elbasanit iu dha Mehmet
Reshid pashës, i cili e kishte kërkuar si kusht
për të shtrirë reformat në krahinat e
Gegërisë. Përveç kësaj, ky ferman
e detyronte Mustafa Pashën të pranonte në sanxhakun
e tij, vendosjen e garnizoneve ushtarake të rregullta
dhe çarmatosjen e banorëve.
Këtij urdhri të sulltanit nuk pranuan ti bindeshin
paria feudale, tregtarët e pasur, krerët e esnafeve,
bajraktarët e malësive dhe klerikët kryesorë
myslimanë të sanxhakut të Shkodrës. Ata
e shihnin atë si një masë që do të
çonte në zhdukjen e vetëqeverisjes krahinore,
ose e asaj gjysmë lirie që kishin fituar në
rrjedhën e kohës, dhe, njëherazi në një
nënshtrim të plotë ndaj sundimit osman. Në
të vërtetë urdhri i sulltanit i vitit 1831
ishte një pushtim i ri i vendit, i cili ndonëse
po realizohej pa luftë, do të sillte më pas
konfliktin e armatosur, sepse populli nuk do të pranonte
as vendosjen në vend të garnizoneve osmane, e as
të çarmatosej. Prandaj përfaqësuesit
e popullsisë së Shkodrës, vendosën që,
në rast se do të përdorej dhuna nga Porta e
Lartë për zbatimin e reformave në vendin e
tyre, të rrëmbenin armët. Hapi i parë
i kundërshtimit ndaj vullnetit të sulltanit u bë
kur ata veshën përsëri kostumet kombëtare
dhe zhveshën rrobat e hoqën festet që u ishin
imponuar nga Stambolli para tre vjetëve. Në të
njëjtën kohë krerët e sanxhakut të
Shkodrës i shprehën vezirit Bushatlli mirënjohjen
dhe bindjen e tyre.
Pasi siguroi mbështetjen e tyre dhe pasi bëri për
vete pashallarët kosovarë, që nuk e miratuan
fermanin e 4 janarit 1831, Bushatlliu hodhi një hap të
dytë, urdhëroi zëvendësit e vet në
tre sanxhakët që i hiqeshin, të mos ua dorëzonin
pushtetin përfaqësuesve të Vezirit të
Madh. Por Mehmet Reshid pasha, që e kishte parashikuar
një qëndresë të tillë, i doli përpara
kësaj dhe i dërgoi zëvendësit e vet para
se Bushatlliu të mund të fillonte të kundërshtonte.
Për rrjedhim, ata jo vetëm morën në duart
e tyre pushtetin duke i dëbuar përfaqësuesit
e vezirit të Shkodrës, por konfiskuan dhe pasuritë
e këtyre. Përveç kësaj, në Ohër
u bastis e u plaçkit saraji i Xheladin bej Ohrit dhe
familja e tij u nxor jashtë. Kurse në Dibër
të njëjtin fat pësoi motra e vezirit Bushatlli.
Vetëm në Pejë zëvendësi i Vezirit
të Madh Abdurrezak Pasha, hasi në kundërshtimin
e banorëve të qytetit dhe e mori pushtetin me shumë
vështirësi, pasi i la Sefedin pashë Gjakovës
qeverisjen e Gjakovës dhe Alltun-Ilisë.
Mustafa Pashës, kundër të cilit u organizua
edhe një atentat për ta vrarë, i dolën
nga duart tre sanxhakët dhe me këtë akt pashallëku
i Shqipërisë Veriore pësoi një goditje
të rëndë. Në këto kushte Bushatlliu
arriti në përfundimin se rruga e vetme për
rimëkëmbjen e pashallëkut, për mbrojtjen
e pushtetit dhe të vetes së tij, ishte organizimi
i kryengritjes së armatosur kundër pushtetit qendror,
duke i dhënë asaj karakterin e një lëvizjeje
të gjerë kundër reformave, e cila do ti
siguronte aleatë më të shumtë. Kështu
do të mund të dëboheshin nga Shqipëria
Mehmet Reshid pasha e njerëzit e tij dhe pushtuesit osmanë
në përgjithësi. Ky ishte qëllimi i vërtetë
i kryengritjes. Ndonëse në dukje kryengritja, për
të tërhequr në të dhe në ndihmë
të shqiptarëve edhe kombësitë e tjera
të Rumelisë, paraqitej si antireformiste, në
të vërtetë kishte për qëllim mënjanimin
e pushtimit osman, pra kishte karakter çlirimtar. Shqiptarët
nuk pranonin tu nënshtroheshin më tej sundimtarëve
osmanë, që i mbanin të robëruar prej disa
shekujsh. Mustafa Pasha hyri në rrugën e kryengritjeve
pasi nuk u mor parasysh ankesa që i drejtoi sulltanit
kundër Mehmet Reshid pashës, të cilin krahas
të tjerave e akuzoi edhe për atentat kundër
tij. Pas këtyre orvatjeve Bushatlliu u hodh në rrugën
e luftës. Porta e Lartë, duke këmbëngulur
në zbatimin e reformave centralizuese, jo vetëm
nuk e mori parasysh ankesën e tij, por edhe përligji
si të drejtë e në dobi të përforcimit
të pushtetit qendror dhënien e tre sanxhakëve
Vezirit të Madh. Bushatlliut i kërkohej të
sakrifikonte pushtetin e vet në vendin e vet, ndërsa
shqiptarëve të pranonin pa kundërshtim rivendosjen
e sundimit të ushtrisë dhe të funksionarëve
të sulltanit osman.
Në muajin shkurt, Mustafa Pashës, nëpërmjet
qehajait Dervish bej Koplikut, i erdhi përgjigjja e feudalëve
boshnjakë, kundërshtarë të reformave,
që i kumtuan se do të bashkëpunonin me të
në kryengritjen e armatosur dhe do ti vinin në
ndihmë me ushtritë e tyre. Përgjigje me të
njëjtën përmbajtje mori Mustafa Pasha edhe
nga mjaft feudalë të Rumelisë, ku ziente pakënaqësia
ndaj reformave.
Por, që të mund të ngrinte në këmbë
një ushtri të madhe, me të cilën do të
sulmonte forcat osmane të Vezirit të Madh në
Manastir apo në Janinë, Mustafa Pasha kishte nevojë
edhe për mjete financiare. Ai gjeti mbështetje te
Mehmet Ali Pasha i Egjiptit, që u tregua i gatshëm
ta ndihmonte me mjete financiare dhe fshehurazi, edhe me ushtri.
Por pashallarët kosovarë refuzuan ndihmën e
pashait të Egjiptit, jo vetëm pse repartet ushtarake
egjiptiane ishin organizuar sipas modelit evropian, por edhe
sepse e quanin të rrezikshme praninë e një
ushtrie të valiut të Egjiptit në Shqipëri,
i cili po të vinte këmbë në një vend,
vështirë se largohej me vullnetin e vet. Mehmet
Ali Pasha i siguroi se merrte përsipër shpenzimet
e një ushtrie prej 40 000 vetash. Ai ishte i interesuar
për shpërthimin e një lëvizjeje të
gjerë në Rumeli, sepse në këtë mënyrë
do të fitonte mundësinë të forconte më
tej pushtetin e tij të pavarur dhe të sulmonte e
të pushtonte Sirinë.
Edhe Milosh Obrenoviqi, princi i Serbisë, premtoi ti
jepte Bushatlliut 500 000 groshë duke shpresuar se, në
rast fitoreje, veziri shkodran do ti kthente krahinat
që i ishin shkëputur Serbisë, të cilat
sulltani ia kishte premtuar, por nuk po ia dorëzonte.
Mirëpo ky princ u tregua dhe i pabesë. Duke pasur
si qëllim të vetëm të aneksonte treva
të Kosovës, ai synonte ta arrinte këtë
pavarësisht se kush do ta fitonte luftën, ndaj i
ofroi edhe Portës së Lartë ndihmën e tij
ushtarake kundër shqiptarëve dhe boshnjakëve
që u bashkuan me ta.
Ndërkaq, Mustafa Pasha siguroi asnjanësinë
e Malit të Zi në këtë konflikt me Stambollin.
Kështu u krijuan kushtet që Bushatlliu të fillonte
veprimet ushtarake të kryengritjes. Por, derisa u plotësuan
kushtet për tu hedhur në sulm kundër
Vezirit të Madh në Manastir, Bushatlliu humbi një
kohë mjaft të çmuar.
Më 27 mars 1831, pasi la në Shkodër si zëvendës
të birin, dhe pasi dërgoi në kështjellën
e Lezhës municione për të përballuar ndonjë
zbarkim detar të forcave qeveritare, Mahmud Pasha doli
nga qyteti. Meqë më 31 mars kishte parashikuar të
ndodhej në Prizren, u dërgoi fjalë boshnjakëve
të arrinin gjatë kësaj kohe në Prishtinë
për tu bashkuar me të. Ata nuk e respektuan
afatin, por kjo nuk e pengoi Bushatlliun ta çonte përpara
kryengritjen. Çdo lëkundje a vonesë do të
sillte dështimin e kryengritjes.
Po në këtë kohë Bushatlliu shpërndau
një thirrje, në të cilën grishte popullsinë
për kryengritje. Thirrja u prit me miratim kudo. Për
të pasur përkrahjen e shtresave të gjera popullore,
në thirrje, ndër të tjera, kërkohej që
të mos prekej rajaja, që nevojat e ushtrisë
të plotësoheshin duke blerë sendet e domosdoshme
dhe jo duke vënë dorë mbi pronat shtetërore.
Për të mos shkaktuar zemërimin e qeverive evropiane,
ai deklaroi se edhe posta evropiane nuk do të cenohej.
Me Bushatlliun u bashkua popullsia e Nishit, ndërsa ajo
e Sofjes, Filipopolit e Pazarxhikut, sipas lajmeve që
vinin prej andej, priste mbërritjen e vezirit për
tu bashkuar me të.
Në Prizren u bashkuan me Mustafa Pashën pashallarët
kosovarë, Mahmud pashë Prizreni, Jashar pashë
Prishtina, Hysen pashë Vranja etj. Pashai shkodran shpalli
se pagesat e rekrutimit të ushtarëve do të
jepeshin sipas sistemit burrë për shtëpi.
Për ti përballuar ato kishte marrë premtimin
e Mehmet Ali pashës së Egjiptit për një
ndihmë financiare, ndërsa princi Millosh Obrenoviqi
do ti jepte 250 000 groshë. Në këtë
kohë edhe Kara Fejzi Ali beu, aleati i Bushatlliut, u
gjend në rrethin e Sofjes, me një forcë të
rëndësishme kryengritëse, me të cilën
u bashkuan forcat e Bali Efendiut të Pazarxhikut, që
e kishin braktisur atë. Në rreshtat e forcave qeveritare
nuk pranonte, atëherë, të rekrutohej njeri.
I shqetësuar për shpërthimin e kryengritjes
shqiptare, Mehmet Reshid pasha u nis më 4 prill me 5
batalione nga Janina për në Manastir, ndërsa
3 të tjerë i la në Janinë, në Prevezë
dhe në Ohër. Gjatë rrugës kërkoi
nga Porta e Lartë përforcime të tjera në
ushtarë të rregullt e në armatime. Me të
mbërritur në Manastir kërkoi nga sulltani shpalljen
fermanli dhe dënimin me vdekje të Mustafa
Pashës, por jo të pasuesve të tij. Këtë
e bëri me qëllim që tu lihej atyre shteg
për të kërkuar falje e për ta braktisur
vezirin e Shkodrës. Ai kërkoi njëkohësisht
dërgimin e 4 batalioneve nga Edreneja në Sofje dhe
të një pjese të flotës ushtarake në
bregdetin shqiptar.
Ndërkaq, sipas kërkesës së Vezirit të
Madh, sulltani miratoi e shpalli fermanin, ku për Mustafa
Pashën thuhej se ai kishte në gjak tradhtinë,
asnjëherë ska qenë besnik e i bindur
me të vërtetë dhe tani e tregoi hapur natyrën
e fshehtë të tij. U arrestua edhe përfaqësuesi
i Mustafa Pashës në Stamboll, Sulejman Beu. Ndërkohë
Shejhylislami, Abdyl Vehabi, nënshkroi fetvanë,
në të cilën miratonte dënimin me vdekje
të vezirit kryengritës shqiptar të Shkodrës.
Më 10 prill 1831 forcat kryengritëse të Gegërisë
mbërritën në Shkup. Shtabi i vezirit përpiloi
planin e veprimeve luftarake, pavarësisht se boshnjakët
nuk e mbajtën premtimin dhe nuk u paraqitën. Prej
andej Mustafa Pasha u dërgoi letra mjaft feudalëve
rumeliotë si dhe atyre të Shqipërisë Jugore
ku kërkonte të bashkoheshin me të. Përveç
të tjerëve, ai ftoi të merrnin pjesë në
kryengritje edhe Tahir Abazin, Xhelil aga Picarin. Mjaft feudalë,
si Emin agai i Qyprylisë, Jusuf agai i Përlepit,
Ali agai i Matit dhe Iljaz Poda, pranuan të merrnin pjesë
në kryengritje, kurse Tahir Abazi e Xhelil aga Picari,
duke pritur zhvillimin e ngjarjeve, nuk dhanë ndonjë
përgjigje.
Sipas planit të veprimeve luftarake, ushtria shqiptare
prej rreth 16-18 mijë vetash duhej të nisej më
15 prill nga Shkupi e ndarë në këtë mënyrë:
4 000 veta të pararojës, nën komandën
e Hasan Hotit do të çanin rrugën drejt Qyprylisë
e Përlepit, 7-8 000 veta, të komanduar nga Sejfedin
Pasha i Gjakovës do të niseshin në drejtim
të Sofjes për të pushtuar atë qytet bashkë
me forcat e Kara Fejzi Ali beut. Pas marrjes së Sofjes
do të zihej derbendi Dudnicë-Samoko për të
vënë nën kontroll rrugën e Manastirit.
Luftëtarët e tjerë, nën komandën
e Hivzi Pashës së Shkupit, Emin Pashës së
Prizrenit, Jashar Pashës së Prishtinës dhe
Hysen Pashës së Vranjës, do të ndiqnin
pararojën dhe do të gjendeshin në Përlep
më 20 prill. Pas tyre do të mbërrinte veziri,
i shoqëruar prej Mahmud pashë Prizrenit, Asllan
pashë Pejës, Abdurrahman pashë Tetovës
dhe Ismail pashë Leskovcit.
Beteja e parë me forcat osmane të Mehmet Reshit
pashës, u zhvillua më 21 prill 1831. Ky, i informuar
se gjysma e forcave shqiptare ishte drejtuar për në
Sofje, vendosi të sulmonte në befasi gjysmën
tjetër me një ushtri dy herë më të
madhe.
Sulmi filloi në të gdhirë të 21 prillit,
kur forca të mëdha ushtarake osmane goditën,
gjysmë ore larg Përlepit, pararojën e ushtrisë
shqiptare, që nuk i bëri dot ballë mësymjes
dhe u detyrua të lërë pajisjet në duart
e armikut dhe të tërhiqej tri-katër orë
më tej, deri te hani i Babunës, ku gjendej pjesa
kryesore e ushtrisë shqiptare si dhe shtabi i saj me
Mustafa pashë Bushatlliun në krye. Por ky sukses
i Mehmet Reshid pashës, lajmi për të cilin
turqit e përhapën me shpejtësi në përfaqësitë
diplomatike evropiane, nuk vazhdoi më tej. Siç
theksonte veziri bushatlli në letrën dërguar
princ Miloshit më 24 prill, ushtria shqiptare prej 10
000 vetash e kundërsulmoi ushtrinë osmane, e theu
dhe e dëboi nga derbendi (gryka, vendkalimi - shën.
i aut.) i Përlepit. Ky kundërsulm u ndërmor
nga kryengritësit shqiptarë në Përlep
më 21 prill. Kurse pjesa tjetër e ushtrisë,
që ndodhej në afërsi të Sofjes e pushtoi
këtë qytet më 23 prill. Me urdhrin e posaçëm
të Mustafa Pashës që mban datën 30 prill
1831, u arrestuan dhe u dërguan në Nish krerët
kryesorë të ushtrisë osmane të Sofjes.
Por edhe fitoret e ushtrisë shqiptare nuk zgjatën
më shumë se 14-15 ditë. Ndërkohë,
Mustafa Pasha, meqë Stambolli hodhi kundër Sofjes
së pushtuar nga shqiptarët forca të shumta
osmane, i dërgoi Kara Fejziut që komandonte ushtrinë
e atjeshme, pjesën më të madhe të forcave
që dispononte dhe qëndroi në Babunë vetëm
me 3 000 veta. Ai mendoi gabimisht se Veziri i Madh nuk do
të guxonte ta sulmonte për shkak të disfatës
që kishte pësuar, të dezertimeve të shumta
në radhët e ushtrisë dhe pasi kishte shpërthyer,
më 18 prill, kryengritja në Toskëri. Mirëpo
Mehmet Reshid pasha, pasi mësoi se Bushatlliu kishte
rreth vetes një forcë ushtarake të vogël,
vendosi ta sulmonte në vendqëndrimin e tij në
Babunë. Më 3 apo 4 maj, u zhvillua midis Përlepit
e Qyprylisë një betejë e përgjakshme,
e cila qe vendimtare për fatet e kryengritjes së
Gegërisë. Pas 5 orë lufte, forcat e Bushatlliut,
duke qenë të pakta në numër pësuan
disfatë të plotë. Vetë veziri shkodran,
i shoqëruar nga 100 kalorës, u detyrua të largohej
nga fusha e betejës në drejtim të Shkupit.
Megjithëse kjo disfatë e paparashikuar solli një
humbje të pjesshme për ushtrinë shqiptare,
shumica e së cilës ndodhej në Sofje, lajmi
për të u pë
|