 |  |
K R E U V
SHTETI ILIR - FUQI MESDHETARE.
LUFTËRAT KUNDËR ROMËS
(231 - 168)
Në historiografinë moderne është bërë
zakon që shtetin ilir të mesit të shek. III
ta quajnë shteti ardian. Studiuesit që e pagëzuan
me këtë emër ia atribuojnë formimin e
këtij shteti fisit të ardianëve. Sipas tyre,
ky fis, i shtyrë nga keltët që vinin nga veriu
u bart gjatë shek. IV në bregun e djathtë të
Naronës, përballë ishullit Far, në jug
të dalmatëve; pa i braktisur këto krahina,
aty nga mesi i shek. III p.e.sonë në kohën
e sundimit të Pleuratit, atit të Agronit, ardianët
zbritën gjatë bregdetit deri thellë në
jug. Nën goditjet e ardianëve, sipas këtyre
studiuesve, ranë mbretëritë e vjetra të
enkelejve dhe të taulantëve dhe ardianët u
imponuan pushtetin e tyre gjithë fiseve të Ilirisë
së Jugut; u krijua kështu një mbretëri
e re, shumë më e gjerë sesa të parat,
që shtrihej nga kufijtë e Epirit deri përtej
Naronës në veri.
Kjo tezë, ndonëse përfaqësonte mendimin
më të përhapur, nuk mbeti pa u kundërshtuar.
Studiues të tjerë vunë në dyshim rolin
e ardianëve në formimin e shtetit dhe u përpoqën
që ti zëvendësonin ata me labeatët,
të cilët kishin një pozitë qendrore në
mbretëri ndaj asaj periferike të ardianëve.
Nuk u pranua gjithashtu origjina ardiane e dinastisë
themeluese të Agronit, e cila u kërkua përsëri
te labeatët; u vu në dukje me të drejtë,
se Agroni njihej si mbret i ardianëve, vetëm te
historiani Dion Kasi, një burim i vonë i shekullit
II të erës sonë, kurse autorë të
tjerë, më të hershëm e më të
besueshëm, e përmendin si një mbret të
ilirëve. Më në fund u përjashtua mundësia
e lindjes së këtij shteti, si rrjedhojë e pushtimeve
të një fisi dhe u paraqit si krijesë e një
grupi sundimtarësh, të cilët bashkuan fise
që kishin interesa të përbashkëta dhe
lidhje afërie me dinastinë pushtuese.
Me gjithë ndryshimet që paraqesin pikëpamjet
e shqyrtuara, ato bashkohen në vështrimin që
i bëjnë thelbit të çështjes: formacioni
politik për të cilin bëhet fjalë paraqitet
si një shtet fisnor dhe si një vepër personale
e një sundimtari, qoftë ky Pleurati apo i biri i
tij, Agroni.
Teza mbi zhdukjen pas vitit 270 të mbretërisë
së enkelejve dhe të taulantëve dhe formimi
rreth mesit të shek. III p.e.sonë i një mbretërie
ardiane shumë më të gjerë e më të
fuqishme se të parat paraqitet sot si një trajtesë
mekanike. Me të drejtë është vënë
në dukje se kësaj teze i mungon argumentimi historik
dhe se e ashtuquajtura mbretëri e enkelejve është
një krijesë e historiografisë moderne.
Nga ana tjetër, shteti ilir i mesit të shek. III
shihet si një dukuri krejt e re në botën ilire.
Sipas autorëve të kësaj pikëpamjeje ilirët
nuk njihnin më parë veçse një rend fisnor
dhe vetëm pas mesit të shek. III u krijua ky entitet
politik krejtësisht i ri. Analiza objektive e burimeve
tregon se mbretëria e Agronit është trashëgimtare
e drejtpërdrejtë e shtetit të mëparshëm
ilir, pa asnjë ndërprerje në traditën
e vet politike. Qendra e këtij shteti ka qenë më
në jug se sa pranohet dhe bërthamën e tij kryesore
e përbënin tokat e shtetit të vjetër ilir,
të cilat gjatë konfliktit me Romën u bënë
teatri i veprimeve më të rëndësishme ushtarake.
Ardianët banonin gjithashtu më në jug; sipas
autorëve antikë ata nuk janë veçse një
nga popullsitë e rëndësishme që bënin
pjesë në shtetin ilir dhe nuk u njihet ndonjë
rol i veçantë në formimin e mbretërisë
së Agronit. Përfshirja e tyre në përbërjen
e shtetit ilir ndodhi, sikurse është vënë
në dukje me të drejtë, në drejtim të
kundërt nga ai i pranuar, nëpërmjet shtrirjes
së këtij shteti në veri. Burimet tregojnë
qartë se banorët e këtij shteti quhen si më
parë ilirë, vendi Iliri
dhe sundimtarët mbretër ilirë.
Meqë në jetën politike të shtetit ilir
nuk ka pasur asnjë ndërprerje, dinastia e Agronit
duhet të ketë qenë e re dhe me origjinë
veriore. Midis asaj dhe sundimtarëve të mëparshëm
nuk ka pasur asnjë lidhje. Ka të ngjarë që
në mesin e shek. III p.e.sonë ose pak më parë,
shteti ilir të ketë njohur një periudhë
trazirash të brendshme, hollësitë e të
cilave nuk i dimë. Nuk është çudi që
zhvillimi i vrullshëm i qyteteve të Veriut, të
mbetura jashtë konflikteve luftarake që prekën
pjesën jugore të shtetit ilir bashkë me qytetet
e tij, të ketë ndryshuar raportin e forcave dhe
të ketë ndikuar apo të jetë bërë
bazë e ndryshimeve politike që pasqyrohen vetëm
në ndryshimin e dinastisë sunduese dhe në shkëputjen
e dy qyteteve të rëndësishme të Adriatikut
Lindor, Dyrrahut e Apolonisë, nga shteti ilir.
Historia e 60 vjetëve të fundit (231-168 p.e.sonë)
të shtetit ilir është kryesisht historia e
luftërave me Romën. Ngjarjet që u zhvilluan
në prag të këtyre luftërave janë
vetëm një prelud i tyre. Megjithatë këto
janë një dëshmi e rëndësishme për
vendin që zinte ky shtet midis fuqive të tjera të
Ballkanit dhe për rolin e tij historik në ngjarjet
politike të kohës.
Burimi më i rëndësishëm për këto
luftëra është vepra e historianit grek Polibi.
Por, kjo vepër e shek. II p.e.s., që përfaqëson
një histori të përgjithshme, përshkohet
nga një tendenciozitet dhe subjektivizëm i theksuar,
ku nuk fshihet simpatia ndaj Romës. Historia e ilirëve,
ashtu sikurse në përgjithësi historia e kundërshtarëve
politikë të Romës, paraqitet e shtrembëruar.
Qëllimi kryesor i Polibit është të justifikojë
në këtë vepër pushtimet romake, të
cilat i quan të drejta, të nevojshme dhe të
dëshirueshme nga popullsitë vendase. Për Polibin
këto pushtime ishin të pashmangshme, sepse fati
i kishte caktuar Romës misionin të sundojë
botën. Një pjesë e burimeve që ka
përdorur Polibi vjen nga historiani më i lashtë
romak Fabi Piktor dhe, sipas një mendimi të përgjithshëm,
ka karakter thjesht propagandistik.
Burimet e tjera për këtë periudhë, duke
qenë nën ndikimin e një tradite të korruptuar
rëndë paraqiten më të pasakta. Kjo vihet
re në radhë të parë tek Livi, i cili i
kushton më tepër vëmendje efektit retorik e
moralizues sesa të vërtetës historike. Për
hir të paraqitjes së bukur dhe tërheqëse
të ngjarjeve, ai shpeshherë sakrifikon këtë
të vërtetë. Tregimet e tij janë të
veshura me petkun moralizues dhe në mjaft raste me hollësi
fantastike.
Shumë të pasigurta janë edhe njoftimet e shkrimtarëve
të tjerë, Dion Kasi e Apiani, që përfaqësojnë
ritransmetime të cunguara, dhe më tepër të
pasakta të tradicionit të vjetër.
1. NGJARJET NË PRAG TË LUFTËS ME ROMËN
Aleanca iliro-maqedone.
Sulmi kundër Medionit
Në vitet 30 të shek. III p.e.sonë shteti ilir
kishte arritur kulmin e fuqisë së vet. Polibi thotë
se Agroni, mbreti i ilirëve dhe i biri i Pleuratit,
kishte një fuqi detare dhe tokësore shumë më
të madhe nga ajo që kishin pasur mbretërit
e mëparshëm të Ilirisë. Kufijtë
e shtetit të tij përfshinin një trevë
të gjerë që nga Narona deri në Aoos me
përjashtim të Dyrrahut e të Apolonisë.
Qytetet e veriut, Lisi, Skodra, Ulqini e Rizoni, me limanet
e gjiret e tyre të mbrojtura, strehonin flotën e
fuqishme ilire dhe përbënin bazën e shtetit
ilir.
Ndër fqinjët e shtetit ilir vetëm Mbretëria
Dardane ishte në ngjitje, ndërsa vendet jugore jetonin
ditë të vështira. Epiri, Maqedonia dhe Greqia
ishin të kapërthyera nga luftërat e ashpra
socialo-politike dhe rivaliteti midis tyre. Në mesin
e shek. III pozita e Maqedonisë ishte lëkundur përsëri.
Përpjekjet e Antigon Gonatës për të ruajtur
hegjemoninë e saj në Greqi nuk sollën rezultatet
e pritura. Pasardhësi i tij Demetri II u gjet në
një situatë edhe më të vështirë.
Lëvizja antimaqedone ishte forcuar, sepse më në
fund dy lidhjet e mëdha greke, ajo Etole dhe Ahease ishin
bashkuar kundër Maqedonisë. Përmbysja e monarkisë
në Epir (viti 234) dhe dalja e këtij vendi nga aleanca
me Maqedoninë për tu bashkuar me koalicionin
republikan, antimaqedon, e rëndoi edhe më shumë
gjendjen. Raporti i forcave ndryshoi në dëm të
Maqedonisë. Në vitin 231 të dy lidhjet e shtuan
presionin e tyre ushtarak mbi Maqedoninë, duke ndërhyrë
me forca të armatosura kundër Akarnanisë, një
vend i vogël që gëzonte mbrojtjen e Maqedonisë.
Pothuajse në të njëjtën kohë një
sulm i furishëm dardan i pavarur apo i bashkërenduar,
shpërtheu mbi Maqedoninë nga veriu. I ndodhur ngushtë,
si rrallë ndonjëherë, Demetri kishte nevojë
për aleat dhe këtë e gjeti te sundimtari i
shtetit ilir, Agroni.
Kushtet e marrëveshjes nuk pasqyrohen në burimet
historike të kohës. Versioni i Polibit, që
është edhe burimi i vetëm për këtë
çështje, sipas të cilit se Demetri ia mbushi
mendjen Agronit me të holla për të ndihmuar
qytetin akarnan Medionin, që mbahej i rrethuar nga etolët,
duket se shpreh tendencën e këtij autori për
tu rezervuar ilirëve një pozitë të
padenjë. Ngjarjet konkrete që u zhvilluan pas kësaj
e sqarojnë më mirë politikën e shtetit
ilir, si edhe domethënien e përmbajtjen e kësaj
marrëveshjeje.
Sidoqoftë një aleancë midis Maqedonisë
dhe Ilirisë qe përfunduar dhe ajo i vinte këto
dy shtete kundër koalicionit republikan në Greqi
dhe kundër rrezikut që vinte prej tij. Ky rrezik
qe bërë real në Epir dhe mund të ndikonte
keq edhe përtej kufijve të tij. Ky ishte shkaku
i kësaj aleance, për hir të së cilës
Maqedonia do të sakrifikonte, siç do ta shohim,
disa nga interesat e saj në Epir dhe në brigjet
e Jonit, për të kënaqur aspiratat ilire në
këto anë.
Aleanca hyri në veprim; ndërsa Demetri ishte i zënë
me dardanët, një flotë ilire prej 100 anijesh
me 5 000 veta u dërgua nga Agroni kundër etolëve
në Medion. Etolët, që e mbanin të rrethuar
qytetin, prisnin dorëzimin e tij nga çasti në
çast. Ata ishin aq të sigurt saqë kishin
filluar të bënin llogaritë për ndarjen
e plaçkës. Të shkujdesur nga çdo problem
i karakterit ushtarak, etolët u gjetën përpara
të papriturës së hidhur. Ilirët që
ishin futur në liman natën pa u ndjerë, zbritën
me të shpejtë nga anijet dhe pasi u rreshtuan në
formacion luftarak u sulën kundër lëmit etol.
Ilirët ditën ta maskojnë mirë lëvizjen
e flotës së tyre të madhe dhe të hyjnë
në gjirin e Ambrakisë, pa u diktuar. Por edhe sikur
të kishte ndodhur ndryshe, asnjëra nga flotat e
dobësuara greke nuk qe në gjendje tu dilte
atyre përpara. Duke përshkruar këtë fushatë,
Polibi i atribuon një rol të veçantë
befasisë në taktikën ilire dhe qëndrimit
të shkujdesur të armiqve të tyre. Në të
vërtetë ruajtja e fshehtësisë në
lëvizjen e forcave, ashtu sikurse befasia janë elemente
të domosdoshme të taktikës luftarake. Por këta
nuk qenë faktorët kryesorë që vendosën
fatin e betejës. Nga vetë zhvillimi i saj nuk është
vështirë të kuptohet se rolin vendimtar në
këtë ndeshje e luajti organizimi më i mirë
i ushtrisë ilire dhe epërsia e saj taktike në
manovrimin e forcave. Pesha që kishte rreshtimi
i tyre dhe përqendrimi i forcës goditëse
në pikën më të dobët të armikut,
pohon Polibi, bënë që ilirët të shkulnin
armikun nga pozicionet e tij. Të thyer nga ilirët,
etolët u gjetën pas kësaj midis dy zjarreve.
Medionasit, që deri atëherë qëndronin
të mbyllur në qytet, dolën dhe i ranë
armikut në shpinë. Të asgjësuar, etolët
lanë në fushën e betejës shumë të
vrarë e të plagosur dhe gjithë pajisjet e tyre
luftarake.
Përshtypja që bëri në Greqi kjo ngjarje
qe shumë e madhe. Ushtria që mbahej si më e
forta ndër ushtritë greke, që krenohej me traditat
e saj luftarake, për fitoren mbi galët në vitin
270 dhe që për gati 10 vjet me radhë i kishte
shkaktuar kaq telashe Demetrit II të Maqedonisë,
kishte marrë papritur një grusht dërrmues.
Jo më i vogël qe edhe shqetësimi që ngjalli
në botën greke kjo ngjarje, që nuk dihej se
çpasoja mund të kishte. Por ilirët
nuk kishin detyrë tjetër këtë radhë
veç zhbllokimit të Medionit, gjë që
u dha mundësi të izolonin Epirin nga kontakti me
etolët, duke përgatitur kështu kushtet për
një ndërhyrje të gjerë në këtë
vend. Pas përfundimit të betejës ata ngarkuan
menjëherë plaçkën në anijet e tyre
dhe morën rrugën e kthimit. Në atdhe fitorja
mbi etolët u kremtua me të madhe dhe Polibi tregon
se mbreti Agron u dha aq shumë pas të pirit dhe
dëfrimeve saqë ato i shkaktuan vdekjen.
Fushata e vitit 230 kundër Epirit
Trashëgimi në fron i takonte të birit, Pinit,
që Agroni e kishte me gruan e dytë, Triteutën.
Meqë ky ishte i mitur, sundimin e mori në dorë
bashkëshortja e tij e parë, Teuta. A ishte ky një
veprim i ligjshëm apo një uzurpim nuk dihet me saktësi,
por ardhja e saj në fuqi paraqet një rast të
veçantë në të drejtën e trashëgimisë.
Mundet që paaftësia e së ëmës ti
ketë lënë vendin thjeshtrës; mundet gjithashtu
që në vijën mashkullore të mos ketë
pasur një tjetër më të afërt me trashëgimtarin
e ligjshëm, por më shumë ka të ngjarë
që thjeshtra energjike nuk donte tia kalonte këtë
të drejtë një dege tjetër të familjes
mbretërore, e cila mund të sillte më vonë
ndërlikime në fatin e pinjollit të Agronit.
Sidoqoftë ardhja e saj në fuqi nuk u bë në
rrugë të zakonshme dhe vdekja e papritur e Agronit,
ka të ngjarë të ketë krijuar në oborrin
ilir një gjendje të nderë. Por çështja
gjeti zgjidhjen e vet. E përkrahur nga përfaqësuesit
më të fuqishëm të shtresës sunduese
ilire, miqtë e mbretit, ajo u vu në
krye të shtetit dhe me ta ushtroi - siç
thotë Polibi, - drejtimin e punëve.
Teuta nuk e ndryshoi politikën e jashtme të shtetit
ilir dhe veprimtaria e mëtejshme e tij u zhvillua në
frymën e aleancës së farkëtuar nga Agroni
me Maqedoninë. Në vitin 230, një vit pas fitores
mbi Medionin, një forcë ushtarake dhe detare ilire,
jo më e vogël se ajo e Agronit, u vu
përsëri në lëvizje drejt jugut. Këtë
radhë ajo kishte si objektiv kryesor aleatin verior të
etolëve dhe aheasve, Epirin. Njëkohësisht flota
ilire kishte marrë urdhër të konsideronte troje
armike gjithë anëdetjen dhe ti shtrinte veprimet
deri thellë në Elidë dhe në Meseni, krahina
që ishin nën ndikimin etol. Me këtë aksion
flota do të mbante nën presion armikun deri në
skajet më të largëta dhe do të përcaktonte
qëndrimin e shtetit ilir ndaj aleatëve të etolëve
e të aheasve, kurse forcat kryesore do të godisnin
nga deti dhe nga toka objektivin kryesor, Epirin. Forcat detare
ilire zbritën në afërsi të kryeqendrës
së Lidhjes Epirote, Foinikes, dhe u drejtuan kundër
saj. Pasi bindën mercenarët galë tu dorëzonin
qytetin, e zunë atë pa vështirësi. Epirotët
të shqetësuar dërguan forcat e tyre në
ndihmë të Foinikes. Por pa arritur mirë të
vendosin lëmin e tyre buzë lumit, që rrjedh
pranë qytetit (Bistrica e sotme), morën vesh se
një ushtri tjetër ilire prej 5 000 vetash, nën
komandën e Skerdilaidit, ishte drejtuar kundër tyre,
duke kaluar nëpër ngushticën e Antigonesë
(gryka e Tepelenës). Forcat epirote që u dërguan
kundër tyre nuk e ndaluan dot marshimin ilir. Ndërkaq
ilirët që kishin zënë Foiniken ndërmorën
një sulm të fuqishëm kundër lëmit
epirot që ndodhej në anën e përtejme të
lumit (Bistricës). Epirotët u shpartalluan plotësisht,
duke lënë në fushë të luftës
shumë të vrarë e të plagosur; vetëm
një pjesë mundën të shpëtojnë
e të ikin tek atintanët. Por edhe këtë
radhë dështimin e epirotëve Polibi e shpjegon
me befasinë e goditjes ilire dhe shkujdesjen e armiqve
të tyre.
Pas këtij dështimi epirotët e humbën çdo
shpresë në fuqitë e veta dhe iu drejtuan për
ndihmë aleatëve të tyre etolë e aheas.
Ndihma nuk vonoi tu jepej dhe forcat e të dy lidhjeve
arritën në vendin e quajtur Helikanon (një
vend i paidentifikuar) diku në pellgun e Vurgut. Këtu
erdhën dhe pushtuesit e Foinikes bashkë me forcat
e Skerdilaidit, që duhet të kenë ndjekur rrugën
më të shkurtër nga qafa e Skarficës për
të arritur në Foinike. Të dyja palët u
radhitën përballë njëra-tjetrës,
por nuk arritën të përleshen, sepse, siç
thotë Polibi, ilirët morën urdhër nga
Teuta të tërhiqeshin nga Epiri, për tu
dalë përpara dardanëve që po sulmonin
nga lindja dhe për të qetësuar disa nga fiset
që ishin bashkuar me ta.
Sa qe real dhe serioz ky rrezik dardan nuk mund të thuhet,
por fakti është se ilirët nuk u shqetësuan
shumë dhe nuk u shpejtuan të largohen nga Epiri
pa i rregulluar mirë punët e tyre. Ata përfunduan
më parë një armëpushim me epirotët,
në bazë të të cilit u kthenin atyre qytetin
dhe robërit që ishin qytetarë të lirë,
kundrejt një shpërblimi, kurse skllevërit dhe
plaçkën i mbajtën për vete. Ushtria
dhe flota morën rrugën e kthimit duke marrë
me vete, me sa duket, edhe premtimin për një aleancë
të ardhme. Dhe me të vërtetë kjo nuk vonoi
të përfundohet. Përfaqësuesit epirotë
arritën me të shpejtë te mbretëresha ilire
dhe përfunduan me të një aleancë, duke
marrë përsipër të ndihmonin ilirët
dhe të jenë armiq të etolëve dhe të
ahejve. Po këtë gjë bënë edhe akarnanët,
të cilët kishin ardhur së bashku me epirotët.
Rezultati u arrit: Epiri u shkëput nga etolët dhe
aleanca me akarnanët krijoi tani një kufi të
largët, por të drejtpërdrejtë midis lidhjeve
greke dhe shtetit ilir.
Shqetësimet në Romë. Përgatitjet për
luftë
Shqetësimet në Greqi qenë të mëdha,
por më të mëdha ishin ato në Romë.
Reagimi romak është transmetuar në dy versione.
Versioni i parë i përket Polibit. Sipas tij, në
këtë kohë senati dërgoi te mbretëresha
ilire dy delegatë për tu ankuar kundër
sulmeve të piratëve ilirë, të cilët
prej kohësh u binin në qafë tregtarëve
italikë, por që e kishin tepruar sidomos gjatë
fushatës kundër Foinikes. Bisedimet përfunduan
në grindje dhe fyerje, që çuan në vrasjen,
me urdhrin e Teutës, të njërit prej delegatëve,
gjatë rrugës duke u kthyer. Bisedimet janë
dhënë me hollësi megjithatë vërtetësia
e tyre është e dyshimtë. Teutës, i është
veshur një qëndrim mendjelehtë prej gruaje,
që me të drejtë është konsideruar
si një formulim tipik i huajtur nga historiografia helenistike
e llojit sensacional.
Versioni i dytë, ai i Apianit, ndryshon shumë prej
atij të Polibit. Sipas tij Agroni kishte pushtuar disa
vise të Epirit dhe Korkyrën, pastaj Epidamnin dhe
Farin dhe kishte vendosur garnizone në to. Por meqë
zuri të sulmojë me flotën e tij edhe vise të
tjera, ishulli Isa kërkoi ndihmën e romakëve.
Këta atëherë dërguan delegatë së
bashku me isejtë, por delegatëve u dolën në
det anijet ilire dhe vranë përfaqësuesin e
Isës dhe një romak. Pra në versionin e dytë
motivi nuk është aspak pirateria, por mbrojtja e
Isës dhe e qyteteve të tjera të bregdetit;
delegatët vriten, por pa arritur të zhvillojnë
bisedime dhe Teuta nuk zihet aspak në gojë.
Sidoqoftë në të dy rastet, sipas këtyre
burimeve, Romës i bëhej një fyerje dhe shkelej
e drejta njerëzore. Ky ishte motivacioni
me të cilin do të nxitej opinioni publik dhe do
të justifikoheshin veprimet e mëtejshme të
Republikës, një motivacion banal, të cilin
politika romake do ta përsëriste të paktën
edhe një herë tjetër më vonë kundër
ilirëve dalmatë. Por këtë herë prej
gojës së Polibit mësojmë, për çudi,
se romakët u shpallën luftë dalmatëve
për ti nënshtruar, por përpara
popujve të tjerë hiqeshin se e bënin këtë
për shkak të sjelljes së keqe të dalmatëve
kundrejt përfaqësuesve të tyre.
Roma filloi të përgatitej haptazi për luftë.
Edhe mbretëresha ilire nga ana e saj nuk vonoi të
marrë masa mbrojtëse. Më parë ajo u kujdes
për forcimin e rendit të brendshëm dhe qetësoi
fiset që qenë shkëputur pas sulmit dardan.
Por vëmendjen kryesore Teuta ia kushtoi sigurimit të
bregdetit. Ajo e dinte se në gjendjen e krijuar një
pozitë me rëndësi zinin Isa në veri, Korkyra
në jug dhe dy qytetet e mëdha të bregdetit,
Dyrrahu e Apolonia. Ishte e qartë se këto ishin
pikat më delikate që do të synonte armiku dhe
zotërimi i tyre do të luante një rol të
dorës së parë për fatin e luftës.
Prandaj mbretëresha shpejtoi të vërë dorë
mbi to.
Isa u sulmua e para, por meqenëse nuk u dorëzua,
ilirët vendosën bllokadën e saj. Pak më
vonë, në pranverë të vitit 229, një
ekspeditë e madhe u vu, njëkohësisht në
lëvizje, kundër Epidamnit dhe Korkyrës. Ndërsa
shumica e flotës vazhdoi lundrimin drejt jugut, një
pjesë e saj u ndal në Epidamn. Orvatja për
pushtimin e qytetit dështoi. Atëherë ilirët
u tërhoqën në anijet e tyre dhe pasi dolën
në det të hapur, u bashkuan përsëri me
forca të tjera për të vazhduar lundrimin drejt
Korkyrës. Sapo mbërritën këtu, forcat
ilire zbarkuan dhe rrethuan qytetin. Korkyrasit e rrethuar
kërkuan ndihmën e etolëve dhe të aheasve.
Në të njëjtën kohë erdhën për
të kërkuar ndihmë tek ata edhe delegatë
nga Epidamni dhe Apolonia. Kërkesa u mor parasysh. Flota
ahease prej 10 anijesh të mëdha lufte nxitoi drejt
Korkyrës. Ilirët, si morën dhe 7 anijet që
u kishin dërguar akarnanët, sipas marrëveshjes,
u dolën ahejve përpara. Ndeshja u zhvillua afër
ishullit Paksos. Flota ahease u shpartallua. Katër anije
u kapën dhe një e pestë u fundos, të tjerat
u detyruan të sprapsen me shpejtësi për ti
shpëtuar fatit të të parave. Lembet e lehta
e të shpejta ilire vendosën fatin e kësaj beteje.
Të përdorura me guxim e shkathtësi nga detarët
ilirë, ata triumfuan mbi anijet e rënda katër
e pesërremëshe greke. Pas kësaj Korkyra iu
dorëzua ilirëve. Si morën në dorëzim
qytetin, ilirët lanë këtu një garnizon
nën komandën e Demetër Farit, kurse forcat
kryesore u kthyen dhe bllokuan përsëri Dyrrahun.
E tillë ishte gjendja kur forcat e paftuara romake u
nisën kundër Ilirisë.
2. LUFTA E PARË ILIRO-ROMAKE
Shkaqet e luftës. Veprimet ushtarake
Problemi i ndërhyrjes romake në Iliri ka qenë
për historiografinë një tezë e parapëlqyer,
rreth së cilës janë zhvilluar mjaft diskutime.
Pikëpamja që ka qenë për një kohë
të gjatë më e pranuar është se shkaku
kryesor i kësaj ndërhyrjeje ka qenë pirateria
ilire, që i sillte dëme të rënda tregtisë
italike. Duke përsëritur Polibin, kjo ndërhyrje
u paraqit si një konflikt që iu imponua senatit
romak, në kundërshtim me vullnetin e tij, për
të frenuar veprimet e sundimtares mendjelehtë ilire.
Tezës që e shikonte ndërhyrjen romake si pjesë
të një plani për një ekspansion më
të gjerë në lindje iu kundërvu versioni
se Roma as në këtë kohë e as më parë
nuk ka pasur një politikë orientale. Më vonë
kjo teori u përsërit dhe në ditët tona.
Pasues të saj i atribuojnë monarkisë ardiane
një rol organizues që i dha piraterisë
ilire pamjen e një imperializmi fillestar
dhe si pasojë bëri që zgjerimi ilir të
ndeshet me interesat romake.
Është e rëndësishme të sqarohet në
këtë rast nëse ishte pirateria ilire ajo që
çoi në konfliktin iliro-romak dhe që bëri
të pashmangshme luftën apo shkaqe të tjera
më të thella.
Pirateria lindi dhe u zhvillua tek ilirët, ashtu sikurse
dhe te popujt e tjerë të Mesdheut, në një
stad të caktuar të zhvillimit të tyre historik.
Kështu, burimet i përshkruajnë etruskët,
në gjysmën e dytë të shek. IV, si një
popull që terrorizonte lundrimin në Adriatik dhe
në Egje; etolët në shek. III kishin gjithashtu
një nam të keq si piratë. Edhe vetë romakët,
pretenduesit e mbrojtjes së rendit, e kanë ushtruar
piraterinë në prag të erës sonë.
Tek ilirët ajo luajti një rol të dukshëm
qysh nga fundi i shek. IV. Ky mendim pajtohet si me njoftimet
e autorëve antikë, ashtu dhe me vetë zhvillimin
shoqëror e politik të ilirëve në këtë
kohë. Pirateria ishte një dukuri e pandarë
e shoqërisë skllavopronare, që e shoqëroi
atë në forma të ndryshme gjatë gjithë
ekzistencës së saj.
Por veprimet ilire që përshkruan Polibi dhe që
kanë të bëjnë me ngjarjet në prag
të konfliktit të armatosur me Romën, nuk kanë
aspak karakter piratesk. Ato ishin pjesë e politikës
së shtetit ilir lidhur me gjendjen e krijuar në
Greqi. Prandaj përpjekja e studiuesve për ti
shpjeguar shkaqet e ndërhyrjes romake me anë të
piraterisë ilire nuk është e përligjur.
Nuk kanë munguar orvatjet për të kërkuar
shkakun e luftës edhe te frika e zakonshme e romakëve
ndaj fqinjit të fortë. Por edhe ky nuk është
një shpjegim i plotë. Ndërhyrja e Romës
lidhej në rastin konkret me rrezikun që paraqiste
ky fqinjë i fortë, aleati i Maqedonisë për
aspiratat e saj në kushtet e një Greqie të
dobësuar nga lufta e brendshme. Sukseset në perëndim
e kishin rritur oreksin e qarqeve sunduese skllavopronare
romake dhe e kishin bërë më të fuqishme
tendencën për të mos e ndarë sundimin
e Mesdheut me fuqi të tjera, kurse dalja e shtetit ilir
në arenë u shkonte ndesh këtyre tendencave.
Midis kontradiktave të thella që kishin përfshirë
në këtë kohë botën mesdhetare, ato
të shtetit ilir me Romën dolën në plan
të parë dhe shkaktuan konfliktin e armatosur të
vitit 229. Në të ardhmen këto kontradikta do
të thellohen e do të shtrihen gjithnjë më
në lindje, duke sjellë me vete konflikte të
reja të armatosura.
Që nga sulmi kundër Foinikes deri tek ardhja e delegatëve
kishte kaluar një vit. Megjithatë, kjo çështje
ziente qysh prej 2 vjetësh, nga ngjarja e Medionit. Gjatë
kësaj kohe Roma kishte arritur të bënte, siç
e pamë, hapat e nevojshëm diplomatikë për
përgatitjen e opinionit publik. Ishin grumbulluar gjithashtu
forca të konsiderueshme ushtarake, të cilat në
rastin e rënies së Korkyrës u vunë menjëherë
në lëvizje. Një flotë prej 200 anijesh
dhe një ushtri prej 20 000 këmbësorësh
do të merrte pjesë në këtë operacion,
të cilin do ta drejtonin dy konsujt që ishin në
fuqi atë vit. Kjo tregon se sa i madh ishte preokupacioni
i romakëve për fushatën ilire dhe sa të
ndërgjegjshëm ishin ata për vlerën reale
të kundërshtarit të tyre. Nuk ishte kjo, pra,
një çështje kaq e lehtë dhe e thjeshtë,
siç është bërë zakon të paraqitet.
Por zhvillimi i ngjarjeve tregon se mbretëresha nuk arriti
ti dalë rrezikut përpara. Qytetet e mëdha
të bregdetit, Dyrrahu, Apolonia dhe Korkyra, të
cilat do të përbënin pikëmbështetjet
kryesore të mbrojtjes, kishin mbajtur një qëndrim
negativ. Plani për pushtimin me forcë të tyre
nuk pati sukses. Kur romakët iu drejtuan Korkyrës,
flota dhe forcat ilire ishin të shpërndara dhe të
angazhuara në bllokadën e Dyrrahut dhe të Isës.
Garnizoni ilir i Korkyrës kishte mbetur i izoluar dhe
kësaj iu shtua tradhtia e Demetër Farit. Romakët,
që edhe kështu kishin ardhur me forca të mëdha
(200 anije), i gjetën portat e hapura dhe e zunë
qytetin pa vështirësi. Forca të tjera të
nisura nga Brindisi dhe ato të Korkyrës, pasi u
bashkuan, iu drejtuan Apolonisë e më pas Dyrrahut
dhe i zunë po me kaq lehtësi. Shtresa sunduese e
këtyre qyteteve, e cila e kishte përcaktuar pozitën
e vet që më parë, i mirëpriti pushtuesit;
ajo u tregua e gatshme të hyjë në ombrellën
romake mjaft që të ruante pozitat e veta dhe të
siguronte pasurinë e tregtinë. Këtë politikë
ndoqi edhe aristokracia parthine e atintane, e cila ishte
e lidhur ngushtë me interesa ekonomike me qytetet fqinje,
Dyrrahun dhe Apoloninë, ajo shpejtoi gjithashtu, siç
thotë Polibi, tu nënshtrohej me dashje
romakëve dhe të sigurojë miqësinë
e tyre.
Të mbështetur në planin fillestar të mbrojtjes
së vijës bregdetare, ilirët nuk qenë në
gjendje dhe nuk patën kohë të organizonin një
qëndresë serioze. Vetëm në krahinat në
veri të Dyrrahut romakët ndeshën në kundërshtimin
ilir. Këtu ardianët i pritën me armë në
dorë. Polibi nuk jep hollësira për luftën
e tyre, thotë vetëm se i i nënshtruan,
por këtë radhë nuk përdor më shprehjen
me dashje si në rastin e parthinëve
dhe atintanëve. Ai nuk ka mundur, gjithashtu, të
heshtë për qëndresën e fortë të
qytetit Nutria, pushtimi i të cilit u kushtoi romakëve
shumë ushtarë dhe oficerë të vrarë.
Duke përparuar drejt veriut gjatë bregdetit, thuhet
se romakët morën edhe qytete të tjera, por
emrat e tyre nuk zihen në gojë. Dimë që
Isën e bllokuan romakët dhe ilirët, që
e mbanin të rrethuar, u strehuan në qytetin Arbone,
kurse Teuta me forca të vogla u mbyll në qytetin
e fortifikuar të Rizonit.
Fushata e asaj vere thuajse e kishte zgjidhur përfundimisht
fatin e luftës. Viset e pushtuara në veri, konsujt
i lanë nën mbikqyrjen e Demetër Farit dhe vetë
u kthyen në Dyrrah me flotën dhe forcat e tyre tokësore.
Njëri prej tyre u nis për në Romë duke
marrë me vete pjesën më të madhe të
forcave; tjetri mbeti në Iliri me 40 anije dhe si rekrutoi
ushtarë në qytetet që ishin rreth e rrotull,
vendosi ta kalojë aty dimrin për të vigjëluar
ardianët dhe popullsitë e tjera që ishin vënë
nën mbrojtjen e Romës.
Paqja e vitit 228 dhe pasojat e luftës së parë
Ndërkaq Mbretëria Ilire kishte filluar të shpërbëhej.
Duke parë këtë gjendje, në pranverë
të vitit 228, Teuta dërgoi në Romë përfaqësuesit
e saj që përfundoi paqen me senatin. Kushtet e paqes
qenë të rënda. Sipas Polibit, Teuta detyrohej:
1. tu paguante romakëve një tribut, 2. të
hiqte dorë nga pjesa më e madhe e Ilirisë duke
mbajtur për vete vetëm pak vende dhe 3. të
mos lundronte në jug të Lisit me më shumë
se dy anije, por edhe këto të paarmatosura. Të
formuluara me terma kaq të përgjithshëm këto
kushte janë bërë objekti i diskutimeve të
shumta. Përpjekjet që janë bërë për
të shpjeguar ndryshimet territoriale që iu bënë
Mbretërisë Ilire dhe për të përcaktuar
gjendjen juridike të tokave të shkëputura prej
saj kanë çuar në përfundime të
ndryshme, të cilat në ndonjë rast ishin të
tilla që nuk mund të cilësohen as si hipoteza.
Për një kohë ka zotëruar një mendim,
sipas të cilit, romakët i ndanë pushtimet e
tyre në dy pjesë. Në veri krijuan një
shtet të vogël që përbëhej nga ishulli
i Farit dhe disa toka të bregdetit përballë.
Në krye të atij ata vunë tradhtarin Demetër
Farin, me qëllim që të vëzhgonte dhe të
njoftonte për çdo veprim të Mbretërisë
Ilire. Me tokat e tjera të pushtuara në jug romakët
krijuan një protektorat, që shtrihej prej Lisit
e deri tek malet Akrokeraune dhe ato Kaone. Në këtë
protektorat u përfshinë, përveç Dyrrahut,
parthinëve dhe atintanëve, edhe qytetet Dimale,
Aulona, Oriku, Bylisi, Amantia e deri Antigonea e largët.
Këtyre u shtoheshin edhe ishujt Isa e Korkyra.
Ndryshe nga kjo pikëpamje, më realist është
mendimi që nuk njeh ndonjë teprim lidhur me të
ashtuquajturin protektorat romak në Iliri. Me të
drejtë është vënë në dukje se
ai nuk ka përbërë kurrë një rrip
të pandërprerë toke, që nga Lisi e deri
te bregu kontinental përballë Korkyrës, por
ka qenë përbërë, ashtu si e nënkupton
Polibi dhe e shpreh Apiani, nga Apolonia, Dyrrahu dhe territoret
e tyre, nga ishujt Korkyra, Isa dhe nga parthinët e atintanët,
pa asnjë territor më tepër nga ato që
i ishin dorëzuar Romës. Lisi, i cili në bazë
të traktatit përbënte një kufi detar,
nuk pranohet edhe si kufi tokësor midis Mbretërisë
Ilire dhe protektoratit romak. Duke u nisur nga kjo është
shprehur mendimi se disa toka në jug të protektoratit
mbetën përsëri nën vartësinë
e Mbretërisë Ilire, me gjithë vështirësitë
që paraqiste kjo vartësi për të qenë
reale. Me këtë sistem, traktati i siguronte Romës
lundrimin e qetë në ngushticën e Otrantos dhe
mbikqyrjen me anë të protektoratit të Mbretërisë
Ilire, duke i hequr kësaj çdo mundësi që
të bëhej përsëri një fuqi e madhe.
Kohët e fundit janë bërë përpjekje
që këto mendime të zëvendësohen me
një tezë të re, sipas së cilës zotërimet
romake kufizohen gjithashtu me tokat e Dyrrahut, të Apolonisë,
të parthinëve dhe të atintanëve, por parthinët
shtriheshin në luginën e mesme dhe të epërme
të Shkumbinit, kurse atintanët në Çermenikë.
Kështu protektorati ngushtohet, por shtrihet thellë
në lindje. Rreth tij pastaj vendosen një sërë
zonash të pavarura, që shërbejnë, sikurse
thuhet, si amortizatorë për zotërimet romake.
Në veri të Dyrrahut deri në afërsi të
Skodrës vendoset zotërimi i Demetër Farit,
që ndante protektoratin nga Mbretëria Ilire; në
lindje zotërimet romake, duke depërtuar thellë
deri në burimet e Drinit të Zi, ndanin mbretërinë
ardiane nga aleatët e saj maqedonë dhe bllokonin
rrugët nga Maqedonia për në brigjet e Adriatikut;
më poshtë Dasaretia, që zinte territorin midis
Devollit dhe Osumit, u bë gjithashtu një zonë
e pavarur dhe formoi një amortizator tjetër ndaj
Maqedonisë; më në fund, në jug zona që
hyri në vartësinë e Romës përfundonte
në territorin e Apolonisë, që takonte bregun
e Vjosës, por nuk përfshinte Aulonin, Orikun, Bylisin
dhe Amantien. Këto katër qytete formonin një
grup të pavarur ose neutral, me fjalë të tjera
një amortizator tjetër ndaj Lidhjes Epirote.
Është e pabesueshme që romakët të
kenë projektuar dhe realizuar një sistem të
tillë mbrojtës, të paktën në mënyrë
të ndërgjegjshme, siç na paraqitet. Senati
nuk mund të zbatonte një politikë jo realiste.
Shtete të tilla të vogla nuk mund të kishin
një vlerë reale, sepse fuqitë që qëndronin
pas këtyre të ashtuquajturve amortizatorë nuk
do ti përfillnin ato, nuk do ti konsideronin
si pengesë. Në fakt të gjitha sulmet që
shpërthyen më vonë prej Mbretërisë
Ilire apo Maqedonisë kundër zotërimeve romake
nuk kanë ndeshur në pengesën e këtyre
lloj shteteve dhe nuk ka të dhëna që mbrojtja
romake të jetë mbështetur në to. Përveç
kësaj, disa fakte të veçanta që përfshihen
në këtë tezë janë krejt arbitrare.
Kështu, është e pabazuar vendosja e zotërimeve
të Demetër Farit në veri të Dyrrahut deri
në afërsi të Skodrës dhe, po kështu,
nuk qëndron lokalizimi i atintanëve në Çermenikë.
Duke pranuar si të drejtë mendimin që zotërimet
romake në tokën ilire formoheshin nga Dyrrahu, Apolonia
dhe parthinët e atintanët, mbetet sidoqoftë
e paqartë shtrirja territoriale e këtyre zotërimeve.
Përpjekjet për lokalizimin e parthinëve dhe
të atintanëve nuk kanë dhënë përfundime
të kënaqshme. Në qoftë se për parthinët
ka ardhur duke u saktësuar mendimi që ata, si banorë
të tokave në shpinë të Dyrrahut, shtriheshin
prej Ardaksanit e deri në Aps (Apsos), për atintanët
mendimet e studiuesve ende nuk përkojnë. Megjithatë,
po ti çlirojmë këto pohime nga ndonjë
interpretim jo i drejtë i burimeve dhe të lëmë
mënjanë si të dyshimta, ato burime që
i shtrijnë atintanët deri në Dodonën e
largët apo në luginën e Drinos, atëherë
do të vërejmë se burimet kryesore e më
të besueshme e vendosin këtë popullsi në
shpinë të Apolonisë, në Mallakastrën
e sotme. Kështu, parthinët e atintanët së
bashku zinin gjithë bregdetin prej Ardaksanit deri në
Aps (Apsos) me një shtrirje në lindje që përfshinte
edhe brezin kodrinor të ultësirës bregdetare.
Në këtë territor bënin pjesë një
varg qytetesh ilire, midis të cilave ka të ngjarë
edhe Dimale, por jo Bylisi, që zinte skajin më jugor.
Me vënien nën sundimin e tyre të tokave më
të rëndësishme të bregdetit, romakët
likujduan kështu zotërimet e Mbretërisë
Ilire në jug. Edhe në qoftë se në këto
anë mbeti ndonjë zonë që nuk u përfshi
në zotërimet romake, siç mund të ishte
Bylisi me rrethin e afërt të tij, Dasaretia apo
ndonjë zonë tjetër e brendshme malore, ato
në fakt mbetën të shkëputura nga Mbretëria
Ilire, me të cilën edhe më parë, për
vetë natyrën e shteteve antike, jo gjithmonë
kishin lidhje të forta. Koinoni i bylinëve, si një
bashkim i popullsisë dhe i qendrave të vogla përreth,
që na përmendet në burimet epigrafike i takon,
me sa duket, kësaj kohe.
Nga analiza e pikave të traktatit arrihet në përfundimin
se Roma e reduktoi shtetin ilir në një mbretëri
të vogël në veri të Lisit. Në jug
ajo krijoi një zotërim të vetin që formohej
nga Dyrrahu, Apolonia, parthinët dhe atintanët.
Këtë zotërim ajo do ta përdorte si një
bazë për të garantuar respektimin e traktatit
dhe për të shtypur çdo përpjekje për
rimëkëmbjen e shtetit ilir. Zotërimet (dinasteia)
e Demetër Farit përbënin gjithashtu një
kundërpeshë ndaj Mbretërisë Ilire në
veri, kurse krahinat apo qytetet e tjera të jugut, që
mbetën të shkëputura nga kjo mbretëri,
u lanë të papërfillura me besimin që,
si njësi të vogla, favorizonin pozitën e Romës
në këto anë. Ndalimi, sipas traktatit, i lundrimit
në jug të Lisit kishte për qëllim të
kufizonte nga ana tjetër fuqinë detare të Mbretërisë
Ilire; për këtë do të shërbenin në
mënyrë të veçantë zotërimi
i Isës dhe i Korkyrës. Kështu me anë të
këtij traktati Roma siguronte të gjitha masat e
mundshme për ta dobësuar shtetin ilir dhe për
ta mbajtur atë nën kontroll, por jo për ta
asgjësuar plotësisht.
Në marrëdhëniet me Romën Mbretëria
Ilire mbeti, pas përfundimit të traktatit, një
shtet tributar. Është thënë se tributi
ka qenë një dëmshpërblim që do të
paguhej me këste, megjithëse masa dhe mënyra
e shlyerjes së tij në traktat nuk përcaktohet.
Gjendja juridike e qyteteve dhe e popullsive që u përfshinë
në zotërimet direkte të Romës nuk është
gjithashtu e qartë. Marrja e tyre nën të ashtuquajturën
mbrojtje nga Roma lejon të nënkuptohet se ato qenë
vënë nën një lloj varësie. Ka shumë
të ngjarë që këto të jenë konsideruar
nga ana formale si aleatë apo miq
që u lejohej e drejta e një vetadministrimi të
kufizuar. Por në fakt ato ishin të varurit e Romës
dhe si të tillë nuk mund të hynin në marrëdhënie
të lira me shtetet e tjera. Përveç kësaj,
ata ishin të detyruar të pranonin në çdo
kohë ushtritë romake dhe ti furnizonin ato
me ushqime apo ti plotësonin me kontingjente ndihmëse
tokësore e detare, siç ndodhi, qysh në vitin
e parë të pushtimit, në dimrin e vitit 229/228
dhe më vonë. E njëjta gjë mund të
thuhet edhe për Demetër Farin, që u vu në
shërbim të Romës, si dinast i varur i një
zotërimi të vogël në ishullin e Farit
dhe brigjet e Dalmatisë.
Gjatë konfliktit Maqedonia, Lidhja Epirote dhe Akarnania
kishin mbajtur një qëndrim që nuk pajtohej
me detyrimet e tyre si aleatë të shtetit ilir dhe
me interesat e tyre politike në përgjithësi.
Ky qëndrim shpjegohet me një varg rrethanash. Sado
me rezerva ta kenë parë këta aleatë rritjen
e fuqisë ilire, dalja e Romës në brigjet lindore
të Adriatikut nuk mund të ishte për ta më
e mirë. Por, nga ana tjetër, nuk shohim, të
paktën burimet nuk na e thonë, që krahas masave
mbrojtëse me karakter ushtarak, shteti ilir të ketë
marrë edhe masa për vënien në lëvizje
të aleatëve të tij. Duket qartë se ilirët,
ashtu edhe aleatët e tyre nuk arritën ti përfundonin
përgatitjet për ti dalë përpara
rrezikut që po i kërcënonte. Jo vetëm
kaq, por vetë Maqedonia u gjend në këtë
kohë e rrezikuar seriozisht nga një sulm dardan,
i cili i kushtoi jetën sundimtarit të saj, Demetrit
II. Ky fakt nuk ishte pa rëndësi në zgjedhjen
e momentit të përshtatshëm për shpërthimin
e konfliktit të armatosur kundër ilirëve. Edhe
në qoftë se ky sulm ishte krejt i pavarur, nuk mund
të mos merret parasysh fakti që ai përkon në
kohë me ngjarjet e përshkruara më lart. Në
këto rrethana romakëve nuk u mbetej gjë tjetër
veçse të ndanin dhe të paralizonin aleatët
jugorë, Lidhjen Epirote dhe Akarnaninë prej mbretërive
ilire. Këtë detyrë ata e zgjidhën duke
drejtuar goditjen e tyre të parë kundër Korkyrës
dhe Apolonisë.
Pasi rregulluan punët në Iliri, romakët përcaktuan
edhe qëndrimin e tyre ndaj aleatëve dhe armiqve
të shtetit ilir. Në gjendjen e re të krijuar
senati deshi tu jepte atyre një provë më
të qartë të pozitës së Republikës.
Menjëherë pas përfundimit të traktatit
të paqes, konsulli që mbeti në Iliri u dërgoi
një delegacion etolëve dhe ahejve për tu
shpjeguar arsyet e ndërhyrjes dhe të luftës
në Iliri dhe për tu bërë të
ditur kushtet e paqes që u kishin imponuar ilirëve.
Përfaqësuesit bënë çmos të
justifikonin këtë iniciativë të Romës,
duke nxjerrë në pah pasojat e lumtura
që rridhnin prej saj për helenët. Kujdesit
dhe mirësjelljes së tyre të shtirë, lidhjet
e mëdha greke qenë detyruar tu përgjigjeshin
duke i pritur këto delegacione plot respekt dhe duke
dhënë kështu, miratimin e tyre për këto
veprime të Republikës. Më vonë delegatët
vizituan edhe dy qytete të mëdha tregtare, Korinthin
dhe Athinën, që përfaqësonin kundërshtarin
më të vendosur të Maqedonisë dhe jo vetëm
gjetën të njëjtën pritje, por si asnjëherë
më parë, u lejuan të merrnin pjesë në
lojërat istmike. Krenaria greke ishte thyer dhe Roma
kishte bërë në këtë drejtim hapin
e parë konkret. Nga ana tjetër, Maqedonia, Epiri
dhe Akarnania, aleate të Mbretërisë Ilire,
nuk u vizituan. Me këtë qëndrim mospërfillës
Roma u dha të kuptojë atyre se në cilën
anë ishin simpatitë e saj.
3. LUFTA E DYTË ILIRO-ROMAKE
Përpjekjet për tu shkëputur nga varësia
romake.
Lufta e dytë
Në vështrimin e parë mund të duket se
punët në Iliri u rregulluan në atë mënyrë
që garantonin respektimin e traktatit të paqes dhe
një sundim të qetë për pushtuesin. Megjithatë,
ngjarjet politike treguan se as ilirët, as fqinjët
e tyre maqedonët, nuk donin të pajtoheshin me gjendjen
e krijuar.
Në vitet që pasuan luftën e parë, Demetër
Fari u bë regjent i Mbretërisë Ilire, në
vend të Teutës, që thuhet se kishte vdekur
apo abdikuar. Nuk dihet nëse ky akt u krye me pëlqimin
e Romës, por është e sigurt se duke shtrirë
pushtetin e tij mbi gjithë Mbretërinë Ilire,
Demetri u forcua mjaft. Nuk duhet përjashtuar që
në këtë rast ai të ketë pasur edhe
përkrahjen e komandantit të njohur të Teutës,
Skerdilaidit, me të cilin bashkëpunoi për një
kohë.
Pas vitit 225 ose pak më vonë vihet re largimi i
Demetrit nga miqësia me Romën, që u pasqyrua
në veprimet e pavarura të tij. Në vitin 223
ai mori pjesë në invadimin e Peloponezit si aleat
i mbretit të Maqedonisë, Antigon Dozonit dhe në
vitin pasues forcat ilire të komanduara prej tij luajtën
një rol vendimtar në betejën e Selanisë.
Këto veprime të Demetrit, megjithëse nuk drejtoheshin
haptazi kundër Romës, shprehnin qartë tendencën
e tij për tu shkëputur nga varësia romake
dhe preknin me këtë pozitën e Republikës
në Iliri.
Është pohuar se Farosiani mundi të veprojë
lirisht për shkak të indiferentizmit
që treguan romakët ndaj ngjarjeve në Lindje,
ose sepse ekzistonte një keqkuptim në përcaktimin
e marrëdhënieve midis ilirëve dhe Republikës,
që buronte nga mënyra e ndryshme e të menduarit
dhe të kuptuarit të këtyre marrëdhënieve
nga palët. Por do të ishte gabim të hidhej
poshtë vlerësimi që i bënte Polibi situatës
dhe të nënvleftësohet ndikimi që patën
ngjarjet në Itali dhe Greqi ndaj qëndrimit të
Demetrit. Nuk ka dyshim se sulmi gal dhe rreziku kartagjenas
lehtësuan veprimet e Dozonit në Greqi dhe përcaktuan
pozitën e Farosianit. Para Romës së kërcënuar
në Perëndim Demetri preferoi aleancën me Maqedoninë.
Roma në fund të fundit nuk i kishte kënaqur
ambicjet e tij pas luftës së parë, kurse ai
tani donte të forconte pozitat e fituara si sundimtar
i shtetit ilir, duke shfrytëzuar vështirësitë
e Republikës.
Senati e kuptoi atë që po ndodhte në Iliri
dhe provoi ta frenonte Demetrin. E thirri në Romë,
sepse ishte bërë kryelartë dhe i rëndë...,
por pas kësaj ai u tregua edhe më i pabindur dhe
u hodh në veprim të hapur kundër Romës.
Në vitin 221 bëri për vete istrianët dhe
së bashku me ta sulmoi anijet italike, kurse më
220 ndërmori veprime edhe më të guximshme;
pushtoi disa nga qytetet e Ilirisë që ishin nën
vartësinë e Romës dhe nxiti një kryengritje
të atintanëve, rezultat i së cilës qe
largimi i tyre prej romakëve. Më në fund, në
përkrahje të veprimeve maqedone në Greqi, ai
ndërmori së bashku me Skerdilaidin një ekspeditë
detare kundër Pylosit (në Meseni) dhe këndej
u hodh me anijet e tij kundër Cykladeve.
Për shumë vite me radhë, Roma nuk qe në
gjendje të merrte masa kundër Demetrit, por sidoqoftë
në vitet e fundit gjendja për të qe bërë
më e favorshme. Ajo ishte lehtësuar nga pesha e
rëndë e luftës me galët, kurse në
Greqi pas vdekjes së Antigon Dozonit ishin riaktivizuar,
jo pa nxitjen e saj, armiqtë e Maqedonisë, me shpresën
se pasardhësi i tij, Filipi V, për moshën e
re nuk do të ishte në gjendje të mbante frenat
e vendit.
Ndërsa Demetri po e forconte aleancën me pasardhësin
e Dozonit, një e çarë u vërtetua edhe
në marrëdhëniet e tij me Skerdilaidin. Ajo
u shfaq pas dështimit të sulmit kundër Pylosit,
por shkaqet duhen kërkuar më thellë. Skerdilaidi
nuk e ndoqi Demetrin në ekspeditën e tij në
Iliri. Rrugës u ndal në Naupakt. Këtu, me ndërmjetësinë
e mbretit të athamanëve, që e kishte të
tijin, ai mori një vendim të papritur: u lidh me
etolët dhe i ndihmoi në veprimet e tyre kundër
aleatëve të Maqedonisë. Shenja të mospajtimit
me politikën e Demetrit ishin shfaqur në Iliri edhe
më parë. Forca ilire të kundërta me të
kishin sulmuar Maqedoninë në kohën kur Demetri
luftonte përkrah Dozonit në Selasi dhe mbreti maqedon
qe detyruar të kthehej me të shpejtë për
të shpëtuar vendin nga ky rrezik. Edhe më vonë
Demetri qe detyruar të merrte masa të rrepta ndaj
kundërshtarëve të tij në qytetet e Ilirisë
e tua jepte pushtetin miqve të besuar. Tani që
Skerdilaidi kishte marrë vendim, Filipi V u detyrua të
ndërhynte vetë për ta neutralizuar dhe në
takimin që pati me të mundi ta bindë që
të largohej nga etolët me premtimin se do
ndihmonte për të rregulluar punët e Ilirisë;
megjithëse Skerdilaidi pranoi të lidhte aleancë
me Filipin, marrëdhëniet me Maqedoninë nuk
gjetën në vitet që pasuan terren të përshtatshëm
për tu zhvilluar e forcuar.
Veprimet e etolëve e kishin detyruar Filipin, nga ana
tjetër, tu shpallte këtyre luftë, por
si përgjigje pati një kryengritje të kleomenistëve,
miq të Etolisë në Spartë. I tërhequr
nga ngjarjet në Greqi, Filipi qe detyruar të lërë
mënjanë çështjet e Ilirisë dhe
Farosiani mbeti i vetmuar përballë Romës.
Gjendja e turbullt në Iliri dhe në Greqi i lejoi
senatit të ndërhyjë me forca të armatosura
për të rivendosur autoritetin e tronditur në
brigjet lindore të Adriatikut. Kjo i duhej Romës
edhe për një arsye tjetër të rëndësishme:
në perëndim kishin filluar të bëheshin
gjithnjë më të qarta shenjat e një konflikti
të afërt me Kartagjenën.
Në pranverën e vitit 219 romakët zbritën
për të dytën herë me ushtritë e tyre
në brigjet e Ilirisë. Këtë radhë
ata e drejtuan goditjen kundër pikave më të
rëndësishme të mbrojtjes së Demetrit në
jug kundër qytetit Dimale, kurse në veri kundër
kryeqendrës së tij, Farit. Megjithëse këto
dy qendra ishin shumë të fortifikuara dhe me gjithë
masat mbrojtëse që kishte marrë Demetri, Dimale
nuk i qëndroi sulmit romak veçse një javë.
Fari ra gjithashtu shumë shpejt si rezultat i një
dredhie taktike të romakëve; konsulli e shkatërroi
krejt qytetin. Demetri mundi të shpëtojë duke
u larguar fshehurazi me një anije të vogël
dhe arriti te Filipi, ku qëndroi deri në fund të
jetës së tij si këshilltar i keq i mbretit
të Maqedonisë.
Polibi tregon se pas kësaj konsulli pushtoi dhe
pjesën tjetër të Ilirisë dhe i rregulloi
punët si deshi vetë. Ky pohim nuk duhet të
jetë i saktë, sepse po ky autor e përmend Skerdilaidin
ende të pavarur në veprimet e tij dhe si aleat të
Filipit në vitin 218. Me sa mund të gjykohet prej
Apianit, vetëm Pineu iu nënshtrua romakëve
dhe nënshkroi me ta marrëveshje e traktate të
dyta, kurse Skerdilaidin ata nuk e prekën dhe me sa duket
e kursyen, megjithëse edhe ai kishte shkelur traktatin
e vitit 228. Kjo mund të mendohet edhe për atintanët
kryengritës apo për ndonjë nga popullsitë
dhe qytetet e tjera. Konsujt duhet të kënaqeshin
këtë radhë me dëbimin e Demetrit dhe të
ktheheshin me të shpejtë në atdhe, sepse Hanibali
e kishte sfiduar keq Republikën me veprimet e tij në
Spanjë. E konsideruan se me këtë aksion kishin
treguar në mënyrë të mjaftueshme forcën
e Romës, pa e zgjeruar luftën në Iliri dhe
pa hyrë në konflikt të hapur me Maqedoninë;
morën me vete skllevër dhe plaçkë të
shumtë dhe u kthyen në Romë ku festuan fitoren
mbi Farin me një triumf të bujshëm, megjithëse
lufta që kishin bërë nuk e meritonte këtë.
Lufta për ribashkimin e shtetit ilir
Lufta e dytë e la shtetin ilir të përçarë
dhe në një kaos të brendshëm politik.
Ndërsa Pineu u mbeti besnik romakëve,
Skerdilaidi vepron ende më 218 si aleat i Maqedonisë,
duke përkrahur Filipin në ndërmarrjet e tij
detare të atij viti. Por i penguar nga komplotet dhe
trazirat që i kishin shkaktuar dinastët e qyteteve
të Ilirisë, nuk mundi të dërgonte më
shumë se 15 anije, baras me gjysmën e atyre që
kishte premtuar. Nga ana tjetër, kontingjente ilire,
nën komandën e Demetrit vepronin krahas forcave
maqedone në Greqi dhe luanin një rol të parëndësishëm
në operacionet e mbretit maqedon kundër etolëve
dhe aleatëve të tyre.
Gjendja në Iliri ishte shumë e rëndë edhe
për shkak të luftës së brendshme, e cila
po ziente në qytete prej disa vitesh. Polibi e paraqet
këtë si një luftë që zhvillohej në
sferat e larta sunduese, midis dinastëve të qyteteve
dhe sundimtarëve të lartë të shtetit ilir.
Megjithatë nuk ka dyshim se ajo ishte shumë më
e ndërlikuar. Në situatën e rëndë
që jetonte Iliria, ajo shprehte si kontradiktat në
gjirin e shtresës sunduese, ashtu edhe ato midis saj
dhe shtresave të tjera të ulëta qytetare. Orientimet
promaqedone dhe proromake, si edhe rrymat decentralizuese
dhe centralizuese ishin shprehja e jashtme e saj.
Ndërkaq, ndërsa në Greqi vazhdonte me furi
lufta midis Maqedonisë dhe Lidhjes Etole, në të
cilën qenë tërhequr edhe ilirët përkrah
aleatëve të njërës apo tjetrës palë,
në perëndim shpërtheu lufta vendimtare midis
Romës dhe Kartagjenës, e njohur si Lufta e Dytë
Punike. Kontradiktat midis fuqive të mëdha mesdhetare
dhe rezultatet e kësaj lufte patën një ndikim
të thellë në orientimet politike të fuqive
ndërluftuese në Greqi dhe rënduan edhe më
shumë gjendjen e Ilirisë. Kështu me gjithë
dështimet që kishte pësuar në vitin 217,
Roma nuk ngurroi të dërgonte përfaqësues
në Iliri për të bërë presion politik
me qëllim që të ruante pozitat e saj në
brigjet e Adriatikut dhe të mënjanonte një
qëndrim eventualisht të kundërt nga ana e Pineut.
Ajo nuk la mënjanë edhe Maqedoninë, të
cilën e konsideronte si armike potenciale të saj.
Të dërguarit e senatit i vunë në dukje
Pineut se ishte vonuar në shlyerjen e tributit dhe se
po të donte ta shtynte duhej të jepte pengje, kurse
Filipit i kërkuan dorëzimin e Demetrit pa përfilluar
kështu pozitën e tij të pavarur.
Por rezultatet e luftës me Hanibalin ishin të tilla
që nuk mund të mos errësonin këto hapa
të senatit. Në Maqedoni ato u pritën me entuziazëm
dhe ngjallën një shpresë për largimin
e rrezikut romak, i cili qëndronte pezull mbi këtë
vend qysh nga lufta e parë iliro-romake. Lajmi i fitores
së Hanibalit, pranë liqenit të Trazimenit e
bëri më të vendosur Filipin. I nxitur edhe
nga Demetri, ai mori aty për aty vendimin të çlirohej
nga lufta në Greqi për tu drejtuar kundër
Romës.
Kur Filipi nuk kishte përfunduar ende paqen me etolët
në Naupakt (verë e vitit 217), ishte hedhur në
luftë kundër tij Skerdilaidi. Polibi tregon se një
flotë e tij kishte dalë papritmas në Leukas,
sulmoi dhe rrëmbeu disa anije të Filipit dhe pastaj
vazhdoi lundrimin drejt Maleas, duke zënë e plaçkitur
rrugës tregtarët. Në të njëjtën
kohë, Skerdilaidi kishte sulmuar Filipin nga toka, kishte
pushtuar Piseun, një qytet i vogël në Pelagoni,
dhe, pasi kishte bërë për vete qytetet e Dasaretisë,
midis të cilave edhe qytetin e rëndësishëm
Antipatrean, kishte kryer sulme edhe kundër një
pjese të Maqedonisë në kufi me këto qytete.
Shkakun pse sundimtari ilir, ish-aleat i Maqedonisë,
u gjend papritur në luftë me Filipin dhe u prish
me të, Polibi e shpjegon në mënyrë të
thjeshtëzuar. Ai thotë se Skerdilaidi ishte zemëruar
me mbretin maqedon, sepse nuk i kishte dhënë
të hollat që i detyrohej sipas marrëveshjes.
Një shpjegim i tillë nuk mund të jetë
bindës edhe në qoftë se ky fakt është
i vërtetë; shkaqe më të thella duhej të
kenë tronditur marrëdhëniet e tij me Maqedoninë.
Ajo që preokuptonte Skerdilaidin vitet e fundit ishte
kapërcimi i vështirësive të brendshme
që vinin nga trazirat e dinastëve të qyteteve.
Në verën e vitit 217 ai i kishte eleminuar ato me
sukses dhe mbase përmes tyre kishte arritur ti
jepte fund përçarjes politike që ekzistonte
midis tij, Demetrit dhe Pineut. Nuk ka dyshim se pas kësaj
ai u bë sundimtar i vetëm i shtetit ilir dhe është
fakt që për Pineun nuk bëhet fjalë më
në burimet. Roma duhet të mos i jetë kundërvënë
Skerdilaidit, në veprën e tij të ribashkimit,
kurse për Maqedoninë kjo nuk mund të thuhet.
Përveç premtimeve, Filipi, që përkrahte
Demetrin, nuk i kishte dhënë atij asnjë ndihmë
konkrete. Shtrirja e pushtetit të Skerdilaidit mbi qytetet
e Dasaretisë, që u bashkuan me të vullnetarisht,
nuk duhet të jetë mirëpritur në oborrin
mbretëror në Pela dhe ka shumë të ngjarë
që këtu të ketë zanafillën e vet
edhe konflikti i armatosur midis sundimtarit ilir dhe Filipit.
4. LUFTA MAQEDONO-ROMAKE DHE NGJARJET NË ILIRI
Agresioni i Filipit V kundër Ilirisë
Koha të cilën Skerdilaidi e kishte zgjedhur për
ti rikthyer shtetit ilir Dasaretinë nuk ishte aspak
e përshtatshme. Filipi sapo ishte çliruar nga
lufta në Greqi dhe nuk kishte asnjë vështirësi
për tu drejtuar kundër tij. Aq më tepër
që kjo ndërmarrje përputhej edhe me planin
e tij të madh për të dalë në brigjet
e Adriatikut prej nga ëndërronte të hidhej
në Itali. Me një fushatë të shpejtë
ai pushtoi qytetet rreth liqenit Lyhnid dhe ato të Dasaretisë,
deri në Antipatrea.
I vendosur në ndërmarrjen e tij, Filipi e zgjeroi
vitin tjetër ndërhyrjen në Iliri, duke iu drejtuar
asaj këtë radhë nga deti. Pasi ndërtoi
në skelat e Maqedonisë 100 anije, në verë
të vitit 216 doli në ishujt e Jonit. Kur u sigurua
se flota romake ishte larg, lundroi për në brigjet
e Ilirisë. Në planin e tij ishte pushtimi i Apolonisë,
të cilën e mendonte si bazën më të
përshtatshme për aksionin e tij të ardhshëm.
Por, kur iu afrua grykës së Aosit, mori papritur,
lajmin se anijet romake ishin drejtuar për në Apoloni.
Pa sqaruar ende fuqinë e kundërshtarit, flota maqedone
u tërhoq në panik. Skerdilaidi që e kishte
ndjerë rrezikun e një sulmi nga deti ua kishte bërë
të ditur këtë gjë romakëve dhe kishte
kërkuar ndihmën e tyre. Në përgjigje të
kësaj kërkese romakët shkëputën nga
flota e tyre e Sicilisë 10 anije pesërremëshe
dhe i dërguan në Apoloni. Ishte kjo skuadër
e vogël që shkaktoi panik te maqedonët dhe
dështimin e tyre.
Pasojat e kësaj ngjarjeje qenë edhe më serioze.
I kërcënuar nga Maqedonia, sundimtari ilir qe detyruar
të kthehej me fytyrë nga Roma, pasi kishte luftuar
kaq vjet për të shpëtuar prej saj. Me agresionin
kundër Ilirisë, Filipi kishte bërë një
hap fatal për vetë fatin e Maqedonisë dhe të
Ballkanit në tërësi: kishte bërë
që interesat e sundimtarit ilir të përputheshin
detyrimisht me ato të Republikës. Që nga kjo
kohë Skerdilaidi do të vepronte si aleat i Romës,
duke i dhënë politikës së shtetit të
tij një kurs të ri që do të ndiqej për
rreth katër dekada me radhë.
Drejtimi që kishin marrë punët qysh prej vitit
217 u përcaktua edhe më qartë pas fitores së
Hanibalit në Kanë. Në vitin 215 Filipi dhe
Hanibali përfunduan një traktat aleance sipas të
cilit zotoheshin të ndihmonin njëri-tjetrin në
luftën kundër Romës. Në traktat nuk përfilleshin
aspak interesat e shtetit ilir. Klauzola sipas së cilës
romakët nuk duhet të mbeteshin zotër
të Korkyrës, as të Apolonisë e Epidamnit,
as të Farit, as të parthinëve dhe Dimales,
as të Amantisë, i njihte praktikisht Maqedonisë
të drejtën e sundimit në Iliri. Po të
pranojmë se përfundimi i një aleance midis
Kartagjenës dhe Maqedonisë ishte objekt bisedimesh
qysh prej kohës së Dozonit dhe se qe vonuar për
shkak të pavendosmërisë së Filipit, atëherë
në dritën e klauzolës së sipërme
ka arsye të mendohet se lakmitë e Maqedonisë
kanë qenë prej kohësh një shqetësim
për Ilirinë dhe mbase kanë pasur edhe ato ndikimin
e tyre në marrëdhëniet midis Skerdilaidit e
Filipit.
Duke përcaktuar sferat e interesave marrëveshja
përcaktonte edhe zonat e veprimeve ushtarake. Në
frymën e marrëveshjes të dyja palët ndërmorën
në vitin 214 veprime të përbashkëta në
Itali dhe Iliri. Ndërsa Hanibali sulmoi Tarentin, Filipi
u drejtua sërishmi kundër qyteteve bregdetare të
Ilirisë. Me një flotë prej 120 lembesh u fut
në Aos dhe provoi të merrte Apoloninë, por
shpejt u bind se kjo nuk ishte një punë e lehtë.
Atëherë papritmas u drejtua kundër Orikut,
të cilin e pushtoi me sulmin e parë, sepse nuk ishte
aq i mbrojtur. Ndërkaq mbante të ngujuar Apoloninë
dhe shpresonte ta merrte me qetësi, duke menduar se romakët
nuk do të ishin në gjendje ta shqetësonin në
operacionet e tij. Por ndodhi e kundërta. Reagimi i romakëve
qe i menjëhershëm: një flotë prej 50 anijesh
pesërremëshe u nis nga Brindisi dhe pushtoi Orikun
që Filipi e kishte lënë në duart e një
garnizoni të vogël. Pastaj pa u vonuar forcat romake
u gjendën në Apoloni, ku hynë natën pa
u diktuar. Këndej së bashku me forcat e qytetit,
sulmuan në befasi kampin e Filipit, të cilin e gjetën
krejt të pambrojtur. Afër 3 000 maqedonë mbetën
në fushën e betejës ose u zunë robër.
Mbreti provoi të ikte nga deti, por si e gjeti grykën
e lumit të mbyllur nga flota romake, dogji anijet e veta
dhe u tërhoq nga toka për në Maqedoni me mbeturinat
e ushtrisë.
Dështimi para mureve të Apolonisë i tregoi
Filipit se plani për daljen në brigjet e Adriatikut
dhe kalimi në Itali nuk ishte një punë e lehtë.
Në të dy vitet që pasuan ai e ndryshoi drejtimin
e sulmit të tij: nënshtroi atintanët, parthinët
bashkë me qytetin e tyre Dimalin dhe u fut në tokat
e ardianëve, duke u shtyrë në veri deri në
Lis. Mendimi se atij iu nënshtrua edhe Skodra, madje
se u shtri deri përtej lumit Narona, nuk qëndrojnë
dhe kanë gjetur pak përkrahje. Veprimet e dy viteve
të fundit dëshmojnë për një strategji
të re politike-ushtarake të Filipit, që synonte
të zgjeronte pushtimet në Iliri. Marrja e Lisit,
megjithëse i siguroi një dalje në det, nuk
mund të lidhet me planin e vjetër të kalimit
në Itali. Qyteti ishte shumë larg brigjeve të
përtejme të Adriatikut dhe sa kohë që
Dyrrahu dhe Apolonia ishin në duart e romakëve,
çdo kalim përmes detit ishte i paracaktuar të
dështonte. Duket më e besueshme që Filipi të
jetë interesuar në këto çaste në
radhë të parë për vendosjen e një
sundimi të shëndoshë në Iliri me perspektivën
e dëbimit të plotë të romakëve prej
këndej, kurse plani i kalimit në Itali të ketë
ardhur duke u zbehur. Pushtimet e tij ishin padyshim një
rezultat me rëndësi: ato ngushtuan shumë zotërimet
romake në Iliri dhe duke hyrë si pykë midis
tyre dhe shtetit ilir, e ndanë këtë të
fundit prej romakëve.
Koalicioni antimaqedon
Në qoftë se më 213 dhe 212 Filipi i kishte
duart e lira në Iliri, më vonë punët ndryshuan.
Me marrjen e Syrakuzës dhe të Kapuas (212-211),
romakët filluan të shijojnë frytet e para të
epërsisë së armëve të tyre mbi Hanibalin.
Pas kësaj ata riaktivizuan politikën e tyre në
lindje: më 211 përfunduan një aleancë
me etolët, në të cilën tërhoqën
më vonë edhe disa shtete të tjera greke, Atalin
e Pergamit si dhe shtetin ilir, të përfaqësuar
nga Skerdilaidi dhe i biri i tij Pleurati. Duke shfrytëzuar
me kujdes armiqësitë e popujve të ndryshëm
ndaj politikës pushtuese të Filipit, romakët
arritën kështu të krijojnë në Ballkan
një koalicion të fuqishëm antimaqedon, që
ua lehtësoi shumë peshën e luftës përtej
Adriatikut.
Filipi u njoftua për aleancën në Pela ku ishte
duke dimëruar. Duke ditur se gjendja e krijuar në
Greqi do ta tërhiqte plotësisht andej, ai vendosi
të siguronte më parë shpinën e mbretërisë
nga rreziku ilir; ndërmori papritur një ekspeditë
kundër tokave të Orikut dhe Apolonisë dhe shkretoi
viset fqinje të Ilirisë me Maqedoninë, me qëllim
që të linte pas frikë dhe terror. Në pranverë
iu kthye Greqisë, por aleatët ia kishin marrë
iniciativën dhe duke e goditur në shumë anë
e detyruan të vihet në pozita mbrojtëse.
Në 209 Filipi i mbante ende tokat e pushtuara në
Iliri, sepse në bisedimet për paqe, që u zhvilluan
midis tij dhe etolëve në Falaia dhe pastaj në
Aigon, mbretit iu kërkua tu kthejë romakëve
Atintaninë dhe Skerdilaidit ardiejtë, pra pushtimet
e tij më veriore. Bisedimet dështuan dhe problemi
në këtë rrugë nuk gjeti zgjidhje. Por,
po këtë vit, Skerdilaidin e gjejmë në
Etoli duke luftuar kundër maqedonëve dhe një
vit më vonë, më 208, midis panikut që
kishte kapur aleatët e Maqedonisë në Greqi,
Filipit i erdhi lajmi shqetësues nga mbretëria:
Skerdilaidi dhe Pleurati ishin vënë në
marshim. Hollësitë rreth këtij sulmi
ilir dhe rezultatet e tij nuk dihen, por fakti që ky
marshim kishte ngjallur shqetësime në Maqedoni tregon
se sundimtarët ilirë kishin zbritur thellë
në jug dhe si pasojë i kishin dëbuar forcat
maqedone të paktën nga pushtimet e tyre veriore,
Lisi dhe tokat e ardiejve.
Ndryshe nga këto përfundime, vitet 207 dhe 206 shënojnë
një rënie të luftës kundër mbretit
maqedon. Romakët që deri atëherë kishin
luftuar kundër Filipit me forca të pakta, u tërhoqën
nga fusha e betejës, duke menduar se ia kishin arritur
qëllimit të tyre për të larguar Filipin
nga ndërhyrja në perëndim. Shembullin e tyre
e ndoqi dhe Atali, i thirrur në atdhe për nevoja
të mbretërisë. Pesha e luftës mbeti kështu
mbi aleatët ballkanikë. Duke shfrytëzuar këtë
gjendje, Filipi përqendroi goditjen mbi etolët dhe
më 206 i detyroi ata të bëjnë paqe të
veçantë.
Në këto rrethana romakët u detyruan të
dërgojnë me të shpejtë forca në Iliri.
Në pranverë të vitit 205 zbritën në
Dyrrah me 10 000 këmbësorë dhe 1 000 kalorës
me 35 anije. Sapo mësuan ardhjen e romakëve, parthinët
dhe popuj të tjerë fqinjë u ngritën kundër
maqedonëve. Duke pushtuar pa vështirësi tokat
e tyre, romakët arritën në Dimale, të
cilin e rrethuan. Ndërkohë ata dërguan një
pjesë të forcave të tyre me 15 anije në
Etoli me shpresë se mund të prishnin paqen.
Këtu në Apoloni të dyja palët, nën
ndikimin e disa rrethanave, shprehën dëshirën
për të mos e vazhduar më tej luftën. Gjendja
në Itali kishte ndryshuar; Hanibali kishte pësuar
humbje të rënda në Itali dhe aleanca me të
kishte humbur çdo kuptim për Filipin. Edhe romakët
e ndienin veten të lodhur nga lufta e gjatë me Kartagjenën.
Të dyja palët ishin të prirura për një
paqe ose të paktën për një armëpushim
të gjatë. Epirotët u vunë në rolin
e ndërmjetësit dhe Foinike, kryeqyteti i tyre, u
bë qendër e bisedimeve. Paqja u vendos dhe sipas
kushteve të marrëveshjes, romakëve u njihej
e drejta mbi parthinët e Dimalen dhe dy qytete të
vogla pranë tij, kurse Filipi mbante Atintaninë
dhe, kuptohet, Dasaretinë. Midis aleatëve të
Romës është përfshirë edhe sundimtari
i shtetit ilir, Pleurati, i cili tani përmendet pa të
atin, Skerdilaidin. Në marrëveshje nuk thuhet shprehimisht
cilat qenë të drejtat që i njiheshin atij.
Paqja, pa dyshim, i jepte fund gjendjes së luftës
midis mbretit ilir dhe Maqedonisë ndërsa çështje
territoriale, të pazgjidhura midis tyre, me sa duket,
nuk kishte. Fakti që në bisedimet e Foinikes nuk
bëhet fjalë më për Lisin dhe ardianët
tregon se çështja kishte gjetur zgjidhje që
më parë, mbase që në vitet 209 ose 208.
Lufta e dytë maqedono-romake. Dështimi i Filipit
V
Paqja e Foinikes, ashtu sikurse u përfundua, i la hapur
kontradiktat midis Romës dhe Maqedonisë. Pozita
që ruajti Maqedonia në Iliri nuk ishte aspak e favorshme
për Republikën, por ajo e bënte këtë
hap vetëm e vetëm që të çlirohej
dhe të përqendronte forcat për betejat e ardhme
vendimtare me Hanibalin. Filipi nga ana e tij e kishte kuptuar
se për të nuk kishte rrugë tjetër, veçse
të forconte pozitat në Ballkan dhe në Lindje,
ku ai parashikonte ndeshjen e ardhme me Romën.
Këtë drejtim morën, në fakt, edhe ngjarjet
në vitet që pasuan. Ndërsa Roma ishte duke
përfunduar luftën me Hanibalin, Filipi ndërmori
një varg veprimesh diplomatike dhe ushtarake në
Lindje: përfundoi një aleancë me Atalin III
të Sirisë, zgjeroi pushtimet në Egje, duke
u shtrirë deri në Helespont, shtoi presionin mbi
Greqinë dhe u mori disa toka etolëve, goditi në
veri dardanët dhe në kundërshtim me traktatin
e Foinikes bëri pushtime të vogla në Iliri
që i lejuan tu shkëpuste romakëve parthinët.
Ndërkaq në vitin 201 romakët e thyen përfundimisht
Hanibalin dhe e detyruan Kartagjenën të përfundonte
paqen. Fitimtarët, që edhe më parë nuk
e kishin duruar Filipin, nuk mund të lejonin tani që
tu cenoheshin interesat e tyre në Iliri dhe në
përgjithësi nuk mund ta shihnin me sy të mirë
forcimin e pozitave të tij në Lindje.
Goditjen vendosën tia japin nga Iliria. Në
vjeshtë të vitit 200 dy legjione zbritën në
Apoloni dhe ngritën lëmin në afërsi të
lumit Aps. Këtej filloi sulmi kundër pozitave të
Filipit në Dasareti. U dërgua menjëherë
një ekspeditë kundër Antipatreas, sepse ky
qytet i rëndësishëm ishte pika më e përparuar
e Filipit në Iliri dhe zinte një pozitë kyçe
në rrugën që kalonte përmes luginës
së Devollit për në Maqedoni. Me një sulm
të shpejtë forcat romake zunë tri kështjella
në rrethet e qytetit (Karagun, Geruntin dhe Orgesin)
dhe sakaq u gjendën para mureve të tij. Komandanti
romak u mundua të hyjë në Antipatrea me anën
e marrëveshjes, por paria, duke pasur besim te madhësia
e qytetit, te muret dhe pozita e tij e mbrojtur kundërshtoi
të dorëzohet. Atëherë romakëve iu
desh ta merrnin me sulm, gjë që u kushtoi shumë
shtrenjtë. Për këtë arësye komandanti
romak u soll në mënyrë barbare. Ai urdhëroi
masakrimin e popullsisë prej 16 vjeç e lart dhe
pasi plaçkiti qytetin, e dogji dhe i shkatërroi
muret mbrojtëse të tij. Pas kësaj romakët
pushtuan edhe dy qytete më të vogla në thellësi:
Kodrionin dhe Knidin dhe pasi lanë një garnizon
në Kodrion u kthyen në lëmin e tyre në
Aps. Kjo ekspeditë e përmirësoi shumë
pozitën e romakëve; ata kishin asgjësuar një
bastion të Filipit siç ishte Antipatrea, kurse
me vendosjen e garnizonit në Kodrion kishin shtyrë
në thellësi pikën e kontaktit me armikun dhe
kishin hapur rrugën për operacionet e ardhshme.
Gjatë dimrit konsulli romak u kujdes të siguronte
aleatë. Thirri në lëmin e tij në Aps mbretërit
e vendeve fqinje me Maqeoninë, midis të cilëve
Pleuratin e Ilirisë, Baton e Dardanisë dhe Aleksandrin
e Athamanisë dhe u mori atyre premtimet për ndihmë
në luftën kundër Filipit. Por përpjekjet
për të tërhequr etolët përsëri
në luftë dështuan, kurse Epiri i mbeti besnik
Filipit.
Mbreti i Maqedonisë po përgatitej në mënyrë
të ethshme për fushatën e stinës së
ardhshme të vitit 199. I siguruar nga qëndrimi i
Epirit dhe i Lidhjes etole në jug ai i përqendroi
forcat në veri. Me qëllim që të mënjanonte
rrezikun e një depërtimi dardan në Maqedoni,
dërgoi forca për të mbyllur grykën e Pelagonisë.
Me forcat kryesore u vendos diku në afërsi të
malit Lynkus duke pritur një sulm të konsullit dhe
të Pleuratit, që mendonte se do ti vinte përmes
luginës së Genusit në drejtim të Lyhnidit.
Por u gabua. Konsulli nuk e ndryshoi drejtimin e tij. Duke
rimarrë operacionin u shty më tej në Dasareti
dhe nëpër luginën e Apsosit (Devollit) doli
në fushën e Korçës. Këtu u furnizua
me drithë nga hambarët e pasur të Dasaretisë
dhe prej këndej mbërriti në Oresti dhe Elimioti.
Kur mësoi për drejtimin që kishte marrë
konsulli, Filipi shpërnguli forcat nga Pelagonia dhe
Lynku në drejtim të jugut. Por me këtë
i hapi rrugën Pleuratit i cili, me sa duket, pasi çliroi
parthinët, ndoqi luginën e Genusit dhe arriti në
Lyhnid. Edhe dardanët vërshuan nga veriu në
Maqedoni. Në këtë kohë romakët u
kthyen përsëri në Dasareti dhe pushtuan qytetin
Peilon. Meqenëse qyteti kishte një pozitë të
përshtatshme për të sulmuar Maqedoninë,
konsulli la këtu një garnizon dhe si mori me vete
plaçkën dhe skllevërit, e solli ushtrinë
përsëri në krahinën e qetë të
Apolonisë, aty prej nga ishte nisur.
Filipit, përkundrazi, iu desh të bëjë
përpjekje të mëdha për të përballuar
pas kësaj, në veri ilirët e Pleuratit dhe dardanët
që kishin hyrë në Maqedoni, kurse në jug
athamanët dhe etolët, të cilët pas sukseseve
të romakëve kishin vendosur të hynin përsëri
në luftë kundër mbretit të Maqedonisë.
Kështu në dy fushata gjatë viteve 200 dhe 199
Filipi u dëbua nga tokat e parthinëve dhe Dasaretia,
ndërsa kundër tij u ngritën përsëri
etolët dhe popullsi të tjera të vogla fqinjë.
Në vitin e tretë të luftës (198) veprimet
ushtarake u shpërngulën në jug, në luginën
e lumit Aos. Operacionet e dy viteve të para u kishin
treguar romakëve se rruga për në Maqedoni,
përmes Dasaretisë ishte e lidhur me vështirësi
serioze përsa i përket furnizimit dhe rezervat e
kësaj krahine nuk i përballonin dot nevojat e ushtrisë
romake. Duhej kërkuar një rrugë tjetër
më e sigurt. E tillë paraqitej lugina e Aosit që
të çonte në Maqedoni përmes Thesalisë.
Kjo krahinë ishte një hambar i sigurt për një
ushtri që do të shkëputej kaq shumë nga
bazat e saj. Përveç kësaj, me hyrjen e etolëve
në luftë gjendja në jug ishte bërë
më e favorshme për romakët, prandaj depërtimi
në zemër të Greqisë përmes luginës
së Aosit u siguronte romakëve bashkimin me aleatët
e tyre.
Filipi që e kishte ndjerë këtë rrezik
dërgoi në pranverë të vitit 198 një
pjesë të forcave që të zinin grykën
e Antigonesë, duke menduar se romakët mund të
merrnin rrugën përmes luginës së Drinos
dhe fushës së Malësisë për të
dalë në Thesali. Mbas disa ditësh arriti edhe
vetë me forcat kryesore dhe, si e pa gjendjen, vendosi
tia kushtojë vëmendjen kryesore mbrojtjes
së ngushticës së Aosit, e cila megjithëse
nëpër një rrugë më të vështirë,
por më të shkurtër, të çonte gjithashtu
në Thesali. Pa lëshuar grykën e Antigonesë
ai vendosi forcat në të dyja anët e lumit Aos.
Mbrojtjen e krahut të majtë, nga ana e malit Asnau
(mali i Golikut), dhe grykën e Antigonesë ia besoi
komandantit të tij, Atenagorës, kurse krahun e djathtë,
d.m.th. atë nga ana e malit Merop (mali i Shëndëlliut)
dhe rrugën që kalonte nga kjo anë buzë
lumit, e mbajti vetë.
Romakët që kishin ngritur lëmin e tyre përballë
të dyja grykave qëndruan për një kohë
të gjatë të pavendosur për të sulmuar,
sepse pozitat e mbretit maqedon ishin shumë të forta.
Gjatë kësaj kohe nuk munguan edhe përpjekjet
për të arritur në një marrëveshje,
por Filipi shpresonte në rezultate më të mira
dhe nuk i pranoi kushtet e konsullit.
Ndërkaq romakët mundën të siguronin një
dalje në shpinë të Filipit me ndihmën
e njërit prej parisë epirotase. I zënë
në befasi nga mbrapa dhe i goditur me forcë në
ballë, Filipi u detyrua të lërë pozicionet
e tij të fuqishme dhe të tërhiqej me humbje
të mëdha. Duke ndjekur armikun, romakët u bënë
shumë shpejt zotër të një pjese të
mirë të Greqisë Qendrore.
Pas kësaj Lidhja Epirote, deri tani aleate e Filipit,
por që nuk kishte hyrë në konflikt të
armatosur, u afrua me romakët. Së shpejti edhe Lidhja
Epirote-Ahease u shkëput nga aleanca me Maqedoninë.
Në vitin 197 ushtria romake dhe ajo e aleatëve ishin
përqendruar në Thesali. Në betejën që
u zhvillua në afërsi të Kinoskefales, Filipi
mori goditjen vendimtare dhe u detyrua të kërkonte
paqe. Kushtet e paqes qenë shumë të rënda.
Filipi detyrohej të hiqte dorë nga gjithë Greqia
dhe nga zotërimet e tij aziatike, tu kthente romakëve
tokat e pushtuara në Iliri që ishin njohur nga paqja
e Foinikes dhe të prishte flotën, duke e zbritur
atë në pesë anije. Për të kënaqur
kërkesat e aleatëve të tyre, romakët bënë
shumë ndryshime territoriale dhe u njohën autonominë
disa krahinave të vogla, të cilat ishin ngritur
kundër Filipit, gjë që e thelloi edhe më
tepër përçarjen politike në Greqi. Me
pushtimin e Dasaretisë dhe të Atintanisë, romakët
i zgjeruan zotërimet e tyre në Iliri dhe e shtynë
kontaktin me Maqedoninë në thellësi. Pleuratit
i njohën të drejtën mbi parthinët dhe
Lyhnidin dhe me këtë i zgjeruan kufijtë e shtetit
ilir nga jugu deri në Genus, kurse në lindje përfshinë
penestët deri te liqenet Lynkeste, duke vënë
kështu edhe shtetin ilir në kontakt direkt me Maqedoninë
në kufijtë e vjetër lindorë.
Por duke e detyruar Filipin të kthehej në kufijtë
e vjetër e të ngushtë të Maqedonisë
dhe duke u asgjësuar si fuqi detare, romakët nuk
kishin ndërmend të asgjësonin tani për
tani shtetin maqedon dhe as të shfarosnin vetë Filipin.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të aleatëve
grekë lidhur me këtë çështje, konsulli
u tha se ishte e qartë se liria e Greqisë
kërcënohej nga forca e mbretërve maqedonë,
por po të shkatërrohej kjo mbretëri ... trakët,
ilirët, grekët ... do të dyndeshin në
Greqi.
Pasojat e luftërave romako-maqedone për Ilirinë
Luftërat që u zhvilluan në truallin ilir gjatë
çerekut të fundit të shek. III p.e.sonë
patën pasoja të rënda për Ilirinë.
Mbretëria e cunguar dhe e dobësuar ilire, pasi kishte
dështuar në përpjekjet e saj për të
dalë nga gjendja e krijuar prej dy luftërave të
mëparshme, u gjend këtë radhë në
një aleancë të detyruar me Romën. Si e
tillë asaj i takoi të mbante një pjesë
të peshës së luftës në dobi të
Republikës. Krahinat në jug, që ishin shkëputur
nga mbretëria prej kohësh, u kthyen në rezerva
strategjike të Romës; qytetet e parthinëve
dhe të atintanëve qenë detyruar të kontribuojnë
në këto luftëra pushtuese të Romës
me trupa ndihmëse dhe të strehojnë e të
furnizojnë ushtritë pushtuese. Duke u kthyer në
fushë lufte, këto krahina kaluan herë në
duar të romakëve, herë të maqedonëve
dhe më se një herë u grabitën dhe u shkretuan.
Gjatë luftës së dytë maqedone u dëmtua
në mënyrë të veçantë Dasaretia.
Qytetet e saj u plaçkitën e u rrënuan; Antipatrean
e shkatërruan nga themelet dhe popullsia e saj u masakrua;
Pelioni u plaçkit dhe i morën skllevër banorët
e qytetit që përbënin forcën prodhuese
kryesore; fshatarësia dasarete u detyrua të braktiste
vatrat e saj dhe të merrte malet në kohën kur
ushtritë pushtuese romake grabisnin hambaret e saj.
Luftërat e vazhdueshme ndikuan rëndë edhe mbi
gjendjen ekonomike të Dyrrahut dhe të Apolonisë.
Si aleatë të Romës këto qytete qenë
detyruar të përballonin një varg detyrimesh
ushtarake dhe ekonomike. Dyrrahu, i cili mbeti pak i mënjanuar
nga teatri kryesor i veprimeve luftarake, duket se i përballoi
më me lehtësi këto detyrime. Ruajtja e standardeve
dhe e simboleve tradicionale në prerjet e tij monetare
dëshmon për një farë stabiliteti në
jetën ekonomike e politike të qytetit. Por Apolonia,
e cila shërbeu si kryeura e zbarkimit të trupave
romake në Iliri dhe si pika më e synuar e maqedonëve
në kundërveprimet e tyre ndaj Romës, e ndjeu
më shumë peshën e luftës. Barra e rëndë
e detyrimeve që rridhnin nga aleanca me Romën dhe
shkretimi i tokave nga sulmet e Filipit V e rënduan shumë
gjendjen ekonomike të këtij qyteti. Për ta
përballuar këtë gjendje apoloniatët u
detyruan të intensifikojnë prerjen e monedhave prej
bronzi dhe të hidhnin në treg variante të reja
monedhash që ndryshojnë herë pas here simbolet
e tyre. Me detyrime të rënda ngarkuan romakët
edhe qytetet e afërta me Apoloninë: Bylisin, Orikun
dhe Amantien. Është për tu shënuar
se në këtë kohë monedhat e këtyre
qyteteve huazojnë simbolet e prerjeve apoloniate, gjë
që u imponohet me dashje ose pa dashje, nga nevoja për
të përballuar së bashku peshën e luftës.
Kështu, paqja e vitit 196 e gjeti Ilirinë të
raskapitur nga luftërat e gjata dhe të dobësuar
ekonomikisht e politikisht.
5. LUFTA E TRETË ILIRO- ROMAKE.
RËNIA E SHTETIT ILIR
Gjendja politike në Ballkan e në Iliri pas vitit
196.
Ardhja në fuqi e Gentit dhe gjallërimi i forcave
antiromake në Iliri
Pasi fitoi luftën e dytë me Maqedoninë, Roma
u kujdes të forconte pozitat e saj në Greqi dhe
të zinte këtu vendin e Maqedonisë. Për
këtë qëllim ajo shfrytëzoi me mjeshtëri
kontradiktat që ekzistonin midis shteteve greke; duke
përkrahur Lidhjen e Ahesë asgjësoi lëvizjen
e Nabisit në Spartë, më pas u dha fund pretendimeve
të Lidhjes Etole për hegjemoni në Greqi dhe
njëherësh me këtë u preu rrugën synimeve
të Antiohut të Sirisë mbi këtë vend.
Në këto ngjarje Mbretëria e dobët Ilire,
e varur dhe e lidhur me detyrime ndaj Romës, veproi si
aleate e saj. Pleurati qe detyruar të dërgonte flotën
e tij kundër brigjeve të Greqisë dhe të
ndihmonte me këtë për fitoren romake mbi etolët
në vitin 189.
Edhe Filipi V mori anën e romakëve. Ai i ndihmoi
ata kundër Nabisit dhe pastaj edhe në luftën
kundër etolëve dhe Antiohut. Duke u përzier
në këtë luftë Filipi shpresonte të
përmirësonte pozitat e tij dhe u mundua ti
kthejë Maqedonisë një pjesë të tokave
të humbura, por romakët e detyruan të tërhiqej
në kufijtë e vitit 196, duke i dhënë të
kuptonte se nuk kishin ndërmend të ndanin me të
pozitat e tyre në Greqi.
Interesat e Maqedonisë u ndeshën përsëri
me politikën agresive të Romës. Filloi një
periudhë e re marrëdhëniesh të acaruara,
që çuan dalëngadalë në konfliktin
e fundit të armatosur midis tyre. Përgatitjet për
luftë gëlltitën për shumë vite me
radhë burimet më të rëndësishme ekonomike
dhe ngritën në këmbë forca ushtarake që
nuk kishte njohur më parë historia e luftërave
të këtyre dy vendeve. Me luftën e ashpër
politike për të bërë aleatë dhe përkrahës
ato e shtrinë konfliktin mbi një zonë të
gjerë të Ballkanit dhe të Lindjes. Shtetet
e kësaj zone dhe shtresat e ndryshme shoqërore u
tërhoqën në konflikt sipas interesave të
tyre politike dhe ekonomike.
Historia e shtetit ilir në këtë kohë është
e lidhur ngushtë me përpjekjet që bëhen
në Maqedoni dhe në Ballkan për të përballuar
rrezikun e ri romak. Gjendja që u krijua pas luftës
kundër etolëve dhe Antiohut dhe ngjarjet e lidhura
me marrëdhëniet midis Maqedonisë e Romës
gjetën një vlerësim të ri në Iliri.
Politika agresive e Romës që synonte tani asgjësimin
e plotë të shtetit maqedon nuk mund të pritej
mirë nga shtetet e vogla të Ballkanit, duke përfshirë
këtu edhe shtetin e dobësuar ilir. Gjendja e ekuilibruar
që ishte krijuar nga prania përballë njëra-tjetrës
në Gadishull e forcës maqedone dhe asaj romake,
ishte i vetmi faktor që kishte siguruar, në një
mënyrë ose në një tjetër, mbijetesën
e këtyre shteteve. Prishja e kësaj gjendjeje nuk
ishte në interesin e tyre. Duke vlerësuar drejt
këtë rrezik u gjallëruan dhe u aktivizuan forcat
antiromake në Iliri. Si pasojë, në vitet e
fundit të sundimit të Pleuratit vihet re një
kthesë në marrëdhëniet e mbretit ilir
me Romën, që u shpreh në afrimin e tij me Maqedoninë.
Të dhënat numizmatike dëshmojnë për
vendosjen e lidhjeve të ngushta ekonomike dhe politike
midis shtetit ilir dhe Maqedonisë. Edhe prania e trupave
ilire në përbërjen e garnizonit të Kasandresë
që provohet nga Livi dhe që sipas fjalëve të
tij i pat dërguar prej kohësh Pleurati,
vërteton këtë mendim.
Senati reagoi me forcë të madhe kundrejt qëndrimit
të ri ilir, veçanërisht pas ardhjes në
fuqi të Gentit, i cili pasoi Pleuratin në vitin
181. Politika romake u drejtua kundër mbretit të
ri me tërë ashpërsinë e saj. Ai u akuzua
si nxitës për rifillimin e piraterisë nga ana
e ilirëve dhe për trajtimin e keq që po u bëhej
gjoja aleatëve të Romës dhe qytetarëve
romakë në Korkyra Nigra. Me këtë pretekst
senati caktoi në vitin 178 një flotë të
posaçme prej 10 anijesh, e cila do të vepronte
në Adriatik për të ruajtur nga flota ilire
ujërat midis Ankonës dhe Tarantos.
Brenda vendit mbreti u vu, jo pa nxitjen e Romës, përpara
vështirësive edhe më serioze. Kundër tij
u ngritën dalmatët, të cilët u shkëputën
nga mbretëria. Përpjekje të tilla u bënë
edhe nga krerë të fiseve të tjera. Gentit iu
desh të bënte një luftë të ashpër
kundër aristokracisë së lartë me tendenca
proromake, e cila kishte përkrahës edhe në
oborrin mbretëror. Në këtë luftë
ai nuk u ndal as përpara sakrifikimit të vëllait,
Platorit, që Roma synonte ta vinte në fron në
vend të tij.
Përpjekjet për forcimin ekonomik e politik të
Mbretërisë
Kërcënimi i ri romak diktonte nevojën e përgatitjeve
për ti dalë përpara një konflikti
të hapur, i cili siç tregojnë ngjarjet, ishte
i pashmangshëm. Duke e kuptuar qartë këtë
detyrë, Genti i kushtoi gjithë vëmendjen e
tij forcimit ekonomik dhe politik të mbretërisë.
Midis masave me karakter ekonomik ajo që na dëshmohet
më mirë nga burimet është veprimtaria
e dendur monedhaprerëse që zhvilloi Genti. Krahas
Skodrës dhe Lisit mbreti u njohu të drejtën
e prerjes së monedhave edhe dy qyteteve të tjera
të mëdha, Rizonit dhe Lyhnidit, si dhe dy fiseve
të rëndësishme Labeatëve e Daorsëve.
Kjo zgjeroi shumë qarkullimin monetar dhe e shtriu atë
në viset më të thella të mbretërisë.
Rëndësi të veçantë patën përpjekjet
e Gentit për vendosjen e një sistemi të përbashkët
monetar në mbretërinë e tij. Për këtë
qëllim ai ndërpreu prerjet e vjetra të punishtes
së Skodrës dhe në vend të tyre hodhi në
treg monedha të reja. Tani monedha kryesore e Skodrës
në vend të Zeusit, mban në faqe portretin e
mbretit, kurse në shpinë, duke ruajtur si simbol
anijen ilire, vendin e legjendës së qytetit e zë
titulli dhe emri i mbretit.
Monedhën me mburojë përkrenare që u fut
në sistemin monetar të Skodrës qysh prej kohës
së Pleuratit, Genti vazhdoi ta presë, por edhe kësaj
i hoqi legjendën e vjetër dhe në vend të
saj vuri titullin dhe emrin e vet. Kjo tregonte se Genti i
kishte hequr Skodrës autonominë monetare dhe punishten
e bashkësisë qytetare e ktheu në punishte mbretërore.
Ndryshe prej Skodrës mbreti u njohu Lisit, Labeatëve
dhe Daorsëve të drejtën që monedhat e
tyre ti siglojë me emrin e bashkësisë
qytetare apo fisnore (?as????? Ge?????), por edhe këta
i detyroi të respektojnë standardin shtetëror:
të pajisin monedhat e tyre me portretin e mbretit dhe
anijet ilire, si dhe tu japin të njëjtën
masë e peshë që kishin monedhat e prera në
punishten mbretërore të Skodrës.
Më vonë mbreti shtiu në dorë edhe punishten
monetare të Lisit dhe i ndaloi qytetit prerjen e monedhave
autonome; që nga kjo kohë ai krijoi për Skodrën,
Lisin dhe krahinat qendrore të mbretërisë,
një sistem monetar të përbashkët të
përbërë nga tri monedha: dy prej tyre ishin
monedhat e njohura që priteshin në punishten mbretërore
të Skodrës; njëra me portretin e mbretit -
anijen ilire, dhe tjetra me mburojë - përkrenare.
Monedha e tretë ishte monedha e vjetër, e vogël
e Lisit, e cila paskëtaj do të siglohej me titullin
dhe emrin e mbretit. Në sistemin e ri monedha e parë
përfaqësonte nominalin, kurse dy të tjerat
nëndarjet e tij.
Sistemi monetar që vendosi Genti në zonën qendrore
nuk u shtri edhe në qytetet periferike të mbretërisë.
Monedhat prej argjendi të Rizonit me mburojë - pegas
dhe ato prej bronzi të Lyhnidit me mburojë gjysmë
anije, të prera në emër të bashkësisë
qytetare (??ss?t??, ?aß?at??, ?a??s??) dëshmojnë
për një farë autonomie në marrëdhëniet
ekonomike të këtyre qyteteve me mbretërinë.
Gjatë sundimit të Gentit, Skodra, Lisi dhe qytete
të tjera të mbretërisë fituan një
gjallëri të madhe ekonomike. Rrezja e qarkullimit
të monedhave të prera në emër të
mbretit apo të qyteteve e të fiseve në punishtet
e Skodrës, Lisit, Rizonit, Lyhnidit etj., u shtrinë
në skajet më të thella të Mbretërisë
Ilire dhe në disa raste edhe përtej kufijve të
saj. Në jug monedhat e Gentit zbresin deri në Dyrrah
e Apoloni. Vetë prerjet e daorsëve dhe të labeatëve
si dhe monedhat e gjetura në Mat, Peshkopi, Malësi
e Madhe dhe në krahinat e thella të Malit të
Zi, tregojnë se qarkullimi monetar kishte depërtuar
dhe në krahinat e brendshme malore.
Politika e ndjekur prej Gentit në fushën e prerjeve
monetare mund të konsiderohet një reformë e
vërtetë, që i lejoi mbretit të përqendrojë
në duart e tij mjete të fuqishme financiare. Dëshmi
e qartë e kësaj është përmbajtja
e thesarit mbretëror që u kap nga romakët.
Livi na thotë se në arkën e mbretit u gjetën
27 ponde ari, 19 ponde argjendi, 13 000 denarë dhe 120
000 monedha ilire argjendi. Kjo ishte një shumë
e madhe që mbreti e kishte grumbulluar nga të ardhurat
e pronarëve mbretërorë dhe taksat e rënda
që u kishte vënë nënshtetasve.
Dendësimi i prerjeve monetare dhe përpjekja për
të përqendruar në arkën shtetërore
sa më shumë mjete financiare diktohej në radhë
të parë nga gjendja ndërkombëtare. Rreziku
romak sa vinte bëhej më i qartë dhe mbreti
duhej të shtonte përpjekjet e tij për forcimin
e ushtrisë dhe të flotës. Fakti që në
kohën e shpërthimit të konfliktit efektivi
i ushtrisë ilire numëronte 15 000 veta, me të
cilët Genti u drejtua kundër romakëve (pa llogaritur
këtu garnizonet e veçanta të qyteteve) dhe
fakti që flota ilire numëronte ende në fund
të luftës 220 anije, tregon se sundimtari ilir e
kishte vlerësuar drejt këtë rrezik dhe u kishte
kushtuar gjithë vëmendjen përgatitjeve për
ta përballuar atë.
Ato elemente të organizimit shtetëror që në
burimet e periudhës së sundimit të Agronit
apo të pasardhësve të tij dolën në
mënyrë sporadike, tek Genti vijnë e plotësohen
dhe problemi bëhet më i qartë në tërësinë
e tij.
Në kohën e Gentit, edhe pse e cunguar, Mbretëria
Ilire shtrihej ende në një territor mjaft të
gjerë dhe përfaqësonte fuqinë e dytë
pas Maqedonisë, në pjesën perëndimore
dhe jugore të Gadishullit. Pasi i dhanë Pleuratit
Parthen dhe Lyhnidin, romakët i njohën Mbretërisë
Ilire si kufi jugor Genusin; në lindje ajo përfshinte
edhe tokat e Penestisë, kurse në veri pas shkëputjes
së dalmatëve nuk shtrihej më tej se krahina
rreth gjirit të Rizonit.
Kryeqytet i mbretërisë ishte Skodra. Njësitë
administrative të saj duket se përputheshin me territorin
rreth qyteteve. Ato kishin si qendër një qytet të
rëndësishëm dhe rreth tij një varg kështjellash,
të cilat mbronin kryeqendrën dhe gjithë krahinën.
Një njësi të tillë formonte Rizoni me
kështjellat e vogla rreth këtij gjiri. Që nga
koha që Skodra u bë kryeqytet i mbretërisë
duket se qendra e Labeatëve kaloi në Meteon. Në
jug, si shembull mund të sillet krahina e penestëve,
për të cilën burimet lejojnë të nënkuptohet
se formonte një tërësi të tillë.
Uskana, qyteti më i madh i penestëve, ishte kryeqendra
e krahinës, kurse kështjellat që përmenden
rreth saj ishin, me sa duket, qendra me funksione më
të ngushta administrative e mbrojtëse.
Burimet nuk sjellin të dhënat e nevojshme për
të përcaktuar sa njësi të tilla kishte
mbretëria, megjithatë, duhet menduar se atje ku
kemi një qytet të rëndësishëm, rreth
tij kemi dhe një krahinë që formonte një
njësi administrative të mbretërisë. Nuk
mund të kërkohet kjo për krahinat e thella
malore ku jeta qytetare nuk u zhvillua. Rolin e qendrave kanë
mundur ta luajnë këtu vetëm fortesat e vogla
që shërbenin si seli e aristokracisë së
fiseve.
E mbështetur në ekonominë e përparuar
skllavopronare të qyteteve Mbretëria Ilire e Gentit
paraqitet me tipare të qarta të një monarkie
të tipit helenistik. Pushteti më i lartë ishte
në duart e mbretit. Ashtu si dhe parardhësit e tij
ai mbante titullin mbret i ilirëve dhe sundonte
si një mbret romak dhe nuk njihej në burimet ndonjë
organ tjetër që të kufizonte veprimet e tij.
Anëtarë të veçantë të familjes
mbretërore zinin detyra me përgjegjësi në
punët e shtetit, por rolin më të rëndësishëm
në jetën politike e luanin miqtë
e mbretit. Ata ishin bashkëpunëtorët më
të afërt e më të besuar të tij. Këtë
institucion, që ishte tipik helenistik e ndeshim në
Mbretërinë Ilire për herë të parë
gjatë sundimit të Teutës; miqve
ajo u besoi drejtimin e punëve të shtetit. Në
kohën e Gentit miqtë e mbretit luanin
një rol të dukshëm në qeverisjen e vendit
dhe ngarkoheshin me misione të rëndësishme
diplomatike.
Mbreti ishte kryekomandant i forcave të armatosura tokësore
dhe detare. Veprimet ushtarake i drejtonte vetë ose ua
besonte komandantëve të veçantë. Bërthamën
kryesore të ushtrisë që ishte mbështetja
kryesore e pushtetit mbretëror e përbënin kontingjentet
e rregullta, të cilat sipas rastit qëndronin si
garnizone në qytete ose përqendroheshin për
të ndërmarrë një ekspeditë apo për
të përballuar luftimet në një front të
caktuar. Burimet nuk bëjnë fjalë për forca
ndihmëse në përbërjen e ushtrisë
ilire, por nuk duhet përjashtuar mundësia që
fiset malore të kenë ushqyer ushtrinë mbretërore
me forca të tilla, sa herë që i thërriste
mbreti, duke qenë të komanduara nga krerët
e tyre.
Njësi e flotës ilire është lembi, një
anije e vogël, por e shpejtë dhe e manovrueshme.
Çdo lemb, përveç rremtarëve, kishte
edhe 50 luftëtarë që përbënin njësinë
bazë të forcave ushtarake detare dhe mbase edhe
tokësore ilire.
Mbreti kishte nën kontroll punishtet monetare dhe autorizonte
prerjen e monedhave në emër të vet ose të
bashkësisë qytetare e fisnore. Një aparat fiskal
vilte taksat me të cilat Genti kishte ngarkuar shtetasit;
kurse burgjet dhe nënkuptohet, një aparat dhune
garantonin rendin e vendosur nga shtresa sunduese dhe përfaqësuesi
i saj më i lartë, mbreti.
Në marrëdhëniet me botën e jashtme shtetin
e përfaqësonte gjithashtu mbreti; ai shpallte luftën
dhe përfundonte paqen, lidhte aleanca, zhvillonte bisedime
të drejtpërdrejta ose përmes përfaqësuesve
caktonte pengje për të garantuar një marrëveshje,
merrte hua etj.
Administrimi i qyteteve dhe i krahinës që lidhej
me to u besohej dinastëve, të cilët mbreti
mund ti zëvendësonte. Në zonën qendrore
të mbretërisë Genti arriti ta kufizonte shumë
autonominë e qyteteve dhe ta dobësonte autoritetin
e dinastëve lokalë, të cilët në burimet
njihen ndryshe dhe si principa illyriorum.
Siç shihet, në këtë periudhë shteti
ilir paraqitet me një strukturë të gjithanshme
dhe me organe administrative që ishin ngarkuar me funksione
të ndryshme në veprimtaritë për forcimin
e pushtetit qendror dhe konsolidimin e shtetit. Reforma monetare
ishte një shprehje e qartë e kësaj politike.
Kontradiktat në plan ndërkombëtar që mplekseshin
me ato sociale, të brendshme, e diktonin një politikë
të tillë. Genti e përçoi këtë
pa ngurrim dhe me rezultat në zonën qendrore të
mbretërisë.
Politika e jashtme e Gentit
Duke qenë në marrëdhënie të ndera
me Romën, Genti u kujdes të vendosë marrëdhënie
të mira me fqinjët ballkanikë. Qysh në
fillim të sundimit të tij, ai ia arriti të
vendoste lidhje miqësore me fqinjën lindore, Mbretërinë
Dardane. Këto marrëdhënie mbreti i përforcoi
me një martesë dinastike dhe sado e ndërlikuar
që u bë më vonë gjendja politike në
Ballkan, nga burimet nuk del që ato të jenë
prishur.
Por bazën e politikës së jashtme të shtetit
ilir në këtë kohë e përbënin
marrëdhëniet miqësore me Maqedoninë. Synimet
ekspansioniste të Romës kishin diktuar një
politikë të tillë qysh në vitet e fundit
të sundimit të Pleuratit. Tani në kohën
e Gentit, vazhdimi i kësaj politike bëhej edhe më
i nevojshëm, sepse, në fund të viteve 80 dhe
sidomos gjatë dekadës së re, senati e shtoi
presionin politik mbi shtetet e Ballkanit dhe në mënyrë
të veçantë mbi Maqedoninë dhe Mbretërinë
Ilire. Burimet letrare nuk hedhin dritë mbi marrëdhëniet
e tij me sundimtarin e Maqedonisë Perseun, në vitet
e para të sundimit të Gentit, por në to vihet
re qartë një paralelizëm në qëndrimin
armiqësor të Republikës (Romës) ndaj tyre.
Nga ana tjetër, materiali numizmatik dëshmon për
lidhje të ngushta ekonomike dhe si rrjedhim edhe politike,
midis Mbretërisë Ilire dhe Maqedonisë.
Marrëdhëniet e Gentit me Perseun dokumentohen më
mirë në prag të luftës së fundit.
Dy lajme të Livit që lidhen me fundin e vitit 173
dhe fillimin e vitit pasues hedhin dritë mbi këto
marrëdhënie. Njëri ka të bëjë
me vrasjen e Artetaurit, një dinasti të vogël
që përkrahte politikën romake diku në
Iliri, ndoshta në zonën e pushtuar nga romakët
dhe që në burime paraqitet si një aksion i
kombinuar i Perseut dhe i Gentit. Lajmi tjetër bën
fjalë për dy sulme të Gentit kundër tokave
të Isës dhe përkon në kohë me aktivitetin
që zhvillon Perseu për të përmirësuar
pozitat e tij në jug dhe në lindje. Këto ngjarje
që shkaktuan shqetësimin e romakëve dhe të
aleatëve të tyre nuk mund të merren thjesht
si një produkt i propagandës romake që synonte
ti paraqiste të dy sovranët si provokatorë.
Livi, sipas Polibit, pohon se, krahas delegatëve që
vijnë nga Lindja me ankesa kundër Perseut, delegatë
nga Isa vijnë para senatit për të akuzuar Gentin
për atë që ishte në një mendje
me mbretin e Maqedonisë dhe që të dy së
bashku po përgatitnin luftën kundër romakëve.
Gjendja ishte e tillë që u impononte të dy
sovranëve nevojën e veprimeve të bashkërenditura
për të përballuar rrezikun romak që sa
vinte bëhej më kërcënues. Megjithatë
është fakt se duke u përgatitur për ti
bërë ballë këtij rreziku, të dy sovranët
nuk donin një konflikt të hapur me Romën, fuqia
e së cilës nuk ishte për të mos u përfillur.
Prandaj Genti, ashtu siç bën edhe Perseu, u shpejtua
të dërgonte delegatë në Romë për
të larë nga fajet që i ngarkonin isasit.
Senati nuk pranoi të bisedonte me të dërguarin
e mbretit dhe i bëri të ditur pakënaqësinë
e tij duke e shoqëruar me kërcënime. Duke dashur,
nga ana tjetër, që ta izolonte plotësisht Perseun,
senati provoi ta bindë Gentin që të shkëputej
nga miqësia me mbretin maqedon dhe të bashkonte
armët e tij me ato të romakëve. Genti qëndroi
në pozitat e tij dhe delegati romak u kthye në atdhe
i dyshuar se ishte korruptuar me të hollat e mbretit
ilir. Me këtë ndërpriten përpjekjet romake
për të tërhequr Gentin nga ana e tyre.
Kështu në pragun e luftës kundër Maqedonisë,
kur Roma zhvillonte një veprimtari të etshme diplomatike,
të shoqëruar me presion të madh politik, për
të izoluar Perseun, sundimtari ilir nuk mori anën
e Republikës. Livi e paraqet Gentin të lëkundur,
por faktet tregojnë se as këtë radhë,
as më pas, mbreti ilir nuk tregon shenja lëkundjeje
në qëndrimin e tij ndaj Romës. Ishte vetëm
përgatitja e pamjaftueshme që do ta pengonte për
të dalë në fushën e betejës kundër
saj.
Lufta e tretë romako-maqedone, veprimet luftarake
të vitit 171
Krahas përgatitjeve diplomatike, Roma po merrte edhe
masat ushtarake për të asgjësuar Maqedoninë
dhe Mbretërinë Ilire që ishin dy forcat kryesore,
të cilat pengonin planet e saj ekspansioniste në
Ballkan.
Në nëntorin e vitit 172 senati urdhëroi dërgimin
e forcave të para në brigjet e përtejme të
Adriatikut, të përbëra nga 5 000 këmbësorë
dhe 300 kalorës. Ky kontingjent i vogël që
dërgohej si pararojë e ushtrisë konsullore,
pasi zbriti në Epir, me sa duket në Orik, ngriti
lëmin e vet në afërsi të Nymfeut, në
tokat e Apolonisë. Këndej një njësi prej
2 000 vetash u dërgua menjëherë për të
zënë, siç na thuhet, fortesat e dasaretëve
dhe të ilirëve. Po të gjykojmë nga
të dhënat e mëvonshme, forcat romake duhet
të jenë vendosur në këtë kohë
në Lyhnid, Uskanë dhe në disa kështjella
rreth saj, aty ku prania e tyre na del papritur në ngjarjet
e dimrit të vitit 170/169. Ky aksion kishte një
qëllim të largët strategjik. Ai duhet të
siguronte pozitat romake në Iliri, të mbante të
hapura rrugët kryesore për në Maqedoni dhe
të bënte presion mbi Mbretërinë Ilire,
duke e ndarë atë territorialisht nga Maqedonia.
Më vonë forca të pakta u dërguan në
Greqi dhe u vendosën nëpër qytete si garnizone
të vogla që kishin më tepër karakter simbolik.
Një kontingjent i veçantë u dërgua në
Thesali për të zënë Larisën si një
pikë me rëndësi strategjike. Pasi ishin zënë
pozitat e përparuara në Iliri e Thesali, në
pranverën e vitit 171, senati vendosi të fillonte
luftën kundër Perseut. Goditja do të jepej
nga Thesalia. Ushtria konsullore pasi zbriti në Apoloni,
përshkoi Epirin dhe ra në ultësirën thesale;
këtu ajo u gjend përpara forcave të Perseut
që kishin zënë rrugën e hyrjes për
në Maqedoni; 40 000 ishin forcat konsullore përballë
43 000 forcave të Perseut, megjithatë të dyja
palët iu shmangën betejave vendimtare dhe stina
e verës së vitit 171 u mbyll pa ndonjë rezultat
të shënuar, duke i lënë kundërshtarët
në pozitat e mëparshme, fillestare.
Ndërkaq Roma nuk e la krejt pas dore edhe Mbretërinë
Ilire. Ndërsa ushtria konsullore u nis për të
zbritur në Apoloni, flota romake vuri dorë mbi 54
anije të Gentit, pa marrë pëlqimin e mbretit
dhe i përfshiu në përbërjen e forcave
detare që do të zinin Qefaloninë dhe do të
vepronin gjatë bregdetit grek në mbështetje
të forcave tokësore romake. Më vonë romakët
duket se ndërmorën një aksion të dytë,
shumë të rëndësishëm, kundër
Mbretërisë Ilire. Ndërsa po zhvillohej fushata
verore në Thesali, konsulli urdhëroi të nënshtroheshin
disa qytete në Iliri. Midis tyre Karnunti, një qytet
i paidentifikuar, u bëri një qëndresë
të fortë pushtuesve, prandaj pretori që komandonte
forcat romake, urdhëroi plaçkitjen e këtyre
qyteteve. Nuk është thënë qartë për
çqëllim u organizua kjo fushatë, megjithatë
një ngjarje që ndoshta mund të lidhej me të,
do të ishte ajo që ka të bëjë me
ndryshimet në kufirin jugor të Mbretërisë
Ilire. Duke qenë në marrëdhënie të
ndera me Gentin dhe pasi dështuan përpjekjet për
ta bërë atë për vete, senati urdhëroi
aneksimin e tokave dhe të qyteteve parthine që i
pat njohur Pleuratit më 196 dhe e shtyu kufirin e Mbretërisë
Ilire nga Genusi në Ardaksan, aty ku shënohet disa
vite më vonë. Në këtë rast Karnunti
dhe qytetet e tjera që u sulmuan bashkë me të
duhen kërkuar në veri të Genusit. Është
për tu shënuar se si për rastin e grabitjes
së anijeve, ashtu dhe për ndryshimet që ndodhën
në kufirin jugor të mbretërisë, sundimtari
ilir nuk jep asnjë shenjë kundërshtimi, sepse,
me sa duket, nuk ishte në gjendje ta bënte një
gjë të tillë.
Fushata e Perseut në Iliri në dimrin e vitit
170/169.
Aleanca iliro - maqedone
Gjendja në frontin thesal edhe në vitin 170 mbeti
e pandryshuar. Në Iliri përkundrazi u zhvilluan
ngjarje të rëndësishme. Në verën
e këtij viti romakët i shtuan forcat e tyre rreth
Mbretërisë Ilire. Garnizoni i Isës që
kishte më parë vetëm 12 anije të vogla
vendase u përforcua me 18 anije të tjera pesërremëshe
dhe 2 000 ushtarë, që do të ishin të gatshëm
për çdo rast kundër Gentit. Nga ana tjetër,
Senati dërgoi në Iliri edhe 4 000 këmbësorë
dhe kjo forcë u rrit më vonë me 8 000 veta,
me trupat ndihmëse që u mobilizuan midis aleatëve
të Romës. Kështu forcat romake nga 5 000 që
ishin në fillim të konfliktit u rritën në
vitin 170 në 15 000 veta. Kjo forcë e konsiderueshme
që ushtronte presionin e vet të vazhdueshëm
mbi Mbretërinë Ilire, kishte krijuar një gjendje
lufte të pashpallur.
Gjendja e krijuar në Iliri shqetësonte mjaft edhe
Perseun, sundimtarin e Maqedonisë. Forcat romake që
ishin grumbulluar këtu po bëheshin një rrezik
gjithnjë më serioz për të dhe po e ngushtonin
Gentin që ai e quante aleatin e tij të natyrshëm.
Prandaj, pasi përfundoi fushatën kundër dardanëve,
Perseu vendosi ti godiste pozicionet romake në
Penesti dhe, duke u shtyrë në thellësi të
Ilirisë, të vendoste kontaktet me Gentin. Si kohë
të përshtatshme për këtë ekspeditë,
Perseu zgjodhi mesin e dimrit (dhjetor-janar 170/169), kur
një sulm romak kundër Maqedonisë nga ana e
Thesalisë ishte pothuajse i pamundshëm, meqenëse
bora e madhe i bënte të pakapërcyeshme malet
që ndanin këto dy vende. Pasi përqendroi një
forcë goditëse prej 12 500 vetash në Stuberë
u drejtua kundër Uskanës, qytetit më të
madh të tokës së penestëve dhe e rrethoi
atë. Mbas një qëndrese të vogël garnizoni
romak prej 4 000 vetash dhe forcat ndihmëse të mobilizuara
tek ilirët u dorëzuan. Romakët i ndanë
në grupe të vogla dhe i shpërndanë nëpër
qytete për ti mbajtur në rojë, kurse
uskanasit dhe ilirët e zënë rob i shitën.
Pas kësaj Perseu u drejtua kundër qytetit Oene,
që zinte një pozitë strategjike në rrugën
për në krahinën e labeatëve, qendër
e mbretërisë së Gentit. Por më parë
iu desh të nënshtronte një varg kështjellash,
midis të cilave Draudakun, një qendër e fortë
dhe me një popullsi të dendur, që zinte një
vend me rëndësi në mbrojtjen e Oenes. Vetëm
pasi zuri këto kështjella dhe bashkë me to
edhe garnizonet e vogla romake, gjithsej 1 500 veta, Perseu
arriti në Oene. Qyteti ishte vendosur në një
vend të mbrojtur mirë nga lumi që i kalonte
pranë dhe një mal i lartë në shpinë
të tij. Meqenëse nuk pranoi të dorëzohej,
mbreti qe i detyruar ta merrte me forcën e armëve
pas një rrethimi të gjatë e të lodhshëm.
I zemëruar, Perseu urdhëroi të masakroheshin
të gjithë burrat; gratë e fëmijët
i mori rob dhe qytetin ua la ta plaçkisnin ushtarakëve.
Pas kësaj fitoreje ekspedita i kishte arritur objektivat
e saj: kishte larguar njëherë për njëherë
rrezikun e një invazioni romak nga perëndimi dhe
kishte çelur rrugën për tek Genti. I kënaqur
Perseu u kthye në Stuberë dhe menjëherë
u kujdes për të hyrë në lidhje me mbretin
ilir, aleancën me të cilin në këtë
çast e çmonte shumë. Për këtë
qëllim, nisi dy përfaqësues të vet, Adeun
nga Maqedonia, dhe ilirin Pleurat, i cili gjendej pranë
tij i mërguar dhe që do të shërbente si
përkthyes. Delegatët u porositën të informonin
Gentin mbi rezultatet e luftës kundër romakëve
dhe dardanëve, në mënyrë të veçantë
ti vinin në dukje fitoret që kishte korrur
Perseu gjatë fushatës së fundit në Iliri
dhe ti propozonin aleancë. Pasi përshkuan
një rrugë të gjatë, përmes krahinave
malore të Ilirisë delegatët arritën në
Skodra. Genti ndodhej në Lis, prandaj i ftoi ta gjenin
atje. Bisedimet që filluan këtu në janar të
vitit 169 dhe që u rimorën disa herë gjatë
këtij viti, përfunduan vetëm në janarin
tjetër të vitit 168. Që në takimin e parë
Genti e pranoi idenë e një aleance, por u tha të
dërguarve të Perseut se nuk kishte armë dhe
të holla të mjaftueshme për tu shpallur
luftën romakëve. Pas kësaj përgjigjeje
të Gentit, tradicioni antik dhe pas tij gjithë historiografia
moderne, kanë parë gjithmonë lëkundjet
dhe pavendosmërinë e mbretit ilir për tu
prishur haptazi me romakët dhe dëshirën e tij
për të përfituar sa më shumë të
holla. Perseu, nga ana tjetër, paraqitet gjatë traktativave
si një koprac që do tia arrijë qëllimit
me një çmim sa më të lirë, prandaj
humbet kohën me bisedime të zgjatura dhe pa rezultat.
Nuk ka dyshim se qëndrimi proromak i Polibit, që
i transmeton këto bisedime, ka bërë që
të errësohet përmbajtja racionale e këtyre
traktativave. Rezerva që bën Genti në lidhje
me mungesën e armëve dhe të të hollave
dëshmon vetëm se ai ishte i papërgatitur për
të hyrë në luftë. Kjo vërtetohet
edhe me atë që një vit më vonë ai
do ta bënte këtë pa ngurrim. Fakti që
Genti nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës
së Perseut tregon se midis tyre kishte, me sa duket,
vështrime të ndryshme të karakterit taktik
për çështjen e luftës. Ndërsa mbreti
maqedon, mbasi kishte hyrë në luftë, donte
që me aksionet e tij ushtarake dhe politike tu
imponohej romakëve, ti bindte se ishte e pamundur
fitorja mbi maqedonët, dhe ti bënte të
pranonin një zgjidhje kompromisi, Genti që e shikonte
ende të balancuar forcën romake me atë maqedone,
donte të fitonte kohë për një përgatitje
të mjaftueshme para se të hynte në luftë,
në qoftë se kjo do të ishte e pashmangshme.
Ndërsa këta dy sovranë mendonin dhe vepronin
me mënyrën e tyre, romakët merrnin masa për
të kaluar në veprime vendimtare. Në muajt e
fundit të dimrit të vitit 169, aksionet e tyre në
Iliri ishin ende të parëndësishme: ata ndërmorën
një sulm që përfundoi pa sukses, për të
ripushtuar Uskanën dhe më pas u kujdesën që
të forconin kontrollin mbi krahinat e pushtuara të
Ilirisë, duke marrë për këtë qëllim
pengje nga parthinët dhe disa qytete të penestëve,
që kishin mbetur në duart e tyre. Romakët nuk
patën sukses në një aksion që ndërmorën
në Epir. Por në prag të verës gjendja
ndryshoi. Në frontin thesal romakët, me një
manovër të shkathët kaluan masivin e Olimpit
dhe papritur u gjendën në Maqedoni, duke e detyruar
Perseun të tërhiqej në pozita të reja
mbrojtëse.
Ndërkaq forcat romake në Iliri u rritën në
30 000 veta. Në numrin e përgjithshëm të
forcave tokësore dhe detare që përqendroi Republika
në fillim të vitit 168, kjo ishte një fuqi
e konsiderueshme. Në kundërshtim me tendencën
e historiografisë antike dhe moderne për të
minimizuar rolin e Mbretërisë Ilire, kjo shifër
tregon qartë se çvend zë ajo në
këtë luftë vendimtare për fatet e popujve
të Ballkanit, sa kohë që Roma qe detyruar të
drejtonte kundër saj një forcë të tillë
ushtarake.
Përpjekjet që u bënë nga Perseu gjatë
dimrit 169/168 për të gjetur një zgjidhje diplomatike
të konfliktit, duke përdorur si ndërmjetës
shtetet helenistike, dështuan. Në këto rrethana
u bë e qartë se fati i luftës do të zgjidhej
vetëm në fushën e betejës.
Në janar të vitit 168 bisedimet midis përfaqësuesve
të Perseut dhe Gentit morën fund pasi pala maqedone
kishte marrë përsipër të jepte një
ndihmë financiare prej 300 talentesh për nevojat
e luftës dhe gjithë sigurimet e domosdoshme.
Kjo frazë që mbase nënkuptonte rregullimin
e gjithë marrëdhënieve midis dy mbretërive
gjatë dhe mbas luftës, mbetet për fat të
keq te Polibi e papërfunduar. Menjëherë pas
kësaj Genti ratifikoi marrëveshjen në Meteon
dhe pasi bëri betimin, u dorëzoi përfaqësuesve
të mbretit maqedon pengjet. Perseu që i jepte një
rëndësi të veçantë kësaj aleance,
në këtë çast kritik për Maqedoninë,
e shpalli përfundimin e marrëveshjes me një
solemnitet të veçantë: ai organizoi në
Dium ceremoninë e betimit dhe të këmbimit të
pengjeve në prani të kalorisë maqedone, duke
llogaritur kështu edhe efektin psikologjik që do
të kishte kjo ngjarje në trupat e tij.
Përveç delegacionit që asistoi në ceremoninë
e ratifikimit të marrëveshjes, Genti dërgoi
në Maqedoni edhe dy përfaqësues, të cilët
së bashku me një delegacion maqedon do të shkonin
në Rod për ta tërhequr këtë fuqi
detare në aleancën e tyre. Këtij misioni sovranët
i jepnin një rëndësi të madhe, sepse sipas
tyre po të bënin për vete këtë qytet,
romakëve nuk do tu mbetej asnjë shpresë
për fitore as në tokë, as në det. Ata
kishin shumë besim në suksesin e këtij misioni,
sepse edhe Rodi, me pozitën hegjemone në Mesdheun
Lindor nuk e donte daljen e Republikës në këto
anë.
Pas kësaj Genti mori qëndrimin e parë të
hapur kundër romakëve, të cilët kohët
e fundit kishin riaktivizuar diplomacinë e tyre për
ta bërë për vete mbretin ilir. Dy delegatë
që senati kishte dërguar për këtë
qëllim i arrestoi dhe menjëherë kaloi në
masat efektive për fillimin e veprimeve luftarake. Në
këtë pikë tradita polibiane i atribuon Perseut
një veprim të pandershëm që e shpjegon
me vesin e tij të kopracisë. Sipas Polibit, mbreti
maqedon i bindur se me këtë hap Genti ishte komprometuar
në marrëdhëniet me romakët, ndërpreu
dërgimin e ndihmës financiare, lejoi vetëm
dërgimin e 10 talenteve, kurse shumën tjetër
të parave, të vulosura me simbole ilire, që
kishte arritur në kufi, urdhëroi ta kthenin mbrapsht.
Ky pasazh i Polibit, për vërtetësinë e
të cilit e mbrojnë me forcë edhe autorë
modernë, është vënë në dyshim
me të drejtë, si një shprehje e qëndrimit
të tij, përgjithësisht armiqësor ndaj
Perseut, ashtu sikurse edhe ndaj Gentit, figurat e të
cilëve ky historian dhe pas tij gjithë burimet antike
i paraqisnin në një dritë të rreme.
Lufta e tretë iliro-romake
Kështu në çastin kur konflikti kishte arritur
kulmin e tij, mbreti ilir kishte vendosur të hynte në
luftë kundër Romës, duke e zgjedhur këtë
si të vetmen rrugë për mbrojtjen e pavarësisë
politike. Vendimi i tij u prit me entuziazëm në
Maqedoni, në Rod dhe duhet menduar edhe në vise
të tjera të Ballkanit, sepse ngjallte shpresa për
fitoren mbi romakët.
Genti nuk vonoi të vepronte. Pasi kishte grumbulluar
në Lis një forcë të konsiderueshme prej
15 000 vetash, u hodh në sulm. Me forcat kryesore u drejtua
kundër qytetit Basania, i cili siç na ka mbërritur
në tekstin e Livit, ishte 5 milje nga Lisi. Ky qytet
ishte në aleancë me romakët. Genti u mundua
ta bëjë për vete atë me anë të
bisedimeve, por mbasi nuk pranoi të nënshtrohej,
e rrethoi. Ndërkaq të vëllanë Karavandin
e dërgoi me 1 000 këmbësorë dhe 50 kalorës,
në veri për të nënshtruar fisin e Kavëve.
Qyteti Durn e priti mirë, kurse qyteti tjetër i
mbylli dyert Karavandit. Genti nuk pati sukses edhe në
operacionet detare. Flota e tij prej 80 anijesh që ishte
dërguar të godiste tokat rreth Dyrrahut dhe Apolonisë
dhe, me sa duket, të vendoste kontrollin mbi rrugën
detare që lidhte të dy brigjet e Adriatikut, u thye
në afërsi të Apolonisë në ndeshjen
me flotën romake dhe qe e detyruar të tërhiqej
në drejtim të veriut.
Pas kësaj romakët, që kishin përqendruar
ndërkaq forcat e tyre në Genus, u drejtuan kundër
mbretit në Basania. Forcat romake, dy herë më
të mëdha në numër, mbasi pushtuan qendrat
e rëndësishme gjatë rrugës, u gjendën
para mureve të Skodrës. Boshllëku që është
krijuar në tekstin e Livit nuk jep mundësi për
të njohur hollësitë e këtyre veprimeve
luftarake.
Qëndresën e fundit Genti e bëri në Skodra.
Ai shpresonte shumë në këtë qytet që
e kishte zgjedhur si kryeqendër të mbretërisë,
sepse pozita e tij ofronte një mbrojtje të sigurt.
Dhe me të vërtetë i rrethuar nga dy lumenj,
Klausali dhe Barbana dhe i fortifikuar mirë, qyteti mund
të përballonte me sukses një rrethim të
gjatë. Por mbreti nuk diti ta organizonte mirë mbrojtjen.
Në vend që forcat ilire të qëndronin brenda
mureve rrethuese të qytetit dhe ti shmangeshin
përleshjes në fushë të hapur, u futën
në betejë aty ku armiku kishte epërsi numerike,
dhe i theu keqas. Pasi dështuan edhe përpjekjet
e vëllait të tij, Karavandit, për të grumbulluar
forca të tjera nga krahinat përqark, Genti u dorëzua.
Dhjetë ditë më vonë pas rënies së
Skodrës, në betejën që u zhvillua në
Pydna u shkatërrua përfundimisht dhe ushtria maqedone.
Njëherësh me Ilirinë dhe Maqedoninë romakët
nënshtruan dhe Epirin. Genti dhe Perseu bashkë me
familjet e tyre, me plaçkë e robër të
shumtë lufte u dërguan në Romë.
Kështu u nënshtruan dy shtetet e fuqishme të
Ballkanit dhe u vendos në këto krahina sundimi romak.
Copëtimi i tokave të shtetit ilir
Menjëherë pas mbarimit të luftës romakët
u morën me ndarjen administrative të tokave të
shteteve të mundura. Senati romak i shpalli të
lirë ilirët e maqedonët; në të
vërtetë, sikurse e treguan ngjarjet e mëvonshme,
ai shpalli humbjen e pavarësisë së tyre. Në
një mbledhje që u bë në Skodra, në
vitin 167 p.e.sonë, ku morën pjesë pesë
të dërguar të posaçëm nga Roma
dhe përfaqësuesit e parisë ilire proromake,
komandanti i ushtrisë Lue Anici shpalli vendimet e senatit
romak. Tokat e shtetit ilir u ndanë në tri njësi
administrative të veçanta. Në krahinën
e parë, me qendër Lisin, qenë përfshirë
tokat përreth këtij qyteti deri te lumi Mat në
jug. Njësia e dytë administative përbëhej
nga krahina e banuar prej labeatëve, qendra e së
cilës ishte Skodra. Në krahinën e tretë
bënin pjesë viset bregdetare ilire në veri
të Skodrës deri te lumi Narona, duke përfshirë
qytetet Rizen e Olcin. Pushtuesit romakë shpallën
gjithashtu se të gjithë ilirët, që nuk
ishin bashkuar me Gentin në luftën kundër Romës
nuk do të paguanin taksa, kurse ilirët e tjerë
do ti jepnin shtetit romak gjysmën e taksave që
i kishin paguar mbretit Gent. Romakët larguan nga qytetet
dhe kështjellat ushtritë e tyre dhe në krye
të njësive administrative të formuara rishtas
vunë përfaqësues nga paria ilire, përkrahëse
të politikës pushtuese të Romës në
Iliri.
Çfarë fshihej prapa Lirisë së
dhënë nga Roma? Për të kuptuar këtë
duhet marrë parasysh pohimi i autorëve antikë,
që theksojnë se Iliria e Maqedonia, të mundura
ishin vënë nën pushtetin e popullit romak
dhe se ilirët e maqedonët do të jetonin të
lirë vetëm mbasi romakët tu jepnin
atyre kushtetutën, duke rregulluar ligjet dhe duke caktuar
taksat. Pastaj tri krahinat ilire të ndara dhe të
bazuara mbi autonominë e civitates-ve bashkësive,
do të kishin organet e tyre administrative, por nuk do
të kishin të drejtë për të pasur
asnjë lloj marrëdhënie gjinie, ekonomike e
politike midis tyre. Në këtë mënyrë
ndërpriteshin lidhjet ekonomike, bëhej i pamundur
një bashkim ushtarak i tyre dhe shmangej kështu
rreziku i një kryengritjeje.
Krahinat e qytetet ilire në jug të lumit Mat, të
cilat nuk kishin bërë pjesë në shtetin
ilir të Gentit, sundimtarët e paria e të cilëve
qysh në dy luftërat e para iliro-romake kishte mbajtur
krahun e Romës, siç qenë parthinët e
atintanët, romakët i mbajtën nën protektoratin
e tyre. Të tjerët që nuk kishin marrë
pjesë në luftë, si bylinët, amantët,
dasaretët etj., i lanë përsëri më
vete. Qytetet greke Korkyra, Apolonia e Dyrrahu ruajtën
autonominë e tyre, por mbetën baza të rëndësishme
ushtarake për veprimet luftarake të mëvonshme
të Romës në Ballkan. Për pjesëmarrjen
në luftën kundër shtetit ilir senati romak
u ndau atyre 220 anijet që ishin pjesë e plaçkës
së zënë në Iliri.
Në tokat e shtetit të Epirit, ku romakët kishin
hasur gjatë veprimeve ushtarake një qëndresë
të fortë, pas shkatërrimeve të mëdha,
pas masakrave që bënë legjionet romake dhe
shndërrimit në skllevër të një pjese
të madhe të popullsisë, u vendos një regjim
i rreptë ushtarak. Vetëm qytetit Foinike, bashkë
me një territor të vogël të banuar nga
kaonët, romakët u lanë një farë autonomie,
sikurse tregojnë disa mbishkrime dhe monedhat e prera
prej këtij qyteti.
Kështu pas mbarimit të luftës së tretë
iliro-romake, Iliria e Jugut u copëtua ekonomikisht e
politikisht. Të vëna nën protektoratin e Romës
ose duke pasur një farë autonomie, krahinat e qytetet
ilire nuk mundën të zhvillonin si më parë
ekonominë e tyre. Disa degë të prodhimit, si
nxjerrja e metaleve e ndërtimi i anijeve u ndërpre
dhe kaluan në duart e romakëve. Megjithëse
disa qytete të Ilirisë së Jugut vazhduan prerjen
e monedhave autonome, qarkullimi monetar dhe marrëdhëniet
tregtare nuk kishin më atë intensitet që kishin
pasur para luftërave iliro-romake. Në këtë
kohë u forcua edhe më tepër pozita e shtresës
së pasur ilire, e skllavopronarëve të mëdhenj,
të cilët e mbështetnin politikën e Romës
dhe kërkonin të përfitonin nga rrethanat e
reja ekonomike e politike për të shtuar pronat e
pasuritë e tyre.
Kjo gjendje që u krijua në Ilirinë e Jugut
në fund të shek. III dhe gjatë shek. II p.e.sonë
nuk zgjati shumë. Ajo qe e varur në përgjithësi
nga politika që Republika do të ndiqte në Gadishullin
Ballkanik dhe nga synimet pushtuese të saj. Dy ngjarje
që ndodhën brenda një kohe të shkurtër,
agresioni romak ndaj krahinave veriore ilire dhe kthimi i
Maqedonisë në provincë e bënë të
qartë qëndrimin që do të mbante Roma kundrejt
ilirëve. Romakët, pas kryengritjes maqedone të
vitit 149 p.e.sonë, krijuan provincën e Maqedonisë
dhe përfshinë në të të gjitha krahinat
ilire në jug të lumit Mat.
|
 |  |