 |  |
K R E U VIII
ILIRIA NË PERIUDHËN E ZGJERIMIT DHE TË
RËNIES
SË PERANDORISË ROMAKE
1. GJENDJA EKONOMIKO-SHOQËRORE DHE ADMINISTRIMI I
ILIRISË NË SHEK. I-III E.SONË
Shteti romak si gjatë luftërave, ashtu edhe
pas mbarimit të tyre u mor me organizimin administrativ
të viseve të pushtuara, të cilin e kreu në
disa etapa dhe me ndryshime sipas koniunkturave që krijoheshin
herë pas here dhe në pajtim me mundësitë
që kishte vetë shteti romak. Qëllimi kryesor
i organizimit administrativ të Ilirisë, ka qenë
përforcimi i pushtetit romak, me anë të të
cilit do të kalohej në një administrim e shfrytëzim
më racional e sistematik të provincave ilire. Kjo
ka ndodhur në periudhën e fundit të Republikës
së Romës dhe në mënyrë të veçantë
me krijimin e perandorisë. Këtij qëllimi i
shërbyen masa të tilla si konfiskimi i tokave dhe
ndryshimet në pronësinë tokësore, shndërrimi
i disa qyteteve në koloni romake dhe ngulimet e një
popullsie italike e orientale, zhvillimi i teknikës dhe
i prodhimit, shfrytëzimi i minierave dhe ndërtimi
e rindërtimi i rrugëve dhe në përgjithësi
situata e rëndë që iu imponua ilirëve,
veçanërisht duke filluar nga shek. I e.sonë.
Bashkë me këtë politikë Roma bëri
përpjekje të mëdha për asimilimin, romanizimin
e popullsisë ilire, por pa arritur rezultate të
dukshme.
Marrëdhëniet agrare. Krijimi i latifondeve
Që në shek. I p.e.sonë, por në mënyrë
të veçantë pas shek. I e.sonë, shteti
skllavopronar romak filloi zbatimin në viset ilire të
një politike agrare, në thelb të së cilës
ishte marrja me forcë, konfiskimi i tokave më të
mira e pjellore, të cilat i shpalli ager publicus,
prona të shtetit romak. Një pjesë të madhe
të tokave të konfiskuara Roma ua dha qytetarëve
romakë, kolonistëve romakë e italikë dhe
veteranëve të ushtrisë, të cilët
banonin në periferinë e qyteteve, duke i shndërruar
në toka të qyteteve që qenë kthyer në
koloni e në municipe. Por nga fondi i tokave të
grabitura morën prona edhe përfaqësuesit e
aristokracisë tokësore; në këtë mënyrë
në Iliri u krijuan ekonomitë e mëdha bujqësore,
latifondet. Latifondet gjendeshin kryesisht në fushat,
zonat e ulëta kodrinore dhe në luginat e ulëta
të lumenjve, më tepër pranë rrugëve
të mëdha, sepse ato furnizonin me prodhime bujqësore
qendërbanimet e mëdha. Nga burimet e shkruara del
se zotërime të mëdha tokash, latifonde ka pasur
në krahinat bregdetare dhe në fushat e brendshme.
Përreth Buthrotit ka pasur prona të mëdha tokësore
Pompon Atiku, që i përkiste parisë skllavopronare
romake, kurse në rrethet e kolonive të Ulpianës
e të Skupit, në Dardani, zotëronte prona të
gjera tokësore familja patrice romake e Turëve.
Me gjithë konfiskimet tokësore pushtuesit romakë
i lanë toka edhe popullsisë ilire dhe në këtë
drejtim vepruan sipas qëndrimit që mbanin kundrejt
fiseve të ndryshme. Në mënyrë të
veçantë pronat tokësore të vendasve
u ruajtën në viset e brendshme ilire, ku në
shekujt e parë të erës sonë, një
pjesë e madhe e popullsisë jetonte, ende në
fshatra, e organizuar në bashkësi fshatare. Pjesëtarët
e këtyre bashkësive fshatare, krahas pronës
së përbashkët, kullotave, djerrinave e pyjeve
zotëronin ngastra toke, të cilat i punonin vetë,
me mjetet e tyre.
Skllavopronarët romakë, pas tyre dhe paria ilire,
vazhduan të konfiskonin tokat duke bërë përpjekje
të reja për ti rritur pronat e tyre tokësore.
Të dhënat mbishkrimore tregojnë se në
fillim të shek. II të erës sonë, territori
bujqësor i qytetit të Dyrrahut arrinte deri në
Skampin (Elbasan) që ishte një fshat vicus
i varur nga Dyrrahu. Mbishkrimet latine, të zbuluara
në fshatra të ndryshme të fushës së
Tiranës dhe që i takojnë shek. I të erës
sonë mbajnë emra jo ilire, çka do të
thotë se edhe në këtë zonë pronat
bujqësore u ishin marrë vendësve. Në lidhje
me grabitjen e tokave të bashkësive fshatare vendëse
me shumë interes është një mbishkrim i
shek. II të erës sonë i zbuluar në tokat
e orestëve, që banonin në krahinat kufitare
juglindore ilire. Në këtë dokument mbishkrimor,
i gjetur pranë Vatinës, theksohet e drejta e njohur
e orestëve për zotërimin e tokave shtetërore
në territorin e qytetit Vatina. Në mbishkrim theksohet
gjithashtu se nga kjo e drejtë përjashtohen të
huajt, në këtë rast pronarët romakë
të tokave që kërkonin të zgjeronin pronat
e tyre tokësore. Një organizim të ngjashëm
me orestët, pra edhe marrëdhënie agrare të
ngjashme me ta kanë pasur edhe dasaretët. Një
veçanti e krahinave të banuara nga orestët,
dasaretët dhe popullsitë e tjera malësore të
Ilirisë Juglindore është mungesa, në gjetjet
arkeologjike, e dokumenteve mbishkrimore në gjuhën
latine. Kjo mungesë mund të shpjegohet vetëm
me një status të posaçëm të këtyre
krahinave ilire.
Marrëdhëniet e reja agrare të vendosura në
Iliri gjatë sundimit romak e keqësuan shumë
gjendjen sidomos të asaj pjese të fshatarësisë
ilire që i ishin grabitur tokat. Fshatarët e mbetur
pa tokë u detyruan të iknin dhe të kërkonin
punë si argatë në qytetet dhe në minierat.
Ata që mbeteshin në fshat për të jetuar,
u shtrënguan të punonin si mëditës - arrendatorë
- në pronat tokësore të qyteteve dhe të
latifondistëve romakë. Në veprën e tij
Mbi ekonominë fshatare shkrimtari romak Varroni
shkruan për ekzistencën në shek. I të
erës sonë të fshatarëve të varur,
të skllavëruar në borxhe, të cilët
ai i quan obaerati, që sipas tij gjendeshin
me shumicë në Iliri dhe punonin në vende e
në kushte të vështira. Edhe gjendja e fshatarëve
të lirë nuk ishte aspak e mirë; mbi ta rëndonin
taksa e detyrime të ndryshme, të cilat i çuan
në shkatërrim të plotë. Shumë prej
fshatarëve të shpronësuar, në pamundësi
për të përballuar jetën hynin në
borxhe, shpeshherë duke u kthyer edhe në skllevër.
Skllevërit në përgjithësi i bënin
punimet bujqësore në latifondet dhe në pronat
tokësore të qyteteve.
Zhvillimi i ekonomive bujqësore në territoret e
konfiskuara nga qytetet, rritja e pronave të mëdha
tokësore e shpejtoi procesin e zëvendësimit
të pronës së përbashkët (prona kolektive
u bë pronë e shtetit romak) me atë
private dhe pati si pasojë shtrirjen dhe thellimin më
tej të marrëdhënieve skllavopronare në
fshatin ilir. Ky proces preku edhe pronat e vogla private
në ato vise që hynin nën administrimin e qyteteve
ose ku kishte mundësi të zhvilloheshin latifondet.
Më pas u bënë përpjekje për ti
shtrirë marrëdhëniet e reja agrare edhe në
viset e brendshme. Megjithatë, në krahinat e brendshme
ilire vazhdoi të ruhej edhe prona e vogël tokësore
dhe fshatarët e lirë. Në këto krahina
blegtoria, krahas bujqësisë, mbeti një degë
e fuqishme e ekonomisë së popullsisë ilire.
Qytetet
Duke filluar nga shek. I i e.sonë në krahinat ilire
ndodhën ndryshime edhe në jetën qytetare. Këto
ndryshime u bënë natyrisht në pajtim me traditat
vendase të urbanizimit dhe me kushtet e reja politiko-ekonomike
të krijuara në tre shekujt e parë të erës
sonë.
Kështu në Ilirinë e Jugut dhe në Epir,
gjatë shekujve të mësipërm nuk u ngritën
qytete të reja, madje në krahasim me periudhën
pararendëse numri i tyre u pakësua. Nuk kanë
të bëjnë me procesin e urbanizimit të
asaj kohe, disa kështjella (castra), me karakter thjesht
ushtarak, të cilat u ngritën gjatë rrugëve
më të rëndësishme.
Me pushtimin romak dhe me organizimin administrativo-ekonomik
provincial pjesa më e madhe e qyteteve autoktone nuk
i kishin më funksionet ekonomike e politike që kishin
pasur më parë dhe, duke mos pasur mundësi të
zhvilloheshin më tej, filluan të bien. Në kushte
të tilla banorët e disa qyteteve e qytezave të
fortifikuara ilire braktisën vendbanimet kodrinore-malore
dhe zbritën në fushë. Disa prej tyre, megjithëse
u kthyen administrativisht në gjendjen e fshatrave, nuk
kanë pushuar së qeni qendra qytetare, të tjerat
u bënë vendbanime fshatare duke u marrë kryesisht
me bujqësi. Pati edhe ndonjë qendërbanimi të
fortifikuar ilire, që duke pasur qysh në fillim
karakter mbrojtës u shndërrua si qendër e një
garnizoni ushtarak romak.
Shpëtuan nga rrënimi për dy-tre shekuj pak
qytete që përfituan nga politika e diferencuar që
zbatuan në fillim autoritetet pushtuese romake. Kjo politikë
mbështetej në qëndrimin proromak të disa
qyteteve gjatë periudhës së luftërave
iliro-romake dhe ndikohej nga fakti se romakët për
një farë kohe nuk qenë në gjendje të
qeverisnin drejtpërdrejt të gjitha krahinat bashkë
me të gjitha qytetet e pushtuara. Në krye të
këtyre qyteteve ishte ai i Apolonisë, ku u ruajtën
krahas autonomisë së brendshme edhe traditat kulturore-artistike
helenistike, gjuha greke dhe punishtja monetare, ku priteshin
monedha deri në fillim të shek. III të erës
sonë. Statusin e vjetër dhe një autonomi të
brendshme ruajtën edhe qytetet Amantia e Foinike.
Një impuls të ri në zhvillimin e tyre ekonomik
e kulturor patën në të gjithë Ilirinë
qytetet që morën statusin e kolonisë dhe të
municipit. Në Ilirinë e Jugut koloni romake u bënë
Skodra, Dyrrahu, Bylisi dhe Buthroti, kurse në Ilirinë
e Veriut dhe të brendshme si koloni të rëndësishme
qenë Narona, Salona, Jader, Epidauri dhe Skupi. Të
dhënat që kemi për këto koloni tregojnë
se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë
së tyre përbëhej nga italikë të ardhur
aty, nga veteranë të legjioneve romake dhe banorë
me prejardhje nga Lindja. Kjo popullsi, pavarësisht nga
përbërja etnike, kishte të drejtën e qytetarisë
romake dhe formonte shtresën më të pasur të
qyteteve. Në duart e saj ishin përqendruar postet
më të rëndësishme administrative. Mbajtja
e tyre, që konsiderohej detyrë nderi, ishte e lidhur
edhe me detyrime në fushën e ndërtimeve, të
zbukurimit të qyteteve etj. Përfaqësuesit e
shtresës së pasur, kalorët, financonin shfaqje
teatrale, garat sportive dhe luftërat e përgjakshme
të gladiatorëve. Të hollat për të
gjitha këto nxirreshin nga puna e skllevërve dhe
e masës së gjerë të popullsisë së
varfër.
Në përbërjen e shtresave të larta ka pasur
edhe ilirë të pasur, përfaqësues të
shtresës skllavopronare ose të parisë së
vjetër fisnore, të cilët kishin marrë
qytetarinë romake. Në një situatë të
tillë, paria provinciale ilire, si një shtresë
e privilegjuar, e cila më të shumtën i përkiste
shtresës së kalorëve dhe prej nga dilnin edhe
komandatë ushtarakë, u bë një përkrahëse
e shtetit romak, sepse ajo shihte te pushteti i fortë
perandorak mbrojtësin e interesave të saj.
Shtresat e tjera të popullsisë së lirë,
me të drejta qytetare, përbëheshin nga pronarët
e vegjël të tokave, zejtarët e tregtarët.
Banorët vendës që në to kanë qenë
të paktë, sepse qenë dëbuar që në
fillim, madje edhe nga zonat periferike bujqësore, nuk
kishin të drejta politike dhe kryenin punë të
rënda si punëtorë krahu, druvarë, barinj
etj.
Kolonitë, bashkë me municipet, kanë qenë
baza ekonomike të Romës dhe njëkohësisht
bërthama përçuese të politikës
së asimilimit të popullsisë ilire. Veprimtaria
ekonomike e kulturore e tyre ka qenë e lidhur ngushtë
me Romën e modelet romake dhe gjuha zyrtare e tyre ka
qenë gjuha latine.
Institucionet municipale ishin të njëjta në
të gjitha qytetet-koloni të Ilirisë dhe ishin
organizuar sipas shembullit të Romës. Organ drejtues
ka qenë këshilli i qytetit ordo decuriorum, i cili
vendoste për çështjet më me rëndësi.
Pushteti ekzekutiv ushtrohej nga një kolegj prej dy magjistratësh
të lartë, të zgjedhur për 5 vjet, duumviri
quinquennales. Funksionarë të tjerë të
qytetit ishin edilet (aediles), të cilët kujdeseshin
për ndërtimet publike e furnizimin e popullsisë,
kuestorët (questores), që kishin nën kontrollin
e tyre arkën e shtetit. Në administrimin e qytetit
një detyrë e lartë ka qenë detyra e mbrojtësit
ose e patronit të kolonisë (patronus coloniae),
i cili ishte i ngarkuar nga perandori për të mbrojtur
interesat e saj.
Në krahinat ilire, përveç qyteteve-koloni
në shekujt e parë të erës sonë një
rol të rëndësishëm kanë luajtur disa
qendërbanime të vogla të quajtura municipe,
të cilat kanë pasur një vetëqeverisje
më të kufizuar. Municipet zotëronin gjithashtu
prona tokësore në periferinë e afërt;
zejtaria e tregtia nuk kanë qenë aq të zhvilluara
dhe në përgjithësi në këto qendërbanime
nuk ka pasur institucione, që ishin karakteristike për
kolonitë. Municipe ka pasur edhe në viset e brendshme,
disa prej të cilave kanë qenë lidhur me minierat.
Një municip i tillë ka qenë Ulpiana në
Dardani (afër Prishtinës), e ngritur në fillim
të shek. II të erës sonë pranë një
qendre minerare, që u bë shpejt qendra kryesore
e krahinës. Në municipet e zonave të brendshme
popullsia ishte thuajse tërësisht vendase, në
to puna e skllevërve ka qenë përdorur fare
pak, për të mos thënë aspak, kurse banorët
ilirë në pjesën më të madhe të
tyre kanë qenë marrë me bujqësi e blegtori.
Në këto qendërbanime u ruajtën më
të forta traditat e lashta vendëse dhe politika
asimiluese e shtetit romak gjeti një kundërshtim
e një qëndresë më të madhe se në
rajonet bregdetare.
Burimet e shkruara antike tregojnë për ekzistencën
në Iliri të disa qendërbanimeve të vogla
të fortifikuara, të cilat i quajnë castella
ose oppida (kështjella apo qyteza), banorët e të
cilave nuk kishin të drejtën e qytetarisë romake.
Këto kështjella e qyteza ilire ishin edhe qendra
të njësive krahinore të brendshme civitates-ve,
ku qenë vendosur paria vendase dhe autoritetet provinciale
të perandorisë që zbatonin politikën sunduese
të saj.
Zejtaria, tregtia dhe komunikacioni
Zhvillimi i mëtejshëm i qyteteve dhe lulëzimi
i jetës qytetare në shekujt e parë të
erës sonë në provincat ilire ka qenë i
lidhur ngushtë me zhvillimin që morën degët
e ndryshme të ekonomisë, zejtaria, tregtia dhe bashkë
me ta rrjeti i komunikacionit. Me gjithë ngritjen që
pati në dy shekujt e parë të perandorisë
provinca e Maqedonisë, ku qenë përfshirë
edhe Iliria e Jugut dhe Epiri, këto nuk arritën
gjendjen që kishin pasur në kohën kur qenë
të pavarura. Ndryshe prej tyre, në krahinat e brendshme
e të veriut, në Dalmati, Panoni, Dardani etj., vendosja
e mënyrës antike (romake) të prodhimit u pasua
nga një zhvillim ekonomik më i lartë se ai
që kishin pasur më parë.
Në këtë periudhë u zhvilluan në Iliri
ato degë të zejtarive, prodhimet e të cilave
ishin të destinuara për të plotësuar kërkesat
e një rrethi të gjerë konsumatorësh, në
radhë të parë të vendasve. Në këtë
kategori hynin veglat e punës, orenditë shtëpiake,
enët prej balte, qelqi dhe stolitë. Zhvillimi i
metalurgjisë dhe i disa zejeve të rëndësishme
u pasua me futjen në përdorim të një sërë
veglash të reja pune, të cilat e shtuan edhe më
tej prodhimin. Njëkohësisht vërehet edhe krijimi,
sidomos në qytetet e mëdha, të punishteve,
të cilat i zotëronin skllavopronarë të
njohur italikë, sikurse është rasti i kandilave
prej balte të pjekur të prodhuar në Bylis nga
firmat e njohura FORTIS e FELIX të Italisë së
Veriut, të cilat ishin llogaritur gjithashtu për
tregun vendës. Nga fundi i shek. I dhe sidomos në
shek. II të e. sonë bëhet i zakonshëm
edhe në provincat prodhimi i kandilave me firmë,
me kallëpe të sjella nga Italia. Në qytetet
e mëdha ku zejtaria ka qenë më e zhvilluar
zejtarët ishin të bashkuar sipas zejeve në
shoqata (collegia). Disa mbishkrime të zbuluara përmendin
kolegjet e zejtarëve që punonin hekurin, gurin e
drurin. Shumë qytete të Ilirisë kanë qenë
të njohura për prodhimin e tullave e të tjegullave,
të armëve, të tekstileve etj.
Një nga degët e ekonomisë që mori një
zhvillim të madh në krahinat ilire në shek.
I-III të erës sonë dhe për të cilën
pushtuesit treguan një zell të madh ka qenë
shfrytëzimi i minierave. Pas pushtimit të Ilirisë
edhe minierat e arit, të argjendit, të bakrit e
të hekurit të Dalmatisë, të Dardanisë
e të viseve të pirustëve u bënë prona
të shtetit romak dhe patën një rëndësi
të madhe për perandorinë. Shfrytëzimin
e minierave perandorake ose e bënte vetë shteti
ose ua jepte sipërmarrësve të vegjël romakë.
Në minierat punonin, në kushte të këqija,
skllevërit dhe banorët e lirë vendës.
Minierat e provincave ilire filluan të shfrytëzoheshin
në mënyrë intensive në shek. II e.sonë.
Flori, historian i shek. I-II të e.sonë, tregon
se pas kryengritjes së viteve 6-9 romakët i shtrënguan
dalmatët të gërmojnë tokën
dhe të nxjerrin prej saj arin. Më vonë
minatorët dalmatë e pirustët u dërguan
me forcë për të punuar në minierat e provincës
së Dakisë.
Një rol jo të vogël në jetën e krahinave
ilire ka luajtur edhe tregtia. Më e zhvilluar ishte tregtia
që bënin qytetet si qendra të prodhimit zejtar
me periferinë e tyre bujqësore dhe me viset e brendshme,
në të cilën merrnin pjesë gjerësisht
shtresat e gjera të popullsisë vendëse. Një
zhvillim të madh mori gjithashtu tregtia tranzite dhe
ajo që bëhej në Gadishullin Italik e në
provincat mesdhetare të perandorisë, që ishte
në duart e shtresës së tregtarëve negotiatores,
të cilët u dukën në viset ilire që
në gjysmën e dytë të shek. I p.e.sonë.
Nga tregtia përfituan ato krahina që ishin në
afërsi të qendrave të mëdha tregtare ose
të përshkuara nga rrugët e mëdha të
komunikacionit. Qendra të rëndësishme tregtare
të kësaj kohe qenë Dyrrahu, Salona, Jader etj.,
në skelat e të cilave shkarkoheshin mallra të
ndryshme që drejtoheshin nga perëndimi në lindje
dhe anasjelltas. Sipas një burimi të shkruar, nga
krahinat dardane eksportohej djathë, kurse Dalmatia,
përveç djathit, eksportonte lëndë druri
të përshtatshme për ndërtime dhe hekur.
Qytetet dhe qendërbanimet e rëndësishme të
provincave ilire të kësaj kohe kanë qenë
lidhur me rrugë. Shteti romak, fill pas pushtimit të
tyre, nisi ndërtimin e rrugëve të reja dhe
rregullimin e rrugëve të vjetra. Një rrugë
e njohur dhe e rrahur ka qenë rruga Egnacia (e ndërtuar
fill pas formimit të provincës së Maqedonisë
(mesi i shek. II p.e.sonë), mbi rrugën më të
vjetër të Kandavisë), e cila duke u nisur nga
Dyrrahu e Apolonia dhe duke kaluar nëpër Thesalonik
arrinte në Bizant (Kostandinopojën e mëvonshme),
pasi kishte përshkuar një pjesë të mirë
të krahinave jugore të Ballkanit. Sipas Strabonit,
rruga Egnacia ka qenë e gjatë 553 milje, afërsisht
830 km. Ajo ishte rruga më e shkurtër dhe më
e sigurt midis Italisë së Jugut, Greqisë Veriore,
Maqedonisë e Azisë së Vogël. Një
rrugë e rëndësishme transballkanike ka qenë
edhe ajo që nisej nga bregdeti jugor i Adriatikut, kalonte
nëpër Lis, kapërcente Drinin dhe dilte në
Dardani duke arritur në Nais. Në Nais ajo lidhej
me rrugën që vinte nga Veriu (Danubi), nga Singiduni
e Viminaci dhe që mbaronte në Thesalonik. Rrugë
të tjera të dorës së parë kalonin
gjatë bregdetit për në veri dhe për në
jug. Të dhëna më të plota për këto
rrugë gjenden në itineraret (lista rrugësh
e harta grafike, të hartuara që në fillim të
shek. III e.sonë), që janë një burim i
çmueshëm për rrugët e lashta, ku jepen
edhe emrat e vendbanimeve dhe situata gjeografike. Mjetet
e nevojshme për ndërtimin e rrugëve dhe krahët
e punës romakët i nxirrnin nga popullsia vendase.
Gjatë këtyre udhëve ka pasur vende për
këmbimin e kuajve (mutatio) dhe stacione të posaçme
me bujtina (mansio).
Organizimi administrativ i Ilirisë
Në fund të shek. I.p.e.sonë u krijua provinca
e Ilirikut (Illyricum), ku qenë përfshirë krahinat
e Ilirisë Veriore. Provinca e Ilirikut përfshinte
një territor shumë të gjerë: në veri
arrinte deri në Danub, kurse në jug deri te lumi
Mat; në lindje provinca e Ilirikut shtrihej në qendër
të Ballkanit, duke përfshirë në përbërjen
e saj edhe territorin e Serbisë së sotme. Ndryshimet
që ekzistonin midis krahinave perëndimore bregdetare
dhe atyre të brendshme malore bënë të
nevojshëm krijimin në pjesën qendrore të
Ilirisë të një province tjetër. Provinca
e Mëzisë - me këtë emër u quajt provinca
e re - përfshinte edhe Dardaninë, e cila deri atëhere
kishte bërë pjesë në provincën e
Maqedonisë.
Kryengritjet dhe në përgjithësi kundërshtimi
që iu bë pushtimit në viset ilire, sidomos
në ato të provincës së Ilirikut e detyruan
shtetin romak të rishikojë marrëdhëniet
me provincat dhe të riorganizojë aparatin administrativ.
Pas kryengritjes së madhe të viteve 6-9 të
e.sonë provinca e Ilirikut u nda më dysh: në
jug u krijua provinca e Dalmatisë dhe në veri ajo
e Panonisë. Në etapën e fundit të organizimit
administrativ të provincave ilire, nga Perandoria e hershme
Romake (shek. II e.sonë), u krijua provinca e Epirit,
ku u futën krahinat ilire në jug të Vjosës,
i gjithë Epiri dhe Akarnania e Etolia, në jug të
tij.
Provincat e nënshtruara e të qetësuara në
një farë mënyre, ishin nën mbikëqyrjen
e senatit romak, kurse provincat që kishin rëndësi
strategjike, ku gjendja ishte e pasigurt dhe ku ishte e nevojshme
të mbaheshin reparte ushtarake, vareshin drejtpërdrejt
nga perandori. Në Iliri provinca perandorake ishin Panonia,
Dalmatia, Mëzia e Epiri, kurse Maqedonia ishte provincë
e varur nga senati.
Në krye të provincave qëndronin sundimtarë
të posaçëm, mëkëmbësit, të
cilët sipas rëndësisë së provincave
ishin të rangjeve të ndryshme. Në provincën
perandorake të Dalmatisë, mëkëmbësi
ishte në rangun e konsullit (legatus) (Augustipropraetore).
Provinca e Epirit hynte në grupin e provincave të
dorës së dytë dhe sundohej nga mëkëmbës
që vinin nga shtresa e kalorëve romakë. Në
krye të provincës së Maqedonisë kanë
qenë vënë senatorë në rangun e propretorit.
Mëkëmbësit emëroheshin në administrimin
e provincës për një vit, duke pasur edhe funksionin
e lartë gjyqësor dhe politikën fiskale. Në
provincat ku mbaheshin reparte ushtarake ata kishin në
dorë edhe pushtetin ushtarak. Mëkëmbësit
kanë qenë zotër të vërtetë të
provincave dhe kanë pasur një pushtet të pakufizuar.
Veprimtaria e mëkëmbësve në provincat
ka qenë jashtë çdo kontrolli, ata kishin
në duart e tyre jetën e banorëve të provincave
dhe shfrytëzonin postin e tyre për interesat vetjake,
duke shtuar pasurinë e tyre me anë të grabitjeve
sistematike. Në përgjithësi veprimet e mëkëmbësve
të provincave karakterizoheshin nga një arbitraritet
i theksuar. Shembull i abuzimeve dhe i plaçkitjeve
të sundimtarëve romakë, i shthurjes dhe i paligjshmërisë
së plotë në provincat, ishte bërë
provinca e Maqedonisë, gjatë sundimit të mëkëmbësit
romak Kalpurn Pizonit, në vitet 57-55 p.e.sonë.
Në një ligjëratë të mbajtur kundër
Pizonit, oratori i njohur romak Ciceroni, e ka përshkruar
gjendjen e krahinave ilire në provincën e Maqedonisë
të asaj kohe me këto fjalë: Dyrrahu e
Apolonia të shkatërruara... parthinët e bylinët
të gënjyer, Epiri krejt i shkatërruar ... të
gjithë kanë provuar se ti kishe ardhur vetëm
për ti vjedhur, plaçkitur, keqpërdorur
dhe trajtuar si armiq....
Në provincat ilire mëkëmbësit kishin mjaft
nëpunës ndihmës, midis tyre ishin kuestorët
që merreshin me financat, prokuratorët që drejtonin
degë të ndryshme të ekonomisë dhe legatët
që kryenin detyrat e tyre në ushtri dhe në
gjyqe. Një detyrë themelore e mëkëmbësve
dhe e ndihmësve të tyre ka qenë mbledhja e
taksave nga popullsia ilire. Shteti romak kishte përpunuar
një sistem të hollësishëm të nxjerrjes
së taksave dhe të detyrimeve të tjera në
popullsitë e viseve të pushtuara. Taksat kryesore
kanë qenë ato që paguheshin për tokën
dhe ato për frymë (tributum soli dhe tributum capiti).
Baza e sistemit fiskal romak ka qenë regjistrimi i pasurisë.
Me caktimin e taksave janë marrë prokuratorët,
të cilët i caktonin ato sipas të ardhurave,
sipërfaqes dhe cilësisë së tokës.
Këto taksa, në fillim i paguanin vetëm banorët
vendës, të cilët romakët i quanin peregrini
(të huaj). Më vonë taksat u shtrinë edhe
mbi qytetarët romakë të vendosur në provincat
ilire.
Përveç taksave të drejtpërdrejta, popullsia
vendëse ka qenë e shtrënguar të paguante
edhe taksa të tjera të tërthorta, që merreshin
pjesërisht në të holla e pjesërisht në
natyrë, si p.sh. taksën për ndërtimin
e rrugëve, për pyllin, për peshkimin dhe taksën
doganore. Taksa doganore apo e kufirit paguhej për disa
mallra të importuara që kalonin nëpër
rrugët tokësore lumore ose detare nga një njësi
administrative-doganore në tjetrën. Një njësi
doganore më vete përbënte Iliriku (portorium
Illyrici), në të cilën qenë përfshirë
provinca e Dalmatisë, e Panonisë, e Mëzisë,
e Norikut dhe më vonë provinca e Dakisë. Nga
banorët e provincave ilire nxirreshin shuma të mëdha
në të holla për mbajtjen e administratës
romake dhe të reparteve ushtarake të dislokuara
në to. Të gjitha taksat e abuzimet e nëpunësve
romakë rëndonin thuajse tërësisht mbi
popullsinë e thjeshtë. Përfaqësuesit e
pushtetit perandorak, legatët, prokuratorët, fajdexhinjtë
e tregtarët italikë i shihnin provincat si objekt
grabitjeje. Një nga provincat që u shkatërrua
shpejt nga veprimtaria grabitqare e sundimtarëve romakë
ka qenë provinca e Maqedonisë. Pasiguria e krijuar
në këtë provincë, kundërshtimet dhe
kryengritjet e banorëve të saj kundër qeveritarëve
romakë, bënë që më vonë ajo
të kthehej nga një provincë e administruar
nga senati në një provincë perandorake.
Grabitjet dhe barra e rëndë e taksave kanë
qenë më të theksuara në krahinat bregdetare
dhe në ato të përshkuara nga rrugët e
mëdha të komunikacioneve, ku kishte gjithfarë
nëpunësish romakë. Në viset e brendshme
dhe në krahinat malore të provincave ilire, pushtuesit
romakë nuk mund të vendosnin marrëdhënie
të tilla vartësie as edhe të nënshtronin
plotësisht banorët vendës ndaj autoriteteve
shfrytëzuese të perandorisë. Shumë krahina
e bashkësi territoriale ruajtën për një
kohë të gjatë një vetadministrim të
brendshëm. Këto bashkësi, të quajtura
civitates, ishin të përbëra nga qendërbanime
të vogla e fshatra që kishin përreth tyre një
territor bujqësor të gjerë, që shtrihej
në kufijtë e vjetër të popullsive ilire
dhe që ishte pjesërisht tokë private dhe pjesërisht
pronë e përbashkët. Në krye të civitates-ve
ka pasur një prefekt (praefectus civitatis) që zakonisht
zgjidhej midis ushtarakëve të reparteve të
afërta. Në këto bashkësi prefektët
ushtronin autoritetin e tyre në emër të shtetit
romak, pa pëlqimin e të cilit nuk mund të merrej
asnjë vendim. Më vonë oficerët romakë
u zëvendësuan nga përfaqësues të
parisë vendëse që kishin marrë qytetarinë
romake. Duke organizuar bashkësitë vendëse
sundimtarët romakë, mundën të siguronin
një farë kontrolli mbi popullsinë vendëse
dhe ta tërhiqnin atë në jetën e shtetit
romak. Në burimet mbishkrimore përfaqësuesit
e parisë ilire të vënë në krye të
bashkësive autonome, si p.sh. te dalmatët, japodët,
desidiatët e dokleatët, janë quajtur praepositi
(kryetarë). Pranë tyre ka pasur edhe një këshill
fisnor, i përbërë nga përfaqësues
të ndryshëm të parisë vendëse, principes,
që ishin gjithashtu njerëz të besuar të
Romës. Kjo shtresë e parisë ilire erdhi gjithnjë
duke u kufizuar; nga gjiri i saj kanë dalë më
vonë ata që bënë përpjekjet e fundit,
por pa rezultat, për të mëkëmbur perandorinë
e hershme romake dhe për të mbajtur gjallë
skllavopronarinë që ishte në shthurje e sipër.
Për të lehtësuar sundimin e tyre romakët
krijuan krahina të mëdha gjuhësore-administrative,
të quajtura kuvende (conventus provinciae). Në provincën
e Dalmatisë ka pasur tri kuvende. Në kuvende merrnin
pjesë përfaqësuesit e shtresave sunduese të
qyteteve dhe të parisë ilire të bashkësive
territoriale; midis tyre zgjidhej për një vit, kryetari
i kuvendit dhe prifti i kultit të perandorit.
2. ILIRIA NË PERIUDHËN E RËNIES SË
PERANDORISË ROMAKE
Historia e ilirëve gjatë shek. IV, V e VI e.
sonë, një periudhë që ka të bëjë
me krizën e sistemit antik të prodhimit dhe me rënien
e Perandorisë Romake, ndryshe nga ajo e tre shekujve
të parë të erës sonë ka mbetur më
pak e studiuar. Vëmendjen e studiuesve për këtë
periudhë e kanë tërhequr sulmet e barbarëve
dhe luftërat që Perandoria Romake dhe më pas
perandoria e hershme bizantine kanë bërë për
mbrojtjen e kufijve veriorë. Nuk ka munguar interesimi
i historiografisë së huaj edhe për perandorët
ilirë, të cilët bënë përpjekje
për tia zgjatur jetën Perandorisë Romake
dhe njëkohësisht rendit skllavopronar në rënie
e sipër.
Kjo është, në historinë e ilirëve,
një periudhë plot me ngjarje të rëndësishme,
në të cilën ndodhën invazione e dyndje
popujsh të ndryshëm, që u shoqëruan me
ndryshime në përbërjen etnike të popullsive
ballkanike. Shekujt IV-VI janë jo vetëm periudha
e përballimit me sukses të invazioneve barbare,
por edhe periudha e rigjallërimit të ilirëve
pas rënies së Perandorisë Romake, rigjallërim
që shfaqet në shumë aspekte të jetës
e të kulturës së tyre. Ndryshe nga ajo e veriut,
popullsia ilire e trevave jugore u qëndroi dyndjeve dhe
invazioneve barbare duke ruajtur fizionominë
e vet etnike. Kjo me të drejtë është njohur
si një premisë themelore historike e etnogjenezës
së popullit shqiptar, sepse në këtë trevë,
në mesjetën e hershme, u mbrujt kombësia shqiptare.
Kriza e sistemit antik të prodhimit dhe e Perandorisë
Romake
Duke filluar nga shek. III e. sonë, në Perandorinë
Romake mënyra antike e prodhimit i kishte shteruar mundësitë
e saj për një zhvillim të mëtejshëm
dhe filloi të shkonte drejt rënies. Skllavëria
nuk sillte të ardhura si më parë. Rendimenti
i skllevërve, që nuk kishin asnjë nxitje për
punë, bëhej gjithnjë e më i pakët,
kurse shfrytëzimi i tyre më pak i leverdisshëm
dhe skllevërit e tepërt ishin bërë një
barrë e rëndë për pronarët e tyre.
Marrëdhëniet e vjetra po bëheshin një
pengesë në rrugën e zhvillimit shoqëror.
Filloi kështu kriza e përgjithshme e sistemit antik
të prodhimit.
Në fushën e ekonomisë kriza u shfaq me rënien
e prodhimit, me varfërimin e masave të gjera të
popullsisë, dobësimin e lidhjeve tregtare midis
krahinave e provincave të ndryshme. Në shumë
qytete pati një ulje të nivelit të jetës,
çka është vërejtur edhe në zbulimet
arkeologjike. Me rënien e qendrave të mëdha
zejtare banorët e provincave nisin ti prodhojnë
në vend sendet për të cilat kishin nevojë,
por kësaj radhe për një rreth të ngushtë
konsumatorësh. Në gjendjen e krijuar duke filluar
nga shek. IV u rrit edhe më shumë roli i bujqësisë.
Ajo u bë dega vendimtare e prodhimit në gjithë
botën antike. Ekonomia e latifondeve, që ishte bazuar
në punën e skllavit nuk sillte më të ardhura
ndaj, ekonomia e vogël u bë përsëri e
vetmja formë e bujqësisë që sillte fitime.
Banorët e provincave mbetën gjithnjë nën
presionin e vazhdueshëm të taksave, prej të
cilave nëpunësit perandorakë kërkonin
të nxirrnin burime të ardhurash sa më të
mëdha. Burimet e shkruara antike përmendin Probin,
sundimtarin e Ilirikut, i cili që nga fundi i shek. III
e.sonë, duke mbledhur taksat në mënyrë
të padrejtë, i kishte dobësuar krahinat veriore
ilire, para se ato të shkatërroheshin nga barbarët.
Një shenjë tjetër e krizës ishte edhe
dobësimi i pushtetit qendror në perandori. Gjendja
e keqe e popullsisë qytetare e fshatare u bë shkak
për shpërthimin e kryengritjeve. Në kryengritjet
me skllevërit e kolonët u bashkuan si fshatarët
e varfër, dhe vegjëlia e qyteteve. Lufta e tyre
e tronditi thellë regjimin perandorak. Shpeshherë
perandorët e sundimtarët për të shtypur
kryengritjet e popullsive të provincave kërkonin
ndihmën e barbarëve. Kështu veproi perandori
Honor me gotët e udhëhequr nga Alariku: në
vitin 395 e. sonë kishin ngritur krye taulantët
dhe duke mos qenë në gjendje të shtypte kryengritjen
e shtetasve të tij, Perandori dërgoi kundër
ilirëve vizigotët që ishin futur asokohe në
Ballkan.
Në acarimin e krizës së përgjithshme të
sistemit antik të prodhimit një rol jo të vogël
kanë luajtur sulmet e barbarëve. Kufijtë
veriorë e verilindorë që nga shek. III e këtej
filluan të sulmoheshin gjithnjë e më shumë
nga fise të ndryshme barbare.
Një nga shfaqjet më të rënda të krizës
që ndikoi në dobësimin e perandorisë ka
qenë edhe prirja e qarqeve sunduese të provincave
për tu shkëputur nga pushteti qendror dhe
sidomos lufta për pushtet ose lufta midis senatit e ushtrisë,
midis perandorëve të senatit e perandorëve
të ushtrisë, bashkë me ta edhe ndryshimet e
shpeshta në fron. Mbështetja e vetme e sigurt e
pushtetit perandorak u bë ushtria. Në periudhën
e krizës dhe pas saj, pjesa më e madhe e ushtrisë
vinte kryesisht nga popullsia fshatare e provincave. Në
provincat periferike një vend të dorës së
parë zinin provincat ilire, sidomos ato veriore e lindore
ku ishin përqendruar njësi ushtarake të shumta
dhe ku prona e vogël e tokës kishte një peshë
të madhe. Ushtria, e cila vinte nga këto shtresa,
u bë mburoja e fundit e perandorisë dhe filloi të
luajë një rol vendimtar në ngjarjet politike
të kohës. Nga gjiri i saj u krijua një pari
e fortë provinciale e interesuar për ruajtjen e
skllavopronarisë dhe e gatshme për të luftuar
kundër skllevërve, kolonëve dhe shtresave popullore,
të cilat ngrinin krye herë pas here
Në vitin 212 e. sonë, i imponuar nga fillimet e
krizës dhe situata e krijuar si pasojë e saj, perandori
Karakalla shpalli ediktin e tij, me anë të të
cilit popullsive të provincave të konsideruara deri
atëhere të huaja iu dhanë të
drejtat e qytetarisë romake. Perandoria Romake e mori
këtë masë për të zgjeruar bazën
shoqërore mbi të cilën mbështetej pushteti
qendror dhe për rëndësinë që kishin
provincat e pasura të Gadishullit Ballkanik. Në
këtë mënyrë u thellua edhe më shumë
procesi i provincializmit dhe i barbarizmit
të Perandorisë Romake. Masat e marra nga perandorët
në shek. III dhe më vonë nuk mundën të
ndalonin krizën e përgjithshme dhe të ruanin
skllavopronarinë. Këtë nuk mundën ta bënin
as disa nga përfaqësuesit e shtresave sunduese provinciale,
të cilët arritën të bëhen edhe perandorë.
Në shekujt III-IV e. sonë, madje deri në shek.
IV në krye të Perandorisë Romake kanë
qenë disa perandorë me prejardhje ilire. Perandorë
ushtarë ilirë kanë qenë: Deci,
Klaudi II, Aureliani, Probi, Diokleciani dhe Konstandini.
Burimet e shkruara bashkëkohëse tregojnë se
këta perandorë, si përfaqësues të
qarqeve sunduese provinciale, në vija të përgjithshme
ndoqën një politikë, e cila synonte të
forconte pushtetin e perandorit, të ruante skllavopronarinë
dhe të shtypte lëvizjet kryengritëse. Ata forcuan
ushtrinë dhe me anën e saj u përpoqën
të mbronin kufijtë e perandorisë nga sulmet
e jashtme. Figura më kryesore midis perandorëve
ilirë ka qenë Diokleciani, një ilir nga qyteti
Dioklea (në provincën e Dalmatisë), që
sundoi në vitet 284-305. Diokleciani ndoqi të njëjtën
politikë si paraardhësit e tij, por ai bëri
edhe disa reforma administrative e ushtarake. Perandoria Romake
u nda në katër prefektura dhe 12 dioceza. Në
pjesën lindore të saj gjendej prefektura e Ilirikut,
e cila ndahej në tri dioceza e në disa provinca.
Tokat shqiptare që nga gjysma e parë e shek. IV,
qenë përfshirë në provincën e Prevalit
me qendër Shkodrën, ku bënin pjesë Dalmatia
e Jugut, Mali i Zi dhe Shqipëria Veriore, në provincën
e Dardanisë me qendër Skupin, ku hynin pothuaj të
tëra krahinat e Kosovës së sotme, në provincën
e Epirit të Ri me qendër Dyrrahun, që përmblidhte
krahinat e Shqipërisë Qendrore e Jugore deri te
lumi Vjosa dhe në provincën e Epirit të Vjetër,
me qendër Nikopolin, ku hynin tokat në jug të
Vjosës deri në gjirin e Prevezës.
Me reformat e tij ushtarake Diokleciani e rriti numrin e legjioneve
dhe formoi me ushtarë të zgjedhur njësi ushtarake
të lëvizshme, të cilat në kohë lufte
shoqëronin sundimtarët dhe në kohë paqeje
qëndronin si garnizone në qytetet e kështjellat
e provincave.
Duke filluar nga gjysma e dytë e shek. III, por në
mënyrë të veçantë gjatë shek.
IV në provincat ilire u bënë ndërtime
me karakter fortifikues dhe u hapën e u riparuan rrugë
të ndryshme. Në radhë të parë këto
punime u bënë në provincat veriore dhe shërbyen
për mbrojtjen e kufijve nga sulmet e barbarëve.
Por edhe në provincat e brendshme jugore, po për
qëllime ushtarake u rifortifikuan shumë qytete dhe
u ngritën kështjella të reja. Ndryshe nga ato
të veriut, përveç detyrës së mbrojtjes
së Perandorisë nga invazionet e barbarëve,
që mund të hynin në Gadishullin Ballkanik,
ato patën edhe një mision tjetër, shërbyen
për qëndrimin e garnizoneve dhe për të
përballuar kryengritjet e vendësve, të cilat
u shtuan në situatën e krijuar nga kriza e rendit
skllavopronar.
Reformat administrative e ushtarake dhe ndërtimet fortifikuese
të bëra nga Diokleciani e vonuan pak rënien
e Perandorisë Romake, por nuk mundën ta ndalonin.
Në këtë drejtim një rol jo të vogël
kanë luajtur provincat veriore e verilindore ilire, por
ndihmuan edhe rrethanat politike, sidomos lufta kundër
sulmeve të barbarëve në kufirin danubian. Kjo
luftë kishte një karakter të dyfishtë
për perandorët e komandantët ushtarakë
ilirë, ishte një luftë për mbrojtjen e
vendit të tyre, por edhe për mbrojtjen e Perandorisë
me të cilin ishin lidhur ngushtë interesat e tyre.
Në sajë të disa masave që mori paria e
re provinciale, duke përfshirë edhe atë ilire,
u bë e mundur të përballohej për një
farë kohe kriza e Perandorisë Romake. Por ato nuk
mundën ta shmangnin atë.
Tiparet e krizës në provincat ilire
Shthurja e sistemit antik të prodhimit, që përfshiu
gjithë perandorinë dhe që ishte arsyeja themelore
e krizës së saj, nuk pati kudo përpjesëtime
të njëjta. Në Lindje dhe në Ilirik, ku
prona private ishte zhvilluar më ngadalë, kjo krizë
nuk qe aq katastrofike sa në provincat perëndimore.
Pas shek. III e. sonë edhe në provincat ilire bujqësia
fitoi një rëndësi të madhe. Në fshatin
ilir, deri në fund të shek. IV e. sonë ka pasur
një rritje të prodhimit bujqësor. Sipas burimeve
të shkruara në Ilirik ka pasur fshatarë të
pasur që kishin skllevër, të cilët ishin,
kryesisht, robër lufte me origjinë gote. Në
provincat ilire, për një farë kohe u gjallëruan
edhe pronarët e mëdhenj të tokave, që
i shtuan pronat e tyre pas rënies së qyteteve. Por
latifondet qenë relativisht të pakta dhe të
kufizuara në ultësirat bregdetare.
Me gjithë gjendjen e keqe që u krijua në Perandorinë
Romake, në provincat ilire fshatarët e lirë
mbetën edhe për një farë kohe një
forcë e madhe. Për ruajtjen e popullsisë së
lirë fshatare dhe për ta mbrojtur atë nga shkatërrimi
prej borxheve, ishin të interesuar edhe perandorët,
të cilëve u duhej si rezervë për ushtrinë
dhe për taksat e ndryshme. Në zonat e brendshme
malore ilire kishte edhe bashkësi fshatare, pjesëtarët
e të cilave ishin zotërues tokash.
Zbulimet arkeologjike dëshmojnë për një
zhvillim të bujqësisë dhe të vendbanimeve
fshatare në Iliri në shek. III-IV. Veglat bujqësore
prej hekuri ishin të zakonshme dhe mbizotëruese
në inventaret e varreve të kësaj kohe, që
u takonin vendbanimeve fshatare kryesisht të vogla. Vendbanimet
fshatare u shtuan edhe në zonat e brendshme; disa prej
tyre qenë lidhur me minierat e ndryshme, të cilat
në kohën e krizës kishin kaluar në duart
e banorëve vendas.
Në pronat bujqësore të provincave ilire filloi
të shtohet numri i kolonëve, një dukuri që
njihej edhe më parë. Kolonët në fillim
kanë qenë qiramarrës të lirë dhe
vinin kryesisht nga radhët e fshatarëve të
rrënuar dhe të mbetur pa tokë. Kolonë
zunë të bëheshin edhe robërit e luftës.
Borxhet, që erdhën duke u shtuar i shkatërruan
kolonët, fillimisht të lirë, dhe i bënë
pjesë të pandarë të tokës. Në
përgjithësi gjendja e kolonëve edhe në
Ilirik ka qenë e keqe dhe nuk ndryshonte nga ajo e skllevërve.
Në kushte të tilla kolonët braktisnin shpesh
tokat dhe arratiseshin. Perandori Konstandin, me anë
të një dekreti, kishte shpallur se të gjithë
ata që fshihnin kolonët e ikur gjobiteshin, kurse
kolonët e arratisur duhej të ktheheshin me forcë
në vendbanimin e tyre. Ky ligj u përsërit disa
herë, por pa sukses. Në vitin 371 të e. sonë
u lëshua një urdhër i posaçëm për
kolonët e Ilirikut. Tani ligjet ndalonin shitjen e kolonëve
pa tokën, kështu që këta të fundit
u shndërruan në një shtresë shoqërore
që lidhej me tokën.
Të gjitha masat që mori perandoria në kohën
e krizës në fushën e marrëdhënieve
agrare kishin të bënin me politikën fiskale
të saj. Taksat që paguanin pronarët e tokave
caktoheshin jo vetëm sipas sipërfaqes së tokës
që ata kishin, por edhe nga numri i frymëve, i njerëzve
që punonin në to. Kolonët mbetën të
lidhur me tokën, ata ishin paraardhësit e bujkrobërve
të kohës së mesjetës.
Pas shek. III e. sonë kriza e tatëpjeta e përgjithshme
pati përfshirë edhe mjaft qytete të provincave
ilire, sidomos të atyre jugore, duke ndikuar në
rënien e jetës qytetare, ndonëse jo në
atë masë si në pjesën perëndimore
të perandorisë. Qytete të rëndësishme,
si Apolonia, Bylisi, Amantia, Foinike, Antigonea e ndonjë
tjetër që si koloni, municip apo qytet i lirë
i qenë përshtatur organizimit administrativ, me
fillimin e krizës së sistemit antik të prodhimit
e me rënien e ekonomisë morën tatëpjetën
për tu zhdukur më vonë bashkë me
ato qytete ilire që kishin filluar të binin që
në dy shekujt e parë të erës sonë.
Disa prej këtyre qendrave të vjetra qytetare nuk
mundën të qëndrojnë si të tilla edhe
pse u bënë qendra peshkopatash. Një dukuri
që nis të duket në shek. IV e. sonë ka
qenë ngritja e gjallërimi i disa qytezave të
lashta e të reja, të fortifikuara me nismën
e fuqinë e popullsisë vendase, roli ekonomik i të
cilave u rrit, i ndihmuar nga kriza ekonomike e politike e
perandorisë.
Në rrënimin e qyteteve ndikuan faktorë të
ndryshëm. Së pari, duhet theksuar rënia e pronës
së vogël e të mesme bujqësore të
lidhura me qytetin, të cilat kishin ruajtur deri vonë
tiparet e një ekonomie skllavopronare. Gjatë shek.
IV pronat tokësore të qyteteve u fortifikuan nga
perandorët dhe nga kleri kristian ose kaluan në
duart e pronarëve të mëdhenj. Pronat e mëdha
tokësore dhe fshatrat me bashkësi të lira luanin
asokohe një rol të rëndësishëm në
jetën ekonomike të perandorisë. Në këto
prona e fshatra u zhvillua edhe zejtaria, me të cilën
u morën në latifondet skllevërit e kolonët
dhe në fshatrat zejtarët e lirë. Pranë
tyre u zhvendosën një pjesë e popullsisë
së qyteteve dhe u krijuan tregjet. Qytetet humbën
edhe autonominë e privilegjet e vjetra duke kaluar nën
vartësinë e prokuratorëve, të cilët
ishin emëruar nga sundimtarët e provincave. Edhe
gjendja e shtresës së lartë qytetare ishte
keqësuar shumë. Kuritë që kishin zënë
vendin e dekurionëve të mëparshëm, të
cilët mbanin ofiqet administrative në qytetet, u
pakësuan. Ata jo vetëm që duhej të nxirrnin
nga qytetet detyrimet e taksat, por ishin të detyruar
të paguanin edhe vetë. Detyra e kurive u bë
një barrë e rëndë; nën shtrëngimin
e sundimtarëve, në disa qytete ajo u bë e trashëgueshme.
Kurialët që të shpëtonin nga detyrimet
e rënda largoheshin nga qytetet, duke ikur në fshat
ose duke u futur në ushtri. Në gjysmën e dytë
të shek. IV ndonjë perandor bëri përpjekje
për të rimëkëmbur kuritë qytetare,
por pa sukses. Rendi i kurive e kishte jetuar kohën e
tij. Qytetet mbetën në duart e nëpunësve
perandorakë, të cilët u pasuruan në sajë
të shpërdorimeve që bënin në kurriz
të shtresave të ulëta qytetare. Kjo gjendje
vazhdoi në ato qytete që përballuan krizën.
Në provincat jugore jeta qytetare nuk u shua; pati edhe
qytete, të cilat mbetën si qendërbanime të
rëndësishme, sidomos në ultësirën
bregdetare. Në një burim të shkruar, kur tregohet
për pushtimet e bëra nga Teodoriku në provincën
e Epirit të Ri thuhet: askush nuk do të duronte
që ai të mbante qytete kaq të mëdha.
Qyteti më i madh në trevën jugore ilire, i
cili jo vetëm ruajti fizionominë e tij, por nga
shekujt V e VI, sidomos në këtë të fundit,
pati një zhvillim e lulëzim të mëtejshëm,
ka qenë Dyrrahu. Ai ishte njëkohësisht edhe
kryeqendër e provincës dhe seli peshkopale. Një
funksion të tillë ka pasur edhe qyteti i Skodrës.
Mbetën si qendra qytetare, edhe pse për një
farë kohe u degraduan si kështjella me karakter
më tepër ushtarak, qytetet e qytezat e lashta të
Lisit, të Antipatresë, të Aulonit, të
Kaninës, të Adrianopolit, të Justinianopolit,
të Buthrotit etj. Në shekujt IV-VI pati edhe kështjella
ushtarake që u kthyen në qendra qytetare, sikurse
ndodhi me Skampinin.
Një tablo tjetër kemi në qytetet e provincave
veriore dhe të brendshme ilire, të cilat kishin
reparte ushtarake të shumta. Në disa qytete, si
në Salona, Naisi e ndonjë tjetër ka pasur një
ngritje të madhe të atyre degëve të zejtarisë
që lidheshin me ushtrinë. Për këtë
qëllim u zgjerua punimi i hekurit dhe punishtet për
përpunimin e tij. Në provincat ballkanike prodhohej
rreth 40% e armëve të ushtrisë romake. Qyteti
Nais i Dardanisë ishte njëri nga qytetet ku ndodheshin
punishtet e mëdha perandorake për prodhimin e armëve.
Nga provincat e Dalmatisë dhe të Dardanisë,
sipas një burimi të shkruar të kohës,
vazhdonin të tregtoheshin si mallra të kërkuara,
hekuri, druri dhe prodhimet blegtorale.
Por me gjithë zhvillimin që patën disa qytete,
gjendja që u krijua në përgjithësi në
qytetet e provincave ilire që kishin përballuar
krizën, qe e rëndë. Kjo bëri që perandorët
të merrnin disa masa për të shmangur rrënimin
e shtresave të ulëta e të mesme qytetare të
përbëra nga zejtarët, tregtarët, pronarët
e tokave, sepse ndryshe rrezikoheshin të ardhurat shtetërore.
Për këtë qëllim në qytetet e Ilirikut
u krijua institucioni për mbrojtjen e shtresave të
ulëta qytetare, i cili duhej të kishte pushtet në
çështjet policore, juridike dhe financiare. Por
këto masa nuk u zbatuan dhe gjendja e vështirë
e popullsisë së qyteteve të Ilirikut nuk u
përmirësua; nëpunësit perandorakë
vazhduan veprimet e tyre grabitëse, sepse më vonë
dolën dekrete të tjera që kishin të njëjtën
frymë. Ashtu si në pronat bujqësore e në
fshatrat, edhe në qytete u lëshuan urdhëresa
perandorake që të siguronin pagesën e rregullt
të taksave dhe furnizimin e ushtrisë me mallra e
prodhime të ndryshme. Në shek. IV të gjithë
zejtarët qenë shtrënguar të regjistroheshin
në kolegje nga të cilat as fëmijët e tyre
që trashëgonin zanatin nuk mund të largoheshin.
Por si skllevërit, kolonët e fshatarët e varfëruar,
edhe shtresat e ulëta qytetare nuk e duruan këtë
gjendje, ndaj ngritën krye, duke u bashkuar edhe me barbarët
që invadonin gjithnjë e më shpesh Gadishullin
Ballkanik.
Provincat ilire
Me ndarjen e Perandorisë Romake në fund të
shek. IV provincat ilire mbetën me perandorinë e
Lindjes, Bizantin. Edhe pasi u bënë pjesë e
Perandorisë Bizantine struktura ekonomiko-shoqërore
e provincave ilire nuk ndryshoi. I vetmi ndryshim ishte se
ato u bënë krahina periferike të perandorisë,
çka ndikoi më vonë në jetën e tyre.
Në Perandorinë Bizantine, ku bënin pjesë
krahina të pasura me qendra të mëdha zejtare
dhe ku ruheshin fshatarët e zejtarët e lirë,
kriza e skllavopronarisë nuk ishte ndjerë aq shumë.
Edhe pse nuk arriti të ndalonte dyndjet e barbarëve
në Ballkan, Perandoria Bizantine me burimet e saj ekonomike
mundi të përballonte gjendjen e krijuar gjatë
këtyre dyndjeve dhe të qëndronte si një
shtet i madh edhe një mijë vjet të tjera. Kurse
perandoria e Perëndimit nuk mundi të rezistojë
para sulmeve të barbarëve dhe në
vitin 476 ra në duart e gjermanikëve, të udhëhequr
nga Odoakri.
Në shek. V-VI provincat jugore e juglindore ilire si
Prevali, Dardania, Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër, pas
shkatërrimeve e dëmeve të shkaktuara nga invazionet
barbare u mëkëmbën, madje në shek. VI
patën një farë ngritjeje që u vu re në
shumë drejtime.
Bujqësia mbeti edhe në këta shekuj një
degë e rëndësishme e ekonomisë. Karakteri
i pronave bujqësore mbeti ai që kishte qenë
edhe më parë. Në disa vendime shtetërore
që i takojnë vitit 535 duket shumë qartë
gjendja e pronave bujqësore në Ilirik. Qëllimi
i këtyre vendimeve ishte ndalimi i përpjekjeve të
pronarëve të mëdhenj dhe i fajdexhinjve për
tu marrë fshatarëve borxhlinj tokat e bagëtitë.
Në pronat e mëdha bujqësore figura qendrore
ka qenë koloni. Në legjislacionin e asaj kohe flitet
për kolonë të lirë e kolonë të
varur. Të parët, krahas tokës që merrnin
nga pronarët, kishin edhe ngastra e vegla të tyre,
kurse të fundit ishin të lidhur pas tokës;
as vetë, as edhe fëmijët e tyre nuk mund të
largoheshin nga vendet ku ishin regjistruar. Më vonë,
midis kolonëve nuk kishte më asnjë ndryshim
çka u pasqyrua më pas edhe në legjislacion.
Edhe në shekujt V-VI në provincat ilire nuk qenë
zhdukur pronat e vogla tokësore; në viset malore
vazhdonin të ruheshin edhe bashkësitë e lira
fshatare. Si më parë, edhe tani shteti bizantin
duke ruajtur pronat e vogla fshatare dhe duke ndaluar rrënimin
e tyre, kërkonte të siguronte një prodhim sa
më të madh drithërash, të mblidhte taksat
dhe të rekrutonte ushtarë. Fshatarët ishin
të detyruar të kryenin edhe angari të shumta
në hapjen e rrugëve, në ndërtimin e urave
e të kështjellave. Për tu shkëputur
nga vështirësitë ekonomike, ngarkesat e shumta
me taksa, veprimet e padrejta e dhuna e nëpunësve
të financave dhe për të mos u kthyer në
kolonë, fshatarët kërkuan mbrojtjen e pronarëve
të mëdhenj me ndikim që ishin të interesuar
të kujdeseshin për ta (v. 468). Lindi kështu
patronazhi latifondar, i cili u përhap mjaft saqë
perandorët nxorën urdhra për ta ndaluar atë.
Rrënimi i fshatarësisë u bë më i
theksuar, veçanërisht në fund të shek.V
dhe në fillim të shek.VI, kur ajo u ngarkua me taksa
edhe më të rënda. Fshatarët e provincave
ilire qenë të detyruar tu paguanin pronarëve
të mëdhenj të tokave një taksë të
re në të holla, ndërsa shtetit në ar.
Të gjitha këto ndihmuan në ruajtjen në
këto provinca të marrëdhënieve mall-para,
por fshatarët qenë shtrënguar të shisnin
në treg prodhimet e tyre ose të merrnin hua nga
fajdexhinjtë. Duke mos qenë në gjendje për
të paguar me kohë borxhet ata duhet tu dorëzonin
atyre gjithçka zotëronin dhe pastaj të kërkonin
mjete jetese në qytetet ose të hynin në radhët
e ushtrisë. Në këtë mënyrë,
në ushtrinë e perandorisë së hershme bizantine
hynë shumë ilirë.
Për provincat jugore ilire të asaj kohe ka qenë
karakteristik zhvillimi i bujqësisë në qendërbanime
të vogla, të fortifikuara, të cilat, sikurse
tregojnë të dhënat e arkeologjisë, të
shek. V-VI, ishin bërë qendra të rëndësishme
ekonomike. Por në këta shekuj ekzistonte një
ndryshim midis provincave jugore e veriore; këto të
fundit i përballuan të parat goditjet e sulmeve
të barbarëve. Në provincat jugore
që nuk u prekën aq nga inkursionet e barbarëve
dhe qenë krahina pa trupa të rregullta ushtarake,
u ruajt në mënyrë më kompakte popullsia
e vjetër fshatare e qytetare. Burimet e shkruara tregojnë
se edhe në shek. V dardanët përbënin një
popullsi të madhe e kompakte, kurse nga burimet mbishkrimore
rezulton se në këtë provincë edhe në
shek. VI vazhdonin të ruheshin emra vetjakë e emra
fshatarësh ilirë.
Në provincat ilire edhe në shek. V e VI jeta qytetare
vazhdoi pa ndërprerje, megjithëse numri i qyteteve
ishte pakësuar edhe më shumë. Hierokli, në
udhërrëfyesin e tij të shek. VI përmend
në katër provincat jugore ilire, emrat e 27 qyteteve,
disa prej të cilave ishin edhe qendra peshkopale. Sidoqoftë,
me gjithë numrin e pakësuar të qyteteve dhe
krizën e skllavopronarisë, në shek. VI, në
Iliri kishte ende qytete relativisht të pasura ose qytete
që kishin ruajtur rëndësinë e tyre. Në
këtë kohë, pas shkatërrimeve të shekujve
paraardhës, ka qenë karakteristike një rigjallërim
i jetës në qytet dhe në fshat, dhe një
qëndrueshmëri në raportet mall-para.
Që nga fundi i shek.V dhe gati gjatë gjithë
shek. VI, kur ndodhi rilulëzimi i jetës qytetare,
numri i monedhave u shtua në mënyrë të
ndjeshme. Monedha të kësaj kohe, e sidomos monedhat
e perandorit Justinian, të perandorit Justin qarkullonin
gjerësisht; ato gjendeshin jo vetëm në qytetet,
por edhe në qendërbanime të fortifikuara e
të vogla e në zona të brendshme malore.
Në pjesën ballkanike të perandorisë së
Bizantit një qytet i madh ka qenë Dyrrahu. Në
Dyrrah vinin anije nga vende të ndryshme të Mesdheut,
kurse rrugët tokësore që niseshin nga ky qytet
nuk e kishin humbur rëndësinë e tyre. Këtu
ndodheshin punishtet dhe arsenalet që furnizonin me armë
e me mjete të tjera ushtrinë e flotën perandorake.
Qyteti, dy herë i dëmtuar nga tërmetet dhe
nga pushtimi i gotëve, ishte mëkëmbur dhe zbukuruar
me mure të reja. Perandori bizantin Anastasi (v. 491-518)
që ka qenë me origjinë nga ky qytet, e rrethoi
Dyrrahun me një kurorë trefishe muresh mbrojtëse
dhe ndërtoi aty një hipodrom të madh. Shkrimtari
i shek. VI, Prokopi nga Gaza, e përshkruan Dyrrahun si
një qytet të madh që zgjatet nga toka në
det, që ka me tepricë nga ato që mund të
prodhojë toka e deti.
Ndërtime me karakter fortifikues në provincat jugore
ilire janë bërë edhe pas sundimit të Anastasit.
Prokopi i Cezaresë, bashkëkohës i perandorit
Justinian ka shkruar se ky i fundit, për të mbrojtur
perandorinë e provincat e saj nga sulmet e mundshme të
barbarëve, ndërtoi e rindërtoi një varg
kështjellash. Vetëm në tri provincat ilire
jugore sipas listës së hartuar nga autori i mësipërm,
numri i qendërbanimeve të fortifikuara arrinte deri
në 168. Kërkimet arkeologjike kanë treguar
se në shek. V-VI në Iliri janë ndërtuar
një tok kështjellash, shumë prej të cilave
nuk përfshihen në listën e atyre kështjellave,
që sipas Prokopit të Cezaresë janë ndërtuar
e rindërtuar nga perandori Justinian. Përveç
qyteteve të rrethuara rishtas me mure, por shpeshherë
të kufizuar në sipërfaqe të vogla, vërehen
në këta dy shekuj përpjekje të vetë
popullsisë për të fortifikuar qendërbanime
të reja ose për tu kthyer në kështjellat
e vjetra. Sikurse është provuar nga të dhënat
arkeologjike, në këta shekuj vihet re një rritje
e rolit ekonomik të qytezave të reja të fortifikuara,
sidomos në ato krahina ku ishte dobësuar autoriteti
perandorak. Kjo bëri, sidomos në periudhën
parafeudale, që të rigjallërohet popullsia
vendëse dhe që krahinat e brendshme të fitojnë
një rëndësi të veçantë, e
cila do të shfaqet që nga shek. VII e më tej
në vendosjen e feudalizmit si sistem ekonomik.
Në shek. VI u krijuan kushtet jo vetëm për
ndërtime me karakter mbrojtës, por edhe për
ndërtime të tjera me karakter monumental. Kësaj
kohe i përkasin ndërtime të shumta të
kultit të krishterë në qytetin e Bylisit, Butrintit
si dhe në qendrat e tjera të vogla. Këto kanë
qenë monumentet e fundit të shoqërisë
antike.
Në shek. VI autoriteti perandorak ishte ende i fortë
në krahinat bregdetare dhe në qytetet. Qytetet e
provincave ilire nuk kishin më magistraturat municipale,
as edhe vetadministrimin e vjetër. Ato kishin rënë
në duart e funksionarëve perandorakë. Nga paria
e vjetër sunduese kishte mbetur një pakicë
e vogël e përbërë nga pronarët e
mëdhenj të tokave. Funksionarët shtetërorë
dhe të kishës i ruajtën të paprekura pozitat
sunduese. Nga radhët e kësaj shtrese qenë zgjedhur
edhe perandorët. I tillë ka qenë edhe Anastasi
që vinte nga gjiri i aristokracisë senatoriale të
Dyrrahut. Por edhe në këtë kohë ushtria
vazhdonte të luante një rol të rëndësishëm
në shtetin e Bizantit dhe prej asaj vazhduan si më
parë, të dilnin perandorët. Ushtarakë
ilirë, që kishin bërë karrierë në
ushtrinë bizantine qenë edhe perandori Justin I
(518-527) dhe ai Justinian (527-565). Sipas një burimi
të shkruar bizantin perandori Justin, fshatar me origjinë
nga Dardania, duke mos siguruar dot jetesën në vendlindjen
e tij kishte shkuar në Konstantinopol dhe kishte hyrë
në radhët e ushtrisë, ku arriti më pastaj
deri në postin më të lartë shtetëror.
Me kohë, në qarqet sunduese të provincave ilire,
si kudo në perandori, një rol të madh filloi
të luante kisha e krishterë e përfaqësuar
nga kleri i lartë, i cili për shërbimet kundrejt
perandorisë merrte si dhuratë toka e pasuri të
ndryshme. Në shek. VI kisha e krishterë ka pasur
prona të saj në provincat e Bizantit prej nga nxirrte
të ardhura të mëdha.
Shek. VI përbën përpjekjen e fundit të
rigjallërimit të antikitetit në Ballkan. Në
gjysmën e dytë të shek. VI dhe në gjysmën
e parë të shek.VII do të rifillojnë invazione
e dyndje të reja popujsh, të cilat do të sjellin
ndryshime në përbërjen etnike të gadishullit
dhe do të çojnë në rënien e plotë
të sistemit antik të prodhimit. Në Perandorinë
e Lindjes, në të cilën bënin pjesë
edhe provincat ilire, ku skllavopronaria ka qenë më
pak e zhvilluar, procesi i shthurjes së mënyrës
antike të prodhimit dhe vendosja e feudalizmit u bë
më me ngadalë.
3. KULTURA NË PROVINCAT ILIRE
Kultura në shekujt e parë të erës
sonë
Në shek. I të e.sonë, me pushtimin e plotë
të Ilirisë, nisi të përhapej edhe kultura
romake, duke u ndërthurur me kulturën vendëse
ilire dhe duke zhdukur pak nga pak edhe ndryshimet kulturore
që ekzistonin deri atëherë midis krahinave
ilire. Një rol të rëndësishëm në
përhapjen e kulturës romake në provincat ilire
ka luajtur aparati administrativo-ushtarak i pushtuesve romakë.
Vatra kryesore të përhapjes së kulturës
romake u bënë kolonitë e municipet, ato qytete,
të cilat si pasojë e organizimit të ri administrativ
u bënë qendra të rëndësishme ekonomike
dhe patën një jetë të gjallë kulturore-artistike.
Dukuritë më të shumta kulturore, të ndikuara
nga Roma, zunë vend, në masën më të
madhe, tek banorët e ardhur nga Italia ose nga provincat
e tjera dhe te përfaqësuesit e shtresës së
pasur vendëse.
Në provincat ilire, sikurse edhe në provincat e
tjera të perandorisë romake u zhvilluan arkitektura
zyrtare, skulptura - veçanërisht portreti, arti
i mozaikut dhe piktura murale.
Pushtuesit romakë për nevojat e tyre bënë
ndërtime të shumta, të cilat në disa raste
ndryshuan planet e vjetra urbanistike të qyteteve. Këto
ndryshime në planin urbanistik të qyteteve të
vjetra në provincat jugore ilire u bënë sepse
romakët nuk ngritën ndonjë qytet të ri.
Më qartë ato shihen në Buthrot e Apoloni. Në
njërën nga tarracat e mëdha, të formuara
në kodrën ku shtrihej qyteti i Apolonisë, në
pjesën perëndimore të saj, gërmimet kanë
nxjerë në dritë tepricat e një ansambli
godinash me karakter shoqëror të ngritura në
fillim të shek.II e.sonë. Këto ndërtime,
që i takojnë lagjes qendrore të qytetit, u
bënë mbi rrënojat e godinave më të
lashta ose duke i ndryshuar ato që i përkisnin gjithashtu
qendrës së qytetit para pushtimit romak.
Në ansamblin e godinave të kësaj pjese qendrore
të qytetit, bënin pjesë një teatër
i vogël i mbuluar (odeon), një bibliotekë dhe
një godinë me një fasadë monumentale,
e quajtur në literaturën arkeologjike, monumenti
i agonotetit, e cila ka shërbyer si seli e këshillit
të qytetit (buleteurion). Me interes është
këtu edhe mbishkrimi i skalitur në arkitekturën
e fasadës që tregon, jo vetëm se kush e kishte
ndërtuar këtë godinë monumentale, por
edhe se me rastin e inaugurimit të saj ishin organizuar
dyluftime midis 25 çifte gladiatorësh. Kjo supozon
se në atë kohë në Apoloni ekzistonte një
arenë amfiteatër i madh dhe se luftimet e gladiatorëve
ishin shfaqje të futura nga shtresa skllavopronare sunduese
e italike. Me kompleksin e godinave me karakter shoqëror
të mësipërme lidhej edhe një hark triumfi
me tri porta, i ngritur në mes të sheshit dhe një
rrugë magjistrale, e cila nga godina e këshillit
zbriste në drejtim të lagjeve të pjesës
perëndimore të qytetit, ku ndodheshin edhe banesat
e parisë skllavopronare apoloniate. Të gjitha këto
godina nga pikëpamja e planimetrisë dhe e teknikës
së ndërtimit nuk ndryshojnë nga ato bashkëkohëse
të ngritura në provinca të tjera ballkanike.
Një plan të ri urbanistik ka pasur, në shekujt
e parë të erës së sonë, edhe qyteti
i Buthrotit. Nuk ka të dhëna që të provojnë
nëse në fillim të erës sonë ndryshoi
plani urbanistik i qytetit të Dyrrahut. Megjithatë,
dihet se në këtë qytet, në shek. II, u
ndërtua një amfiteatër i madh, një pjesë
e të cilit është zbuluar.
Një zhvillim të mirë ka pasur në tre shekujt
e parë të e. sonë edhe arti plastik, skulptura.
Skulpturën e kësaj kohe e njohim në mënyrë
të veçantë nga zbulimet e bëra në
rrënojat e Apolonisë. Karakteristike për skulpturën
apoloniate të kësaj kohe është se një
pjesë e mirë e veprave skulpturore i mbetën
besnike traditave të artit klasik e helenistik ose riprodhojnë
vepra më të njohura të artit grek, kurse në
portretet shpesh janë zbatuar rregullat kompozicionale
dhe të skalitjes karakteristike për skulpturën
romake. Në vargun e gjatë të skulpturave apoloniate
të tre shekujve të parë të erës sonë
ka vepra origjinale, të denja për mjeshtra të
zotë e me përvojë të madhe, portrete të
stilit augustian e më të vona, si busti i Karakallës
e ndonjë tjetër, por ka edhe kopje të veprave
klasike, të cilat kanë një forcë të
madhe shprehëse, janë shumë të bukura
dhe dëshmojnë për një pjekuri artistike
të autorëve të tyre (portreti i Demostenit,
busti i Filozofit e ndonjë tjetër). Ndryshe ka ndodhur
në relievin sidomos atë mortor, ku nuk ndeshen më
kompozimet e bukura të stileve sepolkrale apoloniate
dhe në vend të tyre skaliten relieve me një
dekoracion uniform e monoton të marrë nga repertori
i stileve romake.
Në plastikën e vogël vendin kryesor e zënë
figurinat prej bronzi, të gjetura në qytete dhe
në lokalitete fshatare. Në këto figura bronzi
të vogla, të prodhuara më të shumtën
në seri, të cilat lidhen me hyjni ashtu edhe me
personazhe laike (aktorë, fëmijë, atletë
etj.), ka edhe modele me vlera artistike të vërteta.
Një përhapje të gjerë, gjatë periudhës
së pushtimit romak ka pasur edhe arti i mozaikut. Edhe
mozaikët dhe zhvillimi i tyre, ashtu sikurse veprat më
të bukura të arkitekturës dhe të skulpturës,
kanë qenë lidhur me shtresat e larta të provincave,
si të atyre të qyteteve, ashtu edhe të vendbanimeve
fshatare, të zotëruesve të vilave e latifondistëve.
Në këta mozaikë ku mbizotëron dekoracioni
gjeometrik ndeshen edhe elemente e skena të marra nga
mitologjia greke e tejlashtë (Akili e Pentesilea në
mozaikët e Apolonisë etj.).
Ndryshime të dukshme ndodhën edhe në kulturën
materiale e shpirtërore, veçanërisht në
qytetet dhe në periferitë e tyre. Krahas me futjen
në prodhim të një sërë veglash të
reja pune, gjatë shekujve të parë të pushtimit
romak hyjnë në përdorim edhe stoli të
reja, një pjesë prej të cilave lidheshin me
modele veshjesh të ardhura. Midis stolive vendin e parë
e zënë fibulat, funksioni i të cilave sigurohej
nëpërmjet një thumbi ku kapej gjilpëra,
duke u zënë vendin atyre fibulave ku mbyllja sigurohej
nëpërmjet një spiraleje, nga dilte gjilpëra.
Fibula të kësaj kohe të llojit të quajtur
Aucissa, me këmbë përthyer ose
të tipit pincete përhapen gjerësisht
në provincat jugore ilire.
Me forma e teknikë të re paraqitet në tre shekujt
e parë të erës sonë edhe qeramika, duke
përfshirë edhe qeramikën e ndërtimit.
Përveç punishteve të poçarisë
vendëse, që prodhojnë forma enësh të
zakonshme, edhe në provincat e tjera romake, një
përhapje të gjerë mori në dy shekujt e
parë (në drejtim më tepër si imitacion)
qeramika e quajtur terra sigillata. Në këtë
kohë zgjerohet më shumë edhe përdorimi
i enëve prej qelqi.
Në qytetet e në zonat fshatare deri në thellësi
hyjnë në përdorim tjegulla - solene e kaliptere
- të lakuara, tulla me trajta e përmasa të
ndryshuara, ndërsa në ndërtim hynë llaçi
e gëlqerja, të cilat sollën ndryshime në
teknikën e ndërtimit, në cilësinë
dhe në pamjen e godinave.
Ajo që bie në sy në gërmimet e zbulimet
arkeologjike është se këto ndryshime në
kulturën materiale sikurse shfaqjet e tjera të kulturës
së veçantë, i takojnë ultësirës
bregdetare, periferive të qyteteve dhe disa luginave
të përshkuara nga rrugë magjistrale. Në
këto krahina është vërejtur edhe prania
e kulteve të hyjnive romake dhe më rrallë edhe
të hyjnive me prejardhje lindore. Viset e brendshme ilire
u prekën shumë më pak nga ndikimet e kulturës
romake. Në përgjithësi në këto krahina
elementet e kulturës materiale e shpirtërore romake
janë të pakta, ndërsa ato vendase më të
shumta. Ky raport do të thellohet edhe më tepër
në shekujt që pasojnë, në kohën e
krizës së skllavopronarisë, kur elementet kulturore
vendase, tradicionale e të reja zënë një
vend gjithnjë e më të madh në jetën
e banorëve të provincave ilire.
Kultura në kohën e vonë antike (shek. IV-VI)
Gjendja ekonomike e politike që u krijua në provincat
ilire në shek. IV të e. sonë ndikoi edhe në
zhvillimin e kulturës, nxiti gjallërimin dhe vazhdimin
e traditave kulturore të lashta. Në shekujt që
pasuan, kultura materiale, bashkë me ndikimet bizantine
filloi të marrë tipare të qarta anase, mbi
bazën e të cilave do të formohet kultura e
hershme shqiptare. Ajo nuk pati atë zhvillim të
madh si më parë, por në këtë lindën
elemente të reja të rëndësishme (si në
kulturën materiale, dhe në marrëdhëniet
shoqërore), të cilat në mesjetë u zhvilluan
në mënyrë më të plotë.
Ndryshe nga periudha pararendëse, në provincat ilire
u zhvilluan më tepër ndërtimet me karakter
fortifikues ushtarak dhe ato me karakter fetar, të krishterë.
Në grupin e parë hynin kryesisht kështjellat
e reja dhe kështjellat e lashta të fortifikuara
për qëllime ushtarake, ndërtimi dhe rindërtimi
i të cilave pati filluar që në shekullin IV
dhe arriti kulmin në shek. VI në kohën e sundimit
të perandorit Justianian, i cili sikurse shkruan biografi
i tij, në dy provincat Epir i Ri dhe Epir i Vjetër,
ndërtoi dhe rindërtoi 94 kështjella.
Nga qytetet, në të cilat u bënë ndërtime
të mëdha e të rëndësishme që
prekën edhe sistemin e brendshëm urbanistik ka qenë
Dyrrahu. Këto ndërtime u bënë në
kohën e sundimit të perandorit bizantin Anastas,
që ishte me origjinë nga ky qytet. Nga këto
objekte, me të vërtetë monumentale, janë
ruajtur pjesë të sistemit fortifikues: muret rrethuese
trefishe të Dyrrahut të ngritura nga perandori Anastas,
të cilat llogaritet të kenë qenë 4 400
m të gjata, rreth 12 m të larta dhe 3,50 m të
gjera. Me interes është edhe rrjeti i kanalizimeve
që dëshmon gjithashtu për një qytet të
madh dhe mjeshtra të aftë.
Arkitektura e banesave, siç kanë treguar zbulimet
arkeologjike, nuk pati ndryshime të dukshme. Si në
planin, ashtu edhe në ndërtimin e saj u ruajtën
traditat e lashta.
Monumentet arkitektonike që lidhen me fenë e krishterë,
dhe që ishin karakteristike për antikitetin e vonë
kanë qenë bazilikat. Këto godina kulti janë
me interes për planimetrinë e tyre, plastikën
dekorative dhe për dyshemetë me mozaikë. Përsa
u përket planimetrive janë gjetur bazilika të
thjeshta me tri anijata (në Tepe të Elbasanit) dhe
bazilika të tipit trikonke (në Lin të Pogradecit).
Shpesh godinat e kultit paleokristian janë ngritur mbi
ndërtime më të lashta, duke ndryshuar planimetritë
e tyre (bazilika në Tiranë, pagëzimorja e Butrintit).
Rrënojat e një bazilike monumentale janë zbuluar
në qytetin e sotëm të Ballshit, që në
mesjetë u bë një qendërbanim i rëndësishëm
shqiptar (në burimet mesjetare është njohur
me emrin Kefalonia-Glavinica). Në këtë bazilikë
monumentale është vërtet e pasur dhe me vlerë
artistike plastika dekorative arkitektonike. Në plastikë
përveç kapiteleve, harqeve, arkitrave, spikasin
në mënyrë të veçantë disa
pilastra e panele të perdes ndarëse të altarit.
Si pilastrat, dhe panelet janë punuar në reliev,
kanë një trajtim të mirë artistik dhe
një dekoracion të pasur ku nuk mungojnë elementet
zbukuruese tradicionale vendase.
Midis monumenteve të skulpturës të kohës
së vonë antike dhe që nuk lidhen me kultet
fetare janë disa relieve mortore, të punuara nga
artistë vendas. Këto relieve nga mënyra e trajtimit
artistik, kompozimit, frymëzimit, modelimit e nga paraqitja
e figurave dhe veshja e tyre, përbëjnë një
tërësi që i veçon nga ato relieve sepulkrale
të zakonshme për tre shekujt e parë të
erës sonë. Ajo që i bën edhe më interesante
këto vepra artistike ilire (sepse u takojnë ilirëve),
është se ato janë gjetur jo në qendra
qytetare, por në lokalitete të brendshme, në
fshatra dhe se figurat që mbajnë paraqesin zakonisht
njerëz të punës, fshatarë e zejtarë.
Karakteristike për këtë kohë janë
edhe disa portrete tek të cilët nuk vërehet
as idealizmi i artit grek, as natyralizmi i skulpturës
romake; portretet pasqyrojnë qoftë edhe në
mënyrë të thjeshtë karakterin burrëror,
por edhe të rreptë të popullsisë ilire.
Karakteristike për periudhën e vonë antike
ka qenë lulëzimi i artit të mozaikut. Duke
filluar nga shek. IV e. sonë arti i mozaikut përhapet
edhe në viset e brendshme të provincave ilire, duke
u lidhur në fillim me qendërbanimet rurale, vilat
fshatare dhe më pas me godinat e kultit, bazilikat paleokristiane.
Në këta mozaikë janë të pranishme,
krahas elementeve të reja dekorative, edhe ato tradicionale
më të lashta. Kështu në dyshemetë
me mozaikë të godinave të kultit vërtet
mbizotërojnë figurat që përfytyrojnë
kafshë, shpendë e peshq tipike për artin masiv
paleokristian, por krahas tyre, në kornizat që rrethojnë
emblemat vërehen elemente dekorative gjeometrike, figura
rombesh, motivi i gërshetës, i rrathëve që
priten etj., që lidhen me një traditë të
lashtë. Mozaikët e kohës së vonë
antike, nga të cilët janë zbuluar mjaft në
këto vitet e fundit, tregojnë për një
lulëzim të këtij arti, sidomos në shek.V
e VI dhe për praninë e atelieve mozaikpunuese vendase.
Në antikitetin e vonë ndodhën ndryshime të
dukshme edhe në kulturën materiale. Zhvillimi i
bujqësisë u shoqërua me futjen në përdorim
dhe përsosjen e një sërë veglash bujqësore.
Shfrytëzimi intensiv i vendbanimeve me metale bëri
të nevojshëm shtimin e përmirësimin e
veglave të minatorëve. Shek. IV, sipas të dhënave
arkeologjike, me gjithë krizën e përgjithshme,
ka qenë periudhë e një gjallërimi të
zejtarive, të qyteteve të mëdha dhe të
qendrave të brendshme. Kjo vërehet në prodhimin
e stolive, ku vendin e parë e zënë fibulat,
të cilat edhe në këtë kohë vazhdojnë
të kenë një funksion praktik e estetik. Një
përhapje të gjerë kanë pasur fibulat e
gjoksit të tipit të quajtur me koka qepe dhe ato
me këmbë të përthyer, pararendëse
të fibulave të përdorura nga shqiptarët
në mesjetën e hershme.
Edhe qeramika masive (tullat e tjegullat), edhe qeramika e
përdorimit të përditshëm nuk ndryshon
shumë nga ajo e shekujve pararendës. Ndërsa
në elementet dekorative përdoret pikturimi me breza
ngjyrë kafe e të kuqe, trajtat e enëve thjeshtohen.
Gjithnjë e më shpesh enët prej balte të
pjekur zbukurohen me motivin e gropëzuar, çatalla
dhe vija rrethore ose të valëzuara të gërricura,
motive këto të traditës ilire.
Përsa i përket kulturës shpirtërore për
antikitetin e vonë kultet e besimit fetar të krishterë,
përhapen gjithnjë e më shumë në popullsinë
e provincave ilire. Feja e krishtere, e cila në fillim
lindi si një fe e shtresave të varfra, të cilat
mendonin të gjenin tek ajo rrugën e shpëtimit,
u përqafua më vonë edhe nga shtresat e pasura
dhe u bë fe zyrtare.
Qëndresa e ilirëve ndaj romanizimit
Gjatë gjithë periudhës së pushtimit, Perandoria
Romake, zbatoi në provincat ilire një politikë
asimilimi, ose, sikur është cilësuar ndryshe,
romanizimi. Për të realizuar këtë politikë
dhe për të forcuar pushtimin, shteti romak ka synuar
që në krye të tërhiqte dhe të bënte
për vete parinë vendëse. Për këtë,
që herët, kësaj shtrese iu dha e drejta e qytetarisë
romake dhe poste të ndryshme në administratën
provinciale. Edhe rekrutimi i të rinjve në ushtrinë
romake që Roma ka zbatuar gjerësisht në disa
provinca, si në Dalmati, Panoni e Dardani ndikonte në
këtë politikë të forcimit të sundimit
të saj në Iliri. Të rinjtë e rekrutuar,
që në fillim kryenin detyrimin ushtarak në
formacionet ndihmëse të ushtrisë romake (në
burimet e shkruara latine përmenden kohortat dalmate
e dardane dhe kalorët dalmatë). Shteti romak i largonte
nga vendlindja, i dërgonte në provincat veriore
dhe në ato të Afrikës. Në këtë
mënyrë, nga njëra anë, zëvendësoheshin
humbjet e ushtrisë gjatë luftërave pushtuese,
ndërsa, nga ana tjetër, dobësohej qëndresa
e popullsisë ilire.
Në tregjet e provincave ilire shiteshin asokohe prodhimet
e punishteve të mëdha italike e jashtitalike. Në
fushat e ndryshme të prodhimit, në metalurgji, në
zejtari dhe në bujqësi hynë në përdorim
një tok veglash të reja pune më të përsosura
e më praktike. Bashkë me to u përhapën
edhe stoli e objekte zbukurimi të reja. Përhapje
të gjerë ka pasur edhe qeramika romake e kuqe me
lustër, e quajtur terra sigillata, dhe në
të njëjtën kohë u bë uniformizimi
i shumë prodhimeve të qeramikës. Në përgjithësi
në provincat ilire, sidomos në shekujt I-II të
e.sonë, kishin hyrë elemente të kulturës
materiale e artistike romake, bashkë me to edhe disa
shfaqje të kulturës shpirtërore, që kishin
marrë karakter kozmopolit dhe ndesheshin edhe në
provincat e tjera.
Duke u nisur nga kjo pamje e përgjithshme që kanë
pasur provincat ilire në tre shekujt e parë të
erës sonë, disa dijetarë kanë shfaqur
mendimin se sikurse popujt e tjerë, dakët, galët,
iberët, edhe ilirët u romanizuan plotësisht.
Sipas tyre asimilimi nga ana e Romës u bë me
anë të gjuhës, të antroponomisë,
të fesë dhe të disa shfaqjeve shoqërore-politike.
Mirëpo, argumentet që sjellin dijetarët për
romanizimin në tërësi të ilirëve,
nuk arrijnë ta provojnë këtë. Duhet pasur
parasysh fakti se procesi i romanizimit, preku gjerësisht
shtresat e larta të popullsisë vendëse, të
cilat për shkak të pozitës së tyre të
privilegjuar ishin më të ekspozuara ndaj ndikimeve
romake, por jo masën e popullsisë ilire. Pastaj
ky proces nuk u zhvillua njëlloj në të gjitha
krahinat e fushat e jetës dhe ndikimet e tij kanë
ndryshuar nga njëra krahinë ose provincë në
tjetrën. Kështu p.sh. procesi i romanizimit mori
përmasa më të gjera në Ilirinë Veriore,
ku u zhvillua edhe dalmatishtja, një gjuhë romane,
e cila u zhduk përfundimisht në shek. XIX.
Një argument që përdoret për të provuar
romanizimin e ilirëve është përhapja e
gjuhës latine si gjuha zyrtare e kohës. Ka edhe
gjuhëtarë që i mbahen pikëpamjes se përdorimi
i gjerë i gjuhës latine në të shkruar
e në të folur, bëri që gjuha ilire të
zhduket. Dokumentet mbishkrimore të zbuluara në
provincat ilire tregojnë se gjuha latine ka qenë
gjuha e administratës dhe e kulturës dhe nuk ka
pasur në çdo kohë dhe kudo një përhapje
të gjerë. Në mënyrë shumë të
qartë kjo vërehet në provincat e Ilirisë
Jugore, ku numri i mbishkrimeve latine është shumë
i vogël dhe i kufizuar, madje edhe në kolonitë
romake dhe në periferinë e tyre të afërt.
Në shumë krahina të këtyre provincave,
sidomos në brendësi të vendit, nuk ka dëshmi
mbishkrimore të përhapjes së gjuhës latine.
Gjuha latine nuk mundi asnjëherë ti zinte
vendin gjuhës ilire si mjet shprehës në marrëdhëniet
shoqërore e familjare, madje as në qytetet ku ilirët
bashkëjetuan me banorët italikë të ardhur.
Hieronimi, një ilir nga Dalmatia dhe që ka jetuar
në shek. IV të e. sonë, shkruante se ilirët
në kohën e tij flisnin gjuhën e tyre, e cila
ndryshonte nga gjuha latine. Për më tepër,
vetë prania e gjuhës shqipe në trevat e Ilirisë
Jugore dëshmon qartë kundër romanizimit të
një pjese të madhe të popullsisë së
këtyre trevave.
Një fushë tjetër, ku del qartë gjithashtu,
qëndresa ilire, është onomastika, ruajtja e
emrave tradicionalë vendës, si tek njerëzit,
emrat e vendeve, lumenjve, maleve etj. Emra vetjakë ilirë
ka me shumicë në mbishkrimet latine të gjetura
në provincat e ndryshme ilire. Emra ilirë ka edhe
në monumentet mbishkrimore që u takojnë edhe
personave zyrtarë e ushtarakëve që kishin marrë
qytetarinë romake dhe ishin dërguar për të
kryer shërbimin ushtarak larg atdheut. Ilirët ruajtën,
bashkë me qendërbanimet, e tyre edhe emrat e lashtë.
Si të tilla mund të përmenden Skodra, Lisi,
Dyrrahu, Aulona, Skupi, Naisi etj. Të rralla kanë
qenë edhe midis qendërbanimeve të reja, që
u zhvilluan si qytete, ato që mbanin emra romakë.
U ruajtën, gjithashtu, edhe emrat e shumë lumenjve
e maleve, si Drilon (Drin), Mathis (Mat), Skardi (Sharr) e
shumë të tjerë, të cilët kanë
mbetur si të tillë deri në ditët tona.
Ilirët nuk i kishin humbur vetitë e tyre kulturore
e etnike dhe këtë e tregojnë riti i vjetër
i varrimit me vendosjen e trupit në varr dhe mënyra
e ndërtimit të varreve. Në monumentet skulpturore,
kryesisht në gurët e varreve, përveç
emrave ilirë, figurat e skalitura mbajnë edhe veshjen
popullore ilire. Studiuesve të këtyre monumenteve
u ka rënë në sy se shumica prej tyre, sidomos
relievet, janë punuar disi më ndryshe nga ato të
njohura si vepra të skulpturës romake. Ato ruajnë
disa tradita të artit helenistik, të gërshetuara
me një stil vendës, që është i ngjashëm
dhe rrjedh nga ai i gdhendjes së drurit.
Një fushë tjetër ku pushtuesit romakë
u ndeshën me traditat e lashta vendëse dhe ku hasën
qëndresë, ka qenë besimi, feja. Romakët
nëpërmjet kolonive e qytetarëve romakë
përhapën hyjnitë e panteonit të tyre.
Në të njëjtën kohë ata mundën
që të unifikonin disa hyjni të vjetra vendëse
me ato romake duke u dhënë edhe veshjen e jashtme,
emrin latin (interpretatio romana). Në këtë
mënyrë hyu i madh i parthinëve u barazua me
Jupiterin romak, por në mbishkrimet ai do të cilësohet
Jupiter Parthinus, sikurse hyjnesha e Kandavëve, kulti
i së cilës ishte shumë i përhapur; ajo
barazohej me Dianën e do të quhej Diana Candavensis
- (Diana e Kandavëve). Në Dalmati hyun e vjetër
ilir Vidas romakët e identifikuan me Silvanin e tyre,
mirëpo në relievet ai vazhdoi të paraqitej
me atributet e vjetra. Shumë nga kultet e vjetra ilire,
me gjithë interpretimin romak, edhe gjatë tre shekujve
të parë të e.sonë, vazhduan të zinin
një vend të rëndësishëm në jetën
shpirtërore të ilirëve.
Të nisur nga këto fakte e të dhëna të
tjera, dijetarë të ndryshëm e gjithnjë
më të shumtë e kundërshtojnë tezën
e romanizimit të ilirëve. Duke sjellë
argumente gjuhësore, arkeologjike e jashtarkeologjike
këta dijetarë kanë provuar se edhe pas futjes
nën sundimin romak, ilirët nuk u shfarosën
dhe as u asimiluan, por ruajtën elemente të shumta
të kulturës shpirtërore e materiale, u ruajtën
si një popullsi kompakte dhe e qëndrueshme, se kombësia
ilire i qëndroi romanizimit më mirë në
Ilirinë Jugore (pak a shumë tokat e banuara sot
nga shqiptarët) dhe se gjatë sundimit romak, me
përjashtim të disa qyteteve bregdetare, si Dyrrahu,
Apolonia etj. në tokat e brendshme populli duhet të
ketë folur ilirishten.
|
 |  |