 |  |
K R E U I I
SHTHURJA E BASHKËSISË PRIMITIVE
I L I R Ë T
(SHEK. XI - V P.E.SONË)
Burimet historike dëshmojnë se në epokën
e hekurit territori i Shqipërisë banohej nga ilirët,
një nga popullsitë e mëdha të Evropës
së atëhershme, që shtrihej në gjithë
pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik.
Rreth fundit të shekullit XII ose fillimit të shekullit
XI para erës sonë në territorin e tyre shfaqen
për të parën herë objekte prej hekuri.
Futja në përdorim e këtij materiali të
ri, që i dha emrin epokës shënon, edhe për
ilirët nismën e një periudhe të re historike.
Hekuri kishte cilësi të pakrahasueshme ndaj lëndëve
të para të njohura deri atëhere për përgatitjen
e veglave të punës dhe të armëve. Si i
tillë, ai çoi në rritjen e rendimentit në
sfera të ndryshme të ekonomisë, në zhvillimin
e mëtejshëm të këmbimit, në rritjen
e pasurisë shoqërore, në thellimin e diferencimit
shoqëror, në formimin e federatave fisnore si forma
të organizimit politik. Në tërë përmbajtjen
e vet kjo periudhë e historisë së ilirëve
karakterizohet, kështu, nga shthurja e plotë e organizimit
fisnor dhe nga përgatitja e kushteve për lindjen
e skllavopronarisë dhe të shteteve skllavopronare
ilire.
Ky proces nuk u krye njëlloj në të gjithë
territorin e gjerë ilir. Më shpejt përparuan
popullsitë që banonin në ultësirën
bregdetare dhe në luginat e pllajat me kushte më
të mira natyrore, ndërsa më ngadalë ecnin
fiset e zonave të thella e të varfra malore.
Njohuritë tona për këtë periudhë
mbështeten kryesisht në të dhënat arkeologjike,
por këtu vijnë në ndihmë për herë
të parë edhe burimet e shkruara historike, të
cilat u takojnë kryesisht ilirëve të Jugut.
1. ORIGJINA DHE TRUALLI HISTORIK I ILIRËVE
Teoritë rreth origjinës
Problemi i prejardhjes dhe i rrugës së formimit
të trungut etnik ilir me veçoritë e tij gjuhësore
e kulturore, ka përbërë një nga synimet
më kryesore të ilirologjisë. Rreth tij janë
shfaqur pikëpamje të ndryshme, të cilat ndriçojnë
në mënyrë të mjaftueshme gjithë këtë
proces të ndërlikuar etnogjenetik. Kërkimet
komplekse arkeologjike, gjuhësore dhe historike të
kohëve të fundit e kanë vendosur atë mbi
një bazë më të shëndoshë dhe
e kanë futur në një rrugë më të
drejtë zgjidhjeje.
Sado të ndryshme që mund të paraqiten nga forma
teoritë mbi prejardhjen e ilirëve, në përmbajtje
ato shprehin vetëm dy pikëpamje, njëra nga
të cilat i quan ilirët si të ardhur në
Gadishullin Ballkanik, ndërsa tjetra si popullsi autoktone
të formuar në truallin historik të Ilirisë.
Midis teorive që i quajnë ilirët të ardhur
në Gadishullin Ballkanik, ka mospërputhje si përsa
i takon vendit nga vijnë, ashtu edhe kohës së
ardhjes së tyre. Disa e lidhin përhapjen e tyre
me kulturën e Halshtatit, të tjerë me kulturën
e Fushave me Urna, apo me kulturën Luzhice. Sipas tyre,
në kapërcyell të mijëvjeçarit të
dytë p.e.sonë ilirët morën pjesë
në lëvizjet e popujve që njihen me emrin dyndja
dorike, egjeane apo panono-ballkanike dhe duke zbritur nga
Evropa Qendrore, në fillim të epokës së
hekurit, u ngulën në Gadishullin Ballkanik në
trojet e tyre historike.
Pikëpamje më e re është ajo që e
konsideron kulturën ilire si një dukuri të
formuar historikisht në vetë truallin ilir në
bazë të një procesi të gjatë dhe
të pandërprerë të saj gjatë gjithë
epokës së bronzit dhe fillimit të asaj të
hekurit.
Kjo tezë e zhvillimit të pandërprerë të
kulturës, që jep mundësi të flitet edhe
për një zhvillim të pandërprerë etnik,
gjen prova të shumta në territorin historik të
ilirëve, sidomos me zbulimet e bëra në truallin
e Shqipërisë në vendbanimin e Maliqit dhe në
varrezat tumulare të Pazhokut, të Vajzës, të
Matit etj., kurse jashtë vendit tonë në varrezat
tumulare të pllajës së Glasinacit (Bosnjë)
e gjetkë. Përballë këtyre zbulimeve bëhet
fare e paqëndrueshme teza që e lidh etnogjenezën
e ilirëve me kulturën e Halshtatit apo me bartësit
e kulturës së fushave me urna. Trualli i kësaj
kulture të fundit nuk mund të lidhet kurrsesi etnikisht
me ilirët. Duke krahasuar truallin e kulturës së
fushave me urna me atë të kulturës së
mirëfilltë ilire Mat-Glasinac në rajonin qendror
të Ilirisë, vihen re ndryshime thelbësore si
në kulturën materiale në qeramikë, në
objektet metalike etj., ashtu edhe në atë shpirtërore,
që ka një rëndësi të veçantë
në përcaktimin etnik të një popullsie.
Trualli i Panonisë ndjek mënyrën e varrimit
me djegie duke vendosur mbeturinat e saj në vazo të
veçanta (urna), ndërsa ai i Matit dhe i Glasinacit,
varrimin në tuma e kryesisht me vendosje kufome. Këto
ndryshime në kulturë i veçojnë panonët
edhe si një grup etnik më vete që dallohet
nga ai i ilirëve. Përveç kësaj të
dhënat arkeologjike kanë treguar se dyndjet panono-ballkanike,
dorike a egjeane nuk e përfshinë pjesën perëndimore
të Gadishullit Ballkanik dhe si pasojë nuk shpunë
në ndryshime dhe zhvendosje të theksuara të
ilirëve. Kjo shihet qartë sidomos në territorin
e vendit tonë, ku materialet arkeologjike të kësaj
kohe, flasin jo për ndërprerje në zhvillimin
autokton të kulturës, por për një vazhdimësi
të saj që nga epoka e hershme e bronzit, pavarësisht
se disa shfaqje të reja në prodhimin metalurgjik,
të shek. XI-IX p.e.sonë, mund të lidhen me
ndikimet kulturore të ardhura përmes dyndjeve nga
veriu. Ky zhvillim i pandërprerë kulturor në
vendin tonë shfaqet akoma më mirë në qeramikë,
e cila është një tregues i rëndësishëm
në përcaktimin etnik dhe kulturor të bartësve
të saj. Qeramika e kësaj kohe zhvillohet në
tërë truallin ilir mbi bazën e poçerisë
më të hershme të epokës së bronzit,
pa pasur ndonjë ndryshim në kohën e kalimit
nga epoka e bronzit në atë të hekurit, dhe
duke e ruajtur këtë traditë autoktone të
paktën deri në shek. VI p.e.sonë, kur historikisht
dihet se këto krahina banoheshin nga bashkësi të
qëndrueshme fisnore ilire.
Të gjitha këto të dhëna arkeologjike të
grumbulluara në pesëdhjetë vjetët e fundit,
në territorin e Shqipërisë së bashku tregojnë
se etnogjeneza ilire nuk duhet parë kurrsesi në
lidhje me ardhjen e një popullsie nga veriu i Ballkanit,
por si një proces historik shumë i gjatë dhe
i ndërlikuar autokton. Ky proces fillon shumë kohë
përpara këtyre dyndjeve (dorike, egjeane a panono-ballkanike)
dhe konkretisht me dyndjen e madhe të periudhës
kalimtare nga neoliti në epokën e bronzit, që
përfshin treva të gjera të Evropës dhe
të Azisë, duke sjellë me vete ndryshime të
dukshme etnike në Evropën neolitike.
Kjo dyndje e cilësuar indo-evropiane, që ndodhi
në kapërcyell të mijëvjeçarit të
tretë, u krye nga grupe të ndryshme popullsish baritore
të ardhura nga stepat e Lindjes. Është provuar
arkeologjikisht se ajo nuk u bë menjëherë,
por valë-valë dhe se krahinat perëndimore të
Ballkanit, midis tyre dhe territori i Shqipërisë
u prekën prej saj më vonë se sa ato lindore.
Gjatë kësaj dyndjeje grupe të ndryshme kulturore
të Evropës u zhdukën pa lënë gjurmë,
të tjera u përzien me popullsitë migratore,
të cilat u imponuan me këtë rast vendasve gjuhën,
kulturën, në një farë mase edhe zakonet
e veta. Kështu ndodhi, p.sh. me kulturat neolitike të
Vinçes, të Butmirit, të Lisiçi-Hvarit
në territorin e Jugosllavisë, të cilat qenë
zëvendësuar me kulturat e reja Kostalace, Vuçedole
etj.; e njëjta gjë ndodhi edhe me kulturën
neolitike të Maliqit, e cila qe zëvendësuar
nga një kulturë më e ulët e karakterizuar
me qeramikën e saj trashanike, që i atribuohet pikërisht
kësaj dyndjeje.
Në procesin e shtjellimit të këtyre ngjarjeve
dhe të përzierjeve etnike dhe kulturore të
popullsive neolitike vendase, paraindoevropiane ose sipas
disa studiuesve, indoevropiane të hershme, me ardhësit
e rinj indoevropianë të stepave u formua edhe baza
mbi të cilën nisën të zhvillohen në
kushte të veçanta edhe proceset etnogjenetike
të popullsive të vjetra historike të Ballkanit
Perëndimor, rrjedhimisht dhe procesi i formimit historik
të trungut etnik ilir me tipare të përbashkëta
kulturore, të dallueshme prej bashkësive të
tjera fqinje jo ilire. Në këtë proces, i cili
u zhvillua gjatë gjithë mijëvjeçarit
të dytë p.e.sonë, diferencimi dhe asimilimi
i popullsive, ashtu sikurse dhe lidhjet ekonomike e kulturore,
luajtën një rol të rëndësishëm.
Në qoftë se në periudhën e hershme të
epokës së bronzit, kultura e krahinave ballkano-perëndimore,
ishte shumë larg për ti dhënë asaj
karakter të përcaktuar ilir, të dallueshëm
prej atyre të territoreve të tjera, ky diferencim
i tipareve kulturore vjen e bëhet gjithnjë më
i theksuar në periudhën e mesme e sidomos në
atë të fundit të epokës së bronzit.
Në rrugën e këtij zhvillimi të brendshëm
krahinat jugore të kësaj treve ishin të kthyera
më tepër me fytyrë drejt jugut, nga bota e
përparuar e Egjeut, me të cilën qenë në
marrëdhënie të ngushta ekonomike e kulturore.
Veriu, përkundrazi, shfaq prirje drejt Evropës Qendrore,
por me lidhje më të dobëta me të. Këto
lidhje ndikuan sadopak në formimin dhe në diferencimin
në fund të bronzit e në fillim të hekurit
të dy grupeve të mëdha kulturore ilire, atij
jugor dhe verior.
Kështu duke zënë fill në kapërcyell
të epokës së bronzit, procesi i formimit të
etnosit ilir përshkon në mijëvjeçarin
e dytë rrugën e gjatë të diferencimit
nga masa e pasigurt etnike që u formua pas shkatërrimit
të botës neolitike dhe përfundon nga fundi
i këtij mijëvjeçari. Si e tillë, kjo
epokë krijon në pjesën perëndimore të
Ballkanit atë substrat etno-kulturor, mbi bazën
e të cilit formohet më vonë etnosi dhe kultura
ilire. Bartësit e këtij substrati mund të identifikohen
me atë popullsi parailire, që në burimet historike
njihet si pellazge.
Pavarësisht nga kjo hipotezë për parailirët,
thelbësor është fakti se në fund të
epokës së bronzit, në pjesën perëndimore
të Ballkanit ishte formuar një bashkësi e gjerë
kulturore dhe etnike, e cila në epokën e hekurit
në bazë të zhvillimit të brendshëm
ekonomiko-shoqëror, do të vazhdonte të zhvillonte
më tej kulturën e vet duke i dhënë asaj
një fytyrë gjithnjë më të përcaktuar
etnike. Kjo është dhe periudha e formimit të
plotë të bashkësisë së madhe ilire
dhe të grupeve të veçanta etnokulturore,
ashtu siç përmenden tek autorët më të
hershëm antikë.
Trualli historik i ilirëve
Sipas burimeve historike, nocioni ilir - Iliri, ka pasur
gjatë historisë së vet një kuptim disi
të ndryshëm gjeografiko-historik.
Me emrin ilir në fillim njiheshin vetëm krahinat
jugore të ilirëve. Këtu banonin sipas burimeve
më të vona letrare edhe ilirët e mirëfilltë,
siç i quan ata historiani romak, Plini Plak. Ky emër
u shtri gradualisht prej grekëve edhe në vise të
tjera të njohura më vonë prej tyre, popullsitë
e të cilave, pavarësisht nga veçoritë
e zhvillimit të tyre lokal, paraqitnin elemente të
një trungu të përbashkët etno-kulturor.
Në kohën e historianit grek Herodotit (shek. V p.e.sonë),
emri ilir shtrihej mbi një territor mjaft të gjerë,
i cili arrinte në lindje deri tek rrjedhja e lumit Moravë.
Një shekull më vonë, sipas Pseudo-Skylaksit,
ky emërtim do të përfshinte territore akoma
më të gjera në veriperëndim të Ballkanit.
Sipas tij ilirët shtriheshin përgjatë Adriatikut
duke filluar që nga liburnët në veri e deri
tek kufijtë e Kaonisë në jug. Përhapjen
më të madhe dhe përfundimtare të emrit
dhe të territorit ilir, na e jep Apiani i Aleksandrisë,
i cili duke përmbledhur gjithë sa ishte thënë
përpara tij mbi topografinë e ilirëve, shkruante:
grekërit quanin ilirë ata që banonin
mbi Maqedoninë dhe Trakinë, që nga kaonët
dhe thesprotët deri tek lumi Istër. Dhe kjo është
gjatësia e vendit, ndërsa gjerësia prej maqedonëve
dhe thrakëve malorë tek paionët deri në
Jon dhe në rrëzë të Alpeve.
Nga studimet më të reja të mbështetura
jo vetëm në burimet e shkruara historike, por edhe
në të dhënat arkeologjike si dhe në ato
gjuhësore, rezulton se trualli historik i ilirëve
përfshinte tërë pjesën perëndimore
të Gadishullit Ballkanik, që nga rrjedhja e lumenjve
Moravë e Vardar në lindje, e deri në brigjet
e Adriatikut e detit Jon në perëndim, që nga
lumi Savë në veri, e deri tek gjiri i Ambrakisë
në jug, pra deri në kufijtë e Helladës
së vjetër.
Burimet historike dhe ato arkeologjike e gjuhësore dëshmojnë
për praninë e ilirëve edhe jashtë trevës
historike të tyre. Grupe të tëra ilirësh,
midis tyre dhe mesapët dhe japigët u vendosën
në Itali gjatë bregut të Adriatikut dhe në
krahinat jugore të saj.
Në Azi të Vogël u shpërngulën grupe
popullsish dardane, paione, të cilat do të përmenden
edhe në eposin homerik si pjesëmarrës, përkrah
trojanëve në luftën e tyre kundër grekëve.
Prania e elementit etnik ilir është vërtetuar
arkeologjikisht nga burimet e shkruara edhe në rajonet
veriore të Maqedonisë e të Greqisë, si
në Akarnani e në Etoli. Të gjitha këto
lëvizje grupesh etnike ilire përtej trevës
historike të tyre ndodhën, siç mund të
provohet dhe arkeologjikisht, kryesisht gjatë dyndjes
së madhe panono-ballkanike, e cila siç dihet fillon
të vërshojë në drejtim të jugut që
në fund të shek. XIII-XII p.e.sonë. Meqenëse
fatet e tyre historike, në trojet e reja ku ato u vendosën,
janë thuajse krejt të ndara nga bota e mirëfilltë
ilire-ballkanike, këto grupe të emigruara nuk do
të përfshihen në shqyrtimin e mëtejshëm
të historisë ilire.
Topografia e fiseve më të rëndësishme
ilire
Në shekujt e parë të mijëvjeçarit
të fundit para erës sonë ishin formuar tanimë
bashkësitë fisnore ilire dhe në përgjithësi
ata kishin zënë vend në trojet e tyre historike.
Ndër fiset më të hershme ilire që luajtën
dhe një rol ku më shumë e ku më pak të
rëndësishëm në ngjarjet historike të
mëvonshme, për tu përmendur janë:
thesprotët, të cilët zinin ultësirën
bregdetare që nga gjiri i Ambrakisë e deri tek lumi
i Thiamit (Kalama), në veri të tyre vinin kaonët,
vendbanimet e të cilëve arrinin deri tek malet e
Llogarasë dhe gryka e lumit Drinos. Molosët banonin
në pllajën pjellore të Janinës. Gjatë
luginës së Vjosës në të majtë
banonin amantët, ndërsa në të djathtë
bylinët, kurse në rrjedhjen e sipërme të
Vjosës banonin parauejtë. Në lindje të
bylinëve shtrihej territori i atintanëve. Taulantët
shtriheshin në zonën bregdetare nga Vjosa e deri
tek lumi i Matit dhe në veri të tij, përgjatë
brigjeve të Adriatikut të Mesëm, fisi i ardianëve.
Në viset e Ballkanit Qendror dy ishin fiset më të
mëdha dhe më të rëndësishme ilire:
paionët në luginën e mesme të Vardarit,
dhe dardanët që banonin në rrafshin e Kosovës,
të cilët shtriheshin në veri në tokat
midis degëve jugore e perëndimore të Moravës
deri aty ku këto bashkohen për të formuar Moravën
e Madhe.
Midis fiseve të hershme të Ballkanit Veriperëndimor
ndër më të fuqishmit ishin liburnët, të
cilët banonin në bregdet dhe në ishujt deri
tek lumi Krka, në jug të tyre vinin dalmatët,
kurse në viset e Bosnjës së brendshme, autariatët.
Përveç këtyre fiseve, në territorin
e gjerë të Ilirisë do të shfaqen më
vonë, në rrethana krejt të reja historike e
politike, edhe një numër i madh bashkësish
të tjera ilire, midis të cilave edhe bashkësi
të tilla që do të kenë një peshë
të madhe në zhvillimin e ngjarjeve politike të
shtetit ilir, si enkelejtë, dasaretët etj.
Përhapja e fiseve më të rëndësishme
e të hershme ilire dëshmohet në burimet e autorëve
antikë, të cilat në mjaft raste janë,
megjithatë, të fragmentuara, madje dhe kontradiktore.
Rrjedhimisht në përcaktimin e topografisë së
fiseve ilire ka edhe raste të diskutueshme.
2. GJENDJA EKONOMIKO - SHOQËRORE E ILIRËVE
(SHEK. XI-V P.E.SONË)
Vendbanimet
Ilirët e kohës së hekurit jetonin në
fshatra dhe në vendbanime të fortifikuara. Të
parët nuk njihen dhe aq mirë për arsye se nuk
janë gjurmuar në mënyrë të mjaftueshme.
Në burimet e shkruara ato dokumentohen nga fundi i kësaj
periudhe, në fiset më jugore ilire, nëpërmjet
Pseudo-Skylaksit, i cili thotë se kaonët, thesprotët
dhe molosët banonin në fshatra. Ky njoftim i shkurtër,
që me sa duket i referohet një burimi më të
hershëm, nuk ndihmon shumë për të krijuar
një ide të qartë mbi karakterin e këtyre
vendbanimeve.
Me sa mund të gjykohet nga të dhënat arkeologjike,
vendbanimet fshatare ilire të kësaj kohe formoheshin
nga grupe shtëpish të grumbulluara sipas njësive
shoqërore që përfaqësonin, d.m.th. mbi
bazën e një familjeje të madhe patriarkale
ose të një grupi familjesh të tilla, që
i përkisnin një vëllazërie. Një mendim
të tillë e sugjerojnë, të paktën
për vendbanimet respektive të tyre, nekropolet tumulare
të Matit, të cilat përbëhen nga grupe
të vogla tumash, të vendosura në tarraca, në
luadhe e në toka buke gjatë luginës së
lumit. Po kjo gjë përsëritet në tumat
e Kukësit, ato të pellgut të Korçës,
të luginës së Drinos e gjetkë. Edhe vendbanimet
fshatare të gjurmuara në luginën e Vjosës
japin të njëjtën tablo. Në të gjitha
rastet ato paraqiten si vendbanime të vogla e të
shpërndara pranë tokave bujqësore.
Burimet e shek. V p.e.sonë dëshmojnë se vendbanimet
e hapura fshatare të këtij lloji kanë qenë
tipike jo vetëm për Ilirinë, por edhe për
krahinat fqinje të Maqedonisë në lindje dhe
të Akarnanisë e Etolisë në jug.
Gjatë kohës së hekurit vazhdojnë të
mbijetojnë edhe palafitet si vendbanime të trashëguara
nga epokat e mëparshme. Herodoti në Historitë
e tij përshkruan me shumë hollësi një
vendbanim të tillë buzë liqenit Prasaida të
Panonisë. Arkeologjikisht ato janë vërtetuar
gjithashtu në fshatin Knetë të Kukësit
dhe jashtë territorit shqiptar, në Donja-Dolina
e Ripaç të Bosnjës dhe në Otok afër
Sinjit në Dalmaci.
Krahas vendbanimeve fshatare të pambrojtura në kohën
e hekurit përhapen gjerësisht vendbanimet e fortifikuara
me mure. Të njohura që nga koha e bronzit të
vonë, ato evoluojnë dhe bëhen një nga
elementet më karakteristike për epokën e hekurit.
Në gjuhën e popullit këto vendbanime njihen
me emrat qytezë, kala ose gradina.
Për Ilirinë e Jugut janë karakteristike qytezat
apo kalatë e fortifikuara me mure gurësh. Ato janë
të ngritura mbi kodra të mbrojtura dhe me pozitë
mbizotëruese e horizont të gjerë shikimi. Kufijtë
e vendbanimit i përcaktonin muret rrethuese. Linja e
murit ndjek relievin e terrenit duke shfrytëzuar aftësitë
mbrojtëse të tij dhe ndërpritet aty ku mbrojtja
nuk është e nevojshme. Muret ndërtoheshin me
gurë të mëdhenj e mesatarë të palatuar,
formuar nga dy këmisha anësore dhe bërthama
e mesit që mbushej me gurë të vegjël.
Trashësia e tyre luhatet nga 3,10-3,50 m. Mungojnë
në këtë sistem të hershëm fortifikimi
kullat, kurse portat janë në përgjithësi
të vogla. Në ndonjë rast ato janë pajisur
me një korridor që ndihmonte mbrojtjen. Lartësia
e këtyre mureve, e ruajtur deri në ditët tona
arrin 2,50-3 m, por trashësia e tyre tregon se kanë
pasur një ngritje të madhe. Megjithatë duhet
menduar se mbi këtë nivel, fortifikimi do të
ketë qenë plotësuar me gardhe hunjsh.
Madhësitë e këtyre vendbanimeve ndryshojnë
nga një rast në tjetrin. Më të voglat
kanë një shtrirje prej 1-2 ha, kurse të tjera
si Gajtani arrinin deri 4-5 ha. Zgjerimet e mëvonshme
kanë bërë që brenda mureve rrethuese të
përfshihen sipërfaqe më të gjera, siç
është rasti i kalasë së Trajanit (Korçë),
i kalasë së Lleshanit (Elbasan), i kalasë së
Karosit (Himarë), që zënë 15-20 ha. Në
këto raste vendbanimet paraqiten me 2-3 e më shumë
radhë muresh.
Shumë të pakta janë dijet për ndërtimet
e brendshme të këtyre vendbanimeve. Gjurmët
e ruajtura në sipërfaqe dëshmojnë se për
ndërtimin e banesave është përdorur gjerësisht
sistemi i tarracave, që përcaktohej nga terreni
i thyer i faqeve të kodrave mbi të cilat shtriheshin
vendbanimet. Si lëndë për ndërtimin e
banesave është përdorur kryesisht druri e shumë
më pak guri.
Ndryshe nga territori i Ilirisë Jugore, në krahinat
lindore ilire ishin vendbanimet e mbrojtura me ledhe, të
njohura me emrin gradina. Ato ndeshen me shumicë
në tokat e banuara nga dardanët, si në rrafshin
e Glasinacit e gjetkë. I vetmi vendbanim i këtij
lloji në Shqipëri është ai i zbuluar në
Shuec të Bilishtit. Gradinat janë të vendosura
mbi kodra mbizotëruese. Ledhet mbrojtëse të
tyre formoheshin nga masa dheu apo gurësh, që arrinin
7-15 m gjerësi. Sistemi i mbrojtjes plotësohej me
sa duket nga një gardh hunjsh, që ngrihej mbi ledhin
dhe në disa raste nga një hendek që rrethonte
vendbanimin.
Vendbanimet e fortifikuara i gjejmë të vendosura
në një mjedis të pasur me toka buke e kullota,
që formonin bazën e ekonomisë së tyre.
Në disa raste, siç tregojnë të dhënat
arkeologjike, në to zhvillohej edhe një veprimtari
e kufizuar zejtare. Rreth tyre gjendeshin vendbanimet e hapura
fshatare, me të cilat formonin së bashku njësi
të caktuara ekonomiko-shoqërore.
Vendbanimet e mbrojtura me ledhe, të krahinave të
brendshme e veriore ilire, janë zakonisht më të
vogla se vendbanimet e fortifikuara të Ilirisë Jugore.
Në shumicën e rasteve ato gjenden në një
mjedis kullotash alpine, si në Glasinac apo në tokat
e brendshme dalmate dhe ishin qendra grupesh të vogla
fisnore të një popullsie baritore.
Në të dyja rastet lindën në këtë
kohë edhe kryeqendra të këtyre vendbanimeve,
që dallohen nga të tjerat prej madhësisë
dhe pozitës gjeografiko-ekonomike qendrore. Si të
tilla, me sa duket ato janë edhe qendra të një
fisi të madh ose të një bashkimi të gjerë
fisnor. Aty nga fundi i kohës së hekurit (shek.VII-V
p.e.sonë), disa prej tyre marrin pamjen e qendrave protourbane.
Zhvillimi i bujqësisë, i blegtorisë, i zejtarisë
dhe i këmbimeve
Burimet e shkruara dhe ato arkeologjike dëshmojnë
se, gjatë kësaj periudhe, ilirët merreshin
si dhe më parë kryesisht me bujqësi dhe me
blegtori. Bujqësia u zhvillua sidomos në zonat fushore
dhe në përgjithësi në krahinat pjellore
të vendit. Ilirët kultivonin në këtë
kohë të gjitha llojet e drithërave. Jo rastësisht,
krahina të veçanta ilire, si Paionia dhe Thesprotia,
përmenden që në eposin homerik si vende frytdhënëse
dhe pjellore, d.m.th. të përshtatshme për kulturat
bujqësore. Hesiodi, shkrimtar grek i shek. VIII-VII p.e.sonë,
do ta cilësojë gjithashtu si shumë pjellore
fushën e Helopisë, ndërsa sipas historianit
grek Hekateut (fundi i shek. VI-V p.e.sonë), në
Iliri kishte krahina që prodhonin deri dy herë në
vit. Më vonë Skymni, duke përsëritur në
vargjet e tij Hekateun, shton se popullsia ilire që banonte
në viset e brendshme merrej me lërimin e tokës.
Krahas bujqësisë, në Iliri, veçanërisht
në zonat bregdetare të saj dhe në krahinat
e ulëta kodrinore me klimë të butë, qenë
kultivuar dhe rrushi e ulliri. I ngrohtë dhe frytdhënës
ka qenë ky vend, shkruan historiani dhe gjeografi grek
Straboni në veprën e tij Gjeografia
(shek. I e.sonë); ai është plot me ullishta
dhe vreshta, vijon ky autor, përveç disa
krahinave të pakta ku toka është fare e ashpër.
Që ilirët merreshin me vreshtari, këtë
e dëshmojnë farërat e rrushit të zbuluara
në disa nga vendbanimet e kohës. Kushtet e përshtatshme
tokësore dhe klimatike ndihmuan jo më pak edhe për
kultivimin e perimeve, si të bishtajës, të
bathës, të bizeles, etj., si dhe të kulturave
frutore, si p.sh. të mollës, të dardhës,
të qershisë etj., të gjitha këto janë
të dëshmuara nga farërat e gjetura gjatë
gërmimeve arkeologjike.
Ilirët shfrytëzonin në këtë periudhë
edhe bletët, prej të cilave ata siguronin mjaltin
dhe dyllin. Sipas Aristotelit, taulantët e përdornin
mjaltin edhe për të bërë një lloj
pijeje të ngjashme me atë të verës së
ëmbël dhe të fortë.
Tek ilirët ishte e zhvilluar edhe blegtoria, madje në
krahinat e brendshme malore ajo përbënte bazën
kryesore të ekonomisë së tyre. Hesiodi duke
e cilësuar Helopinë si një fushë shumë
pjellore dhe me livadhe të gjera, shton se ajo është
e pasur me tufa delesh dhe me qé këmbëharkuar,
ndërsa Pindari, do ta vlerësonte, në shek.
V p.e.sonë, këtë krahinë si ushqyese të
shkëlqyeshme të gjedhit. Hekateu gjithashtu bën
fjalë për kullota të pasura të Adrias
(krahinë bregdetare e Ilirisë), dhe për bagëtinë
e saj me pjellshmëri të lartë. Si te ky autor
i hershëm, ashtu dhe tek të tjerët, që
përsërisnin më vonë këto njoftime,
ato shpesh paraqiten të veshura me hollësira fantastike.
Por duke lënë mënjanë teprimet e tyre,
këto burime, sidoqoftë, flasin për një
blegtori të zhvilluar tek ilirët.
Kujdesi që tregonin ilirët për mbarështimin
e bagëtisë vihet re edhe nga tregimi i Aristotelit
për kriporet e autariatëve dhe ardianëve. Konfliktet
e shpeshta midis këtyre dy fiseve për këtë
kripore, shprehin shqetësimet e blegtorëve ilirë
lidhur me këtë produkt shumë të vlefshëm
për jetën e gjësë së gjallë.
Kripa, - thotë Aristoteli, - u duhet atyre për
kafshët, të cilave ua japin dy herë në
vit, përndryshe shumica u ngordh.
Midis kafshëve shtëpiake më të parapëlqyera
ishin qetë, delet, derrat, qentë etj., për
të cilat flasin si burimet historike, ashtu edhe vetë
materiali kockor i zbuluar dendur në vendbanimet e ndryshme
të kësaj periudhe. Ilirët shquheshin edhe si
rritës të mirë të kuajve. Këta të
fundit ishin të shpejtë në vrapime dhe të
qëndrueshëm në punë, siç na thonë
burimet e mëvonshme.
Krahas blegtorisë, ilirët merreshin edhe me gjueti,
megjithëse kjo veprimtari nuk luante ndonjë rol
aq të rëndësishëm në jetën ekonomike
të tyre. Të përmendur ishin në atë
kohë qentë e gjahut të Mollosisë, por
akoma më të shquar ata që ruanin kopetë
e bagëtive. Këta të fundit sipas burimeve të
shkruara, ua kalonin qenve të tjerë për trupin
e tyre të lartë dhe guximin e madh në kacafytje
me bisha të egra. Skenat e gjuetisë së ilirëve
na janë pasqyruar edhe në artin figurativ ilir të
kësaj kohe. Për tu përmendur në
këtë drejtim janë ato që zbukurojnë
vazot me fund të ngushtë (situlat) prej bronzi të
zbuluara në krahinat veriore të Ilirisë. Nga
kafshët e egra më tepër çmoheshin derri,
dreri etj. Ky i fundit u jepte gjahtarëve ilirë
jo vetëm mishin dhe lëkurën, por edhe brirët
prej të cilëve ata punonin vegla të ndryshme
dhe zbukurime. Të tilla vegla ndeshen shpesh nëpër
vendbanimet ilire të periudhës së hekurit.
Deti, liqenet si dhe lumenjtë, që e përshkonin
Ilirinë në drejtime të ndryshme, u dhanë
mundësi banorëve pranë tyre të merreshin
që herët edhe me peshkim. Këto burime ujore
përmbanin sasi të shumta peshku. Kështu, p.sh.
ilirët që jetonin pranë liqenit Prasiada të
Peonisë, zinin, sipas Herodotit, shumë peshk.
Përparime të dukshme vihen re edhe në metalurgji.
Kjo duket si në intensifikimin e nxjerrjes së mineraleve,
ashtu dhe në zgjerimin e madh të prodhimit të
objekteve metalike. Nëpër vendbanimet dhe në
varrezat ilire të kësaj kohe gjejmë sasira
të konsiderueshme armësh dhe veglash prej hekuri
dhe bronzi, orendi të ndryshme shtëpiake dhe një
mori të madhe shumë të larmishme stolish, të
cilat tregojnë pa dyshim për një konsum të
madh të lëndës së parë minerare,
sidomos të bakrit dhe të hekurit, me të cilët
ishte i pasur territori i Ilirisë.
Në shek. XI-IX p.e.sonë ilirët nuk e zotëronin
ende mirë mjeshtërinë e përpunimit të
hekurit dhe nuk është aspak e rastit që në
varret e kësaj periudhe, objektet prej hekuri janë
shfaqje tepër të rralla, ndërsa ato prej bronzi,
të cilat në shumë pikëpamje zhvillojnë
më tej traditën e kohës së bronzit, janë
të shumta.
Vetëm në shek. VIII-VII p.e.sonë prodhimi metalurgjik
i hekurit arrin zhvillimin e tij të plotë tek ilirët.
Ky metal e zëvendëson në një masë
të ndjeshme bronzin, në prodhimin e armëve
dhe të veglave të punës, të cilat tani
bëhen më të forta dhe më me rendiment
në punimet e ndryshme bujqësore dhe zejtare. Ky
përmirësim i veglave të punës çoi
për pasojë edhe në zgjerimin e mëtejshëm
të prodhimit të shoqërisë ilire të
kësaj kohe.
Sendet metalike të kësaj faze të zhvilluar
të epokës së hekurit, tregojnë se sa përpara
kishte shkuar teknika e punimit të tij. Për këtë
dëshmojnë format e bukura dhe nganjëherë
shumë të përsosura të armëve dhe
sidomos të stolive, të cilat nënkuptojnë
dhe procese pune mjaft të ndërlikuara, si edhe vetë
zbukurimi i pasur gjeometrik i këtyre objekteve të
punuara me mjeshtëri dhe me një radhitje simetrike
të motiveve. Kjo pasqyrohet më në fund edhe
në vetë trajtimin plastik të figurave prej
bronzi në trajta njerëzish, kafshësh e zogjsh.
Përpunimi i metaleve ishte përqendruar kryesisht
në qendrat metalurgjike të Ilirisë. Të
tilla ishin në vendin tonë, p.sh. zona e Mirditës
dhe e Matit, ku janë përcaktuar edhe vendet e shkrirjes
së bakrit, si zona e Kukësit, ajo e Korçës,
e njohur për punimin e metaleve që në kohën
e bakrit dhe të bronzit etj.
Prania e qendrave të ndryshme për punimin e metaleve
në Iliri duket edhe në vetë karakterin e diferencuar
tipologjik të prodhimeve të këtyre qendrave.
Në to prodhohej jo vetëm për të plotësuar
nevojat e brendshme të fisit ose të një krahine
më të madhe, por edhe për tu përdorur
si mall këmbimi.
Përparime të dukshme vihen re në këtë
kohë edhe në poçeri, e cila qëndron
nga pikëpamja e teknikës, e formave dhe e trajtimit
të dekorit të saj, më lart se poçeria
e epokës pararendëse të bronzit. Duke filluar
nga shek.VI p.e.sonë, mbase edhe pak më parë,
në krahinat jugore të Ilirisë, kalohet gradualisht
nga punimi me dorë të lirë i enëve prej
balte, në prodhimin e tyre me çark. Prodhimet
e para i kemi nga vendbanimi i Trenit (shek.VII). Një
pjesë e madhe e poçerisë vendore të
kohës arkaike e zbuluar në varrezat tumulare të
Kuçit të Zi të Korçës, del e
punuar me çark. Një dukuri e tillë vihet
re edhe në zonën e Matit e të Kukësit.
Futja e teknikës së re në prodhimin e enëve,
bëri që poçeria të shndërrohet
në një degë të veçantë zejtarie,
me të cilën merreshin mjeshtra të specializuar
në këtë fushë të prodhimit.
Zhvillimi i madh i degëve të ndryshme të prodhimit
bujqësor dhe zejtar, bëri që të zgjeroheshin
në këtë kohë edhe më tepër marrëdhëniet
ekonomike ndërfisnore, si edhe midis popullsisë
ilire dhe atyre të vendeve fqinje ose më të
largëta. Në këtë drejtim ndihmoi shumë
dhe pozita e favorshme gjeografike e territorit të Ilirisë,
e ndodhur midis botës mesdhetare dhe Evropës Qendrore,
si edhe rrugët e tij të hapura të komunikimit
natyror, tokësor dhe detar. Këto marrëdhënie
pasqyrohen qartë në prodhimet e ndryshme të
zejtarisë greke apo në imitacionet lokale të
modeleve të tyre, në stolitë e tipave italikë
ose në qelibarin me prejardhje nga Baltiku. Nga ana tjetër,
stolitë dhe armët tipike ilire që gjenden në
Traki, Maqedoni, Itali ose në Greqi janë dëshmi
tjetër e gjallë e këtyre lidhjeve reciproke
tregtare që ekzistonin midis ilirëve dhe vendeve
të tjera përreth. Një zhvillim të madh
morën veçanërisht shkëmbimet tradicionale
me Greqinë sidomos pas shek. VIII p.e.sonë, me themelimin
e kolonive helene në brigjet e Ilirisë.
Shtrirja e territorit të Ilirisë gjatë brigjeve
të Adriatikut dhe të Jonit krijonte mundësinë
për një hov të madh të lundrimit. Në
fillim të epokës së hekurit ilirët përshkonin
me anijet e tyre të shpejta ujërat e këtyre
deteve duke kaluar deri në brigjet perëndimore të
Greqisë dhe në ato jugore të Italisë.
Disa prej fiseve ilire, si mesapët dhe japigët,
u vendosën përgjithmonë në brigjet e Italisë
së Jugut. Shumë aktivë në këtë
veprimtari të hershme lundruese u treguan sidomos liburnët,
të cilët themeluan edhe vendbanime të veçanta
në ishullin e Korkyrës, si dhe në brigjet e
Gadishullit Apenin.
Lindja e pronës private dhe diferencimi shoqëror
Përparimet që u bënë në degët
e ndryshme të ekonomisë gjatë epokës së
hekurit sollën ndryshime edhe në vetë strukturën
e shoqërisë ilire. Baza e këtyre ndryshimeve
u bë prona private, e cila filloi të shfaqet tek
fiset ekonomikisht më të zhvilluara, në fillim
në blegtori e zejtari e më pas edhe mbi tokën.
Hesiodi, duke folur për kopetë e mëdha në
Helopi, shënon se ato ishin pronë e njerëzve
të veçantë. Karakteri dhe shkalla e zhvillimit
të zejtarisë dëshmon gjithashtu për praninë
në këtë fushë të pronësisë
private. Dukurinë e pronësisë për tokën
e kemi të dëshmuar më vonë dhe duket se
ajo ndjek një rrugë më të ngadaltë.
Zakoni i ndarjes së tokës çdo tetë vjet,
që na kumtohet nga Straboni për dalmatët, është
një dëshmi që tregon se zotërimi periodik
i saj ishte një hallkë e ndërmjetme në
procesin e formimit të pronës private.
Forcat kryesore të prodhimit të shoqërisë
ilire në këtë kohë ishin bujqit dhe blegtorët
e lirë, anëtarë të thjeshtë të
fisit. Këtyre u shtohet edhe një shtresë e
re, më e kufizuar, ajo e zejtarëve. Nga ana tjetër,
nga masa e gjerë e popullsisë, fillon të veçohet
si një shtresë më vete aristokracia fisnore,
e cila, duke u shkëputur nga prodhimi dhe nëpërmjet
përvetësimit të pasurisë së përbashkët,
vihet në një pozitë të privilegjuar derisa
bëhet dalëngadalë zotëruese e pronave
të mëdha tokësore dhe blegtorale. Ajo gradualisht
mënjanon organet demokratike të fisit dhe uzurpon
pushtetin.
Nga burimet e shkruara më të hershme, siç
është eposi homerik, shihet se në disa nga
fiset ilire ekzistonte, tanimë, diferencimi shoqëror,
të paktën në shekujt VIII-VII p.e.re kur u
krijuan Iliada e Odisea. Duke folur
për pjesëmarrjen e ilirëve paionë në
luftën e Trojës kundër ahejve, Homeri i barazon
prijësit e tyre ushtarakë, që vinin nga Paionia
pjellore me prijësit e ahejve dhe të trojanëve.
Kjo pa dyshim flet për një gjendje sociale pak a
shumë të ngjashme me atë të fiseve fqinje
të Greqisë. Në një vend të poemës
Odisea flitet për Feidonin, prijësin
me origjinë fisnike të thesprotëve, i cili
pasi strehoi dhe mirëpriti në pallatin e vet Odisenë,
gjatë kthimit për në atdhe, përgatiti
një nga anijet e tij të shpejta për ta dërguar
atë në Itakë. Sipas këtij tregimi mitik,
Feidoni përfaqëson këtu njërin nga krerët
që jetonte në një nga pallatet më të
pasura të thesprotëve. Këta kishin anijet e
veta e njerëz që u shërbenin.
Shumë kuptimplotë në këtë drejtim
është dhe një tregim i Herodotit, sipas të
cilit, Klistheni, kur ftoi në Sikione (rreth vitit 570
p.e.sonë) të gjithë burrat që do ta ndienin
veten të denjë për të pasur për grua
të bijën e tij Agaristën, midis atyre që
u paraqitën tek tirani qe edhe një farë Alkoni
nga Molosia. Sipas këtij tregimi, ky molosas duhet të
ketë qenë nga një familje princore ose shumë
e pasur, që të pretendonte për të lidhur
krushqi me një skllavopronar të madh të Greqisë
së asaj kohe, siç ishte Klistheni.
Të dhënat arkeologjike nga varrezat tumulare të
luginës së Drinos, pellgut të Korçës
dhe Ohrit (Trebenisht), zonës qendrore ilire të
Glasinacit etj., dëshmojnë gjithashtu se në
shek. VIII-V p.e.sonë, diferencimi shoqëror në
gjirin e shoqërisë ilire ishte bërë mjaft
i theksuar dhe kishte prekur edhe krahinat e thella të
Ilirisë Qendrore e Veriore. Në këto varreza
ndeshen, krahas varreve me inventar të varfër, edhe
varre ku të vdekurin e shoqëronin armë të
kushtueshme, sende luksi prej ari e argjendi dhe objekte të
tjera të importuara nga viset përreth, që i
takonin shtresës së pasur të aristokracisë
fisnore.
Federatat fisnore
Zhvillimi i pronës private, që çoi në
thellimin e diferencimit social, u bë burim konfliktesh
në shoqërinë ilire të shek. VIII-V p.e.sonë.
Në këtë kohë morën përpjesëtime
të mëdha luftërat ndërfisnore dhe inkursionet
plaçkitëse për det e tokë, që arrinin
deri në Greqi dhe në brigjet e përtejme të
Adriatikut. Të tillë kanë qenë inkursioni
i enkelejve për plaçkitjen e thesarit të
Delfit ose ato të detarëve liburnë, të
cilët me anijet e tyre të lehta dhe të shpejta
zotëruan për një kohë brigjet e Adriatikut,
që nga Korfuzi deri në brigjet italike.
Gjendja e krijuar nga këto luftëra dhe inkursione,
që i sillnin aristokracisë fisnore ilire të
ardhura të mëdha, gjen shprehjen e vet në veprimtarinë
e gjerë të ndërtimit të vendbanimeve të
fortifikuara dhe në zhvillimin e armatimeve, sidomos
të armëve të reja, siç ishin shpatat,
hanxharët dhe heshtat prej hekuri që janë gjetje
të rëndomta në varret e luftëtarëve
ilirë dhe të mburojave të paionëve, të
përkrenareve e frerëve të kuajve që përbënin
pajisjet e veçanta të aristokracisë luftarake.
Në procesin e këtyre konflikteve, fiset e vogla
ilire filluan të lidhen dhe të formojnë gjatë
veprimeve të tyre të përbashkëta në
luftërat agresive ose mbrojtëse, aty nga fundi i
shek.VII p.e.sonë, federatat e para. Një federatë
e tillë ishte ajo e taulantëve, që nën
mbretin Galaur dhe më pas, gjatë shek. VII-VI p.e.sonë
invadoi disa herë Maqedoninë duke i shkaktuar asaj
dëme të rënda dhe sakrifica të mëdha
në njerëz. Gjatë shek. VI-V p.e.sonë federata
të tilla formuan edhe disa fise të tjera, si molosët,
thesprotët, kaonët, parauejtë, orestët,
lynkestët, paionët, dardanët etj.
Në krye të federatës qëndronte mbreti,
i cili në burimet quhet basileus. Në disa raste
si tek kaonët e thesprotët vendin e tij e zinte
një njeri i zgjedhur çdo vit nga gjiri i fisit
sundues të federatës. Në burimet e fundit të
shek.V vihet re se funksioni i basileut nuk i takonte më
prijësit më të aftë ushtarak, por ishte
bërë i trashëgueshëm dhe pushteti e autoriteti
i tij ishte rritur mjaft si brenda fisit e lidhjes fisnore,
ashtu dhe jashtë tij. Në bazë të këtij
fuqizimi të prijësve ushtarakë dhe të
basilejve qëndronte gjithnjë pasuria që vinte
duke u shtuar përherë e më shumë në
sajë të luftërave. Ata vinin nga shtresa e
pasuruar e shoqërisë fisnore ilire, e cila dallohej
nga pjesa tjetër e popullsisë së thjeshtë.
Ajo e konsideronte si një gjë të turpshme të
merrej me punimin e tokës, me mbarështimin e bagëtisë,
me prodhimin zejtar etj. Në këto punë ishin
të angazhuar vetëm prodhuesit e vegjël, masa
e gjerë e fshatarëve të lirë ose gjysmë
të lirë. Zanati më i nderuar për ta ishin
lufta, gjuetia, garat sportive etj., skenat e të cilave
na janë transmetuar përmes gjuhës së gjallë
artistike në objektet e bronzta të zbuluara në
krahinat veriore ilire apo në kallcat e Glasinacit.
Në gjysmën e dytë të shek. V p.e.sonë
disa nga federatat ilire kishin arritur një stad mjaft
të përparuar në zhvillimin e tyre politik.
Taulantët, fiset ilire, fqinje të Maqedonisë
dhe ato më jugore: kaonët, thesprotët e molosët
merrnin pjesë në ngjarje të tilla politike
të historisë së botës së Mesdheut
siç ishte lufta e Peloponezit.
Taulantët ndërhyjnë me këtë rast
në luftën civile që shpërtheu në
Epidamn në vitin 436 p.e.sonë. Në këtë
luftë ata morën nën mbrojtje oligarkët
e dëbuar nga demosi i qytetit dhe qenë një
nga ato forca që në aleancë me Athinën,
kundër lidhjes së Peloponezit, ndihmuan aristokracinë
epidamnase të rikthehet në pushtet. Kjo ngjarje
shënoi një kthesë të rëndësishme
në historinë e kësaj kolonie greke, sepse fatet
e saj do të lidhen paskësaj gjithnjë e më
shumë me botën ilire.
Dy njoftime të tjera kanë të bëjnë
me ngjarjet e vitit 423. I pari bën fjalë për
kaonët, thesprotët, molosët dhe disa fise të
tjera më të vogla fqinje të molosëve,
që marrin pjesë nga ana e lakedemonëve në
fushatën për të nënshtruar Akarnaninë
dhe për ta shkëputur atë nga aleanca me Athinën,
fushatë që përfundoi pa sukses.
Njoftimi i dytë lidhet me luftën që zhvilluan
ilirët e krahinave juglindore kundër maqedonëve.
Fisi ilir i lynkestëve ishte prej kohësh në
konflikt me sundimtarët maqedonë, të cilët
synonin ta nënshtronin. Gjatë luftës greko-persiane
mbreti maqedon i ndihmuar nga persët kishte mundur tu
impononte lynkestëve sovranitetin e tij. Në kushtet
e reja të luftës së Peloponezit, kur shteti
maqedon ishte ende i pakonsoliduar dhe sundimtari i tij Perdika
II përplasej sa në njërën anë në
tjetrën, duke u lidhur herë me Athinën e herë
me Spartën, mbreti i lynkestëve, Arrabeu, shfrytëzoi
këtë situatë për tu shkëputur
nga varësia maqedone. Në përpjekjet e tij për
të rivendosur gjendjen e mëparshme, Perdika kërkoi
ndihmën e aleatit të vet, komandantit të forcave
lakedemone, Brasidës, të cilit i kishte besuar luftën
kundër Athinës në teatrin halkidik të
veprimeve ushtarake. Një ekspeditë e fuqishme e
përbërë nga forcat e Perdikës dhe të
Brasidës provoi të thyente Arrabeun me anën
e bisedimeve dhe të bëhej aleat i lakedemonëve.
Por përpjekjet dështuan dhe bashkë me to dështoi
edhe ekspedita kundër lynkestëve. Në kundërshtim
me vullnetin e Perdikës, Brasida nuk guxoi të sulmonte
dhe vendosi ti tërhiqte forcat.
Pak kohë më vonë Perdika e bindi përsëri
Brasidën për një fushatë të re kundër
lynkestëve; forcat maqedone e ato lakedemone të
përbëra prej 3 000 hoplitësh, 1 000 kalorësish
dhe një numër barbarësh sulmuan Arrabeun. Por
këtë radhë lynkestët kishin siguruar ndihmën
e vëllezërve të tyre ilirë. Forcat e bashkuara
të ilirëve dhe lynkestëve e shpartalluan veçmas
mbretin maqedon dhe e detyruan të largohej në pështjellim
të plotë, duke braktisur aleatin e tij. Kështu
Brasida u gjend i rrethuar keq dhe vetëm me përpjekje
të mëdha mundi ti shpëtojë forcat
e veta nga asgjësimi i plotë. Kjo luftë ndryshoi
krejt drejtimin që kishin marrë ngjarjet në
frontin halkidik. I detyruar nga rrethanat e rënda,-
shkruan Tukididi, - Perdika u përpoq të hynte sa
më parë në marrëveshje me athinasit dhe
ti hiqte qafe peloponezasit.
Duke i përshkruar këto ngjarje të shek. V,
Tukididi na ka lënë edhe një shënim me
mjaft interes për vlerësimin e jetës social-politike
të ilirëve. Prej fjalimit, që sipas tij Brasida
u mbajti ushtarëve të tij para tërheqjes, ne
mësojmë se shoqëria ilire ruan ende në
fundin e shek.V mbeturina të theksuara të rendit
fisnor. Por midis njoftimeve të autorëve që
bëjnë fjalë vetëm për inkursionet
e ilirëve dhe atyre të Tukididit, që i përmend
ata si një forcë aktive, pjesëmarrëse
në ngjarjet më të rëndësishme të
kohës, ku luajti ndonjëherë një rol jo
pa rëndësi, ka një ndryshim të dukshëm.
E re në njoftimet e Tukididit është se lufta
e federatave ilire si në rastin e ndërhyrjes në
luftën civile të Epidamnit, ashtu dhe në luftën
kundër maqedonëve dhe aleatëve të tyre
peloponezas, nuk kishte më karakterin e një inkursioni
grabitqar, por synime politike të caktuara dhe kjo nënkupton
një stad mjaft të avancuar të organizimit të
tyre politik qoftë edhe në kuadrin e një federate
fisnore.
I gjithë ky zhvillim social-politik, që vihet re,
veçanërisht tek fiset ilire të jugut në
fund të shek.V p.e.sonë, pasqyron qartë një
shoqëri, që jetonte etapën e fundit të
organizimit fisnor, atë kalimtare për në rendin
skllavopronar. Mbi bazën e kësaj shoqërie do
të lindin në fundin e shek. V - fillimin e shek.
IV p.e.sonë formacionet e para shtetërore ilire.
3. KULTURA ILIRE
Njësia dhe veçantitë kulturore lokale
Kultura ilire u formua me tiparet e saj karakteristike
që e dallojnë nga kulturat e popujve fqinjë
në periudhën e zhvilluar të epokës së
hekurit. Ajo ishte një kulturë autoktone që
u krijua në truallin historik të ilirëve, në
procesin e formimit të vetë etnosit ilir, mbi bazën
e zhvillimit të brendshëm social-ekonomik të
shoqërisë ilire dhe pa dyshim edhe të marrëdhënieve
me popujt fqinjë. Tiparet themelore të saj janë
shprehur në arritjet më të rëndësishme
të ilirëve në fushën e zhvillimit të
tyre ekonomik e shoqëror, në mënyrën e
të jetuarit dhe të kuptuarit të botës
që i rrethonte, në mënyrën e të pasqyruarit
të kësaj bote në artin e botëkuptimin
e tyre.
Krahas tipareve themelore të përbashkëta të
kësaj kulture, që janë karakteristike për
gjithë truallin ilir, vihen re edhe veçanti lokale.
Në kushtet e një territori të gjerë, me
larmi të theksuara fiziko-gjeografike, siç ishte
pjesa perëndimore e Gadishullit të Ballkanit, me
lidhje fqinjësie e marrëdhënie me krahina që
i karakterizonte një zhvillim i ndryshëm social-kulturor,
sidomos i theksuar midis veriut të prapambetur qendërevropian
dhe jugut më të përparuar egjeo-mesdhetar,
këto ndryshime lokale në kulturë janë
po aq të kuptueshme sa edhe zhvillimi jo i njëjtë
social-ekonomik që njohën ilirët e kësaj
kohe. Të dhënat arkeologjike dëshmojnë
për ndryshime lokale edhe në aspekte të veçanta
të jetës dhe të krijimtarisë së ilirëve,
ndryshime të cilat janë thjesht të karakterit
etnografik.
Sipas të dhënave arkeologjike, në truallin
ilir dallohen në epokën e hekurit disa grupe kulturore:
grupi jonik ose epirot, që përfshin krahinën
e banuar nga kaonët, thesprotët, molosët dhe
fiset e tjera më të vogla të viseve më
jugore; grupi adriatik-jugor ose taulanto-ardian, që
shtrihet në gjithë ultësirën bregdetare
nga Vjosa në Naretva dhe që banohej nga këto
dy fise të mëdha si dhe fise të tjera më
të vogla rreth tyre; grupi devollit ose dasaret në
krahinën juglindore të Shqipërisë me qendër
pellgun e Korçës; grupi pelagon në Maqedoninë
Perëndimore dhe ai paion në atë lindore, grupi
i Matit ose pirust, që përfshin krahinat e brendshme
të Shqipërisë Verilindore (Mat, Dibër
Kukës) dhe ai dardan në Kosovë; grupi i Glasinacit
me qendër rrafshnaltën me të njëjtin emër
në lindje të Sarajevës dhe rreth saj, që
i përgjigjet krahinës së banuar nga autariatët;
grupi dalmatin, që përfshin krahinën midis
lumenjve Naretva e Krka; grupi japod në territorin e
sotëm të Likës dhe grupi verior-adriatik ose
liburn, që shtrihej në territorin midis lumenjve
Krka e Zrmanje.
Çdo njeri nga këto grupe kulturore i përgjigjet
kryesisht territoreve të banuara nga fiset ose bashkimet
e mëdha fisnore ilire. Sa më të afërta
gjeografikisht ishin këto grupe, aq më të mëdha
ishin ngjashmëritë kulturore midis tyre. Kështu,
p.sh., grupi japod paraqet mjaft paralele me atë fqinjë
liburn. Në Ilirinë Qendrore grupi i Matit lidhet
aq ngushtë me atë të Glasinacit dhe atë
dardan saqë inkuadrohen me një kompleks të
gjerë kulturor Mat-Glasinac; ndërsa në Ilirinë
e Jugut grupi devollit afron në shumë aspekte me
atë pelagon dhe epirot.
Këto ndryshime dhe ngjashmëri lokale, që burojnë
nga baza e përbashkët etnike, kushtet herë
të përafërta e herë të ndryshme të
zhvillimit social-ekonomik dhe marrëdhëniet ndërkrahinore,
shkrihen në tërësinë e bashkësisë
kulturore ilire, të cilën e vërejmë si
në gjuhë, ashtu dhe në kulturën materiale
(vendbanimet, veglat e punës, armët, qeramikën,
stolitë etj.) e atë shpirtërore (artin e botëkuptimin)
të saj, pa kërkuar një unitet të plotë
për këtë shkallë të zhvillimit të
ilirëve. Veçoritë lokale etnografike në
kulturë, ashtu sikurse dhe ato dialektore në gjuhë,
nuk cenojnë unitetin e kulturës ilire dhe të
bartësve të saj, ato janë shprehje e larmisë
dhe e ndryshimeve brenda së njëjtës kulturë.
Gjuha
Ilirët flisnin një gjuhë që dallohej
nga gjuhët e popujve të tjerë të kohës
së lashtë të Ballkanit. Ajo ishte një
gjuhë e veçantë indoevropiane, që kishte
lidhje afërie ku më të largët e ku më
të afërt me gjuhë të tjera të gadishullit
dhe jashtë tij. Janë konstatuar elemente të
përbashkëta sidomos me trakishten. Lidhur me vendin
e ilirishtes në mes të gjuhëve indoevropiane
është diskutuar mjaft dhe janë dhënë
mendime të ndryshme.
Një varg dijetarësh të shquar historianë,
arkeologë e gjuhëtarë, kanë sjellë
një sërë argumentesh historike dhe gjuhësore
për origjinën e shqiptarëve dhe të gjuhës
së tyre. Sintezën më të plotë, të
shoqëruar me vështrimin kritik të mendimeve
për origjinën e gjuhës shqipe, e ka dhënë
gjuhëtari i shquar prof. Eqrem Çabej, i cili ka
sjellë dhe argumentet e tij shkencore, në mbështetje
të tezës ilire. Disa nga argumentet e parashtruara
prej tij janë këto:
Shqiptarët banojnë sot në një pjesë
të trojeve, ku në periudhën antike kanë
banuar popullsi ilire; nga ana tjetër, në burimet
historike nuk njihet ndonjë emigrim i shqiptarëve
nga vise të tjera në trojet e sotme; një pjesë
e elementeve gjuhësore: emra vendesh, fisesh, emra njerëzish,
glosa, etj., që janë njohur si ilire, gjejnë
shpjegim me anë të gjuhës shqipe. Format e
toponimeve të lashta të trojeve ilire shqiptare,
të krahasuara me format përgjegjëse të
sotme, provojnë se ato janë zhvilluar sipas rregullave
të fonetikës historike të shqipes, d.m.th.
kanë kaluar pa ndërprerje nëpër gojën
e një popullsie shqipfolëse; marrëdhëniet
e shqipes me greqishten e vjetër dhe me latinishten,
tregojnë se shqipja është formuar dhe është
zhvilluar në fqinjësi me këto dy gjuhë
këtu në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit;
të dhënat arkeologjike dhe ato të kulturës
materiale e shpirtërore, dëshmojnë se ka vijimësi
kulturore nga ilirët antikë te shqiptarët e
sotëm.
Nga të gjitha këto argumente, del si përfundim
se teza e origjinës ilire të gjuhës shqipe,
është teza më e mbështetur nga ana historike
dhe gjuhësore. Nga ilirishtja e Ballkanit gjer tani nuk
është gjetur gjë e shkruar dhe është
menduar se nuk ka qenë e shkruar. Dëshmohet e shkruar
mesapishtja e Italisë Jugore, që është
mbajtur e mbahet përgjithësisht si një degë
e ilirishtes, në njëfarë mase si një dialekt
i saj i zhvilluar më tej në kushtet e një veçimi
prej disa shekujsh nga trungu i saj gjuhësor kryesor.
Prej saj kemi rreth 2 000 mbishkrime të shkruara në
një alfabet grek (dorik) me disa ndryshime për të
riprodhuar disa tinguj të posaçëm të
gjuhës së tyre. Një mbishkrim i Kalasë
së Dalmaces afër Pukës, që për dekada
të tëra qe mbajtur si i vetmi mbishkrim ilir, u
provua nga gjuhësia e re shqiptare se nuk ishte tjetër
veçse një mbishkrim greqisht i shek. VI-VII. Nëse
do të kurorëzohen me sukses përpjekjet që
po bëhen për leximin e një mbishkrimi të
Muzeut të Shkodrës me prejardhje nga Dobraçi,
shkruar me një alfabet të panjohur dhe të një
mbishkrimi të gjetur në Bugojë të Bosnjës
Perëndimore, mund të sillen të dhëna të
reja e të hapen perspektiva. Zbulimet e mëtejshme
arkeologjike mund të japin ndonjë tekst ilir të
shkruar me alfabet të veçantë ose me alfabet
grek a latin. Gjuhët greke dhe latine që hynë
më parë në Iliri si gjuhë kulture, tregtare
ose si gjuhë zyrtare administrative, nuk u bënë
kurrë gjuhë të të gjithë popullit,
i cili vazhdoi të ruajë në jetën e tij
të përditshme të folmen amtare. Njoftimi i
historianit grek të shek. II p.e.sonë, Polibit,
për bisedimet e mbretit Gent me delegatët maqedonas
përmes përkthyesit që njihte ilirishten, dëshmon
se kjo gjuhë u praktikua edhe si gjuhë zyrtare deri
në fund të jetës së pavarur politike të
ilirëve.
Nga gjuha e ilirëve kanë mbetur disa materiale,
por që nuk janë të mjaftueshme: elemente leksikore
shumë të pakta të së folmes së përditshme
përbërë nga disa glosa ilire, dhe sidomos një
numër i madh (rreth 1 000) emrash të përveçëm,
emra personash, perëndish, fisesh, vendesh dhe disa emra
lumenjsh e malesh. Fjalët ilire i kemi në formën
që na janë dhënë prej autorëve grekë
e latinë, jo në formën autentike të tyre.
Ndër ato fjalë mund të përmenden rhinos
= mjegull, sabaia = birrë meli etj. Emrat e përveçëm
ilirë që na janë transmetuar në burimet
e shkruara antike (autorë grekë e latinë, mbishkrime
greke e latine, monedha të territorit ilir) përbëjnë
materialin kryesor që kemi prej ilirishtes së Ballkanit.
Ato lejojnë që të nxirren disa elemente të
fjalëformimit emëror të ilirishtes e ndonjë
tipar fonetik i saj, ndonjë element i leksikut të
saj dhe material krahasimi me gjuhët e tjera indoevropiane,
po nuk japin mundësi të njihen gramatika dhe leksiku
i saj.
Studiues të ndryshëm kanë përcaktuar si
ilire edhe një numër fjalësh të ndeshura
në gjuhët e tjera të lashta ose në gjuhët
e sotme të Evropës, duke i marrë ato si huazime
nga ilirishtja ose si të trashëguara prej saj. Shumica
e tyre janë të diskutueshme, po disa kanë gjasa
vërtetësie. Ndër to përmendim: lat. mannus
= kalë i vogël, krhs. shqipen maz/mëz; gr.
balios = i bardhë, me pulla të bardha, krhs. shqipen
balë; gr. kalibe = kasollë; disa fjalë pararomane
etj.
Material më të pasur jep mesapishtja e Italisë
Jugore. Prej saj kanë ardhur një numër mbishkrimesh
zakonisht të shkurtra e shpesh fragmentare të shek.
VI-I p.e.sonë, që japin edhe fjalë, trajta
e ndonjë frazë, përveç emrave të
përveçëm që përmenden në to,
por që janë kuptuar dhe shpjeguar deri më sot
në një masë të vogël. Kemi disa glosa
si brendon = bri, bilia = bilë, bijë etj., dhe shumë
emra të përveçëm njerëzish, fisesh
e vendesh.
Janë vënë re gjithashtu edhe bashkëpërkime
të rëndësishme midis mesapishtes dhe shqipes
në sistemin fonetik dhe gramatikor, si p.sh. reflektimi
i |o|-së së shkurtër indoevropiane në
|a|, evolucioni ?|-m|>|-n| i mbaresës së rasës
kallëzore njëjës të emrave në të
dyja këto gjuhë etj.
Arti dhe botëkuptimi
Arti ilir në periudhën e hershme të hekurit
karakterizohet me stilin e tij dekorativ të theksuar
të epokës së bronzit, por lulëzimin e
arrin në fillim të epokës së plotë
të hekurit, d.m.th. rreth shek. VIII-VII p.e.sonë
në kushtet e zhvillimit të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror
të ilirëve. Kjo vihet re qartë sidomos në
grupin e kulturës së Devollit, në atë
të Mat-Glasinacit etj. Ky stil zbukurimi, i aplikuar
jo vetëm në objektet e veçanta metalike,
kryesisht prej bronzi dhe në qeramikë, por edhe
në materialet që nuk i rezistuan kohës si në
dru, kockë etj., përfaqësohet nga një
gamë e pasur figurash gjeometrike, si rrathë të
veçantë e bashkëqendrorë, rombe e trekëndësha
me fusha të zbrazura ose të mbushura me vija paralele
etj., të kompozuara me një fantazi të zhvilluar
dhe në një sistem rigorozisht simetrik.
Ky stil do të jetojë në të gjitha periudhat
e veçanta të zhvillimit dhe të dobësimit
të tij, deri në fund të periudhës së
hershme të hekurit, duke përbërë kështu
bazën kryesore dhe më të qëndrueshme të
koncepteve estetike të ilirëve në përgjithësi.
Arti figurativ në Iliri u zhvillua më vonë;
atë e shohim të përfaqësuar në figura
njerëzish dhe kafshësh të trajtuara skematikisht
ose në mënyrë të stilizuar si dhe në
objekte të tjera, si art dekorativ i ndërthurur
me motive gjeometrike.
Nga shek.VI p.e.sonë tek fiset e Ilirisë së
Veriut nën ndikimin e fuqishëm të kulturave
mesdhetare dhe në kornizën e lidhjeve të shumëfishta
të popullsive përreth Adriatikut Verior, lindi një
art i pasur figurativ, shprehjen më të lartë
të të cilit e gjejmë tek situlat liburne e
tek urnat japode. Në një stil të pjekur arkaik
të kohës janë paraqitur në këto monumente
pamje nga jeta e përditshme e ilirëve, në mënyrë
të veçantë e shtresave të pasura të
shoqërisë së tyre, midis të cilave skena
argëtimesh, siç është rasti i një
valleje grash lidhur dorë për dore, apo i një
procesioni funeral, ku përcjellja është dhënë
nëpërmjet një vargu të gjatë kurorash
luftarake dhe kalorësish që marrin pjesë në
ceremoninë solemne. Në raste të tjera paraqiten
skena luftimesh, gjuetie, mundjeje etj. Këto manifestime
artistike, megjithëse të ndikuara nga pikëpamja
e stilit dhe e karakterit tregimtar të ornamentit prej
artit arkaik grek dhe ai etniko-italik përsa i përket
paraqitjes së figurave, motiveve reale dhe përmbajtjes
së tregimit, kanë mjaft elemente vendëse, që
tregojnë për natyrën vendore të prodhimit
të shumë prej tyre. Në këtë drejtim
përveç vlerave artistike, këto monumente
përbëjnë edhe një burim historik të
dorës së parë për njohjen e jetës
dhe të koncepteve të shoqërisë ilire në
shek. VI-V p.e.sonë.
Përsa u përket besimeve të ilirëve të
epokës së hekurit, ato nuk ndryshonin prej atyre
të epokës së bronzit. Një rol të
madh vazhdon të luajë kulti i tokës mëmë
i lidhur me pjellorinë e saj dhe me zhvillimin e bujqësisë
në përgjithësi. Shumë e përhapur
tek ilirët ishte heliolatria (adhurimi i diellit). Gjurmët
e shumta të saj shprehen përmes motiveve të
ndryshme, që zbukuronin objektet e veçanta dhe
që në mënyrë grafike simbolizonin diellin.
Të tilla ishin, p.sh.: rrathët bashkëqendrorë,
svastikat, spiralja etj. Ky kult diellor tek ilirët shprehej
dhe përmes varëseve të ndryshme në formë
kali, kaprolli, zogu etj.
Një kult tjetër shumë i zhvilluar tek ilirët,
sidomos tek ata të krahinave jugore, ishte dhe gjarpri
si simbol i pjellorisë si totem, si qenie mbrojtëse
nga syri i keq (apotropeike) etj.
Vendosja e varreve në tuma përreth një varri
më të hershëm të pasur dhe qendror, si
dhe shoqërimi i të vdekurit në varr me objekte
të ndryshme, tregon se tek ilirët e periudhës
së hershme të hekurit ishte i zhvilluar dhe kulti
i të parëve, si edhe besimi mbi jetën e përtej
varrit.
Ilirët besonin edhe në ekzistencën e fuqive
mistike, që rronin midis tyre dhe u shkaktonin njerëzve
sëmundjet dhe fatkeqësitë e tjera shoqërore.
Për ti larguar këto të këqija, ilirët
sajuan forma të ndryshme varësesh (amuleta), me
karakter apotropeik etj.
4. KOLONITË HELENE TË BREGDETIT ILIR
Themelimi i kolonive helene dhe marrëdhëniet me
botën ilire
Vendosja e kolonive helene në bregdetin ilir është
pjesë e drejtimit të lëvizjes kolonizuese helene,
në të cilën më aktiv u tregua Korinthi.
Kjo dukuri u zhvillua, nga njëra anë, me shtytjen
e faktorëve ekonomikë e shoqërorë të
metropoleve dhe, nga ana tjetër, qe një hap i mëtejshëm
në përfshirjen e zonave ilire në sferën
e ekonomisë së Mesdheut. Kolonitë më të
hershme u vendosën në tokat e Ilirisë së
Jugut. Këto zona të banuara nga ilirët kishin
marrëdhënie tregtare me vendet e Greqisë që
nga epoka kreto-mikene. Kjo tregti fitoi një bazë
më të gjerë në kushtet e shthurjes së
rendit fisnor tek ilirët. Vendosja dhe zhvillimi i mëtejshëm
i kolonive ka qenë pasojë e këtij procesi.
Në fillim u vendosën pranë vendbanimeve ilire
pikat tregtare, të cilat me zhvillimin e mëtejshëm
të marrëdhënieve me brendatokën ilire
u populluan nga grupe kolonistësh helenë dhe u kthyen
në qendra të shpërngulurish (apoike) të
metropoleve greke.
Kolonia më e hershme u vendos në vitin 737 në
ishullin e Korkyrës, që banohej atëhere nga
liburnët. Nga këtej një valë kolonistësh
u vendosën në Dyrrah (627 p.e.sonë, ka shumë
gjasë edhe më herët). Apolonia, e cila u themelua
në vitin 588, ngjan të ketë qenë populluar
nga kolonistë të ardhur nga Dyrrahu. Për gjithë
kohën antike midis dy qyteteve u mbajtën lidhje
të ngushta ekonomike dhe politike, që janë
karakteristike për marrëdhëniet midis metropoleve
dhe apoikeve. Në të njëjtën kohë
me Apoloninë u formua nga banorët të ardhur
nga Eubea edhe kolonia helene në Orik, e cila për
vetë mundësitë e kufizuara të kontakteve
me prapatokën ilire nuk arriti kurrë rëndësinë
ekonomike, as edhe famën e dy kolonive të tjera.
Kaluan edhe dy shekuj të tjerë derisa kolonistët
helenë të ardhur nga Parosi, Sirakuza e Sicilisë
dhe Knidi të vendoseshin në ishujt e Ilirisë
së Veriut, ku themeluan Faron (sot Hvar), Isën (sot
Vish) dhe Korkyrën e Zezë (sot Korculla).
Në fillimet e veprimtarisë së kolonive peshën
kryesore në ekonomi e zinte tregtia tranzite. Nga tokat
ilire merreshin prodhime bujqësore, lëndë druri
dhe minerale për nevojat e metropoleve, kundrejt shkëmbimit
mall me mall me prodhime të zejtarisë.
Por në shek.V p.e.sonë kolonitë e bregdetit
ilir nuk janë më shtojca të ekonomisë
e furnizuese të thjeshta lëndësh të para
të qyteteve mëma. Prodhimi lokal, i mbështetur
kryesisht në shfrytëzimin e punës së skllevërve,
arrin në këtë periudhë një shkallë
të tillë zhvillimi saqë ishte në gjendje
të mbulonte jo vetëm kërkesat e popullsisë
së këtyre qyteteve, por edhe të botës
ilire përreth, gjallëruese dhe nxitëse e drejtpërdrejtë
e këtij zhvillimi. Importimet nga qytetet mëma dhe
Greqia u kufizuan kryesisht në sendet e luksit dhe në
veprat e artit. Dyrrahu dhe Apolonia vepronin tani si njësi
ekonomike krejt të pavarura, duke e shprehur këtë
edhe në prerjen e monedhave të tyre të veçanta.
Zejtaria u orientua nga prodhimi i sendeve të konsumit
të gjerë: qeramika, veglat e punës, armët
që hidheshin në tregun e brendshëm dhe në
atë të prapatokës. Punishtet e prodhimit të
gjerë të enëve prej balte, të tjegullave
e të tullave, të punimit të gurit etj., ishin
prona të skllavopronarëve dhe kishin karakterin
e ergasterive antike.
Në marrëdhëniet tregtare me botën ilire,
veç prodhimeve bujqësore e blegtorale, lëndës
së drurit për ndërtimin e anijeve dhe skllevërve,
për të cilat tregu grek kishte mungesë, vëmendja
e kolonistëve u përqendrua në pasuritë
minerale të Ilirisë së Jugut. Në shkrirjen
dhe në përpunimin e hekurit, të bakrit dhe
të argjendit, ilirët kishin një përvojë
shekullore, nga e cila përfituan edhe kolonistët.
Veçanërisht eksportimi i argjendit që nxirrej
nga minierat e pirustëve dhe të Dardanisë,
u bë një nga burimet kryesore të pasurimit
e të lulëzimit të dy kolonive të mëdha,
Dyrrahut dhe Apolonisë. Ai eksportohej kryesisht në
formën e monedhave, të cilat gjetën një
përkrahje të gjerë në krahinat e afërta
dhe të largëta ilire.
Për të nxjerrë fitime sa më të mëdha
nga marrëdhëniet tregtare me ilirët, sidomos
nga tregtia me shumicë e lëndëve të para,
e gjithë kjo veprimtari kryhej nëpërmjet një
përfaqësuesi të veçantë të
kolonive, të quajtur poleti.
Duke qenë se Dyrrahu dhe Apolonia ishin qendra zejtare
e tregtare, bujqësia e blegtoria zinte në to një
vend të dorës së dytë. Në rrethet
e afërta të qytetit pronarët e pasur kishin
tokat e kullotat e tyre me sipërfaqe e prodhim të
kufizuar, sepse kufiri me ilirët nuk shtrihej shumë
larg mureve të qytetit.
Rendi shoqëror dhe organizimi politik
Që në fillim në kolonitë helene të
bregdetit ilir u vendos mënyra antike e prodhimit. Në
ndarjen e shoqërisë në kolonitë rol të
veçantë luante prejardhja shoqërore dhe etnike
e njerëzve. Në kushte më të privilegjuara
ishte shtresa me prejardhje aristokrate, që kishte qenë
shpesh përkrahëse e themelimit të kolonive.
Përbërja shoqërore e shtresave të lira
ishte e larmishme. Krahas të mërguarve, për
arsye politike gjatë luftërave të demosit me
aristokracinë në metropole, kishte fisnikë
të varfëruar, zejtarë të zhveshur nga
mjetet e prodhimit, fshatarë të shpronësuar,
tregtarë e detarë. Kjo masë e popullsisë
shtohej vazhdimisht si rrjedhim i dyndjeve të herëpashershme
nga metropolet. Në Dyrrah një kontingjent i madh
njerëzish të tillë erdhi në gjysmën
e dytë të shek.V.
Në Dyrrah e në Apoloni shtresa e skllevërve
përbënte forcën kryesore të fuqisë
punëtore. Ajo ndahej në tri kategori: në skllevër
të qytet-shtetit skllavopronar, të cilët punonin
në punishtet e tjegullave dhe të tullave, në
thyerjen, transportimin dhe në skalitjen e gurëve,
në përpunimin e metaleve e në prerjen e monedhave,
pra në punët më të rënda. Të
shumtë ishin edhe skllevërit privatë që
përbënin kategorinë e dytë, të cilët
përveç ergasterive shërbenin edhe në
ekonomitë shtëpiake.
Një pjesë të popullsisë, gjithmonë
në rritje, e përbënin të huajt,
kategoria e tretë ose banorët me origjinë ilire.
Këta në dhjetëvjeçarët e parë
ishin të privuar nga të drejtat shoqërore dhe
politike.
Në përputhje me këtë përbërje
shoqërore të popullsisë, rendi politik në
Apoloni e Dyrrah kishte në fillim karakter oligarkik.
Pushteti i takonte një pakice me prejardhje aristokrate.
Shumica dërrmuese e popullsisë, ashtu edhe ilirët,
duke mos bërë fjalë për skllevërit,
nuk gëzonte të drejta në qeverisjen e qytetit.
Zhvillimi i vrullshëm ekonomik i Dyrrahut dhe i Apolonisë
në shek.VI-V shoqërohet me ndryshime në rendin
shoqëror e politik të dy kolonive, si rrjedhim i
një lufte të ashpër sociale e politike. Me
zgjerimin e prodhimit zejtar dhe të shkëmbimit të
mallrave me ilirët dhe me Greqinë, u pasuruan dhe
u forcuan ekonomikisht shtresat tregtare e zejtare të
kolonive. Këto shtresa dolën tani si forca të
pavarura në arenën politike kundër grupit oligarkik,
me synimin për të marrë pushtetin dhe për
ta përdorur atë në dobi të interesave
të tyre. Si rrjedhim i kësaj, në vitin 437
shpërtheu në Dyrrah një kryengritje e demosit,
e njohur në historinë antike për rolin që
luajti në prag të luftës së Peloponezit.
Në arenën e kësaj lufte përveç
forcave të demosit dhe aristokracisë, u duk edhe
ndeshja e interesave të Korkyrës, prapa së
cilës qëndronte Athina dhe Korinthi. Të dyja
fuqitë synonin të përfitonin mundësi më
të gjera në tregun ilir. Gjithashtu në këtë
ndeshje morën pjesë aktive edhe ilirët fqinjë,
të cilët duke ndihmuar aristokratët e dëbuar
nga qyteti, u radhitën me forcat që përkahnin
Athinën në luftën kundër lidhjes së
Peloponezit.
Rrjedhimi kryesor i luftës civile në Dyrrah ishte
triumfi i plotë i parimit të ndarjes klasore të
shoqërisë, forcimi i polisit skllavopronar. Pushteti
tani kalon nga rrethi i kufizuar i aristokracisë skllavopronare
në duart e gjithë skllavopronarëve si klasë.
Baza shoqërore e tij u zgjerua me pjesëmarrjen e
shtresave më të gjera skllavopronare, të pronarëve
të punishteve, të tregtarëve etj., duke bërë
kështu më të theksuar mënyrën antike
të prodhimit. Që nga kjo kohë u forcua edhe
pozita shoqërore e ilirëve që banonin në
qytet. Një dukuri e tillë e ngjashme u zhvillua
edhe në Apoloni.
Këto ndryshime u pasqyruan edhe në përbërjen
dhe në funksionet shtetërore. Vendin e krerëve
(fylarkëve) aristokratë, në duart e të
cilëve qe përqendruar pushteti gjatë regjimit
oligarkik, e zuri tani një organ kolegjial, buleja (këshilli).
Anëtarët e saj mund të ishin jo vetëm
nga fisnikët, por edhe nga shtresat e tjera të skllavopronarëve.
U krijua edhe organi i mbledhjes së përgjithshme
të popullit, helieja. Detyrat kryesore të saj ishin
miratimi i ligjeve, marrja e vendimeve me rëndësi
dhe zgjedhja e kontrollimi i veprimtarisë së organeve
ekzekutive të qytetit. Me gjithë pjesëmarrjen
e popullit të lirë, edhe ky organ ishte në
duart e skllavopronarëve, pa praninë e të cilëve
helieja nuk kishte të drejtë të zgjidhte organet
e larta ekzekutive të qytetit. Nga anëtarët
e bulesë në krye të çdo viti zgjidhej
prytani, i cili ishte funksionari më i lartë civil
i qytetit. Me emrin e tij lidheshin të gjitha ligjet,
dekretet e vendimet me rëndësi të shpallura
gjatë vitit. Me çështjet që kishin të
bënin me mbrojtjen ushtarake dhe me luftën merrej
toksarku, që ishte komandanti i shigjetarëve. Sekretarit
i binte për detyrë kryesore të kujdesej për
ngulitjen mbi gur ose mbi tabela bakri të ligjeve, të
dekreteve e vendimeve të marra nga helieja apo organet
e larta ekzekutive dhe ti shpallte ato publikisht. Të
tre hieramnamonët, merreshin jo vetëm me çështjet
e kultit, me organizimin e lojërave e të festave,
por me sa duket edhe me çështjet financiare të
qytetit. Veç këtyre kishte edhe nëpunës
të tjerë, të një rangu më të
ulët, por që në të vërtetë luanin
një rol me rëndësi në jetën ekonomike.
I tillë ishte nëpunësi i ngarkuar me prerjen
e monedhave, i cili kishte për detyrë të kujdesej
si për sigurimin e lëndës së parë,
ashtu edhe për prerjen dhe shpërndarjen e monedhave.
Mbi drahmet e argjendta emri i tij vendosej krahas atij të
prytanit. Një funksionar tjetër ishte poleti që
merrej me rregullimin e tregtisë me ilirët.
Kulti fetar ishte në harmoni me institucionet shoqërore
e politike të qytetit. Kjo duket edhe nga shkrirja e
funksioneve fetare me ato shtetërore (hieramnamonët).
Hyjnitë më të adhuruara në Apoloni ishin
Apoloni, që i dha emrin qytetit, hyjnesha ilire e brigjeve
u unjisua nga kolonistët me Artemisin; Dionizi ishte
hyu i vreshtave etj. Perënditë kryesore, të
cilëve u faleshin më shumë dyrrahasit, ishin
Zeusi, Dielli dhe bashkëthemeluesi legjendar i qytetit
Herakliu.
Kolonitë helene u vendosën në Iliri në
rrethanat e marrëdhënieve të ngushta ekonomike
me ilirët, që kushtëzoheshin nga interesat
reciproke. Fuqizimi i mëtejshëm i kolonive përkon
me lindjen e qyteteve ilire dhe me formimin e shtetit ilir.
Tek këta kolonitë do të gjejnë një
bazë për tu mbështetur në synimet
e tyre për çlirimin e plotë ekonomik dhe
politik nga metropolet. Nuk kanë munguar edhe konfliktet
midis ilirëve dhe kolonive, me sa duket, si rrjedhim
i shpërdorimeve të kolonistëve në marrëdhëniet
me ilirët dhe për kufijtë midis tyre. Këto
morën forma të armatosura në luftën e
Apolonisë me qytetin ilir Thronion rreth mesit të
shek.V dhe në luftën e ilirëve kundër
Isës më 385 p.e.sonë.
Që nga gjysma e dytë e shek. IV p.e.sonë historia
e kolonive helene të bregdetit të Ilirisë zhvillohet
në marrëdhënie të ngushta me historinë
politike të shtetit ilir dhe në kornizën e
saj.
|
 |  |