 |  |
K R E U I I I
SHTETET ILIRE
Në fundin e shek. V p.e.sonë ilirët hynë
në rrugën e zhvillimit skllavopronar. Në shekujt
që pasuan e deri në pushtimin romak krahinat më
të përparuara ilire, ato jugore, kryesisht bregdetare,
njohën zhvillimin e tyre më të lartë shoqëror
e politik të pavarur. Urbanizimi intensiv i kësaj
treve dhe zhvillimi që mori, për pasojë, mënyra
antike e prodhimit në shek. IV-III p.e.sonë çoi
në krijimin e një shoqërie antike të mirëfilltë
dhe në formimin e një vargu shtetesh ilire, të
cilat u inkuadruan në qytetërimin e përparuar
të botës mesdhetare.
Midis formacioneve shtetërore që u formuan në
trevën e gjerë ilire, ai që arriti një
shkallë të lartë të zhvillimit politik
dhe që luajti një rol të shquar në ngjarjet
politike të kohës qe Shteti Ilir apo Mbretëria
Ilire. Që nga dukja e këtij shteti emrat ilir dhe
Iliri morën, përveç kuptimit të gjerë
etnik, edhe një kuptim të ngushtë politik,
që u lidhën me fatet historike të këtij
formacioni shtetëror dhe të popullsisë së
tij, e cila në burimet e shkruara do të njihet me
emrin Illyrii propriedictii (ilirë të mirëfilltë).
Në kohë të ndryshme Mbretëria Ilire ushtroi
pushtetin e vet, natyrisht me luhatjet që i imponuan
rrethanat politike, në një territor të gjerë
që përfshinte krahinat prej lumit Naretva (Narona)
në veri e deri te lumi Vjosa (Aous), në jug me një
shtrirje drejt lindjes deri te liqenet Lyhnide në kufi
me Maqedoninë dhe më në veri me Mbretërinë
Dardane.
Në krahinat më jugore ilire u formua një shtet
tjetër i rëndësishëm ilir i njohur me
emrin Shteti i Epirit, i cili shquhet sidomos në ngjarjet
politike të fundit të shek. IV dhe të çerekut
të parë të shek. III p.e.sonë. Në
kohën e shtrirjes më të gjerë të
tij, ai përfshinte tokat prej lumit Vjosa (Aous) e deri
në gjirin e Artës (Nikopolit), duke u kufizuar nga
jugu me Akarnaninë, kurse nga lindja me Thesalinë
e Maqedonisë.
Në këtë hapësirë kanë ekzistuar
si formacione shtetërore të pavarura edhe një
varg qytetesh shtete, si Dyrrahu, Apolonia, Ambrakia, historia
politike e të cilave u zhvillua herë në lidhje
të ngushtë e herë në kundërshtim
me atë të Shtetit Ilir dhe të atij të
Epirit. Në rrethana të caktuara politike lindin
gjithashtu formacione më pak të rëndësishme
në formën e lidhjeve qytetare (Koinon), si ajo e
Bylinëve etj., që kanë një peshë
më të vogël në historinë politike
të Ilirisë.
Në krahinat e brendshme jugore dhe qendrore ilire u formuan
tri mbretëri të vogla ilire: e paionëve, e
dardanëve dhe e athamanëve. E para shfaqet me një
shkëlqim të shkurtër në shek. IV p.e.sonë
për të rënë pastaj shpejt nën goditjet
e politikës ekspansioniste të shtetit maqedon, kurse
dy të fundit dalin në arenën politike në
shek. III me një rol të parëndësishëm.
Popullsitë ilire të krahinave të brendshme
qendrore e veriore nuk njohën deri në fillim të
erës sonë një organizim politik shtetëror;
edhe në këtë kohë ato arritën të
organizohen vetëm në federata fisnore, siç
është rasti i dalmatëve ose i fiseve të
tjera.
1. ZHVILLIMI EKONOMIK E SHOQËROR I ILIRËVE NË
SHEK. IV P.E.SONË
Lindja e qyteteve dhe e jetës qytetare
Zhvillimi ekonomik e shoqëror i Ilirisë gjatë
epokës së hekurit dhe veçanërisht gjatë
shek. VII-V p.e.sonë kishte përgatitur kushtet për
lindjen e qyteteve dhe të jetës qytetare. Siç
dëshmojnë të dhënat arkeologjike, qytetet
ilire ngrihen mbi bazën e vendbanimeve të fortifikuara
të epokës së hekurit dhe të qendrave protourbane
që u krijuan si rezultat i zhvillimit të zejtarisë,
të bujqësisë, të blegtorisë, si edhe
të intensifikimit të marrëdhënieve të
këmbimit me botën greke. Kjo dëshmohet nga
prania e gjerë e qeramikës së importuar korinthike
e jonike dhe më pas edhe nga prodhimet e kolonive greke
në Dyrrah e në Apoloni, të cilat kishin hyrë
në marrëdhënie të ngushta me prapatokën
ilire.
Lindja dhe zhvillimi i jetës qytetare ishte një
dukuri me karakter ekonomik e shoqëror tërësisht
e re. Thelbi i saj ishte vendosja e ekonomisë antike
të tregut që u materializua me krijimin e qyteteve
si qendra prodhimi e shkëmbimi. Kjo është e
lidhur me shkëputjen e plotë të zejtarisë
nga bujqësia, me krijimin e mënyrës antike
të prodhimit dhe me zbatimin e punës së skllavit
në degët e ekonomisë.
Njoftimet më të hershme për ekzistencën
e qyteteve në Iliri i takojnë mesit të shek.
IV p.e.sonë. Historiani grek, Diodori, duke përshkruar
fushatat e Filipit II kundër ilirëve thotë
se mbreti i Maqedonisë u lëshua mbi Ilirinë
me një ushtri të fortë, plaçkiti vendin,
nënshtroi shumë qytete të vogla dhe u kthye
në Maqedoni me plaçkë të madhe.
Oratori i madh, Demosteni, duke paralajmëruar athinasit
për rrezikun që i kërcënonte nga mbreti
maqedon, vë në dukje gjithashtu se Filipi
po fortifikonte qytete në Iliri. Pak më vonë
historianët grekë të shek. II p.e.sonë
Ariani e Rufi përmendin me emër Polionin si qytet
i Dasaretisë, kurse historiani i shek. IV p.e.sonë
Theopompi përmend qytetin Oidanton. Më në fund
nga të dhënat numizmatike të fillimit të
shek. IV p.e.sonë mësojmë emrin e një
qyteti të rëndësishëm ilir, Damastion.
Kuptohet se origjinën e këtyre qyteteve, që
janë të pranishme në mesin e shek. IV p.e.sonë,
(një rast vërtetohet qysh në fillim të
këtij shekulli), duhet ta kërkojmë pak më
parë, d.m.th. në fundin e shek. V p.e.sonë.
Nuk dihet me saktësi se çparaqesin në
vetvete këto qytete të hershme ilire. Dëshmitë
e autorëve antikë, përveç faktit që
kumtojnë ekzistencën e tyre, janë tepër
të varfra për të ndihmuar që të rindërtohet
pamja reale e këtyre qendrave urbane.
Edhe nga pikëpamja arkeologjike nuk ka ende gjurmime
të tilla, nëpërmjet të cilave të
dallohet qartë qyteti i kësaj kohe. Megjithatë,
prej qyteteve antike, rrënojat e të cilave ruhen
në vendin tonë, mund të pohohet se qyteti i
mirëfilltë në Iliri formohet kryesisht gjatë
shek. IV p.e.sonë. Në këtë kohë kemi
edhe dëshmitë e qarta si nga burimet e shkruara,
ashtu edhe nga ato arkeologjike.
Këto qytete ashtu sikurse vendbanimet e fortifikuara
të epokës së hekurit, ngrihen mbi kodra të
mbrojtura nga pikëpamja natyrore, por shtrihen me sipërfaqe
relativisht më të gjera, që arrijnë deri
në 10-20 ha. Muret e tyre rrethuese janë ndërtuar
me një teknikë më të përparuar me
blloqe shumëkëndëshe, trapezoidale; ato janë
mjaft të fuqishme dhe me një bukuri të rrallë
(Amantia, Klos, Çuka e Aitojt etj.), por sistemi i
fortifikimit në përgjithësi është
ende i thjeshtë; ai nuk njeh kullat, rolin e të
cilave e luajnë deri diku kthesat me kënd të
drejtë, që bën muri herë mbas here për
arsye qëndrueshmërie; edhe portat në këtë
sistem janë të pakta e me një mbrojtje më
të dobët.
Qytetet e mëdha zënë një pozitë qendrore
në krahinën që zotërojnë dhe shtrihen
në një hapësirë prej 30-40 ha, siç
është rasti i Bylisit, i Antigonesë, i Lisit
etj., dhe janë të mbrojtura me mure të fuqishme.
Duke folur për qytetet e kësaj kohe Diodori i quan
ato me termin polisma, që do të thotë qytete
të vogla, me sa duket ende në shkallën fillestare
të zhvillimit të tyre. Demosteni, në shek.
IV p.e.sonë përkundrazi, përdor termin poleis
që do të thotë qytet. Ndryshimi që vërehet
në termat e përdorur prej këtyre dy autorëve
nuk duket të jetë i rastit; ai shpreh me sa duket
një diferencim që u bëhet këtyre qendrave
urbane ilire dhe që lidhet me karakterin e tyre. Pak
dritë mbi këtë çështje hedh pohimi
i Arianit, i cili e quan Pelionin si qytetin më
të fortë midis qyteteve të Dasaretisë.
Duket se disa qytete kishin mundur të ecnin përpara
dhe të dalloheshin prej të tjerave. Interes të
veçantë paraqet në këtë drejtim
Damastioni, i cili është dhe i pari qytet ilir që
pret monedha. Burimet tregojnë se ky qytet gjendej në
shpinë të zonës bregdetare, diku midis kësaj
zone dhe liqeneve lynkeste. Duke folur për këtë
Straboni në shekullin e parë shkruan kështu:
Pas Epidamnit dhe Apolonisë gjer te malet Keraune
ndodhen bylinët, taulantët, parthinët dhe brygët;
aty afër gjenden dhe minierat e argjendit në Damastion,
mbi të cilat diestët vendosën sundimin e tyre,
si dhe enkelejtë, të cilët i quajnë dasaretë;
afër këtyre vijnë lynkestët... Mungesa
e të dhënave më të sigurta ka penguar
që ky qytet të lokalizohet me saktësi, por
duke u nisur nga arsenali i gjetjeve të monedhave të
tij, ai duhet kërkuar në krahinat e brendshme ilire,
diku në lindje të Drinit të Sipërm.
Pasazhi i Strabonit ka një rëndësi të
veçantë dhe për një fakt tjetër.
Ai tregon se Damastioni qe një qytet që lindi dhe
u zhvillua në një zonë të pasur me miniera,
të cilat, me sa duket përbënin edhe bazën
ekonomike të tij. Shfrytëzimi i tyre dhe zhvillimi
i zejtarisë së përpunimit të metaleve
qenë degët kryesore të kësaj ekonomie.
Karakteri i saj bëhet i qartë edhe nga simbolet
që mbajnë monedhat e qytetit, të cilat paraqesin
midis të tjerash çekanin e minatorit dhe shufrat
metalike.
Damastioni është, kështu, shembulli i një
qyteti zejtar të përparuar të kësaj kohe,
por padyshim jo i vetmi. Pelioni shfaqet në burimet,
jo vetëm si qyteti më i fortë midis qyteteve
të Dasaretisë, por edhe si kryeqendër apo qendër
rezidenciale e mbretit ilir. Ka mundësi që qytetet
e tjera më të vogla, ato që Diodori i quan
polisma, do të kenë qenë qendra njësish
gjeografiko-ekonomike, ku do të ketë mbisunduar
ekonomia bujqësore-blegtorale me ndonjë degë
të kufizuar të zejtarisë.
Zejtaria, bujqësia e blegtoria
Lindja e qyteteve i dha një shtytje të re zhvillimit
të degëve të ndryshme të ekonomisë
ilire.
Zejtarinë e shfrytëzimit të minierave dhe të
përpunimit të metaleve ilirët e njihnin dhe
më parë, por asnjëherë si tani ajo nuk
paraqitet si degë e veçantë e një qyteti,
siç është rasti i Damastionit. Në shek.
IV në zejtarinë e punimit të metaleve nuk vihet
re ende ndonjë ndryshim cilësor, fjala vjen në
punimin e veglave të punës, të armëve
apo të zbukurimeve, në krahasim me shekujt pararendës.
Por tani mund të flitet për një veprimtari
më të gjerë e më intensive si në
shfrytëzimin e minierave, ashtu edhe në prodhimtarinë
e degëve të veçanta të zejtarisë
metalpunuese. Bie në sy në mënyrë të
veçantë rritja e prodhimit të armëve,
që përbëjnë në këtë kohë
gjetjet më të shumta nëpër nekropolet
në krahasim me zbukurimet.
Megjithatë, nuk pati ndonjë përparim, në
fushën e zejtarisë së prodhimit qeramik, madje
importi e dobësoi për një kohë këtë
degë të zejtarisë ilire.
Ndërkaq në fushën e ndërtimeve ndodh një
revolucion i vërtetë. Mjeshtrat e ndërtimit
shquhen në shek. IV për aftësitë e tyre
arkitektonike e teknike dhe për njohuritë e thella
në fushën e artit të fortifikimeve, që
i zbatonin në nivelin më të përparuar
të kohës, ashtu si në shumë vise të
tjera të botës mesdhetare. Muret rrethuese të
qyteteve të ndërtuara në stilin poligonal janë
dëshmia më e qartë e arritjeve në këtë
fushë.
Të dhënat për bujqësinë dhe blegtorinë
e ilirëve për shek. IV janë të varfra.
Autorët bashkëkohës, si Aristoteli, Skymni,
Ariani etj., nuk bëjnë tjetër veçse
përsërisin Hekateun, për shkak të njohjes
ende të pamjaftueshme të Ilirisë; megjithatë
Iliria për autorët grekë ishte vendi i një
bujqësie e blegtorie të zhvilluar, tokat pjellore
të së cilës shfrytëzoheshin vende-vende
në mënyrë intensive dhe që krahas kulturave
bujqësore (rritja e ullirit, kopshtaria e bletaria),
në kullotat e pasura rritnin bagëti të mira
të racës.
Të dhënat arkeologjike i vërtetojnë këto
njoftime. Parmenda e paraqitur në buzët e një
pitosi gjetur në fushën e Korçës, si
dhe figurat simbolike të paraqitura në monedhat
e Dyrrahut e të Apolonisë, apo në monumentet
varrimore të kohës, si kalliri i grurit, dega e
ullirit, bistaku i rrushit, bleta, lopa si dhe briri i bollëkut,
simbol i pjellorisë dhe i begatisë, u bëjnë
jehonë pasurive të tokës ilire dhe zhvillimit
që kishin marrë bujqësia e blegtoria ilire
në këtë kohë.
Tregtia dhe qarkullimi monetar
Si rrjedhim i zhvillimit të zejtarisë dhe të
degëve të tjera të ekonomisë ilire u zgjeruan
shkëmbimet dhe tregtia. Gjetjet arkeologjike dëshmojnë
për një shtrirje të gjerë të prodhimeve
të zejtarisë ilire. Tipat standardë të
armëve, të zbukurimeve dhe të enëve prej
balte që përsëriten në gjetjet nga një
krahinë në tjetrën, dëshmojnë për
marrëdhënie intensive midis popullsisë së
krahinave të ndryshme dhe për një zhvillim
të konsiderueshëm të këmbimeve midis tyre.
Një zhvillim më të gjerë morën në
këtë kohë shkëmbimet me botën greke.
Jo më kot pasuritë minerale dhe disa prodhime bujqësore
tërhoqën vëmendjen e autorëve antikë
të kësaj kohe. Duket se këto prodhime ishin
ndër artikujt kryesorë të eksportit ilir. Një
vend me rëndësi zinin këmbimet me kolonitë
greke të bregdetit Adriatik dhe qytetet e Halkidës,
të cilat merrnin nga Damastioni argjendin për prerjen
e monedhave të tyre, kurse nga tokat e afërta të
Atintanisë serën, që u duhej për ndërtimin
e anijeve dhe lyerjen e enëve të transportit. Kundrejt
tyre ilirët merrnin prodhime luksi të artizanatit
grek, midis të tjerave prodhime atike e italike. Krahas
prodhimeve të Dyrrahut e të Apolonisë, enët
e këtyre qendrave janë gjetje jo të rralla
në vendbanimet e zonës bregdetare. Por ato fillojnë
të duken më dendur edhe në krahinat e brendshme
ilire. Pas Trebenishtit ato shfaqen edhe në luginën
e mesme të Drinit, në afërsi të Kukësit
e të Krumës. Këto prodhime arrijnë këtu
nëpërmjet rrugëve tregtare të shkelura
qysh në shek. VI-V, duke ndjekur luginat e lumenjve me
pikënisje si nga qendrat e bregut Adriatik, ashtu edhe
të Egjeut.
Monedhat e argjendit përdoren gjerësisht si ekuivalent
shkëmbimi. Në krahinat bregdetare gjejnë një
përhapje të madhe monedhat e Dyrrahut e të
Apolonisë, kurse në ato të brendshme dhe lindore
monedha e Damastionit. Gjetjet e deritanishme tregojnë
se kjo monedhë qarkulloi në një zonë të
gjerë që përfshinte krahinën e diestëve,
penestëve dhe pjesërisht atë të lynkestëve.
Prerja dhe hedhja në treg e monedhave nga një qytet
ilir si Damastioni është një fakt me rëndësi
të veçantë. Ai tregon se tani, në pjesën
e parë të shek. IV p.e.sonë, krahas Dyrrahut
dhe Apolonisë, të cilat me monedhat e tyre, qysh
nga shek.V p.e.sonë kishin mbuluar krahinat e afërta
të ultësirës bregdetare dhe i kishin tërhequr
ato në orbitën e marrëdhënieve skllavopronare,
një qytet ilir, Damastioni, lindi dhe u bë qendër
e rëndësishme ekonomike e krahinave të brendshme.
Ai hodhi në treg monedhën e vet dhe me këtë
shënoi shtrirjen e mëtejshme të sistemit monetar
në krahinat e brendshme të Ilirisë Jugore.
Ekonomia monetare theu kështu dhe në këtë
pjesë të Ilirisë ekonominë e prapambetur
natyrore, për ti hapur rrugën një sistemi
të ri ekonomik, skllavopronarisë.
Vendosja e skllavopronarisë
Me lindjen e qyteteve u krijua edhe një popullsi qytetare,
e cila më parë nuk njihej. Burimet nuk e bëjnë
të qartë përbërjen dhe karakterin e kësaj
popullsie, por meqë qytetet ishin qendra ekonomike dhe
administrative, edhe popullsia e tyre përbëhej nga
masa e gjerë e prodhuesve zejtarë, bujq e blegtorë,
nga pronarët e punishteve zejtare, tregtarët dhe
aristokracia e vjetër fisnore që përbënte
parinë e qytetit. Si e tillë, popullsia e qytetit
paraqitej e diferencuar në shtresa shoqërore, me
interesa të ndryshme. Prej tyre, pronarët e punishteve
dhe tregtarët formonin shtresën e re të pasuruar,
e cila zhvendos përfundimisht në plan të dytë
aristokracinë e vjetër fisnore.
Si qendra ekonomike e politike më vete qytetet i rrethonte
një popullsi fshatare e lidhur me ta nëpërmjet
interesave ekonomikë të ndërsjelltë. Në
burimet këto popullsi njihen akoma si fise të mëdha
apo të vogla, por fisi nuk ka më kuptimin e tij
klasik. Vetë dukja e qyteteve dhe prerja e qarkullimi
i monedhave janë elemente që nuk pajtohen me rendin
fisnor, ato i japin bashkësisë një përmbajtje
të re nga pikëpamja e marrëdhënieve ekonomike
e shoqërore.
Ashtu si në Maqedoni, edhe në Epirin fqinjë
të kësaj kohe, shumica e popullsisë në
Iliri jetonte në fshatra; qytetet ishin ende në
numër të vogël. Masën kryesore të
kësaj popullsie e formonte fshatarësia e lirë,
por burimet bëjnë fjalë edhe për një
popullsi fshatare të varur. Theopompi në veprën
e tij Filipika shkruan se ardianët
kanë 300 mijë prospelatë si helotë....
Me prospelatë autorët e vjetër kuptonin një
popullsi të varur që merrej me punimin e tokës
dhe që u jepte zotëruesve të saj si detyrim
një pjesë të prodhimit. Duke i krahasuar prospelatët
e ardianëve me helotët e Spartës, Theopompi
e përcakton edhe më mirë gjendjen e tyre sociale.
Me sa duket edhe këta ishin, sikurse helotët, një
popullsi e nënshtruar që pas pushtimit ishin shpronësuar
dhe ishin kthyer në gjendje vartësie. Nuk kemi prova
nëse kjo ishte një popullsi e huaj apo një
fis tjetër ilir që pësoi këtë fat;
numri i tyre gjithashtu duhet të jetë i tepruar,
por mbetet i padiskutueshëm fakti që kemi të
bëjmë me një masë popullsie mbi të
cilën ushtrohet shtypje ekonomike dhe politike.
Midis ilirëve ky nuk ishte një fenomen i veçantë
për ardianët. Një shekull më vonë
Agatharkidi në veprën e tij Evropaikon
do të pohojë se dardanët kanë kaq
shumë skllevër (ai i quan këta me emrin dullos),
sa dikush kishte 1 000, kurse të tjerë edhe më
shumë. Secili nga këta në kohë paqeje
punon tokën, kurse në kohë lufte merr pjesë
në ushtri duke pasur si prijës zotin (despotes)
e tij.
Edhe pse Agatharkidi përdor termin dullos, shpjegimet
e mëtejshme e bëjnë të qartë se kemi
të bëjmë me një popullsi të tipit
të prospelatëve ardianë. Nuk ka asnjë
dyshim që termi dullos përdoret këtu
me kuptimin më të gjerë, ashtu sikurse ndodh
shpesh që autorët antikë i quajnë helotët
dullë të lakeldemonëve.
Një rast tjetër është ai që përmend
Atheneu, për penestët. Sipas tij thesalët
quajnë penestë jo ata që lindin skllevër,
por ata që shtihen në dorë me anë të
luftës. Dihet se me emrin penestë quhej një
fis i tërë në territorin e Mbretërisë
Ilire. Përkufizimi i Atheneut të çon në
përfundimin se popullsia e këtij fisi duhet të
ketë qenë e ngjashme nga pikëpamja e gjendjes
shoqërore me prospelatët e ardianëve dhe dullët
e dardanëve.
Prania e një popullsie të tillë të varur
e të shfrytëzuar ekonomikisht midis ilirëve,
është një dëshmi e rëndësishme
për të përcaktuar karakterin dhe strukturën
e shoqërisë ilire. Siç tregojnë të
dhënat e autorëve antikë, popullsia e varur
e tipit prospelatë-helotë-penestë përfaqësonte
në këtë kohë në Iliri një formë
të hershme të skllavërisë që ekzistonte
në disa nga popullsitë kryesore ilire. Kjo kategori
njerëzish përdorej në masë në punimet
bujqësore dhe mbase edhe në shfrytëzimin e
minierave. Zotërit e tyre (despotët) duket se banonin
në qendrat e vogla të fortifikuara ose në qytete.
Kohën më të madhe ata e kalonin në luftëra
dhe jo rrallë me dëfrime. Theopompi na thotë
se sunduesit e prospelatëve ardianë çdo
ditë deheshin, bënin mbledhje dhe shtroheshin në
gosti, të dhënë pas të ngrënit e
të pirit. Pjesën tjetër të popullsisë
e përbënte masa e fshatarëve të lirë
që luante, me sa duket, ende një rol kryesor në
prodhimin shoqëror.
Përveç përfitimit nga puna e popullsisë
vendase, shtresa e pasur siguronte të mira materiale
nëpërmjet grabitjes kolektive të popujve fqinjë
me anë të luftërave. Tributet e përvitshme
që detyroheshin të paguanin popujt e nënshtruar
tregojnë se këto grabitje kryheshin në mënyrë
sistematike.
Kështu në shek. IV p.e.sonë, shoqëria
ilire paraqitet si një shoqëri e ndarë në
klasa e shtresa shoqërore. Kjo shoqëri njihte atëherë
format e hershme të varësisë skllavopronare,
prandaj edhe ishte një shoqëri skllavopronare. Lindja
e qyteteve ndihmoi për thellimin e diferencimit shoqëror,
sepse duke u bërë qendra të rëndësishme
të zejtarisë dhe të tregtisë ato i dhanë
hov rritjes së prodhimit, shkëmbimit me para dhe
shfrytëzimit të punës së huaj.
Pa mbivlerësuar peshën dhe rolin e qytetit ilir
në këtë periudhë të hershme mund
të thuhet se ai vepron jo vetëm si bartës i
skllavopronarisë, por edhe si përçues i saj
në botën fshatare që e rrethon. E lidhur me
qytetin me anë të marrëdhënieve ekonomike
dhe e varur prej tij përmes këtyre marrëdhënieve,
bota fshatare ilire, sidomos ajo që ndodhej rreth qyteteve
nuk është më bota e organizimit fisnor. Ajo
njeh tani marrëdhënie vartësie në formën
e skllavërisë së tipit helot.
Kështu, në shek. IV qyteti ilir na paraqitet me
një rol e peshë të ndjeshme në jetën
ekonomike e shoqërore të Ilirisë. Si i tillë
ai shërbeu si bazë e organizimit politik shtetëror.
2. MBRETËRIA E PARË ILIRE. DINASTIA E BARDHYLIT
(FILLIMI I SHEK. IV - 335 P.E.SONË)
Ardhja në fuqi e Bardhylit
Shekulli i ri, i katërt, i gjen përsëri ilirët
në konflikt me fqinjët e tyre maqedonë për
çështjen e Lynkestisë. Në vitet e fundit
të sundimit të mbretit maqedon, Arhelaut, në
kapërcyell të shekullit, u zhvillua një luftë
e re midis ilirëve dhe maqedonëve për këtë
krahinë. Në këtë luftë mbreti i lynkestëve,
Arrabeu, kishte si aleat mbretin Syra. Aristoteli, që
e përmend këtë fakt, nuk e cilëson origjinën
etnike të Syras, por burimet e tjera e bëjnë
të qartë se ai ishte mbreti i ilirëve. Aleanca
midis tij dhe Arrabeut ka të ngjarë ta ketë
zanafillën e saj në ngjarjet e vitit 423 p.e.sonë
dhe duket se ka qenë përforcuar me një martesë
dinastike midis Syras dhe një vajze të Arrabeut.
Rezultatet e kësaj lufte nuk njihen, por ngjarjet e mëpastajme
tregojnë se nuk ndodhi ndonjë ndryshim në gjendjen
ekzistuese.
Vrasja e mbretit Arhelau (viti 399 p.e.sonë), shënoi
për Maqedoninë fillimin e një periudhe trazirash
që zgjatën katër dekada me radhë. Kontradiktat
e brendshme që u bënë shkak për këtë
vrasje dhe për intrigat e mëvonshme dinastike, krijuan
rast për hapjen e konflikteve midis Maqedonisë dhe
fqinjëve të saj. Në fillim të sundimit
të Amyntës II, që pasoi Arhelaun, u duk sikur
konflikti iliro-maqedon gjeti një zgjidhje. Martesa e
Amyntës me një bijë të mbretit Syra, të
quajtur Eurydike, që ishte në të njëjtën
kohë edhe mbesë e Arrabeut, fsheh në vetvete
faktin që midis ilirëve e maqedonëve ishte
arritur një marrëveshje pajtimi për çështjen
e lynkestëve.
Por kjo gjendje nuk zgjati shumë. Ilirët, interesat
e të cilëve ishin ndeshur prej kohësh me ato
të Maqedonisë në Lynkesti, ishin të interesuar
për dobësimin e mëtejshëm të Maqedonisë
dhe jo për pajtim. Rasti i volitshëm për ta
arritur këtë qëllim paraqitet pikërisht
tani, që Maqedoninë e kishte pushtuar vala e turbullirave
të brendshme. Në vitin 393 p.e.sonë, ilirët
u dyndën në Maqedoni, pushtuan një pjesë
të saj dhe pasi dëbuan Amyntën, vendosën
në fron një farë Argeu, që thuhet se zbriste
prej dinastisë së lynkestëve. Nën presionin
e pushtimit ilir, një pjesë e tokave të Maqedonisë
Lindore me pëlqimin e mbretit të rrëzuar hyri
në Lidhjen e Olinthit. Amynta u strehua në Thesali
dhe vetëm pas dy vjetësh mërgimi, ai mundi
të kthehej në vend me ndihmën e thesalëve,
të cilët preferonin më mirë sundimin e
tij se atë të Argeut që përkrahej nga
ilirët. Paqen me ilirët ai qe detyruar ta blinte
me një tribut vjetor që do tua paguante atyre.
Rrethanat në të cilat ndodhi ky ndryshim në
marrëdhëniet e vendosura së fundi midis ilirëve
dhe maqedonëve nuk janë të qarta. Dihet vetëm
se ngjarjet e mëpastajme nuk janë të lidhura
me Syran, por me emrin e një mbreti të ri ilir,
të quajtur Bardhyl. Megjithëse emri i tij shfaqet
në burimet shumë më vonë, në ngjarjet
e vitit 359 p.e.sonë, prapë se prapë duket
se ai i udhëhiqte ilirët shumë kohë përpara.
Sipas këtyre burimeve Bardhyli jetoi një kohë
të gjatë dhe kur u ndesh me Filipin II (359 p.e.sonë),
ose pak më vonë, ishte në një moshë
të thyer, 90 vjeçare. Interes të veçantë
lidhur me figurën e tij kanë lajmet që e paraqesin
si një mbret me prejardhje të ulët, në
fillim qymyrxhi e pastaj kryengritës (latro), që
e pat fituar pushtetin me forcë dhe që gëzonte
simpatinë e luftëtarëve, meqenëse në
ndarjen e plaçkës ishte i drejtë e i paanshëm.
Këto njoftime e paraqesin atë jo si një trashëgimtar
të Syras, por si një përmbysës të
tij. Vetëm duke pranuar këtë fakt, mund ti
jepet një shpjegim ndryshimit që ndodhi në
marrëdhëniet e ilirëve me maqedonët në
vitin 393 p.e.sonë. Duket se në Iliri forca të
reja, në të cilat rol të rëndësishëm
ka pasur Bardhyli, e kundërshtuan marrëveshjen me
Amyntën II, rrëzuan Syrën dhe invaduan Maqedoninë.
Pra, duhet të ketë qenë Bardhyli ai që
udhëhoqi ilirët në fushatën e vitit 393
p.e.sonë kundër Amyntës dhe e detyroi atë
ti paguante tribut vjetor. Qe përsëri ai që
theu përpjekjet e Aleksandrit II në vitin 369 dhe
të Perdikës III më 360 p.e.sonë për
tu çliruar nga kjo gjendje. Tentativa e Perdikës
përfundoi me dështim të plotë. Ai mbeti
në fushën e betejës së bashku me 4 000
maqedonë të tjerë. Kjo qe humbja më e
rëndë që pësuan maqedonët në
vargun e përpjekjeve të tyre për tu çliruar
nga ilirët.
Gjatë gjysmës së parë të shek. IV
p.e.sonë burimet përmendin edhe një ngjarje
tjetër me rëndësi. Në vitin 385 p.e.sonë
ilirët përfunduan një aleancë me tiranin
e Syrakuzës, Dionizin. Ndërmjetës për
këtë u bë mbreti i molosëve, Alketa, i
cili qe dëbuar nga vendi i tij prej partisë filospartane
dhe qe strehuar në Sirakuzë. Qëllimi i marrëveshjes
ishte rivendosja e Alketës në fronin molos. Të
dyja palët qenë të interesuara për këtë,
sepse ilirëve kjo aleancë u siguronte dobësimin
e ndikimit spartan dhe rrjedhimisht të atij maqedon në
Epir, kurse Dionizit i jepte mundësi të forconte
pozitat e tregtisë sirakuzane në brigjet e Adriatikut
e të Jonit. Në tregimin e tij Diodori vinte në
dukje se Dionizi u dërgoi ilirëve një ndihmë
ushtarake prej 2 000 vetash dhe 5 000 armë meqenëse
ilirët ishin në luftë. Por nuk thotë
se me cilët luftonin ilirët në këtë
kohë. Është supozuar se Diodori e ka fjalën
për luftën që përfundoi me dëbimin
e Amyntës, por kjo ngjarje me të drejtë është
datuar në vitin 393 dhe jo më 385. Nuk qëndron
as pikëpamja se ilirët qenë duke luftuar me
molosët, kur Dionizi u dërgoi ndihmën dhe se
ky e shfrytëzoi këtë luftë vetëm
për të kthyer Alketën. Vetë Diodori e
ka sqaruar këtë fakt kur pohon se ilirët hynë
në Epir pasi u erdhi kjo ndihmë dhe pasi mblodhën
një fuqi të madhe. Në këtë
rast duhet të jetë fjala për faktin se ilirët
ishin në gjendje lufte pothuajse të pandërprerë
me fqinjët e tyre, maqedonët. Ndihma ushtarake e
Dionizit duket se i lehtësonte pak ilirët nga kjo
barrë. Ky fakt dhe pjesëmarrja aktive në aksion
kundër molosëve për të sjellë në
fronin e tyre Alketën e vuri Sirakuzën në pozitën
e aleatit të ilirëve kundër armiqve tradicionalë
të tyre, maqedonëve. Megjithatë forcat kryesore
në këtë aksion ishin ato ilire; ushtarëve
të Dionizit nuk iu caktua ndonjë rol i pavarur,
përkundrazi Diodori thotë se ushtrinë
që u erdhi në ndihmë ilirët e përzien
me trupat e tyre. Ndërmarrja përfundoi me
sukses të plotë. Në betejën e rreptë
që u zhvillua ilirët dolën fitues dhe molosët
lanë në fushën e luftës shumë të
vrarë. Ndihma që u dërguan spartanët nuk
u solli ndonjë dobi molosëve dhe Alketa zuri përsëri
fronin e vet në Mbretërinë Molose. Kjo ngjarje
sqaron politikën që Bardhyli ndiqte me fqinjët
perëndimorë. Me sa duket, aleanca me Syrakuzën
ishte për të një mbështetje e shëndoshë
në luftën kundër Maqedonisë.
Fushata maqedone kundër Mbretërisë Ilire
Në vitin 359 Maqedonia mundi të dalë përsëri
në fushë të betejës kundër ilirëve,
por tani ajo e kishte kapërcyer gjendjen e kaosit të
brendshëm politik dhe kishte mënjanuar rrezikun
e sulmit nga kundërshtarët e tjerë. Sundimtari
i ri i saj, Filipi II, filloi fushatën kundër Mbretërisë
Ilire pasi ishte pajtuar me Athinën dhe kishte larguar
rrezikun trak e paion.
I çliruar, në këtë mënyrë,
Filipi u sul kundër ilirëve me një ushtri të
madhe, të përbërë prej 10 000 këmbësorësh
të armatosur rëndë dhe 600 kalorësish.
Bardhyli i doli përpara armikut me një ushtri po
kaq të madhe, 10 000 këmbësorë të
zgjedhur dhe 500 kalorës. Megjithatë, mbreti plak
e çmoi këtë radhë të pafavorshme
ndeshjen e armatosur me maqedonët dhe bëri përpjekje
për marrëveshje. Ai i propozoi Filipit paqe, me
kusht që të dy palët të mbanin qytetet
që kishin në zotërim në atë kohë;
Filipi nuk e pranoi dhe kërkoi që ilirët ti
lironin të gjitha qytetet që i kishin pushtuar Maqedonisë.
Meqenëse nuk u arrit marrëveshja, filloi përleshja.
Të dy ushtritë u ndeshën me ashpërsi të
madhe. Ushtria ilire i përballoi për mjaft kohë
sulmet e armikut. Goditjeve të falangës maqedone
Bardhyli u kundërvuri formacionin luftarak me radhë
të shtrënguara në trajtë kuadrati. Në
krye, - shkruan Diodori, - fitorja nuk anoi as nga njëra,
as nga tjetra palë, dhe kështu vazhdoi për
një kohë të gjatë, sepse të dy ushtritë
luftuan me një trimëri të rrallë. Nga
të dy anët u vranë shumë veta dhe ca më
shumë u plagosën. Megjithëse maqedonët
e fituan më në fund betejën, Filipi e pa se
nuk qe në gjendje ta ndiqte armikun. Më vonë
ilirët dërguan përfaqësues dhe përfunduan
paqen, pasi liruan të gjitha qytetet e Maqedonisë
që kishin pushtuar. Diodori bën të qartë
edhe faktin se për cilat toka ishte fjala, kur thotë
se, pasi i vuri nën zotërimin e tij gjithë
banorët gjer në liqenin Lyhnid, Filipi u kthye në
Maqedoni. Me këtë betejë, ai zgjidhi përfundimisht
çështjen e Lynkestisë dhe e ndryshoi gjendjen
në kufijtë perëndimorë në favor të
Maqedonisë.
Në kushtet e krijuara rishtas ilirët u përpoqën
të dilnin nga gjendja e krijuar duke kërkuar aleatë
kundër Maqedonisë. Në vitet e fundit të
jetës së tij Bardhyli u drejtua në jug, kundër
molosëve, të cilët ndërkaq ishin afruar
me Filipin, duke synuar që ti shkëpuste nga
ndikimi maqedon. Ushtria ilire invadoi tokat molose, por ndeshi
në një qëndresë të fortë dhe
u detyrua të tërhiqej. Në vitin 356 p.e.sonë
ky synim u përsërit në përpjekjen për
një aleancë të gjerë antimaqedone. Këtë
ngjarje Diodori e përshkruan kështu: tre mbretër,
ai i Trakisë, i Paionisë dhe i Ilirisë, ishin
bashkuar për të sulmuar Filipin. Këta mbretër
fqinjë e shikonin tërë smirë rritjen e
fuqisë së Filipit dhe duke qenë se nuk ishin
aq të fortë për ta luftuar veçmas, u
lidhën ndërmjet tyre me shpresë që tia
arrinin më lehtë qëllimit. Por ata ishin
të zënë me grumbullimin e ushtrisë, kur
ai i zuri në befasi dhe i theu para se të bashkonin
forcat e tyre. Ky lajm vërtetohet edhe me një mbishkrim
atik, që përkujton përfundimin e një koalicioni
midis Athinës dhe tre mbretërve të përmendur
më lart. Në këtë akt zyrtar mbreti i ilirëve
quhet Grabo. Midis mendimeve të ndryshme që janë
shfaqur rreth figurës së tij, duket më i pranueshëm
supozimi sipas të cilit Grabo ka qenë pasardhës
i Bardhylit, që në këtë kohë duhet
të ketë vdekur.
Frenimi që arriti tu bënte ilirëve nuk
e kënaqte Filipin. Ai nuk e ndiente veten të qetë
sidomos kur lufta për vendosjen e hegjemonisë maqedone
në Greqi kërkonte gjithë energjitë dhe
forcat e tij. Për tu siguruar nga sulmet e shtetit
ilir, Filipi u mundua ta vinte këtë shtet në
pozita mbrojtjeje. Prandaj, në vitin 344 p.e.sonë,
e sulmoi përsëri Ilirinë me një ushtri
të fortë. Këtë radhë ilirët
udhëhiqeshin nga mbreti Pleuria. Ata i bënë
një qëndresë të ashpër dhe i shkaktuan
armikut humbje të rënda. Vetë Filipi mbeti
i plagosur dhe në fushën e betejës ranë
shumë nga rrethi i tij i afërm. Megjithatë,
ai mundi të hyjë në Iliri dhe të pushtojë
disa qytete, të cilat më vonë i fortifikoi
dhe vendosi në to garnizone. Pasi shkretoi vendin, Filipi
u kthye në Maqedoni me plaçkë të madhe.
Në burimet nuk thuhet se deri ku mundi të ketë
arritur dhe për cilën pjesë të vendit
është fjala kur flitet për qytetet e pushtuara,
por dihet nga pohimet e Isokratit se në bregdet nuk mundi
të dalë. Ka të ngjarë që ai të
ketë vënë dorë mbi një pjesë
të krahinës së banuar nga fisi i dasaretëve
dhe si kufi të kenë shërbyer ato që në
burimet quhen malet e Ilirisë ose të taulantëve
dhe që mund të identifikohen me vargun e maleve
të Polisit, të Kamjes dhe të Ostrovicës.
Kryengritja e vitit 335 p.e.sonë
Pas vdekjes së Filipit II, ilirët e krahinave të
nënshtruara ngritën krye në vitin 355 p.e.sonë
kundër pasardhësit të tij, Aleksandrit, kur
ky ndodhej larg vendit, duke luftuar me tribalët dhe
popullsi të tjera veriore. Këtu Aleksandrit i erdhi
lajmi i kësaj lëvizjeje në Iliri. Kliti, i
biri i Bardhylit, ishte shkëputur prej tij dhe me të
ishte bashkuar edhe Glaukia, mbret i ilirëve taulantë.
Si mësoi se Kliti kishte pushtuar qytetin Pelion, Aleksandri
u drejtua me forcat e tij kundër këtij qyteti. Rufi
dhe Ariani që bëjnë fjalë për këtë
ngjarje, përshkruajnë me hollësi pozicionin
e qytetit, vendosjen e forcave kundërshtare dhe stratagjemat
që përdorën të dyja palët. Sipas
tyre Pelioni ishte një qytet i Dasaretisë, buzë
lumit Eordai, dhe më i forti në këtë vend.
Ushtria ilire ishte ndarë në dy pjesë: garnizoni
që mbronte qytetin dhe repartet e lëvizshme që
kishin zënë rrugët dhe majat përqark tij.
Aleksandri vendosi ti shkëpusë lidhjet midis
tyre; ngriti lëmin pranë qytetit dhe filloi ndërtimin
e një muri që do të pengonte garnizonin të
dilte për të marrë pjesë në luftimet
e jashtme. Mbërritja e befasishme e Glaukisë me
një ushtri taulantësh e vuri ushtrinë maqedone
në pozitë të vështirë dhe vetëm
në sajë të një manovre të shpejtë,
Aleksandri mundi të tërhiqte pa humbje të mëdha
trupat e veta. Por ilirët nuk ditën ta shfrytëzonin
fitoren. Duke besuar në një sukses të plotë,
ata e lanë ushtrinë e tyre pranë Pelionit në
shkujdesje. Kjo i dha mundësi Aleksandrit, që tri
ditë pas tërheqjes, të kthehej fshehtas përsëri
në fushën e betejës dhe ta godiste natën
ushtrinë ilire. Pasi pësoi humbje të mëdha,
masa kryesore e ushtrisë ilire u tërhoq në
malet e taulantëve. Vetë Kliti, pas dështimit
të kryengritjes u mërgua në vendin e taulantëve,
ndërsa garnizoni u largua duke i vënë zjarrin
qytetit. Deri në prag të kryengritjes duket se Kliti
sundonte në mbretërinë e tij të dobësuar,
duke njohur sovranitetin e mbretit maqedon. Kjo të paktën
mund të nënkuptohet nga shprehja e Arianit që
thotë se ai u shkëput prej Aleksandrit,
kur e njoftuan për fillimin e kryengritjes. Por në
burimet nuk thuhet se cila qe gjendja juridike që u vendos
në këtë pjesë të Ilirisë pas
largimit të Klitit. Aleksandri duket se u kënaq
me rivendosjen e gjendjes së mëparshme në këtë
pjesë të shtetit të tij dhe nuk e vazhdoi më
tej konfliktin me ilirët; telashe të tjera e prisnin
në Greqi. Taulantët, të cilët Filipi nuk
kishte mundur ti shkelte, paraqiten në këtë
konflikt si një fuqi më vete dhe me një mbret
të tyre. Tokat e këtij fisi përbënin siç
duket atë pjesë të Mbretërisë Ilire
që kishte mbetur e pavarur.
Organizimi politik i Mbretërisë Ilire
Gjatë veprimtarisë së tij tridhjetëvjeçare
deri në vitin 360 p.e.sonë Bardhyli e kishte rritur
pushtetin e vet dhe kishte krijuar një mbretëri
të fortë. Pellgu rreth liqenit Lyhnid ishte krahina
ku u zhvilluan ngjarjet e rëndësishme të gjysmës
së parë të shek. IV, por kjo krahinë nuk
mund të identifikohet me territorin e shtetit ilir, shtrirja
e plotë e të cilit është vështirë
të rindërtohet. Sidoqoftë ai na paraqitet si
një forcë që ishte në gjendje ti
kundërvihej me sukses Maqedonisë. Kuptohet vetiu
që si i tillë ai përbënte një njësi
të paktën të barabartë me të, si
nga pikëpamja e territorit, ashtu edhe e forcës
së gjallë njerëzore. Si rrjedhim, krahina të
tjera të Ilirisë së Jugut, pa përjashtuar
ultësirën bregdetare, duhet të kenë bërë
pjesë në këtë njësi.
Organizimi politik i këtij formacioni shtetëror
nuk njihet mirë. Bardhyli quhet prej autorëve antikë
mbret i ilirëve; po kështu emërtohen
dhe pasardhësit e tij. Kjo lejon që ky formacion
të konsiderohet si një mbretëri, e cila nuk
kishte marrë ende tiparet e qarta të një monarkie.
Vetë Bardhyli, në fillimet e tij na paraqitet si
një prijës i thjeshtë ushtarak që respekton
shumë zakone të rendit fisnor. Duket më e besueshme,
që mbretëria e tij të ketë qenë në
fillim një bashkim i thjeshtë bashkësish ilire,
të cilat i lidhnin interesa ekonomike dhe politike, në
radhë të parë interesi i mbrojtjes nga rreziku
i jashtëm. Çdo bashkësi kishte në krye
mbretin e vet të vogël që njihte sovranitetin
e mbretit të federatës dhe i nënshtrohej atij.
Me kalimin e kohës, autoriteti dhe pushteti i Bardhylit
si mbret u rrit e u forcua së tepërmi. Ky pushtet
mbështetej në forcat e armatosura. Në vitet
60 të shek. IV p.e.sonë, ai kishte një ushtri
të rregullt, me një organizim dhe taktikë luftarake
të përparuar. Kjo ushtri formohej nga një këmbësori
e organizuar dhe e armatosur mirë që përbënte
bazën e forcave të armatosura dhe nga kaloria, e
cila, megjithëse e vogël në numër, ekzistonte
si njësi më vete me cilësinë e një
force të manovrueshme goditëse.
Ngjarjet politike që jetoi Mbretëria Ilire e kohës
së Bardhylit dhe e pasardhësve të tij tregojnë
gjithashtu se ajo përfaqësonte një forcë
serioze. Veprimet e saj nuk janë të shkëputura,
por gjejnë vend në kuadrin politik të kohës
dhe janë shprehje e një qëndrimi që ka
si objektiv të qartë dobësimin e kundërshtarit
kryesor dhe forcimin e pozitave të veta në raport
me shtetet fqinje. Kjo politikë mbështetej në
marrëveshje e aleanca politike e ushtarake. Nuk mund
të përfytyrohet dot një organizim fisnor apo
një demokraci ushtarake që të luajë një
rol kaq aktiv në situatën ndërkombëtare
dhe të ketë pikësynime kaq të qarta politike,
të cilat kërkonin përqendrim forcash e mjetesh,
siç është rasti i Mbretërisë Ilire
të kësaj kohe. Një veprimtari kaq e gjerë
dhe kaq e guximshme në politikën e jashtme mund
të ketë vend vetëm në kushtet e një
organizimi shtetëror.
Por nuk duhet të kujtojmë se shteti ilir i kësaj
kohe ishte një organizëm i përkryer që
u përgjigjej të gjitha kërkesave të këtij
nocioni në kuptimin e plotë të fjalës.
Megjithatë ai kishte tiparet thelbësore që
i duhen një shteti: territorin, ndarjen territoriale
të popullsisë sipas njësive gjeografike-etnografike
dhe pushtetin publik në duart e klasës sunduese.
Struktura social-ekonomike e krijuar në gjirin e shoqërisë
ilire të kësaj kohe çoi gradualisht në
lindjen e këtij shteti, si një mjet që i duhej
klasës sunduese për të nënshtruar shtresat
e tjera dhe për të mbrojtur interesat e saj. Nuk
mund të detyrohej masa e madhe e prospelatëve-dulle
të punonte për pjesën tjetër të shoqërisë
ilire, për despotët pa një aparat shtrëngimi
të përhershëm siç ishte aparati shtetëror.
Kjo përbënte funksionin kryesor të brendshëm
të shtetit ilir. Karakteri i shtetit shprehet edhe në
funksionin e jashtëm që realizohet nëpërmjet
ndeshjeve me popujt fqinjë me anë të fushatave
pushtuese dhe ngarkimit të tyre me tribute. Shteti ilir
ndodhej në stadin e tij fillestar dhe karakterizohej
nga mbeturina të theksuara të rendit fisnor që
gjenin shprehje në anë të veçanta të
jetës shoqërore. Por qytetet dhe popullsia e tyre,
që përbënin bazën themelore ekonomike
e shoqërore të tij, kishin marrë një zhvillim
të dukshëm. Pozita dhe roli i tyre në jetën
politike u bë më i qartë në periudhat
e mëpastajme, dora-dorës me zhvillimin e mëtejshëm
të shoqërisë antike ilire.
Shteti ilir lindi si rezultat i zhvillimit të brendshëm
të forcave prodhuese në Ilirinë e Jugut. Procesi
i lindjes dhe i formimit të tij përkon me periudhën
e sundimit të mbretit Bardhyl; ai mund të konsiderohet
edhe si themeluesi i shtetit ilir. Luftërat me Maqedoninë
qenë, nga ana tjetër, një faktor i jashtëm
me rëndësi që e shpejtoi këtë proces.
Dështimi i përkohshëm në luftërat
me Filipin II dhe Aleksandrin nuk e ndërpreu jetën
shtetërore të ilirëve. Këto luftëra
përbëjnë vetëm një episod të
shkurtër politik që nuk e ndali këtë proces
të thellë shoqëror në Iliri.
Shteti ilir lindi brenda territorit, të cilin e banonin
sipas Plinit dhe gjeografit romak të shek. I, Melës
ilirët e mirëfilltë dhe do të
zhvillohet më tej në kuadrin e po këtij territori.
3. MBRETËRIA E DYTË ILIRE. DINASTIA E GLAUKISË
(335-231 P.E.SONË)
Rimëkëmbja e shtetit ilir
Shumë shpejt pasi pajtoi fqinjët veriorë dhe
Greqinë, Maqedonia u drejtua nga lindja duke e lënë
të qetë shtetin ilir. Fqinjësia me Maqedoninë
nuk përbënte më atë rrezik serioz dhe
ilirët u munduan ta shfrytëzonin gjendjen e krijuar
për rimëkëmbjen e shtetit të tyre. Rufi
njofton për trazira të reja në Iliri, por duket
se ato nuk patën sukses, sepse në vitin 323 p.e.sonë,
kur u bë ndarja e perandorisë së Aleksandrit,
një pjesë e ilirëve ishte ende nën sundimin
e Antipatrit, që u bë mbret i Maqedonisë, i
Greqisë, i Ilirisë, i Epirit dhe i popullsive të
tjera të pushtuara në Ballkan.
Gjendja e turbullt që u krijua në perandori pas
vdekjes së Aleksandrit dhe shthurjes së perandorisë
së tij krijoi kushte më të përshtatshme
për çlirimin e tokave lindore ilire. Duke u lidhur
me armiqtë e Maqedonisë, Glaukia, mbret i taulantëve,
arriti ti çlirojë këto toka dhe ti
bashkojë me mbretërinë e tij. Duket se pas
kësaj ai mori edhe titullin mbret i ilirëve
në vend të titullit të mëparshëm
mbret i taulantëve.
Pasi realizoi bashkimin e tokave ilire dhe rimëkëmbi
shtetin ilir, Glaukia u përpoq të dobësonte
ndikimin maqedon në Epir. Për këtë qëllim
ai u afrua me mbretin e molosëve, Ajakidin dhe u martua
me Berojën, një bijë nga dera mbretërore
molose. Në këtë politikë ai u ndesh me
të birin e Antipatrit, Kasandrin, që pas shumë
përpjekjesh ishte vendosur në krye të Maqedonisë.
Në vitin 317 p.e.sonë, Kasandri rrëzoi nga
froni molos aleatin e Glaukisë, Ajakidin, i cili kishte
ndërhyrë në grindjet e brendshme për fronin
maqedon, duke marrë anën e Olimbisë, nënës
së Aleksandrit. Në këtë kohë Glaukia
mori nën mbrojtje dhe mbajti në pallatin e tij birin
e mbretit të rrëzuar, Pirron dyvjeçar. Me
gjithë kërkesat këmbëngulëse të
Kasandrit, Glaukia nuk e dorëzoi Pirron; ai nuk e bëri
këtë as kur mbreti maqedon i premtoi si shpërblim
shumën e madhe prej 200 talentesh, as kur ky e kërcënoi
me luftë.
Shtrirja e sovranitetit mbi Dyrrahun e Apoloninë
Tre vjet mbas kësaj ngjarjeje, në vitin 314, Kasandri,
duke u nisur nga Epiri, sulmoi nga deti Apoloninë, pastaj
Dyrrahun dhe u fut në Iliri. Në këtë luftë
Glaukia u mund dhe Kasandri u bë zot i dy qyteteve të
mëdha të Adriatikut. Trazirat politike e detyruan
të kthehej në Greqi pasi la këtu garnizone
të fuqishme. Një vit më vonë, më
313 p.e.sonë, Glaukia rrethoi Apoloninë, por pa
sukses. Sipas Diodorit, me ndërmjetësinë e
spartanëve ai pranoi të heqë rrethimin dhe
të përfundojë një traktat paqeje me apoloniatët.
Kushtet e paqes nuk dihen dhe as që bëhej fjalë
për vendosjen e ndonjë forcë maqedone në
qytet; por ngjarjet e mëpastajme, të vitit 312 p.e.sonë,
tregojnë se të dy qytetet mbroheshin nga garnizonet
maqedone. Në këtë vit apoloniatët dhe
dyrrahasit ngritën krye dhe i dëbuan forcat e Kasandrit
nga qytetet e tyre. Një rol të veçantë
u atribuon Diodori në këtë ngjarje korkyrasve,
të cilët kishin ardhur për ndihmë. Sipas
tij ata çliruan Apoloninë dhe Dyrrahun ia
dorëzuan Glaukisë, mbretit të ilirëve.
Burimet nuk japin një përgjigje të drejtpërdrejtë
për çështjet se përse korkyrasit ua
dorëzuan Dyrrahun ilirëve, cili ishte roli i ilirëve
në këtë ngjarje, cilat kishin qenë raportet
e tyre me Dyrrahun dhe çraporte u vendosën
me Apoloninë. Megjithatë nuk është vështirë
të kuptohet se korkyrasit në këtë rast
vepruan si aleatë jo vetëm të apoloniatëve
dhe të dyrrahasve, por edhe të ilirëve. Dalja
e Maqedonisë në brigjet e Adriatikut cenonte interesat
ekonomikë e politikë si të shtetit ilir, ashtu
edhe të Dyrrahut, Apolonisë e të Korkyrës,
prandaj ato u bashkuan kundër rrezikut maqedon. Dy qytetet
e mëdha ishin, siç duket, për ruajtjen e
marrëdhënieve të vjetra me shtetin ilir dhe
nuk dëshironin ti nënshtroheshin me dhunë
mbretit të Maqedonisë. Dyrrahu duket se kishte qenë
para kësaj në duart e ilirëve ose kishte njohur
sovranitetin e mbretit ilir. Kundërshtimi që i bënë
apoloniatët Glaukisë më 313 p.e.sonë tregon
për një mbizotërim të përkohshëm
në këtë qytet të një grupi promaqedon,
i cili më vonë u përmbys nga kryengritja e
qytetarëve që dëbuan forcat e Kasandrit.
Mbreti maqedon u shpejtua të vijë me forcat e tij
përsëri para mureve të Apolonisë për
të rivendosur gjendjen e mëparshme. Diodori pohon
se apoloniatët ishin lidhur me ilirët.
Megjithatë, nuk dihet nëse ishte kjo një aleancë
e thjeshtë ushtarake apo diçka më tepër,
por duhet nënkuptuar se ilirëve u ishte caktuar
një rol i dorës së parë qëkurse forcat
që mbronin qytetin ishin më të mëdha
se ato maqedone. Kasandri u thye keqas dhe u detyrua të
largohej, pasi kishte humbur një pjesë të mirë
të ushtrisë. Përpjekjet e tij për tu
ngulur në Ilirinë bregdetare dështuan dhe pas
kësaj ai nuk provoi më të kthehej në këto
anë.
Luftërat me Kasandrin tregojnë se fuqia e shtetit
ilir ishte rritur aq shumë saqë ai mundi të
matej me sukses me Maqedoninë për zotërimin
e bregdetit Adriatik. Qytetet e mëdha të këtij
bregdeti prej kohësh kishin njohur sovranitetin e mbretit
ilir; të paktën mbi Dyrrahun ishte vendosur ky sovranitet,
por që nga viti 312 p.e.sonë edhe ndikimi mbi Apoloninë
nuk duhet të ketë qenë më i vogël,
megjithëse pozita juridike e këtij qyteti ndaj shtetit
ilir formalisht mund të ketë qenë pak e ndryshme
nga ajo e Dyrrahut.
Pas fitores mbi Kasandrin dhe forcimit të pozitës
së tij në Dyrrah e në Apoloni, Glaukia u mor
me përgatitjen e ekspeditës që do të vinte
Pirron në fronin molos. Nuk ishte zemërgjerësia
ndaj tij, as lidhjet që kishte me të nëpërmjet
së shoqes, Berojës, bijë nga dera molose, ato
që e shtynë Glaukinë në këtë
ndërmarrje të guximshme. Epiri në këtë
kohë ishte pika më nevralgjike e kontaktit dhe hallka
më e rëndësishme në kontradiktat iliro-maqedone.
Glaukia duhej ta shkëpuste këtë vend nga ndikimi
maqedon dhe ti rikthente shtetit ilir aleatin e humbur.
Për këtë qëllim, në vitin 309 p.e.sonë,
në krye të një ushtrie të madhe, ai hyri
në Epir dhe pasi mposhti kundërshtimin e grupit
promaqedon që përfaqësohej nga mbreti Alketa
(ungji i Pirros), vuri në krye të shtetit molos
12-vjeçarin Pirro. Me këtë akt konflikti
me Maqedoninë u zgjidh në favor të ilirëve.
Veprimtaria politike dhe ushtarake e Glaukisë për
rimëkëmbjen e forcimin e pozitave të shtetit
ilir u kurorëzua me sukses.
Gjatë sundimit të Glaukisë, shteti ilir jetoi
ditë lavdie; ai u bë një shtet i fuqishëm,
duke përfshirë në gjirin e tij edhe qytetet
Dyrrah e Apoloni. Ai ishte e vetmja forcë serioze që
iu kundërvu Maqedonisë në këtë pjesë
të Ballkanit, dhe u bë një faktor i rëndësishëm
që ushtroi një ndikim të fuqishëm në
ngjarjet politike të kohës.
Forcimi i pushtetit mbretëror
Në vitin 302 p.e.sonë Glaukia ishte ende në
krye të shtetit ilir. Pas kësaj date ai nuk përmendet
më. Periudha që pason është mjaft e errët
dhe njihet vetëm nëpërmjet burimeve të
fragmentuara, por ndonjëherë tepër të
rëndësishme.
Rreth vitit 295 p.e.sonë si mbret i ilirëve përmendet
Bardhyli i ri. Rrethanat në të cilat ai u gjend
në krye të shtetit ilir dhe marrëdhëniet
e tij me Glaukinë, të cilin e zëvendësoi,
janë të paqarta. Një lidhje martesore e paraqet
Bardhylin si aleat të Pirros. Plutarku thotë se
pas vdekjes së gruas së parë, Antigonës,
Pirroja u martua me shumë gra, për arsye politike
dhe për të rritur fuqinë e tij. Një
ndër to ishte edhe Brikena, bija e Bardhylit, mbretit
të ilirëve. Historiani romak Justini dhe shkrimtari
romak i shek. I Frontini njoftojnë nga ana e tyre për
një fushatë të Pirros kundër ilirëve,
në të cilën ai kishte dalë fitimtar dhe
kishte pushtuar edhe qytetin që ishte kryeqendra e tyre,
pa na thënë emrin e tij. Edhe historiani grek i
shek. II Apiani, gjithashtu, i bën jehonë kësaj
ngjarjeje, duke thënë se Pirroja zotëronte
një pjesë të Ilirisë gjatë bregdetit
Jon. Të gjitha këto burime nuk e përcaktojnë,
megjithatë, se deri ku u shtri sundimi i mbretit molos
mbi tokat ilire dhe si ndodhi që ai i rritur në
oborrin e Glaukisë ndërhyri me forcë në
shtetin e tij. Pas gjithë këtyre ngjarjeve fshihet
një grindje e brendshme midis trashëgimtarëve
apo pretendentëve për fronin e Glaukisë, e
cila u shfrytëzua nga Pirroja. Por nuk është
për tu përjashtuar edhe pikëpamja sipas
së cilës Bardhyli i ri të ketë qenë
një pinjoll i Bardhylit I, që vjen në fuqi
me ndihmën e Pirros, duke i lëshuar këtij të
fundit një pjesë të Mbretërisë Ilire.
Vetëm kështu mund të shpjegohet se si Pirroja
u bë zot i krahinave perëndimore të Mbretërisë
Ilire, ndofta edhe i Apolonisë, kurse Bardhylit i la
krahinat lindore rreth liqenit Lyhnid, ose në perëndim
të tij.
Por pushtimi i tokave ilire prej Pirros dhe sundimi i Bardhylit
të ri si mbret i lirëve mbi një
pjesë të shtetit ilir nuk duhet të kenë
zgjatur shumë. Pasazhi i Apianit që thotë se
këto toka i trashëguan dhe pasardhësit e Pirros
bie në kundërshtim me zhvillimin e ngjarjeve të
mëpastajme. Grindjet e brendshme për trashëgimin
e fronit të Glaukisë duket se u kapërcyen shpejt.
Në prologun e librit XXIV të historianit latin Trogut
bëhet fjalë për luftën që Ptolemeu
e Kerouni (mbret i Maqedonisë) bënë me Monunin
ilir dhe Ptolemeun, të birin e Lysimahut. Ky lajm
që i takon një ngjarjeje të vitit 280 p.e.sonë
flet për një sundimtar ilir që ndërhyn
në grindjet për fronin maqedon si aleat i pretendentit
tjetër, birit të Lysimahut. Sipas renditjes së
Trogut, Monuni është kundërshtar i parë
i Keraunit dhe mund të supozohet edhe iniciator i kësaj
lufte. Sidoqoftë ky Monun duhet të ishte sundimtar
i një vendi, kufijtë e të cilit takonin me
Maqedoninë.
Supozimi se ai ishte një mbret dardan, sot është
zhvleftësuar duke i lënë vend mendimit se në
rastin konkret kemi të bëjmë me një sundimtar
të shtetit ilir. Figura dhe veprimtaria e tij bëhet
më e qartë nëpërmjet një monedhe
të Dyrrahut. Kjo është një tridrahme,
e cila mban simbolet e njohura të tridrahmes së
mëparshme autonome të Dyrrahut; në faqe ka
një lopë duke e pirë viçi, në shpinë
një katror të mbushur me zbukurime lineare; ndryshe
prej së parës monedha e re ka një peshë
më të vogël (10,3-10,5 gr. në vend të
10,4-11,5 gr.) dhe krahas legjendës ????? apo ??? ka
edhe emrin e mbretit (??S???OS ?????????) dhe një nofull
derri mbi lopën, që mungojnë në tridrahmat
e vjetra. Në një variant tjetër monedhave të
Monunit u është hequr legjenda e shkurtuar e qytetit
dhe është zëvendësuar me një heshtë.
Këto tridrahme janë datuar me të drejtë
pas vitit 300 p.e.sonë dhe përputhen si kohë
me Monunin e përmendur prej Trogut.
Njoftimi i Trogut dhe prerja e kësaj monedhe dëshmojnë
se me gjithë tronditjen që kishte pësuar shteti
ilir mbas vdekjes së Glaukisë nga ndërhyrja
e Pirros, Monuni kishte mundur të rimëkëmbte
shtetin e tij në të gjithë territorin e dikurshëm,
prej brigjeve të Adriatikut deri në kufi të
Maqedonisë. Si duket, ai përfitoi nga largimi i
Pirros për në Itali për ti rikthyer shtetit
të vet tokat e pushtuara. Pushteti i tij mbi Dyrrahun
ishte rritur. Duke vënë dorë mbi punishten
e monedhave, ai i thelloi më shumë se paraardhësi
i tij marrëdhëniet me këtë qytet. Varianti
i fundit i prerjeve të Monunit tregon se mbreti ilir
duhet ta ketë ndjerë veten mjaft të fortë
qysh se hoqi prej kësaj monedhe emrin e shkurtuar të
Dyrrahut. Nuk dihet se si kanë qenë marrëdhëniet
e tij me Apoloninë, por ska ndonjë arsye për
ti konsideruar të ndryshme. Edhe ky qytet duhet
të ketë njohur sovranitetin e plotë të
mbretit ilir, duke iu nënshtruar atij si Dyrrahu politikisht
dhe ekonomikisht.
Pasardhës i Monunit dhe i fundit prej dinastisë
së Glaukisë ka qenë Mytili. Edhe për të
si traditë letrare kemi vetëm një njoftim të
shkurtër në prologun e librit XXV të Trogut
ku thuhet se ... i biri i tij /Pirros/, Aleksandri bëri
me Mytilin luftën ilire. Një monedhë
bronzi e prerë edhe kjo në punishten e Dyrrahut
vërteton plotësisht natyrën historike të
personit të Mytilit. Kjo monedhë, e cila ka si simbole
kryet e Herakliut në faqe dhe armët karakteristike
të këtij heroi (harkun, mëzdragun dhe millin)
në shpinë, ndryshon prej prototipit të vet,
sepse në vend të nëpunësit monetar të
Dyrrahut atë e siglon këtë radhë mbreti
Mytil (??S???OS ???????), i cili ka hequr përveç
kësaj nga monedha edhe legjendën e qytetit. Vetë
këto të dhëna të monedhës tregojnë
se Mytili ishte zoti i Dyrrahut dhe ushtronte mbi këtë
qytet po atë pushtet që kishte edhe paraardhësi
i tij Monuni. Monedha është tepër e rrallë,
gjë që tregon se sundimi i tij ka qenë i shkurtër.
Lufta midis Mytilit dhe Aleksandrit, për të cilën
bënte fjalë Trogu, i takon vitit 270 p.e.sonë.
Për fat të keq nuk është ruajtur ndonjë
njoftim i saktë mbi shkaqet dhe përfundimet e kësaj
lufte, gjë që ka dhënë shkas edhe për
supozime të ndryshme. Mendimi se ajo përfundoi në
favor të Aleksandrit dhe se ky u bë përsëri
zot i krahinave jugore të shtetit ilir, madje edhe i
Apolonisë, u referohet Frontinit dhe Apianit. Një
shqyrtim më i kujdesshëm i njoftimeve të tyre
tregon se këto përfundime nuk janë plotësisht
të drejta. Është e vërtetë se Frontini,
që plotëson Trogun, bën fjalë për
një ndeshje në të cilën Aleksandri mundi
ilirët, por përleshja zhvillohet në tokën
epirote dhe nga ky lajm nuk del se ai pushtoi qoftë edhe
ndonjë pjesë nga tokat e shtetit ilir. Sa për
njoftimin e Apianit, ai ka karakter tepër të përgjithshëm
dhe as ky dhe as ndonjë autor tjetër nuk paraqesin
prova se Apolonia ka qenë nën sundimin e ndonjë
mbreti epirot.
4. FUQIZIMI I SKLLAVOPRONARISË
Lulëzimi i qyteteve. Pamja e tyre
Periudha midis viteve 335-230 p.e.sonë është
koha e shtrirjes së mëtejshme të jetës
qytetare në Iliri, e zhvillimit të vrullshëm
dhe e lulëzimit të qytetit ilir. Ajo përputhet
me fuqizimin më të madh të shtetit ilir. Jeta
qytetare u zhvillua veçanërisht në krahinat
e ultësirës bregdetare, në shpinë të
Dyrrahut e Apolonisë, zonë që përbënte
tani qendrën e shtetit ilir. Për Damastionin dhe
qytetet e tjera të brendshme në burimet nuk bëhet
më fjalë. Duket se pas hyrjes së disa krahinave
lindore në përbërjen e shtetit maqedon, këto
qytete e humbën rëndësinë që kishin
në kuadrin e shtetit ilir. Qytete të tjera, si Bylisi,
Amantia, Kanina (Thronioni ?) janë ndër ato qytete
të vjetra, që u rritën e u zhvilluan dhe luajtën
në këtë kohë një rol të dorës
së parë. Krahas tyre lindën në këtë
zonë edhe një varg qytetesh të reja, si Dimli,
Olympe (Mavrovë-Vlorë), Gurzeza (Cakran), Antipatrea,
qytetet në Zgërdhesh (Albanopoli ?), në Gradishtën
e Belshit, në Selcën e Poshtme, në Irmaj etj.,
të panjohura më parë. Që nga kjo kohë
jeta qytetare shtrihet edhe në krahinat bregdetare në
veri të lumit Mat. Qendrat e para urbane në këto
anë, Lisi, Skodra, Meteoni, Ulqini, Rizoni etj., lindën
vetëm në fundin e shek. IV - fillimin e shek. III
p.e.sonë. Por në krahinat e brendshme të luginës
së Matit e të Drinit të mesëm nuk ka ende
dëshmi të qendrave urbane dhe duket se jeta qytetare
këtu nuk u zhvillua.
Qytetet e reja si edhe më parë, zënë një
vend qendror midis një krahine të pasur nga pikëpamja
ekonomike dhe lidhen me rrugët më të rëndësishme
të komunikacionit tokësor e detar. Procesi i lindjes
së tyre ndjek në përgjithësi rrugën
e njohur të zhvillimit të mëtejshëm të
vendbanimeve të fortifikuara të epokës së
hekurit, por në disa raste si në Dimale, Olympe,
Selcë e Poshtme etj., qyteti lind mbi një truall
të ri. Karakteristikë e veçantë e qyteteve
në veri të lumit Mat është se ato janë
të kthyera me fytyrë nga deti. Për ndërtimin
e tyre janë zgjedhur gjiret e futura apo grykat e lumenjve,
vende të lidhura me detin, por edhe të mbrojtura
nga rreziqet dhe të papriturat e tij.
Pamja e përgjithshme urbanistike nuk është
e njëjtë për të gjitha qytetet ilire të
kësaj kohe. Ato dallohen sipas madhësisë dhe
rolit ekonomik e politik të tyre: ka qendra të mëdha
qytetare, si Bylisi, Dimale, Nikaja, Amantia, Antigona, Skodra,
Lisi etj., ka edhe qendra më të vogla prodhimi,
si Albanopoli, Belshi, Irmaj, Symiza, Gurzeza, Kanina, Treporti,
Çuka e Ajtojt etj. Një kategori tjetër formojnë
qendrat me fizionomi qytetare, por me funksione ushtarake
dhe administrative, si Beltoja, Xibri, Dorezi, Peshtani, Rabija,
Cerja, Lekli, Selo, Ripsi etj.
Duke u mbështetur në kushtet e terrenit dhe të
rrethanave në të cilat lindi dhe u zhvillua qyteti
ilir mund të veçohen tre tipa qytetesh.
Tipin e parë e përbëjnë ato qytete, të
cilat kanë një akropol në majë dhe qytetin
poshtë tij. Të tilla janë Lisi, Zgërdheshi
dhe ndonjë qendër tjetër që u ndërtuan
në faqe kodrash. Qendrat e vjetra që u dhanë
jetë këtyre qyteteve zinin më parë majat
e kodrave. Me kalimin e kohës kufijtë e ngushtë
të këtyre qendrave u kapërcyen dhe qyteti u
shtri nëpër faqet e kodrave. Kur u forcuan ekonomikisht
qytetet rrethuan sipërfaqen e re me mure mbrojtëse,
duke i zgjatur ato në vijim të mureve ekzistuese
të vendbanimit të mëparshëm; muri i poshtëm
i qendrës së vjetër u kthye në këtë
rast në një mur të brendshëm të tërthortë,
që ndante qytetin në dy pjesë: në atë
të sipërm - akropolin, dhe në atë përfund
tij - qytetin e poshtëm. Në Lis, ky tip qyteti pati
një zhvillim të mëtejshëm, duke krijuar
një ndarje të tretë, qytetin e mesëm,
që veçohej prej pjesëve të tjera të
qytetit me një mur të dytë të brendshëm.
Qendra e vjetër e tyre ishte ndërtuar mbi pllajën
e vogël të një kodre të veçuar
me faqe të thepisura, prandaj qyteti u zhvillua këtu
rreth e qark qendrës së vjetër. U krijua kështu
një tip qyteti me akropolin në mes dhe qytetin rreth
tij. Qytetet e këtij tipi duket se nuk kishin një
mur të jashtëm rrethues për lagjet e jashtme
dhe mjaftoheshin vetëm me fortifikimin e akropolit.
Ndryshe prej këtyre qyteteve, Antipatrea, Dimale, Margëlliçi,
Irmaj etj., u ngritën mbi kodra që kishin një
syprinë kryesisht të rrafshtë me kurrize e
thyerje të buta. Këto qytete që lindën
mbi një truall të ri duket se nuk kanë pasur
akropol dhe territoret e tyre rrethoheshin me një mur
të vetëm. Ato përbëjnë tipin e tretë
të qyteteve ilire.
Prej qyteteve të vjetra Bylisi ndoqi një rrugë
të veçantë në zhvillimin e tij. Kodra
e Klosit, mbi të cilën ishte ngritur qyteti i vjetër,
në fund të shek. IV nuk i plotësonte më
nevojat e zgjerimit të kësaj qendre. I vetmi vend
që paraqiste kushte më të përshtatshme
për këtë qëllim ishte kodra e Hekalit,
1 500 m prej Klosit, ku filluan të vendosen qytetarët,
duke i dhënë jetë një vendbanimi të
ri. Që nga kjo kohë të dyja qendrat u zhvilluan
paralelisht si dy pjesë të veçanta, por të
ndërlidhura, të një dyqytetshi, ku i riu fitoi
epërsinë dhe u bë më përfaqësuesi.
I parë më vete Bylisi ka të gjitha tiparet
e qyteteve të tipit të tretë, pa akropol. por
së bashku me Klosin ai përbën një kategori
të veçantë qyteti.
Pavarësisht nga klasifikimet e ndryshme që mund
tu bëhen qyteteve ilire, trajtimi i tyre urbanistik
u përgjigjej disa kërkesave themelore, siç
ishin vendosja e qendrës së banuar në një
terren jo të sheshtë, rrethimi i saj me mure, ndarja
e territorit brenda mureve në tri pjesë kryesore,
për banim, për veprimtari shoqërore e mbrojtje
dhe krijimi sipas kushteve të terrenit, i unitetit midis
agorasë dhe komplekseve të banimit.
Një nga kriteret bazë të qytetit ilir të
asaj kohe ishte modelimi sipas vijës së jashtme
i mureve rrethuese, traseja e të cilëve shfrytëzon
sa më mirë mundësitë mbrojtëse të
terrenit. Në këtë sistem fortifikimi muret
e qendrave të vjetra të epokës së hekurit
shfrytëzoheshin vetëm pjesërisht. Qytetet e
ngritën mbrojtjen e tyre mbi një bazë krejt
të re që u përgjigjej nivelit dhe kërkesave
të kohës. Muret rrethuese të Lisit dhe të
Shkodrës u ndërtuan në stilin e njohur trapezoidal-poligonal,
kurse ato të Bylisit, Dimales, Margëlliçit,
Irmajt e të Zgërdheshit, ndiqnin stilin kuadratik.
Këto ishin mure të fuqishme të ndërtuara
me blloqe të mëdha e të skalitura me një
trashësi prej 2,70-3,50 m dhe që në kohën
e vet arrinin një lartësi prej 10-12 m. Ato përforcohen
tani me kulla të shumta.
Në qoftë se vendbanimet e para kishin një ose
dy porta, qytetet që kanë tani një jetë
më të dendur dhe lëvizje të madhe kanë
porta të shumta, të mëdha e të vogla,
për të lehtësuar hyrjen e daljen e qytetarëve.
Meqenëse portat përbënin pikat më të
prekshme, mbrojtjes së tyre i kushtohej një kujdes
i veçantë. Ato zakonisht vendoseshin midis dy
kullave dhe në rastin kur mbroheshin nga një e tillë
e vetme, atëherë kulla ngrihej në anën
e djathtë të hyrjes, me qëllim që të
shfrytëzohej krahu i zbuluar i armikut.
Nuk njihet ende në masën e duhur ndërtimi i
brendshëm i këtyre qyteteve, por edhe ato të
dhëna të pakta që kemi dëshmojnë
se ato janë ndërtuar sipas shembullit të qyteteve
bashkëkohëse në Greqi, Maqedoni dhe në
Epir, në bazë të parimeve urbanistike të
njohura të kohës helenistike. Përveç
ndarjeve të mëdha, akropolit dhe qytetit të
mesëm e të poshtëm, në këto qytete
dallohet edhe pjesa ku ndodheshin sheshi publik dhe tregu
i qytetit. Skodra e Lisi dhe qytete të tjera të
ngritura buzë detit apo lumenjve, kishin edhe skelat
e tyre.
Rrugët ishin një element themelor urbanistik që
e ndanin qytetin në insola, që niseshin nga hyrjet
kryesore apo të dyta, përshkonin qytetin në
drejtime të ndryshme dhe lidhnin në mënyrë
organike pjesët përbërëse të tij.
Vendet më në dukshme janë përdorur në
qytetet ilire për ndërtimin e godinave të rëndësishme
shoqërore. Vende të tilla zinin tempujt, teatrot,
portikët, stadiumi në Bylis, Amantie, Dimale etj.,
varret monumentale në Selcë të Poshtme etj.
Kur terreni ishte i pjerrët, ai sistemohej për nevoja
të ndërtimeve qytetare me anë tarracash.
Një kujdes i veçantë i kushtohej pajisjes
së qytetit me kanale kulluese, të cilat shkarkonin
ujërat jashtë mureve rrethuese. Furnizimi me ujë
të pijshëm mbështetej kryesisht në sterat
dhe rezervuaret që ndërtoheshin brenda qytetit ose
në trashësinë e mureve rrethuese.
Një ide mbi madhësinë e qyteteve ilire e japin
hapësira që ato zinin dhe perimetri i mureve të
tyre rrethuese. Kështu, Lisi zinte një sipërfaqe
prej rreth 20 ha dhe muret e tij kishin një gjatësi
prej 2 200 m; Bylisi shtrihej mbi një sipërfaqe
prej 28 ha, ndërsa muret ishin 25 550 m të gjatë,
kurse Klosi kishte pushtuar në kodrën e vet 18 ha
tokë, që rrethoheshin prej muresh me një gjatësi
prej 1 850 m. Nuk dimë shtrirjen e saktë të
Skodrës, por duket se ka qenë pak më e madhe
se ajo e Lisit. Qytetet e tjera, si Antipatrea, Dimale, Zgërdheshi
kishin një madhësi mesatare: sipërfaqja e shtrirjes
së tyre arrinte deri në 10-15 ha, kurse muret perimetrale
nuk i kalonin të 1 400 m. Një grup i tretë
qytetesh, si Irmaj, Margëlliçi etj., ishin më
të vegjël; muret e tyre ishin nën 1 400 m të
gjatë dhe rrethonin sipërfaqe të vogla prej
5-7 ha. Megjithëse qytetet e kësaj kohe shtriheshin
edhe tej mureve rrethuese (jashtë tyre gjejmë dendur
gjurmë banesash, tempuj e ndërtime të tjera),
prapëseprapë truallin kryesor të qytetit e
përbënte territori brenda mureve rrethuese.
Muret rrethuese dhe godinat shoqërore që janë
ruajtur dëshmojnë se ndërtimet e tyre u nënshtroheshin
parimeve të njohura të urbanistikës antike.
Vetëm ndërtues të aftë dhe me njohuri
të thella teknike mund të zgjidhnin detyrat e ndërlikuara
që paraqisnin ndërtimet mbrojtëse dhe ato me
karakter publik e privat, në atë shkallë të
gjerë dhe në atë nivel të lartë që
njohin qytetet ilire që nga fundi i shek. IV deri në
mesin e shek. III. Jeta dhe kërkesat e kohës i përgatitën
këta ndërtues midis vetë popullsisë ilire.
Realizimi i këtyre ndërtimeve ishte vepër e
një shoqërie skllavopronare që kishte mundësitë
e organizimit dhe të sigurimit të materialeve për
një veprimtari kaq të gjerë ndërtuese.
Procesi i shndërrimit të disa qendrave të fortifikuara
të epokës së hekurit në qytete nuk përfshin
dhe as që mund të përfshinte të gjitha
këto qendra. Midis tyre u veçuan dhe u kthyen
në qytete vetëm ato që kishin një pozitë
gjeografike të përshtatshme për një zhvillim
më të lartë. Pjesa tjetër, më e madhja
e tyre, ruajti pamjen e dikurshme me një jetë ekonomike
të kufizuar. Nevojat e mbrojtjes dhe të tregtisë
bënë, nga ana tjetër, që krahas këtyre
qendrave të lindin në rrugët e komunikacionit
ose rreth qyteteve edhe një varg vendbanimesh të
vogla, të fortifikuara, me funksione ushtarake e administrative.
Të tilla mund të konsiderohen kalaja e Xibrit në
Mat, e cila zinte një pikë kyçe në rrugën
që të çonte prej Dyrrahut në krahinat
e brendshme lindore nëpër Shkallën e Tujanit
- Qafë Murrizë - Dibër - Maqedoni; qyteza e
Shkamit në rrugën e Krrabës, kulla e Kamunaut
në Sulovë, në rrugën që lidhte ultësirën
bregdetare pas Apolonisë me luginën e Devollit;
pikëvrojtimi i Rabies në Mallakastër, në
rrugën që ndjek krahun e djathtë të Vjosës
e të tjera si këto, të cilat gjenden pa përjashtim
në të gjitha rrugët e dorës së dytë
që përshkonin truallin e vendit tonë. Tek autorët
antikë dhe në burimet epigrafike këto qendra
përmenden si kështjella apo fortesa rreth qyteteve
me termat castellum apo peripolia. Ato janë në funksion
të qyteteve qoftë nga pikëpamja strategjike
dhe administrative, qoftë nga ajo ekonomike. E para duket
në vendosjen e tyre pranë qafave ose rrugëve
që të çojnë drejt qytetit, duke krijuar
një kurorë fortifikimesh në zonën gjeografike
ku qyteti mbizotëron me ekonominë e vet. E dyta
shprehet në faktin se ato më tepër konsumojnë
prodhimet e qytetit sesa prodhojnë vetë.
Rritja e prodhimit zejtar dhe e tregut
Në fushën e prodhimit kjo periudhë shënon
përparime të dukshme. Punishte të shumta metalesh
funksiononin në çdo qytet. Mbeturinat e farkave,
zgjyrat, të cilat janë ndër gjetjet e zakonshme
në trojet e këtyre qyteteve, dëshmojnë
qartë për këtë. Pasuritë minerale
të Ilirisë së Jugut, veçanërisht
ato të bakrit dhe të hekurit u siguronin atyre lëndë
të parë të bollshme. Në këto punishte
farkëtoheshin veglat e punës, armët dhe punoheshin
stolitë e enët metalike që u nevojiteshin qytetarëve
dhe banorëve të rretheve në jetën e tyre
të përditshme. Gjetja me shumicë e këtyre
sendeve në qytetet dhe në varrezat e kësaj
kohe dëshmon për karakterin intensiv të prodhimit
zejtar dhe për konsumin e gjerë të këtyre
mallrave.
Në qytete kishte edhe punishte zejesh të tjera si
ato për regjjen e lëkurave, punimin e veshmbathjes,
endjen dhe thurjen e rrobave etj. Një nga zejet më
të rëndësishme ishte ajo e gurgdhendësve,
të cilët angazhoheshin në ndërtimet monumentale
të qytetit, si në ndërtimin e mureve rrethuese
të qytetit, në godinat shoqërore, në ngritjen
e varreve monumentale etj. Veprimtaria e grupeve të specializuara
të gurgdhendësve provohet nga guroret e zbuluara
në Selcë të Poshtme, Bylis, Amantia, në
shkallët e Konispolit etj.
Zhvillim të dukshëm mori edhe zejtaria e prodhimeve
qeramike. Enët prej balte që dilnin tani nga punishtet
e qyteteve ishin të punuara kryesisht me çarkun
e poçarit, kurse sasia e atyre të punuara me dorë
është tepër e kufizuar. Kalimi në teknikën
e re të prodhimit të enëve u shoqërua
me largimin nga format tradicionale dhe me përshtatjen
në shkallë të gjerë të formave greke.
Nuk mungojnë edhe përpjekjet për të zhvilluar
format e vjetra, por zakonisht ato çojnë në
ndërthurje eklektike që nuk gjejnë përhapje
të gjerë, me sa duket për shkak se nuk u përgjigjeshin
kërkesave të tregut dhe shijeve të kohës.
Prodhimi i enëve me forma greke merr përhapje të
gjerë. Kështu nga furrat e punishteve qeramike të
qyteteve ilire dalin tani enë të llojeve të
ndryshme, duke filluar prej atyre të mëdha, si pitosa
e amfora e deri tek enët e përdorimit të gjerë
apo të luksit të lyera me vernik të zi apo
të pikturuara. Një vend me rëndësi në
këtë kohë zë edhe prodhimi i tullave e
sidomos i tjegullave, që përdoreshin në ndërtimin
e banesave dhe të godinave shoqërore. Sot njihen
pothuajse për çdo qytet punishte qeramike të
tilla që ishin pronë private e qytetarëve ilirë.
Sipas vulave që kanë enët apo tjegullat del
se një punishte në Lis ishte pronë e një
farë Ortai; në Irmaj pronarët e punishteve
quheshin Trito, Pato, Bato dhe Pito; një vulë me
emrin e Kleitit, nga rrethi i Gramshit i takon një punishteje
në Irmaj. Një Plator vulos buzën e një
pitosi të gjetur në Tren të Korçës,
kurse një Epikad te një enë tjetër e këtij
lloji nga rrethi i Pogradecit. Pronari i një punishteje
qeramike në Selcë të Poshtme (Polion) quhej
Gent , në Bylis (Klos) një punishte e tillë
i takonte Balaneut , kurse në Dimal kemi pronarët
Epikad dhe Olnio. Në qytete të tjera, si në
Zgërdhesh e Margëlliç vulat e pronarëve
janë të shënuara me monograme apo shenja simbolike.
Krahas këtyre, nëpër këto qendra ka edhe
vula që mbajnë emra grekë e maqedonë.
Prania e këtyre emrave në vulat e punishteve qeramike
të qyteteve ilire nuk është domosdo e lidhur
me qytetarë të origjinës greke apo maqedone
në këto qendra. Në periudha të caktuara
dhe aty ku pati vend një pushtim i qëndrueshëm
maqedon, kjo gjë padyshim edhe mund të ketë
ndodhur. Por kjo dukuri lidhet kryesisht me ndikime të
karakterit kulturor, si pasojë e të cilave këta
emra u përhapën dhe u adaptuan nga popullsia ilire.
Dëshmi të gjalla të kësaj dukurie vihen
re në mbishkrimet varrimore të Apolonisë e
të Dyrrahut ku emri i parë është grek,
kurse i dyti, ai i atit, është ilir ose anasjelltas.
Në Apoloni kemi emra të tillë, si Nikanori
i Gentit (???a???a Ge?????), ose në Dyrrah Anaia e Glaukisë
(?????a G?a???a), Epiktesi i Tritos (?p??t???? ???t??), Teutaia
e Aristionit (?e?t??a ??e?????), Euklidi i Tritos (?p??t?a??
???t??), Teutaia e Aleksenit (?e?t??a ??e??????), Brygu i
Afrodisit (?????? ?f??d?s?) etj.
Rritja e prodhimit zejtar i dha hov qarkullimit më të
dendur të mallrave dhe zgjerimit të tregtisë.
Prodhimet e zejtarisë së qyteteve ilire mbulojnë
tani rrethin e tyre të ngushtë dhe lëvizin
në drejtimet më të ndryshme për të
ushqyer reciprokisht tregjet e njëri-tjetrit; jo rrallë
ato shtrihen në krahina të brendshme. Në qoftë
se deri në fund të shek. IV popullsia e këtyre
krahinave të largëta kënaqej me prodhimet e
qeramikës lokale të punuar me dorë ndërsa
prodhimet e importit ishin sende luksi tepër të
rralla, më vonë prodhimet e qeramikës qytetare
ilire depërtojnë gjerësisht në këto
anë dhe hyjnë në konsumin e përditshëm
të popullsisë. Zonat e thella të dasaretëve
dhe të fiseve të tjera më të vogla që
banonin në krahinat malore të rrjedhjeve të
sipërme të Shkumbinit, të Devollit dhe të
Osumit furnizonin me prodhimet e tyre qytetet e jugut, të
cilat ishin më të dendura dhe më të zhvilluara.
Marrëdhëniet e botës ilire me Dyrrahun e Apoloninë
bëhen më intensive. Megjithëse këto nuk
janë më qendrat e vetme që furnizojnë
tregun ilir, prapëseprapë vazhdojnë të
luajnë një rol të rëndësishëm.
Midis tyre duket se ka një ndarje të qartë
të zonave të tregtimit: ndërsa Dyrrahu shtrin
veprimtarinë e vet kryesisht mbi krahinat në veri
të Shkumbinit, në orbitën e Apolonisë
hyjnë ato në jug të këtij lumi. Përmes
këtyre dy qendrave përhapen gjerësisht në
Iliri edhe prodhimet e qyteteve të Apulisë. Mallrat
e qendrave greke që gjenden krahas tyre janë përkundrazi
më të rralla, kurse ato maqedone dhe të Epirit
ndeshen kryesisht në zonat kufitare.
Rrugët kryesore nëpër të cilat lëviznin
mallrat dhe zhvillohej tregtia me botën ilire ishin luginat
e lumenjve; ndër to ajo e Drinit, e Shkumbinit, e Devollit,
e Osumit dhe e Vjosës formonin arteriet më të
rëndësishme. Rrugë të tjera të shumta,
të dorës së dytë, përshkonin grykat
e ngushta dhe qafat e maleve për të lidhur njërën
krahinë me tjetrën. Sado të vështira që
ishin këto rrugë, asnjë krahinë e Ilirisë
Jugore nuk mbeti në këtë kohë e izoluar
dhe jashtë ndikimit të marrëdhënieve tregtare
me qytetet. Më e rëndësishmja është
se në tregun e brendshëm mbizotëronin prodhimet
lokale, të cilat konkurronin si me prodhimet që
vinin nga Dyrrahu e Apolonia, ashtu edhe me ato të importit
dhe që ishin kryesisht sende luksi.
Fuqizimi ekonomik dhe rritja e prodhimit zejtar u lejoi qyteteve
Skodra, Bylis, Amantia e Olympe të presin gjatë
gjysmës së parë të shek. III monedhat
e tyre prej bronzi në emër të bashkësive
qytetare përkatëse.
Organizimi shoqëror e politik
Burimet nuk hedhin dritë plotësisht mbi strukturën
shoqërore dhe organizimin politik të qytetit ilir.
Megjithatë nuk është vështirë të
kuptohet se një bazë ekonomike e tillë si ajo
që u krijua në Iliri në kohën e lulëzimit
të jetës qytetare i takonte një shoqërie
antike të zhvilluar me të gjitha tiparet e saj.
Duke qenë qendra ekonomike, një vend me rëndësi
në popullsinë e qyteteve zinte shtresa e prodhuesve
zejtarë dhe e mjeshtërve ndërtues, të
cilët mund të ishin qytetarë të lirë
ose dhe skllevër. Prania e këtyre të fundit
dëshmohet në qytetet ilire vetëm përmes
burimeve që lidhen me ngjarjet e mbarimit të shek.
III dhe ato të fillimit të shek. II p.e.sonë,
por nuk ka dyshim se në këtë kohë ato
nuk janë një dukuri e re, ashtu si nuk janë
vetë qytetet që përmendëm. Shtresën
tjetër të popullsisë e përbënin pronarët
e punishteve zejtare, tregtarët dhe në qytetet bregdetare,
detarët. Krahas tyre, në qytetet ilire jetonin,
me sa duket, edhe përfaqësues të aristrokracisë
së vjetër fisnore që mbështeteshin në
pronën e tokave dhe të blegtorisë. Si e tillë
popullsia e qyteteve paraqitej në këtë etapë
e diferencuar shumë qartë në shtresa shoqërore
me interesa të ndryshme.
Nga pikëpamja e organizimit politik mbi bazën e
federalizmit qyteti së bashku me rrethinat fshatare dhe
kështjellat që formonin sistemin e tij mbrojtës
dhe u shërbenin nevojave të tregtisë, përbënin
koinonin që mbante emrin e qytetit kryesor, i cili ishte
qendra e kësaj njësie. Koinoni kishte organe që
zgjidheshin çdo vit nga eklesia ose mbledhja e përgjithshme.
Prej saj dilte këshilli legjislativ ose buleja, si dhe
organi përfaqësues i njësive i përbërë
nga damiorgët. Zbatimi i vendimeve bëhej nga një
kolegj nëpunësish, të quajtur prytanë
që zgjidheshin çdo vit, të shoqëruar
nga një sekretar. Në krye të koinonit qëndronte
strategu. Në koinonin e bylinëve strategu ishte
një nëpunës ushtarak që shoqërohej
në këtë funksion edhe nga hiparku, komandanti
i kalorisë. Pastaj vinin me radhë nëpunësit
e ngarkuar me edukimin e rinisë (gymnasiarkët),
me organizimin e festave dhe të garave sportive (epimeletët),
me drejtimin e rojeve (toksarkët, peripolarkët)
etj.
Koinoni duke qenë një organizëm autonom përbënte
një njësi administrative të shtetit ilir. Si
rrjedhim, shteti përbëhej nga disa koinone të
organizuara mbi bazën e federatizmit.
Veprimtari e rëndësishme e qyteteve ishte emetimi
i monedhave. Skodra, Lisi, Bylisi, presin monedhat e tyre
në emër të bashkësive qytetare, gjë
që dëshmon jo vetëm për fuqinë ekonomike
të këtyre qyteteve, por edhe për një autonomi
politike që ato gëzonin në kuadrin e shtetit
ilir. Simbolet e monedhave të tyre hedhin dritë,
mbase edhe mbi karakterin e pushtetit politik në këto
qytete. Pasqyrimi i anijes në monedhat e Skodrës
ka mundësi të përfaqësojë një
shenjë për tregtinë detare që zhvillonte
qyteti dhe të jetë, në këtë mënyrë,
një e dhënë e tërthortë për
peshën sunduese të shtresës tregtare në
qytet. Në Bylis, përkundrazi, përdoret si simbol
fytyra e themeluesit legjendar të qytetit, duke theksuar
me këtë traditën, me të cilën lidhej
kryesisht shtresa aristrokratike e qytetit.
Pak më i qartë bëhet ky problem në burimet
e çerekut të fundit të shek. III. Këtu
për herë të parë bëhet fjalë
se në krye të qyteteve qëndronin polidinastet
(sundimtarë të qyteteve), të cilët i nënshtroheshin
plotësisht pushtetit të mbretit.
Dyrrahu dhe Apolonia
Përfshirja e Dyrrahut dhe e Apolonisë në gjirin
e shtetit ilir pati pasoja të rëndësishme si
për jetën e këtyre qyteteve, ashtu edhe për
vetë shtetin ilir.
Të dhënat arkeologjike tregojnë se qysh nga
çereku i fundit të shek. IV p.e.sonë, lidhjet
e këtyre qyteteve me botën ilire bëhen më
të dendura dhe më të drejtpërdrejta. Tregtisë
së Dyrrahut dhe të Apolonisë iu hapën
lirisht rrugët e gjera të tregut ilir. Që nga
kjo kohë në krahinat e brendshme ilire fillojnë
të depërtojnë me lehtësi prodhimet e zejtarisë
së zhvilluar të tyre. Nëpërmjet këtyre
qyteteve, në Iliri hynin mallrat e importit, midis të
cilave vendin më të rëndësishëm e
zinin ato që vinin nga brigjet e përtejme të
Adriatikut.
Dyrrahu dhe Apolonia fillojnë të hedhin në
treg monedha të reja argjendi, ndër të cilat
përhapje të gjerë merr drahma e argjendtë
e këtyre dy qyteteve. Ajo ishte destinuar kryesisht për
tregtinë me botën ilire, prandaj edhe me të
drejtë është pagëzuar drahma ilire.
Shfaqje e re e kësaj kohe është prerja nga
këto qytete e monedhave të bronzit. Vënia në
qarkullim dhe pranimi në masë, siç tregojnë
gjetjet, i këtyre monedhave me vleftë shumë
herë më të vogël se monedhat e argjendit,
tregon se ekonomia monetare ishte zhvilluar në një
shkallë të gjerë në Iliri.
Gjatë kësaj kohe Dyrrahu dhe Apolonia jetojnë
një periudhë të vërtetë lulëzimi.
Ndërtimet më të rëndësishme e më
monumentale në këto qytete i përkasin periudhës
pas mesit të shek. IV p.e.sonë. Forcimi ekonomik
dhe pasurimi i tyre nga tregtia me botën ilire u lejuan
të ndërtonin mure të fuqishme mbrojtëse,
që përfshinin në gjirin e tyre sipërfaqe
shumë më të mëdha nga ato që njihnin
më parë, të ngrinin tregje e sheshe publike,
shëtitore, tempuj, gjimnaze e godina të mëdha
administrative.
Një dukuri e re filloi të përshkojë dhe
të ndryshojë në një drejtim të caktuar
jetën shoqërore të këtyre qyteteve dhe
përbërjen e mëparshme etnike të tyre.
Emrat ilirë që janë gjetur vitet e fundit mbi
gurët e varreve të zbuluara në nekropolin e
Dyrrahut, përbëjnë mbi 1/3 e tërësisë
së emrave të njohur në këtë qytet
nga monumentet epigrafike. Këto emra dëshmojnë
praninë në masë të popullsisë ilire
në to. Emrat ilirë të prytanëve dhe të
nëpunësve monetarë që gjenden në
të dyja faqet e monedhave prej argjendi dhe bronzi dhe
emrat në vulat e tjegullave të Dyrrahut dhe të
Apolonisë, tregojnë se popullsia ilire kishte një
peshë me rëndësi në jetën ekonomike,
dhe kishte siguruar të drejta qytetare të plota
deri në zënien e posteve më të larta në
jetën administrative e politike të qytetit. Midis
emrave të shumtë ishin edhe këta: ??????, Ge?????,
?a????, ?aa???da?, ???ta???, ?????????, ???t??, për Dyrrahun,
?at??, ?p??ad?? etj., për Apoloninë.
Kështu qysh nga fundi i shek. IV p.e.sonë, Dyrrahu
dhe Apolonia humbasin karakterin tipik të një kolonie,
mbasi popullsia e tyre përbëhet në një
përqindje të madhe edhe nga ilirët. Procesi
i ilirizimit të këtyre qyteteve, rezultat i shtrirjes
së sovranitetit ilir mbi to, ushtroi një ndikim
të thellë mbi gjithë jetën sociale-politike
e kulturore të Ilirisë në shekujt e mëpastajmë.
Rezultati i këtij procesi qe shkëputja e plotë
e Dyrrahut dhe e Apolonisë nga qytetet mëmë
dhe integrimi i tyre i plotë në jetën ekonomike
e politike të shtetit ilir. Këtë integrim e
favorizonte përputhja e interesave të tyre ekonomike
e politike me ato të shtetit ilir. Mbreti dhe shtresa
sunduese e shtetit ilir lakmonin fuqinë ekonomike të
këtyre qyteteve të mëdha, kurse skllavopronarët
e Dyrrahut dhe të Apolonisë pushtetin e fuqishëm
të sundimtarëve ilirë mbi një krahinë
shumë më të gjerë se sa territoret e ngushta
të qyteteve-shtete të tyre me pasuri dhe treg të
gjerë. Rezultati u arrit, siç tregojnë faktet,
sado të pakta, nëpërmjet një lufte të
ashpër politike, mjaft të ndërlikuar, ku u
përzien edhe fuqi të jashtme, por edhe si rrjedhojë
e një domosdoshmërie të diktuar nga kushtet
objektive të kohës.
5. RËNIA E DINASTISË SË GLAUKISË
Gjendja politike në vitet 270-231
Pas luftës së fundit të Mytilit kundër
Aleksandrit II të Epirit, në vitin 270, nuk flitet
më në burimet për shtetin ilir. Duke zbritur
drejt vitit 230 dalin të dhëna të reja mbi
këtë shtet.
Megjithëse në vështrimin e parë kjo duket
si një periudhë e errët, ajo përbën
në vetvete një faqe me shumë interes në
historinë ilire. Gjatë gjysmë shekulli, që
nga Glaukia deri te Mytili, shteti ilir kishte mundur ti
bënte ballë me sukses agresionit të Kasandrit
dhe më pas të Pirros e pasardhësit të
tij. Të gjithë këta kishin dështuar në
ndërmarrjet e tyre dhe më në fund qenë
detyruar të hiqnin dorë prej Ilirisë. Ndërkaq
gjendja në Greqi mbetej e paqëndrueshme. Sundimtarët
maqedonë, Antigon Gonata dhe i biri i tij Demetri, u
gjendën tërësisht të angazhuar në
teatrin grek të veprimeve politike e ushtarake për
të ruajtur hegjemoninë e Maqedonisë në
këto anë.
Për shtetin ilir kjo qe një periudhë qetësie
në marrëdhëniet me fqinjët, veçanërisht
me Maqedoninë, dhe me këtë duhet shpjeguar
edhe heshtja e burimeve. Por nuk qe Gonata ai që diti,
siç pretendohet, tu imponojë paqen fqinjëve
veriperëndimorë. Burimet nuk bëjnë
fjalë për një gjë të tillë.
Në qoftë se midis Ilirisë dhe Maqedonisë
nuk pati në këtë kohë ndonjë konflikt,
kjo duhet shpjeguar më tepër me faktin se ilirët,
të lodhur nga luftërat e deriatëhershme, nuk
mundnin, pra, edhe nuk kërkuan ti shfrytëzonin
vështirësitë e Maqedonisë në interes
të tyre.
Ndërkaq ka të ngjarë që nga mesi i shek.
III p.e.sonë ose pak më parë shteti ilir të
ketë njohur një periudhë trazirash të
brendshme, hollësitë e të cilave nuk njihen
mirë. Nuk është çudi që zhvillimi
i vrullshëm i qyteteve të veriut, të mbetura
jashtë konflikteve luftarake që prekën pjesën
jugore të shtetit ilir bashkë me qytetet e tij,
të ketë ndryshuar raportin e forcave dhe të
ketë ndikuar apo të jetë bërë bazë
e ndryshimeve politike që pasqyrohen vetëm në
zëvendësimin e dinastisë sunduese të Glaukisë
me atë të Agronit dhe në shkëputjen e
dy qyteteve të rëndësishme të Adriatikut
Lindor, të Dyrrahut e të Apolonisë, nga shteti
ilir.
|
 |  |