Kanuni

.

simbas botimit
SHKODER
SHTYPSHKROJA FRANÇESKANE
1933

 


Liber i Tetët.

Ndera

Krye i Shtatëmbdhetët.

Ndera Vehtjake.

§. 593. Kanuni i Malevet të Shqypnís nuk e veçon nierin prej nierit. << Shpíert per shpíert, se duken e falë Zoti >>.

§. 594. I miri e i keqi kan nji çmim: Kanûni i mban per burra: << Del i miri prej te keqit e i keqi prej të mirit >>. << Në kandár të vet se i cili peshon katerqind derhêm >>.

§. 595. N' i perkët kush kuej në nderë, peng e plak per nderë të mârrun s' ká; Kanûja thotë: në daç, fale; po deshte, laje ballin e vrugnuem.

§. 596. Nderin seicilli e ká per vedi e nuk mund t' i perzihet kush kuej as me e rrethue me pêgje e me pleq. Dy gisht nderë në lule të ballit na i njiti Zoti i Madh.

§. 597. << Ndera e mârrun giobë nuk ká >>. - Ndera e mârrun s' falet kurr.

§. 598. << Ndera e mârrun nuk shperblehet me gjâ, por a me të derdhun të gjakut, a me të falun fisnikisht ( permbas ndermjetsís së dashamirve të mirë ).

§. 599. I korituni ká deren çilë perkah ndera: peng s' shtron, pleq s' mêrr, gjýgj s' lypë; giobë s' mêrr. -- Burri i fórt mêrr gioben vetë.

§. 600. Aj, të cillit i u muer ndera, xêhet i dekun kah kanûja.

§. 601. Ndera i mirret burrit:
A ) - Me i thânë kush se rrên faqe burrave të mbledhun në kuvend;
B ) - Me e pshtý, me i u matë, me e shtý a me i rá kush;
C ) - Me i prishë ndermjetsín a besen;
D ) - Me i a dhûnue gruen a me i a ikun;
E ) - Me i a marrue armët e krahit a të brêzit;
F ) - Me i a dhûnue buken, tuj i a ngâ mikun a pûntorin;
G ) - Me i thye shpín, vathin, kotecin a çarranikun n' oborr;
H ) - Me i a ndalë uhán a detyren;
I ) - Me i a luejtë rrasen e vegshit në voter;
J ) - Me njye kashaten perpara mikut - i mirret ndera e mikut.
K ) - Me koritë trevezen nder sý të mikut, kúr i zoti i shpís e kruen fulteren a shîn e lpîn kupen.

Krye i Tetëmbdhetët.

Ndera Shoqnore.

§. 602. << Shpija e Shqyptarit âsht e Zotit e e mikut >>.

§. 603. Miku nuk mund të hîjë në shpí, pá bâ zâ n'oborr.

§. 604. Si të bâjë zâ miku, i zoti i shpís a kush i shpis i pergjigjet e i del perpara.

§. 605. Falet me mik, armen i a mêrr, e i prín në shpí.

§. 606. Armen i a varë në krrabë, edhè e çon në krye të vendit ke votra.

§. 607. Perprushet zjarmi, lypen edhè drû. << Miku don drû >>.

§. 608. Mikut do t'i bâhet nderë: << Bukë e krypë e zêmer >>.

§. 609. Buka e krypa e zêmra, zjarmi e trungu e do firi per shtrojë do të gjindet gadi per mik në çdo kohë të natës e të ditës.

§. 610. Mikut të lodhun do t' i vihet rreth me të pritun me nderë. Mikut i lahen kambët.

§. 611. Per çdo mik duhet buka si han vetë.

§. 612. Per mik të mirë duhet kafja, rakija e buka e shtrueme me ndo 'i send mâ teper.

§. 613. Per mik zêmret duhet duhâni, kafja e ambel, rakija e bukë e mish.
-- << Mikut të zêmres i lshohet shpija >>.

§. 614. << Tuj hî në shpí, mikut do t' i mbajësh armen >>.

§. 615. E mbajtmja e armës âsht:
a ) - shêj burrnije e nderje, edhè knaqesh se t' erdh miku;
b ) - âsht roje, sepsè tuj i thànë: << Mirë se erdhe >>, aj do të rrîjë zot per çdo rrezik;
c ) - âsht shêj urtije per vedi, pse, 'si t'i mârrish armen, edhè në pasët ndo 'i mende te keqe miku, nuk ká shka të bân, 'si t' a çarmatosish.

§. 616. << Mikut i lshohet kryet e vendit >>.

§. 617. Mikut i lshohet kryet e vendit, po kje në shpí si edhè po kje në kuvend burrash, porsè në kuvend nuk ká zâ.

§. 618. Mikut i lshohet kryet e vendit si per nderë, si edhè si të jét mâ në të pám e në shêj, si edhè të mos të perzihet nder robët e shpís.

§. 619. Si hîjë miku në shpí, të ká lá detyren.

§. 620. Po të hîni miku në shpí, gjak me të pasë, do t' i thuajsh: << Mirë se erdhe ! >> -

§. 621. << Miku do të percillet deri kû të lypë me e percjellë >>.

§. 622. << Miku, edhepsè xên kryet e vendit në shpí a kûdo, kurr s' prîn, por do t' i prîjsh >>.

§. 623. Miku percillet edhè me nji fmí, po kje djelë a vajzë, gjithnji si nji burrë a grue.

§. 624. Sí t'a percjellish mikun deri kû desht vetë me shkue, e solle shpinen me shkue në pûnë t' ande, krisi pushka n' at hov e edhè e vrau, tý nuk të pritet mik.

§. 625. Mbas mikut do të hupish pûntorët, e me bukë t' ande, të mos fikesh e të mos koritesh.

§. 626. << Si t' i prîsh mikut, çdo dhûnë t'i bâjë kuej ky, lypet mbë tý >>.

§. 627. Mikut mos i prîjshë, do të hapsh sýt si mos t'i bâjë kuej ndo'i dhûnë a pûnë të ligë.

§. 628. Kanûja urdhnon si të percjellet miku sá mos t'a gjêjë ndo'i pûnë e ligë, sá edhè mos t' i bâjë kuej ndo'i dâm me bukë t' ande.

§. 629. Po bâni ndo 'i pûnë të keqe miku në bukë t' ande, arsyeja lypet prej teje.

§. 630. I dhûnuemi e i dâmtuemeni s'âsht në detyrë me ndjekë atê, si e dhûnoi e si e dâmtoi, por i kerset në derë atij, si e mabjti në shpí e i dha bukë.

§. 631. << Buka e lán dâmin >>.

§. 632. Kanû âsht prá, si t'i prîhet mikut, sepsè xêhet se nuk din rrugë e nuk din a do të ndeshet në mik a n' anmik.

§. 633. Do t'i prîjsh, pse jé rojsi i mikut, si me i a largue rrezikun, si edhè me e ndalë prej pûnet të keqe.

§. 634. << Buka të nderon, porsè të qet edhè në pûnë >> ( Buka m'u gjet dreq pat thânë dikush. )

§. 635. Po t' a dhûnoi buken miku do t'epsh arsye në kanû per shpí e vath të thyem, per tufë të mârrun e pretime tjera.

§. 636. Do të lajshë dâmet e bâme prej mikut t' and a tuj vû kumbonen e tufës s' ate në trá, a me të hjekun të kaut të hullís, a me të shitun të rendit t' ujit.

§. 637. Nderen e dhânun do t'a dajshë me mikun e të dâmtuemin do t'a ndreqish.

§. 638. Ti do të lajshë e , po mujte me xjerrë gjâ te miku, e ké per vedi; perndryshej të pastë mbetë ngiat: Paç e dhaç thotë kanuni.

§. 639. Sikursè jé në detyrë me lypë mikun e prém ashtû jé në detyrë me dhânë arsye, në prefët kend miku në bukë t' ande.

Nye i 97.

Të prémet e mikut.
" Ndorja nuk lshohet ".

§. 640. << Miku mik; shoqi shoq >>.

§. 641. << Veç nji gacë me t'a lypë kush tedera per me kallë çubukun, i a dhe, e ngau kush, të pritet mik >>.

§. 642. Po të rá ndore kush, edhè tuj t'a xânë vetem êmnin : << Jam miku i njatij >> e edhè pá të pasë kênë kurr te dera, po e nga kush, të jet mik në derë e ftyra t'u vrugnue.

§. 643. Po t' a vûni kush mikun në lojë a t'a shau, ti do t'a mkâmbish nderin e mikut me rrezik të jetës s' ate.

§. 644. Po i u pré kuej miku, kanûja e ká lânë dý udhë : a të fiket, a të koritet.

§. 645. Atij, si i u pré miku, çdo send do t í epet me dor të mâjtë e per nen giû mje si t' a paguej mikun.

§. 646. Dora e mâjtë me kanû quhet e pandershme, e cilla mêrr e nuk ep; me miq nuk falet. Veç i pabesi me të pabesin falen me 'tê.

§. 647. Me kanû të hershem gjygji'e karmote më hû të pabesin, e s' e lite në kuvend burrash.

§. 648. I pabesi, si pret kend vetë a shet kend në besë, grîhet katundisht e shkon gjak - hupës.

§. 649. Me gojë të kanunit: baba, vllau e deri kushrinija e dalun fare falet, porse miku nuk falet ( posè me të hîm ndermjet të dashamirvet të zêmres ).

§. 650. Per mik të prém rrallë se e pet besa; ndermejtsia epet sá të mârrin e t' apin, në hîfët pûna në të ndrequn.

§. 651. Katundi shoqi - shoít i presin mik:
a ) - Kúr nji shoq shmanget te nji shoq e, tuj dalë prej shpije të këtij, e vret a shoqi tjetr a kushdo;
b ) - Edhepsè shoq a kushrî me të vramin mik - prém, detyrë âsht me lypë shoqin - mikun e vrám;
c ) - Po s' e lypí mikun e vrám, edhepsè shoq, s' ká pse del në kuvend burrash, pse jet i koritun e i marruem pergjithmonë e jetës.

§. 652. Me ndeshë n' udhë të madhe dy shokë, e, 'si të bâjn do rrugë, kerset pushka edhè vritet njani sish, këtij tjetrit nuk i pritet mik.

Oroe.

Njimend, se s'i pritet mik, porsè jet i koritun mos me qitë mbë dorërasin.-- Shqyptari edhepsè bjen në gjak pá gjak, tuj e pague me vrasë mikun e prém, aj s'e mêrr ndore at pûnë; fiket me lang e plang porsè merre s'bán. --


Nye i 98.

Të sjellunit e të zot't të shpis me miq në shpi.

§. 653. Miku xên kryet e vendit në trevezë ( sofer ), mandej i hîn ndorja.

§. 654. Flamurtarit nuk i takon kryet e dashit e mikut shpatulla.

§. 655. Po s'ndolli Flamurtari, por Kreu i njij Flamuri, shpatulla i tokon këtij e mikut kryet e dashit.

§. 656. Miku do të hjekë rakín e mà i pari do t'u biej duerve në travezë.


§. 657. Me ndodhë në trevezë kush i Gjomarkaj e nji mik i largët, Flamurtarí e dán pergjymës me të Gjomarkain kryet e dashit e shpatulla i jet mikut.

§. 658. Flamurtari do t' a thejë me grusht kryet e dashit e mikut, 'si t' a két lpí shpatullen, do t'i a thejë sumbullen.

§. 659. Me ardhë per mik i Ohërnjani ( i Thkallas ) a në Mirditë a në Malcí të Lezhes e me ndodhë aty edhè kush e Gjomarkaj, kryet e vendit e xên i Ohërnjani, mandei i Gjomarkaj. ( Ket pûnë s'e bân kush prej ndrejet. )

Oroe: K;eto sjellje duken si lojë, porsè kan shkaktue vrasë të pergjegjme shi në travezë.


§. 660. Kafen e mêrr miku, mandej i zoti i shpís.

§. 661. Duert në travezë i lán i zoti i shpís, mandej miku.

§. 662. Goten e rakís e pin i zoti i shpís e të dyetn miku.

§. 663. Kashaten e njyen miku, mandej i zoti i shpís.

§. 664. Aj zot shpije, si e njye kashaten perpara mikut, late 500 grosh giobë.

§. 665. Aj zot shpije, si koritte travezen e vet nder sý të mikut, late 500 grosh giobë.

§. 666. Pushka e shitme per mik të prém nuk ká giobë.

Nye i 99.

Ndermjetsia.

§. 667. Ndermjetsi, si lajmtari, nuk bán faj as nuk xêhet.

§. 668. Ndermjetës thirret aj, i cilli hîn per me dá fjalët e kqija, me shmangë rragen, prej të cillvet mund të shkaktohet vrasa a ndo 'i rrênim tjeter.

§. 669. Ndermjetes mund të jét burrë a grue, djalë a vajzë a edhè Prift.

§. 670. Ndermjetës mund të hîjë per shpí me shpí, per katund me katund, per Flamur me Flamur.

§. 671. Me i u pré ndermjetsia njij shpís së veçanët, vetë e kerkon mikun.

§. 672. Me i u pré ndermjetsia njij katundi, katundisht u lypë mikun.

§. 673. Me i u pré ndermjetsia njij Flamuri, Flamuri mbarë e lypë mikun.

§. 674. Me i u pré ndermjetsia Priftit, mikun e lypë Famullija, në të cillen gjindet, a se Flamuri e lypë, po hîni ndermjet n'êmen të flamurit.

§. 675. Prifti, per me dá të keq, hìn ndermjet jo n'êmen të vet, por a n'êmen të Famullis a n' êmen të Flamurit; por vetem atbotë, kúr mos t'i pûnojë fuqija e fjalës fetare.

§. 676. Po s' u muer para sýsh fuqia e fjales fetre, atbotë Prifti hîn ndermjet si çdo qytetas, por, tuj mos bajtë zyrja e tij shpatë e litár, po i u bâ n' asgjâ ndermjetsia si e çdo qytetasit, katundi a Flamuri do t'a mekambin nderen e tij, tuj e lypë mikun e prém.

§. 677. Me kênë të vramë njiqind vetë në njanin krah e në tjetrin kurrnji, 'si të hîjë kush ndermjet, pushka do të prâjë zjarmi do të shuhet.

§. 678. Me bâ me u qitë poshtë fjala e ndermjetsit, ajo lagje, si të fillojë pushken, i a pret mikun ndermjetsit. ( Po s' prâni pushka e fjala e gergasa permbas ndermjetsís, perzihet lamshi per mnerë, kryqzohet pushka, e grihen aty per aty. )

§. 679. Fjalët e dokshme të ndermjetsís jânë: << L6eni fjalët, or juni, jam ndermjet une ! -- Prâni pushken, burra, un jam ndermjet mje ke të mirremi vesht. -- Prâni pushken, se katundi ..., Flamuri ... âsht ndermjet !>>

§. 680. Ndermjetsí u mêrr pêgjet të yja lagjeve, tuj u a dá diten se kúr e kû do të mblidhen në kuvend, per me u mârrë vesht.

§. 681. Po nuk muejt me i ndreqë ndermjetsi, p6egjet e të dý lagjeve u lshon në dorë burrave t' urtë, e ky atbotë lirohet e del prej ndermjetsie.

§. 682. Ndermjetsia mbaron gjitherë a me të ramë diellit a me të mârrun të diellit ( me të lém a me prendim të diellit ).

Nye i 100.

Dorzanija.

§. 683. Dorzânë thirret aj, i cilli i lidhet kuej per të pergjegjun të njij detyre, të cillen, po s'e lau në vade të caktume detyrsi, ky bâhet dordhânës.

§. 684. Uhasi, 'si të két dorzânë, s'ká nevojë me i shkue në derë detyrsit; dorzâni do të pergjigjet per 'tê: << Dorzânë, dordhânë >>, thotë kanûni.

§. 685. Edhè në dekët detyrsi, uhasit s'i prishet gjâ; per detyrë, si aj i pat këtij, do të pergjigjet dorêzani: << N' dekët detyrsi, rrnofët dorêzani, >> thotë Kanûni.

§. 686. Me bâ me u pendue dorzâni e me dashtë me dalë dorzânije, Kanûja nuk e lân, sepsé: << Dorêzani nuk hîn per me mbajtë në mend, por per me lá>>.

§. 687. Dorzâni hín me mirvet, e prandej nuk ká tager me lypë kpucë as te detyrsì as te uhasi: << Dorzânë e bestár nuk hîn kush me të holla >>.

§. 688. Detyrsi, kúr lypë kend per dorzânë e, per n'i hifët ky, faqe burrave i thotë: Un po të hî dorezânë, por shikjo, se, po s'e pate nder mend me i bâ gadi të hollat në vade të caktume, më kallxo prej tashti e të bâhem gadi me lá per tý . T' a dijshë, se shnjerzim nuk duroj!

§. 689. Po nuk i u pergjegj detyrsi dorzânit, edhè e lân të lidhë si të lajë ky prej vedit detyren e tij, dorzâni do t'i a apë pengun uhasit.

§. 690. Uhasi ká tager me i a dorzue kujdo at peng, per me xjerrë detyren e vet.

§. 691. Dorzâni ká tager me bâ váj në katund kundra detyrsit të keq, e katundi do t'a ngushtojë detyrsin si t'a shperblejë pengun e dorzânit e t'i a dorzojë të zot't.

§. 692. Po s'i bâni gadi të hollat detyrsi vetem prej dhûnet e kasnecijet, katundi e giobitë permbas randsís së fajit per presë të bâme.

§. 693. Po i bâni gadi të hollat detyrsi në vade të caktume, para se t'i a dorzojë të zot't, do t' a bâjë me dije dorzânin.

§. 694. Po kje se detyrsi nuk muejt me i bâ gadi të hollat në vade të caktueme vetem prej skamit, dorzâni do të rrîjë gadi me lá per 'tê, e këtê me pritë, se << Dora e thatë s' ká uratë >> e s'ká pse e qet në katund, pse vajin nuk i a veshtron: t'a kishte matë vedin para se t'i hîte dorzânë.

Krye i Nandëmbdhetetët

Gjaku e Gjinja, Vllaznimi e Kumbarija në Kanû të Malevet.

Nye i 101.

Gjaku e gjinja e brêza Shqyptarësh.

§. 695. Vargu i brêzavet të gjakut e të gjinís, shkon në të pasosun per Shqyptarin e malevet.

§. 696. Mahet vllá e fis me të gjith ata, prej së cillësh të parët e tij jânë dá heret a vonë.

§. 697. Katerqind zjarmesh me u dá Shqyptari, aj as mêrr as ep, do me than, nuk bân krushqní.

Nye i 102.

Lisi i Gjakut, Lisi i Tâmlit, Nip Trungut e Nip Bijet.

§. 698. Brêzat rrjedhin a prej gjakut a prej gjínîs.

§. 699. Brêzat e gjakut rrjedhin prej ânet të babës; brêzat e gjinis rrjedhin prej ânet të nanës.

§. 700. Rrjedhja e brêzavet prej ânet të babës thirret << Lisi i Gjakut >>.

§. 701. Rrjedhja e brêzavet prej ânet të nânës thirret << Lisi i Tamblit >>.

§. 702. << Nip Trungu >> a << Mesë Trungu >> thirret aj varg mashkujsh a fêmnash, si rrjedhin prej plangut të babës.

§. 703. Nip a mesë bijash thirret aj varg mashkujsh a fêmnash, si rrjedhin prej bijave të martueme.

Nye i 103.

Vllaznimi.

§. 704. Vllaznimi, si bâhet tuj pí gjak e ndalin krushqnín pergjithmonë ndermjet të vllaznumve, shpís së tyne e zjarmit të tyne.

Nye i 104.

Kumbarija ( Shengjonija ).

§. 705. Çka âsht gjaku e gjinija per kah krushqnija, ashtû âsht edhè kumbarija.

§. 706. Kumbarija e Shqyptarit te malevet âsht trí nduersh:
a ) - kumbarija e Pagzimit;
b ) - kumbarija e Kunorës;
c ) - kumbarija e Flokve.

Nye i 105.

Kumbarija e Pagzimit.

§. 707. Kumbarija e Pagzimit e ndalon krushqnín brêz mbas brêzit jo veç nder të pagzuemin, prinden e të pagzumit e nder ata, si e peshojn në derë të Kishës, por edhè nder sá rob të két shpija e njanës e të tjetres lagje e të zjarmit të tyne mbarë.

Nye i 106.

Kumarija e Kunorës.

§. 708. Kumbarija e Konorës e ndalon krushqnín nder robët e shpís së kumbarve e të shpís së dhandrrit e, si të plangsohet kumbarija e kunorës nder dý vllazni e të pershîjë edhè zjarmet e tyne, kjo pûnë shkon me kumbari të Pagzimit.

Nye i 107.

Kumbarija e Flokvet.

§. 709. Kumbarija e ndrikullija, si bâhet në të rruem e në të mârrun të flokvet hîn në lidhje kanunore, si s'e luen gjâ.

§. 710. Kumbarija e flokvet e ndalon krushqnín brêz mbas brêzit ndermjet shpís, vllaznís e zjarmit të kumbarës e të ndrikulls.

§. 711. Ndrikullija âsht si nusija:
Si shkon nusja ke prindët të caktuem prej Kanûnit, ashtû shkon edhè ndrikulla në kohë të caktueme të kumbara.

§. 712. Koha e ndrikullís e caktueme prej kanunit âsht nji muej para së Lidhunash.

§. 713. Ndrikullija nuk mund të shtýhet mbí pêsë ditë:
Ditët e ndêjës së ndrikulles te kumbara do të janë gjitherë cub e jo kurr parë, tri a pêsë.

Nye i 108.

Sjelljet Kanûnore në mârrun të flokvet.

§. 714. Nun a kumbarë thirret aj, si mêrr flokët.

§. 715. Ndrikull a nunë thirret e âma e djalit a e vajzës, të cillvet u mirren flokët.

§. 716. Famull a famulleshë thirret djali a vajza, të cillvet u mirren flokët.

§. 717. Nuni e ndrikulla jânë si vllá e moter e nuk veçohen prej gjindes së shpís.

§. 718. Po e mbushi vjetin djali e vajza, nuk u mirren flokët.

§. 719. Me dekë fmija pá i u mârrë flokët, nuk do të shtîhet në dhé:
Do të thirret kumbara i shênjuem; po kje larg kumbara, do t'i mârrë flokët nji tjetr, i cilli nuk do të jét prej vllaznijet e fisit të fmís.

§. 720. Per të mârrun të flokvet të djalit të jét burrë, e grue per vajzë.

§. 721. Prindja e djalit a të vajzës, të cillvet t'u mirren flokët, do të bàjn gadi buken sá mâ mirë si të munden, per me nderue kumbaren.

§. 722. Kumbara do të vijë me nji prej dashamirësh të vet.

§. 723. Thirren nja tre - kater shokë per me mârrë pjesë në gzim të shpís.

§. 724. Si të kenë pí kafe, goditet vendi, kû do t'ulet Nuni e do të gjindet aty veglat per të mârrun të flokvet.

§. 725. Lypet karriga, kû do t'ulet Nuni; kupa me ujë, në të cillen Nuni do të lshojë nji asper të rrgjanët; msalla, si do të shtrohet per të pritun të flokvet; gershanë a brisk rrues per të qethun a per të rruem të famullit a të famulleshës.

§. 726. Si t'ulet në karrigë Nuni, nji djalë i fisit i a pshtetë Nunit në prehën famullin a famulleshen.

§. 727. Nuni do t'i mârrë flokët me ket rend:
a ) - nji çubë në báll;
b ) - në tamza ká nji çubë;
c ) - mbas kreje nji çubë.

§. 728. Si të miren flokët, Nuni i bjen ballit të famullit a të famulleshës me gershan trí herë, tuj thânë: << Me shndet e jetë të gjatë ! >> E puthë famullin a famulleshen e, tuj e hjekë prêhnit i a ep s' amës - Ndrikulls, -- e cilla edhè mêrr kupen me asper të rrgjanët.

§. 729. Nuni i ep Ndrikulls 50 - 150 grosh e jo mâ teper.

§. 730. Çubat e flokvet i mêrr e âma edhè i ruen n' arkë.


§. 731. Ndrikulla do t'i apë Kumbarës:
gjurdî, brekë e mangore, e gjindes së shpís së kumbarës - sá të janë - do t'u çojë kuej msallë, kuj ride a kollçikë.

§. 732. Pá i u mârrë flokët fmís, gershana nuk do t'i aperkasë kryet; po i u rrten teper flokët, i percullohen me flakë t'ûnës së píshës.

§. 733. Si t'i mirren flokët fmís Kumbara bûen at natë në shpí të famullit a të famulleshës; ne e neser çohet e mêrr me vedi ndrikullen e famullin edhè i çon në shpí të vet, kû rrín trí a pêsë ditë, si mbas Kanûnit.

§. 734. As mort as darsem e as të kremet s' luten pá ndrikull e kumbarë, pá famull e famulleshë.





 

 

       
E Maili yn

na shkruani

   

© gusht.2004 by " www.malsia.eu®