Kanuni

.

simbas botimit
SHKODER
SHTYPSHKROJA FRANÇESKANE
1933

 


Liber i Gjashtët


Të Dhânunat.

Nye i 82.

Uhaja.

§. 499. Kanûja e maleve nuk njef uhâ me shtojca fitimesh ( Fajde ).

§. 500. Kanûja njef uhá të fjeshtë: sá të dhaçë ké me më dhânë.

§. 501. Per me shndoshë pûnen e uhás e per me largue çdo dyshim pabesije per uhá të dhânun, mund të mirret pengu.

§. 502. Pengu perbâhet prej njíj sendi, si két çmim a sá uhaja e dhânun, a edhè tepr.

§. 503. Pengu, si mirret per uhá të dhânun, mund të xêhet si << Peng hupës >>

§. 504. Pengu i hupun xêhet atëherë, kúr aj, si mérr uhá, i lidhet uhasit a me prû uhán në ditë të caktueme, a me lânë pengun, si të hupë.

§. 505. Uhaja e prûme në ditë të caktueme e shperblen pengun.

§. 506. Po s' u prû uhaja në ditë të caktueme e nuk erdh mârrsi me u pá me uhasin, ky ká tager me shitë pengun e me xjerrë uhán e vet.

§. 507. Dita e caktueme vijon mje në prendim të diellit e uhasi do t' a presë detyrsin mje në prendim të diellit; po s' erdhi pengu i shitet.

§. 508. Shka t'i dalë teper uhás së dhânsit prej pengut të shitun, do t' i a dorzojë të zot't të pengut.

Oroe

Mbas parimeve të permenduna e mbas kallximit të burrave të lashët, Shqyptarët e hershem të Malevet t' ona nuk kan pasë dijtë as me dhânë as me mârrë uhát me shtojca fitimesh; ky ves i mbrapshtë fort vonë do të két hî.

Nye i 83.

Vadja.

§. 509. Vadja e uhave âsht nji kohë e caktueme, në të cillen detyrsi do t' i a çojë të zot't uhán e mârrun.

§. 510. Uhaja mund t' epet me besë e burrní, me dorzaní a edhè vetem tuj e shndrrue me peng. Mbí pêgje shif: Librin VI, Nye LXXXII, << Uhaja >>, f. 56.

Krye i Gjashtëmbdhetët

E Folmja, e Falmja

Nye i 84.

E Folmja.
"E folmja âsht në fund të kuletës ".

§. 511. E folmja âsht prêmtimi i njíj sendi, si i bân kush kuej per nji múnd, si do të hjekë.

§. 512. E folmja prêmtohet: per nji pleqní, per nji udhtim a shtegtim, per pajtim të gjakut, per shkuesí a per mjek.

§. 513. E folmja perbâhet prej njíj çmimi, si mund të mbrrîjë mje në 500 grosh.

§. 514. E folmja prêmtohet edhè pá e permendë caktimin e çmimin me të holla, b. fj.: Ké nji parë openga të holla, per në m'a marosh ket a at pûnë.
- . Opangat e holla kan çmimin 10, 20 mje 25 grosh.
- . Opangat e trasha prej 50, 100 mje në 500 grosh.
- . Oka e kafes prej 50 mje në 500 grosh.
- . Oka e kafes kokerr xêhet e caktume per 9 grosh.

§. 515. Po s' e ndreqi pûnen plaku, udhtari, shkuesi etj, të folmet nuk epen e as kanûja s' i a gjegjë vajin per pûnë të pakryeme.

§. 516. Si t' a ndreqë pûnen, çka t' i két folë kush kuej, do t'i apë; sepsè << E folmja âsht në fund të kuletës >>.

Nye i 85.

E Falmja.
" Fala, s' ta fala. Kanûja s'e kapë ".

§. 517. Po i the kuej, se don me i a falë ket a at send, e mbrapa e hangre fjalen t'ende, me << fjala, s't'a fala >>, kanûja nuk të nget me peng e me plak.

§. 518. Jé i lír me mbajtë burrnín t' ande; jé i lír me u shburrnue.

§. 519. Kanûja thotë: Ftyren e vrugnume në daç laje, në daç zezoje edhè mà.





 

 

       
E Maili yn

na shkruani

   

© gusht.2004 by " www.malsia.eu®