 |  |
Kuçi
Në vazhdim të shkrimeve enciklopedike të
gazetës tonë për trevat veriore shqiptare,
sot do të kemi në fokus Fisin e Trevën me historinë
më të trishtueshme të krejt Shqipërisë
Etnike, atë të Kuçit, e cila tani ndodhet
si pjesë territoriale e Republikës së Malit
të Zi...
... ku mjerisht ajo tashma është tërësisht
edhe e sllavizuar, madje edhe e ndërgjegësuar me
fatin e saj, të tjetërsimit pa kthim. Por le të
shohim më poshtë çfarë na servirin shkrimet
e ardhur nga shekujt...
Kuçi, fis, emri i të cilit përsëritet
shpesh në hisotrinë e toponomistikës shqiptare
në shkrime të ndryshme që vijnë nga historia
e hershme, të cilët janë: Kuç, Chiuchi,
Chuci, Chucchi, Cucci, Cuchi, Cuchii, Cucçi, Cusi,
Cussi, Cuzi, Cuzzi, Cuycia, Chuchovich, Cucouich, Kusich,
pra në përgjithësi paraqet vështirësi
në shqiptimin nga mbiemri i "Kuçi",
gjithsesi këto emërtime ose kanë kaluar përmes
evolimit të vetë shqipes, ose gjuhëve të
fqinjëve sllavë e pushtuesve të tjerë
(Turq e Austro-Hungarezë).
Pamje nga Malësia
Ky emër për herë të parë gjindet
i shkruar si mbiemër "Petrus Kuç", pranë
Tuzit. Në vitin 1335 por edhe në vitet 1416-1417
shfaqet si komunitet me emër të preferuar "Cuzi",
Kuxi, në përbërje të Zetës superiore
(Lartë) që deklaronin besnikëri ndaj Venezies,
edhe në vitin 1455 me vojvodën Stefano Çerriei.
Ndërsa në vitin 1467 gjejmë të shënuar
një Pietro Kuçia (Cucia) në mes kryetarëve
të kolonisë shqiptare, të kaluar në Sicili
(itali), ku mbiemri Kuçia (Cucia) paraqitet i pëerhershëm
edhe ndër kolonitë e zgjeruara në 19 më
të përmendurat, e në mes tyre një Gjini.
Në vitin 1482 deri me 1547 nga gojëdhënat
e mbledhura, Kuçi është një degë
e Berishajve (fisit), duke formuar pastaj fisin më të
fortë të Shqipërisë së Lartë
(veriore) që më vonë në mënyrë
progresive erdhi duke u sllavizuar, si rezultat i lidhjeve
të ngushta e të vazhdueshme me malazezët (Sllavë).
I shumtë është dokumentacioni historik që
e vërteton këtë, në shekujt e 17-të
e 18-të.
Sipas disa albanologëve, në vitin 1610-1614
fillojnë të duken zëvendësimi i riteve
shqiptare me disa rite mMalazeze, në mënyrën
e jetesës, ku në këtë kohë, ky fis
shqiptar autokton ishte i konsiderueshëm, pasi kishte
490 shtëpi, me rreth 4000 banorë dhe 1500 burra
të aftë për armë. Në vitin 1616 kuçasit
me fqinjët e tyre sllavë, për t'u mbrojtur
nga reprazaljet e pushtuesit osman, krijaun një "Asamble"
të përbashkët anti-turke me në krye një
kont shqiptar vendas, me emrin Lala Drekali.
Kjo pra tregon se kushtet historike pas ardhjes së
pushtimeve turke edhe në Ballkan, shqiptarët e Kuçit,
por edhe të viseve të tjera shqiptare veriore, shpesh
krijuan lidhje e bënë aleancë me popuj e vende
të ndryshme, që natyrisht për momentin kishin
një armik të përbashkët, pushtuesin barbar
osman, që u kishte marrë disi lirinë, por kërkonte
t'u asimilonte edhe gjënë tjetër të shenjtë,
fenë, ku natyrisht, qofshin martesat apo afrimi i besimit
kristian ortodoks ishte më i lehtë se besimi Islam.
Duhet theksuar se në këto vite përpjekje të
kësaj popullsie tërësisht shqiptare, Venecia
që kishte influencat e veta me anë të Kishës,
por edhe si fuqi ushtarake për kohën filloi t'i
ndihmonte me pretekstin se po mbron "vëllezërit"
e saj kristianë.
Për këtë në vitin 1692, e këshillon
Fisin e Kuçit të paqësohen e afrohen me fisin
tjetër të fuqishëm shqiptar Piper, që
në ato vite invazioni, këta dy fise kishte arritur
t'i armiqësonte. Në vijim të kësaj, në
vitin 1717 këto dy fise së bashku i ofrojnë
Venecies 3000 burra nën armë, të drejtuar nga
4 kryetarë (që Venecia i quan Kontë), dy vojvodë,
që në dokumente shpesh përmenden si Serdarë
(komandantë luftarakë). Të tilla lidhje vazhdojnë
deri në vitin 1723. Për të parë rëndësinë
ë këtye shqiptarëve trima në luftën
anti-turke, më poshtë po citqjmë një shkresë
të dërguarit të Austrisë në Serbi:
Pak kohë pas mbarimit të luftës Ruse, në
vitin 1773, Mitropoliti Serb dhe disa Murgj shkruan një
plan për rindërtimin e Serbisë së Vjetër,
që përfshinte përveç Bullgarisë,
Serbisë, Shqipërisë Veriore, Dalmacisë,
Bosnjes edhe Banatit Kralstadit dhe Sllovenisë. (Pra
siç shihet afërsisht rindërtimi i perandorisë
së Stefan Dushanit). Në një çast të
caktuar Ortodoksve u duhej t'u binin turqve në shkallë
të gjerë në të gjithë territorin.
Thuhet se me këtë plan ishte dakord peshkopi i Karlstadit
Jaksiç, i cili mbajti letërkëmbim me mitropolitin
e Malit të Zi. Megjithëse ky projekt ishte i vështirë
për kohën, ai merrej në konsideratë, pasi
siç shihet, ambicja e Petroviçëve për
të formuar Serbinë e madhe ishte shumë më
e hershme , pra kohë para se Serbia të fitonte pamvarësinë,
madje shumë kohë para se të dilnin në
skenë Karagjeorgjeviçët...
Në vitin 1788 Rusia dhe Austria arritën një
marrëveshje dhe i shpallën luftë Turqisë,
ku qëllimi i tyre ishte t'i jepnin fund sundimit të
Sulltanit. Së toku, ata nxitën malazezët të
krijonin incidente kufitare me Turqinë, mirëpo meqë
nuk u besonin shumë malazezëve, i dërguari
austriak shkruante: "Ne mund të mbështetemi
shumë fort te besa dhe guximi i shqiptarëve katolikë
të Berdes, tek ata që janë shumë me numër,
si Palbardhi Piperit, Kuçët e Vaset (sot të
gjitha të sllavizuara, me emrat përkatës Bjelopavliçët,
Piperët, Kuçët e Vasojeviçët)
ku këta malësorë së bashku me ata të
Kelmendit, Hotit e Grudës etj., mund të nxjerrin
20.000 luftëtarë fort më trima se malazezët."
Pra, kjo tregon se sa rëndësi kishin trevat
shqiptare veriore (malësore) në luftën e "përbashkët"
kundër armikut shekullor barbar, perandorisë së
të keqes më të madhe të atyre viteve,
ku këto cilësi madhështore, fqinjët tanë
i shfrytëzuan për qëllimet e veta të mbrapshta,
që për fat të keq shpesh u arritën. Kuçi
në vitin 1840 formohej si një Komunë (Nahije)
e përbërë nga katër fise kryesore: Drekalorët,
Orahovo, Bratosiçi dhe Zatrijebaç, ku sipas
këtyre emrave tregon se Serbizimi i kuçasve vazhdon.
Në vitin 1878 në një relacion të kohës
thuhet se serbizimi është shumë i madh, madje
këtu vazhdojnë jo vetëm lidhjet ekonomike,
interesat në luftën kundër Turkut, por edhe
lidhjet e shumta martesore, duke bërë që serbishtja
të përdoret si shqipja, si gjuhë e barabartë.
Në vitin 1901-02 misionarë Jezuitësh shkruajnë
se Kuçi ishte me nënndarje të tij në
vëllazëritë Sinica. Orohovo e Drekaloviçi,
ku tashmë thuajse ishte pjesa e Malit Zi.
Në fakt mbas vitit 1913, kur Shqipëria u coptua
nga fuqitë e mëdha të asaj kohe edhe Kuçi
mbeti si pjesë Malit të Zi, ku realizimi përfimdimtar
i këtij aneksimi u bë në vitin 1914, së
bashku me fiset (e një dege me fisin kryesor të
Hotit) Piperët, Vasot (Vasojeviçët). E kjo
u realizua gradualisht që në shekujt e parë
të invazioneve Osmane në Ballkan, që shqiptarët
e gjorë për t'u mbrojtur nga një e keqe e madhe,
siç ishte pushtimi osman, ra në një të
keqe akoma më të madhe (ndoshta nga shiu, në
breshër) në dorë të armiqve shekullorë
sllavë, që erdhën në fqinjësi rreth
shekullit VI-IX-të.
Gjithsesi, asimilimi i këtyre trevave tërësisht
shqiptare, nuk është kaq i thjeshtë sa e paraqet
dokumentacioni shpesh jo i saktë, që vjen nga shekujt.
Pasi vetë emigrimet jashtë Shqipënsë (në
Siçili, Itali), si dhe migrimet brenda Shqipërisë
tregojnë presionin e pashoq moral e ushtarak nga pushtues
armiq të ndryshëm, por mbi të gjitha nga vetë
fqinjët serbo-malazezë, që kishin qëllimet
e veta të asimilimit. Natyrisht shpesh shqiptarët
e këtyre trevave, duke qenë mes dy zjarresh, që
rrinin ndezur, pa u shuar kurrë, zgjodhën rrugën
e largimit nga këto troje, që u kishin lënë
të parët, për në vise të tjera, që
kishin vetëm një zjarr...
Sot, emra fshatrash e prejardhje fisesh ka në të
gjitha pjesët kryesore të Shqipërisë,
ku më shumë janë në veri si në Kastrat,
Lohe, Rrjoll, Reç, Kelmend, Shkodër, në Bregun
e Drinit, etj. Por ka në Seman të Fierit, në
Tomorricë, Kurvelesh, Sushicë, në Bilisht,
Roskovec e deri në rrethin e Korçës, që
u thirrin Kuçaj e deri në Suharekë etj. Këto
emigrime, sipas dokumenteve, kanë ndodhur më të
shumtat në vitin 1878 (me siguri pas kongresit të
Berlinit).
Gjithsesi, kjo është një pjesë e tragjedisë
të këtij fisi të madh shqiptar, që tashmë
ka degët e tij thuajse në të gjithë Shqipërinë,
por që mjerisht vëllezërit e tyre, që
banojnë në trojet e tjera, në Kuçin
tashmë të Malit Zi, janë të sllavizuar
tërësisht e këtë fat nuk e pat vetëm
kjo pjesë e paklcës kurrizore të Shqipërisë,
por mbesin me shpresë se planet ogurzeza të armiqve
tanë shekullorë, të mbetura në synduqet
e tyre të mykura, të mos realizohen kurrë më,
e për këtë tashmë në dorë e
kemi vetë ne, shqipëtarët, që çdo
ditë kërkojmë jo të shkojmë në
Europë siç themi përditë, se këtu
na ka falë Zoti, por të bëhenmi të barabartë
në mes Europës siç na takon, madje edhe e
meritojmë, se kemi dhënë prova gjatë shekujve.
|
 |  |