 |
|
|
| |
 |
| |
 |  |
  |
 |  |
 |  |
|
 |  |
 |  |
Asdreni
1872 - 1947 |
 |
 |
 |  |
Hyrje
Aleksandër Stavre Drenova, i njohur në letërsinë
tonë me pseudënimin Asdreni qe nga ata poetë
krijimtaria e të cilëve u përket njëherësh
dy periudhave. Poezia e tij u shkri që nga faza e fundit
e Rilindjes deri në periudhën e Pavarësisë.
Poeti pati një jetë të gjatë krijuese,
rreth dyzet vjet.
Asdreni lindi në fshatin Drenovë të Korçës
më 1872. Mësimet e para i mori në Korçë.
Që në moshën trembëdhjetëvjeçare
shkoi në kurbet, në Rumani, ku vazhdoi shkollën
e mesme, dhe më vonë fakultetin e shkencave politike,
të cilin nuk arrit ta mbaronte. Për të fituar
bukën e gojës dhe për të vazhduar studimet
djali i ri detyrohet të bëjë gjithfarë
punësh të rënda. Që herët lidhet
me lëvizjen atdhetare të shqiptarëve të
Bukureshtit dhe bëhet një nga përfaqësuesit
më të shquar të saj. Në vitin 1900 filloi
të botojë vjershat e tij të para në shtyp
dhe të bëhet i njohur si talent i ri që premtonte.
Poezia e tij e kësaj kohe ka karakter kushtrues, po poeti
i ri nuk ka gjetur ende individualitetin e vet, është
nën ndikimin e Naimit. Në të njëjtën
kohë Asdreni botoi në shtyp artikuj me formë
të përparuar demokratike dhe antifeudale. Më
1904 botoi vëllimin me poezi "Rreze dielli"
që do të pritej mirë nga lexuesi dhe nga shtypi
dhe do të përshëndetet nga Çajupi me
fjalët entuziaste; "Tani besoj se Naim beu nuk vdiq,
se vendin që la ai bosh e zure ti".
Asdreni u bë një nga udhëheqësit e lëvizjes
atdhetare ndër shqiptarët e Rumanisë. Ai çeli
një shkollë shqipe në Kostancë për
fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë,
pasqyroi në shkrimet e veta ngjarjet e Shqipërisë,
mblodhi ndihma për kryengritësit e Kosovës,
bashkpunoi me Nolin për shkëputjen e kishës
shqiptare nga kisha greke, ishte sekretar i mbledhjes së
Bukureshtit që e kryesonte Ismail Qemali në vjeshtë
të vitit 1912 dhe ku u vendos shpallja e menjëhershme
e Pavarësisë. Jo më kot pikërisht në
atë vit del në dritë vëllimi i dytë
me vjersha i Asdrenit "Ëndërra dhe lotë"
ku shfaqet plotësisht talenti i tij dhe që solli
një ndihmesë të shquar në letërsinë
shqiptare të Rilindjes.
Më 1914 Asdreni erdhi në atdhe që të ndihmonte
në forcimin e pushtetit kombëtar, po, i zhgënjyer
nga turbullimet e kësaj kohe, u kthye në Rumani.
Ai priti me gëzim Kongresin e Lushnjes, i bëri jehonë
flakë për flakë luftës së Vlorës.
Pas vitit 1924 u tërhoq nga jeta politike, duke shprehur
kështu në heshtje qëndrimin e tij kundërshtues
ndaj regjimit të Zogut. Në fakt në vëllimin
e tij të tretë me vjersha "Psallme murgu"
të botuar më 1930 gjejmë aludime për këtë
qëndrim të tij. Revoltën e tij Asdreni e derdhi
edhe nëpër disa vjersha të mbetura në
dorëshkrime. Por zhgënjimi i tij nga realiteti shoqëror
politik i frymëzoi edhe vjersha pesimiste ose vjersha
të ftohta që nuk janë që nuk janë
veçse ushtrime formaliste. Gjejmë kështu
çaste, rënieje në krijimtarinë e tij.
Me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë,
Asdreni u kthye në Shqipëri, po gjeti një pritje
tepër të ftohtë nga përfaqësuesit
e regjimit. Poeti shkoi sërish në Rumani për
të mos u kthyer më kurrë në atdhe. Vitet
e fundit të jetës përgatiti një vëllim
"Këmbanat e Krujës".
Asdreni u bë i njohur si publiçist, por ishte
edhe autor tekstesh shkollore e përkthyes. Po ai, para
së gjithash, mbetet në letërsinë tonë
si një poet i talentuar lirik.
LIRIKA ATDHETARE E SHOQËRORE
Në lirikën e vet poetike Asdreni u rikthehet të
gjitha temave të poezisë së Rilindjes, po u
jep një frymë më të hapur kushtruese.
Jo më kot ai lëvron kryesisht llojet e himnit dhe
të marrshit. Të njohura janë vjershat "Betimi
mbi flamur" (1907) që pas vitit 1912 u bë dhe
është Himni ynë Kombëtar, vjersha "Përpara",
që dallohen nga një stil patetiko-oratorik, i cili
shpreh një patos të zjarrtë të brendshëm.
Vargjet e shumta dhe dinamike dhe njëkohësisht të
thjeshta, kanë një forcë komunikuese të
veçantë.
Lart, Shqipëri,
ti je e zonja,
nga lufta sot mos ndalesh;
me trimëri
porsi shqiponja
armiqve mos iu falesh.
Krahas kësaj retorike që
shkrihet në vjershën "Përpara" me
një ndjenjë të sinqertë, gjejmë edhe
lirika të tjera ku dashuria për atdheun shprehet
më me thjeshtësi e spontanitet ndjenje përmes
shkrimit të mallit për atdhe të mërgimtarit
të djegur:
Me sa mall e sa dëshirë
Atë ditë po e pres,
që edhe unë atje i lirë
pranë prindërve të vdes!
("Në mërgim")
Asdreni si Çajupi, vë
gishtin te plaga e dhimbshme e kurbetit dhe e dënon atë
si shkëputje të forcave më të mira nga
atdheu, dënon ata që e harrojnë vendin e tyre.
Poeti vijon ta lëvrojë lirikën atdhetare dhe
pas Shpalljes së Pavarësisë. Më vonë
kjo lirikë u drejtohet temave historike, merr një
karakter më meditativ, po i ftohet deri diku frymëzimi.
Asdreni ka meritë të veçantë për
thellësinë e problematikës shoqërore që
lëvron për herë të parë në letërsinë
tonë: ai shtron hapur çështjen e frymëzmit
klasor, pasqyron konfliktin ndërmjet shtresave të
larta dhe popullit, duke e parë këtë të
fundit si forcë lëvizëse të historisë.
Asdreni, madje, ëndërron për një çlirim
shoqëror të masave të shtypura, po s'e ka të
qartë prespektivën. Problematika shoqërore
i frymëzon Asdrenit vjersha tepër të fuqishme
si "Zëri i kryengritësve" (1912) "Çpërblimi"
ku ballafaqohen klasat kundërshtare me një varg
dinamik e një fjalor të ashpër. Edhe në
këto vjersha ka retorikë, po ajo tretet në
dufin e fuqishëm të revoltës. Te "Burri
i dheut", duke i kënduar Luftës së Vlorës,
Asdreni thekson karakterin popullor të saj dhe krijon
një portret kolektiv të popullit të shfrytëzuar.
Më vonë, më 1935 Asdreni do të shkruajë
një vjershë po aq të fuqishme. "Trashëgimi",
që jep një tabllo tronditëse të gjendjes
së mjeruar politike, ekonomike, shoqërore e kulturore
të Shqipërisë në kohën e Zogut. Një
patos satirik tepër i ashpër përshkon vjershat
"Fisnikët e Shqipërisë" dhe "Republika
Shqiptare".
Tema shoqërore i ka frymëzuar Asdrenit edhe vjersha
ku ai shfaq shpresën tek populli, si vjersha "Lulëkuqja"
(1912), çuditërisht e thjeshtë dhe plot lirizëm,
po edhe plot forcë ku nëpërmjet këtij
simboli të gjetur bukur himnizohet populli dhe pohoet
besimi tek ai.
Asdreni e pasuron letërsinë tonë edhe në
lirikën e dashurisë dhe në lirikën e natyrës.
Lirika e tij e dashurisë trajton tema të ndryshme
dhe dallohet nga konkretësia, çiltërsia,
thjeshtësia, nga një lirizëm i ngrohtë
që shkrihet herë-herë me një humor të
lehtë. Asdreni shkruan edhe balada me subjekt me këngë
dashurore që u përhapën në popull.
Në fazën e dytë të krijimtarisë Asdreni
shkruan lirika dashurie disi të stërholluara dhe
abstrakte që dëshmojnë se rënia shpirtërore
për shkak të atmosferës mbytëse që
e rrethon, i ka dëmtuar edhe frymëzimin. Poeti kërkon
shumë në fushën e formës dhe thith edhe
nga rrymat moderniste të kohës, po jo me shumë
sukses.
Në lirikën e natyrës Asdreni tregohet tepër
origjinal duke na e dhënë natyrën (për
herë të parë në krahasim me rilindësit
e tjerë) të shkrirë me jetën e vet. Më
shpesh në lirikat e veta të natyrës. Asdreni
do na japë tablo të gjalla, konkrete e të dhimbshme
të vendlindjes.
Asdreni e pasuron në mënyrë të veçantë
poezinë tonë edhe në lëmin e formës,
duke krijuar lloje të reja strofash e vargjesh, duke
lëvruar madje edhe vargun e lirë. Ai sjell në
letërsinë tonë një figuracion të
begatshëm. Simbolet, krahasimet dhe epitetet e tij shquhen
në përgjithësi për origjinalitetin e tyre.
Poezitë më të bukura Asdreni i shkruan kur
shkrin origjinalitetin në brendi e në formë
me thjeshtësi. Poeti ka meritën që e lidhi
poezinë tonë me poezinë bashkëkohore evropiane.
Veçse në kërkimet e tij për forma të
reja Asdreni nuk ka sukses kur nuk i mbetet besnik individualitetit
të vet krijues.
Në poezinë e Asdrenit ka një farë racionalizmi
që në vjershat më të mira mënjanohet
nga shpërthimi i ndjenjës ose vështrimi i realitetit
nëpërmjet prizmit të humorit të shëndetshëm
fshatarak.
Asdreni është një figurë tepër origjinale
dhe e ndërlikuar si poet. Poezia e tij, ndonëse
nuk pati ndikimin e asaj të Naimit dhe të De Radës,
e pasuroi në mënyrë të ndjeshme letërsinë
tonë.
|
 |  |
 |  | |  |  |
 |  | |  |  |
 |  |  |  |  |
 |  |
|
 |  |
 |  |
 |
 |
 |
 |  |
Dua
Mbi bar dua të prehem,
të këndoj, të dëfrehem,
të shoh rreth bagëtinë,
kur hanë dhe pinë;
të shoh fushat e blerta,
bimët kur i fryen era,
njerzit kur punojnë
dhe çupat kur këndojnë!
Ah, dua dhe lulet,
kur i shfaqin pekulet,
dhe fluturat që venë,
mbi to dua të jenë;
bilbili t'ia thotë
nën diellin e ngrohtë.
Dua dhe Shqiperinë,
se atje kam shtëpinë,
kur rrija nepër ferrat
edhe lozja me sheqerrat;
për këtë kam dëshirë
dhe s'dua më mirë,
atje dua të shkoj,
sa të jem e të rroj!
|
 |  |
 |  | |  |  |
 |  | |  |  |
 |  |  |  |  |
 |  |
|
 |  |
 |  |
 |
 |
 |
 |  |
Himni i Flamurit
Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë me një qëllim,
Të gjithë Atij duke u betuar,
Të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ai largohet,
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një Dëshmor.
Në dorë armët do ti mbajmë,
Të mbrojmë Atdheun në çdo vend,
Të drejtat tona ne s'i ndajmë,
Këtu armiqtë s'kanë vend.
Se Zoti vet e tha me gojë,
Që kombe shuhen përmbi dhè,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të luftojmë ne.
|
 |  |
 |  | |  |  |
 |  | |  |  |
 |  |  |  |  |
 |  |
|
 |  |
 |  |
 |
 |
 |
 |  |
Vlorës
Ti je balli me florinj,
ti je lulja e Shqipërisë
dhe trumbeta e lirisë.
Pleq që ngjalle dhe të rinj,
tërë kombi të sjell nder,
me lavd emrin ta ka shkruar
se ti trime vet' me duar
fij't e flamurit ke tjerr!
Je kurora me shkëlqim
gurështrenjt', margaritarë,
që do mjeshtër magjistarë
t'i radhuan me qëllim.
Zjarr lëshojnë, që verbon,
si yj rrotull të shëndrisin,
rreze njyrash, llamburisin,
për sy bërë që lakmon!...
...Rrotull fqinjët sa fuqi,
sa mënyra nuk përdorin,
me pahir që të na korrin
çdo send, Vlorë, mban në gji!
Mund e bij ke pas' armiq,
me syt' katër gjith' pas arit,
jasht' zakonit të shqiptarit,
që s'shet besën për ca fiq.
Por ti, Vlorë, mos u dro!
Mbaj mburojën me qëndresë,
se kush vetes i zë besë,
e mat grushtin me këdo.
Se dhe Deti mik kur fle,
n'ëndrrat kryen një dëshirë
mbret të jet' e zot i lirë
veç për tokën q'i dha bè.
|
 |  |
 |  | |  |  |
 |  | |  |  |
|
|
 |
|