 |
|
|
| |
 |
| |
 |
 |
|
 |
 |
 |  |
|
 |  |
 |  |
|
 |
 |
 |  |
Faik Konica
1875 - 1942 
Jeta dhe Vepra
Hyrje
Faik Konica është një nga personalitetet më
në zë të kulturës dhe letërsisë
shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist,
kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij
të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi
të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.
Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër
i hollë i gjuhës shqipe, F.Konica ka hyrë në
historinë e kulturës sonë kombëtare jo
vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si
shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike. I lindur
në Konicë, më 15 mars 1875 në një
familje të vjetër feudale mësimet e para ai
i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe
dhe greke. Më vonë hyri në liceun perandorak
francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën
e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi
në Dizhon dhe Paris. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar
me çmime për aftësitë e tij intelektuale
jo të zakonta. Më 1912 u diplomua për letërsi
në universitetin e Harvardit të SH.B.A. Faik Konica
qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen
kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën "Shqipëria
dhe turqit" (1895) në Paris ai vendoset në
Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën "Albania",
kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë
organi më i rëndësishëm e më me autoritet
i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe,
frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi
e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë
(1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare,
historinë dhe kulturën e popullit tonë. Më
1909 F.Konica, si u mbyll revista "Albania" në
Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SH.B.A.
ku drejton gazetën "Dielli" edhe më pas
gazetën "Trumpeta e Krujës". Me themelimin
e Federatës "Vatra", më 1912 ai zgjidhet
sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan
Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të
lëvizjes kombëtare shqiptare në SH.B.A., do
të shkojnë në Londër për mbrojtjen
e çështjes kombëtare në Konferencën
e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes
(1913), që u mblodh për të kundërshtuar
copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj,
Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë
Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të
dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri,
Zvicër, Itali e gjetkë. Në 1921 u kthye në
SH.B.A., ku u zgjodh kryetar i Federatës "Vatra",
po ndërkaq në vitet 20 u lidh dhe ndikoi në
lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri.
Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës
"Dielli" dhe "Shqiptari i Amerikës".
Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e
A.Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë
i Shqipërisë në SH.B.A. Vdiq në Uashington
në 14 dhjetor 1942.
|
 |  |
 |  | |  |  |
 |  | |  |  |
|
 |  |  |  |  |
 |  |
|
 |  |
 |  |
 |
 |
 |
 |  |
Vepra
Veprimtarinë e tij publiçistike e letrare F.Konica e
zhvilloi kryesisht në shtyp, në revistën "Albania"
ai botoi vjersha, proza poetike, skica, tregime, portrete, ese,
artikuj të ndryshëm etj. Përgatiti dhe përmbledhjen
letrare "Kandili i kuq", por nuk mundi ta botojë.
Në të vërtetë nga Konica nuk kemi asnjë
libër të botuar, me përjashtim të vëllimit
me përralla të përkthyer "Nën hijen e hurmave"(1924).
Krijimtaria e tij ka mbetur e shpërndarë në shtypin
e kohës dhe një pjesë është e papërfunduar.
Prej tyre duhen veçuar si vepra të rëndësishme
proza e gjatë satirike, "Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët
e dramës së Mamurasit", cikli i tregimeve "Kater
përralla nga Zullulandi", udhëpërshkrimi "Shqipëria
si m'u duk
". Ai la në dorëshkrim anglisht veprën
"Shqipëria - kopshti shkëmbor i Evropës jug-lindore"
dhe ese të tjera, e cila u botua pas vdekjes (1957).
Në trashëgimninë e Konicës vendin kryesor e
zë publiçistika. Ai paraqitet si një nga themeluesit
dhe mjeshtrit e publiçistikës shqiptare. Për afro
gjysëm shekulli ai shkroi me qindra artikuj, pamflete, polemika,
shënime, ese etj. të cilat i botoi në organet që
drejtonte vetë. Tema qëndrore e publiçistikës
së Konicës në revistën "Albania" do
të jetë ajo atdhetare, problemet e lëvizjes kombëtare,
fati i Shqipërisë, rrugët për çlirimin
kombëtar etj. Nga ana tjetër, ai do t'i kushtojë
vëmendje të posaçme ndriçimit të historisë
së popullit shqiptar, zbulimit dhe propagandimit të vlerave
të tij etno-kulturore, e veçanërisht krijimit të
një gjuhe letrare shqipe.
Pas shpalljes së Pavarësisë publiçistika e
Konicës, e botuar në gazetën "Dielli",
do të merret me çështje të mprehta të
kohës që lidheshin me aspiratat e përpjekjet për
krijimin e një shteti modern shqiptar, me luftën kundër
prapambetjes ekonomiko-sociale, me stigmatizimin e mendësive
dhe praktikave të vjetra e anakronike etj. Ai ishte për
një shoqëri shqiptare të emancipuar dhe kërkonte
që Shqipëria, si pjesë e Evropës, të mendonte
e të punonte në shembullin e saj.
Publiçistika e Konicës shquhet jo vetëm për
problematikën e pasur, por edhe për nivelin e lartë
mjeshtëror. Ajo karakterizohet nga patosi atdhetar dhe nga
shqetësimi qytetar, siç dallohet edhe për forcën
e argumentimit dhe aftësitë e shquara shprehëse.
Tipari kryesor i saj është fryma satirike, fryma stigmatizuese
dhe mohuese ndaj prapambetjes, injorancës, së keqes.
Faik Konica është krijuesi i kritikës sonë letrare,
që së bashku me Nolin i hapën rrugën asaj në
kulturën shqiptare. Ai shkroi një varg artikujsh teorikë
letrarë si "Arti i të shkruarit", "Ca këshilla
për artin e shkrimit", "Kohëtore letrare shqipe"
etj. të cilat shënonin një kontribut për orientimin
dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare. Por ndihmesa e tij
në këtë fushë bëhet më konkrete me
artikujt dhe reçensionet që boton për autorë
dhe vepra të letërsisë sonë bashkëkohore.
Kështu ai vlerëson lart shkrimtarë si Jeronim De
Rada, Jul Variboba, Naim Frashëri, inkurajon autorët e
rinj të kohës, Çajupin, Asdrenin, Filip Shirokën
etj.
Faik Konica kishte kërkesa të larta ndaj letërsisë
dhe shkrimtarëve. Duke i vështruar në raporte të
drejta përmbajtjen dhe formën, si dy komponentë që
s'mund të ndahen nga njëri-tjetri, ai i jepte përparësi
formës si e vetmja mënyrë për të shprehur
sa më mirë përmbajtjen. Në këtë vështrim
i kushtonte rëndësi të madhe gjuhës shqipe,
pasurimit dhe përpunimit të saj. Ai vetë dha shembullin
e një mjeshtri të vërtetë të gjuhës.
Me të drejtë Noli e quan atq "kryelëronjësi
i gjuhës sonë" dhe "stilist i përkryer".
Faik Konica zë një vend të merituar në letërsinë
tonë të Rilindjes dhe të Pavarësisë, jo
vetëm si publiçist dhe kritik letrar, por edhe si shkrimtar
me individualitet të spikatur krijues. Megjithëse trashëgimnia
e tij e mirëfilltë letrare është e kufizuar,
ai ka vepra me vlera të çmuara. Pena e talentuar e Konicës
provoi me sikses dhe lëvroi pothuaj gjithë gjinitë
dhe llojet letrare, prozën e poezinë skicën dhe skeçin,
prozën poetike dhe prozën historike, tregimin dhe novelën.
E frymëzuar nga historia dhe jeta shqiptare ai u përpoq
të krijonte një letërsi me koncepte bashkëkohore,
me vizion të ri, me shije të lartë, larg modeleve
të vjetëruara:
Vepra e tij letrare me nivelin e saj të lartë artistik
dëshnon atë të vërtetë tanimë të
njohur se në art nuk është kurdoherë sasia ajo
që përcakton vlerën e një shkrimtari.
Faik Konica, në radhë të parë është
prozator, por ai shkroi edhe poezi, sidomos në fillimet e krijimtarisë
së vet. Në faqet e revistës "Albania" botoi
vjershat "Gjuha jonë", "Flamuri", "Kushtrimi
ose Marsejeza e shqiptarëve". Duke u bërë jehonë
ideve atdhetare dhe kryengritjeve të popullit shqiptar në
prag të Pavarësisë, me tone luftarake dhe patos atdhetar,
me figura të goditura retorike, eci në traditën e
letërsisë së Rilindjes. Të njohura janë
dhe vjersha satirike "Anadollaku" dhe lirika "Helena
e Trojës".
Proza artistike e F.Konicës do të nisë me një
varg prozash poetike si "Një liqen", "Anës
liqenit", "Bora", "Malli i mëmëdheut"
etj. Sadoqë me tematikë të kufizuar ato pasqyrojnë
tërthorazigjendjen shpirtërore të një intelektuali
atdhetar dhe mallin për vendlindjen. Të shkruara me një
gjuhë të bukur e ndjenjë të hollë, me mbresa
e detaje të goditura, këto proza mbeten shembuj, në
llojin e tyre në letërsinë tonë. Të përafërta
me prozat poetike qëndrojnë portretet letrare që
krijoi Konica mbi disa figura të shquara të historisë
shqiptare si: Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, Jeronim De
Rada, Ali Pashë Tepelena, At Shtjefën Gjeçovi etj.
Ato dallohen për aftësinë e autorit në përvijimin
e saktë dhe të hijshëm të karakterit të
tyre, portretit shpirtëror e fizik të dhënë
qartë dhe në mënyrë lakonike.
Prozës së shkurtër të F.Konicës i takojnë
dhe disa skica letrare dhe rrëfenjëza që ai i quan
përralla si "Urika", "Në dritë të
hënës", "Ai që ishte gati të vdesë
për Shqipërinë" etj. me tematikë atdhetare
ose përrallat "E bija e mbretit dhe trëndafilat",
"I urti i malit" etj. shkrime këto plot fantazi nga
bota e legjendave.
F.Konica është i pari që lëvroi në prozën
tonë esenë, një lloj letraro-publiçistike,
me mundësi të reja shprehëse. Nëpërmjet
tyre, ai parashtroi mendime origjinale, ngriti probleme të
rëndësishme, të kohës, tregoi për diturinë
e gjerë që zotëronte. Një nga esetë më
të bukura është "Jeta dhe librat", ku,
duke dhënë gjykime për vlerën e librit në
jetën e njerëzimit, i bëhet një analizë
ideo-artistike tragjedisë së Eskilit "Prometeu i
lidhur".
Në trajtë esesh Konica ka shkruar veprën "Shqipëria-
kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore". E hartuar
për lexuesin e huaj, shkrimtari i jep atij një encikolopedi
të vogël për Shqipërinë dhe popullin e
saj. Të dhjetë esetë, nga të cilat përbëhet
libri përbëjnë një mozaik të historisë
dhe kulturës shqiptare, të gjuhës e të letërsisë,
të botës shpirtërore dhe psikologjisë së
shqiptarëve. Me një informacion të gjerë dhe
njohje të thellë, duke harmonizuar objektivitetin shkencor
me një rrëfim të këndshëm autori nxjerr
në pah individualitetin dhe natyrën e popullit shqiptar
jo vetëm parë në vetvete, por edhe në kuadrin
ballkanik dhe evropian.
|
 |  |
 |  | |  |  |
 |  | |  |  |
 |  |  |  |  |
 |  |
|
 |  |
 |  |
 |
 |
 |
 |  |
Katër Përralla nga Zullulandi
Faik Konica u mor edhe me tregime, prej të cilëve vlen
të përmendet cikli "Katër përralla nga
Zullulandi". Tema që ai trajton në të, është
origjinale me një subjekt disi të veçantë
dhënë në një plan, kryesisht satirik. Ngjarjet
dhe personazhet e çojnë lexuesin në Afrikë,
por disa nga problemet dhe shqetësimet nuk janë të
huaja për shoqërinë shqiptare të kohës.
Ai tregon për Zullutë, për një popull të
prapambetur të Afrikës, të shtypur nga kolonizatorët
e huaj, që ndodhet në një nga udhëkryqet e historisë
së tij. Bijt e tij më të mirë aspirojnë
e përpiqen për një jetë të lirë dhe
shtet të pavarur. Por rruga drejt lirisë së vërtetë
nuk është aq e lehtë, aq më tepër për
popullin e Zullulandit që, ndonëse plot energji dhe kulturë
origjinale, nuk e ka fituar plotësisht ndërgjegjjen kombëtare.
Ai është në kërkim të udhëheqësve
të vet, që do t'i prijnë në luftë, dhe
kjo përbën boshtin e veprës. Lëvizja e zulluve
ka nxjerrë dy udhëheqës të mundshëm, të
cilët qëndrojnë në pozita krejt, të kundërta.
Deni-Zulla-Sepia dhe Plugu. I pari është një politikan
aventurier, mashtrues e demagog, përfaqësues i interesave
të ngushta të tribuve, që bën lojën e të
huajve dhe përpiqet për një lëvizje të
ngushtë mbi baza fisnore që e mban popullin në skllavëri.
I dyti Plugu është udhëheqësi i vërtetë
i popullit; që pa bujë, me një mençuri të
heshtur synon e punon të krijojë një lëvizje
të vërtetë kombëtare në Zulluland. Ai përpiqet
t'i kthejë "zullutë nga një turmë e përgjakur
në një komb me dinjitet dhe atdheun në një vend
të bashkuar, të lirë, të qytetëruar e me
nder". Vetë emri Plug i heroit të veprës është
kuptimplotë, përderisa kërkon e lufton të plugojë
mendjen e popullit të paditur, të zgjojë e ta drejtojë
atë në rrugëë të mbarë. Mirëpo
njerëzit e vendit të tij nuk e kuptojnë, nuk e besojnë,
madje e fyejnë dhe e kërcënojnë, janë gati
ta ndëshkojnë. Autori vë në dukje dramën
e këtij idealisti të pastër dhe besnikërinë
e tij ndaj ineresave të atdheut. Skenat masive, debatet në
kuvendet e krerëve, manifestmet plot zhurmë e bujë
të turmave theksojnë pozitën dhe gjendjen e rëndë
shpirtërore të Plugut. Konica si njohës i historisë
së popujve dhe psikologjisë së njerëzve ka kapur
me mprehtësi dhe e ka kthyxer në objekt trajtimi artistik
një dukuri historiko-sociale: ekzistencën e turmës
si një masë e pavetëdijshme e zhveshur nga aspirata
kombëtare, e pushtuar nga instikte shkatërruese. Një
masë e tillë, në jetën e popujve të pazhvilluar
siç paraqiten zullutë, bëhet lehtë pre dhe
viktimë e demagogëve dhe sharlatanëve politikë,
e njerëzve si Sepia që i shfrytëzon për qëllime
të mbrapshta. Turma e ndërsyer, përshkruhet nga shkrimtari
nëpërmjet situatave tragjikomike, që arrijnë
kulmin, kur Plugu tregon të vërtetën dhe masa ngrihet
kundër tij. Tregimi mbyllet me një mendim skeptik, kur
Plugu, i dëshpëruar, pohon: Desha të lëroj shkëmbin.
Dhe prej këtij çasti ai braktis atdheun dhe merr rugën
e mërgimit.
Mesazhi i veprës është ky: të punohet për
ta ngritur popullin, për ta ndërgjegjësuar, për
ta pluguar mendjen dhe vetëdijen e tij, në mënyrë
që të dallojë të vërtetën nga gënjeshtra,
të mirën nga e keqja. Në këtë vështrim,
rol të veçantë i jepet punës, si faktor zhvillimi
dhe emancipimi në jetën e njeriut dhe të shoqërisë.
"Katër përralla nga Zullulandi" është
një vepër me vlera të spikatuara ideoartistike. Falë
mjeshtërisë narrative dhe sensit të masës autori
arrin të krijojë atmosferën e jetës politike,
të zbulojë mekanizmin e luftës që zhvillohet,
të japë patosin e saj, veçanërisht të
vizatojë me penelata të sigurta figurat e udhëheqësve
dhe të turmës. Nga ana tjetër, të derdhë
humorin e tij të hidhur, të stigmatizojë hidhur të
keqen me satirë dhe sarkazmë, të rrëfejë
e të përshkruajë me një gjuhë të shkathët
karakterizuese dhe lakonike.
|
 |  |
 |  | |  |  |
 |  | |  |  |
 |  |  |  |  |
 |  |
|
 |  |
 |  |
 |
 |
 |
 |  |
Doktor Gjilpëra
Vepra më e rëndësishme letrare e Konicës është
padyshim proza e gjatë satirike "Doktor Gjilpëra
zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit".
Ndonëse e pakryer, ajo përfaqëson tiparet më
karakteristike dhe vlerat e tij si shkrimtar në përmasa
të gjera.
"Doktor Gjipëra" u shkrua dhe u botua në gazetën
"Dielli" në vitin 1924. Ishte koha kur kish triumfuar
Revolucioni i Qershorit dhe në gjirin e shoqërisë
shqiptare zhvillohej një luftë e ashpër politike,
para saj shtroheshin probleme jetike si: zgjidhja e formës
së regjimit, reforma agrare, demokratizimi dhe modernizimi
i aparatit shtetëror, emancipimi kulturor kombëtar etj.
Vepra e Konicës është pjellë e kësaj kthese
socialhistorike që sapo niste në jetën e popullit
tonë. Autori mori shkas nga vrasja e dy qytetarëve amerikanë
në Mamuras, që organizoi reaksioni feudal. Konica krimin
e Mamurasit nuk do ta vështronte si një rast të veçuar,
po si një ngjarje me kuptim të gjerë shoqëror,
ku mplekseshin interesa e synime të qarqeve të caktuara
dhe shfaqej lufta politike e kohës. Kjo ngjarje do të
zgjonte idealet liridashëse dhe iluministe të shkrimtarit
dhe do ta frymëzonte krijimin e një vepre, që do
të hidhte dritë dhe do të përgjithësonte
realitetin shqiptar bashkëkohor.
Heroi i veprës është Doktor Gjilpëra, një
intelektual i ri shqiptar që kryen studimet për mjekësi
në Rusi e Suedi dhe ndodhet para alternativës: të
qëndronte jashtë, ku e priste një karrierë plot
prespektivë apo të kthehej në atdhe e të ndihmonte
në mëkëmbjen e tj, veçanërisht në
përmirësimin e shëndetit të popullit. Ai vendos
të kthehet në Shqipëri, atdhedashuria triumfon mbi
interesat vetjake.
Autori duke ndjekur vijën e jetës së heroit do ta
përshkruajë atë në dy etapat kryesore: koha
e qëndrimit jashtë atdheut dhe koha e ardhjes në
Shqipëri. Në qoftë se etapa e parë është
njohja me doktor Gjipërën, etapa e dytë, që
përbën trungun e veprës është pjesa më
e rëndësishme, që bart dhe mishëron idetë
e shkrimtarit. Jeta e heroit larg atdheut është dhënë
në plan përshkrues, duke evokuar episode dhe gjendje të
ndryshme shpirtërore, që nxjerrin në pah natyrën,
interesat dhe karakterin e intelektualit shqiptar. Ai është
në radhë të parë, atdhetar i bindur, njeri me
kulturë të gjerë, mjek i pregatitur dhe human, i
zgjuar dhe plot vullnet e vendosmëri. Janë këto cilësi,
që e bëjnë atë të kthehet në atdhe.
Kthimi në Shqipëri e ve doktor Gjilpërën përballë
një realiteti tronditës dhe shtron para tij probleme që
përfshijnë pamje të ndryshme të jetës shqiptare.
Brenda një kohe të shkurtër, ai njihet me gjendjen
e mjeruar të popullit, me padrejtësitë që bëhen
në kurriz të tij, me aparatin shtetëror, ku mbizotërojnë
arbitrariteti, drama, intrigat, me nëpunës injorantë
e anadollakë. Në këtë shtet tragjiko-komik,
opozitën e përbëjnë njerëz që s'kanë
asgjë të përbashkët me ligjin dhe moralin.
Vendin kryesor e në vepër e zënë raportet që
vendos doktor Gjëlpëra me kategori të ndryshme të
shoqërisë shqiptare, me përfaqësuesit e tyre
më tipikë. Në këto marrdhënie zbulimi social-psikologjik
që bën autori, është i ndërsjelltë,
nga një anë përvijohet gjithnjë e më qartë
karakteri dhe botkuptimi i doktor Gjëlpërës, ideali
i një njeriu evropian, atdhetarizmi dhe humanizmi i një
njeriu të emancipuar, ndërsa nga ana tjetër, vizatohen
figura të ndryshme të qarqeve zyrtare të parisë
të rretheve intelektuale. Veçanërisht figura e
doktor Gjëlpërës del mjaft e qartë përballë
dy kolegëve të tij, dr.Embrullahut dhe dr.Protogor Dhallës.
Më shumë, se në rethana pune, ata i njohim në
biseda e debate, si tipa shoqërorë të kundërt
me heroin, me koncepte dhe praktika të ndryshme mjekësore.
Ndërsa doktor Gjëlpëra është njeriu i mjekësisë
moderne, partizan i natyrës, i helioterapisë (dielli,
uji, ajri) që mendon se natyra është mjeku i parë
i njeriut, dy mjekët e tjerë paraqiten anakronikë,
janë mishërim i dogmës mjeksore të shkëputur
nha jeta e parimet e shkencës. Bota e vjetër në këtë
vepër përbëhet jo vetëm nga dy mjekë, por
dhe nga figura të tjera negative. I tillë është
ministri Salemboza, përfaqësues tipik i forcave të
prapambetura e antikombëtare, tipi i tiranit anadollak, intrigant
e dinak, i zgjuar e i shkathët. Kurse mjedisi dhe mendësia
orientale e parisë së kryeqytetit gjejnë shprehjen
e tyre në figurat e agallarëve tiranas siç janë
Muhedin Agai e Zylfikar Agai.
Në atmosferën e zymtë të jetës shqiptare
të kohës autori ndesh dhe njerëz të mirë,
të dalë nga populli, që ngjallin simpati e nderim.
Mbeten të paharruara në mendjet e lexuesit dy vajzat fshatare,
plaku martaneshas, polici i doganës, Arifeja, Ali Bibi. Megjithë
një lloj skepticizmi që ndihet në paraqitjen e tyre,
ata dalin në një dritë të ngrohtë, me vlera
të vërteta njerëzore, me bukuri e pastërti shpirtërore,
me zakone fisnike. Mendimi i shkrimtarit është se populli,
duke qenë i paditur dhe i papërpunuar, ka nëvojë
të stërvisë shpirtin dhe mendjen.
"Doktor Gjëlpëra" është një vepër
e fuqishme satitike. Duke pasur parasysh realitetin e rëndë
shqiptar, mendësitë e anakronike e jetën e prapambetur,
autori u kundërvihet atyre, i tall dhe i godet pa mëshirë.
Qëndrimi ideoemocional mohues bën që në faqet
e veprës të ndihet qesëndia dhe ironia, satira dhe
sarkazma. Ata shfaqen e mishërohen me forcë artistike
në skena dhe personazhe, në situata dhe portrete tepër
të goditura. Përdorimi mjeshtëror i detajit, plasticiteti
i gjuhës, ngjyrimet që merr fjala, e bëjnë satirën
e Konicës, origjinale e të natyrshme.
Tema dhe problematika e mprehtë shoqërore, fryma mohuese
e disa prej dukurive shoqërore dhe notat e fuqishme satirike
e bëjnë "Doktor Gjëlpërën" një
vepër me tipare të shquara realiste. Konica sjell kështu
një ndihmesë të rëndësishme në pasurimin
dhe forcimin e realizmit në letërsinë shqiptare.
Nga pikpamja kompozicionale, edhe pse vepra është e papërfunduar,
janë hedhur linjat kryesore dhe është përcaktuar
edhe thelbi i figurës së heroit. Mund të themi se
ajo përbën hyrjen e një romani që Konica për
arsye të ndryshme nuk e çoi deri në fund. Vepra
është e pasur me lëndë jetësore, e ngarkuar
me ngjarje e biseda, me detaje të shumta. Këto kanë
sjellë ngathësimin e aksioneve dhe njëfarë proleksiteti.
Te "Doktor Gjëlpëra" Konica provon edhe njëherë
atë që ka thënë Noli për të se ai
është krijues i prozës moderne shqiptare. Kjo duket
si në konceptimin e veprës edhe në mjeshtërinë
e rrallë, të përdorimit të gjuhës. Gjuha
e Konicës është e pasur, e bukur, e fuqishme, me
ndërtime e struktura sintaksore thjesht shqipe. Në prozën
e gjatë ajo shërben për individualizimin dhe zbulimin
e karaktereve të personazheve.
F.Konica është një nga stilistët e rrallë
të gjuhës shqipe. Ai zbatoi parimin se ekonomizimit të
fjalës, të lakonizimit të saj, duke synuar hijeshinë,
saktësinë, thjeshtësinë dhe elegancën.
Ndikimi i personalitetit të Konicës si artist dhe erudit
është i ndjeshëm në letërsinë dhe
kulturën shqiptare.
|
 |  |
 |  | |  |  |
 |  | |  |  |
|
 |
|