 |


Fan Noli
1882 - 1965
|
|
| |
 |
 |
Jeta
dhe Vepra
 |
 |
 |
 |
 |
Hyrje
Emri i Fan Nolit, Theofan Stilian Noli, është lidhur
me gjithë kulturën e re shqiptare të shekullit
tonë. Për fat të keq si shume artistë
të mëdhenj shqiptare, ai lindi dhe vdiq larg atdheu.
Por midis këtyre dy datave zemra e tij e madhe rrahu
vetëm për Shqipërinë, shpirti i tij krijoi
gjëra madhështore që e lartësuan dinjitetin
e shqiptarit, kurse në veprimtarinë energjike të
përditshme iu përkushtua pavarësisë e
tërësisë tokësore të atdheut dhe
sidomos demokratizimit të jetës shqiptare.
Vendlindja, Ibrik-tepeja ose Qyteza,
një fshat shqiptar në Traki, afër Adrianopojës,
si dhe disa fshatra të tjera afër tij ishin për
Nolin nga mënyra e jetesës, zakonet e temperamenti,
si një copëz e shkëputur nga Shqipëria.
Aty shpirti i tij thithi të pastër botën shqiptare,
kulturën e gjerë popullore, mori informacionin e
parë për historinë e Shqipërisë e
jetën e kryetrimit Skënderbe. Pasi kreu në
greqisht shkollën fillore dhe gjimnazin, në vitin
1900, në moshën 18 vjeçare, ai u largua nga
vendlindja për të mos u kthyer dot më dhe shkoi
në Athinë.
Në gjimnazin grek ai ishte njohur me letërsinë
antike greke, me letësinë evropiane e sidomos me
veprën e Shekspiri.
Kjo gjë i kishte ngjallur atij dëshirën për
ta zgjeruar kulturen e vet, dëshirë që mbeti
e zjarrtë në shpirtin e tij deri sa vdiq. Kështu
ky djalosh i ri , me interesa të gjera, shëndetlig,
por i guximshëm e me një intuitë të zhvilluar,
i hyri rrugës së studimeve, që për të
ishte mjaft e vështirë, sepse i mungonin mjetet
financiare. Pikërisht prej kësaj mungese ai shpejt
i ndërpreu ato, të cilat do të mund t'i vazhdonte
shumë më vonë, në një moshë
të madhe. (Vetëm me 1912 ai kreu studimet e larta
dhe u diplomua per arte , kurse më pas në moshën
55-vjeçare, mbaroi konservatorin, dhe në moshën
63-vjeçare mori doktoratën e filozofisë për
histori). Për të siguruar jetesën hyri në
një shoqëri tramvajesh e me pas si sufler në
një teater. Herë-herë luante edhe ndonjë
rol të vogël , por puna në teater nuk i vleu
më tepër, sepse e nxiti të shkruante dramën
"Zgjimi", në greqisht, (e cila u ndalua të
shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për
liri), dhe me vonë dramën në shqip "Izraelitë
e filistinë". Më 1903 shkoi në Egjipt
ku punoi për dy vjet si mësues. Gjatë kësaj
kohe ai u njoh me patriotë të shquar të kolonisë
shqiptare të Egjiptit: Thanas Tashkon e Jani Vruhon,
të cilët luajtën një rol të rëndësishëm
për drejtimin që do të merrte jeta e Fan Nolit.
Ata e lidhën atë me lëvizjen patriotike shqiptare
edhe ai po në këtë kohë përktheu
në greqisht veprën e Sami Frashërit "Shqipëria
ç'ka qenë, ç'është e ç'do
të bëhet". Më 1906 Noli u dërgua
në Amerikë nga patriotët e kolonisë së
Egjiptit për organizimin e lëvizjes kombëtare
të shqiptarëve të atjeshëm. Brenda një
kohe të shkurtër Noli krijoi shoqërinë
"Besa-besë", që më pas u shkri në
federatën "Vatra"si dhe gazetën "Dielli".
Në Amerikë ai u detyrua të bëjë një
punë të rëndë që të siguronte
jetesën.
Nga gjithë veprimtaritë e kësaj periudhe të
jetës politike të Nolit, më e rëndësishmja
është shkëputja e kishës ortodokse shqiptare
dhe lufta kundër propagandës shoviniste greke. Për
këtë qëllimin më 1908 ai u dorëzua
prift dhe duke vazhduar traditën e nisur nga Kristoforidhi
përktheu shumë libra të ndryshëm të
kishës në gjuhën shqipe.
Kur u shpall Pavarësia, Noli
përshëndeti qeverinë e Ismail Qemalit, ndërkohë
që kishte bërë edhe një udhëtim nëpër
Evropë për të mbrojtur çështjen
shqiptare. Periudha më e rëndësishme e aktivitetit
të tij në të gjitha fushat është
dekada 1920-1930. Më 1920 ai, së bashku me patriotë
të tjerë, u përpoq dhe arriti të sigurojë
pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.
Më 1921 ai botoi edhe veprën e rëndësishme
"Historia e Skënderbeut".
Gjatë viteve `20-24, në krye të opozitës
demokratike, Noli zhvilloi një luftë të ashpër
në Parlament dhe jashtë tij kundër gjithë
forcave reaksionare dhe feudale, duke ngritur zerin për
vendosjen e lirive demokratike dhe zbatimin e reformës
agrare. Fjalimi i tij mbi varrin e Avni Rustemit në Vlorë
shënoi fillimin e Revolucionit Demokratik në Shqipëri.
Me fitoren e revolucionit Noli u caktua kryetari i qeverisë
së re, që doli prej tij, që ishte qeveria me
përparimtare në Ballkan. Ajo shpalli një program
revolucionar e demokratik, por nuk arriti ta realizojë.
Revolucioni Demokratik në Shqipëri u gjend menjëherë
i rrethuar nga qëndrimi armiqsor i Fuqive të Mëdha,
monarkive dhe qeverive evropiane të shteve ballkanike.
Nolit iu desh të bënte një përpjekje të
jashtëzakonshme që qeveria shqiptare të njihej.
Por ndërkohe gjithë forcat reaksionare të vendit,
të kryesuara nga A.Zogu dhe të ndihmuara nga qeveria
jugosllave si nga ana financiare, ashtu edhe me mercenarë
biellogardistë arritën ta rrëzojnë qeverinë
demokratike, e cila duke mos patur kohë të realizojë
reformat e shpallura, sidomos reformen agrare, mbeti e shkëputur
nga populli. Noli u detyrua të mërgojë jashtë
vendit në Austri dhe u dënua me vdekje në mungesë.
Gjithë demokratët revolucionarë në mërgim
themeluan në Vjenë Komitetin Nacional Revolucionar
(Konare) me Nolin si kryetar. Në organin "Liria
Kombëtare"
Të këtij Komiteti që dilte në Gjenevë,
Noli botoi shumë artikuj që demaskonin Zogun dhe
armiqtë e Shqipërisë, fashizmin dhe reaksionin
si edhe disa nga poezitë e tij më të mira.
Noli u end nëpër Evropë plot tetë vjet,
duke mos pushuar së punuari për Shqipërinë,
me shpresë se do të vinte një ditë që
ai të kthehej përsëri. Por më 1932, kur
Zogu arriti të forconte mjaft pushtetin e tij despotik,
ai e humbi shpresën dhe u largua për në Amerikë
për të mos e parë më kurrë atdheun.
Më mirë se gjithçka, gjendjen e rëndë
shpirtërore të tij në këtë kohë
e shpreh poezia "Moisiu në mal".
Noli
Kryeprofetit dita i ngryset
Dhe shpirtkëputur përdhe përmbyset
Me lot në sy, me zemër të ngrirë
I lyp mëshirë.
Pse kaqë gjatë, Zot, m'arratise,
Pse më përplase, më përpëlise,
Pse shpresën dyzetvjet ma ushqeve,
Dhe sot ma preve?
Përveç veprimtarisë
shumë të rëndësishme politike, poetike
e publiçistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari
Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat
e Omar Khajamit, Don Kishotin e Servantesit etj. Në gjithë
këtë veprimtari politike, patriotike, artistike
e shkencore Noli mbeti demokrat konsekuent. Vegjëlia
ishte shtresa e vetme që ai vlerësonte, shtresa,
tek e cila ai besonte, kurse feudalizmi ishte klasa që
ai urreu për vdekje, klasa për të cilën
ai s'pati kurrë ndonjë iluzion. Megjithatë
si politikan e udhëheqës shteti ai humbi në
ndeshjen me feudalizmin, pasi nuk deshi kurrë të
përdorej dhuna.
Pasi u vendos në ShBA, u mor me krijimtari letrare, me
studime të ndryshme, siç ishte "Bethoveni
dhe Revolucioni Francez" etj dhe me organizimin e veprimtarive
të kishës shqiptare në Amerikë, e cila
shërbente si qendër e lidhjes së kolonisë
shqiptare. Fan Noli mbeti deri në fund të jetës
së tij një demokrat i shquar.
Ky vigan i demokracisë e i kulturës shqiptare, te
i cili vepron me të njëjtën forcë intuita
e artistit shkencëtarit dhe e politikanit, ky patriot
i madh që shkriu gjithçka për Shqipërinë,
për fat të keq vdiq larg saj më 13 mars 1965
në ShBA, ku ndodhen edhe sot eshtrat e tij.
|
 |
 |
 |
 |
|
 |
 |
 |
 |
|
 |
 |
 |
 |
|
 |
 |
 |
 |
|
 |
 |
 |
| |
 |  |
 |
 |  |
 |  |
|
 |  |
 |  |
Poezia
Krijimtaria poetike e Nolit është ndër gjërat
më të fuqishme, më të thella e më
tronditëse të letërsisë shqiptare. Vargjet
e tij përshkrohen nga një filozofi e thellë
humaniste dhe janë demaskuese të një bote të
vjetër, të mykur ku mbretërojnë intrigat,
prapaskenat, krimi e shfrytëzimi, po njëkohësisht
prej tyre shpërthejnë idealet e përparuara
demokratike, optmizmi se gjithçka që i ka kaluar
koha do të përmbyset. Krijimtaria poetike e Nolit
u përmblodh për herë të parë nga
shkrimtari dhe kritiku ynë i shquar Mitrush Kuteli, më
1948 kjo veprimtari u botua nga federata "Vatra"
në Amerikë, në përmbledhjen "Albumi".
Më vonë Noli botoi edhe disa poezi të tjera
si "Sulltani dhe kabineti" etj.
Poezia e parë e Nolit është "Tomsoni dhe
kuçedra (1914), ku Noli shpërthen me forcë
kundër tradhtisë së feudalëve me Esat
pashë Toptanin në krye. Pas saj Noli botoi poemën
"Jepni për nënën", e cila u bë
mjaft popullore. Aty u bëhet thirrje në formë
prekëse të gjithë shqipëtarëve, kudo
që të ndodhen, të ndihmojnë pa hezitim
Shqipërinë, të cilën elementët anti
kombëtare e kanë çuar në greminë.
Cilët
bij të tradhëtuan
Dhe të dogjën dhe të shuan
Dhe të lan' o shkab` e ngratë
Pa fole, pa zogj, pa shpatë,
Këta qena, o shok, mbytni,
Mbushni gjylet që t'i shtypni
Që në këto dy poezi
bien në sy dy karakteristika të krijimtarisë
së Nolit: frymëzimi nga ngjarjet aktuale dhe qëndrimi
i rreptë e i prerë antifeudal. Pas revolucionit
të qershorit Noli botoi njëra pas tjetrës poezitë
tij më të fuqishme si: "Syrgjyn vdekur",
"Shpellë e Dragobisë", "Himni i flamurit
etj.
Dy të parat janë elegji për L.Gurakuqin dhe
B.Currin, bashkëluftëtarët e Nolit gjatë
Revolucionit, të cilët u vranë të dy më
1925 brenda një muaji, nga Zogu. Në këto dy
elegji poeti jep meritat e secilit nga këta demokratë
e patriotë të shquar dhe mishëron në art
tiparet e tyre. Në elegjinë kushtuar Luigj Gurakuqit,
Noli njëkohësisht e vajton me hidhërim të
thellë, e mbron dhe e lartëson nëpërmjet
antitezash të fuqishme figurën e pastr të tij
dhe gjithashtu demaskon edhe dorën gjakatare dhe synimet
e A.Zogut:
Nëno,
moj, mbaj zi për vëllanë,
me tre plumba na i ranë,
na e vranë e na e shanë,
na i thanë tradhëtor.
..
Nëno moj, ç'është
përpjekur.
Gojëmjalt'e zemërhekur,
Syrgjyn gjallë e syrgjyn-vdekur
Ky Vigan- Liberator.
Te "Shpella e Dragobisë
poeti sjell një paralelizëm tjetër të
heroit deri në përmasa epike me figura që i
afrohen krijimtarisë popullore. Vërtet ajo është
shkruar në formën e një elegjie, por e gjithë
poezia shpreh duf, revoltë e kushtrim për luftë;
Thon' u shtri
e thonë u vra,
por t'i s'vdiqe or Baba,
as te Shkëmb' i Dragobisë
as te zemr', e djalërisë!.
Bajram Curri dhe Luigj Gurakuqi
jepen në këto poezi si shprehës të aspiratave
të vegjëlisë.
Me ngjyrë epike e emocion të fuqishëm është
shkruar edhe poezia "Himni i flamurit", e cila i
kushtohet flamurit kombëtar që simbolizon qëndresën
e paepur të popullit tonë gjatë 2000 vjetëve
për të ruajtur kombësinë, vazhdueshmërinë
e tij.
O flamur gjak,
o flamur shkabë
O vend e vatër, o nën' e babë,
lagur me lot, djegur me flakë,
flamur i kuq, flamur i zi.
Poeti pasi rendit gjithë luftrat
e mëdha e të gjalla të popullit për liri,
nën këtë flamur, thekson një antribut
të ri të tij, që e ka përfituar në
lëvizjen për demokraci : flamur i madh për
vegjëli.
Poezi me motive biblike siç janë "Moisiu
në mal", "Marshi i Barabajt", "Krishti
në kamzhik", "Marshi i Krishtit" dhe "Marsh
i kryqëzimit", "Shën Pjetri mbi mangall"
etj, shprehin aspekte të ndryshme të jetës
politike gjatë viteve 1920-1924.
Pavarësisht nga motivet dhe simbolet biblike, ato s'kanë
as frymë as karakter fetar. Të gjitha së bashku,
krijojnë një autobiografi në vargje të
Nolit gjatë dhe pas Revolucionit të Qershorit.
Kështu p.sh., në poezinë "Krishti me kamxhik",
Noli aludon për rolin dhe programin e vet të viteve
1921-1924. Në këtë konceptim qëndrojnë
edhe poezitë "Marshi i krishtit" e "Marshi
i kryqëzimit". Krishti simbolizon figurën i
cili, si ai, do të jetë mbrojtës i masave të
varfëra nga shfrytëzimi dhe tirania. Në këto
poezi ndihet adhurimi i masave, i turmës së paditur
për heroin çlirimtar. Noli shpreh bindjen se masat
pa heroin nuk mund të arrijnë fitoren e ëndërruar,
Në këto poezi, sidomos te "Krishti me kamzhik",
gjithashtu shprehet edhe ideja tjetër e rëndësishme
e Nolit se toleranca duhet përdorur me kujdes. Larot
dhe tradhëtarët feudalë duhen shtypur me dhunë,
ndryshe ata rrezikojnë fitoren e arritur.
Momente të jetës së vështirë të
Nolit në emigracion trajtohen në mënyre alegorike
edhe në poezinë "Moisiu në mal".
Këtu nëpërmjet simbolit të Moisiut, kryeprofetit
të dhjatës së vjetër që simbolizon
udhëheqësin, autori flet për përpjekjet
e veta, idealet dhe luftën e tij për çlirimin
e popullit shqiptar. Poeti ndihet i dëshpëruar për
disfatën e tij, por nuk është pesimist për
të ardhmen e popullit të tij.
Një nga poezitë më të fuqishme të
këtij cikli është "Marshi i Barabajt",
ku poeti me krahasime e epitete jashtëzakonisht të
goditura demaskon figurën e Zogut-Baraba.
Tradhëtar,
ti na nxive, na le pa atdhe,
ti na çthurre, na çkule, na çduke çdo
fè.
Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe,
derbeder, ujk e derr, Hosana Baraba!
Figura e Zogut dhe gjithë tiparet
anadollake të qeverisë së tij, Noli i ka demaskuar
edhe në poezinë e fuqishme "Kënga e Salep-Sulltanit".
Kurse tek poezia "Shën Pjetri mbi mangall",
Noli ironizon deri në sarkazëm gjithë renegatët
e revolucionit:
S'ka e s'ka
si heroizma
Edhe si idealizma,
po ku dimër del behari
s'ka si zjarr.
Nga poezitë më të
mira të Nolit janë "Anës Lumejve",
"Rend or marathoromak". Të dyja poezitë
krijojnë një imazh të qartë të gjendjes
katastrofike të Shqipërisë nën pushtetin
e Zogut dhe njëkohësisht shpreh padurimin e poetit
për të parë shenjën e parë të
kryengritjes shqiptare prej katundarëve e punëtorëve,
të vetmit tek të cilët i ka varur shpresat
ai. Pas kësaj vjen besimi në fitore, drithërima
e poetit që ndjen nga larg se së shpejti do arrijë
nëpërmjet "Marathonomakut" lajmi i fitores
jo mbi pushtuesin, por mbi shfrytëzuesin e pushtetin
feudal të Zogut. Ky është dallimi i Marathonomakut
të Nolit nga Marathonomaku i Greqisë së Lashtë
i cili lajmëroi fitoren ndaj ushtrisë së huaj.
Të dyja këto poezi të fuqishme pasuruan ideoartistikisht
jo vetëm krijimtarinë e Nolit , por poezinë
shqiptare në përgjithësi. Vargje si:
Ku e lamë
e ku na mbeti
Vaj-vatani e mjerë-mileti
Anës detit i palarë
Anës dritës i paparë
Pranë sofrës i pangrënë
Pranë dijes i panxënë
Lakuriq dhe i dregosur
Trup e shpirt i sakatosur
Janë ngjethëse edhe sot
dhe mbeten gjithnjë aktuale. Forca demaskuese dhe thirrja
për kryengritjen në këtë poezi dallohet
nga gjithë krijimtaria tjetër poetike e Nolit dhe
e ka mbështetjen në vetë zhvillimin e ngjarjeve
në Shqipëri, të cilat kishin tronditur prej
kohësh jetën shoqërore e politike evropiane.
Noli ka shkruar edhe tri lirika intime, ku më tepër
trajtohet problemi i kuptimit filozofik të dashurisë
si forcë jetëdhënëse.
Poezia noliane është një poezi novatore, sepse
pasqyron idealet më përparimtare të shoqërisë
shqiptare të viteve 20-30, idealet më demokratike,
me një forcë artistike të jashtëzakonshme
e me një formë origjinale. Shprehja poetike e tij
përbëhet nga një mendim sintezë liroko-epik,
plot duf e sulm me ritme kumbuese të protestës.
Ritmi i marshit i jep kësaj poezie gjallëri të
vazhdueshme e tone optimiste. Në vargjet e Nolit realizmi
eshte gërshetuar me frymën romantike të ëndërrës
e të shpresës, po aq ngushtë sa është
gërshetuar edhe ideja e kryengritjes, e luftës për
liri shoqërore me tolerancën shoqërore e lirinë
e individit Noli ndoqi modelët poetike klasike, por pati
një ndikim të ndjeshëm nga poezia popullore.
Në poezinë e tij figuracioni popullor i shkrirë
në zjarrin e frymëzimit dhe me frazeologjinë
e zgjedhur e të pasur të gjuhës së folur
ka sjellë vargje me një forcë të jashtëzakonshme
shprehëse. Duke përdorur me mjeshtëri figura
si epiteti, antiteza, alegoria etj., ai portretizon me art
personalitete reale historike të jetës shqiptare.
Krahas veprave të shquara ideoartistike, poezia e Nolit
dallohet si model i masës dhe përpjestimit, gjë
që ndihet edhe në prozën e tij të rrjedhshme,
konçize, me një kompozicion të saktë.
Noli përdori fondin e pasur të gjuhës shqipe,
duke aktivizuar edhe fjalë të vjetra e duke krijuar
të reja, si dhe duke futur në funksion edhe fjalë
të huaja, ndaj themi se është ndër pasuruesit
më të shquar të gjuhës sonë.
*******************************
Personalitet i shquar jo vetëm i letërsisë,
po i gjithë kulturës shqiptare, Noli dha kontribut
të madh në shumë fusha. Ai është
poet i shquar, historian e biograf, publicist, orator, kritik
e dramaturg si dhe përkthyes i rrallë, që me
veprat e tij i dha një ngjyrë të re letërsisë
shqiptare. Krahas kësaj ai është njeriu i veprimit.
Si patriot i madh ai bëri ç'ishte e mundur në
fushën e diplomacisë për ruajtjen e tërësisë
tokësore të Shqipërisë dhe pranimin e
saj në Lidhjen e Kombeve. Si demokrat i shquar ai udhëhoqi
Revolucionin Demokratik të Qershorit, i cili edhe pse
dështoi ngjalli besimin se sistemi feudal i prapambetur
do të shembej shumë shpejt. E gjithë veprimtaria
e tij ishte një bazë e fuqishme për zhvillimet
e mëvonshme shoqërore, politike, kulturore artistike
në Shqipëri. Veprat e tij kanë hyrë në
fondin me të cilin kontribuon populli ynë në
kulturën botërore.
|
 |
 |
 |  |
|
 |  |
 |  | |  |  |
 |
 |
|
 |
 |
|
 |  |
 |
 |  |
 |  |
|
 |  |
 |  |
Veprimtaria
Publiçistika
Veprimtaria krijuese e Nolit nis me publiçistikën dhe
oratorinë. Ato shprehin qartë pikëpamjet e tij thellësisht
demokratike dhe janë si një kronikë e jetës
politike e shoqërore shqiptare. Karakteristkat kryesore të
tyre janë mendimi i qartë dhe i mprehtë, qëndrimi
i drejtë dhe i prerë dhe reagimi i menjëhershëm
ndaj ngjarjeve më të rëndësishme kombëtare
dhe ndërkombëtare.
Noli mbajti fjalime të zjarrta para shqiptarëve në
SHBA, në Këshillin Kombëtar të Tiranës
(1920-30), në Korçë e Vlorë, në Lidhjen
Kombeve etj. Në këto fjalime dhe artikuj trajtohen probleme
të rëndësishme siç janë ruajtja e pavarësisë
dhe e tërësisë tokësore të Shqipërisë
nga synimet shoviniste fqinje, mbrojtja e dinjitetit të shqiptarit
dhe Shqipërisë, demaskimi i klasës feudale dhe i
monarkisë së A.Zogut, demokratizimi i jetës së
vendit, vlerësimi i figurave të shquara të historisë
e kulturës shqiptare e botërore etj.
Forma e polemikës, kultura me të cilën janë
trajtuar problemet politike e shoqërore bëjnë që
këto shkrime të zenë një vend krejt të
veçantë në publiçistikën shqiptare.
Kritika letrare
Shkrimet kritike të Nolit pohojnë jo vetëm gjykimin
e thellë dhe kulturën e gjerë të Nolit, por
edhe që pikëpamjet e tij mbi artin, mbi letërsinë
janë nga më përparimtaret. Në to ndihet menjëherë
mjeshtëria e Nolit për të shprehur qartë e thjeshtë
çështje të ndërlikuara e të diskutueshme
të letërsisë botërore. Gjatë analizave
që u bën veprave të Shekspirit, Servantesit, Ibsenit,
Omar Khajamit etj., Noli sjell gjithnjë përballë
veprës letrare përvojën jetësore dhe ligjet
e shoqërisë. Veç kësaj ai kujdeset në
gjithë shkrimet e tij kritike që të konkludojë,
duke u bërë një jehonë e problemeve shoqërore
më aktuale botërore e shqiptare. Introduktet për
tragjedinë "Otello", "Hamlet", "Makbeth"
e "Jul Qezar" , ato për Dramën "Armiku
i popullit" e romanin "Don Kishoti" janë jo
vetëm analiza të thella ideoartistike të këtyre
veprave, të ideve e personazheve të ndryshme, por edhe
kritika të ashpra ndaj realitetit e shoqërisë, si
edhe një aktualizim i disa prej problemeve më të
mprehta të jetës shqiptare të kohës. Veç
introdukteve të mësipërme ai botoi dhe shkrime të
tjera kritike, ku gjithnjë lexuesi ndien se si shkrihet në
gjykimin e thellë përparimtar, në vlerësimin
nolian, artisti, studiuesi, eruditi, sociologu, politikani, filozofi
e psikologu.
Studimet
Larminë dhe rëndësinë e veprimtarisë së
Nolit e shtojnë mjaft edhe studimet e tij për Skënderbeun,
heroin tonë kombëtar, për figurën e madhe të
Bethovenit ( "Bethoveni dhe Revolucioni Francez") etj.
"Historia e Skënderbeut"është vepra së
cilës Noli iu rikthye disa herë. Ai e botoi atë për
herë të parë më 1921 në Boston dhe pastaj
e punoi të ripunuar anglisht më 1947 e përsëri
të ripunuar në shqip më 1949. Për të shkruar
këtë vepër Noli u mbështet jo vetëm te
Barleti, por edhe në dokumente të reja, që mundi
të gjejë pas një pune këmbëngulëse.
Skënderbeu ashtu si për çdo patriot e artist shqiptar,
edhe për Nolin ishte figura më e dashur, që ai e
kishte adhuruar që në fëmijëri. Ky adhurim i
autorit ndihet edhe në vepër nëpërmjet tonit
të ngrohtë me të cilin është dhënë
figura e tij. Gjatë trajtimit të momenteve kyçe
të jetës së heroit, Fan Noli ka përcaktuar qartë
marrdhëniet e tij me shtetet e Ballkanit, sidomos me shtetet
fqinjë, qëndrimin e disa vendeve të fuqishme evropiane
ndaj luftës së Skënderbeut etj.
Gjithashtu ai ka arritur të na japë qartë politikën
e brendshme të këtij udhëheqësi legjendar, duke
theksuar meritën e madhe te tij në formimin e një
shteti të centralizuar feudal shqiptar, gjë që në
shekullin e XV nuk ishte realizuar dot në shumë vende
të Evropës. Për të krijuar atmosferën e
kohës, për të dhënë ngjyrat e një
bote mesjetare, që kërcënonte të shkatërronte
botën evropiane si dhe pozitën e një vendi si Shqipëria,
ku liria dhe kultura humaniste po mbyteshin nga dhuna osmane . Noli
ka thurrur e shkrirë me art të vërtetën historike,
dokumentin me gojëdhënën e legjendën. Figura
e Skënderbeut në veprën e tij është shumë
e plotë. Ai është jo vetëm një udhëheqës
popullor, që shquhet si luftëtar e strateg, por dallohet
edhe si burre shteti e diplomat. Përshkrimet e betejave heroike
dhe të situatave të vështira janë bërë
me ngjyra të forta romantike, gjë që i jep veprës
edhe vlera artistike dhe e bën që të lexohet me emocion.
Në këtë vepër Noli i jep rëndësi figurës
së heroit dhe rolit të tij në histori, pa nënvleftësuar
masat .
Ribotimet e veprës e ngritën cilësisht atë dhe
punën e këtij studjuesi si historian. "Historia e
Skënderbeut" e Nolit bashkë me veprën e Barletit
mbeten edhe sot më të mirat vepra për heroin e madh.
Shqipërimet artistike
Noli si përkthyes i krijoi vetes një vend nderi në
letrat shqiptare. Por këtë nuk e arriti vetëm se
ai ishte njohës i mirë i disa gjuhëve si greqisht,
latinisht, frengjisht, spanjisht, anglisht, gjermanisht, turqisht
etj. Krahas talentit për të mësuar gjuhët e
huaja, Noli njihte mire thesarin e gjuhës amtare e gjithashtu
njihte thellë kulturën botërore dhe atë kombëtare,
kishte aftësi të tilla gjykimi dhe shije aq të hollë
sa mundi të zgjedhë e të përkthejë vepra
të shquara të shkrimtarëve të mëdhenj botëror,
që jo vetëm e pasuronin kulturën tonë kombëtare
por edhe u bënin indirekt jehonë shumë problemeve
aktuale të realitetit shqiptar.
Punën e përkthyesit Noli e nisi si vazhdues i traditës
që kishte krijuar Kristoforidhi, duke përkthyer disa libra
të shërbesës për nevojat e kishës shqiptare,
që posa ishte themeluar. Më pas ai përktheu disa
krijime nga Molieri e Stendali dhe më vonë i hyri punës
për përkthimin e atyre veprave të rëndësishme
që do t'a bënin të njohur si përkthyes jo vetëm
në Shqipëri, por edhe përtej kufijve shqiptarë,
siç janë: poema "Skënderbeu" e Longfellout
, tragjeditë "Otello", "Hamlet", "Makbethi",
"Jul Qezari", të Shekspirit, Dramat "Armiku
i popullit" dhe "Zonja Igra e Ostronit" të Ibsenit;
"Rubairat" e Omar Khajamit, "Don Kishoti i Mançës"
i Servantesit ; "Kasollja" e Ibanjezit etj.
Pothuajse të gjitha këto vepra Noli i pajisi edhe me parathënie,
ku dha gjykime kritike estetike e filozofike me shumë vlerë.
Përkthimet e Nolit janë vlerësuar mjaft nga personalitete
të shquar të kulturës botërore. Kështu
albanologu i njohur Norbert Jokli, kur lexoi përkthimin e "Rubairave"
të O.Khajamit nga Noli tha : "Pas përkthimit të
Filxheraldit, nuk di në ia kalojnë përkthimeve të
Fan S.Nolit ato të gjermanishtes e të spanjishtes, që
janë të dorës së parë ".
|
 |
 |
 |  |
|
 |  |
 |  | |  |  |
 |
 |
|
 |
 |
|
 |
|