 |  |
Hyrje
Luigj Gurakuqi është një nga figurat kryesore
të lëvizjes sonë atdhetare dhe demokratike.
I përkushtuar tërësisht ndaj çështjes
së atdheut, veprimtaria e tij lidhet me ngjarjet më
të rëndësishme të kohës. Lindi në
Shkodër më 1879. Mësimet e para dhe një
pjesë të shkollës së mesme i bëri
në vendlindje, pastaj shkoi në Itali. Aty mbaroi
kolegjin e Shënmitër Koronës në Kalabri,
ku ishte nxënës i De Radës, dhe vijoi studimet
e larta në shkencat biologjike në Napoli. Që
kur ishte student, bëri emër në shtypin shqiptar
si poet dhe publiçist (me pseudonimin Cakin Shkodra
dhe Lekë Gruda). Më 1908 Gurakuqi u kthye në
Shqipëri dhe u bë shpejt një nga udhëheqësit
kryesorë të lëvizjes kombëtare. Nuk kishte
ngjarje të rëndësishme të kohës ku
të mos ishte dora e Gurakuqit. Mori pjesë në
Kongresin e Manastirit, ishte drejtori i parë i Shkollës
Normale të Elbasanit dhe një nga udhëheqësit
e kryengritjeve të Veriut (1911-1912). Ai ishte krahu
i djathtë i Ismail Qemalit në gjithë atë
punë të madhe për shpalljen e Pavarësisë.
Më 1916 ishte nga themeluesit e Komisisë Letrare
në Shkodër.
Në vitet 1921-1923 L.Gurakuqi si deputet i Shkodrës
u gjend vazhdimisht në opozitë me Zogun dhe gjithë
feudalët e tjerë. Bashkëluftëtar i F.
Nolit, Gurakuqi ishte ndër udhëheqësit më
aktivë të Revolucionit Demokratiko-Borgjez të
Qershorit të vitit 1924.
Pas kundërevolucionit emigroi në Itali, dhe në
mars 1925 u vra pabesisht në Bari nga njerëz të
vënë nga Zogu. F.Noli e vlerësoi lart figurën
e këtij biri të shquar të Shqipërisë
me vjershën e njohur "Syrgjyn-vdekur", kurse
populli pas luftës ia soli eshtrat në atdhe dhe
e deroi me titulin e lartë "Hero i Popullit"
dhe "Mësues i Popullit".
Krijimtaria poetike e Gurakuqit përfshin vitet 1898-1907.
Më pas, krijimtaria e gjerë politike nuk e lejoi
të merrej më poezi. Për herë të parë
vjershat e tij u përmblodhën në një vëllim
më 1941.
Në poezinë e parë, që është
përgjigjje për vjershën "Shko dallëndyshe"
të F.Shirokës, Gurakuqi flet për gjendjen e
mjerë të Shqipërisë. Krijimi më i
njohur i tij është vjersha "Qëndresa",
ku gërshetohen edhe elemnete autobiografike. Me theks
filozofik, jepet zgjimi i poetit nga ëndërrimet
romantike, në emër të qëllimeve të
larta, qëndresa për plotësimin e idealit. Poezia
është një kredo e gjithë jetës dhe
e veprimtarisë së Gurakuqit.
L.Gurakuqi është ndër të parët që
parashtron kërkesën të ngrihet mjeshtëria
artistike në letërsinë amtare. Në vjershën
"Deka e zanave" thekson se Shqipëria është
vendi i poezisë, çerdhja e zanave, ndaj atdheut
i duhet kënduar me nivel të lartë artistik.
L.Gurakuqi shkroi edhe vjersha për të vegjëlit,
të cilat i botoi në "Këndimet" (1912).
Interes të veçantë paraqet libri "Vargnimi
në gjuhën shqipe" (1906), si përpjekja
e parë për hartimin e metrikës sonë.
Edhe si publiçist L.Gurakuqi bëri emër të
shquar, duke trajtuar problemet më të rëndësishme
të kohës. Botoi te revista "Albania",
te "Kalendari Kombiar", në gazetat "Drita",
"Liria e Shqipërisë", "La Nacione
Albanese". Si stilist i shquar ai ka lënë modele
të prozës publiçistike në dy dialektet.
L.Gurakuqi dha ndihmesë me vlerë në letërsinë
e në kulturën tonë si poet, publiçist,
orator, hartues i parë i metrikës shqipe.
|
 |  |