 |
|
|
| |
 |
|
|
 |  |  |  |  |
 |  |
|
 |  |
 |  |
 |
 |
 |
 |  |
Hyrje
Migjeni (pseudonimi i Millosh Gjergj Nikollës) është
nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë
shqiptare. Me një realizëm të thellë,
të panjohur deri atëherë në letërsinë
tonë, ai pasqyroi jetën e përditshme të
shoqërisë shqiptare, sidomos të shtresave të
varfëra të qytetit e fshatit, duke demaskuar sistemin
e prapambetur shoqëror si dhe fashizmin që po kërcënonte
Evropën. Përfaqësuesi më i shquar i realizmit
kritik, Migjeni futi në letërsinë tonë
me një shkallë shumë të lartë ideoartistike
protestën e hapur, ëndërrën për një
botë të re dhe optimizmin e thellë.
Migjeni lindi më 23 tetor 1911
në Shkodër, në familjen e një tregtari
të vogël, ku shumë shpejt vështirësive
ekonomike iu shtuan edhe fatkeqësitë familjare.
Kur ishte pesë vjeç, i vdiq nëna, kurse në
moshën trembëdhjetëvjeç humbi të
atin, e më pas vëllanë e gjyshen me të
cilën ai ishte lidhur fort pas vdekjes së nënës.
Këto fatkeqësi e bënë Migjenin, që
vetiu ishte një natyrë e mbyllur, të tërhiqej
nga jeta e moshatarëve të tij. Pasi mbaroi shkollën
fillore në Shkodër, ai shkoi për të vazhduar
mësimet në Tivar dhe më pas përfundoi
seminarin teologjik të Manastirit.
Për një të ri me
interesa të gjera si Migjeni, jeta e seminarit ishte
mbytëse. Nga leximet Migjeni ra në kontakt me ide
revolucionare të kohës që zienin në gjithë
Evropën.
Në vitin 1932 Migjeni pasi mbaroi seminarin dhe nuk mundi
të sigurojë një bursë për të
vazhduar studimet e larta, mbeti pa punë deri sa më
1933 u emërua mësues në Vrakë, një
fshat afër Shkodrës. Rruga Vrakë-Shkodër,
që ai bëntë përditë me biçikletë,
ia keqësoi gjendjen shëndetsore. Gjatë kohës
që qëndroi në seminar, Migjeni sëmurej
shpesh dhe ishte nën kontroll të vazhdueshëm
të mjekut, ngaqë mushkëritë e tij ishin
të dobëta dhe rezikoheshin të prekeshin nga
turbekulozi, sëmundja tipike e kohës, nga e cila
i vdiq edhe nëna.
Ndërkohë, ai kishte filluar të botonte shkrimet
e tij në revisten "Illyria". Në to ndihen
përshtypjet e para, reagimi shpirtëror i Migjenit
ndaj realitetit të zymtë, ndaj mjerimit, ku ishte
zhytur edhe fshati, edhe qyteti shqiptar.
|
 |  |
 |  | |  |  |
 |  | |  |  |
|
 |  |  |  |  |
 |  |
|
 |  |
 |  |
 |
 |
 |
 |  |
Poezia e Migjenit
Poezia e Migjenit, një poezi novatore, u bë shprehëse
e fuqishme e pakënaqësisë ndaj realitetit, e urrejtjes
ndaj dhunës dhe shfrytëzimit, ndaj mashtrimit politik,
shoqëror dhe hipokrizisë. Duke shpërthyer drejtpërdrejt
nga jeta e gjallë ajo pasqyroi botën shqiptare në
vitet '30 me protestat, dhembjet, ëndërrat dhe shpresat
për të ardhmen.
Vëllimin e tij "Vargjet e lira" (1936) Migjeni e
hapte me vjershën "Parathënia e parathënieve"
ku shpërthente gëzimi i tij se shekulli ka nisur të
çlirohet prej skllavërisë shpirtërore. Lajtmotivi
i kësaj vjershe e cila është një sintezë
e mendimit revolucionar të Migjenit, është vargu:
"Përditë prendojnë Zotat", Njeriu po hipën
në majën e fronit, po bëhet zot i jetës, i tokës
së tij, i vetvetes dhe nuk do t'u përulet më "idhujve".
Pas kësaj vjershat e veta Migjeni i ka ndarë në gjashtë
cikle: "Kangët e ringjalljes", "Kangët
e mjerimit", "Kangët e perëndimit", "Kangët
më vete", "Kangët e rinisë" dhe "Kangët
e fundit".
Në ciklin e parë bëjnë pjesë pesë
nga vjershat më të mira të Migjenit. Filli që
i bashkon këto vepra, është gëzimi për
lindjen e "Njeriut të Ri", prej atyre të varfërve
të rritur në mjerim, të cilët janë ngritur
në luftëra të reja, që të mos humbin më
në lojën e përgjaktë të historisë,
të mos jenë më skllevër të titajve të
tërbuar, por zot të vetes e të një bote të
re, ku njeriu të jetë i lirë dhe askush të mos
e shkelë personalitetin e tij. Këto luftëra nuk janë
grabitqare e as për të siguruar privilegje të reja,
si ato të hershmet, por janë luftëra të reja,
siç i quan poeti kryengritës. Në këtë
cikël kemi edhe protestën ndaj gjendjes së rëndë
të shoqërisë shqiptare, ndaj gjithë forcave
konservatore, që e mbajnë në vend atë, dhe shpërthimin
e entuziazmit për lindjen e "Njeriut", i cili do
ta drejtojë kombin drejt një agimi të ri. Në
këtë cikël jeton edhe ideja se vetëm në
liri mund të shpërthejnë energjitë dhe aftësitë
njerëzore. Në gjithë ndryshimet, përmbysjen
e botës së vjetër dhe krijimin e botës së
re, poeti njeh si protagoniste rininë. Ajo është
më e pastra, më e bukura pjesë e shoqërisë,
ku ai var shpresat, besimin për fitoret e ardhme, për
triumfin e idealit për një jetë të re:
Rini, thueja kangës
ma të bukur që di!
Thueja kangës sate, që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand, të shpërthejë me vrull.
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.
(Kanga e rinisë)
poeti është i bindur se asgjë
s'mund ta pengojë më lulëzimin e lirisë, ku
do të shpërthejë hovshëm gjithë ato këngë,
që ende i flenë në shpirt. Kjo është intuita
e poetit, i cili ka aftësinë ta ndjejë i pari rrezen
e ngrohtë të Diellit të jetës së re:
Por a do të
vijë dita kangët me u zgjue
Apo ndoshta shekujt me ne prapë po tallen
Jo, Jo! Se liria filloi me lulzue
Dhe e ndjej nga Dielli (alegorik) valën.
Për identifikimin e figurës
Diell ka pasur disa përpjekje për ta zbërthyer e
konkretizuar. Por ato vetëm se e kanë vulgarizuar perceptimin
poetik të poetit. Mjafton të mbetemi në simbolikën
e tij dhe ajo thtë gjithçka. Ai ia ndien rezatimin botës
së re, shoqërisë së re, e cila do të jetë
e ngrohtë dhe e ndritshme si dielli dhe si ai do të mund
të gjallërojë, të zgjojë të rilindë
gjithçka që qëndon ende e ndrojtur, e përgjumur
në errësirë. Thirrja që Migjeni i drejtonte
Rinisë, në këtë vjershë ishte kuptimplotë,
optimiste dhe tepër e ngrohtë, intime dhe romantike:
Thueja, kangës,
Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu Rini! Qeshu! Bota asht'e jote!
Cikli i dytë i "Vargjeve të
lira" nis me "Poemën e mjerimit", kryevepër
poetike e Migjenit dhe një prej krijimeve më të bukur
të poezisë shqiptare. Poema ka një konceptim e trajtim
origjinal. Në fillim poeti sjell figurën e mjerimit të
konkretizuar nëpër dhjetëra motive jetësore.
Dhe së bashku me fytyrën tragjike të mjerimit në
jetën shqiptare, vjen edhe dhembja, dhembja e poetit dhe dhembja
që mbyt çdo shoqëri të ngritur mbi dhunën.
Kjo dhembje e thellë përfundon në protestën
ndaj rendit shoqëror që e krijon mjerimin, dhe në
ironi dhe sarkazëm ndaj fesë, e cila s'arrit ta ndryshojë
këtë pamje tragjike, megjithë lutjet e mëshirat
mijëvjeçare. Pas kësaj poeti konkludon:
Mjerimi s'do mëshirë,
por don vetëm të drejtë!
I gjithë cikli pavarësisht nga
dhembja e thellë dhe pamja tragjike që krijohet ka tone
optimiste, sepse nuk kemi të bëjmë me një dhembje
mbytëse, por me dhembje krenare, të cilat sipas poetit,
koha do të dijë t'i qetësojë.
Në këtë cikël poeti na jep për herë
të parë me shumë art figurën e punëtorit
që shfrytëzohet kafshërisht ose endet i papunë,
duke thelluar kështu pamjen tragjike të mjerimit.
Gjithashtu në këtë cikël ai trajton edhe temën
antifetare ku demaskon institucionet fetare, si bashkëfajtore
të asaj shoqërie që pjell mjerimin. Në ciklin
e tretë "Kangët e prendimit", Migjeni, sjell
pamjen e Evropës kapitaliste para Luftës së Dytë
Botërore, ku plagët e tmerrshme shoqërore dhe krizën
ekonomike përpiqen t'i mbulojnë me pseudoart, me vepra
e filma sentimentalë që e vishnin me ngjyra artificiale
lumturie dramën shoqërore e politike. Po përtej kësaj
cipe të neveritshme poeti sheh botën e rëndë
të shtëllungave të tymit e të avujve, të
djersës e gjakut. Në të dy vjershat e këtij
cikli poeti sjell imazhin e një bote sonambul që po rrëshqet
drejt greminës së shkatërrimit, drejt luftës.
Kjo botë e zhytur në mjergull ende s'po e kupton se po
i pregatisin një tragjedi të re. Për t'u orientuar
në këtë botë të dehur, poeti kthehet nga
bota punëtore e uzinave me thirrjen poetike:
Le të dëgjojmë
kangën që mshtillet në shllung
Avull, në pika djerse,
Si vazhdim i këtij mendimi poetik,
autori duke dashur që vëllimi i tij të ketë
një kompozicion kuptimplotë, vendos vjershën "Kangë
më vete" ku ai sjell më konkret imazhin e luftës
së ardhme me shkaktarin e vërtetë të saj, fashizmin,
që po hyn si hajn edhe në Ballkan.
Menjëherë pas kësaj vjen cikli "Kangët
e Rinisë", që së bashku me ciklin "Kangët
e fundit" janë më intime, më shprehës të
shpirtit të poetit, të vuajtjeve, dëshirave, pasioneve
të tij.
Te "Kangët e rinisë" bën pjesë vjersha
"Ekstazë pranverore", që së bashku me këngët
e ringjalljes dhe "Sonet Pranveror", janë krijimet
më pasionante, më optimiste e më me ndjenjë
të poezisë migjeniane. Aty ndihet thellë himni i
triunfit të një bote të re, që do të jetë
gjallëruese si një pranverë. A do të arrijë
poeti t'a shijojë këtë pranverë? Parandjenja
e një vdekjeje që po i afrohet, i jep dhembje poetit që,
ndoshta, s'ka për ta parë këtë botë të
re. Por gëzimi i triumfit të saj është kaq i
madh sa dhembja vjen në përmasa reale e jo në trajtën
e pesimizmit.
Te këto dy cikle jeton edhe dashuria e poetit, e cila sjell
imazhin e bukur të një dashurie rinore, ku është
shkrirë pasioni për vajzën, dëshira për
të shijuar gjithçka të bukur, si dhe dashuria për
krijimin e jetën në përgjithësi.
Në tetë vjershat e fundit, që i janë shtuar
vëllimit më vonë ndihet edhe trishtimi, dhembja dhe
pesimizmi i poetit, që e sheh se si po i fiket pak nga pak
jeta. Por ato nuk e rëndojnë gjendjen shpirtërore
të lexuesit, sepse janë të natyrshme dhe njerëzore.
Në disa vjersha "Rezignata", "Trajtat e mbinjeriut"
etj. Migjeni trajton motive filozofike rreth kuptimit të ekzistencës
së njeriut, të jetës, të vetëflijimit për
të ardhmen e shoqërisë, të botës etj. Trajtimi
i këtyre ideve është pak i mjegulluar, sidomos kur
poeti sjell edhe mbinjeriun, që mendohet se është
nocion që ka evoluar, në krahasim me kuptimin që
i pati dhënë krijuesi i tij Niçja. Mbinjeriu i
Migjenit, nuk është përbuzësi i vegjëlisë.
Ai është një figurë, që merr përsipër
të udhëheqë masat drejt një bote të re,
ku të ketë kuptimin e vërtetë edhe sakrifikimi
edhe ekzistenca, edhe dashuria, pra, të marrë një
kuptim të ri jeta. Mendimi në këto vjersha vjen i
turbullt dhe lë shteg për t'u interpretuar në mënyra
të ndryshme, por ato kanë diçka të përbashkët,
optimizmin, dashurinë për njeriun, dashurinë për
të renë, për të bukurën.
|
 |  |
 |  | |  |  |
 |  | |  |  |
 |  |  |  |  |
 |  |
|
 |  |
 |  |
 |
 |
 |
 |  |
Proza e Migjenit
Problematika, që trajtoi Migjeni në tregimet e në
skicat, ishte ajo që trajtohej në publiçistikën
dhe në prozën përparimtare të kohës. Ndryshimi
qëndron në zbërthimet e thella dhe përgjithësimet
e mëdha të Migjenit, në krijimet me një nivel
shumë të lartë artistik. Me Migjenin tregimi i realizmit
kritik shqiptar njohu kulmin e tij. Tregimet "A don qymyr zotni?",
"Studenti në shtëpi", "Të çelën
arkapijat", "Historia e njenës nga ato", "Qershijat",
"Bukën tonë të përditshme falna sot",
në të cilat pasqyrohet jeta e fshatit dhe qytetit shqiptar
në problemet më thelbësore dhe dramatike të
saj, qëndrojnë përkrah poezisë së tij më
të mirë. Migjeni është krijuesi i vetëm
i letërsisë sonë të së kaluarës që
u shfaq me të njëjtën forcë artistike si në
poezi ashtu edhe në prozën e shkurtër. Me tregimin
e tij në letërsinë shqiptare motivohet për herë
të parë plotësisht në art problemi i shkatërrimit
të personalitetit të njeriut në kushtet e një
shoqërie despotike. Në tregimet e skicat, ashtu si edhe
në poezitë e tij rrihet vazhdimisht ideja se jeta shpirtërore
kushtëzohet nga jeta materiale, se vlerat shpirtërore
e morale shkatërrohen në kushtet e mjerimit e vuajtjeve
të shumta të jetës së shtresave të varfëra.
Me dhembje e revoltë ai tregon se si dinjiteti legjendar i
malësorit, nderi i malësores, dhe i qytetares së
varfër kanë marrë fund në luftën për
ekzistencë në vështirësinë për t'i
siguruar fëmijës një copë bukë a për
ta shpëtuar nga vdekja.
Në krijimtarinë e tij Migjeni shprehu bindjen se përderisa
të mos përmbyseshin idhujt e jetës së vjetër,
gjithçka, në jetën e qytetit dhe të fshatit
do të mbetej në gjendjen ekzistuese, në mjerim dhe
varfëri. Në prozën e tij mjerimi, uria, konservatorizmi,
patriarkalizmi, degjenerimi, kanë një burim: shtypjen
dhe shfrytëzimin, që mbrohen me ligj nga rendi në
fuqi. Ky qëndrim ndaj realitetit, i cili ishte një kundërvënie
edhe ndaj krijimeve të autorëve konservatorë, jepet
nëpërmjet një konflikti të fuqishëm, dramatik.
Në këtë prozë kemi një ekuilibrim ndërmjet
shpërthimit lirik të emocioneve dhe veprimit dramatik
e përdorimit mjeshtëror të fjalës. Ai shkroi
me dashuri e pikëllim për ata njerëz, që e shkonin
jetën në kthetrat e mjerimit, kurse për shkaktarët
e vërtetë të kësaj gjendjeje ai derdhi urrejtjen
dhe përbuzjen. Migjeni e trajtoi vesin në prozën
e tij si dukuri të një jete që brehej nga kontradiktat
e thella dhe jo mbi bazën e instiktit, ndaj ai arriti të
sjellë në letërsinë tonë përgjithësime
të rëndësishme ideoartistike.
Personazhi i prozës së Migjenit është punëtori
i papunë, malësori që i ka harruar hynitë e
tij dhe i përgjërohet kokrrës së misrit, nëna
që mallëkon pjellën e vet e që detyrohet të
shesë vetvehten, e reja dhe i riu të cilëve jeta
patriarkale, me ligje e norma mesjetare, u than ndjenjat, shpresat
dhe ëndrrat rinore. Në tregimin e tij Migjeni trajtoi
problemet më të rëndësishme të kohës
dhe u bë shprehës i kontradiktave të saj.
Personazhet e tij janë tipizme të plota të një
shtrese të caktuar të shoqërisë së kohës.
Ai nuk i përshkruan ato, por i krijon me anë të zbërthimeve
të thella psikologjike, nëpërmjet detajeve. Personazheve
të tilla si malësorja ("A don qymyr zotni"),
Nushi dhe Agla ("Studenti në shtëpi"), ose Bakalli
("Të çelen arkapijet") e Kola ("Bukën
tonë të përditshme falna sot"), janë dhënë
me forcë të rrallë artistike.
Pjesën më të madhe të krijimtarisë në
prozë të Migjenit e zënë skica dhe fejtoni.
Në këto krijime të rëndësishme realiteti
është pasqyruar me shumë larmi dhe mjeshtëri
artistike. Në prozën satirike të tij Migjeni herë
kalon në trajtim konkret të problemit të mjerimit,
papunësisë, të mohimit të mëshirës
kristiane e artit për art. ( Një refren i qytetit tim,
Mollë e ndalueme, Në kishë, Luli i vocërr, Zoti
të dhashtë, Programi i një reviste, Legjenda e misrit,
Bukuria që vret, etj.), herë në trajtim të përgjithshëm
në formën e një eseje filozofike të problemeve
të dinjitetit të njeriut, të së ardhmes së
vendit, të ushtrimit të dhunës për të mposhtur
personalitetin e njeriut të thjeshtë etj, (Sokrat i vuejtun
apo derr i kënaqun, Ne me Krishtin, Përrallë abisine,
Gjysëm ose italian, Mësim gjeografie etj.
Në veprën e tij jeta paraqitet lakuriq, me gjithë
shëmtimin e saj dhe ai gjithnjë depërton me art në
kuptimin e kësaj të vërtete. Në skicat migjeniane
ka një galeri të tërë portretesh. Shumë
autorë të brezit të tij e trajtuan me mjeshtëri
skicën dhe prozën satirike, por tek asnjë ajo nuk
është aq unike dhe origjinale, e thellë e artistike
sa te Migjeni. Në prozën e tij Migjeni e mohon realitetin
e kohës, gjithçka të keqe, pa mohuar mundësinë
e përmirësimit të saj. Ai mohon shfrytëzimin,
luftën imperialiste, konceptin patriarkal, vesin, shfrytëzimin
e njeriut, po jo njeriun, mohon deri në fund anët e shëmtuara
të jetës, por jo jetën. Mohimi i tij nuk ushqen pesimizmin,
cinizmin, depresionin, prandaj krijimtaria e tij mbetet gjithmonë
e re. Tregimi i tij karakterizohet nga sinteza e mendimit, shqetësimi
qytetar dhe psikologjia e thellë e personazheve. Kurse te skicat
ku ka pasuri motivesh, Migjeni e shtjellon idenë me anë
të të një monologu dramatik të fuqishëm,
i cili nis gjithnjë me ironi dhe përfundon me sarkazëm
dhe revoltë. Ky monolog u përdor edhe nga autorë
të tjerë të viteve '30, sidomos Nonda Bulka, po te
Migjeni ai është më i natyrshëm e më i
thellë.
Në krijimtarinë e Migjenit kufijtë midis skicës
e tregimit shpesh humbasin. Forma origjinale e mendimit të
tij, ironia e sarkazma therëse e sidomos monologu dramatik,
bëhen te skicat shprehëse të konflikteve të
rëndësishme shoqërore e politike të kohës.
Prandaj mjaft nga skicat, ku ka edhe portrete të realizuara,
është vështirë t'i dallosh nga tregimi.
Duke krahasuar tregimet e Kutelit, Koliqit, me ato të Migjenit,
shohim se i pari ka njëfarë adhurimi mistik për të
kaluarën, shpreh pakënaqësinë për realitetin
ekzistues dhe beson se e ardhmja do të sjellë diçka
të mirë, i dyti nuk i kundërvihet realitetit, por
përpiqet ta riparojë atë dhe të harmonizohet
aty, kurse Migjeni e mohon të kaluarën dhe të tashmen
në emër të së ardhmes, të cilën kërkon
t'ia rrëmbejë me forcë kohës.
Tregimi i Migjenit është satira e mprehtë e një
poeti, që shpërthen me një protestë nga më
të fuqishmet e letërsisë sonë të traditës.
Ndaj, ndërsa Kuteli është një prozator i shquar,
i talentuar i thellë, e Koliqi një prozator i kulturuar,
Migjeni është novator. Ai vështroi thellë në
shoqërinë e kohës dhe pasqyroi atë, duke e gjykuar
dhe dënuar rreptë, në emër të një
të ardhmeje më të bukur, pavarësisht se ajo
na shfaqet e turbullt e simbolike. Migjeni në prozë na
shfaqet si shkrimtar i formuar i realizmit kritik. Me krijimet e
Migjenit, për herë të parë në prozë
shohim thelbin tragjik të botës shqiptare dhe tregimi
shqiptar arriti nivelin ideoartistik dhe shumllojshmërinë
problematike të poezisë sonë. Tregimi i tij, bashkë
me atë të Kutelit, shënojnë një periudhë
pjekurie të letërsisë sonë, sepse individi filloi
të vështrohej gjithnjë e më gjerë në
një raport të përcaktuar me jetën politiko-shoqërore.
|
 |  |
 |  | |  |  |
 |  | |  |  |
 |  |  |  |  |
 |  |
|
 |  |
 |  |
 |
 |
 |
 |  |
Veçoritë Artistike
Pikëpamjet e reja politike e shoqërore, konceptet e përpunuara
mbi natyrën e shoqërisë, mbi njeriun dhe artin, krahas
artit të tij të ri revolucionar, e bëjnë Migjenin
figurën më të madhe të brezit të ri të
viteve '30 dhe një nga shkrimtarët më të shquar
shqiptarë. Me krijimtarinë e tij novatore letërsia
jonë kaloi përfundimisht nga romantizmi ne realizmin kritik.
Migjeni si në poezi edhe në prozë pasqyroi me realizëm
të thellë shoqërinë shqiptare të kohës,
jetën e shtresave më të vogla të qytetit dhe
fshatit, iu kundërvu deri në mohim rendit në fuqi,
akuzoi fashizmin, stigmatizoi klerin, artin zyrtar dhe arriti të
japë një tablo realiste të viteve '30 .
Në krijimtarinë e tij, për herë të parë
përftohen figura dhe portrete të plota e shumë të
fuqishme të malësorit e punëtorit, të gruas
shqiptare e cila ishte viktimë e një shfrytëzimi
të dyfishtë.
Revolta e hapur, vuajtjet e thella, dhe optimizmi janë tipare
karaktristike të poezisë së tij, e cila shquhet për
konceptimin dhe sistemin origjinal të figuracionit. Kurse në
prozë ai u shfaq si mjeshtër i portretizmit dhe i dhënies
së psikologjisë së tipave të ndryshëm,
që përfaqësojnë shtresa e klasa të ndryshme.
Si në poezi dhe në prozë, ai solli një satirë
shoqërore e politike të fuqishme. Në poezi ai trajtoi
vjershën dhe poemën pa subjekt me varg të lirë,
që shquhet për mendimin sintezë dhe sistemin figurativ,
ku dallohet antiteza, simboli dhe alegoria. Në prozë ai
lëvroi tregimin psikologjik, skicën, prozën satirike,
që shquhet për tipat, portretet, dialogun, monologun,
ritmin e veprimit, mendimin energjik dhe gjuhën e gjallë.
|
 |  |
 |  | |  |  |
 |  | |  |  |
|
 |
|