 |  |
Hyrje
Mihal Gramenoja është nga ata shkrimtarë të
vitëve të fundit të Rilindjes që luftuan
për çështjen kombëtare dhe me pushkë.
Atdhetar i flaktë, ai solli në shkrimet e tij mbresa
të drejtpërdrejta nga lufta e popullit tonë
për pavarësi dhe, më vonë, për demokracie
përparim. Lindi më 1871 në Korçë,
në një familje me ndjenja atdhetare. Në vendlindje
mori edhe mësimet e para. Ende i vogël, për
nevoja ekonomike mori udhën e kurbetit, në Rumani.
Aty u lidh me lëvizjen atdhetare dhe më 1889 u zgjodh
sekretar i shoqërisë "Drita". Me vullnet
dhe këmbëngulje punoi për të zgjeruar
horizontin e tij kulturor. Botoi vjersha dhe artikuj në
shtypin e kohës. Më 1907 ishte antar i çetës
së Çerçiz Topullit dhe luftoi pothuajse
në të gjithë Shqipërinë e Jugut.
Xhonturqit e burgosën disa herë. Mori pjesë
në Kongresin e Manastirit dhe më 1912 në Shpalljen
e Pavarësisë. Pas këtij viti mbrojti me forcë
shtetin shqiptar.
Gjatë viteve 1915-1919 jetoi në Amerikë, ku
bëri punë të palodhur në lëvizjen
e atdhetarëve shqiptarë të atjeshëm. Përfaqësoi
shqiptarët e Amerikës në Konferencën e
Paqes në Paris.
Në vitet 1921-1924, si publiçist mbrojti idealet
demokratike. Pas dështimit të Revolucionit të
Qershorit, i sëmurë, e i dëshpëruar, u
tërhoq nga lëvizja shoqërore.
Vdiq në Korçë më 1931. Për meritat
e shquara në dobi të atdheut, i është
dhënë titulli "Hero i Popullit".
Veprimtaria letrare e Gramenos kap një çerek shekulli
(1900-1925). Mihal Gramenoja është një ndër
novelistët e parë të letërsisë sonë.
Novelat e tij u hapën rrugën romaneve të para
shqiptare. Ai shkroi novelat "Oxhaku" (1909) dhe
po atë vit "E puthura" dhe "Varri i Pagëzimit".
Tek "Oxhaku" dhe "E puthura" trajton çështjen
e pabarazisë shoqërore si burim fatkeqësish
në jetë. "Varri i pagëzimit" paraqet
luftën e pamëshirshme që bëri kleri reaksionar
grek kundër mësimit të gjuhës shqipe.
Në përgjithësi novelat e tij kanë natyrë
sentimentale. Tek ato gjejmë përpjekje për
të krijuar mjedise të besueshme shqiptare dhe personazhe
nga klasat e shtresat e ndryshme të shoqërisë
sonë të asaj kohe. Libri me kujtime "Kryengritja
shqiptare" (1925) zë vend të veçantë
në krijimtarinë e Gramenos. Në pjesën
e parë flet për çetat kryengritëse,
për luftimet dhe punën propaganduese të çezës
së Çerçiz Topullit, bën portrete të
qëlluara luftëtarësh e njerëzish të
thjeshtë të popullit. Në prozën e Gramenos
nuk mungojnë edhe pjesë me nivel të kënaqshëm
artistik, përshkrime dhe dialogje të gjalla.
M.Gramenoja ka botuar dy vepra dramatike: komedinë "Mallkimi
i gjuhës shqipe" (1905) dhe dramën "Vdekja
e Pirros" (1906), të dyja janë shkruar në
vargje.
Komedia "Mallkimi i gjuhës shqipe" trajton
luftën e atdhetarëve shqiptarë kundër
klerit reaksionar grek dhe elementëve grekomanë;
te "Vdekja e Pirros" trajtohet kthimi i Pirros fitimtar
nga Italia dhe vrasja e tij me të pabesë. Veprat
dramatike të Gramenos vuajnë nga fragmentizmi dhe
mungesa e veprimit. Megjithatë së bashku me veprat
dramtike të Çajupit e të Fan Nolit, ato i
çelën rrugën dramaturgjisë shqiptare.
M.Gramenoja shkroi edhe vjersha të cilat i botoi më
1912, të përmbledhura në librin me titull "Këngëtore
shqipe - Plagët". Bien në sy vjershat atdhetare
që i kushtohen lëvizjes kryengritëse. Disa
prej tyre, si: "Për Mëmëdhenë",
"Uratë për liri", "Lamtumirë",
me patosin kushtrues, u përhapën mjaft dhe u kënduan
edhe si këngë:
Për mëmëdhenë,
për mëmëdhenë,
vraponi, burra, se s'ka me pritë!
Të vdesim sot me besa-besë
pranë flamurit të kuq që u ngrit,
Poezia atdhetare e Gramenos u bëri
jehonë të drejtpërdrejtë ngjarjeve të
vrullshme që do të sillnin Pavarësinë
e Shqipërisë. M.Gramenoja është nga publiçistët
në zë të Rilindjes e të periudhës
që pasoi. Ai është cilësuar si një
nga pamfletistët më të njohur të së
kaluarës. Shkrimet e tij publiçistike u vunë
drejtpërdrejtë në shërbim të çështjes
kombëtare.
Drejtoi gazetat "Lidhja orthodhokse" (1909-1910)
dhe "Koha" (1911-1926), me disa ndërprerje,
dy nga gazetat më përparimtare të traditës.
Bashkpunoi edhe me shtypin tjetër të kohës.
Në shkrimet e tij Gramenoja del si përfaqësues
i anës më të vendosur e më demokratike
të lëvizjes sonë kombëtare. Ai goditi
ashpër jo vetëm pushtuesin osman, por dhe armiqtë
e tjerë të çështjes kombëtare:
klerin reaksionar grek e grekomanët, pseudoatdhetarët,
feudalë të mëdhenj e borgjezë të
pasur, të cilët i quan me tallje "syfete"
e "honxho-bonxho". Nga na tjetër, ka besim
vetëm tek vegjëlia, te populli dhe te roli i tij
në fatet e kombit. Më 1912, ai shkruante: "Kemi
besim te varfanjakët, dhe kjo opingë është
shtylla dhe shpresa e kombit shqiptar".
Në fillim të viteve `20 zgjerohen pikpamjet politike
të Gramenos. Në gazetën "Koha" ai
boton artikuj me ide demokratike dhe propagandon ngjarjet
e mëdha politike të kohës.
Një nga dokumentet më të shquara të gazetarisë
e të lëvizjes demokratike të atyre viteve është
artikulli "bashkim dhe përparim".
Shkrimet publiçistike të Mihal Gramenos shquhen
për frymën popullore, për patosin luftarak,
ironinë e sarkazëm therëse.
M.Gramenoja mbetet në letërsinë shqiptare,
në radhë të parë, si publiçist.
Shkrimet e tij dhanë ndihmesë në krijimin e
novelës e të dramës. Është ndër
autorët e parë që solli në letërsi
në mënyrë të gjerë, personazhe nga
shtresat e varfëra të shoqërisë shqiptare.
|
 |  |