 |
 |
Bagëti
e Bujqësia
O malet' e Shqipërisë
e ju o lisat' e gjatë!
Fushat e gjëra me lule, q'u kam ndër mënt dit'
e natë!
Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt' e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të
gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë që mbani ju
e ushqeni,
O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.
Ti Shqipëri, më ep nderë,
më ep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe
me zjarr.
Shqipëri, o mëma ime,
ndonëse jam i mërguar,
Dashurinë tënde kurrë zemëra s'e ka harruar.
Kur dëgjon zëthin e s'ëmës
qysh e le qengji kopenë,
Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë
vetë,
E ta trëmbin, ajy s'kthehet, po shkon në mes si
shigjetë,
Ashtu dhe zëmëra ime më le këtu tek jam
mua,
Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset e tua.
Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në
verë,
Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m'erë,
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija.
Atje lint diell' i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat' i bardh' e mirësija në atë vënt janë
mbluar;
Nat'atje'shtë tjatrë natë edhe dita tjatër
ditë,
Në pyjet' e gjelbëruar, atje rrinë perënditë.
Mendje! merr fushat e malet, jashtë,
jashtë nga qyteti,
Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.
Tek këndon thëllëza
me gas edhe zogu me dëshirë,
E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,
Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të
jem,
Bashkë me shpest edhe unë t'ia thërres këngës
e t'ia them;
Të shoh kedhërit' e shqerrat, deshtë, cjeptë,
dhëntë, dhitë,
Qiellin' e sbukuruar, dhenë me lul'e me dritë.
Vashë bukurosh'e bariut! që
vjen me llërë përveshur,
Me zemërë të dëfryer e me buzëzë
të qeshur,
Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe
vetë,
Në sythit tënt e shoh gazë, që s'e kam
gjetur ndë jetë.
Dashi sysk e me këmborë, q'e ke manar, po të
vjen pas,
Dhe qeni me bes' i larmë të ndjek me dëshir'
e me gas.
Dashç Perëndinë, pa më thua, a mos na
pe bagëtinë?
- Pash' atje pas më të gdhirë,... ja atje përtej
tek vinë!
O! sa bukuri ka tufa! Sa gas bije
bagëtija!
Vinë posi mblet' e plotë! I bekoftë Perëndija!
Nëpër shesh' e nër bregore janë përhapurë
shqerrat,
E kecërit nëpër rripat dhe në gjethet
e në ferrat;
Sa me vrap e me gas bredhin edhe lozin shok me shok,
Aty përhapenë me nxit aty mblidhenë prapë
tok,
Edhe prapë tufë-tufë përhapenë duke
bredhur,
Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur.
Nxitojn' e s'lodhenë kurrë edhe, kur i merr urija,
Secili futet në tufë, suletë ne mëm' e
tija,
Posa gjen mëmën e dashur edhe me vrap i hyn në
gji,
Rri më gjunjë dhe zë sisën e qumështin
e ëmbël pi;
Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë a ndo
dele,
Bir' e vetëm e merr në gji me gas e me përkëdhele.
Sa të mirazë ke dhënë,
Zot i math e i vërtetë!
E ç'nom të bekuar vure për çdo gjë
q'është në jetë!
Sa më pëlqen blegërima,
zër'i ëmbël' i bagëtisë,
Qëngji edhe kec'i bukur, që rri më gjunj' e
pi sisë!
Përhapurë bagëtija nëpër sheshe,
nëpër brinja,
Nër lajthi e nëpër dushnja, ndër murriza,
në dëllinja;
Bijen zilet' e këmborët e fyelli e xhuraja,
Dheu bleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja,
Edhe gjithë gjë e gjallë ndjen në zemër
një dëshirë,
Një gas t'ëmbël' e të shumë, o! sa
bukur e sa mirë!
Pelën e ndjek mëz'i bukur, lopës i vete viçi
pas,
Dellëndyshja punëtore bën folenë me të
math gas,
Ogiçi ikën përpara, i bije tufës në
ballë,
Me zemër të çelur shumë vete si trimi
me pallë,
Zoqtë zënë këng' e valle dhe po kërcejn'
e këndojnë,
E nëpër dega me lule si ëngjëllit fluturojnë,
Larashi ngrihet përpjetë, thua q'i shpie Perëndisë
Një lëvdatë të bekuar për gëzimt
të gjithësisë,
Qielli sa ësht' i kthiellt
e sa është sbukuruar!
E dielli sa ndrin bukur mbi lulet të lulëzuar!
Gjithë këto lule ç'janë, që u ngjallë
menjëherë?
Ngaha qielli ke xbritur? Ver', o e bukura verë!
Çdo lulezë ka me vehte një emër e një
fytyrë,
Një bukuri, një mirësi, një shtat, nj'erë
e një ngjyrë,
Si dhe çdo dru e çdo pemë, edhe çdo
bar e çdo fletë;
Sa është e bukur faq' e dheut! S'të zë
syri gjë të metë.
Gjithë kjo bukuri vallë
nga dheu të ketë mbleruar,
A me të matht të ti' Zoti pej parajs'e ka dërguar?
Veç një njeri shoh pa
punë dhe të mjer' e të brengosur,
Të këputur, të mjeruar, të grisur e të
rreckosur;
Lipën i gjori pa shpresë, se atje e pru përtimi,
S'i ka mbetur gas në zemrë, se s'i la vënt
hidhërimi.
Eshtë njeri, si dhe neve, po epini, o të pasur,
E mos e lini të urët dhe të mjer' e buzëplasur,
Se përtimn' e zi, q'e pruri të gjorën më
këtë ditë,
Nuk' e dimë vet' e zgjodhi, apo ia dhanë Perënditë.
Edhe për një mizë, kur heq, i vjen keq njeriut
të mirë,
Zëmëra s'thuhetë zëmrë me mos pasurë
mëshirë.
Ah! edh' atje tej mbi udhë
i duket i shkreti varri,
Rrethuar me lul'e me bar, një të gjori udhëtari,
Që ka vdekur i ri shumë e ka rarë lark shtëpisë,
Mërguar nga mëm' e motrë dhe pej gjithë
njerëzisë;
Një zok i helmuar mi varrt i rri si mëmëzë
dh'e qan,
Ndarë nga të gjithë shokët edhe zi për
të mjerë mban.
Tomor! o mal i bekuar, fron i lartë,
që rrij Zoti,
Pas fesë vjetrë që kishinë shqipëtarëtë
qëmoti,
Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt' e tu ke parë
Luftëra të mëdha shumë e punë që
kanë ngjarë.
O malet' e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,
Tëmerr e frikë përhapni, përpini qiejt
e retë!
Të patundurë përjetë jini, pa, kur oshëtini,
Udhëtarit në zemër frikë të madhe
i vini;
Keni shkëmbenj, gërxhe, lisa, lumenj dhe dëborë
ndë gji,
Përsiprë lulëz' e gjethe dhe brënda ergjënt
e flori,
E ju fusha bukuroshe edhe të majm'e pëllore,
Ju sheshet e lulëzuar, ju bregore gjelbërore,
Q'u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule,
U dha bar e gjeth e veri, zoq e flutura e lule,
Zemërn' e varfërë time aty ndër ju e kam
mbluar,
Tek buron nga gjithi juaj uj'i ftoht' e i kulluar;
Jam lark jush i dëshëruar edhe s'e duronj dot mallë,
Po s'e di si dua unë do t'u shoh një herë vallë?
Të paskësha vrapn' e veriut,
të kisha krahë pëllumbi,
Nxitimn' e lumit me valë, q'ikën me vërtik
si plumbi,
E të vija në gjit tuaj, nj' ujë të ftohtë
të pinja,
Edhe nëpër ato hije një copë herë
të rrinja,
Syt' e ballit t'i xbavitnja, zëmërënë
ta dëfrenja,
Gazë, që paçë njëherë, prap'
aty ndër ju ta gjenja.
Opopo! Kshu pse më vini përpara syve pa pushim,
O ditët' e djalërisë, o moj kohëz' e të
rit tim?
O flutura krahëshkruar, që
fluturon nëpër erë,
As merr dhe zëmrënë time me vehtezë dhe
ma shpjerë
Nër malet të Shqipërisë, tek kullosën
bagëtija,
Tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë mënt'
e mija,
Ku shkon me zile të madhe ogiçi përmes lajthisë,
Pa zjen e oshëtin mali ngaha zër'i bagëtisë;
Marrënë vrapn' e nxitojnë, derdhen në
gjollë për kripë,
Dhëntë ndër shesh'e ndër brigje, dhitë
në shkëmb e në rripë.
Bariu plak krabën në dorë
edhe urdhëron të rinjtë,
E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres
përqinjtë;
Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin
tëndën e stanë,
Kush sjell gjeth e karthj' e shkarpa, sicilido ndih më
nj'anë;
Kush përvjel, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë,
kush mjel dhëntë,
Njëri merr ushqen këlyshnë, tjatëri përgëzon
qëntë.
Stopani, bër'i zi sterrë, shikon bulmetn' e bekuar,
Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë edhe punon
pa përtuar;
Udhëtar' e gjahëtorë, q'u bije udha ndër
male,
U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë,
bukëvale...
Kec'i mbeturë pa mëmë dhe i varfër' e
i shkretë
Mënt mëmënë, që ka mbetur pa bir
e pa gas në jetë.
Dëgjohet nga mez'i pyllit krism' e sëpatës
s'druvarit,
E sharrësë që bën lëndë, edhe
fyell'i shterparit.
Shterpari s'i qaset stanit, po nër
pyje bij'e ngrihet,
Nëpër maja, nër bregore, rri, këndon a
gdhënt, a shtrihet;
S'i trembetë syri kurrë, vetëm aty dit' e natë,
Nga ujku e nga kusari s'ka frik', as nga lis'i gjatë,
As nga shkëmbënjt' e nga pylli, as gogolëtë
s'e hanë,
Armëtë ka shok e vëlla, mëm' e motërë
xhuranë;
Miqt' e ti shqeratë janë, kecërit, dhitë,
dhëntë,
Cjeptë, ziletë, këmborët, deshtë
e më tepër qëntë,
Që s'flenë, po rrin' e ruajn bagëtinë
dhe barinë,
Kur e shohin, tundin bishtin dhe me gas të math i vinë;
S'e hanë njerin' e mirë edhe mikun' e udhëtarë,
Se i njohën; po të liknë, egërsirënë,
kusarë.
Vjen nata, e lë në t'errët, del hëna,
i përhap dritën,
Vjen mëngjesi, sbardhëllehet, lint' dielli, i bije
ditën.
Yjtë, hëna, dielli, shënja, lindin e prapë
perëndojnë,
Gjithë ç'lëvrijnë nër qiej, përpara
syvet i shkojnë.
Mblidhen ret' e hapësira bënetë e zezë
sterrë,
Vetëtimat e gjëmimet nisin e shiu zë të
bjerë;
Bariu vë gunën në kokë, z'eshkën
me herët të parë,
Ndes shkarpat sakaqëherë, e lisnë fryn, dhe
bën zjarrë;
Fishëllen e thërret qentë secilin me emër
veçan,
Pa, kur derdhetë Baliku, ujkun' e zë edh'e përlan,
Se bisha, që bije dëmnë, errësir' e mjergull
kërkon,
Papo bariu shum' ahere vë re dhe mba vesh e dëgjon,
Dhe sokëllin me zë të madh, tunden malet e
shkëmbenjtë,
Gumzhitin pyjet' e veshur e oshëtijnë përrenjtë!
Ësht' e lehtë dhi e stanit,
që kullot gjethen e malit,
Dhe bij'e fle majë shkëmbit e pi ujëthit e
zallit;
Dhi e shtëpis' ësht' e plokshtë, fle në
vath' e nënë strehë
E pi ujët e rrëkesë edhe shtrihetë në
plehë;
Esht' e butëz' edh'e qetë dhe e urtë si manare,
Nuk' është si malësorja, andaj i thonë
bravare.
Në fshat, posa sbardhëllehet,
sheh një plakëzë të gjorë,
Ngrihet, hap derën ngadalë, e del me kusi në
dorë,
Rri në derëzët të shtrungës, dhe
djali duke dremitur
I nget bagëtin' e delen, i mjel plakëz' e drobitur.
Plaku lë shkopnë mënjanë e bën gardhin
a zë shteknë,
Bariu vë tufën përpara, vasha përkëdhel
sheleknë,
Nusja fshi e ndreq shtëpinë edhe bën bukën
e gjellën,
I shoqi sheh kanë, lopën, viçnë, demnë,
kalën, pelën,
Mushkën, që ësht' e harbuar edhe bashkë
me gomarë
Rrahënë të hedhin murë, të hanë
bimën a barë.
Një grua vete në krua, e tjatëra zë të
tuntnjë,
Një sheh pulat, miskat, rosat, dhe tjatëra bën
çtë muntnjë.
Na hyjnë shumë në
punë kafshëtë dhe bagëtija,
Na i dha në këtë jetë shok' e ndihmës
Perëndija.
Të mos ishte gjë e gjallë, njeriu s'rronte
dot në jetë,
Do të vdiste nga uria, do t'ish lakuriq e shkretë;
Gjë e gjallë na vesh, na mbath dhe na ushqen e na
zbavit,
Kur shtohet e vete mbarë; jetënë tën'
e përsërit.
Edhe dheu, që na ep drithë, sido ta kemi punuar,
Nukë pjell mirë si duam, po s'e patmë plehëruar.
O shokëtë e njeriut, Zoti u shtoftë e u bekoftë!
Dhe shpirti im mik përjetë, sindëkur ka qën'
u qoftë.
Kafshët, edhe bagëtinë, që u ka kaqë
nevojë,
Njeriu duhetë t'i shohë, t'i ketë kujdes, t'i
dojë.
Të mos t'i mundojmë kurrë, po si fëmijë
t'i kemi,
Eshtë mëkat edhe fjalë të ligë për
to të themi.
Dellëndyshe bukuroshe, që
thua mijëra fjalë,
Dhe të k'ënda vahn' e lumën, që vjen me
vrap e me valë,
A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen prej Çamërie
Me këto mijëra fjalë e me gluhë perëndie?
Apo vjen nga Labëria, pra më duke kaqë trime,
Edhe fjalëtë që thua më gëzojnë
zëmrën time,
Q'është thyer, bërë posi një pasqyrë,
Duke këputur nga cmagu, që s'e kanë vartur
mirë,
Apo vjen nga fush'e Korçës, nga vënd'i mir'
e i gjerë,
Prej zembrësë Shqipërisë, që del
gjithë bot' e ndjerë?
A më vjen prej Malësie, prej Skrapari, prej Dobreje,
Nga Vijosa, nga Devolli, prej Vlor' e prej Myzeqeje?
Të mundja të fluturonja
e të kishnja krahë si ti,
Me gas të math do t'i vinja Shqipërisë brënda
në gji!
Për me marrë drejt Shkumbinë edh' Elbasan'
e Tiranën,
E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën,
Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë,
Ipek e Jakovën,
Mat' e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit' e Tetovën;
Krojënë e Skënderbegut, q'i ka pas dhan ner
Shqypnisë,
Tue bam me trimni luftë, e m'e munt kren e Tyrqisë.
Durrës, o qytet i bukur, që
je kërthiz' e mëmëdheut!
Edhe ti Leshi me emrë, që ke eshtrat e Skënderbeut!
Burrat tuaj aqë trima do ta lenë vall' Ulqinë
Edhe gjithë shqipëtarët ta mbanjë armiku
ynë?
Nukë më ngjan e s'e besonj, kam te zoti shumë
shpresë,
Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të
mbesë.
Dua të dal majë malit,
të shoh gjithë Arbërinë,
Vëllezërit shqipëtarë, që venë
në pun' e vinë,
Burrat trima me besë dhe shpirtmir' e punëtorë,
Dhe fushatë gjithë lule e malet me dëborë.
O fushazëtë pëllore,
që m'ushqeni Shqipërinë,
Do të këndoj bukurinë tuaj edhe bujqësinë.
Ti perëndi e ligjërisë,
që rri në malt të Tomorit,
Unju posht' e më ndih pakë, o motra im'e të
gjorit!
Më ke leshrat të florinjta e të ergjëndtë
krahrorë,
Ball' e gush' e faq'e llërë dhe këmb' e duar
dëborë;
Sikundër do malësorët dhe pyjet e bagëtinë,
Duaj edhe fusharakët dhe arat' e bujqësinë,
Edhe ti, o mëmëz' e dheut,
q'i fale dheut aq' uratë,
Sa pjell mijëra të mira e kurrë s'mbetetë
thatë,
I dhe lul'e bar e gjethe, bim' e drith' e pem' e drurë,
Mblodhe gjithë bukuritë edhe kanisk ia ke prurë.
Të keqen, o symëshqerë,
shikomë një herë në syt!
Si lulet' e si bilbili edhe unë jam djali yt.
Gjithë këto farë
lulesh e këtë të bukur erë,
Këtë mblerim, këto gjyrë vallë nga
ç'vent'i kesh nxjerrë!
O sa e madhe bukuri! As më thua ku e more!
O bukuroshe, t'u bëfsha, ngaha gjiri yt e nxore?
Apo me dorët të bukur e more nga gjir'i Zotit,
Nga qielli, nga parajsa, nga prehër' e plotë i motit?
Kudo shkel këmbëza jote, gëzohet vendi e mbleron,
Tekdo heth sythit e qeshur, bukuri' atje lulëzon!
Ti zbukuron faqen' e dheut, ti do
e ushqen njerinë,
Më të gjallë, dhe pas vdekjes e pret duke hapur
gjinë!
Vjen dimëri, t'i than lulet, ti me një frym' i ngjall
prapë,
Napënë q'u heth përsiprë, ua heq me ver'
e me vapë.
Bujkun e zgjuan me natë edhe
vë përpara qetë,
Nisetë pa zbardhëllyer për punëzët
të vërtetë;
Mer pluarin e parmëndën, zgjedhën, tevliknë,
hostenë,
Kafshën, farën, shoknë, bukën, trajstënë,
lakrorë, qenë...
Shërbëtor'i mëmës' së dheut, q'e
ka zëmrënë plot shpresë,
Del kur hapet trëndafili dhe bari ë'shtë gjithë
vesë;
I falet Zotit t'vërtetë dhe zihet nga pun' e mbarë,
Zëmërzën e ka të bardhë dhe të
qëruar e të larë.
Pa lodhur e pa këputur, pa
djersë e pa mundime,
Njeriu i gjorë në jetë nukë gjen dot as
thërrime,
Si të punosh dit' e natë e të bësh ç'duhenë
gjithë,
Ahere kërko nga Zoti të t'apë bukëz' e
drithë.
Njeri, puno, mos pusho kurrë
dhe lark nga makutërija,
Zëmërnë kije të gjerë, mos ki keq,
pa t'ep Perëndija.
Puna ka duk e uratë, Zot'i
math e ka bekuar,
Njerinë mi faqet të dheut e dërgoi për
të punuar.
Ver' o e bukura verë, që
na vjen nga i madhi Zot
Me mirësi, me bukuri, me gas të math, me duar plot,
Sindëkur çel trëndafilë, e i fal bilbilit
zënë,
Ashtu na bije nga qielli një gas në zëmërt
tënë.
Zot'i e i vërtetë për
të ushqyer njerinë,
Për të zbukuruar dhenë, për të shtuar
mirësinë,
I dha zjarr e flakë diellit, i fali dhe shinë resë,
Bëri dimërin e verën dhe zemrës son' i
dha shpresë.
Për të arriturë rrushnë
ç'ka punuar Perëndija,
Qielli, dheu, dielli, shiu, njeriu, tërë gjithësija!
S'është çudi pse na dëfren ver' e bukur
zemrën tënë;
Ç'ka punuar Perëndija edhe njeriu, sa e bënë!
Ju shokë, kur pini verën, mos dehi, mos zëmërohi,
Mos u zihni, mos u shani, mos lëvdohi, mos qërtohi,
Se përçmoni Perëndinë, q'i ka falur
hardhisë rrush,
Edhe kërkon dashurinë e ndodhet fshetazi ndaj jush;
Po gëzohi, prehi, qeshni, duhi, zbaviti, dëfreni,
Flisni fjalë të pëlqyer, loni, këndoni,
kërceni,
Bëjeni zëmrën të gjerë edhe shtoni
dashurinë,
Mirësinë, njerëzinë dhe besën e miqësinë,
Se në breng' e në të keqe, në punë
e në të pirë,
Mirretë vesh njeriu i lik, njihetë njeriu i mirë.
A e shihni gjithësinë,
yjtë, Diellinë, Hënën,
Dhenë, erën, retë, kohën, Kashtën'
e Kumtërit, Shënjën,
Si janë përveshur gjithë edhe lëçijn'
e punojnë,
Njëri-tjatërit i ndihin, ashtu punën e mbarojnë.
Në mest të këti rrëmeti, të punëtorëve
shumë,
Njeriu duhet të lëçinjë, apo të
bjerë në gjumë?
Mundohetë punëtori, po
në zemërzët të qetë
Sa gas të math ndjen, kur njëra që heth, i
pjell dymbëdhjetë!
Kur e sheh kallin' e plotë të kërrusurë
nga barra,
Dhe parajsën e vërtetë të çfaqurë
nëpër ara,
Kur heth lëmën e mbleth toknë, ndan bukn' e
kashtën mënjanë,
U heth kuajve e qevet, që janë lodhur, të hanë,
Kur e përmbush plot shtëpinë me drith' e me
gjë të gjallë,
Shtrohet me uri në bukë e ha me djersë në
ballë.
Sheh pjergullnë, manë,
fiknë, thanënë, arrën, ullinë,
Mollën, dardhën, pjeshkën, shegën, vadhënë,
ftuan, qershinë,
Kumbullatë, zerdelinë, ngarkuar me pemë gjithë,
Oborrë plot gjë të gjallë, shtëpinë
mbushur me drithë,
Dhe zëmëra i gëzohet, pa i faletë Perëndisë,
Q'e çpërblen punën e djersën e mundimn'
e njerëzisë.
Qysh rroit mblet' e uruar dhe ven'
e vin e lëçijnë,
Ca havllinë ndërtojnë, ca nëpër lule
shëndijnë.
O ç'punë me mënt punojnë, sa bukur e
bëjn' e mirë!
N'apin dyllëtë, q'ep dritë, dhe mjaltë
thjesht' ëmbëlsirë.
Dhe punëtorët' e mirë m'atë mënyrë
punojnë,
Edhe gjithë njerëzija me mundimt t'atyre shkojnë;
Njëri mih, tjatëri lëron, njëri mbjell,
tjatëri prashit,
Kush t'harr, kush korr, kush mbledh duaj, kush shin, kush
sharton, kush krasit,
Një bën pluar' e sëpatën, një parmendën,
një shtëpinë,
Një pret e qep, një merr e ep, një mbath, një
shikon mullinë,
Çdo njeri një farë pune bën në
mest të shoqërisë,
Kjo ësht' udh' e Perëndisë, ky është
nam i gjithësisë.
Edh' ajo miza përdhese, ç'i duhetë për
të ngrënë,
Eshtë rrahur e përpjekur e me kohëz' e ka vënë.
Ka një punë të punonjë si çdo gjë
q'është në jetë,
Kshu e ka thënë me kohë Zot'i math e i vërtetë.
Bujku mundohet në verë,
po në dimër rri e prëhet,
Sheh shtëpizënë më kamje, edhe zëmëra
i bëhet,
Gratë të gjitha punojnë n'avlëmënt
e në të tjera,
Edhe jashtë fryn e bije, por kur na trokëllin dera:
Eshtë nj'udhëtar i gjorë, që ka mbetur
në dëborë,
I kanë ngrirë të mjerit vesh' e goj, e këmb'
e dorë;
Ngrihet i zot'i shtëpisë edhe të huajthin e
merr,
E vë në kryet të vatrës me njerëzi,
me të math nder,
Posa e shohënë që vjen, i ngrihen gjithë
fëmija,
Se të huajnë më derë na e dërgon
Perëndia,
Pa i bëjnë zjarr e ngrohet edh'e mbajnë me
të mirë,
I sjellin shtresë të flerë edhe të ngrën'
e të pirë.
Kështu të huajt' e miqtë
njeriu q'është i uruar
I pret me krahëror hapur e i përcjell të gëzuar.
Në verë që çelen
lulet, qielli ndrin si pasqyrë,
Sbukurohetë faq'e dheut e merr mijëra fytyrë;
Pa ngjallenë më çdo lule, më çdo
bar e më çdo fletë
Gjëra të gjalla me mijë, rroitin nga dheu si
mbletë.
Shpest' e mizatë këndojnë
e kuajtë hingëllijnë,
Lulet' e bukura m'erë si ar e si flori ndrijnë,
Bujku nget pëndën e lëron, mbjell a bën
gati ugarë,
Kalorësi i shkon njatë dhe i thotë -- puna
mbarë --
Papo merr anën e lumit me zëmërë të
gëzuar,
Këndon, fishëllen e vete ngadalë, duke mejtuar;
Vë re lumën e kulluar, që ikën me ligjërime,
E ndër ment të ti i bije ca t'ëmbla shumë
mejtime.
Vashazëtë bukuroshe, posi shqerratë manare,
Si kapërollet e malit, si thëllëzatë mitare,
Venë të lajnë në lumë gjithë
tok duke kënduar,
Me gas në sy e në buzë e me lulezë nër
duar;
Përveshin llërët' e bardha dhe të majm'e
të perndijta,
Pulpazëtë bukuroshe e këmbëzët' e
kërthijta.
Dallëndyshja që fluturon e ndehetë përmi
lumë,
U afrohetë si mike e u thotë fjalë shumë,
Dhe mëshqer' e përkëdhelur vjen në lumë
të pij' ujë,
A të prëhetë në hije, a të bënjë
gjë rrëmujë.
Bari, bima vatur më bres e
bujku shum' i gëzuar,
Si bariu kur merr kërthinë edh'e përkëdhel
ndër duar.
Bilbili ia thotë bukur, lumi
vete gjithë valë,
Ep erën e Perëndisë trëndafili palë-palë.
Veç një vashëz'
e mjerë qan të motrënë, q'e ka lënë,
O! është mbuluar në dhe vashëza fytyrëhënë!
Mëma dhe motëra mbetur në zi e në vaj
të shumë,
Dhe shqerra manarez' e saj, e përzieshmez' e për
lumë!
Të këput shpirtinë plaka, kur zë dhe nëmëron
e qan,
Ah, i ziu njeri në jetë sa heq e sa duron e mban!
Vashën vërtet e mbuluan,
po shpirt'i saj në qiej shkoi,
Hapi krahëthit e lehtë, në hapësirat fluturoi;
Bukuri e saj u përzje me bukurizët të prillit,
Me fjalëzët të bilbilit, me erët të
trëndafilit,
Gjësendi s'humbetë kurrë e gjë s'vdes
me të vërtetë,
Mase ndryshohenë pakë, po janë në këtë
jetë;
As shtohet, as pakësohet, as prishetë gjithësija,
Vdesën e ngjallenë prapë si gjith' edhe njerëzija.
Këtu janë gjithë ç'janë e gjithë
ç'gjë munt të jetë,
Engjëllitë, Perënditë dhe ajy Zot'i vërtetë!
Se një trup e një shpirt është gjithësia,
që s'ka anë,
Të gjallë edhe të vdekur gjithë brënda
në të janë.
Perëndija njerin' e parë
e mori prej dore vetë,
E zbriti mi faqet e dheut, q'ish me lulez' e fletë,
Më të drejtënë të themi, mbi faqet
të dheut e ngriti,
E bëri të zotthin' e dheut edhe kështu e porsiti:
Nga kjo baltë të kam bërë,
rri këtu, më paç uratë,
Mos u loth e mos psho kurrë, po përpiqu dit' e natë,
Sheh si punon gjithësija? Ashtu të punosh edhe ti,
Të mos rrish kurrë pa punë e të vësh
duartë në gji.
Mos u bëj i lik e i keq, i paudh' e i pabesë,
I rrem, i ndyrë, i dëmshim, i rënduar e pa
shpresë,
Mbërohu nga të këqijat, prej çdo farë
ligësije,
Prej nakari, prej lakmimi, prej vjedhjeje, prej marrëzije,
Mos vra, mos merr tek s'ke vënë, edhe ki nam dashurinë,
Bes' e fe ki urtësinë, të drejtënë,
mirësinë.
Në bëfsh mirë, liksht s'gjen kurrë, po,
në bëfsh liksht, mos prit mirë,
Ki dëshirë për të mirë dhe në
zemërë mëshirë,
Ji i but', i urt', i vyer e mos u bëj kurrë makut,
I egër e i mërzitur dh'i mahnitur si madut,
Mos ju afro dhelpërisë, po së drejtësë
iu nis pas;
Në dëgjofsh fjalët' e mija, do të jesh
gjithënjë në gas.
Nga gjithë ç'pat gjithësia,
të kam dhënë dhe ty pjesë,
Në u bëfsh si them, i mirë, emr'i math do të
të mbesë.
Të kam dhënë mënt të mësosh,
të vërtetën me të ta shohç,
Dhe zëmër' e vetëdijë, të mir' e
të drejtën ta njohç,
Do të të lë dhe nevojën, udhën të
të tregonjë,
Të të ndihnjë më çdo punë,
të të mësonj' e të të zgjonjë.
Gjithë të mirat që janë, këtu në
dhet i kam mbuluar,
Po gjësendi në shesh s'nxjerr dot pa dirsur e pa
munduar;
I gjen të gjitha me kohë, po rrëmo thell' e
më thellë,
Ç'do gjë që të duhet, kërkoje,
barku i ti do ta pjellë.
Sa gjërërazë të vlera do të gjesh
ti këtu brenda,
Edhe përsipërë soje, e sa do të t'i ket
ënda!
Me fuqit që të kam dhënë,
them që të vinjë një ditë
Të marrç udhën e së mirës e të
gjesh të madhe dritë,
Të marrç vesh dalëngadalë sa punëra
që kam bërë,
Diell, hënë, yj, dhe, qiej e gjithësinë
të tërë!
Po që u bëre i urtë,
mua më ke afër teje,
Ndryshe, qofsh i mallëkuar edhe mërguar prej meje!
Të parit tënë perndia
këto fjalë vetëm i tha,
I fali gjithë të mirat, i dha uratën dhe e
la.
Det i p'an'i mirësisë, q'emrin tënd s'e zë
dot ngoje,
Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë
nevoje!
Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë;
Epu sheshevet lul' e bar dhe pyjevet gjeth e fletë,
Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të
metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie,
zë bilbilit,
E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë,
Dërgo dhëmbj' e kujdes për to në zëmërt
të njerëzisë;
Epi pjergulls' e vreshtit rrush dhe vozësë fali
verë,
Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë
mos e lerë;
Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë,
Edhe detit uj' e kripë, gjithësisë jet e ditë.
Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të
punojnë,
Të dëfrejn' e të gëzohen dhe si vëllezër
të shkojnë.
Tregomu dhe shqipëtarët
udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh' e lirisë,
Udhën e vëllazërisë, vahn' e gjithë
mirësisë.
Nxirr të vërtetën
në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjeshtëra
të pushonjë.
|
 |
 |