Çështje ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit


Nënkol. Prof. As. Dr. Pjetër Hidri
Nënkol. Ahmet Leka

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u mbajt më 10 qershor 1878, tre vjet pas fillimit të krizës së re Lindore. Jeta dhe veprimtaria tre vjeçare e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 1878-1881 përbën një nga epopetë e mëdha e të lavdishme të popullit e të kombit shqiptar. Me veprimtarinë e shumëanshme, energjinë dhe luftën e saj, ajo shënoi një nga faqet më të ndritura në historinë e popullit tonë.
Vendimet dhe planet e Lidhjes synonin organizimin tërësor të forcës së mundshme luftarake të popullit shqiptar. Së pari, me përpjekje këmbëngulëse ajo mundi t`i shkëpusë Portës së Lartë të drejtën për mobilizimin e forcave vullnetare të vetmbrojtjes nga agresionet e ushtrive fqinje. Së dyti, me mënyrën e organizimit të vetë, ajo synoi dhe zbatoi masa për të mënjanuar skemat dhe shabllonet e ngurta organizative ushtarake feudale, të cilat kufizonin si në sasi dhe në cilësi forcën ushtarake të veprimtarisë sè saj. Lidhja synoi të bënte një organizim tërësor ushtarak, i cili do t`i fuste format e luftimit në binarët e veprimtarisë së rregullt dhe do t`i ngrinte në shkallën strategjike, por duke mbajtur parasysh dhe duke u mbështetur në format organizative popullore e tradicionale. Në këtë kuptim ajo përvijoji edhe përvojën e mirë luftarake të së kaluarës.
Parashikimi i sasisë së forcave të gatishmërisë u bë në varësi me shkallën e rrezikut dhe të forcave armike që parashikohej të kalonin në agresion, Malin e Zi i cili vuri në lëvizje thuajse të gjithë forcën ushtarake. Lidhja planifikoi 13.000-15.000 luftëtarë për ruajtje. Për ruajtjen e drejtimit Mali i Zi-Shkodër, me rreth 50-60 km gjatësi, forcat e ruajtjes arrinin në 5.000-6.000 veta. Për ruajtjen e drejtimeve verilindore dhe lindore, përballë Serbisë dhe Bullgarisë, me gjatësi rreth 200 km, u parashikua një forcë prej 6.000-7.000 vetash. Në drejtimin jugor, në sektorin e Prevezës dhe të Artës, rreth 30-40 km i gjatë, u parashikuan të vepronin forcat ekzistuese shtetërore, sepse atje një pjesë e madhe e oficerëve dhe në tërësi trupa e ushtarëve ishin shqipëtarë. Në këtë mënyrë sasia e përgjithshme e forcave të ruajtjes dhe të sigurimit luftarak, në të gjithë drejtimet e kërcënuara rreth viseve shqiptare, paraprakisht arrinte më se 25.000 vullnetarë (luftëtarë). Forcat e gatishmërisë dhe të rujatjes morën forma dhe tipare të formacioneve të rregullta. Rajonet e përqëndrimit të tyre i kthenin në kampe ushtarake, ku bëhej përgatitje dhe stërvitje luftarake, pajisej dhe furnizohej trupa, bëhej organizimi etj.
Tipar dallues i sistemit të gatishmërisë ishte edhe futja në veprim e forcave sipas një radhe të përcaktuar. Në varësi nga veprimet e kundërshtarit dhe prej largësisë së rajonit të grumbullimit të forcave, ato mund të kategorizohen, të radhës së parë ose të sigurimit luftarak; të radhës së dytë ose forcat e mbrojtjes fillestare, të radhës së tretë ose të mbrojtjes së plotë; rezervat ose përforcimet e mbrojtjes. Forcat e radhës së parë dilnin prej popullsisë së rajoneve të drejtpërdrejta, në një brez kufitar të thellë nga 10-20 km ose edhe në shumë. Numerikisht ato ishin të vogla. Në Plavë, Guci, Hot, Grudë dhe Ulqin, secili sektor kishte 300-400 veta. Në të gjithë vijën e kufirit me Malin e Zi numri i këtyre forcave arrinte në 2.500-3.000 veta.
Radha e dytë përbëhej nga forcat e rajoneve më në brendësi të vendit. Ato përfshinin një brez, që fillonte afërsisht 20 km pas kufijve të tokave shqiptare dhe shkonte prej rreth 50-80 km më në thellësi. Krijimi i formacioneve të radhës së dytë bëhej me urdhër të udhëheqjes qendrore të Lidhjes.
Forcat e radhës së tretë nxirreshin nga rajonet e brendshme ose më të thella të vëndit, si ato të Dibrës, Matit, Kavajës, Tiranës, Elbasanit, Beratit, Vlorës etj. Disa nga formacionet e kësaj kategorie, si ato të rajoneve të Dibrës, Matit, Kurveleshit, Mallakastrës, Tepelenës dhe Skaraparit, përbënin rezervat e mirëfillta strategjike. Si parim ato përforconin formacionet e radhës së dytë. Me futjen në veprim të forcës së radhës së tretë, raporti i forcave rritej së tepërmi. Sipas llogarive të përafërta, ai do të arrinte në 1.5 me 1 ose edhe më tepër, në fafvor të Lidhjes.
Lidhja e zhvilloi më tej sistemin e plotësimit e të mobilizimit, të bazuar në kriteret zakonore krahinore dhe ndërkombëtare të mëparshme. Ajo vendosi kritere normative dhe rregulluese të njesuara për krejt viset shqiptare, duke krijuar për këtë qëllim edhe një varg organesh në qendër e në bazë. Mobilizimi shtrihej në të gjithë popullsinë e Shqipërisë, pa asnjë përjashtim. Hapi i parë i mobilizimit, ishte regjistrimi i përgjithshëm. Kërkesa kryesore e këtij rregjistrimi ishte që të dilte plotësisht dhe saktësisht, siç shprehej në urdhëresën ushtarake, numri i njerëzve të aftë për të mbajtur armë. Lidhur me këtë përcaktohej se cilido qoftë dhe i çdo besimi duhej të ishte i gatshëm t`u përgjigjej në kohë mbrojtjes së atdheut. Si normë e zakonshme e mobilizimit ishte “një luftëtar për shtëpi”, por në raste dhe në vende të ndryshme, sidomos në krahinat kufitare, që u rrezikuan ose u sulmuan prej ushtrive armike, kjo normë u tejkalua duke arritur “tri burra për shtëpi” ose deri te të gjithë burrat e aftë për të luftuar. Sipas regjistrimit që bëri Lidhja, në të gjitha viset shqiptare ky plotësim përfshinte rreth 260.000 veta, që ishte baraz me 15-16 % të popullsisë. Vilajeti i Kosovës me Shkupin, Manastirin dhe rrethet e tyre, do të nxirrnin rreth 130.000 luftëtarë. Shqipëria e Jugut, prej Beratit, përfshi rrethinat e Janinës, Prevezës dhe Artës, do të nxirrte 70.000 luftëtarë. Sanxhaku i Shkodrës, së bashku me Shqipërinë e Mesme deri në Ohër, llogaritej të jepte 60.000 luftëtarë.
Në përgjithësi mobilizimi dhe plotësimi u planifikuan, madje, edhe u kryen, në periudha kohe të shkurtëra nga një deri në dy javë, kurse në raste të ngutshme edhe brenda 3-5 ditëve, siç ndodhi gjatë organizimit të mbrojtjes së Hotit e të Grudës, në prill të vitit 1880. Në programin e saj të veçantë ushtarak përcaktohej se “Kjo klasë e ushtrisë “vullnetarë” ose “Roja kombëtare”, siç quhej ajo, do të organizohej sipas rregullave të veçanta”. Detyra kryesore e kësaj ushtrie ishte ruajtja dhe mbrojtja e tërësisë tokësore të Shqipërisë. Por sistemi ushtarak i Lidhjes, duke qenë i orientuar nga vullnetarizmi dhe duke pasur mbështetje ekonomike të dobët, nuk mundi të formonte një ushtri të mirëfilltë të rregullt e të përhershme. Në kuptimin e krijimit të ushtrisë së madhe, të plotë e të mirëorganizuar, ushtria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përgjithësisht, mbeti një mundësi dhe parashikim. Sipas programit të saj u realizua vetëm mobilizimi, plotësimi dhe organizimi pjesor ose i kufizuar, për të kundërvepruar në drejtimet e kërcënuara e të veçanta.
Në përshtatje me mundësinë e mësymjes së armikut nga disa drejtime, ushtria shqiptare e parashikuar nga Lidhja do të formohej nga disa grupime të veçanta. Në udhëresën ushtarake të kësaj Lidhje përcaktohej se e gjithë fuqia e armatosur do të ndahej në pesë korpuse. Pra, ajo,do të përbëhej nga grupforca të mëdha ndërkrahinore, të cilat u quajtën ushtri krahë ose korpuse. Prej këtyre, katër do të ishin në Shqipërinë e Veriut (korpusi i Kosovës, i Novipazarit, i Shkodrës dhe i Shkupit) dhe një në Shqipërinë e Jugut.
-Korpusi i Kosovës mund të arrinte deri 70.000 veta. Ai do të kishte si detyrë të mbrohej ndaj mësymjes serbe, kurse në kuadrin e veprimeve mësymëse për çlirimin e tokave të pushtuara prej Serbisë, ai do të përbënte forcën kryesore në krahasim me korpusin e Shkupit dhe të Novipazarit. Gjthashtu, ai do të ndihmonte korpusin e Shkodrës dhe të Novipazarit në luftën kundër Malit të Zi.
-Korpusi i Novipazarit do të formohej nga 20.000 veta dhe përbënte forcën ndihmëse ose përforcuese për mbrojtjen dhe kundërmësymjen ndaj Malit të Zi dhe Serbisë.
-Korpusi i Shkupit mund të arrinte deri në 40.000 vetë dhe përgjigjej për mbrojtjen në drejtimin strategjik lindor.
-Korpusi i Shkodrës, duke u plotësuar edhe me kontigjente nga rrethet e Tiranës, Elbasanit, Ohrit, Matit dhe Dibrës mund të arrinte deri në 60.000 luftëtarë dhe përbënte forcën kryesore për mbrojtjen dhe kundërmësymjen në drejtim të Malit të Zi.
-Korpusi i Shqipërisë së Jugut do të formohej nga 25-30 grupe luftëtarësh që llogariteshin afërsisht 70.000 veta. Detyra e tij ishte mbrojtja kundër agresionit grek. Si rrjedhojë, numri i njësive të secilit korpus ishte i ndryshëm. Kështu, në korpusin e Kosovës e të Shqipërisë së Jugut, mund të formoheshin 15-18 brigada këmbësorie, në atë të Shkodrës deri 14-15 brigada këmbësorie, në të Shkupit deri 8-9 brigada këmbësorie dhe në Novipazar deri 5-6 brigada këmbësorie. Si njësi strategjike, korpusi mund të plotësohej e të formohej pjesërisht ose edhe plotësisht në varësi me situatat. Për mbrojtjen e drejtimeve strategjike të tjera, u bënë plotësime të pjesëshme. Kështu, për Plavën dhe Gucinë, për Hotin dhe Grudën u plotësuan 2-3 brigada ose afërsisht nga një divizion në secilin drejtim. Në tërësi formacionet e plotësuara në të gjitha drejtimet strategjike, të marra së bashku arritën afërsisht 40.000 veta, prej të cilëve 9.000-10.000 në Plavë e Guci, deri 12.000 në Hot dhe Grudë, rreth 3.000 në Ulqin, rreth 5.000 në Shqipërinë e Jugut dhe po kështu 7.000-8.000, në vitin 1881 në luftën e kundër osmane.
Si korpusi edhe njësitë taktike, që do të hynin në përbërje dhe në varësi të tij, ishin të përkohëshme. Ato mund të plotësoheshin e të qëndronin në këto përmasa aq kohë sa do të zhvillohej lufta dhe me efektiv të zvogluar për aq kohë sa do të vijonte kërcënimi dhe duhej mbajtur gatishmëria luftarake. Efektivi i plotë i regjimentit do të ishte 2.000 veta, ndërsa i brigadës 4.000 veta. Por, në rast nevojash të ngutshme, ata mund të ishin edhe më të vogla, batalioni 300 veta dhe brigada 2.500 veta. Me këtë parashikim Lidhja bënte hapa konkrete për hedhjen e themeleve organizativo-ushtarake të rregullta dhe për një përgatitje dhe drejtim ushtarak me baza shkencore.
Organizimi ushtarak më i lartë i Lidhjes ishte seksioni i financave dhe i mbrojtjes. Ky seksion mori formën e një Këshilli dhe Shtabi ushtarak madhor dhe, si i tillë, veproi deri në prill 1881, kur Lidhja Shqiptare e Prizrenit u shtyp me dhunë nga ushtria osmane. Seksioni i mbrojtjes ishte i ngarkuar me detyrat e hartimit të planeve dhe urdhërave për mobilizimin dhe plotësimin e formacioneve të armatosura, të organizimit dhe të kontrollit të gatishmërisë, të drejtimit të bashkërendimit të veprimeve luftarake strategjike për gjithë vendin etj. Por sfera e veprimtarisë së tij drejtuese u shtri thuajse vetëm ne Shqipërinë Verilindore, Kosovë, Rrafshin e Dukagjinit, Lumë, Dibër, Shkup dhe kryesisht për përgatitjen dhe organizimin e luftimeve mbrojtëse në ato vise. Përbërja e këtij organi ishte e vogël dhe e thjeshtë. Ai kishte një kryetar, Sulejman Vokshin, pak anëtarë dhe personelin ose disa “nëpunës” të shërbimit të financës dhe ndërlidhjes. Në këtë mënyrë, megjithëse ai ishte një Organ i Udhëheqjes Qendrore të Lidhjes mbeti në nivelin e një grupi drejtues operativ. Organe drejtuese politike dhe ushtarake në një shkallë më të vogël ishin edhe “Komitetet e Mbrojtjes” të degëve kryesore të Lidhjes. Këto komitete që morën formën dhe patën funksione kryesisht ushtarake, morën përsipër barrën e organizimit dhe drejtimit të luftës mbrojtëse. Ato, nga gjiri i tyre, nxorrën edhe shtabe ushtarake të posaçme. Në Vilajetin e Kosovës ky shtab u përbë nga shumë prijës popullorë dhe shqiptrarësh kuadro ushtarakë në ushtrinë osmane. Kryetar tij u caktua Ali Pash Gucia.
I tillë ishte “Komiteti luftës”, formuar prej 37 anëtarësh në Vilajetin e Janinës në shtator 1879 për të bërë përgatitjen dhe organizimin ushtarak në krahinat e Shqipërisë së Jugut. Po kështu, në Vilajetin e Shkodrës, komiteti ndërkrahinor i mbrojtjes formoi shtabin ushtarak me kryetar Hodo Sokolin, ish-kolonel i karrierës në ushtrinë osmane. Në kuadrin e sigurimit material, problemi kryesor u bë furnizimi dhe pajisja me armatim dhe municion i formacioneve luftarake. Lidhja kërkoi të siguronte shumë armë të reja këmbësorie. Vetëm kontigjenti i parë i pushkëve të kërkuara për nevojat e mbrojtjes së Shqipërisë së Jugut ishte 20.000-30.000 copë. Po kështu nga Kosova, Shkodra, Dibra dhe krahina të tjera, u kërkuan sasira të mëdha armësh. Për plotësimin e nevojave të mbrojtjes së vendit udhëheqja e Lidhjes parashikoi edhe rrëmbimin me forcë të armatimeve nga depot shtetërore dhe ushtarake osmane. Një nga masat e para për sigurimin e armëve që mori Lidhja ishte ndalimi i qarkullimit të armëve nga administrata shtetërore turke si brenda Shqipërisë, ashtu edhe nxjerrja e tyre jashtë viseve shqiptare.
Një bazë furnizimi me armë dhe municione ishin qendrat tradicionale shqiptare të prodhimit e të riparimit të armëve të zjarrit, të armëve të ftohta dhe municioneve. Të tilla ishin Shkodra, Prizreni, Tetova, Gjakova, Peja, Dibra, Mati, Lezha, Tirana, Elbasani, Vlora, Delvina, Janina, Preveza, Gjirokastra etj. Furnizimi me ushqim, pajisja me veshmbathje dhe strehimi i forcave të Lidhjes u mbështet tërësisht në burimet e vendit dhe në mundësitë vetiake të luftëtarëve dhe prijësve. Ndihmat që dhanë udhëheqësit e Lidhjes dhe prijësit popullorë ishin po ashtu të mëdha. Avdyl Frashëri dhe shumë nga prijësit kosovarë të Rrafshit të Dukagjinit, si Sulejman Vokshi, Ali Gucia, Jakup Ferri, Ahmet Gjakova, Haxhi Zeka etj., vunë në dispozicion të mbrojtjes gati të gjithë pasurinë dhe mbajtën me shpenzimet e tyre kontigjente të mëdha të vullnetarëve,sidomos gjatë dimrit 1879-1880.
Lidhja përcaktoi edhe konceptin strategjik thelbi i të cilit e përbënte kryesisht idenë e luftës mbrojtëse. Tipari kryesor mbrojtjes do të ishte mbrojtja me këmbëngulje e çdo pëllëmbe toke. Për rrjedhojë, teatro të luftës do të bëheshin krahinat buzë kufirit dhe ato më të afërta. Në kuadrin e luftimeve mbrojtëse, krahas asgjësimit të forcave armike që mund të futeshin në brendësi të territoreve shqiptare, Lidhja parashikonte të ndërmerrte edhe veprime kundërmësymëse. Në këtë mënyrë mbrojtja nuk do të ishte pasive, por kryesisht aktive. Në përshtatje me terrenin, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, si veprimet luftarake mbrojtëse, ashtu edhe ato kundërmësymëse i parashikoi ose i kreu në praktikë me drejtime. Drejtimet strategjike më kryesore të veprimeve luftarake ishin Mali i Zi-Shkodër, Mali i Zi-Rrafshi i Dukagjinit, Novipazar-Rrafshi i Dukagjinit, Serbi-Fushë Kosovë dhe Greqi-Çamëri.
Në përputhje me kuptimin e përgjithshëm për luftën u bë edhe planifikimi i mbrojtjes. Planet mbrojtëse të shkallës strategjike pasqyrohen në programet politike dhe ushtarake të udhëheqjes qendrore të Lidhjes dhe të degëve të saj kryesore, si ajo e Shkodrës, e Dibrës, e Shqipërisë së Jugut etj.
Kararkteristikë dalluese e planeve strategjike të Lidhjes është fakti që, në kuadrin e gjithë detyrave, në plan të parë u vunë ato të mbrojtjes së tokave shqiptare që vijonin të kërcënoheshin, sidomos i atyre në drejtim të Malit të Zi dhe më pas, ato në drejtim të Serbisë. Në këtë mënyrë qëllimi i këtyre planeve ushtarake të Lidhjes ishte ndalimi i mësymjes së ushtrive agresive. Në plan të dytë Lidhja vuri mbrojtjen e viseve Jugore dhe Lindore, dhe më pas çlirimin e atyre të pushtuara prej Malit të Zi dhe Serbisë para themelimit të saj. Secili korpus (grupforcë) do të mbronte ose do të kundërmësynte në një drejtim e me front të gjërë, deri në 100 km ose edhe më shumë. Lidhja planifikoi mbrojtjen në një front të përgjithshëm rreth 500-600 km të gjatë. Por për shkak të terrenit malor të ashpër, që qarkonte viset shqiptare, vija e frontit nuk zihej dhe as mbulohej me forca në tërë gjatësinë e saj.
Plani strategjik i Lidhjes mbante parasysh edhe përhapjen e vendosjn e forcave në rajone të përshtatshme e sa më afër sektorëve të mrojtjes. Rajonet kryesore të përqëndrimit të forcave kryesore shtriheshin në një brez, që fillonte rreth 20 km pas vijës kufitare, por nuk e kalonte thellësinë 50 km në brendësi të vendit. Kështu, rajonet e grumbullimit të korpuseve të veriut ishin: Prizreni, Peja, Gjakova, Prishtina, Mitrovica, Novipazari dhe Shkodra, ndërsa në Shqipërinë e Jugut ishin Janina, Preveza, Arta etj. Në këtë mënyrë plani strategjik parashikonte organizimin dhe veprimin e shpejtë të mbrojtjes strategjike me forca të mjaftueshme dhe brenda një kohe të shkurtër nga 1-4 ditë.
Lidhja parashikoi edhe kundërmësymjen për çlirimin e viseve shqiptare të pushtuara nga Mali i Zi dhe Serbia para vitit 1878. Në vendimet kryesore dhe në programin e saj ushtarak përcaktohej se, në qoftë Serbia nuk do t`i lëshonte me të mirë viset e pushtuara prej saj pa të drejtë, atëherë kundër saj do të mobilizoheshin formacione vullnetare dhe do të përpiqej deri në fund për të arritur zbrazjen e këtyre viseve. Po kështu do të veprohej edhe kundër Malit të Zi.
Në vitin 1881 Qeveria e Përkohshme Shqiptare e Prizrenit hartoi edhe idenë e një kundërmësymje për çlirimin e krejt viseve veriore dhe verilindore nga sundimi turk dhe pushtimet malazeze. Për realizimin e kësaj u mendua se duheshin krijuar dy grupforca të mëdha me nga 40.000 vullnetarë dhe një rezervë prej rreth 20.000 veta. Sipas idesë, operacioni kundërmësymës për çlirimin e krejt Shqipërisë së Veriut do të niste me veprimin e dy grupforcave: njëra prej 12.000 luftëtarësh që do të marshonin në drejtimin Fushëkosovë-Shkup-Manastir dhe tjetra prej njësive në drejtimin Dibër-Ohër-Manastir. Krahas kësaj, forca të tjera vullnetare të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit, në bashkëveprim me popullsinë e Sanxhakut e të Shkodrës, do të mësynin në drejtim Shkodër-Podgoricë, për të ndjekur autoritetet osmane dhe për të çliruar bashkatdhetarët e tyre të Ulqinit dhe të Podgoricës nga pushtimi Malazes.
Planet kundërmësymëse të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për çlirimin pjesor ose të krejt vendit nuk u realizuan për shkak të pengesave të mëdha që sillte sundimi osman dhe gjëndjes së dobët e të pastabilizuar të organizimit politik dhe ushtarak të Lidhjes. Parashikimi i bashkëveprimit strategjik, pasqyrim më të gjërë gjeti në planet e luftës për Shqipërinë e Veriut. Në to parashikohej bashkërendimi i grupmoshave, që do të krijoheshin në Kosovë, në Rrafshin e Dukagjinit, në Shqipërine e Mesme e deri në Ohër, si dhe për veprimet kundër Malit të Zi dhe kundër Serbisë. Në urdhëresën e Komitetit Qendror të Lidhjes, dërguar degës së Shkodrës, thuhej se, në qoftë se në rast lufte me Malin e Zi, Serbia mbetet neutrale, atëherë në ndihmë të Shkodrës do të dërgohej një korpus nga trupat e caktuara kundër Serbisë për të vepruar në Mal të Zi dhe, anasjelltas; një kontigjent i caktuar kundër Malit të Zi (nga korpusi i Shkodrës) do të shkojë në ndihmë të trupave që do të vepronin kundër Serbisë. Dhe më tej, theksohej se në qoftë se do të detyroheshin të luftonin njëkohësisht kundër forcave të të dy armiqve, qendresa do të organizohej në marrëveshje dhe bashkëveprim midis dy korpuseve. Lufta mbrojtëse më e organizuar dhe më e fuqishme nga forcat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u zhvillua kundër mësymjes së ushtrisë malazeze. Tiparin më të rëndësishëm të veprimeve luftarake të forcave të Lidhjes e përbënte morali i lartë dhe vendosmëria për të luftuar ballë për ballë me armikun megjithë infenoritetin në forca e mjete ndaj tij.
Beteja e parë e rëndësishme u zhvillua 4-7 dhjetor 1879. Rreth 4.000 forca malazeze sulmuan në drejtim Andrejevicë-Plavë dhe 6.000 trupa të tjerë filluan marshimin për pushtimin e Plavës e Gucicë dhe u futën 6-7 km në tokën Shqiptare, deri afër qytetit të Plavës. Shtabi ushtarak i Lidhjes i përbërë nga Ali Gucia (kryetar) Jakup Ferri, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Filip Ceka, Jusuf Sokoli mori në kohë masat e nevojshme për mbrojtjeje. Kështu 2.500-3.000 vullnetarë të organizuar në batalione që përbënin forcën kryesore u përqëndruan në Plavë, 3-4 batalione në Guci, 3-4 batalione në lindje të Velikës. Këto forca së bashku me një formacion vullnetarësh nga Novipazari jo vetëm që dolën fitimtarë mbi armikun por arritën të pushtonin edhe disa fshatra përtej kufirit. Forcat malazese u thyen dhe u torhoqën të shpartalluara në territorin e tyre. Humbjet arritën në qindra të vrarë nga secila palë ndërluftuese.
Beteja e dytë u zhvillua në dhjetëditëshin e parë të muajit janar 1880. Malazezët në këtë betejë aktivizuan rreth 10.000 forca ndërsa përballë tyre, forcat e Lidhjes arritën deri në 8.000 vullnetarë të armatosur dobët dhe me mungesa të theksuara në municion. Edhe në këtë betejë mësymjen e filluan malazezët. Ata vunë në lëvizje tërë ushtrinë, 5 brigada. Këtë herë fronti i mësymjes ishte më i gjerë. Veç drejtimit Adrejevicë-Plavë, ajo u zhvillua edhe në drejtim Adrejevicë-Guci. Edhe në këtë betejë pas luftimesh të ashpra shqiptarët arritën fitoren e merituar. Nga të dy palët pati me qindra të vrarë e të plagosur.
Humbja e betejës së dytë në Plavë dhe në Guci, dëmet e rënda që pësoi ushtria, e detyruan Malin e Zi të tërhiqet me frikë e turp nga fusha e betejës. Vrulli atdhetar dhe trimëria, fuqia dhe fitoret që korrën forcat e Lidhjes në dy betejat e para, lanë përshtypje të thella dhe në opinionin ndërkombëtar. Disa ditë më vonë, kryekonsulli austro-hungarez në Shkodër, Shmukët, i cili e ndoqi së afërmi zhvillimin e betejës, i raportonte qeverisë së vet: “Vetë malazezët pohojnë se shqiptarët luftuan burrërisht dhe fituan mbi ta”. Dhe me të vërtetë ushtria e Lidhjes theu atë ushtri që ka qenë kurdoherë e zonja t`u bëjë ballë fuqive turke. Pas thyerjes së malazezëve në këtë sektor dhe ndryshimit të vendimit të Fuqive të Mëdha, teatri i luftës kaloi nga Plava e Gucia në Hot e në Grudë.
Mbrojtja e Hotit dhe e Grudës, në prill-korrik të vitit 1880, përbën veprimin e dytë të rëndësishëm ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kundër agresionit të Malit të Zi. Organizimi i saj filloi në mars 1880, pasi u muar vesh se Fuqitë e Mëdha kishin vendosur që në vend të Plavës e Gucisë, Malit të Zi t`i jepnin krahinat e Hotit, Grudës dhe të Kelmendit. Por tashmë forcat e Lidhjes, me besimin që kishin fituar në fuqinë e vet, e ngritën në shkallën më të lartë vendosmërinë për të luftuar me armë çdo armik. Me dhënien e kushtrimit, fillimisht, gati të gjithë burrat e krahinave të Hotit, Grudës dhe Kelmendit, të përforcuar edhe me disa qindra luftëtarë prej qytetit të Shkodrës, u përqëndruan afër kufirit dhe qëndronin në gatishmëri për të mos lejuar dorëzimin e viseve shqiptare nga ushtria turke ushtrisë malazaze.
Menjëherë pas kësaj filloi grumbullimi dhe organizimi i forcave vullnetare në qytetin e Shkodrës dhe në krahinën përreth e më tej si në Mirditë, Mat, Pukë etj. Krahas kësaj thirrje për ndihmë iu drejtua edhe Krujës, Dibrës, Tiranës, Elbasanit. Krahinat e ndryshme të vendit treguan gatishmëri për të dërguar vullnetarë, sipas zakonit nga një burrë për shtëpi, kurse viset e Malësisë së Madhe u zotuan të mobilizonin të gjithë burrat e aftë për armë. Shtabet ushtarake, të formuar në vilajetin e Kosovës e të Janinës, njoftuan se ishin gati të dërgonin forcat e tyre vullnetare, kur të ishte e nevojshme. Por shtabi ushtarak i Shkodrës, duke parë gatishmërinë e masave popullore, i konsideroi të mjaftueshme forcat luftarake të mobilizuara vullnetarisht në vilajetin e vet. Thirrjes iu përgjigjën edhe shumë ushtarakë shqiptarë të rreshtuar në repartet osmane. Më 21 prill, një ditë para kohës së caktuar për të bërë dorëzimin e viseve shqiptare ushtrisë së Malit të Zi, vullnetarët shqiptarë, me një forcë prej 6.000 veta zunë Tuzin dhe rajonin përreth. Ata kapën të gjitha fortifikatat dhe pozicionet përgjatë kufirit dhe qëndronin në gatishmëri për të përballuar mësymjen e ushtrisë malazeze.
Vullnetarët shqiptarë, duke u përhapur drejt rajonit të Medunit e Kuçit në veri, në bregun e liqenit të Shkodrës në jug dhe deri në Helm në lindje, krijuan një brez mbrojtjeje me gjerësi 30 km dhe të thellë afërsisht 10 km. Më 22 prill pararoja e ushtrisë malazeze prej 9.000 veta, të rreshtuar në 20 batalione, të përqëndruarar në qytetin e Podgoricës dhe rreth saj, marshoi drejt kufirit, u hodh në mësymje drej Tuzit dhe Grudës ose krahut të djathtë të brezit të mbrojtjes së vullnetarëve shqiptarë. Ndeshja e parë u bë përpara urës së Cemit dhe në Helm. Pasi zunë me shpejtësi pozicionet e boshatisura prej ushtrisë osmane, ushtarët e Lidhjes u vunë në gatishmëri për luftë. Kur dy kolona të ushtrisë malazeze iu drejtuan Urës së Rzharnicës disa qindra luftëtarë shqiptarë u përqëndruan menjëherë atje dhe iu përgjigjën sulmit të armikut me zjarr. Që në krismat e para grupet e vullnetarëve të Malësisë së Madhe u hodhën në sulm të furishëm kundër forcave malazeze në Helm. Ushtria malazeze u thye dhe u tërhoq për në Podgoricë, duke lënë të vrarë e të plagosur. Po kështu edhe mësymja e saj në drejtim të Grudës, sidomos në sektorët e Medunit dhe të Kuçit, nuk pati sukses. Në fund të muajit prill në vijën kufitare qenë përqëndruar 7.000 vullnetarë, numri i të cilëve pas një jave, me ardhjen e forcave mirditore, u rrit në rreth 9.000 veta. Prej tyre, 7.000 qendruan në gatishmëri në shtëpitë e tyre që, në rast se jepej kushtrimi, ato të niseshin për në front. Përpara kësaj force ushtria malazeze u step, madje mori masa mbrojtëse, e trermbur nga mësymja e shqiptarëve. Mbrojtja e Hotit dhe e Grudës nxori edhe një herë në pah aftësitë organizuese dhe drejtuese luftarake të shqiptarëve.
Fitorja e Hotit dhe e Grudës e ngriti edhe më lartë moralin dhe besimin e vullnetarëve shqiptarë, aq sa nga radhët e tyre doli propozimi për të organizuar një mësymje kundër ushtrisë malazeze dhe për ta detyruar Knjaz Nikollën që të hiqte dorë një herë e përgjithmonë nga lakmia e tij për trojet shqiptare. Këtë ide e përqafoi Hodo Sokoli, kryetari i shtabit ushtarak të Shkodrës, por edhe Ali Pash Gucia, kryetar i shtabit ushtarak të Kosovës, i cili u zotua të fillonte shpejt mësymjen me forcate tij nga Plava dhe Gucia, për t`u futur në thellësi të viseve malazeze. Por udhëheqja e Lidhjes së Prizrenit, për të mos shkaktuar ndërlikime ndërkombëtare, nuk u pajtua me planin e mësymjes së propozuar nga poshtë.
Duke parë forcën dhe këmbënguljen e shqiptarëve, Fuqitë e Mëdha e ndryshuan përsëri vendimin. Anulluan dhënien e Hotit e të Grudës, Malit të Zi. Për të kompensuar këtë, caktuan krahinat e Ulqinit e të Tivarit dhe rrethinat e tyre. Si reagim ndaj vendimit të ri të Fuqive të Mëdha, edhe Lidhja Shqiptare e Shkodrës organizoi mbrojtjen e Ulqinit. Organizimi i mbrojtjes filloi në gusht dhe mbaroi në muajin nëntor 1880. Në gusht afërsisht 2.000 vullnetarë të qytetit dhe rrethinës së Ulqinit, rrëmbyen armët. Pas kësaj, valiu turk me 6 batalione, shkoi në Ulqin. Por edhe ekspedita e tij nuk dha rezultat. Madje pasi u muar vesh se flota luftarake e Fuqive të Mëdha do të shkontë në Ulqin, më 17 shtator 1880, rreth 6.000 vullnetarë shqiptarë sulmunan dhe morën në duart e tyre Ulqinin, duke e detyruar ushtrinë turke të mbyllej në kazerma dhe më vonë të largohej fshehurazi nga qyteti. Mirëpo më 25 tetor në Shkodër erdhi marshalli Dervish Pasha me 21 batalione. Në muajin nëntor, si rrjedhojë e trysnisë, premtimeve dhe kërcënimeve, në Komitetin Kombëtar të Shkodrës ndodhën përçarje, që u shoqëruan edhe me dobësimin e mbrojtjes së Ulqinit. Numri i vullnetarëve mbeti afërsisht 3.000 veta. Përballë tyre grupimet e forcave rrethuese armike arritën gati 10 herë më shumë në forca të gjalla dhe të pakrahasueshme në armatimin dhe në teknikën luftarake. Kështu forcat ushtarake malazeze ishin 6.000 veta dhe 4 bateri artilerie në afërsi të malit Suterrman nga veriu. Flota luftarake detare e bashkuar e Fuqive të Mëdha, 17 anije të mëdha me 138 topa dhe 7.300 detarë, zotëronte krejt detin përpara qytetit. Ushtria osmane prej 22 batalione mbante të bllokuar të gjithë rajonin Lezhe dhe Shëngjin e deri në Shkodër. Qëllimi forcave të kualicionit ishte që me anën e demonstrimit të forcës dhe trysnisë e bllokimit, t`i detyronte shqiptarët të hiqnin dorë nga lufta për mbrojtjen e Ulqinit dhe t`ua dorzonin atë malazezëve.
Vullneti i Fuqive të Mëdha dhe ndërhyrjet e kërcënimet e Portës së Lartë për të dorëzuar Ulqinin vijuan të ndeshnin në kundërshtimin e vendosur të shqiptarëve. Të 3.000 vullnetarët shkodranë, të komanduar nga Isuf Sokoli zunë pozicionet dhe qëndruan në gatishmëri për të përballuar sulmin nga do që të vinte. Më 21 nëntor 1880 ai urdhëroi të kalonte në mësymje në drejtim të Ulqinit. Më 22 nëntor repartet e skalionit të parë të ushtrisë turke u ndeshën me vullnetarët shkodranë afër Klenjës dhe në malin e Mazhurës. Në fillim mbrojtësit i sprapsën sulmet e ushtrisë turke, por me futjen në luftim të forcave të tjera, sidomos të zjarrit të artilerisë, vullnetarët shqiptarë u detyruan të lënë vijat mbrojtëse dhe të tërhiqen. Në këtë mënyrë trupat osmane hyn në Ulqin. Sipas marrëveshjeve dhe kushteve të kërkuara me këmbëngulje nga qeveria malazeze, largësia e trupave turke, që do të largoheshin nga qyteti, dhe atyre malazeze që do ta merrnin atë, u bë deri në 50 hapa, aq sa Dervish Pasha deklaroi se i’u desh t`i merrte prej dore malazezët për t`i prurë në Ulqin.
Veprimin e fundit të luftës së armatosur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e përbëjnë kryesisht betejat mbrojtëse kundër osmane të prillit 1881. Në dhjetor 1880 udhëheqja e Lidhjes u shpall Qeveri e Përkohëshme. Gjatë muajve dhjetor, janar e mars 1881, ajo kreu disa operacione politiko-ushtarke dhe shtriu pushtetin e saj në Kosovë, në rajonin e Shkupit në rrethin e Dibrës, por pa zhvilluar ndonjë luftim të rëndësishëm me forcat turke. Betejat kryesore ndërmjet forcave të Lidhjes dhe ushtrisë perandorake osmane u zhvilluan prej 17-22 prill 1881 në rajonin Ferizaj, Slivovë, Shtimlje, Caralevë, Duhël dhe Suharekë. Më 22 prill luftimet u zhvilluan në Qafë të Dulës, në Suharekë dhe në Prizren. Më 23 prill forcat osmane pushtuan Prizrenin. Në këto luftime turqit lanë rreth 2.000 të vrarë, kurse shqiptarët më se 1.000 veta. Në maj dhe në qershor qëndresa vijoi në Rrafshin e Dukagjinit e në Lumë, kurse në korrik edhe në Dibër, por me forca rajonale. Në vjeshtë të vitit 1881 veprimet luftarake ranë krejtësisht.
Betejat e forcave të Lidhjes kundër ushtrisë osmane përbëjnë një dëshmi tjetër të vendosmërisë, të karakterit dhe të kuptimit të ri ushtarak që arriti Lidhja Shqiptare e Prizrenit për luftën e armatosur. Në tërësi llojet dhe format e luftimit që përdoren dhe zbatuan forcat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në teatrot e ndryshme të luftës së armatosur, patën ndryshime thelbësore në krahasim me ato qe u zbatuan në etapën e parë të Rilindjes Kombëtare. Për të arritur qëllimin e mbrojtjes, Lidhja iu përmbajt parimit të përqëndrimit të forcave të mjaftueshme në çdo front e sektor që kërcënohej.
Përfundime e mësime mbi veprimtarinë politike e ushtarke të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lidhja në një situatë tepër të vështirë mori në duart e veta fatin e kombit dhe deklaroi botërisht se zot i vetëm i tokave shqiptare ishin vetë shqiptarët. Lëvizja përfaqësonte interesat kombëtare dhe ekonomike e shoqërore të kombit shqiptar duke i realizuar ato nëpërmjet zbatimit të një programi përparimtar demokratik. Meqënëse poltikën në Ballkan e bënin Fuqitë e Mëdha dhe se nuk u realizua ndonjë aleancë e përbashkët me ndonjë fuqi tjetër, Lidhja u mbështet tërësisht në forcat e brendshme. Krahas përpjekjeve për ruajtjen e Shqipërisë nga coptimet e shovinistëve fqinjë, Lidhja luftoi për bashkimin e trojeve shqiptare në një tërësi të vetme kombëtare autonome.
Rëndësia e veçantë e veprimtarisë së Lidhjes qëndron se përherë të parë pas periudhës së lavdishme të Skëndërbeut diti të bashkojë, organizojë e drejtojë lëvizjen popullore shqiptare për ruajtjen e tërësisë territoriale e shpëtimin kombëtar. Lidhja përcaktoi e zbatoi me rigorozitet, si të vetmen rrugë për shpëtimin kombëtar, luftën e armatosur. Pavarësisht se përpjekjet me armë u kufizuan në një pjesë krahinash të Shqipërisë së Veriut, ideja dhe fryma e lidhjes ndikuan në të gjitha trojet shqipatre. Nga gjiri i Lidhjes dolën njerëz të mëdhenj e të shquar të penës e të pushkës; udhëheqës e komandantë të dëgjuar, të fjalës e të veprës; shkrimtarë e patriotë si: Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Ymer Prizreni, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Mic Sokoli. Ali Ibra etj.
Veprimtaria e Lidhjes është pjesë përbërëse e lëvizjes popullore ballkanike dhe evropiane, sepse drejtoheshin ndaj të njëjtit pushtues, Perandorisë Osmane dhe synonin çlirimin dhe bashkimin e kombeve të shtypura. Për realizimin e qëllimeve startegjike të Lëvizjes Kombëtare Shqipëtare, u krijuan Forcat e Armatosura me karakteristikat e një ushtrie moderne të kohës e cila ishte një prej ushtrive të para kombëtare me karakter popullor e çlirimtar. Në kuadrin e përgjithshëm të detyrave të tyre, Lidhja dhe forcat e saj të armatosura, zbatuan kryesisht një strategji mbrojtëse. Edhe pse u shtyp Lidhja Prizrenit, la gjurmë të pashlyera në ndërgjegjen dhe kujtesën e kombit shqiptar.Ajo ushtroi një ndikim të thellë në ngjarjet e mëvonshme historike shqiptare.

Literatura:
Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, 1878-1912, Tiranë, 1978.
Prof. Dr. Kristo Frashëri, Lidhja Shqiptare e Prizërenit 1878-1881, Tiranë, 1997.
Historia e Shqipërisë, vëll. II, Tiranë, 1983.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentat osmane, Tiranë, 1978.
Historia e Artit Ushtarak Shqiptar nga lashtësia deri në vitin 1939, Tiranë, 2001.
J. Kastrati, E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, Shkodër, 1963.
Konferenca Kombëtare për 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Tiranë, 1978.
Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 1985.







 

 

           

Copyright © gusht.2004 by " www.plaveguci.eu®